Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Projektligje të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 04 Nëntor 2016    

P R O J E K T L I GJ

PËR 

BUXHETIN E VITIT 2017

Në mbështetje të neneve 78, 83, pika 1, e 158, të Kushtetutës, dhe të nenit 30, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë  

V E N D O S I:

KREU I
BUXHETI

Neni l

Buxheti për vitin 2017 është:

Të ardhurat                                                         436 000     milionë lekë;
Shpenzimet                                                         467 199     milionë lekë;
Deficiti                                                                  31 199    milionë lekë.

Ai përbëhet nga buxheti i shtetit, buxheti vendor dhe fondet speciale: sigurimet shoqërore, sigurimet shëndetësore dhe kompensimi i pronarëve.

Neni 2

Buxheti i shtetit  për vitin 2017 është:
    
Të ardhurat                                                           337 200  milionë lekë;
Shpenzimet                                                           368 399  milionë lekë;
Deficiti                                                                        31 199  milionë lekë. 

Neni 3

Buxheti vendor për vitin 2017 është:        
    
 Të ardhurat                                                                  40 828  milionë lekë;
      Nga të cilat:

    – transferta e pakushtëzuar  nga buxheti qendror           15 500 milionë lekë;
    – transferta specifike                                                        6 678  milionë lekë;
    
  Të ardhura të tjera                                                          18 650    milionë lekë;
   Shpenzimet                                                                        40 828    milionë lekë.

Neni 4

Buxheti i sigurimeve shoqërore për vitin 2017 është:
  l. Skema e sigurimit të detyrueshëm shoqëror            

Të ardhurat, gjithsej                                                            114 264   milionë lekë;
 Nga të cilat:

 – kontributet                                                                   69 168  milionë lekë;
 – transferimet nga buxheti i shtetit                                42 634  milionë lekë;
 – transferta për rritjen e pensioneve nga buxheti               2 462  milionë lekë;    

 Shpenzimet                                                                        114 264 milionë lekë.   

Paga minimale, për efekt të pagesës së kontributit të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, është e barabartë me pagën minimale në shkallë vendi dhe ndryshon sa herë që ndryshon kjo pagë. Këshilli i Ministrave përcakton masën e kontributit për personat e vetëpunësuar në bujqësi, si dhe të kategorive të veçanta të personave të vetëpunësuar, duke mbuluar nga buxheti i shtetit diferencën midis këtyre kontributeve me masën e kontributit të përcaktuar për personat e vetëpunësuar në qytet. Për vitin 2017, teprica ndërmjet të ardhurave dhe shpenzimeve, sipas degëve të sigurimit shoqëror dhe programeve të tjera të veçanta e suplementare, përdoret për mbulimin e deficitit të degës së pensioneve.

 2. Skema e sigurimit suplementar 

Të ardhurat, gjithsej                                                                5 936  milionë lekë;
     Nga të cilat:

–  kontributet                                                                     1 000  milionë lekë;
–  transferimet nga buxheti i shtetit                                   4 798  milionë lekë;
–  fondi për indeksimin e pensioneve                                 138  milionë lekë;   

Shpenzimet                                                                            5 936  milionë lekë.
Fondi për indeksimin e pensioneve përdoret sipas përcaktimeve që miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave. Shpenzimet administrative, si pjesë e shpenzimeve totale për skemën e sigurimeve shoqërore, janë jo më shumë se     2 290 milionë lekë dhe janë të ndara sipas skemave në proporcion me shpenzimet e drejtpërdrejta.

Neni 5

Buxheti i sigurimeve shëndetësore për vitin 2017 është:    
    
Të ardhurat, gjithsej,                                                          38 100  milionë lekë;    
    Nga të cilat:

    – kontributet dhe të tjera                                                   11 132  milionë lekë;
     – transferimet nga buxheti i shtetit                            26 968  milionë lekë;
            
     Shpenzimet                                                                         38 100  milionë lekë.
    
Fondi për shërbimin spitalor detajohet dhe përdoret me vendim të Këshillit të Ministrave.

Neni 6

Buxheti i fondit për kompensimin në vlerë të pronarëve për vitin 2017 është:     
    
Të ardhurat, gjithsej,                                                        3 800 milionë lekë;    
       Nga të cilat:

    – të ardhura të tjera                                                        2 000  milionë lekë;
    – transferimet nga buxheti i shtetit                                       1 800  milionë lekë;        
Shpenzimet                                                                            3 800  milionë lekë.

