Projektligje të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 15 Nëntor 2023:
V E N D I M
PËR
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR RATIFIKIMIN E MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS FEDERALE TË GJERMANISË, PËR BASHKËPUNIM FINANCIAR 2020, PËR PROJEKTIN “PROGRAMI I PERFORMANCËS DHE INVESTIMEVE NË SEKTORIN E UJËRAVE, PJESA E DYTË, (INFRASTRUKTURA KOMUNALE, FAZA V, PJESA II)””
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, e 100, të Kushtetutës dhe të nenit 17, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Propozimin e projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë, për bashkëpunim financiar 2020, për projektin “Programi i performancës dhe investimeve në sektorin e ujërave, pjesa e dytë, (infrastruktura komunale, faza V, pjesa II)””, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
###
P R O J E K T L I GJ
PËR
RATIFIKIMIN E MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS FEDERALE TË GJERMANISË, PËR BASHKËPUNIM FINANCIAR 2020 PËR PROJEKTIN “PROGRAMI I PERFORMANCËS DHE INVESTIMEVE NË SEKTORIN E UJËRAVE, PJESA E DYTË (INFRASTRUKTURA KOMUNALE, FAZA V, PJESA II)”
Në mbështetje të neneve 78, 83, pika 1, e 121, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I:
Neni 1
Ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë, për bashkëpunim financiar 2020 për projektin “Programi i performancës dhe investimeve në sektorin e ujërave, pjesa e dytë (infrastruktura komunale, faza V, pjesa II)”, që i bashkëlidhet këtij ligji dhe është pjesë përbërëse e tij.
Neni 2
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E T A R I
LINDITA NIKOLLA
***
V E N D I M
PËR
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR RATIFIKIMIN E PROTOKOLLIT, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS ITALIANE, PËR FORCIMIN E BASHKËPUNIMIT NË FUSHËN E MIGRACIONIT”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 17, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes dhe të ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Propozimin e projektligjit “Për ratifikimin e protokollit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës Italiane, për forcimin e bashkëpunimit në fushën e migracionit”, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
###
P R O J E K T L I GJ
PËR
RATIFIKIMIN E PROTOKOLLIT, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS ITALIANE, PËR FORCIMIN E BASHKËPUNIMIT NË FUSHËN E MIGRACIONIT
Në mbështetje të neneve 78, 83, pika 1, dhe 121, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I:
Neni 1
Ratifikimin e protokollit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës Italiane, për forcimin e bashkëpunimit në fushën e migracionit, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij ligji.
Neni 2
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E T A R I
LINDITA NIKOLLA
***
P R O J E K T L I GJ
PËR
DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË LIGJIN NR.72/2019, “PËR MASAT SHTRËNGUESE NDËRKOMBËTARE NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË”
Në mbështetje të neneve 78 e 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I:
Në ligjin nr.72/2019, “Për masat shtrënguese ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, bëhen këto shtesa dhe ndryshime:
Neni 1
Në nenin 4 bëhen ndryshimet dhe shtesa e mëposhtme:
1. Në pikën 1 bëhen ndryshimet e mëposhtme:
a) Në fjalinë hyrëse hiqet togfjalëshi “organizatave ndërkombëtare”.
b) Shkronja “a” ndryshohet, si më poshtë vijon:
“a) të kontrolluara apo të zotëruara tërësisht apo bashkërisht, direkt apo indirekt, nga entitetet e lartpërmendura;”.
2. Fjalia hyrëse, e pikës 6, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Masat shtrënguese financiare” janë masa që ndalojnë përfitimin ose vënien e të gjitha fondeve dhe aseteve, drejtpërdrejt apo tërthorazi, në dispozicion të personave apo entiteteve të shpallura dhe bllokojnë përdorimin e të gjitha fondeve dhe aseteve: …”.
3. Pas pikës 17 shtohet pika 18, me këtë përmbajtje:
“18. “Subjekte të tjera zbatuese” është çdo person juridik publik ose privat, çdo tregtar ose person tjetër fizik, sipas përcaktimeve të legjislacionit civil e tregtar në Republikën e Shqipërisë, të cilat ngarkohen me zbatimin e këtij ligji.”.
Neni 2
Në nenin 6 bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
1. Në pikën 2, fjalët “… Këshilli i Ministrave miraton …” zëvendësohen me “… Këshilli i Ministrave merr vendim për …”.
2. Pika 3 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“3. Ministria përgjegjëse për punët e jashtme, më poshtë referuar si “ministria”, njofton menjëherë organet përgjegjëse për masat shtrënguese ndërkombëtare, të parashikuara në shkronjat “b” dhe “c”, të pikës 3, të nenit 3, të këtij ligji.”.
3. Në pikën 4, fjalët “…, deri në miratimin e vendimit … ” zëvendësohen me “…, deri në marrjen e vendimit …”.
4. Në pikën 6, fjalët “… Këshilli i Ministrave miraton …” zëvendësohen me “… Këshilli i Ministrave merr vendim për …”.
5. Pas pikës 8 shtohet pika 9, me këtë përmbajtje:
“9. Kur pas vendosjes, ndryshimit ose shfuqizimit të masave shtrënguese ndërkombëtare, është e nevojshme ndërmarrja e masave ose veprimeve të tjera për zbatimin e vendimit, sipas masave ose veprimeve të ndërmarra nga organizata ndërkombëtare përkatëse, masat ose veprimet e tjera merren me vendim të Këshillit të Ministrave, bazuar në propozimet e organeve përgjegjëse sipas nenit 11.”.
Neni 3
Në nenin 8 bëhen këto ndryshime:
1. Në pikën 1, fjalët “Organet përgjegjëse, organet publike, si dhe çdo person fizik ose juridik në Republikën e Shqipërisë …” zëvendësohen me “Organet përgjegjëse dhe subjektet e tjera zbatuese në Republikën e Shqipërisë …”.
