Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Projektligje të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 17 Korrik 2019:

 

P R O J E K T L I GJ

PËR

MASAT SHTRËNGUESE NDËRKOMBËTARE NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË

Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë

 

V E N D O S I:

KREU I
TË PËRGJITHSHME

Neni 1
Qëllimi

Qëllimi i këtij ligji është vendosja dhe zbatimi i masave shtrënguese ndërkombëtare në funksion të ruajtjes së paqes dhe sigurisë, parandalimit të konflikteve ndërkombëtare, mbështetjes dhe forcimit të demokracisë, sundimit të ligjit të të drejtave të njeriut, si dhe arritjes së objektivave të tjera të sigurisë së përbashkët, në përputhje me rezolutat përkatëse të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, akteve të organizatave të tjera ndërkombëtare apo marrëveshjeve ndërkombëtare ku Republika e Shqipërisë është palë.

Neni 2
Objekti

1. Ky ligj rregullon procedurën e vendosjes, të zbatimit, ndryshimit e shfuqizimit të masave shtrënguese ndërkombëtare, të cilat Republika e Shqipërisë i vendos, zbaton, ndryshon ose shfuqizon në përputhje me Kushtetutën, të drejtën ndërkombëtare të detyrueshme për të, rezolutave të miratuara nga Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, vendimet e miratuara nga organizatat ndërkombëtare në të cilat ajo është shtet anëtar, si dhe me këtë ligj.

2. Masat kundër financimit të terrorizmit nuk janë objekt i këtij ligji.

Neni 3
Fusha e zbatimit

1. Ky ligj zbatohet ndaj subjekteve për të cilët ekzistojnë dyshime të bazuara për përfshirje në çdo formë të cenimit të paqes, sigurisë kombëtare dhe ndërkombëtare, demokracisë, të drejtave të njeriut, të shpallur nga rezolutat e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, aktet e organizatave të tjera ndërkombëtare dhe në bazë të këtij ligji, të kryera brenda ose jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë.

2. Subjektet, ndaj të cilave vendosen masat shtrënguese ndërkombëtare sipas këtij ligji, janë:

a) shtetet;
b) personat fizikë;
c) personat juridikë;
ç) organizimet ligjore;
d) entitete të tjera.

3. Masat shtrënguese ndërkombëtare vendosen, zbatohen, ndryshohen dhe shfuqizohen në bazë të:

a) rezolutave të miratuara nga Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, më poshtë referuar si Këshilli i Sigurimit;
b) akteve të detyrueshme, të miratuara nga organizatat e tjera ndërkombëtare, ku Republika e Shqipërisë është shtet anëtar;
c) akteve të Bashkimit Evropian;
ç) nenit 9, të këtij ligji.

Neni 4
Përkufizime

Për qëllime të këtij ligji, termat e mëposhtëm kanë këto kuptime:

1. “Asete”, fondet dhe të gjitha elementet e tjera të pasurisë së shteteve, organizatave ndërkombëtare, personave fizikë e juridikë dhe entiteteve të tjera ndaj të cilave zbatohen masat shtrënguese, që përfshijnë: likuiditetet, çeqet, pretendimet financiare, kambialet, paraja elektronike dhe mjete të tjera pagesash; instrumente financiare, të referuara në ligjin që rregullon tregjet financiare, përfshirë aksionet, obligacionet, garancitë dhe instrumente të tjera financiare, që provojnë të drejtat mbi fonde ose burime të tjera financiare, si dhe çdo objekt apo e drejtë ekonomike:

a) e kontrolluar, zotëruar tërësisht, direkt apo indirekt nga entitetet e lartpërmendura;
b) e rrjedhur dhe prodhuar nga pasuritë e zotëruara apo të kontrolluara direkt apo indirekt nga entitetet e lartpërmendura;
c) e personave apo enteve që veprojnë për llogari apo nën drejtimin e entiteteve të lartpërmendura.

2. “Asistencë teknike”, çdo asistencë teknike ose shërbim, që i referohet zhvillimit, prodhimit, rregullimit, grumbullimit, testimit dhe mirëmbajtjes ose çdo shërbim tjetër teknik, i cili mund të ketë formën e instruksioneve, shërbimeve këshillimore, trajnimeve e transferimeve të njohurive dhe aftësive, përfshirë dhënien e asistencës verbalisht.

3. “Masa shtrënguese ndërkombëtare”, masat e karakterit ekonomik, financiar, diplomatik dhe ushtarak, që vendosen ndaj subjekteve sipas përcaktimeve të këtij ligji.

4. “Entitet”, një subjekt i ndryshëm nga shteti, personi fizik dhe juridik, i huaj ose shqiptar, ndaj të cilit vendoset masa shtrënguese ndërkombëtare, sipas përcaktimeve të normave të së drejtës ndërkombëtare të detyrueshme për Republikën e Shqipërisë dhe legjislacionit shqiptar.

5. “Bllokim i përkohshëm”, ndalimi i çdo transaksioni, shërbimi financiar apo të tjera të lidhura, pjesëmarrjeje në transferimin, shndërrimin, tjetërsimin ose lëvizjen e fondeve e të pasurive të tjera, për pasuri të luajtshme apo të paluajtshme, sipas kushteve dhe kohëzgjatjes së vlefshmërisë së veprimeve të ndërmarra nga organet përkatëse, në përputhje me këtë ligj.

6. “Masa shtrënguese financiare”, masat e bllokimit të përdorimit të të gjitha fondeve dhe aseteve:

a) që zotërohen apo kontrollohen nga subjekti i shpallur, dhe jo vetëm ato, që mund të lidhen me një akt, plan apo kërcënim të veçantë;
b) që janë tërësisht apo bashkërisht të zotëruara apo kontrolluara, direkt apo indirekt nga persona apo ente të shpallura;
c) të rrjedhura apo prodhuara nga fondet apo pasuritë e zotëruara apo kontrolluara direkt apo indirekt nga personat apo entet e shpallura;
ç) të personave apo enteve që veprojnë për llogari apo nën drejtimin e personave apo enteve të shpallura.

7. “Të dhëna personale”, sipas përkufizimit të legjislacionit për mbrojtjen e të dhënave personale.
8. “Të dhëna të klasifikuara”, sipas përkufizimit të legjislacionit në fuqi për informacionin e klasifikuar.

9. “Organ përgjegjës”, organi publik shtetëror, i cili ngarkohet, sipas dispozitave të këtij ligji, me zbatimin e masave shtrënguese ndërkombëtare, brenda fushës së tij të përgjegjësisë.

10. “Organizime ligjore”, trustet, (marrëveshjet e mirëbesimit, ku pronësia mbahet nga i mirëbesuari, për llogari të përfituesit) apo marrëveshje të tjera të ngjashme.

11. “Person fizik”, personi/individi me shtetësi shqiptare, të huaj ose pa shtetësi, ndaj të cilit vendoset masa shtrënguese ndërkombëtare, sipas këtij ligji.

12. “Person juridik”, personi juridik, i krijuar ose regjistruar si i tillë në territorin e Republikës së Shqipërisë ose në shtete të tjera, ndaj të cilit vendoset masa shtrënguese ndërkombëtare, sipas këtij ligji.

13. “Fond”, asete të çdo lloji, qofshin këto të përfshira ose të papërfshira, të prekshme ose të paprekshme, të luajtshme ose të paluajtshme, pavarësisht se si janë fituar, si dhe dokumente apo instrumente ligjore të çdo forme, duke përfshirë ato elektronike apo digjitale, titujt tregues apo interesat në këto asete.

14. “Transaksion”, një marrëdhënie biznesi apo një shkëmbim që përfshin dy apo më shumë palë.

15. “Bllokimi i fondeve apo aseteve të tjera financiare”, ndalimi i transferimit, ndryshimit, posedimit ose zhvendosjes të çdo fondi, aseti apo burimi ekonomik, të cilat janë në pronësi apo kontrollohen direkt apo indirekt nga persona ose entitete të përcaktuara, ndaj të cilave janë vendosur masa shtrënguese, sipas përcaktimeve të këtij ligji.

16. “Masa shtrënguese ndërkombëtare me karakter të brendshëm”, masat shtrënguese të vendosura nga Republika e Shqipërisë për subjektet sipas pikës 2, të nenit 3, të këtij ligji.

17. “Lista e OKB-së”, lista e personave të shpallur sipas rezolutave të Këshillit të Sigurimit.

Neni 5
Llojet e masave shtrënguese

Masat shtrënguese ndërkombëtare janë:

1. ndërprerja e marrëdhënieve diplomatike;
2. masat shtrënguese financiare;
3. ndërprerja e plotë ose e pjesshme e marrëdhënieve ekonomike, tregtare dhe financiare;
4. ndërprerja e korrespondencës, lidhjeve postare, telegrafike, telekomunikacionit dhe lidhjeve të tjerave të komunikimit;
5. ndalimi i transferimit, ndërmjetësimit, tregtimit, transportit, transitimit të armëve dhe pajisjeve ushtarake, dhënies së asistencës teknike e financiare, në lidhje me armët dhe pajisjet ushtarake, jashtë vendit;
6. ndalimi i hyrjes dhe kalimit transit, në territorin e Republikës së Shqipërisë, të personave fizikë të huaj, në përputhje me legjislacionin në fuqi për të huajt;
7. bllokimi i përkohshëm i aseteve që ndodhen në territorin e Republikës së Shqipërisë;
8. masa të tjera shtrënguese, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare të detyrueshme për Republikën e Shqipërisë.

KREU II
VENDOSJA, ZBATIMI, NDRYSHIMI DHE SHFUQIZIMI I MASAVE SHTRËNGUESE

Neni 6
Zbatimi, ndryshimi dhe shfuqizimi i masave shtrënguese

1. Dispozitat e këtij neni rregullojnë procedurat e vendosjes, zbatimit, ndryshimit dhe shfuqizimit të masave shtrënguese të parashikuara në shkronjat “b” dhe “c”, të pikës 3, të nenit 3, të këtij ligji.

2. Këshilli i Ministrave miraton vendosjen, ndryshimin dhe shfuqizimin e masave shtrënguese ndërkombëtare, me propozimin e ministrit përgjegjës për punët e jashtme, më poshtë referuar si “Ministri”.

3. Ministria përgjegjëse për punët e jashtme, më poshtë referuar si “Ministria”, njofton menjëherë organet përgjegjëse për masat shtrënguese ndërkombëtare të vendosura, ndryshuara apo shfuqizuara nga organizatat ndërkombëtare, ku Republika e Shqipërisë është palë.

4. Me marrjen e njoftimit, sipas pikës 3, të këtij neni, organet përgjegjëse marrin menjëherë masat për bllokimin e përkohshëm, sipas nenit 8, të këtij ligji, deri në miratimin e vendimit përkatës të Këshillit të Ministrave.

5. Ministri, brenda 5 ditëve, nga marrja dijeni e vendosjes, ndryshimit apo shfuqizimit të masës shtrënguese për rastet e parashikuara në shkronjën “b”, të pikës 3, të nenit 3, të këtij ligji, dhe rekomandimit të Komitetit të Masave Shtrënguese Ndërkombëtare, më poshtë referuar si “Komiteti” për rastet e parashikuara në shkronjën “c”, të pikës 3, të nenit 3, të këtij ligji, i propozon Këshillit të Ministrave masën shtrënguese ndërkombëtare dhe subjektin ndaj të cilit vendoset kjo masë.

6. Këshilli i Ministrave miraton vendosjen, ndryshimin dhe shfuqizimin e masave shtrënguese ndërkombëtare në mbledhjen e tij të parë të radhës.

7. Këshilli i Ministrave mund të refuzojë vendosjen, ndryshimin ose shfuqizimin e masave shtrënguese ndërkombëtare në rastet kur ato:

a) janë në kundërshtim me parimet themelore të rendit juridik;
b) rrezikojnë të cenojnë sovranitetin, sigurinë kombëtare, rendin publik ose interesa të tjera thelbësore të shtetit.

8. Procedurat për bllokimin e përkohshëm, sipas pikës 4, të këtij neni, miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozimin e ministrit përgjegjës për punët e jashtme.

Neni 7
Zbatimi, ndryshimi dhe shfuqizimi i masave shtrënguese të Këshillit të Sigurimit

1. Republika e Shqipërisë zbaton, ndryshon dhe shfuqizon të gjitha masat shtrënguese të shpallura në bazë të rezolutave të Këshillit të Sigurimit.

2. Ministria, pas marrjes së njoftimit nga Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, njofton menjëherë organet përgjegjëse për vendosjen, ndryshimin dhe shfuqizimin e masave shtrënguese të shpallura nga Këshilli i Sigurimit.

3. Ministria publikon në faqen e saj zyrtare të gjitha rezolutat e Këshillit të Sigurimit që lidhen me vendosjen, ndryshimin dhe shfuqizimin e masave shtrënguese ndërkombëtare.

4. Me marrjen e njoftimit, organet përgjegjëse marrin, menjëherë, të gjitha masat për zbatimin, ndryshimin dhe shfuqizimin e masave shtrënguese të shpallura nga Këshilli i Sigurimit, objekt i këtij ligji.

5. Për qëllime të zbatimit të pikës 4, të këtij neni, organet përgjegjëse kanë të drejtë t’i propozojnë Këshillit të Ministrave nxjerrjen e akteve nënligjore ose të nxjerrin vetë akte nënligjore me karakter të brendshëm.

Neni 8
Bllokimi i përkohshëm

1. Organet përgjegjëse, organet publike si dhe çdo person fizik ose juridik në Republikën e Shqipërisë janë të detyruar që të zbatojnë menjëherë dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë, pa e kushtëzuar procesin me miratimin e akteve të mëtejshme nënligjore brenda vendit, bllokimin e përkohshëm të çdo veprimi, ndërmjetësimi, transaksioni, transferte, shërbimi financiar apo të tjera të lidhura, fonde dhe pasuri të tjera, nga momenti i marrjes dijeni për vendosjen, zbatimin, ndryshimin dhe shfuqizimin e masave shtrënguese ndërkombëtare, sipas përcaktimeve të këtij ligji.

2. Bllokimi i përkohshëm, sipas pikës 1, të këtij neni, zbatohet në çdo rast kur subjekti i shpallur ushtron të drejta pronësie, kontrolli, me prokurë ose të drejta apo interesa të tjera, pavarësisht nga fakti se kush i ka në zotërim apo në përdorim fondet apo pasuritë e tjera, sikurse edhe për çdo fond e pasuri tjetër, që është gjetur në posedim ose mbahet nga subjektet e shpallura.

3. Ndalohet njoftimi paraprak i subjekteve të shpallura, të interesuara apo prekura nga bllokimi i përkohshëm.

4. Të dhënat e plota, për rastet e bllokuara sipas këtij neni, përfshirë transaksionet e ngelura në tentativë, i njoftohen menjëherë, nga ministria, organit përgjegjës, në përputhje me fushën e tij të përgjegjësisë, duke kërkuar udhëzime nëse duhet të kryhen apo jo transaksione apo veprime të mëtejshme. Organi përgjegjës kryen verifikimet përkatëse dhe kthen përgjigje brenda pesë ditëve pune, nga njoftimi.

5. Vendimet e organeve përgjegjëse, sipas pikës 1, të këtij neni, kanë fuqi të drejtpërdrejtë, të menjëhershme, dhe kanë vlefshmëri për një periudhë jo më shumë se 30 ditë pune, duke filluar nga dita e parë pas nxjerrjes së urdhrit.

6. Fondet dhe pasuritë e tjera, të bllokuara përkohësisht, mbeten në pronësi të personave që kanë të drejtë pronësie mbi to në çastin e vendosjes së masës të bllokimit të përkohshëm.

7. Vendimet e organeve përgjegjëse vihen në dispozicion të subjekteve nëpërmjet publikimit në faqen e tyre zyrtare.

Neni 9
Masat shtrënguese ndërkombëtare me karakter të brendshëm

1. Këshilli i Ministrave miraton vendosjen, ndryshimin dhe shfuqizimin e masave shtrënguese ndërkombëtare me karakter të brendshëm.

2. Organi përgjegjës, i cili gjatë ushtrimit të detyrave të tij ka marrë dijeni ose ka dyshime, bazuar në të dhëna se subjektet, sipas pikës 2, të nenit 3, të këtij ligji, vënë në rrezik apo cenojnë rendin kushtetues, sigurinë kombëtare të Republikës së Shqipërisë dhe shkelin detyrimet e saj ndërkombëtare, i propozon menjëherë Komitetit vendosjen e masave shtrënguese ndërkombëtare.

3. Organi përgjegjës i propozon Komitetit ndryshimin dhe shfuqizimin e masave shtrënguese ndërkombëtare.

4. Propozimi i organit përgjegjës duhet të përmbajë arsyet e hollësishme të propozimit, të dhënat e subjektit, masën shtrënguese që do të vendoset si dhe çdo të dhënë tjetër të mundshme. Nëse ka arsye për të besuar se mund të ketë tjetërsim, në çdo formë, të fondeve dhe pasurive të tjera, organi përgjegjës propozon nxjerrjen e një urdhërbllokimi të përkohshëm.

5. Për shqyrtimin e propozimit të parashikuar në pikat 2 dhe 3, të këtij neni, Komiteti mblidhet brenda 5 ditëve, nga marrja e propozimit.

6. Komiteti merr vendim për t’i rekomanduar Ministrit fillimin e procedurës për vendosjen, ndryshimin apo shfuqizimin e masës shtrënguese ndërkombëtare me karakter të brendshëm.

7. Ministri, brenda 5 ditëve, nga marrja e rekomandimit të Komitetit, i propozon Këshillit të Ministrave masën shtrënguese ndërkombëtare dhe subjektin, ndaj të cilit vendoset kjo masë.

8. Subjektet, për të cilat është vendosur, ndryshuar apo shfuqizuar masa shtrënguese ndërkombëtare, sipas pikës 2, të këtij neni, me rekomandimin e Komitetit, përcillen për t’u listuar në listën e OKB-së.

Neni 10
Komiteti i Masave Shtrënguese Ndërkombëtare

1. Për qëllime të zbatimit të këtij ligji krijohet Komiteti i Masave Shtrënguese Ndërkombëtare.

2. Komiteti ka këto funksione:

a) I rekomandon ministrit për propozim në Këshillin e Ministrave, vendosjen, ndryshimin ose shfuqizimin e masave shtrënguese ndërkombëtare;
b) I rekomandon ministrit përfshirjen në listën e OKB-së, sipas pikës 7, të nenit 9, të këtij ligji, të subjekteve ndaj të cilëve është vendosur, ndryshuar apo shfuqizuar masa shtrënguese;
c) Monitoron zbatimin e masave shtrënguese ndërkombëtare të parashikuara në këtë ligj, në bazë të raporteve që dorëzojnë periodikisht organet përgjegjëse;
ç) Jep rekomandime për zbatimin e masave shtrënguese ndërkombëtare nga organet përgjegjëse;
d) Bashkërendon procesin e raportimit për zbatimin e masave shtrënguese ndërkombëtare pranë organizatave ndërkombëtare.
3. Komiteti drejtohet nga ministri dhe, në mungesë të tij, nga zëvendësministri i deleguar prej tij.

4. Komiteti përbëhet nga përfaqësues të nivelit të lartë drejtues të organeve përgjegjëse për punët e jashtme, punët e brendshme, financat, ekonominë, bujqësinë, transportin, energjetikën, mbrojtjen, drejtësinë, të Prokurorisë së e Përgjithshme, Prokurorisë së Posaçme, Shërbimit Informativ të Shtetit, Bankës së Shqipërisë, nga Komisioneri për Mbrojtjen e të Dhënave Personale dhe Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar.

5. Në mbledhjet e Komitetit mund të thirren edhe përfaqësues të organeve të tjera përgjegjëse.

6. Mënyra e organizimit dhe funksionimit të Komitetit përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozimin e ministrit përgjegjës për punët e jashtme.

Neni 11
Organet përgjegjëse

1. Organet përgjegjëse për zbatimin e masave shtrënguese ndërkombëtare, për qëllime të zbatimit të këtij ligji, janë:

a) ministria përgjegjëse për punët e jashtme, për masat shtrënguese me karakter diplomatik;
b) ministria përgjegjëse për punët e brendshme, për masat shtrënguese lidhur me ndalimin e hyrjes në territorin e Republikës së Shqipërisë;
c) ministria përgjegjëse për financat dhe strukturat në varësi të saj, Banka e Shqipërisë, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, për masat shtrënguese me karakter financiar;
ç) ministritë përgjegjëse për ekonominë, shkencën, kulturën, arsimin, bujqësinë, drejtësinë, transportet, energjetikën, infrastrukturën dhe strukturat në varësi të tyre, për masat shtrënguese me karakter ekonomik, shkencor, kulturor, arsimor;
d) ministria përgjegjëse për mbrojtjen dhe strukturat në varësi të saj për masat me karakter ushtarak.

2. Organet përgjegjëse kryejnë këto detyra:

a) Marrin masa të menjëhershme për bllokimin e përkohshëm, sipas përcaktimeve të nenit 8, të këtij ligji;
b) I propozojnë Komitetit vendosjen, ndryshimin, shfuqizimin e masave shtrënguese me karakter të brendshëm;
c) Marrin masa për zbatimin e vendimeve të Këshillit të Ministrave për vendosjen, ndryshimin, shfuqizimin e masave shtrënguese ndërkombëtare;
ç) Raportojnë periodikisht dhe rast pas rasti, pranë Komitetit për zbatimin e masave shtrënguese ndërkombëtare;
d) Nxjerrin udhëzime mbi zbatimin e vendimeve për strukturat e tyre të varësisë, që i licencojnë apo mbikëqyrin;
dh) Mbledhin dhe ruajnë të dhënat në regjistrat përkatës lidhur me vendosjen, zbatimin, ndryshimin dhe shfuqizimin e masave shtrënguese ndërkombëtare.
e) Vendosin dënimet administrative ndaj subjekteve që shkelin dispozitat e këtij ligji, sipas përcaktimeve të nenit 19, të këtij ligji.

3. Ministria, përveç sa parashikohet në pikën 2, të këtij neni, ngarkohet edhe me:

a) propozimin e vendosjes, të ndryshimit dhe shfuqizimit të masave shtrënguese ndërkombëtare pranë Këshillit të Ministrave;
b) paraqitjen e raporteve për zbatimin e masave shtrënguese ndërkombëtare;
c) bashkërendimin e aktivitetit të Komitetit.

4. Organet përgjegjëse, nëpërmjet inspektimeve kontrollojnë përputhshmërinë e veprimtarisë së subjekteve, që licencojnë dhe/ose mbikëqyrin me dispozitat e këtij ligji, si dhe bashkërendojnë veprimtarinë e tyre për zbatimin e masave shtrënguese ndërkombëtare.

Neni 12
Bllokimi i aseteve dhe fondeve

1. Detyrimi për bllokim përfshin:

a) të gjitha fondet dhe asetet, që zotërohen apo kontrollohen nga personi apo enti i shpallur, dhe jo vetëm ato që mund të lidhen me një akt, plan apo kërcënim të veçantë për financim të prodhimit të armëve të shkatërrimit në masë;
b) fonde apo asete të tjera, që janë tërësisht apo bashkërisht të zotëruara apo kontrolluara, direkt apo indirekt, nga persona apo ente të shpallura;
c) fondet apo asetet e rrjedhura apo të prodhuara nga fondet apo pasuritë e zotëruara apo kontrolluara direkt apo indirekt nga personat apo entet e shpallur;
ç) fondet dhe asetet e personave apo enteve, që veprojnë për llogari apo nën drejtimin e personave apo enteve të shpallura.

2. Organi përgjegjës ka detyrimin të bllokojë pa vonesë dhe pa njoftim paraprak asetet e subjekteve, ndaj të cilave është vendosur masa shtrënguese financiare.

3. Veprimet apo transaksionet e kryera nga subjektet, ndaj të cilave është vendosur masa shtrënguese, në lidhje me asetet e tyre janë absolutisht, të pavlefshme.

4. Në lidhje me kontratat, detyrimet apo marrëveshjet e lidhura përpara zbatimit të sanksioneve,:

a) në llogaritë e bllokuara, sipas rezolutave të Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara nr.1718 apo nr.1737 shtohen edhe interesat ose të ardhurat e tjera në ato llogari apo pagesat që rrjedhin nga kontrata, detyrime apo marrëveshje të lindura përpara zbatimit të sanksioneve, me kushtin që edhe këto interesa, të ardhura apo pagesa i nënshtrohen masave dhe bllokohen;
b) bllokimi i kryer në zbatim të rezolutës nr.1737, të Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara nuk duhet të parandalojë kryerjen e pagesave nga një person apo ent i shpallur, të cilat rrjedhin nga kontrata të lidhura përpara listimit të personave apo enteve, me kushtin që:

i. organet përgjegjëse të sigurohen që kontrata nuk lidhet me ndonjë nga produktet, materialet, pajisjet, të mirat, teknologjitë, asistencat, trajnimet, ndihmat financiare, investimin, ndërmjetësimin apo shërbimet e ndaluara, sipas rezolutave përkatëse të Këshillit të Sigurimit;
ii. pagesa nuk përfitohet drejtpërdrejt apo tërthorazi nga personat apo entet e shpallura, sipas rezolutës nr.1737;
iii. është njoftuar, paraprakisht, struktura përkatëse pranë Këshillit të Sigurimit mbi qëllimin për të kryer apo marrë pagesa të tilla ose për të autorizuar, kur është e përshtatshme, zhbllokimin e fondeve, aseteve të tjera financiare apo burimeve ekonomike për këtë qëllim, të paktën 10 ditë pune përpara autorizimit brenda vendit.

5. Përveçse kur autorizohet ndryshe, në përputhje me rezolutat dhe/ose vendimet përkatëse të organizatave ndërkombëtare, të gjithë personat fizikë, juridikë dhe entet që zhvillojnë veprimtari brenda territorit të Republikës së Shqipërisë dhe që i nënshtrohen legjislacionit shqiptar, ndalohen të vënë në dispozicion asete në emër ose për llogari të personave ndaj të cilëve janë vendosur masa shtrënguese. Institucionet financiare dhe jofinanciare janë të detyruara të informojnë menjëherë organin përgjegjës, që ka urdhëruar bllokimin e aseteve, për çdo aset të bllokuar, veprim të ndërmarrë apo transaksion të mbetur në tentativë.

6. Administrimi i aseteve dhe fondeve bëhet në përputhje me aktet ligjore në fuqi, nga organet përgjegjëse, sipas fushës së tyre të përgjegjësisë.

Neni 13
Lejimi i përdorimit të aseteve të bllokuara

1. Lejimi i përdorimit të aseteve të bllokuara aplikohet vetëm për asetet që janë bllokuar ose që mund të vihen në dispozicion të personit të shpallur.

2. Gjykata kompetente mund të lejojë që asetet e bllokuara të lirohen ose të vihen në dispozicion, nëse vërtetohet se asetet janë të domosdoshme për:

a) mbulimin e kostove themelore të jetesës, qirasë apo hipotekës së banesës, ilaçet dhe trajtimin mjekësor, taksat dhe sigurimet ose shpenzimet e shërbimeve publike;
b) pagesën vetëm të tarifave për mirëmbajtjen e rregullt të aseteve të bllokuara;
c) shkak të shpenzimeve të jashtëzakonshme, të tilla si shpenzimet që lidhen me lindjen e fëmijës, vdekjen në familje ose një situatë të ngjashme.

3. Gjykata kompetente, kur vendos në përputhje me pikën 1, të këtij neni, mund të përcaktojë kushtet në të cilat do të aprovohet lirimi ose vënia në dispozicion e tyre.
4. Gjykata kompetente njofton, menjëherë, Ministrinë për vendimin për lejimin e përdorimit të aseteve.

5. Ministria njofton organet përgjegjëse për të marrë masat në zbatim të vendimit të gjykatës.

Neni 14
Përpunimi i të dhënave

1. Organi përgjegjës, për qëllimin e zbatimit të këtij ligji përpunon të dhënat që kanë lidhje me vendosjen, zbatimin, ndryshimin dhe shfuqizimin e masave shtrënguese ndërkombëtare.

2. Të dhënat e parashikuara në pikën 1, të këtij neni, përpunohen në përputhje me legjislacionin për informacionin e klasifikuar “Sekret shtetëror” dhe mbrojtjen e të dhënave personale.

3. Të dhënat e parashikuara në pikën 1, të këtij neni, merren nga:

a) organi përgjegjës dhe strukturat e tyre të varësisë;
b) personat fizikë dhe juridikë, vendas ose të huaj;
c) autoritete të tjera, vendase ose të huaja.

4. Organi përgjegjës i dërgon Ministrisë të dhënat për vendosjen, zbatimin, ndryshimin dhe shfuqizimin e masave shtrënguese ndërkombëtare, të parashikuara në pikën 2, të nenit 15, të këtij ligji.

5. Të dhënat e mbledhura në zbatim të këtij ligji përpunohen në përputhje me legjislacionin për mbrojtjen e të dhënave personale dhe, në rast se këto të dhëna përbëjnë sekret shtetëror, përpunohen sipas legjislacionit për informacionin e klasifikuar “Sekret shtetëror”.

6. Mënyra e përpunimit të të dhënave përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozim të ministrit përgjegjës për punët e jashtme.

Neni 15
Regjistri i të dhënave

1. Me qëllim përpunimin e të dhënave për vendosjen, zbatimin, ndryshimin dhe shfuqizimin e masave shtrënguese ndërkombëtare krijohet Regjistri i të Dhënave për Masat Shtrënguese Ndërkombëtare, më poshtë referuar si “Regjistri”.

2. Regjistri mbahet nga ministria dhe përmban të dhëna:

a) për subjektet e parashikuara në pikën 2, të nenit 3, të këtij ligji;
b) për subjektet, që shkelin zbatimin e masave shtrënguese, të vendosura sipas këtij ligji;
c) të tjera, në zbatim të këtij ligji.

3. Të dhënat që mbahen në Regjistër, si rregull, ruhen për 10 (dhjetë) vjet, pas shfuqizimit të masave shtrënguese ndërkombëtare, me përjashtim të rasteve kur parashikohet ndryshe nga legjislacioni për ruajtjen e informacionit të klasifikuar “Sekret shtetëror”.

4. Pas përfundimit të afatit të parashikuar në pikën 3, të këtij ketë neni, të dhënat fshihen, asgjësohen ose arkivohen në përputhje me legjislacionin për mbrojtjen e të dhënave personale, informacionin e klasifikuar dhe për arkivat.

5. Krijimi, përmbajtja, rregullat e administrimit e të funksionimit, përdorimit dhe aksesimit të Regjistrit përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozimin e ministrit, në përputhje me legjislacionin në fuqi për bazat e të dhënave shtetërore.

KREU III
DISPOZITA TË FUNDIT

Neni 16
E drejta për informim

Çdo subjekt i interesuar gëzon të drejtën e informimit nga organet përgjegjëse për të dhënat që kanë lidhje me vendosjen, ndryshimin apo shfuqizimin e masave shtrënguese ndërkombëtare, në përputhje me legjislacionin në fuqi për të drejtën e informimit, ruajtjen e informacionit të klasifikuar dhe mbrojtjen e të dhënave personale.

Neni 17
Publikimi i masave shtrënguese ndërkombëtare

Rezolutat e Këshillit të Sigurimit dhe vendimi i Këshillit të Ministrave për vendosjen, ndryshimin ose shfuqizimin e masave shtrënguese ndërkombëtare publikohet në faqen zyrtare të Ministrisë.

Neni 18
E drejta për ankim

1. Subjektet, ndaj të cilave janë vendosur ose ndryshuar masa shtrënguese, kanë të drejtë të ankohen në gjykatën kompetente brenda 30 (tridhjetë) ditëve, nga botimi në “Fletoren zyrtare”.

2. Subjekti, ndaj të cilit është vendosur ose ndryshuar një masë shtrënguese sipas shkronjave “b” dhe “c”, të pikës 3, të nenit 3, të këtij ligji, mund të bëjë ankim kundër vendimit të Këshillit të Ministrave në gjykatën kompetente vetëm në rastin kur ai pretendon se është identifikuar gabimisht me subjektin e shpallur.

3. Subjekti, ndaj të cilit është vendosur ose ndryshuar një masë shtrënguese sipas shkronjës “a”, të pikës 3, të nenit 3, të këtij ligji, mund të bëjë ankim kundër vendimit të organit përgjegjës vetëm në rastin kur ai pretendon se është identifikuar gabimisht me subjektin e shpallur.

4. Për dëmet e shkaktuara në zbatim të rezolutave të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara ose vendimeve të organizatave ndërkombëtare nuk mund të kërkohet dëmshpërblim nga shteti shqiptar, përveç rasteve kur dëmi është shkaktuar me qëllim apo me faj nga ky i fundit.

5. Shqyrtimi gjyqësor i ankimit nuk pezullon ekzekutimin e menjëhershëm të vendimit dhe të masave të tjera, që merren në zbatim të tij.

6. Ministria reflekton ndryshimet përkatëse në Regjistër, menjëherë pas shfuqizimit të masës shtrënguese ndaj subjektit, dhe publikon ndryshimet në faqen zyrtare të ministrisë.

Neni 19
Masat ndëshkuese

1. Kur nuk përbën vepër penale, mospërmbushja e detyrimeve të parashikuara në nenet 6, 7, 8, 9, 12, 13, 14 dhe 15, të këtij ligji, nga organet përgjegjëse dhe subjektet, klasifikohet si kundërvajtje administrative dhe dënohet me një/disa masa ndëshkimore dhe/ose gjobë, pavarësisht nga:

a) paralajmërimi;
b) urdhri, që detyron subjektin të ndalë një sjellje të caktuar, praktikë pune apo biznesi, si dhe të mos e përsërisë në të ardhmen;
c) urdhri për pezullim të përkohshëm apo zëvendësim të drejtuesve të strukturave përgjegjëse për zbatimin e masave shtrënguese;
ç) gjoba;
d) shpallja publike e kundërvajtësit dhe natyrës së kundërvajtjes.

2. Për caktimin e llojit dhe të masës së ndëshkimit, sipas pikës 1, të këtij neni, përveç kritereve të vendosura në ligjin për kundërvajtjet administrative merren parasysh edhe:

a) përfitimet, që mund të ketë pasur subjekti që ka kryer shkeljen;
b) humbjet, që mund të jenë shkaktuar ndaj palëve të treta, për shkak të kryerjes së shkeljes (nëse ka pasur të tilla);
c) niveli i bashkëpunimit të subjektit me autoritetet kompetente;
ç) shkalla e përgjegjësisë së subjektit që ka kryer shkeljen.

3. Në rastet kur organi përgjegjës vlerëson se për shkeljen e konstatuar duhet të vendoset gjobë, subjektet gjobiten nga 50 000 (pesëdhjetë mijë) deri në 10 000 000 (dhjetë milionë) lekë.

4. Organet përgjegjëse, brenda fushës së tyre të përgjegjësisë, ngarkohen për kontrollin dhe mbikëqyrjen e përputhshmërisë së veprimtarisë së subjekteve të ligjit me kërkesat e akteve ligjore e nënligjore për masat shtrënguese ndërkombëtare.

5. Dënimet administrative, sipas këtij neni, vendosen nga titullari i çdo organi përgjegjës, në përputhje me fushën e tyre të përgjegjësisë.

6. Procedurat e shqyrtimit, të ankimit dhe ekzekutimit të vendimeve për kundërvajtjet administrative bëhen në përputhje me legjislacionin për kundërvajtjet administrative.

Neni 20
Kërkesa për kompensim

Nuk mund të paraqitet një kërkesë për kompensim kundër Republikës së Shqipërisë apo organit përgjegjës për zbatimin e masave të parashikuara në këtë ligj për dëmin e shkaktuar nga vendosja e masave shtrënguese ndërkombëtare.

Neni 21
Aktet nënligjore

Ngarkohet Këshilli i Ministrave, që, brenda 6, muajve, nga hyrja në fuqi e këtij ligji, të miratojë aktet nënligjore në zbatim të neneve 6, pika 8, 10, pika 6, 14, pika 6 dhe 15, pika 5, të tij.

Neni 22
Hyrja në fuqi

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E T A R I

GRAMOZ RUÇI

###

V E N D I M

PËR

PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR MASAT SHTRËNGUESE NDËRKOMBËTARE NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË”

Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e Kryeministrit dhe ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

Propozimin e projektligjit “Për masat shtrënguese ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE. 

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.