Projektligje të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 1 Gusht 2024:
P R O J E K T L I GJ
PËR
PRODHIMIN ORGANIK, ETIKETIMIN E PRODUKTEVE ORGANIKE DHE KONTROLLIN E TYRE
Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I:
KREU I
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
Neni 1
Qëllimi
Qëllimi i këtij ligji është të përcaktojë parimet dhe rregullat për prodhimin organik, lidhur me certifikimin dhe përdorimin e treguesve, që i referohen prodhimit organik në etiketim dhe reklamim, si dhe rregullat për kontrollin zyrtar, përveç sa parashikohet në legjislacionin në fuqi për kontrollet zyrtare.
Neni 2
Fusha e zbatimit
1. Ky ligj zbatohet për produktet me origjinë nga bujqësia, përfshirë akuakulturën, bletarinë dhe produktet e prejardhura prej tyre, kur këto produkte prodhohen ose synohen të prodhohen, të përgatiten, të etiketohen, të shpërndahen, të vendosen në treg dhe të importohen ose të eksportohen, si më poshtë vijon:
a) Produkte bujqësore të gjalla ose të papërpunuara, përfshirë farat dhe materiale të tjera mbjellëse dhe shumëzuese bimore;
b) Produkte bujqësore të përpunuara për t’u përdorur si ushqim;
c) Ushqime për kafshë;
ç) Produkte të tjera të lidhura ngushtë me bujqësinë, nëse ato prodhohen ose synohen të prodhohen, të përgatiten, të etiketohen, të shpërndahen, të vendosen në treg, të importohen ose të eksportohen, të përcaktuara me urdhër të ministrit.
2. Ky ligj zbatohet për çdo operator të përfshirë në çdo fazë të prodhimit, përgatitjes dhe shpërndarjes së produkteve organike, të përcaktuara në pikën 1, të këtij neni.
3. Ky ligj nuk zbatohet për aktivitetet e catering-ut, të kryera nga një operator catering-u, të përcaktuara në legjislacionin në fuqi për etiketimin e ushqimeve dhe informimin e konsumatorit.
4. Ky ligj zbatohet pa prekur dispozitat ligjore në fuqi për sigurinë ushqimore në të gjithë zinxhirin ushqimor, shëndetin dhe mirëqenien e kafshëve, shëndetin e bimëve dhe materialin mbjellës dhe shumëzues bimor, me përjashtim të rasteve kur parashikohet ndryshe nga ky ligj.
5. Ky ligj zbatohet pa prekur dispozitat e legjislacionit në fuqi për organizimin e tregut për produktet bujqësore, si dhe etiketimin e ushqimeve dhe informimin e konsumatorit.
6. Produktet organike të prodhuara dhe të përgatitura në Shqipëri dhe që synohen të vendosen në tregun shqiptar certifikohen sipas rregullave të këtij ligji.
Neni 3
Përkufizime
Në këtë ligj, termat e mëposhtëm kanë këto kuptime:
1. “Aditiv ushqimor” ka kuptimin e dhënë në legjislacionin në fuqi për aditivët ushqimorë të lejuar.
2. “Aditiv ushqimor për ushqim për kafshë”, substanca, mikroorganizma ose preparate, por jo lëndët e para për ushqimet për kafshë dhe as përzierjet paraprake të tyre, të cilat u shtohen qëllimisht ushqimeve për kafshë ose ujit për të kryer në veçanti një ose më shumë nga funksionet e mëposhtme:
a) Ndikon në përmirësimin e vetive të ushqimeve për kafshë;
b) Ndikon në përmirësimin e karakeristikave të produkteve shtazore;
c) Ndikon në përmirësimin e ngjyrës së peshqve dhe shpendëve ornamentalë;
ç) Plotëson nevojat ushqyese të kafshëve;
d) Ndikon në përmirësimin e ndikimit mjedisor të prodhimit shtazor;
dh) Ndikon në përmirësimin e prodhimit shtazor, gjendjen e përgjithshme ose mirëqenien e kafshëve, duke ndikuar sidomos në florën gastro-intestinale ose tretshmërinë e ushqimeve për kafshë; ose
e) Ka efekt kokcidiostatik ose histomonostatik.
3. “Akuakulturë” ka kuptimin e dhënë në ligjin për akuakulturën.
4. “Bimë” ka kuptimin e dhënë në ligjin për mbrojtjen e bimëve.
5. “Bimë mëmë”, bimë e identifikuar, nga e cila është marrë material mbjellës dhe shumëzues bimor për të riprodhuar bimë të reja.
6. “Brezni”, një grup bimësh, të cilat i përkasin një stadi të vetëm në vijën e prejardhjes së bimëve.
7. “Certifikatë zyrtare”, një dokument në letër ose elektronik, i nënshkruar nga zyrtari certifikues dhe që ofron siguri në lidhje me përputhshmërinë me kërkesat e përcaktuara në këtë ligj.
8. “Dëmtues” ka kuptimin e dhënë në ligjin për mbrojtjen e bimëve.
9. “Ekuivalencë”, plotësimi i objektivave dhe parimeve të njëjta duke zbatuar rregulla, të cilat sigurojnë të njëjtin nivel sigurie të përputhshmërisë.
10. “Etiketim” ka kuptimin e dhënë në legjislacionin për ushqimin.
11. “Fazë e prodhimit, e përgatitjes dhe e shpërndarjes”, çdo fazë, nga prodhimi primar i një produkti organik, ruajtja, përpunimi, transporti e deri te shitja ose furnizimi te konsumatori i fundit, ku përfshihen, nëse është e nevojshme, etiketimi, reklamimi, importi, eksporti dhe aktivitetet e nënkontraktuara.
12. “Fermë”, tërësia e të gjitha njësive prodhuese, që veprojnë nën një menaxhim të vetëm, me synim prodhimin e produkteve bujqësore të gjalla ose të papërpunuara, përfshirë produktet nga akuakultura dhe bletaria, me përjashtim të vajit esencial dhe majasë.
13. “Fermer”, një person fizik ose juridik apo një grup personash fizikë ose juridikë, të cilët, pavarësisht nga forma e organizimit të grupit dhe anëtarëve të tij, ushtrojnë një aktivitet bujqësor.
14. “Fatkeqësi natyrore”, një ngjarje natyrore e një natyre biotike ose abiotike, që sjell shqetësime të rëndësishme në sistemet e prodhimit bujqësor ose pyjor, duke shkaktuar dëme të rëndësishme ekonomike në sektorët e bujqësisë ose pyjeve.
15. “Gjurmueshmëria”, aftësia për të gjurmuar dhe për të ndjekur ushqimin, ushqimin për kafshë ose çdo produkt të përcaktuar në pikën 1, të nenit 2, të këtij ligji, dhe çdo substancë që synohet ose pritet të përfshihet në ushqim, ushqim për kafshë ose çdo produkt të përcaktuar në pikën 1, të nenit 2, të këtij ligji, në të gjitha fazat e prodhimit, përgatitjes dhe shpërndarjes.
16. “Integritet i produkteve organike ose në kalim”, mungesa e shfaqjes së një mospërputhjeje nga produkti, e cila:
a) ndikon në çdo fazë të prodhimit, të përgatitjes dhe të shpërndarjes në karakteristikat e produktit organik ose në kalim;
b) është e përsëritur ose është e qëllimshme.
17. “Incident mjedisor”, një dukuri e veçantë e ndotjes, kontaminimit ose degradimit të cilësisë së mjedisit, që lidhet me një ngjarje të veçantë dhe është me shtrirje gjeografike të kufizuar, por nuk përfshin rrisqet e përgjithshme mjedisore, që nuk lidhen me një ngjarje të veçantë, si ndryshimet klimatike ose ndotja atmosferike.
18. “I prodhuar me OMGJ”, produkti i prodhuar, duke përdorur një OMGJ si organizëm i fundit i gjallë në procesin e prodhimit, por që nuk përmban ose përbëhet nga OMGJ dhe as është i prodhuar nga OMGJ-të.
19. “I prodhuar nga OMGJ”, produkt i prodhuar tërësisht ose pjesërisht nga OMGJ-ja, por që nuk përmban ose përbëhet nga OMGJ.
20. “Kalim”, faza e ndërmjetme e kalimit nga prodhimi joorganik në atë organik, brenda një periudhe të caktuar, gjatë së cilës zbatohen kërkesat e këtij ligji.
21. “Komisioni për Prodhimin Organik (KPO)”, autoriteti që vepron në ministri, sipas nenit 46, të këtij ligji.
22. “Lëndë ndihmëse për përpunimin”, çdo substancë, e cila:
a) në ushqim:
i. nuk konsumohet si ushqim në vetvete;
ii. përdoret qëllimisht në përpunimin e lëndëve të para, ushqimeve ose përbërësve të tyre, për të arritur një qëllim të caktuar teknologjik gjatë trajtimit ose përpunimit;
iii. mund të rezultojë në praninë e paqëllimshme, por teknikisht të pashmangshme në produktin përfundimtar të mbetjeve të kësaj substance ose derivateve të saj, me kusht që ato të mos paraqesin ndonjë rrezik për shëndetin dhe të mos kenë asnjë efekt teknologjik në produktin ushqimor përfundimtar.
b) në ushqimin për kafshë nuk konsumohet si ushqim për kafshë në vetvete, por përdoret qëllimisht në përpunimin e produkteve ushqimore ose ushqimeve për kafshë, për të arritur një qëllim teknologjik gjatë trajtimit ose përpunimit, i cili mund të rezultojë në praninë e paqëllimshme, por teknologjikisht të pashmangshme të mbetjeve të kësaj substance ose të derivateve të saj në produktin përfundimtar, me kusht që këto mbetje të mos kenë efekt negativ në shëndetin e kafshëve, të njerëzve ose në mjedis dhe të mos kenë asnjë efekt teknologjik në ushqimin përfundimtar për kafshë.
23. “Masa parandaluese”, masat që merren nga operatorët në çdo fazë të prodhimit, të përgatitjes dhe të shpërndarjes, për të siguruar ruajtjen e biodiversitetit dhe cilësisë së tokës, për të parandaluar dhe për të luftuar sëmundjet e dëmtuesit dhe për të shmangur ndikimet negative në mjedis, në shëndetin e kafshëve dhe të bimëve.
24. “Masa paraprake”, masat që merren nga operatorët në të gjitha fazat e prodhimit, përgatitjes dhe shpërndarjes për të shmangur ndotjen me produkte ose substanca, të cilat nuk lejohen të përdoren në prodhimin organik dhe për të shmangur shkëmbimin e produkteve organike me produkte joorganike.
25. “Material organik heterogjen”, një grupim bimësh, që i përket një kategorie taksonomike të vetme botanike të rangut më të ulët të njohur, të cilat:
a) shfaqin karakteristika të përbashkëta fenotipike;
b) karakterizohen nga një shkallë e lartë diversiteti gjenetik dhe fenotipik mes njësive individuale riprodhuese, në mënyrë që ky grupim bimësh të përfaqësohet nga materiali si një e tërë dhe jo nga një numër i vogël bimësh;
c) nuk janë një varietet;
ç) nuk janë një përzierje varietetesh;
d) janë prodhuar në përputhje me këtë ligj.
26. “Material mbjellës dhe shumëzues bimor”, bimët dhe të gjitha pjesët e bimëve, përfshirë farat, në çdo fazë të rritjes, të cilat janë të afta dhe kultivohen me qëllim për të prodhuar sërish bimë.
27. “Ministria”, ministria përgjegjëse për bujqësinë, si autoritet kompetent qendror për bujqësinë organike.
28. “Ministri”, ministri përgjegjës për bujqësinë.
29. “Mospërputhje”, mungesa e përputhjes me kërkesat e këtij ligji.
30. “Moti i keq”, kushtet e motit, të tilla si ngrica, stuhi dhe breshër akulli, shiu i dendur ose thatësira e madhe, të cilat mund të konsiderohen si një fatkeqësi natyrore.
31. “Njësi prodhimi”, tërësia e të gjitha objekteve të një ferme, si vendet ku kryhet prodhimi primar, ngastrat e tokës, kullotat, hapësirat në natyrë, stallat e blegtorisë ose pjesë të tyre, zgjoje, pellgje peshku, impiante kultivimi për alga ose specie akuakulture, njësitë e rritjes së tyre, objekte në bregdet ose në det dhe mjediset për ruajtjen e bimëve, produkteve bimore, produkteve nga algat, produkteve shtazore, lëndëve të para dhe çdo inputi tjetër të rëndësishëm të menaxhuar, siç përshkruhet në pikat 32, 33 dhe 34, të këtij neni.
32. “Njësi prodhimi organik”, një njësi prodhimi, përjashtuar periudhën e kalimit të përcaktuar në nenin 10, e cila menaxhohet në përputhje me kërkesat që zbatohen për prodhimin organik.
33. “Njësi prodhimi në kalim”, një njësi prodhimi gjatë periudhës së kalimit sipas nenit 10, e cila menaxhohet në përputhje me kërkesat që zbatohen për prodhimin organik. Ajo mund të përbëhet nga ngastra toke, ferma blegtorale ose akuakulture, për të cilat periudha e kalimit fillon në momente të ndryshme kohore.
34. “Njësi prodhimi joorganik”, një njësi prodhimi, e cila nuk menaxhohet në përputhje me kërkesat që zbatohen për prodhimin organik.
35. “Operator”, një person fizik ose juridik, përgjegjës për të garantuar që ky ligj zbatohet në të gjitha fazat e prodhimit, përgatitjes dhe shpërndarjes, të cilat janë nën kontrollin e tij.
36. “Organizëm i modifikuar gjenetikisht (OMGJ)” ka kuptimin e dhënë në ligjin për ushqimin.
37. “Përbërës” ka kuptimin e dhënë në legjislacionin për ushqimin.
38. “Përgatitje”, proceset e konservimit ose përpunimit të produkteve organike apo në kalim ose çdo proces/veprim tjetër, që kryhet mbi një produkt të papërpunuar, pa ndryshuar produktin fillestar, si therja, prerja, pastrimi, grirja apo bluarja, si dhe ambalazhimi, etiketimi ose ndryshimet e bëra në etiketimin që i referohen prodhimit organik.
39. “Përpunim” ka kuptimin e dhënë në legjislacionin në fuqi për etiketimin e ushqimeve dhe informimin e konsumatorit, por nuk përfshin procesin e ambalazhimit dhe etiketimit.
40. “Prodhim bimor”, prodhimi i produkteve bujqësore, përfshirë mbledhjen e produkteve nga bimët e egra, për qëllime tregtare.
41. “Prodhim organik”, zbatimi i metodave të prodhimit, në përputhje me rregullat e përcaktuara në këtë ligj, në të gjitha fazat e prodhimit, përgatitjes dhe shpërndarjes, përfshirë periudhën e kalimit, të përcaktuar në nenin 10.
42. “Prodhim blegtoral”, prodhimi i kafshëve tokësore shtëpiake ose të zbutura, përfshirë insektet.
43. “Produkte bimore”, produktet me origjinë bimore, në gjendje të papërpunuar ose që i janë nënshtruar proceseve të përgatitjes së thjeshtë, si bluarje, tharje ose shtypje, por duke përjashtuar bimët.
44. “Produkt organik”, produkti, i cili përftohet nga prodhimi organik, por jo gjatë periudhës së kalimit, sipas nenit 10, të këtij ligji. Produktet e gjuetisë ose peshkimit të kafshëve ose specieve të egra nuk konsiderohen produkte organike.
45. “Produkt në kalim”, një produkt i prodhuar gjatë periudhës së kalimit, sipas përcaktimit në nenin 10, të këtij ligji.
46. “Produkte për mbrojtjen e bimëve (PMB)” ka kuptimin e dhënë në ligjin për mbrojtjen e bimëve.
47. “Produkte të papërpunuara” ka kuptimin e dhënë në legjislacionin në fuqi për etiketimin e ushqimeve dhe informimin e konsumatorit, pavarësisht nga proceset e ambalazhimit dhe etiketimit.
48. “Produkte të përpunuara” ka kuptimin e dhënë në legjislacionin në fuqi për etiketimin e ushqimeve dhe informimin e konsumatorit, pavarësisht nga proceset e ambalazhimit dhe etiketimit.
49. “Reklamim”, çdo paraqitje e produkteve për konsumatorin, me çdo mjet të ndryshëm nga etiketimi, që synon ose mund të ndikojë e të përcaktojë qëndrimet, bindjet dhe reagimet për të nxitur drejtpërdrejt ose tërthorazi shitjen e produkteve.
50. “Rrezatim jonizues”, transferimi i energjisë në formën e grimcave elementare ose valëve elektromagnetike, me gjatësi vale deri në 100 nanometër ose me frekuencë mbi 3×1015 Hertz, i aftë të prodhojë jone drejtpërdrejt ose tërthorazi.
51. “Sëmundje të kafshëve”, sëmundjet e përcaktuara në legjislacionin në fuqi për veterinarinë.
52. “Trupë kontrolli”:
a) person juridik privat, i cili kryen kontrollin zyrtar të specializuar me qëllim certifikimin e operatorit dhe grup-operatorëve në territorin e Republikës së Shqipërisë, në përputhje me kërkesat e përcaktuara në këtë ligj; ose
b) një trupë kontrolli e njohur nga Komisioni Evropian ose që vepron në një vend të tretë të njohur nga Komisioni Evropian, me qëllim të kryerjen e kontrollit në vendet e treta për importin e produkteve organike ose produkteve në kalim në Bashkimin Evropian, por që mund të importohen edhe në Shqipëri;
c) një trupë kontrolli që vepron në Shqipëri për certifikimin, sipas standardeve të tjera ndërkombëtare për prodhimin organik.
53. “Ushqim” ka kuptimin e dhënë në legjislacionin për ushqimin.
54. “Ushqim i paraambalazhuar” ka kuptimin e dhënë në legjislacionin për ushqimin.
55. “Ushqim për kafshë” ka kuptimin e dhënë në legjislacionin për ushqimin.
56. “Varietet” ka kuptimin e dhënë në ligjin për materialin mbjellës dhe shumëzues bimor.
57. “Varietet organik i përshtatshëm për prodhim organik”, një varietet, i cili:
a) karakterizohet nga një shkallë e lartë diversiteti gjenetik dhe fenotipik midis njësive të veçanta riprodhuese;
b) është përftuar nga seleksionimi gjenetik organik.
58. “Vendosje në treg” ka kuptimin e dhënë në legjislacionin për ushqimin.
KREU II
OBJEKTIVAT DHE PARIMET E PRODHIMIT ORGANIK
Neni 4
Objektivat e përgjithshëm të prodhimit organik
Objektivat e përgjithshëm për prodhimin organik janë, si më poshtë vijon:
a) Të kontribuojë për mbrojtjen e mjedisit dhe klimës;
b) Të ruajë pjellorinë afatgjatë të tokës;
c) Të kontribuojë për një nivel të lartë biodiversiteti;
ç) Të kontribuojë në mënyrë të qëndrueshme për një mjedis jotoksik;
d) Të kontribuojë për standarde të larta të mirëqenies së kafshëve dhe në veçanti të plotësojë nevojat e veçanta jetësore, sipas specieve të kafshëve;
dh) Të nxisë kanalet dhe zinxhirin e shkurtër të shpërndarjes dhe prodhimit lokal në zona të ndryshme të vendit;
e) Të nxisë ruajtjen e racave të rralla dhe autoktone në rrezik zhdukjeje;
ë) Të kontribuojë në zhvillimin e furnizimit të materialit gjenetik bimor të përshtatur ndaj kërkesave dhe objektivave të veçantë të bujqësisë organike;
f) Të kontribuojë dhe të ndihmojë për një nivel të lartë biodiversiteti, në veçanti duke përdorur materiale gjenetike bimore të larmishme, të tilla si material organik heterogjen dhe varietete organike, të përshtatshme për prodhimin organik;
g) Të nxisë zhvillimin e aktiviteteve për përmirësimin gjenetik të bimëve që prodhohen sipas metodës së prodhimit organik për të kontribuuar për perspektiva ekonomike të favorshme të sektorit organik.
Neni 5
Parimet e përgjithshme të prodhimit organik
Prodhimi organik është një sistem i qëndrueshëm menaxhimi, që bazohet në parimet e përgjithshme, si më poshtë vijon:
a) Respektimi i sistemeve dhe cikleve natyrore, ruajtja dhe përmirësimi i gjendjes së tokës, ujit dhe ajrit, shëndetit të bimëve e të kafshëve dhe ekuilibrit midis tyre;
b) Ruajtja e elementeve të peizazhit natyror, siç janë zonat ose vendet e trashëgimisë natyrore;
c) Përdorimi i përgjegjshëm i energjisë dhe burimeve natyrore, siç janë uji, toka, lënda organike dhe ajri;
ç) Prodhimi i një shumëllojshmërie ushqimi me cilësi të lartë dhe i produkteve të tjera bujqësore e të akuakulturës, që i përgjigjen kërkesave të konsumatorëve për produkte ushqimore, të prodhuara nga procese, të cilat nuk dëmtojnë mjedisin, shëndetin e njeriut, shëndetin e bimëve apo shëndetin dhe mirëqenien e kafshëve;
d) Sigurimi i integritetit të prodhimit organik në të gjitha fazat e prodhimit, përgatitjes dhe shpërndarjes së ushqimit dhe ushqimit për kafshë;
dh) Projektimi dhe menaxhimi i duhur i proceseve organike, bazuar në sistemet ekologjike, si dhe duke përdorur burime natyrore të brendshme të sistemit të menaxhimit me metoda, të cilat:
i. përdorin organizma të gjallë dhe metoda mekanike të prodhimit;
ii. praktikojnë kultivimin e bimëve në tokë dhe prodhimin blegtoral të lidhur me tokën ose akuakulturën, që përputhet me parimin e shfrytëzimit të qëndrueshëm të burimeve ujore;
iii. përjashtojnë përdorimin e OMGJ-ve, produkteve të përftuara nga OMGJ-të dhe produkteve të prodhuara me OMGJ, përveç produkteve mjekësore veterinare;
iv. bazohen në vlerësimin e riskut dhe, kur është e përshtatshme ose sipas rastit, në përdorimin e masave paraprake dhe masave parandaluese.
e) Kufizimi i përdorimit të input-eve nga jashtë fermës, kur input-et nga jashtë janë të nevojshme ose kur nuk ekzistojnë praktikat dhe metodat e duhura të menaxhimit, sipas shkronjës “dh”, të kësaj pike, input-et nga jashtë kufizohen në:
i. input-et nga prodhimi organik, ku për materialin riprodhues bimor u jepet përparësi varieteteve të përzgjedhura/seleksionuara për aftësinë e tyre për t’iu përgjigjur nevojave dhe objektivave specifikë të bujqësisë organike;
ii. substanca natyrore ose me prejardhje nga substanca natyrore;
iii. plehra minerale me tretshmëri të ulët.
ë) Përshtatja e procesit të prodhimit, ku është e nevojshme dhe brenda kuadrit të këtij ligji, duke marrë parasysh gjendjen shëndetësore, ndryshimet rajonale në ekuilibrin ekologjik, kushtet lokale dhe klimatike, fazat e zhvillimit dhe praktikat e veçanta të mbarështimit të blegtorisë;
f) Përjashtimi nga gjithë zinxhiri ushqimor organik i klonimit të kafshëve, i rritjes së kafshëve poliploide të induktuara artificialisht dhe i rrezatimit jonizues;
g) Mbajtja e një niveli të lartë të mirëqenies së kafshëve, duke respektuar nevojat e veçanta të specieve.
Neni 6
Parimet e veçanta në aktivitetet bujqësore dhe të akuakulturës
Prodhimi organik në aktivitetet bujqësore dhe të akuakulturës bazohet në parimet e veçanta, si më poshtë vijon:
a) Ruajtja dhe rritja e aktivitetit jetësor dhe pjellorisë natyrore të tokës, qëndrueshmërisë së tokës, kapacitetit mbajtës ujor dhe biodiversitetit të saj, duke parandaluar dhe duke luftuar varfërimin në lëndë organike, ngjeshjen dhe gërryerjen e tokës dhe të ushqyerit e bimëve, kryesisht përmes ekosistemit të tokës;
b) Kufizimi në minimum i përdorimit të burimeve të paripërtëritshme dhe input-eve të jashtme;
c) Riciklimi i mbetjeve dhe i nënprodukteve me origjinë bimore dhe shtazore, si input-e për prodhimin bimor dhe shtazor;
ç) Mbikëqyrja e shëndetit të bimëve me masa parandaluese, në veçanti zgjedhja e specieve, varieteteve ose e materialit mbjellës dhe shumëzues heterogjen, të qëndrueshëm ndaj dëmtuesve dhe sëmundjeve, qarkullimet e duhura bujqësore, metodat mekanike dhe fizike dhe mbrojtja e armiqve natyrorë të dëmtuesve;
d) Përdorimi i farave dhe kafshëve me shkallë të lartë diversiteti gjenetik, qëndrueshmërie ndaj sëmundjeve dhe jetëgjatësisë;
dh) Zgjedhja e varieteteve të bimëve, duke mbajtur parasysh veçoritë e çdo sistemi prodhimi organik, duke u përqendruar te rezultatet agronomike, qëndrueshmëria ndaj sëmundjeve, përshtatja ndaj kushteve të ndryshme pedo-klimatike lokale dhe respektimi i pengesave natyrore për kryqëzimet gjenetike;
e) Përdorimi i materialit mbjellës dhe shumëzues bimor organik, si material mbjellës dhe shumëzues bimor organik heterogjen, dhe i varieteteve organike të përshtatshme për prodhim organik;
ë) Prodhimi i varieteteve organike, duke shfrytëzuar aftësitë riprodhuese natyrore dhe duke i kushtuar vëmendje pengesave natyrore të kryqëzimit të tyre;
f) Mundësia që fermerët të përdorin material mbjellës dhe shumëzues bimor nga fermat e tyre për të shtuar burimet gjenetike, të përshtatura ndaj kushteve të veçanta të prodhimit organik;
g) Zgjedhja e racave të kafshëve, duke u mbajtur parasysh shkalla e lartë e diversitetit gjenetik, aftësia e kafshëve për t’iu përshtatur kushteve lokale, aftësia riprodhuese, jetëgjatësia, vitaliteti dhe qëndrushmëria e tyre ndaj sëmundjeve apo problemeve shëndetësore;
gj) Zbatimi i praktikave të prodhimit blegtoral, në përshtatje me terrenin dhe të lidhura me tokën;
h) Zbatimi i praktikave zooteknike, të cilat forcojnë sistemin imunitar dhe shtojnë mbrojtjet natyrore kundër sëmundjeve, përfshirë ushtrimet e rregullta fizike dhe qasjen jashtë në natyrë dhe në kullota;
i) Ushqyerja e kafshëve me ushqime organike, me përbërës bujqësorë të prodhuar nga prodhimi organik dhe nga substanca natyrore jobujqësore;
j) Prodhimi organik blegtoral nga kafshë, të cilat janë rritur në ferma organike gjatë gjithë jetës së tyre, që nga lindja apo klloçitja;
k) Ruajtja e vazhdueshme e mjedisit ujor të shëndetshëm dhe e cilësisë së ekosistemeve ujore dhe tokësore përreth;
l) Ushqyerja e organizmave ujorë me ushqime për kafshë nga peshkimi i qëndrueshëm ose me ushqime organike për kafshë me përbërës bujqësorë nga prodhimi organik, përfshirë nga akuakultura organike dhe substanca natyrore jobujqësore;
ll) Shmangia e krijimit të ndonjë rreziku për speciet e mbrojtura, që mund të lindë nga prodhimi organik.
Neni 7
Parimet e veçanta në përpunimin e ushqimit organik
Prodhimi i ushqimit organik, i përpunuar, bazohet në parimet e veçanta, si më poshtë vijon:
a) Prodhimi i ushqimit organik nga përbërës që vijnë nga bujqësia organike;
b) Kufizimi i përdorimit të aditivëve ushqimorë, i përbërësve joorganikë, me funksione kryesisht teknologjike e shije, si dhe i mikroelementeve e lëndëve ndihmëse për përpunim, në mënyrë që të përdoren në sasi minimale dhe vetëm në raste nevoje të domosdoshme teknologjike ose për qëllime të veçanta ushqyese;
c) Përjashtimi i substancave dhe metodave përpunuese, të cilat mund të keqinformojnë lidhur me natyrën e vërtetë të produktit;
ç) Përpunimi me kujdes i ushqimit organik, duke i dhënë përparësi përdorimit të metodave organike, mekanike dhe fizike;
d) Përjashtimi i ushqimit, që përmban ose përbëhet nga nanomateriale të prodhuara artificialisht.
Neni 8
Parimet në përpunimin e ushqimit organik për kafshë
Prodhimi i ushqimit organik, i përpunuar për kafshë, bazohet në parimet e veçanta, si më poshtë vijon:
a) Prodhimi i ushqimit organik për kafshë nga lëndë e parë për ushqim organik për kafshë;
b) Kufizimi i përdorimit të aditivëve dhe lëndëve ndihmëse për përpunimin e ushqimit për kafshë në sasi minimale dhe vetëm në raste nevoje të domosdoshme teknologjike ose zooteknike ose për qëllime të veçanta të të ushqyerit;
c) Përjashtimi i substancave dhe i metodave të përpunimit që mund të keqinformojnë për natyrën e vërtetë të produktit;
ç) Përpunimi i ushqimit organik për kafshë, duke iu dhënë përparësi metodave organike, mekanike dhe fizike.
KREU III
RREGULLAT E PRODHIMIT ORGANIK
Neni 9
Rregullat e përgjithshme të prodhimit
1. Operatorët, që përfshihen në prodhimin organik, plotësojnë rregullat e përgjithshme të prodhimit, të përcaktuara në këtë nen.
2. E gjithë ferma menaxhohet në përputhje me kërkesat e këtij ligji, që zbatohen për prodhimin organik.
3. Në prodhimin organik përdoren vetëm produktet dhe substancat e përcaktuara në nenet 21, 22 dhe 23, të këtij ligji, me kusht që përdorimi i tyre në prodhimin joorganik të jetë miratuar sipas legjislacionit në fuqi për produktet e mbrojtjes së bimëve dhe produktet plehëruese.
4. Në prodhimin organik përdoren edhe produktet dhe substancat e mëposhtme, me kusht që të jenë miratuar sipas legjislacionit në fuqi për produktet për mbrojtjen e bimëve:
a) mbrojtësit, sinergjistët dhe bashkëformulantët, në përmbajtje të PMB-ve;
b) ndihmësit, të cilët përzihen me PMB-të.
5. Në prodhimin organik bimor lejohet përdorimi i produkteve dhe substancave bujqësore, të tjera nga ato të përcaktuara në nenin 21, të këtij ligji, me kusht që përdorimi i tyre të jetë në përputhje me parimet e përcaktuara në kreun II, të këtij ligji.
6. Rrezatimi jonizues nuk përdoret në trajtimin e ushqimeve organike, ushqimeve organike për kafshë dhe lëndëve të para, që përdoren në prodhimin e tyre.
7. Ndalohet përdorimi i klonimit të kafshëve dhe rritja e kafshëve poliploide të induktuara artificialisht.
8. Në çdo fazë të prodhimit, përgatitjes dhe shpërndarjes merren masa parandaluese dhe paraprake, kur është e nevojshme, siç përcaktohet në nenin 25, të këtij ligji.
9. Ferma, pavarësisht parashikimeve të pikës 2, të këtij neni, ndahet në njësi prodhimi të veçuara qartësisht dhe efektivisht, për prodhim organik, në kalim dhe joorganik, me kusht që për njësitë e prodhimit joorganik:
a) për kafshët të përdoren specie të ndryshme;
b) për bimët të përdoren varietete të ndryshme dhe lehtësisht të dallueshme.
Këto kërkesa nuk zbatohen për qendrat kërkimore dhe të formimit profesional, fidanishtet bimore, fermat e shumëzimit të farave dhe në përmirësimin gjenetik.
10. Për algat dhe speciet e akuakulturës përfshihen të njëjtat specie, me kusht që të ketë një ndarje të qartë dhe efektive midis proceseve ose njësive të prodhimit.
11. Në përjashtim të shkronjës “b”, të pikës 9, të këtij neni, në rastin e kulturave shumëvjeçare, që kërkojnë një periudhë kultivimi prej të paktën 3 vjetësh, mund të përdoren varietete të ndryshme, që nuk dallohen lehtësisht apo të njëjtat varietete, me kusht që prodhimi në fjalë të përfshihet në një plankalim dhe kalim në prodhim organik të pjesës së fundit të sipërfaqes së prodhimit që të fillojë sa më shpejt të jetë e mundur dhe të përfundojë maksimumi brenda pesë vjetëve.
12. Në rastet e parashikuara në pikën 9, të këtij neni:
a) fermeri njofton, të paktën 48 orë përpara trupën e kontrollit për fillimin e vjeljes së çdo produkti në fjalë;
b) pas përfundimit të vjeljes, fermeri njofton trupën e kontrollit për sasitë e faktike të vjela nga njësitë në fjalë dhe masat e marra për veçimin e produkteve;
c) plani i kalimit dhe masat, që duhet të merren për të siguruar veçimin efektiv dhe të dukshëm, konfirmohen çdo vit nga trupa e kontrollit, pas fillimit të planit të kalimit.
13. Në rastet e përcaktuara në pikat 9, 10, 11 dhe 12, kur jo të gjitha njësitë e prodhimit të një ferme menaxhohen sipas rregullave të prodhimit organik, operatorët:
a) mbajnë produktet dhe substancat e përdorura për njësitë e prodhimit organik dhe ato në kalim, të ndara nga ato të përdorura për njësitë e prodhimit joorganik;
b) mbajnë të ndara nga njëra-tjetra produktet e prodhuara në njësitë e prodhimit organik, nga ato në kalim dhe joorganik;
c) mbajnë të dhënat e duhura për të treguar ndarjen efektive të njësive të prodhimit dhe të produkteve.
Neni 10
Periudha e kalimit
1. Fermeri dhe operatori, që prodhon alga ose specie të akuakulturës, plotësojnë një periudhë kalimi. Gjatë gjithë periudhës së kalimit zbatohen të gjitha rregullat e prodhimit organik, të përcaktuara në këtë ligj, në veçanti në këtë nen dhe në nenet 13 deri në 18, të këtij ligji.
2. Periudha e kalimit fillon në datën që fermeri ose operatori, i cili prodhon algat apo speciet e akuakulturës, ka regjistruar aktivitetin, në përputhje me pikën 1, të nenit 34, të këtij ligji.
3. Asnjë periudhë e mëparshme nuk mund të njihet në mënyrë prapavepruese, si pjesë e periudhës së kalimit, përveç rasteve kur:
a) parcelat e tokës së fermerit ose operatorit kanë qenë objekt i masave të përcaktuara në programin e zhvillimit rural për të garantuar se në këto parcela toke nuk janë përdorur produkte apo substanca, përveç atyre që përdoren në prodhimin organik; ose
b) fermeri ose operatori provon se parcelat e tokës kanë qenë zona natyrore ose bujqësore, të cilat për një periudhë, të paktën trevjeçare, nuk kanë qenë trajtuar me produkte apo substanca, që nuk lejohen të përdoren në prodhimin organik.
4. Produktet e prodhuara gjatë periudhës së kalimit nuk tregtohen si produkte organike ose në kalim. Produktet e mëposhtme, të prodhuara gjatë periudhës së kalimit dhe në përputhje me pikën 1, të këtij neni, tregtohen si produkte në kalim, vetëm në këto raste:
a) materiali mbjellës dhe shumëzues bimor, me kusht që të jetë plotësuar një periudhë kalimi, të paktën 12 muaj;
b) produktet ushqimore dhe ushqimet për kafshë me origjinë bimore, me kusht që këto produkte të përmbajnë vetëm një përbërës bujqësor dhe të jetë plotësuar një periudhë kalimi, të paktën 12 muaj përpara korrjes, vjeljes apo mbledhjes.
5. Dokumentet e veçanta, që paraqiten nga operatori ose grupi i operatorëve dhe procedura për miratimin e njohjes së efekteve prapavepruese të një periudhe të mëparshme kalimi nga KPO-ja miratohen me udhëzim të ministrit.
Neni 11
Ndalimi i përdorimit të OMGJ-ve
1. OMGJ-të dhe produktet e prodhuara nga ose me OMGJ nuk përdoren në ushqim ose ushqim për kafshë apo si ushqim, ushqim për kafshë, lëndë ndihmëse në përpunim, produkte për mbrojtjen e bimëve, produkte plehëruese, përmirësues të tokës, material mbjellës dhe shumëzues bimor, mikroorganizma ose kafshë në prodhimin organik.
2. Për OMGJ-të dhe produktet e prodhuara nga OMGJ-të për ushqim dhe ushqim për kafshë, operatorët bazohen në etiketat apo në dokumentet e tjera shoqëruese të produktit, sipas legjislacionit në fuqi për ushqimin për kafshë.
3. Operatori vlerëson se asnjë OMGJ dhe produkt i prodhuar nga OMGJ-të nuk është përdorur për prodhimin ose përpunimin e produkteve ushqimore dhe ushqimit për kafshë të blera, nëse nuk kanë një etiketë ose dokument shoqërues, siç përcaktohet në pikën 2, të këtij neni, përveç kur ata kanë dijeni që etiketimi i produkteve në fjalë nuk është në përputhje me legjislacionin në fuqi për ushqimin.
4. Operatori për lëndët ndihmëse në përpunim, produktet për mbrojtjen e bimëve, produktet plehëruese, përmirësuesit e tokës, materialin mbjellës dhe shumëzues bimor, mikroorganizmat dhe kafshët, kur përdor produkte të tilla joorganike të blera nga palë të tjera, i kërkon shitësit të plotësojë deklaratën se produktet e furnizuara prej tij nuk janë OMGJ dhe nuk janë prodhuar nga ose me OMGJ.
5. Modeli i deklaratës së shitësit miratohet me urdhër të ministrit.
Neni 12
Kërkesat për tregtimin e materialit mbjellës dhe shumëzues bimor të materialit organik heterogjen
1. Materiali mbjellës dhe shumëzues bimor i materialit organik heterogjen tregtohet pa plotësuar kërkesat për regjistrim dhe certifikim, sipas kategorive të materialit parabazë, bazë dhe të certifikuar apo kërkesat për t’u vendosur në kategori të tjera, të përcaktuara në legjislacionin në fuqi për materialin mbjellës dhe shumëzues bimor.
2. Furnizuesi paraqet aplikimin on-line për regjistrimin e materialit mbjellës dhe shumëzues bimor organik heterogjen nëpërmejt portalit qeveritar “e-Albania” në institucionin përgjegjës për farat dhe fidanët. Furnizuesi tregton materialin mbjellës dhe shumëzues bimor organik heterogjen, pas regjistrimit të tij.
3. Aplikuesi, përveç informacionit të plotësuar në formularin e aplikimit të kërkesës për regjistrim, sipas pikës 2, të këtij neni, duhet të paraqesë brenda 2 ditëve një mostër përfaqësuese në institucionin përgjegjës për farat dhe fidanët.
4. Shqyrtimi i aplikimit për regjistrimin e materialit mbjellës dhe shumëzues bimor organik heterogjen, sipas pikës 2, të këtij neni, kryhet në sistemin elektronik për shërbimet e institucionit përgjegjës për farat dhe fidanët.
5. Institucioni përgjegjës për farat dhe fidanët shqyrton aplikimin, në përputhje me Kodin e Procedurave Administrative, dhe brenda 2 muajve nga data e marrjes së kërkesës jep vendimin e tij për pranimin e kërkesës dhe kryen regjistrimin në regjistrin përkatës. Kur kërkesa nuk është paraqitur, sipas pikave 2 dhe 3, të këtij neni, kërkuesit i kërkohet elektronikisht që të korrigjojë pasaktësitë ose mangësitë e konstatuara brenda 7 ditëve. Në këtë rast, afati për shqyrtimin e kërkesës fillon nga dita e paraqitjes së kërkesës së parë për regjistrim. Kur aplikuesi nuk plotëson pasaktësitë brenda 7 ditëve dhe këto pasaktësi nuk mund të plotësohen nga institucioni pëgjegjës për farat dhe fidanët, sipas pikës 3, të këtij neni, kërkesa quhet se nuk është regjistruar dhe i kthehet aplikuesit, bashkë me aktet e tjera.
6. Regjistrimi i materialit mbjellës shumëzues bimor heterogjen organik është pa pagesë.
7. Rregulla të hollësishme për prodhimin dhe tregtimin e materialit mbjellës dhe shumëzues bimor heterogjen organik përcaktohen me udhëzim të ministrit.
Neni 13
Rregullat për prodhimin organik bimor
1. Operatori, që prodhon bimë ose produkte bimore organike, përveç rregullave të përgjithshme të prodhimit të përcaktuara në nenet 9, 10 dhe 11, të këtij ligji, zbaton edhe rregullat e përcaktuara në këtë nen.
2. Kulturat bujqësore organike, përveç atyre që kultivohen natyralisht në ujë, prodhohen në tokë natyrore ose në tokë të plehëruar me produkte dhe substanca të lejuara për përdorim në prodhimin organik, në varësi të përbërjes së tokës dhe shkëmbit amnor.
3. Ndalohet prodhimi hidroponik, i cili është një metodë e kultivimit të bimëve, të cilat nuk rriten në mënyrë natyrore me rrënjët në ujë, por vetëm në një tretësirë ushqyese ose në një mjedis inert, të cilit i shtohet një tretësirë ushqyese.
4. Të gjitha teknikat e prodhimit bimor të përdorura duhet të parandalojnë ose të zvogëlojnë çdo ndotje të mundshme të mjedisit.
5. Për prodhimin e bimëve dhe produkteve organike bimore, përveç materialit mbjellës dhe shumëzues bimor, përdoret vetëm material mbjellës dhe shumëzues bimor organik.
6. Për të prodhuar material mbjellës dhe shumëzues bimor organik, që përdoret për prodhimin e produkteve organike bimore, përjashtuar materialin mbjellës dhe shumëzues bimor, bima mëmë dhe, ku është e nevojshme, bimë të tjera që përdoren për prodhimin e materialit mbjellës dhe shumëzues bimor prodhohen, në përputhje me kërkesat e këtij ligji, për të paktën një brezni bimore, ose, në rastin e kulturave shumëvjeçare, për të paktën një brezni gjatë dy sezoneve të rritjes.
7. Gjatë zgjedhjes së materialit mbjellës dhe shumëzues bimor organik, operatori i jep përparësi materialit mbjellës dhe shumëzues bimor organik, të përshtatshëm për bujqësinë organike.
8. Për prodhimin e varieteteve organike, të përshtatshme për prodhimin organik, aktivitetet e përmirësimit gjenetik organik kryhen në kushte organike dhe synojnë rritjen e diversitetit gjenetik, mbështetur në aftësinë natyrore riprodhuese, karakteristikat agronomike, qëndrueshmërinë ndaj sëmundjeve dhe dëmtuesve dhe në përshtatjen ndaj kushteve të ndryshme lokale të tokës dhe klimës.
9. Të gjitha praktikat e shumëzimit, përveç asaj me kultura meristematike, kryhen sipas rregullave të certifikimit organik.
10. Rregulla të hollësishme për prodhimin organik të bimëve dhe produkteve bimore, materialit mbjellës dhe shumëzues bimor, mbledhjen e bimëve të egra dhe prodhimin e kërpudhave miratohen me udhëzim të ministrit.
Neni 14
Rregullat për prodhimin blegtoral
1. Operatori i prodhimit blegtoral, përveç rregullave të përgjithshme të prodhimit, të përcaktuara në nenet 9, 10 dhe 11, të këtij ligji, plotëson edhe rregullat e përcaktuara në këtë nen.
2. Ndalohet prodhimi blegtoral pa tokë, ku fermeri që synon të prodhojë kafshë organike, nuk administron ose disponon tokë bujqësore dhe nuk ka lidhur një marrëveshje bashkëpunimi me shkrim me një fermer për përdorimin e njësive të prodhimit organik ose në kalim blegtoral, me përjashtim të rasteve të bletarisë.
3. Rregulla të hollësishme për prodhimin organik blegtoral, përfshirë rregulla për kalimin, miratohen me udhëzim të ministrit.
Neni 15
Rregullat e prodhimit për algat dhe speciet në akuakulturë
1. Operatori, që prodhon alga dhe specie të akuakulturës organike, përveç rregullave të përgjithshme të prodhimit, të përcaktuara në nenet 9, 10 dhe 11, të këtij ligji, plotëson edhe rregullat e përcaktuara në këtë nen.
2. Prodhimi kryhet në mjedise që nuk mund të ndoten me produkte ose substanca të palejuara për t’u përdorur në prodhimin organik ose me lëndë ndotëse, që cenojnë natyrën organike të produkteve.
3. Njësitë e prodhimit organik dhe joorganik ndahen në mënyrë të përshtatshme, në përputhje me distancat minimale të ndarjes. Masat e tilla të ndarjes bazohen në vendndodhjen natyrore, sistemet e ndara të shpërndarjes së ujit, distancat, rrjedhën e baticës dhe vendndodhjen e sipërme dhe të poshtme të njësisë së prodhimit organik.
4. Prodhimi i algave dhe specieve të akuakulturës nuk konsiderohet organik kur kryhet në vende ose zona të papërshtatshme për aktivitete të tilla, të përcaktuara sipas legjislacionit në fuqi për akuakulturën.
5. Rregulla të hollësishme për prodhimin organik të algave dhe specieve të akuakulturës përcaktohen me udhëzim të ministrit.
Neni 16
Rregullat e prodhimit të ushqimit të përpunuar organik
1. Operatori, që prodhon ushqim të përpunuar organik, përveç rregullave të përgjithshme të prodhimit, të përcaktuara në nenet 9, 10 dhe 11, të këtij ligji, plotëson edhe rregullat e përcaktuara në këtë nen.
2. Përgatitja e produkteve të përpunuara organike, në kalim dhe joorganike kryhen të ndara nga njëra-tjetra në kohë dhe hapësirë. Kur në njësinë e përgatitjes përgatiten ose ruhen produkte organike, në kalim dhe joorganike, operatori:
a) njofton trupën e kontrollit;
b) kryen proceset në vazhdimësi deri në përfundimin e prodhimit të produktit, të ndara në hapësirë dhe në kohë nga proceset e ngjashme që kryhen për produktin tjetër organik, në kalim ose joorganik;
c) ruan produktet organike, në kalim dhe joorganike, para dhe pas proceseve të prodhimit, të ndara nga njëra-tjetra në hapësirë dhe në kohë;
ç) mban një regjistër të përditësuar për të gjitha proceset dhe sasitë e përpunuara;
d) merr masat e nevojshme për të siguruar identifikimin e loteve dhe për të shmangur përzierjet ose shkëmbimet midis produkteve organike, në kalim dhe joorganike;
dh) kryen proceset e prodhimit të produkteve organike ose në kalim, vetëm pas pastrimit të duhur të pajisjeve të prodhimit.
3. Ndalohet të përdoren produkte, substanca e teknika për të rivendosur cilësitë e humbura gjatë përpunimit dhe ruajtjes së ushqimit organik, që korrigjojnë pakujdesitë gjatë përpunimit apo që mund të keqinformojnë për natyrën e vërtetë të këtyre produkteve, që tregtohen si ushqime organike.
4. Në prodhimin organik të verës zbatohet legjislacioni në fuqi për vreshtarinë dhe verën, me përjashtim të rasteve kur parashikohet ndryshe në këtë ligj dhe produktet e verës prodhohen nga lëndë e parë organike.
5. Në prodhimin e produkteve ushqimore të përpunuara organike nuk përdoren substanca aromatizuese ose preparate aromatizuese, të cilat nuk janë organike apo “natyrale”, sipas legjislacionit në fuqi për aromatizuesit dhe përbërës të caktuar ushqimorë me veti aromatizuese, të përdorur në prodhimin e produkteve ushqimore.
6. Rregullat e hollësishme për prodhimin e produkteve ushqimore të përpunuara organike dhe produkteve organike të verës miratohen me udhëzim të ministrit.
Neni 17
Rregullat e prodhimit të ushqimit të përpunuar organik për kafshë
1. Operatori që prodhon ushqim të përpunuar organik për kafshë, përveç rregullave të përgjithshme të prodhimit të përcaktuara në nenet 9, 10 dhe 11 të këtij ligji, zbaton edhe rregullat e përcaktuara në këtë nen.
2. Përgatitja e ushqimit të përpunuar organik për kafshë, në kalim dhe joorganik, kryhet e ndarë në kohë dhe në hapësira të ndryshme. Kur në njësinë e përgatitjes përgatiten ose ruhen ushqime për kafshë të përpunuara organike, në kalim dhe joorganike, operatori:
a) njofton trupën e kontrollit;
b) kryen proceset në vazhdimësi deri në përfundimin e prodhimit, të ndara në hapësirë ose në kohë nga proceset e ngjashme që kryhen për çdo produkt tjetër (organik, në kalim ose joorganik);
c) ruan produktet organike, në kalim dhe joorganike, para dhe pas proceseve të prodhimit, të ndara nga njëra-tjetra në hapësirë dhe në kohë;
ç) mban një regjistër të përditësuar për të gjitha proceset e prodhimit dhe sasitë e përpunuara;
d) merr masat e nevojshme për të siguruar identifikimin e loteve dhe për të shmangur përzierjet ose shkëmbimet midis produkteve organike, në kalim dhe joorganike;
dh) kryen proceset e prodhimit të produkteve organike ose në kalim, pas pastrimit të duhur të pajisjeve të prodhimit.
3. Rregullat e hollësishme për prodhimin e ushqimit të përpunuar organik për kafshë miratohen me udhëzim të ministrit.
Neni 18
Rregullat për prodhimin e majave organike
1. Operatori, i cili prodhon maja për t’u përdorur si ushqim ose ushqim për kafshë, përveç rregullave të prodhimit të përcaktuara në nenet 9, 11, 16 dhe 17, të këtij ligji, zbaton edhe rregullat e përcaktuara në këtë nen.
2. Për prodhimin e majave organike përdoren vetëm substrate të prodhuara me metoda organike.
3. Majaja organike nuk duhet të jetë e pranishme së bashku me majanë joorganike në ushqimin organik ose në ushqimin organik për kafshë.
4. Rregulla të hollësishme për prodhimin e majave organike, që përdoren si ushqim ose ushqim per kafshë, miratohen me udhëzim të ministrit.
Neni 19
Rregullat përjashtuese në prodhimin organik
1. Në rastet e fatkeqësive natyrore ose fatkeqësive të tjera, që diktojnë një gjendje të jashtëzakonshme dhe që e bëjnë të pamundur përmbushjen e rregullave të prodhimit organik, mund të lejohen përjashtime nga rregullat e prodhimit për një periudhë kohe të kufizuar, deri sa prodhimi organik të mund të rikthehet në kushte normale, duke zbatuar parimet e përcaktuara në kreun II, të këtij ligji, si dhe parashikimet e këtij neni.
2. Pas shpalljes zyrtare të gjendjes së jashtëzakonshme, si pasojë e “motit të keq”, “sëmundjes së kafshëve”, “incidentit mjedisor”, “fatkeqësisë natyrore” ose të çdo situate tjetër të ngjashme, KPO-ja, kryesisht me identifikimin e operatorëve të prekur në zonën e shpallur ose me kërkesë nga një operator ose grup operatorësh në zonën e shpallur, vendos miratimin e përjashtimeve nga rregullat e prodhimit organik dhe kriteret që lidhen me to, me kusht që këto përjashtime dhe kritere të zbatohen:
a) për një periudhë të kufizuar, por jo më shumë sesa është e nevojshme, dhe në asnjë rast më shumë se 12 muaj për të vazhduar ose rifilluar prodhimin organik, siç është kryer përpara datës së zbatimit të këtyre përjashtimeve;
b) në lidhje me llojet specifike të prodhimit të prekura ose, sipas rastit, parcelat e tokës; dhe
c) për të gjithë operatorët organikë përkatës, të prekur në zonën e shpallur ose vetëm për operatorin ose grupin e operatorëve, sipas rastit.
3. Operatori ose grupi i operatorëve paraqet aplikimin on-line për miratimin e përjashtimeve nga rregullat e prodhimit organik, sipas pikës 2, të këtij neni, nëpërmjet portalit qeveritar “e-Albania”, në ministrinë përgjegjëse për bujqësinë.
4. Zbatimi i përjashtimeve nuk prek vlefshmërinë e certifikatës zyrtare gjatë periudhës kur zbatohen përjashtimet, me kusht që operatori ose grupi i operatorëve në fjalë të plotësojnë kriteret në të cilat janë dhënë përjashtimet.
5. Përjashtime të veçanta nga rregullat e prodhimit organik, që miratohen në rastet e gjendjes së jashtëzakonshme dhe procedurat e miratimit të aplikimeve për përjashtim miratohen me udhëzim të ministrit.
Neni 20
Grumbullimi, ambalazhimi, transporti dhe ruajtja
1. Operatori siguron që produktet organike dhe në kalim grumbullohen, ambalazhohen, transportohen dhe ruhen në përputhje me rregullat e përcaktuara në këtë nen.
2. Operatori mund të kryejë njëkohësisht grumbullimin e produkteve organike, në kalim dhe joorganike, vetëm kur merren masa për të parandaluar çdo përzierje ose shkëmbim të mundshëm midis tyre dhe për të siguruar identifikimin e produkteve organike dhe në kalim.
3. Operatori regjistron të dhënat për ditët, orët e mbledhjes, lëvizjet, datën dhe orën e magazinimit të produkteve për t’ua vënë në dispozicion trupës së kontrollit ose autoritetit përkatës të kontrollit zyrtar.
4. Rregulla të hollësishme për grumbullimin, ambalazhimin, transportin dhe ruajtjen e produkteve organike përcaktohen me udhëzim të ministrit.
Neni 21
Produktet dhe substancat që përdoren në prodhimin organik
1. Produktet dhe substancat që përdoren në prodhimin organik përdoren për qëllimet e mëposhtme:
a) Si lëndë vepruese në përmbajtje të produkteve për mbrojtjen e bimëve;
b) Si plehërues, përmirësues të tokës dhe lëndë ushqyese, në përmbajtje të produkteve plehëruese;
c) Si lëndë e parë për ushqime joorganike për kafshë me origjinë bimore, shtazore, nga algat ose majatë apo si lëndë e parë për ushqime për kafshë, me origjinë mikrobike apo minerale;
ç) Si produkte për pastrimin dhe dezinfektimin e pellgjeve, kafazeve, depozitave, kanaleve ujore, ndërtesave ose impianteve, që përdoren për prodhimin organik blegtoral;
d) Si produkte për pastrimin dhe dezinfektimin e ndërtesave dhe impianteve, që përdoren për prodhimin bimor, përfshirë ruajtjen në një fermë bujqësore;
dh) Si produkte për pastrim dhe dezinfektim në stabilimentet e përpunimit dhe ruajtjes.
2. Produktet dhe substancat, që përdoren në prodhimin organik, i nënshtrohen parimeve të përcaktuara në kreun II, të këtij ligji, dhe në mënyrë kumulative duhet që:
a) përdorimi i tyre është thelbësor për një prodhim të qëndrueshëm dhe për çfarë synohet të përdoret;
b) këto produkte dhe substanca të jenë me origjinë bimore, algash, shtazore, mikrobike ose minerale, përveçse kur ato nuk gjenden në sasi të mjaftueshme ose cilësinë e duhur, si dhe nuk gjenden alternativa të tjera nga burime të tilla;
c) në rastin e produkteve të përcaktuara në shkronjën “a”, të pikës 1, të këtij neni:
i. përdorimi i tyre është i domosdoshëm për kontrollin e dëmtuesve, për të cilin nuk ka alternativa të tjera biologjike, fizike ose nga përmirësimi gjenetik i bimëve, praktika kultivimi ose praktika të tjera menaxhimi të efekshme;
ii. nëse produktet e tilla nuk janë me origjinë bimore, algash, shtazore, mikrobike ose minerale dhe nuk janë identike me formën e tyre natyrore, parakusht për përdorimin e tyre është përjashtimi i çdo kontakti të drejtpërdrejtë me pjesët e ngrënshme të bimës.
ç) në rastin e produkteve të përcaktuara në shkronjën “b”, të pikës 1, të këtij neni, përdorimi i tyre është i domosdoshëm për të rritur, ruajtur pjellorinë e tokës, duke përmbushur kërkesat e veçanta të të ushqyerit të bimëve ose për qëllime të veçanta për përmirësimin e tokës;
d) në rastin e produkteve të përcaktuara në shkronjën “c”, të pikës 1, zbatohen këto rregulla:
i. Përdorimi i tyre është i nevojshëm për ruajtjen e shëndetit, mirëqenies dhe vitalitetit të kafshëve dhe kontribuon për një dietë të përshtatshme, që plotëson nevojat fiziologjike dhe të sjelljes së specieve në fjalë, ose në rast se këto ushqime për kafshë nuk mund të prodhohen apo të ruhen pa përdorimin e këtyre substancave;
ii. ushqimi për kafshë me origjinë minerale, oligoelementet, vitaminat ose provitaminat të jenë me origjinë natyrale, përveç rasteve kur produktet ose substancat nga këto burime nuk gjenden në sasi të mjaftueshme ose me cilësinë e duhur ose nuk ka alternativa të tjera;
iii. përdorimi i lëndëve të para për ushqim për kafshë joorganik, me origjinë bimore ose shtazore, është i nevojshëm sepse lëndët e para për ushqim për kafshë me origjinë bimore ose shtazore, të prodhuara në përputhje me rregullat e prodhimit organik, nuk gjenden në sasi të mjaftueshme;
iv. përdorimi i erëzave, bimëve aromatike dhe melasës joorganik është i nevojshëm sepse produkte të tilla nuk gjenden në formë organike, por ato duhet të prodhohen ose të përgatiten pa tretës kimikë dhe përdorimi i tyre kufizohet në 1 % të racionit ushqimor për një specie të caktuar, llogaritur çdo vit si përqindje e lëndës së thatë të ushqimit për kafshë me origjinë bujqësore.
3. Produktet dhe substancat e sintetizuara kimikisht, në përputhje me pikën 1, të këtij neni, dhe me pikën 1, të nenit 22, përdoren në mënyrë të kufizuar në rastet kur përdorimi i input-eve të jashtme, të përmendura në shkronjën “e”, të nenit 5, të këtij ligji, shkakton ndikime të dëmshme në mjedis.
4. Lista e produkteve dhe substancave që përdoren në prodhimin organik, sipas pikës 1, të këtij neni, miratohet me urdhër të ministrit.
5. Në prodhimin organik përdoren vetëm PMB-të dhe produktet plehëruese, të cilat kanë në përmbajtje të tyre produktet dhe substancat e miratuara, sipas pikës 4, të këtij neni.
6. PMB-të dhe produktet plehëruese, që përdoren në prodhimin organik, miratohen sipas procedurave të legjislacionit për produktet e mbrojtjes së bimëve dhe të produkteve plehëruese. Në etiketën e PMB-së dhe të produkteve plehëruese të miratuar shtohet shënimi, “për përdorim edhe në prodhimin organik”.
7. Lista e PMB-ve dhe produkteve plehëruese, që përdoren në prodhimin organik, publikohet nga strukturat përgjegjëse për mbrojtjen e bimëve dhe për produktet plehëruese në ministri, në faqen zyrtare të ministrisë.
Neni 22
Produktet dhe substancat që përdoren në prodhimin e ushqimit dhe ushqimit për kafshë, të përpunuar dhe majave
1. Produktet dhe substancat që përdoren në prodhimin e produkteve ushqimore organike, të përpunuara dhe majave që përdoren si ushqim ose ushqim për kafshë, përdoren për qëllimet, si më poshtë vijon:
a) Si aditivë ushqimorë, aditivë të ushqimit për kafshë dhe lëndë ndihmëse për përpunimin;
b) Si përbërës bujqësorë joorganikë për prodhimin e ushqimeve organike të përpunuara;
c) Si lëndë ndihmëse përpunimi për prodhimin e majave dhe produkteve të tyre.
2. Produktet dhe substancat që përdoren në prodhimin e ushqimit organik dhe ushqimit të përpunuar për kafshë ose për prodhimin e majave, që përdoren si ushqim ose ushqim për kafshë, i nënshtrohen parimeve të përcaktuara në kreun II, të këtij ligji, dhe përdoren vetëm nëse plotësohen kushtet e mëposhtme:
a) Nëse nuk gjenden produkte apo substanca alternative, të përcaktuara në përputhje me këtë nen ose teknologji në përputhje me këtë ligj;
b) Nëse pa përdorimin e tyre është e pamundur të prodhohen ose të ruhen ushqime ose ushqime për kafshë ose të plotësohen kërkesat e caktuara dietike, të përcaktuara në bazë të legjislacionit në fuqi;
c) Këto produkte dhe substanca gjenden në natyrë dhe i nënshtrohen vetëm proceseve mekanike, fizike, biologjike, enzimatike ose mikrobike, me përjashtim të rasteve kur produktet ose substancat nga këto burime nuk gjenden në sasi të mjaftueshme ose me cilësinë e duhur;
ç) Kur përbërësi organik nuk gjendet në sasi të mjaftueshme.
3. Lista e produkteve dhe substancave, që përdoren në prodhimin e ushqimit dhe ushqimit për kafshë, organik, të përpunuar dhe të majave, që përdoren si ushqim ose ushqim për kafshë, sipas pikës 1, të këtij neni, miratohet me urdhër të ministrit.
Neni 23
Përdorimi i përbërësve bujqësorë joorganikë për ushqimet organike të përpunuara
1. Për të siguruar përbërës të caktuar bujqësorë, që nuk gjenden në formë organike në sasi të mjaftueshme, dhe që janë miratuar për përdorim të përkohshëm nga të paktën një vend anëtar i Bashkimit Evropian, Komisioni për Prodhimin Organik, me kërkesë të operatorit, miraton përkohësisht përdorimin e përbërësve bujqësorë joorganikë për prodhimin e ushqimit organik të përpunuar, për një periudhë deri në gjashtë muaj. Ky miratim zbatohet për gjithë operatorët në Shqipëri.
2. Operatori vërteton se përbërësit nuk gjenden në formë organike në sasi të mjaftueshme, duke paraqitur të paktën dy përgjigje negative nga furnizuesi, ku deklarohet se përbërësi nuk gjendet në formë organike ose që sasia ekzistuese nuk është e mjaftueshme për nevojat e operatorëve.
3. KPO-ja, me kërkesë të operatorit, zgjat miratimin deri në dy herë për maksimumi gjashtë muaj secila, me kusht që këta përbërës vazhdojnë të mos gjenden në formë organike në sasi të mjaftueshme.
4. Nëse edhe pas zgjatjes së dytë, përbërës të tillë nuk gjenden në formë organike dhe në sasi të mjaftueshme për të plotësuar nevojat e operatorëve, këta përbërës përdoren vetëm nëse miratohen sipas pikës 3, të nenit 22, të këtij ligji.
Neni 24
Mbledhja e të dhënave për gjendjen në treg të materialit mbjellës dhe shumëzues bimor organik dhe në kalim, kafshëve organike dhe rasatit organik të peshqve në akuakulturë
1. Aplikimi për vetëdeklarimin e gjendjes për tregtim të materialit mbjellës dhe shumëzues bimor organik ose në kalim, kafshë organike ose rasat peshku organik në akuakulturë bëhet on-line në portalin qeveritar “e-Albania” dhe është pa pagesë. Ky aplikim shoqërohet me certifikatën e operatorit organik që ka prodhuar këto produkte.
2. Të dhënat e vetëdeklarimit të gjendjes, sipas pikës 1, të këtij neni, postohen në sistemin elektronik për shërbimet e ministrisë përgjegjëse për bujqësinë, që lejon operatorët, të cilët tregtojnë material mbjellës dhe shumëzues bimor organik ose në kalim, kafshë organike ose rasat peshku organik në akuakulturë dhe që janë në gjendje t’i furnizojnë ato në sasi të mjaftueshme dhe brenda një kohe të arsyeshme, të bëjnë publike në bazë vullnetare, bashkë me emrat dhe të dhënat e tyre, informacionet për:
a) materialin mbjellës dhe shumëzues bimor organik dhe në kalim, si p.sh. materialin mbjellës dhe shumëzues bimor organik heterogjen ose varietetet organike, të përshtatshme për prodhim organik, duke përjashtuar fidanët, përfshirë patatet për farë, të cilat janë të disponueshme, sasinë dhe peshën e atij materiali, periudhën e disponueshmërisë së tij gjatë vitit. Këto materiale vendosen në listë të paktën me emrin shkencor latinisht;
b) kafshët organike, për të cilat lejohen përjashtime në përputhje me pikën 3, të nenit 14, të këtij ligji, numrin e kafshëve të disponueshme të ndara sipas gjinisë, informacionin për speciet e ndryshme të kafshëve, për racat dhe llojet që disponohen, racat dhe moshën e kafshëve dhe çdo informacion tjetër të rëndësishëm për to;
c) rasatin organik të peshkut në akuakulturë, të disponueshme në fermë dhe statusin e tyre shëndetësor, në përputhje me legjislacionin në fuqi për shëndetin e kafshëve dhe kapacitetin prodhues për çdo specie akuakulture.
3. Operatorët që vendosin të përfshijnë informacione për materialin mbjellës dhe shumëzues bimor, kafshët ose rasatin e peshkut në akuakulturë, sipas pikave 1 dhe 2, të këtij neni, sigurojnë përditësimin e rregullt të këtij informacioni.
4. Autoriteti përgjegjës për kontrollin zyrtar në fermë miraton përjashtimet nga rregullat e prodhimit, sipas pikës 3, të nenit 14, dhe të pikës 5, të nenit 15, të këtij ligji, dhe verifikon nëse kafshët ose rasati i peshkut, për të cilat kërkohen përjashtime nuk përfshihen në listën sipas shkronjave “b” dhe “c”, të pikës 2, të këtij neni.
5. Trupa e kontrollit miraton përjashtimet për përdorimin e materialit mbjellës dhe shumëzues bimor joorganik, pas verifikimit nëse nuk përfshihet në listën sipas shkronjës “a”, të pikës 2, të këtij neni.
6. Formati i vetëdeklarimit, sipas pikës 2, dhe formatet e aplikimit për miratimin e përjashtimeve, sipas pikës 4, të këtij neni, përcaktohen me udhëzim të ministrit.
Neni 25
Detyrimet dhe veprimet në rast dyshimi për mospërputhje
Një operator, kur dyshon se një produkt i prodhuar, i përgatitur ose i importuar prej tij ose i pranuar nga një operator tjetër, nuk është në përputhje me këtë ligj, ai, në përputhje me pikën 2, të nenit 26:
a) identifikon dhe veçon produktin në fjalë;
b) verifikon nëse dyshimi mund të vërtetohet, sipas procedurës së përcaktuar në pikën 6, të nenit 27, të këtij ligji;
c) nuk e vendos në treg produktin në fjalë, si produkt organik ose në kalim dhe nuk e përdor në prodhimin organik, përveç rastit kur dyshimi eliminohet;
ç) njofton menjëherë trupën e kontrollit dhe i jep të dhënat që disponon, kur dyshimi për mospërputhje është vërtetuar ose kur nuk eliminohet;
d) bashkëpunon plotësisht me trupën e kontrollit ose autoritetin kompetent përkatës të kontrollit zyrtar për të verifikuar dhe për të identifikuar arsyet e mospërputhjes së dyshuar.
Neni 26
Masat paraprake për shmangien e produkteve dhe substancave të palejuara
1. Operatori, për të shmangur ndotjen me produkte ose substanca, të cilat nuk lejohen të përdoren në prodhimin organik, merr masa paraprake në çdo fazë të prodhimit, përgatitjes dhe shpërndarjes:
a) duke vendosur dhe duke zbatuar masa për të identifikuar rreziqet për ndotjen e prodhimit dhe produkteve organike me produkte ose substanca të palejuara, përfshirë identifikimin sistematik të hapave proceduralë kritikë;
b) duke vendosur dhe duke zbatuar masa për të shmangur rrezikun e ndotjes së prodhimit dhe produkteve organike, me produkte ose substanca të palejuara;
c) duke rishikuar dhe duke përshtatur rregullisht këto masa; dhe
ç) duke plotësuar kërkesat e tjera përkatëse të këtij ligji, të cilat garantojnë veçimin e produkteve organike, në kalim dhe joorganike.
2. Kur operatori dyshon për praninë e produkteve ose substancave të palejuara në prodhimin organik, në një produkt ushqimor, që përdoret ose tregtohet si organik ose në kalim:
a) identifikon dhe veçon produktin në fjalë;
b) kontrollon nëse dyshimi vertetohet, sipas procedurës së përcaktuar në pikën 6, të nenit 27, të këtij ligji;
c) nuk e vendos në treg produktin në fjalë, si produkt organik ose në kalim, dhe nuk e përdor atë në prodhimin organik, përveç kur dyshimi eliminohet;
ç) kur dyshimi është vërtetuar ose nuk eliminohet, njofton menjëherë trupën e kontrollit dhe i jep të dhënat që disponon, kur kërkohen;
d) bashkëpunon me trupën e kontrollit ose autoritetin kompetent përkatës të kontrollit zyrtar, për të identifikuar dhe për të verifikuar arsyet e pranisë së produkteve ose substancave të palejuara.
Neni 27
Masat e marra në rast të pranisë së produkteve ose substancave të palejuara
1. Kur trupa e kontrollit merr informacion të vërtetuar për praninë e produkteve ose substancave të palejuara në prodhimin organik ose është njoftuar nga një operator, në përputhje me shkronjën “ç”, të pikës 2, të nenit 26, ose zbulon produkte ose substanca të tilla në një produkt organik ose në kalim:
a) kryen menjëherë një hetim zyrtar për të përcaktuar burimin dhe shkakun e pranisë së tyre, brenda një periudhe të caktuar, duke marrë parasysh jetëgjatësinë e produktit dhe kompleksitetin e rastit;
b) në pritje të rezultateve të hetimit zyrtar ndalon përkohësisht vendosjen në treg të këtyre produkteve organike ose në kalim dhe përdorimin e tyre në prodhimin organik.
2. Produkti në fjalë ndalohet të tregtohet si produkt organik ose në kalim dhe ndalohet të përdoret në prodhimin organik, nëse trupa e kontrollit ose autoriteti kompetent përkatës i kontrollit zyrtar, që kryen hetimin zyrtar, ka përcaktuar se operatori:
a) ka përdorur produkte ose substanca të palejuara për t’u përdorur në prodhimin organik;
b) nuk ka marrë masat paraprake, të përcaktuara në pikën 1, të nenit 26;
c) nuk ka marrë masa në zbatim të kërkesave të mëparshme përkatëse nga trupa e kontrollit ose autoriteti kompetent përkatës i kontrollit zyrtar.
3. Operatorit në fjalë i jepet mundësia për të komentuar rezultatet e hetimit zyrtar të kryer.
4. Trupa e kontrollit ose autoriteti kompetent përkatës i kontrollit zyrtar, sipas rastit, mban të dhëna dhe shënime të dokumentuara për hetimin zyrtar të kryer.
5. Operatori merr masat korrigjuese të nevojshme për të shmangur ndotjet në të ardhmen.
6. Procedura, që ndiqet nga operatori në rast dyshimi për mospërputhje nga prania e produkteve ose substancave të palejuara dhe metodologjia për kryerjen e hetimit zyrtar nga trupa e kontrollit, përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
KREU IV
ETIKETIMI
Neni 28
Përdorimi i termave që i referohen prodhimit organik
1. Termat “organik”, “biologjik” ose “ekologjik” dhe shkurtimet, si “bio” ose “eko” kanë të njëjtin kuptim dhe përdoren të vetme ose të kombinuara në etiketim, reklamim ose dokumentet tregtare të produkteve, të përcaktuara në pikën 1, të nenit 2, të këtij ligji, nëse produkti, përbërësit e tij ose lëndët e para të ushqimit për kafshë të përdorura për prodhimin e tij janë prodhuar në përputhje me rregullat e përcaktuara në këtë ligj.
2. Për produktet e përcaktuara në fushën e këtij ligji, termat që i referohen prodhimit organik, nuk përdoren për etiketimin, reklamimin ose në dokumentet tregtare të një produkti, i cili nuk është në përputhje me këtë ligj.
3. Gjithashtu, termat që i referohen prodhimit organik nuk mund të përdoren si markë tregtare, emra të kompanisë, njësive të shitjes ose praktika të tjera të përdorura në etiketim ose reklamim, që mund të keqinformojnë ose të mashtrojnë konsumatorin ose përdoruesin, duke sugjeruar se një produkt ose përbërësit e tij plotësojnë kërkesat e përcaktuara në këtë ligj.
4. Produktet e prodhuara gjatë periudhës së kalimit nuk etiketohen ose reklamohen si produkte organike ose në kalim. Materiali mbjellës dhe shumëzues bimor, produktet ushqimore me origjinë bimore dhe ushqimet për kafshë me origjinë bimore, të prodhuara gjatë periudhës së kalimit, mund të etiketohen dhe të reklamohen si produkte në kalim, duke përdorur termin “në kalim”, bashkë me termat e përcaktuar në pikën 1, të këtij neni.
5. Termat e përcaktuar në pikat 1 dhe 4 nuk përdoren për një produkt për të cilin në etiketim ose reklamim tregohet se produkti përmban OMGJ, përbëhet nga OMGJ ose është prodhuar nga OMGJ-të.
Neni 29
Etiketimi i produkteve në kalim
1. Treguesit e përcaktuar në pikën 4, të nenit 28, për produktet në kalim, me origjinë bimore, paraqiten:
a) me ngjyrë, madhësi dhe shkrim të tillë, që të mos jenë më të dukshëm se përshkrimi i shitjes së produktit dhe të gjithë treguesit të kenë të njëjtën madhësi shkrimi;
b) në të njëjtën fushëpamje me numrin e kodit të trupës së kontrollit, siç përcaktohet në shkronjën “a”, të pikës 1, të nenit 32, të këtij ligji.
2. Treguesi i numrit të kodit të trupës së kontrollit paraqitet në të njëjtën fushëpamje me logon kombëtare të prodhimit organik, kur përdoret në etiketim.
3. Treguesi i vendit ku janë kultivuar lëndët e para bujqësore, nga të cilat përbëhet produkti, siç përcaktohet në pikën 2, të nenit 32, të këtij ligji, vendoset poshtë numrit të kodit të trupës së kontrollit.
Neni 30
Etiketimi i ushqimeve organike të përpunuara
1. Për ushqimin e përpunuar, termat që i referohen metodës organike të prodhimit, të përcaktuar në pikën 1, të nenit 28, përdoren:
a) në përshkrimin e shitjes dhe në listën e përbërësve, kur një listë e tillë është e detyrueshme, në përputhje me legjislacionin në fuqi për etiketimin e ushqimit dhe informimin e konsumatorit, me kusht që:
i. ushqimet e përpunuara të jenë në përputhje me rregullat e përcaktuara në këtë ligj, në veçanti kërkesat e pikës 6, të nenit 16, të këtij ligji;
ii. të paktën 95% e peshës së përbërësve bujqësorë të produktit të jenë organikë; dhe
iii. sa i përket aromatizuesve, ato përdoren vetëm për substanca dhe preparate natyrale aromatizuese, të etiketuara në përputhje me legjislacionin në fuqi për aromatizuesit dhe të gjithë përbërësit aromatizues dhe bartësit e përbërësve aromatizues në aromatizuesin në fjalë të jenë organikë.
b) vetëm në listën e përbërësve, me kusht që:
i. më pak se 95% e peshës së përbërësve bujqësorë të produktit të jenë organikë dhe këta përbërës të jenë në përputhje me rregullat e prodhimit të përcaktuara në këtë ligj; dhe
ii. ushqimet e përpunuara të jenë në përputhje me regullat e prodhimit të përcaktuara në këtë ligj, në veçanti me kërkesat e pikës 6, të nenit 16, me përjashtim të rregullave për përdorimin e kufizuar të përbërësve bujqësore joorganikë.
c) në përshkrimin e shitjes dhe në listën e përbërësve, me kusht që:
i. përbërësi kryesor të jetë një produkt gjuetie ose peshkimi;
ii. termat që i referohen prodhimit organik, të përcaktuar në pikën 1, të nenit 28, lidhen qartë me një përbërës tjetër organik dhe të ndryshëm nga përbërësi kryesor;
iii. të gjithë përbërësit e tjerë bujqësorë të jenë organikë;
iv. ushqimet e përpunuara të jenë në përputhje me rregullat e prodhimit të përcaktuara në pikën 2, të nenit 16, të këtij ligji, dhe në veçanti në pikën 6, të nenit 16, me përjashtim të rregullave për përdorimin e kufizuar të përbërësve bujqësorë joorganikë.
2. Lista e përbërësve të përcaktuar në shkronjat “a”, “b” dhe “c”, të pikës 1, tregon se cilët përbërës janë organikë. Referencat për prodhimin organik vendosen vetëm për përbërësit organikë.
3. Lista e përbërësve të përcaktuar në shkronjat “b” dhe “c”, të pikës 1, përfshin një tregues të përqindjes totale të përbërësve organikë, në raport me sasinë totale të përbërësve bujqësorë.
4. Termat, që i referohen metodës organike të prodhimit, kur përdoren në listën e përbërësve të përcaktuar në shkronjat “a”, “b” dhe “c”, të pikës 1, dhe treguesi i përqindjes së përcaktuar në pikën 3, vendosen me ngjyrë, madhësi dhe shkrim të njëjtë me treguesit e tjerë në listën e përbërësve.
5. Për ushqimet e përpunuara për kafshë termat që i referohen metodës së prodhimit organik përdoren në përshkrimin e shitjes dhe në listën e përbërësve, me kusht që:
a) ushqimi i përpunuar për kafshë të jetë në përputhje me rregullat e prodhimit të përcaktuara në nenet 14, 15, dhe në pikën 3, të nenit 17, të këtij ligji;
b) të gjithë përbërësit me origjinë bujqësore, që përmbahen në ushqimin e përpunuar për kafshë të jenë organikë;
c) të paktën 95% e lëndës së thatë të produktit të jetë organik.
Neni 31
Etiketimi i produkteve dhe i substancave që përdoren në prodhimin bimor
Pavarësisht nga fusha e këtij ligji, produktet dhe substancat e përdorura në produktet për mbrojtjen e bimëve ose produktet plehëruese, përmirësues të tokës ose lëndë ushqyese, të miratuara për t’u përdorur në prodhimin organik, në përputhje me nenet 9 dhe 21, të këtij ligji, mund të mbartin një referencë që tregon që janë të lejuara të përdoren për prodhimin organik, në përputhje me këtë ligj.
Neni 32
Treguesit e detyrueshëm
1. Kur produktet mbartin termat që i referohen metodës organike të prodhimit, përfshirë produktet e etiketuara si produkte në kalim, duhet që:
a) në etiketim të vendoset emri dhe numri i kodit të trupës së kontrollit, subjekt i së cilës ka qënë operatori që ka kryer veprimin, procesin e fundit të prodhimit ose përgatitjes;
b) në ambalazhin e ushqimit të paraambalazhuar vendoset dukshëm logoja kombëtare e prodhimit organik, përveç rasteve të përcaktura në pikën 4, të nenit 28, dhe në shkronjat “b” dhe “c”, të pikës 1, të nenit 30.
2. Kur vendoset logoja kombëtare për prodhimin organik, në të njëjtën fushëpamje me të vendoset një tregues i vendit ku janë kultivuar lëndët e para bujqësore, nga të cilat përbëhet produkti, dhe, sipas rastit, në një nga format e mëposhtme:
a) “Bujqësi shqiptare”, kur lënda e parë bujqësore është kultivuar në Shqipëri;
b) “Bujqësi joshqiptare”, kur lënda e parë bujqësore është kultivuar në vende të tjera;
c) “Bujqësi shqiptare/joshqiptare”, kur një pjesë e lëndëve të para bujqësore është kultivuar në Shqipëri dhe pjesa tjetër në një vend tjetër.
3. Treguesi “Bujqësi” mund të zëvendësohet me “Akuakulturë” dhe treguesi “Shqiptare” dhe “Joshqiptare” mund të zëvendësohet ose të plotësohet me emrin e rajonit ose vendit, në rastin kur të gjitha lëndët e para bujqësore, nga të cilat përbëhet produkti janë kultivuar në atë rajon apo vend.
4. Për të treguar vendin ku janë kultivuar lëndët e para bujqësore, nga të cilat përbëhet produkti, nuk merren parasysh sasitë e vogla në peshë të përbërësve, kur sasia e përgjithshme e këtyre përbërësve nuk kalon 5 % të sasisë së përgjithshme në peshë të lëndëve të para me origjinë bujqësore.
5. Treguesi “Shqiptar” ose “Joshqiptar” nuk duhet të paraqitet me shkronja me ngjyrë, madhësi dhe stil, që e bëjnë më të dukshëm se përshkrimi për shitje i produktit.
6. Treguesit e detyrueshëm dhe logoja kombëtare kur përdoren vendosen në një vend të dukshëm, lehtësisht dhe qartësisht të lexueshëm dhe të mos fshihen.
Neni 33
Logo kombëtare e prodhimit organik
1. Logoja kombëtare e prodhimit organik përdoret në etiketimin, paraqitjen dhe reklamimin e produkteve të prodhuara në vend, të cilat plotësojnë kërkesat e përcaktuara në këtë ligj dhe që vendosen në tregun shqiptar.
2. Logoja kombëtare e prodhimit organik mund të përdoret edhe për qëllime informimi dhe edukimi lidhur me ekzistencën dhe reklamimin e vetë logos, me kusht që një përdorim i tillë të mos keqinformojë konsumatorin, lidhur me prodhimin organik të produkteve të veçanta që përdoren gjatë informimit dhe me kusht, që logoja të riprodhohet në përputhje me rregullat e përcaktuara në pikën 7, të këtij neni. Në këto raste nuk zbatohen kërkesat e pikës 2, të nenit 32, të këtij ligji.
3. Logoja kombëtare e prodhimit biologjk nuk përdoret për produktet organike të përpunuara, të përcaktuara në shkronjat “b” dhe “c”, të pikës 1, të nenit 30, dhe produktet në kalim.
4. Përdorimi i logos shqiptare të prodhimit organik është vullnetare për produktet e importuara nga shtetet anëtare të BE-së, si dhe nga vendet e treta. Kur kjo logo vendoset në etiketimin e produkteve të tilla, treguesi i vendit ku janë kultivuar lëndët e para bujqësore, nga të cilat përbëhet produkti, vendoset në etiketim.
5. Në etiketimin, paraqitjen dhe reklamën e produkteve organike mund të përdoren edhe logo të tjera private, në përputhje me këtë ligj.
6. Logoja evropiane për prodhimin organik mund të përdoret në etiketimin, paraqitjen dhe reklamimin e produkteve të importuara, të cilat plotësojnë kërkesat e përcaktuara në kreun VII, të këtij ligji.
7. Rregullat e hollësishme për përbërjen, paraqitjen, madhësinë dhe dizenjimin e logos kombëtare përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
KREU V
CERTIFIKIMI
Neni 34
Regjistrimi i aktivitetit
1. Përpara vendosjes në treg të çdo produkti organik, në kalim ose para periudhës së kalimit, operatori dhe grupi i operatorëve, të cilët prodhojnë, përgatisin, shpërndajnë ose ruajnë produkte organike ose në kalim, që importojnë ose eksportojnë apo vendosin në treg produkte të tilla, regjistrojnë aktivitetin e tij, në autoritetin kompetent, sipas fushës përkatëse për kontrollin zyrtar.
2. Aplikimi për regjistrimin e aktivitetit, sipas pikës 1, të këtij neni, paraqitet on-line nëpërmjet portalit qeveritar “e–Albania”.
3. Operatori ose grupi i operatorëve përcaktojnë në aplikimin për regjistrim trupën e kontrollit që do të verifikojë, nëse aktiviteti i tij është në përputhje me këtë ligj dhe që e pajis me certifikatë zyrtare.
4. Operatori, që shet produkte organike të paraambalazhuara direkt te konsumatori ose përdoruesi i fundit, përjashtohet nga detyrimi për regjistrim dhe për t’u pajisur me certifikatë zyrtare, me kusht që të mos:
a) prodhojë, përgatisë, ruajë, përveç rasteve të ruajtjes së këtyre produkteve të ambalazhuara në pikën e shitjes;
b) importojë produkte të tilla;
c) nënkontraktojë aktivitete të tilla te një operator tjetër.
5. Operatori, grupi i operatorëve dhe nënkontraktorët mbajnë të dhëna për aktivitetet që kryejnë, në përputhje me këtë ligj.
Neni 35
Nënkontraktimi i aktivitetit te palët e treta
1. Operatori ose grupi i operatorëve mund të nënkontraktojë një nga aktivitetet e tyre te palët e treta.
2. Operatori ose grupi i operatorëve dhe nënkontraktuesit duhet të regjistrojnë aktivitetin, përveç rastit kur operatori ose grupi i operatorëve kanë deklaruar në kërkesen për regjistrim se mbajnë përgjegjësi për prodhimin organik dhe nuk ia kanë transferuar nënkontraktuesit.
3. Trupa e kontrollit verifikon nëse aktivitetet e nënkontraktuara janë në përputhje me këtë ligj, në kuadër të kontrollit që kryen tek operatori ose grupi i operatorëve, të cilët kanë nënkontraktuar aktivitetet e tyre.
Neni 36
Menaxhimi i procesit të regjistrimit
1. Autoriteti kompetent përkatës për kontrollin zyrtar pranon aplikimet e paraqitura on-line në portalin unik qeveritar “e-Albania” dhe menaxhon procesin e regjistrimit të aktivitetit.
2. Autoriteti kompetent përkatës për kontrollin zyrtar mban bazën e të dhënave të operatorëve ose grup-operatorëve, që kanë regjistruar aktivitetin e tyre të përditësuar. Autoriteti kompetent përkatës për kontrollin zyrtar publikon listën e përditësuar me emrin dhe adresën e operatorit ose grup-operatorëve që kanë regjistruar aktivitetin e tyre, bashkë me informacionin për certifikatat zyrtare të lëshuara në faqen zyrtare. Publikimi i këtyre të dhënave kryhet në përputhje me legjislacionin në fuqi për mbrojtjen e të dhënave personale.
3. Autoriteti kompetent përkatës për kontrollin zyrtar siguron që çdo operator apo grup-operatorësh, të cilët përmbushin kërkesat e këtij ligji dhe që paguajnë një tarifë të arsyeshme, që mbulon koston e kontrolleve për certifikim, të përfshihet në sistemin organik të kontrollit.
4. Autoriteti kompetent përkatës i mbikëqyrjes, përcaktuar në pikën 1, të nenit 47, të këtij ligji, siguron që çdo trupë kontrolli publikon dhe përditëson në faqen e saj zyrtare tarifat për inspektimin dhe certifikimin e operatorëve dhe grup-operatorëve në sistemin e tyre të kontrollit.
5. Autoriteti kompetent përkatës për kontrollin zyrtar siguron që ministria dhe agjencia përgjegjëse për zhvillim bujqësor dhe rural të gjenerojnë informacione të përditësuara për operatorët ose grup-operatorët, që kanë regjistruar aktivitetin e tyre, sipas pikës 2, të këtij neni, nga sistemet elektronike të shërbimeve të tyre.
6. Procedura dhe formati i aplikimit për regjistrimin e aktivitetit të operatorit ose grup-operatorit, sipas nenit 34, të këtij ligji, miratohet me udhëzim të ministrit.
Neni 37
Pajisja me certifikatë zyrtare
1. Trupat e kontrollit pajisin me certifikatë zyrtare çdo operator ose grup-operatorësh që kanë regjistruar aktivitetin e tyre dhe janë në përputhje me kërkesat e këtij ligji.
2. Certifikata zyrtare:
a) lëshohet në format elektronik;
b) identifikon operatorin ose grupin e operatorëve, duke përfshirë listën e anëtarëve, kategorinë e produkteve që mbulon certifikata dhe periudhën e vlefshmërisë së saj;
c) vërteton që operatori ose grup-operatori, që ka regjistruar aktivitetin e tij, është në përputhje me këtë ligj;
ç) lëshohet në përputhje me modelin e përcaktuar në këtë nen.
3. Operatori dhe grupi i operatorëve, pavarësisht parashikimit në pikën 3, të nenit 34, nuk vendos në treg produktet e fushës së zbatimit të këtij ligji, si produkte organike ose produkte në kalim, pa regjistruar aktivitetin dhe pa pajisur me certifikatë zyrtare.
4. Një operator ose grup-operatorësh nuk ka të drejtë të pajiset me certifikatë nga më shumë se një trupë kontrolli për aktivitetet e kryera lidhur me të njëjtën kategori produktesh, përfshirë rastet kur operatori ose grupi i operatorëve kryejnë aktivetete në faza të ndryshme të prodhimit, përgatitjes dhe shpërndarjes.
5. Anëtarët e një grupi operatorësh nuk pajisen me certifikatë individuale për asnjë nga aktivitetet që mbulohen nga certifikimi i grupit të operatorëve, të cilit i përkasin.
6. Operatori verifikon certifikatat e operatorëve nga të cilët furnizohet.
7. Produktet organike që certifikohen klasifikohen në kategoritë, si më poshtë vijon:
a) Bimë dhe produkte me origjinë bimore të papërpunuara, përfshirë farat dhe materiale të tjera mbjellëse dhe shumëzuese bimore;
b) Kafshët dhe produktet shtazore të papërpunuara;
c) Algat dhe produktet e papërpunuara nga akuakultura;
ç) Produktet bujqësore të përpunuara, përfshirë produktet nga akuakultura, të cilat përdoren si ushqim;
d) Ushqimet për kafshë;
dh) Vera;
e) Produkte të tjera, të përcaktuara në shkronjën “ç”, të pikës 1, të nenit 2, të këtij ligji ose që nuk përfshihen në kategoritë e mësipërme.
8. Modeli i certifikatës zyrtare miratohet me udhëzim të ministrit.
Neni 38
Grupi i operatorëve
1. Çdo grup-operatorësh përbëhet vetëm nga anëtarë, të cilët janë fermerë ose operatorë, që prodhojnë alga ose specie të akuakulturës dhe që mund të kryejnë edhe përpunimin, përgatitjen ose vendosjen në treg të ushqimit ose ushqimit për kafshë.
2. Grupi i operatorëve përbëhet vetëm nga anëtarë:
a) me kosto individuale të certifikimit mbi 2% të xhiros ose vëllimit standard të prodhimit organik të secilit dhe xhiroja vjetore e prodhimit organik nuk është mbi 25,000 euro ose vëllimi standard i prodhimit organik të tyre nuk është mbi 15 000 euro në vit; ose
b) të cilët kanë ferma maksimumi:
i. 5 hektarë;
ii. 0.5 hektarë, në rastin e serave; ose
iii. 15 hektarë, vetëm në rastin e kullotave të përhershme.
c) që zotërojnë personalitet juridik, sipas ligjit.
3. Grupi i operatorëve përbëhet vetëm nga anëtarë, të cilët:
a) kryejnë aktivitet prodhues në zona gjeografike pranë njëri-tjetrit;
b) krijojnë një sistem të përbashkët tregtimi për produktet e prodhuara nga grupi;
c) krijojnë një sistem kontrolli të brendshëm, i cili përfshin procedura të dokumentuara të kontrollit të aktiviteteve, në bazë të të cilave një person ose një organ i identifikuar është përgjegjës për të verifikuar plotësimin e kërkesave të këtij ligji nga çdo anëtar i grupit.
4. Trupa e kontrollit i heq gjithë grupit certifikatën zyrtare, kur mangësitë në ngritjen apo funksionimin e sistemit të kontrollit të brendshëm, veçanërisht pamundësitë për të gjetur dhe për të adresuar mospërputhshmëritë tek anëtarët individualë të grupit të operatorëve, ndikojnë në integritetin e produkteve organike dhe në kalim.
5. Konsiderohen mangësi në ngritjen dhe funksionimin e sistemit të kontrollit të brendshëm:
a) prodhimi, përpunimi, përgatitja ose vendosja në treg e produkteve nga anëtarë ose njësi prodhimi të pezulluara ose të tërhequra;
b) vendosja në treg e produkteve, për të cilat menaxheri i sistemit të kontrollit të brendshëm ka ndaluar përdorimin e termave të prodhimit organik në etiketimin ose reklamën e tyre;
c) shtimi i anëtarëve të rinj në listën e anëtarëve ose ndryshimi i aktiviteteve të anëtarëve ekzistues, pa ndjekur procedurën e brendshme të miratimit;
ç) moskryerja e inspektimit fizik vjetor në vend të aktivitetit të një anëtari të grupit në një vit të caktuar;
d) mosraportimi i anëtarëve që janë pezulluar ose janë tërhequr nga lista e anëtarëve;
dh) ndryshime të mëdha në gjetjet midis inspektimeve të brendshme, të kryera nga inspektorët e sistemit të kontrollit të brendshëm dhe kontrolleve zyrtare të kryera nga trupa e kontrollit;
e) mangësi të mëdha në marrjen e masave të duhura ose zbatimit të masave të nevojshme, lidhur me mospërputhshmëritë e identifikuara nga inspektorët e sistemit të kontrollit të brendshëm ose nga trupa e kontrollit;
ë) numri i pamjaftueshëm i inspektorëve të sistemit të kontrollit të brendshëm ose kompetencat e pamjaftueshme të inspektorëve për llojin, strukturën, madhësinë, produktet, aktivitetet dhe produktin përfundimtar të prodhimit organik të grupit.
6. Rregulla të tjera, lidhur me përbërjen dhe funksionimin e grupit të operatorëve, miratohen me udhëzim të ministrit.
KREU VI
KONTROLLET ZYRTARE
Neni 39
Autoritetet kompetente
Autoritetet kompetente, që ushtrojnë kontrollet zyrtare, në zbatim të këtij ligji, janë:
a) Autoriteti përgjegjës për kontrollin zyrtar, lidhur me ushqimin dhe ushqimin për kafshë;
b) Autoriteti përgjegjës për kontrollin zyrtar në fermën bujqësore, blegtorale dhe akuakulturës, lidhur me shëndetin dhe mirëqenien e kafshëve dhe specieve të akuakulturës, si dhe shëndetin e bimëve dhe produkteve për mbrojtjen e bimëve.
Neni 40
Rregullat për kontrollet zyrtare
Rregullat që zbatohen për kontrollet zyrtare në të gjitha fazat e prodhimit, përgatitjes dhe shpërndarjes së produkteve organike, të prodhuara në përputhje me këtë ligj, përfshijnë:
a) rregullat e përgjithshme të përcaktuara në legjislacionin në fuqi për kontrollet zyrtare, përveç kur parashikohet ndryshe në këtë ligj;
b) rregullat e veçanta të përcaktuara në këtë kre.
Neni 41
Kontrollet zyrtare dhe veprimet që kryhen nga autoritetet kompetente dhe trupat e kontrollit
1. Kontrollet zyrtare, për verifikimin e përputhshmërisë me këtë ligj, përfshijnë:
a) zbatimin e masave parandaluese dhe paraprake, të përcaktuara në këtë ligj, në çdo fazë të prodhimit, përgatitjes dhe shpërndarjes nga operatorët. Verifikimi kryhet nga trupa e kontrollit ose autoriteti kompetent përkatës i kontrollit zyrtar;
b) verifikimin nga trupa e kontrollit ose autoriteti kompetent përkatës për kontrollin zyrtar të prodhimit primar në fermë e të dhënave, masave, procedurave ose ndërhyrjeve të kryera për të siguruar ndarjen e dukshme dhe efektive të njësive të prodhimit organik, në kalim dhe joorganik dhe të produkteve përkatëse të prodhuara nga këto njësi, si dhe verifikimin e substancave dhe produkteve të përdorura për njësitë e prodhimit organik, në kalim dhe joorganik, kur ferma përfshin njësi prodhimi joorganike ose në kalim. Një verifikim i tillë përfshin kontrollet në parcelat, për të cilat është miratuar një periudhë e mëparshme me efekt prapaveprues, si pjesë e periudhës së kalimit dhe kontrollet në njësitë e prodhimit joorganik;
c) kur produktet organike, në kalim dhe joorganike, vilen apo mblidhen njëkohësisht, përgatiten ose ruhen në të njëjtën njësi përgatitjeje, zonë apo mjedis apo transportohen tek operatorë ose njësi të tjera, verifikimi nga trupa e kontrollit ose autoritetet kompetente përkatës të kontrollit zyrtar:
i. i të dhënave të mbajtura dhe i masave, procedurave ose i zbatimit të masave për të siguruar se veprimet kryhen të ndara në hapësirë ose kohë;
ii. nëse janë zbatuar masat e duhura për pastrimin dhe masat për të parandaluar shkëmbimin e produkteve;
iii. nëse produktet organike dhe në kalim janë të identifikueshme dhe se produktet organike, në kalim dhe joorganike, magazinohen të ndara nga njëra-tjetra, në hapësirë ose kohë, para dhe pas proceseve të përgatitjes.
ç) verifikimin nga trupa e kontrollit i ngritjes dhe funksionimit të sistemit të kontrollit të brendshëm të grupit të operatorëve;
d) kur operatori është i përjashtuar nga detyrimi i regjistrimit, sipas pikës 3, të nenit 33, verifikimin nga autoriteti kompetent përkatës për kontrollin zyrtar në treg të ushqimit dhe ushqimit për kafshë, nëse kërkesat për këtë përjashtim plotësohen dhe verifikimin, nëse produktet e shitura nga këta operatorë plotësojnë kërkesat për përjashtim.
2. Në çdo rast, të gjithë operatorët dhe grupet e operatorëve, me përjashtim të atyre të përcaktuar në pikën 3, të nenit 34, i nënshtrohen kontrollit për verifikimim e përputhshmërisë me rregullat e këtij ligji, të paktën një herë në vit.
3. Verifikimi i përputhshmërisë përfshin një inspektim fizik në vend, me përjashtim të rasteve, kur:
a) nga kontrollet e mëparshme të operatorit ose grupit të operatorëve nuk janë konstatuar mospërputhje që ndikojnë në integritetin e produkteve organike ose në kalim, për të paktën tre vjet radhazi;
b) operatori ose grupi i operatorëve është vlerësuar që paraqet risk të ulët për mospërputhje, në bazë të rregullave të përgjithshme për kontrollet zyrtare dhe procedurës së përcaktuar në nenin 42, të këtij ligji. Në këto raste, periudha ndërmjet dy inspektimeve fizike në vend nuk duhet të jetë më shumë se 24 muaj.
4. Kontrollet zyrtare për verifikimin e përputhshmërisë me këtë ligj:
a) kryhen në përputhje me legjislacionin në fuqi për kontrollet zyrtare, duke siguruar që një përqindje minimale e të gjitha kontrolleve zyrtare të operatorëve ose grupeve të operatorëve kryhen pa paralajmërim;
b) sigurojnë që të kryhen kontrolle shtesë në një përqindje minimale ndaj atyre të përcaktuara në shkronjën “a”, të kësaj pike;
c) kryhen me marrjen e një numri minimal të mostrave, përfshirë analizat dhe testet, në përputhje me metodat dhe teknikat e kontrolleve zyrtare, të përcaktuara në legjislacionin në fuqi për kontrollin zyrtar;
ç) sigurojnë që një numër minimal i operatorëve, anëtarë të një grupi operatorësh, kontrollohen për verifikimin e përputhshmërisë.
5. Lëshimi ose rinovimi i certifikatës zyrtare bazohen në rezultatet e verifikimit të përputhshmërisë, sipas këtij neni.
6. Rregulla të hollësishme për kontrollin e produkteve organike përcaktohen me udhëzim të ministrit.
Neni 42
Vlerësimi i riskut për kryerjen e kontrollit zyrtar
Kontrollet zyrtare për verifikimin e përputhshmërisë me këtë ligj kryhen gjatë gjithë procesit në të gjitha fazat e prodhimit, përgatitjes dhe shpërndarjes në bazë të riskut për mospërputhshmëri, i cili përcaktohet, bazuar tek elementet e përcaktuara në rregullat e përgjithshme të kontrollit zyrtar dhe tek elementet në vijim:
a) Llojin, madhësinë dhe strukturën e operatorit dhe grupit të operatorëve;
b) Periudhën e kohës, gjatë së cilës operatori dhe grupi i operatorëve janë përfshirë në prodhimin organik, përgatitjen dhe shpërndarjen e tyre;
c) Rezultatet e mëparshme të kontrolleve të kryera, në përputhje me këtë nen;
ç) Kohën më të përshtatshme për aktivitetet e kryera;
d) Kategoritë e produkteve;
dh) Llojin, sasinë dhe vlerën e produkteve dhe zhvillimin e tyre në kohë;
e) Mundësinë e shkëmbimit ose kontaminimit të produkteve organike me produkte apo substanca të palejuara për t’u përdorur në prodhimin organik;
ë) Zbatimin e rregullave përjashtuese për operatorët dhe grupet e operatorëve;
f) Pikat kritike për mospërputhje dhe mundësinë për mospërputhje në çdo fazë të prodhimit, të përgatitjes dhe të shpërndarjes;
g) Aktivitetet e nënkontraktuara.
Neni 43
Dokumentimi i kontrolleve zyrtare
1. Për çdo kontroll zyrtar të kryer për të verifikuar përmbushjen e kërkesave të këtij ligji, trupa e kontrollit ose autoriteteti kompetent përkatës i kontrollit zyrtar harton një procesverbal apo raport me shkrim, siç përcaktohet në legjislacionin në fuqi për kontrollin zyrtar.
2. Procesverbali ose raporti i kontrollit mbahet me shkrim ose në formë elektronike dhe përmban:
a) një përshkrim të qëllimit të kontrolleve zyrtare;
b) metodat e aplikuara të kontrollit;
c) rezultatet e kontrolleve zyrtare;
ç) aty ku është e përshtatshme, masat që trupa e kontrollit ose autoriteti kompetent përkatës i kontrollit zyrtar kërkon që operatori të ndërmarrë.
3. Procesverbali ose raporti i kontrollit bashkëfirmoset nga operatori ose grupi i operatorëve, si konfirmim për marrjen e këtij raporti.
4. Gjatë mbikëqyrjes së trupave të kontrollit nga autoritetet mbikëqyrëse, të përcaktuara në pikën 1, të nenit 47, të këtij ligji, nuk lëshohet procesverbal ose raport kontrolli për operatorin ose grup-operatorin.
Neni 44
Masat që merren nga operatori dhe grupi i operatorëve
1. Operatori dhe grupi i operatorëve, përveç detyrimeve të përcaktuara në legjislacionin në fuqi për kontrollet zyrtare:
a) mban regjistrime dhe të dhëna që tregojnë përputhshmërinë me kërkesat e këtij ligji;
b) bën të gjitha deklaratat dhe komunikimet e tjera të nevojshme për kontrollet zyrtare;
c) merr masa dhe veprime të duhura për të siguruar përputhshmërinë me këtë ligj.
2. Operatori dhe grupi i operatorëve paraqet një deklaratë, e cila nënshkruhet dhe përditësohet kur është e nevojshme, lidhur me:
a) përshkrimin e plotë të njësisë së prodhimit organik ose në kalim dhe të aktiviteteve, që kryhen në përputhje me këtë ligj;
b) masat dhe veprimet përkatëse, që merren për të siguruar përputhshmërinë me këtë ligj;
c) marrjen përsipër:
i. të informimit me shkrim dhe pa vonesa të blerësve të produkteve dhe të shkëmbejë informacionet përkatëse me trupën e kontrollit, në rast se është vërtetuar një dyshim për mospërputhje, dyshimi për mospërputhje nuk eliminohet ose kur vërtetohet mospërputhja që prek integritetin organik të produkteve në fjalë;
ii. të pranimit të transferimit të dosjes së kontrollit në rastin e ndryshimit të trupës së kontrollit ose, në rastin e largimit ose tërheqjes nga prodhimi organik të ruajë për të paktën pesë vjet dosjen e kontrollit të kryer nga trupa e kontrollit;
iii. të informimit në mënyrë të menjëhershme të autoritetit kompetent, sipas fushës përkatëse për kontrollin zyrtar në rast të largimit ose tërheqjes nga sistemi i kontrollit të prodhimit organik;
iv. për të pranuar shkëmbimin e informacioneve me trupat e tjerë të kontrollit në rastin kur nënkontraktorët kontrollohen nga trupa të ndryshëm kontrolli.
3. Rregulla të hollësishme lidhur me të dhënat që duhet të mbahen nga operatorët dhe grupi i operatorëve, deklaratat dhe komunikimet e tjera, të nevojshme për kontrollet zyrtare, miratohen me udhëzim të ministrit.
Neni 45
Trupa e kontrollit
1. Trupa e kontrollit, me qëllim verifikimin e plotësimit të rregullave të përcaktuara në këtë ligj, kryen detyrat e mëposhtme:
a) Kontrollin zyrtar të specializuar, me qëllim certifikimin e operatorit dhe grup-operatorëve në sistemin e tyre të kontrollit për certifikimin organik dhe aktiviteteve të tjera të lidhura me to;
b) Miratimin e përjashtimit për përdorimin e materialit mbjellës dhe shumëzues bimor, në kalim dhe joorganik, në prodhimin organik.
2. Aplikimi për miratimin dhe rinovimin e miratimit të trupave të kontrollit, që certifikojnë sipas këtij ligji, dhe aplikimi për njoftim nga trupat që veprojnë sipas standarteve të tjera kryhet on-line nëpërmjet portalit qeveritar “e-Albania”.
3. Trupa e kontrollit miratohet për kryerjen e detyrave të caktuara në këtë ligj, vetëm nëse plotëson kushtet për ushtrimin e detyrave të kontrollit zyrtar, të përcaktuara në legjislacionin për kontrollin zyrtar, dhe në veçanti, kur:
a) është e regjistruar në regjistrin tregtar, në përputhje me ligjin për regjistrimin e aktivitetit tregtar;
b) ka procedurën e vlerësimit të riskut, e cila përcakton bazën për intensitetin dhe shpeshtësinë e verifikimit të përputhshmërisë së operatorit dhe grupit të operatorëve, e cila përcaktohet në nenin 42, të këtij ligji;
c) ka një procedurë standarde të kontrollit, e cila përmban një përshkrim të detajuar të masave të kontrollit, që trupa e kontrollit ndërmerr ndaj operatorëve nën kontrollin e saj;
ç) ka një listë masash që janë në përputhje me katalogun e përbashkët të masave të përcaktuara në pikën 3, të nenit 51, të këtij ligji, që merren për operatorin dhe grupin e operatorëve, në rastet e mospërputhjeve të dyshuara ose vertetuara;
d) ka një përshkrim të qartë për monitorimin efektiv të detyrave të caktuara për kontrollin zyrtar dhe aktivitete të tjera zyrtare, që trupa e kontrollit kryen në lidhje me operatorin dhe grupin e operatorëve, si dhe raportimin për kryerjen e tyre.
dh) është e akredituar si trupë certifikuese e produkteve organike për fushën e këtij ligji, në përputhje me standardet e harmonizuara për akreditimin.
4. Shqyrtimi i kërkesës së trupave të kontrollit, sipas pikës 2, të këtij neni, kryhet në sistemin elektronik për shërbimet e ministrisë përgjegjëse për bujqësinë.
5. Trupa e kontrollit njofton ministrinë për ndryshimet e elementeve të përcaktuara në shkronjat “a” deri në “dh”, të pikës 2, të këtij neni.
6. Miratimi ose refuzimi i kërkesës për miratim të trupës së kontrollit bëhet me urdhër të ministrit.
7. Trupa e kontrollit, që vepron në Shqipëri sipas standardeve të tjera ndërkombëtare për prodhimin organik, njofton aktivitetin e saj në ministri.
8. Në përjashtim nga legjislacioni në fuqi për kontrollin zyrtar, ministria i cakton një trupe kontrolli detyrat në lidhje me masat që merren në rast të konstatimit të mospërputhjeve, sipas katalogut të përbashkët të masave, të përcaktuar në pikën 3, të nenit 51, të këtij ligji.
9. Trupat e kontrollit nuk kryen detyrat lidhur me:
a) mbikëqyrjen dhe auditimin e trupave të tjera të kontrollit;
b) kompetencat për të miratuar përjashtimet nga rregullat e prodhimit, përveç përjashtimit për përdorimin e materialit mbjellës dhe shumëzues bimor joorganik;
c) pranimin e kërkesave për regjistrim të aktivitetit të operatorëve ose grup-operatorëve;
ç) vlerësimin e mundësisë së ndodhjes së mospërputhjeve me kërkesat e këtij ligji që përcaktojnë shpeshtësinë e kontrolleve fizike në pikat e inspektimit kufitar të ngarkesave të produkteve organike para lëshimit për vendosje në treg;
d) hartimin e katalogut të përbashkët të masave, të përcaktuara në pikën 3, të nenit 51, të këtij ligji.
10. Kushtet e tjera dhe procedurat për miratimin e trupave të kontrollit dhe njoftimin e aktivitetit nga trupat e kontrollit që veprojnë në Shqipëri, sipas standardeve të tjera për prodhimin organik, miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
11. Tarifat për miratimin e trupave të kontrollit dhe njoftimin e aktivitetit nga trupat e kontrollit, që veprojnë në Shqipëri, sipas standardeve të tjera për prodhimin organik, miratohen me udhëzim të ministrit.
Neni 46
Komisioni për Prodhimin Organik
1. Në ministri ngrihet dhe funksionon Komisioni për Prodhimin Organik (në vijim KPO), i cili propozon miratimin, rinovimin, shfuqizimin e miratimit të trupave të kontrollit që certifikojnë operatorët organikë dhe produktet organike, sipas kërkesave të këtij ligji, si dhe kryen detyra të tjera, sipas këtij ligji.
2. Kundër vendimit të KPO-së dhe/ose urdhrit të ministrit, trupa e kontrollit ka të drejtën e ankimimit, sipas rrregullave të parashikuara në Kodin e Procedurave Administrative.
3. KPO-ja është përgjegjëse për shqyrtimin e ankesave ndaj masave administrative të vendosura ndaj operatorit, grup-operatorëve dhe trupës së kontrollit nga autoritetet kompetente të kontrollit zyrtar.
4. Përbërja, funksionimi dhe organizimi i Komisionit për Prodhimin Organik përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
5. Shpërblimi për pjesëmarrje në mbledhje për anëtarët e KPO-së përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave.
Neni 47
Mbikëqyrja e trupave të kontrollit
1. Autoriteti kompetent për kontrollin zyrtar të ushqimit dhe ushqimit për kafshë, në bashkëpunim me autoritetin kompetent të kontrollit zyrtar të prodhimit primar, në fermë bujqësore ose në akuakulturë, kryen mbikëqyrjen e trupave të kontrollit dhe i raporton KPO-së.
2. Komisioni vlerëson raportin e paraqitur, sipas pikës 1, të këtij neni, dhe vendos lidhur me aktivitetin e trupës së kontrollit.
3. Autoritetet mbikëqyrëse, të përcaktuara në pikën 1, të këtij neni, zbatojnë procedura dhe masa për të siguruar mbikëqyrjen e trupave të kontrollit, të miratuar për të verifikuar nëse detyrat e caktuara kryhen në mënyrë efektive, të pavarur dhe objektive, kryesisht për intensitetin dhe shpeshtësisë e kontrolleve zyrtare për verifikimin e përputhshmërisë me kërkesat e këtij ligji.
4. Mbikëqyerja e trupave të kontrollit, në zbatim të kërkesave të legjislacionit për kontrollin zyrtar dhe të këtij ligji, kryhet të paktën një herë në vit, duke shmangur mbivendosjen me mbikëqyerjen nga organizmi akreditues.
5. Informacionet e marra nga trupat e kontrollit dhe masat e zbatuara prej tyre, në rast mospërputhjeje të konstatuar ose të dyshuar, përdoren për të mbikëqyrur aktivitetet e këtyre trupave të kontrollit.
Neni 48
Pezullimi i trupave të kontrollit
1. Ministri mund të pezullojë plotësisht ose pjesërisht miratimin e trupës së kontrollit:
a) për një periudhë jo më shumë se 12 muaj, gjatë së cilës trupa e kontrollit duhet të korrigjojë mangësitë e gjetura gjatë auditimeve dhe inspektimeve ose të adresojë mospërputhjet për të cilat janë informuar trupat e tjera të kontrollit, autoritetet kompetente të kontrollit zyrtar dhe ministria, në përputhje me nenin 53, të këtij ligji; ose
b) për periudhën, gjatë së cilës akreditimi, në përputhje me legjislacionin në fuqi për kontrollin zyrtar, është pezulluar.
2. Kur pezullohet miratimi, trupa e kontrollit nuk lëshon certifikata zyrtare për pjesën e fushës së pezulluar. Ministri, në bazë të propozimit të KPO-së, vendos për vlefshmërinë e certifikatave të lëshuara nga trupa e kontrollit, përpara datës së këtij pezullimi dhe informon operatorët për vendimin.
3. Pa prekur detyrimet, sipas legjislacionit në fuqi për kontrollin zyrtar, ministri heq pezullimin e miratimit të trupës së kontrollit, kur trupa e kontrollit korrigjon mangësitë ose mospërputhjet e dyshuara ose menjëherë pas heqjes së pezullimit të akreditimit nga organi i akreditimit.
4. Kur një trupë kontrolli, e miratuar nga ministri, është njohur edhe nga Komisioni Evropian për të certifikuar operatorët organikë në Shqipëri, sipas standardeve të tjera ndërkombëtare dhe i është hequr njohja, autoriteti i mbikëqyrjes, i përcaktuar në pikën 1, të nenit 47, organizon auditime ose inspektime të aktivitetit të kësaj trupe kontrolli, në përputhje me legjislacionin për kontrollin zyrtar.
Neni 49
Shfuqizimi i miratimit të trupave të kontrollit
1. Ministri, me propozimin e KPO-së, shfuqizon plotësisht ose pjesërisht miratimin e trupave të kontrollit, në rastin kur është hequr plotësisht statusi i akreditimit ose i është reduktuar akreditimi për aktivitetin e mbuluar nga ky ligj, si dhe në rastet e parashikuara në legjislacionin në fuqi për kontrollin zyrtar.
2. Kur ministri ka shfuqizuar tërësisht ose pjesërisht miratimin e trupave të kontrollit, në përputhje me legjislacionin në fuqi për kontrollin zyrtar, ministri vendos edhe për vlefshmërinë e certifikatave të lëshuara nga trupat e kontrollit, përpara datës së këtij shfuqizimi dhe i njofton operatorët për këtë vendim.
Neni 50
Informacionet që paraqiten nga trupa e kontrollit
1. Trupa e kontrollit e miratuar, përveç detyrimeve sipas legjislacionit në fuqi për kontrollin zyrtar, paraqet në ministri dhe tek autoriteti kompetent përkatës i kontrollit zyrtar:
a) listën e operatorëve në sistemin e saj të kontrollit, brenda datës 31 janar të çdo viti, për vitin paraardhës;
b) të gjithë informacionin statistikor në lidhje me operatorët organikë nën kontrollin e saj, deri më 1 mars të çdo viti dhe sa herë kërkohet;
c) deri më 1 mars të çdo viti raportin vjetor për kontrollet zyrtare të kryera gjatë vitit paraardhës.
2. Modeli dhe përmbajtja e raportit vjetor për prodhimin organik miratohen me udhëzim të ministrit.
Neni 51
Masat në rast të mospërputhjeve të dyshuara
1. Kur trupa e kontrollit ose një autoritet kompetent përkatës i kontrollit zyrtar dyshon ose merr informacion, përfshirë informacionin nga autoritete kompetente ose trupa kontrolli të tjera, se një operator përdor ose vendos në treg një produkt, i cili nuk është në përputhje me rregullat e përcaktuara në këtë ligj, por përmban terma, të cilat i referohen prodhimit organik ose informohen nga një operator për një dyshim për mospërputhje:
a) kryen menjëherë një hetim zyrtar për të verifikuar përputhshmërinë me këtë ligj. Ky hetim përfundon sa më shpejt të jetë e mundur, duke marrë parasysh jetëgjatësinë e produktit dhe kompleksitetin e rastit;
b) ndalon përkohësisht vendosjen në treg të produkteve me referencë organike ose në kalim dhe përdorimin e tyre në prodhimin organik, në pritje të rezultateve të hetimit zyrtar, siç përcaktohet në shkronjën “a”, të kësaj pike. Para marrjes së një vendimi të tillë, trupa e kontrollit ose autoriteti kompetent përkatës i kontrollit zyrtar i jep operatorit mundësinë për të paraqitur mendimin e tij.
2. Në rast se rezultatet e hetimit zyrtar nuk tregojnë ndonjë mospërputhje, që ndikon në integritetin e produkteve organike ose në kalim, operatori lejohet t’i përdorë këto produkte ose t’i vendosë në treg si produkte organike ose në kalim.
3. Rregullat e hollësishme për hartimin e katalogut të përbashkët të masave dhe formati i tij miratohen me udhëzim të ministrit.
Neni 52
Masat në rast të mospërputhjeve që prekin integritetin organik
1. Në rast të mospërputhjeve që prekin integritetin e produkteve organike ose në kalim në çdo fazë të prodhimit, përgatitjes dhe shpërndarjes, si rasti i përdorimit të produkteve, substancave ose teknikave të palejuara në prodhimin organik ose shkëmbimit të produkteve organike me ato joorganike, trupa e kontrollit, përveç masave të marra në rast të mospërputhjeve të konstatuara, sipas legjislacionit në fuqi për kontrollin zyrtar, sigurojnë që në etiketimin dhe reklamimin e gjithë lotit të prodhimit në fjalë ose prodhimit në proces, nuk vendoset asnjë referencë për prodhimin organik.
2. Në rast të një mospërputhjeje serioze që prek integritetin organik, të përsëritur në vazhdimësi, trupa e kontrollit dhe autoriteti kompeternt përkatës për kontrollin zyrtar sigurojnë që përveç masave të përcaktuara në pikën 1, të këtij neni, operatori ose grupi i operatorëve ndalohen të tregtojnë produkte me terma të prodhimit organik për një periudhë të caktuar dhe certifikata zyrtare e tyre pezullohet ose revokohet, sipas rastit.
Neni 53
Rregulla për shkëmbimin e informacionit
1. Përveç detyrimit të përcaktuar në legjislacionin në fuqi për kontrollet zyrtare, autoritetet kompetente të kontrollit zyrtar dhe trupat e kontrollit shkëmbejnë menjëherë informacionin midis tyre, me ministrinë dhe me autoritetet kompetente të vendeve të tjera, për një dyshim për mospërputhje, që prek integritetin e produkteve organike ose në kalim.
2. Në rastet kur dyshohet ose konstatohet mospërputhje në produktet që kontrollohen nga një trup tjetër kontrolli, atëherë trupa e kontrollit njofton menjëherë trupën tjetër. Trupat e kontrollit shkëmbejnë midis tyre edhe informacione të tjera përkatëse.
3. Me marrjen e një kërkese për informacion, e cila justifikohet nga nevoja për të siguruar se një produkt është prodhuar në përputhje me këtë ligj, trupat e kontrollit shkëmbejnë informacion për rezultatet e kontrolleve të kryera me autoritetin kompetent përkatës të kontrollit zyrtar dhe ministrinë.
4. Autoritetet e mbikëqyrjes së trupave të kontrollit, të përcaktuara në pikën 1, të nenit 47, të këtij ligji, dhe organizmi i akreditimit shkëmbejnë midis tyre informacionet për auditimet e kryera, statuset e miratimit dhe akreditimit të trupave të kontrollit dhe çdo informacion tjetër që mund të ndikojnë në miratimin ose akreditimin.
5. Autoritetet kompetente të kontrollit zyrtar dhe trupat e kontrollit sigurojnë që informacionet për rezultatet e kontrolleve t’i komunikohen agjencisë së pagesave, në përputhje me nevojat e saj.
6. Autoritetet kompetente të kontrollit zyrtar, të përcaktuara në nenin 39, të këtij ligji, paraqesin në ministri:
a) deri më 31 janar të çdo viti, listën e operatorëve organikë, të regjistruar gjatë vitit paraardhës;
b) deri më 1 mars të çdo viti, raportin vjetor për kontrollet zyrtare, të kryera sipas fushës së përgjegjësisë, mospërputhjet e konstatuara, masat e sanksionet e marra dhe përjashtimet nga rregullat e prodhimit të miratuara gjatë vitit paraardhës dhe çdo informacion tjetër kur kërkohet nga ministria.
KREU VII
RREGULLAT E TREGTIMIT ME VENDET E TJERA
Neni 54
Eksporti i produkteve organike
1. Një produkt eksportohet nga Shqipëria si produkt organik, nëse plotëson kushtet e vendit ku eksportohet.
2. Një produkt eksportohet dhe mund të mbajë logon kombëtare për prodhimin organik, nëse plotëson rregullat e përcaktuara në këtë ligj.
3. Eksportuesi duhet të regjistrojë aktivitetin, në përputhje me pikën 1, të nenit 34, të këtij ligji.
Neni 55
Kushtet e importit të produkteve organike dhe në kalim
1. Një produkt importohet nga një vend anëtar i BE-së ose një vend i tretë për t’u vendosur në tregun shqiptar, si produkt organik ose në kalim, me kusht që:
a) produkti përfshihet në fushën e zbatimit të këtij ligji;
b) përmbush një nga kushtet e mëposhtme:
i. Produkti vjen nga një vend anëtar i BE-së dhe shoqërohet me certifikatën e operatorit organik, e cila konfirmon se produkti është në përputhje me rregullat e BE-së për prodhimin organik;
ii. Produkti vjen nga një vend i tretë dhe është në përputhje me kërkesat e përcaktuara në krerët II, III, IV dhe V, të këtij ligji, dhe të gjithë operatorët dhe grupet e operatorëve, përfshirë eksportuesit në vendin e tretë, i janë nënshtruar kontrolleve nga trupat e kontrollit ose autoritetet e kontrollit të njohura nga Komisioni Evropian, si të përputhura për importin e produkteve organike në BE dhe këto trupa kontrolli kanë pajisur të gjithë këta operatorë, grupe të operatorëve dhe eksportues me një certifikatë, ku vërtetohet se ata janë në përputhje me rregullat e BE-së për prodhimin organik dhe ngarkesa shoqërohet me certifikatën e operatorit organik;
iii. Në rastet kur produkti vjen nga një vend i tretë, i cili është njohur si ekuivalent ose në përputhje me marrëveshje tregtare me BE-në për importin e produkteve organike në Bashkimin Evropian dhe produkti përputhet me rregullat e prodhimit dhe kontrollit të atij vendi të tretë, të cilat janë në përputhje me këtë ligj dhe shoqërohet me certifikatën e operatorit organik, të lëshuar nga autoritetet kompetente, autoritetet e kontrollit ose trupat e kontrollit të vendit të tretë;
iv. Në rastet kur produkti vjen nga një vend i tretë, i cili është i njohur si në përputhje nga Shqipëria, nëpërmjet një marrëveshjeje tregtare, që ka një sistem prodhimi organik, i cili plotëson të njëjtët objektiva e parime dhe zbaton rregulla që sigurojnë të njëjtin nivel përputhshmërie me këtë ligj.
2. Operatorët e vendeve anëtare të BE-së ose të një vendi të tretë i japin në çdo kohë importuesve, autoriteteve kompetente në Shqipëri dhe të vendeve të treta informacionet për identifikimin e furnizuesve të tyre dhe të autoriteteve të kontrollit ose trupave të kontrollit të furnizuesve të tyre, në mënyrë që të sigurohet gjurmueshmëria e produktit organik ose në kalim. Këto informacione u vihen në dispozicion edhe trupave të kontrollit të importuesve.
Neni 56
Kontrolli i produkteve të importuara
1. Kontrolli i përputhshmërisë me kushtet dhe masat për importin e produkteve organike dhe në kalim kryhet nga autoriteti kompetent për kontrollin zyrtar në pikat e inspektimit kufitar dhe Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, në përputhje me kërkesat e legjislacionit në fuqi për kontrollin zyrtar në pikat e inspektimit kufitar.
2. Frekuenca e kontrolleve fizike të produkteve, të importuara sipas legjislacionit në fuqi për kontrollet zyrtare, varet nga niveli i riskut për mospërputhje me rregullat e këtij ligji.
3. Drejtoria e Përgjithshme e Doganave paraqet në ministri një raport vjetor për produktet organike të eksportuara dhe të importuara, deri më 1 mars të çdo viti, për vitin paraardhës. Raporti përmban vendin ku eksportohet ose importohet, emrin e eksportuesit ose importuesit, kategorinë, sasinë dhe vlerën e produkteve organike të eksportuara dhe të importuara.
4. Rregulla të hollësishme lidhur me kushtet, masat dhe kontrollet e ngarkesave të produkteve organike ose në kalim të importuara përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
KREU VIII
KUNDËRVAJTJET ADMINISTRATIVE
Neni 57
Kundërvajtjet administrative dhe sanksionet ndaj operatorëve organikë
1. Trupa e kontrollit ushtron kontroll, në përputhje me katalogun e masave të përcaktuara në pikën 3, të nenit 51, të këtij ligji.
2. Në rast të përsëritjes së shkeljeve, pas vendosjes së masave nga trupa e kontrollit, sipas pikës 1, të këtij neni, dhe për aq sa nuk përbëjnë vepër penale, konsiderohen kundërvajtje administrative dhe jepen dënimet administrative nga autoritetet kompetente përkatëse të kontrollit zyrtar, në përputhje me ligjin e posaçëm për inspektimin, si më poshtë vijon:
a) Paralajmërim me shkrim;
b) Urdhërimi i operatorit organik për të korrigjuar shkeljet e konstatuara e për të eliminuar pasojat e tyre;
c) Dënimi me gjobë.
3. Në rastin e dënimit me gjobë nga autoritetet kompetente përkatëse të kontrollit zyrtar, sipas shkronjës “c”, të pikës 2, të këtij neni, vendosen dënimet administrative të mëposhtme:
a) Përdorimi i rrezatimit jonizues, në kundërshtim me pikën 6, të nenit 9, të këtij ligji, dënohet me gjobë, në masën 150 000 deri në 200 000 lekë;
b) Përdorimi i klonimit të kafshëve dhe rritja e kafshëve poliploide të induktuara artificialisht, në kundërshtim me pikën 7, të nenit 9, të këtij ligji, dënohet me gjobë, në masën 150 000 deri në 200 000 lekë;
c) Mosrespektimi i një prej kërkesave, sipas pikës 13, të nenit 9, të këtij ligji, dënohet me gjobë, në masën 30 000 lekë. Mosrespektimi i më shumë se një prej kërkesave, sipas pikës 13, të nenit 9, të këtij ligji, dënohet me gjobë, në masën 50 000 lekë;
ç) Tregtimi i produkteve të prodhuara gjatë periudhës së kalimit, si produkte organike ose në kalim, në kundërshtim me pikën 4, të nenit 10, të këtij ligji, dënohet me gjobë, në masën 50 000 lekë;
d) Tregtimi i produkteve në kalim, pa u plotësuar kushtet e shkronjës “a”, të pikës 4, të nenit 10, të këtij ligji, dënohet me gjobë, në masën 10 000 lekë;
dh) Tregtimi i produkteve në kalim, pa u plotësuar kushtet e shkronjës “b”, të pikës 4, të nenit 10, të këtij ligji, dënohet me gjobë, në masën 30 000 lekë;
e) Përdorimi i OMGJ-ve dhe produkteve të prodhuara nga ose me OMGJ, në kundërshtim me pikën 1, të nenit 11, të këtij ligji, dënohet me gjobë, në masën masën 150 000 deri në 200 000 lekë;
ë) Ushtrimi i aktivitetit të prodhimit blegtoral organik pa tokë, kur fermeri nuk administron ose disponon tokë bujqësore, në kundërshtim me pikën 2, të nenit 14, të këtij ligji, dënohet me gjobë, në masën 50 000 deri në 100 000 lekë;
f) Shkelja e rregullave të veçanta të prodhimit, të parashikuara në nenet 13 deri në 18, të këtij ligji, përveç rasteve përjashtimore, sipas këtij ligji, dënohen me gjobë, në masën 30 000 deri në 50 000 lekë;
g) Mosmarrja e masave për të parandaluar çdo përzierje ose shkëmbim të mundshëm midis produkteve organike, në kalim dhe joorganike, në kundërshtim me pikën 2, të nenit 20, të këtij ligji, dënohet me gjobë, në masën 50 000 deri në 100 000 lekë;
gj) Përdorimi në prodhimin organik i produkteve të palejuara, në kundërshtim me pikën 4, të nenit 21, të këtij ligji, dënohet me gjobë, në masën 100 000 lekë;
h) Përdorimi në prodhimin organik i PMB-së dhe produkteve plehëruese të pamiratuara, në kundërshtim me pikën 6, të nenit 21, të këtij ligji, dënohet me gjobë, në masën 50 000 lekë;
i) Përdorimi në prodhimin organik i produkteve të palejuara, në kundërshtim me pikën 3, të nenit 22, të këtij ligji, dënohet me gjobë, në masën 100 000 lekë;
j) Përdorimi në prodhimin organik i produkteve të palejuara, në kundërshtim me nenin 23, të këtij ligji, dënohet me gjobë, në masën 50 000 lekë;
k) Mosrespektimi i një prej kërkesave, sipas pikës 1, të nenit 26, të këtij ligji, dënohet me gjobë, në masën 30 000 lekë. Mosrespektimi i më shumë se një prej kërkesave, sipas pikës 1, të nenit 27 të këtij ligji, dënohet me gjobë, në masën 50 000 lekë;
l) Vendosja në treg si produkt organik ose në kalim dhe përdorimi në prodhimin organik i produkteve për të cilat është konstatuar që në prodhimin e tyre janë përdorur produkte dhe substanca të palejuara në prodhimin organik, në kundërshtim me shkronjën “a”, të pikës 2, të nenit 27, të këtij ligji, dënohet me gjobë, në masën 100 000 lekë;
ll) Vendosja në treg si produkt organik ose në kalim dhe përdorimi në prodhimin organik i produkteve nga operatori që nuk ka marrë masat paraprake, të përcaktuara në pikën 1, të nenit 26, dhe nuk ka marrë masa në zbatim të gjetjeve të lëna nga autoriteti kompetent ose trupa e kontrollit, në kundërshtim me shkronjat “b” dhe “c”, të pikës 2, të nenit 27, të këtij ligji, dënohet me gjobë, në masën 100 000 lekë;
m) Mosmarrja e masave korrigjuese të nevojshme për të shmangur ndotjet në të ardhmen, në kundërshtim me pikën 5, të nenit 27, të këtij ligji, dënohet me gjobë, në masën 50 000 lekë;
n) Përdorimi i termave “organik”, “biologjik”, “bio”, “eko” për etiketimin, reklamimin ose në dokumentet tregtare të një produkti të përcaktuar në fushën e këtij ligji, por që nuk plotëson kërkesat e këtij ligji, në kundërshtim me pikën 2, të nenit 28, të këtij ligji, dënohet me gjobë, në masën 100 000 lekë;
nj) Përdorimi i termave “organik”, “biologjik”, “bio”, “eko”, si markë tregtare, emra të kompanisë ose njësive të shitjes apo praktika të tjera të përdorura në etiketim ose reklamim, që keqinformojnë ose mashtrojnë konsumatorin, duke sugjeruar se një produkt ose përbërësit e tij plotësojnë kërkesat e përcaktuara në këtë ligj, në kundërshtim me pikën 3, të nenit 28, të këtij ligji, dënohet me gjobë, në masën 50 000 deri në 100 000 lekë;
o) Etiketimi ose reklamimi si produkte organike ose në kalim i produkteve të prodhuara gjatë periudhës së kalimit, në kundërshtim me pikën 4, të nenit 28, të këtij ligji, dënohet me gjobë, në masën 50 000 lekë;
p) Mungesa e vendosjes së përbërësve organikë në listën e përbërësve të përcaktuar në shkronjat “a’, “b” dhe “c”, të pikës 1, të nenit 30, të këtij ligji, dënohet me gjobë, në masën 10 000 lekë;
q) Mungesa e vendosjes në etiketim i emrit dhe numrit të kodit të trupës së kontrollit, subjekt i së cilës ka qenë operatori që ka kryer veprimin, procesin e fundit të prodhimit ose përgatitjes, në kundërshtim me shkronjën “a”, të pikës 1, të nenit 32, të këtij ligji, dënohet me gjobë, në masën 30 000 lekë;
r) Mungesa e vendosjes së logos kombëtare, në kundërshtim me shkronjën “b”, të pikës 1, të nenit 32, dhe me pikën 1, të nenit 33, të këtij ligji, dënohet me gjobë, në masën masën 30 000 lekë;
rr) Përdorimi i logos kombëtare për prodhimin biologjk, në kundërshtim me pikën 3, të nenit 33, të këtij ligji, dënohet me gjobë, në masën 50 000 lekë;
s) Mungesa e vendosjes në etiketim të treguesit të vendit ku janë kultivuar lëndët e para bujqësore, nga të cilat përbëhet produkti, kur përdoret logoja shqiptare e prodhimit organik për produktet e importuara, në kundërshtim me pikën 4, të nenit 33, të këtij ligji, dënohet me gjobë, në masën 30 000 lekë;
sh) Vendosja në treg e produkteve të fushës së zbatimit të këtij ligji, si produkte organike ose produkte në kalim nga operatorët dhe grupet e operatorëve, pa regjistruar aktivitetin ose pa certifikatë zyrtare, në kundërshtim me pikën 3, të nenit 37, të këtij ligji, dënohet me gjobë, në masën 50 000 deri në 100 000 lekë;
t) Mosngritja e sistemit të kontrollit të brendshëm nga grupi i operatorëve dhe moscaktimi i personit ose organit përgjegjës për të verifikuar plotësimin e kërkesave të këtij ligji nga çdo anëtar i grupit, në kundërshtim me shkronjën “c”, të pikës 3, të nenit 38, të këtij ligji, dënohet me gjobë, në masën 50 000 lekë;
th) Mosrespektimi i një prej kërkesave, sipas pikës 1, të nenit 44, të këtij ligji, dënohet me gjobë, në masën 30 000 lekë. Mosrespektimi i më shumë se një prej kërkesave, sipas pikës 1, të nenit 44, të këtij ligji, dënohet me gjobë, në masën 50 000 lekë.
4. Procedurat e konstatimit, shqyrtimit dhe ekzekutimit të kundërvajtjeve administrative janë ato të parashikuara në ligjin për kundërvajtjet administrative.
Neni 58
Kundërvajtjet administrative dhe sanksionet ndaj trupave të kontrollit
1. Veprimet dhe mosveprimet, në përputhje me këtë ligj, nga ana e trupave të kontrollit, të miratuara dhe për aq sa nuk përbëjnë vepër penale, konsiderohen kundërvajtje administrative dhe jepen dënimet administrative nga autoritetet kompetente përkatëse të kontrollit zyrtar, në përputhje me ligjin e posaçëm për inspektimin, si më poshtë vijon:
a) Paralajmërim me shkrim;
b) Urdhërimi i trupës së kontrollit për të korrigjuar shkeljet e konstatuara e për të eliminuar pasojat e tyre;
c) Dënimi me gjobë.
2. Në rastin e dënimit me gjobë nga autoritetet kompetente të kontrollit zyrtar sipas shkronjës “c”, të pikës 1, të këtij neni, vendosen dënimet administrative të mëposhtme:
a) Lëshimi i certifikatës zyrtare për operatorin ose grupin e operatorëve, në kundërshtim me pikën 1, të nenit 37, të këtij ligji, dënohet me gjobë, në masën 100 000 deri në 200 000 lekë;
b) Kur gjatë mbikëqyrjes konstatohet mungesa e përmbushjes dhe zbatimit të kushteve të miratimit, në kundërshtim me kushtet e përcaktuara në pikën 3, të nenit 45, të këtij ligji, trupa e kontrollit dënohet me gjobë, në masën 50 000 lekë;
c) Kur gjatë mbikëqyrjes konstatohet mungesa e përmbushjes dhe zbatimit të kushteve të miratimit, në kundërshtim me më shumë se një nga kushtet e pikës 3, të nenit 45, të këtij ligji, trupa e kontrollit dënohet me gjobë, në masën 100 000 lekë;
ç) Mungesa e njoftimit për ndryshimet e elementeve, për të cilat është miratuar një trupë kontrolli, në kundërshtim me pikën 5, të nenit 45, të këtij ligji, dënohet me gjobë, në masën 30 000 lekë;
d) Lëshimi i certifikatave zyrtare për pjesën e fushës së pezulluar, në kundërshtim me pikën 2, të nenit 48, dënohet me gjobë, në masën 200 000 lekë;
dh) Lejimi i vendosjes në treg të produkteve me referencë organike ose në kalim dhe përdorimi i tyre në prodhimin organik, përpara daljes së rezultateve të hetimit zyrtar, në kundërshtim me shkronjën “b”, të pikës 1, të nenit 51, të këtij ligji, dënohet me gjobë, në masën 50 000 lekë;
e) Mosparaqitja rregullisht e informacioneve nga trupat e kontrollit, në kundërshtim me pikën 1, të nenit 50, të këtij ligji, dënohet me gjobë, në masën 30 000 lekë;
ë) Mosmarrja e masave nga trupa e kontrollit, në rast të mospërputhjeve që prekin integritetin organik, në kundërshtim me nenin 52, të këtij ligji, dënohet me gjobë, në masën 100 000 lekë;
f) Shkelja e rregullave për shkëmbimin e informacionit nga trupa e kontrollit, në kundërshtim me nenin 53, të këtij ligji, dënohet me gjobë, në masën 30 000 lekë.
3. Procedurat e konstatimit, shqyrtimit dhe ekzekutimit të kundërvajtjeve administrative janë ato të parashikuara në ligjin për kundërvajtjet administrative.
Neni 59
Përgjegjësia administrative
1. Çdo operator dhe grup-operatorësh mbajnë përgjegjësi administrative për shkeljet administrative, të parashikuara në pikën 3, të nenit 57, të këtij ligji.
2. Trupa e kontrollit e miratur mban përgjegjësi administrative për shkeljet administrative, të parashikuara në pikën 2, të nenit 58, të këtij ligji.
Neni 60
Ankimi i sanksioneve administrative
Trupa e kontrollit ose operatori ose grupi i operatorëve, ndaj të cilit është vendosur sanksioni administrativ, brenda 30 ditëve kalendarike nga data e marrjes së njoftimit, mund të bëjë ankim në ministri, sipas rregullave të parashikuara në Kodin e Procedurave Administrative.
KREU IX
DISPOZITA KALIMTARE DHE TË FUNDIT
Neni 61
Aktet nënligjore
1. Ngarkohet Këshilli i Ministrave për nxjerrjen e akteve nënligjore, të parashikuara në nenet, 27, pika 6, 33, pika 7, 45, pika 10, 46, pika 4, dhe 56, pika 4, të këtij ligji, brenda 3 vjetëve nga hyrja në fuqi e këtij ligji.
2. Ngarkohet ministri për miratimin e akteve nënligjore, të parashikuara në nenet 2, pika 1, shkronja “ç”, 10, pika 5, 11, pika 5, 12, pika 7, 13, pika 10, 14, pika 3, 15, pika 5, 16, pika 6, 17, pika 3, 18, pika 4, 19, pika 5, 20, pika 4, 21, pika 4, 22, pika 3, 24, pika 6, 36 pika 6, 37, pika 8, 38, pika 6, 41, pika 6, 44, pika 3, 45, pika 11, 50, pika 2, dhe 51, pika 3, të këtij ligji, brenda 3 vjetëve nga hyrja në fuqi e këtij ligji.
Neni 62
Dispozita kalimtare
1. KPB-ja, e ngritur dhe e organizuar në përputhje me parashikimet e ligjit nr.106/2016, “Për prodhimin biologjik, etiketimin e produkteve biologjike dhe kontrollin e tyre”, vazhdon veprimtarinë deri në ngritjen dhe organizimin e KPO-së, sipas parashikimeve të këtij ligji.
2. Trupat e kontrollit ndjekin procedurat e miratimit pranë KPB-së, sipas parashikimeve të ligjit nr.106/2016, “Për prodhimin biologjik, etiketimin e produkteve biologjike dhe kontrollin e tyre”, deri në miratimin e aktit nënligjor, të përcaktuar në pikën 10, të nenit 45, të këtij ligji.
Neni 63
Shfuqizime
1. Ligji nr.106/2016, “Për prodhimin biologjik, etiketimin e produkteve biologjike dhe kontrollin e tyre”, shfuqizohet me hyrjen në fuqi të këtij ligji.
2. Aktet nënligjore të nxjerra në zbatim të ligjit nr.106/2016, “Për prodhimin biologjik, etiketimin e produkteve biologjike dhe kontrollin e tyre”, për aq sa nuk bien në kundërshtim me parashikimet e këtij ligji, zbatohen deri në nxjerrjen e akteve të reja nënligjore, sipas këtij ligji.
Neni 64
Hyrja në fuqi
Ky ligj hyn në fuqi 2 vjet pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E T A R I
ELISA SPIROPALI
###
V E N D I M
PËR
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR PRODHIMIN ORGANIK, ETIKETIMIN E PRODUKTEVE ORGANIKE DHE KONTROLLIN E TYRE”
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Propozimin e projektligjit “Për prodhimin organik, etiketimin e produkteve organike dhe kontrollin e tyre”, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR RATIFIKIMIN E LETRËS SË PJESËMARRJES SË KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË NE MEMORANDUMIN E MIRËKUPTIMIT PËR QENDRËN EVROPIANE TË EKSELENCËS KUNDËR KËRCËNIMEVE HIBRIDE”
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, dhe të nenit 17, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Propozimin e projektligjit “Për ratifikimin e letrës së pjesëmarrjes së Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë në memorandumin e mirëkuptimit për Qendrën Evropiane të Ekselencës kundër Kërcënimeve Hibride”, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
###
P R O J E K T L I GJ
PËR
RATIFIKIMIN E LETRËS SË PJESËMARRJES SË KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË NË MEMORANDUMIN E MIRËKUPTIMIT PËR QENDRËN EVROPIANE TË EKSELENCËS KUNDËR KËRCËNIMEVE HIBRIDE
Në mbështetje të neneve 78, 83, pika 1, dhe 121, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I:
Neni 1
Ratifikimin e letrës së pjesëmarrjes së Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë në memorandumin e mirëkuptimit për Qendrën Evropiane të Ekselencës kundër Kërcënimeve Hibride, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij ligji.
Neni 2
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E T A R I
ELISA SPIROPALI
***
V E N D I M
PËR
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR NJË SHTESË NË LIGJIN NR.43/2016, “PËR MARRËVESHJET NDËRKOMBËTARE NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË””
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Propozimin e projektligjit “Për një shtesë në ligjin nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë””, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
###
P R O J E K T L I GJ
PËR
NJË SHTESË NË LIGJIN NR.43/2016, “PËR MARRËVESHJET NDËRKOMBËTARE NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË”
Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I:
Neni 1
Në nenin 25, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, pas pikës 4 shtohet pika 5, me këtë përmbajtje:
“5. Në rastet kur mënyra e zbatimit të detyrimeve të palës shqiptare në nivel të brendshëm nuk është rregulluar nga vetë marrëveshja bazë apo marrëveshjet zbatuese dhe as nuk buron nga tërësia e rregullimeve të legjislacionit në fuqi, rregullat për mënyrën e zbatimit të këtyre detyrimeve për palën shqiptare përcaktohen rast pas rasti me vendim të Këshillit të Ministrave ose me udhëzim të titullarit të institucionit zbatues të marrëveshjes, në varësi të përmbajtjes së çështjes, që do të rregullohet.” .
Neni 2
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E T A R I
ELISA SPIROPALI