Projektligje të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 11 Janar 2024:
V E N D I M
PËR
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR RATIFIKIMIN E MARRËVESHJES NË LIDHJE ME PROGRAMIN E SHKËMBIMIT TË STUDIMEVE UNIVERSITARE NË EVROPËN QENDRORE “CEEPUS IV””
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, dhe të nenit 17, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Sportit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Propozimin e projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes në lidhje me programin e shkëmbimit të studimeve universitare në Evropën Qendrore “CEEPUS IV””, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjёherё.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
###
P R O J E K T L I GJ
PËR
RATIFIKIMIN E MARRËVESHJES NË LIDHJE ME PROGRAMIN E SHKËMBIMIT TË STUDIMEVE UNIVERSITARE NË EVROPËN QENDRORE “CEEPUS IV”
Në mbështetje të neneve 78, 83, pika 1, dhe 121, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I:
Neni 1
Ratifikimin e marrëveshjes në lidhje me programin e shkëmbimit të studimeve universitare në Evropën Qendrore “CEEPUS IV”, që i bashkëlidhet këtij ligji dhe është pjesë përbërëse e tij.
Neni 2
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E T A R I
LINDITA NIKOLLA
***
V E N D I M
PËR
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR NJË SHTESË NË LIGJIN NR.7651, DATË 21.12.1992, “PËR FESTAT ZYRTARE E DITËT PËRKUJTIMORE”, TË NDRYSHUAR”
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Propozimin e projektligjit “Për një shtesë në ligjin nr.7651, datë 21.12.1992, “Për festat zyrtare e ditët përkujtimore”, të ndryshuar”, për shqyrtim dhe miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
###
P R O J E K T L I GJ
PËR
NJË SHTESË NË LIGJIN NR.7651, DATË 21.12.1992, “PËR FESTAT ZYRTARE E DITËT PËRKUJTIMORE”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I:
Neni 1
Në nenin 1, të ligjit nr.7651, datë 21.12.1992, “Për festat zyrtare e ditët përkujtimore”, të ndryshuar, pas shkronjës “gj” shtohet shkronja “h”, me këtë përmbajtje:
“h) 22 nëntori – Dita e Alfabetit.”.
Neni 2
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E T A R I
LINDITA NIKOLLA
***
P R O J E K T L I GJ
PËR
SIGURINË KIBERNETIKE
Në mbështetje të neneve 78, 81, pika 1, dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I:
KREU I
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
Neni 1
Objekti i ligjit
1. Objekti i këtij ligji është përcaktimi i të drejtave dhe detyrimeve të subjekteve publike dhe private, të cilat administrojnë infrastruktura të informacionit, rrjetet e komunikimit dhe sistemet e tyre, cenimi apo shkatërrimi i të cilave do të kishte impakt në shëndetin, sigurinë, mirëqenien ekonomike të qytetarëve dhe funksionimin efektiv të ekonomisë në Republikën e Shqipërisë.
2. Ky ligj gjithashtu përcakton:
a) autoritetin përgjegjës për sigurinë kibernetike në Republikën e Shqipërisë, i cili është edhe pika e vetme e kontaktit për çështje të sigurisë kibernetike si dhe institucionet e tjera përgjegjëse të sigurisë dhe mbrojtjes që ndërveprojnë për çështjet e sigurisë kibernetike në vend;
b) ekipet e përgjigjes ndaj incidenteve të sigurisë kibernetike, si CSIRT-in Kombëtar, CERT-in, CSIRT-et sektoriale;
c) autoritetin përgjegjës për hartimin e Strategjisë Kombëtare të Sigurisë Kibernetike;
ç) masat e sigurisë kibernetike dhe masat e menaxhimit të rrezikut të sigurisë kibernetike, të cilat janë të detyrueshme për zbatim nga subjektet e përmendura në anekset I dhe II të këtij ligji;
d) detyrimin për raportimin e incidenteve të sigurisë kibernetike nga subjektet e përmendura në anekset I dhe II të këtij ligji;
dh) rregullat dhe detyrimet për ndarjen e informacionit të sigurisë kibernetike.
Neni 2
Qëllimi i ligjit
Qëllimi i këtij ligji është përcaktimi i masave të sigurisë me qëllim arritjen e një niveli të lartë të sigurisë kibernetike për rrjetet dhe sistemet e informacionit në Republikën e Shqipërisë.
Neni 3
Fusha e zbatimit
Dispozitat e këtij ligji zbatohen për të gjitha ato subjekte publike dhe private që administrojnë sisteme dhe rrjete të informacionit, sipas përcaktimeve të bëra në anekset I dhe II të këtij ligji.
Neni 4
Parime të përgjithshme të sigurisë kibernetike
1. Përpunimi i të dhënave personale kryhet në përputhje me dispozitat e përcaktuara në legjislacionin në fuqi për mbrojtjen e të dhënave personale.
2. Në përputhje me përcaktimet e bëra në këtë ligj, zbatohet për aq sa është e mundur, parimi i neutralitetit të teknologjisë, sipas të cilit subjektet e këtij ligji janë të lira për të zgjedhur teknologjinë më të përshtatshme për nevojat e tyre duke mos imponuar dhe as diskriminuar ndonjë lloj të veçantë teknologjie.
Neni 5
Përkufizime
Në kuptim të këtij ligji, termat e mëposhtëm kanë këto kuptime:
1. “Autoriteti përgjegjës për sigurinë kibernetike”, Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike, organi publik përgjegjës për zbatimin dhe mbikëqyrjen e këtij ligji, në vijim Autoriteti.
2. “Akreditim”, sipas këtij ligji, ka të njëjtin kuptim me përkufizimin e dhënë në legjislacionin në fuqi për akreditimin e organeve të vlerësimit të konformitetit në Republikën e Shqipërisë.
3. “CERT”, Ekipi i Përgjigjes ndaj Emergjencave të Sigurisë Kibernetike, pranë Autoritetit.
4. “CSIRT Kombëtar”, Ekipi i Përgjigjes ndaj Incidenteve të Sigurisë Kibernetike, pranë Autoritetit.
5. “CSIRT sektorial”, personi apo ekipi i përgjigjes ndaj incidenteve të sigurisë kibernetike për sektorin përkatës, sipas përcaktimeve në anekset e këtij ligji, i vendosur pranë një operatori që administron infrastruktura kritike dhe të rëndësishme të informacionit ose institucionit përgjegjës të linjës.
6. “CSIRT qeveritar”, CSIRT-i sektorial i cili menaxhon të gjitha infrastrukturat kritike dhe të rëndësishme të informacionit për sektorin qeveritar.
7. “CSIRT pranë operatorëve”, ekipi i përgjigjes ndaj incidenteve të sigurisë kibernetike, pranë operatorëve të infrastrukturave kritike dhe të rëndësishme të informacionit.
8. “Certifikatë e sigurisë kibernetike”, një dokument i lëshuar nga një organ i vlerësimit të konformitetit për sigurinë kibernetike, që vërteton se një produkt, shërbim ose proces TIK është vlerësuar për pajtueshmërinë me kërkesat specifike të sigurisë, të përcaktuara në skemën e certifikimit të sigurisë kibernetike.
9. “ENISA”, Agjencia për Sigurinë Kibernetike e Bashkimit Evropian.
10. “Emergjencë e sigurisë kibernetike”, situata gjatë së cilës siguria e informacionit në sistemet e informacionit ose siguria e rrjeteve të komunikimeve elektronike është cenuar duke vënë në rrezik interesin publik të Republikës së Shqipërisë.
11. “Grupi i bashkëpunimit”, një organ i krijuar nga direktiva (BE) nr.2022/2555 e Parlamentit dhe Këshillit Evropian, datë 14 dhjetor 2022, me qëllimin për të mbështetur e lehtësuar bashkëpunimin strategjik dhe shkëmbimin e informacionit midis shteteve anëtare të BE-së.
12. “Hapësirë kibernetike”, mjedisi digjital i aftë të krijojë, të procesojë dhe të shkëmbejë komunikimin elektronik të informacionit të krijuar nga rrjetet dhe sistemet e informacionit edhe pa qenë të lidhur në internet.
13. “Incident i sigurisë kibernetike”, çdo ngjarje që kompromenton disponueshmërinë, vërtetësinë, integritetin, konfidencialitetin e të dhënave të ruajtura, të transmetuara apo të përpunuara ose të shërbimeve të ofruara apo të akesueshme përmes rrjeteve dhe sistemeve të informacionit.
14. “Infrastrukturë kritike e informacionit”, tërësia e rrjeteve dhe sistemeve të informacionit, të zotëruara nga një autoritet publik ose privat, që ofrojnë shërbime, cenimi apo shkatërrimi i të cilave do të kishte impakt serioz në shëndetin, sigurinë, mirëqenien ekonomike të qytetarëve dhe funksionimin efektiv të ekonomisë në Republikën e Shqipërisë.
15. “Infrastrukturë e rëndësishme e informacionit”, tërësia e rrjeteve dhe sistemeve të informacionit të zotëruara nga një autoritet publik ose privat, i cili nuk është pjesë e infrastrukturës kritike të informacionit, por që mund të rrezikojë apo të kufizojë ofrimin e shërbimit dhe vazhdimësinë e punës, në rastin e cenimit të sigurisë së informacionit.
16. “Kërcënim kibernetik”, një ngjarje ose veprim i mundshëm që mund të dëmtojë, të ndërpresë ose të ndikojë negativisht në rrjetet e sistemet e informacionit për përdoruesit e tyre dhe persona të tjerë.
17. “Krizë kibernetike”, situata gjatë së cilës siguria e informacionit në sistemet e informacionit ose siguria e rrjeteve të komunikimeve elektronike është seriozisht e rrezikuar, duke vënë në rrezik interesin publik të Republikës së Shqipërisë.
18. “Log-e”, mesazh apo e dhënë mbi ngjarje lidhur me sigurinë kibernetike.
19. “Masat e sigurisë kibernetike”, tërësia e veprimeve për rritjen e sigurisë së informacionit në sistemet e informacionit dhe disponueshmëria e besueshmëria e shërbimeve të rrjeteve të komunikimit në hapësirën kibernetike.
20.“Motor kërkimi në internet”, një shërbim digjital që lejon përdoruesit të vendosin pyetje për të kryer kërkime në parim në të gjitha faqet e internetit ose në të gjitha faqet e internetit në një gjuhë të caktuar, në bazë të një pyetjeje për çdo temë në formën e një fjalëkyçi, kërkese zanore, fraze ose hyrjeje tjetër dhe në çdo format, në të cilin informacioni lidhet me përmbajtjen e kërkuar.
20. “Operator i infrastrukturës kritike të informacionit”, çdo person fizik ose juridik, i cili administron infrastrukturën kritike të informacionit dhe plotëson kërkesat e përcaktuara në këtë ligj.
22.“Operator i infrastrukturës së rëndësishme të informacionit”, çdo person fizik ose juridik, i cili administron infrastrukturën e rëndësishme të informacionit dhe plotëson kërkesat e përcaktuara në këtë ligj.
23. “Organe të vlerësimit të konformitetit për sigurinë kibernetike”, personat juridikë kombëtarë ose ndërkombëtarë, të akredituar nga institucioni përgjegjës për akreditimin për të kryer vlerësimet dhe konformitetin e produkteve, shërbimeve dhe proceseve që lidhen me sigurinë kibernetike në TIK, si dhe vlerësimin e masave të sigurisë kibernetike të implementuara nga infrastrukturat kritike dhe të rëndësishme të informacionit.
24. “Ofruesi i shërbimit DNS”, një ent, i cili ofron:
a) shërbimet rekursive të zgjidhjes së emrave të domenit të disponueshëm publikisht për përdoruesit fundorë të internetit;
b) shërbime autoritative për zgjidhjen e emrave të domain-it për përdorim nga palët e treta, me përjashtim të server-ave të emrave rrënjë.
25.“Ofrues i shërbimit të menaxhuar”, një ent që ofron shërbime në lidhje me instalimin, menaxhimin, funksionimin ose mirëmbajtjen e produkteve të TIK-ut, rrjeteve, infrastrukturës, aplikacioneve ose çdo rrjeti dhe sistemet e tjera të informacionit, nëpërmjet asistencës ose administrimit aktiv të kryer ose në ambientet e klientëve, ose në distancë.
26.”Ofrues i menaxhuar i shërbimit të sigurisë”, një ofrues shërbimi të menaxhuar që kryen ose ofron ndihmë për aktivitetet në lidhje me menaxhimin e rrezikut të sigurisë kibernetike.
27. “Organizatë kërkimore”, një subjekt që ka si qëllim parësor të kryejë kërkime zhvillimi të aplikuara ose eksperimentale me synimin për të shfrytëzuar rezultatet e atij kërkimi për qëllime komerciale, por që nuk përfshijnë institucionet arsimore.
28.“Pika e shkëmbimit të internetit” (internet exchange point), një infrastrukturë rrjeti që lejon ndërlidhjen e më shumë se dy sistemeve autonome të pavarura, kryesisht për të lehtësuar shkëmbimin e trafikut të internetit, siguron ndërlidhje vetëm me sistemet autonome, si dhe nuk kërkon që trafiku i internetit që kalon midis dy sistemeve autonome pjesëmarrëse të kalojë përmes një sistemi të tretë autonom dhe nuk cenon ose ndërhyn në një trafik të tillë.
29. “Produkt TIK”, një element ose një grup elementesh të një rrjeti ose sistemi informacioni.
