Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Projektligje të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 10 Nëntor 2017

V E N D I M

PËR

PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR ADERIMIN E REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË NË MARRËVESHJEN NDËRKOMBËTARE PËR VAJIN E ULLIRIT DHE ULLINJTË E TAVOLINËS 2015”

Në mbështetje të neneve 81, pika 1 dhe 100 të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Propozimin e projektligjit “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në marrëveshjen ndërkombëtare për vajin e ullirit dhe ullinjtë e tavolinës 2015”, për shqyrtim e miratim, në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I

EDI  RAMA

###

P R O J E K T L I GJ

PËR

ADERIMIN E REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË NË MARRËVESHJEN NDËRKOMBËTARE PËR VAJIN E ULLIRIT DHE ULLINJTË  E TAVOLINËS 2015

Në mbështetje të neneve 78, 83, pika 1 dhe 121, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë

V E N D O S I:

Neni 1

Republika e Shqipërisë aderon në Marrëveshjen Ndërkombëtare për vajin e ullirit dhe ullinjtë e tavolinës 2015, sipas tekstit bashkëlidhur e që është pjesë përbërëse e tij.

Neni 2

Ligji nr.10028, datë 11.12.2008, “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në “Marrëveshjen ndërkombëtare për ullirin dhe vajin e ullirit””, shfuqizohet.

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E T A R I

GRAMOZ RUÇI

###

V E N D I M

PËR

PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR NJË NDRYSHIM NË LIGJIN NR.171/2014, “PËR PËRFUNDIMIN E PROCEDURAVE  TË KALIMIT TË TOKËS BUJQËSORE TË ISH-NDËRMARRJEVE BUJQËSORE NË PRONËSI TË PËRFITUESVE”, TË NDRYSHUAR”

Në mbështetje të neneve 81, pika 1, 83, pika 2, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Propozimin e projektligjit “Për një ndryshim në ligjin nr.171/2014, “Për përfundimin e procedurave të kalimit të tokës bujqësore të ish-ndërmarrjeve bujqësore në pronësi të përfituesve”, të ndryshuar”, për shqyrtim e miratim, me procedurë të përshpejtuar, në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I

EDI  RAMA

###

P R O J E K T L I GJ

PËR

 NJË NDRYSHIM NË LIGJIN NR.171/2014, “PËR PËRFUNDIMIN E PROCEDURAVE TË KALIMIT TË TOKËS BUJQËSORE TË ISH-NDËRMARRJEVE BUJQËSORE NË PRONËSI TË PËRFITUESVE”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë

V E N D O S I:

Në ligjin nr.171/2014, “Për përfundimin e procedurave të kalimit të tokës bujqësore të ish-ndërmarrjeve bujqësore në pronësi të përfituesve”, të ndryshuar, bëhet ky ndryshim:

Neni 1

Pika 1, e nenit 6, ndryshohet, si më poshtë:

“1. Afati për përfundimin e procedurave të kalimit të tokës bujqësore të  ish-ndërmarrjeve bujqësore në pronësi të përfituesve mbyllet në datën 31 korrik 2018.”.

Neni 2

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E T A R I

GRAMOZ  RUÇI

###

V E N D I M

PËR

PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR DISA SHTESA  NË LIGJIN NR.93/2015, “PËR TURIZMIN””

Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Turizmit dhe Mjedisit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Propozimin e projektligjit “Për disa shtesa në ligjin nr.93/2015, “Për turizmin””, për shqyrtim dhe miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

###

P R O J E K T L I GJ

PËR

DISA SHTESA NË LIGJIN NR.93/2015, “PËR TURIZMIN”

Në mbështetje të neneve 78, 83, pika 1, dhe 155, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë

V E N D O S I:

Në ligjin nr.93/2015, “Për turizmin”, bëhen këto shtesa:

Neni 1

Në nenin 4 “Përkufizime”, pas pikës 52 shtohen pikat 53, 54 dhe 55, me përmbajtje:

“53. “Strukturë akomoduese me 4 ose 5 yje, status special” nënkupton strukturën akomoduese që përfshin hotelin dhe/ose resortin me 4 ose 5 yje, e cila përmbush kriteret e përcaktuara në nenin 33/2, të këtij ligji.

54.“Investitor në strukturë akomoduese me 4 ose 5 yje, status special” nënkupton subjektin i cili financon ndërtimin dhe/ose merr përsipër ndërtimin e strukturave akomoduese me 4 ose 5 yje, status special, në zonat me përparësi zhvillimin e turizmit, i cili përmbush kriteret e përcaktuara në nenet 33/1, të këtij ligji.

55.“Operator menaxhues në strukturë akomoduese me 4 ose 5 yje, status special” nënkupton grupin hotelier i cili merr përsipër operimin dhe menaxhimin e një strukture akomoduese me 4 ose 5 yje, status special, drejtpërdrejt apo nëpërmjet kontratave “franchising” apo kontratave të tjera, të ngjashme me këtë të fundit.”.

Neni 2

Pas nenit 33 shtohen nenet 33/1 dhe 33/2, me këtë përmbajtje:

“Neni 33/1

Investitor në strukturë akomoduese me 4 ose 5 yje, status special

Këshilli i Ministrave, me propozimin e ministrit përgjegjës për turizmin,  jep statusin e veçantë “Investitor në strukturë akomoduese me 4 ose 5 yje, status special” për subjektin që plotëson të gjitha kushtet e mëposhtme:

a) Është investitor në një strukturë akomoduese me 4 ose 5 yje, në Republikën e Shqipërisë, të certifikuar si e tillë nga struktura përgjegjëse sipas këtij ligji.

b) Vlera e investimit është të paktën 8 (tetë) milionë euro për ndërtimin e strukturës akomoduese me 4 yje dhe të paktën 15 (pesëmbëdhjetë) milionë euro për ndërtimin e strukturës akomoduese me 5 yje.

Neni 33/2

Aplikimi për statusin “Investitor në strukturë akomoduese me 4 ose 5 yje, status special” dhe marrëveshja me investitorin

1. Kriteret e tjera, procedurat dhe dokumentacioni që duhet të plotësojnë subjektet që duan të aplikojnë për statusin “Investitor në strukturë akomoduese me 4 ose 5 yje, status special” përcaktohen me vendim të Këshillit të  Ministrave, me propozimin e ministrit përgjegjës për turizmin.

2. Subjektet, që përfitojnë statusin “Investitor në strukturë akomoduese me 4 ose 5 yje, status special”, nënshkruajnë marrëveshje zhvillimi me ministrinë përgjegjëse për turizmin, në të cilën parashikohen detyrimet e ndërsjella, afatet e realizimit të projektit, vlera e projektit, ndalimet për tjetërsimin e pronësisë së strukturave të ndërtuara apo pjesëve të tyre, si dhe pasojat nga mosrespektimi i detyrimeve të ndërsjella.”.

Neni 3

Ngarkohet Këshilli i Ministrave që, brenda 9 (nëntë) muajve nga data e hyrjes në fuqi të këtij ligji, të nxjerrë aktin nënligjor në zbatim të pikës 1, të nenit 33/2.

Neni 4

Hyrja në fuqi

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E T A R I

GRAMOZ RUÇI 

*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.