Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Projektligje të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 1 Qershor 2022:

 

P R O J E K T L I GJ
PËR

DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË LIGJIN NR.13/2015, “PËR POLICINË USHTARAKE NË FORCAT E ARMATOSURA TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË”

Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë

V E N D O S I:

Në ligjin nr.13/2015 bëhen këto ndryshime dhe shtesa:

Neni 1

Në nenin 2, fjalët “… mbrojtja e pronës …” zëvendësohen me “… mbështetja për mbrojtjen e pronës dhe të pasurisë …”.

Neni 2

Në nenin 3, pas fjalës “… shërbim … ”, shtohet “…, stërvitje …”.

Neni 3

Në nenin 4, pas fjalës “… specializuar …”, shtohen fjalët “… për veprimet policore …”.

Neni 4

Në nenin 7, pas fjalëve “… me veprimet …”, shtohen “… ose mosveprimet …”.

Neni 5

Në nenin 10, pika 4 shfuqizohet.

Neni 6

Në nenin 11 bëhen ndryshimet, si më poshtë vijon:

1. Emërtimi i nenit 11, “Seksioni i Policisë Gjyqësore”, zëvendësohet me “Shërbimi i Policisë Gjyqësore”.

2. Në pikën 1, të nenit 11, fjalia “Seksioni i Policisë Gjyqësore është seksioni përgjegjës, i cili ushtron detyrat e saj në përputhje me legjislacionin në fuqi për organizimin dhe funksionimin e Policisë Gjyqësore.” zëvendësohet me “Shërbimi i Policisë Gjyqësore në Policinë Ushtarake është struktura përgjegjëse, e cila ushtron detyrat e saj në përputhje me legjislacionin në fuqi për organizimin dhe funksionimin e Policisë Gjyqësore dhe Kodin e Procedurës Penale.”.

Neni 7

Pas nenit 11, shtohet neni 11/1, me këtë përmbajtje:

“Neni 11/1

Subjektet që ushtrojnë funksionet e Policisë Gjyqësore në Policinë Ushtarake janë:

a) oficerët e Policisë Gjyqësore në Policinë Ushtarake, drejtuesit dhe inspektorët e strukturave në Policinë Kriminale, në Qarkullimin Rrugor dhe Mbrojtjen nga Zjarri dhe Shpëtimin, që përmbushin kriteret sipas ligjit;
b) agjentët e Policisë Gjyqësore në Policinë Ushtarake, agjentët e strukturave në Policinë Kriminale, specialistët në strukturën e Qarkullimit Rrugor dhe në Inspektoratin e Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimin.”.

Neni 8

Pas shkronjës “c”, të nenit 21, shtohet shkronja “ç”, me këtë përmbajtje:

“ç) për të dhënë deklarime për rrethanat e ngjarjes, sipas parashikimeve në Kodin e Procedurës Penale.”.

Neni 9

Në shkronjën “b”, të pikës 1, të nenit 29, pas fjalës “… të ndaluar …”, shtohen fjalët “…, si dhe referon në Policinë e Shtetit …”.

Neni 10

Në nenin 33 bëhen ndryshimet, si më poshtë vijon:

a) Në shkronjën “f”, fjalët “… mbron pronën shtetërore në administrim dhe përdorim të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë nga veprimtari të kundërligjshme;” zëvendësohen me “… mbështet mbrojtjen e pronës dhe të pasurisë shtetërore në administrim e në përdorim të Ministrisë së Mbrojtjes dhe të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë nga veprimtari të kundërligjshme;”;
b) Në shkronjën “k”, pas fjalëve “… personalitete të larta ushtarake …”, shtohen “ … dhe civile …”;
c) Shkronja “n” ndryshohet dhe bëhet:

“n) kontrollon masat parandaluese, jep asistencë teknike e ndërhyn për forcimin e masave dhe zbatimin e legjislacionit në fuqi për mbrojtjen nga zjarri;”.

Neni 11

Pas pikës 3, të nenit 36, shtohet pika 4, me këtë përmbajtje:

“4. Oficerët e Policisë Gjyqësore në Policinë Ushtarake dhe persona të tjerë që gëzojnë atributet e OPGJ-së, sipas përcaktimeve ligjore në fuqi të ngarkuara nga prokurori me hetimin e procedimeve penale, zbatojnë rregullat e legjislacionit në fuqi për ndalimin e publikimit të akteve, që dokumentojnë veprimtarinë procedurale penale dhe çdo informacion tjetër që rrjedh prej tyre.”.

Neni 12

Në fund të pikës 1, të nenit 38, shtohet paragrafi, si më poshtë vijon:

“Trajnimi fillestar i punonjësit të shërbimit në Policinë Ushtarake, që plotëson kriteret ligjore për pranimin në shërbimin e Policisë Gjyqësore dhe trajnimi vazhdues i tyre kryhen në zbatim të ligjit për organizimin e funksionimin e Policisë Gjyqësore.”.

Neni 13

Në nenin 39 bëhen ndryshimet e mëposhtme:

1. Në titullin e nenit, fjala “etika …” zëvendësohet me fjalët “rregullorja e brendshme e funksionimit …”;

2. Pika 1, e nenit, ndryshon dhe bëhet:

“1. Gjatë përmbushjes së detyrave të caktuara me ligj, punonjësi i Policisë Ushtarake zbaton rregulloren e brendshme të funksionimit të Policisë Ushtarake, të miratuar me urdhër të ministrit të Mbrojtjes.”.

Neni 14

Në pikën 3, të nenit 41, fjalët “… në masën e gjysmës së pagës mujore …” ndryshohen dhe bëhen “… në masën e një page mujore …”.

Neni 15
Aktet nënligjore

Ngarkohet ministri i Mbrojtjes për nxjerrjen e aktit nënligjor, në zbatim të pikës 2, të nenit 13, të këtij ligji, brenda 6 (gjashtë) muajve nga hyrja në fuqi e tij.

Neni 16

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E T A R I
LINDITA NIKOLLA

###

V E N D I M
PËR

PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË LIGJIN NR.13/2015, “PËR POLICINË USHTARAKE NË FORCAT E ARMATOSURA TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË””

Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Propozimin e projektligjit “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.13/2015, “Për Policinë Ushtarake në Forcat e Armatosura të Republikën e Shqipërisë””, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ARBEN AHMETAJ 

 

 

*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.