 

Neni 7

Përdorimi dhe investimi i fondit rezervë të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore bëhet sipas dispozitave ligjore në fuqi.

KREU II
BURIMET PËR MBËSHTETJEN E SHPENZIMEVE 
TË BUXHETIT TË SHTETIT 

Neni 8

Të ardhurat e buxhetit të shtetit, sipas grupeve kryesore, janë:    
    
Grantet                                                                     13 800  milionë lekë;
    Të ardhurat tatimore                                                         299 000 milionë lekë;
    Të ardhurat jotatimore                                                   24 400 milionë lekë.
    

Neni 9

Kufiri i financimit të deficitit të buxhetit të shtetit dhe huamarrjes totale nga burime të brendshme dhe të huaja është 31 199  milionë lekë. Këshilli i Ministrave merr masa për kompensimin e diferencave nga burime suplementare ose nga shkurtimi i shpenzimeve. 

Të ardhurat nga privatizimi, që mund të krijohen gjatë vitit 2017, përdoren jo më pak se 50 për qind për uljen e borxhit publik dhe pjesa tjetër përdoret me vendim të Këshillit të Ministrave për rritjen e kufirit të shpenzimeve kapitale, e cila, automatikisht, rrit kufirin e deficitit të buxhetit të shtetit, të përcaktuar në nenet 1 dhe 2, të këtij ligji.

KREU III
SHPENZIMET E BUXHETIT TË SHTETIT 

Neni 10

Shpenzimet e buxhetit të shtetit, sipas grupeve kryesore, janë:    
    
Shpenzime të buxhetit qendror                                              368 399  milionë lekë; 
    Nga të cilat:

–    Fondi për rritjen e pagave                                             6 000  milionë lekë;
–    Fondi rezervë                                                               1 500  milionë lekë;
–    Kontingjencë për risqet e borxhit                                  4 000  milionë lekë;
–    Huadhënie për energjinë                                              1 500  milionë lekë. 

Kufiri i shpenzimeve për çdo ministri dhe institucion, në nivel programi, për shpenzime korrente dhe kapitale, është sipas tabelës 1, që i bashkëlidhet këtij ligji. Kufiri i shpenzimeve korrente dhe kapitale për institucionet e sistemit të drejtësisë paraqitet në nënndarjen përkatëse, pjesë e tabelës nr.1. Fondi prej        3 000 milionë  lekësh në shpenzimet kapitale me financim të huaj ngurtësohet dhe përdoret në përputhje me performancën e të ardhurave tatimore.

Në tabelat 1/1 dhe 1/2 janë kufijtë e shpenzimeve për çdo ministri dhe institucion, në nivel programi, për shpenzime korrente dhe kapitale, përkatësisht për vitet 2018 dhe 2019. Transferta e pakushtëzuar për çdo njësi të vetëqeverisjes vendore miratohet vetëm për vitin 2017.     

Të ardhurat dhe shpenzimet e buxhetit, sipas zërave kryesorë, për dy vitet e mëparshme fiskale dhe tri vitet e ardhshme janë sipas tabelës 4. 

Këshilli i Ministrave vendos norma dhe standarde financiare për shpenzimet publike, të cilat janë të detyrueshme për t’u zbatuar nga të gjitha njësitë e qeverisjes së përgjithshme.

Neni 11

Numri i përgjithshëm i punonjësve në organikë është 81 617 veta. Numri maksimal i punonjësve për çdo ministri dhe institucion qendror, i dhënë në tabelën 2, që i bashkëlidhet këtij ligji dhe është pjesë përbërëse e tij, detajohet nga ministritë dhe institucionet qendrore, në përputhje me strukturat e miratuara për çdo institucion varësie. Këshilli i Ministrave mund të rishpërndajë numrin e punonjësve ndërmjet institucioneve të përmendura në tabelën 2, në rastin e ristrukturimit të institucioneve ekzistuese apo krijimit të institucioneve të reja.

Numri rezervë, i parashikuar në tabelën 2, përdoret me vendim të Këshillit të Ministrave për krijimin e institucioneve të reja. Këshilli i Ministrave përcakton numrin maksimal të punonjësve me kontratë të përkohshme për çdo ministri dhe institucion qendror. Fondi i veçantë i institucioneve buxhetore prej 400 milionë lekësh shpërndahet dhe përdoret me miratimin e ministrit të Financave dhe sipas procedurave që përcaktohen me udhëzim të tij.

Për vitin 2017 nuk miratohet asnjë ndryshim në strukturat organike të njësive të qeverisjes qendrore me efekte financiare shtesë në koston e personelit, të përllogaritur sipas strukturës së miratuar, me përjashtim të institucioneve të reja dhe institucioneve të sistemit të drejtësisë. 

Ky përcaktim përfshin edhe ato struktura, në të cilat paga për funksion jepet ose është sipas gradës përkatëse, ku çdo rritje në gradë do të bëhet efektive vetëm nëse nuk shoqërohet me efekte financiare shtesë në koston e përllogaritur sipas gradave të miratuara.

Numri i punonjësve të institucioneve ekzistuese të sistemit të drejtësisë dhe numri rezervë për këtë sistem paraqitet në nënndarjen përkatëse në tabelën nr.2. Detajimi i numrit të punonjësve të institucioneve ekzistuese të sistemit, deri në momentin e riorganizimit, detajohet nga vetë institucionet. Rishpërndarja e numrit të punonjësve të institucioneve të sistemit të drejtësisë dhe e numrit rezervë të tyre bëhet nga Ministria e Financave, pas vendimit të Kuvendit.

    
Neni 12

Paga e Presidentit të Republikës është 257 000 lekë në muaj dhe rritet gjatë vitit, sipas përcaktimeve që miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

Neni 13

Fondi rezervë i buxhetit prej 1 500 milionë lekësh përdoret:

– deri në 1 000 milionë lekë, për raste të paparashikuara të institucioneve buxhetore, nga Këshilli i Ministrave. 

–  deri në 500 milionë lekë, për krijimin dhe funksionimin e institucioneve të reja të sistemit të drejtësisë, sipas vendimit të Kuvendit.

Kontingjenca për risqet e borxhit prej 4 000 milionë lekësh përdoret për të kompensuar rreziqe potenciale nga luhatjet në kurset e këmbimit ose normat e interesit, me ndikim në nivelin e borxhit.

Neni 14

Fondi për rritjen e pagave prej 6 000 milionë lekësh shpërndahet nga Ministria e Financave mbi bazën e nivelit të pagave që miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave. Në këtë fond përfshihen efektet financiare për rritjen e pagave në njësitë e qeverisjes qendore, në institucionet e arsimit të lartë, në funksionet e reja transferuar buxhetit vendor nëpërmjet grantit specifik si dhe në fondin e sigurimit të kujdesit shëndetësor. Shumat e shpërndara nga ky fond shtojnë kufijtë e miratuar në nenet 3, 5 dhe 17 si dhe në tabelën 1, që përmendet në nenin 10, të këtij ligji.

Neni 15

Buxheti i pushtetit gjyqësor administrohet nga Zyra e Administrimit të Buxhetit Gjyqësor, në mbështetje të ligjit nr.8363, datë 1.7.1998, “Për krijimin e Zyrës së Administrimit të Buxhetit Gjyqësor”. Bordi i kësaj zyre bën shpërndarjen e fondeve buxhetore nga programi i buxhetit gjyqësor sipas tri niveleve të këtij pushteti, deri në momentin e riorganizimit të tij në përputhje me ligjin përkatës.

    Neni 16

Transferta e pakushtëzuar, që buxheti qendror ia transferon pushtetit vendor, përfshin fondet për përballimin e veprimtarive dhe të funksioneve që përcaktohen në aktet ligjore dhe nënligjore në fuqi. Transferta e pakushtëzuar shpërndahet ndërmjet njësive të vetëqeverisjes vendore, sipas formulës së paraqitur në aneksin 1, që i bashkëlidhet këtij ligji. Shuma e transfertës së pakushtëzuar dhe specifike për çdo njësi të vetëqeverisjes vendore paraqitet në tabelën 3, që i bashkëlidhet këtij ligji. Transferta specifike sipas funksioneve, e papërdorur gjatë vitit buxhetor, trashëgohet në vitin buxhetor pasardhës.

Fondi rezervë nga totali i transfertës së pakushtëzuar përdoret nga Ministria e Financave, në përputhje me kriteret e përcaktuara në aneksin 2, që i bashkëlidhet këtij ligji. Fondi për Zhvillimin e Rajoneve përdoret sipas aneksit 3, që i bashkëlidhet këtij ligji. 

Fondet për funksionet e reja të transferuara në bashkitë shpërndahen sipas aneksit 4, që i bashkëlidhet këtij ligji. 

Këshilli i Ministrave detajon, sipas bashkive, fondin për investime për funksionin e mbrojtjes nga zjarri, fondin për investime  për funksionin e ujitjes e të kullimit si dhe fondin për sigurimin e digave, parashikuar në tabelën 3, bashkëlidhur këtij ligji. 

Ministri i Financave nxjerr një udhëzim specifik për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura të njësive të vetëqeverisjes vendore.

Personeli administrativ i këshillit të qarkut nuk mund të jetë më shumë se 10 veta. 

Fondet që, sipas këtij neni, u vihen në dispozicion njësive të vetëqeverisjes vendore, fondet e tjera që, me akte të tjera ligjore dhe nënligjore, u kalojnë njësive të vetëqeverisjes vendore si dhe me vendimet e këshillave bashkiakë e të qarqeve, që kanë lidhje me përdorimin e fondeve buxhetore, bëhen publike.

Neni 17

Fondet e buxhetit të shtetit për institucionet e arsimit të lartë shpërndahen në formën e grantit. Formula për ndarjen e grantit jepet në aneksin 5, që i bashkëlidhet këtij ligji. Kriteret për përdorimin e granteve konkurruese në arsimin e lartë janë të njëjta me ato të përcaktuara në aneksin 3, që i bashkëlidhet këtij ligji.

Neni 18

Kufiri i shpenzimeve, sipas tabelës l, që i bashkëlidhet këtij ligji, mund të rishpërndahet gjatë vitit ndërmjet programeve brenda të njëjtit institucion buxhetor apo ndërmjet programeve të institucioneve të ndryshme nga Këshilli i Ministrave deri në masën 10 për qind të shumës së përgjithshme të shpenzimeve korrente apo shpenzimeve të përgjithshme kapitale, duke ruajtur totalin e shpenzimeve korrente dhe kapitale. Bëjnë përjashtim nga ky rregull shpenzimet që përfshihen në Fondin për Zhvillimin e Rajoneve dhe shpenzimet për institucionet e sistemit të drejtësisë, të cilat mund të transferohen nga një program në tjetrin apo në pushtetin vendor pa kufizim.    

Neni 19

Tavani për vlerën totale të kontratave në përqindje të PBB-së për të gjitha projektet koncesionare/PPP-të ekzistuese dhe ato të kontraktuara rishtazi miratohet nga Kuvendi  në shtator të vitit 2017. Ngarkohet  Këshilli i Ministrave t’i paraqesë Kuvendit informacionin e detajuar, në përputhje me të dhënat e regjistrit elektronik të koncesioneve. 

Neni 20

Kufiri për rritjen vjetore të totalit ekzistues të borxhit të shtetit dhe atij të garantuar të shtetit, në dobi të palëve të treta përfituese, për vitin 2017, është      31 699 milionë lekë, i dhënë me hollësi, si më poshtë vijon:

·    Për huamarrjen e brendshme vjetore dhe mbështetjen buxhetore nga institucionet ndërkombëtare deri në  40 759 milionë lekë. 
·    Për huamarrjen neto për financimin e projekteve të huaja deri në – 9 560     milionë lekë.
·    Për rritjen vjetore të garancive të shtetit, në dobi të palëve të treta përfituese, deri në 500 milionë lekë.

Stoku i borxhit publik vlerësohet të arrijë  në 1 103 025  milionë lekë, i dhënë me hollësi, si më poshtë vijon:

·    Stoku i borxhit shtetëror  1 045 386 milionë lekë.
·    Stoku i borxhit shtetëror të garantuar   57 639 milionë lekë.

Neni 21

Ngarkohet Ministria e Financave të nxjerrë udhëzime për zbatimin e këtij ligji.

Neni 22

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i shtrin efektet financiare nga data 1 janar 2017.

K R Y E T A R I

ILIR META

* * *

V E N D I M

PËR

PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR BUXHETIN E VITIT 2017

Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Propozimin e projektligjit “Për buxhetin e vitit 2017”, për shqyrtim dhe miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I

EDI  RAMA

*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.