Projektligje të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, 27 gusht 2014
V E N D I M
PËR
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR RATIFIKIMIN E NDRYSHIMIT TË LETËRMARRËVESHJES NDRYSHUESE TË MARRËVESHJES SË FINANCIMIT, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË
DHE FONDIT NDËRKOMBËTAR PËR ZHVILLIMIN E AGRIKULTURËS, PËR PROGRAMIN “MALET DREJT TREGUT””
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Punëve të Jashtme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Propozimin e projektligjit “Për ratifikimin e ndryshimit të letërmarrëveshjes ndryshuese të marrëveshjes së financimit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Fondit Ndërkombëtar për Zhvillimin e Agrikulturës, për programin “Malet drejt tregut”, për shqyrtim dhe miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
P R O J E K T L I GJ
PËR
RATIFIKIMIN E NDRYSHIMIT TË LETËRMARRËVESHJES NDRYSHUESE TË MARRËVESHJES SË FINANCIMIT, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE FONDIT NDËRKOMBËTAR PËR ZHVILLIMIN E AGRIKULTURËS, PËR PROGRAMIN “MALET DREJT TREGUT”
Në mbështetje të neneve 78, 83, pika 1, dhe 121, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I:
Neni 1
Ratifikimin e ndryshimit të letërmarrëveshjes ndryshuese të marrëveshjes së financimit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Fondit Ndërkombëtar për Zhvillimin e Agrikulturës, për programin “Malet drejt tregut”.
Neni 2
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E T A R I
ILIR META
***
V E N D I M
PËR
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR RATIFIKIMIN E MARRËVESHJES NDRYSHUESE TË MARRËVESHJES SË HUASË DHE PROGRAMIT, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, PËRFAQËSUAR NGA MINISTRIA E FINANCAVE, E FONDIT SHQIPTAR TË ZHVILLIMIT DHE KfW FRANKFURT AM MAIN, PËR FINANCIMIN E PROGRAMIT “FONDI I INVESTIMEVE SOCIALE IV””
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Punëve të Jashtme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Propozimin e projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes ndryshuese të marrëveshjes së huasë dhe programit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Ministria e Financave, e Fondit Shqiptar të Zhvillimit dhe KfW Frankfurt am Main, për financimin e programit “Fondi i investimeve sociale IV””, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
P R O J E K T L I GJ
PËR
RATIFIKIMIN E ARRËVESHJES NDRYSHUESE TË MARRËVESHJES SË HUASË DHE PROGRAMIT, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, PËRFAQËSUAR NGA MINISTRIA E FINANCAVE, E FONDIT SHQIPTAR TË ZHVILLIMIT DHE KfW FRANKFURT AM MAIN, PËR FINANCIMIN E PROGRAMIT “FONDI I INVESTIMEVE SOCIALE IV”
Në mbështetje të neneve 78, 83, pika 1, dhe 121, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I:
Neni 1
Ratifikimin e marrëveshjes ndryshuese të marrëveshjes së huasë dhe programit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Ministria e Financave, e Fondit Shqiptar të Zhvillimit dhe KfW Frankfurt am Main, për financimin e programit “Fondi i investimeve sociale IV”.
Neni 2
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E T A R I
ILIR META
***
V E N D I M
PËR
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR RATIFIKIMIN E NDRYSHIMIT NR.2 TË MARRËVESHJES SË NDIHMËS PËR OBJEKTIVA ZHVILLIMI, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË SHTETEVE TË BASHKUARA TË AMERIKËS, “PËR FORCIMIN E SHTETIT TË SË DREJTËS DHE QEVERISJEN E MIRË DHE KRIJIMIN E KUSHTEVE PËR NJË RRITJE EKONOMIKE ME BAZË TË GJERË DHE TË QËNDRUESHME””
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Punëve të Jashtme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Propozimin e projektligjit “Për ratifikimin e ndryshimit nr.2 të marrëveshjes së ndihmës për objektiva zhvillimi, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, “Për forcimin e shtetit të së drejtës dhe qeverisjen e mirë dhe krijimin e kushteve për një rritje ekonomike me bazë të gjerë dhe të qëndrueshme””, për shqyrtim dhe miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
P R O J E K T L I GJ
PËR
RATIFIKIMIN E NDRYSHIMIT NR.2 TË MARRËVESHJES SË NDIHMËS PËR OBJEKTIVA ZHVILLIMI, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË SHTETEVE TË BASHKUARA TË AMERIKËS, “PËR FORCIMIN E SHTETIT TË SË DREJTËS DHE QEVERISJEN E MIRË DHE KRIJIMIN E KUSHTEVE PËR NJË RRITJE EKONOMIKE ME BAZË TË GJERË DHE TË QËNDRUESHME”
Në mbështetje të neneve 78, 83, pika 1, dhe 121, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I:
Neni 1
Ratifikimin e ndryshimit nr.2 të marrëveshjes së ndihmës për objektiva zhvillimi, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, “Për forcimin e shtetit të së drejtës dhe qeverisjen e mirë dhe krijimin e kushteve për një rritje ekonomike me bazë të gjerë dhe të qëndrueshme”.
Neni 2
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E T A R I
ILIR META
***
V E N D I M
PËR
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR ADERIMIN E REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË NË TRAKTATIN PËR SISTEMIN EVROPIAN TË INFORMACIONIT PËR AUTOMJETIN DHE LEJEN E DREJTIMIT (EUCARIS)”
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Punëve të Jashtme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Propozimin e projektligjit “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në Traktatin për Sistemin Evropian të Informacionit për Automjetin dhe Lejen e Drejtimit (EUCARIS)”, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit bashkëlidhur këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
P R O J E K T L I GJ
PËR
ADERIMIN E REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË NË TRAKTATIN PËR SISTEMIN EVROPIAN TË INFORMACIONIT PËR AUTOMJETIN DHE LEJEN E DREJTIMIT (EUCARIS)
Në mbështetje të neneve 78, 83, pika 1, dhe 121, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I:
Neni 1
Aderimin e Republikës së Shqipërisë në Traktatin për Sistemin Evropian të Informacionit për Automjetin dhe Lejen e Drejtimit (EUCARIS).
Neni 2
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E T A R I
ILIR META
***
V E N D I M
PËR
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË LIGJIN NR.8378, DATË 22.7.1998, “KODI RRUGOR I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË”, TË NDRYSHUAR”
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Transportit dhe Infrastrukturës, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Propozimin e projektligjit “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.8378, datë 22.7.1998, “Kodi Rrugor i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar”, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
P R O J E K T L I GJ
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË LIGJIN NR.8378, DATË 22.7.1998, “KODI RRUGOR I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të neneve 81, pika 2, dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I:
Në ligjin nr.8378, datë 22.7.1998, “Kodi Rrugor i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
Neni 1
Pika 2, e nenit 1, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“2. Qeveria raporton në Kuvendin e Shqipërisë për rezultatet e arritura dhe masat që duhen marrë për përmirësimin e sigurisë rrugore.”.
Neni 2
Pas pikës 23, të nenit 10, shtohet pika 24, me këtë përmbajtje:
“ 24. Cilido që kryen shkeljet e parashikuara në pikat 17, 18, 20 e 21 dhe është përgjegjës me faj në ndodhjen e një aksidenti, që ka sjellë dëme të rrugës apo pjesëve që i përkasin asaj, është i detyruar t’ia paguajë entit pronar të gjitha shpenzimet për risjelljen në gjendjen fillestare.”.
Neni 3
Pas shkronjës “e”, të pikës 1, të nenit 11, shtohet shkronja “ë”, me këtë përmbajtje:
“ë) Mbledhja, përpunimi, ruajtja, shpërndarja dhe përdorimi i të dhënave të aksidenteve rrugore në sistemin e të dhënave të aksidenteve rrugore. Modalitetet e këtij sistemi përcaktohen në aktet në zbatim.”.
Neni 4
Në nenin 15 bëhen këto ndryshime:
1. Shkronja “b”, e pikës 1, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“b) të dëmtohet, të vizatohet, të shënohet, të zhvendoset apo të hiqet sinjalizimi rrugor dhe çdo objekt tjetër që i takon atij;”.
2. Pika 2 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“2. Cilido që nuk respekton ndalimet e paraqitura në pikën 1, kur nuk përbën vepër penale ndëshkohet me masën administrative me gjobë nga njëzet e pesë mijë deri në njëqind mijë lekë. Shkelja e mësipërme, sipas rastit, shoqërohet edhe me masa plotësuese administrative për rivendosjen e gjendjes fillestare në ngarkim të autorit të shkeljes dhe me shpenzimet e tij.”.
Neni 5
Pikat 11 dhe 12, të nenit 22, ndryshohen, si më poshtë vijon:
“11. Cilido që hap hyrje a degëzime të reja ose cilido që transformon a ndryshon mënyrën e përcaktuar të përdorimit të atyre ekzistuese pa autorizimin e entit pronar të rrugës apo që mban në përdorim hyrje ekzistuese të paautorizuara, kur nuk përbën vepër penale, ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga njëqind mijë deri në katërqind mijë lekë. Shkelja e mësipërme, sipas rastit, ndëshkohet edhe me masën plotësuese administrative për rivendosjen e gjendjes fillestare në ngarkim të autorit të shkeljes dhe me shpenzimet e tij.
Masat plotësuese nuk zbatohen në qoftë se veprat e realizuara mund të rregullohen nëpërmjet një autorizimi përkatës. Lëshimi i këtij autorizimi nuk heq gjobën administrative.
12. Cilido që shkel normat e tjera të këtij neni dhe aktet përkatëse në zbatim të tij, kur nuk përbën vepër penale, ndëshkohet me masën administrative me gjobë nga njëzet e pesë mijë deri në njëqind mijë lekë.”.
Neni 6
Pika 11, e nenit 23, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“11. Cilido që shkel dispozitat e këtij neni dhe të akteve në zbatim të tij, si dhe kushtet e autorizimeve të parashikuara nga ky nen, kur nuk përbën vepër penale, ndëshkohet me gjobë nga njëqind mijë deri në katërqind mijë lekë dhe zbatohen masat plotësuese administrative që e detyrojnë autorin e shkeljes të heqë, me shpenzimet e tij, të gjitha veprat, tabelat, parullat dhe çdo tip impianti e formë reklame.”.
Neni 7
Pikat 6 dhe 7, të nenit 24, ndryshohen, si më poshtë vijon:
“6. Cilido që vendos apo vë në shfrytëzim impiante ose objekte pa lejen përkatëse nga autoritetet përkatëse, siç është parashikuar nga neni 26, i këtij Kodi ose transformon apo ndryshon mënyrën e përdorimit të tyre të parashikuar nga leja e sipërpërmendur dhe që shkel kushtet e saj, kur nuk përbën vepër penale, ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga pesëdhjetë mijë deri në dyqind mijë lekë.
7. Cilido që shkel kushtet e lejes së sipërpërmendur, kur nuk përbën vepër penale, ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga njëzet e pesë mijë deri në njëqind mijë lekë.”.
Neni 8
Në pikën 2, të nenit 47, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
1. Paragrafi i parë dhe shkronja “a” ndryshohen, si më poshtë vijon:
“2. Mjete me motor dhe rimorkiot e tyre, sipas shkronjave “e”, “f”, “g”, “h”, “i” “j” dhe “l”, të pikës 1, të këtij neni, klasifikohen, gjithashtu, në bazë të kategorive ndërkombëtare, si më poshtë vijon:
a) – Kategoria L1: mjete me dy rrota, cilindrata e motorit (kur flitet për motor me djegie të brendshme) të mos i kalojë 50 cm3 dhe me shpejtësi maksimale të projektuar (për çdo lloj sistemi motorik) jo më të madhe se 45 km/h, fuqia maksimale nuk është më shumë se 4 kW në rastin e një motori elektrik;
– Kategoria L2: mjete me tri rrota, cilindrata e motorit (kur flitet për motor me djegie të brendshme) të mos i kalojë të 50 cm3 dhe me shpejtësi maksimale të projektuar (për çdo lloj sistemi motorik) jo më të madhe se 45 km/h; rendimenti maksimal neto i fuqisë nuk është më shumë se 4 kW, në rastin e motorëve të tjerë me djegie të brendshme, ose fuqia maksimale e vazhdueshme nuk është më shumë se 4 kW, në rastin e një motori elektrik;
– Kategoria L3: mjete me dy rrota, pa kosh, cilindrata e motorit (kur flitet për motor me djegie të brendshme) është më e madhe se 50 cm3 dhe me shpejtësi maksimale të projektuar (për çdo lloj sistemi motorik) më të madhe se 45 km/h;
– Kategoria L4: mjete me dy rrota, me kosh, cilindrata e motorit (kur flitet për motor me djegie të brendshme) është më e madhe se 50 cm3 dhe me shpejtësi maksimale të projektuar (për çdo lloj sistemi motorik) më të madhe 45 km/h;
– Kategoria L5: mjete me tri rrota të përshtatura simetrikisht, cilindrata e motorit (kur flitet për motor me djegie të brendshme) është më e madhe se 50 cm3 dhe me shpejtësi maksimale të projektuar (për çdo lloj sistemi motorik) më të madhe se 45 km/h;
– Kategoria L6: mjete me katër rrota të lehta, masa e pangarkuar e të cilave nuk është më shumë se 350 kg, pa përfshirë masën e baterive në rastin e automjeteve elektrike, me shpejtësi maksimale të projektuar jo më të madhe se 45 km/h, cilindrata e motorit të mos i kalojë të 50 cm3 dhe rendimenti maksimal neto i të cilëve nuk është më shumë se 4 kW, në rastin e motorëve të tjerë me djegie të brendshme, ose fuqia maksimale e vazhdueshme e të cilëve nuk është më shumë se 4 kW, në rastin e një motori elektrik;
– Kategoria L7: mjete me katër rrota të ndryshme nga L6, masa e pangarkuar e të cilave nuk është më shumë se 400 kg (550 kg për automjetet e synuara për transportimin e mallrave), pa përfshirë masën e baterive, në rastin e automjeteve elektrike, dhe fuqia maksimale neto e motorit e të cilave nuk është më shumë se 15 kW;”.
2. Pas shkronjës “d” shtohet shkronja “dh”, me këtë përmbajtje:
“dh)- Kategoria T: traktorët me rrota;
– Kategoria T1: traktorët me rrota, me shpejtësi maksimale në kushte sigurie prej jo më shumë se 40 km/h, me boshtin më të afërt te drejtuesi, që ka gjerësi minimale zinxhiri prej jo më pak se 1150 mm, me një masë të pangarkuar në rend të njëpasnjëshëm prej më shumë se 600 kg dhe me lartësi nga toka prej jo më shumë se 1000 mm;
– Kategoria T2: traktorët me rrota, me shpejtësi maksimale në kushte sigurie prej jo më shumë se 40 km/h, me gjerësi minimale zinxhiri prej më pak se 1150 mm, e një masë të pangarkuar në rend të njëpasnjëshëm prej më shumë se 600 kg dhe me lartësi nga toka prej jo më shumë se 600 mm;
– Kategoria T3: traktorët e pajisur me rrota, me shpejtësi maksimale në kushte sigurie prej jo më shumë se 40 km/h dhe me një masë të pangarkuar në rend të njëpasnjëshëm prej jo më shumë se 600 kg;
– Kategoria T4: traktorët e pajisur me rrota për qëllime të veçanta, me shpejtësi maksimale në kushte sigurie prej jo më shumë se 40 km/h;
– Kategoria T5: traktorët e pajisur me rrota me shpejtësi maksimale në kushte sigurie prej jo më shumë se 40 km/h;
– Kategoria C: traktorët me zinxhirë të pandërprerë;
Traktorët me zinxhirë të pandërprerë që shtyhen dhe drejtohen nga zinxhirë të pandërprerë dhe kategoritë e të cilëve, C1 deri C5, përcaktohen në analogji me kategoritë T1 deri T5.”.
Neni 9
Nё pikën 1, të nenit 52, bëhen këto ndryshime:
1. Në shkronjën “b”, fjalët “… 50 km/h …” zëvendësohen me “… 45 km/h …”.
2. Shkronja “c” shfuqizohet.
Neni 10
Në fund të pikës 1, të nenit 77, shtohet fjalia, me këtë përmbajtje:
“Ndryshimi konstruktiv i automjetit me destinacion autoshkollë realizohet vetëm me kërkesën e subjektit tregtar i cili zotëron licencën për autoshkollë dhe ka në pronësi të vet automjetin përkatës.”.
Neni 11
Në pikën 4, të nenit 78, fjalët “… pesë mijë deri në dhjetë mijë …” zëvendësohen me “… dhjetë mijë deri në njëzet mijë …”.
Neni 12
Në nenin 114 bëhen këto ndryshime:
1. Paragrafi i parë, i pikës 1, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“1. Cilido, që drejton mjete rrugore ose kafshë, duhet të plotësojë kërkesat fizike e psikike dhe testin psikofizik, si dhe të ketë mbushur moshën:
a) katërmbëdhjetë vjeç, për drejtimin e mjeteve të tërhequra me kafshë apo të drejtojë kafshë tërheqëse, barre ose shale, si dhe tufa, kope ose grupime të tjera kafshësh;
b) gjashtëmbëdhjetë vjeç, për drejtimin e mjeteve me motor, të kategorisë AM;
c) tetëmbëdhjetë vjeç, për drejtimin e mjeteve me motor, të kategorive A1, A2, B1 dhe B, sipas nenit 115, të këtij ligji.”.
2. Pika 2 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“2. Cilido, që drejton mjete me motor, nuk duhet të ketë kaluar moshën:
“a) shtatëdhjetë vjeç, për të drejtuar mjete me motor për transport malli;
b) gjashtëdhjetë e pesë vjeç, për të drejtuar autobusë, kamionë, kamionë me rimorkio, gjysmërimorkiatorë dhe artikularë të tjerë, të caktuar për transport personash. Ky kufi mund të rritet çdo vit deri në shtatëdhjetë vjeç, kur drejtuesi paraqet një dëshmi të veçantë për kërkesat fizike dhe psikike pas një vizite të specializuar mjekësore të përvitshme, sipas mënyrave të përcaktuara në aktet në zbatim.”.
Neni 13
Neni 115 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Neni 115
Lejedrejtimi dhe certifikata e aftësisë profesionale për drejtimin e motomjeteve dhe automjeteve
1. Nuk mund të drejtohen automjete dhe motomjete pa marrë lejedrejtimi të parashikuar nga ky kod.
2. Përgatitja e kandidatit për lejedrejtimi bëhet në autoshkolla dhe provimet e aftësisë për lejedrejtimi duhet të bëhen pranë drejtorive rajonale të shërbimeve të transportit rrugor, pasi të plotësohen kërkesat e caktuara fizike e psikike. Ministria përgjegjëse për transportin përcakton procedurën për lëshimin, përditësimin dhe dhënien e dublikatës, përmes një sistemi informatik, të lejedrejtimit si dhe certifikatave të kualifikimeve profesionale, duke pasur si qëllim thjeshtimin e procedurave administrative. Kandidati për drejtues mjeti mund të regjistrohet dhe të kryejë kursin e teorisë e të praktikës në çdo drejtori rajonale të shërbimeve të transportit rrugor, pavarësisht nga regjistrimi në gjendjen civile.
3. Lejedrejtimi sipas modelit të Bashkimit Evropian, siç përcaktohet me vendim të Këshillit Ministrave, ndahet sipas kategorive dhe aftësive në drejtimin e mjeteve, të përcaktuara për secilën nga kategoritë e mëposhtme:
Kategoria AM:
a) ciklomotorë me dy rrota, kategoria L1, me shpejtësi maksimale më të madhe se 25 km/h dhe jo më shumë se 45 km/h, fuqia cilindrike e të cilit është më e vogël apo e barabartë me 50 cm³, nëse është me djegie të brendshme, apo fuqia maksimale e vazhdueshme është më e vogël apo e barabartë me 4 kW, për motorët elektrikë;
b) mjete me ose pa kosh dhe mjete me tri rrota, kategoria L2, me shpejtësi maksimale më të madhe se 25 km/h dhe jo më shumë se 45 km/h dhe me motor me fuqi cilindrike më të ulët apo të barabartë me 50 cm³, nëse ky është me ndezje të komanduar, apo kur fuqia e tij maksimale neto është më e ulët ose e barabartë me 4 kW, për motorët e tjerë me djegie të brendshme, ose për ata që fuqinë maksimale të vazhdueshme e kanë më të vogël apo të barabartë me 4 kW, për motorët elektrikë;
c) mjete me katër rrota të lehta, kategoria L6, masa bosh e të cilëve është më e ulët ose e barabartë me 350 kg, duke përjashtuar masën e baterive për automjetet elektrike me shpejtësi maksimale më të madhe se 25 km/h dhe jo më shumë se 45 km/h, me fuqi cilindrike të motorit më të ulët ose të barabartë me 50 cm³, për motorët me ndezje të komanduar, ose ata të cilët fuqinë maksimale neto e kanë më të ulët apo të barabartë me 4 kW, për motorët e tjerë me djegie të brendshme; ose ata të cilët fuqinë maksimale të vazhdueshme e kanë më të vogël apo të barabartë me 4kW, për motorët elektrikë;
Kategoria A1:
a) motomjet me cilindratë jo më shumë 125 cm3 dhe me fuqi jo më shumë se 11 kW dhe me raportin fuqi/peshë jo më shumë se 0,1 kW/kg;
b) tricikël me një fuqi jo më të madhe se 15 kW;
Kategoria A2: motomjet me fuqi jo më shumë se 35 kW dhe me raportin fuqi/peshë jo më shumë se 0,2 kW/kg, që nuk rrjedh nga një mjet me më shumë se dyfishi i fuqisë së tij;
Kategoria A: motomjet me fuqi më shumë se 15 kW;
Kategoria B1: motomjet me katër rrota, sipas përcaktimeve të shkronjës “c”, të kategorisë AM, masa pa ngarkesë e të cilit është më e vogël ose e barabartë me 400 kg ose 550 kg për mjetet e destinuara për transport mallrash (kategoria L7), përjashtuar masën e baterive për automjetet elektrike, të cilat fuqinë maksimale neto të motorit e kanë më të ulët ose të barabartë me 15 kW. Këto mjete konsiderohen si mjete me tri rrota dhe janë në përputhje me rregullat e aplikueshme për mjetet e kategorisë L5;
Kategoria B: mjet motorik me masë maksimale të autorizuar jo më të madhe se 3.500 kg dhe me jo më shumë se 8 ndenjëse, përjashtuar ndenjësen e drejtuesit të mjetit. Mjetet e kësaj kategorie mund të tërheqin një rimorkio të lehtë ose një gjysmërimorkio që nuk e kalon masën maksimale të autorizuar 750 kg, duke u siguruar që masa maksimale e autorizuar e këtij kombinimi të mos kalojë 4.250 kg. Në rast se kombinimi i kalon 3.500 kg, drejtuesi duhet t’i nënshtrohet një trajnimi dhe provimi të posaçëm;
Kategoria BE: kombinimi i një mjeti të kategorisë B dhe një rimorkioje ose gjysmërimorkioje, ku masa maksimale e autorizuar e rimorkios ose gjysmërimorkios nuk i kalon 3500 kg;
Kategoria C1: mjet motorik i ndryshëm nga ato të kategorive D1 e D, masa maksimale e autorizuar e të cilit i kalon 3.500 kg, por jo më shumë 7.500 kg ose i projektuar dhe i konstruktuar për transportin e jo më shumë se tetë pasagjerëve, përjashtuar drejtuesin e automjetit. Mjeteve të kësaj kategorie mund t’u lidhet një rimorkio, masa maksimale e autorizuar e së cilës nuk e kalon 750 kg;
Kategoria C1E: kombinimi i një mjeti motorik të kategorisë C1 dhe një rimorkioje ose gjysmërimorkioje, ku masa maksimale e autorizuar e rimorkios ose gjysmërimorkios është më shumë se 750 kg, por masa maksimale e autorizuar e kompleksit të formuar nuk i kalon 12.000 kg;
Kombinimi i një mjeti të kategorisë B dhe një rimorkioje apo gjysmërimorkioje, masa e autorizuar e të cilave i kalon 3.500 kg, me kusht që, në masë, kombinimi i autorizuar të mos i kalojë 12.000 kg;
Kategoria C: mjet motorik i ndryshëm nga ato të kategorive D1 e D, masa maksimale e autorizuar e të cilit i kalon 3.500 kg ose i projektuar dhe konstruktuar për transportin e jo më shumë se tetë pasagjerëve, përjashtuar drejtuesin e automjetit. Mjeteve të kësaj kategorie mund t’u lidhet një rimorkio, masa maksimale e autorizuar e së cilës nuk e kalon 750 kg;
Kategoria CE: kombinimi i një mjeti të kategorisë C me një rimorkio ose gjysmërimorkio, ku masa maksimale e autorizuar e rimorkios ose gjysmërimorkios është më shumë se 750 kg;
Kategoria D1: mjet motorik i projektuar dhe i konstruktuar për jo më shumë se 16 pasagjerë, përjashtuar drejtuesin e automjetit, dhe me gjatësi maksimale që nuk i kalon 8 m. Mjetet e kësaj kategorie mund të tërheqin një rimorkio, masa maksimale e autorizuar e së cilës nuk i kalon 750 kg;
Kategoria D1E: kombinim i një mjeti të kategorisë D1 me një rimorkio ose gjysmërimorkio, ku masa maksimale e autorizuar e rimorkios ose gjysmërimorkios është më shumë se 750 kg;
Kategoria D: mjet motorik i projektuar dhe i konstruktuar për më shumë se 8 pasagjerë, përjashtuar drejtuesin e automjetit. Mjeteve të kësaj kategorie mund t’u lidhet një rimorkio, masa maksimale e autorizuar e së cilës nuk i kalon 750 kg;
Kategoria DE: kombinimi i një mjeti të kategorisë D me një rimorkio ose gjysmërimorkio, ku masa maksimale e autorizuar e rimorkios ose gjysmërimorkios është më shumë se 750 kg.
4. Të gjymtuarit dhe personat me aftësi të kufizuara mund të marrin lejedrejtimi të veçantë të kategorive AM, A1, A2, A, B1, B, C1, C edhe nëse drejtojnë mjete që tërheqin një rimorkio, masa maksimale e autorizuar e së cilës nuk i kalon të 750 kg. Lejedrejtimet e sipërpërmendura mund të jenë të kufizuara në drejtimin e mjeteve të tipeve dhe me karakteristika të veçanta dhe mund të specifikojnë disa kërkesa në lidhje me kontrollet, sipas pikës 4, të nenit 117. Kufizimet duhet të paraqiten te lejedrejtimi, duke përdorur kodet e harmonizuara të Bashkimit Evropian ose kodet kombëtare të përcaktuara nga ministria përgjegjëse për transportin. Kjo kategori pesonash nuk mund të drejtojë mjetet e shërbimit taksi ose me qiradhënie me drejtues mjeti për transport njerëzish a në shërbimet në linjë, autoambulancat dhe mjetet që përdoren në transportin e mallrave të rrezikshme apo në transportin e më shumë se 8 (tetë) pasagjerëve, përveç drejtuesit të mjetit.
5. Lejedrejtimi e mjetit, që merret duke dhënë provat praktike me një mjet të pajisur me kuti shpejtësie automatike për ndryshimin e shpejtësisë, lejon drejtimin e mjeteve të pajisura me një kuti shpejtësie të tillë. Kjo duhet të regjistrohet në çdo leje të lëshuar mbi bazën e një testi të tillë.
6. Mund të aftësohen për drejtimin e mjeteve, për të cilat kërkohet lejedrejtimi e kategorisë C1 ose D1, vetëm ata persona që janë të pajisur me lejedrejtimi për të drejtuar mjete motorike për të cilat kërkohet përkatësisht lejedrejtimi e kategorisë B ose C, e marrë prej 12 (dymbëdhjetë) muajsh.
Mund të aftësohen për drejtimin e mjeteve, për të cilat kërkohet lejedrejtimi e kategorisë C ose D, vetëm ata persona që janë të pajisur përkatësisht me lejedrejtimi të kategorisë B ose C, të marrë prej 3 (tri) vitesh.
Mund të aftësohen për drejtimin e automjeteve, për të cilat kërkohet lejedrejtimi e kategorive BE, C1E, CE, D1E dhe DE, vetëm ata persona që janë të aftësuar për të drejtuar mjete, për të cilat kërkohet lejedrejtimi përkatësisht e kategorive B, C1, C, D1 dhe D, e marrë prej 12 (dymbëdhjetë) muajsh.
Për drejtimin e mjeteve të shërbimit publik të linjave të pasagjerëve dhe të transportit të nxënësve të shkollave, drejtuesi duhet të jetë i pajisur me lejedrejtimi të njërës prej kategorive D1, D1E, D dhe DE.
7. Afati i vlefshmërisë së lejedrejtimit mund të zgjatet nga drejtoritë rajonale të shërbimeve të transportit rrugor që e kanë lëshuar atë, nëpërmjet verifikimit të aftësive fizike dhe psikike, sipas kategorive të ndryshme të mjeteve.
8. Për qëllime të shërbimit me qira me drejtues mjeti për transportin e personave, sipas pikës 2, të nenit 84, dhe shërbimit me mjete me drejtues, sipas nenit 85, drejtuesit marrin një dëshmi të aftësisë profesionale (DAP) të tipit KA, nëse për drejtimin e automjetit të pajisur për shërbimet e lartpërmendura kërkohet lejedrejtimi e mjetit të njërës prej kategorive A1, A2 ose A, dhe e tipit KB, nëse për drejtimin e automjetit të pajisur me shërbimet e mësipërme kërkohet lejedrejtimi e automjetit të kategorisë B1 ose B.
9. Dëshmia e aftësimit profesional, sipas pikës 8, do të lëshohet nga zyra e Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor, në bazë të kërkesave, procedurave dhe programeve të provimit, të përcaktuara në aktet në zbatim. Për marrjen e dëshmisë së aftësisë profesionale të tipit KA është e nevojshme që drejtuesi i mjetit të ketë lejedrejtimi të njërës prej kategorive A1, A2 ose A dhe për marrjen e dëshmisë së aftësisë profesionale të tipit KB, ai duhet të ketë lejedrejtimi të njërës prej kategorive B1 e B.
10. Të gjymtuarit dhe personat me aftësi të kufizuara, nëse janë në zotërim të lejedrejtimeve të veçanta, të barasvlefshme me ato të përcaktuara në pikën 11, mund të marrin një tip të dëshmisë së aftësisë profesionale KA dhe KB, pas verifikimit të ekzistencës së kërkesave për përshtatshmëri fizike dhe mendore nga komisioni mjekësor lokal, sipas pikës 4, të nenit 117, dhe në bazë të të njëjtit informacion dhënë nga komiteti i posaçëm teknik, në bazë të pikës 7, të nenit 117.
11. Drejtuesit e mjeteve, mbajtës të lejedrejtimit të kategorive C1 ose C, C1E apo CE, e marrin certifikatën e aftësimit profesional për transportin e mallrave dhe drejtuesit e mjeteve, titullarë të lejedrejtimit të kategorive D1, D1E, D dhe DE, e marrin certifikatën e aftësimit profesional për transportin e pasagjerëve. Kjo e fundit është e nevojshme gjithmonë në rastin e transportit të nxënësve.
12. Në rastet e parashikuara nga marrëveshjet ndërkombëtare, ku aderon edhe Shqipëria, për drejtimin e mjeteve për transporte të caktuara profesionale, mbajtësit e lejedrejtimit të vlefshëm për kategorinë e përcaktuar duhet, gjithashtu, të marrin certifikatën përkatëse të aftësisë, përshtatshmërisë, kapacitetit ose formimit profesional, të lëshuar nga zyrat e Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor. Kjo certifikatë nuk mund t’u jepet invalidëve a të gjymtuarve fizikisht.
13. Në aktet në zbatim, duke respektuar çka është përcaktuar në normativat ndërkombëtare, përcaktohen tipat e certifikatave profesionale sipas pikës 12, si dhe kërkesat, procedurat dhe programet e provave për marrjen e tyre. Në të njëjtat akte në zbatim do të tregohen edhe modelet dhe karakteristikat përkatëse të lejedrejtimit dhe mënyrat për shmangien e falsifikimeve.
14. Mbajtësi i lejedrejtimit të mjetit duhet, që, brenda 30 (tridhjetë) ditëve, të njoftojë zyrën kompetente të Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor për ndërrimin e vendbanimit brenda së njëjtës bashki a komunë apo nga një bashki ose komunë në bashki a komuna të tjera, duke paraqitur lejedrejtimin e mjetit për kryerjen e ndryshimeve të nevojshme, të cilat bëhen menjëherë. Për këtë qëllim, Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile, në mënyrë elektronike, i transmeton Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor të dhënat për ndryshimin e adresave të vendbanimit në fund të çdo muaji dhe ndryshimit në regjistrat e gjendjes civile.
15. Cilido, që, duke zotëruar materialisht një mjet, ia beson atë ose ia jep ta drejtojë një personi të papajisur me lejedrejtimi, ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga njëzet e pesë mijë deri në njëqind mijë lekë dhe me pezullimin e lejedrejtimit për një vit. Kjo masë nuk zbatohet për zotëruesin ligjor të mjetit, kur ai ka bërë njoftim apo denoncim të administruar në organet e policisë për humbje, marrje (vjedhje) apo grabitje të mjetit.
16. Cilido, që drejton automjete a motomjete pa marrë lejedrejtimi, dënohet me gjobë nga njëzet e pesë mijë deri në njëqind mijë lekë. I njëjti dënim zbatohet edhe për drejtuesit që drejtojnë mjete pa lejedrejtimi, sepse u është hequr ose nuk është rinovuar për mosplotësim të kushteve të përcaktuara nga ky Kod.
17. Personi që, megjithëse ka dhënë me sukses provat sipas nenit 119, drejton mjete pa qenë i pajisur me lejedrejtimi, ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga dy mijë e pesëqind deri në dhjetë mijë lekë.
18. Personi i pajisur me lejedrejtimi, që drejton automjete a motomjete, por që nuk është i pajisur me certifikatën e aftësisë profesionale, kur kjo është e detyrueshme, ose me deklaratën përkatëse zëvendësuese të lëshuar nga zyra kompetente e Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor, kur nuk ka qenë e mundur t’i jepet certifikata e aftësisë brenda 10 (dhjetë) ditëve nga data e dhënies së provave, ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga pesë mijë deri në njëzet mijë lekë.
19. Mbajtësi i lejedrejtimit, që nuk bën shënimet e nevojshme të ndryshimit të vendbanimit në lejedrejtim, ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga dy mijë e pesëqind deri në dhjetë mijë lekë.
20. Shkelja e dispozitave të pikës 18 sjell si pasojë masën administrative plotësuese të ndalimit administrativ të mjetit dhe masën administrative plotësuese të tërheqjes së lejedrejtimit deri 30 (tridhjetë) ditë.”.
Neni 14
Neni 117 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Neni 117
Kërkesat fizike dhe mendore për marjen e lejedrejtimit të mjetit
1. Personi, që është i prekur nga sëmundje fizike a mendore, që ka paaftësi organike a të meta psikike, anatomike ose funksionale të tilla që e pengojnë të drejtojë në mënyrë të sigurt një mjet me motor, nuk mund të pajiset me lejedrejtimi dhe/ose autorizim për t’u ushtruar në drejtim mjeti, sipas pikës 2, të nenit 120, të këtij ligji.
2. Vlerësimi i kërkesave fizike dhe mendore, përveç rasteve të përcaktuara në pikën 6, kryhet nga subjektet shëndetësore të licencuara nga ministria që mbulon shëndetësinë dhe ministria përgjegjëse për transportin.
3. Vlerësimi i kërkesave psikike dhe mendore të personave me diabet për të arritur rishikimin apo konfirmimin e lejedrejtimit të kategorive A, B, BE dhe nënkategorive të tyre, të kryer nga specialistë të kësaj fushe dhe sëmundjeve metabolike të subjekteve shëndetësore të licencuara, duhet të përmbajë një afat konkret për të bërë kontroll tjetër mjekësor, që është objekt i konfirmimit apo rishikimit të lejedrejtimit.
4. Për qëllim të kërkesave fizike dhe mendore për lëshimin për herë të parë të lejedrejtimit të çdo kategorie apo certifikate të aftësisë profesionale, kandidati duhet të paraqesë një vërtetim për efekt të mosabuzimit me alkoolin dhe mospërdorim të substancave narkotike ose psikotrope, të nxjerra në bazë të testeve klinike-toksikologjike të cilat kryhen nga subjektet shëndetësore të licencuara nga ministria që mbulon shëndetësinë dhe ministria përgjegjëse për transportin.
Dokumenti i sipërpërmendur do të kërkohet edhe në rastin e rikontrolleve mjekësore ose konfirmimit të vlefshmërisë së lejedrejtimit, si dhe atyre që posedojnë certifikatën e aftësisë profesionale, kur rinovimi i kësaj certifikate nuk përkon me lejedrejtimin e mjetit.
5. Vlerësimi sipas pikës 2, të këtij neni, duhet të rezultojë nga certifikata mjekësore me datë jo më të hershme se gjashtë muaj përpara paraqitjes së kërkesës për t’u regjistruar në autoshkollë ose të rinovimit të lejedrejtimit apo certifikatës së aftësisë profesionale ekzistuese. Në certifikatë duhen marrë parasysh edhe të gjitha sëmundjet infektive që ka kaluar kërkuesi i lejedrejtimit dhe që deklarohen në një certifikatë mjekësore të lëshuar nga institucioni shëndetësor përkatës.
6. Vlerësimi i kërkesave fizike e mendore kryhet nga komisionet mjekësore të subjekteve shëndetësore të licencuara:
a) për të gjymtuarit dhe ata me aftësi të kufizuar fizike. Në rastin kur gjykimi i përshtatshmërisë nuk mund të formulohet vetëm nga testet klinike, duhet të kryhet një provë drejtimi praktike e një automjeti të përshtatur në lidhje me nevojat e veçanta;
b) për ata që kanë kaluar moshën e parashikuar nga legjislacioni për pensionet dhe kanë të drejtë të drejtojnë mjete me peshë bruto, plotësisht të ngarkuar, që kalon 3,5 tonë, kamionë dhe automjete të artikuluara për transportimin e mallrave, totali i të cilave, në peshë me ngarkesë të plotë, nuk i kalon 20 tonë, si dhe mjete operative;
c) për ata që kanë kaluar moshën tetëdhjetë vjeç;
ç) për ata për të cilët është bërë kërkesë nga zyrat që lëshojnë lejedrejtimi;
d) për ata për të cilët, gjatë verifikimeve klinike me instrumente dhe laboratorike, mjekut të përcaktuar nga pika 2 i ka lindur dyshimi për përshtatshmërinë dhe sigurinë në drejtimin e mjetit;
dh) për ata që janë me diabet, për të bërë rinovimin apo konfirmimin e lejedrejtimit të kategorive C, D, CE, DE dhe nënkategorive të tyre. Në këtë rast, në komisionin mjekësor duhet të jetë edhe një specialist për diabetin, me qëllim saktësimin e patologjisë specifike si dhe për dhënien e vendimit përfundimtar.
7. Në aktet në zbatim të këtij Kodi përcaktohen:
a) kërkesat fizike e mendore për të marrë dhe konfirmuar lejedrejtimin e mjetit;
b) procedurat e lëshimit dhe modelet e certifikatave mjekësore;
c) përbërja dhe mënyra e funksionimit të komisionit mjekësor, sipas pikës 6, të këtij neni, në të cilin duhet të bëjë pjesë një mjek i shërbimit vendor të riaftësimit, kur komisionit i nënshtrohen kandidatë për drejtues mjeti sipas shkronjës “a”, të pikës 6. Në këtë rast, në komision duhet të marrë pjesë edhe një inxhinier mekanik, specialist i Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor. Me kërkesë të të interesuarit, në komision mund të jetë edhe një mjek i caktuar prej tij;
ç) llojet dhe karakteristikat e mjeteve që mund të drejtohen me lejedrejtimi të posaçme të kategorive A, B, C, D ose nënkategorive të tyre.
8. Në qoftë se subjektet e përmendura në pikën 2 ose, në rrethana të caktuara, komisionet mjekësore të përcaktuara në pikën 6, të këtij neni, e shohin të arsyeshme se duhet një vlerësim i kërkesave fizike dhe mendore, ai kryhet me një vlerësim psiko – diagnostifikues të veçantë të kryer nga psikologë të autorizuar për ushtrimin e këtij profesioni.
9. Me urdhër të ministrit përgjegjës për transportin, në konsultime me Ministrinë e Shëndetësisë, formohet një komitet i posaçëm teknik që ka për detyrë t’u japë komisioneve mjekësore informacione për përparimin tekniko-shkencor që ndikon në drejtimin e mjeteve me motor prej të gjymtuarve dhe atyre me të meta fizike.”.
Neni 15
Neni 118 shfuqizohet.
Neni 16
Në nenin 119 bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
1. Në pikat 3 dhe 4, termi “… vartësit …” zëvendësohet me fjalët “… strukturat e varësisë …”.
2. Pika 6 shfuqizohet.
3. Në fund të pikës 7 shtohen fjalët “… transparente dhe të hapura”.
4. Pas fjalisë së parë, të pikës 8, shtohet fjalia, me këtë përmbajtje:
“Brenda 6 (gjashtë) muajve nga data e regjistrimit në autoshkollë, kandidati duhet të japë provat teorike për atë kategori të lejedrejtimit për të cilën aplikon dhe, brenda këtij afati, ka të drejtë të paraqitet në prova deri në pesë herë.”.
5. Në pikën 9, fjalët “… kategorisë A …” zëvendësohen me “… kategorive AM, A1, A2 dhe A …”.
Neni 17
Në nenin 120 bëhen këto ndryshime:
1. Në pikën 3, fjalët “… kategorisë A …” zëvendësohen me “… kategorive AM, A1, A2 dhe A …”.
2. Në pikën 6, fjalët “… dymbëdhjetë muaj …” zëvendësohen me “… gjashtë muaj …”.
Neni 18
Në nenin 120/1 bëhen këto ndryshime:
1. Fjalia e fundit, e pikës 1, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Tregimi i sasisë së pikëve është i lidhur me çdo shkelje dhe duhet të rezultojë nga vendimi i komisionit të organit epror të agjentit verifikues.”.
2. Fjalia e fundit, e pikës 2, shfuqizohet.
Neni 19
Në fjalinë e tretë, të pikës 1, të nenit 121, fjalët “… kapacitetin minimal financiar të nevojshëm …” shfuqizohen.
Neni 20
Shkronja “a”, e pikës 1, të nenit 122, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“a) të kategorisë A1, për drejtimin e makinave bujqësore të treguara në pikën 3, të nenit 115.”.
Neni 21
Neni 123 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Neni 123
Vlefshmëria e lejedrejtimit
1. Dhënia e lejedrejtimit të mjetit u nënshtrohet kushteve të mëposhtme:
a) Lejedrejtimi për kategoritë C1, C, D1 ose D mund t’u jepet vetëm drejtuesve të mjeteve të cilët e kanë një lejedrejtimi të kategorisë B;
b) Lejedrejtimi për kategoritë BE, C1E, CE, D1E dhe DE mund t’u jepet vetëm drejtuesve të mjeteve të cilët kanë përkatësisht lejedrejtimi të kategorive B, C1, C, D1 e D.
2. Vlefshmëria e lejedrejtimit të mjetit sipas kategorive është, si më poshtë vijon:
a) Lejedrejtimi e dhënë për kategoritë C1E, CE, D1E ose DE është e vlefshme për kompleksin e mjeteve të kategorisë BE;
b) Lejedrejtimi e dhënë për kategorinë CE është e vlefshme për kategorinë DE, me kusht që titullari të jetë i pajisur me lejedrejtimi të kategorisë D;
c) Lejedrejtimi e dhënë për kategoritë CE dhe DE është e vlefshme përkatësisht për komplekse mjetesh të kategorive C1E dhe D1E;
ç) Lejedrejtimi e dhënë për çdo kategori është e vlefshme për mjetet e kategorisë AM;
d) Lejedrejtimi e dhënë për kategorinë A2 është e vlefshme edhe për kategorinë A1;
dh) Lejedrejtimi e dhënë për kategoritë A, B, C ose D është e vlefshme përkatësisht për kategoritë A1 e A2, B1, C1 ose D1;
e) Lejedrejtimi e posaçme për drejtimin e mjeteve të kategorive AM, A1, A2, A, B1, B, C1 dhe C, e cila u është dhënë të gjymtuarve apo personave me të meta fizike, është e vlefshme vetëm për drejtimin e mjeteve që kanë karakteristikat e dhëna në lejedrejtim dhe në lejeqarkullim;
ë) Lejedrejtimi e kategorisë B është e vlefshme në territorin kombëtar për të drejtuar mjete rrugore me tri rrota, me fuqi më të madhe se 15 kW, si dhe motomjetet e kategorisë A1, me kusht që mbajtësi i lejedrejtimit të jetë, të paktën, 21 vjeç.
3. Cilido, që drejton një mjet për të cilin duhet një lejedrejtimi e ndryshme nga ajo lejedrejtimi që ai zotëron, ose që drejton një mjet të shërbimit publik, duke qenë i pajisur me lejedrejtimi, por jo me certifikatë aftësie profesionale, kur kjo kërkohet, ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga dhjetë mijë deri në dyzet mijë lekë, kur nuk përbën një vepër penale.
4. Cilido, që është i pajisur me lejedrejtimi të posaçme dhe drejton një mjet të ndryshëm nga ai i treguar dhe përshtatur posaçërisht sipas gjymtimit a të metave të tij fizike apo me karakteristika të ndryshme nga ato të dhëna në lejedrejtimin që mban, ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga dhjetë mijë deri në dyzet mijë lekë.
5. Për shkeljet e parashikuara në pikën 3, të këtij neni, zbatohet edhe masa administrative plotësuese e pezullimit të lejedrejtimit nga 6 (gjashtë) deri në 12 (dymbëdhjetë) muaj, ndërsa për shkeljet e parashikuara në pikën 4 zbatohet masa administrative plotësuese e pezullimit të lejedrejtimit nga 1 (një) deri në 6 (gjashtë) muaj.”.
Neni 22
Neni 124 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Neni 124
Afati dhe konfirmimi i vlefshmërisë së lejedrejtimit të mjetit
1. Lejedrejtimet e mjeteve të kategorive AM, A1, A2, A, B1, B dhe BE, sipas grup-moshave, janë të vlefshme për:
– 10 (dhjetë) vjet, nëse janë lëshuar apo konfirmuar për persona deri në moshën 50 vjeç;
– 5 (pesë) vjet, për ata që e kanë kaluar moshën 50-vjeçare;
– 3 (tre) vjet, për ata që i kanë kaluar të 70-at.
2. Lejedrejtimet e mjeteve të kategorive C1, C1E, C dhe CE sipas grup-moshave, janë të vlefshme për:
– 5 (pesë) vjet, nëse janë lëshuar apo konfirmuar për persona deri në moshën 65 vjeç;
– 2 (dy) vjet, për persona mbi 65 vjeç.
Sipas parashikimit të shkronjës “a”, të pikës 2, të nenit 114, për personat mbi 65 vjeç, lejedrejtimi e kategorive C dhe CE lëshohet për drejtimin e mjeteve, masa e përgjithshme e të cilave, me ngarkesë të plotë, nuk është më shumë se 20 tonë.
3. Lejedrejtimet e mjeteve të kategorive D1, D1E, D dhe DE, sipas grup-moshave, janë të vlefshme për:
– 5 (pesë) vjet, nëse janë lëshuar apo konfirmuar për persona deri në moshën 60 vjeç;
– 3 (tre) vjet, për persona nga 60 vjeç e lart.
Sipas parashikimit të shkronjës “b”, të pikës 2, të nenit 114, për personat mbi 60 vjeç, lejedrejtimi e kategorive D1 ose D, apo D1E ose DE lëshohet vetëm për drejtimin e mjeteve, për të cilat kërkohet pajisja me lejedrejtimi përkatësisht të kategorisë B ose BE.
4. Lejedrejtimet e posaçme të mjeteve, lëshuar për të gjymtuarit apo për personat fizikisht të paaftë, të kategorive AM, A1, A2, A, B1, B dhe BE, janë të vlefshme për:
– 5 (pesë) vjet, nëse janë lëshuar apo konfirmuar për persona deri moshën 60 vjeç;
– 3 (tre) vjet për persona mbi 60 vjeç.
5. Lejedrejtimet e posaçme të mjeteve, lëshuar për të gjymtuarit apo për personat fizikisht të paaftë, të kategorive C1, C1E, C dhe CE, janë të vlefshme për:
– 5 (pesë) vjet, nëse janë lëshuar apo konfirmuar për persona deri moshë 50 vjeç:
– 3 (tre) vjet, kur mbajtësi i saj është mbi 50 vjeç.
Këto leje nuk rinovohen pas moshës 65 vjeç.
6. Mbajtësit e lejedrejtimit të automjetit, sipas pikave 2, 3, 4 dhe 5, kur mbushin 80 vjeç rifreskojnë vlefshmërinë e lejedrejtimit çdo vit pas verifikimit të ekzistencës të të dhënave fizike dhe mendore nga komisionet mjekësor përkatëse, duke u bazuar në pikën 5, të nenit 117.
7. Vlerësimi i të dhënave fizike dhe mendore për rinovimin e certifikatave të aftësisë profesionale bëhet çdo pesë vjet dhe me rastin e rinovimit të lejedrejtimit.
8. Vlefshmëria e lejedrejtimit mund të konfirmohet nga organi që e lëshon atë. Për këtë qëllim duhet të paraqitet një certifikatë mjekësore, e lëshuar nga një prej organeve mjekësore të përmendura në pikën 2, të nenit 117, jo më shumë se tre muaj përpara, nga e cila të rezultojë që zotëruesi i kësaj certifikate plotëson të gjitha kërkesat fizike e psikike të kërkuara. Në rastin e pikës 6, të nenit 115, vizita mjekësore kryhet nga komisioni, që përmendet në pikën 5, të nenit 117.
9. Për mbajtësit e lejedrejtimit shqiptare, rezidentë apo banorë në një shtet tjetër për një periudhë prej të paktën 185 ditësh, vlefshmëria e lejedrejtimit të mjeteve konfirmohet, me përjashtim të rasteve të parashikuara në pikën 5, të nenit 117, nga autoritetet diplomatike konsullore shqiptare të pranishme në këto shtete, dhe që lëshojnë, pas verifikimit të të dhënave fizike dhe mendore nga ana e mjekëve të besueshëm të ambasadave apo konsullatave shqiptare, një vërtetim specifik i cili për periudhën e qëndrimit jashtë vërteton të dhënat fizike dhe mendore. Pas rikthimit në vendqëndrimin apo banesën në Shqipëri, shtetasi duhet të konfirmojë lejedrejtimin, sipas pikës 8.
10. Kur nga verifikimet e bëra sipas pikës 9 del se nuk plotësohen kushtet për konfirmimin e lejedrejtimit të mjetit, zyra që lëshon lejedrejtimin merr masat e nevojshme sipas neneve 127, pika 3, dhe 128, të këtij ligjji.
11. Cilido, që drejton një mjet me lejedrejtimi apo me certifikatë të aftësisë profesionale që i ka kaluar afati i vlefshmërisë, ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga dhjetë mijë deri në dyzet mijë lekë. Për këto shkelje zbatohet edhe masa administrative plotësuese e tërheqjes së lejedrejtimit.”.
Neni 23
Shkronja “b”, e pikës 1, të nenit 128, shfuqizohet.
Neni 24
Në nenin 170 bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
1. Në pikën 1, fjalët “… kategorisë M1 …” zëvendësohen me “… kategorive M1, M2, M3 dhe N1, N2, N3 …” dhe në fund shtohet fjalia, me këtë përmbajtje:
“Bëjnë përjashtim mjetet e kategorive M2 dhe M3, të cilat përdoren për transport urban ose ato mjete ku lejohet qëndrimi më këmbë.”.
2. Në pikën 3, shifra “1.50 m” zëvendësohet me “1.35 m”.
3. Në pikën 4, fjalët “… kategorive M1 dhe N1 …” zëvendësohen me “… kategorive M1, N1, N2 dhe N3 …” dhe në fund shtohet fjalia, me këtë përmbajtje:
“ Fëmijët nuk duhen transportuar në sisteme fiksuese me fytyrë prapa në ndenjëset e pasagjerëve të mbrojtura me jastëk ajri, përveçse kur këto të fundit janë të çaktivizuara.”.
4. Në pikën 5, fjalia e fundit shfuqizohet.
5. Në pikën 8, fjalët “… nga pesëqind deri në një mijë pesëqind lekë …” zëvendësohen me “… nga pesë mijë deri në pesëmbëdhjetë mijë lekë …” dhe në fund shtohet fjalia, me këtë përmbajtje:
“Në rast se është drejtuesi i mjetit, përveç masës administrative të ndëshkimit me gjobë, merret edhe masa administrative plotësuese e pezullimit të lejedrejtimit për një periudhë nga 6 (gjashtë) deri në 12 (dymbëdhjetë) muaj.”.
Neni 25
Kudo në përmbajtjen e ligjit, emërtimi “Ministria e Punëve Publike dhe Transportit” zëvendësohet me “ministria përgjegjëse për transportin”.
Neni 26
Dispozita kalimtare
Nenet 12, 13, 14, 16, pika 5, 17, pika 1, 20, 21, 22, dhe 24, të këtij ligji, hyjnë në fuqi 12 muaj pas hyrjes në fuqi të këtij ligji.
Neni 27
Aktet nënligjore
Brenda 12 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, ngarkohen Këshilli i Ministrave të nxjerrë aktet në zbatim të neneve 11, 114, 115, 117, 119 dhe 120 të Kodit Rrugor dhe ministri përgjegjës për transportin të nxjerrë aktet nënligjore në zbatim të këtij ligji.
Neni 28
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E T A R I
ILIR META