30. “Procese TIK”, një grup aktivitetesh që kryejnë projektimin, zhvillimin, ofrimin ose mirëmbajtjen e një produkti ose shërbimi TIK.
31. “Përmbajtje të dëmshme për fëmijën”, sipas këtij ligji, ka të njëjtin kuptim me përkufizimin e dhënë në legjislacionin në fuqi për të drejtat dhe mbrojtjen e fëmijës.
32. “Platformë e shërbimeve të rrjeteve sociale”, një platformë që u mundëson përdoruesve fundorë të lidhen, të ndajnë, të zbulojnë dhe të komunikojnë me njëri-tjetrin nëpërmjet pajisjeve të shumta, veçanërisht përmes bisedave, postimeve, videove dhe rekomandimeve.
33.“Regjistri i emrave të domain-eve me nivel të lartë.al” ose “regjistri i emrave të domain-eve TLD.al”, regjistri me emrat e domain-eve të internetit të regjistruar në Republikën e Shqipërisë me prapashtesën “.al”, që administrohet nga autoriteti përgjegjës për komunikimet elektronike dhe postare, i cili harton, miraton dhe aplikon një rregullore të veçantë për këtë qëllim. Regjistri përfshin emrat e domain-eve (dhe nëndomain-eve) ccTLD.al, të dhënat e poseduesve të tyre, historikun e veprimeve me domain-et me .al dhe sistemin teknik ccTLD.al, i cili përfshin funksionimin e server-ave dhe pajisjeve të tjera të nevojshme, mirëmbajtjen e bazave të të dhënave dhe shpërndarjen e skedarëve të zonës TLD për të bërë të mundur aksesimin e emrave të domain-eve me .al në internet etj., të cilat përfshihen në rregulloren e sipërpërmendur.
34. “Rrjet dhe sistem i informacionit” është:
a) një rrjet i komunikimeve elektronike, sipas përcaktimeve të bëra në ligjin për komunikimet elektronike në fuqi;
b) çdo pajisje ose grup i pajisjeve të lidhura ose të ndërlidhura dhe një ose disa prej tyre kryejnë përpunimin automatik të të dhënave digjitale, nëpërmjet një programi;
c) të dhënat digjitale të ruajtura, të përpunuara, të marra ose të transmetuara nga elemente të parashikuara në shkronjat “a” dhe “b”, të kësaj pike, për funksionimin, përdorimin, mbrojtjen dhe mirëmbajtjen e tyre.
35.“Rrezik i sigurisë kibernetike”, një ngjarje e identifikueshme me efekt të mundshëm negativ për sigurinë e rrjeteve e të sistemeve të informacionit.
36.“Rrjeti i CSIRT-eve”, rrjeti i krijuar nga direktiva (BE) nr.2022/2555 e Parlamentit dhe Këshillit Evropian, datë 14 dhjetor 2022, i përbërë nga CSIRT-et kombëtare të shteteve anëtare të BE-së me qëllimin promovimin e bashkëpunimit operacional të shpejtë dhe efektiv midis tyre.
37. “Rrjeti Evropian i Organizatave Ndërlidhëse të Krizave Kibernetike (EU-CyCLONe)”, rrjeti i krijuar nga direktiva (BE) nr.2022/2555 e Parlamentit dhe Këshillit Evropian, datë 14 dhjetor 2022, me qëllimin për të mbështetur koordinimin e menaxhimit të incidenteve dhe krizave të sigurisë kibernetike në shkallë të gjerë në nivel operacional dhe për të siguruar shkëmbimin e informacionit ndërmjet shteteve anëtare të BE-së, institucioneve, organeve, zyrave dhe agjencive të BE-së.
38.“Rrjet i shpërndarjes së përmbajtjes” një rrjet server-ash të shpërndarë gjeografikisht me qëllim sigurimin e disponueshmërisë, aksesueshmërisë ose shpërndarjes së shpejtë të përmbajtjes dhe shërbimeve digjitale për përdoruesit e internetit në emër të përmbajtjes dhe ofruesve të shërbimeve.
39.“Rrjet i komunikimeve publike elektronike”, i njëjtë me përkufizimin e dhënë në legjislacionin në fuqi për komunikimet elektronike.
40.“Qëndrueshmëria kibernetike”, aftësia e sistemeve të informacionit për të mbrojtur të dhënat nga sulmet kibernetike, si dhe aftësia për të rifilluar funksionimin normal të punës brenda një kohe, e cila nuk ndikon në veprimtarinë e operatorit të infrastrukturës kritike ose të rëndësishme të informacionit, në rast të një sulmi kibernetik.
41. “Siguria e rrjetit dhe sistemeve të informacionit”, aftësia e rrjetit dhe e sistemeve të informacionit për t’i rezistuar në një nivel të caktuar sigurie çdo veprimi, që kompromenton disponueshmërinë, vërtetësinë, integritetin dhe konfidencialitetin e të dhënave të ruajtura, të transmetuara ose të përpunuara dhe shërbimeve përkatëse të ofruara përmes këtij rrjeti ose sistemeve të informacionit.
42.“Siguria kibernetike”, tërësia e veprimeve të nevojshme për të mbrojtur rrjetet dhe sistemet e informacionit, përdoruesit e këtyre rrjeteve dhe sistemeve, si dhe personat e tjerë të prekur nga kërcënimet kibernetike.
43.“Strategjia Kombëtare për Sigurinë Kibernetike”, një dokument politikash që përcakton objektiva, plane dhe prioritete strategjike për sigurinë e rrjeteve dhe sistemeve të informacionit dhe krijimin e hapësirave kibernetike të sigurta për shoqërinë, në nivel kombëtar.
44.“Skema e certifikimit të sigurisë kibernetike”, tërësia e rregullave, kërkesave teknike, standardeve dhe procedurave që zbatohen për certifikimin ose vlerësimin e konformitetit të produkteve, shërbimeve dhe proceseve që lidhen me sigurinë kibernetike në TIK.
45. “Standard”, sipas këtij ligji, ka të njëjtin kuptim me përkufizimin e dhënë në legjislacionin në fuqi për standardizimin.
46.“Specifikim teknik”, një dokument, i cili përcakton karakteristikat e kërkuara të një produkti, si nivelet e cilësisë, performancës dhe sigurisë, duke përfshirë kërkesat e zbatueshme për produktin në lidhje me emrin me të cilin produkti shitet, terminologjinë, simbolet, metodat e testimit, paketimi, shënjimi ose etiketimi dhe procedurat e vlerësimit të konformitetit. Ky term mbulon gjithashtu metodat dhe proceset e prodhimit.
47.“Sistemi i emrave të domain-eve (DNS)”, një sistem që në mënyrë hierarkike shpërndan emërtime në një rrjet që përcjell kërkesat për emrat e domain-eve.
48.“Subjektet e tjera përgjegjëse në fushën e sigurisë kibernetike”, institucionet eprore ose rregullatore përgjegjëse për fushën e veprimtarisë së sektorëve, sipas të cilëve kategorizohen infrastrukturat kritike dhe të rëndësishme të informacionit.
49.“Skanim proaktiv”, kryerja e një ose disa veprimeve paraprake të avancuara, që bëjnë të mundur identifikimin, zbulimin dhe memorizimin e rreziqeve me ndikim të konsiderueshëm përpara shfaqjes së tyre.
50.“Shërbimi digjital”, çdo shërbim i shoqërisë së informacionit, sipas përcaktimeve të bëra në ligjin për tregtinë elektronike.
51.“Shërbim TIK”, një shërbim që konsiston plotësisht ose kryesisht në transmetimin, ruajtjen, marrjen ose përpunimin e informacionit me anë të rrjetit dhe sistemeve të informacionit.
52.“Shërbimet cloud computing”, një shërbim digjital që mundëson administrimin sipas kërkesës dhe akses të gjerë në distancë në një grup të shkallëzueshëm dhe elastik të burimeve kompjuterike të ndashme, duke përfshirë vendin, ku burimet e tilla shpërndahen në disa lokacione.
53.“Shërbimi i qendrës së të dhënave”, një shërbim që përfshin struktura, ose grupe strukturash, të dedikuara për të centralizuar akomodimin, ndërlidhjen dhe funksionimin e teknologjisë së informacionit dhe pajisjeve të rrjetit që ofrojnë ruajtjen, përpunimin e të dhënave dhe shërbimet e transportit së bashku me të gjitha objektet dhe infrastrukturat për shpërndarjen e energjisë dhe kontrollin mjedisor.
54.“Shërbim i komunikimeve elektronike”, i njëjtë me përkufizimin e dhënë në legjislacionin në fuqi për komunikimet elektronike.
55.“Treg on-line”, një shërbim që përdor software, duke përfshirë një faqe interneti, pjesë të një faqeje interneti ose të një aplikacioni, i operuar nga ose në emër të një tregtari që i lejon konsumatorët të përfundojnë në distancë kontrata me tregtarë ose konsumatorë të tjerë.
56.“Trajtimi i incidentit të sigurisë kibernetike”, të gjitha procedurat e nevojshme për parandalimin, identifikimin, analizimin, reagimin dhe rikuperimin ndaj një incidenti të sigurisë kibernetike.
57. “Vulnerabilitet”, një dobësi, ndjeshmëri ose defekt i produkteve ose shërbimeve TIK, që mund të shfrytëzohet nga një kërcënim kibernetik.
KREU II
ORGANIZIMI INSTITUCIONAL DHE SUBJEKTET PËRGJEGJËSE PËR SIGURINË KIBERNETIKE
Neni 6
Strategjia Kombëtare për Sigurinë Kibernetike
1. Autoriteti është institucioni përgjegjës për hartimin dhe monitorimin e zbatimit të Strategjisë Kombëtare për Sigurinë Kibernetike, i cili koordinon punën me institucionet e tjera përgjegjëse për sigurinë kibernetike.
2. Në Strategjinë Kombëtare të Sigurisë Kibernetike përcaktohen:
a) objektivat dhe prioritetet e strategjisë së sigurisë kibernetike për sektorët e përmendur në anekset I dhe II të këtij ligji;
b) kuadri ligjor për të arritur objektivat dhe prioritetet e përmendura në shkronjën “a”, të pikës 2, të këtij neni, si dhe politikat e përmendura në pikën 3, të këtij neni;
c) kuadri ligjor, që përcakton rolet dhe përgjegjësitë e aktorëve përkatës në nivel kombëtar, duke mbështetur bashkëpunimin dhe koordinimin në nivel kombëtar ndërmjet autoriteteve kompetente, pikën e vetme të kontaktit dhe CSIRT-eve sipas këtij ligji, si dhe koordinimin e bashkëpunimin ndërkombëtar;
ç) programet e trajnimit, ndërgjegjësimit dhe edukimit;
d) masat që sigurojnë gatishmërinë, reagimin dhe rikuperimin nga incidentet, duke përfshirë bashkëpunimin ndërmjet sektorit publik e privat;
dh) një plan i identifikimit të aseteve lidhur me sigurinë kibernetike dhe vlerësimin e rrezikut të sigurisë kibernetike;
e) lista e aktorëve të ndryshëm që do të përfshihen në zbatimin e strategjisë.
3. Strategjia përmban në veçanti politikat e mëposhtme:
a) Adresimin e sigurisë kibernetike në zinxhirin e furnizimit për produktet TIK dhe shërbimet TIK që përdoren nga subjektet për ofrimin e shërbimeve të tyre;
b) Menaxhimin e vulnerabiliteteve, duke përfshirë promovimin dhe koordinimin për zbulimin e vulnerabiliteteve;
c) Promovimin e zhvillimit dhe të integrimit të teknologjive të avancuara, që synojnë zbatimin e masave moderne të menaxhimit të riskut të sigurisë kibernetike;
ç) Promovimin dhe zhvillimin e trajnimeve për sigurinë kibernetike, edukimin, aftësitë në sigurinë kibernetike, ndërgjegjësimin, nisma për kërkim dhe zhvillim, si dhe udhëzime për praktikat dhe kontrollet më të mira të higjienës kibernetike, për qytetarët, palët e interesuara dhe subjektet e këtij ligji;
d) Mbështetjen e institucioneve akademike dhe kërkimore për të zhvilluar, përmirësuar dhe promovuar mjetet e sigurisë kibernetike dhe infrastrukturës së rrjetit;
dh) Promovimin e mbrojtjes aktive kibernetike.
4. Strategjia Kombëtare e Sigurisë Kibernetike hartohet për një periudhë 5-vjeçare dhe miratohet me vendim të Këshillit të Ministrave.
5. Strategjia shoqërohet nga plani i veprimit, i cili hartohet nga Autoriteti në koordinim me institucionet përgjegjëse të sigurisë kibernetike, për një periudhë të paktën dyvjeçare dhe miratohet me vendim të Këshillit të Ministrave.
Neni 7
Autoriteti përgjegjës për sigurinë kibernetike
1. Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike është organ rregullator përgjegjës për mbikëqyrjen dhe zbatimin e legjislacionit për sigurinë kibernetike në Republikën e Shqipërisë.
2. Autoriteti është një person juridik publik, me seli në Tiranë, në varësi të Kryeministrit, i cili financohet nga buxheti i shtetit dhe burime të tjera të ligjshme.
3. Autoriteti, në marrëdhënie me palët e treta, përfaqësohet nga drejtori i Përgjithshëm.
4. Marrëdhëniet e punës të drejtorit të Përgjithshëm dhe të punonjësve të Autoritetit rregullohen në bazë të dispozitave të ligjit nr.7961, datë 12.7.1995, “Kodi i Punës i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar.
5. Drejtori i Përgjithshëm dhe nëpunësit e njësive teknike të përmbajtjes së Autoritetit, përveç pagës sipas kategorive të pagës së përcaktuar me vendim të Këshillit të Ministrave, përfitojnë një shtesë për natyrë të veçantë pune, në masën deri në 800 000 (tetëqind mijë) lekë në muaj. Masa e shtesës për natyrë të veçantë pune për secilën kategori përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave.
6. Pjesë e strukturës dhe organikës së Autoritetit Kombëtar për Sigurinë Kibernetike është Qendra Kombëtare Operacionale e Sigurisë Kibernetike, përgjegjëse për monitorimin e sigurisë kibernetike, simulimeve, si dhe përcaktimin e masave shtesë për operatorët e infrastrukturave të informacionit për një reagim sa më të shpejtë dhe efikas ndaj incidenteve apo sulmeve kibernetike.
7. Organizimi dhe funksionimi i Autoritetit miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
Neni 8
Emërimi, lirimi ose shkarkimi i drejtorit të Përgjithshëm
1. Drejtori i Përgjithshëm i Autoritetit emërohet, lirohet dhe shkarkohet nga Kryeministri.
2. Drejtori i Përgjithshëm i Autoritetit duhet të plotësojë kriteret e mëposhtme:
a) Të jetë shtetas shqiptar;
b) Të ketë zotësi të plotë për të vepruar;
c) Të ketë diplomë të nivelit të shtatë të Kornizës Shqiptare të Kualifikimeve, “Master i shkencave” ose të barasvlershme me të, sipas legjislacionit për arsimin e lartë, në fushën e teknologjive të informacionit dhe komunikimit (ICT) apo inxhinierisë elektronike;
ç) Të ketë përvojë pune të paktën 10 vjet në profesion;
d) Të shquhet për aftësi profesionale në fushën e sigurisë kibernetike, si dhe të jetë i certifikuar ndërkombëtarisht në këtë fushë;
dh) Ndaj tij të mos jetë marrë masa disiplinore e largimit nga puna, që nuk është shuar sipas legjislacionit në fuqi;
e) Të mos jetë dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një vepre penale;
ë) Të mos ketë konflikt interesi në ushtrimin e detyrës, sipas përcaktimeve të bëra në legjislacionin në fuqi për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike.
3. Drejtori i Përgjithshëm i Autoritetit lirohet nga detyra kur:
a) plotësohen kushtet për pensionin e plotë të pleqërisë;
b) deklarohet i paaftë për punë nga komisioni kompetent mjekësor;
c) gjendet në një situatë të vazhdueshme të konfliktit të interesit;
ç) jep dorëheqjen nga detyra.
4. Drejtori i Përgjithshëm i Autoritetit shkarkohet nga detyra kur:
a) dënohet me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një krimi apo për kryerjen e një kundërvajtjeje penale me dashje;
b) nuk përmbushen objektivat strategjikë për shkak të performancës së ulët të tij;
c) kryen shkelje të rënda në detyrë.
5. Konsiderohen shkelje të rënda në detyrë:
a) shkelja e përsëritur e rregullave të etikës, sipas legjislacionit në fuqi;
b) shkelja e rregullave për ruajtjen e informacionit të klasifikuar;
c) ushtrimi i detyrës në kushtet e konfliktit të interesit.
Neni 9
Kompetencat e Autoritetit Kombëtar për Sigurinë Kibernetike
Autoriteti, në përputhje me përcaktimet e bëra në këtë ligj, ushtron kompetencat e mëposhtme:
a) Identifikon dhe klasifikon infrastrukturat kritike dhe të rëndësishme të informacionit;
b) Vepron si pikë qendrore kontakti në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar, si dhe koordinon e bashkërendon punën me institucionet e tjera në fushën e sigurisë kibernetike për zgjidhjen e incidenteve kibernetike;
c) Vepron në cilësinë e CSIRT-it Kombëtar dhe CERT-it;
ç) Përcakton dhe kontrollon zbatimin e masave të sigurisë kibernetike, që duhet të aplikohen nga operatorët e infrastrukturave kritike dhe të rëndësishme të informacionit;
d) Bashkëpunon dhe shkëmben informacione të rëndësishme me operatorët e infrastrukturave kritike dhe të rëndësishme të informacionit, në lidhje me të dhënat në sisteme, kur ato janë të rrezikuara për shkak të një incidenti kibernetik;
dh) Asiston operatorët e infrastrukturave kritike dhe të rëndësishme të informacionit në menaxhimin e incidenteve kibernetike;
e) Kryen monitorim aktiv të infrastrukturave kritike dhe të rëndësishme të informacionit nëpërmjet informacioneve të marra nga platformat e jashtme të ngritura nga Autoriteti ose operatorët e infrastrukturave të informacionit si dhe nga platformat e brendshme me kërkesë nga operatorët e infrastrukturave të informacionit me qëllim evidentimin e parandalimin e veprimeve keqdashëse;
ë) Vlerëson dhe analizon nivelin e sigurisë kibernetike të sistemeve të infrastrukturave kritike dhe të rëndësishme të informacionit, nëpërmjet kontrolleve dhe simulimeve të vazhdueshme, si dhe përcakton masa shtesë për operatorët e infrastrukturave të informacionit për një reagim sa më të shpejtë dhe efikas ndaj incidenteve apo sulmeve kibernetike. Metodologjia për vlerësimin dhe analizimin e sigurisë kibernetike miratohet me vendim të Këshillit të Ministrave.
f) Regjistron organet e vlerësimit të konformitetit për sigurinë kibernetike për vlerësimin e masave të sigurisë kibernetike;
g) Krijon dhe administron regjistrin e dokumentimit të incidenteve të sigurisë kibernetike;
gj) Raporton në mënyrë periodike në lidhje me incidentet kibernetike pranë ENISA-s dhe organizmave të tjerë ndërkombëtarë, në kuadër të angazhimeve të Republikës së Shqipërisë për çështjet e sigurisë kibernetike;
h) Kryen aktivitete ndërgjegjësimi në fushën e sigurisë kibernetike për të gjitha grupet e shoqërisë;
j) Autoriteti, me urdhër të drejtorit të Përgjithshëm dhe në bashkëpunim me operatorët e infrastrukturave kritike dhe të rëndësishme të informacionit, zhvillon dhe nxit, sa herë vlerësohet e nevojshme, trajnime për personelin e këtyre operatorëve, në kuadër të përmbushjes me efektivitet të lartë të detyrave;
k) Ndërmerr masa të nevojshme, bashkëpunon dhe bashkërendon punën me institucionet përgjegjëse për sigurinë dhe mbrojtjen e fëmijëve dhe të rinjve, për krijimin e një mjedisi on-line të sigurt kibernetik në Republikën e Shqipërisë.
Neni 10
Raporti për gjendjen e sigurisë kibernetike
1. Me qëllim vlerësimin e nivelit të sigurisë kibernetike në vend, Autoriteti harton një raport për sigurinë kibernetike për një periudhë njëvjeçare, i cili përmban një vlerësim të:
a) rrezikut të sigurisë kibernetike në vend;
b) kapaciteteve të sigurisë kibernetike në vend;
c) burimeve teknike, financiare dhe njerëzore në dispozicion të infrastrukturave të informacionit, politikave të sigurisë kibernetike, zbatimit të masave mbikëqyrëse;
ç) nivelit të përgjithshëm të ndërgjegjësimit për sigurinë kibernetike dhe higjienës kibernetike midis qytetarëve dhe subjekteve të ligjit;
d) nivelit të rritjes së kapaciteteve të sigurisë kibernetike.
2. Raporti përfshin edhe rekomandime të veçanta të politikave për rritjen e nivelit të sigurisë kibernetike në vend dhe një përmbledhje të gjetjeve për periudhën njëvjeçare.
3. Raporti i hartuar sipas pikave 1 dhe 2, të këtij neni, i paraqitet Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë brenda datës 31 mars të vitit pasardhës.
Neni 11
Subjektet e tjera përgjegjëse për sigurinë kibernetike
Subjekte të tjera përgjegjëse për sigurinë e rrjeteve dhe sistemeve të informacionit në Republikën e Shqipërisë janë, si më poshtë vijon:
a) Institucionet përgjegjëse të sigurisë dhe mbrojtjes kibernetike:
i. Ministria përgjegjëse për sektorin e energjisë dhe transportit, telekomunikacionit dhe shërbimit postar;
ii. Ministria përgjegjëse për rendin dhe sigurinë publike;
iii. Ministria përgjegjëse për sektorin e financës;
iv. Ministria përgjegjëse për sektorin e ekonomisë;
v. Ministria përgjegjëse për sektorin e kujdesit shëndetësor;
vi. Ministria përgjegjëse për mjedisin, turizmin, mbrojtjen e territorit dhe funksione të tjera të lidhura me të;
vii. Ministria përgjegjëse për bujqësinë dhe funksione të tjera të lidhura me të;
vii. Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI);
viii. Policia e Shtetit, institucioni përgjegjës për ruajtjen e rendit e të sigurisë publike;
ix. Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP);
x. Institucionet e tjera përgjegjëse për ruajtjen dhe përpunimin e të dhënave qeveritare;
xi. Çdo institucion tjetër publik i pavarur që administron infrastruktura të informacionit në kuptim të këtij ligji.
b) Subjektet përgjegjëse për ofrimin e shërbimeve të sektorëve, si:
i. subjektet që ofrojnë shërbime në sektorët e energjisë, përfshirë sektorët e energjisë elektrike, gazit, naftës dhe energjisë bërthamore;
ii. subjektet që ofrojnë shërbime në sektorët e transportit ajror, detar, hekurudhor, rrugor postar dhe telekomunikacionit;
iii. subjektet që ofrojnë shërbime në sektorët e ekonomisë, financës, infrastrukturës së tregut financiar, sektorin bankar, si dhe sektorët mikrofinanciarë;
iv. subjektet që ofrojnë shërbime në tregun e siguracioneve, shoqëritë e sigurimit;
v. subjektet që ofrojnë shërbime në sektorët e kujdesit të ndihmës shëndetësore të autorizuar dhe të akredituar nga autoritetet përgjegjëse;
vi. subjektet që ofrojnë shërbime në sektorët e mjedisit, turizmit, mbrojtjes së territorit dhe autoritetet territoriale përgjegjëse për furnizimin dhe shpërndarjen e ujit të pijshëm;
vii. subjektet që ofrojnë shërbime në sektorët e infrastrukturës digjitale, telekomunikacionit, si dhe shërbimet digjitale;
viii. subjektet që ofrojnë shërbime në sektorin arsimor, në veçanti, kur kryejnë veprimtari kërkimore;
ix. çdo sektor tjetër që ofron shërbime nëpërmjet rrjeteve dhe sistemeve të informacionit objekt i këtij ligji.
Neni 12
Identifikimi i infrastrukturave kritike dhe të rëndësishme të informacionit
1. Autoriteti kryen identifikimin e infrastrukturave kritike dhe të rëndësishme të informacionit në vazhdimësi në bashkëpunim dhe në bashkërendim me subjektet e tjera përgjegjëse për sigurinë kibernetike.
2. Identifikimi i operatorëve të infrastrukturave kritike dhe të rëndësishme të informacionit, sipas përcaktimeve të bëra në anekset I dhe II të këtij ligji, kryhet mbi bazën e një metodologjie, e cila miratohet me vendim të Këshillit të Ministrave.
3. Kriteret mbi të cilat bazohet identifikimi i infrastrukturave kritike dhe të rëndësishme të informacionit janë, si vijon:
a) Shërbimi i ofruar është kritik ose i rëndësishëm për mirëmbajtjen e aktiviteteve shoqërore dhe ekonomike;
b) Ofrimi i atij shërbimi varet nga rrjete të komunikimit elektronik dhe sisteme të informacionit;
c) Një incident sjell efekte të rëndësishme shkatërruese në ofrimin e atij shërbimi;
4. Subjektet, të cilat do të identifikohen si infrastruktura kritike apo të rëndësishme të informacionit, kanë detyrimin të raportojnë saktë pranë Autoritetit informacionin e mëposhtëm:
a) Emrin e subjektit;
b) Adresën;
c) Kur është e aplikueshme, sektorin dhe nënsektorin përkatës, sipas përcaktimeve të bëra në anekset I dhe II të këtij ligji;
ç) Kur është e aplikueshme, një listë të shteteve ku ata ofrojnë shërbime që bëjnë pjesë në fushën e zbatimit të këtij ligji.
5. Lista e infrastrukturave kritike dhe të rëndësishme të informacionit është konfidenciale, miratohet me vendim të Këshillit të Ministrave dhe përditësohet të paktën një herë në dy vjet.
Neni 13
Detyrat dhe përgjegjësitë e CSIRT-it Kombëtar
Ekipi i Përgjigjes ndaj Incidenteve të Sigurisë Kibernetike pranë Autoritetit përmbush detyrat dhe përgjegjësitë e mëposhtme:
a) Komunikon në mënyrë aktive nëpërmjet një infrastrukture komunikimi dhe informacioni të përshtatshme, të sigurt dhe të qëndrueshme, përmes së cilës kryhet shkëmbimi i informacionit me operatorët e infrastrukturave kritike dhe të rëndësishme të informacionit, me qëllim që të sigurohet vazhdimësia e veprimtarisë së tyre në çdo kohë dhe pa ndërprerje;
b) Ndërvepron me operatorët e infrastrukturave kritike dhe të rëndësishme të informacionit, nëpërmjet platformave të dedikuara për shpërndarje të informacionit dhe raportimin e incidenteve kibernetike për menaxhimin dhe trajtimin e tyre.
c) Monitoron, analizon dhe menaxhon kërcënimet kibernetike, vulnerabilitetet dhe incidentet në nivel kombëtar dhe ofron asistencë teknike për infrastrukturat kritike dhe të rëndësishme të informacionit, sipas kërkesës nga operatorët e infrastrukturave të informacionit;
ç) Vepron në cilësinë e koordinatorit për identifikimin e vulnerabiliteteve në rrjetet dhe sistemet e infrastrukturave të informacionit;
d) Monitoron, në bashkëpunim me operatorët e infrastrukturave kritike dhe të rëndësishme të informacionit, rrjetet dhe sistemet në infrastrukturat e tyre mbi incidente të sigurisë kibernetike apo sulme kibernetike;
dh) Trajton incidentet kibernetike në bashkëpunim me operatorët e infrastrukturave kritike dhe të rëndësishme të informacionit dhe jep zgjidhje konkrete duke u bazuar në politikat dhe masat e përcaktuara në këtë ligj, si dhe bashkëpunon me institucionet përkatëse ligjzbatuese kur dyshon për elementë të krimit kibernetikë;
e) Paralajmëron, njofton dhe shpërndan informacion pranë infrastrukturave kritike dhe të rëndësishme të informacionit, si dhe subjekteve përgjegjëse në lidhje me rreziqet e mundshme, vulnerabilitetet dhe incidentet kibernetike;
ë) Mbledh dhe analizon të dhënat nëpërmjet hetimit digjital dhe ofron analizë dinamike të riskut dhe të incidentit, si dhe kryen ndërgjegjësimin për situatën aktuale të sigurisë kibernetike;
f) Siguron ruajtjen e logeve të incidenteve të evidentuara ose të raportuara për një periudhë të përcaktuar në rregulloren e miratuar me urdhër të drejtorit të Përgjithshëm të Autoritetit;
g) Kryen skanime proaktive të rrjeteve dhe të sistemeve të informacionit të operatorëve të infrastrukturave kritike dhe të rëndësishme të informacionit me qëllim identifikimin e vulnerabiliteteve me impakt të lartë të mundshëm, duke bërë me dije paraprakisht operatorin e infrastrukturës së informacionit për të gjitha elementet teknike dhe ligjore të kryerjes së këtyre skanimeve;
gj) Vlerëson kur infrastruktura është në një situatë me risk të lartë dhe kryen veprime reaktive në bashkëpunim me infrastrukturën pas vënies në dijeni të ndodhjes së incidentit kur shërbimi i ofruar nga infrastruktura ka ndaluar së funksionuari për më shumë se 4 orë. Metodologjia për vlerësimin e riskut të infrastrukturës përcaktohet me udhëzim të drejtorit të Përgjithshëm të Autoritetit pas konsultimit me operatorët e infrastrukturave kritike dhe të rëndësishme të informacionit;
h) Kontrollon zbatimin e masave të sigurisë kibernetike nga operatorët e infrastrukturave kritike dhe të rëndësishme të informacionit;
i) I përgjigjet çdo infrastrukture, në zbatim të procedurave të sigurisë, për të mbështetur në mënyrë aktive zgjidhjen e incidenteve;
j) Analizon dhe përgatit masa të natyrës së veçantë sipas incidentit kibernetik dhe i komunikon ato tek CSIRT-et sektoriale dhe CSIRT-et pranë operatorëve të infrastrukturave kritike dhe të rëndësishme të informacionit;
k) Përgatit dhe miraton me urdhër të drejtorit te Përgjithshëm të Autoritetit udhëzues, politika dhe rregullore për të harmonizuar dhe përmirësuar procedurat e menaxhimit të incidenteve kibernetike;
l) Mban regjistrin elektronik të pikave të kontaktit me të dhënat e përcaktuara në shkronjën “f”, të neneve 16 dhe 18 të këtij ligji;
ll) Simulon rrjetet dhe sistemet për të gjetur pikat e dobëta të infrastrukturës, duke njoftuar paraprakisht operatorët;
m) Analizon incidentin për të gjetur shkakun e tij si edhe koordinon aktivitetin me operatorët, CSIRT-et sektoriale, institucionet ndërkombëtare dhe qeveritare kur e shikon të arsyeshme;
n) Bashkëpunon me rrjetin e CSIRT-eve ndërkombëtare dhe ofron asistencë të përbashkët të bazuar në kapacitetet dhe kompetencat e tij, për anëtarët, pjesë e këtij rrjeti, sipas kërkesës;
nj) Koordinon me Policinë e Shtetit dhe çdo institucion përgjegjës për të ruajtur dhe mundësuar mbledhjen e provave kur dyshon për elemente të krimit kibernetik apo veprave të tjera penale të lidhura me to në infrastrukturat e informacionit.
Neni 14
Zbulimi i vulnerabiliteteve
1. CSIRT-i Kombëtar identifikon, analizon dhe ofron asistencë për operatorët e infrastrukturave të informacionit në rast të një vulnerabiliteti të identifikuar kryesisht apo të raportuar nga operatorët e infrastrukturave të informacionit.
2. CSIRT-i Kombëtar në cilësinë e koordinatorit për zbulimin e vulnerabiliteteve kryen këto detyra:
a) Identifikon dhe kontakton me subjektet e interesuara;
b) Ndihmon personat fizikë ose juridikë që raportojnë një vulnerabilitet;
c) Negocion afatet kohore të zbulimit dhe të menaxhimit të vulnerabiliteteve që prekin shumë subjekte.
3. CSIRT-i Kombëtar në cilësinë e koordinatorit për zbulimin e vulnerabiliteteve siguron marrjen e veprimeve korrekte nga operatorët e infrastrukturave të informacionit në lidhje me vulnerabilitetin e raportuar dhe siguron anonimitetin e operatorit që raporton këtë vulnerabilitet.
4. Kur një vulnerabilitet i raportuar prek infrastrukturat e informacionit të shteteve të tjera, CSIRT-i Kombëtar, kur është e nevojshme, bashkëpunon me CSIRT-të e shteteve të tjera të caktuara si koordinatorë mbi bazën e një marrëveshjeje të lidhur ndërmjet palëve.
5. CSIRT-i Kombëtar zhvillon dhe mirëmban një regjistër të vulnerabiliteteve të konstatuara, i cili përmban të dhënat, si vijon:
a) Informacion që përshkruan vulnerabilitetin;
b) Produktet TIK ose shërbimet TIK të prekura dhe nivelin e cenueshmërisë në lidhje me rrethanat, në të cilat mund të shfrytëzohet;
c) Udhëzime në lidhje me zgjidhjet e dhëna për zbutjen e rreziqeve, që vijnë nga vulnerabilitetet e zbuluara.
Neni 15
CSIRT-et sektoriale dhe CSIRT-et pranë operatorëve të infrastrukturave të informacionit
1. Subjektet përgjegjëse për ofrimin e shërbimeve, sipas përcaktimeve të bëra në nenin 11 të këtij ligji, ngrenë në strukturën e vet CSIRT-in sektorial, përgjegjës për incidentet e sigurisë kibernetike.
2. Operatori i infrastrukturës kritike dhe operatori i infrastrukturës së rëndësishme të informacionit ngre në strukturën e vet ekipin e përgjigjes ndaj incidenteve të sigurisë kibernetike, CSIRT-in.
3. CSIRT-et përmbushin kërkesat, si vijon:
a) Sigurojnë një nivel të lartë të disponueshmërisë së kanaleve të tyre të komunikimit, duke shmangur çfarëdolloj dështimi për t’u kontaktuar dhe për të kontaktuar palët e tjera në çdo kohë duke specifikuar qartë kanalet e komunikimit;
b) Ambientet e tyre dhe sistemet mbështetëse të informacionit janë të vendosura në vende të sigurta;
c) Janë të pajisur me një sistem të përshtatshëm për menaxhimin dhe drejtimin e kërkesave, veçanërisht për të lehtësuar dorëzimet në mënyrë që këto të jenë efektive dhe eficiente;
ç) Sigurojnë konfidencialitetin dhe besueshmërinë e operacioneve të tyre;
d) Kanë personel të mjaftueshëm dhe të trajnuar për të siguruar disponueshmërinë e shërbimeve të tyre në çdo kohë, si dhe për këtë qëllim mund të marrin pjesë në rrjete të bashkëpunimit ndërkombëtar;
dh) Janë të pajisur me sisteme shtesë kompensimi për të siguruar vazhdimësinë e shërbimeve të tyre.
4. Rregullat teknike të funksionimit të CSIRT-eve pranë operatorëve të infrastrukturave kritike dhe të rëndësishme të informacionit dhe CSIRT-eve sektoriale përcaktohen në rregulloren e miratuar me urdhër të drejtorit të Përgjithshëm të Autoritetit.
5. Mënyra e ngritjes e CSIRT-eve sektoriale përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave.
Neni 16
Detyrat e CSIRT-it sektorial
Ekipi i Përgjigjes për Incidentet e Sigurisë Kibernetike në Infrastrukturat Kritike dhe të rëndësishme të informacionit, CSIRT-i sektorial, kryen këto detyra:
a) Bashkëpunon me Autoritetin për identifikimin e infrastrukturave kritike dhe të rëndësishme të informacionit në Republikën e Shqipërisë;
b) Bashkërendon punën me CSIRT-in kombëtar për rritjen e nivelit të sigurisë kibernetike në infrastrukturat kritike dhe të rëndësishme të informacionit që administrojnë operatorët përkatës, sipas fushës së tyre të veprimtarisë;
c) Mban përgjegjësi për raportimin e incidenteve kibernetike të ndodhura në infrastrukturat kritike dhe të rëndësishme të informacionit, që administrohen prej tyre dhe nga operatorët, sipas fushës së veprimtarisë së tyre;
ç) Ruan loge të incidenteve të evidentuara ose të raportuara për një periudhë të përcaktuar në rregulloren e miratuar me urdhër të drejtorit të Përgjithshëm të Autoritetit;
d) Koordinon me operatorët e infrastrukturave kritike dhe të rëndësishme të informacionit për mbrojtjen nga incidentet e sigurisë kibernetike të sistemeve dhe të rrjeteve që ato administrojnë;
dh) Njofton CSIRT-in kombëtar menjëherë pasi identifikon incidentin, si dhe e njofton këtë të fundit në rast të zgjidhjes së shpejtë të incidentit të ndodhur në infrastrukturat që administrojnë;
e) Sipas rastit, siguron ndihmë për operatorët e infrastrukturave të informacionit si dhe u vë në dispozicion informacionin e nevojshëm që mund të lehtësojë trajtimin efektiv të incidentit;
ë) Siguron rritje të kapaciteteve të stafit nëpërmjet trajnimeve dhe certifikimeve periodike sipas sektorëve që mbulojnë;
f) Cakton pikën e kontaktit e raporton pranë CSIRT-it Kombëtar, si dhe lajmëron për çdo ndryshim të ndodhur brenda 7 ditëve kalendarike;
g) Bashkëpunon me palët e interesuara në sektorin privat, me qëllim përmbushjen e objektivave të këtij ligji;
gj) Zbaton politikat e sigurisë kibernetike në nivel sektorial.
Neni 17
Detyrat e CSIRT-it pranë operatorëve të infrastrukturave kritike të informacionit dhe të rëndësishme të informacionit
1. Operatori i infrastrukturës kritike të informacionit ngre në strukturën e vet Ekipin e Përgjigjes ndaj Incidenteve të Sigurisë Kibernetike, CSIRT-in.
2. Operatori i infrastrukturës së rëndësishme të informacionit përfshin në strukturën e tij personin përgjegjës për reagimin ndaj incidenteve të sigurisë kibernetike.
3. CSIRT-i pranë operatorëve kryen këto detyra:
a) Monitoron rrjetet dhe sistemet e informacionit në infrastrukturën e tyre kritike ose të rëndësishme të informacionit mbi incidente të sigurisë kibernetike apo sulme të mundshme kibernetike;
b) Identifikon dhe kategorizon incidentin, si dhe vlerëson shtrirjen dhe dëmin e shkaktuar prej tij;
c) Trajton incidentin dhe jep zgjidhje konkrete duke u bazuar në politikat dhe masat e përcaktuara në këtë ligj, si dhe bashkëpunon me institucionet përkatëse ligjzbatuese kur dyshon për elemente të krimit kibernetik apo veprave të tjera penale të lidhura me të;
ç) Parandalon incidente të ngjashme në të ardhmen duke marrë masa parandaluese;
d) Përgatit dhe dërgon pranë CSIRT-it kombëtar raportet e incidenteve sipas formatit dhe afateve të përcaktuara në këtë ligj dhe në rregulloren e miratuar me urdhër të drejtorit të Përgjithshëm të Autoritetit;
dh) Ruan log-e për një periudhë të përcaktuar në rregulloren e miratuar me urdhër të drejtorit të Përgjithshëm të Autoritetit;
e) Mban dhe ruan kronologjinë e të gjitha provave të incidentit në përputhje me dispozitat e këtij ligji dhe legjislacionin në fuqi për mbrojtjen e të dhënave personale;
ë) Raporton pranë CSIRT-it Kombëtar dhe CSIRT-it sektorial çdo incident të sigurisë kibernetike të ndodhur në infrastrukturat e tyre;
f) Zbaton politikat e sigurisë kibernetike në nivel institucional.
Neni 18
Pikat e kontaktit
1. Operatorët e infrastrukturave kritike dhe të rëndësishme të informacionit caktojnë pikat e kontaktit sipas përcaktimeve të bëra në këtë ligj.
2. Në të dhënat për pikat e kontaktit për personat juridikë publikë dhe privatë përfshihen:
a) emri;
b) adresa e selisë;
c) numri i identifikimit (NUIS) të personit juridik ose numri i ngjashëm, i caktuar jashtë vendit;
ç) të dhënat e personit të kontaktit që është i autorizuar të veprojë në emër të operatorit, përfshirë adresën e e-mail-it, rangjet IP dhe numrat e telefonit.
3. Pikat e kontaktit raportohen nga operatorët e infrastrukturave kritike dhe të rëndësishme të informacionit pranë CSIRT-it Kombëtar dhe CSIRT-it sektorial, brenda 15 ditëve pas hyrjes në fuqi të listës së infrastrukturave kritike dhe të rëndësishme të informacionit, të miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave.
4. Çdo ndryshim në të dhënat e pikave të kontaktit i komunikohet zyrtarisht CSIRT-it Kombëtar dhe CSIRT-it sektorial nga operatorët e infrastrukturave kritike dhe të rëndësishme të informacionit brenda 7 ditëve kalendarike.
Neni 19
Shkëmbimi i informacionit
1. Operatorët e infrastrukturave kritike dhe të rëndësishme të informacionit shkëmbejnë vullnetarisht ndërmjet tyre informacione në lidhje me kërcënimet kibernetike, vulnerabilitetet, treguesit e kompromisit, teknikat dhe procedurat, informacione specifike për aktorët e kërcënimit, sinjalizime dhe rekomandime për sigurinë kibernetike, konfigurimin e mjeteve të sigurisë kibernetike për zbulimin e sulmeve kibernetike, me qëllim:
a) parandalimin, zbulimin, reagimin ndaj incidenteve kibernetike ose rikuperimin apo zvogëlimin e ndikimit të incidenteve kibernetike;
b) rritjen e nivelit të sigurisë kibernetike, veçanërisht nëpërmjet rritjes së ndërgjegjësimit në lidhje me kërcënimet kibernetike, duke kufizuar ose penguar përhapjen e kërcënimeve të tilla, duke u mbështetur në një sërë kapacitetesh mbrojtëse, korrigjimin dhe zbulimin e vulnerabiliteteve, teknikat e zbulimit, kontrollit dhe parandalimit të incidentit, reagimin dhe fazat e rikuperimit, si dhe promovimin e bashkëpunimit ndërmjet subjekteve publike dhe private referuar analizës së incidenteve kibernetike.
2. Shkëmbimi vullnetar i informacionit ndërmjet operatorëve bëhet nëpërmjet marrëveshjeve për shkëmbimin e informacionit të sigurisë kibernetike, duke ruajtur në çdo rast konfidencialitetin e informacionit.
3. Operatorët e infrastrukturave të informacionit, në përputhje me përcaktimet e këtij neni, kanë detyrimin të njoftojnë Autoritetin në çdo rast lidhur me nënshkrimin dhe përfundimin e marrëveshjeve për ndarjen e informacionit.
KREU III
ADMINISTRIMI I SIGURISË KIBERNETIKE
Neni 20
Masat e sigurisë kibernetike
1. Operatorët e infrastrukturës kritike dhe të rëndësishme të informacionit janë të detyruar të zbatojnë masat e sigurisë, si dhe të dokumentojnë zbatimin e tyre, sipas përcaktimeve të bëra në këtë ligj.
2. Operatorët e infrastrukturës kritike dhe të rëndësishme të informacionit, me qëllim garantimin e vazhdimësisë së shërbimeve, implementojnë masa të përshtatshme dhe proporcionale për të arritur një nivel të lartë të sigurisë kibernetike në infrastrukturat e tyre.
3. Masat e sigurisë kibernetike klasifikohen në masa organizative, masa teknike dhe masa operacionale për menaxhimin e riskut dhe përditësohen nga Autoriteti duke marrë në konsideratë zhvillimet e fundit teknologjike.
4. Masat e sigurisë kibernetike kanë për qëllim parandalimin dhe minimizimin e efektit të incidentit në sigurinë e rrjeteve dhe të sistemeve të informacionit.
5. Përmbajtja dhe mënyra e dokumentimit të masave organizative, teknike dhe operacionale të sigurisë kibernetike përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
6. Subjektet, të cilat operojnë në sektorët sipas anekseve të këtij ligji, por që nuk janë ende pjesë e listës së infrastrukturave të informacionit mund të aplikojnë apriori të gjitha masat e sigurisë kibernetike, sipas përcaktimeve të bëra në këtë ligj.
Neni 21
Masat për menaxhimin e riskut për operatorët e infrastrukturës kritike dhe të rëndësishme të informacionit
1. Operatorët e infrastrukturës kritike dhe të rëndësishme të informacionit zbatojnë masa teknike, organizative dhe operacionale për menaxhimin e riskut, të cilat përfshijnë:
a) përcaktimin e politikave mbi analizën e riskut të incidentit dhe sigurinë e sistemit të informacionit;
b) trajtimin e incidentit;
c) vazhdimësinë e punës, si menaxhimi i backup-it dhe rikuperimit, rimëkëmbjen nga katastrofat dhe menaxhimin e krizave;
ç) sigurinë e zinxhirit të furnizimit, duke përfshirë aspektet e lidhura me sigurinë në lidhje me marrëdhëniet midis çdo njësie dhe furnizuesit të drejtpërdrejtë të tij ose ofruesit e shërbimeve;
d) sigurinë në blerjen, zhvillimin dhe mirëmbajtjen e sistemeve të informacionit dhe rrjetit, duke përfshirë trajtimin dhe zbulimin e vulnerabiliteteve;
dh) politikat dhe procedurat për të vlerësuar efektivitetin e masave të menaxhimit të riskut të sigurisë kibernetike;
e) praktikat bazë të higjienës kibernetike dhe trajnimet për sigurinë kibernetike;
ë) politikat dhe procedurat në lidhje me përdorimin e kriptografisë dhe, sipas rastit, enkriptimin;
f) sigurinë e burimeve njerëzore, politikat e kontrollit të aksesit dhe menaxhimin e aseteve;
g) përdorimin e autentifikimit me shumë faktorë ose zgjidhjeve të vërtetimit të vazhdueshëm, zëri i siguruar, video dhe teksti, komunikimet dhe sistemet e sigurta të komunikimit të emergjencës brenda njësisë, sipas rastit.
2. Gjatë zbatimit të masave organizative, teknike dhe operacionale për menaxhimin e riskut operatorët marrin në konsideratë veçanërisht:
a) sigurinë e rrjeteve dhe sistemeve të shërbimeve;
b) menaxhimin e incidentit;
c) menaxhimin e vazhdimësisë së shërbimit dhe të rimëkëmbjes nga katastrofat;
ç) monitorimin, auditimin dhe testimin;
d) përputhshmërinë me standardet ndërkombëtare.
Neni 22
Masat e sigurisë kibernetike në rast kërcënimi ose incidenti të sigurisë kibernetike
1. Në rast të një incidenti kibernetik apo kërcënimi të mundshëm, aplikohen masat e sigurisë kibernetike të kategorizuara, si më poshtë:
a) Masa paralajmëruese;
b) Kundërmasat dhe playbooks;
c) Masa mbrojtëse të natyrës së përgjithshme.
2. Masat paralajmëruese janë masa me karakter rekomandues, që jepen nga Autoriteti në rastet e një kërcënimi të ndodhur dhe vendosen në dispozicion të operatorëve për t’u implementuar menjëherë. Masat paralajmëruese hartohen nga Autoriteti dhe miratohen me urdhër të drejtorit të Përgjithshëm të Autoritetit.
3. Kundërmasat hartohen nga Autoriteti dhe ndërmerren nga operatorët e infrastrukturave kritike dhe të rëndësishme të informacionit për incidentin e ndodhur në infrastrukturat e tyre. Autoriteti harton playbooks bazuar në kategoritë e incidenteve të sigurisë kibernetike të ENISA-s të cilët aplikohen sipas rastit të incidentit të sigurisë kibernetike të paraqitur. Personi përgjegjës, në cilësinë e pikës së kontaktit, informon menjëherë Autoritetin për zbatimin e kundërmasave, playbooks dhe rezultatin e tyre. Miratimi dhe zbatimi i kundërmasave dhe playbooks bëhet me urdhër të drejtorit të Përgjithshëm të Autoritetit.
4. Masat mbrojtëse të natyrës së përgjithshme janë masat e bazuara në një analizë të incidenteve të sigurisë kibernetike, tashmë të zgjidhura, me qëllim rritjen e mbrojtjes së rrjeteve dhe sistemeve të informacionit dhe zbatohen nga operatorët e infrastrukturave kritike dhe të rëndësishme të informacionit. Masat mbrojtëse të natyrës së përgjithshme përcaktohen në rregulloren e miratuar me urdhër të drejtorit të Përgjithshëm të Autoritetit.
Neni 23
Rreziqet e sigurisë kibernetike dhe raportimi i incidenteve të sigurisë kibernetike
1. Operatorët e infrastrukturave kritike dhe të rëndësishme të informacionit marrin masa për të parandaluar e minimizuar ndikimin e rreziqeve dhe të incidenteve të sigurisë kibernetike në infrastrukturat e tyre të informacionit.
2. Operatorët e infrastrukturave kritike dhe të rëndësishme të informacionit bashkëpunojnë me CSIRT-in Kombëtar dhe CSIRT-in sektorial në të gjitha fazat e një incidenti kibernetik të ndodhur në infrastrukturat e tyre të informacionit.
3. Operatorët e infrastrukturave kritike dhe të rëndësishme të informacionit raportojnë të gjitha llojet e incidenteve të sigurisë kibernetike pranë CSIRT-it Kombëtar dhe CSIRT-it sektorial, brenda 4 orëve nga momenti i identifikimit të incidentit, si dhe vendosin në dispozicion kopjen e log-eve.
4. Për të përcaktuar rëndësinë e ndikimit të një incidenti kibernetik vlerësohen parametrat e mëposhtëm:
a) Numri i përdoruesve të prekur nga ndërprerja e shërbimit;
b) Kohëzgjatja e incidentit;
c) Shtrirja gjeografike në lidhje me zonën e prekur nga incidenti;
ç) Shkalla e ndërprerjes së funksionimit të shërbimit;
d) Shtrirja e ndikimit në aktivitetet ekonomike dhe shoqërore;
dh) Varësia e sektorëve nga shërbimet e ofruara të operatorit të infrastrukturës së informacionit;
e) Rëndësia e ruajtjes së një niveli të mjaftueshëm të shërbimit, duke marrë parasysh disponueshmërinë e mjeteve alternative për sigurimin e këtij shërbimi.
5. Operatorët e infrastrukturave kritike dhe të rëndësishme të informacionit, brenda një muaji pas njoftimit të incidentit, sipas pikës 3, të këtij neni, i dorëzojnë CSIRT-it Kombëtar një raport përfundimtar, i cili përmban:
a) një përshkrim të detajuar të incidentit, duke përfshirë rëndësinë dhe ndikimin e tij;
b) llojin e kërcënimit ose shkakun kryesor që mund ta ketë shkaktuar incidentin;
c) masat e zbatuara dhe masat e vazhdueshme për zvogëlimin e pasojave;
d) aty ku është e aplikueshme, ndikimin ndërkufitar të incidentit.
6. Në rastet e një incidenti kibernetik të vazhdueshëm, operatori i infrastrukturës së informacionit i prekur nga ky incident, përveç detyrimit të dorëzimit të raportit përfundimtar sipas pikës 5 të këtij neni, ka detyrimin të dorëzojë pranë CSIRT-it Kombëtar edhe një raport progresi në kohën e ndodhjes së incidentit kibernetik.
7. Autoriteti vendos në dispozicion të organizmave ndërkombëtarë në fushën e sigurisë kibernetike të dhënat e administruara në lidhje me incidentet e sigurisë kibernetike, me qëllim trajtimin dhe zgjidhjen e tyre. Komunikimi dhe ndarja e të dhënave sipas përcaktimeve të kësaj pike bëhet në përputhje me legjislacionin në fuqi për marrëveshjet ndërkombëtare dhe për mbrojtjen e të dhënave personale.
8. Llojet dhe kategoritë e incidenteve të sigurisë kibernetike, të cilat prekin sistemet dhe rrjetet e informacionit, formatin, elementet e raportimit, afatet e raportimit, mënyrën e dokumentimit dhe të regjistrimit të incidenteve kibernetike përcaktohen me rregulloren e miratuar me urdhër të drejtorit të Përgjithshëm të Autoritetit.
Neni 24
Masat shtesë të sigurisë kibernetike
Operatorët e infrastrukturave kritike të informacionit, përveç masave të sigurisë kibernetike të parashikuara në nenet 21 dhe 22, të këtij ligji, mund të miratojnë masa shtesë të menaxhimit të riskut apo të njoftimit të incidenteve të sigurisë kibernetike, të cilat janë në përputhje me aktet rregullatore të Bashkimit Evropian dhe që nuk bien në kundërshtim me përcaktimet e bëra në këtë ligj.
Neni 25
Njoftimi vullnetar i incidenteve të sigurisë kibernetike
1. Përveç operatorëve të infrastrukturave kritike dhe të rëndësishme të informacionit raportojnë vullnetarisht edhe subjekte të tjera.
2. CSIRT-i Kombëtar shqyrton raportimet e bëra dhe në varësi të tyre zbaton procedurën e përmendur në pikën 4, të nenit 23, të këtij ligji, duke zbatuar në çdo rast parimin e konfidencialitetit.
3. Raportimet vullnetare shqyrtohen nga Autoriteti, vetëm pasi është vlerësuar që këto raportime nuk ndikojnë në trajtimin e raportimeve të detyrueshme të operatorëve të infrastrukturave kritike dhe të rëndësishme të informacionit.
4. Raportimi vullnetar nuk krijon pasoja apo detyrime për subjektin raportues, nëse ai nuk do të kishte bërë një raportim të tillë.
Neni 26
Informimi i publikut dhe i përdoruesve për incidentet kibernetike
1. CSIRT-i Kombëtar informon publikun për incidentet e ndodhura në infrastrukturat kritike dhe të rëndësishme të informacionit, kur ky informim është i nevojshëm për ndërgjegjësimin e publikut, trajtimin e incidentit apo kur prek interesin publik, duke ruajtur konfidencialitetin e të dhënave të incidentit.
2. Informimi i publikut bëhet sipas një procedure komunikimi të miratuar me urdhër të drejtorit të Përgjithshëm të Autoritetit.
3. Operatorët e infrastrukturave kritike dhe të rëndësishme të informacionit njoftojnë pa vonesë përdoruesit e shërbimeve të tyre, të cilët janë prekur potencialisht nga një incident kibernetik i rëndësishëm, në lidhje me masat që këta përdorues janë në gjendje të marrin si përgjigje ndaj atij kërcënimi.
4. Një incident kibernetik konsiderohet i rëndësishëm, nëse:
a) ka shkaktuar ose është në gjendje të shkaktojë ndërprerje të rëndë operacionale të shërbimeve ose humbje financiare për operatorin e prekur;
b) ka ndikuar ose është në gjendje të prekë persona të tjerë fizikë ose juridikë, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale ose jomateriale.
5. Nëse një incident kibernetik i raportuar prek një ose më shumë shtete të tjera, CSIRT–i Kombëtar informon shtetet e prekura, në përputhje me dispozitat e këtij ligji dhe legjislacionin në fuqi për mbrojtjen e të dhënave personale.
Neni 27
Kufizimi i të dhënave dhe ruajtja e konfidencialitetit
1. Nëpunësit e Autoritetit, që marrin pjesë në zgjidhjen e incidentit kibernetik, janë të detyruar të ruajnë konfidencialitetin e plotë për të gjitha të dhënat e përpunuara gjatë procedurës së zgjidhjes së tij.
2. Konfidencialiteti i të dhënave ruhet edhe pas ndërprerjes së marrëdhënieve të punës me Autoritetin në përputhje me parashikimet ligjore në fuqi.
3. Konfidencialiteti i të dhënave të incidentit kibernetik trajtohet sipas legjislacionit në fuqi për informacionin e klasifikuar dhe legjislacionin në fuqi për mbrojtjen e të dhënave personale.
Neni 28
Kriza kibernetike
1. Në rastet kur nga subjektet përgjegjëse të sigurisë kibernetike është e pamundur të shmanget një kërcënim kibernetik drejt rrjeteve dhe sistemeve të informacionit, Autoriteti, në koordinim me subjektet e tjera përgjegjëse të sigurisë dhe mbrojtjes, sipas pikës 1, të nenit 11, të këtij ligji, i propozon menjëherë Kryeministrit shpalljen e gjendjes së krizës kibernetike dhe masat emergjente për zgjidhjen e situatës.
2. Gjendja e krizës kibernetike shpallet me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozimin e Kryeministrit. Vendimi për shpalljen e gjendjes së krizës kibernetike njoftohet në media.
3. Gjendja e krizës kibernetike shpallet për një periudhë kohore deri në shtatë ditë. Kjo periudhë mund të zgjatet në mënyrë të përsëritur, në varësi të kompleksitetit të situatës kibernetike, me vendim të Këshillit të Ministrave. Periudha maksimale e shpalljes së gjendjes së krizës kibernetike nuk duhet të kalojë 30 ditë.
4. Gjatë periudhës së gjendjes së krizës kibernetike, drejtori i Përgjithshëm i Autoritetit informon Kryeministrin në lidhje me ecurinë dhe zgjidhjen e kësaj gjendjeje, si dhe për kërcënimet reale të mundshme.
5. Gjatë gjendjes së krizës kibernetike, Autoriteti koordinon menaxhimin e krizës dhe ka të drejtë të nxjerrë vendime me karakter të përgjithshëm ose të marrë masa mbrojtëse të natyrës së përgjithshme dhe kundërmasa.
6. Kundërmasat e nxjerra nga Autoriteti para vendosjes së gjendjes së krizës kibernetike mbeten në fuqi për aq kohë sa këto kundërmasa nuk bien në kundërshtim me masat emergjente të deklaruara nga Këshilli i Ministrave.
7. Autoriteti koordinon veprimet e të gjitha strukturave përgjegjëse për zgjidhjen e gjendjes së krizës kibernetike.
8. Në përputhje me përcaktimet e bëra sa më sipër, Autoriteti miraton një plan kombëtar për reagimin ndaj incidenteve të sigurisë kibernetike në shkallë të gjërë dhe ndaj krizës kibernetike, i cili përcakton:
a) objektivat dhe masat e përgatitjes në nivel kombëtar, si dhe aktivitetet;
b) detyrat dhe përgjegjësitë e subjekteve përgjegjëse për menaxhimin e krizës kibernetike;
c) procedurat e menaxhimit të kizës kibernetike, duke përfshirë integrimin e tyre në kuadrin ligjor kombëtar të menaxhimit të përgjithshëm të krizës kibernetike si dhe kanalet e shkëmbimit të informacionit;
ç) masat kombëtare të përgatitjes, duke përfshirë ushtrimet dhe aktivitetet e trajnimit;
d) palët përkatëse publike dhe private si dhe infrastrukturat e përfshira;
dh) procedurat dhe marrëveshjet kombëtare ndërmjet Autoritetit dhe organeve përkatëse kombëtare për të siguruar pjesëmarrjen efektive dhe mbështetjen në menaxhimin e koordinuar të incidenteve të sigurisë kibernetike dhe krizave kibernetike në shkallë të gjerë në nivel kombëtar.
9. Procedurat për identifikimin, klasifikimin, përshkallëzimin dhe menaxhimin e krizës kibernetike përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrive.
Neni 29
Ekipi i Përgjigjes ndaj Emergjencave dhe Krizës së Sigurisë Kibernetike – CERT
1. Me qëllim trajtimin në kohë dhe me eficiencë të emergjencave dhe të krizës së sigurisë kibernetike, në përputhje me përcaktimet e këtij ligji, krijohet pranë Autoritetit një strukturë ad-hoc, rast pas rasti, i quajtur Ekipi i Përgjigjes ndaj Emergjencave të Sigurisë Kibernetike – CERT.
2. CERT-i përbëhet nga ekspertë të fushës, të cilët thirren nga Autoriteti për hartimin e planit të masave të emergjencës, menaxhimin dhe zgjidhjen e emergjencave dhe krizës kibernetike.
3. CERT-i, gjatë ushtrimit të detyrave të tij, ka detyrimin e respektimit të parimit të konfidencialitetit.
4. Ngritja, mënyra e organizimit dhe funksionimit të CERT-it përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
KREU IV
MBIKËQYRJA DHE ZBATIMI I MASAVE TË SIGURISË KIBERNETIKE
Neni 30
Mbikëqyrja dhe zbatimi i masave të sigurisë kibernetike
1. Autoriteti kontrollon zbatimin e masave të sigurisë kibernetike nga operatorët e infrastrukturave kritike dhe të rëndësishme të informacionit.
2. Autoriteti, në funksion të ushtrimit të veprimtarisë mbikëqyrëse, ushtron këto kompetenca:
a) Mbikëqyr operatorët nëpërmjet kontrolleve periodike, si dhe sa herë e gjykon të arsyeshme, në çdo rast, duke njoftuar operatorin 10 ditë pune përpara kryerjes së kontrollit;
b) Zhvillon kontrolle për rrjetet dhe sistemet e deklaruara, si dhe çdo rrjet apo sistem tjetër apo të ndërlidhur me to, nëpërmjet një plani vjetor kontrolli të hartuar në fillim të çdo viti, i cili miratohet me urdhër të drejtorit të Përgjithshëm të Autoritetit, si dhe publikohet në faqen zyrtare të Autoritetit;
c) Zhvillon kontrolle me grupe ad-hoc në rastet e një incidenti kibernetik të ndodhur ose në rastet e shkeljeve të mundshme të këtij ligji;
ç) Zhvillon skanime të jashtme të rrjeteve dhe sistemeve të operatoreve, për efekt të kontrollit të masave të sigurisë në lidhje me vulnerabilitete të mundshme, në çdo rast, duke informuar paraprakisht operatorin e infrastrukturës së informacionit, duke siguruar transparencë të procesit dhe garantuar konfidencialitetin e informacionit;
d) Kërkon informacionin e nevojshëm për vlerësimin e nivelit të sigurisë së rrjeteve dhe sistemeve të informacionit, për të aksesuar masat e menaxhimit të riskut të ndërmarra nga operatorët;
dh) Mbledh të dhëna, dokumente dhe informacionin e nevojshëm për të kryer funksionin e tij mbikëqyrës ndaj operatorëve, duke informuar paraprakisht operatorët e infrastrukturës kritike dhe të rëndësishme të informacionit dhe garanton mbrojtjen e këtij informacioni;
e) Kërkon dhe verifikon evidencat e dokumentuara për zbatimin efektiv të politikave të sigurisë kibernetike në kuadër të procesit të kontrollit.
Neni 31
Detyrimet e operatorëve të infrastrukturave kritike dhe të rëndësishme të informacionit
1. Operatorët e infrastrukturave kritike dhe të rëndësishme të informacionit kanë detyrimin të raportojnë të gjitha infrastrukturat e tyre kritike, të rëndësishme, si dhe të gjitha infrastrukturat e tjera që ndërveprojnë me to pranë Autoritetit.
2. Operatorët e infrastrukturave kritike dhe të rëndësishme të informacionit kanë detyrimin të raportojnë pranë Autoritetit në vazhdimësi çdo infrastrukturë të re, të administruar prej tyre, që ndërvepron me infrastrukturat e kategorizuara kritike apo të rëndësishme.
3. Operatorët e infrastrukturave kritike dhe të rëndësishme të informacionit kanë detyrimin të dokumentojnë çdo ndryshim dhe zhvillim të kryer në infrastrukturat e tyre kritike dhe të rëndësishme.
4. Operatorët e infrastrukturave kritike dhe të rëndësishme të informacionit kanë detyrimin të vendosin në dispozicion të Autoritetit çdo dokumentacion dhe evidencë që kërkohet nga Autoriteti, në kuadër të procesit të kontrollit.
5. Operatorët e infrastrukturave kritike dhe të rëndësishme të informacionit, në kuadër të aktivitetit mbikëqyrës, i ofrojnë CSIRT-it Kombëtar akses të drejtpërdrejtë në ambientet dhe sistemet e tyre të informacionit, në zbatim të procedurave të sigurisë të çdo operatori të këtyre infrastrukturave, të cilat janë të lidhura me shërbimet e ofruara prej tyre.
6. Operatorët e infrastrukturave kritike dhe të rëndësishme të informacionit janë të detyruar të zbatojnë masat korrigjuese të lëna nga Autoriteti, si dhe të raportojnë për zbatimin e tyre.
7. Për implementimin efektiv të masave të sigurisë kibernetike, operatorët paraqesin pranë Autoritetit raportin e vlerësimit të konformitetit, nga një organ i vlerësimit të konformitetit për sigurinë kibernetike, të paktën një herë në 2 vjet.
8. Operatorët e infrastrukturave kritike dhe të rëndësishme të informacionit janë të detyruar të marrin masat të shtuara teknike, në përputhje me përcaktimet e bëra në vendimin e Këshillit të Ministrave, për përmbajtjen dhe mënyrën e dokumentimit të masave të sigurisë kibernetike.
9. Operatorët e infrastrukturave kritike dhe të rëndësishme të informacionit janë të detyruar të bashkëpunojnë me Autoritetin në kuadër të realizimit të funksioneve mbikëqyrëse, të përcaktuara në këtë ligj.
Neni 32
Detyrime të tjera të operatorëve të infrastrukturave kritike dhe të rëndësishme të informacionit të administratës publike
1. Operatorët e infrastrukturave kritike dhe të rëndësishme të informacionit të administratës publike, sipas aneksit 1, të këtij ligji, me qëllim garantimin e vendosjes së standardeve të sigurisë dhe ndërveprueshmërisë me sistemet qeveritare, përpara iniciimit të implementimit të një sistemi, duhet të marrin konfirmimin e institucionit përgjegjës, sipas legjislacionit në fuqi për qeverisjen elektronike lidhur me specifikimet teknike.
2. Operatorët e infrastrukturave kritike dhe të rëndësishme të informacionit të administratës publike, sipas aneksit 1, të këtij ligji, hostojnë nyjen primare të infrastrukturës së tyre pranë Qendrës së të Dhënave Qeveritare dhe nyjen sekondare pranë Qendrës së Vazhdueshmërisë së Punës (Business Continuity Center).
3. Operatorët e infrastrukturave kritike dhe të rëndësishme të informacionit të administratës publike, sipas aneksit 1, të këtij ligji, monitorohen nga Qendra Kombëtare Operacionale e Sigurisë Kibernetike.
KREU V
BASHKËPUNIMI NË NIVEL KOMBËTAR DHE NDËRKOMBËTAR
Neni 33
Bashkëpunimi në nivel kombëtar
1. Autoriteti koordinon veprimtarinë e tij me institucionet e sigurisë dhe të mbrojtjes, si dhe bashkëpunon me subjektet e tjera përgjegjëse për sigurinë kibernetike, sipas përcaktimeve të bëra në këtë ligj.
2. CSIRT-et pranë operatorëve, CSIRT-et sektoriale kanë detyrimin për të bashkëpunuar në çdo kohë me CSIRT-in Kombëtar dhe Autoritetin, në përmbushje të detyrimeve dhe përgjegjësive që rrjedhin nga ky ligj.
3. Në përputhje me pikën 1, të këtij neni, Autoriteti:
a) bashkëpunon me Policinë e Shtetit dhe institucionet përkatëse, në rastet kur nga informacioni i siguruar për efekt të këtij ligji, dyshon për elemente të krimit kibernetik ose veprave të tjera penale të lidhura me to;
b) bashkëpunon me institucionin përgjegjës për sigurinë e informacionit të klasifikuar, në rastet kur merr dijeni, për kërcënime të mundshme në rrjetet e klasifikuara, të infrastrukturave të informacionit, objekt i këtij ligji;
c) bashkëpunon me institucionin përgjegjës për komunikimet elektronike dhe postare, AKEP-in, për sigurinë e rrjeteve dhe shërbimeve të komunikimeve elektronike, si dhe për mbylljen e faqeve me përmbajtje të paligjshme dhe IP-ve, që gjenerojnë sulme, malware;
ç) bashkëpunon me Autoritetin Kombëtar për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, në rastet kur trajtohen incidente në infrastrukturat e informacionit, të cilat rezultojnë në përhapje të paligjshme të të dhënave personale.
Neni 34
Bashkëpunimi ndërkombëtar
1. Autoriteti bashkëpunon me organizmat ndërkombëtarë në fushën e sigurisë kibernetike dhe autoritetet kombëtare të vendeve të tjera nëpërmjet marrëveshjeve të përbashkëta, në përputhje me legjislacionin në fuqi për marrëveshjet ndërkombëtare.
2. Në kuadër të përmbushjes së angazhimeve, në terma të sigurisë kibernetike, si vend anëtar i Aleancës Euro-Atlantike (NATO) dhe Organizatës për Sigurimin dhe Bashkëpunimin në Evropë (OSBE), Autoriteti koordinon dhe bashkërendon punën midis këtyre organizmave dhe institucioneve kombëtare.
3. Autoriteti bashkëpunon me grupin e bashkëpunimit, rrjetin e CSIRT-eve, rrjetin evropian të organizatave ndërlidhëse të krizave kibernetike (EU-CyCLONe), sipas përcaktimeve të bëra në këtë ligj.
4. Autoriteti merr pjesë në forumet ndërkombëtare për çështje të sigurisë kibernetike dhe bashkëpunon me to për rritjen e sigurisë kibernetike në vend.
Neni 35
Grupi i bashkëpunimit
Autoriteti merr pjesë në aktivitetet e grupit të bashkëpunimit, të përbërë nga përfaqësues të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian, të Komisionit Evropian dhe të Agjencisë së Bashkimit Evropian për Rrjetin dhe Sigurinë e Informacionit (ENISA), duke kontribuuar kryesisht për:
a) shkëmbimin e informacionit dhe të praktikave më të mira lidhur me:
i. kërcënimet kibernetike dhe incidentet e sigurisë kibernetike;
ii. vulnerabilitetet;
iii. trajnimet dhe rritjen e kapaciteteve;
iv. ndërgjegjësimin në fushën e sigurisë kibernetike;
v. standardet dhe specifikimet teknike;
vi. identifikimin e operatorëve kritikë dhe të rëndësishëm të informacionit;
vii. iniciativat e reja të politikave të sigurisë kibernetike dhe kërkesave të sektorëve specifikë për sigurinë kibernetike;
viii. zbatimin e akteve ligjore të Bashkimit Evropian të sektorëve specifikë, që përmbajnë dispozita për sigurinë kibernetike.
b) vlerësimin e procesit të rrezikut të zinxhirit të furnizimit në nivelin e BE-së lidhur me shërbimet TIK, sistemet TIK dhe produktet TIK;
c) rastet e ndihmës reciproke, duke përfshirë përvojat, rezultatet dhe veprimet e përbashkëta ndërkufitare;
ç) politikat për veprimet vijuese pas incidenteve dhe krizave të sigurisë kibernetike në shkallë të gjerë mbi bazën e mësimeve të nxjerra nga rrjeti i CSIRT-eve dhe EU-CyCLONE;
d) rishikimin e nivelit të sigurisë kibernetike, sipas përcaktimeve të bëra në nenin 38 të këtij ligji.
Neni 36
Rrjeti i CSIRT-eve
CSIRT-i Kombëtar merr pjesë në rrjetin e CSIRT-eve, duke kontribuuar kryesisht për:
a) shkëmbimin e informacionit dhe praktikave më të mira për kapacitetet e CSIRT-ve;
b) incidenteve të sigurisë kibernetike, kërcënimeve kibernetike, rreziqeve dhe vulnerabiliteteve;
c) dhënien e ndihmës në trajtimin e incidenteve ndërkufitare;
ç) format e bashkëpunimit operacional, duke përfshirë:
i. kategoritë e kërcënimeve dhe incidenteve kibernetike;
ii. paralajmërimet;
iii. ndihmën reciproke;
iv. parimet dhe marrëveshjet për koordinimin në përgjigje të rreziqeve dhe incidenteve ndërkufitare;
v. kontributin në incidentin kombëtar të sigurisë kibernetike në shkallë të gjerë dhe planin e reagimit ndaj krizave kibernetike, me kërkesë të një shteti anëtar.
d) bashkëpunimin dhe shkëmbimin e informacionit me qendrat operacionale të sigurisë (SOC), në nivel kombëtar dhe në nivel të Bashkimit Evropian, për ndërgjegjësimin e përbashkët të situatës për incidentet dhe kërcënimet e sigurisë kibernetike.
Neni 37
Rrjeti Evropian i Organizatave Ndërlidhëse të Krizave Kibernetike (EU-CyCLONe)
Autoriteti merr pjesë me Rrjetin Evropian të Organizatave Ndërlidhëse të Krizave Kibernetike (EU-CyCLONe), në kuadër të menaxhimit të incidenteve dhe krizave të sigurisë kibernetike në shkallë të gjerë, duke kontribuuar kryesisht për:
a) rritjen e nivelit të gatishmërisë për menaxhimin e incidenteve dhe krizave të sigurisë kibernetike në shkallë të gjerë;
b) ndërgjegjësimin e përbashkët të situatës për incidentet dhe krizat e sigurisë kibernetike në shkallë të gjerë;
c) vlerësimin e pasojave dhe ndikimin e incidenteve dhe krizave të sigurisë kibernetike në shkallë të gjerë dhe propozimin e masave zbutëse;
ç) koordinimin e menaxhimit të incidenteve dhe krizave të sigurisë kibernetike në shkallë të gjerë;
d) ofron ndihmë, pas kërkesës së një shteti anëtar të interesuar, në rastet e incidenteve kombëtare të sigurisë kibernetike në shkallë të gjerë dhe planet e reagimit ndaj krizave të sigurisë kibernetike.
Neni 38
Rishikimi i sigurisë kibernetike në nivelin e Bashkimit Evropian
Autoriteti merr pjesë në rishikimin e nivelit të sigurisë kibernetike nëpërmjet ekspertëve të sigurisë kibernetike lidhur me:
a) nivelin e zbatimit të masave të menaxhimit të riskut të sigurisë kibernetike dhe detyrimeve, sipas përcaktimeve të bëra në këtë ligj;
b) nivelin e kapaciteteve, duke përfshirë burimet financiare, teknike dhe njerëzore në dispozicion dhe efektivitetin e ushtrimit të detyrave të autoriteteve kompetente;
c) kapacitetet operacionale të CSIRT-ve;
ç) nivelin e zbatimit të ndihmës reciproke, sipas përcaktimeve të bëra në këtë ligj;
d) nivelin e zbatimit të marrëveshjeve për ndarjen e informacionit të sigurisë kibernetike, sipas përcaktimeve të bëra në këtë ligj;
dh) çështje specifike të natyrës ndërkufitare ose ndërsektoriale.
KREU VI
CERTIFIKIMI I SIGURISË KIBERNETIKE
Neni 39
Përgatitja dhe rishikimi i një skeme kombëtare të certifikimit të sigurisë kibernetike
1. Autoriteti përgatit skemën kombëtare të certifikimit të sigurisë kibernetike, në përputhje me skemat e miratuara të Bashkimit Evropian për certifikimin e sigurisë kibernetike.
2. Për përgatitjen e skemës kombëtare të certifikimit të sigurisë kibernetike, Autoriteti konsultohet me grupet e interesit, nëpërmjet një procesi konsultimi formal, të hapur, transparent dhe gjithëpërfshirës.
3. Të paktën çdo pesë vjet, Autoriteti rishikon skemat e miratuara të certifikimit të sigurisë kibernetike, duke marrë në konsideratë sugjerimet e palëve të interesuara.
4. Autoriteti publikon në faqen e internetit në menu të dedikuar skemat kombëtare të certifikimit të sigurisë kibernetike, certifikatat e sigurisë kibernetike, si dhe informacion në lidhje me skemat që nuk janë më të vlefshme apo që janë shfuqizuar.
5. Një vit pas hyrjes në fuqi të skemës së certifikimit të sigurisë kibernetike, Autoriteti publikon listën e organeve të vlerësimit të konformitetit për sigurinë kibernetike të akredituar, sipas skemës së certifikimit të sigurisë kibernetike.
Neni 40
Objektivat e sigurisë të skemës kombëtare të certifikimit të sigurisë kibernetike
Një skemë kombëtare e certifikimit të sigurisë kibernetike përmbush, sipas rastit, të paktën objektivat e sigurisë, si më poshtë vijon:
a) Mbrojtjen e të dhënave të ruajtura, të transmetuara ose të përpunuara, kundrejt zbulimit aksidental ose të paautorizuar, gjatë gjithë ciklit jetësor të produktit, shërbimit ose procesit TIK;
b) Mbrojtjen e të dhënave të ruajtura, të transmetuara ose të përpunuara, ndaj shkatërrimit aksidental ose të paautorizuar, humbjes, ndryshimit apo mungesës së disponueshmërisë gjatë gjithë ciklit jetësor të produktit, shërbimit ose procesit TIK;
c) Autorizimin e personave, programeve apo makinerive, vetëm për aksesin e të dhënave, shërbimeve ose funksioneve, të cilave u referohen të drejtat e tyre të aksesit;
ç) Identifikimin dhe dokumentimin e vulnerabiliteteve të konstatuara;
d) Regjistrimin e të dhënave, shërbimeve apo funksioneve, të cilat janë aksesuar, përdorur ose përpunuar, përfshirë kohën dhe individin;
dh) Bërjen të mundur të kontrollit se cilat të dhëna, shërbime ose funksione janë aksesuar, përdorur ose përpunuar, përfshirë kohën dhe autorësinë;
e) Verifikimin që produktet, shërbimet dhe proceset TIK nuk përmbajnë vulnerabilitete të njohura;
ë) Rivendsjen e disponueshmërisë dhe të aksesit ndaj të dhënave, shërbimeve dhe funksioneve në kohën e duhur, në rast të një incidenti fizik ose teknik;
f) Produktet, shërbimet dhe proceset TIK janë të sigurta që në projektim;
g) Produktet, shërbimet dhe proceset TIK janë të pajisura me software dhe hardware të përditësuara, të cilat nuk përmbajnë vulnerabilitete të njohura dhe janë pajisur me mekanizma për përditësime të sigurta.
Neni 41
Certifikimi i produkteve, shërbimeve dhe proceseve të veçanta TIK
1. Operatorët e infrastrukturave kritike dhe të rëndësishme të informacionit përdorin produkte, shërbime dhe procese TIK, të zhvilluara nga vetë operatorët ose të ofruara nga palë të treta, të certifikuara sipas skemës kombëtare të certifikimit të sigurisë kibernetike ose një skemë evropiane të certifikimit të sigurisë kibernetike.
2. Me qëllim rritjen e nivelit të sigurisë kibernetike në infrastrukturat e informacionit, Autoriteti inkurajon operatorët për përdorimin e identifikimit elektronik dhe shërbimeve të besuara të kualifikuara, sipas kuadrit ligjor në fuqi për to.
Neni 42
Miratimi i skemave, niveleve dhe organeve përgjegjëse për certifikimin e sigurisë kibernetike
1. Përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave:
a) skema kombëtare e certifikimit të sigurisë kibernetike, e cila është në përputhje me skemat e certifikimit të miratuara nga Bashkimi Evropian, si dhe afatet lidhur me implementimin e skemës së certifikimit të sigurisë kibernetike nga subjektet e këtij ligji;
b) nivelet e sigurisë së skemës kombëtare të certifikimit të sigurisë kibernetike për produktet, shërbimet dhe proceset e TIK.
2. Procedura dhe kriteret për regjistrimin e organeve të vlerësimit të konformitetit për sigurinë kibernetike, sipas skemës së certifikimit të sigurisë kibernetike, përcaktohen me udhëzimin e drejtorit të Përgjithshëm të Autoritetit.
3. Këshilli i Ministrave miraton masën e tarifës së regjistrimit, që organet e vlerësimit të konformitetit për sigurinë kibernetike duhet t’i paguajnë Autoritetit, në zbatim të detyrimeve të përcaktuara në këtë ligj.
4. Të ardhurat e përfituara nga tarifa e regjistrimit derdhen në buxhetin e shtetit.
KREU VII
MASAT ADMINISTRATIVE
Neni 43
Masat korrigjuese
1. Kur Autoriteti konstaton mangësi në zbatimin e masave të sigurisë, në zbatim të këtij ligji, përcakton një afat të arsyeshëm, brenda të cilit operatorët e infrastrukturës kritike dhe të rëndësishme të informacionit, marrin masat korrigjuese përkatëse.
2. Kur Autoriteti konstaton se nga ana e operatorëve të infrastrukturave të informacionit nuk është zbatuar detyrimi i përcaktuar në pikën 2, të nenit 31, të këtij ligji, përcakton një afat të arsyeshëm, brenda të cilit operatorët e infrastrukturës kritike dhe të rëndësishme të informacionit, marrin masat për përmbushjen e detyrimit.
3. Kostot lidhur me zbatimin e masave korrigjuese mbulohen nga operatorët e infrastrukturës kritike dhe të rëndësishme të informacionit.
4. Operatorët janë të detyruar të njoftojnë Autoritetin për marrjen e masave korrigjuese, brenda afatit të përcaktuar, dhe të paraqesin dokumentacionin mbështetës për këto masa.
5. Kategorizimi i afateve, sipas llojit dhe mangësive të konstatuara, sipas përcaktimeve të bëra në pikat 1 dhe 2, të këtij neni, përcaktohet në vendimin e Këshillit të Ministrave për përmbajtjen dhe mënyrën e dokumentimit të masave të sigurisë kibernetike, sipas nenit 20, të këtij ligji.
Neni 44
Kundërvajtjet administrative
Në kuptim të këtij ligji, përbëjnë kundërvajtje administrative, shkeljet e mëposhtme:
a) Mosraportimi pranë CSIRT–it Kombëtar dhe CSIRT-it sektorial, të incidentit të sigurisë kibernetike të ndodhur në infrastruktura, sipas përcaktimit në shkronjën “ë”, të pikës 2, të nenit 17, dhe pikës 3, të nenit 23, të këtij ligji;
b) Mosraportimi i saktë i infrastrukturave të informacionit gjatë procesit të identifikimit, sipas përcaktimeve të pikës 4, të nenit 12, të këtij ligji, dhe akteve nënligjore në zbatim të tij;
c) Mosraportimi pranë Autoritetit të pikës së kontaktit apo i përditësimeve të tyre, sipas përcaktimeve në pikat 3 dhe 4, të nenit 18, të këtij ligji;
ç) Mospërmbushja e detyrimeve të caktuara nga Autoriteti, në zbatim të pikës 1, të nenit 27, të këtij ligji;
d) Mospërmbushja e detyrimeve nga ana e operatorëve, sipas përcaktimeve në pikat 1, 3, 4, 5, 7, 8 dhe 9, të nenit 31, të këtij ligji;
dh) Mospërmbushja e detyrimeve nga ana e operatorëve, në zbatim të pikave 1, 2, 4, të nenit 43, të këtij ligji.
e) Mospërmbushja e detyrimeve, të përcaktuara në pikat 5 dhe 6, të nenit 23, të këtij ligji;
ë) Mospërmbushja e detyrimeve të përcaktuara në pikat 1 dhe 2, të nenit 32, të këtij ligji.
Neni 45
Sanksionet administrative
1. Kur Autoriteti konstaton shkeljen e dispozitave, të cilat përbëjnë kundërvajtje administrative, sipas nenit 44, të këtij ligji, vendos dënimin me gjobë, si më poshtë vijon:
a) Nga 1 000 000 deri në 10 000 000 lekë, në rast të shkeljeve administrative, të përcaktuara në shkronjat “a” dhe “d”, të nenit 44, të këtij ligji;
b) Nga 200 000 deri në 400 000 lekë, në rast të shkeljeve administrative, të përcaktuara në shkronjat “b” , “c” , “ç” dhe “e”, të nenit 44, të këtij ligji;
c) Nga 400 000 lekë deri në 1 000 000 lekë, në rast të shkeljeve administrative, të përcaktuara në shkronjën “dh”, të nenit 44, të këtij ligji;
ç) Nga 2 000 000 lekë deri në 5 000 000 lekë, në rast të shkeljeve administrative, të përcaktuara në shkronjën “ë”, të nenit 44, të këtij ligji.
2. Metodologjia për përcaktimin e masës së dënimit administrativ gjobë përcaktohet me urdhër të drejtorit të Përgjithshëm të Autoritetit.
3. Të ardhurat e siguruara nga kundërvajtjet administrative derdhen 100 për qind në buxhetin e shtetit.
Neni 46
Pezullimi i ushtrimit të shërbimit
1. Kur Autoriteti konstaton shkelje të përsëritura, në përmbushje të detyrimeve të përcaktuara në këtë ligj nga operatori i infrastrukturës kritike të informacionit, ndaj të cilit rezulton se janë marrë deri në 2 masa administrative të njëpasnjëshme, për mospërmbushjen e detyrimeve që rrjedhin nga ky ligj, njëkohësisht ka të drejtë:
a) t’i paraqesë kërkesë institucionit kompetent për bllokim të domain-it/nëndomeinit që lidhet me shërbimin;
b) t’i paraqesë kërkesë institucionit kompetent për licencimin, certifikimin apo autorizimin e shërbimit përkatës për pezullim të përkohshëm të licencës, autorizimit, lejes për ushtrimin e shërbimit, për të cilin janë konstatuar mangësi të zbatimit të masave të sigurisë;
c) t’i paraqesë kërkesë institucionit kompetent për pezullim të përkohshëm të drejtuesit ekzekutiv ose përfaqësuesit ligjor që është përgjegjës për menaxhimin në infrastrukturat kritike.
2. Kur ndaj operatorit të infrastrukturës kritike janë marrë masat e përcaktuara në shkronjat “a” ose “b” ose “c”, të pikës 1, të këtij neni, këto masa vazhdojnë të zbatohen derisa operatori të ndërmarrë veprimet e nevojshme për korrigjimin e mangësive apo plotësimin e kërkesave për të cilat janë vendosur këto masa.
3. Kur operatori ka ndërmarrë masat për plotësimin e mangësive apo kërkesave të konstatuara, për të cilat janë dhënë masat e përcaktuara në shkronjat “a” ose “b” ose “c”, të pikës 1, të këtij neni, Autoriteti i drejtohet me kërkesë institucionit kompetent për heqjen e tyre.
Neni 47
Procedura e vendosjes së dënimit administrativ gjobë
Procedurat e konstatimit, shqyrtimit, ankimit dhe ekzekutimit të kundërvajtjeve administrative janë ato të parashikuara në ligjin në fuqi për kundërvajtjet administrative.
KREU VIII
DISPOZITA TË FUNDIT
Neni 48
Aktet nënligjore
1. Ngarkohet Këshilli i Ministrave, që brenda 6 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, të miratojë aktet nënligjore në zbatim të neneve 7, pikat 7, 9, shkronja “ë”, 12, pika 2 dhe 20, pika 5, të këtij ligji.
2. Ngarkohet Këshilli i Ministrave, që, brenda 9 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, të miratojë Strategjinë Kombëtare për Sigurinë Kibernetike, në zbatim të nenit 6, të këtij ligji.
3. Ngarkohet Këshilli i Ministrave, që, brenda 9 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, të miratojë aktet nënligjore në zbatim të neneve 28, pika 9 dhe 29, pika 4, të këtij ligji.
4. Ngarkohet drejtori i Përgjithshëm i Autoritetit, që, brenda 6 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, të nxjerrë aktet nënligjore në zbatim të neneve 13, shkronja “f”, 15, pika 4, 22, pika 4, 23, pika 8 dhe 45, pika 2, të këtij ligji.
5. Ngarkohet drejtori i Përgjithshëm i Autoritetit, që, brenda 9 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, të nxjerrë aktin nënligjor në zbatim të shkronjës “ k”, të nenit 13, të këtij ligji.
6. Ngarkohet drejtori i Përgjithshëm i Autoritetit, që, brenda 12 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, të nxjerrë aktin nënligjor në zbatim të shkronjës “gj”, të nenit 13, të këtij ligji.
7. Ngarkohet drejtori i Përgjithshëm i Autoritetit, që, brenda 12 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, të miratojë playbooks përkatëse, në zbatim të pikës 3, të nenit 22, të këtij ligji.
8. Ngarkohet Këshilli i Ministrave, që, brenda 12 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, të miratojë mënyrën e ngritjes së CSIRT-eve sektoriale, në zbatim të pikës 5, të nenit 15, të këtij ligji.
9. Ngarkohet Këshilli i Ministrave, që, brenda 12 muajve nga miratimi i skemës evropiane të certifikimit të sigurisë kibernetike, të miratojë aktet nënligjore të përcaktuara në shkronjat “a” dhe “b”, të pikës 1, të nenit 42, të këtij ligji.
10. Ngarkohet Këshilli i Ministrave, që, brenda 6 muajve nga miratimi i skemës së certifikimit të sigurisë kibernetike, të miratojë aktin nënligjor në zbatim të pikës 3, të nenit 42, të këtij ligji.
11. Ngarkohet drejtori i Përgjithshëm i Autoritetit, që, brenda 6 muajve nga miratimi i skemës së certifikimit të sigurisë kibernetike, të nxjerrë aktin nënligjor në zbatim të pikës 2, të nenit 42, këtij ligji.
Neni 49
Shfuqizime
1. Ligji nr.2/2017, “Për sigurinë kibernetike”, shfuqizohet.
2. Nenet 10 dhe 10/1, të ligjit nr.9880, datë 25.2.2008, “Për nënshkrimin elektronik”, të ndryshuar, shfuqizohen.
3. Aktet nënligjore, të miratuara në zbatim të ligjit nr.2/2017, “Për sigurinë kibernetike”, mbeten në fuqi edhe pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, kur nuk bien në kundërshtim me dispozitat e këtij ligji, deri në miratimin e akteve nënligjore, në zbatim të këtij ligji.
Neni 50
Dispozitat kalimtare
1. Subjektet përgjegjëse në fushën e sigurisë kibernetike janë të detyruara të harmonizojnë veprimtarinë e tyre me parashikimet e këtij ligji, brenda 24 muajve nga data e hyrjes në fuqi e këtij ligji.
2. Autoriteti Kombëtar për Certifikimin Elektronik dhe Sigurinë Kibernetike vazhdon të ushtrojë veprimtarinë e tij si institucioni përgjegjës në fushën e sigurisë kibernetike, deri në riorganizimin e tij, në përputhje me dispozitat e këtij ligji.
3. Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike, pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, do të vazhdojë të ushtrojë edhe kompetencat e tij, sipas përcaktimeve të bëra në ligjin nr.9880, datë 25.2.2008, “Për nënshkrimin elektronik”, të ndryshuar, dhe në ligjin nr.107/2015, “Për identifikimin elektronik dhe shërbimet e besuara”, të ndryshuar, deri në momentin e hyrjes në fuqi të ligjit të ri për identifikimin elektronik dhe shërbimet e besuara.
4. Detyrimet e parashikuara për CSIRT-in Kombëtar, sipas këtij ligji, zbatohen edhe për raportimet në organizmat përgjegjëse të BE-së, në rastin e anëtarësimit të Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
5. Me hyrjen në fuqi të këtij ligji, dhe çdo dy vjet pas hyrjes së tij në fuqi, Autoriteti, në cilësinë e pikës së vetme kombëtare të kontaktit, u dërgon Komisionit Evropian dhe ENISA-s informacionin e nevojshëm për zbatimin e këtij ligji, në veçanti, në lidhje me identifikimin e operatorëve të infrastrukturave kritike dhe të rëndësishme të informacionit, në përputhje me kërkesat e ligjit për mbrojtjen e të dhënave personale, për transferimin ndërkombëtar.
6. Në rastin e anëtarësimit të Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Evropian Autoriteti raporton pranë Komisionit Evropian dhe ENISA-s, një herë në vit, llojet e incidenteve të ndodhura në Republikën e Shqipërisë.
7. Me anëtarësimin në Bashkimin Evropian të Republikës së Shqipërisë, Autoriteti njofton Komisionin Evropian për çdo skemë të certifikimit të sigurisë kibernetike, për organet e vlerësimit të konformitetit për sigurinë kibernetike që janë akredituar, si dhe për çdo ndryshim të mëvonshëm.
Neni 51
Hyrja në fuqi
1. Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
2. Nenet 35, 36, 37 dhe 38, të këtij ligji, hyjnë në fuqi me anëtarësimin e Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
K R Y E T A R I
LINDITA NIKOLLA
###
V E N D I M
PËR
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR SIGURINË KIBERNETIKE”
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Propozimin e projektligjit “Për sigurinë kibernetike”, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA