Projektligje të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 10 Maj 2019:
P R O J E K T L I GJ
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË LIGJIN NR.10 006, DATË 23.10.2008, “PËR MBROJTJEN E FAUNËS SË EGËR”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I:
Në ligjin nr.10 006, datë 23.10.2008, “Për mbrojtjen e faunës së egër”, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
Neni 1
Emërtimi i ligjit ndryshohet dhe bëhet “Për mbrojtjen dhe konservimin e faunës së egër”.
Neni 2
1. Kudo në ligj, përjashtuar nenin 45, në të cilin përcaktohet ndryshe, emërtimet “Agjencia e Mjedisit dhe Pyjeve”, “Policia Pyjore” dhe “Drejtoria e Shërbimit Pyjor” zëvendësohen, përkatësisht, me “agjencia përgjegjëse për monitorimin e mjedisit”, “struktura inspektuese, që mbulon fushën e pyjeve”, dhe “struktura përgjegjëse për pyjet dhe kullotat në bashki”.
2. Kudo në ligj, fjalët “… ligji nr.8405, datë 17.9.1998, “Për substancat dhe preparatet kimike”…”, zëvendësohen me “… legjislacionin në fuqi për menaxhimin e kimikateve …”; fjalët “… ligji nr.9537, datë 18.5.2006, “Për administrimin e mbetjeve të rrezikshme”…”, zëvendësohen me “… legjislacionin në fuqi për menaxhimin e integruar të mbetjeve…”; fjalët “… ligji nr.8906, datë 6.6.2002, “Për zonat e mbrojtura”, të ndryshuar…”, zëvendësohen me “… legjislacionin në fuqi për zonat e mbrojtura…”; fjalët “… ligji nr.7908, datë 5.4.1995, “Për peshkimin dhe akuakulturën”, të ndryshuar…”, zëvendësohen me “… legjislacionin në fuqi për peshkimin dhe akuakulturën…”.
Neni 3
Në nenin 1 bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
1. Pika 1 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“1. Ky ligj ka për qëllim konservimin e faunës së egër, mbrojtjen, menaxhimin dhe kontrollin e saj, me synimin për të siguruar llojet, popullatat, habitatet, ku kjo faunë e egër jeton, si dhe për të plotësuar kërkesat e saj për ushqim, strehim e shumim, duke siguruar, në të njëjtën kohë, edhe rrugët e saj të shtegtimit.”.
2. Pas pikës 2 shtohet pika 3, me këtë përmbajtje:
“3. Nëpërmjet këtij ligji synohet:
a) ruajtja ose rivendosja në gjendje të favorshme e habitateve natyrore dhe llojeve të faunës së egër, me interes për komunitetin evropian;
b) sigurimi i vlerësimit të gjendjes së biodiversitetit në Shqipëri dhe i mekanizmave për monitorimin e kësaj gjendjeje;
c) krijimi i një sistemi, me qëllim mbrojtjen dhe konservimin afatgjatë të karakteristikave që do të shërbejnë si bazë për përcaktimin e zonave potenciale për t’u shpallur zona të mbrojtura;
ç) sigurimi i një kuadri ligjor dhe institucional për përdorimin e qëndrueshëm të burimeve natyrore, për të mirën e brezave të sotëm e të ardhshëm, duke minimizuar degradimin e habitateve dhe shqetësimet ndaj llojeve, i cili të ndikojnë në arritjen e statusit të tyre të favorshëm të ruajtjes;
d) kontributi në konservimin e gjendjes natyrore të tokës, konservimin e cilësisë, sasisë dhe disponueshmërisë së ujit, mirëmbajtjen e atmosferës, prodhimin e oksigjenit dhe mirëmbajtjen e klimës.”.
Neni 4
Në nenin 2 bëhen këto shtesa:
1. Pas pikës 1 shtohet pika 1/1, si më poshtë vijon:
“1/1. “Konservim” është tërësia e masave të ndërmarra për të mirëmbajtur ose rivendosur për një afat të gjatë kohor, në një status të favorshëm ruajtjeje, habitatet natyrore dhe popullatat e llojeve të florës dhe faunës së egër.”.
2. Pas pikës 2 shtohen pikat 2/1 dhe 2/2, me këtë përmbajtje:
“2/1. “Zonë” është një zonë e përcaktuar gjeografike, shtrirja e së cilës përshkruhet me hollësi.
2/2. “Statusi i gjendjes së një lloji, ekosistemi, habitati apo peizazhi” është gjendja e popullatave të llojit, ekosistemit, habitatit ose peizazhit, që vjen nga tërësia e faktorëve që veprojnë mbi to.”.
3. Pas pikës 9 shtohet pika 9/1, si më poshtë vijon:
“9/1. “Status i favorshëm ruajtjeje për një lloj” është kur:
a) të dhënat dinamike të popullatës për një lloj me interes tregojnë që ai ngelet për një periudhë afatgjatë një përbërës i vlefshëm dhe i aftë i habitateve të tij natyrore;
b) përhapja natyrore e llojeve nuk është pakësuar dhe nuk ka gjasa të pakësohet në të ardhmen e afërt;
c) gjendet dhe, me shumë gjasa, do të vazhdojë të jetë një habitat i përshtatshëm, nga ana e përmasave, për të mbajtur popullatën për një kohë të gjatë.”.
