Projektligje të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 15 Prill 2020:
AKT NORMATIV
PËR
DISA NDRYSHIME NË LIGJIN NR.88/2019, “PËR BUXHETIN E VITIT 2020”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 101 të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në ligjin nr.88/2019, “Për buxhetin e vitit 2020”, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime:
Neni 1
Në nenin 11 bëhen këto ndryshime:
1. Paragrafi i parë ndryshohet. si më poshtë vijon:
“Shpenzimet e buxhetit të shtetit, sipas grupeve kryesore, janë:
– Shpenzime të buxhetit qendror 407 205 milionë lekë;
– Fondi rezervë 16 200 milionë lekë;
– Kontingjencë për risqet e borxhit 4 000 milionë lekë;”.
2. Në paragrafin e fundit shuma “… 2 000 milionë lekë …” zëvendësohet me “… 1 000 milionë lekë …”.
3. Tabelat 1 dhe 4, që përmenden në këtë nen, zëvendësohen me tabelat 1 dhe 4, që i bashkëlidhen këtij akti normativ.
Neni 2
Neni 14 ndryshohet, si më poshtë vijon;
“Neni 14
Fondi rezervë i buxhetit prej 16 200 milionë lekësh përdoret nga Këshilli i Ministrave, si më poshtë vijon:
– 1 700 milionë lekë për raste të paparashikuara të njësive të qeverisjes së përgjithshme;
– 13 500 milionë lekë si kontingjencë për paketën sociale antiCovid-19.
– 1 000 milionë lekë për emergjenca të tjera në kuadër të masave antiCovid 19.
Kontingjenca për risqet e borxhit prej 4 000 milionë lekësh përdoret nga ministri përgjegjës për financat për të kompensuar rreziqe potenciale nga luhatjet në kurset e këmbimit ose normat e interesit, me ndikim në shpenzimet për interesa.
Shumat e shpërndara nga fondi rezervё i buxhetit dhe kontingjenca për risqet e borxhit shtojnë kufijtë e miratuar në tabelat 1 dhe 4, që përmenden në nenin 11, të këtij ligji.”.
Neni 3
Paragrafi i dytë, i nenit 15, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Fondi rezervë nga totali i transfertës së pakushtëzuar të përgjithshme përdoret nga ministria përgjegjëse për financat, në përputhje me kriteret e përcaktuara në aneksin 2, që i bashkëlidhet këtij ligji. Përjashtimisht për vitin 2020, kritereve të shpërndarjes së fondit rezervë i shtohen edhe shpenzimet për shkak të situatës së krijuar nga Covid-19. Fondi për Zhvillimin e Rajoneve dhe programi për infrastrukturën vendore dhe rajonale përdoren sipas aneksit 3, që i bashkëlidhet këtij ligji.”.
Neni 4
Në nenin 19 bëhen këto ndryshime:
1. Shuma e garancisë së qeverisjes qendrore “… 11 500 milionë lekë …” zëvendësohet me “… 26 500 milionë lekë …”.
2. Stoku i borxhit publik “… 1 197 139 milionë lekë …” zëvendësohet me “… 1 212 139 milionë lekë …”.
3. Stoku i borxhit të qeverisjes qendrore “… 1 143 039 milionë lekë …” zëvendësohet me “… 1 158 036 milionë lekë …”.
Neni 5
Ngarkohet ministri përgjegjës për financat të nxjerrë udhëzimet përkatëse për zbatimin e këtij akti normativ.
Neni 6
Ky akt normativ hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
###
P R O J E K T L I GJ
PËR
ADERIMIN E REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË NË KONVENTËN E NDRYSHUAR TË ORGANIZATËS EVROPIANE TË TELEKOMUNIKACIONEVE SATELITORE (EUTELSAT)
Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, dhe 121, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I:
Neni 1
Aderimin e Republikës së Shqipërisë në Konventën e ndryshuar të Organizatës Evropiane të Telekomunikacioneve Satelitore (EUTELSAT), sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij ligji.
Neni 2
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E T A R I
GRAMOZ RUÇI
***
V E N D I M
PËR
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR ADERIMIN E REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË NË KONVENTËN E NDRYSHUAR TË ORGANIZATËS EVROPIANE TË TELEKOMUNIKACIONEVE SATELITORE (EUTELSAT)”
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Propozimin e projektligjit “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në Konventën e ndryshuar të Organizatës Evropiane të Telekomunikacioneve Satelitore (EUTELSAT)”, për shqyrtim dhe miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA