Projektligje të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 13 Janar 2021:
P R O J E K T L I GJ
PËR
PËRKTHIMIN ZYRTAR DHE PROFESIONIN E PËRKTHYESIT ZYRTAR
Në mbështetje të neneve 78 e 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I:
KREU I
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
Neni 1
Objekti i ligjit
Ky ligj përcakton rregullat për organizimin e funksionimin e shërbimit të përkthimit zyrtar në Republikën e Shqipërisë dhe për ushtrimin e profesionit të përkthyesit zyrtar.
Neni 2
Qëllimi i ligjit
Ky ligj ka për qëllim përcaktimin e kushteve për mirëfunksionimin e shërbimit të përkthimit zyrtar në Republikën e Shqipërisë, si dhe mbrojtjen e garantimin e ushtrimit të profesionit të përkthyesit zyrtar.
Neni 3
Fusha e zbatimit
1. Ky ligj zbatohet për të gjithë përkthyesit zyrtarë në rastet kur kryejnë përkthim zyrtar në territorin e Republikës e Shqipërisë.
2. Ky ligj zbatohet edhe për interpretuesit e gjuhës së shenjave ose lehtësuesit e komunikimit për personat me aftësi të kufizuar në të folur e në të dëgjuar në rastet kur caktohen nga organet proceduese, sipas legjislacionit procedural në fuqi.
Neni 4
Përkufizime
Në këtë ligj termat e mëposhtëm kanë këto kuptime:
a) “Gjuha e burimit”, gjuha e prodhimit të një teksti ose dokumenti të shkruar nga i cili është kryer përkthimi në gjuhën e synuar;
b) “Gjuha e synuar”, gjuha në të cilën një tekst ose dokument i shkruar është përkthyer nga gjuha e burimit;
c) “Ministri”, ministri përgjegjës për çështjet e drejtësisë në Republikën e Shqipërisë;
ç) “Ministria”, ministria përgjegjëse për çështjet e drejtësisë në Republikën e Shqipërisë.
d) “Përkthim zyrtar”, kalimi i kuptimit të një teksti, dokumenti ose akti normativ të miratuar në Republikën e Shqipërisë, marrëveshjeve ndërkombëtare ose normave të nxjerra nga organizatat ndërkombëtare me shkrim nga gjuha e burimit në gjuhën e synuar, duke ruajtur plotësisht kuptimin e fjalëve apo të frazave dhe përmbajtjes të akteve të përkthyera, të përkthimit me gojë, kur palët nuk dinë gjuhën shqipe, gjatë zhvillimit të proceseve gjyqësore civile, penale ose administrative, sipas parashikimeve të legjislacionit procedural në fuqi ose gjatë shqyrtimit të çështjeve nga Gjykata Kushtetuese;
dh) “Përkthyes zyrtar”, personi që është certifikuar për kryerjen e veprimtarisë së përkthimit zyrtar dhe është regjistruar në regjistrin elektronik të përkthyesve zyrtarë, në përputhje me kushtet e parashikuara në këtë ligj;
e) “Interpretues ose interpret i gjuhës së shenjave”, personi që mundëson komunikimin me një person që nuk dëgjon dhe/ose nuk flet, pjesërisht ose plotësisht, nga gjuha e shenjave në gjuhën e folur dhe të shkruar shqipe, gjatë zhvillimit të proceseve gjyqësore civile, penale ose administrative, sipas parashikimeve të legjislacionit procedural në fuqi ose gjatë shqyrtimit të çështjeve nga Gjykata Kushtetuese;
ë) “Regjistri elektronik i përkthyesve zyrtarë”, baza e të dhënave shtetërore për të gjithë përkthyesit zyrtarë dhe për interpretët e gjuhës së shenjave shqipe, që përmban të gjithë informacionin për certifikimin, veprimtarinë e masat disiplinore në fuqi;
f) “Tarifat e përkthimit”, tarifa profesionale për kryerjen e veprimtarisë së përkthimit zyrtar, në të cilat përcaktohet masa e shpërblimit në rastet kur kryhet shërbimi i përkthimit me shkrim ose me gojë, si dhe i interpretimit të gjuhës së shenjave.
Neni 5
Parimet
Përkthyesi zyrtar, gjatë ushtrimit të profesionit, udhëhiqet nga parimet bazë të profesionalizmit, të etikës, të integritetit, besnikërisë ndaj tekstit burimor, paanshmërisë dhe konfidencialitetit të të dhënave, si dhe të mosdiskriminimit e të trajtimit të barabartë.
KREU II
SHËRBIMI I PËRKTHIMIT ZYRTAR
Neni 6
Shërbimi i përkthimit zyrtar
1. Shërbimi i përkthimit zyrtar në Republikën e Shqipërisë kryhet vetëm nga përkthyesit zyrtarë të certifikuar në përputhje me parashikimet e këtij ligji.
2. Shërbimi i përkthimit zyrtar organizohet nën mbikëqyrjen e ministrit, i cili kujdeset e mbështet garantimin e këtyre shërbimeve me profesionalizëm dhe në përputhje me parashikimet e legjislacionit në fuqi.
3. Çdo përkthim zyrtar përmban:
a) përkthimin e saktë të tekstit nga gjuha e burimit në gjuhën e synuar dhe anasjelltas, të shoqëruar me vulën e përkthyesit zyrtar që ka kryer përkthimin;
b) deklaratën e nënshkruar prej përkthyesit zyrtar të certifikuar se e ka përkthyer atë me saktësi, me kujdesin e duhur dhe me përgjegjësi ligjore.
4. Mungesa e vulës ose e deklaratës tip të nënshkruar prej përkthyesit zyrtar, sipas pikës 3, të këtij neni, e bën përkthimin të pavlefshëm. Forma dhe përmbajtja e deklaratës që i bashkëlidhet çdo përkthimi zyrtar miratohen me urdhër të ministrit.
Neni 7
Profesioni i përkthyesit zyrtar
1. Profesioni i përkthyesit zyrtar është një profesion i pavarur me karakter publik, i cili ushtrohet nëpërmjet kryerjes së shërbimit të përkthimit zyrtar, në përputhje me dispozitat e këtij ligji.
2. Profesioni i përkthyesit zyrtar mund të ushtrohet vetëm nga personi që është certifikuar për kryerjen e kësaj veprimtarie dhe është regjistruar në regjistrin elektronik të përkthyesve zyrtarë, në përputhje me kushtet e parashikuara në këtë ligj.
3. Çdo person tjetër që nuk është certifikuar për ushtrimin e profesionit të përkthyesit zyrtar nuk lejohet:
a) të kryejë përkthim të dokumenteve zyrtare ose të akteve normative të miratuara në Republikën e Shqipërisë, të marrëveshjeve ndërkombëtare ose të normave të nxjerra nga organizatat ndërkombëtare me shkrim nga gjuha e burimit në gjuhën e synuar;
b) të caktohet si përkthyes zyrtar nga gjykatat ose prokuroritë në proceset gjyqësore civile, penale ose administrative, sipas parashikimeve të legjislacionit procedural në fuqi.
Neni 8
Organizimi i përkthyesve
1. Përkthyesi zyrtar mund të ushtrojë veprimtarinë në mënyrë individuale ose në bashkëpunim me përkthyes zyrtarë të tjerë, të organizuar në zyra përkthimi, ose si i punësuar pranë një zyre përkthimi.
2. Kur përkthyesit ushtrojnë veprimtarinë të organizuar në zyra përkthimi, kanë detyrimin e regjistrimit në regjistrin tregtar në një nga format e parashikuara në legjislacionin në fuqi për tregtarët dhe shoqëritë tregtare.
3. Në çdo rast, shërbimi i përkthimit zyrtar kryhet vetëm nga subjektet që janë të pajisur me certifikatën përkatëse, sipas parashikimeve të këtij ligji.
Neni 9
Papajtueshmëritë
1. Përkthyesi zyrtar nuk mund të kryejë njëkohësisht funksione apo detyra të tjera, të cilat ndalohen me ligje të veçanta.
2. Përkthyesi zyrtar ose interpreti i gjuhës së shenjave nuk merr përsipër kryerjen e një përkthimi zyrtar ose të interpretimit në rastet kur:
a) ka një interes personal të drejtpërdrejtë ose jo të drejtpërdrejtë në kryerjen e shërbimit të përkthimit zyrtar ose të interpretimit të gjuhës së shenjave në çështjen ose në rastin në shqyrtim;
b) bashkëshorti, bashkëjetuesi ose të afërmit e tij deri në shkallë të dytë kanë një interes të drejtpërdrejtë ose jo të drejtpërdrejtë në çështjen ose në rastin në shqyrtim;
c) ai ose personat e përmendur në shkronjën “b”, të këtij neni, kanë marrë dhurata nga palët përpara ose pas fillimit të veprimtarisë së përkthimit zyrtar ose të interpretimit të gjuhës së shenjave në çështjen ose në rastin në shqyrtim;
ç) ai ose personat e përmendur në shkronjën “b”, të këtij neni, kanë marrëdhënie të tilla, të cilat vlerësohen sipas rrethanave konkrete se do të përbënin arsye serioze për njëanshmëri me palët në çështjen ose në rastin në shqyrtim;
d) në çdo rast tjetër, kur parashikohet nga legjislacioni procedural në fuqi.
Neni 10
Regjistri elektronik
1. Regjistri elektronik i përkthyesve zyrtarë dhe interpretëve të gjuhëve të shenjave (në vijim, regjistri elektronik) krijohet e administrohet nga ministria.
2. Ruajtja dhe përpunimi i të dhënave personale që ndodhen në regjistrin elektronik bëhet në përputhje me legjislacionin në fuqi për mbrojtjen e të dhënave personale.
3. Rregullat e hollësishme për të dhënat që përmban regjistri elektronik, për dhënësit e informacionit, për ndërveprimin me bazat e tjera të të dhënave, si dhe për nivelin e aksesimit për subjektet e interesuara miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
4. Ministria ose organi procedues cakton si përkthyes zyrtar ose interpret të gjuhës së shenjave personat e regjistruar në regjistrin elektronik. Përkthyesi zyrtar ose interpreti i gjuhës së shenjave caktohet në përputhje me dispozitat e këtij ligji, si dhe të legjislacionit procedural në fuqi.
Neni 11
Tarifat e shërbimit
1. Për kryerjen e shërbimit të përkthimit zyrtar dhe interpretimit të gjuhës së shenjave paguhen tarifat e përkthimit të përcaktuara me udhëzim të përbashkët të ministrit dhe të ministrit përgjegjës për financat.
2. Ministri dhe ministri përgjegjës për financat miratojnë me udhëzim të përbashkët rregulla për përjashtimin apo uljen e tarifave të shërbimit të përkthimit zyrtar ose interpretimit të gjuhës së shenjave për kategori të personave përfitues të ndihmës juridike, sipas legjislacionit në fuqi.
Neni 12
Përgjegjësitë e ministrit dhe të ministrisë
1. Ministri ushtron përgjegjësitë e mëposhtme:
a) Kujdeset dhe mbështet garantimin e shërbimit të përkthimit zyrtar në Republikën e Shqipërisë;
b) Kontrollon zbatimin e këtij ligji dhe të akteve të tjera ligjore e nënligjore, lidhur me veprimtarinë e shërbimit të përkthimit zyrtar;
c) Jep, pezullon ose heq certifikatën për ushtrimin e profesionit të përkthyesit zyrtar;
ç) Jep, pezullon ose heq certifikatën e interpretit të gjuhës së shenjave për rastet kur caktohen nga organet proceduese, sipas legjislacionit procedural në fuqi;
d) Nis hetimin disiplinor ndaj përkthyesit zyrtar ose interpretit të gjuhës së shenjave, sipas parashikimeve të këtij ligji;
dh) Miraton aktet nënligjore në zbatim të dispozitave të këtij ligji;
e) Miraton kodin e etikës të përkthyesit zyrtar;
ë) Miraton listën e gjuhëve të huaja, të cilat përfshihen në shërbimin e përkthimit zyrtar;
f) Organizon kurse trajnimi profesionale për përkthyesit zyrtarë, në bashkëpunim me institucionet e arsimit të lartë dhe shoqatat përkatëse;
g) Kryen të gjitha detyrat e tjera të përcaktuara me këtë ligj.
2. Në fushën e përkthimit zyrtar, ministria realizon veçanërisht:
a) përkthimin e dokumentacionit zyrtar të nevojshëm për ekstradimin e shtetasve shqiptarë nga shtetet e huaja;
b) përkthimin e letërporosive dhe të ndihmës juridike në fushën penale e civile të autoriteteve gjyqësore shqiptare drejtuar autoriteteve homologe të shteteve të huaja;
c) përkthimin e akteve gjyqësore, siç janë vendimet e gjykatave të vendit apo të huaja, akteve të prokurorisë, në kuadrin e ekzekutimit të letërporosive, të transferimit të procedimeve penale, të transferimit të të dënuarve shqiptarë apo të huaj në vendet e tyre;
ç) përkthimin e akteve të autoriteteve gjyqësore të huaja, të ministrisë, të ministrisë përgjegjëse për rendin dhe sigurinë, të Interpolit, vendimeve, urdhrave të ekzekutimit të prokurorive, procesverbaleve dhe shkresave zyrtare të organeve të drejtësisë drejtuar autoriteteve vendase, në kuadrin e ndihmës së ndërsjellë juridike dypalëshe ose shumëpalëshe;
d) përkthimin e dispozitave ligjore shqiptare dhe të huaja, të cilave u referohen autoritetet shqiptare e të huaja;
dh) certifikimin e tekstit të përkthyer të marrëveshjeve ndërkombëtare, dypalëshe ose shumëpalëshe, që lidhen në emër të Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, si dhe të akteve e normave të nxjerra prej një organizate ndërkombëtare, ku Republika e Shqipërisë është vend anëtar ose ka filluar procedurat e anëtarësimit në të;
e) përkthimin dhe pasqyrimin në regjistrin gjyqësor penal të dispozitivit të vendimeve penale të shtetasve shqiptarë të dënuar penalisht jashtë shtetit, që paraqiten në ministri nga autoritetet gjyqësore të huaja.
3. Ministria, për nevoja të ushtrimit të kompetencave, sipas pikës 2, të këtij neni, si dhe organet që ligji u ka njohur të drejtën për përkthimin zyrtar të akteve ose dokumenteve sipas këtij ligji, përzgjedhin përkthyes zyrtar nga regjistri elektronik i përkthyesve zyrtarë. Kriteret e rregullat për përzgjedhjen, kontraktimin, shpërblimin dhe mënyrën e kontrollit të shërbimit të kryer nga përkthyesit zyrtar përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
KREU III
HYRJA NË PROFESION
Neni 13
Organi certifikues
Ministri është autoriteti shtetëror përgjegjës, i cili u jep certifikatën individuale për ushtrimin e profesionit të përkthyesit zyrtar shtetasve që kërkojnë të ushtrojnë veprimtarinë e tyre si përkthyes zyrtar, në përputhje me rregullat e procedurat e parashikuara në këtë ligj.
Neni 14
Kriteret për ushtrimin e profesionit të përkthyesit zyrtar
1. Të drejtën për t’u certifikuar si përkthyes zyrtar në Republikën e Shqipërisë e ka çdo shtetas që plotëson kriteret e mëposhtme:
a) Të ketë zotësi të plotë për të vepruar;
b) Të zotërojë një diplomë të ciklit të dytë, të lëshuar nga institucionet e arsimit të lartë të licencuara dhe të akredituara, sipas dispozitave në fuqi në kohën e lëshimit të diplomës ose të zotërojë një diplomë të të njëjtit cikël, të lëshuar nga një institucion i huaj i arsimit të lartë, të njohur e të njësuar pranë ministrisë përgjegjëse për arsimin;
c) Të mos jetë dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë:
i. për një vepër penale të kryer me dashje, për të cilën nuk është rehabilituar;
ii. për një vepër penale të kryer me pakujdesi, për të cilën nuk është rehabilituar e që cenon figurën dhe integritetin e profesionit të përkthyesit zyrtar.
ç) Të mos jetë shkarkuar nga ushtrimi i detyrës ose i funksionit publik, për arsye të integritetit etik, me vendim të organit kompetent, që ka marrë formë të prerë, me përjashtim të rasteve kur kjo masë disiplinore është shuar sipas legjislacionit të posaçëm;
d) Të ketë kaluar me sukses provimin e kualifikimit për përkthyes zyrtar.
2. Shtetasi i huaj, përveç kushteve të parashikuara në pikën 1, të këtij neni, duhet të provojë që zotëron gjuhën shqipe me anë të paraqitjes së një dokumenti të lëshuar nga autoritetet kompetente, sipas legjislacionit në fuqi.
3. Ministri mund t’i japë certifikatën e ushtrimit të profesionit të përkthyesit zyrtar shtetasit, që, pavarësisht se nuk plotëson kriteret e përcaktuara në shkronjat “b” dhe “d”, të pikës 1, të këtij neni, provohet se njeh një nga gjuhët e huaja për të cilën, në listën e përkthyesve zyrtarë, ka jo më shumë se 3 (tre) përkthyes zyrtarë të certifikuar.
4. Personi ka të drejtë për t’u certifikuar si përkthyes zyrtar në më shumë se një gjuhë të huaj.
5. Kandidatët për përkthyes zyrtarë paraqesin çdo dokumentacion të nevojshëm që vërteton përmbushjen e kritereve të parashikuara në pikat 1 dhe 2, ose në pikën 3, të këtij neni. Nëse dokumentacioni i paraqitur nuk vërteton plotësisht përmbushjen e kritereve, nuk është i plotë, i saktë ose ka dyshime të arsyeshme për vërtetësinë e tij, ministria mund të kërkojë informacion ose dokumentacion shtesë nga çdo organ publik.
6. Rregulla më të hollësishme për paraqitjen dhe trajtimin e shprehjeve të interesit, si dhe verifikimin e plotësimit të kritereve ligjore përcaktohen me urdhër të ministrit.
Neni 15
Kriteret për certifikimin e interpretuesit të gjuhës së shenjave
1. Interpretuesit e gjuhës së shenjave, përpara caktimit të tyre nga organi procedues sipas legjislacionit procedural në fuqi, certifikohen si interpretues të gjuhës së shenjave, sipas parashikimeve të këtij ligji.
2. Të drejtën për t’u certifikuar si interpretues në Republikën e Shqipërisë e ka çdo shtetas që plotëson kriteret e mëposhtme:
a) Të ketë zotësi të plotë për të vepruar;
b) Të mos jetë dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë për një vepër penale të kryer me dashje, për të cilën nuk është rehabilituar;
c) Të ketë kaluar me sukses provimin e kualifikimit për interpretues të gjuhës së shenjave.
3. Ministri mund t’i japë certifikatën e interpretuesit të gjuhës së shenjave shtetasit, që, pavarësisht se nuk plotëson kriterin e përcaktuar në shkronjën “c”, të pikës 2, të këtij neni, provohet se njeh gjuhën e shenjave shqip dhe në regjistrin elektronik ka jo më shumë se 6 (gjashtë) interpretues të gjuhës së shenjave të certifikuar.
4. Rregulla më të hollësishme për paraqitjen e trajtimin e shprehjeve të interesit, si dhe verifikimin e plotësimit të kritereve ligjore përcaktohen me urdhër të ministrit.
Neni 16
Provimi i kualifikimit
1. Kandidati për përkthyes zyrtar ose për interpret të gjuhës së shenjave, që plotëson kriteret e parashikuara në nenet 14 dhe 15, të këtij ligji, ka të drejtë t’i nënshtrohet provimit të kualifikimit për përkthyes zyrtar ose për interpret të gjuhës së shenjave.
2. Provimi i kualifikimit, sipas pikës 1, të këtij neni, organizohet nga ministria 1 (një) herë në 2 (dy) vjet. Në raste përjashtimore, kur justifikohet nevoja e ngutshme, provimi i kualifikimit mund të zhvillohet përpara këtij afati.
3. Provimi i kualifikimit për përkthyes zyrtar zhvillohet për çdo gjuhë të huaj, sipas listës së gjuhëve të huaja të miratuar nga ministri.
4. Provimi i kualifikimit për përkthyes zyrtar për çdo gjuhë të huaj organizohet nga komisioni i posaçëm për gjuhën përkatëse, me këtë përbërje:
a) Dy përfaqësues nga ministria;
b) Dy përfaqësues nga ministria përgjegjëse për arsimin;
c) Një përfaqësues nga institucionet publike të arsimit të lartë që ofrojnë programe studimi në gjuhë të huaja.
5. Provimi i kualifikimit për interpret të gjuhës së shenjave organizohet nga komisioni i posaçëm me këtë përbërje:
a) Dy përfaqësues nga ministria;
b) Një përfaqësues nga ministria përgjegjëse për mbrojtjen sociale;
c) Dy përfaqësues nga radhët e interpretëve të gjuhës së shenjave ose nga trajnerët e certifikuar të programit të interpretëve të gjuhës së shenjave shqipe.
6. Kandidati për përkthyes zyrtar mund t’i nënshtrohet provimit të kualifikimit deri në 3 (tre) herë për të njëjtën gjuhë.
7. Ministri ka të drejtë të përjashtojë nga detyrimi për dhënien e provimit të kualifikimit për përkthyes zyrtar:
a) kandidatin që ka punuar jo më pak se 15 (pesëmbëdhjetë) vjet pa ndërprerje si personel akademik në fakultetet e gjuhëve të huaja dhe që zotëron grada ose tituj shkencorë në fushën e përkthimit të gjuhës së huaj përkatëse;
b) kandidatin që ka punuar pa ndërprerje jo më pak se 15 (pesëmbëdhjetë) vjet si përkthyes në institucionet qendrore të administratës shtetërore të Republikës së Shqipërisë;
c) kandidatin që ka punuar për jo më pak se 15 (pesëmbëdhjetë) vjet si përkthyes në organizata ndërkombëtare ose në institucionet e Bashkimit Evropian.
8. Rregullat e hollësishme për kriteret, procedurat për përzgjedhjen e përfaqësuesve dhe funksionimin e komisioneve të posaçme, organizimin e zhvillimin e provimit të kualifikimit për përkthyes zyrtar dhe për interpret të gjuhës së shenjave, tarifat për pjesëmarrje në provimin e kualifikimit për përkthyes zyrtar dhe për interpret të gjuhës së shenjave, si dhe për procedurën e mënyrën e vlerësimit të provimeve përcaktohen me urdhër të ministrit.
9. Masa e shpërblimit të anëtarëve të komisioneve të posaçme caktohet me vendim të Këshillit të Ministrave, sipas rregullave të përcaktuara për shpërblimin e anëtarëve të organeve kolegjiale.
Neni 17
Certifikata e përkthyesit zyrtar
1. Ministri i jep certifikatën e përkthyesit zyrtar ose të interpretit të gjuhës së shenjave, brenda 45 (dyzet e pesë) ditëve nga dorëzimi i kërkesës për pajisjen me certifikatën e ushtrimit të profesionit, çdo personi që përmbush kriteret përkatëse, sipas përcaktimeve të këtij ligji.
2. Certifikata e ushtrimit të profesionit të përkthyesit zyrtar ose të interpretit të gjuhës së shenjave është pa afat dhe e patjetërsueshme.
3. Nëse kandidati për përkthyes zyrtar ose për interpret të gjuhës së shenjave, që ka kaluar me sukses provimin e kualifikimit, heq dorë nga e drejta për t’u pajisur me certifikatën e ushtrimit të profesionit pa shkak të arsyeshëm, ai humb të drejtën për të marrë pjesë në provimet e kualifikimit që do të zhvillohen në të ardhmen.
Neni 18
Vula dhe karta e identifikimit e përkthyesit zyrtar
1. Ministria pajis përkthyesin zyrtar me vulë, shpenzimet e së cilës përballohen prej tij.
2. Përkthyesi zyrtar ose interpreti i gjuhës së shenjave pajiset me kartën identifikuese të përkthyesit zyrtar ose të interpretit të gjuhës së shenjave, e cila lëshohet nga Ministria e Drejtësisë. Karta identifikuese përdoret vetëm gjatë ushtrimit të detyrës ose për shkak të saj.
3. Forma, përmbajtja dhe karakteristikat e tjera të vulës dhe rregullat për pajisjen dhe administrimin e tyre, si dhe forma e kartës së identifikimit përcaktohen me urdhër të Ministrit.
Neni 19
Pajisja me certifikatë sigurie
1. Përkthyesi zyrtar, që përkthen dokumente shtetërore të klasifikuara, pajiset me certifikatë sigurie, në përputhje me legjislacionin në fuqi për informacionin e klasifikuar sekret shtetëror.
2. Përkthimi i një dokumenti dhe/ose një materiali të klasifikuar përmban të gjitha shenjëzimet e informacionit të klasifikuar “sekret shtetëror” dhe trajtohet si i tillë.
KREU IV
PEZULLIMI, HEQJA E CERTIFIKATËS DHE ÇREGJISTRIMI NGA REGJISTRI ELEKTRONIK
Neni 20
Pezullimi i përkohshëm me kërkesë
1. Përkthyesi zyrtar ose interpreti i gjuhës së shenjave ka të drejtë të pezullojë ushtrimin e profesionit për arsyet e mëposhtme:
a) Për shkaqe shëndetësore, të provuara nga vërtetimi i gjendjes shëndetësore, sipas legjislacionit në fuqi;
b) Përkujdesje për fëmijën e tij të mitur derisa fëmija të mbushë moshën 3-vjeçare;
c) Zgjedhje ose emërim në një funksion publik ose kur ushtron një detyrë tjetër që, sipas legjislacionit të posaçëm, është i papajtueshëm me ushtrimin e profesionit të përkthyesit zyrtar ose interpretimit.
2. Për rastet e parashikuara në shkronjat “a” dhe “b”, të pikës 1, të këtij neni, pezullimi zgjat për një periudhë deri në 3 (tre) vjet. Në rastet e përcaktuara në shkronjën “c”, të pikës 1, të këtij neni, periudha e pezullimit është sa kohëzgjatja e funksionit publik ose e detyrës, por, në çdo rast, jo më shumë se 9 (nëntë) vjet.
3. Kërkesa e arsyetuar për pezullimin e përkohshëm i drejtohet ministrit dhe përmban kohëzgjatjen e periudhës së pezullimit. Ministri vendos për pranimin ose refuzimin e argumentuar të kërkesës për pezullimin e përkohshëm të ushtrimit të profesionit. Vendimi i ministrit për pezullimin e përkohshëm publikohet në faqen zyrtare të ministrisë.
4. Përkthyesi zyrtar ose interpreti mund të bëjë kërkesë tjetër për pezullim të përkohshëm, por jo më parë se 4 (katër) vjet nga data e rifillimit të ushtrimit të profesionit, me përjashtim të rastit të parashikuar në shkronjën “a”, të pikës 1, të këtij neni, ose kur pezullimi kërkohet për një fëmijë tjetër, sipas parashikimeve të shkronjës “b”, të pikës 1, të këtij neni.
5. Kur me kalimin e 2 (dy) muajve nga mbarimi i detyrës ose i funksionit, sipas shkronjës “c”, të pikës 1, të këtij neni, përkthyesi zyrtar ose interpreti nuk paraqet kërkesë për rifillimin e veprimtarisë, ai çregjistrohet nga regjistri elektronik.
6. Rregullat e hollësishme për dokumentacionin dhe procedurën e shqyrtimit të kërkesës për pezullimin e përkohshëm përcaktohen me udhëzim të ministrit.
Neni 21
Pezullimi nga detyra për shkaqe të tjera
1. Përkthyesi zyrtar ose interpreti i gjuhës së shenjave mund të pezullohet përkohësisht nga detyra nga ministri kur:
a) ndaj tij është caktuar masa e sigurimit personal me arrest, për vepra penale që lidhen me “shpërdorimin e detyrës”;
b) ndaj tij ka filluar një procedurë për çregjistrim nga regjistri elektronik, kur ka dyshime të arsyeshme se certifikimi është bërë në kundërshtim me kriteret dhe kushtet e parashikuara në këtë ligj;
c) ndaj tij ka filluar një procedurë për heqjen e zotësisë për të vepruar;
ç) i kufizohet zotësia për të vepruar me vendim gjyqësor të formës së prerë;
d) nuk mund të kërkojë pezullim vullnetar, sipas nenit 20, të këtij ligji, ose zgjatje të periudhës së pezullimit vullnetar, për shkak të një sëmundjeje ose paaftësie fizike apo mendore.
2. Përkthyesi zyrtar ose interpreti i gjuhës së shenjave ka të drejtë të bëjë ankim në gjykatën kompetente kundër urdhrit të ministrit, në përputhje me rregullat e parashikuara nga legjislacioni në fuqi për gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative.