2. Pikat 4, 5 dhe 7 ndryshohen, si më poshtë vijon:
“4. Të dhënat e plota për rastet e bllokuara, sipas pikës 1, të këtij neni, përfshirë transaksionet e mbetura në tentativë, i njoftohen menjëherë organit përgjegjës, në përputhje me fushën e tij të përgjegjësisë, duke kërkuar udhëzime nëse duhet të kryhen apo jo transaksione apo të kryhen veprime të mëtejshme. Organi përgjegjës kryen verifikimet përkatëse dhe u kthen përgjigje subjekteve të pikës 1, të këtij neni, brenda 48 orëve.”.
“5. Vendimet e organeve përgjegjëse dhe subjekteve të tjera zbatuese në Republikën e Shqipërisë kanë fuqi të drejtpërdrejtë, të menjëhershme dhe kanë vlefshmëri për një periudhë jo më shumë se 30 ditë pune, duke filluar nga dita e parë pas marrjes së udhëzimeve sipas pikës 4, të këtij neni.”.
“7. Vendimet e marra sipas pikës 5, të këtij neni, vihen në dispozicion nëpërmjet publikimit në faqen zyrtare të organeve përgjegjëse.”.
Neni 4
Në nenin 10 bëhen ndryshimi dhe shtesa e mëposhtme:
1. Pika 4 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“4. Komiteti përbëhet nga përfaqësues të nivelit të lartë drejtues të organeve përgjegjëse, të përcaktuara në pikën 1, të nenit 11, si dhe të Prokurorisë së Përgjithshme, Prokurorisë së Posaçme, Shërbimit Informativ të Shtetit, Bankës së Shqipërisë, Komisionerit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale dhe Autoritetit Kombëtar të Sigurisë së Informacionit të Klasifikuar.
Përfaqësuesit e emëruar, që marrin pjesë në mbledhjet e Komitetit, përfitojnë një pagesë për pjesëmarrjen dhe kontributin e tyre në çdo mbledhje të Komitetit, sipas përcaktimeve me vendim të Këshillit të Ministrave.”.
2. Në pikën 5, pas fjalës “… përfaqësues …” shtohen fjalët “… dhe sipas rastit, ekspertë të jashtëm …”.
Neni 5
Në nenin 11 bëhen këto shtesa:
1. Pas shkronjës “d”, të pikës 1, shtohen shkronjat “dh” dhe “e”, me këtë përmbajtje:
“dh) Agjencia Shtetërore e Kadastrës dhe strukturat në varësi të saj, për masat shtrënguese mbi pasuritë e paluajtshme;
e) ministritë apo autoritetet përkatëse, për institucionet në varësi dhe për subjektet që licencojnë apo mbikëqyrin, që mbajnë ose administrojnë regjistra të fondeve dhe pasurive të tjera, për masat shtrënguese që lidhen me to.”.
2. Pas shkronjës “e”, të pikës 2, shtohet shkronja “ë”, me këtë përmbajtje:
“ë) njoftojnë menjëherë subjektet ndaj të cilave vendosen, ndryshojnë apo shfuqizohen masat shtrënguese ndërkombëtare.”.
Neni 6
Në nenin 12 bëhen këto ndryshime:
1. Në pikën 2, fjalët “Organi përgjegjës ka detyrimin të bllokojë …” zëvendësohen me “Organi përgjegjës dhe subjektet e tjera zbatuese në Republikën e Shqipërisë kanë detyrimin të bllokojnë …”.
2. Në shkronjën “b”, të pikës 4, fjalët “… nga kontrata të lidhura përpara listimit …” zëvendësohen me “… nga kontrata të hyra në fuqi përpara listimit …”.
3. Në pikën 5 bëhen ndryshimet e mëposhtme:
a) Në fjalinë e parë, fjalët “… të gjithë personat fizikë, juridikë dhe entet …” zëvendësohen me “… të gjitha organet përgjegjëse dhe subjektet e tjera zbatuese …”.
b) Fjalia e fundit ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Institucionet financiare dhe jofinanciare informojnë menjëherë organin kompetent, në përputhje me fushën e tij të përgjegjësisë, për çdo aset të bllokuar, veprim të kryer apo transaksion të mbetur në tentativë.”.
4. Pika 6 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“6. Administrimi i aseteve dhe fondeve të bllokuara sipas neneve 8 dhe 12, të këtij ligji, bëhet në përputhje me aktet ligjore në fuqi, që rregullojnë administrimin e të gjitha fondeve dhe aseteve të tjera financiare të bllokuara.”.
Neni 7
Pas shkronjës “c”, të pikës 2, të nenit 13, shtohen shkronjat “ç” dhe “d”, me këtë përmbajtje:
“ç) pagesat e tarifave të arsyeshme profesionale dhe pagesat e shpenzimeve të bëra që lidhen me ofrimin e shërbimeve ligjore apo tarifat e shërbimit, në përputhje me kuadrin ligjor shqiptar;
d) pagesat për titujt ekzekutivë apo proceset administrative, gjyqësore apo të arbitrazhit, nëse procesi ka filluar në një datë të mëparshme nga data e vendosjes së masës shtrënguese ndërkombëtare, me kusht që pagesat të mos jenë për llogari të personit të shpallur.”.
Neni 8
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E T A R I
LINDITA NIKOLLA
###
V E N D I M
PËR
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË LIGJIN NR.72/2019, “PËR MASAT SHTRËNGUESE NDËRKOMBËTARE NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË””
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, 83, pika 2, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë dhe ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Propozimin e projektligjit “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.72/2019, “Për masat shtrënguese ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë””, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU