Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Projektligje të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 12 Janar 2018:

V E N D I M

PËR

PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR DIASPORËN”

Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Shtetit për Diasporën, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Propozimin e projektligjit “Për diasporën”, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit bashkëlidhur këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

###

P R O J E K T L I GJ

PËR

DIASPORËN

Në mbështetje të neneve 78, 81 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë

V E N D O S I:

KREU I

DISPOZITA TË PËRGJTHSHME

Neni 1

Objekti

Ky ligj ka për objekt përcaktimin e rregullave për:

a) kompetencat e autoriteteve shtetërore përgjegjëse për marrëdhëniet me diasporën;

b)mënyrën e mbajtjes, të forcimit dhe realizimit të lidhjeve të diasporës me vendin e origjinës;

c) krijimin e Këshillit Koordinues të Diasporës;

ç) dhënien e çmimeve kombëtare në fushën e marrëdhënieve ndërmjet vendit të origjinës dhe diasporës;

d) ruajtjen dhe kultivimin e identitetit kombëtar, gjuhësor, kulturor e arsimor të pjesëtarëve të diasporës dhe lidhshmërinë e tyre me institucionet shtetërore në vendin e origjinës.

Neni 2

Përkufizime

Në këtë ligj, termat e mëposhtëm kanë këto kuptime:

1. “Agjencia Kombëtare e Diasporës”, këtu e në vijim “Agjencia”, organi shtetëror përgjegjës për marrëdhëniet me diasporën;

2. “Diaspora”:

a) komunitetet e hershme shqiptare në botë;

b) çdo person, i cili është lindur në Shqipëri dhe jeton jashtë kufijve të saj;

c) çdo person që gëzon origjinë shqiptare, i cili ka lindur jashtë kufijve të Shqipërisë, mban lidhje gjuhësore, kulturore e të traditës në vazhdimësi dhe që ka dëshirë të ruajë lidhjet me Shqipërinë.

3. “Ministër përgjegjës”, ministri që mbulon fushën e veprimtarisë shtetërore për marrëdhëniet me diasporën;

4. “Vend i origjinës”, Republika e Shqipërisë;

5. “QKD”, qendër kulturore për diasporën, themeluar në vendet me interes për diasporën dhe Republikën e Shqipërisë;

6. “Këshilli Koordinues i Diasporës” (Këshilli), organi përfaqësues dhe koordinues i marrëdhënieve me diasporën.

KREU II

ORGANET SHTETËRORE PËRGJEGJËSE PËR MARRËDHËNIET ME DIASPORËN

Neni 3

Organet shtetërore përgjegjëse për diasporën

Organet shtetërore përgjegjëse për marrëdhëniet me diasporën janë:

a) Këshilli i Ministrave;

b) Ministri përgjegjës për diasporën;

c) Agjencia Kombëtare e Diasporës;

ç) Qendrat kulturore për diasporën;

d) Autoritete të tjera shtetërore, në përputhje me fushën e tyre të veprimtarisë.

Neni 4

Këshilli i Ministrave

1. Këshilli i Ministrave përcakton:

a) politikat e vendit të origjinës për diasporën, për t’u zbatuar nga organet shtetërore përgjegjëse për marrëdhëniet me diasporën;

b) mënyrën dhe politikat për regjistrimin e shtetasve shqiptarë që jetojnë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë.

Neni 5

Ministri përgjegjës për diasporën

Ministri përgjegjës për diasporën ushtron këto kompetenca:

a) I propozon Këshillit të Ministrave nxjerrjen e akteve rregulluese dhe marrjen e masave të tjera të nevojshme për realizimin e politikës shtetërore për marrëdhëniet me diasporën;

b) Mbikëqyr zbatimin e Strategjisë Kombëtare për Marrëdhëniet me Diasporën;

c) Monitoron marrëdhëniet me diasporën dhe mban të dhëna për organizimin e saj në forume;

ç) Bashkëpunon me ministritë përgjegjëse për kulturën dhe punët e jashtme për themelimin e qendrave kulturore dhe informative në vendet ku jeton diaspora;

d) I propozon Kryeministrit dhënien e çmimeve për kontribute të veçanta në ruajtjen e forcimin e lidhjeve ndërmjet vendit të origjinës dhe diasporës si dhe për kontribute të veçanta në promovimin e Shqipërisë në botë;

dh) Krijon marrëdhënie dhe promovon aktivitete përafruese e lidhëse me ambasadat përkatëse në shtete ku jeton diaspora;

e) Ushtron kompetenca të tjera, sipas legjislacionit në fuqi.

Neni 6

Qendrat kulturore për diasporën

1. QKD-të krijohen me qëllim ruajtjen, kultivimin e identitetit kombëtar, gjuhësor, kulturor e arsimor të diasporës dhe forcimin e lidhjeve të saj me institucionet e Republikës së Shqipërisë.

2. QKD-të ushtrojnë veprimtarinë në vendet me interes për diasporën e Republikës së Shqipërisë dhe hapen në marrëveshje me këto vende.

3. Kreu i QKD-së emërohet dhe lirohet me urdhër të ministrit përgjegjës për punët e jashtme, me propozim të ministrit përgjegjës për diasporën. Kreu i QKD-së gëzon status diplomatik, për periudhën e ushtrimit të detyrës, dhe pajiset me pasaportë diplomatike.

4. QKD-ja është në varësi të kreut të misionit diplomatik të akredituar në atë vend dhe ushtron funksionet në përputhje me detyrimet që rrjedhin nga ky ligj dhe detyrime të tjera, që burojnë nga legjislacioni në fuqi.

5. Marrëdhëniet e punës për punonjësit e QKD-së rregullohen sipas dispozitave në fuqi të Kodit të Punës. Rregullat e hollësishme për rekrutimin e punonjësve përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozim të ministrit përgjegjës për diasporën dhe ministrit përgjegjës për punët e jashtme.

6. Krijimi, organizimi, mënyra e funksionimit dhe nivelet e pagave të QKD-së miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

7. Struktura dhe organika e QKD-së miratohen me urdhër të Kryeministrit.

8. Agjencia Kombëtare e Diasporës bashkëpunon dhe koordinon veprimtaritë me QKD-të.

Neni 7

Përgjegjësitë e QKD-së

1. QKD-ja ka përgjegjësi të:

a) të promovojë njohuri të përgjithshme për Shqipërinë;

b) të nxitë dhe të zhvillojë njohuri për gjuhën, kulturën dhe trashëgiminë kulturore të Shqipërisë;

c) të nxitë bashkëpunimin shkencor, teknik, teknologjik, sportiv e ekonomik ndërmjet Shqipërisë dhe diasporës;

ç) të ofrojë informacione për investimet në Shqipëri, lehtësimet fiskale, organizimet kulturore e arsimore, takime me bashkatdhetarët dhe strukturat udhëheqëse të Shqipërisë e shteteve përkatëse, ku ata jetojnë;

d) të mbështetë dhe të organizojë veprimtaritë kulturore, edukative e sportive;

dh) të promovojë avancimin në fushën e arsimit dhe edukimit, që burojnë nga ky ligj;

d) të kryejë detyra të tjera, të parashikuara nga legjislacioni në fuqi.

2. Kreu i QKD-së merr udhëzime nga ministri përgjegjës për diasporën, nëpërmjet kreut të misionit diplomatik të vendit ku është akredituar dhe i informon ata në mënyrë të rregullt për aktivitetin e tij.

Neni 8

Financimi i QKD-së

Mjetet për veprimtari të QKD-së sigurohen nga:

a) buxheti i shtetit;

b) të ardhura nga projekte, donacione dhe burime të tjera të ligjshme.

