Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Projektligje të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 02 Maj 2019:

P R O J E K T L I GJ

PËR

DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË LIGJIN NR.9917, DATË 19.5.2008, “PËR PARANDALIMIN E PASTRIMIT TË PARAVE DHE FINANCIMIT TË TERRORIZMIT”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të neneve 78 e 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë

 

V E N D O S I:

 

Në ligjin nr.9917, datë 19.5.2008, “Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit”, të ndryshuar, bëhen ndryshimet dhe shtesat si më poshtë vijon:

 

Neni 1

Në nenin 2 bëhen këto ndryshime:

1. Pas pikës 3, shtohet pika 3/1, me këtë përmbajtje:

“3.1 Bankingu korrespondent” është tërësia e shërbimeve bankare/financiare të ofruara nga një bankë (banka korrespondente) për një bankë tjetër (banka pritëse).”.

2. Në fund të pikës 10 shtohen dy fjali, me këtë përmbajtje:

“… Në këtë kategori përfshihen edhe individët, të cilët kanë pasur ose kanë funksione të rëndësishme në organizata ndërkombëtare, përfshirë anëtarët e familjes apo personat e lidhur në marrëdhënie të ngushta personale, pune apo biznesi.

Kjo kategori personash konsiderohen “persona të ekspozuar politikisht” deri në 5 (pesë) vjet pas largimit nga funksioni …”.

3. Pika 11 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“11. Produkt i veprës penale” është çdo pasuri e rrjedhur ose përfituar, në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë, nga një vepër penale apo veprimtarie kriminale.”.

4. Në pikën 12, pas fjalëve “… kontrollin e fundit efektiv ndaj një personi juridik …”, shtohen fjalët “… ose organizime ligjore …”, si dhe në pikat “a”, “b”, “c” e “ç” , pas fjalëve “personi juridik”, shtohen fjalët “ose organizimi ligjor”.

5. Pas pikës 13, të këtij neni, shtohet fjalia, me këtë përmbajtje:

“Në kuptim të këtij ligji, fjala “fond” ka të njëjtin kuptim si pronësi.”

6. Pika 16 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“16. “Transaksion” është një shkëmbim dhe/ose ndërveprim, që përfshin dy ose më shumë palë, apo një veprim i kërkuar nga klienti për llogari të tij pa përfshirjen e palëve të tjera.”.

7. Në pikën 20, pas fjalëve “përtej procedurave “Njihe klientin tënd””, shtohen fjalët “si dhe masave të “Vigjilencës së duhur””, dhe fjalët “të biznesit dhe veprimtarisë së llogarive të tij bankare” zëvendësohen me “të biznesit dhe veprimtarisë së tij lidhur me shërbimet, produktet dhe transaksionet e ofruara nga subjekti.”.

8. Në pikën 21, fjalët “të përdorura nga institucionet financiare” zëvendësohen me “të përdorura nga subjektet e këtij ligji”.

9. Në vijim të pikës 24, shtohen pikat 25, 26, 27, 28 e 29, me këtë përmbajtje:

25. “Mjet virtual” është një pasqyrim digjital i një vlere që mund të tregtohet apo të transferohet në formë digjitale, si dhe që mund të përdoret për qëllime pagesash ose investimesh. Në këtë përkufizim nuk përfshihen pasqyrimet digjitale të monedhave të njohura zyrtarisht si të nxjerra nga bankat qendrore , të letrave me vlerë dhe mjeteve të tjera financiare që janë parashikuar nga legjislacioni në fuqi.

26. “Ofrues i shërbimeve të mjeteve virtuale” nënkupton çdo person fizik ose juridik, i cili kryen, për ose në emër të një personi tjetër fizik ose juridik, një ose më shumë nga këto aktivitete:

i. shkëmbimi midis mjeteve virtuale dhe monedhave të njohura zyrtarisht;
ii. shkëmbimi midis mjeteve virtuale dhe pasurive të çdo lloji;
iii. shkëmbimi midis një ose më shumë formave të mjeteve virtuale;
iv. transferimi i mjeteve virtuale;
v. ruajtja dhe / ose administrimi i mjeteve virtuale ose instrumenteve që mundësojnë kontroll mbi mjetet virtuale;
vi. pjesëmarrja dhe sigurimi i shërbimeve financiare lidhur me ofertën e një emetuesi dhe/ose shitjen e një mjeti virtual.

Në kuptim të kësaj pike, transferimi nënkupton kryerjen e transaksionit për llogari të një personi tjetër fizik apo juridik, që lëviz mjetin virtual nga adresa e mjetit virtual ose llogaria e një personi tjetër.

27. “Grupi i Posaçëm i Veprimit Financiar” , i njohur si “Financial Action Task Force”, është një organ ndërqeveritar, përgjegjësia e të cilit është të përcaktojë standardet e të nxisë zbatimin efektiv të masave ligjore, rregullative dhe operacionale për luftën kundër pastrimit të parave, financimit të terrorizmit, financimit të përhapjes së armëve të shkatërrimit në masë e kërcënime të tjera që lidhen me integritetin e sistemit financiar ndërkombëtar.

28. “Palë e tretë”, në kuptim të këtij ligji, nënkupton subjekt të mbikëqyrur nga autoritetet kompetente, detyrimisht të regjistruar në Shqipëri, një nga shtetet anëtare të Bashkimit Evropian apo shtete të treta, me kusht që të plotësojnë kushtet, si më poshtë vijon:

a) të jenë të rregulluara me ligj të posaçëm dhe të detyruara për t’u regjistruar në vendin përkatës; si dhe
b) të jenë të regjistruar në Shqipëri, shtetet anëtare të Bashkimit Evropian ose në një vend të tretë, me kusht që të zbatojnë kërkesa të njëjta ose më të larta me ato të vendosura nga ky ligj për vigjilencën e duhur dhe të zgjeruar, identifikimin e klientit dhe të pronarit përfitues, ruajtjen e informacionit, si dhe të mbikëqyren nga autoritetet kompetente për përputhshmërinë për çështjet e parandalimit të pastrimit të parave dhe/ose financimit të terrorizmit.

29. “Bllokim i përkohshëm” është ndalimi i çdo transaksioni, shërbimi financiar apo të tjera të lidhura, çdo pjesëmarrjeje në transferimin, shndërrimin, tjetërsimin ose lëvizjen e fondeve dhe të pasurive të tjera, për pasuri të luajtshme apo paluajtshme, sipas kushteve dhe kohëzgjatjes në përputhje me këtë ligj.

Neni 2

Në nenin 3 bëhen këto shtesa dhe ndryshime:

1. Në shkronjën “gj”, fjalët “avokatët, noterët dhe përfaqësues të tjerë ligjorë, ekspertët kontabël të autorizuar të pavarur, kontabilistët e miratuar të pavarur, zyrat e konsulencës financiare dhe profesionet e rregulluara” zëvendësohen me “avokatët dhe përfaqësues të tjerë ligjorë, personat fizikë dhe juridikë, që ofrojnë konsulencë juridike e financiare dhe profesionet e rregulluara.”.

2. Pas shkronjës “gj”, shtohen shkronjat “gj/1” e “gj/2”, me këtë përmbajtje:

“gj/1) noterët;
gj/2) audituesit ligjorë dhe kontabilistët e miratuar të pavarur.”.

3. Shkronja “j” ndryshohet, si më poshtë vijon:

“j) Shoqëritë administruese të sipërmarrjeve të investimeve kolektive dhe fondeve të pensioneve, si dhe agjentët e tyre.”.

4. Pika “k” ndryshon, si më poshtë vijon:

“k) çdo person fizik ose juridik, përveç atyre të specifikuar më sipër, të cilët merren me:

i. administrimin e aseteve të të tretëve dhe/ose drejtimin e veprimtarive të lidhura me to;
ii. ndërtimet;
iii. biznesin e metaleve e të gurëve të çmuar;
iv. marrëveshjet e garancitë financiare;
v. shitblerjen e veprave të artit apo shitblerjen me ankand të sendeve me vlerë 1 000 000 (një milion) lekë ose më shumë.;
vi. sigurimin dhe administrimin e parasë fizike ose titujve lehtësisht të konvertueshëm, në emër të personave të tretë;
vii. veprimtaritë e spedicionit dhe/ose të transportit;
viii. tregtimin e mjeteve motorike tokësore, lundruese dhe ajrore;
ix. agjencitë e udhëtimit.”.

5. Pas shkronjës “k”, shtohen shkronjat “l” dhe “ll”, me këtë përmbajtje:

“l) çdo person fizik ose juridik, i cili merret me ofrimin e shërbimeve të mjeteve virtuale.

ll) çdo person fizik ose juridik, përveç atyre të specifikuar më sipër, të cilët ofrojnë për një klient shërbimet, si më poshtë vijon:

i. Vepron si agjent formimi i personave juridikë;
ii. Vepron ose cakton dikë tjetër të veprojë si një drejtor ose sekretar i një personi juridik, pjesëtar i një ortakërie apo një pozitë të ngjashme lidhur me persona të tjerë juridikë;
iii. Siguron një zyrë të regjistruar, akomodim ose adresë për biznesin, adresë zyrtare ose me korrespondencë për një kompani, partneritet, person juridik apo organizime ligjore;
iv. Vepron ose cakton dikë tjetër të veprojë si i besuar i një organizimi ligjor ose kryen funksion ekuivalent për një formë tjetër organizimi ligjor;
v. Vepron ose cakton dikë tjetër të veprojë si një aksionar dhe/ose ortak i shoqërive që kanë aksione të mbajtësit për një person tjetër.”.

Neni 3

Pas nenit 3, shtohet neni 3/1, me këtë përmbajtje:

“Neni 3/1
Detyrimet e organizimeve ligjore

1. Kujdestarët e organizimeve ligjore janë të detyruar të deklarojnë statusin e tyre e të vënë në dispozicion informacionin e kërkuar nga subjektet e këtij ligji kur vendosin një marrëdhënie biznesi me to apo kur kryejnë transaksione rastësore.

2. Organizimet ligjore duhet të mbajnë informacion thelbësor për themeluesit, përfituesit, kujdestarët ose personat me një kontroll faktik mbi to, agjentët e tjerë të rregulluar dhe ofruesit e shërbimeve, përfshirë këshilltarët, menaxherët, kontabilistët dhe këshilltarët tatimorë/fiskalë.

3. Përveç detyrimeve që kanë si subjekte të ligjit, organizimet ligjore duhet të mbajnë informacion të saktë, të përshtatshëm, të vlefshëm dhe sa më të përditësuar për sa parashikohet në këtë nen.”.

Neni 4

Në neni 4 bëhen këto ndryshime:

1. Në shkronjën “b” , nënndarja “i”, shprehja “…“c” dhe “g”…” zëvendësohet me “… “c”, “g” dhe “l”…”.
2. Në shkronjën “ç”, fjalët “pavarësisht nga limitet e raportimit, të parashikuara në këtë nen” hiqen.

Neni 5

Në nenin 4/1 bëhen këto ndryshime dhe shtesa:

1. Në pikën 1 bëhen këto ndryshime:

a) pas shkronjës “dh” ndryshohet shenja e pikësimit, nga “;” në “.”, si dhe shtohen fjalitë, si më poshtë vijon:

“Për personat juridikë kjo duhet të përfshijë dhe identifikimin e personave fizikë, të cilët përbëjnë pjesën vendimmarrëse dhe menaxheriale të personit juridik. Në rast të organizimeve ligjore, kjo përfshin dhe identifikimin e themeluesit, të përfituesit, të kujdestarit ose të personit me një kontroll faktik mbi to.”.

b) Në shkronjën “g”, pas fjalëve “me kusht që”, shtohet fjala “verifikimi”.

c) nënndarjet “ii” dhe “iii”, të shkronjës “g”, ndryshohen, si më poshtë vijon:

“ii) të mos çojë në ndërprerjen e aktivitetit normal të zhvillimit të biznesit; dhe
iii) rreziqet e pastrimit të parave e financimit të terrorizmit të menaxhohen në mënyrë efektive.”.

2. Pas pikës 1, shtohet pika 1/1, me këtë përmbajtje:

“1/1. Subjektet verifikojnë se çdo person që pretendon të veprojë në emër të klientit të tyre është i autorizuar për veprimet e kërkuara, si dhe të identifikojë e të verifikojë identitetin e personit të autorizuar.”.

3. Në pikën 2, fjalët “neneve 4 e 5 të këtij ligji” zëvendësohen me “neneve 4, 4/1 e 5 të këtij ligji”.

Neni 6

Pas nenit 4/1, shtohet neni 4/2, me këtë përmbajtje:

“Neni 4/2
Vigjilenca e thjeshtuar

1. Vigjilenca e thjeshtuar ndaj klientëve mund të kryhet në rastet kur identifikohet rrezik i ulët për pastrim parash dhe/ose financim të terrorizmit, bazuar në vlerësimet e riskut të autoriteteve të ngarkuara me ligj, si dhe vlerësimet e rrezikut dhe të procedurave të menaxhimit të përcaktuara nga vetë subjektet e ligjit. Në vlerësimin e rreziqeve të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, që lidhen me llojin e klientëve, zonës gjeografike, produkteve, shërbimeve, transaksioneve apo kanaleve të veçanta të shpërndarjes, subjektet e këtij ligji marrin parasysh faktorët dhe situatat e parashikuara në aneksin II, të Direktivës (BE) 2015/849, të Parlamentit Evropian dhe Këshillit të datës 20 maj 2015.

2. Gjatë zbatimit të vigjilencës së thjeshtuar, subjektet mund:

i. të ulin frekuencën e përditësimit të të dhënave për procesin e identifikimit, si dhe shkallën e monitorimit të vazhdueshëm;
ii. të mos mbledhin informacion specifik apo të ndërmarrin masa specifike për të kuptuar qëllimin dhe natyrën e marrëdhënies së biznesit në çdo rast, por mund ta përcaktojnë këtë në bazë të marrëdhënies së biznesit të vendosur.

3. Vigjilenca e thjeshtuar e klientit mund të kryhet vetëm kur monitorimi i marrëdhënieve të biznesit të klientit vazhdon të kryhet gjatë ose pas vigjilencës së thjeshtuar të klientit dhe ekziston mundësia për të identifikuar transaksionet e pazakonta apo të dyshimta.

4. Në rast se, gjatë kryerjes së monitorimit të vazhdueshëm të marrëdhënies së biznesit me klientin, vlerësohet apo ka element për të besuar se nuk është më i ulët rreziku i pastrimit të parave, financimit të terrorizmit, veprave penale ose veprimtarive kriminale që gjenerojnë produkte të veprës penale, subjektet janë të detyruara të marrin masat e plota për zbatimin e vigjilencës së duhur.

5. Vigjilenca e thjeshtuar nuk është e lejuar në rastet kur ka dyshime për pastrim parash, financim terrorizmi, vepra penale ose veprimtari kriminale që gjenerojnë produkte të veprës penale, si dhe kur zbatohet vigjilenca e zgjeruar apo skenarë specifikë risku të lartë.

6. Ndalohet kryerja e vigjilencës së thjeshtuar ndaj kategorive të klientëve kur ka një vendim të kundërt nga autoriteti përgjegjës.”.

Neni 7

Në nenin 5 bëhen këto shtesa dhe ndryshime:

1. Pika 1 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“1. Për identifikimin dhe verifikimin e identitetit të klientit, subjektet duhet të regjistrojnë e të mbajnë të dhënat, si më poshtë vijon:

a) për personat fizikë: emrin, mbiemrin, datëlindjen, vendlindjen, shtetësinë, vendbanimin e përkohshëm (nëse ka) dhe të përhershëm, punësimin, llojin dhe numrin e dokumentit të identifikimit, numrin personal për shtetasit e Republikës së Shqipërisë, si dhe atë të barasvlershëm për shtetasit e huaj, autoritetin që e ka lëshuar, si dhe të gjitha ndryshimet e bëra në çastin e kryerjes së transaksionit.
b) për personat fizikë, që zhvillojnë veprimtari fitimprurëse: emrin, mbiemrin, datën e vendimit të regjistrimit në Qendrën Kombëtare të Biznesit, dokumentin që vërteton objektin e veprimtarisë, numrin unik të identifikimit të subjektit, adresën dhe të gjitha ndryshimet e bëra në çastin e kryerjes së transaksionit;
c) për personat juridikë privatë, që zhvillojnë veprimtari fitimprurëse: emrin, datën e vendimit të regjistrimit në Qendrën Kombëtare të Biznesit, dokumentin që vërteton objektin e veprimtarisë, numrin unik të identifikimit të subjektit, adresën e zyrës qendrore të regjistruar dhe, nëse është e ndryshme, edhe vendin kryesor të ushtrimit të veprimtarisë, si dhe të gjitha ndryshimet e bëra në çastin e kryerjes së transaksionit;
ç) për personat juridikë privatë, që nuk zhvillojnë veprimtari fitimprurëse: emrin, numrin dhe datën e vendimit të gjykatës për regjistrimin si person juridik, statutin dhe aktin e themelimit, numrin unik të identifikimit të subjektit, selinë e përhershme dhe, nëse është e ndryshme, edhe vendin kryesor të ushtrimit të veprimtarisë, natyrën e veprimtarisë, përfaqësuesit ligjorë, si dhe personat që mbajnë pozicion drejtues vendimmarrës;
d) për përfaqësuesit ligjorë ose me prokurë të klientit: emrin, mbiemrin, datëlindjen, vendlindjen, shtetësinë, vendbanimin e përkohshëm (nëse ka) dhe të përhershëm, punësimin, llojin dhe numrin e dokumentit të identifikimit, numrin personal për shtetasit e Republikës së Shqipërisë, si dhe atë të barasvlershëm për shtetasit e huaj, autoritetin që e ka lëshuar dhe kopjen e aktit të përfaqësimit.
dh) për personat organizimet ligjore: identifikimin e themeluesit, të përfituesit, të kujdestarit ose të personit me një kontroll faktik mbi to, me standard të dhënash sipas llojit të personit/përfaqësuesit të përcaktuar në shkronjat e mësipërme.”.

2. Në pikën 2, në fjalinë e parë, pas fjalëve “fotokopje të noterizuara”, shtohen fjalët “ose dokument elektronik që plotëson kushtet e vlefshmërisë, sipas legjislacionit në fuqi për dokumentin elektronik ose nënshkrimin elektronik.”.

Neni 8

Në nenin 6 bëhen këto ndryshime:

1. Titulli i nenit ndryshohet në “Zhvillimet teknologjike”.

2. Në pikën 1, paragrafi i dytë “Këto masa duhet të zbatohen përpara futjes në përdorim të produkteve të reja, praktikave të biznesit apo teknologjive të reja, në mënyrë që të administrohen dhe të ulen rreziqet e identifikuara.” zëvendësohet me “Këto masa duhet të zbatohen përpara futjes në përdorim të produkteve të reja dhe praktikave të biznesit apo teknologjive të reja, për produktet e reja dhe ekzistuese, në mënyrë që të administrohen dhe të ulen rreziqet e identifikuara.”.

3. Pika 3 shfuqizohet.

Neni 9

Pas nenit 6, shtohet neni 6/1, me këtë përmbajtje:

“Neni 6/1
Mbështetja në palë të treta

1. Bankat, si dhe subjektet e përcaktuara në shkronjat “b”, ”ç”, “e”, “ë” dhe “j”, të nenit 3, të këtij ligji, mund të mbështeten në palët e treta për të kryer masat e parashikuara në pikën 1, në shkronjat “a”, “b”, “c”, “d”, dh” dhe “e”, të nenit 4/1, me kusht që të sigurohen për përmbushjen e kritereve, si më poshtë vijon:

a) subjekti që mbështetet në një palë të tretë duhet të jetë në gjendje të marrë menjëherë informacionin e nevojshëm për secilën nga pikat e mësipërme;
b) subjekti duhet të marrë masat e duhura për t’u siguruar se kopjet e të dhënave identifikuese dhe dokumentacioni tjetër përkatës lidhur me detyrimet për vigjilencën e duhur të vihen në dispozicion pa vonesë nga pala e tretë, sipas kërkesave të vetë subjektit apo autoriteteve përkatëse në zbatim të këtij ligji;
c) subjekti duhet të sigurohet se pala e tretë është e rregulluar me ligj, mbikëqyret apo monitorohet nga autoriteti përkatës për këtë veprimtari, ka strukturë kontrolli të brendshëm të ngarkuar edhe me kontrollin e përputhshmërisë me këto detyrime, si dhe ka marrë masat e përshtatshme për përputhjen me kërkesat për masat e vigjilencës së duhur dhe ruajtjes së të dhënave sipas përcaktimeve të këtij ligji.

2. Në çdo rast, nëse detyrimet nuk përmbushen nga palët e treta, përgjegjësia ligjore mbetet e subjektit të këtij ligji që mbështetet tek pala e tretë.

3. Gjatë vendosjes së marrëdhënies me palë të treta jashtë vendit duhet të merret në konsideratë edhe informacioni në dispozicion mbi nivelin e rrezikut të atij vendi. Ndalohet mbështetja në palë të treta të krijuara në vende me risk të lartë.

4. Ndalohet mbështetja në palë të treta për rastet e paparashikuara në ligj, si dhe në rastet kur ka një vendim të kundërt nga autoriteti përgjegjës.

Neni 10

Në nenin 7 bëhen këto ndryshime:

1. Në fjalinë e dytë, të pikës 1, pas fjalëve “Për zvogëlimin e rrezikut të pastrimit të parave” shtohen fjalët “dhe të financimit të terrorizmit”.

2. Pika 2 riformulohet, si më poshtë vijon:

“2. Për zbatimin e vigjilencës së zgjeruar ndaj klientëve, subjektet duhet të kërkojnë praninë fizike të klientëve dhe të përfaqësuesve të tyre, para se të vendosin një marrëdhënie biznesi.”.

3. Në pikën 3, fjalët “sipas neneve 7, 8 e 9 të këtij ligji, ato duhet të zbatojnë masat e parashikuara në pikën 13, të nenit 4/1, të këtij ligji” zëvendësohen me “ato duhet të zbatojnë masat e parashikuara në pikën 2, të nenit 4/1, të këtij ligji.”.

Neni 11

Në nenin 8 bëhen këto ndryshime:

1. Titulli i nenit ndryshohet në “Kategoritë e klientëve dhe transaksioneve, ndaj të cilëve zbatohet vigjilenca e zgjeruar”

2. Pas shkronjës “ç”, të pikës 1, shtohet shkronja “d” me këtë përmbajtje:

“d) të marrin masat për të verifikuar nëse përfituesit apo pronarët përfitues në policat e sigurimit të jetës janë persona të ekspozuar politikisht, jo më vonë se në momentin e pagesës. Kur identifikohen rreziqe të larta, njoftohen drejtuesit e lartë përpara kryerjes së pagesës, kryhet verifikim i hollësishëm i marrëdhënies së biznesit me mbajtësin e policës, si dhe konsiderohet raportimi i aktivitetit të dyshimtë.”.

3. Pikat 5 e 6, të nenit 8, ndryshohen, si më poshtë vijon:

“5. Subjektet duhet të verifikojnë dhe t’u kushtojnë vigjilencë të zgjeruar marrëdhënieve të biznesit dhe transaksioneve me të gjitha kategoritë e klientëve, të cilët banojnë ose e ushtrojnë veprimtarinë e tyre në vende për të cilat kërkohet marrja e masave të posaçme, sipas përcaktimeve apo kërkesave të autoritetit përgjegjës. Subjektet duhet të analizojnë arsyet dhe qëllimin e kryerjes së transaksioneve të tilla dhe të mbajnë të dhëna me shkrim për konkluzionet, të cilat duhet t’u vihen në dispozicion autoritetit përgjegjës mbikëqyrës dhe audituesve, nëse kërkohet. Autoriteti përgjegjës mund të kërkojë marrje masash shtesë dhe kufizime përtej vigjilencës së zgjeruar.

6. Subjektet duhet t’u kushtojnë vigjilencë të zgjeruar marrëdhënieve të biznesit dhe transaksioneve me klientë organizimet ligjore apo shoqëritë që kanë aksione të mbajtësit, transaksioneve të kryera në emër apo për llogari të tyre, si dhe kur organizimet ligjore apo shoqëritë që kanë aksione të mbajtësit janë pjesë e strukturës së pronësisë, kontrollit apo vendimmarrjes së klientëve të tyre.”.

4. Në vijim të pikës 6, shtohen pikat 7, 8, 9, 10 e 11, me këto përmbajtje:

“7. Subjektet duhet t’u kushtojnë vëmendje të veçantë të gjitha transaksioneve komplekse, me vlera të larta dhe të pazakonta, të cilat nuk kanë qëllim të dukshëm ekonomik ose ligjor. Subjektet duhet të analizojnë arsyet dhe qëllimin e kryerjes së transaksioneve të tilla dhe të mbajnë të dhëna me shkrim për konkluzionet, të cilat duhet t’u vihen në dispozicion autoritetit përgjegjës, autoriteteve mbikëqyrëse dhe audituesve, nëse kërkohet.

8. Subjektet duhet t’u kushtojnë vigjilencë të zgjeruar marrëdhënieve të biznesit dhe transaksioneve me klientë, të cilët vetë subjekti i ka kategorizuar me rrezik të lartë apo nëse gjatë një transaksioni apo marrëdhënieje biznesi identifikohen rreziqe të larta që nuk janë evidentuar më parë, parashikuar shprehimisht në ligj, aktet nënligjore, rregullore, procedura dhe udhëzimet e brendshme të nxjerra në zbatim të detyrimeve që rrjedhin nga ky ligj.

9. Subjektet duhet t’u kushtojnë vigjilencë të zgjeruar marrëdhënieve të biznesit dhe transaksioneve me klientë për të cilët autoriteti përgjegjës kërkon që ky proces të kryhet.

10. Përfituesi i policave të sigurimit të jetës duhet të konsiderohet si një faktor risku për të përcaktuar zbatimin ose jo të masave të vigjilencës së zgjeruar. Nëse përcaktohet që përfituesi, person fizik, juridik apo organizim ligjor paraqet rrezik të lartë, duhet të zbatohen masat e vigjilencës së zgjeruar që përfshijnë marrjen e masave për identifikimin dhe verifikimin e identitetit të pronarit përfitues, në momentin e pagesës.

11. Të dhënat, analizat, informacioni dhe dokumentacioni i mbledhur në zbatim të këtij neni ruhet për një periudhë dhjetëvjeçare.”.

Neni 12

Neni 9 ndryshohet, si më poshtë vijon:

a) Titulli i nenit ndryshohet në “Shërbimet bankare ose financiare korrespondente”;
b) Pika 1 shfuqizohet;
c) Në pikën 2, fjalët “Për shërbimet bankare” zëvendësohen me “Për shërbimet bankare ose financiare”;
ç) Në pikën 2, shkronjat “a”, “b” e “c”, pas fjalëve “institucionit pritës”, shtohet “dhe ndërmjetësues”;
d) Në pikën 3, pas shprehjes “marrëdhënie bankare”, shtohet “ose financiare”;
dh) Në pikën 4, fjalët “se bankat e huaja korrespondente” zëvendësohen me fjalët “se bankat ose institucionet financiare të huaja korrespondente”;
e) Në pikën 5, fjalët “banka korrespondente” zëvendësohen me fjalët “institucioni financiar korrespondent”;
ë) Në pikën 5, shkronja “b”, fjalët “dokumentet e identifikimit të klientit” zëvendësohen me fjalët “informacionin përkatës që rrjedh nga masat e vigjilencës së duhur, nëse kërkohet nga institucioni financiar korrespondent.”.

Neni 13

Në nenin 10 bëhen këto shtesa:

1. Pas pikës 3, shtohen pikat 3/1, 3/2 e 3/3, me këtë përmbajtje:

“3/1. Në rastin kur subjektet e përcaktuara në shkronjën “a”, të nenit 3, të këtij ligji, veprojnë si institucione financiare korrespondente dhe/ose ndërmjetëse marrin masa të arsyeshme për identifikimin e transfertave ndërkufitare, që kanë mangësi në informacionin rreth urdhëruesit apo përfituesit si dhe zbatojnë politika dhe procedura të bazuara mbi rrezikun, për të përcaktuar:

a) kur të kryhet, refuzohet apo pezullohet një transfertë me mangësitë e mësipërme;
b) veprimet e duhura vijuese.

Në rastin kur subjektet e përcaktuara në shkronjën “a”, të nenit 3, të këtij ligji, veprojnë si institucione financiare korrespondente dhe/ose ndërmjetëse, marrin masa të arsyeshme.

3/2. Për transfertat ndërkufitare mbi pragun e përcaktuar në nenin 4, të këtij ligji, subjektet financiare përfituese duhet të verifikojnë identitetin e përfituesit, nëse ky proces nuk është kryer më parë.

3/3. Subjektet ndalohet të kryejnë transferta parash ose vlerash për persona të shpallur nga vendime të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, sipas akteve përkatëse të organizatave ndërkombëtare ose të marrëveshjeve ndërkombëtare, ku Republika e Shqipërisë është palë, edhe përpara miratimit të tyre nga proceduara ligjore apo nënligjore brenda vendit, në përputhje me parashikimet e nenit 10/1, të këtij ligji.”.

2. Pas pikës 4, shtohet pika 5, me këtë përmbajtje:

“5. Të dhënat, informacioni dhe dokumentacioni i mbledhur në zbatim të këtij neni ruhen për një periudhë dhjetëvjeçare.”.

Neni 14

Pas nenit 10, shtohet neni 10/1, me këtë përmbajtje:

“Neni 10/1
Bllokimi i përkohshëm si rrjedhojë e detyrimeve ndërkombëtare

1. Subjektet e këtij ligji, organet publike, si dhe çdo person në Republikën e Shqipërisë, janë të detyruar që të zbatojnë menjëherë dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë, pa e kushtëzuar procesin me miratimin e akteve të mëtejshme ligjore apo nënligjore brenda vendit, bllokimin e përkohshëm të çdo veprimi, ndërmjetësimi, transaksioni, transferte, shërbimi financiar apo të tjera të lidhura, fondi dhe pasuri të tjera, nga marrja dijeni për vendim zbatimi të sanksioneve financiare ndaj personave dhe subjekteve të listuara, si rrjedhojë e një vendimi nga strukturat përkatëse të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, organizata ndërkombëtare ose të marrëveshjeve, ku Republika e Shqipërisë është palë.

2. Bllokimi i përkohshëm, sipas pikës 1, të këtij neni, zbatohet në çdo rast kur personi i shpallur ushtron të drejta pronësie, kontrolli, me prokurë, ose të drejta apo interesa të tjerë, pavarësisht nga fakti se kush i ka në zotërim apo në përdorim fondet apo pasuritë e tjera, sikurse edhe për çdo fond e pasuri tjetër, që është gjetur në posedim ose mbahet nga personat e shpallur.

3. Ndalohet njoftimi paraprak i personave të shpallur, të interesuar apo prekur nga bllokimi i përkohshëm.

4. Të dhënat e plota për rastet e bllokuara sipas këtij neni, përfshirë transaksionet e mbetura në tentativë, i njoftohen menjëherë autoritetit përgjegjës, duke kërkuar udhëzime nëse duhet të kryhen apo jo transaksione apo veprime të mëtejshme. Autoriteti përgjegjës kryen verifikimet përkatëse dhe kthen përgjigje brenda 5 (pesë) ditëve pune nga njoftimi.

5. Vendimet e strukturave përkatëse, sipas pikës 1, të këtij neni, kanë fuqi të drejtpërdrejtë dhe të menjëhershme, si dhe vihen në dispozicion të subjekteve nëpërmjet publikimit në faqen zyrtare të internetit nga autoriteti përgjegjës.”.

Neni 15

Në nenin 11 bëhen ndryshimet, si më poshtë vijon:

1. Shkronja “a”, e pikës 1, ndryshohet si më poshtë, si dhe shtohen shkronjat “a/1” dhe “a/2”:

“a) të hartojnë, të përditësojnë dhe të zbatojnë në mënyrë efektive rregulloret dhe/ose udhëzimet e brendshme, të cilat, në përpjesëtim me natyrën dhe përmasat e subjektit, parashikojnë marrjen e masave të përshtatshme për kuptuar rrezikun e pastrimit të parave dhe të financimit të terrorizmit, që mund të lindë nga klientë ose transaksione, duke përfshirë, por jo duke u kufizuar në:

i. një politikë për pranimin e klientit;
ii. një politikë për zbatimin marrëdhënies së biznesit, të procedurave për vigjilencën e zgjeruar në rastin e klientëve dhe transaksioneve që paraqesin rrezik të lartë;
iii. politika të riskut ndaj të cilit janë të ekspozuara gjatë ofrimit të shërbimeve dhe produkteve të tyre, vendndodhjes gjeografike dhe mekanizmave e kanaleve të shpërndarjes;

a/1) të identifikojnë, të vlerësojnë dhe të kuptojnë rreziqet e tyre të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit për klientët, vendet apo zonat gjeografike, produktet, shërbimet, transaksionet apo kanalet e shpërndarjes. Për realizimin e këtij parashikimi kërkohet që subjektet:

i. të dokumentojnë vlerësimet e tyre të riskut;
ii. të marrin në konsideratë të gjithë faktorët e riskut, përpara se të përcaktojnë nivelin e përgjithshëm të rrezikut, nivelin dhe llojin e masave zbutëse që duhet të zbatohen;
iii. të marrin në konsideratë vlerësimet kombëtare të riskut, vlerësimet sektoriale, të dhëna të tjera të ngjashme, si dhe rekomandimet e autoritetit përgjegjës dhe/ose autoriteteve mbikëqyrëse;
iv. të mbajnë të përditësuara vlerësimet e kryera;
v. të ngrenë mekanizma të përshtatshëm për të ofruar vlerësimet e riskut të kryera për autoritetet përgjegjëse, autoritetet mbikëqyrëse, si dhe organe të tjera të përcaktuara me ligj.

a/2) të marrin masa shtesë për të menaxhuar dhe zbutur rreziqet e larta kur identifikohen.

2. Shkronja “ç”, e pikës 1, ndryshohet, si më poshtë vijon:

“ç) të zbatojnë procedurat përzgjedhëse, si dhe verifikimin për rekrutimin e punonjësve të rinj dhe të atyre ekzistues, për t’u siguruar për integritetin dhe standardet e tyre të larta.”.

3. Në pikën 1, pas shkronjës “dh”, shtohet shkronja “dh/1”, me këtë përmbajtje:

dh/1) në përpjesëtim me natyrën e biznesit dhe madhësinë vetë e subjektit, zbatojnë procedura të përshtatshme për punonjësit e tyre të të gjitha niveleve, përmes të cilave ata të mund t’i raportojnë shkeljet brendapërbrenda subjektit përmes një kanali specifik, të pavarur dhe anonim, për sa ka lidhje me detyrimet e parashikuara në ketë ligj.”.

4. Pas pikës 1, shtohen pikat 1/1 e 1/2, me këtë përmbajtje:

1/1. Rregulloret, procedurat dhe udhëzimet e brendshme të miratuara nga subjektet, në zbatim të detyrimeve që rrjedhin nga ky ligj, miratohen nga drejtues të nivelit të lartë të subjektit që janë përfaqësues ligjor të tij apo nga bordi drejtues.

1/2. Subjektet, që janë pjesë e grupeve bankare dhe/ose financiare, duhet të zbatojnë programet e grupit kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, për sa janë në përputhje me detyrimet e parashikuara në këtë ligj dhe aktet nënligjore në zbatim të tij. Këto programe dhe masa, përveç atyre të parashikuara në pikën 1, të këtij neni, duhet të përfshijnë:

a) politika dhe procedura për ndarjen e informacionit të kërkuar për qëllimet e vigjilencës së duhur dhe menaxhimit të rrezikut të pastrimit të parave apo financimit të terrorizmit;
b) parashikimin, në nivel grupi, të strukturave të auditit dhe/ose funksioneve të përputhshmërisë për klientët, llogaritë dhe informacionin mbi transaksionet nga çdo strukturë brenda subjektit, kur është e nevojshme, për qëllimin e parandalimit të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, duke përfshirë informacion dhe analizë transaksionesh apo aktivitete, që duken të pazakonta, nëse një analizë e tillë është kryer; si dhe
c) masa të përshtatshme për ruajtjen dhe konfidencialitetin e informacionit të shkëmbyer, për të parandaluar nxjerrjen e paautorizuar të tij.”.

5. Pas pikës 3, shtohet pika 4, me këtë përmbajtje:

“4. Subjektet duhet të zbatojnë detyrimet e parashikuara në këtë nen, në përputhje me rreziqet për pastrim parash dhe financim terrorizmi, si dhe përmasat e natyrën e biznesit të subjektit.”.

Neni 16

Në nenin 12 bëhen ndryshimet, si më poshtë vijon:

1. Në pikën 2, fjalët “… të cilit i kërkohet nga klienti të kryejë një transaksion …” hiqen.

Neni 17

Neni 14 ndryshohet, si më poshtë vijon:

Fjalët “nxjerrjen e sekretit profesional ose bankar” zëvendësohen me fjalët “nxjerrjen e sekretit profesional dhe/ose bankar, të vendosur me kontratë apo me çfarëdo dispozite ligjore, rregullative apo administrative.”.

Neni 18

Neni 16 ndryshohet, si më poshtë vijon:

1. Pika 1 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“1. Subjektet duhet të ruajnë dokumentet që rrjedhin nga procesi i vigjilencës së duhur dhe asaj të zgjeruar, të dhënat e llogarive, transaksioneve, korrespondencën me klientin, si dhe rezultatet e analizave të kryera për 10 (dhjetë) vjet nga data e përfundimit të marrëdhënies së biznesit ndërmjet klientit e subjektit, e mbylljes së llogarisë apo e datës së transaksionit rastësor.”.

2. Në fjalinë e parë, të pikës 2, bëhen këto ndryshime:

– Fjalët “dokumentacionin për transaksionet financiare” zëvendësohen me “dokumentacionin për transaksionet”;
– Fjalët “nga data e kryerjes së transaksionit financiar” zëvendësohen me “nga data e kryerjes së transaksionit”.
– Fjalët “për 5 vjet” bëhen “për 10 (dhjetë) vjet”.

3. Në pikën 3, fjalët “më shumë se 5 vjet” zëvendësohen me fjalët “më shumë se 10 (dhjetë) vjet”.

Neni 19

Neni 17 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“Neni 17
Raportimi i organeve doganore

1. Autoritetet doganore duhet t’i raportojnë menjëherë, dhe jo më vonë se 72 (shtatëdhjetë e dy) orë, autoritetit përgjegjës çdo dyshim, informacion ose të dhënë, që kanë lidhje me pastrim parash ose financim terrorizmi, për veprimtaritë nën juridiksionin e tyre.

2. Organet doganore zbatojnë kërkesat e nenit 11, të këtij ligji.”.

Neni 20

Pas nenit 17, shtohet neni 17/1, me këtë përmbajtje:

“Neni 17/1
Deklarimet në kufi

1. Çdo person, i cili hyn/largohet në/nga territori i Republikës së Shqipërisë, është i detyruar të deklarojë shumat në të holla, çdo lloj instrumenti të negociueshëm të mbajtësit, metalet ose gurët e çmuar, sendet me vlerë dhe objektet antike, duke filluar nga shuma 10 000 (dhjetë mijë) euro ose kundërvlera e saj në monedha të tjera, qëllimin e mbartjes së tyre, si dhe dokumente justifikuese përkatëse.

2. Kanë detyrim për deklarim, sipas pikës 1, të këtij neni, edhe përfaqësuesit e personave që hyjnë/largohen me mjete, kur këto transportohen nëpërmjet shërbimit të kontejnerëve apo atij postar.

3. Autoritetet doganore raportojnë tek autoriteti përgjegjës kopje të formularëve të deklarimeve të mësipërme, dokumentet justifikuese të paraqitura, si dhe të dhëna të tjera sipas rastit, si dhe të dhënat e plota për rastet e mosdeklarimeve.

4. Në rast mosdeklarimi të konstatuar nga autoritetet doganore apo policore, përveç trajtimit të rastit në funksion të ndjekjes penale të çështjes dhe marrjes së masave përkatëse në funksion të saj sipas dispozitave të Kodit Penal dhe Kodit të Procedurës Penale, organet doganore vendosin edhe gjobë pa të drejtë kthimi të mjeteve të padeklaruara, sipas pikës 1, të këtij neni, në përqindje ndaj vlerës së padeklaruar, si më poshtë vijon:

a) Për shumat nga 10 000 – 19 999 euro ose kundërvlera e saj në monedha të tjera, gjoba është në vlerën 5% për herën e parë, 10% për herën e dytë si dhe 30% për rastet e tjera;
b) Për shumat nga 20,000-49.999 Euro ose kundërvlera e saj në monedha të tjera, gjoba është në vlerën 10% për herën e parë, 20% për herën e dytë si dhe 40% për rastet e tjera;
c) Për shumat mbi 50.000 Euro ose kundërvlera e saj në monedha të tjera, gjoba është në vlerën 15% për herën e parë, 30% për herën e dytë si dhe 50% për rastet e tjera.

5. Këshilli i Ministrave, me propozimin e ministrit të Ekonomisë dhe Financave, brenda 3 (tre) muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, nxjerr rregulla të hollësishme për mënyrën e zbatimit të detyrimeve që lindin nga ky nen.”.

Neni 21

Në nenin 21 bëhen shtesat dhe ndryshimet, si më poshtë vijon:

1. Pas pikës 1, shtohet pika 1/1, me këtë përmbajtje:

“Në funksion të ruajtjes së konfidencialitetit për fushën e veprimtarisë së vet, sigurisë së personelit apo sistemeve në përdorim, Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave mund të vendosë kufizime për të dhënat e kërkuara në funksion të së drejtës për informim, duke arsyetuar kufizimin rast pas rasti”.

2. Pika 3 ndryshohet, me këtë përmbajtje:

“3. Marrëdhëniet e punës të punonjësve të kësaj drejtorie, përfshirë strukturën e teknologjisë së informacionit, rregullohen me legjislacionin për nëpunësin civil dhe me Kodin e Punës për personelin mbështetës.”.

3. Pikat 5 e 6 ndryshohen, si më poshtë vijon:

“5. Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave, për sa i përket strukturës së teknologjisë së informacionit dhe komunikimit (TIK) që ka në përdorim, ka kompetencat e mëposhtme:

a) ngre, mirëmban dhe administron sistemet, aplikacionet dhe infrastrukturën TIK, përfshirë edhe ato të klasifikuara si “sekret shtetëror”;
b) administron strukturën përkatëse të punonjësve të teknologjisë së informacionit në institucion;
c) organizon, kryen prokurimet dhe lidh kontratat për sistemet kompjuterike, mirëmbajtjen e tyre, për të gjitha kontratat e klasifikuara, sipas legjislacionit në fuqi për informacionin e klasifikuar “Sekret shtetëror”;
ç) administron kodin përkatës të çdo sistemi që përdoret për qëllime të funksionimit të institucionit;
d) përdor, aq sa është e mundur, shkëmbimin e të dhënave në mënyrë elektronike me bazat e të dhënave të ndërlidhura në platformën qeveritare të ndërveprimit;
dh) bashkëpunon me Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI):

i. duke bashkërenduar projektet në fushën shoqërisë së informacionit;
ii. duke përdorur, aq sa është e mundur, standardet shqiptare në fushën TIK, të miratuara nga AKSHI, në përputhje me standardet ndërkombëtare, si dhe shërbimet e përqendruara të TIK-ut, për institucionet dhe organet e administratës shtetërore nën përgjegjësinë e Këshillit të Ministrave;
iii. për të garantuar një nivel të lartë të sigurisë kibernetike dhe zgjidhjet ndaj incidenteve të sigurisë kompjuterike.”.

Neni 22

Pas nenit 21, shtohet neni 21/1, si më poshtë vijon:

“Neni 21/1
Detyrimi i subjekteve të ligjit dhe organeve publike për përgjigje ndaj kërkesave për informacion të autoritetit përgjegjës

1. Subjektet e këtij ligji, organet shtetërore apo entet publike janë të detyruara t’u përgjigjen kërkesave për informacion, të dhëna dhe dokumente, të dërguara nga autoritetit përgjegjës, pa zvarritje, brenda 10 (dhjetë) ditëve kalendarike.

2. Në raste urgjente, autoriteti përgjegjës mund të kërkojë informacion edhe brenda një afati më të shkurtër sesa ai i parashikuar në pikën 1, të këtij neni, dhe subjektet e këtij ligji, organet shtetërore apo entet publike janë të detyruara për dhënien e këtij informacioni.”.

Neni 23

Neni 22 ndryshohet, si më poshtë vijon:

1. Shkronja “b” ndryshohet, me këtë përmbajtje:

“b) ka akses të drejtpërdrejtë në sistemet e teknologjisë së informacionit apo bazat e të dhënave dhe në çdo informacion të administruar nga institucionet publike, pranë subjekteve private me pronar shtetin apo të dhëna nga shtetit në favor të subjekteve private në bazë të një kontrate, si dhe në çdo lloj regjistri publik, lidhur me të dhënat për gjendjen gjyqësore, të dhënat për hyrje-daljet në kufi, regjistrin e të huajve, regjistrin e gjendjes civile, të dhënat për pasaportat dhe dokumentet e tjera të identifikimit, të dhënat për pasuritë e luajtshme dhe të paluajtshme të çdo lloji, në të dhënat mbi të drejta ose interesa pasurore të çdo lloji mbi pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme, regjistra të përqendruar të dhënash për kontrata dhe/ose detyrime të subjekteve private me organe të shtetit, regjistrat noterialë, regjistrin e pronarëve përfitues, regjistrin e llogarive bankare, të dhënat mbi automjetet dhe lejet e drejtimit, të dhënat tatimore dhe doganore, të dhënat mbi marrëdhënie të mundshme biznesi, veprimtari tregtare ose veprimtari të tjera profesionale.
Gjithashtu, ka akses edhe në çdo të dhënë tjetër që nevojitet për ushtrimin e detyrave dhe funksioneve të veta, që disponohet nga organet publike.
Institucionet apo subjektet që disponojnë këto të dhëna janë të detyruara të bashkëpunojnë dhe të japin aksesin e kërkuar në informacion.
Për informacione e të dhëna të tjera, në bazat e të dhënave apo sistemet e klasifikuara “sekret shtetëror”, mund të ketë akses, nëse ky veprim është në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe në marrëveshje me institucionin përkatës.

2. Shkronja “e“ ndryshohet, si më poshtë vijon:

e) shkëmben informacion me organet e Prokurorisë, Prokurorisë së Posaçme, Policinë e Shtetit, Byronë Kombëtare të Hetimit, Shërbimin Informativ të Shtetit dhe autoritetet e tjera kompetente të zbatimit të ligjit apo të inteligjencës, për çështjet e pastrimit të produkteve të veprës penale, veprat penale ose veprimtaritë kriminale që gjenerojnë produkte të veprës penale, financimit të terrorizmit, si dhe mund të nënshkruajë marrëveshje bashkëpunimi dy- ose shumëpalëshe me to;

3. Shkronja “f” ndryshohet, si më poshtë vijon:

f) kryesisht, mbi bazë të një vendimi të Këshillit të Ministrave, apo për rastet e kërkuara nga Grupi i Posaçëm i Veprimit Financiar, organizma të tjerë ndërkombëtarë, nga të cilat lindin detyrime për Republikën e Shqipërisë, nxjerr listë të vendeve për kufizimin dhe/ose kontrollin e transaksioneve apo marrëdhënieve të biznesit të subjekteve, proporcionalisht me rreziqet e evidentuara, vendime këto të detyrueshme për zbatim nga subjektet dhe autoritetet shtetërore që kanë detyrime sipas këtij ligji.

4. Në shkronjën “g”, fjalët “autoriteti përgjegjës bën kallëzim në prokurori” zëvendësohen me fjalët “autoriteti përgjegjës dërgon informacion në prokurori”.

5. Në shkronjën “gj”, fjalët “për transaksionin e fundit” hiqen.

Neni 24

Pika 2, e neni 23, ndryshon, si më poshtë vijon:

“2. Komiteti drejtohet nga Kryeministri dhe në përbërje ka ministrin e Financave dhe Ekonomisë, ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme, ministrin e Mbrojtjes, ministrin e Brendshëm, ministrin e Drejtësisë, prokurorin e Përgjithshëm, drejtuesin e Prokurorisë së Posaçme, Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, drejtorin e Përgjithshëm Ekzekutiv të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, drejtorin e Shërbimit Informativ të Shtetit, inspektorin e Përgjithshëm të Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave, drejtorin e Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit.

Neni 25

Në nenin 24 bëhen këto ndryshime:

1. Në pikën 1, shprehja “ shkronjat “e” dhe “ë” të nenit 3 të këtij ligji” zëvendësohet me
“ shkronjat “e” ,“ë” dhe “j” të nenit 3 të këtij ligji”

2. Shkronja “c”, e pikës 1, ndryshohet, si me poshtë vijon:

c) Ministritë dhe/ose autoritetet përkatëse për mbikëqyrjen e subjekteve të përcaktuara në shkronjat “f”, “g”, “gj”, “gj/2”, “h”, “i”, “k” dhe “l”, të nenit 3, të këtij ligji.

3. Shkronja “dh”, e pikës 1, e nenit 24, shfuqizohet.

4. Në pikën 2, fjalët “e parashikuara në nenet 4, 4/1, 5, 6, 7, 8, 9, 10, 11, 12 e 16 të këtij ligji” zëvendësohen me fjalët “e parashikuara në këtë ligj”.

5. Në shkronjën “b”, të pikës 4, pas fjalëve “një person i papërshtatshëm” shtohen fjalët “sipas përcaktimeve dhe kritereve të vendosura nga autoritetet mbikëqyrëse”.

Neni 26

Në nenin 27 bëhen këto ndryshime:

1. Pikat 1, 2 e 3 ndryshohen, si më poshtë vijon:

“1. Për shkeljet e kryera nga subjektet, kur nuk përbëjnë vepër penale, autoriteti përgjegjës vendos një ose disa masa ndëshkimore dhe gjoba, pavarësisht nga renditja e tyre, si më poshtë:

a) paralajmërim;
b) urdhër që detyron subjektin të ndalë një sjellje të caktuar, praktikë pune apo biznesi, si dhe të mos e përsërisë në të ardhmen;
c) urdhër për pezullim të përkohshëm apo zëvendësim të drejtuesve të strukturave përgjegjëse për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimin e terrorizmit;
ç) gjobë;
d) shpallje publike të kundërvajtësit dhe natyrës së kundërvajtjes;

2. Për caktimin e llojit dhe masës së sanksioneve, sipas pikës 1, të këtij neni, përveç kritereve të vendosura në ligjin për kundërvajtjet administrative, merren parasysh edhe:

a) fuqia financiare e personit juridik përgjegjës për shkeljen;
b) përfitimet që mund të ketë pasur subjekti që ka kryer shkeljen;
c) humbjet që mund të jenë shkaktuar ndaj palëve të treta për shkak të kryerjes së shkeljes (nëse ka pasur të tilla);
ç ) niveli i bashkëpunimit i subjektit me autoritetet kompetente;
d) shkalla e përgjegjësisë së subjektit që ka kryer shkeljen.

3. Në rastet kur autoriteti përgjegjës vlerëson se për shkeljen e konstatuar duhet të vendoset gjobë, subjektet gjobiten, si më poshtë vijon:

a) Për rastet kur nuk zbatojnë detyrimet e parashikuara në ligj, si dhe në aktet nënligjore dalë në zbatim të tij, për nenet 4, 4/1, pika 1, dhe 1/1, 4/2, 5, 6 e 6/1, subjektet gjobiten nga 100 000 (njëqind mijë) lekë deri në 6 000 000 (gjashtë milionë) lekë;
b) Për rastet kur nuk zbatojnë detyrimet e parashikuara në ligj, si dhe në aktet nënligjore dalë në zbatim të tij, për nenet 7, pikat 1 dhe 2, 8, 9, 10, 11, 12, pika 3, 16 e 21/1, subjektet gjobiten nga 200 000 (dyqind mijë) lekë deri në 8 000 000 (tetë milionë) lekë;
c) Për rastet kur nuk zbatojnë detyrimet dhe afatet e parashikuara në ligj, si dhe në aktet nënligjore dalë në zbatim të këtij ligji, për raportim të aktivitetit të dyshimtë, të parashikuara në nenet 4/1, pika 2, 7, pika 3, dhe 12, pikat 1 dhe 2, subjektet gjobiten nga 300 000 (treqind mijë) lekë deri në 10 000 000 (dhjetë milionë) lekë;
ç) Për rastet kur nuk zbatojnë detyrimet e parashikuara në nenin 3/1, organizimet gjobiten nga 1 500 000 (një milion e pesëqind mijë) lekë deri në 10 000 000 (dhjetë milionë) lekë;
d) Për rastet kur nuk zbatojnë urdhrat, kërkesat dhe afatet e autoritetit përgjegjës, të nxjerra sipas dispozitave të këtij ligji, detyrimet e parashikuara në nenet 10/1 e 15, personat dhe/ose subjektet gjobiten nga 300 000 (treqind mijë) lekë deri në 20 000 000 (njëzet milionë) lekë;
dh) Përveç sa parashikohet në pikat si më sipër, kur subjekti është një person juridik dhe kundërvajtja administrative është kryer:

i. nga një punonjës jo në nivel të lartë dhe/ose administrimi, personi që ka kryer shkeljen gjobitet nga 20 000 (njëzet mijë) lekë deri në 300 000 (treqind mijë) lekë;
ii. nga një administrator ose drejtues i subjektit, personi që ka kryer shkeljen gjobitet nga 40 000 (dyzet mijë) lekë deri në 4 000 000 (katër milionë) lekë.”.

4. Pikat 4, 5, 6 e 7 shfuqizohen.

5. Në pikën 11, fjalët “2 vjet” zëvendësohen me fjalët “5 vjet”.

Neni 27

Shkronja “d”, e pikës 3, e nenit 28, shfuqizohet.

Neni 28 

Hyrja në fuqi

1. Ky ligj hyn në fuqi 15 (pesëmbëdhjetë) ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

2. Përjashtimisht, detyrimet që rrjedhin nga neni 20, fillojnë të zbatohen nga data 1 janar 2020.

 

K R Y E T A R I

GRAMOZ RUÇI

### 

V E N D I M

PËR

PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË LIGJIN NR.9917, DATË 19.5.2008, “PËR PARANDALIMIN E PASTRIMIT TË PARAVE DHE FINANCIMIT TË TERRORIZMIT”, TË NDRYSHUAR”

Në mbështetje të neneve 81, pika 1, e 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

Propozimin e projektligjit “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.9917, datë 19.5.2008, “Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit”, të ndryshuar”, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

*** 

P R O J E K T L I GJ

PËR

DISA SHTESA NË LIGJIN NR.9920, DATË 19.5.2008, “PËR PROCEDURAT TATIMORE NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të neneve 78, 83, pika 1, dhe 155, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë

 

V E N D O S I:

 

Në ligjin nr.9920, datë 19.5.2008, “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, bëhen këto shtesa:

Neni 1

Në nenin 59, pas pikës 1/1, shtohet pika 1/2, me këtë përmbajtje:

“1/2. Tatimpaguesit persona fizikë tregtarë, të regjistruar për tatimin mbi vlerën e shtuar, tatimpaguesit persona juridikë, pavarësisht nga qarkullimi që realizojnë, si dhe organizatat jofitimprurëse të regjistruara në organin tatimor, janë të detyruar të kenë llogari bankare të biznesit/organizatës së regjistruar dhe ta deklarojnë atë në administratën tatimore.”.

Neni 2

Në nenin 120 shtohen paragrafët, me këtë përmbajtje:
“Subjektet e përmendura në pikën 1/2, të nenit 59, të ligjit, në rastin kur nuk disponojnë llogari bankare për transaksionet që kryejnë, dënohen, si më poshtp vijon:
a) Tatimpaguesit persona fizikë tregtarë, të regjistruar për tatimin mbi vlerën e shtuar, me qarkullim deri në 8 000 000 (tetë milionë) lekë, gjobë në masën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë;
b) Tatimpaguesit persona juridikë, pavarësisht nga qarkullimi, si dhe tatimpaguesit persona fizikë tregtarë, me qarkullim mbi 8 000 000 (tetë milionë) lekë, gjobë në masën 100 000 (njëqind mijë) lekë;
c) Organizatat jofitimprurëse, gjobë në masën 75 000 (shtatëdhjetë e pesë mijë) lekë.

Nëse subjekti nuk ka llogari bankare për transaksionet që kryen edhe pas dënimit si më sipër, dënohet me dyfishin e gjobës së parë.

Subjektet e regjistruara rishtas duhet të hapin llogarinë bankare jo më vonë se 20 (njëzet) ditë kalendarike pas regjistrimit në Qendrën Kombëtare të Biznesit/administratën tatimore dhe ta deklarojnë atë në administratën tatimore.

Subjektet që janë të regjistruara në Qendrën Kombëtare të Biznesit /administratën tatimore duhet të hapin llogarinë bankare jo më vonë se 90 (nëntëdhjetë) ditë nga hyrja në fuqi e këtij ligji dhe ta deklarojnë atë në administratën tatimore.

Neni 3

Hyrja në fuqi

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E T A R

GRAMOZ RUÇI

###

V E N D I M

PËR

PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR DISA SHTESA NË LIGJIN NR.9920, DATË 19.5.2008, “PËR PROCEDURAT TATIMORE NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË”, TË NDRYSHUAR”

Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Propozimin e projektligjit “Për disa shtesa në ligjin nr.9920, datë 19.5.2008, “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

***

P R O J E K T L I GJ

PËR

PËR TRAJTIMIN FINANCIAR, SUPLEMENTAR, TË PUNONJËSVE QË KANË PUNUAR NË MINIERA, NË NËNTOKË, TË PUNONJËSVE TË INDUSTRISË SË NAFTËS E TË GAZIT DHE TË PUNONJËSVE QË KANË PUNUAR NË METALURGJI

Në mbështetje të neneve 78 e 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë,

 

V E N D O S I:

Neni 1
Qëllimi

Qëllimi i këtij ligji është trajtimi financiar, përveç trajtimit të përcaktuar në ligjet nr.4171, datë 13.9.1966, “Për sigurimet shoqërore në Republikën Popullore të Shqipërisë”, dhe nr.7703, datë 11.5.1993, “Për Sigurimet Shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, të punonjësve që kanë punuar në miniera, në nëntokë, të punonjësve të industrisë së naftës e të gazit dhe të punonjësve që kanë punuar në metalurgji.

Neni 2
Përfituesit

Përfitues, sipas këtij ligji, janë personat që kanë plotësuar kushtet e përcaktuara në këtë ligj, kur kanë punuar në punë dhe profesione sipas përcaktimeve të nenit 3, të këtij ligji, si më poshtë vijon:

a) Pensionistët, të cilët kanë përfituar pension sipas ligjeve nr.4171, datë 13.9.1966, “Për Sigurimet Shoqërore në Republikën Popullore të Shqipërisë”, dhe nr.7703, datë 11.5.1993, “Për Sigurimet Shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar;
b) Pensionistët, të cilët kanë përfituar pension sipas ligjit nr.150/2014, “Për pensionet e punonjësve që kanë punuar në miniera, në nëntokë”;
c) Punonjësit, të cilët kanë kryer procese pune në miniera, në nëntokë;
ç) Punonjësit, të cilët kanë punuar në industrinë e naftës e të gazit dhe personeli inxhiniero-teknik, që ka punuar në ndërmarrjet e sistemit të naftës, si shpim-kërkim, shpim-shfrytëzim, prodhim, sizmikë, gjeofizikë kantieriale, përpunim dhe transport me naftësjellës dhe gazsjellës;
d) Punonjësit që kanë punuar në metalurgji, në profesione, punë dhe ndërmarrje sipas përcaktimeve në krerët III, VIII e XII, të vendimit nr.526, datë 20.12.1958, të Këshillit të Ministrave, “Për ndarjen e punëve në kategori, për efekt pensioni”.

Neni 3
Vjetërsia në punë dhe periudhat e sigurimit

Për efekt të zbatimit të këtij ligji, vjetërsia e përgjithshme në punë dhe periudhat e sigurimit vlerësohen e njihen sipas përcaktimeve në dispozitat e ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për Sigurimet Shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të akteve ligjore në zbatim të tij.

Për efekt të përfitimeve nga ky ligj, vjetërsia në punë dhe periudhat e sigurimit në profesionet e punë në miniera, në nëntokë, në industrinë e naftës e të gazit dhe në metalurgji do të njihen, si me poshtë vijon:

a) Periudhat e punës të kryera në miniera, në nëntokë, sipas dispozitave të krerëve I, XIII e XIV, të vendimit nr.526, datë 20.12.1958, të Këshillit të Ministrave, “Për ndarjen e punëve në kategori, për efekt pensioni”, të ndryshuar;
b) Periudhat e punës të kryera në industrinë e naftës e të gazit, në profesione dhe punë të përcaktuara në vendimin nr.526, datë 20.12.1958, të Këshillit të Ministrave, “Për ndarjen e punëve në kategori për efekt pensioni”;
c) Periudhat e punës të kryera në industrinë e naftës e të gazit nga personeli inxhiniero-teknik, që ka punuar drejtpërdrejt në prodhim, në sektorë apo brigada si shpim-kërkim, shpim-shfrytëzim, prodhim, sizmikë, gjeofizikë kantieriale, përpunim dhe transport me naftësjellës dhe gazsjellës;
ç) Periudhat e punës të kryera në metalurgji, në profesione, punë e ndërmarrje sipas përcaktimeve në krerët III, VIII e XII, të vendimin nr.526, datë 20.12.1958, të Këshillit të Ministrave, “Për ndarjen e punëve në kategori për efekt pensioni”.

Pas datës 30.9.1993, proceset e punës në miniera, në nëntokë, në industrinë e naftës dhe në metalurgji do të njihen, për efekt përfitimi sipas këtij ligji, kur ato janë kryer dhe dokumentuar sipas kritereve të përcaktuara në vendimin e sipërshënuar, pavarësisht nëse të punësuarit kanë kryer aktivitet ekonomik në subjekte me kapital plotësisht ose pjesërisht shtetëror si dhe në subjekte private. Ndryshimet nga përcaktimet në vendimin e sipërshënuar në emërtimet e profesioneve dhe punëve, që janë si shkak i ndryshimeve të teknologjisë, ndryshimeve të organizimit e të pronësisë së kapitaleve, përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave.

Pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, njihen periudha në profesion, sipas pikës 3, vetëm kur është paguar kontributi sipas nenit 6, të këtij ligji.

Periudhat e sigurimit të pambuluara me kontribute, të paguara në fondin e sigurimeve shoqërore, nuk njihen të vlefshme për këtë ligj.

Neni 4
Llojet e përfitimit

Personave të përcaktuar në nenin 2, të këtij ligji, u sigurohen përfitime suplementare, mbi ato të përcaktuara në ligjin nr.7703, datë 11.5.1993, “Për Sigurimet Shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, si më poshtë vijon:

a) Pension për shkak të profesionit (llojit të punës);
b) Shtesë mbi pensionin e pleqërisë;
c) Shtesë mbi pensionin e invaliditetit.

Neni 5
Kushtet dhe masa e pensionit për shkak të profesionit

Personat e përcaktuar në nenin 2, të cilët kanë periudha sigurimi sipas përcaktimeve në nenin 3, të këtij ligji, kanë të drejtën e përfitimeve të pensionit për shkak të profesionit apo të shtesës mbi pension kur plotësojnë kushtet, si më poshtë vijon:

1. Periudha e sigurimit dhe vjetërsia e punës në profesion

a) Për ish-punonjësit, të cilët kanë kryer procese pune në miniera, në nëntokë, trajtimi me përfitime përpara moshës dhe kushteve të përcaktuara në dispozitat e ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për Sigurimet Shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, do të vazhdojë të bëhet sipas përcaktimeve në dispozitat e ligjit nr.150/2014, “Për pensionet e punonjësve që kanë punuar në miniera, në nëntokë” dhe akteve nënligjore të dala në zbatim të tij;
b) Për ish-punonjësit, të cilët kanë punuar në industrinë e naftës e të gazit, në profesione e punë të përcaktuara në pasqyrën nr. 1, “Punë, që hyjnë në kategorinë e parë”, krerët IV, pikat 2 e 3, dhe XI, të vendimin nr.526, datë 20.12.1958, të Këshillit të Ministrave, “Për ndarjen e punëve në kategori për efekt pensioni”, të ndryshuar, përcaktohet:

i. mosha: për burrat 55 vjeç; për gratë 50 vjeç;
ii. periudha përgjithshme e sigurimit: për burrat 30 vjet; për gratë 25 vjet;
iii. vjetërsia në punë të kategorisë së parë: për burrat 15 vjet; për gratë 12.5 vjet.

c) Për ish-punonjësit, të cilët kanë punuar në industrinë e naftës e të gazit, në profesione e punë të përcaktuara në pasqyrën nr.2, “Punë, që hyjnë në kategorinë e dytë”, kreu V, në vendimin nr.526, datë 20.12.1958, të Këshillit të Ministrave, “Për ndarjen e punëve në kategori, për efekt pensioni”, të ndryshuar, dhe personeli inxhiniero-teknik, që ka punuar në ndërmarrjet e sistemit të naftës, sipas listës së miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave, përcaktohet:

i. mosha: për burrat 60 vjeç; për gratë 55 vjeç;
ii. periudha e sigurimit: për burrat 30 vjet; për gratë 25 vjet;
iii. vjetërsia në punë të kategorisë së dytë: për burrat 20 vjet; për gratë 15 vjet.

Kur nuk plotësohen kushtet sipas shkronjës “b”, periudha e punës sipas asaj shkronje i shtohet periudhës së punës sipas përcaktimeve në shkronjën “c”. Në këtë rast, kushtet e përfitimit janë ato sipas shkronjës “c”, të sipërshënuar.

ç) Për ish-punonjësit, të cilët kanë punuar në metalurgji në profesione, punë dhe ndërmarrje sipas përcaktimeve në krerët III, VIII e XII, të pasqyrës nr.1, në vendimin nr.526, datë 20.12.1958, të Këshillit të Ministrave, “Për ndarjen e punëve në kategori për efekt pensioni”, përcaktohet:

i. mosha: për burrat 60 vjeç; për gratë 55 vjeç,
ii. periudha e sigurimit: për burrat 30 vjet; për gratë 25 vjet;
iii. vjetërsia në punë të kategorisë së parë: për burrat 20 vjet; për gratë 15 vjet.

2. Masa e përfitimit

Masa e përfitimit mujor për të gjithë personat që plotësojnë kushtet sipas pikës 1, të këtij neni, llogaritet sipas përcaktimeve në dispozitat e ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për Sigurimet Shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.

Neni 6
Masa e përfitimit të shtesës mbi pension

1. Masa e përfitimit

a) Ish-punonjësit, sipas përcaktimeve në këtë ligj, të cilët kanë përfituar ose do të plotësojnë kushtet për të përfituar pension pleqërie sipas ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për Sigurimet Shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, përfitojnë shtesë pensioni për çdo vit periudhe sigurimi në profesion, sipas përcaktimeve në nenin 3, si më poshtë vijon:

i. Punonjësit e nëntokës, 1% të masës së pensionit të pleqërisë;
ii. Punonjësit e industrinë së naftës e të gazit dhe punonjësit e metalurgjisë, 0,6 % të masës së pensionit të pleqërisë.

b) Shtesën mbi pension, sipas shkronjës “a”, e përfitojnë të gjithë personat që kanë jo më pak se 6 vite në profesionet dhe punët e përcaktuara në këtë ligj.

II. Masa e përfitimit për invalidët

Përfituesit, sipas përcaktimeve në këtë ligj, të cilët kanë përfituar ose do të plotësojnë kushtet për të përfituar pension invaliditeti sipas ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për Sigurimet Shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, kanë të drejtën e përfitimit të shtesës mbi pension në masën 1% për çdo vit vjetërsie pune në miniera, në nëntokë, industrinë e naftës dhe në metalurgji, sipas përcaktimeve në nenin 3, të këtij ligji.

Neni 7
E drejta për përfitim 

1. E drejta për të përfituar pensionin dhe shtesën mbi pension, sipas këtij ligji, nuk parashkruhet.

2. Personi, i cili kërkon të përfitojë pension sipas përcaktimeve të këtij ligji, e përfiton atë:

a) nga data e lindjes së të drejtës për përfitim, kur kërkesa paraqitet brenda një viti nga data e lindjes së kësaj të drejte;
b) nga data e paraqitjes së kërkesës, kur ajo paraqitet pas një viti pas lindjes së të drejtës për përfitimin e pensionit.

3. Personi, i cili ka përfituar pension sipas përcaktimeve të këtij ligji, nuk ka të drejtë përfitimi të kësteve mujore të pensionit të pleqërisë për periudhën/at gjatë të cilave ushtron veprimtari ekonomike si i punësuar, i vetëpunësuar apo punëdhënës. Pagesat e përfitimeve ndalohen për çdo kohë që përfituesi është punësuar ose ka qenë ekonomikisht aktiv, me përjashtim kur vetëpunësohet në bujqësi.

4. Përfitimet e caktuara, por të pa tërhequra, paguhen në çdo kohë, por jo më shumë se për 3 vjet. Përfitimet e caktuara, por të paguara më pak, jepen në çdo kohë, por jo më shumë se për 3 vjet.

5. E drejta e organit kompetent për të kërkuar shumat e marra tepër gjatë një viti ushtrohet jo më vonë se 3 vjet, nga data e marrjes së tyre, por jo më vonë se 6 muaj, nga data e konstatimit. Masa e ndalesës për çdo muaj është 20 për qind e këstit mujor të pensionit.

6. Personi, i cili ka përfituar pension e kompensime në mënyrë dhe me mjete në kundërshtim me ligjin dhe që nuk njofton ndryshimin ose heqjen e masës së tyre, detyrohet ta kthejë të gjithë shumën e marrë tepër. Masa e ndalesës për çdo muaj është 50 për qind e këstit mujor të pensionit. Gjithashtu, personi dënohet me gjobë, në masën e katërfishit të dëmit të shkaktuar, pavarësisht nga dënimi i parashikuar në dispozitën përkatëse të Kodit Penal.

Neni 8
Financimi

Përfitimet nga ky ligj financohen nga kontributet dhe nga buxheti i shtetit.

1. Llojet e kontributeve

Personat e punësuar në industrinë minerare, në industrinë e naftës e të gazit dhe në metalurgji, dhe punëdhënësit e tyre, janë të detyruar të paguajnë kontribut për:

a) pension për shkak të profesionit;
b) përfitimet shtesë mbi pensionin e pleqërisë.
Shuma e kontributit varet nga paga totale (bruto) e punëmarrësit. Kontributi nuk mund të caktohet nën një pagë minimale dhe mbi një pagë maksimale mujore.
2. Masa e kontributit

a) Kontributi, që paguhet për mbulimin e përfitimeve të pensioneve për shkak të profesionit, përcaktohet në masën 5% të pagës bruto dhe ndahet në 3 % nga punëdhënësi dhe 2 % nga punëmarrësi.

b) Kontributi që paguhet për mbulimin e përfitimeve shtesë mbi pensionin e pleqërisë përcaktohet në masën 5 % të pagës bruto dhe ndahet në 2.5 % nga punëdhënësi dhe 2.5 % nga punëmarrësi.

Kontributet sipas shkronjave “a” dhe “b”, të pikës 2, të këtij neni, paguhen në fondin publik për të punësuarit mbi moshën 48 vjeç. Për të punësuarit nën moshën 48 vjeç, kontributet do paguhen në skemën e pensioneve profesionale, krijuar sipas nenit 5/2, të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për Sigurimet Shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.

Kontributet për të punësuarit mbi moshën 48 vjeç, në masën sipas përcaktimeve në shkronjat “a” dhe “b”, të pikës 2, të këtij neni, mblidhen dhe derdhen në fondin e sigurimeve shoqërore sipas procedurave për mbledhjen e kontributeve të sigurimeve shoqërore të detyrueshme, të përcaktuara në ligjin nr.9136, datë 11.9.2003, “Për mbledhjen e kontributeve të detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.

Diferenca ndërmjet efektit financiar të dy llojeve të përfitimeve, sipas këtij ligji, me kontributet shtesë, do të përballohet nga fondet e buxhetit të shtetit. Shuma vjetore e transfertës nga buxheti i shtetit dhe procedurat e financimit të fondit të sigurimeve shoqërore miratohet me vendim të Këshillit të Ministrave.

Neni 9
Përjashtimi nga tatimet

Përfitimet nga ky ligj nuk tatohen.

Neni 10
Indeksimi 

Përfitimet, sipas këtij ligji, indeksohen çdo vit, sa herë indeksohen edhe pensionet e caktuara sipas ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për Sigurimet Shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar. Indeksi dhe koha e zbatimit të tij përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

Neni 11
Të drejtat e njohura

1) Dispozitat e ligjit nr.150/2014, “Për pensionet e punonjësve që kanë punuar në miniera, në nëntokë”, dhe të akteve nënligjore të dala në zbatim të tij, për personat në moshën mbi 48 vjeç, do të vazhdojnë të zbatohen edhe pas datës së hyrjes në fuqi të këtij ligji.

2) Në ligjin nr.8/2017, “Për statusin e punonjësve të industrisë së naftës dhe të gazit”, pika 1, e nenit 2, nenet 9, 10, 11 e 12, pika 1, e nenit 13, dhe nenet 14 e 15 shfuqizohen.

Neni 12
Llogaritja e pensionit

Llogaritja, caktimi, administrimi dhe pagimi i pensioneve që rrjedhin nga ky ligj bëhen nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore, sipas procedurave në fuqi për pensionet, në përputhje me ligjin nr.7703, datë 11.5.1993, “Për Sigurimet Shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.

Neni 13
Kërkesa për përfitim

Përfitimi, sipas përcaktimeve në këtij ligji, jepet me kërkesën e të interesuarit, i cili e paraqet atë pranë agjencisë së sigurimeve shoqërore të vendbanimit të tij, së bashku me dokumentacionin përkatës, sipas përcaktimeve të vendimit të Këshillit të Ministrave dhe rregulloreve të ISSH-së.

Neni 14
Aktet nënligjore  

Ngarkohet Këshilli i Ministrave, që, brenda 3 muajve, nga hyrja në fuqi e këtij ligji, të nxjerrë aktet nënligjore në zbatim të nenit 3, të shkronjës “c”, të pikës 1, të nenit 5, të paragrafit të fundit të nenit 8, të nenit 10 dhe nenit 13, të këtij ligji.

Neni 15
Hyrja në fuqi

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E T A R I

GRAMOZ RUÇI

###

V E N D I M

PËR

PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR TRAJTIMIN FINANCIAR, SUPLEMENTAR, TË PUNONJËSVE QË KANË PUNUAR NË MINIERA, NË NËNTOKË, TË PUNONJËSVE TË INDUSTRISË SË NAFTËS E TË GAZIT DHE TË PUNONJËSVE QË KANË PUNUAR NË METALURGJI”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

Propozimin e projektligjit “Për trajtimin financiar, suplementar, të punonjësve që kanë punuar në miniera, në nëntokë, të punonjësve të industrisë së naftës e të gazit dhe të punonjësve që kanë punuar në metalurgji”, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

***

P R O J E K T L I GJ

PËR

ADMINISTRIMIN E PASURIVE TË SEKUESTRUARA E TË KONFISKUARA

Në mbështetje të neneve 78 e 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë

 

V E N D O S I: 

KREU I
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

Neni 1
Objekti

Ky ligj përcakton rregullat, procedurat dhe strukturën administrative për administrimin e pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara nga organet e drejtësisë apo me urdhra administrative, sipas përcaktimeve të legjislacionit shqiptar në fuqi.

Neni 2
Qëllimi

Qëllimi i këtij ligji është miradministrimi dhe përdorimi sa më efiçent, efektiv dhe ekonomik i pasurive të sekuestruara e të konfiskuara nga organet e drejtësisë dhe pasurive të sekuestruara me urdhër të ministrit përgjegjës për financat, rikthimi në komunitet i pasurive të fituara në mënyrë të paligjshme dhe kompensimi i viktimave të krimit.

Neni 3
Fusha e zbatimit

Dispozitat e këtij ligji zbatohen për:

a) pasuritë e sekuestruara e të konfiskuara me vendim të gjykatës kompetente, sipas përcaktimeve të ligjit nr.10192, datë 3.12.2009, “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar, trafikimit dhe korrupsionit, nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë”, të ndryshuar;
b) pasuritë e bllokuara e të sekuestruara, sipas përcaktimeve të ligjit nr.157/2013, “Për masat kundër financimit të terrorizmit”;
c) pasuritë, për të cilat është vendosur masa e sekuestrimit preventiv, sipas kreut VI, të Kodit të Procedurës Penale, dhe ato të konfiskuara me vendim të gjykatës kompetente sipas nenit 36, të Kodit Penal, të cilat janë produkt i veprave penale apo të lidhura me to.

Neni 4
Përkufizime

Në kuptim të këtij ligji, termat e mëposhtëm kanë këto kuptime:

a) “Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara e të Konfiskuara” (në vijim, Agjencia), institucioni përgjegjës për administrimin e pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara;
b) “Administrim i pasurisë”, të gjitha veprimet e procedurat ligjore që kryhen nga Agjencia apo nga administratori i pasurisë, me qëllim ruajtjen, mirëmbajtjen, administrimin, menaxhimin dhe, kur është e mundur, shtimin e vlerës së pasurisë që nga çasti i marrjes dijeni për aktin e sekuestrimit e të konfiskimit dhe deri në atë të tjetërsimit ose të revokimit të masës së sekuestrimit të pasurisë;
c) “Marrja në dorëzim e pasurisë”, veprimet e procedurat ligjore të kryera nga Agjencia dhe administratori i pasurisë, për kalimin faktik të pasurive në administrim të Agjencisë, me anë të inventarizimit të dokumentuar të pasurisë;
ç) “Menaxhim me anë të të tretëve”, veprimet dhe procedurat që kryhen nga Agjencia me anën e të tretëve, duke ua dhënë me atyre me qira, pas marrjes në dorëzim të pasurisë deri në çastin e tjetërsimit të saj;
d) “Tjetërsim”, kalimi i të drejtave reale të pasurisë nga pronari tek të tretët, nëpërmjet njërës prej formave të parashikuara nga Kodi Civil dhe legjislacioni në fuqi;
dh) “Administrator koordinator”, punonjësi buxhetor i Agjencisë, i cili koordinon, udhëzon, mbikëqyr dhe kontrollon zbatimin e procedurave ligjore nga administratori i pasurisë për administrimin e pasurive të sekuestruara e të konfiskuara, sipas fushës përkatëse që ai mbulon;
e) “Administrator i pasurisë”, personi fizik a juridik, i specializuar në fushën e administrimit të pasurive, i cili është i autorizuar dhe/ose kontraktuar nga Agjencia për administrimin e pasurive të sekuestruara e të konfiskuara;
ë) “Të ardhurat nga administrimi i pasurive”, të gjitha të hyrat në vlera monetare që përftohen nga administrimi i pasurive të sekuestruara dhe/apo konfiskuara, apo burime të tjera të ligjshme;
f) “Shpenzimet për administrimin e pasurive”, të gjitha të dalat në vlera monetare, që përdoren për administrimin e pasurive;
g) “Pasuritë e regjistruara”, pasuritë e paluajtshme dhe të luajtshme, të regjistruar në regjistra publik, pasuritë e luajtshme dhe shumat monetare, të regjistruar pranë institucioneve financiare ose subjekte të licencuara nga organet përkatëse shtetërore për ruajtjen e tyre, pasuritë dhe kuotat e aksionet e shoqërive tregtare, të regjistruara në regjistrin e shoqërive tregtare;
gj) “Përdorim i pasurisë”, ushtrimi i së drejtës për shfrytëzimin e pasurisë;
h) “Urdhër administrativ”, urdhri i lëshuar nga ministri përgjegjës për financat, sipas ligjit nr.157/2013.
i) “Fondi i posaçëm për parandalimin e kriminalitetit”, fondi që krijohet sipas nenit 37, të ligjit nr.10192, datë 3.12.2009, të ndryshuar;
j) “Personel i jashtëm”, sipas këtij ligji, administratori i pasurisë së konfiskuar, administratori i pasurisë të bllokuar e të sekuestruar me urdhër administrativ dhe administratori i pasurisë së sekuestruar, i caktuar nga gjykata, si dhe punonjësit e tjerë ndihmës të administratorit.

Neni 5
Parimet e përgjithshme

Administrimi i pasurive të sekuestruara e të konfiskuara realizohet duke respektuar parimet e miradministrimit, efektivitetit, efiçencës, ekonomicitetit, transparencës dhe të ligjshmërisë, si dhe të shmangies, shpërdorimit e keqpërdorimit.

KREU II
ORGANIZIMI, FUNKSIONIMI DHE KOMPETENCAT E AGJENCISË SË ADMINISTRIMIT TË PASURIVE TË SEKUESTRUARA E TË KONFISKUARA

Neni 6
Organizimi dhe funksionimi

1. Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara e të Konfiskuara është person juridik publik, buxhetor, me seli në Tiranë, në varësi të ministrit përgjegjës për financat.

2. Struktura dhe organika e Agjencisë miratohen me urdhër të Kryeministrit, me propozimin e ministrit përgjegjës për financat.

3. Marrëdhëniet e punës së nëpunësve të Agjencisë rregullohen nga legjislacioni në fuqi për nëpunësin civil. Marrëdhëniet e punës së punonjësve administrativë rregullohen sipas parashikimeve të Kodit të Punës.

4. Kriteret e përcaktimit të personelit të jashtëm përcaktohen me udhëzim të ministrit përgjegjës për financat.

5. Kufijtë e pagave apo shpërblimit të personelit të jashtëm përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

6. Rregullat e hollësishme për organizimin dhe funksionimin e Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara caktohen në rregulloren e saj të brendshme.

Neni 7
Buxheti

1. Buxheti i Agjencisë financohet nga:

a) buxheti i shtetit, si pjesë përbërëse e buxhetit të ministrisë përgjegjëse për financat;
b) të ardhurat e krijuara nga administrimi i pasurive të sekuestruara e të konfiskuara;
c) të ardhurat e krijuara nga tjetërsimi i pasurive të sekuestruara e të konfiskuara;
ç) donacionet dhe/ose dhuratat në përputhje me legjislacionin në fuqi;
d) burime të tjera, të ligjshme.

2. Buxheti i shtetit mbulon shpenzimet për mbajtjen dhe funksionimin e Agjencisë, si dhe ato për administrimin e pasurive të sekuestruara e të konfiskuara, vetëm në rastet kur të ardhurat e siguruara nëpërmjet administrimit të këtyre pasurive nuk janë të mjaftueshme.

3. Të ardhurat nga administrimi i pasurive përdoren nga Agjencia vetëm për të mbuluar shpenzimet e administrimit të pasurive.

4. Të ardhurat e përftuara nga tjetërsimi i pasurive të konfiskuara shkojnë në:

a) buxhetin e shtetit;
b) fondin e posaçëm për parandalimin e kriminalitetit;
c) llogarinë e Agjencisë.

5. Shpërndarja e ardhurave të përftuara nga tjetërsimi i pasurive të konfiskuara, sipas pikës 4, të kësaj dispozite, përcaktohet me urdhër të ministrit përgjegjës për financat.

Neni 8
Kompetencat dhe përgjegjësitë

Agjencia ka këto kompetenca dhe përgjegjësi:

a) merr në dorëzim pasuritë e sekuestruara e të konfiskuara sipas përcaktimeve të nenit 3, të këtij ligji;
b) administron, mirëmban dhe ruan, pasuritë e sekuestruara e të konfiskuara, nëpërmjet administrimit të drejtpërdrejtë apo të të tretëve. Nëse është e mundur, rrit vlerën e pasurisë në administrim;
c) me vendim të Gjykatës, realizon shitjen e pasurive të luajtshme të sekuestruara, të cilat me kalimin e kohës prishen, dalin jashtë përdorimit apo u bie vlera në mënyrë të ndjeshme;
ç) kryen regjistrimin në favor të shtetit, të pasurive të regjistruara të konfiskuara, në regjistrat përkatës;
d) përgatit dokumentacionin plotë për tjetërsimin apo dhënien në përgjegjësi administrimi, të pasurive të konfiskuara;
dh) bashkëpunon për shitjen e pasurive të konfiskuara me institucionet përgjegjëse për shitjen e pronave publike;
e) mbikëqyr veprimtarinë e përfituesit nga fondi i posaçëm për parandalimin e kriminalitetit, të cilit i është dhënë në përdorim, përgjegjësi administrimi apo huapërdorje një pasuri e konfiskuar, nëse përdorimi i pasurisë është apo jo në përputhje me udhëzimin e ministrit përgjegjës për financat të nxjerrë për këtë qëllim;
ë) bën verifikimin dhe përgatit dokumentacionin për mendim në Komitetin Ndërinstitucional të ekspertëve për Masat Kundër Krimit të Organizuar, lidhur me kërkesat për financimin e projekteve nga fondi i posaçëm për parandalimin e kriminalitetit dhe edukim ligjor, si dhe ndjek zbatimin e tyre;
f) përgatit dhe administron statistika periodike dhe vjetore mbi sasinë, llojin dhe vlerën e pasurive të sekuestruara e të konfiskuara nën administrim.

Neni 9
Kryeadministratori

1. Agjencia drejtohet nga kryeadministratori. Marrëdhëniet e punës së kryeadministratorit rregullohen nga legjislacioni në fuqi për nëpunësin civil.

2. Kryeadministratori ka këto kompetenca dhe përgjegjësi:

a) drejton dhe organizon veprimtarinë e Agjencisë;
b) mbikëqyr dhe kontrollon veprimtarinë që kryhet për administrimin e pasurive të sekuestruara e të konfiskuara;
c) përfaqëson Agjencinë në marrëdhënie me të tretët, sipas akteve ligjore e nënligjore në fuqi;
ç) harton listën e administratorëve të pasurisë së sekuestruar, me persona të punësuar ose jo pranë Agjencisë, të cilën ia paraqet gjykatës, të paktën një herë në vit, brenda tremujorit të parë të vitit;
d) negocion dhe lidh kontratën me administratorin e pasurisë së sekuestruar, të caktuar nominalisht nga gjykata përkatëse;
dh) autorizon administratorin e pasurisë së sekuestruar nisur nga kërkesa e arsyetuar e tij, të kërkojë ndihmën e një specialisti ose të personave të tjerë, si dhe negocion e lidh kontratën me ndihmësin e administratorit;
e) negocion dhe lidh kontratën me administratorin e pasurisë së bllokuar e të sekuestruar me urdhër administrativ;
ë) negocion dhe lidh kontratën me administratorin e pasurisë së konfiskuar, në rastet kur cakton një person që nuk është punësuar pranë Agjencisë;
f) negocion dhe lidh kontratat e qirasë, huapërdorjes dhe enfiteozës për pasuritë e sekuestruara e të konfiskuara;
g) lidh kontratat si përfaqësues i Agjencisë, në cilësinë e autoritetit kontraktues në procedurat e prokurimit publik;
gj) cakton dhe lidh kontratën me auditues ligjor, në rast kur mungon dokumentacioni përkatës ligjor i pasurisë së sekuestruar, si dhe regjistrat e llogarive të shoqërisë tregtare;
h) cakton masën fikse të pagës dhe të shpërblimit të personelit të jashtëm në përputhje me kufijtë e miratuar;
i) ngre komisionet për:

i. vlerësimin e çmimit të tregut për dhënien me qira të pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara;
ii. vlerësimin e çmimit të shitjes së pasurive të konfiskuara;
iii. vlerësimin e çmimit të shitjes për pasuritë e sekuestruara, për të cilat gjykata ka vendosur shitjen e tyre.

Neni 10
Administratori koordinator

Administratori koordinator është nëpunës i administratës së Agjencisë, i cili, sipas sektorit që mbulon, ka këto kompetenca dhe përgjegjësi:

a) koordinon, kontrollon dhe mbikëqyr veprimtarinë e administratorëve të pasurive dhe zbatimin e procedurave ligjore të administrimit të pasurive të sekuestruara e të konfiskuara.
b) kontrollon dhe miraton raportet e përgatitura nga administratorët e pasurive, përpara se të kalojnë për miratim te kryeadministratori.
c) verifikon dhe dërgon për miratim te Kryeadministratori kërkesat për shpenzimet për ruajtjen, mirëmbajtjen dhe administrimin e pasurive, të propozuara nga administratori i pasurive.
ç) përgatit statistika, analiza e raporte periodike mujore, si dhe sa herë që i kërkohen nga kryeadministratori.
d) në bazë të propozimeve të administratorit të pasurive, i rekomandon kryeadministratorit mënyrën e administrimit të pasurive nëpërmjet administrimit të drejtpërdrejtë apo me anë të të tretëve.

Neni 11
Administratori i pasurisë së sekuestruar

1. Administratori i pasurisë së sekuestruar caktohet nga gjykata kompetente, nga lista e ekspertëve të caktuar nga Agjencia.

2. Administratori i pasurisë ka këto kompetenca dhe përgjegjësi:

a) njofton menjëherë për masën e sekuestrimit për pasuritë e sekuestruara të regjistruara, në organet dhe subjektet ku mbahen këto regjistra;
b) njofton gjykatën kur konstaton pasuri të tjera, që mund të jenë objekt i masës së sekuestrimit, për ekzistencën e të cilave është vënë në dijeni gjatë administrimit;
c) merr në administrim pasuritë e sekuestruara që i caktohen për administrim;
ç) nëse është e mundur, rrit vlerën e pasurisë që ka në administrim;
d) harton të gjitha shkresat zyrtare dhe mban korrespondencën me institucionet dhe subjektet me të cilat duhet të bashkëpunohet për marrjen në administrim, menaxhimin dhe tjetërsimin e pasurive të sekuestruara;
dh) paraqet çdo kërkesë të nevojshme për ekzekutimin e masës së sekuestrimit dhe për administrimin e sendit, pranë prokurorisë, shërbimit përmbarimor apo çdo institucioni tjetër shtetëror;
e) paraqet:

i. raport të hollësishëm, brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve nga emërimi i tij, për kryeadministratorin dhe autoritetin përkatës që ka vendosur masën e sekuestrimit, për elementet thelbësore të ekzistencës dhe gjendjes së pasurisë së sekuestruar, duke njoftuar njëkohësisht prokurorin e çështjes, kur pasuria është sekuestruar me kërkesë të kësaj të fundit;
ii. raport për marrjen në administrim të pasurisë, për të cilin njofton kryeadministratorin, vë në dijeni autoritetin përkatës që ka vendosur masën e sekuestrimit dhe prokurorin e çështjes;
iii. raporte periodike për administrimin e pasurive të sekuestruara, sipas afateve të caktuara nga gjykata, të shoqëruara me dokumentacionin përkatës;
iv. kërkesën për informim pranë prokurorisë dhe gjykatës, 30 (tridhjetë) ditë përpara përfundimit të masës së sekuestrimit, me qëllim marrjen dijeni nga ana e prokurorit të kërkesës për konfiskim apo shtyrje të afatit të sekuestrimit;
v. raportin tekniko-financiar, brenda 90 (nëntëdhjetë) ditëve nga marrja e njoftimit për vendimin e formës së prerë, për konfiskimin e pasurisë;
vi. raportin për pasuritë e tjera, që mund të jenë objekt i masës së sekuestrimit, për ekzistencën e të cilave është vënë në dijeni gjatë administrimit, por nuk janë përcaktuar në masën e sekuestrimit, dhe ia paraqet atë autoritetit përkatës që ka vendosur masën e sekuestrimit dhe kryeadministratorit.

3. Gjykata kompetente mund të shkarkojë kryesisht apo me kërkesë administratorin e pasurisë së sekuestruar nga detyra, në çdo kohë, për paaftësi ose për mospërmbushje të detyrës. Kërkesa në gjykatë paraqitet nga organi procedues, kryesisht ose me propozim të motivuar të Agjencisë.

Neni 12
Administratori i pasurisë së bllokuar e të sekuestruar me urdhër administrativ

1. Administratori i pasurisë së bllokuar e të sekuestruar me urdhër administrativ caktohet nga kryeadministratori.

2. Administratori i pasurisë së konfiskuar ka kompetencat dhe përgjegjësitë e përcaktuara në pikën 2, të nenit 11, të këtij ligji.

Neni 13
Administratori i pasurisë së konfiskuar

1. Administratori i pasurisë së konfiskuar caktohet nga kryeadministratori.

2. Administratori i pasurisë së konfiskuar ka këto kompetenca dhe përgjegjësi:

a) Njofton menjëherë, për masën e konfiskimit, për pasuritë e konfiskuara të regjistruara, në zyrat ku mbahen këto regjistra, me qëllim kalimin e pasurive në favor të shtetit;
b) Merr në administrim pasuritë e konfiskuara që i caktohen për administrim;
c) Nëse është e mundur, rrit vlerën e pasurisë që ka në administrim;
ç) Harton të gjitha shkresat zyrtare dhe mban korrespondencën me institucionet dhe subjektet me të cilat duhet të bashkëpunohet për administrimin, menaxhimin dhe tjetërsimin e pasurive të konfiskuara.

3. Administratori i pasurisë së sekuestruar, i caktuar nga gjykata, në rastet kur pasuria në administrim të tij konfiskohet me vendim gjyqësor, vazhdon ushtrimin e detyrave, në emër dhe për llogari të Agjencisë, për aq kohë sa nuk është zëvendësuar prej saj me administratorin e pasurisë së konfiskuar.

Neni 14
Ndalime për administratorin e pasurisë

1. Administratorit të pasurisë, sipas neneve 11, 12 e 13, të këtij ligji, nuk i lejohet të marrë pjesë në gjykim, të marrë kredi, të nënshkruajë marrëveshje pajtimi, arbitrazhi, premtimi, dorëzanie, hipotekimi ose tjetërsimi, të pasurive të sekuestruara apo të konfiskuara, apo të kryejë veprime të tjera juridike administrimi jo të zakonshëm. Përjashtohet nga ky rregull administratori i pasurisë së sekuestruar, në rastet kur autorizohet paraprakisht nga gjykata.

2. Administratori i pasurisë së sekuestruar, i caktuar nga gjykata, nëpërmjet Agjencisë, i paraqet prokurorit kërkesë të argumentuar, ku çmon se duhet të kryhen veprimet juridike të parashikuara në pikën 1, të këtij neni. Gjykata, me kërkesë të prokurorit, autorizon veprimet e kërkuara kur e çmon të domosdoshme për ruajtjen e vlerës së pasurisë.

Neni 15
Raportimi

1. Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara e të Konfiskuara përgatit:

a) raporte në mënyrë progresive, si gjykatës kompetente, ashtu edhe organit procedues, të gjitha shpenzimet procedurale, që nga çasti i marrjes në dorëzim të pasurisë së administruar, deri në fazën e konfiskimit të saj;
b) raporte për organin që ka vendosur masën e sekuestrimit dhe/apo të konfiskimit për pasurinë e marrë në administrim;
c) raporte për Komitetin Këshillimor Ndërinstitucional të Ekspertëve për Masat Kundër Krimit të Organizuar për pasuritë e konfiskuara, të paktën një herë në vit, për tremujorin e parë;
d) raporte të vlerësimit tekniko-financiar për pasuritë e konfiskuara, brenda 90 (nëntëdhjetë) ditëve nga marrja dijeni e vendimit të formës së prerë.

2. Gjykata thërret kryesisht kryeadministratorin për të marrë informacion për administrimin e pasurive të sekuestruara dhe për çdo të dhënë tjetër që e konsideron të dobishme për vendimin e konfiskimit. Kryeadministratori mund të delegojë një nëpunës në varësi të tij për t’u paraqitur përpara gjykatës.

KREU III
ADMINISTRIMI I PASURIVE TË SEKUESTRUARA

Neni 16
Marrja në dorëzim e pasurisë së sekuestruar me vendim të gjykatës kompetente

1. Marrja në dorëzim e pasurisë së sekuestruar bëhet nga administratori i pasurisë së sekuestruar, në prani të administratorit koordinator, të caktuar nga kryeadministratori, me marrjen dijeni të vendimit gjyqësor për vendosjen e masës së sekuestrimit.

2. Pasuria e sekuestruar dorëzohet tek administratori i saj nga policia gjyqësore, në përputhje me vendimin gjyqësor, me ligjin nr.10192, datë 3.12.2009, të ndryshuar, dhe me Kodin e Procedurës Penale. Kjo pikë zbatohet edhe kur personat që preken nga masa e sekuestrimit kanë të drejta reale ose personale për t’i gëzuar pasuritë e sekuestruara.

3. Kur masa e sekuestrimit caktohet ndaj pasurisë së regjistruar, administratori i emëruar njofton menjëherë këtë masë në zyrat pranë të cilave mbahen këta regjistra.

4. Kur sendi mbahet pa titull pronësie ose në bazë të një titulli që daton përpara datës së vendimit të sekuestrimit dhe poseduesi i sendit nuk pranon ta dorëzojë atë vullnetarisht, gjykata urdhëron lirimin e sendit. Urdhri i gjykatës ekzekutohet nga policia gjyqësore.

5. Inventari dhe përshkrimi i pasurisë së sekuestruar bëhen nga policia gjyqësore dhe dokumentohen në një raport, i cili nënshkruhet nga administratori koordinator, i caktuar nga kryeadministratori, administratori i pasurisë së sekuestruar, i caktuar nga gjykata dhe oficeri i policisë gjyqësore, si dhe, sipas rastit, nga të pranishëm të tjerë. Ky raport përmban elementet e parashikuara nga neni 524, i Kodit të Procedurës Civile.

6. Gjatë marrjes në dorëzim të pasurisë së sekuestruar nga administratori, policia gjyqësore u dorëzon një kopje të raportit të përmendur në pikën 5, të këtij neni, personave të pranishëm në kohën e inventarit.

7. Në rastin e marrjes në dorëzim të pasurisë dhe të kuotave e aksioneve të shoqërive tregtare të regjistruara në regjistrin e shoqërive tregtare, policia gjyqësore dorëzon pasurinë e sekuestruar tek administratori, të shoqëruar me dokumentacionin përkatës ligjor dhe, nëse ka, edhe me regjistrat e llogarive të shoqërisë tregtare.

8. Administratori i pasurisë, për qëllime të administrimit dhe në mungesë të dokumentacionit të parashikuar në pikën 7, të këtij neni, vë në dispozicion të audituesit ligjor, të caktuar nga kryeadministratori, për të vënë në dispozicion të dhënat e nevojshme për administrimin e pasurisë, duke i kërkuar hartimin e një raporti. Raporti vihet në dispozicion të Agjencisë.

Neni 17
Marrja në dorëzim e pasurisë së sekuestruar me urdhër administrativ

1. Marrja në dorëzim e pasurisë së sekuestruar bëhet nga Agjencia, në përputhje me urdhrin e ministrit përgjegjës për financat dhe me ligjin nr.157/2013.

2. Administratori i pasurisë së sekuestruar me urdhër administrativ u njofton masën e sekuestrimit të pasurive pronarit të pasurisë dhe personave që preken nga masa.

3. Kur pasuria mbahet pa titull pronësie ose në bazë të një titulli që daton përpara datës së urdhrit administrativ të bllokimit e të sekuestrimit dhe poseduesi i sendit nuk pranon ta dorëzojë atë vullnetarisht, ministri urdhëron lirimin e sendit. Urdhri i ministrit për lirimin e sendit përbën titull ekzekutiv dhe ekzekutohet nga përmbarimi shtetëror.

4. Inventari dhe përshkrimi i pasurisë së sekuestruar bëhen nga një komision i ngritur me urdhër të ministrit përgjegjës për financat, i cili përbëhet nga:

a) administratori i pasurisë, i caktuar nga kryeadministratori;
b) një përfaqësues nga Agjencia;
c) një përfaqësues nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit.

5. Raporti i inventarizimit përmban elementet e parashikuara në nenin 524, të Kodit të Procedurës Civile. Një kopje e raportit u dorëzohet personave të pranishëm në kohën e inventarit.

6. Në rastin e marrjes në dorëzim të pasurisë dhe të kuotave e aksioneve të shoqërive tregtare të regjistruara në regjistrin e shoqërive tregtare, administratori merr në dorëzim pasurinë e sekuestruar, të shoqëruar me dokumentacionin përkatës ligjor dhe, nëse ka, edhe me regjistrat e llogarive të shoqërisë tregtare.

7. Në rastin e marrjes në dorëzim të pasurisë dhe të kuotave e aksioneve të shoqërive tregtare të regjistruara në regjistrin e shoqërive tregtare, në mungesë të dokumentacionit përkatës, zbatohen përcaktimet e pikës 8, të nenit 16, të këtij ligji.

Neni 18
Sigurimi i pasurisë

Pas marrjes në administrim të pasurisë, administratori i pasurisë së sekuestruar merr masa për sigurimin e domosdoshëm të pasurisë, duke lidhur kontrata sigurimi për dëmtimet nga zjarri, uji apo faktorë të tjerë natyrorë. Për sigurimin e këtyre shërbimeve zbatohen procedurat e prokurimit publik.

Neni 19
Administrimi i pasurisë së paluajtshme

1. Administratori i pasurisë së sekuestruar kryen një studim fizibiliteti për pasurinë e marrë në administrim dhe ia paraqet atë kryeadministratorit, i cili merr vendimin përkatës për mënyrën e menaxhimit të pasurisë, nëpërmjet menaxhimit të drejtpërdrejtë nga Agjencia apo të tretë, duke ua dhënë atyre me qira.

2. Administratori i pasurisë së sekuestruar i paraqet për miratim kryeadministratorit planin e veprimit për zbatimin e mënyrës së menaxhimit, të vendosur pas studimit të fizibilitetit. Në këtë plan përfshihen edhe të ardhurat dhe shpenzimet e parashikuara.

3. Kryeadministratori, me kërkesë të administratorit të pasurisë, mund të autorizojë, sipas nevojës, ndihmën e specialistëve të fushave të ndryshme apo të personave të tjerë, të cilët shpërblehen për punën e bërë, brenda kufijve të përcaktuar në vendimin e Këshillit të Ministrave dalë për këtë qëllim.

4. Në rastet e menaxhimit të drejtpërdrejtë zbatohen të gjitha procedurat ligjore në fuqi për funksionimin e një veprimtarie ekonomike në Republikën e Shqipërisë.

5. Në rastet e dhënies me qira të pasurive të sekuestruara, kryeadministratori ngre komisionin për vlerësimin e çmimit të tregut. Nëse është e pamundur dhënia me qira me çmimin e tregut, me propozimin e administratorit të pasurisë së sekuestruar, çmimi i qirasë mund të negociohet nga kryeadministratori.

Neni 20
Administrimi i pasurisë së luajtshme

1. Pasuritë e luajtshme transportohen dhe ruhen në mjediset e caktuara nga Agjencia, përveç rasteve kur këto pasuri janë pjesë e veprimtarisë së një biznesi apo kur ato shërbejnë për dhënien e pasurisë me qira.

2. Pasuritë e luajtshme, në formë të mjeteve monetare, investohen në bono thesari ose depozitohen në llogari bankare të caktuara, për të cilat vendos kryeadministratori.

3. Kriteret e përzgjedhjes së bankave, ku do të depozitohen mjetet monetare, përcaktohen me udhëzim të ministrit përgjegjës për financat.

Neni 21
Kalimi i të drejtave reale për pasuritë e sekuestruara

1. Për pasuritë të cilat dëmtohen, u bie vlera në mënyrë të ndjeshme ose me kalimin e kohës dalin jashtë përdorimit, me kërkesë të Agjencisë, gjykata vendos kalimin e të drejtave reale tek të tretët, nisur nga parimet e miradministrimit të pasurisë. Të drejtat reale nuk kalohen te personat e parashikuar në nenin 3, pikat 1 e 2, të ligjit nr.10192, datë 3.12.2009, të ndryshuar.

2. Vendimin për kalimin e të drejtave reale për pasuritë e sekuestruara gjykata e merr pasi shqyrton studimin e fizibilitetit të administratorit të pasurisë së sekuestruar.

3. Shitja e pasurisë së sekuestruar kryhet me ankand nga Agjencia. Të ardhurat nga shitja e këtyre pasurive depozitohen në llogarinë e Agjencisë.

4. Rregullat dhe procedura e shitjes dhe depozitimi i të ardhurave nga shitja përcaktohen me udhëzimin e ministrit përgjegjës për financat.

5. Kur vendoset revokimi i sekuestrimit, Agjencia bën kthimin e kundërvlerës së saj pronarit, sipas vendimit gjyqësor dhe parashikimeve të këtij ligji.

Neni 22
Dorëzimi i pasurive në rastet e revokimit të masës së sekuestrimit

1. Me marrjen dijeni të vendimit gjyqësor për revokimin e sekuestrimit, Agjencia, brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve, njofton personin që i është sekuestruar pasuria për datën e kthimit dhe për detyrimet që janë parapaguar nga shteti, të shoqëruara me dokumentacionin financiar përkatës.

2. Agjencia njofton të gjitha institucionet dhe subjektet përkatëse për revokimin e masës së sekuestrimit të pasurisë.

3. Dorëzimi i pasurive te personi që i është sekuestruar pasuria bëhet në përputhje me dispozitat e Kodit të Procedurës Civile dhe shoqërohet me dokumentacionin përkatës, që i dorëzohet personit nga administratori i pasurive.

4. Pasuria dorëzohet me procesverbalin e dorëzimit të pasurisë, si dhe hartohet raport përfundimtar për mbylljen e dosjes dhe të kartelës përkatëse.

5. Pasuria nuk dorëzohet nga Agjencia, në rastin e përcaktuar në pikën 6, të nenit 31, të këtij ligji.

6. Kur brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e njoftimit të vendimit për revokimin e sekuestrimit, pronari i pasurisë nuk paraqitet, pa shkaqe të arsyeshme, për t’i marrë në dorëzim ato, Agjencia dhe administratori i pasurisë çlirohen nga çdo përgjegjësi.

KREU IV
ADMINISTRIMI I PASURIVE TË KONFISKUARA

Neni 23
Kalimi i pronës në favor të shtetit

1. Me marrjen dijeni të vendimit të gjykatës për konfiskimin e pasurive, Agjencia, brenda 30 (tridhjetë) ditëve, u kërkon institucioneve përkatëse për kalimin e pasurisë në favor të shtetit dhe në administrim të Agjencisë.

2. Me kalimin e pasurisë në favor të shtetit, Agjencia përgatit raportin tekniko-financiar me rekomandimet përkatëse për destinimin, mënyrën dhe kushtet e administrimit të pasurisë së konfiskuar dhe ia paraqet Komitetit Këshillimor Ndërinstitucional të Ekspertëve për Masat Kundër Krimit të Organizuar dhe, për dijeni, ministrit përgjegjës për financat, brenda 90 (nëntëdhjetë) ditëve, nga njoftimi i vendimit gjyqësor për konfiskimin e pasurisë.

Neni 24
Komiteti Këshillimor Ndërinstitucional i Ekspertëve për Masat Kundër Krimit të Organizuar

1. Për mbikëqyrjen e administrimit të pasurive të konfiskuara nga Agjencia, sipas fushës së veprimtarisë përcaktuar në nenin 3, të këtij ligji, funksionon Komiteti Këshillimor Ndërinstitucional i Ekspertëve për Masat Kundër Krimit të Organizuar, i ngritur sipas përcaktimeve të nenit 35, të ligjit nr.10192, datë 3.12.2009, të ndryshuar.

2. Komiteti Këshillimor Ndërinstitucional i Ekspertëve për Masat Kundër Krimit të Organizuar rekomandon ministrin përgjegjës për financat për destinimin e pasurive, si dhe për përdorimin efektiv të të ardhurave brenda Buxhetit të Shtetit, përfshirë edhe rekomandimin për pagimin e shpenzimeve operative të Agjencisë.

Neni 25
Destinimi dhe mënyra e përdorimit të pasurive të konfiskuara

1. Ministri përgjegjës për financat, me urdhër, përcakton mënyrën dhe kushtet e përdorimit dhe destinimin e pasurive të konfiskuara dhe nxjerr udhëzimet shoqëruese të përdorimit brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga paraqitja e raportit të vlerësimit tekniko-financiar nga Agjencia dhe rekomandimit nga Komiteti, por jo më vonë se 120 (njëqind e njëzet) ditë nga data e njoftimit të vendimit gjyqësor.

2. Këshilli i Ministrave, me propozimin e ministrit përgjegjës për financat, përcakton kriteret, masën dhe mënyrën e përdorimit të pasurive të konfiskuara, duke u bazuar në parimet e miradministrimit të pronës.

3. Për nxjerrjen e urdhrit të destinimit të pasurive të konfiskuara, ministri bazohet në:

a) rekomandimet e Komitetit Këshillimor Ndërinstitucional të Ekspertëve për Masat Kundër Krimit të Organizuar, i cili dërgon ministri përgjegjës për financat rekomandimet;
b) raportin e vlerësimit tekniko-financiar të Agjencisë;
c) kriteret e pikës së mësipërme dhe nenit 24, të këtij ligji;
ç) respektimin për dhënien në përdorim të pasurive që shërbejnë për veprimtaritë ekonomike, tregtare dhe profesionale, pjesë e Fondit të posaçëm, brenda kufijve të destinimit.

Neni 26
Përdorimi i mjeteve monetare të sendeve të konfiskuara

Administratori i pasurisë së konfiskuar kryen veprimet e nevojshme për të dorëzuar në llogaritë e Agjencisë fondet në mjete monetare:

a) të konfiskuara, që nuk do të përdoren për administrimin e pasurive të tjera të konfiskuara, ose që nuk do të përdoren për dëmshpërblimin e viktimave të veprave penale të krimit të organizuar dhe trafikimit;
b) të përfituara nga shitja e pasurive të luajtshme, që nuk përdoren në veprimtarinë e personit juridik tregtar dhe të titujve, në vlerën neto, të përfituara nga shitja e pasurive për dëmshpërblimin e viktimave të krimit të organizuar dhe trafikimit. Nëse procedurat e shitjes nuk janë ekonomike, ministri përgjegjës për financat vendos transferimin e pronësisë pa pagesë ose shkatërrimin e pasurisë së konfiskuar nga administratori;
c) që përfitohen nga rimarrja e kredive personale. Nëse procedura e rimarrjes së tyre nuk është ekonomike ose kur, pas verifikimeve të bëra nga Agjencia për aftësinë paguese të debitorit, rezulton se ai nuk ka aftësi paguese, kreditë personale anulohen, sipas procedurës së parashikuar në nenet 22 e 23, të këtij ligji.

Neni 27
Tjetërsimi dhe dhënia në përdorim

1. Agjencia përgatit dosjen e plotë të dokumentacionit ligjor për tjetërsimin të pasurive të konfiskuara.

2. Këshilli i Ministrave, me vendim, përcakton kriteret e vlerësimit, të mënyrave dhe të procedurave të dhënies në përdorim e të tjetërsimit të pasurive të konfiskuara.

Neni 28
Raportimi periodik në Këshillin e Ministrave

Agjencia, në përfundim të çdo viti financiar, i paraqet Këshillit të Ministrave, nëpërmjet ministrit përgjegjës për financat, raportin për administrimin e pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara, sipas këtij ligji.

KREU V
TË ARDHURAT DHE SHPENZIMET PËR ADMINISTRIMIN E PASURIVE TË SEKUESTRUARA E TË KONFISKUARA

Neni 29
Të ardhurat nga administrimi i pasurive të sekuestruara e të konfiskuara

1. Të ardhurat nga administrimi i pasurive të sekuestruara e të konfiskuara përftohen nga:

a) dhënia me qira e pasurive;
b) administrimi i drejtpërdrejtë apo nëpërmjet të tretëve i veprimtarive ekonomike;
c) interesat e përfituara nga depozitimi i vlerave monetare në llogari bankare apo bono thesari;
ç) të ardhurat nga tjetërsimi i pasurive të konfiskuara;
d) të ardhurat nga shitja e pasurive;
dh) të ardhura të tjera në çdo lloj cilësie a burimi të ligjshëm.

2. Ministri përgjegjës për financat, me udhëzim, përcakton rregullat për mbledhjen, administrimin, mënyrën e mbajtjes dhe evidentimit të të ardhurave.

Neni 30
Shpenzimet për administrimin e pasurive të sekuestruara e të konfiskuara

1. Në shpenzimet procedurale përfshihen shpenzimet e sekuestrimit, të administrimit, si dhe çdo shpenzim tjetër i dokumentuar sipas ligjit.

2. Shpenzimet për administrimin e pasurive të sekuestruara e të konfiskuara përbëhen nga:

a) shpenzimet për pagesën e administratorit të pasurisë dhe të personelit ndihmës;
b) shpenzimet për marrjen në administrim të pasurive;
c) shpenzimet e shërbimeve të transportit të pasurive të luajtshme të sekuestruara e të konfiskuara;
ç) shpenzimet për shërbimet e ruajtjes dhe të sigurisë fizike;
d) shpenzimet për shërbimet e siguracioneve të domosdoshme;
dh) shpenzimet për shërbimet e mirëmbajtjes;
e) shpenzimet që lidhen me shërbimet, si: riparime, rikonstruksione, rregullime dhe shpenzime të tjera të nevojshme për mundësimin e veprimtarisë në ato pasuri, të cilat mund të gjenerojnë të ardhura;
ë) shpenzimet për pagesën e shërbimeve të ekspertizës dhe këshillimit teknik, për pasuritë e sekuestruara e të konfiskuara;
f) shpenzimet për administrimin e llogarive bankare;
g) shpenzimet për kalimin e pronësisë së regjistruar të pasurive të konfiskuara;
gj) tatimet, taksat kombëtare dhe lokale.

3. Shpenzimet për administrimin e pasurive kryhen nga Agjencia, me kërkesën e administratorit të pasurisë dhe miratimin e kryeadministratorit, përveç rasteve të administrimit të drejtpërdrejtë të pasurive.

4. Procedurat e kryerjes së shpenzimeve realizohen në përputhje me legjislacionin në fuqi për prokurimin publik.

5. Ministri përgjegjës për financat, me udhëzim, përcakton procedurat dhe limitet e kryerjes së shpenzimeve, si dhe rregullat për mënyrën e mbajtjes dhe evidentimit të tyre.

Neni 31
Përballimi i shpenzimeve të administrimit që lindin nga administrimi i pasurive të sekuestruara

1. Shpenzimet e nevojshme ose të dobishme për ruajtjen dhe administrimin e pasurisë së sekuestruar përballohen nga fondet e siguruara nga administratori, nga çdo burim i ligjshëm.

2. Nëse nëpërmjet administrimit të pasurisë së sekuestruar nuk përfitohen fonde të mjaftueshme për përballimin e shpenzimeve, ato parapaguhen nga shteti nëpërmjet Agjencisë, me të drejtën e kthimit të tyre nga personi, të cilit i është sekuestruar pasuria.

3. Agjencia nuk është përgjegjëse për pagimin e detyrimeve të personave të parashikuar në nenin 3, pikat 1 e 2, të ligjit nr.10192, datë 3.12.2009, të ndryshuar, të maturuara përpara vendimit të sekuestrimit, lidhur me:

a) shpenzimet e mirëmbajtjes dhe të administrimit të zakonshëm të pasurisë;
b) pagesat e prapambetura të energjisë elektrike, të ujit, të telefonisë dhe pagesa të tjera të lidhura me pasurinë;
c) taksat ose detyrimet tatimore të prapambetura.

4. Gjykata, në vendimin përfundimtar, cakton detyrimin për pagimin e shpenzimeve të parapaguara nga shteti, sipas dokumentacionit financiar të përgatitur nga Agjencia.

5. Në rastet kur gjykata kompetente në vendimin për revokimin e sekuestrimit të pasurisë nuk përcakton detyrimet sipas pikës 4, të këtij neni, që janë parapaguar nga shteti, pas vendimit të sekuestrimit deri në momentin e revokimit të tij, Agjencia kërkon nga gjykata që ka dhënë vendimin, plotësimin e vendimit, duke përcaktuar detyrimet përkatëse.

6. Mosplotësimi i vendimit për revokimin e sekuestrimit të pasurisë dhe/ose mospagimi i detyrimeve nga personi që i është rikthyer prona e sekuestruar, sjell si pasojë mosdorëzimin e pasurisë nga Agjencia, deri në momentin e plotësimit të vendimit nga gjykata dhe/ose të pagimit të plotë të të gjitha detyrimeve nga personi.

Neni 32
Përballimi i shpenzimeve të administrimit që lindin nga administrimi i pasurive të konfiskuara

1. Në rastet e vendosjes së masës së konfiskimit të pasurisë, shpenzimet e përballuara për administrimin e kësaj pasurie nga administratori ose Agjencia përfshihen në llogaritë e administrimit të tyre.

2. Nëse fondet e llogarive të administrimit, sipas pikës 1, të këtij neni, nuk janë të mjaftueshme për të përballuar pagesën e këtyre shpenzimeve, ato paguhen pjesërisht ose plotësisht nga shteti, pa të drejtë kompensimi.

3. Agjencia nuk është përgjegjëse për kreditë për të cilat pronat e konfiskuara janë përdorur si kolateral pranë institucioneve financiare.

KREU VI
REGJISTRI ELEKTRONIK I PASURIVE TË SEKUESTRUARA E TË KONFISKUARA

Neni 33
Regjistri elektronik

1. Për administrimin dhe inventarizimin e pasurive të sekuestruara e të konfiskuara krijohet regjistri elektronik i pasurive të sekuestruara e të konfiskuara.

2. Regjistri elektronik i pasurive të sekuestruara e të konfiskuara administrohet nga Agjencia, në përputhje me dispozitat ligjore në fuqi.

3. Këshilli i Ministrave miraton rregullat për përmbajtjen, formën e regjistrimit të pasurive të sekuestruara e të konfiskuara dhe përcakton organet publike apo subjektet që kanë të drejtë qasjen në informacionin e tij.

KREU VII
DISPOZITA TË FUNDIT

Neni 34
Dispozitë kalimtare

1. Fondi buxhetor i planifikuar, pasuritë në administrim, personeli, të drejtat dhe detyrimet kontraktuale me të tretët, arkivi, mjetet e punës, logjistika, baza materiale të Agjencisë së krijuar sipas vendimit nr.687, datë 5.10.2011, të Këshillit të Ministrave, “Për krijimin, rregullat e hollësishme për organizimin, kompetencat dhe funksionimin e Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, si dhe mënyrën e administrimit të pasurive të sekuestruara e të konfiskuara”, i ndryshuar, i transferohen Agjencisë, të krijuar sipas këtij ligji.

2. Me hyrjen në fuqi të këtij ligji, Agjencia merr të gjitha masat për ristrukturimin e institucionit, brenda tre muajve, sipas legjislacionit në fuqi.

Neni 35
Aktet nënligjore

1. Ngarkohet Këshilli i Ministrave që, brenda gjashtë muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, të nxjerrë aktet nënligjore në zbatim të neneve 25, pika 2, 27, pika 2, e 33, pika 3, të këtij ligji.

2. Ngarkohet ministri përgjegjës për financat që, brenda gjashtë muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, të nxjerrë aktet nënligjore në zbatim të neneve 20, pika 3, 21, pika 4, 29, pika 2, e 30, pika 5, të këtij ligji.

Neni 36
Shfuqizime

1. Pika 2, e nenit 34, të ligjit nr.10192, datë 3.12.2009, “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar, trafikimit dhe korrupsionit, nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë”, të ndryshuar, shfuqizohet.

2. Vendimi nr.687, datë 5.10.2011, i Këshillit të Ministrave, “Për krijimin, rregullat e hollësishme për organizimin, kompetencat dhe funksionimin e Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, si dhe mënyrën e administrimit të pasurive të sekuestruara e të konfiskuara”, i ndryshuar, shfuqizohet.

Neni 37
Hyrja në fuqi

Ky ligj hyn në fuqi 30 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E T A R I

GRAMOZ RUÇI

###

V E N D I M

PËR

PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR ADMINISTRIMIN E PASURIVE TË SEKUESTRUARA E TË KONFISKUARA”

Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Propozimin e projektligjit “Për administrimin e pasurive të sekuestruara e të konfiskuara”, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

***

P R O J E K T L I G J

PËR

DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË LIGJIN NR.157/2013, “PËR MASAT KUNDËR FINANCIMIT TË TERRORIZMIT”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë

 

V E N D O S I:

 

Në ligjin nr.157/2013, “Për masat kundër financimit të terrorizmit”, të ndryshuar, bëhen ndryshimet dhe shtesat, si më poshtë vijon:

Neni 1

Në nenin 3 bëhen këto ndryshime:

1. Në pikën 1, fjalët “… është ndalimi i çdo transaksioni ose pjesëmarrjeje në transferimin, shndërrimin, tjetërsimin ose lëvizjen e fondeve dhe të pasurive të tjera, …” zëvendësohen me “… është ndalimi i çdo transaksioni, shërbimi financiar apo të tjera të lidhura, pjesëmarrjeje në transferimin, shndërrimin, tjetërsimin ose lëvizjen e fondeve dhe të pasurive të tjera, për pasuri të luajtshme apo paluajtshme, …”.

2. Në pikën 2, fjalët “… është ndalimi i çdo transaksioni ose pjesëmarrjeje në transferimin, shndërrimin, tjetërsimin ose lëvizjen e fondeve dhe të pasurive të tjera, …” zëvendësohen me “… është ndalimi i çdo transaksioni, shërbimi financiar apo të tjera të lidhura, pjesëmarrjeje në transferimin, shndërrimin, tjetërsimin ose lëvizjen e fondeve dhe të pasurive të tjera, për pasuri të luajtshme apo paluajtshme, …”.

3. Në fjalinë e parë, të pikës 3, fjalët “… janë pasuritë financiare, depozitat monetare dhe pronat …” zëvendësohen me “… janë pasuritë e çdo lloji, të përfshira, por pa u kufizuar në ato financiare, depozitat monetare, burimet ekonomike dhe pasuritë …”.

Neni 2

Pas fjalisë së parë, në pikën 4, të nenit 6 shtohen:

“Të njëjtat masa merren edhe për fondet dhe pasuritë e tjera,:

a) në të cilat personi i shpallur ushtron të drejta kontrolli faktike;
b) që zotërohen apo kontrollohen nga personi i shpallur, duke mos i kufizuar masat për fondet dhe pasuritë e tjera që mund të lidhen me një akt terrorist specifik, komplot apo kërcënim;
c) që janë individualisht apo bashkërisht të zotëruara apo kontrolluara, direkt apo indirekt, nga persona të shpallur;
ç) të rrjedhura apo prodhuara nga fondet ose pasuritë e zotëruara apo të kontrolluara, direkt apo indirekt nga personat e shpallur;
d) të personave që veprojnë për llogari apo nën drejtimin e personave të shpallur.” .

Neni 3

Në nenin 10 bëhen këto shtesa dhe ndryshime:

1. Në pikën 1, pas fjalëve “… janë të detyruara të raportojnë menjëherë …” shtohen “.., pa njoftim paraprak të personave të dyshuar,…”;

2. Në pikën 2, fjalët “… është i detyruar të njoftojë menjëherë organet e zbatimit të ligjit ose Drejtorinë e Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave…” zëvendësohen me “… është i detyruar që, pa njoftim paraprak dhe përfshirje të personave të dyshuar apo të prekur, të njoftojë menjëherë Drejtorinë e Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave.” .

Neni 4

Pas neni 10 shtohet neni 10/1, me përmbajtje, si më poshtë vijon:
“Neni 10/1

1. Subjektet, institucionet dhe personat e parashikuar në neni 10, të këtij ligji, janë të detyruar që, menjëherë, pas vendimeve për shpallje personash apo subjektesh nga strukturat përkatëse të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, organizatave ndërkombëtare ose marrëveshjeve ku Republika e Shqipërisë është palë, të zbatojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë, pa e kushtëzuar procesin me miratimin e akteve të mëtejshme ligjore apo nënligjorë brenda vendit, bllokimin e përkohshëm të çdo veprimi, ndërmjetësimi, transaksioni, transferte, shërbimi financiar apo të tjera të lidhura, fondi dhe pasurish të tjera të këtyre personave.

2. Bllokimi i përkohshëm, sipas pikës 1, të këtij neni, i njoftohet menjëherë Drejtorisë së Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave dhe zbatohet në çdo rast kur personi i shpallur ushtron të drejta pronësie, kontrolli, me prokurë, ose të drejta apo interesa të tjera, pavarësisht nga fakti se kush i ka në zotërim apo në përdorim fondet apo pasuritë e tjera, sikurse edhe për çdo fond e pasuri tjetër, që është gjetur në posedim ose mbahet nga personat apo subjektet e shpallur.

3. Ndalohet njoftimi paraprak i personave të shpallur, të interesuar apo prekur nga veprimet e mësipërme.

Neni 5

Pas nenit 14 bëhen këto ndryshime dhe shtesa:

1. Pika 1 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“1. Ministri përgjegjës për punët e jashtme, menjëherë, dhe jo më vonë se brenda 3 ditëve, nga marrja e vendimit nga Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, i propozon Këshillit të Ministrave përfshirjen në listën e personave të shpallur, duke njoftuar, njëkohësisht, organet përgjegjëse, organet e zbatimit të ligjit, shërbimet informative dhe ministrin përgjegjës për financat, i cili miraton bllokimin e përkohshëm për fondet dhe pasuritë e tjera të këtyre personave, nëse ka të dhëna për ekzistencën e tyre brenda vendit.”.

2. Në pikën 3, fjalët “… brenda 15 ditëve …” zëvendësohet me “… në mbledhjen e parë të radhës …”.

3. Pas pikës 3 shtrohet pika 4, si më poshtë vijon:

“4. Në rastet e listimit, sipas këtij neni, ndiqen procedurat dhe formularët standardë për listim, të miratuara nga strukturat përkatëse të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.”.

Neni 6

Në nenin 15 bëhen shtesat, si më poshtë vijon:

1. Në pikën 1, pas fjalëve “… ose kanë dyshime të bazuara në indicie për përfshirje personash, në çdo formë,…” shtohen “… në mënyrë të drejtpërdrejtë apo nëpërmjet personave të tjerë fizike dhe juridikë …”.

2. Pas pikës 1 shtohet pika 1/1, me këtë përmbajtje:

“1/1. Procedura dhe standardet e parashikuara në këtë nen ndiqen edhe në rastet e propozimeve për listim të kërkuara sipas pikës 2, të nenit 5, të këtij ligji.”.

Neni 7

Në nenin 16 bëhen këto ndryshime:

1. Në pikën 1, fjalët “… mund të urdhërojë …” zëvendësohen me “… urdhëron …”.

2. Në pikën 2, fjalët “… jo më shumë se 30 ditë pune …” zëvendësohen me “… jo më shumë se 45 ditë pune …”.

Neni 8

Në nenin 18 bëhen këto ndryshime dhe shtesa:

1. Në pikën 4, fjalët “… brenda 15 ditëve informon strukturat përkatëse pranë Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, si dhe propozon përfshirjen e personave në listat përkatëse…” zëvendësohen me “… informon strukturat përkatëse pranë Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, sipas afateve dhe modaliteteve të përcaktuara prej tyre, duke ndjekur format, procedurat dhe/ose kërkesat e strukturave përkatëse në lidhje me informacionin e kërkuar për identifikimin e personave të shpallur dhe të lidhur me ta, të dhëna për rastin dhe arsyet e propozimit, si dhe nëse statusi i vendit, si propozues, mund të bëhet i njohur. I njëjti standard të dhënash dhe procedure, për aq sa është e zbatueshme, përdoret edhe në rastet kur i kërkohet një vendi tjetër marrja e masave për bllokim të përkohshëm apo sekuestrim, sipas parashikimeve të këtij ligji.”.

2. Pas pikës 4 shtohet pika 4/1, me përmbajtjen, si më poshtë vijon:

“4/1. Kërkesa për shpallje pranë strukturave përkatëse në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dërgohet në rastet kur besohet se janë mbledhur prova të mjaftueshme për mbështetjen e kësaj shpalljeje. Kërkesat e bëra në përputhje me këtë pikë duhet të bëhen pa njoftim paraprak të personit apo subjektit përkatës.”.

Neni 9

Në nenin 21 bëhen këto ndryshime:

1. Në pikën 2, fjalët “… brenda 3 ditëve …” zëvendësohen me “… menjëherë, dhe jo më vonë se brenda 3 ditëve … ”.

2. Në pikën 3, fjalët “… brenda 10 ditëve …” zëvendësohen me “… menjëherë, dhe jo më vonë se brenda 3 ditëve …”;

Neni 10

Pas pikës 3, në nenin 23, shtohet pika 3/1, si më poshtë vijon:

“3/1. Autorizimi për shpenzimet e lejuara, sipas këtij neni, kryhet pasi të jenë realizuar procedurat dhe kërkesat përkatëse, të vendosura nga strukturat përkatëse të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.”.

Neni 11

Në nenin 25 bëhen këto ndryshime dhe shtesa:

1. Në pikën 1, fjalët “… ose mbështetur në kërkesën e personit të shpallur,” zëvendësohen me “… kërkesën e personit të shpallur ose të personit të cenuar gabimisht,”.

2. Pas shkronjës “dh”, të pikës 4, shkronja “e”, si më poshtë vijon:

“e) për shkak të kërkesës së bazuar të personave të prekur gabimisht nga masat e parashikuara në këtë ligj;”.

3. Pas pikës 4 shtohen pikat 4/1 dhe 4/2, me përmbajtje, si më poshtë vijon:

“4/1. Ministri përgjegjës për punët e jashtme publikon procedurat për dërgimin e kërkesave për heqje nga lista, drejtuar strukturave përkatëse të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, në përputhje me procedurat dhe kriteret e vendosura nga këto struktura.

4/2 Në rast se Këshilli i Ministrave vlerëson se personi apo subjekti i shpallur nuk i plotëson kriteret e shpalljes apo të vijimit të përfshirjes së tij në listat përkatëse, ministri përgjegjës për punët e jashtme, në përputhje me procedurat e miratuara nga strukturat përkatëse të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, paraqet kërkesë për heqjen nga lista e shpalljes.”.

4. Në pikën 5, fjalët “… brenda 3 muajve …” zëvendësohen me “… sa më shpejt të jetë e mundur, por jo më vonë se brenda 15 ditëve …”.

Neni 12

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E T A R I

GRAMOZ RUÇI

###

V E N D I M 

PËR

PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT ‘“PËR DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË LIGJIN NR.157/2013, “PËR MASAT KUNDËR FINANCIMIT TË TERRORIZMIT”, TË NDRYSHUAR”

Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Propozimin e projektligjit, “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.157/2013, “Për masat kundër financimit të terrorizmit”, të ndryshuar”, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA 

***

P R O J E K T L I GJ

PËR

DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË LIGJIN NR.9723, DATË 3.5.2007, “PËR REGJISTRIMIN E BIZNESIT”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë

 

V E N D O S I:

 

Në ligjin nr.9723, datë 3.5.2007, “Për regjistrimin e biznesit”, të ndryshuar, bëhen këto shtesa dhe ndryshime:

Neni 1

Pas pikës 4, të nenit 22, shtohet pika 4/1, si më poshtë vijon:

“4/1. Aplikimi për ndryshimin e ortakut dhe/ose strukturës së ortakërisë të personit juridik bëhet brenda 30 ditëve kalendarike nga data e ngjarjes së rrethanës faktike të ndryshimit të ortakut dhe/ose strukturës së ortakërisë, me përjashtim të rasteve të parashikuara nga ligji.”

Neni 2

Pika 3, e nenit 26, ndryshohet me përmbajtjen, si më poshtë vijon:

“3. Aplikimi për regjistrimin fillestar të shoqërive tregtare bëhet bashkërisht nga të gjithë themeluesit ose nga administrator i shoqërisë, ose nga çdo person i autorizuar prej tyre. Aplikimi për regjistrimet e tjera bëhet nga personat përgjegjës për përfaqësimin e shoqërisë në marrëdhënie me të tretët ose çdo person i autorizuar prej tyre. Aplikimi për regjistrimin e veprimeve juridike, me të cilat lidhen pjesëmarrjet, kuotat apo aksionet mund të kryhet, gjithashtu, dhe nga anëtari, ortaku apo aksionari, të cilit ato i përkasin, ose nga çdo person i autorizuar prej tyre.”

Neni 3

Pas pikës 3, të nenit 74, shtohen pikat 3/1 dhe 3/2, si më poshtë vijon:

“3/1. Moskryerja e detyrimit për regjistrimin e ndryshimit të ortakut dhe/ose strukturës së ortakërisë të personit juridik brenda 30 ditëve kalendarike, nga data e ngjarjes së rrethanës faktike të ndryshimit të ortakut dhe/ose strukturës së ortakërisë, me përjashtim të rasteve të parashikuara nga ligji, përbën kundërvajtje administrative dhe dënohet me gjobë, 100 000 (njëqind mijë) lekë.

3/2. Për shoqëritë aksionare, mosplotësimi i detyrimit të përcaktuar në pikën 4, të nenit 43, të këtij ligji, përbën kundërvajtje administrative dhe dënohet me gjobë, 100 000  (njëqind mijë) lekë.”.

Neni 4 

Hyrja në fuqi

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E T A R I

GRAMOZ RUÇI

###

V E N D I M

PËR

PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË LIGJIN NR.9723, DATË 3.5.2007, “PËR REGJISTRIMIN E BIZNESIT”, TË NDRYSHUAR”

Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Propozimin e projektligjit “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.9723, datë 3.5.2007, “Për regjistrimin e biznesit”, të ndryshuar”, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA 

*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.