Neni 22
Çrregjistrimi nga regjistri elektronik
Përkthyesit zyrtar ose interpretit të gjuhës së shenjave i hiqet certifikata dhe çregjistrohet nga regjistri në rastet kur:
a) heq dorë, me kërkesën e tij, nga ushtrimi i profesionit;
b) humbet zotësinë për të vepruar me vendim gjyqësor të formës së prerë;
c) dënohet penalisht me një vendim të formës së prerë për kryerjen e një vepre penale, sipas përcaktimeve të shkronjës “c”, të pikës 1, të nenit 14, ose të shkronjës “b”, të pikës 2, të nenit 15, të këtij ligji;
ç) ndaj tij jepet masa disiplinore e heqjes së certifikatës së ushtrimit të profesionit;
d) nuk paraqet kërkesë për rifillimin e veprimtarisë ose nuk plotëson kushtet për rifillimin e kësaj veprimtarie, sipas parashikimeve të këtij ligji;
dh) vërtetohet se, në momentin e marrjes së certifikatës, e ka marrë atë në kundërshtim me kriteret ligjore të parashikuara në legjislacionin në fuqi;
e) humb jetën.
KREU V
TË DREJTAT DHE DETYRIMET
Neni 23
Kujdesi në ushtrimin e veprimtarisë
Përkthyesi zyrtar ose interpreti i gjuhës së shenjave, në kryerjen e veprimtarisë së përkthimit zyrtar ose të interpretit të gjuhës së shenjave, duhet të veprojë me kujdesin e duhur dhe në përputhje me ligjin, kodin e etikës e rregullat e ushtrimit të profesionit.
Neni 24
Detyrat e përkthyesit zyrtar dhe të interpretit të gjuhës së shenjave
Përkthyesi zyrtar ose interpreti i gjuhës së shenjave, gjatë ushtrimit të veprimtarisë, kryen detyrat e mëposhtme:
a) Kryen veprimtarinë e përkthimit zyrtar ose të interpretimit të gjuhës së shenjave me profesionalizëm, korrektësi, paanshmëri, besnikëri dhe integritet, në përputhje me legjislacionin në fuqi;
b) Ruan sekretin profesional dhe konfidencialitetin e të dhënave, për të cilat është vënë në dijeni nga faktet, rrethanat apo dokumentet e vëna në dispozicion për përkthim, përveç kur dhënia e këtij informacioni është detyrim ligjor, si dhe mban përgjegjësi për përkthimin konform tekstit në gjuhën e burimit apo të ndryshimit të përmbajtjes së tekstit me dashje;
c) Përmirëson në mënyrë të vazhdueshme kualifikimet profesionale në fushën e përkthimit nga gjuha shqipe në gjuhën e huaj dhe anasjelltas, ose në fushën e interpretimit të gjuhës së shenjave, si dhe merr pjesë në trajnime të organizuara për këtë qëllim nga ministria, institucionet e arsimit të lartë apo shoqatat;
ç) Kthen çdo dokumentacion që i jepet për përkthim në gjuhën e synuar, në përfundim të kryerjes së këtij shërbimi;
d) Deklaron pranë ministrisë, jo më vonë se 10 (dhjetë) ditë, çdo ndryshim të të dhënave që përmban regjistri elektronik, sipas parashikimeve të këtij ligji. Mosrespektimi i këtij afati përbën shkak për fillimin e procedimit disiplinor sipas këtij ligji;
dh) Përmbush detyrimet që burojnë nga legjislacioni i fushës së taksave dhe tatimeve;
e) Mban arkivin dokumentar dhe elektronik të ushtrimit të veprimtarisë së tij, në përputhje me legjislacionin në fuqi;
ë) Mban adresë zyrtare elektronike, sipas rregullave të përcaktuara me urdhër të ministrit.
f) Çdo detyrë tjetër, sipas parashikimeve të legjislacionit në fuqi.
Neni 25
Detyrimi për të kryer përkthimin
Përkthyesit zyrtarë nuk mund të refuzojnë kryerjen e një përkthimi zyrtar përveç rasteve kur gjenden në kushte papajtueshmërie ose konflikti interesi, kur ka një pengesë ligjore për kryerjen e përkthimit zyrtar, sipas legjislacionit procedural në fuqi, si dhe përjashtimisht, për shkak të pamundësisë për kryerjen e përkthimit brenda afatit të kërkuar.
Neni 26
Të drejtat e përkthyesit zyrtar ose interpretit të gjuhës së shenjave
Përkthyesi zyrtar ose interpreti i gjuhës së shenjave, gjatë ushtrimit të veprimtarisë, ka të drejtë:
a) të ofrojë shërbimin e përkthimit zyrtar ose të interpretimit të gjuhës së shenjave, në përputhje me kërkesat e legjislacionit në fuqi në mënyrë të lirë dhe të pavarur, pa kufizime;
b) të organizohet si zyrë përkthimi, sipas legjislacionit në fuqi;
c) të kërkojë pranë ministrisë pezullimin e përkohshëm të ushtrimit të profesionit, në përputhje me dispozitat e këtij ligji;
ç) të shpërblehet korrektësisht për punën e kryer, në përputhje me tarifat e miratuara.
Neni 27
Mbrojtja e veçantë e përkthyesit dhe interpretit të gjuhës së shenjave
Shteti garanton mbrojtje të veçantë për përkthyesit dhe interpretin e gjuhës së shenjave, kur i rrezikohet jeta, familja ose prona, gjatë ushtrimit të detyrës ose për shkak të saj. Kriteret dhe procedura e përfitimit të mbrojtjes së veçantë përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
KREU VI
PROCEDIMI DISIPLINOR
Neni 28
Fillimi i hetimit disiplinor
1. Ministri vendos të fillojë hetimin për shkeljen e pretenduar ose të arkivojë një ankesë, brenda 3 (tre) muajve nga marrja e ankesës.
2. Ministri, brenda 6 (gjashtë) muajve nga data e marrjes së vendimit për fillimin e hetimit, fillon procedimin disiplinor, duke i paraqitur komisionit disiplinor raportin e hetimit së bashku me dosjen hetimore ose merr vendim për mbylljen e hetimit.
3. Ministri mund të zgjasë afatin e hetimit të parashikuar në pikën 2, të këtij neni, në raste komplekse, për arsye të shtimit ose ndryshimit të objektit të hetimit, sipas parashikimeve të Kodit të Procedurave Administrative.
4. Në rastet kur, pas kalimit të afateve të parashikuara në pikat 2 ose 3, të këtij neni, dalin prova të reja, mbi bazën e të cilave ka shkaqe të arsyeshme të besohet se shkelja mund të ketë ndodhur, ministri riçel hetimin, me kushtin që të mos jenë parashkruar afatet, sipas përcaktimeve të këtij ligji.
Neni 29
Ankesat
1. Çdo person fizik ose juridik, si dhe organi procedues ka të drejtë t’i paraqesë ministrit ankesa të arsyetuara me shkrim për përkthyesit zyrtarë ose për interpretët e gjuhës së shenjave.
2. Në rastet kur ka të dhëna të besueshme që përkthyesi zyrtar ose interpreti i gjuhës së shenjave mund të ketë kryer shkelje disiplinore, çdo funksionar publik që ka dijeni duhet të informojë ministrin.
3. Ministri ka detyrimin të shqyrtojë të gjitha ankesat, përveç atyre anonime. Ankuesi ka të drejtë të kërkojë ruajtjen e konfidencialitetit.
4. Ministri i konfirmon ankuesit marrjen e ankesës brenda 30 (tridhjetë) ditëve. Ministri i njofton ankuesit vendimin për arkivimin e ankesës, për fillimin e hetimit, shtimin ose ndryshimin e objektit të tij, si dhe mbylljen e hetimit, brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve nga marrja e vendimit përkatës.
5. Tërheqja e ankesës nga ankuesi nuk sjell arkivimin e ankesës dhe mbylljen e hetimit të filluar, nëse ministri vlerëson që ka shkaqe të mjaftueshme për kryerjen e hetimit me iniciativën e tij.
6. Ankesat mund të bëhen brenda 1 (një) viti nga data e sjelljes ose veprimit të përkthyesit zyrtar ose të interpretit të gjuhës së shenjave apo nga data e konstatimit të sjelljes ose veprimit të përkthyesit zyrtar ose të interpretit të gjuhës së shenjave por, në çdo rast, jo më vonë se 2 (dy) vjet nga momenti i kryerjes së shkeljes. Pas kalimit të këtij afati, ankuesi ka të drejtë të kërkojë pranë ministrit rivendosjen në afat, në përputhje me Kodin e Procedurave Administrative.
7. Formularët e ankesave publikohen në faqen zyrtare të ministrisë.
Neni 30
Fillimi i hetimeve kryesisht
1. Ministri ka të drejtë të fillojë hetimin kryesisht, bazuar në të dhëna, mbi bazën e të cilave lind dyshimi i arsyeshëm se mund të jetë kryer shkelja.
2. Ministri nxjerr urdhër të arsyetuar për fillimin e hetimit kryesisht, duke parashtruar rrethanat faktike të verifikueshme. Urdhri, në çdo rast, i njoftohet edhe përkthyesit zyrtar ose interpretit të gjuhës së shenjave.
Neni 31
Bashkimi i hetimeve, shtimi dhe ndryshimi i objektit të hetimit
1. Në rast se gjatë hetimit ngrihen dyshime të arsyeshme se mund të ketë ndodhur një shkelje tjetër, ministri urdhëron shtimin ose ndryshimin e objektit të hetimit, në zbatim të nenit 30, të këtij ligji, dhe njofton ankuesin e përkthyesin zyrtar ose interpretin e gjuhës së shenjave, sipas rastit.
2. Ministri bashkon hetimet, në rastet kur konstaton se ankesat ose hetimet e filluara u referohen të njëjtave fakte ose të njëjtit përkthyes zyrtar ose interpret të gjuhës së shenjave.
Neni 32
Pezullimi i hetimeve
1. Ministri urdhëron pezullimin e hetimit disiplinor kur është duke u zhvilluar hetim penal ose një proces gjyqësor penal, administrativ ose civil:
a) në të cilin, njëra nga palët është përkthyesi zyrtar ose interpreti i gjuhës së shenjave; si dhe
b) kur shkelja e dyshuar lidhet me të njëjtat fakte, për të cilat do të merret vendimi.
2. Hetimi pezullohet deri në dhënien e vendimit të formës së prerë nga autoriteti përgjegjës.
3. Ankuesi, përkthyesi zyrtar ose interpreti i gjuhës së shenjave, gjykata, prokuroria dhe komisioni disiplinor përkatës njoftohen me shkrim për urdhrin e pezullimit. Gjykata, prokuroria ose institucione të tjera i dërgojnë ministrit pa vonesë çdo vendim që merret gjatë hetimit e procesit përkatës.
4. Vendimi gjyqësor i formës së prerë, në favor të përkthyesit zyrtar ose interpretit të gjuhës së shenjave, nuk pengon hetimin nga ministri për të përcaktuar përgjegjësinë disiplinore të përkthyesit zyrtar ose interpretit të gjuhës së shenjave.
5. Pezullimi i hetimeve ndërpret afatet e parashkrimit, të parashikuara nga neni 39, i këtij ligji.
Neni 33
Të drejtat e përkthyesit zyrtar dhe interpretit të gjuhës së shenjave gjatë hetimit
1. Përkthyesi zyrtar ose interpreti i gjuhës së shenjave ka të drejtë të njohë dosjen e hetimit në atë masë që nuk cenon sekretin e hetimit.
2. Ministri mund të kërkojë nga përkthyesi zyrtar ose interpreti i gjuhës së shenjave informacione, dokumente ose çdo provë që është e nevojshme për hetimin.
3. Ministri i njofton përkthyesit zyrtar ose interpretit të gjuhës së shenjave ose përfaqësuesit të tij vendimin për arkivimin e ankesës, për fillimin e hetimit, shtimin ose ndryshimin e objektit të tij si dhe mbylljen e hetimit.
Neni 34
Përfundimi i hetimit
1. Në përfundim të hetimit, nëse ka dyshime të arsyeshme që përkthyesi zyrtar ose interpreti i gjuhës së shenjave ka kryer shkelje disiplinore, ministri fillon procedimin disiplinor, duke paraqitur pranë komisionit disiplinor përkatës raportin e hetimit së bashku me dosjen hetimore.
2. Ministri mbyll hetimin, nëse provohet se pretendimet janë të pabazuara ose provat e mbledhura dhe rezultatet e hetimit të çojnë drejt përfundimit se:
a) provat janë të pamjaftueshme për të provuar kryerjen e shkeljes disiplinore;
b) çështja ka qenë objekt i një hetimi të mëparshëm që është mbyllur ose për të cilën është dhënë vendim i formës së prerë, në kuadër të një procedimi disiplinor, përveç rasteve kur paraqiten fakte ose prova të reja;
c) çështja është parashkruar në kohën kur është filluar hetimi, për shkak të kalimit të afateve;
ç) përkthyesi zyrtar ose interpreti i gjuhës së shenjave ka ndërruar jetë.
3. Përjashtimisht, në rastet e parashikuara në pikën 6, të nenit 39, të këtij ligji, ministri vendos vetë nëse është kryer shkelje dhe jep masën disiplinore përkatëse.
Neni 35
Komisionet disiplinore
1. Komisioni disiplinor për përkthyesit zyrtarë është organ kolegjial, i cili përbëhet nga:
a) dy përfaqësues nga ministria;
b) dy përfaqësues nga ministria përgjegjëse për arsimin;
c) një përfaqësues nga institucionet publike të arsimit të lartë që ofrojnë programe studimi në gjuhë të huaja.
2. Komisioni disiplinor për interpretët e gjuhës së shenjave është organ kolegjial, i cili përbëhet nga:
a) dy përfaqësues nga ministria;
b) një përfaqësues nga ministria përgjegjëse për mbrojtjen sociale;
c) dy përfaqësues nga radhët e interpretëve të gjuhës së shenjave ose nga trajnerët e certifikuar të programit të interpretëve të gjuhës së shenjave shqipe.
3. Kryetari i komisionit disiplinor respektiv është një nga përfaqësuesit e zgjedhur nga ministri sipas shkronjës “a”, të pikës 1, dhe shkronjës “a”, të pikës 2, të këtij neni. Kryetari dhe anëtarët e komisioneve disiplinore zgjidhen për një mandat katërvjeçar me të drejtë rizgjedhjeje vetëm një herë.
4. Komisioni disiplinor zhvillon mbledhjet kur janë të pranishëm shumica e anëtarëve të tij. Vendimet e komisionit disiplinor merren me shumicën e votave të anëtarëve të pranishëm në mbledhje.
5. Komisioni disiplinor shqyrton rastin dhe merr vendim brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e paraqitjes së raportit të hetimit së bashku me dosjen hetimore pranë tij. Vendimi i arsyetuar i njoftohet ankuesit dhe përkthyesit zyrtar ose interpretit të gjuhës së shenjave, palë në procesin disiplinor.
6. Rregulla të hollësishme për kriteret, procedurat për përzgjedhjen e përfaqësuesve dhe funksionimin e komisioneve disiplinore, për mënyrën e ushtrimit të përgjegjësive prej tyre dhe për zhvillimin e procedimit disiplinor përcaktohen me urdhër të ministrit.
7. Masa e shpërblimit të anëtarëve të komisioneve disiplinore caktohet me vendim të Këshillit të Ministrave, sipas rregullave të përcaktuara për shpërblimin e anëtarëve të organeve kolegjiale.
Neni 36
Parimet e procedimit disiplinor
1. Masat disiplinore arsyetohen dhe merren sipas një procedure transparente dhe në përputhje me të drejtën për një proces të rregullt ligjor, e cila garanton të drejtën për t’u informuar, për të kërkuar sqarime rreth fakteve, për t’u dëgjuar e për t’u mbrojtur. Parimi i proporcionalitetit është bazë në përcaktimin e masës disiplinore.
2. Palët në procedim disiplinor kanë të drejtë të paraqiten dhe të japin shpjegime në seancë vetë ose nëpërmjet përfaqësimit me të tretë. Nëse njëra ose të dyja palët nuk paraqiten në seancë pa shkaqe të arsyeshme, komisioni disiplinor përkatës shqyrton çështjen dhe merr vendim në mungesë të tyre.
3. Shpjegimet e palëve dhe dëshmitë në seancë mund të jepen me gojë ose me shkrim.
4. Përkthyesi zyrtar ose interpreti i gjuhës së shenjave, subjekt i procedimit disiplinor, duhet të paraqesë me shkrim shpjegimet e tij për ankesën, brenda 10 (dhjetë) ditëve nga dita e marrjes së njoftimit. Njoftimi për këtë qëllim mund të bëhet në rrugë shkresore ose elektronike. Mosparaqitja e shpjegimeve nga ana e përkthyesit zyrtar ose interpretit të gjuhës së shenjave nuk përbën shkak për mosvazhdimin e procedimit disiplinor përkatës.
5. Komisioni disiplinor përkatës pranon deklaratat nga dëshmitarët e dokumentet e paraqitura para tij, në cilësinë e provës, dhe i çmon ato sipas bindjes së formuar pas shqyrtimit në tërësi të tyre. Procedimi disiplinor duhet t’i përmbahet vetëm objektit të kërkesës për fillimin e procedimit disiplinor.
Neni 37
Pezullimi i procedimit disiplinor
Rregullat për pezullimin e hetimit disiplinor, sipas nenit 32, të këtij ligji, zbatohen për aq sa është e mundur për pezullimin e procedimit disiplinor.
Neni 38
Vendimmarrja e komisionit disiplinor për çështjet disiplinore
Pas shqyrtimit të të gjitha fakteve dhe provave, komisioni disiplinor përkatës vendos:
a) rrëzimin e kërkesës për procedim disiplinor, për shkak se faktet e pretenduara nuk kanë ndodhur ose ato nuk përbëjnë shkelje disiplinore; ose
b) pranimin e kërkesës, marrjen e një ose më shumë masave disiplinore dhe njoftimin e vendimit ministrit, me qëllim nxjerrjen e urdhrit përkatës për zbatimin e masave që vendosen në procedimin disiplinor.
KREU VII
SHKELJET DHE MASAT DISIPLINORE
Neni 39
Shkeljet dhe masat disiplinore
1. Përkthyesi zyrtar ose interpreti i gjuhës së shenjave kryen një shkelje disiplinore në rastet kur:
a) vepron në kundërshtim me dispozitat ligjore ose nënligjore;
b) kryen veprime ose mosveprime që përbëjnë “shërbime të papërshtatshme profesionale”, ku përfshihen veprime apo mosveprime ndaj palëve, të cilat janë në kundërshtim me kodin e etikës ose me shkronjën “a”, të nenit 24, të këtij ligji.
2. Shkelje disiplinore janë edhe veprimet ose mosveprimet që përbëjnë vepër penale, pavarësisht faktit nëse vepra penale është shlyer, nëse ndjekja penale nuk ёshtë filluar ose nuk mund të vazhdojë, nëse përkthyesi zyrtar ose interpreti i gjuhës së shenjave është rehabilituar ose ka përfituar nga falja apo amnistia, me kushtin që të mos kenë kaluar më shumë se 5 (pesë) vjet nga momenti i shkeljes.
3. Për shkelje të dispozitave që rregullojnë ushtrimin e profesionit dhe veprimtarinë e përkthimit zyrtar ose interpretimit të gjuhës së shenjave, përkthyesit zyrtar ose interpretit të gjuhës së shenjave i jepen masat disiplinore, si më poshtë vijon:
a) Paralajmërim me shkrim;
b) Vërejtje me paralajmërim për heqjen e certifikatës për ushtrimin e profesionit të përkthyesit zyrtar ose të interpretit të gjuhës së shenjave;
c) Gjobë në masën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë deri në 500 000 (pesëqind mijë) lekë;
ç) Urdhër për të marrë pjesë në kurset profesionale që organizohen nga ministria, nga institucionet e arsimit të lartë ose nga shoqatat;
d) Pezullim nga detyra për një periudhë nga një deri në 5 (pesë) vjet;
dh) Heqje përfundimtare e certifikatës për ushtrimin e profesionit të përkthyesit zyrtar ose të interpretit të gjuhës së shenjave dhe çregjistrim nga regjistri elektronik.
4. Masa disiplinore e dhënë ndaj një përkthyesi zyrtar ose një interpreti të gjuhës së shenjave jepet në proporcion me shkeljen dhe bazohet në kriteret e mëposhtme:
a) Shkallën e fajit;
b) Shpeshtësinë e kryerjes së shkeljes;
c) Rrethanat e kryerjes së shkeljes, mundësinë dhe ardhjen e pasojave nga shkelja.
5. Gjoba mund të shoqërohet në mënyrë kumulative me masa të tjera disiplinore, të parashikuara nga shkronjat “a”, “b” dhe “ç”, të pikës 3, të këtij neni.
6. Masat disiplinore të parashikuara në shkronjat “a” “b”, ”c” dhe “ç”, të pikës 3, të këtij neni, jepen nga ministri. Masat disiplinore të parashikuara në shkronjat “d” e “dh”, të pikës 3, të këtij neni, jepen vetëm me vendim të komisionit disiplinor përkatës.
7. Shkeljet disiplinore parashkruhen brenda 5 (pesë) vjetëve nga koha kur ka ndodhur shkelja.
Neni 40
E drejta e ankimit për masat disiplinore
1. Kundër urdhrit të ministrit ose vendimit të komisionit disiplinor përkatës për dhënien e masave disiplinore mund të bëhet ankim në gjykatën administrative kompetente brenda 45 (dyzet e pesë) ditëve nga data e njoftimit të vendimit ose urdhrit.
2. Ankimi kundër urdhrit të ministrit ose vendimit të komisionit disiplinor nuk pezullon zbatimin e urdhrit ose vendimit të ankimuar, derisa vendimi gjyqësor për ankimin të marrë formë të prerë.
3. Vendimi i komisionit disiplinor përkatës, pas kalimit të afatit të ankimit, ose kur lihet në fuqi nga gjykata, regjistrohet në regjistrin elektronik.
Neni 41
Ekzekutimi i vendimit
1. Ministria mbikëqyr zbatimin e masave që vendosen në procedimin disiplinor.
2. Ministria siguron zbatimin e masave disiplinore:
a) brenda 1 (një) muaji, në rast paralajmërimi me shkrim, në rast të një vërejtjeje me paralajmërim për heqjen e certifikatës ose në rastin e gjobës;
b) brenda 2 (dy) javëve në rastet e tjera, duke nxjerrë urdhrin përkatës, sipas vendimmarrjes së komisionit disiplinor përkatës.
Neni 42
Regjistrimi i masave disiplinore
1. Ministria shënon në regjistrin elektronik vendimet për masat disiplinore.
2. Këto masa shuhen dhe fshihen nga regjistri elektronik, kur:
a) ka kaluar 1 (një) vit nga vendosja e masës disiplinore të paralajmërimit me shkrim;
b) kanë kaluar 2 (dy) vjet nga pagesa e gjobës;
c) kanë kaluar 3 (tre) vjet nga data e ekzekutimit të masës disiplinore të pezullimit të përkohshëm të ushtrimit të veprimtarisë.
3. Masa disiplinore e heqjes së certifikatës së ushtrimit të profesionit të përkthyesit zyrtar ose të interpretit të gjuhës së shenjave nuk shuhet dhe nuk fshihet nga regjistri elektronik.
KREU VIII
DISPOZITA KALIMTARE DHE TË FUNDIT
Neni 43
Aktet nënligjore
1. Ngarkohet Këshilli i Ministrave që, brenda 6 (gjashtë) muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, të miratojë aktet nënligjore, në zbatim të neneve 10, pika 3, 12, pika 3, 16, pika 9, 27 dhe 35, pika 7, të këtij ligji.
2. Ngarkohet ministri që, brenda 6 (gjashtë) muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, të miratojë aktet nënligjore në zbatim të neneve 6, pika 4, 11, pikat 1 dhe 2, 12, pika 1, shkronjat “e” dhe “ë”,14, pika 6, 15, pika 4, 16, pika 8, 18, pika 3, 20, pika 6, 24, shkronja “ë”, 29, pika 7, dhe 35, pika 6, të këtij ligji.
Neni 44
Dispozitë kalimtare
1. Të gjitha subjektet, që janë të licencuara ose të autorizuara nga Ministria e Drejtësisë si përkthyes zyrtarë, konsiderohen ipso lege të certifikuar për ushtrimin e veprimtarisë së përkthimit zyrtar, sipas parashikimeve të këtij ligji.
2. Interpretët e gjuhës së shenjave që janë caktuar nga organi procedues, në të paktën 5 (pesë) procedime, si interpretë të gjuhës së shenjave, konsiderohen ipso lege të certifikuar si interpretë të gjuhës së shenjave, për qëllime të këtij ligji.
3. Brenda 6 (gjashtë) muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, të gjitha subjektet, sipas pikave 1 dhe 2, të këtij neni, paraqesin kërkesë pranë ministrisë për regjistrimin e tyre në regjistrin elektronik, duke paraqitur të gjitha të dhënat e kërkuara për pasqyrimin e tyre në këtë regjistër.
Neni 45
Penalitetet
1. Cilido që kryen shërbimin e përkthimit zyrtar ose të interpretimit të gjuhës së shenjave, në kuptim të këtij ligji, pa qenë i pajisur me certifikatën përkatëse, ose nuk vepron në përputhje me parashikimet e nenit 44, të këtij ligji, ndëshkohet me masë administrative me gjobë deri në 500 000 (pesëqind mijë) lekë, në përputhje me parashikimet e legjislacionit në fuqi për kundërvajtjet administrative.
2. Gjoba e vendosur kundër subjekteve që ushtrojnë veprimtarinë e përkthimit zyrtar ose të interpretimit të gjuhës së shenjave, sipas pikës 1, të këtij neni, arkëtohet në buxhetin e shtetit.
Neni 46
Shfuqizime
Dispozitat ligjore dhe nënligjore në fuqi, që rregullojnë profesionin e përkthyesit zyrtar, por që bien ndesh me këtë ligj, shfuqizohen me hyrjen në fuqi të këtij ligji.
Neni 47
Hyrja në fuqi
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E T A R I
GRAMOZ RUÇI
###
V E N D I M
PËR
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR PËRKTHIMIN ZYRTAR DHE PROFESIONIN E PËRKTHYESIT ZYRTAR”
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Propozimin e projektligjit “Për përkthimin zyrtar dhe profesionin e përkthyesit zyrtar”, për shqyrtim dhe miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit e relacionit, që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE
###
V E N D I M
PËR
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR RATIFIKIMIN TË PROTOKOLLIT NDRYSHUES TË MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË DUKATIT TË MADH TË LUKSEMBURGUT, PËR SHMANGIEN E TATIMIT TË DYFISHTË DHE PARANDALIMIN E EVAZIONIT FISKAL, LIDHUR ME TATIMET MBI TË ARDHURAT DHE KAPITALIN, E NËNSHKRUAR NË TIRANË MË 14 JANAR 2009, RATIFIKUAR ME LIGJIN NR.10094, DATË 12.3.2009”
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, dhe të nenit 17, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Propozimin e projektligjit “Për ratifikimin të protokollit ndryshues të marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Dukatit të Madh të Luksemburgut, për shmangien e tatimit të dyfishtë dhe parandalimin e evazionit fiskal, lidhur me tatimet mbi të ardhurat dhe kapitalin, e nënshkruar në Tiranë më 14 janar 2009, ratifikuar me ligjin nr.10094, datë 12.3.2009”, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE
###
P R O J E K T L I GJ
PËR
RATIFIKIMIN E PROTOKOLLIT NDRYSHUES TË MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË DUKATIT TË MADH TË LUKSEMBURGUT, PËR SHMANGIEN E TATIMIT TË DYFISHTË DHE PARANDALIMIN E EVAZIONIT FISKAL, LIDHUR ME TATIMET MBI TË ARDHURAT DHE KAPITALIN, E NËNSHKRUAR NË TIRANË MË 14 JANAR 2009, RATIFIKUAR ME LIGJIN NR.10094, DATË 12.3.2009
Në mbështetje të neneve 78, 83, pika 1, dhe 121, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I:
Neni 1
Ratifikimin të protokollit ndryshues të marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Dukatit të Madh të Luksemburgut, për shmangien e tatimit të dyfishtë dhe parandalimin e evazionit fiskal, lidhur me tatimet mbi të ardhurat dhe kapitalin, e nënshkruar në Tiranë më 14 janar 2009, ratifikuar me ligjin nr.10094, datë 12.3.2009, sipas tekstit bashkëlidhur këtij ligji.
Neni 2
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E T A R I
GRAMOZ RUÇI