Projektligje të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 13 Maj 2020

Projektligje të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 13 Maj 2020:

P R O J E K T L I GJ

PËR

DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË LIGJIN NR.10440, DATË 7.7.2011, “PËR VLERËSIMIN E NDIKIMIT NË MJEDIS ”, TË NDRYSHUAR 1

 

Në mbështetje të neneve 78, dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë

 

V E N D O S I:

 

Në ligjin nr.10440, datë 7.7.2011, “Për vlerësimin e ndikimit në mjedis ”, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:

Neni 1

Neni 4 shfuqizohet.

Neni 2

Në nenin 5 bëhen ndryshimet e mëposhtme:

1. Shkronja “a” ndryshohet, si më poshtë vijon:

“a) Projektet ose pjesë të projekteve të përcaktuara në shtojcat I dhe II, të këtij ligji, të hartuar për qëllimet e mbrojtjes kombëtare dhe/ose për përballimin e emergjencave civile, për të cilat argumentohet se vlerësimi i ndikimit të tyre në mjedis bie ndesh me qëllimet e mbrojtjes kombëtare dhe/ose përballimin e emergjencave civile;”.

2. Në shkronjën “b”, pas emërtimit “… Ministria e Mbrojtjes …” shtohen fjalët “… dhe/apo autoriteti përgjegjës për emergjencat civile …” dhe pas fjalëve “… e ndikimeve të rëndësishme negative …” shtohen fjalët “…, të drejtpërdrejta ose jo në mjedis.”.

Neni 3

Në nenin 6 bëhen këto ndryshime dhe shtesa:

1. Pika 3 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“3. Vlerësimi i ndikimit në mjedis (VNM)” është procesi që kryhet për vlerësimin e ndikimeve të rëndësishme, të drejtpërdrejta ose jo në mjedis, nga projekte të propozuara publike ose private, nëpërmjet:

a) përgatitjes së raportit të vlerësimit të ndikimit në mjedis nga zhvilluesi;
b) kryerjes së konsultimeve, sipas kërkesave dhe procedurave të përcaktuara në kreun III, të ketij ligji;
c) shqyrtimit nga autoriteti kompetent të raportit të vlerësimit të ndikimit në mjedis dhe të çdo informacioni tjetër shtesë nga zhvilluesi, kur është i nevojshëm, si dhe të çdo informacioni tjetër të rëndësishëm, marrë nëpërmjet procesit të konsultimeve;
ç) përfundimit të arritur të arsyetuar nga autoriteti kompetent mbi ndikimet e rëndësishme në mjedis të projektit, duke marrë në konsideratë rezultatet e shqyrtimit të raportit të vlerësimit të ndikimit në mjedis nga autoriteti kompetent;
d) përfshirjes në vendimin e miratimit të zhvillimit të projektit, nga autoriteti përgjegjës për miratimin e zhvillimit, të përfundimeve të arritura të arsyetuara nga autoriteti kompetent.”.

2. Pikat 9, 10 dhe 11 ndryshohen, si më poshtë vijon:

“9. “Autoriteti ose autoritetet kompetente” është autoriteti ose autoritetet e përcaktuara si përgjegjëse për kryerjen e procesit të VNM-së, referuar detyrimeve të përcaktuara në këtë ligj.

10. “Autoriteti përgjegjës për miratimin e zhvillimit” është institucioni publik që, brenda fushës së përgjegjësisë që mbulon, funksioneve dhe kompetencave të përcaktuara në ligjin sektorial përkatës, është përgjegjës për miratimin e zhvillimit për projektet që janë objekt i këtij ligji.

11. “Zona të veçanta ruajtjeje” ka kuptimin që jepet në ligjin nr.81/2017, “Për zonat e mbrojtura”.”.

6. Pas pikës 14 shtohet pika 14/1, me këtë përmbajtje:

“14/1. “Miratim zhvillimi” është akti i lëshuar nga autoriteti përgjegjës për miratimin e zhvillimit për projektet që janë subjekt i këtij ligji, që i jep të drejtë zhvilluesit të vijojë me zbatimin e tij.”.

7. Pas pikës 16 shtohet pika 16/1, me këtë përmbajtje:

“16/1 “Vlerësimi i duhur” është procesi që vlerëson rëndësinë e ndikimeve të një projekti të propozuar, në mënyrë individuale apo në kombinim me planet ose projektet e tjera të miratuara ose në zhvillim në zonat e veçanta të ruajtjes, me qëllim informimin në proceset e vendimmarrjes.”.

Neni 4

Në nenin 7 bëhen këto shtesa:

1. Pas pikës 1 shtohet pika 1/1, me këtë përmbajtje:

“1/1. Zhvilluesi, nëse është e nevojshme, kërkon mendim paraprak nga ministria ose AKM-ja, nëse projekti që synon të zhvillojë është objekt i këtij ligji.”.

2. Pas pikës 5 shtohet pika 6, me këtë përmbajtje:

“6. Ministri përgjegjës për mjedisin miraton me udhëzim shpjegimin e detajuar të projekteve të parashikuara në shtojcat I dhe II, të këtij ligji.”.

Neni 5

Në nenin 8 bëhen këto ndryshime dhe shtesa:

1. Shkronja “ç” ndryshohet, si më poshtë vijon:

“ç) projektet e listuara apo jo në shtojcën I ose II, të këtij ligji, ose që nuk kanë ndikim të drejtpërdrejtë, apo nuk lidhen domosdoshmërisht me menaxhimin e një zone të veçantë të ruajtjes, por që ka të ngjarë të kenë një efekt të rëndësishëm në këtë zonë, të cilat i nënshtrohen edhe vlerësimit të huhur, me qëllim sigurimin e autoriteteve kompetente, që këto projekte nuk do të sjellin pasoja në integritetin e zonës;”.

2. Pas shkronjës “ç” shtohet shkronja “d”, me këtë përmbajtje:

“d) projektet e përcaktuara në shkronjën “ç” më sipër, që i nënshtrohen edhe vlerësimit të duhur, identifikohen, rast pas rasti, nga autoriteti përgjegjës për menaxhimin e zonave të veçanta të ruajtjes, referuar legjislacionit në fuqi për zonat e mbrojtura.
Në këtë rast, raporti paraprak i VNM-së përfshin edhe vlerësimin e duhur të përcaktuar në pikën 16/1, të nenit 6, të këtij ligji, të ndikimeve të këtyre projekteve në atë zonë, i cili shqyrtohet nga autoriteti përgjegjës për menaxhimin e zonave të veçanta të ruajtjes.”.

Neni 6

Në nenin 9 bëhen ndryshimi dhe shtesa e mëposhtme:

1. Pika 2 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“2. Vlerësimi i ndikimit në mjedis i thelluar për projektet e përcaktuara në pikën 1, të këtij neni, identifikon, përshkruan dhe vlerëson ndikimet e drejtpërdrejta ose jo të projektit minimalisht në bazë të faktorëve të mëposhtëm:

a) popullsisë dhe shëndetit të njeriut;
b) biodiversitetit, me vëmendje të veçantë ndaj specieve dhe habitateve të mbrojtura, përcaktuar në aktet nënligjore për miratimin e listave të tipeve të habitateve natyrore, bimëve, kafshëve dhe shpendëve me interes për Bashkimin Evropian dhe listës së shpendëve të egër veçanërisht vulnerable;
c) terrenit, tokës, ujit, ajrit dhe klimës;
ç) pasurive kulturore materiale, trashëgimisë kulturore dhe peizazhit;
d) ndërveprimit midis faktorëve të përmendur në shkronjat “a”-“ç” të kësaj pike.”.

2. Pas pikës 2 shtohet pika 3, me kët përmbajtje:

“3. Ndikimet e përmendura në pikën 2, të këtij neni, në bazë të faktorëve të përcaktuar në të, përfshijnë edhe efektet e pritshme në rastet e rreziqeve të shkaktuara nga aksidentet madhore industriale dhe/ose të fatkeqësive natyrore gjatë zhvillimit të projektit.”.

Neni 7

Në nenin 11 bëhen ndryshimi dhe shtesa e mëposhtme:

1. Në pikën 1, fjalët “… një projekt i shtojcës II …” zëvendësohen me “… një projekt i përcaktuar në nenin 8, të këtij ligji …”.

2. Pas pikës 3 shtohet pika 4, me këtë përmbajtje:

“4. AKM-ja mund ta zgjasë afatin e marrjes së vendimit për VNM-në paraprake, në raste të veçanta që lidhen me natyrën, kompleksitetin, vendndodhjen ose madhësinë e projektit, deri në një muaj nga afati i përcaktuar në zbatim të këtij ligji. Në këtë rast, AKM-ja informon zhvilluesin për arsyet e zgjatjes së afatit, si dhe për datën e marrjes së vendimit.”.

Neni 8

Në pikën 1, të nenit 12, fjalët “… autoritetit planifikues …” zëvendësohen me “… autoriteti përgjegjës për miratimin e zhvillimit …”.

Neni 9

Në pikën 1, të nenit 15, referencat “shkronjat “c”, “ç” dhe “dh”” zëvendësohen me ““c” deri “e””.

Neni 10

Titulli i kreut IV ndryshohet dhe zëvendësohet me “Dhënia e informacionit, ruajtja e të dhënave konfidenciale dhe konflikti i interesit”.

Neni 11

Neni 18 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“Neni 18
Dhënia e informacionit

Autoritetet publike, me kërkesë të zhvilluesit apo personit fizik/juridik i pajisur me certifikatë për hartimin e raportit të VNM-së, vënë në dispozicion të tyre informacionin e disponueshëm për përgatitjen e raportit të vlerësimit të ndikimit në mjedis, në përputhje me legjislacionin në fuqi për të drejtën e informimit për dokumentet zyrtare dhe legjislacionin në fuqi për mbrojtjen e mjedisit.”.

Neni 12

Pas nenit 19 shtohet neni 19/1, me këtë përmbajtje:

“Neni 19/1
Konflikti i interesit

Palët e ngarkuara në zbatimin e këtij ligji, duke përfshirë të gjithë aktorët që marrin pjesë në procesin e konsultimit, garantojnë një vendimmarrje të paanshme, transparante nëpërmjet parandalimit të konfliktit të interesit ndërmjet interesave publike dhe atyre private, sipas legjislacionit në fuqi për parandalimin e konfliktit të interesit.”.

Neni 13

Titulli i kreut V ndryshohet dhe zëvendësohet me “Vendimi i autoritetit përgjegjës për miratimin e zhvillimit”.

Neni 14

Nenet 20, 21 dhe 24, ndryshohen, si më poshtë vijon:

“Neni 20
Vendimi i autoritetit përgjegjës për miratimin e zhvillimit

1. Autoriteti përgjegjës për miratimin e zhvillimit për një projekt publik ose privat të përcaktuar në këtë ligj, përpara vendimit për dhënien ose jo të miratimit të zhvillimit, sigurohet që projekti t’i jetë nënshtruar kërkesave të këtij ligji dhe, në varësi të projektit, të jetë pajisur me deklaratë mjedisore ose vendim për VNM paraprake.

2. Autoriteti përgjegjës për miratimin e zhvillimit, kur shqyrton dhënien ose jo të miratimit të zhvillimit për një projekt, apo vendosjen e kushteve për zhvilluesin, merr në konsideratë deklaratën mjedisore ose vendimin për VNM paraprake për ndikimet në mjedis të projektit të propozuar.

3. Në rast se autoriteti përgjegjës për miratimin e zhvillimit të projektit merr vendim për miratimin e zhvillimit të projektit, në kundërshtim me vendimin për VNM paraprake apo deklaratën mjedisore, jep argumentet përkatëse për këtë vendim.

4. Akti për miratimin e zhvillimit duhet të përfshijë të paktën informacionin e mëposhtëm:

a) Arsyetimin nga autoriteti kompetent mbi efektet domethënëse të projektit në mjedis, duke marrë parasysh rezultatet e shqyrtimit;
b) Çdo kusht mjedisor të përcaktuar në deklaratën mjedisore apo vendimin për VNM paraprake, përshkrim të karakteristikave të projektit dhe/ose masat e parashikuara për të shmangur, parandaluar ose zvogëluar dhe, nëse është e mundur, kompensuar ndikimet e rëndësishme në mjedis, si dhe masat e monitorimit.

Neni 21
Miratimi i zhvilimit në zonat e veçanta të ruajtjes

1. Autoritetet përgjegjëse për miratimin e zhvillimit japin miratimin përkatës vetëm në rast se vlerësimi i duhur ka konstatuar se nuk do të ketë efekte të konsiderueshme në integritetin e kësaj zone.

2. Kur projekti duhet të zhvillohet për arsye madhore të interesit publik kombëtar, pavarësisht nga ndikimet në zonë të identifikuara në vlerësimin e duhur dhe mungesa e zgjedhjeve alternative, autoritetet përgjegjëse miratojnë zhvillimin, vetëm me kushtin që zhvilluesi të marrë të gjitha masat kompensuese me qëllim sigurimin që zona e veçantë e ruajtjes nuk e humb integritetin e saj, duke marrë edhe mendimin e njësisë së vetëqeverisjes vendore ku do të zhvillohet projekti në bazë të planeve të zhvillimit në atë zonë.

Neni 24
Certifikata për hartimin e raportit të VNM-së

1. Zhvilluesi, për përgatitjen e raportit paraprak dhe raportit të thelluar të VNM-së, ngarkon personin fizik të certifikuar nga ministri ose personin juridik që ka punësuar të paktën dy ekspertë të certifikuar nga ministri.

2. Të drejtën për përgatitjen e raportit paraprak dhe raportit të thelluar të VNM-së e kanë:

a) personi fizik i certifikuar nga ministri;
b) personi juridik që ka të punësuar të paktën 2 ekspertë të certifikuar nga ministri.

3. Personi fizik/juridik, siç është përcaktuar në pikën 2, të këtij neni, harton raportin e VNM-së duke krijuar grup specialistësh të kualifikuar, sipas fushave përkatëse që trajton raporti i VNM-së. Raporti i VNM-së nënshkruhet nga personi fizik/juridik dhe specialistët e përfshirë në hartimin e raportit të VNM-së.

4. Rregullat, procedurat dhe kriteret për pajisjen me certifikatën e ekspertit për vlerësimin e ndikimit në mjedis, ekspertizën mjedisore dhe auditimin mjedisor miratohen nga Këshilli i Ministrave me propozimin e ministrit. Ministri lëshon certifikatën.

5. Personi fizik/juridik duhet të ketë të regjistruar në regjistrin tregtar si objekt veprimtarie hartimin e raporteve të VNM-së.”.

Neni 15

Titulli i kreut VIII ndryshohet dhe zëvendësohet me “Ankimi, monitorimi, vlefshmëria, kundërvajtjet administrative dhe sanksionet”.

Neni 16

Nenin 25 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“Neni 25
Ankimi

1. Çdo palë e interesuar, përfshirë edhe publikun e ndikuar, subjekt i këtij ligji, ka të drejtë të ankohet te ministri për aktet administrative të nxjerra prej tij dhe tek AKM-ja për aktet administrative të nxjerra prej saj.

2. Ankimi ndaj mosveprimit administrativ drejtohet te ministri dhe tek AKM-ja. Në rastin kur ankimi është paraqitur tek AKM-ja, kjo e fundit është e detyruar ta përcjellë te ministri, si organ epror së bashku me dosjen dhe arsyet e mosveprimit, në përputhje me parashikimet e Kodit të Procedurave Administrative.

3. Me qëllim rritjen e efektivitetit të dispozitave të këtij neni, ministria dhe AKM-ja publikojnë në faqen zyrtare elektronike informacionin mbi të drejtën e publikut të ndikuar për të drejtën e tyre të ankimimit administrativ dhe gjyqësor.”.

Neni 17

Pas nenit 25 shtohet neni 25/1, me këtë përmbajtje:
“Neni 25/1
Monitorimi dhe vlefshmëria

1. AKM-ja përcakton llojin e parametrave që monitorohen dhe kohëzgjatjen e monitorimit në raport me natyrën, vendndodhjen dhe madhësinë e projektit e të ndikimeve të rëndësishme të tij në mjedis, të cilat parashikohen në vendimin për VNM paraprake apo deklaratën mjedisore.

2. Zhvilluesi, gjatë fazës së zbatimit të projektit, kryen vetëmonitorimin e ndikimeve të rëndësishme të projektit në mjedis dhe i raporton AKM-së për masat e marra për mbrojtjen e mjedisit.

3. Struktura përgjegjëse për inspektimin në fushën e mjedisit inspekton ndikimet në mjedis nga zbatimi i projektit, si dhe kushtet e monitorimit të përcaktuara në vendimin për VNM paraprake apo deklaratën mjedisore.

4. Deklarata mjedisore apo vendimi për VNM paraprake për projektin e propozuar është e vlefshme për aq kohë sa është i vlefshëm dhe dokumenti i miratimit të zhvillimit përkatës për projektin.

5. Nëse projekti, që i është nënshtruar procesit të VNM-së, nuk fillon zbatimin në terren brenda 2 (dy) vjetëve nga data e miratimit të deklaratës mjedisore apo vendimi për VNM paraprake, atëherë këto dokumente konsiderohen të pavlefshme dhe procesi i VNM-së fillon nga e para.”.

Neni 18

Neni 26 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“Neni 26
Kundërvajtjet administrative dhe sanksionet

1. Shkeljet e mëposhtme të këtij ligji, që nuk përbëjnë vepër penale, përbëjnë kundërvajtje administrative dhe dënohen, si më poshtë vijon:

a) Zhvilluesi që zhvillon një projekt, i cili listohet në shtojcat I dhe II të këtij ligji, nëse operon pa u pajisur me vendim për VNM paraprake sipas parashikimit të nenit 8, ose deklaratë mjedisore sipas parashikimit të nenit 9, dënohet me gjobë nga 50 000 deri në 500 000 lekë dhe me pezullimin e punimeve.
b) Mospërmbushja dhe mosrespektimi i kushteve të vendimit për VNM paraprake ose deklaratës mjedisore nga zhvilluesi i projektit:

i. për vendimin për VNM paraprake dënohet me gjobë nga 50 000 deri në 200 000 lekë;
ii. për deklaratë mjedisore dënohet me gjobë nga 50 000 deri në 500 000 lekë.

2. Shfuqizohet akti administrativ nga autoriteti kompetent në rast se vërtetohet paraqitja e fakteve, të dhënave dhe dokumenteve të rreme nga zhvilluesi apo personi fizik/juridik, i pajisur me certifikatë për hartimin e raportit të VNM-së, të cilat kanë ndikuar në vendimmarrjen e autoritetit kompetent.

3. Krahas dënimit me gjobë, të parashikuar në shkronjën “b”, të pikës 1, të këtij neni, në rast të mospërmbushjes dhe mosrespektimit nga ana e zhvilluesit të kushteve të përcaktuara në vendimin për VNM-në paraprake ose deklaratën mjedisore:

a) AKM-ja për vendimin e VNM-së paraprake pezullon aktivitetin për zbatimin e projektit nga 1 deri 12 muaj deri në zbatimin e kushteve;
b) Ministri, për deklaratën mjedisore, me propozim të AKM-së pezullon aktivitetin për zbatimin e projektit nga 3 deri 12 muaj deri në zbatimin e kushteve.

4. Në rast të pezullimit të vendimit për VNM-në paraprake ose deklaratës mjedisore, të përcaktuara në pikën, 2, të këtij neni, zhvilluesi dorëzon në AKM për shqyrtim dhe miratim, jo më vonë se 30 ditë nga data e marrjes dijeni të aktit të pezullimit dokumentet e mëposhtme:

a) Raportin e detajuar mbi dëmin e shkaktuar, ku të përfshihen masat e marra për parandalimin e dëmeve të mëtejshme;
b) Planin e rehabilitimit me qëllim kompensimin e dëmit të shkaktuar, në terma konkretë, ku përcaktohen masat dhe kohëzgjatja e realizimit të këtij plani.

AKM-ja pas shqyrtimit të dokumenteve të përmendura në shkronjat “a” dhe “b”, i kërkon zhvilluesit ndryshime ose i komunikon miratimin, duke i përcjellë një kopje të tyre edhe njësisë së vetëqeverisjes vendore, ku zhvillohet projekti.

5. Pas rehabilitimit të zonës, referuar dokumenteve të përcaktuara në pikën 4, zhvilluesi dorëzon raportin për zbatimin e planit të rehabilitimit dhe i kërkon autoritetit kompetent shfuqizimin e aktit të pezullimit, duke bërë gjithashtu me dije edhe njësinë e vetëqeverisjes vendore.

6. Në rast të konstatimit se zona nuk është rehabilituar, AKM-ja shfuqizon vendimin e VNM-së paraprake dhe në rastin e deklaratës mjedisore shfuqizimi bëhet nga ministri, me propozim të AKM-së.

7. Në rast të konstatimit nga AKM-ja se akti i miratimit të zhvillimit është bazuar në një projekt, karakteristikat kryesore të të cilit janë ndryshuar në masë që do të sillte efekte domethënëse nga ato mbi të cilat është bazuar vendimmarrja për vendimin për VNM paraprake ose deklarata mjedisore, ministri propozon pranë autoriteteve përgjegjëse shfuqizimin e aktit të miratimit të zhvillimit.

8. Në rast të paraqitjes, nga personi fizik/juridik i pajisur me certifikatë për hartimin e raportit të VNM-së mbi 3 herë të raporteve të VNM-së me mangësi, bazuar në metodologjinë kombëtare për hartimin e raporteve të vlerësimit të ndikimit në mjedis, ministri vendos pezullimin apo heqjen e certifikatës.

9. Në rastet kur shkeljet përbëjnë vepër penale, struktura përgjegjëse për inspektimin në fushën e mjedisit bën kallëzim penal pranë organeve përkatëse.

10. Procedura e konstatimit, vendosjes dhe ankimit të masave administrative si dhe ekzekutimi i masave administrative bëhen në përputhje me legjislacionin për kundërvajtjet administrative.

Neni 19

Kudo në përmbajtje të ligjit fjala “… negative …” hiqet.

Neni 20

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E T A R I

GRAMOZ RUÇI

 

###

 

V E N D I M

PËR

PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË LIGJIN NR.10440, DATË 7.7.2011, “PËR VLERËSIMIN E NDIKIMIT NË MJEDIS”, TË NDRYSHUAR”

Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Turizmit dhe Mjedisit, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

Propozimin e projektligjit “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.10440, datë 7.7.2011, “Për vlerësimin e ndikimit në mjedis”, të ndryshuar”, për shqyrtim dhe miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

P R O J E K T L I G J

PËR

RATIFIKIMIN E NDRYSHIMIT TË PROTOKOLLIT II TË MARRËVESHJES SË TREGTISË SË LIRË, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE REPUBLIKËS SË TURQISË, TË RATIFIKUAR ME LIGJIN NR.9733, DATË 14.5.2007, NË LIDHJE ME PËRKUFIZIMIN E KONCEPTIT “PRODUKTE ORIGJINUESE” DHE “METODA E BASHKËPUNIMIT ADMINISTRATIV”

Në mbështetje të neneve 78, 83, pika 1, dhe 121, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë

 

V E N D O S I:

 

Neni 1

Ratifikimin e ndryshimit të protokollit II të marrëveshjes së tregtisë së lirë, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Turqisë, të ratifikuar me ligjin nr.9733, datë 14.5.2007, në lidhje me përkufizimin e konceptit “produkte origjinuese” dhe “metoda e bashkëpunimit administrativ”, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij ligji.

Neni 2

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E T A R I

GRAMOZ RUCI

 

###

 

V E N D I M

PËR

PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR RATIFIKIMIN E NDRYSHIMIT TË PROTOKOLLIT II TË MARRËVESHJES SË TREGTISË SË LIRË, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE REPUBLIKËS SË TURQISË, TË RATIFIKUAR ME LIGJIN NR.9733, DATË 14.5.2007, NË LIDHJE ME PËRKUFIZIMIN E KONCEPTIT “PRODUKTE ORIGJINUESE” DHE “METODA E BASHKËPUNIMIT ADMINISTRATIV””

Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

Propozimin e projektligjit “Për ratifikimin e ndryshimit të protokollit II të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Turqisë, të ratifikuar me ligjin nr.9733, datë 14.5.2007, në lidhje me përkufizimin e konceptit “produkte origjinuese” dhe “metoda e bashkëpunimit administrativ””, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.