KREU III

MBAJTJA, FORCIMI DHE REALIZIMI I LIDHJEVE NDËRMJET VENDIT TË ORIGJINËS DHE DIASPORËS

Neni 9

Lidhjet ndërmjet vendit të origjinës dhe diasporës

Mbajtja, forcimi dhe realizimi i marrëdhënieve ndërmjet vendit të origjinës e diasporës realizohen nëpërmjet:

a) përmirësimit të pozitës së pjesëtarëve të diasporës dhe mbrojtjes të të drejtave e interesave të tyre nëpërmjet lidhjes së marrëveshjeve ndërkombëtare dy – a shumëpalëshe, në përputhje me standardet më të larta ndërkombëtare;

b) përdorimit e mësimit të gjuhës shqipe si dhe ruajtjes së identitetit kulturor, etnik, gjuhësor;

c) promovimit të bashkëpunimit ekonomik, lehtësimit fiskal, ndërmjet vendit të origjinës dhe diasporës;

ç) promovimit të bashkëpunimit ekonomik ndërmjet vendit të origjinës dhe diasporës;

d) sigurimit të kushteve për funksionimin e Këshillit Koordinues të Diasporës;

dh) dhënies së çmimeve kombëtare për kontribut të veçantë në ruajtjen, forcimin e lidhjeve ndërmjet vendit të origjinës dhe diasporës, promovimin e Shqipërisë në botë dhe përkrahjen e interesave të saj.

Neni 10

Përkrahja për mësimin dhe avancimin e gjuhës shqipe

1. Këshilli i Ministrave, nëpërmjet ministrit përgjegjës, ndihmon në krijimin e kushteve për ruajtjen dhe mësimin e gjuhës shqipe.

2. Ministri përgjegjës, së bashku me ministrinë përgjegjëse për arsimin, sipas programit arsimor, ndihmon dhe përkrah zhvillimin e procesit mësimor të gjuhës shqipe në vendet ku ka një numër të madh pjesëtarësh të diasporës, shtrirje më kompakte apo interes të veçantë shtetëror.

3. Ministri përgjegjës për diasporën dhe ministri përgjegjës për arsimin nënshkruajnë marrëveshje dypalëshe me institucionet shtetërore homologe të vendeve ku jetojnë pjesëtarë të diasporës për organizimin e procesit mësimor të gjuhës shqipe dhe njohurive të tjera kulturore për Republikën e Shqipërisë.

4. Organizimi i procesit mësimor dhe përzgjedhja e arsimtarëve në vendet përkatëse, ku jeton dhe vepron diaspora, rregullohen me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozimin e ministrit përgjegjës për diasporën dhe ministrit përgjegjës për arsimin, duke respektuar marrëveshjet ndërkombëtare të nënshkruara, në fuqi.

5. Ministri përgjegjës për diasporën, në bashkëpunim me ministrinë përgjegjëse për arsimin, ndihmon në shpërndarjen e librave të përshtatur për mësimin dhe avancimin e gjuhës shqipe e të njohurive të tjera kulturore për Republikën e Shqipërisë në vendet ku jeton dhe vepron diaspora.

6. Ministri përgjegjës për diasporën, në bashkëpunim me ministrinë përgjegjëse për arsimin, përgatit dhe zbaton programe për mësimin e gjuhës shqipe në distancë, nëpërmjet internetit (programe telefoni ose tabletë) dhe rrjeteve e kanaleve elektronike të komunikimit masiv, mësimin e historisë së Shqipërisë dhe njohurive të tjera kulturore për të, organizon seminare trajnuese për mësuesit, promovon dhe merr masa të ndryshme për inkurajimin e mësimit plotësues për pjesëtarët e diasporës.

Neni 11

Bashkëpunimi kulturor dhe promovimi i trashëgimisë kulturore të Shqipërisë

1. Ministri përgjegjës për diasporën, në bashkëpunim me ministrinë përgjegjëse për kulturën, përkrah aktivitetet kulturore të pjesëtarëve të diasporës me synim ruajtjen dhe zhvillimin e identitetit, ruajtjen e trashëgimisë kulturore si dhe promovimin e shtrirjes së tyre.

2. Në Muzeun Historik Kombëtar themelohet një pavion i veçantë për diasporën.

3. Ministri përgjegjës për diasporën, në bashkëpunim me ministrinë përgjegjëse për kulturën, mbështesin komunitetet shqiptare në shtetet e ndryshme ku ata jetojnë dhe ndihmojnë, nxisin e zhvillojnë marrëdhënie ndërkulturore ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe shteteve përkatëse, sipas këtij ligji dhe akteve të tjera nënligjore.

4. Ministri përgjegjës për diasporën, në bashkëpunim me ministrinë përgjegjëse për kulturën, ndihmon të rinjtë në promovimin, ruajtjen, kultivimin e identitetit kulturor, gjuhësor dhe të trashëgimisë kulturore në interes të kujtesës historike për vendin e origjinës, nëpërmjet thirrjeve publike të posaçme për bashkëpunime konkrete dhe nxjerrjen e kalendarëve të eventeve të mundshme të bashkëpunimit ndërmjet vendit të origjinës dhe diasporës.

Neni 12

Bashkëpunimi në fushën e sportit

Ministri përgjegjës për diasporën, në bashkëpunim me ministrinë përgjegjëse për sportin, përkrah aktivitetet sportive të pjesëtarëve të diasporës, me synim ruajtjen dhe zhvillimin e identitetit, të trashëgimisë kulturore si dhe promovimin e shtrirjes së tyre.

Neni 13

Informimi

1. Radio-televizioni Shqiptar siguron një kanal transmetimi me program radioteleviziv për diasporën. Shpenzimet për prodhimin e programeve të dedikuara për diasporën dhe transmetimin përballohen nga buxheti i shtetit.

2. Biblioteka Kombëtare, në bashkëpunim me ministritë përgjegjëse për arsimin dhe kulturën, mundëson aksesin në fondin e librave on-line, pa pagesë, për edukimin dhe letërsinë, dedikuar interesave të diasporës.

3. Këshilli i Ministrave nxit dhe inkurajon aktivitetet mediatike të pjesëtarëve të diasporës së Shqipërisë, bazuar në efikasitetin e veprimtarisë së tyre.

Neni 14

Ekonomia dhe shkenca

1. Ministri përgjegjës për diasporën i kushton vëmendje të veçantë fuqizimit të lidhjeve ekonomike, bashkëpunimit në fushën e shkencës e të zhvillimit të teknologjive të reja ndërmjet diasporës dhe institucioneve të Republikës së Shqipërisë, nëpërmjet bashkëpunimit ekonomik dhe masave të ndryshme të politikës ekonomike, sipas legjislacionit në fuqi të Republikës së Shqipërisë.

2. Ministri përgjegjës për diasporën përkrah bashkëpunimin e shkencëtarëve, pjesëtarë të diasporës, me institucionet përgjegjëse shtetërore në projektet kërkimore institucionale.

Neni 15

Çmimi vjetor i diasporës

1. Për pjesëtarët e suksesshëm të diasporës akordohet çmimi “Ambasador i Kombit”.

2. Kriteret dhe mënyra e ndarjes së çmimit përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

Neni 16

Burimet financiare

Fondet për ruajtjen dhe forcimin e lidhjeve ndërmjet vendit të origjinës e diasporës sigurohen nga buxheti i shtetit si dhe nga të ardhura nga projekte, donacione e burime të tjera të ligjshme.

Kreu IV

ORGANIZIMI I DIASPORËS

Neni 17

Organizata e diasporës

Organizatë e diasporës është një organizim vullnetar i pjesëtarëve të diasporës, me qëllim promovimin e Shqipërisë dhe përkrahjen e interesave shtetërore të saj si dhe ruajtjen e nxitjen e marrëdhënieve kulturore, arsimore, shkencore, humanitare ose sportive me vendin e origjinës, me qëllim jofitimprurës, në përputhje me rregullat e vendit të huaj ku jeton diaspora.

Neni 18

Këshilli Koordinues i Diasporës

1. Këshilli Koordinues i Diasporës (Këshilli) përfaqëson dhe koordinon marrëdhëniet me diasporën.

2. Këshilli ka këto kompetenca:

a) Identifikon problemet e diasporës, propozon veprime për zgjidhjen e tyre, përcakton linja orientuese për hartimin e strategjisë për diasporën;

b) Miraton rregulla procedurale për përmbushjen e veprimtarisë së tij dhe procedurën e vendimmarrjes.

3. Përgjegjësitë profesionale, të përdorimit të fondeve dhe ato administrative, për Këshillin do të ushtrohen nga Agjencia Kombëtare e Diasporës.

4. Agjencia Kombëtare e Diasporës kryen funksionet e sekretariatit teknik.

Neni 19

Përbërja e Këshillit

1. Këshilli përbëhet nga 13 anëtarë, të cilët janë përfaqësues të diasporës. Në aktivitetet e Këshillit marrin pjesë Kryeministri, ministri përgjegjës për diasporën, punët e jashtme, të brendshme, për financat dhe ekonominë, arsimin, kulturën, Akademia e Shkencave, Dhoma Kombëtare e Tregtisë dhe Industrisë, Radio-televizioni Shqiptar, Agjencia Kombëtare e Diasporës, si dhe përfaqësues të qendrave kulturore të diasporës.

2. Presidenti i Republikës, në cilësinë e të ftuarit, mund të marrë pjesë në mbledhjet e Këshillit.

Neni 20

Kriteret për zgjedhjen në Këshill

1. Përfaqësuesit e diasporës, të cilët do të jenë anëtarë në Këshill, duhet të përmbushin këto cilësi:

a) Të kenë integritet të lartë dhe reputacion në komunitetin ku ata jetojnë;

b) Të kenë aftësi për të përmbushur detyrat për mbajtjen dhe forcimin e marrëdhënieve ndërmjet vendit të origjinës e diasporës;

c) Të jenë përfaqësues të zgjedhur në vendet ku diaspora është e organizuar dhe ushtron veprimtarinë e saj.

2. Përfaqësuesit e diasporës zgjidhen sipas këtij rendi:

a) Tre përfaqësues nga diaspora e Shteteve të Bashkuara të Amerikës;

b) Dy përfaqësues nga diaspora e Kanadasë;

c) Gjashtë përfaqësues nga diaspora e Evropës;

ç) Një përfaqësues nga diaspora e Turqisë;

d) Një përfaqësues nga diaspora e Australisë.

3. Rregullat e hollësishme për kushtet dhe mënyrën e zgjedhjes së përfaqësuesve përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

4. Vendi i origjinës nuk ushtron influencë në procedurat dhe kushtet e zgjedhjes së përfaqësuesve në Këshill.

5. Vendimi për zgjedhjen e përfaqësuesve i njoftohet ministrit përgjegjës për diasporën të paktën 30 ditë përpara datës së përcaktuar për mbledhjen e Këshillit.

Neni 21

Mbledhja e Këshillit

1. Këshilli mblidhet, si rregull, Ditën Kombëtare të Diasporës.

2. Këshilli mund të mblidhet në sesion të jashtëzakonshëm, me kërkesën e, të paktën, 1/3 së të përfaqësuarve ose me kërkesë të ministrit përgjegjës për diasporën, me një program të përcaktuar paraprakisht.

3. Këshilli, sipas nevojës, mund të krijojë grupe pune për të trajtuar çështje teknike, me natyrë ekonomike, statutore, kulturore, shkencore e sportive. Numri i anëtarëve dhe mënyra e organizmit e funksionimit të grupeve të punës përcaktohet me vendim të Këshillit Koordinues të Diasporës.

Kreu V

DISPOZITA TRANZITORE DHE TË FUNDIT

Neni 22

Dita e diasporës

Data 18 dhjetor caktohet si Dita Kombëtare e Diasporës.

Neni 23

Aktet nënligjore

Ngarkohet Këshilli i Ministrave për nxjerrjen e akteve nënligjore në zbatim të neneve 4, 6, 10, 15 e 20, të këtij ligji.

Neni 25

Hyrja në fuqi

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E T A R I

GRAMOZ RUÇI

###

V E N D I M

PËR

PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR RATIFIKIMIN E TRAKTATIT QË THEMELON KOMUNITETIN E TRANSPORTIT”

Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, dhe të nenit 17, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Propozimin e projektligjit “Për ratifikimin e traktatit që themelon Komunitetin e Transportit”, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

###

P R O J E K T L I GJ

PËR

RATIFIKIMIN E TRAKTATIT QË THEMELON KOMUNITETIN E TRANSPORTIT

Në mbështetje të neneve 78, 83, pika 1, dhe 121, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë

V E N D O S I:

Neni 1

Ratifikimin e traktatit që themelon Komunitetin e Transportit, sipas tekstit bashkëlidhur.

Neni 2

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E T A R I

GRAMOZ RUÇI

*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.