4. Pas pikës 12 shtohet pika 12/1, me këtë përmbajtje:
“12/1. “Monitorimi” është mbikëqyrja e përcaktuar mirë dhe në mënyrë sistematike e gjendjes së natyrës ose përbërësve të diversitetit biologjik dhe të peizazhit.”.
5. Pas pikës 17 shtohet pika 18, si më poshtë vijon:
“18. “Komisioni” është Komisioni i Bashkimit Evropian.”.
Neni 5
Pas shkronjës “d”, të nenit 5, shtohet shkronja “dh”, si më poshtë vijon:
“dh) Mirëmbajtjen ose rivendosjen në një status të favorshëm ruajtjeje të habitateve natyrore dhe të llojeve të faunës së egër, me interes për komunitetin evropian.”.
Neni 6
Pika 1, e nenit 6, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“1. Sigurimi i rivendosjes e mirëmbajtjes së statusit të favorshëm të ruajtjes për faunën e egër dhe i mbrojtjes së veçantë për llojet e saj, në përputhje me gjendjen konkrete të llojeve e të habitateve ku jetojnë, duke u dhënë status të veçantë mbrojtjeje llojeve:
a) të kërcënuara dhe në rrezik zhdukjeje;
b) që kërkojnë vëmendje të veçantë, për arsye të natyrës specifike të habitatit të tyre.”.
Neni 7
Pas nenit 6 shtohet neni 6/1, si më poshtë vijon:
“Neni 6/1
Masat e mbrojtjes për zonat me interes për komunitetin evropian
1. Masat specifike të ruajtjes zbatohen në përputhje me planet e menaxhimit, planet zhvillimore dhe detyrimet ligjore ose kontraktuale, që korrespondojnë me kërkesat ekologjike të tipeve të habitatit natyror, pas shpalljes së një zone si zonë me interes për komunitetin evropian.
2. Çdo plan ose projekt që nuk lidhet drejtpërdrejt, por mund të ketë një ndikim të rëndësishëm në zonën me interes për komunitetin evropian, i nënshtrohet procesit të vlerësimit të ndikimit në mjedis. Autoritetet kompetente miratojnë planin ose projektin vetëm pasi të konstatohet, në raportin e vlerësimit të ndikimit për zonën dhe llojet, se ai nuk do të ndikojë negativisht në integritetin e zonës në fjalë dhe vetëm pas marrjes së mendimit të publikut të gjerë.
3. Në rastet kur një plan apo projekt duhet të realizohet për arsye të interesit publik, pavarësisht ndikimit negativ në zonën e llojet dhe në mungesë të zgjidhjeve alternative, miratohen masa kompensuese. Këto masa përcaktohen me urdhër të ministrit, me qëllim sigurimin e koherencës së përgjithshme të rrjetit të zonave me interes për komunitetin evropian. Komisioni informohet për masat kompensuese të miratuara.”.
Neni 8
Pas pikës 2, të nenin 7, shtohet pikat 3, me këtë përmbajtje:
“3. Ministria, në bashkëpunim me qeverisjen qendrore dhe njësitë e vetqeverisjes vendore, institute të specializuara, organizata jofitimprurëse dhe me persona fizikë e juridikë, harton planet e veprimit për ruajtjen e llojeve të kërcënuara dhe endemike. Planet miratohen me urdhër të ministrit.”.
Neni 9
Pas pikës 3, të nenin 8, shtohen pikat 4 e 5, si më poshtë vijon:
“4. Për ekosistemet, habitatet si dhe për llojet e faunës së egër me status mbrojtjeje, që ndodhen jashtë rrjetit përfaqësues të zonave të mbrojtura, në zona të caktuara mjedisore dhe në pyjet e kullotat në administrim të njësisë së qeverisjes vendore, hartohen plane menaxhimi, që miratohen me urdhër të ministrit.
5. Kriteret për hartimin e planeve të menaxhimit si dhe përcaktimin e ekosistemeve, të habitateve dhe llojeve të faunës së egër me status mbrojtjeje miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozimin e ministrit përgjegjës për mbrojtjen e faunës.”.
Neni 10
Titulli dhe pika 1, e nenit 10, ndryshohen, si më poshtë vijon:
“Neni 10
Mbrojtja nga lëndët, mbetjet e rrezikshme dhe shërbimet
1. Për të shmangur efektet e rënda negative mbi faunën e egër dhe tërësinë gjenetike të saj, mbi habitatet, rrugët e shtegtimit dhe kushtet e shumimit, përdorimi dhe administrimi i lëndëve dhe i mbetjeve të rrezikshme, i kimikateve bujqësore, veterinare dhe shërbimeve bëhen në përputhje me dispozitat e kuadrit ligjor në fuqi, që lidhet me substancat dhe preparatet kimike, administrimin e mbetjeve të rrezikshme, shërbimin e mbrojtjes së bimëve, shërbimin veterinar, si dhe duke marrë në konsideratë edhe çështjet specifike, që lidhen me parandalimin e helmimit të shpendëve shtegtarë, në përputhje me detyrimet e përcaktuara në marrëveshjet në të cilat vendi ynë është palë.”.
Neni 11
Pas pikës 3, të nenin 13, shtohet pika 4, me këtë përmbajtje:
“4. Masat e marra për të siguruar mbrojtjen e llojeve në vendet e ruajtjes, duke përfshirë mirëmbajtjen e popullatave të llojeve të përmendura në pikën 1, të këtij neni, në një nivel të përputhshëm me kërkesat ekologjike e shkencore, realizohen duke mbajtur parasysh edhe kërkesat ekonomike, sociale e kulturore, si dhe veçoritë rajonale e lokale.”.
Neni 12
Pika 1, e nenit 14, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“1. Për shpendët e egër, që gjenden në territorin e Republikës së Shqipërisë, si dhe për shpendët shtegtarë, ndërmerren masa me qëllim ruajtjen, mirëmbajtjen ose rivendosjen e një diversiteti dhe habitati të mjaftueshëm, nëpërmjet:
a) krijimit të zonave të mbrojtura mjedisore, sipas dispozitave të kuadrit ligjor për zonat e mbrojtura, dhe kuadrit nënligjor, që lidhet me miratimin e rregullave për shpalljen e zonave të veçanta të ruajtjes;
b) sigurimit dhe menaxhimit të habitateve, brenda dhe jashtë zonave të mbrojtura mjedisore, në bazë të nevojave ekologjike;
c) krijimit të biotopeve dhe rivendosjes së biotopeve të shkatërruara.”.
Neni 13
Pas pikës 9, të nenit 19, shtohet pika 10, me këtë përmbajtje:
“10. Përdorimi i karremeve helmuese për asgjësimin e llojeve të faunës së egër.”.
Neni 14
Pika 2, e nenit 33, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“2. Procesi i inventarizimit koordinohet dhe mbikëqyret nga ministria, me pjesëmarrjen e AKZM-së, strukturave përgjegjëse për pyjet dhe kullotat në bashki, instituteve kërkimore-shkencore, OJF-ve dhe të shoqatave që mbulojnë fushën e biodiversitetit.”.
Neni 15
Pas paragrafit të parë të nenit 35 shtohet paragrafi, si më poshtë vijon:
“Ministria koordinon dhe mbikëqyr monitorimin e llojeve të faunës së egër dhe të habitateve të tyre, përfshirë monitorimin e kapjeve apo vrasjeve aksidentale të llojeve të faunës me interes për komunitetin evropian, në përputhje me kuadrin nënligjor që lidhet me miratimin e listave të tipeve të habitateve natyrore, bimëve, kafshëve dhe shpendëve me interes për komunitetin evropian.”.
Neni 16
Pas nenit 35, shtohet neni 35/1, si më poshtë vijon:
“Neni 35/1
Këshilli Kombëtar i Faunës së Egër
1. Pranë ministrisë përgjegjëse për mbrojtjen e faunës ngrihet Këshilli Kombëtar për Faunën e Egër, si një organ konsultativ, për të kontribuar në lehtësimin e zbatimit të dispozitave të këtij ligji dhe të akteve të tjera nënligjore.
2. Këshilli Kombëtar për Faunën e Egër drejtohet nga zëvendësministri i ministrisë përgjegjëse për faunën e egër dhe në përbërje të tij ka përfaqësues nga:
a) ministria përgjegjëse për mbrojtjen e faunës;
b) ministritë e linjës, fusha e përgjegjësisë të së cilave lidhet me mbrojtjen e faunës;
c) organizatat jofitimprurëse mjedisore të fushës së faunës së egër dhe biodiversitetit;
ç) federatat dhe shoqatat e gjuetarëve;
d) universitetet dhe institucionet kërkimore-shkencore.
3. Këshilli Kombëtar për Faunën e Egër këshillon dhe kontribuon në hartimin e:
a) programit të inventarizimit të faunës së egër
b) programeve për zhvillimin e faunës së egër;
c) planeve vjetore të mbarështimit të faunës se egër;
ç) projekteve për zhvillimin e faunës së egër;
d) kalendarit të gjuetisë;
dh) listës së specieve objekt gjuetie, për çdo sezon gjuetie;
e) përcaktimin e kuotave vjetore për speciet objekt gjuetie.
4. Organizimi dhe funksionimi i Këshillit Kombëtar për Faunën e Egër përcaktohet në rregulloren e miratuar me urdhër të ministrit.”.
Neni 17
Pika 1, e nenit 37, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“1. Metodat, kriteret dhe procedurat për grumbullimin, regjistrimin dhe mbajtjen e të dhënave për faunën e egër miratohen me udhëzim të ministrit. Të dhënat duhet të përfshijnë edhe informacionin për aspektet sociale, ekonomike dhe mjedisore të kafshëve të egra dhe ndikimin mbi banorët lokalë. Personat fizikë e juridikë, publikë e privatë, paraqesin të dhënat brenda 30 ditëve, nga data e marrjes së kërkesës, të cilat shoqërohen edhe me shpjegime për interpretimin e tyre, si dhe me rekomandime për zgjidhjen e problemeve.”.
Neni 18
Në pikën 1, të nenit 39, pas fjalëve “… e faunës së egër …” shtohen “… dhe për statusin e saj të ruajtjes …”.
Neni 19
Pika 12, e nenit 43, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“12. Shfarosja e llojeve të faunës së egër dhe e popullatave të tyre, në kundërshtim me dispozitat e pikave 7 dhe 10, të nenit 19, të këtij ligji, me gjobë, në masën 100 000 deri në 200 000 lekë.”.
Neni 20
Pas pikës 2, të nenit 44, shtohet pika 3, me këtë përmbajtje:
“3. Individët e konfiskuar apo të sekuestruar dorëzohen në qendrat e shpëtimit.”.
Neni 21
Hyrja në fuqi
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E T A R I
GRAMOZ RUÇI
###
V E N D I M
PËR
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË LIGJIN NR.10 006, DATË 23.10.2008, “PËR MBROJTJEN E FAUNËS SË EGËR”, TË NDRYSHUAR”
Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Turizmit dhe Mjedisit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Propozimin e projektligjit “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.10 006, datë 23.10.2008, “Për mbrojtjen e faunës së egër”, të ndryshuar”, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
###
P R O J E K T L I GJ
PËR
RININË
Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I:
KREU I
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
Neni 1
Qëllimi
Ky ligj ka për qëllim përcaktimin e veprimtarive, të mekanizmave dhe të autoriteteve përgjegjëse për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të të rinjve në Republikën e Shqipërisë dhe të të rinjve shqiptarë në diasporë dhe financimin e veprimtarive rinore, në kuadër të së drejtës së të rinjve për mbrojtje të veçantë nga shteti, nëpërmjet:
a) mbrojtjes së të drejtave të të rinjve në mënyrë gjithëpërfshirëse;
b) përcaktimit të funksioneve dhe të kompetencave të institucioneve qendrore e vendore publike si dhe të rolit të organizatave që ushtrojnë veprimtari për dhe në fushën e rinisë;
c) krijimit të kushteve të nevojshme për aktivizimin, pjesëmarrjen dhe mbështetjen e të rinjve, për përmbushjen e potencialit të tyre në interes të shoqërisë.
Neni 2
Përkufizime
Në kuptim të këtij ligji, me termat e mëposhtëm nënkuptojmë:
a) “Dialog i strukturuar”, dialogu i hapur, transparent, afatgjatë, i vazhdueshëm dhe sistematik ndërmjet të rinjve e organizatave rinore dhe organizatave për të rinjtë, si dhe institucioneve në nivel qendror e vendor, që mbulojnë çështje të lidhura me të rinjtë.
b) “Edukimi joformal për të rinjtë”, çdo veprimtari e organizuar dhe e përshtatur për të rinjtë, jashtë sistemit formal të arsimit, i bazuar në nevojat dhe interesat e të rinjve, parimet e vullnetarizmit dhe pjesëmarrjes aktive të të rinjve në proceset e të nxënit, nëpërmjet të cilit fitojnë kompetenca të nevojshme për zhvillimin e potencialit personal, pjesëmarrjes aktive në shoqëri dhe aksesit në tregun e punës.
c) “Hapësira rinore e sigurt”, standardi që duhet përmbushur në hapësirat ku të rinjtë mblidhen, angazhohen në veprimtari që i përshtaten nevojave të tyre të shumëllojshme, marrin pjesë në procese vendimmarrëse dhe shprehin mendimet e tyre. Hapësirat rinore të sigurta përfshijnë hapësirat qytetare që i japin mundësi të rinjve të angazhohen në çështjet e qeverisjes, hapësirat publike që i japin mundësi të rinjve të marrin pjesë në veprimtari sportive, kulturore e argëtuese në komunitet, hapësirat digjitale që i ndihmojnë të rinjtë të ndërveprojnë virtualisht me të rinj të tjerë, brenda e jashtë vendit, dhe hapësira fizike të projektuara dhe të planifikuara për të plotësuar nevojat e shumëllojshme të të rinjve në përgjithësi e sidomos të atyre nga grupet vulnerabël ose të margjinalizuar.
ç) “Infrastrukturë rinore”, një hapësirë fizike, tokë, ndërtesë apo pjesë ndërtesë e projektuar dhe e planifikuar veçanërisht për të rinjtë dhe veprimtaritë rinore.
d) “Politikë rinore”, veprimtaria e qëndrueshme gjithëpërfshirëse e ndërmarrë nga ana e pushtetit qendror e vendor, organizatave rinore dhe shoqërive, që synojnë krijimin e kushteve të favorshme për zhvillimin personal të të rinjve dhe për pjesëmarrjen e tyre në jetën publike, sociale, ekonomike dhe kulturore, në nivel vendor dhe kombëtar, nëpërmjet veprimtarive që inkurajojnë zhvillimin e të rinjve në vend.
dh) “Punonjës rinor”, personi i përgatitur, që ka kryer trajnime të veçanta dhe/ose ka eksperiencë profesionale për të punuar me të rinjtë dhe zbatuar veprimtari rinore.
e) “Subjekt i politikave rinore”, çdo organ, institucion dhe strukturë, në nivel qendror e vendor, që brenda fushës së vet të veprimtarisë ushtron përgjegjësi që prekin të rinjtë dhe harton politika rinore, si dhe aktorë të tjerë që marrin pjesë në procesin e hartimit e të zbatimit të politikave rinore.
ë) “Subsidiaritet”, parimi i kryerjes së funksioneve dhe ushtrimit të kompetencave në një nivel qeverisjeje sa më pranë të rinjve.
f) “Të rinj”, personat që kanë mbushur moshën 15 vjeç deri në 29 vjeç.
g) “Organizatat rinore”, persona juridikë jofitimprurës, që kanë për qëllim përfaqësimin, mbrojtjen dhe zhvillimin e interesave të të rinjve në mënyrë gjithëpërfshirëse.
gj) “Organizatat për të rinjtë”, persona juridikë jofitimprurës që në fushën e veprimtarisë së tyre kanë për qëllim edhe mbrojtjen e zhvillimin e interesave të të rinjve.
Neni 3
Parimet për mbështetjen e veprimtarisë së të rinjve
Mbështetja dhe fuqizimi i të rinjve bazohet në parimet e mëposhtme:
a) Respektimin e të drejtave të të rinjve dhe mbështetjes me qëllim fuqizimin e tyre;
b) Barazinë në të drejta e mundësi;
c) Mosdiskriminimin;
ç) Garantimin e pjesëmarrjes së të rinjve në proceset politikëbërëse dhe vendimmarrëse në fushat e arsimit, kërkimit shkencor, politikave financiare, punësimit, vullnetarizmit, mbrojtjes e përfshirjes sociale, shëndetësisë, kulturës, sportit, mjedisit, turizmit, drejtësisë, punëve të brendshme e të jashtme, integrimit dhe të mbrojtjes;
d) Lirinë e organizimit, iniciativave rinore dhe të vetëqeverisjes së organizatave;
dh) Subsidiaritetin.
KREU II
RRJETI RINOR
Neni 4
Rrjeti rinor
1. Rrjeti rinor përbëhet nga institucionet dhe strukturat, në nivel qendror e vendor, që brenda fushës së vet të veprimtarisë ushtrojnë përgjegjësi në fushën e të drejtave e mbrojtjes së të rinjve, organizatat rinore dhe për të rinjtë, që veprojnë në nivel qendror dhe vendor.
2. Roli i këtyre aktorëve përcaktohet nga ky ligj, aktet e tij nënligjore dhe legjislacioni tjetër në fuqi që normon çështje të caktuara që lidhen me të rinjtë.
Neni 5
Ministria përgjegjëse për rininë
Ministria përgjegjëse për rininë ka këto kompetenca:
a) Harton dhe propozon politikat dhe veprimtaritë për rininë;
b) Planifikon buxhetin për financimin e veprimtarive në fushën e rinisë;
c) Harton dhe publikon raportet e vlerësimit mbi situatën e të rinjve;
ç) Monitoron zbatimin e politikave si dhe të veprimtarive rinore;
d) Miraton standardet për ndërtimin e hapësirave të sigurta dhe të aksesueshme për të rinjtë;
dh) Përfaqëson Republikën e Shqipërisë në nivelet dhe organizmat ndërkombëtarë për çështjet e rinisë;
e) Përmbush detyrimet e anëtarësimit dhe bashkërendon pjesëmarrjen në programe e projekte ndërkombëtare në fushën e rinisë;
ë) Bashkëpunon me njësitë e vetëqeverisjes vendore për politikat, projektet e programet në fushën e rinisë.
Neni 6
Institucionet e tjera qendrore
Institucionet e tjera qendrore, brenda fushës së veprimtarisë së tyre shtetërore, kanë për detyrë:
a) të hartojnë politika sektoriale, aktet ligjore e nënligjore të nevojshme për të drejtat e të rinjve, si dhe të kontribuojnë në hartimin e politikave dhe programeve ndërsektoriale, duke siguruar edhe marrjen e mendimit të të rinjve;
b) të parashikojnë në planet vjetore apo shumëvjeçare buxhetore fondet e nevojshme për përmbushjen progresive të të drejtave të të rinjve;
c) të bashkëpunojnë me institucionet përkatëse për të siguruar mbrojtjen e të drejtave të të rinjve.
Neni 7
Njësitë e vetëqeverisjes vendore
1. Njësitë e vetëqeverisjes vendore, në përputhje me funksionet e tyre, hartojnë dhe zbatojnë politikat vendore në fushën e rinisë, si dhe janë përgjegjëse për:
a) pasqyrimin dhe respektimin e të drejtave të të rinjve, duke përcaktuar objektivat dhe prioritetet, si dhe të garantojë zbatimin e tyre;
b) krijimin e këshillit vendor të rinisë;
c) organizimin dhe koordinimin e veprimtarive që synojnë arritjen e objektivave vendore në fushën e mbrojtjes dhe të fuqizimit të të rinjve;
ç) organizimin dhe ofrimin e shërbimeve për të mbështetur mirëqenien dhe zhvillimin e të rinjve;
d) nxitjen e vullnetarizmit të të rinjve dhe edukimin joformal të tyre;
dh) financimin e krijimit dhe të zhvillimit të infrastrukturës rinore dhe të hapësirave rinore të sigurta;
e) krijimin e strukturave administrative për çështjet e rinisë;
ë) parashikimin, në buxhetet e tyre, të fondeve për realizimin progresiv të të drejtave të të rinjve për zhvillimin e projekteve, programeve dhe veprimtarive rinore;
f) mbledhjen, analizimin dhe raportimin e të dhënave, në bashkëpunim me institucionet e tjera, për situatën e të drejtave të të rinjve në territorin e tyre.
2. Njësitë e vetëqeverisjes vendore mund të aplikojnë për t’u mbështetur nga programet kombëtare dhe ndërkombëtare për rininë, në përputhje me këtë ligj dhe aktet nënligjore në fuqi.
3. Njësitë e vetëqeverisjes vendore bashkëpunojnë me organizatat për të rinjtë e organizatat rinore shqiptare në diasporë, për të mbajtur komunikimin me të rinjtë shqiptarë që janë larguar nga vendi për arsye studimesh ose të tjera, me qëllim angazhimin në aktivitetet që zhvillohen në Republikën e Shqipërisë.
Neni 8
Institucioni përgjegjës për rininë
1. Institucioni përgjegjës për rininë është person juridik publik buxhetor, në varësi të ministrit përgjegjës për rininë, që financohet nga buxheti i shtetit dhe burime të tjera të ligjshme dhe ushtron veprimtarinë në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë.
2. Institucioni përgjegjës për rininë kryen këto funksione:
a) Zbaton politikat dhe programet për të rinjtë;
b) Organizon, administron, financon, koordinon dhe monitoron programet dhe projektet rinore;
c) Bashkëpunon me organizma, institucione, donatorë dhe subjekte të tjera, vendase e të huaja, për prezantimin dhe zbatimin e politikave, programeve dhe veprimtarive rinore;
ç) Mbështet ngritjen e kapaciteteve të njësive dhe strukturave në nivel qendror dhe vendor;
d) Krijon dhe mirëmban bazën e aksesueshme të të dhënave për rininë;
dh) Siguron financime, nëpërmjet aplikimit në projekte kombëtare dhe ndërkombëtare, të cilat i trashëgon në vitet pasardhëse buxhetore.
3. Mënyra e krijimit, organizimit dhe funksionimit të institucionit përgjegjës për rininë miratohet me vendim të Këshillit të Ministrave.
Neni 9
Këshilli Kombëtar i Rinisë
1. Këshilli Kombëtar i Rinisë është organ këshillimor, që krijohet dhe funksionon pranë ministrit përgjegjës për rininë, që merr pjesë në hartimin dhe zhvillimin e politikave dhe të veprimtarive në fushën e rinisë.
2. Këshilli Kombëtar i Rinisë kryesohet nga ministri përgjegjës për rininë dhe përbëhet nga 14 anëtarë.
3. Përcaktimi i anëtarëve si dhe mënyra e organizimit dhe e funksionimit të Këshillit Kombëtar të Rinisë, miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
Neni 10
Këshilli vendor i rinisë
1. Këshilli vendor i rinisë është organ këshillimor, që krijohet dhe funksionon pranë kryetarit të bashkisë, me qëllim konsultimin e planeve vendore, monitorimin e planeve e politikave rinore në nivel vendor dhe propozimin e nismave që i përshtaten nevojave të të rinjve në territorin ku ata veprojnë.
2. Këshilli vendor i rinisë kryesohet nga kryetari i bashkisë dhe përbëhet nga, të paktën, 4 anëtarë, me përfaqësi të barabartë nga strukturat rinore publike dhe jopublike që veprojnë në nivel vendor. Kriteret dhe procedurat e përzgjedhjes së anëtarëve të këshillit vendor të rinisë miratohen me vendim të këshillit bashkiak, referuar kritereve dhe procedurave të miratuara nga Këshilli i Ministrave për Këshillin Kombëtar të Rinisë.
Neni 11
Organizatat rinore
1. Organizatat rinore janë persona juridikë jofitimprurës, që krijohen, organizohen apo transformohen dhe funksionojnë në bazë të Kodit Civil të Republikës së Shqipërisë dhe të legjislacionit në fuqi për organizatat jofitimprurëse.
2. Një organizatë konsiderohet organizatë rinore, në kuptim të këtij ligji, nëse ka në statut, si objekt të veprimtarisë së saj, aktivitete dhe veprimtari rinore dhe ku, të paktën, 70 % e anëtarëve të saj janë të rinj.
3. Zhvillimi i organizatave rinore inkurajohet dhe mbështetet nga programet dhe projektet vendore, kombëtare dhe ndërkombëtare.
4. Regjistrimi si organizatë rinore në bazën e të dhënave për rininë, sipas nenit 18, të këtij ligji, bëhet me kërkesë të organizatës.
5. Organizatat rinore mund të përfitojnë financime nga organet e pushtetit qendror, nëpërmjet fondit grant të dedikuar për rininë, nga njësitë e vetëqeverisjes vendore, si dhe nga burime të tjera të ligjshme.
Neni 12
Organizatat për të rinjtë
1. Organizatat për të rinjtë janë persona juridikë jofitimprurës, që krijohen, organizohen apo transformohen e funksionojnë në bazë të Kodit Civil të Republikës së Shqipërisë dhe legjislacionit në fuqi për organizatat jofitimprurëse.
2. Një organizatë konsiderohet organizatë për të rinjtë, në kuptim të këtij ligji, nëse qëllimi dhe fusha e veprimtarisë së saj është e fokusuar te të rinjtë dhe që për një periudhë prej, të paktën, 3 vitesh ka zbatuar në mënyrë të vazhduar projekte e programe me impakt te të rinjtë.
3. Organizatat për të rinjtë mund të përfitojnë financime nga organet e pushtetit qendror, nëpërmjet fondit të dedikuar për rininë, nga njësitë e vetëqeverisjes vendore, si dhe nga burime të tjera të ligjshme.
4. Regjistrimi si organizatë për të rinjtë në bazën e të dhënave për rininë, sipas nenit 18, të këtij ligji, bëhet me kërkesë të organizatës.
Neni 13
Organizata Kombëtare Përfaqësuese Rinore
1. Organizata Kombëtare Përfaqësuese Rinore është një organizatë që themelohet, organizohet dhe funksionon në zbatim të Kodit Civil të Republikës së Shqipërisë dhe legjislacionit në fuqi për organizatat jofitimprurëse dhe e ushtron veprimtarinë në përputhje me statutin.
2. Të drejtën për të themeluar Organizatën Kombëtare Përfaqësuese Rinore e kanë jo më pak se 30 organizata rinore dhe/ose për të rinjtë, me të paktën 1 000 anëtarë dhe që ushtrojnë veprimtarinë në një territor prej paktën 70% të bashkive të vendit. Organizatat rinore dhe organizatat për të rinjtë themeluese dhe anëtare, pranojnë qëllimin, fushën e veprimtarisë dhe përcaktimet e tjera të kësaj organizate, të rregulluara në statutin e saj.
3. Ministria përgjegjëse për rininë njeh vetëm një Organizatë Kombëtare Përfaqësuese Rinore, pranë së cilës shtohen anëtarë të rinj në çdo kohë, në përputhje me rregullat dhe statutin e miratuar.
4. Njohja e një organizate si Organizatë Kombëtare Përfaqësuese Rinore bëhet me urdhër të ministrit përgjegjës për çështjet e rinisë, në bazë të kërkesës së vetë organizatës dhe është e vlefshme për 3 vite kalendarike nga data e njohjes, përveç se kur organizata nuk plotëson kriteret në mënyrë të vazhduar përgjatë periudhës 3-vjeçare, nuk i shërben misionit të saj ose keqpërdor pozitën.
5. Në rast se në të njëjtën kohë konkurron më shumë se një organizatë, që plotëson kriteret për të marrë statusin e Organizatës Kombëtare Përfaqësuese Rinore, përparësi do t’i jepet organizatës që ka më shumë anëtarë. Në rast se organizatat konkurruese kanë të njëjtin numër anëtarësh, përzgjedhja do të bëhet me short.
6. Organizata Kombëtare Përfaqësuese Rinore financohet nga kontributi i anëtarëve, nga organet e pushtetit qendror ose vendor, mbi bazë projektesh, si dhe nga burime të tjera të ligjshme.
KREU III
PUNA RINORE
Neni 14
Puna rinore dhe punonjësi rinor
1. Punë rinore është çdo veprimtari e natyrës sociale, kulturore, arsimore, mjedisore nga/me ose për të rinjtë, në grupe ose individualisht, që ka për qëllim të motivojë dhe të mbështesë të rinjtë, duke kontribuar në zhvillimin e tyre personal dhe social, dhe në zhvillimin e shoqërisë në përgjithësi.
2. Puna rinore realizohet nëpërmjet angazhimit dhe aktivizimit të të rinjve në veprimtari që reflektojnë nevojat, interesat, idetë dhe eksperiencat e tyre. Nëpërmjet këtij procesi të të nxënit joformal, të rinjtë fitojnë njohuri, aftësi, vlera dhe qëndrime që nevojiten për zhvillimin personal, integrimin social dhe qytetarinë aktive.
3. Punonjës rinor është personi që ofron shërbime këshillimi, informimi, mbështetje dhe udhëzime për të rinjtë, duke i ndihmuar ata të përdorin maksimalisht aftësitë dhe mundësitë e tyre në drejtim të zhvillimit të mëtejshëm personal, emocional, social dhe ekonomik.
4. Puna e punonjësve rinorë përfshin çdo veprimtari në mbështetje të të rinjve, duke përfshirë planifikimin dhe menaxhimin e veprimtarive komunitare, edukative, informuese dhe këshilluese.
5. Punonjësit rinorë e ushtrojnë veprimtarinë e tyre pranë organizatave rinore dhe për të rinjtë, si dhe pranë strukturave të tjera që ushtrojnë veprimtari në fushën e rinisë.
KREU IV
FINANCIMI
Neni 15
Burimet e financimit
1. Burimet e financimit për realizimin e politikave, programeve dhe projekteve rinore janë, si më poshtë vijon:
a) Fondet grant nga buxheti i shtetit, i dedikuar për rininë;
b) Buxhetet vendore;
c) Të ardhura të gjeneruara nga organizatat rinore;
ç) Donacionet;
d) Sponsorizimet;
dh) Burime të tjera të ligjshme.
2. Fondet e buxhetit të shtetit për rininë përcaktohen në buxhetin vjetor të shtetit, për ministrinë përgjegjëse për rininë.
3. Kriteret dhe procedurat për përdorimin e fondit grant të dedikuar për rininë nga buxheti i shtetit, për politikat, programet dhe projektet rinore përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
Neni 16
Financimi i politikave, programeve dhe projekteve rinore
1. Politikat, programet dhe projektet për rininë planifikohen të realizohen nga fondi grant i dedikuar, lidhur me:
a) financimin e ndërtimit apo të rikonstruksionit të objekteve publike dhe të infrastrukturës rinore;
b) financimin e projekteve të organizatave rinore dhe për të rinjtë;
c) bashkëfinancimin për pjesëmarrje në programe ndërkombëtare.
2. Projektet e ndërtimit apo rikonstruksionit të objekteve publike dhe infrastrukturës rinore, paraqiten dhe miratohen mbi bazën e procedurave të përcaktuara me vendim të Këshillit të Ministrave.
KREU V
INFRASTRUKTURA RINORE
Neni 17
Infrastruktura rinore
1. Infrastruktura rinore përbëhet nga pasuritë e paluajtshme, pronë publike, të destinuara apo vëna në dispozicion për aktivitete dhe veprimtari rinore.
2. Infrastrukturë publike rinore janë pasuri të paluajtshme në pronësi të pushtetit qendror ose vendor, sipas juridiksionit të vendndodhjes territoriale të tyre, të destinuara apo vëna në dispozicion për aktivitete dhe veprimtari rinore.
3. Pronarët apo administratorët e infrastrukturës janë përgjegjës për ndërtimin, rindërtimin, ruajtjen, mirëmbajtjen dhe shërbimet, si dhe krijimin e kushteve për funksionimin normal të tyre.
4. Infrastruktura rinore ndërtohet, rindërtohet, përshtatet dhe mirëmbahet në funksion dhe për krijimin e kushteve për ushtrimin e veprimtarive për rininë, në përputhje me standardin e hapësirave rinore të sigurta.
5. Ndërtimi i infrastrukturës rinore bëhet në përputhje me standardet dhe kushtet teknike të miratuara nga ministria përgjegjëse për infrastrukturën.
6. Pjesë e infrastrukturës rinore janë dhe pasuritë e luajtshme të destinuara apo vëna në dispozicion për aktivitete dhe veprimtari rinore.
7. Pronarët apo administratorët e pasurive garantojnë rregullat teknike të sigurisë, higjieno-sanitare dhe shëndetësore, të aksesueshme për shfrytëzimin dhe frekuentimin e rregullt e normal të mjediseve për rininë dhe të rinjtë, në përputhje me standardin e hapësirave të sigurta.
KREU VI
DISPOZITA TË FUNDIT
Neni 18
Baza e të dhënave për rininë
1. Qëllimi i bazës së të dhënave për rininë është të sigurojë informacion të përditësuar për të rinjtë në vend, si edhe të mbështesë procesin e planifikimit, mbikëqyrjes, administrimit dhe vlerësimit të politikave rinore, në nivel qendror dhe vendor.
2. Baza e të dhënave për rininë përmban, si më poshtë:
a) Të dhënat parësore që kanë të bëjnë me organizata rinore dhe për të rinjtë, në vend dhe në diasporë, Organizatën Kombëtare Përfaqësuese Rinore, politikat rinore kombëtare, vendore dhe evropiane;
b) Të dhënat dytësore që kanë të bëjnë me financimin e projekteve dhe veprimtarive rinore, studime, analiza, vlerësime, vëzhgime dhe vlerësime të zbatimit të politikave rinore.
3. Institucioni përgjegjës për rininë administron bazën e të dhënave që ka të bëjë me të rinjtë, përmbajtja e së cilës publikohet në portalin “Për rininë” dhe realizon ndërveprimin e përmbajtjes së tij me bazat e tjera të informacionit, sipas rregullave të koordinimit të përcaktuara nga Autoriteti Rregullator Koordinues.
Neni 19
Miratimi i akteve nënligjore
Ngarkohet Këshilli i Ministrave që, brenda 9 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, të miratojë aktet nënligjore në zbatim të neneve 8, pika 3, 9, pika 3, 15, pika 3, dhe 16, pika 2, të këtij ligji.
Neni 20
Hyrja në fuqi
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E T A R I
GRAMOZ RUÇI
###
V E N D I M
PËR
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR RININË”
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Propozimin e projektligjit “Për rininë”, për shqyrtim dhe miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA