Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave
Projektligje të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 16 Janar 2025:
P R O J E K T L I GJ
PËR
DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË LIGJIN NR.75/2019, “PËR RININË” 
Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I:
Në ligjin nr.75/2019, “Për rininë”, bëhen këto shtesa dhe ndryshime:
Neni 1
Në nenin 3 bëhen këto shtesa:
1. Pas shkronjës “b” shtohet shkronja “b/1”, me këtë përmbajtje:
“b/1) “Grup joformal rinor” është grupimi i të rinjve, që ndajnë qëllime dhe vlera të përbashkëta, që nuk është regjistruar si person juridik, në përputhje me legjislacionin në fuqi, përfaqësohet nga anëtarët e tij dhe vepron me qëllim mbrojtjen dhe zhvillimin e interesave të të rinjve dhe zhvillimin e komunitetit vendor.”.
2. Pas shkronjës “ç” shtohet shkronja “ç/1”, me këtë përmbajtje:
“ç/1) “Qendra rinore” është personi juridik, që ofron infrastrukturën rinore për zhvillimin nga organizatat rinore, organizatat për të rinjtë, grupet joformale rinore dhe të rinjve, të aktiviteteve dhe veprimtarive rinore, programeve të edukimit joformal, aktiviteteve të informimit, mentorimit dhe trajnimit të të rinjve dhe punës rinore.”.
3. Pas shkronjës “f” shtohet shkronja “g”, me këtë përmbajtje:
“g) “Të rinj JPAFP” janë të rinjtë jo në punësim, arsim ose formim profesional.”.
Neni 2
Pas shkronjës “ç”, të pikës 1, të nenit 4, shtohet shkronja “d”, me këtë përmbajtje:
“d) parimin e gjithëpërfshirjes, ku politikat rinore garantojnë pjesëmarrjen efektive dhe të barabartë në të gjitha sferat e jetës, për të rinjtë që i përkasin grupeve të margjinalizuara, të rinjtë me nevoja të veçanta, të rinjtë me akses të kufizuar në shërbime dhe burime dhe të rinjtë JPAFP.
Neni 3
Shkronja “d”, e nenit 5, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“d) monitoron zbatimin e standardeve të funksionimit e të dhënies së shërbimeve nga qendrat rinore;”.
Neni 4
Në shkronjën “f”, të pikës 2, të nenit 8, pas fjalëve “… organizatat rinore …” shtohen  “… grupet joformale rinore, këshillat rinorë vendorë …”.
Neni 5
Në nenin 9 bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
1. Në pikën 1 bëhen ndryshimi dhe shtesa, e mëposhtme:
a) Shkronja “a” ndryshohet, si më poshtë vijon:
“a) jep mendim për politikat prioritare, buxhetin dhe veprimtaritë në fushën e rinisë;”.
b) Pas shkronjës “ç” shtohet shkronja “d”, me këtë përmbajtje:
“d) jep mendimin për politikat dhe çështjet e tjera me ndikim mbi të rinjtë, sipas kërkesës së ministrisë përgjegjëse për rininë.”.
2. Pika 2 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“2. Këshilli Kombëtar i Rinisë ka në përbërje 18 anëtarë, ku të paktën dy të tretat e anëtarëve përfaqësojnë të rinjtë. Këshilli, në përbërje të tij, siguron përfaqësim të drejtë dhe gjithëpërfshirës të grup-moshës rinore, pjesëmarrjen e të rinjve nga grupet e margjinalizuara, të rinjve me nevoja të veçanta, të rinjve nga diaspora dhe respektimin e përfaqësimit të barabartë gjinor. Këshilli bashkëkryesohet nga ministri përgjegjës për rininë dhe njëri nga anëtarët e tij, që përfaqëson të rinjtë. Anëtarët e këshillit emërohen me urdhër të ministrit përgjegjës për rininë.”.
3. Pas pikës 2 shtohet pika 2/1, me këtë përmbajtje:
“2/1. Institucioni përgjegjës për rininë mbulon shpenzimet për veprimtarinë e Këshillit Kombëtar të Rinisë.”.
4. Në pikën 3, pas fjalëve “… procedurat e zgjedhjes …” shtohen “… dhe kompensimit të shpenzimeve …”.
 Neni 6
1. Në nenin 10 bëhen shtesat dhe ndryshimi i mëposhtëm:
Pas shkronjës “ç”, të pikës 1, shtohet shkronja “d”,  me këtë përmbajtje:
“d) Jep mendim për politikat dhe çështjet e tjera vendore me ndikim mbi të rinjtë, sipas kërkesës së bashkisë.”.
2. Pika 2 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“2. Këshilli vendor i rinisë përbëhet nga një numër anëtarësh, që llogaritet në një të tretën e numrit në fuqi të anëtarëve të këshillit bashkiak, ku të paktën dy të tretat e anëtarëve përfaqësojnë të rinjtë. Këshilli bashkëkryesohet nga kryetari i bashkisë dhe njëri nga anëtarët e tij, që përfaqëson të rinjtë. Anëtarët e këshillit vendor të rinisë emërohen me urdhër të kryetarit të bashkisë.”.
3. Pas pikës 2 shtohet pika 2/1, me këtë përmbajtje:
“2/1. Veprimtaria e këshillit vendor të rinisë financohet:
nga bashkia, bazuar në legjislacionin në fuqi;
nga institucioni përgjegjës për rininë, bazuar në këtë ligj dhe në aktet nënligjore të tij.”.
4. Në pikën 3, pas fjalëve “… procedurat e përzgjedhjes …” shtohen “… dhe kompensimit të shpenzimeve …”.
Neni 7
Shkronja “c”, e pikës 2, të nenit 11, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“c) të paktën 70 për qind e anëtarëve, në rastin e organizatave me anëtarësi, dhe të paktën dy të tretat e bordit të drejtorëve, në rastin e organizatave pa anëtarësi, të jenë të rinj.”.
Neni 8
Pas nenit 13 shtohet neni 13/1, me këtë përmbajtje:
“Neni 13/1
Grupet joformale rinore
1. Grupet joformale rinore janë grupimet e organizuara të të rinjve, që ndajnë qëllime dhe vlera të përbashkëta, zhvillojnë veprimtari, që nuk synojnë fitimin dhe nuk janë të regjistruar si persona juridikë, në bazë të legjislacionit në fuqi.
2. Grupet joformale rinore përmbushin këto kritere:
a) Përbëhen nga të paktën 4 të rinj me shtetësi shqiptare dhe vendbanim në të njëjtën bashki;
b) Caktojnë, përmes një akti noterial, një koordinator mes anëtarëve të grupit, që është në moshë madhore dhe përfaqëson grupin në marrëdhënie me të tretët;
c) Ndërmarrin veprimtari dhe aktivitete, që adresojnë çështje dhe problematika në komunitetin  e tyre vendor ose që synojnë mbrojtjen dhe zhvillimin e interesave të të rinjve.
3. Regjistrimi në bazën e të dhënave për rininë, sipas nenit 18, të këtij ligji, bëhet me kërkesë të koordinatorit të grupit joformal.
4. Grupet joformale rinore mund të përfitojnë financime nga organet e pushtetit qendror, nëpërmjet fondit të dedikuar për rininë nga bashkitë, si dhe nga burime të tjera të ligjshme.”.
Neni 9
Pas nenit 14 shtohen nenet 14/1 dhe 14/2, me këtë përmbajtje:
“Neni 14/1
Punonjësi rinor
1. Punonjës rinor është personi i angazhuar për të kryer punën rinore.
2. Punonjësi rinor mbështet dhe udhëzon të rinjtë, në grupe ose individualisht, në fusha të ndryshme dhe me interes për ta, duke mbështetur zhvillimin e tyre personal dhe shoqëror.
3. Punonjësi rinor punësohet dhe angazhohet si vullnetar pranë institucioneve publike dhe jopublike, që punojnë me të rinjtë pranë organizatave rinore dhe për të rinjtë pranë qendrave rinore dhe hapësirave rinore.
4. Regjistrimi në bazën e të dhënave për rininë, sipas nenit 18, të këtij ligji, bëhet me kërkesë të punonjësit rinor.
5.  Institucioni përgjegjës për rininë mbështet ofrimin e programeve për formimin profesional të punonjësve rinorë dhe veprimtaritë për ngritjen e kapaciteteve dhe zhvillimin e vazhduar profesional të punonjësve rinorë.
6. Kriteret dhe procedurat e përfitimit të kualifikimit profesional të punonjësve rinorë miratohen me udhëzim të ministrit përgjegjës për rininë dhe të ministrit përgjegjës për arsimin profesional.
Neni 14/2
Programi kombëtar i praktikave të punës
1. Programi kombëtar i praktikave të punës mbështet të rinjtë e diplomuar, me një përvojë kualifikuese profesionale në institucionet e administratës shtetërore dhe në institucionet e tjera publike.
2. Të rinjtë pjesëmarrës në program mbështeten gjatë zhvillimit të praktikës përmes mbikëqyrjes, trajnimit dhe trajtimit ushqimor dhe, pas përfundimit të praktikës, të rinjtë me vlerësimin më të lartë do të punësohen përmes kontratave të përkohshme të punës.
3. Programi kombëtar i praktikave të punës realizohet në bazë të thirrjeve vjetore dhe koordinohet nga ministri përgjegjës për rininë.
4. Këshilli i Ministrave miraton programin kombëtar të praktikave të punës në administratën shtetërore dhe në institucionet e tjera publike, duke përcaktuar rregullat për organizmin e programit dhe mbështetjes së të rinjve praktikantë.”.
Neni 10
Në nenin 15 bëhen këto shtesa:
1. Në pikën 3, pas fjalëve “… organizatave rinore dhe/ose për të rinjtë …” shtohen “… bashkive, grupeve joformale rinore dhe këshillave rinorë  vendorë …”.
2. Pas pikës 3 shtohet pika 4, me këtë përmbajtje:
“4. Komisioni i vlerësimit ngrihet me qëllim vlerësimin e kërkesave për mbështetje përmes fondeve grant të buxhetit të shtetit, të dedikuara për rininë, të paraqitura nga organizatat rinore dhe për të rinjtë, bashkitë, grupet joformale rinore dhe këshillat rinorë vendorë. Rregullat për organizimin, funksionimin dhe përbërjen e komisionit të vlerësimit, si dhe kriteret, procedurat e përzgjedhjes dhe shpërblimit të anëtarëve të tij përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.”.
Neni 11
Në nenin 16 bëhen shtesat dhe ndryshimi i mëposhtëm:
1. Në pikën 1 bëhen këto shtesa:
a) Në fund të shkronjës “b” shtohen fjalët “… grupeve joformale rinore dhe këshillave rinorë vendorë;”.
b) Pas shkronjës “b” shtohet shkronja “b/1”,  me këtë përmbajtje:
“b/1) financimin e programit të talenteve rinore;”;
2. Në pikën 2, fjalët “Projektet e ndërtimit ose rikonstruksionit të objekteve publike dhe infrastrukturës rinore, paraqiten dhe miratohen në përputhje me procedurat e parashikuara nga legjislacioni në fuqi …” zëvendësohen me “Projektet e ndërtimit ose të rikonstruksionit të objekteve publike dhe infrastrukturës rinore, sipas shkronjës a, të pikës 1, të këtij neni, paraqiten dhe vlerësohen në përputhje me procedurat e parashikuara nga ky ligj dhe aktet e nënligjore të tij …”.
Neni 12
Pas nenit 16 shtohet neni 16/1, me këtë përmbajtje:
“Neni 16/1
Programi i talenteve rinore
1. Programi i talenteve rinore mbështet të rinjtë në kultivimin dhe promovimin e talentit të tyre në fushat e artit, kulturës, edukimit, shkencës, teknologjisë dhe sportit, përmes mbulimit të kostove të pjesëmarrjes në kompeticionet dhe veprimtaritë zyrtare ndërkombëtare dhe dhënies së shpërblimit financiar, bazuar në vlerësimin e në rezultatet e arritura nga të rinjtë në kompeticionet dhe veprimtaritë zyrtare ndërkombëtare.
2.  Rregullat për organizimin e programit, kriteret, mënyra e mbështetjes dhe masa e shpërblimit financiar për të rinjtë miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave.”.
Neni 13
Pas nenit 17 shtohet neni 17/1, me këtë përmbajtje:
“Neni 17/1
Qendrat rinore
1. Qendrat rinore krijohen si persona juridikë, që ofrojnë infrastrukturën rinore për zhvillimin, nga organizatat rinore, organizatat për të rinjtë, grupet joformale rinore dhe të rinjve, të aktiviteteve dhe veprimtarive rinore, programeve të edukimit joformal, aktiviteteve të informimit, mentorimit dhe trajnimit të të rinjve dhe punës rinore.
2. Qendrat rinore organizohen, sipas rastit, si më poshtë vijon:
a) Qendra rinore publike krijohet dhe funksionon si person juridik, i krijuar nga bashkia, që ka pronësinë mbi infrastrukturën rinore, që ofron qendra. Krijimi dhe rregullat për organizmin dhe funksionimin e qendrës rinore publike miratohen nga këshilli bashkiak;
b) Qendra rinore e përbashkët krijohet dhe funksionon si person juridik, i ndarë nga palët, bazuar në marrëveshjen e bashkëpunimit të lidhur ndërmjet bashkisë, që ka pronësinë mbi infrastrukturën rinore që ofron qendra, dhe një ose më shumë organizatave rinore dhe organizatave për të rinj, që kryejnë veprimtarinë në territorin e bashkisë. Marrëveshja e bashkëpunimit përcakton rregullat për krijimin, organizimin, funksionimin, kohëzgjatjen dhe financimin e qendrës rinore të përbashkët dhe miratohet nga këshilli bashkiak;
c) Qendra rinore jopublike krijohet si person juridik privat, fitimprurës ose jofitimprurës, që ofron infrastrukturën rinore dhe kryen veprimtarinë, në përputhje me parashikimet e këtij ligji dhe të legjislacionit në fuqi.
3. Bashkitë mund të lidhin marrëveshje bashkëpunimi, ndërmjet tyre dhe të tretëve, për krijimin e qendrave rinore, që do t’u shërbejnë të rinjve të bashkive të tyre, në përputhje me legjislacionin në fuqi për vetëqeverisjen vendore.
4. Qendrat rinore mbështeten dhe financohen përmes kontributeve të themeluesve, donacioneve, sponsorizimeve dhe projekteve, si dhe nga të ardhurat e krijuara prej tyre.
5. Veprimtaria dhe aktivitetet e qendrave rinore përgatiten dhe zbatohen nga punonjësit rinorë, sipas përcaktimeve të nenit 14/1, të këtij ligji.
6. Qendrat rinore, për  realizimin e veprimtarisë së tyre, bashkëpunojnë me strukturat administrative për çështjet e rinisë në bashki,  institucionin përgjegjës për rininë, këshillat vendorë rinorë dhe komunitetin rinor të bashkisë.
7. Roli, struktura dhe standardet bazë të cilësisë së qendrave rinore përcaktohen me udhëzim të përbashkët të ministrit përgjegjës për rininë dhe të ministrit përgjegjës për çështjet vendore dhe zbatohen për të gjitha format e qendrave rinore.”.
Neni 14
Në shkronjën “a”, të pikës 2, të nenit 18,  pas fjalëve “… në vend dhe në diasporë …” shtohen “… grupet joformale rinore, punonjësit rinorë …”.
Neni 15
Kudo në tekstin e ligjit, fjalët “njësitë e vetëqeverisjes vendore” zëvendësohen me “bashkitë”.
Neni 16
Hyrja në fuqi
  Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E T A R I
ELISA SPIROPALI
###
V E N D I M
PËR
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË LIGJIN NR.75/2019, “PËR RININË””
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Propozimin e projektligjit “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.75/2019, “Për rininë””, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
P R O J E K T L I GJ
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË LIGJIN NR.10416, DATË 7.4.2011, “PËR MATERIALIN MBJELLËS DHE SHUMËZUES BIMOR”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të neneve 78 e 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I:
Në ligjin nr.10416, datë 7.4.2011, “Për materialin mbjellës dhe shumëzues bimor”, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
Neni 1
Kudo në ligj:
a) fjala “… furnizues …” zëvendësohet me  fjalët “operator profesionist”;
b) fjala “… fillestar … ” zëvendësohet me “… para-bazë …”;
c) emërtesa “Komisioni i Vlerësimit të Varieteteve për Regjistrim në Katalogun Kombëtar (KVVRKK)” zëvendësohet me “Komisioni i Regjistrimit të Varieteteve (KRV)”;
ç) fjala “… sekuestrim …” zëvendësohet  me “… bllokim …”.
Neni 2
Në nenin 3 bëhen këto ndryshime:
1. Pas pikës 12 shtohet pika 12/1, me këtë përmbajtje:
“12/1. “Material mbjellës i certifikuar jo përfundimisht” është një varietet, që është i regjistruar në KK, por jo i ambalazhuar dhe i etiketuar, e që importohet i hapur.”.
2. Pas pikës 22 shtohet pika 22/1, me këtë përmbajtje:
         “22/1. “Vendosje në treg” janë veprime të kryera nga një operator profesionist, si: shitje, mbajtje, transferim falas ose ofertë për shitje ose çdo mënyrë tjetër transferimi ose shpërndarjeje brenda vendit ose importi nga vendet e tjera.”.
Neni 3
Në nenin 4, pas pikës 8 shtohet pika 8/1, me këtë përmbajtje:
“8/1. Të drejtën për ushtrimin e veprimtarisë së tregtimit të materialit mbjellës dhe shumëzues bimor e ka çdo person juridik ose fizik, me objekt veprimtarie prodhimin, importin e tregtimin e materialit mbjellës dhe shumëzues bimor, që paraqet dokumentacionin pranë institucionit përgjegjës për kontrollin zyrtar për vendosjen në treg, si më poshtë vijon:
a) Diplomë “Bachelor” ose “Master” të drejtuesit teknik në fushën e agronomisë ose në fushën e inxhinierisë së pyjeve për rastet e materialit mbjellës pyjor;
b) Kontratë pune me kohë të plotë të drejtuesit teknik.”.
Neni 4
Pika 2, e nenit 5, shfuqizohet.
Neni 5
Në pikën 2, të nenit 7, në pikën 3, të nenit 15, në pikën 4, të nenit 17, në pikën 1, të nenit 18, dhe në pikën 5, të nenit 19, fjalët “… përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozim të ministrit …” zëvendësohen me “… miratohen me udhëzim të përbashkët  të ministrit përgjegjës për bujqësinë dhe të ministrit përgjegjës për pyjet dhe kullotat …”.
Neni 6
Pika 3, e nenit 10, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“3. Për materialin mbjellës dhe shumëzues bimor, të përcaktuar në shkronjat “c” dhe “ç”, të pikës 1, të këtij neni, ESHFF-ja lejon tregtimin, nëse rezulton se materiali mbjellës dhe shumëzues bimor është i regjistruar.”.
Neni 7
Në nenin 11 bëhen këto ndryshime:
1. Në pikën 2 bëhen këto ndryshime:
a) në shkronjën “b”, fjala “… AKU-së …” zëvendësohet me fjalët  “… institucioni përgjegjës për shërbimin e materialit mbjellës e shumëzues bimor dhe shëndetit të bimëve …”;
b) Në shkronjat “dh” dhe “e”, në fund të fjalisë shtohen fjalët “… për certifikim.”.
2. Pika 5 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“5. Çdo subjekt publik dhe/ose privat me objekt veprimtarie prodhimin, importin e tregtimin e materialit mbjellës dhe shumëzues bimor, që kërkon të ushtrojë një veprimtari të prodhimit të materialit mbjellës dhe shumëzues bimor të kategorive të larta, paraqet on-line, në platformën qeveritare “e-Albania”, dokumentacionin e mëposhtëm:
a) Diplomë “Bachelor” ose “Master” të drejtuesit teknik në fushën e agronomisë ose në fushën e inxhinierisë së pyjeve për rastet e materialit mbjellës pyjor;
b) Kontratë pune me kohë të plotë të drejtuesit teknik.”.
3. Pas pikës 5 shtohen pikat 5/1 dhe 5/2, me këtë përmbajtje:
“5/1. Vendimi për miratim apo refuzim të kërkesës për tregtim të materialit mbjellës dhe shumëzues bimor të kategorive të larta merret nga Komisioni i Regjistrimit të Varieteteve (KRV).
5/2. Rregullat, procedura dhe afatet për shqyrtimin e kërkesave përcaktohen me udhëzim të ministrit.”.
4. Pas pikës 8 shtohen pikat 9 e 10, me këtë përmbajtje:
 “9. Operatori profesionist kryen rianalizimin për fuqinë mbirëse për materialin mbjellës shumëzues bimor të vendosur në treg.
10. Rregullat për rianalizimin për fuqinë mbirëse të materialit mbjellës miratohen  me udhëzim të ministrit.”.
Neni 8
Në pikën 4, të nenit 13, fjalët “… me ligjin nr.10433, datë 16.6.2011, “Për inspektimin në Republikën e Shqipërisë” …” zëvendësohen me “… dhe legjislacionin në fuqi për inspektimin në Republikën e Shqipërisë”.
Neni 9
Pika 4, e nenit 16, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“4. Procedura të tjera për certifikimin zyrtar, përmbajtja, ngjyra dhe forma e etiketës zyrtare, përmbajtja dhe forma e certifikatës zyrtare, certifikatës së materialit mbjellës dhe mënyra e njoftimit të drejtuesit të Entit Shtetëror të Farave dhe Fidanëve miratohen me udhëzim të përbashkët të ministrit përgjegjës për bujqësinë dhe të ministrit përgjegjës për pyjet e kullotat.”.
Neni 10
Pas nenit 23 shtohet neni 23/1, me këtë përmbajtje:
“Neni 23/1
1. Të drejtën për ushtrimin e veprimtarisë së importit dhe tregtimit të materialit mbjellës e shumëzues bimor e ka çdo person juridik ose fizik, me objekt veprimtarie prodhimin, importin dhe tregtimin e materialit mbjellës dhe shumëzues bimor, që i paraqet institucionit përgjegjës për kontrollin zyrtar për vendosjen në treg, dokumentacionin, si më poshtë vijon:
a) Diplomë “Bachelor” ose “Master” të drejtuesit teknik në fushën e agronomisë ose në fushën e inxhinierisë së pyjeve për rastet e materialit mbjellës pyjor;
b) Kontratë pune me kohë të plotë të drejtuesit teknik.”.
Neni 11
Pika 4, e nenit 24, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“4. Inspektimi i materialit mbjellës dhe shumëzues bimor lidhur me plotësimin e kërkesave të përcaktuara për tregtim në këtë ligj kryhet në bazë të planit vjetor të kontrolleve zyrtare dhe marrjes së mostrave me bazë risku, të miratuar nga Ministri.”.
Neni 12
Pika 1, e nenit 26, ndryshohet, si më poshtë vijon:
     “1. Importi për raste emergjente i materialit mbjellës dhe shumëzues bimor kryhet me autorizim të veçantë të Ministrit.”.
Neni 13
Në nenin 29 bëhen këto ndryshime:
1. Në pikën 2, fjalët “… të cilat i boton në buletinin e saj zyrtar” hiqen.
2. Pika 3 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“3. Katalogu Kombëtar publikohet në faqen zyrtare të Entit Shtetëror të Farave dhe Fidanëve e të Ministrisë dhe përditësohet sa herë që pëson ndryshime. Forma dhe përmbajtja e Katalogut Kombëtar miratohen me urdhër të Ministrit.”.
Neni 14
Neni 30 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Neni 30
Kërkesa për regjistrimin e një varieteti
1. Kërkesa për regjistrimin e një varieteti kryhet në sistemin on-line në platformën qeveritare  “e-Albania” dhe përmban:
a) dokumentin që vërteton provën e kryer për dallueshmëri, uniformitet dhe stabilitet (DUS);
b) deklaratën në rastet kur kërkesa bëhet për regjistrimin e një varieteti të një fare bari, që nuk ka destinacion prodhimin foragjer, ose për një varietet të përcaktuar për përdorim vetëm si c) komponent gjenetik për prodhimin e materialit mbjellës dhe shumëzues bimor të bimëve apo i një varieteti, i cili është OMGJ.
2. Të dhënat e kërkuara nga kërkuesi për origjinën e varietetit trajtohen si të dhëna konfidenciale.”.
Neni 15
Në nenin 31 bëhen këto ndryshime:
Pika 1 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“1. Regjistrimi i varietetit në Katalogun Kombëtar kryhet nëse plotësohen këto kushte:
a) Vërtetohet se varieteti është testuar për dallueshmëri, uniformitet dhe stabilitet, është miratuar si varietet i ri dhe është caktuar personi përgjegjës për ruajtjen e tij;
b) Vërtetohet e drejta për përdorimin e këtij varieteti;
c) Plotëson standardet e pranueshme për vlerën e kultivimit dhe të përdorimit, të miratuara me vendim të KRV-së;
ç) Deklarohet se varieteti nuk bën pjesë në listën e llojeve të huaja invazive dhe/apo miratimin përkatës nga ministria përgjegjëse për mjedisin.
2. Pika 2 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“2. Një varietet, që është OMGJ, regjistrohet vetëm nëse plotëson kushtet e specifikuara në pikën 1, të këtij neni, dhe nëse pranimi ose mbajtja e një varieteti të tillë nuk bie në kundërshtim me legjislacionin përkatës për OMGJ-të.”.
Neni 16
Fjalia e parë, e pikës 2, të nenit 33, riformulohet si vijon:
“Në qoftë se kërkuesi deklaron në kërkesë se varieteti është testuar për dallueshmëri, uniformitet e stabilitet dhe është miratuar si varietet i ri në Republikën e Shqipërisë ose në një nga shtetet anëtare të Bashkimit Evropian ose në një nga shtetet nënshkruese të konventës së UPOV-it, testimi mundet të mos kryhet me kusht që operatori profesionist për materialin mbjellës dhe shumëzues bimor që kërkon të testojë të paraqesë në Entin Shtetëror të Farave dhe Fidanëve dokumentacion zyrtar, nëpërmjet të cilit vërtetohen karakteristikat e materialit mbjellës e shumëzues bimor (skeda) dhe provën e kryer për dallueshmëri, uniformitet e stabilitet (DUS).”.
Neni 17
Neni 35 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Neni 35
Regjistrimi i varietetit në Katalogun Kombëtar
1. Komisioni i Regjistrimit të Varietetit (KRV), sipas vlerësimit të dërguar nga ESHFF-ja për vlerën e kultivimit dhe përdorimit (VKP) dhe të DUS-it, vendos për regjistrimin ose jo të varietetit në Katalogun Kombëtar.
2. Kostoja financiare e krijuar për regjistrimin e varietetit përballohet nga operatori profesionist.
3. Procedura dhe afatet e vlefshmërisë së regjistrimit të një varieteti në Katalogun Kombëtar miratohet me udhëzimin e Ministrit.”.
Neni 18
Në nenin 36 bëhen këto ndryshime:
1. Në shkronjën “c”, të pikës 1, shkurtesa “KVVRKK” zëvendësohet me “ESHFF”.
2. Pika 2 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“2. Vendimi për çregjistrimin merret nga Komisioni i Regjistrimit të Varieteteve (KRV).”.
Neni 19
Në pikën 1, të nenit 39, fjala “… të listuar …” zëvendësohet me    “… të regjistruar …”.
Neni 20
Neni 40 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Neni 40
Komisioni i Regjistrimit të Varieteteve (KRV)
1. Komisioni i Regjistrimit të Varieteteve (KRV) është organ kolegjial, teknik, i përhershëm dhe vendimmarrës.
2. Përbërja, organizimi dhe funksionimi i Komisionit të Regjistrimit të Varieteteve (KRV) miratohen me urdhër të Ministrit.
3. Anëtarët e komisionit caktohen me urdhër të Ministrit, me propozimin e institucioneve përkatëse.
4. Anëtarët e Komisionit nuk duhet të kenë konflikt interesi në fushën e MMSHB-së dhe paraprakisht duhet të deklarojnë marrëdhëniet, nëse kanë, me subjektet e prodhimit apo të tregtimit të MMSHB-së.”.
Neni 21
Në pikën 1, të nenit 41, bëhen këto ndryshime:
1. Shkronja “a” ndryshohet, si më poshtë vijon:
“a) të ndjekë procedurat për regjistrimin e varieteteve;”.
2. Shkronja “e” ndryshohet, si më poshtë vijon:
“e) të analizojë mostrat e materialit mbjellës e shumëzues bimor të vendosura në treg, të sjella nga struktura përgjegjëse për inspektimin dhe kontrollin zyrtar të ushqimit dhe të ushqimit për kafshë, si dhe subjektet private”;
3. Pas shkronjës “e” shtohet shkronja “ë”, me këtë përmbajtje:
 “ë) të publikojë KK-në në faqen zyrtare.”.
Neni 22
Në nenin 42 bëhen këto ndryshime:
1. Titulli i nenit riformulohet: “Struktura përgjegjëse për inspektimin e kontrollin zyrtar të ushqimit dhe të ushqimit për kafshë”.
2. Fjalia hyrëse e pikës 1 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Detyrat e institucionit përgjegjës për kontrollin zyrtar për realizimin e qëllimit të këtij ligji janë: …”
3. Shkronja “a”, e pikës 1, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“a) të kontrollojë materialin mbjellës dhe shumëzues bimor të operatorit profesionist në çdo kohë dhe në çdo vend ku ai magazinohet e tregtohet.”.
4. Në shkronjën “c”, të pikës 1, hiqet fjala “… të importuar …”.
Neni 23
Neni 43 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Neni 43
Veprimtari të ndaluara
1. Ndalohet prodhimi dhe vendosja në treg:
a) e materialit mbjellës e shumëzues bimor të paregjistruar në Katalogun Kombëtar, me përjashtim të rasteve kur parashikohet ndryshe në këtë ligj;
b) e materialit mbjellës e shumëzues bimor, në kundërshtim me pikën 5, të nenit 11, dhe me pikën 1, të nenit 23, të këtij ligji.
Ndalohet përkohësisht tregtimi i materialit mbjellës e shumëzues bimor, i cili nuk është ambalazhuar dhe etiketuar sipas përcaktimeve të bëra në këtë ligj dhe në aktet nënligjore në zbatim të tij.”.
Neni 24
Pika 2, e nenit 44, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“2. Laboratori i referencës kryen analizat e mostrave, që merren për efekt verifikimi dhe vlerësimi të treguesve cilësorë për certifikimin zyrtar të materialit mbjellës e shumëzues bimor, sipas metodikave të Shoqatës Ndërkombëtare të Testimit të Farërave (ISTA).”.
Neni 25
1. Pika 1, e nenit 55, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“1. Të drejtën e vendosjes së masës administrative, të përcaktuar në nenin 54, të këtij ligji, e kanë inspektorët e strukturës përgjegjëse për inspektimin dhe kontrollin zyrtar të ushqimit dhe të ushqimit për kafshë, në përputhje me kërkesat e këtij ligji dhe legjislacionin në fuqi për inspektimin”.
Neni 26
Dispozita kalimtare 
Aktet nënligjore të miratuara në zbatim të ligjit nr.10416, datë 7.4.2011, “Për materialin mbjellës dhe shumëzues bimor”, të ndryshuar, zbatohen deri në miratimin dhe hyrjen në fuqi të akteve nënligjore të parashikuara në nenet 16, pika 4, 19, pika 5, 35, pika 3, dhe 40, pika 2, të ligjit të sipërpërmendur.
Neni 27
Aktet nënligjore
Ngarkohet Ministri, që, brenda 1 viti nga hyrja në fuqi e këtij ligji, të miratojë aktet nënligjore, në zbatim të neneve 7, pika 2, 11, pika 5/2, 16, pika 4, 17, pika 4, 18, pika 1, 19, pika 5, 35, pika 3, dhe 40, pika 2, të këtij ligji.
Neni 28
Hyrja në fuqi
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E T A R I
ELISA SPIROPALI
###
V E N D I M
PËR
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË LIGJIN NR.10416, datë 7.4.2011, “PËR MATERIALIN MBJELLËS DHE SHUMËZUES BIMOR”, TË NDRYSHUAR”
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Propozimin e projektligjit “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.10416, datë 7.4.2011, “Për materialin mbjellës dhe shumëzues bimor”, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.