Projektligje të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 09 Janar 2019:
P R O J E K T L I GJ
PËR
RATIFIKIMIN E MARRËVESHJES STATUSORE, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE BASHKIMIT EVROPIAN, MBI VEPRIMET E NDËRMARRA NGA AGJENCIA E ROJËS BREGDETARE DHE KUFIRIT EVROPIAN NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË
Në mbështetje të neneve 78, 83 dhe 155, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I :
Neni 1
Ratifikimin e marrëveshjes statusore, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian, mbi veprimet e ndërmarra nga Agjencia e Rojës Bregdetare dhe Kufirit Evropian në Republikën e Shqipërisë, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij ligji dhe është pjesë përbërëse e tij.
Neni 2
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E T A R I
GRAMOZ RUÇI
###
V E N D I M
PËR
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR RATIFIKIMIN E MARRËVESHJES STATUSORE, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE BASHKIMIT EVROPIAN, MBI VEPRIMET E NDËRMARRA NGA AGJENCIA E ROJËS BREGDETARE DHE KUFIRIT EVROPIAN NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË”
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, e 100, të Kushtetutës, dhe të nenit 17, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Propozimin e projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes statusore, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian, mbi veprimet e ndërmarra nga Agjencia e Rojës Bregdetare dhe Kufirit Evropian në Republikën e Shqipërisë”, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
P R O J E K T L I GJ
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË LIGJIN NR.10416, DATË 7.4.2011, “PËR MATERIALIN MBJELLËS DHE SHUMËZUES BIMOR”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të neneve 78 e 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I:
Në ligjin nr.10416, datë 7.4.2011, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
Neni 1
Në nenin 3 bëhen ndryshimet dhe shtesat e mëposhtme:
1. Pika 11 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“11. “Laborator reference” është laboratori i akredituar, që vlerëson cilësinë dhe besueshmërinë e analizave të kryera nga laboratorët e akredituar dhe jep vlerësimin përfundimtar të testeve të kryera nga këta laboratorë.”.
2. Pas pikës 11 shtohen pikat 11/1 e 11/2, me këtë përmbajtje:
“11/1. “Laborator i akredituar” është laboratori që ka kaluar një procedurë akreditimi në përputhje me legjislacionin në fuqi në fushën e akreditimit.
11/2. “Laborator i miratuar” është laboratori testues, i miratuar nga ministri, për kryerjen e analizave të materialit mbjellës dhe shumëzues bimor, sipas përcaktimeve të nenit 44, të këtij ligji.”.
Neni 2
Pika 8, e nenit 4, shfuqizohet.
Neni 3
Në nenin 11 bëhen këto ndryshime:
1. Pika 1 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“1. Furnizuesi, në cilësinë e prodhuesit, kryen veprimtarinë e prodhimit të materialit mbjellës dhe shumëzues bimor, në përputhje me përcaktimet e këtij ligji.”.
2. Fjalia e parë, e pikës 5, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Prodhimi i kategorive të larta të materialit mbjellës dhe shumëzues bimor bëhet nga furnizues publikë të autorizuar nga ministri ose privatë, që kanë të regjistruar në regjistrin tregtar, si objekt veprimtarie, prodhimin e kategorive të larta të materialit mbjellës dhe shumëzues bimor.”.
Neni 4
Pika 1, e nenit 23, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“1. Materiali mbjellës dhe shumëzues bimor importohet vetëm nga subjekte, të cilat janë të regjistruara në regjistrin tregtar me objekt veprimtarie importin e materialit mbjellës dhe shumëzues bimor.”.
Neni 5
Pika 3, e nenit 24, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“3. Përveç sa parashikohet në pikën 2, të këtij neni, inspektori verifikon nëse furnizuesi është i regjistruar në regjistrin tregtar me objekt veprimtarie importin e materialit mbjellës dhe shumëzues bimor të specieve që ai importon”.
Neni 6
Shkronja “a”, e pikës 4, të nenit 29, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“a) person fizik ose juridik, që ka të regjistruar në regjistrin tregtar si objekt veprimtarie prodhimin/importin e materialit mbjellës dhe shumëzues bimor.”.
Neni 7
Në nenin 43 bëhen këto ndryshime:
1. Shkronja “a” ndryshohet, si më poshtë vijon:
“a) ndalon kryerjen e veprimtarive për materialin mbjellës dhe shumëzues bimor nga një person që nuk është i regjistruar në regjistrin tregtar.”.
2. Shkronja “c” ndryshohet, si më poshtë vijon:
“c) propozon për ndalimin përkohësisht të zbatimit të veprimtarive të furnizuesit, nëse furnizuesi ka shkelur kushtet e përcaktuara nga legjislacioni në fuqi, ose propozon ndalimin e zbatimit të veprimtarisë së furnizuesit për rastet kur detyrat e lëna nga ai nuk janë zbatuar për më shumë se dy herë.”.
Neni 8
Neni 44 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Neni 44
Analizat e materialit mbjellës dhe shumëzues bimor
1. Analizat laboratorike zyrtare të materialit mbjellës dhe shumëzues bimor kryhen në laborator testues dhe/ose në laborator reference, miratuar nga ministri përgjegjës për bujqësinë. Laboratorët miratohen vetëm pasi të jenë akredituar. Lista e analizave të miratuara duhet të jetë e përfshirë në listën e analizave, për të cilin laboratori është akredituar.
2. Laboratori i referencës kryen analizat e mostrave, që merren për efekt verifikimi dhe vlerësimi të treguesve cilësorë për certifikimin zyrtar të materialit mbjellës dhe shumëzues bimor.
3. Kriteret, që duhet të plotësojnë laboratorët testues dhe laboratorët e referencës, për t’u miratuar, përcaktohen me udhëzim të ministrit që mbulon fushën e bujqësisë.
4. Procedura që ndiqet për marrjen e mostrave dhe transporti i tyre për kryerjen e analizave në laborator përcaktohen me udhëzim të ministrit që mbulon fushën e bujqësisë.
5. Lista e analizave që kryen laboratori i referencës botohet në “Fletoren zyrtare”.”.
Neni 9
Pika 7, e nenit 54, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“7. Për shkeljet e parashikuara në pikën 8, gjobë 40 000 (dyzet mijë) lekë dhe merret masë sekuestrimi, asgjësimi ose kthimi në vendin e origjinës.”.
Neni 10
Në nenin 58 bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
a) Në pikën 1 hiqen fjalët “… 44, pika 4 …”.
b) Në pikën 2 shtohen fjalët “… 44, pikat 3 dhe 4 …”.
Neni 11
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E T A R I
GRAMOZ RUÇI
###
V E N D I M
PËR
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË LIGJIN NR.10416, DATË 7.4.2011, “PËR MATERIALIN MBJELLËS DHE SHUMËZUES BIMOR”, TË NDRYSHUAR”
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Propozimin e projektligjit “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.10416, datë 7.4.2011, “Për materialin mbjellës dhe shumëzues bimor”, të ndryshuar”, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit bashkëlidhur këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA