Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave
Projektligje të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 07 Dhjetor 2016
V E N D I M
PËR
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR DISA SHTESA NË LIGJIN NR.9874, DATË 14.2.2008,  “PËR ANKANDIN PUBLIK”, TË NDRYSHUAR”
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Propozimin e projektligjit “Për disa shtesa në ligjin nr.9874, datë 14.2.2008, “Për ankandin publik”, të ndryshuar”, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI  RAMA
###
P R O J E K T L I GJ
PËR 
DISA SHTESA NË LIGJIN NR.9874, DATË 14.2.2008, “PËR AKANDIN PUBLIK”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave,  Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I:
Në ligjin nr.9874, datë 14.2.2008, “Për ankandin publik”, të ndryshuar, bëhen shtesat, si më poshtë vijon:
Neni 1
Në nenin 17 bëhen këto shtesa:
1. Pas shkronjës “c”, shtohet shkronja “ç”, me këtë përmbajtje:
“ç) procedurë me negociim, pa shpallje paraprake të njoftimit të ankandit”;
2. Pas pikës 4, shtohet pika 5, me këtë përmbajtje:
“5. Procedura me negociim, pa shpallje paraprake të njoftimit të ankandit, përdoret vetëm për mallrat e konfiskuara të administruara nga Drejtoria e Përgjithshme e Rezervave Materiale të Shtetit.”.
Neni 2
Pas nenit 20, shtohet neni 20/1, me këtë përmbajtje:
“Neni 20/1
Procedurë me negociim, pa shpallje paraprake të njoftimit
1. Autoriteti shitës mund të përdorë procedurën me negociim, pa shpallje paraprake të njoftimit të ankandit kur:
a) natyra e objektit nuk lejon zbatimin e afateve të përcaktuara në nenin 28, të këtij ligji dhe përcaktimin e çmimit të plotë, në veçanti në rastet e:
i. shitjes së gjësë së gjallë;
ii. shitjes së mallrave të konfiskuara (fruta, perime, bulmet, mish dhe çdo mall i kësaj natyre që ndryshojnë natyrë në një kohë relativisht të shkurtër apo mund të jenë në prag skadence për të cilat është i domosdoshëm tjetërsimi i tyre.
2. Parashikimet e përcaktuara në pikat 2, 3, 4, të nenit 20, të këtij ligji, zbatohen edhe për procedurën me negociim, pa shpallje paraprake të njoftimit të ankandit.”.
Neni 3
Në nenin 28, pas pikës 4, shtohet pika 5, me këtë përmbajtje:
“5. Në procedurën me negociim, pa shpallje paraprake të njoftimit, afati kohor minimal për dorëzimin e ofertave është 3 ditë nga data në të cilën është dërguar ftesa për ofertë kandidatëve.”.
Neni 4
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
KRYETARI
ILIR META
***
V E N D I M
PËR
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR RATIFIKIMIN E MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS FEDERALE TË GJERMANISË, PËR BASHKËPUNIMIN FINANCIAR 2016 PËR PROJEKTIN “LINJA E TRANSMETIMIT 400 KV SHQIPËRI-MAQEDONI (ZGJERIM)””
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, e 100, të Kushtetutës, dhe të nenit 17, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Energjisë dhe Industrisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Propozimin e projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë, për bashkëpunimin financiar 2016 për projektin “Linja e transmetimit 400 kV Shqipëri-Maqedoni (zgjerim)””, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
###
P R O J E K T L I GJ
PËR
RATIFIKIMIN E MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS FEDERALE TË GJERMANISË, PËR BASHKËPUNIMIN FINANCIAR 2016 PËR PROJEKTIN “LINJA E TRANSMETIMIT 400 KV SHQIPËRI-MAQEDONI (ZGJERIM)”
Në mbështetje të neneve 78, 83, pika 1, dhe 121, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I:
Neni 1
Ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë, për bashkëpunimin financiar 2016 për projektin “Linja e transmetimit 400 kV Shqipëri-Maqedoni”, sipas tekstit bashkëlidhur këtij ligji.
Neni 2
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E T A R I
ILIR META
***
V E N D I M
PËR 
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR RATIFIKIMIN E MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS FEDERALE TË GJERMANISË, PËR BASHKËPUNIM FINANCIAR 2010, PËR PROJEKTIN “LINJA E TRANSMISIONIT 400 KV SHQIPËRI – MAQEDONI””
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, 100, të Kushtetutës dhe të nenit 17, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Energjisë dhe Industrisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Propozimin e projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë, për bashkëpunim financiar 2010, për projektin “Linja e transmisionit 400 kV Shqipëri – Maqedoni””, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
###
P R O J E K T L I GJ
PËR
RATIFIKIMIN E MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS FEDERALE TË GJERMANISË, PËR BASHKËPUNIM FINANCIAR 2010, PËR PROJEKTIN “LINJA E TRANSMISIONIT 400 KV SHQIPËRI – MAQEDONI”
Në mbështetje të neneve 78, 83, pika 1, dhe 121, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave
KUVENDI
I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË
V E N D O S I:
Neni 1
Ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë, për bashkëpunim financiar 2010, për projektin “Linja e transmisionit 400 kV Shqipëri – Maqedoni”, sipas tekstit bashkëlidhur këtij ligji.
Neni 2
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
KRYETARI
ILIR META
***
V E N D I M
PËR 
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR RATIFIKIMIN  E PROTOKOLLIT PËR NDRYSHIMIN E MARRËVESHJES SË TREGTISË SË LIRË, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE SHTETEVE EFTA”
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Propozimin e projektligjit “Për ratifikimin e protokollit për ndryshimin e marrëveshjes së tregtisë së lirë, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe shteteve EFTA”, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
###
P R O J E K T L I GJ
PËR 
RATIFIKIMIN E PROTOKOLLIT PËR NDRYSHIMIN  E MARRËVESHJES SË TREGTISË SË LIRË, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE SHTETEVE EFTA
Në mbështetje të neneve 78, 83, pika 1, dhe 121, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I:
Neni 1
Ratifikimin e protokollit për ndryshimin e marrëveshjes së tregtisë së lirë, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe shteteve EFTA, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
Neni 2
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E T A R I
ILIR META
***
V E N D I M
PËR 
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR RATIFIKIMIN  E MARRËVESHJES SË FINANCIMIT, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE KOMISIONIT EVROPIAN, PËR PROGRAMIN INTERREG IPA TË BASHKËPUNIMIT NDËRKUFITAR ITALI-SHQIPËRI-MAL I ZI, 2014-2020”
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, e 100, të Kushtetutës, dhe të nenit 17, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Integrimit Evropian, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I: 
Propozimin e projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes së financimit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Komisionit Evropian, për programin INTERREG IPA të bashkëpunimit ndërkufitar Itali-Shqipëri-Mal i Zi, 2014-2020”, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit bashkëlidhur këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I 
EDI RAMA
###
P R O J E K T L I GJ
PËR
RATIFIKIMIN E MARRËVESHJES SË FINANCIMIT, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE KOMISIONIT EVROPIAN, PËR PROGRAMIN INTERREG IPA TË BASHKËPUNIMIT NDËRKUFITAR ITALI-SHQIPËRI-MAL I ZI, 2014-2020
Në mbështetje të neneve 78, 83, pika 1, dhe 121, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I:
Neni 1
Ratifikimin e marrëveshjes së financimit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Komisionit Evropian, për programin INTERREG IPA të bashkëpunimit ndërkufitar Itali-Shqipëri-Mal i Zi, 2014-2020, sipas tekstit bashkëlidhur këtij ligji.
Neni 2
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E T A R I
ILIR META 
***
V E N D I M
PËR 
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR RATIFIKIMIN E MARRËVESHJES SË FINANCIMIT, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, REPUBLIKËS SË GREQISË DHE KOMISIONIT EVROPIAN, PËR PROGRAMIN INTERREG IPA TË BASHKËPUNIMIT NDËRKUFITAR GREQI-SHQIPËRI, 2014-2020
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100 të Kushtetutës dhe të nenit 17, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Integrimit Evropian, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Propozimin e projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes së financimit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, Republikës së Greqisë dhe Komisionit Evropian, për programin INTERREG IPA të bashkëpunimit ndërkufitar Greqi-Shqipëri, 2014-2020”, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I 
EDI RAMA
###
P R O J E K T L I GJ
PËR
RATIFIKIMIN E MARRËVESHJES SË FINANCIMIT, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, REPUBLIKËS SË GREQISË DHE KOMISIONIT EVROPIAN PËR PROGRAMIN INTERREG IPA TË BASHKËPUNIMIT NDËRKUFITAR GREQI-SHQIPËRI, 2014-2020
Në mbështetje të neneve 78, 83, pika 1, dhe 121, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I:
Neni 1
Ratifikimin e marrëveshjes së financimit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, Republikës së Greqisë dhe Komisionit Evropian, për programin INTERREG IPA të bashkëpunimit ndërkufitar Greqi-Shqipëri, 2014-2020, sipas tekstit bashkëlidhur këtij ligji.
Neni 2
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
KRYETARI
ILIR META
***
P R O J E K T L I GJ

PËR 

DHËNIE AMNISTIE

Në mbështetje të neneve 81, pikat 1 e 2, shkronja “ë”, dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë

V E N D O S I:

Neni 1
Qëllimi dhe parimet e ligjit

1.    Qëllimi i këtij ligji është të përjashtojë nga ndjekja penale, nga vuajtja tërësisht ose pjesërisht e dënimit të gjithë personat që plotësojnë kriteret, sipas dispozitave të këtij ligji.

2.    Dhënia e amnistisë udhëhiqet nga parimet e humanizmit, arritjes së qëllimit të dënimit, rrezikshmërisë së ulët të personave që amnistohen, edukimit dhe rehabilitimit si dhe mbrojtjes së interesit publik.

Neni 2
Përkufizime 

Në kuptim të këtij ligji, me termat e mëposhtëm kuptohet:

a)    “I dënuar”, në kuptim të këtij ligji, konsiderohen:

i.     personat e dënuar nga gjykata e rretheve gjyqësore apo gjykatat për krime të rënda dhe që brenda afatit ligjor nuk është bërë ankim në gjykatat respektive të apelit;
ii.     personat e dënuar nga Gjykata e Apelit dhe Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda;
iii.    personat e dënuar nga Gjykata e Lartë, kur kjo e fundit ka shqyrtuar çështjen në themel dhe ka disponuar me vendim sipas parashikimeve të nenit 441, shkronjat  “b”, “c”, “d”, të Kodit të Procedurës Penale;
iv.    personat e dënuar nga Gjykata e Lartë kur kjo e fundit ka gjykuar si shkallë të parë.

b)    “Person që i është shmangur drejtësisë”, shtetasi që i është shmangur ekzekutimit të vendimit të dënimit (vendimit të formës së prerë të dënimit apo vendimit për caktimin e masës së sigurimit personal) të dhënë nga gjykata, apo shtetasi që i është shmangur ndjekjes penale apo procesit hetimor nga autoriteti publik i ushtrimit të ndjekjes penale deri në datën 30.11.2016.
c)    “Të dënuar me dëmtime të rënda të përhershme fizike apo me sëmundje të rënda të pashërueshme me prognozë humbjen e jetës”, personat të cilët kanë dëmtime apo sëmundje të cilat, pengojnë pjesëmarrjen e plotë dhe efikase të këtyre personave në shoqëri, në kushte të barabarta me të tjerët. Për qëllim të zbatimit të këtij ligji, për këta persona, aftësia e kufizuar apo sëmundja e rëndë e pashërueshme me prognozë vdekjen (përjashto personat e paaftë mendërisht), duhet të jetë e evidentuar në kartelat klinike që administron institucioni i ekzekutimit të vendimeve penale. Diagnoza duhet të jetë vendosur nga mjekët specialistë të fushave përkatëse të spitaleve shtetërore, rajonale dhe terciare, si edhe personat që janë trajtuar nga KMCAP-ja, shoqëruar me aktin e nxjerrë nga autoriteti publik që ka shpallur këtë paaftësi, dokument ky i lëshuar para datës 30.11.2016.

Neni 3
Kriteret për përfitimin e amnistisë

1.    Amnistohen personat e dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë, me burgim deri në 2 vjet për dënime të dhëna deri në datën 10 dhjetor 2016, pavarësisht nga koha e mbetur nga dënimi.

2.    Amnistohen personat e dënuar me burgim, të cilëve, deri në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, u kanë mbetur pa vuajtur nga ky dënim deri në 2 vjet.

3.    Amnistohen personat e dënuar femra, që, në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, janë baras ose mbi moshën 55 vjeç.

4.    Amnistohen personat e dënuar meshkuj, që, në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, janë baras ose mbi moshën 60 vjeç.

5.    Amnistohen personat e dënuar me burgim, të cilët, në kohën e kryerjes së veprës penale, kanë qenë baras ose nën moshën 18 vjeç, pavarësisht nga ndalimet e nenit 4 të këtij ligji, me përjashtim të atyre që janë dënuar për vepra penale, të parashikuara në nenet 76, 77, 78, 78/a, 79, 79/a, 79/b, 79/c, 81, 87, në paragarafin e dytë, të nenit 88, në nenet 100, 101, 103, 104, 107/a, 108, 109, 110/a, 139, 140, 141, 234/a, 234/b, 278/a, 282/a, 283/a, 333, 333/a e 334 të Kodit Penal. Nuk përfitojnë nga kjo pikë përsëritësit e së njëjtës vepër penale.

6.    Amnistohen të dënuarit me dëmtime të rënda të përhershme fizike apo me sëmundje të rënda të pashërueshme me prognozë humbjen e jetës.

Neni 4
Kriteri ndalues për përfitimin e amnistisë

1.    Pavarësisht nga parashikimet e nenit 3, nuk përfitojnë nga kjo amnisti personat e dënuar për:

a)    krime kundër njerëzimit, të parashikuara në nenet 73, 74, 74/a e 75 të Kodit Penal;
b)    krime kundër jetës, të kryera me dashje, të parashikuara në nenet 76, 77, 78, 78/a, 79, 79/a, 79/b, 79/c, 81, 82, 83/a, 83/b e 84/a, të Kodit Penal, si dhe në nenin 77, të Kodit Penal Ushtarak;
c)    vepra penale të kryera me dashje kundër shëndetit, të parashikuara në nenet 86, 87, 88, 89/a e 99, të Kodit Penal;
ç)    krime seksuale, të parashikuara në nenet 100, 101, 102, 102/a, 103, 104, 105, 106, 107/a, 108 dhe 108/a, të Kodit Penal;
d)    vepra penale kundër lirisë së personit, të parashikuara në nenin 109,  paragrafi i dytë dhe i tretë, në nenet 109/b, 109/c, në paragrafin e dytë të nenit 110, në nenet 110/a, 110/b, 110/c dhe 111, të Kodit Penal;
dh)     vepra penale kundër moralit dhe dinjitetit, të parashikuara në nenin 114 dhe në paragrafin e dytë dhe të tretë, të nenit 117, të Kodit Penal;
e)    vepra penale kundër fëmijëve, martesës dhe familjes, të parashikuara në paragrafin e dytë të nenit 124, paragrafin e dytë e të tretë, të nenit 124/b, në nenet 128/a,128/b, 129 e 130/a, të Kodit Penal;
ë)     vepra penale kundër pasurisë dhe në sferën ekonomike, të parashikuara në nenet 135, 136, në paragrafin e dytë, të nenit 137/a, në paragrafin e dytë, të nenit 138, në nenet 138/a, 139, 140, 141, 141/a, në paragrafin e dytë të nenit 143, në nenet 143/a, 143/b, 144/a, 152, në paragrafin e dytë të nenit 159, në nenet 164/a, 164/b, 175, në paragrafin e dytë dhe të tretë të nenit 180e në nenin 181/a, të Kodit Penal, si dhe në paragrafin e dytë dhe të tretë të nenit 59, të Kodit Penal Ushtarak;
f)    vepra penale kundër falsifikimit të monedhave dhe letrave me vlerë, të parashikuara në nenet 183, 184, në paragrafin e dytë të nenit 185, të Kodit Penal;
g)    vepra penale kundër falsifikimit të dokumenteve, të parashikuara në nenin 186, në paragrafin e dytë të nenit 186/a, në nenet 189 e 191, në paragrafin e dytë të nenit 192/b, të Kodit Penal;
gj) vepra penale kundër mjedisit, të parashikuara në nenin 206/a, në paragrafin e dytë të nenit 206/b, të Kodit Penal;
h)     krime kundër pavarësisë dhe rendit kushtetues, të parashikuara në nenet 208, 209, 210, 211, 212, 213, 214, 215, 216, 217, 218, 219, 220, 221, 222, 223, 224 e 225, të Kodit Penal;
i)    krime që cenojnë marrëdhëniet me shtetet e tjera, të parashikuara në nenet 226 e 228 të Kodit Penal;
j)    vepra me qëllime terroriste, të parashikuara në nenet 230, 230/a, 230/b, 230/c, 230/ç, 230/d, 231, 232, 232/a, 232/b, 233, 234, 234/a dhe 234/b, të Kodit Penal;
k)    krime kundër autoritetit të shtetit, të parashikuara në paragrafin e dytë të nenit 235, në paragrafin e dytë të nenit 236, në nenet 237, 243, 244, 244/a, 245, 245/1, 248, 248/a, 250, 257/a, 258, 259, 259/a, 260, 265, 265/a, 265/b, 265/c, 266, 267, 270, në paragrafin e parë, të katërt, të pestë, të gjashtë dhe të shtatë të nenit 278, në nenin 278/a, në paragrafin e dytë të nenit 282, në nenin 282/a, në paragrafin e dytë dhe të tretë të nenit 283, në nenin 283/a, në paragrafin e dytë dhe të tretë të 284, në nenet 284/a, 284/c, 284/ç, 285, 286, 287, 287/a, 287/b, 288, në paragrafin e dytë të nenit 289, në paragrafin e dytë, të tretë, të katërt të nenit 290, në nenet 293/a, 293/b, 293/c, 294, në paragrafin e parë, të tretë, të pestë dhe të gjashtë të nenit 295/a, në nenet 298, 299, të Kodit Penal, dhe në nenin 70, të Kodit Penal Ushtarak;
l)    vepra penale kundër drejtësisë, të parashikuara në paragrafin e dytë të nenit 302, në paragrafin e dytë të nenit 309, në nenin 313/a, në paragrafin e dytë dhe të tretë të nenit 313/b, në nenet 314, 316, 319, 319/a, 319/b, 319/c, 319/ç, 319/d, 319/dh, 319/e, në paragrafin e dytë të nenit 323, në paragrafin e dytë të nenit 324, të Kodit Penal;
ll)    vepra penale që prekin zgjedhjet e lira dhe sistemin demokratik të zgjedhjeve, të parashikuara në nenet 326, 326/a, 327/a, në paragrafin e parë të nenit 328, në nenin 328/a, në paragrafin e dytë dhe të tretë të nenit 329, në nenet 330/a, 331 dhe 332, të Kodit Penal;
m)    vepra penale të kryera nga banda e armatosur dhe organizata kriminale, të parashikuara në nenet 333, 333/a dhe 334, të Kodit Penal.

2.    Nuk përfitojnë nga kjo amnisti personat të cilët i janë shmangur drejtësisë, qofshin këta shtetas që i janë shmangur autoritetit të ndjekjes penale apo të dënuar që i janë shmangur ekzekutimit të vendimit të dhënë, deri në datën 30.11.2016.

3.    Personat që janë dënuar me burgim dhe ekzekutimi i dënimit është pezulluar me kusht nga gjykata nuk përfitojnë nga ky ligj.

4.    Nuk përfitojnë nga kjo amnisti përsëritësit e së njëjtës vepër penale.

Neni 5
Zbritja nga vuajtja e dënimit

1.    Të gjithë personat e dënuar, të cilët nuk përfitojnë nga parashikimi i nenit 3 të këtij ligji, pavarësisht nga kriteret ndaluese të nenit 4, lirohen nëse u kanë mbetur pa vuajtur nga dënimi i dhënë:

a)    2 vjet për të dënuarat gra apo personat që në kohën e kryerjes së veprës penale kanë qenë të mitur;
b)    2 vjet  për të dënuarit me dëmtime të rënda të përhershme fizike apo me sëmundje të rënda të pashërueshme, me prognozë humbjen e jetës;
c)    1 vit për personat e dënuar burra.

2.    Nuk përfitojnë nga ky nen personat të cilët i janë shmangur ekzekutimit të vendimit të dënimit si dhe përsëritësit e së njëjtës vepër penale.

Neni 6
Kushtet për dhënien e amnistisë nga ndjekja penale 

1.    Pushohen ndjekjet penale për çështjet në hetim, për çështjet e pashqyrtuara ose në proces shqyrtimi nga gjykatat si dhe për kallëzimet që ndodhen në këto organe, pavarësisht nga data e regjistrimit të tyre, për veprat penale të kryera deri në datën 30 nëntor 2016, për të cilat Kodi Penal parashikon një dënim me burgim në maksimum deri në 2 vjet, ose çdolloj dënimi tjetër më të butë, me përjashtim të veprave të parashikuara nga paragrafi i parë i nenit 124/b, paragrafi i parë i nenit 130/a, paragrafi parë i nenit 235, paragrafi i parë i nenit 236, nenet 237, 238, 242, 243, paragrafi i parë i neni 246, neni 246/a, paragrafi parë i nenit 247, të Kodit Penal.

2.    Nuk përfitojnë nga ky nen personat të cilët i janë shmangur ndjekjes penale apo procesit hetimor nga autoriteti publik i ushtrimit të ndjekjes penale deri në datën 30.11.2016

Neni 7
Dorëzimi vullnetar i armëve të zjarrit të çdo lloji

1.    Amnistohen nga ndjekja penale të gjithë personat që vullnetarisht deri më datë 30 prill 2017 deklarojnë ose njoftojnë pranë Policisë së Shtetit, në komisariatin/stacionin e policisë më të afërt për dorëzimin e armëve të zjarrit të çdo lloji, që trajtohen sipas parashikimeve të paragrafit të dytë, të tretë dhe të katërt, të nenit 278, të Kodit Penal.

2.    Procedurat për marrjen e armës në dorëzim dhe trajtimin nga strukturat e Policisë së Shtetit përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

Neni 8
Të drejtat civile në procesin penal

Nga zbatimi i këtij ligji nuk cenohen të drejtat civile në procesin penal dhe as shpenzimet gjyqësore të kryera gjatë gjykimit deri në momentin e hyrjes në fuqi të këtij ligji.

Neni 9
Mbajtja e kontakteve me shërbimin e provës

1.    Të gjithë shtetasit, që fitojnë lirinë nga zbatimi i neneve 3 e 5, të këtij ligji, janë të detyruar të mbajnë kontakte të përmuajshme me Drejtorinë Vendore të Shërbimit të Provës që mbulon këtë shërbim pranë vendbanimit apo vendqëndrimit të tyre të deklaruar.

2.    Kohëzgjatja e mbajtjes së kontakteve me Shërbimin e Provës në zbatim të këtij ligji realizohet për një periudhë 12-mujore nga data e hyrjes në fuqi të këtij ligji.

3.    Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve përcjell pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimit të Provës listën e shtetasve të dënuar që fitojnë lirinë brenda      10 ditëve nga data e hyrjes në fuqi të këtij ligji, shoqëruar me dokumentet përkatëse që përfshijnë dhe deklaratën e shtetasit për adresën e saktë të vendbanimit apo vendqëndrimit të tij pas fitimit të lirisë si dhe të dhënat e kontaktit, të nevojshme për këtë qëllim.

4.    Shërbimi i Provës në këtë rast informon rregullisht organet vendore të Policisë së Shtetit mbi sjelljen dhe të dhëna të tjera të shtetasit që përfiton nga ky shërbim. Shërbimi i Provës gjatë gjithë periudhës 12-mujore ndihmon personin në kapërcimin e vështirësive për riintegrimin social.

Neni 10
Dispozita të fundit

Ngarkohen Ministria e Drejtësisë, Ministria e Punëve të Brendshme, Prokurori i Përgjithshëm, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, Shërbimi i Provës dhe Policia e Shtetit për zbatimin e këtij ligji.

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E TA R I

ILIR META

###

VENDIM
PËR
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR  DHËNIE AMNISTIE”

Në mbështetje të neneve 81, pikat 1 e 2, shkronja “ë”, 83, pika 2, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Propozimin e projektligjit “Për dhënie amnistie”, për shqyrtim e miratim, me procedurë të përshpejtuar, në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

 

*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.