Projektligje të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 15 Dhjetor 2021:
V E N D I M
PËR
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR NJË NDRYSHIM NË LIGJIN NR.9723, DATË 3.5.2007, “PËR REGJISTRIMIN E BIZNESIT”, TË NDRYSHUAR”
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, 83, pika 2, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Propozimin e projektligjit “Për një ndryshim në ligjin nr.9723, datë 3.5.2007, “Për regjistrimin e biznesit”, të ndryshuar”, për shqyrtim dhe miratim, me procedurë të përshpejtuar, në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit, që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ARBEN AHMETAJ
###
P R O J E K T L I GJ
PËR
NJË NDRYSHIM NË LIGJIN NR.9723, DATË 3.5.2007, “PËR REGJISTRIMIN E BIZNESIT”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I:
Në ligjin nr.9723, datë 3.5.2007, “Për regjistrimin e biznesit”, të ndryshuar, bëhet ky ndryshim:
Neni 1
Pikat 2 dhe 3, të nenit 74, ndryshohen, si më poshtë vijon:
“2. Deklarimi në regjistër i të dhënave të pavërteta, kur nuk përbën vepër penale,
përbën kundërvajtje administrative dhe dënohet me gjobë 60 000 lekë.
3. Moskryerja e detyrimit për regjistrimin fillestar dhe regjistrimet e tjera të detyrueshme, brenda afateve të parashikuara nga ky ligj, përbën kundërvajtje administrative dhe dënohet me gjobë 60 000 lekë.”.
Neni 2
Hyrja në fuqi
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E T A R I
LINDITA NIKOLLA
***
P R O J E K T L I GJ
PËR
ZHVILLIMIN E NDËRMARRJEVE MIKRO, TË VOGLA DHE TË MESME
Në mbështetje të neneve 78, 81, pika 1, dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I:
KREU I
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
Neni 1
Objekti
Ky ligj ka për objekt përcaktimin e rregullave, masave dhe politikave shtetërore për klasifikimin, nxitjen e krijimit dhe zhvillimin e ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme.
Neni 2
Qëllimi
Qëllimi i këtij ligji është të përcaktojë përkufizimin e ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme, të përdorur në politikat shtetërore për t’i mbështetur ato, si dhe përcaktimi i politikave shtetërore dhe kuadrit institucional rregullator në ndihmë të këtyre ndërmarrjeve.
Neni 3
Përkufizimet
Në kuptim të këtij ligji, termat e mëposhtëm kanë këto kuptime:
1. “Biznese të palistuara”, sipërmarrjet individuale që ofrojnë kapital në shuma të vogla për bizneset, në këmbim të një pjese të aksioneve të tyre, për rastet kur bankat apo institucionet financiare nuk kanë interes të ndërveprojnë.
2. “Fonde të zhvillimit”, ato fonde, që sigurojnë mbështetje financiare për zhvillimin e zonave në fusha të caktuara, të tilla si: investimet në kapacitetet e prodhimit, ndërtimi dhe modernizimi i infrastrukturës, si dhe investimet në fushën e kujdesit shëndetësor e të edukimit.
3. “Fondi për zhvillimin e ndërmarrjeve NMVM”, fondi i krijuar nga buxheti i shtetit me qëllim zhvillimin e ndërmarrjeve NMVM.
4. “Investimi i kapitalit të përbashkët”, përdorimi i kapitalit të përbashkët në ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme, në çastin e krijimit të tyre ose në fazën fillestare të zhvillimit të tyre.
5. “Ndërmarrje”, çdo person fizik ose juridik, i regjistruar në Qendrën Kombëtare të Biznesit, i cili ushtron veprimtari ekonomike.
6. “NMVM”, ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme, që janë regjistruar në QKB prej jo më shumë se 12 (dymbëdhjetë) muajsh, në të cilat me përjashtim të rasteve të përcaktuara në pikën 8, të këtij neni, organet publike, direkt ose indirekt nuk mund të zotërojnë më shumë se 25% të kapitalit apo të të drejtave të votës.
7. “Ndërmarrje autonome”, çdo ndërmarrje, e cila e vetme ose bashkërisht me një ose më shumë ndërmarrje të lidhura, nuk zotëron më shumë se 25% të kapitalit ose të të drejtave të votës së një ndërmarrjeje tjetër, si dhe nuk është e lidhur me një ndërmarrje tjetër në asnjë nga format e parashikuara në pikën 9, të këtij neni. Një ndërmarrje mund të jetë autonome edhe nëse pragu prej 25% plotësohet ose tejkalohet nga investitorët si vijon, me kusht që këta investitorë të mos jenë të lidhur në kuptim të pikës 9, të këtij neni, individualisht ose bashkërisht me ndërmarrjen në fjalë:
a) Korporatat publike të investimeve, shoqëritë e kapitalit sipërmarrës, individët ose grupet e individëve me aktivitet të rregullt në investimet e kapitalit sipërmarrës, të cilët investojnë kapitalin e vet në ndërmarrje të palistuara, me kusht që investimi total i bizneseve të palistuara në të njëjtën ndërmarrje të jetë më pak se 30 000 000 lekë;
b) Institucionet e arsimit të lartë ose qendrat jofitimprurëse kërkimore;
c) Investitorët institucionalë, përfshirë fondet rajonale të zhvillimit;
ç) Njësitë e vetëqeverisjes vendore me një buxhet vjetor me më pak se 10 milionë lekë dhe më pak se 5 000 banorë.
Në kuptim të kësaj pike, nuk ekziston asnjë ndikim dominues nëse investitorët e përcaktuar në shkronjat “a”-“ç”, pavarësisht nga të drejtat e tyre si aksionarë, nuk përfshihen direkt ose indirekt në menaxhimin e ndërmarrjes në fjalë.
8. “Ndërmarrje partnere”, të gjitha ndërmarrjet që nuk klasifikohen si ndërmarrje të lidhura në kuptim të pikës 9, të këtij neni, ndërmjet të cilave një ndërmarrje zotëron, vetëm ose së bashku me një ose më shumë ndërmarrje të lidhura, 25% ose më shumë të kapitalit ose të të drejtave të votës së një ndërmarrjeje tjetër. Ndërmarrjet e lidhura me një ose më shumë ndërmarrje të tjera ose ndonjë prej investitorëve të përmendur në këtë pikë konsiderohen se janë të lidhura.
9. “Ndërmarrje të lidhura”, ndërmarrjet që kanë një nga lidhjet e mëposhtme:
a) Një ndërmarrje ka shumicën e të drejtave të votave të aksionarëve ose anëtarëve në një ndërmarrje tjetër;
b) Një ndërmarrje ka të drejtë të emërojë ose të largojë shumicën e anëtarëve të organeve administrative, menaxhuese ose mbikëqyrëse të një ndërmarrjeje tjetër;
c) Një ndërmarrje ka të drejtë të ushtrojë një ndikim dominues mbi një ndërmarrje tjetër, në bazë të një kontrate të lidhur me atë ndërmarrje ose të një përcaktimi në memorandum apo nenet e statutit;
ç) Një ndërmarrje, e cila është aksionare ose anëtare e një ndërmarrjeje tjetër, kontrollon e vetme, në përputhje me një marrëveshje me aksionarët e tjerë ose anëtarët e asaj ndërmarrjeje, shumicën e të drejtave të votave të aksionarëve ose anëtarëve në atë ndërmarrje.
10. “Shifër afarizmi”, shumat e faturuara nga ndërmarrja gjatë një viti, të cilat i korrespondojnë shitjes në treg të të mirave dhe shërbimeve, ofruar të tretëve.
11. “Shoqëri sipërmarrëse e kapitalit”, shoqëritë aksionare dhe shoqëritë me përgjegjësi të kufizuar, që kanë për objekt investimin e kapitalit në ndërmarrjet mikro, të vogla e të mesme.
12. “Treg i lidhur”, tregu i produkteve apo shërbimeve në diversifikim, të vendosura direkt sipër ose poshtë tregut përkatës.
Neni 4
Kategoritë e NMVM-ve
1. NMVM-të janë tërësia e ndërmarrjeve, në të cilat punësohen më pak se 250 persona dhe realizojnë një shifër afarizmi ose një bilanc total vjetor jo më të madh se 250 milionë lekë.
2. Ndërmarrje e vogël konsiderohet një ndërmarrje me më pak se 50 persona të punësuar, e cila ka një shifër afarizmi ose bilanc total vjetor jo më të madh se 50 milionë lekë.
3. Mikrondërmarrje konsiderohet një ndërmarrje me më pak se 10 persona të punësuar, e cila ka një shifër afarizmi ose bilanc total vjetor jo më të madh se 10 milionë lekë.
4. Ndërmarrje e mesme konsiderohet një ndërmarrje me 50 persona të punësuar deri në 249 persona të punësuar, e cila ka një shifër afarizmi ose një bilanc total vjetor nga 50 milionë lekë deri në 250 milionë lekë.
5. Për qëllime statistikore, ndërmarrjet klasifikohen në:
a) mikrondërmarrje: 0 deri 9 persona;
b) ndërmarrje të vogla: 10 deri 49 persona;
c) ndërmarrje të mesme: 50 deri 249 persona.
Neni 5
Deklarata për kategorinë e NMVM-ve
1. Ndërmarrjet plotësojnë deklaratën e kategorisë si ndërmarrje autonome, ndërmarrje partnere ose ndërmarrje e lidhur, në të cilën përfshihen edhe të dhënat e përcaktuara në nenin 4, të këtij ligji. Deklarata plotësohet edhe në rastet kur shpërndarja e kapitalit është e tillë që e bën të pamundur identifikimin e zotëruesve. Ndërmarrjet kanë detyrimin për plotësimin/dorëzimin e deklaratës, pavarësisht kontrolleve dhe hetimeve të përcaktuara në legjislacionin në fuqi për inspektimet.
2. Mënyra dhe forma e deklarimit të kategorisë së ndërmarrjes përcaktohen me udhëzim të ministrit përgjegjës për ekonominë.
Neni 6
Burimet e të dhënave për llogaritjen e personelit, vlerës së qarkullimit dhe periudhës së raportimit për NMVM-të
1. Të dhënat për numrin e të punësuarve dhe vlerën e qarkullimit merren nga pasqyrat financiare vjetore të depozituara për publikim pranë autoritetit përkatës ku janë regjistruar, në përputhje më legjislacionin në fuqi për kontabilitetin dhe pasqyrat financiare. Vlera e qarkullimit llogaritet duke përjashtuar tatimin mbi vlerën e shtuar (TVSH) dhe taksat e tjera indirekte.
2. Në rastet kur nga pasqyrat financiare vjetore të depozituara për publikim vlerësohet se në baza vjetore është ulur ose tejkaluar numri i të punësuarve, ndërmarrja nuk e humbet apo fiton statusin e ndërmarrjes mikro, ndërmarrjes së vogël apo ndërmarrjes së mesme, me përjashtim të rastit kur këto tavane tejkalohen për dy periudha vjetore llogaritjeje të njëpasnjëshme.
3. Në rastin e ndërmarrjeve të reja, pasqyrat financiare të të cilave nuk janë miratuar ende, të dhënat sigurohen nëpërmjet vetëdeklarimit gjatë vitit financiar.
Neni 7
Personeli për periudhën e raportimit të NMVM-ve
1. Numri i personelit korrespondon me numrin e njësive vjetore të punës. Numri i njësive vjetore të punës është ekuivalenti i numrit të të gjithë të punësuarve që kanë punuar me kohë të plotë në ndërmarrje ose për llogari të saj gjatë gjithë vitit, i cili llogaritet si numri i orëve gjithsej të punës së kryer në ndërmarrje në raport me numrin gjithsej të orëve të punës me kohë të plotë.
2. Puna e personave, të cilët nuk kanë punuar gjatë gjithë vitit, puna e atyre që kanë punuar me kohë të pjesshme, pavarësisht kohëzgjatjes, si dhe puna e të punësuarve sezonalë përfshihen në numrin e orëve gjithsej të punës së kryer në ndërmarrje.
3. Personeli përbëhet nga:
a) punëmarrësit;
b) punëdhënësit;
c) partnerët që angazhohen në mënyrë të vazhdueshme në aktivitetin e ndërmarrjes dhe që përfitojnë nga përparësitë financiare të saj;
ç) administratorët.
4. Punonjësit në kohë prove dhe studentët që angazhohen në trajnime profesionale me kontratë nuk përfshihen në personel.
Neni 8
Llogaritja e të dhënave për NMVM-të
1. Në ndërmarrjet autonome, të dhënat, përfshirë edhe ato për numrin e të punësuarve, përcaktohen në bazë të pasqyrave financiare të ndërmarrjes.
2. Të dhënat e një ndërmarrjeje, që ka ndërmarrje partnere ose ndërmarrje të lidhura, përcaktohen në bazë të llogaritjeve edhe të të dhënave të ndërmarrjeve të tjera ose, aty ku ekzistojnë, në bazë të llogarive të konsoliduara të ndërmarrjes ose të pasqyrave financiare të konsoliduara, në të cilat ndërmarrja është përfshirë nëpërmjet procesit të bashkimit.
3. Të dhënave të referuara në pikën 1, të këtij neni, u shtohen edhe të dhënat e çdo ndërmarrjeje partnere. Mbledhja bëhet sipas përqindjes në kapital ose të të drejtave të votës, cilado qoftë më e lartë. Në rast të pjesëmarrjes në disa ndërmarrje, zbatohet përqindja më e lartë.
4. Të dhënave të parashikuara në pikat 2 dhe 3, të këtij neni, u shtohen 100% e të dhënave të çdo ndërmarrjeje, e cila është e lidhur drejtpërdrejt apo tërthorazi me ndërmarrjen në fjalë, nëse këto të dhëna nuk janë përfshirë në pasqyrat financiare.
5. Në zbatim të pikës 2, të këtij neni, të dhënat e ndërmarrjes partnere të ndërmarrjes në fjalë përftohen nga pasqyrat financiare të tyre. Të dhënave u shtohet edhe 100% e të dhënave të ndërmarrjeve, të cilat janë të lidhura me ndërmarrjet partnere, përveç kur të dhënat e llogarive të tyre përfshihen nëpërmjet konsolidimit.
6. Në zbatim të pikës 2, të këtij neni, të dhënat e ndërmarrjeve, që janë të lidhura me ndërmarrjen në fjalë, përftohen nga pasqyrat financiare dhe të dhënat e tjera të konsoliduara të tyre, nëse ka. Këtyre të dhënave iu shtohen edhe të dhënat për çdo ndërmarrje të mundshme partnere të asaj ndërmarrjeje të lidhur, përveçse kur këto janë përfshirë në pasqyrat financiare të konsoliduara, me të paktën një përqindje proporcionale me përqindjen e përcaktuar sipas pikës 3, të këtij neni.
7. Kur në pasqyrat financiare të konsoliduara nuk pasqyrohen të dhënat për numrin e të punësuarve për një ndërmarrje të caktuar, numri i të punësuarve llogaritet duke shtuar të dhënat nga ndërmarrjet e saj partnere dhe nga ndërmarrjet, me të cilat ndërmarrja në fjalë është e lidhur.
8. Ministri përgjegjës për ekonominë nxjerr udhëzim në zbatim të këtij neni.
KREU II
MBËSHTETJA SHTETËRORE PËR NDËRMARRJET MIKRO, TË VOGLA DHE TË MESME
Neni 9
Dhënia e mbështetjes shtetërore për ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme
1. Dhënia e mbështetjes shtetërore për NMVM-të, pavarësisht përcaktimeve të bëra në nenin 4, të këtij ligji, mund të bazohet edhe vetëm te plotësimi i kriterit të numrit të personelit, në përputhje me parashikimet në fuqi për ndihmën shtetërore.
2. Ndihma shtetërore dhe ndihma “de minimis” jepet në përputhje me legjislacionin në fuqi për ndihmën shtetërore dhe zbatohet pas autorizimit të Komisionit të Ndihmës Shtetërore.
3. Mbështetja për ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme garanton në çdo rast akses gjinor të balancuar.
Neni 10
Format e mbështetjes shtetërore për ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme
Format e mbështetjes shtetërore që jepen për ndërmarrjet e mikro, të vogla dhe të mesme përfshijnë kryesisht:
a) mbështetje financiare nga buxheti i shtetit;
b) mbështetje financiare nga partnerët për zhvillim vendas ose të huaj;
c) garanci shtetërore të huas sipas ligjit në fuqi për borxhin dhe garancitë shtetërore, në zbatim të politikave të veçanta të Këshillit të Ministrave, në përputhje me parimet dhe rregullat fiskale mbi qëndrueshmërinë e borxhit publik dhe kufizimet e borxhit shtetëror e të garancive shtetërore të huave;
ç) shërbime publike për ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme, sipas përcaktimeve të dhëna në këtë ligj.
Neni 11
Mbështetja financiare buxhetore
1. Me qëllim mbështetjen dhe zhvillimin e ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme, sipas shkronjës “a”, të nenit 10, të këtij ligji, krijohet fondi për zhvillimin e ndërmarrjeve, i cili financohet nga buxheti i shtetit.
2. Fondi përdoret për dhënien e granteve për NMVM-të, me qëllim zbatimin e programeve që synojnë rritjen e konkurrueshmërisë, artizanatit, zhvillimin e të mësuarit rreth ndërmarrjes, zhvillimin e produkteve dhe shërbimeve të reja si rezultat i kërkim-zhvillimit, zhvillimin e aftësive të ndërmarrjes, inovacionin, rinovimin e teknologjisë, ndërkombëtarizimin e zhvillimin e NMVM-ve dhe mbështetjen e grave sipërmarrëse.
3. Fondi për zhvillimin e ndërmarrjeve administrohet nga Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve (AIDA).
4. Procedura konkurruese, krijimi, funksionimi dhe organizimi i bordit vlerësues të kërkesave përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
5. Kriteret e përgjithshme të përfitimit të mbështetjes financiare buxhetore për NMVM-të janë:
a) Të jenë person fizik apo juridik i regjistruar në Qendrën Kombëtare të Biznesit, për jo më pak se 12 (dymbëdhjetë) muaj;
b) Të mos jenë në proces falimentimi;
c) Të kenë paguar rregullisht sigurimet e detyrueshme shëndetësore dhe shoqërore;
ç) Të mos kenë detyrime ndaj organeve doganore dhe tatimore, në momentin e dorëzimit të kërkesës për përfitim fondi;
d) Të kenë dorëzuar deklaratën, në përputhje me parashikimin e dhënë në nenin 5, të këtij ligji.
6. Përcaktimi i masës së përfitimit, kriteret dhe kushtet e veçanta të përfitimit për NMVM-të përcaktohen çdo vit me vendim të Këshillit të Ministrave.
7. Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve (AIDA) administron një portal elektronik për instrumentet financiare të krijuara me fonde nga buxheti i shtetit dhe me partnerët për zhvillim. Çdo institucion, që ofron mbështetje financiare për ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme, ngarkohet që, brenda 5 (pesë) ditëve përpara fillimit të zbatimit të skemës, të paraqesë informacion pranë AIDA-s.
Neni 12
Garancitë shtetërore të huas
Në rastet kur, në zbatim të politikave të ndërmarra për mbështetjen e kreditimit të ndërmarrjeve vendoset dhënia e garancisë shtetërore, Këshilli i Ministrave përcakton me vendim fondin, sektorët, si dhe kushtet e kriteret për garantimin e huas për mbështetjen e ndërmarrjeve, me propozim të ministrit përgjegjës për financat dhe ministrit përgjegjës për ekonominë.
Neni 13
Shërbimet publike për ndërmarrjet
1. AIDA ofron/siguron shërbimet publike të nevojshme për ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme. Përveç parashikimeve të dhëna në legjislacionin në fuqi për krijimin dhe mënyrën e organizimit e të funksionimit të Agjencisë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve, AIDA kryen funksionet e dhënies së informacionit, këshillimit, zhvillimit të biznesit, trajnimit, zhvillimit profesional apo ritrajnimit, dhënies së shërbimeve metodologjike për ndërmarrjet si edhe personat fizikë që synojnë të krijojnë një ndërmarrje.
2. Dhënia e shërbimeve publike për ndërmarrjet përballohet nga buxheti i shtetit, brenda tavaneve buxhetore të alokuara për Agjencinë Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve për mbështetjen e ndërmarrjeve.
Neni 14
Raportet vjetore
1. Të gjitha institucionet shtetërore, sipas fushës së tyre të përgjegjësisë, japin informacion me shkrim pranë Agjencisë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve mbi mënyrën dhe ecurinë e zbatimit të skemave mbështetëse financiare dhe mbështetjen publike për NMVM-të, brenda datës 31 mars të vitit pasardhës.
2. Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve, brenda datës 30 qershor të çdo viti, paraqet pranë ministrisë përgjegjëse për ekonominë raportin vjetor të vitit pararendës për skemat mbështetëse për NMVM-të.
Neni 15
Strategjia për Zhvillimin e Biznesit dhe Investimeve
1. Me propozimin e ministrit përgjegjës për ekonominë, Këshilli i Ministrave miraton Strategjinë për Zhvillimin e Biznesit dhe Investimeve së bashku me planin e veprimit.
2. Strategjia për Zhvillimin e Biznesit dhe Investimeve përcakton vizionin, objektivat, përparësitë e promovimit dhe zhvillimit të ndërmarrjeve e investimeve, si dhe rolin e njësive të qeverisjes qendrore dhe vetëqeverisjes vendore për zbatimin e saj.
Neni 16
Burimet e financimit të NMVM-ve
Aktivitetet në mbështetje të zhvillimit të NMVM-ve financohen nga buxheti i shtetit, brenda tavaneve buxhetore të institucioneve të përfshira, në përputhje me masat konkrete të parashikuara në Strategjinë për Zhvillimin e Biznesit dhe Investimeve.
KREU III
KËSHILLI KONSULTATIV PËR NDËRMARRJET MIKRO, TË VOGLA DHE TË MESME
Neni 17
Këshilli konsultativ për ndërmarrjet
1. Këshilli Konsultativ për NMVM-të është organ këshillimor dhe transparence që ngrihet pranë ministrisë përgjegjëse për çështjet e ekonomisë, me përfaqësues nga organizatat e biznesit dhe institucionet shtetërore.
2. Këshilli kryesohet nga ministri përgjegjës për ekonominë dhe përbëhet nga 18 anëtarë me eksperiencë pune jo më pak se 5 (pesë) vite në fushën e ekonomisë dhe në mbështetjen e zhvillimit të biznesit, si më poshtë:
a) 1 përfaqësues nga ministria përgjegjëse për financat;
b) 2 përfaqësues nga ministria përgjegjëse për çështjet e ekonomisë;
c) 1 përfaqësues nga ministria përgjegjëse për mbrojtjen e sipërmarrjes;
ç) 1 përfaqësues nga Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve;
d) 2 përfaqësues nga Bashkimi i Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë;
dh) 5 përfaqësues të sipërmarrjes dhe biznesit, të përzgjedhur nga organizatat dhe dhomat më të përfaqësuara të tregtisë dhe biznesit;
e) 1 përfaqësues nga Shoqata e Bankave;
ë) 1 përfaqësues nga Banka e Shqipërisë;
f) 2 përfaqësues të institucioneve të arsimit të lartë, nga të cilët një përfaqësues nga institucionet publike të arsimit të lartë dhe një përfaqësues nga institucionet jopublike të arsimit të lartë. Përfaqësuesit e institucioneve të arsimit të lartë propozohen nga ministri përgjegjës për arsimin, pas përzgjedhjes me thirrje publike.
g) 2 përfaqësues nga njësitë e vetëqeverisjes vendore, të propozuar nga Shoqata e Bashkive të Shqipërisë.
3. Anëtarët e Këshillit emërohen me urdhër të ministrit, pas propozimit nga institucionet apo organizatat e parashikuara në pikën 2, të këtij neni, për një mandat 3-vjeçar, me të drejtë riemërimi.
4. Këshilli Konsultativ për ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme ushtron kompetencat e mëposhtme:
a) Diskuton çështjet që lidhen me mbështetjen dhe zhvillimin e biznesit;
b) Jep mendime dhe këshilla lidhur me mbështetjen dhe zhvillimin e biznesit;
c) Këshillon lidhur me mënyrën e hartimit të skemave mbështetëse për biznesin, sipas parashikimeve të këtij ligji dhe strategjisë.
5. Rregulla të hollësishme për kriteret e përzgjedhjes të anëtarëve, për organizimin, funksionimin dhe kompetencat e Këshillit Konsultativ përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
KREU IV
DISPOZITA PËRFUNDIMTARE
Neni 18
Aktet nënligjore
1. Ngarkohet Këshilli i Ministrave që, brenda një viti nga hyrja në fuqi e këtij ligji, të nxjerrë vendimin e parashikuar në nenin 17, të këtij ligji.
2. Ngarkohet ministri përgjegjës për ekonominë që, brenda 1 (një) viti nga hyrja në fuqi e këtij ligji, të nxjerrë udhëzimet e përcaktuara në nenet 5 dhe 8, të këtij ligji.
Neni 19
Shfuqizime
Ligji nr.8957, datë 17.10.2002, “Për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme”, i ndryshuar, shfuqizohet.
Neni 20
Hyrja në fuqi
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E T A R I
LINDITA NIKOLLA
###
V E N D I M
PËR
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR ZHVILLIMIN E NDËRMARRJEVE MIKRO, TË VOGLA DHE TË MESME”
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Propozimin e projektligjit “Për zhvillimin e ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme”, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit, që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ARBEN AHMETAJ