Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Projektligje të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 17 Maj 2018:

P R O J E K T L IGJ

PËR

KONTROLLIN SHTETËROR TË TRANSFERIMEVE NDËRKOMBËTARE TË MALLRAVE USHTARAKE DHE TË ARTIKUJVE E TEKNOLOGJIVE ME PËRDORIM TË DYFISHTË

Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë

V E N D O S I:

KREU I
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

Neni 1
Qëllimi

1. Qëllimi i këtij ligji është vendosja e kontrollit shtetëror mbi transferimin ndërkombëtar të mallrave ushtarake dhe të artikujve e teknologjive me përdorim të dyfishtë, për të siguruar mbrojtjen e interesave kombëtare të Republikës së Shqipërisë, sigurinë dhe politikën e jashtme, kredibilitetin ndërkombëtar të saj dhe garantimin e respektimit të angazhimeve ndërkombëtare të Republikës së Shqipërisë në këtë fushë.

2. Ky ligj rregullon kontrollin shtetëror të transferimeve ndërkombëtare të mallrave ushtarake, artikujve dhe teknologjive me përdorim të dyfishtë, duke përfshirë kontrollin, para, gjatë dhe në zbatimin e licencave apo autorizimeve të eksportit, të eksportit të përkohshëm, të importit, të importit të përkohshëm, të transitit, të transshipit, të veprimtarisë ndërmjetësuese dhe të asistencës teknike.

Neni 2
Përkufizime

Në kuptim të këtij ligji, termat e mëposhtëm kanë këto kuptime:

1. “Transferim ndërkombëtar i mallrave”, eksporti, eksporti i përkohshëm, importi, importi i përkohshëm, rieksporti, ndërmjetësimi, transiti ose transshipi nëpër territorin e Republikës së Shqipërisë dhe çdo transferim tjetër jashtë apo brenda këtij territori, në të cilën janë përfshirë subjekte të ndryshme dhe mallrat e kontrolluara.

2. “Eksport” është:

a) një procedurë eksporti, në kuptim të Kodit Doganor të Republikës së Shqipërisë;
b) rieksporti, në kuptim të Kodit Doganor të Republikës së Shqipërisë, pa përfshirë mallrat në transit; ose
c) transmetimi i programeve software apo i teknologjisë përmes medias elektronike, përfshirë nëpërmjet faksit, telefonit, postës elektronike ose çdo mjet tjetër elektronik, përfshirë bërjen të disponueshme të këtyre soft-eve dhe kësaj teknologjie, në formë elektronike, për personat juridikë dhe fizikë jashtë territorit shqiptar ose për një person të huaj brenda territorit shqiptar.
Eksport do të quhet edhe transmetimi verbal i teknologjisë, kur teknologjia përshkruhet përmes telefonit, duke lexuar në mënyrë të plotë ose të pjesshme një dokument i cili përmban teknologji të kontrolluara ose duke e përshkruar në atë mënyrë që të arrihet i njëjti rezultat.

3. “Deklaratë eksporti”, akti me anë të të cilit një person shpreh, në formë dhe mënyrë të parashikuar, vullnetin për të vendosur mallrat e kontrolluara në procedurë eksporti.

4. “Deklaratë rieksporti”, akti me anë të të cilit një person shpreh, në formë dhe mënyrë të parashikuar, vullnetin për të nxjerrë mallrat të kontrolluara joshqiptare, me përjashtim të atyre të cilat janë nën një regjim zone të lirë ose magazinimi të përkohshëm, jashtë territorit doganor të Republikës së Shqipërisë.

5. “Eksportues” është:
a) çdo person fizik ose juridik në emër të të cilit paraqitet deklarata doganore e eksportit ose personi që në kohën kur pranohet deklarata ka kontratën me marrësin e ngarkesës në vendin e huaj dhe ka autoritetin që të vendosë për dërgimin e mallit jashtë territorit doganor të Shqipërisë. Nëse nuk është lidhur asnjë kontratë eksporti apo nëse mbajtësi i kontratës nuk vepron në emër të vetë atij, eksportues është personi që ka autoritetin të vendosë dërgimin e mallit jashtë territorit doganor të Shqipërisë;
b) çdo person fizik ose juridik që vendos të transmetojë apo të bëjë të disponueshme programe software apo teknologji përmes medias elektronike, përfshirë përmes faksit, telefonit, postës elektronike apo përmes çdo mjeti tjetër elektronik në një destinacion jashtë territorit shqiptar ose te një person i huaj që ndodhet në territorin shqiptar;
c) pala kontraktuese e vendosur në Shqipëri, e cila eksporton mallra të kontrolluara sipas kontratës në të cilën është bazuar eksporti, në emër dhe për llogari të një personi të vendosur jashtë territorit shqiptar;
ç) çdo individ i cili eksporton mallra të kontrolluara edhe kur këto mallra ndodhen në bagazhin personal të tij.

6. “Import” është:

a) një procedurë importi në kuptim të Kodit Doganor të Republikës së Shqipërisë;
b) transmetimi i programeve software apo i teknologjisë përmes medias elektronike, përfshirë nëpërmjet faksit, telefonit, postës elektronike ose çdo mjeti tjetër elektronik për personat fizikë dhe juridikë, nga jashtë territorit shqiptar te një person apo subjekt brenda territorit shqiptar.

7. “Importues” është:

a) personi fizik apo juridik i vendosur në territorin e Republikës së Shqipërisë, në emër të të cilit bëhet një deklaratë importi ose një person që në kohën e dhënies së licencës ka nënshkruar kontratë me marrësin e mallrave brenda territorit doganor të Republikës së Shqipërisë;
b) personi i autorizuar që të marrë mallrat brenda territorit doganor të Republikës së Shqipërisë, nëse nuk ka pasur kontratë për eksportin apo nëse njëra nga palët në kontratë nuk vepron në emër të tij/saj;
c) çdo person i cili ka të drejtën për të çliruar mallrat e kontrolluara në qarkullim të lirë brenda territorit të Republikës së Shqipërisë;
ç) çdo individ i cili importon mallra të kontrolluara, edhe kur këto mallra ndodhen në bagazhin personal të tij.

8. “Deklaratë importi”, akti me anë të të cilit një person shpreh, në formë dhe mënyrë të parashikuar, vullnetin për të vendosur mallrat e kontrolluara nën procedurë importi.

9. “Transit”, transporti tokësor, detar, ajror dhe/ose transporti i kombinuar i mallrave të kontrolluara në kuptim të Kodit Doganor të Shqipërisë, që hyjnë dhe kalojnë përmes territorit të Republikës së Shqipërisë, me destinacion një vend jashtë Shqipërisë dhe pa ndërruar pronësinë e mallrave, përfshirë artikujt:

a) që ndodhen të magazinuara përkohësisht dhe që rieksportohen drejtpërsëdrejti nga ambientet e magazinimit të përkohshëm;
b) që janë sjellë në territorin e Shqipërisë me të njëjtin mjet lundrimi apo fluturimi që do t’i nxjerrë ato jashtë atij territori pa i shkarkuar dhe nga e njëjta pikë doganore;
c) që i nënshtrohen transshipit brenda për brenda.

10. “Transship”, transferimi/transbordimi i ngarkesës nga një mjet transporti te një tjetër për transit të mëtejshëm për të përfunduar udhëtimin dhe për ta transportuar ngarkesën në destinacionin e fundit të saj, pa ndryshuar pronësinë e mallrave.

11. “Personi përgjegjës për transitin” është:

a) personi fizik ose juridik i cili vendos aktualisht për transitimin; ose
b) nëse ky person fizik apo juridik nuk mund të përcaktohet, përgjegjësi i transitit është personi fizik apo juridik i cili përgjigjet për transportin.
12. “Eksport i përkohshëm i mallrave”, konsiderohet lëvizja e mallrave të kontrolluara jashtë territorit doganor të Republikës së Shqipërisë, për t’u kthyer më vonë në të njëjtin territor.

13. “Import i përkohshëm i mallrave”, konsiderohet lëvizja e mallrave nga një vend i huaj në territorin e Republikës së Shqipërisë, për t’u kthyer më vonë në vendin e nisjes.

14. “Embargo” (e plotë apo e pjesshme), konsiderohen masat ndaluese ose kufizimet e transferimeve ndërkombëtare të mallrave dhe të shërbimeve të kontrolluara te subjektet, personat apo shtetet, të cilat janë të vendosura nga një rezolutë detyruese e Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, OSBE-ja, vendim i Këshillit apo rregullores së miratuar nga BE-ja, ose si pasojë e vendimeve të marra sipas politikave të caktuara të Republikës së Shqipërisë.

15. “Mallra të kontrolluara”, mallrat, përfshirë software-t dhe teknologjitë e renditura në listën e mallrave ushtarake dhe të artikujve me përdorim të dyfishtë, si dhe çdo artikull tjetër në kuptim të nenit 11, të këtij ligji.

16. “Mallra ushtarake” janë:

a) mallra që janë projektuar, zhvilluar, prodhuar, montuar apo janë modifikuar për përdorim ushtarak, përfshirë teknologjinë dhe software-t e lidhura me këto mallra;
b) mallrat e specifikuara në listën e mallrave ushtarake; ose
c) mallrat në kuptim të nenit 11, të këtij ligji.

17. “Të dhëna teknike”, projekte, plane, skica, skema, diagrama, modele, formula, specifikime, software, manuale dhe udhëzues, të printuara apo të ruajtura në një sistem rikuperimi, përfshirë atë elektronik.

18. “Asistencë teknike”, çdo udhëzim teknik lidhur me riparimin, zhvillimin, prodhimin, montimin, mirëmbajtjen dhe testimin e mallrave dhe të teknologjisë apo çdo asistencë tjetër teknike lidhur me këto mallra, ofruar në formën e udhëzimeve, trajnimeve, dhënies së njohurive dhe shërbimeve të konsulencës.
Asistenca teknike përfshin edhe udhëzimet e dhëna verbalisht apo me shkrim dhe kurset e trajnimit.

19. “Ofruesi i asistencës teknike”, personi fizik apo juridik, rezident në Republikën e Shqipërisë dhe që ofron shërbimet e asistencës teknike.

20. “Mallra me përdorim të dyfishtë”, artikujt, përfshirë software-t dhe teknologjitë, që mund të përdoren si për qëllime civile ashtu dhe ushtarake dhe përfshijnë:

a) artikujt që mund të përdoren për qëllime joshpërthyese, si edhe artikujt që mund të përdoren në cilëndo mënyrë për përhapjen e armëve të shkatërrimit në masë apo prodhimin e tyre;
b) artikujt e specifikuar në listën e mallrave me përdorim të dyfishtë;
c) artikujt në kuptim të nenit 11, të këtij ligji.

21. “Përdorues i fundit” është:

a) personi fizik apo juridik, privat apo publik, që janë marrësit përfundimtarë të mallrave të kontrolluara;
b) personi fizik apo juridik, privat apo publik, që ka marrë asistencë teknike lidhur me mallrat e kontrolluara.

22. “Përdorimi i fundit ushtarak”, në kuptim të shkronjës “b”, të pikës 2, të nenit 11, do të thotë:

a) mallrat e përfshira në listën e mallrave ushtarake të Republikës së Shqipërisë;
b) përdorimi për prodhimin, testimin e pajisjeve analitike dhe elementeve të tyre, për zhvillimin, prodhimin ose mirëmbajtjen e artikujve ushtarakë të renditur në listën e mallrave ushtarake;
c) përdorimin e çfarëdo produkti të papërfunduar në një fabrikë për prodhimin e artikujve ushtarakë, të renditur në listën e mallrave ushtarake.

23. “Licencë individuale”, licenca lëshuar nga AKSHE-ja një personi juridik apo fizik, për të kryer një ose disa transferime ndërkombëtare të mallrave të kontrolluara drejt një përdoruesi apo marrësi përfundimtar dhe përfshin një apo më shumë mallra të kontrolluara.

24. “Licencë globale”, licenca lëshuar nga AKSHE-ja për një eksportues të veçantë, në lidhje me një mall apo një kategori të caktuar të mallrave të kontrolluara, e cila është e vlefshme për eksportet te një ose më shumë përdorues të fundit të specifikuar dhe/ose në një ose më shumë vende të huaja të specifikuara.

25. “Licencë e përgjithshme”, licenca e lëshuar nga AKSHE-ja për të kryer një transferim ndërkombëtar të mallrave të kontrolluara drejt disa vendeve të caktuara apo prej tyre, e përdorshme nga të gjithë personat juridikë apo fizikë që respektojnë kushtet dhe kërkesat për përdorim, të renditura në licencën e përgjithshme.

26. “Programi i përputhshmërisë së brendshme”, mjetet dhe procedurat efektive të përshtatshme dhe proporcionale, duke përfshirë zhvillimin, zbatimin e politikave të standardizuara operative të përputhshmërisë, të procedurave, të standardeve të sjelljes, si dhe tërësia e masave mbrojtëse të zhvilluara nga eksportuesit dhe importuesit për të siguruar pajtueshmëri me dispozitat, me termat dhe kushtet e licencave të përcaktuara në këtë ligj.

27. “Ndërmjetësues”, çdo shtetas shqiptar kudo që ndodhet apo çdo shtetas i huaj, person fizik apo juridik që ndodhet fizikisht brenda territorit të Shqipërisë dhe që kryen veprimtari ndërmjetësimi.

28. “Veprimtari ndërmjetësimi është:

a) negociimi apo organizimi i transaksioneve për blerjen, shitjen ose furnizimin e mallrave të kontrolluara nga një vend i huaj, në cilindo vend tjetër të huaj; ose
b) blerja, shitja apo organizimi i transferimeve të mallrave të kontrolluara që ndodhen në një vend të huaj, drejt një vendi tjetër të huaj.

Në kuptim të këtij ligji, shërbimet ndihmëse nuk do të konsiderohen veprimtari ndërmjetësimi. Shërbimet ndihmëse përfshijnë transportin, shërbimet financiare, sigurimin, risigurimin si dhe reklamimin e përgjithshëm ose promovimin.

29. “Certifikata ndërkombëtare e importit”, një dokument, lëshuar nga autoriteti i kontrollit shtetëror të shtetit importues, që konfirmon angazhimin e importuesit për të importuar mallra në vendin e tij dhe pas importit të mos i eksportojë apo dërgojë ato në një vend tjetër, pa lejen e organit të sipërpërmendur.

Kjo certifikatë do të konsiderohet e vlefshme kur është paraqitur pranë autoriteteve brenda 6 (gjashtë) muajve nga data e lëshimit.

30. “Certifikata e mbërritjes së mallit në destinacion”, dokumenti lëshuar nga autoriteti i kontrollit shtetëror i shtetit importues dhe konfirmon që marrësi i synuar i mallrave i ka marrë në sasinë dhe llojin e specifikuar në licencë.
Kjo certifikatë do të konsiderohet e vlefshme kur është paraqitur pranë autoriteteve brenda 6 (gjashtë) muajve nga data e lëshimit.

31. “Certifikata e përdoruesit të fundit”, dokumenti në të cilin përdoruesi i fundit përcakton vendin ku do të instalohen (përdoren) mallrat e kontrolluara, qëllimin përfundimtar të përdorimit, si dhe garanton se mallrat nuk do të përdoren për ndonjë qëllim të ndryshëm nga ai i specifikuar në certifikatë, nuk do të transferohen te ndonjë subjekt tjetër në territorin e vendit të destinacionit apo nuk do të rieksportohen pa leje nga vendi eksportues.

Kjo certifikatë do të konsiderohet e vlefshme kur është paraqitur pranë autoriteteve brenda 6 (gjashtë) muajsh nga data e lëshimit.

Certifikata e përdoruesit të fundit në Republikës e Shqipërisë lëshohet nga AKSHE-ja, në rastet kur personat fizikë/juridikë kanë si qëllim të pajisen me licencë importi dhe kur kërkohet nga shteti eksportues.

32. “Inspektim”, formë kontrolli, me qëllim verifikimin e respektimit të kërkesave ligjore, sipas këtij ligji, që AKSHE-ja kryen në përputhje me këtë ligj dhe ligjin nr.10433, datë 16.6.2011, “Për inspektimin në Republikën e Shqipërisë”.

33. “Organ drejtues”, titullari ose çdo organ tjetër i ngritur nga ky ligj apo aktet nënligjore të tij me qëllim vendimmarrjen.

Neni 3
Fusha e veprimit dhe përjashtimet

1. Ky ligj rregullon licencimin e veprimtarive që lidhen me transferimin ndërkombëtar të mallrave të kontrolluara, duke përfshirë veprimtaritë ndërmjetësuese, prodhimin, bashkëpunimin shkencor dhe teknik, si dhe ekspozimin e tyre në ekspozita, panaire ndërkombëtare për qëllime reklamimi, testimi, marketingu dhe operacioneve lidhur me to, deri në përdorimin e fundit të tyre apo deri në mbërritjen e tyre te përdoruesi i fundit.

2. Ky ligj nuk zbatohet për:

a) transferimin e mallrave të kontrolluara që kanë lidhje me veprimtaritë e Forcave të Armatosura ose të strukturave të tjera shtetërore të sigurisë të Republikës së Shqipërisë jashtë territorit të saj, të kryera në kuadër të marrëveshjeve ndërkombëtare, të cilat sigurojnë mekanizmin e kontrollit shtetëror të lëvizjes së këtyre mallrave;
b) transferimin ndërkombëtar të mallrave të kontrolluara që kanë lidhje me veprimtarinë e forcave ushtarake të huaja në territorin e Republikës së Shqipërisë, të kryera në kuadër të marrëveshjeve ndërkombëtare, të cilat sigurojnë mekanizmin e kontrollit shtetëror të lëvizjes së këtyre mallrave;
ç) transferimet ndërkombëtare të anestezikëve (gazrave anestezike mjekësore), armëve sportive dhe gjahut, të përjashtuara nga lista e mallrave ushtarake, të enëve për gazin, në eksportimin dhe importimin e armatimit personal të personelit të shërbimit ushtarak dhe të organeve të rendit e të sigurisë së brendshme shtetërore, që janë të pajisura me armë, sipas ligjit;
d) transferimet ndërkombëtare të mallrave të kontrolluara që kanë si qëllim dhënien e asistencës shtetërore ushtarake, në përputhje me kushtet e parashikuara në marrëveshjet e traktatet ndërkombëtare, ku Republika e Shqipërisë bën pjesë, si dhe lëvizjen e mallrave jashtë vendit për dhënien e ndihmës së emergjencës shteteve të huaja, kur kjo vendoset sipas ligjit.

Neni 4
Parimet e transferimit ndërkombëtar të mallrave të kontrolluara

Transferimi ndërkombëtar i mallrave të kontrolluara është ndërtuar mbi këto parime:

1. Përparësi ndaj interesit kombëtar–politik, ekonomik dhe ushtarak, mbrojtja e të cilave është e nevojshme për garantimin e sigurisë kombëtare.

2. Mbrojtje e interesave politike, ekonomike dhe ushtarake të vendit.

3. Detyrimi për të respektuar angazhimet ndërkombëtare të ndërmarra nga Republika e Shqipërisë për mospërhapjen e armëve të shkatërrimit në masë, mjetet e përhapjes së tyre dhe për të garantuar kontrollin shtetëror të transferimeve ndërkombëtare të mallrave të projektuara për qëllime ushtarake dhe të artikujve me përdorim të dyfishtë, si edhe për të parandaluar përdorimin e këtyre mallrave për akte terroriste dhe qëllime të tjera të paligjshme.

4. Kryerja e kontrollit të transferimeve ndërkombëtare të këtyre mallrave në masën e kërkuar për të arritur vetëm qëllimin e tij.

5. Harmonizimi i procedurave dhe i rregulloreve të kontrollit shtetëror, i transferimeve ndërkombëtare të këtyre mallrave me normat dhe praktikat ligjore ndërkombëtare.

6. Sigurimi i ndërveprimit me organizatat ndërkombëtare dhe shtetet e huaja në fushën e kontrollit shtetëror të transferimeve ndërkombëtare, për forcimin e sigurisë dhe të stabilitetit ndërkombëtar, përfshirë këtu mospërhapjen e armëve të shkatërrimit në masë, si dhe të sistemeve të tyre të përhapjes.

Neni 5
Metodat e zbatimit të politikës për kontrollin shtetëror të transferimeve ndërkombëtare

Metodat e zbatimit të politikës për kontrollin shtetëror të transferimeve ndërkombëtare përfshijnë, si më poshtë vijon:

a) Lëshimin ose refuzimin e licencës apo të certifikatës, duke lejuar kryerjen e transferimeve ndërkombëtare të mallrave të kontrolluara apo lëshimin e autorizimit për kryerjen e negociatave për këto transferta;
b) Pezullimin, shfuqizimin e licencave apo të certifikatave të lëshuara sipas rasteve të specifikuara në këtë ligj;
c) Zbatimin e procedurave të kontrollit doganor të transferimeve ndërkombëtare të mallrave të kontrolluara në përputhje me dispozitat e këtij ligji, si dhe me legjislacionin doganor në fuqi;
ç) Zbatimin e sanksioneve për veprimtaritë që shkelin procedurat të cilat rregullojnë transferimin ndërkombëtar të mallrave, të përcaktuara me këtë ligj dhe aktet e tjera ligjore dhe nënligjore në këtë fushë.

Neni 6
Kompetencat për kontrollin e transferimit ndërkombëtar të mallrave

1. Këshilli i Ministrave zhvillon dhe zbaton politikën e kontrollit për transferimin ndërkombëtar.

2. Politika shtetërore në këtë fushë zbatohet edhe nga Autoriteti i Kontrollit Shtetëror të Eksporteve, ministritë dhe organet e tjera shtetërore që gëzojnë kompetenca për kryerjen e kontrolleve. Këto institucione mund të angazhojnë organe të tjera shtetërore për zbatimin e masave të ndërmarra në procesin e kontrollit të eksporteve, përfshirë përfaqësitë diplomatike dhe konsullore të Republikës së Shqipërisë në shtete të tjera, me pëlqimin e institucionit të varësisë.

3. Autoriteti i Kontrollit Shtetëror të Eksporteve, drejtpërsëdrejti ose së bashku me organe të tjera qendrore të ekzekutivit:

a) zhvillon veprimtaritë si dhe nxit komunikimin me subjektet tregtare dhe industrinë, lidhur me transferimin ndërkombëtar të mallrave, nëse ato janë në përputhje me këtë ligj;
b) kufizon/ndalon këto veprimtari nëse ato bien në kundërshtim me interesat kombëtare, me angazhimet ndërkombëtare të ndërmarra nga Republika e Shqipërisë dhe me angazhimet e saj për luftën kundër përhapjes së armëve të shkatërrimit në masë dhe të terrorizmit.

Neni 7
Shkëmbimi i të dhënave në procesin e kontrollit shtetëror të transferimeve ndërkombëtare

1. Autoriteti i Kontrollit Shtetëror të Eksporteve ka të drejtë të marrë nga organet e tjera shtetërore si dhe subjektet e tjera të përfshira në transferimet ndërkombëtare të mallrave të kontrolluara të gjitha të dhënat e nevojshme për ushtrimin e funksioneve të tij në lidhje me kontrollin e transferimit ndërkombëtar. Ai mund t’i përdorë dhe t’i shkëmbejë këto të dhëna me agjenci të tjera homologe ndërkombëtare, vetëm për qëllim të kryerjes së kontrollit ndërkombëtar të transferimit dhe mbrojtjen e interesave kombëtare.

2. Shkëmbimi i informacionit për transferimet ndërkombëtare të mallrave të kontrolluara nuk duhet të jetë në kundërshtim me legjislacionin shqiptar në fuqi dhe interesat kombëtare.

Neni 8
Mbrojtja e të dhënave të subjekteve të përfshira në transferimet ndërkombëtare

1. Punonjësit e AKSHE-së, gjatë ushtrimit të veprimtarisë së kontrollit të transferimeve ndërkombëtare, kanë detyrimin për të mbrojtur të dhënat personale, si dhe ato që lidhen me veprimtarinë tregtare të subjekteve, të dhëna me të cilat njihet gjatë procedurës administrative dhe që mbrohen sipas legjislacionit për mbrojtjen e të dhënave personale.

2. Ky detyrim është gjatë dhe pas përfundimit të detyrës.

KREU II
BAZA PËR ORGANIZIMIN DHE ZBATIMIN E KONTROLLIT PËR TRANSFERIMET NDËRKOMBËTARE

Neni 9
Autoriteti shtetëror për kontrollin e transferimeve ndërkombëtare të mallrave ushtarake, artikujve dhe teknologjive me përdorim të dyfishtë

1. Në Ministrinë e Mbrojtjes funksionon Autoriteti i Kontrollit Shtetëror të Eksporteve (AKSHE), e cila është struktura shtetërore përgjegjëse për transferimet ndërkombëtare të mallrave ushtarake, të artikujve dhe të teknologjive me përdorim të dyfishtë.

Autoriteti i Kontrollit Shtetëror të Eksporteve (AKSHE) është institucion qendror, me statusin e personit juridik, publik, në varësi të ministrit të Mbrojtjes, me seli në Tiranë.

2. AKSHE-ja kryen detyrat, si më poshtë:

a) Regjistron, sipas rastit, personat fizikë e juridikë, përfshirë edhe autoritetet publike, për kryerjen e veprimtarive me mallra ushtarake, si dhe licencon veprimtaritë e transferimit ndërkombëtar të mallrave të kontrolluara;
b) Lëshon, sipas kërkesës së personave të interesuar, licenca, certifikata regjistrimi, certifikata ndërkombëtare të importit, certifikata të shpërndarjes së mallit, si dhe dokumente të tjera të parashikuara në këtë ligj dhe në aktet nënligjore në zbatim të tij;
c) Kryen veprimtari kontrolli në të gjitha fazat e licencimit, regjistrimit, njoftimit, livrimit, pas livrimit, si dhe, sipas rastit, në të gjitha fazat e paralicencimit;
ç) Bashkërendon sistemin kombëtar të veprimtarive me mallrat e kontrolluara dhe zhvillon veprimtari periodike për informimin dhe përgatitjen e institucioneve të tjera shtetërore dhe të grupeve të interesit të lidhura me kontrollin e veprimtarive me mallra të kontrolluara, si dhe veprimtari të tjera të bashkëpunimit ndërinstitucional dhe me publikun.

3. Transferimi ndërkombëtar i mallrave bëhet në bazë të licencave, të autorizimeve dhe të certifikatave të lëshuara nga AKSHE-ja, pas marrjes së mendimit të organeve të tjera shtetërore sipas fushës së kompetencës.

4. Këshilli i Ministrave përcakton me vendim, organizimin, përbërjen, funksionimin dhe statusin e AKSHE-së dhe afatet, mënyrën dhe procedurën për shkëmbimin e informacionit dhe marrjes së mendimit me institucionet e tjera të përfshira në transferimet ndërkombëtare të mallrave të kontrolluara.

Neni 10
Lista e mallrave të kontrolluara, objekt i kontrollit të transferimit ndërkombëtar

1. AKSHE-ja, me kontributet e ministrive dhe të organeve të tjera të interesuara, harton listën e mallrave, objekt i kontrollit shtetëror të transferimeve ndërkombëtare.

Këshilli i Ministrave miraton listën e mallrave ushtarake, të artikujve e të teknologjive me përdorim të dyfishtë, në përputhje me listat përkatëse të Bashkimit Evropian.

2. Objekt licencimi dhe kontrolli, sipas dispozitave të këtij ligji, janë dhe mallrat e përshkruara në nenin 11, të cilat nuk janë të listuara në listën e mallrave objekt i kontrollit shtetëror të transferimeve ndërkombëtare.

3. Me vendim të Këshillit të Ministrave, artikujt të cilët nuk janë të përfshirë në pikat 1 dhe 2, të këtij neni, bëhen objekt licencimi dhe kontrolli, në rastet kur transferimi i tyre përputhet me kriteret e përcaktuara në shkronjat “a”, “b”, “c”, “ç”, “d”, “dh” dhe “e”, të nenit 12, të këtij ligji.

Vendimi i Këshillit të Ministrave përcakton periudhën kohore të kontrollit dhe të licencimit, të artikujve të përmendur në paragrafin e parë të kësaj pike.

Neni 11
Kontrolli mbi mallrat dhe artikujt që nuk janë të përfshirë në listën e mallrave të kontrolluara

1. Çdo institucion shtetëror që ka informacion për qëllimin apo mundësinë e përdorimit të disa mallrave, të cilat nuk janë të përfshira në listat e kontrolluara, për prodhimin, montimin, testimin, riparimin, trajtimin, shërbimin teknik, modifikimin, përmirësimin, funksionimin, drejtimin, menaxhimin, magazinimin, ekspozimin, identifikimin apo përhapjen e armëve të shkatërrimit në masë dhe mjetet e përhapjes së tyre, ai është i detyruar të informojë AKSHE-në, i cili ka të drejtë të zbatojë procedurat e kontrollit shtetëror për këta artikuj edhe pse ato nuk ndodhen në listë.

2. Licenca kërkohet edhe për eksportin/transitin/ndërmjetësimin si dhe asistencën teknike të mallrave dhe të artikujve/teknologjive që nuk janë përfshirë në listën e mallrave të kontrolluara, në rast se mallrat, artikujt/ teknologjitë:

a) janë ose mund të jenë të destinuar, tërësisht ose pjesërisht, për zhvillimin, prodhimin, modifikimin, funksionimin, trajtimin, montimin, testimin, riparimin, vënien në dispozicion, përdorimin, mirëmbajtjen, ruajtjen, zbulimin ose përhapjen e armëve të shkatërrimit në masë;
b) do të përdoren apo mund të përdoren, tërësisht apo pjesërisht, për përdorim të fundit ushtarak në vendin e blerësit apo në vendin e përdoruesit të fundit, nëse ai vend është objekt i një embargoje armësh dhe pajisjesh ushtarake, bazuar në vendimet përkatëse të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë dhe organizatave të tjera ndërkombëtare, që janë detyruese për Republikën e Shqipërisë apo bazuar në dispozitat përkatëse të legjislacionit vendas;
c) do të përdoren apo mund të përdoren, në tërësi apo pjesërisht, si pjesë apo elemente të armëve dhe të produkteve të pajisjeve ushtarake, të përcaktuara në listën kombëtare të kontrollit të armëve dhe të pajisjeve ushtarake dhe që janë eksportuar nga territori i Republikës së Shqipërisë pa licencë ose në kundërshtim me kushtet e përcaktuara në licencën e lëshuar në përputhje me këtë ligj;
ç) do të përdoren apo mund të përdoren në lidhje me vepra terroriste.

Në këto raste AKSHE-ja njofton eksportuesit/transituesit/ndërmjetësuesit/ ofruesit e asistencës teknike për t’u pajisur me licencë.

3. Nëse një eksportues/personi përgjegjës për transitin/ndërmjetësues ose ofrues i asistencës teknike ka dijeni se mallrat, artikujt/teknologjitë që ai synon të transferojë të cilat nuk janë të listuara në listën e mallrave të kontrolluara, janë të destinuara ose mund të përdoren, tërësisht ose pjesërisht, për cilindo nga qëllimet e përcaktuara në pikën 1, të këtij neni, ai informon Autoritetin e Kontrollit Shtetëror të Eksporteve, që do të vendosë nëse nevojitet apo jo licencë për këtë eksport.

Neni 12
Kriteret për vlerësimin e riskut në transferimet ndërkombëtare të mallrave të kontrolluara

Transferimi ndërkombëtar i mallrave të kontrolluara kryhet në bazë të licencës së lëshuar nga AKSHE-ja. Në marrjen e vendimit për lëshimin e licencës për transferimin ndërkombëtar të mallrave të kontrolluara, AKSHE-ja dhe autoritetet e tjera shtetërore të përfshira në sistemin e kontrollit, vlerësojnë riskun sipas analizës së kritereve të mëposhtme nëse:

a) ky transferim kërcënon respektimin e detyrimeve ndërkombëtare të Republikës së Shqipërisë, që rrjedhin nga anëtarësia e saj në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, Bashkimin Evropian dhe organizata të tjera ndërkombëtare, si edhe detyrimet nga konventat për ndalimin e përhapjes së armëve të shkatërrimit në masë dhe të traktateve të tjera ndërkombëtare;
b) ky transferim kërcënon respektimin e të drejtave të njeriut në vendin e përdoruesit të fundit apo kontribuon në shkeljen që ky vend bën ndaj rregullave të së drejtës ndërkombëtare humanitare;
c) ky transferim mundëson fillimin apo vazhdimin e konflikteve të armatosura apo konflikteve të tjera ose do të përkeqësonte tensionet apo konfliktet ekzistuese në vendin e përdorimit të fundit;
ç) ky transferim kërcënon ruajtjen e paqes, sigurisë dhe stabilitetin në rajon;
d) ky transferim vë në rrezik interesat e sigurisë dhe të mbrojtjes së Republikës së Shqipërisë;
dh) ky transferim është kundër interesave të politikës së jashtme apo të interesit ekonomik të Republikës së Shqipërisë;
e) ky transferim ka ndikim negativ te qëndrimi i vendit të destinacionit të fundit kundrejt komunitetit ndërkombëtar, sidomos në qëndrimin e tij ndaj terrorizmit, krimit të organizuar ndërkombëtar dhe respektimit të së drejtës ndërkombëtare;
ë) ekziston risku që mallrat mund të devijohen, të ritransferohen apo të rieksportohen nga destinacioni përfundimtar, në kushte të padëshirueshme;
f) mallrat e përfshira në transferimet ndërkombëtare nuk janë në përputhje me kapacitetin teknik dhe ekonomik të vendit marrës, duke marrë parasysh që është e dëshirueshme që shtetet të plotësojnë nevojën e tyre legjitime të sigurisë dhe të mbrojtjes, duke angazhuar sa më pak burimet njerëzore dhe ekonomike për armatime.

Neni 13
Kritere të përgjithshme për licencimin

Subjektet, të cilat kërkojnë të pajisen me licencë për transferimin ndërkombëtar të mallrave të kontrolluara, nuk mund të pajisen me licencë nëse:

a) ndaj subjektit aplikues ka filluar një procedurë penale për shkeljen e dispozitave të këtij ligji apo të akteve nënligjore të tij apo ndaj aplikantit ka filluar një procedim penal lidhur me sigurinë kombëtare;
b) subjekti aplikues është dënuar me vendim të formës së prerë për kryerjen e një vepre penale, sipas përcaktimeve të këtij ligji apo sipas dispozitave të tjera ligjore, që lidhen me sigurinë kombëtare ose është në procedim penal apo dënuar nga një gjykatë e huaj me vendim të formës së prerë për shkeljen e legjislacionit për kontrollet e transferimeve ndërkombëtare;
c) subjekti aplikues rezulton përgjegjës për shkeljen e një embargoje apo sanksioni ndërkombëtar;
ç) dokumentet e dorëzuara nuk përputhen me përdorimin e fundit të mallrave të kontrolluara, të deklaruara në kërkesë;
d) mallrat për të cilat kërkohet licenca janë në proces hetimi policor apo në proces gjyqësor.

KREU III
MALLRAT USHTARAKE

Neni 14
Regjistrimi për transferimet ndërkombëtare të mallrave ushtarake

1. Personat fizikë/juridikë të cilët paraqesin interes të kryejnë transferime ndërkombëtare të mallrave ushtarake ose të angazhohen në veprimtari ndërmjetësimi, kanë detyrimin e regjistrimit tek Autoriteti i Kontrollit Shtetëror të Eksporteve kundrejt paraqitjes së dokumentacionit për regjistrim dhe pajisjes me certifikatë regjistrimi.

2. Të dhënat e personave fizikë dhe juridikë të pajisur me certifikatë regjistrimi mbahen në regjistrin e AKSHE-së.

Kryetari i AKSHE-së me urdhër përcakton formatin e regjistrit, si dhe të dhënat e subjekteve të cilat duhet të regjistrohen.

3. Autoriteti i Kontrollit Shtetëror të Eksporteve miraton vendimet për regjistrim, refuzim të regjistrimit dhe fshirje të subjekteve nga regjistri.

4. Certifikata e regjistrimit është e vlefshme 3 (tre) vjet nga data e lëshimit.

5. Pajisja me certifikatë regjistrimi e personit fizik/juridik mund të refuzohet në rast se:

a) subjekti aplikues paraqet dokumentacion të rremë ose të falsifikuar apo në mënyrë të qëllimshme fsheh informacionin ose keqinformon, në lidhje me aplikimin për regjistrim;
b) subjekti aplikues është përgjegjës dhe është dënuar me vendim të formës së prerë për shkeljen e dispozitave në legjislacionin e transferimeve ndërkombëtare të mallrave të kontrolluara, të cilat përbëjnë vepër penale apo dispozitave të tjera lidhur me sigurinë kombëtare;
c) subjekti aplikues është përgjegjës për shkeljen e një embargoje apo sanksioni ndërkombëtar;
ç) kundër subjektit aplikues është ngritur akuzë penale për një shkelje të dispozitave në legjislacionin e transferimeve ndërkombëtare të mallrave të kontrolluara apo ka nisur një procedim civil apo penal lidhur me sigurinë kombëtare;
d) ekzistojnë dyshime të arsyeshme që përfaqësuesi i subjektit apo punonjësit e tij ka hyrë në një marrëveshje apo ka negociuar kontratë me një kompani, individ apo organizata që janë të përfshira në veprimtari të paligjshme që përfshijnë transferimin, përdorimin, prodhimin e mallrave ushtarake apo të armëve të shkatërrimit në masë;
dh) ekzistojnë arsye të tjera për cenimin e sigurisë kombëtare.

Neni 15
Kontrolli i sigurisë

1. Personi fizik/juridik, që ka paraqitur kërkesë për certifikatë regjistrimi pranë AKSHE-së, duhet të përmbushë kriteret e posaçme, të rëndësishme për mbrojtjen e sigurisë dhe të interesave të tjera të Republikës së Shqipërisë.

2. Plotësimi i këtyre kritereve analizohet gjatë procedurës së kontrollit të kryer nga autoritetet kompetente të sigurisë së Republikës së Shqipërisë, në përputhje me ligjin që rregullon mbrojtjen e të dhënave personale dhe ligjet që rregullojnë fushën e kontrolleve të sigurisë.

3. Kontrollet e përcaktuara në pikën 2, të këtij neni, do të ushtrohen brenda 60 (gjashtëdhjetë) ditëve nga data e paraqitjes së kërkesës tek autoritetet kompetente të sigurisë së Republikës së Shqipërisë.

Neni 16
Paraqitja e një kërkese të re për regjistrim

Nëse AKSHE-ja refuzon të regjistrojë apo miraton një vendim për çregjistrim ndaj një personi fizik/juridik, ky i fundit mund të paraqesë një kërkesë të re për regjistrim pasi ka eliminuar arsyet të cilat çuan në refuzimin e kërkesës apo në çregjistrim.

Neni 17
Licencat për transferimin ndërkombëtar të mallrave ushtarake

1. Autoriteti i Kontrollit Shtetëror të Eksporteve do të lëshojë vetëm licenca individuale për transferimin ndërkombëtar të mallrave ushtarake, duke aplikuar kriteret e përcaktuara në nenin 12, të këtij ligji.

2. Licenca individuale për transferim ndërkombëtar lëshohet me afat vlefshmërie për një periudhë të përcaktuar kohe, por jo më të gjatë se 1 (një) vit.

3. Licenca për shërbimet e ndërmjetësimit apo të asistencës teknike është licencë individuale, që i lëshohet një ndërmjetësuesi apo ofruesi të asistencës teknike, për një përdorues të fundit apo marrësi në një vend tjetër dhe mbulon një apo më shumë mallra ushtarake apo shërbime të tjera.

4. Autoriteti i Kontrollit Shtetëror të Eksporteve mund të zgjasë afatin e vlefshmërisë së licencës, sipas kërkesës së subjektit, por jo përtej afatit të vlefshmërisë të parashikuar në marrëveshjen ekonomike të cilës i referohet kjo licencë.

Licenca individuale mund të jetë objekt i kushteve shtesë të vendosura nga AKSHE-ja.

Neni 18
Transiti i mallrave ushtarake

1. Transiti i mallrave ushtarake në rrugë tokësore apo ujore, nga dogana/pika e hyrjes deri në doganë/pikën e daljes, realizohet bazuar te licenca e lëshuar nga Autoriteti i Kontrollit Shtetëror të Eksporteve. AKSHE-ja shqyrton kërkesën për lëshimin e licencës së transitit të mallrave ushtarake në rrugë tokësore dhe ujore, duke aplikuar kriteret e përcaktuara në nenin 12, të këtij ligji.

2. Transitimi i mallrave ushtarake në rrugë ajrore, i cili përfshin transportimin e mallrave ushtarake me aeroplanë mbi territorin e Republikës së Shqipërisë, me ulje ose jo në territorin e Republikës së Shqipërisë (mbi fluturim), realizohet në bazë të lejes me shkrim, të lëshuar nga Autoriteti i Aviacionit Civil të Republikës së Shqipërisë dhe me miratimin e Autoritetit të Kontrollit Shtetëror të Eksporteve. AKSHE-ja shqyrton kërkesën për miratimin e transitimit të mallrave ushtarake në rrugë ajrore, duke aplikuar kriteret e specifikuara në nenin 12, të këtij ligji.

Neni 19
Masat e sigurisë

1. Gjatë transportit të mallrave ushtarake duhet të merren masat e nevojshme të sigurisë. Transporti i mallrave në rrugë tokësore në territorin e Shqipërisë, kur ato importohen apo eksportohen, bëhet me eskortë të armatosur, sipas dispozitave ligjore në fuqi.

2. Gjatë transportit dhe transitimit të mallrave ushtarake merren masat e nevojshme të sigurisë. Transporti dhe transitimi i mallrave ushtarake në rrugë tokësore dhe ujore nga dogana/pika hyrëse deri në doganë/pikën e daljes, bëhet me eskortë të armatosur, sipas dispozitave ligjore në fuqi.
Neni 20
Autorizimi për transferimin ndërkombëtar të mallrave ushtarake që lidhen me sekretin shtetëror

1. Subjektet tregtare të përfshira në veprimtari ekonomike me vendet e huaja për transferim ndërkombëtar të mallrave ushtarake, të klasifikuara si sekret shtetëror, autorizohen nga Këshilli i Ministrave.

2. Këshilli i Ministrave miraton procedurat për lëshimin, shfuqizimin apo pezullimin e licencave për marrjen përsipër të transferimit ndërkombëtar të mallrave që parashikohen nga ky nen, duke marrë në konsideratë kriteret e vlerësimit të përcaktuara në nenin 12.

KREU IV
ARTIKUJT DHE TEKNOLOGJITË ME PËRDORIM TË DYFISHTË

Neni 21
Licencat për transferimin ndërkombëtar të artikujve me përdorim të dyfishtë

1. Autoriteti i Kontrollit Shtetëror të Eksporteve lëshon licenca individuale, të përgjithshme apo të pakufizuara për transferim ndërkombëtar të artikujve me përdorim të dyfishtë, duke aplikuar kriteret e përcaktuara në nenin 12, të këtij ligji.

Licenca individuale është e vlefshme për një periudhë të përcaktuar kohe, por jo më shumë se 1 (një) vit. Autoriteti i Kontrollit Shtetëror të Eksporteve, bazuar në kërkesën e aplikantit, mund ta zgjasë këtë periudhë, por jo përtej afatit të vlefshmërisë, të parashikuar në marrëveshjen ekonomike së cilës i referohet kjo licencë.

Licenca individuale mund të jetë objekt i kushteve shtesë të vendosura nga AKSHE-ja.

2. Licenca globale është e vlefshme për një periudhë të caktuar kohe, por jo më shumë se 2 (dy) vjet. Licenca globale mund të jetë objekt i kushteve shtesë të vendosura nga AKSHE-ja.

3. Licenca e përgjithshme është e vlefshme për një afat trevjeçar dhe mund të përdoret nga të gjithë personat fizikë/juridikë, të cilët veprojnë në përputhje me kërkesat dhe kushtet e parashikuara nga ky ligj, aktet nënligjore, si dhe në përputhje me kushtet e përcaktuara në licencën e përgjithshme.
4. Licenca e përgjithshme mund të mos përdoret nëse Autoriteti i Kontrollit Shtetëror të Eksporteve ka informuar eksportuesin, importuesin, ndërmjetësin, personin përgjegjës për transitin/transshipin apo ofruesin e asistencës teknike që mallrat në fjalë janë apo mund të jenë të destinuara, tërësisht apo pjesërisht, për qëllime në kundërshtim me këtë ligj apo kur eksportuesi, importuesi, ndërmjetësuesi, personi përgjegjës për transitin/transshipin apo ofruesi i asistencës teknike është në dijeni që mallrat janë të destinuara ose mund të jenë të destinuara për një qëllim të tillë.
Neni 22
Transiti i artikujve me përdorim të dyfishtë

1. Transitimi i artikujve dhe teknologjive me përdorim të dyfishtë nuk është objekt licencimi nga Autoriteti i Kontrollit Shtetëror të Eksporteve, përveç rastit të përcaktuar në pikën 2, të këtij neni.

2. Autoriteti i Kontrollit Shtetëror të Eksporteve, në bashkëpunim me organet e tjera shtetërore, merr vendimin për të ndaluar ose licencuar transitin e artikujve me përdorim të dyfishtë, të përcaktuara në listën e kontrollit apo artikujt që nuk bëjnë pjesë në listën e kontrollit, por mund të jenë të destinuara, në tërësi apo pjesërisht, për qëllime të parashikuara në nenin 11, të këtij ligji.

3. Autoriteti i Kontrollit Shtetëror të Eksporteve informon autoritetet doganore mbi vendimin për ndalimin e transitit apo licencimin e tij, menjëherë pas marrjes së vendimit, të cilit i referohet pika 2, e këtij neni.

Neni 23
Shërbimet ndërmjetësuese

1. Ndërmjetësimi i artikujve dhe i teknologjive me përdorim të dyfishtë nuk është objekt licencimi nga Autoriteti i Kontrollit Shtetëror të Eksporteve, përveç rastit të përcaktuar në pikën 2, të këtij neni.

2. Licenca do të kërkohet për shërbime ndërmjetësuese që kanë të bëjnë me artikuj me përdorim të dyfishtë, të përcaktuara në listën e kontrollit apo artikujt që nuk bëjnë pjesë në listën e kontrollit, nëse ndërmjetësuesi është informuar nga Autoriteti i Kontrollit Shtetëror të Eksporteve që artikuj të tillë janë apo mund të jenë të destinuar, në tërësi apo pjesërisht, për përdorime të përcaktuara në nenin 11, të këtij ligji.

3. Nëse ndërmjetësi është në dijeni apo ka baza për të dyshuar se artikuj me përdorim të dyfishtë, të përcaktuara në listën e kontrollit apo artikujt që nuk bëjnë pjesë në listën e kontrollit, në tërësi apo pjesërisht, janë apo mund të jenë të destinuara për qëllime të përcaktuara në nenin 11, ai njofton Autoritetin e Kontrollit Shtetëror të Eksporteve, i cili përcakton nëse duhet kërkuar licencë për shërbime të tilla ndërmjetësimi.

4. Shërbimet e ndërmjetësimit të cilit i referohen pikat 2 dhe 3, të këtij neni, mund të realizohen vetëm pasi Autoriteti i Kontrollit Shtetëror të Eksporteve lëshon licencë ndërmjetësimi apo merr vendimin se një licencë e tillë nuk është e nevojshme.

Neni 24
Asistenca teknike

1. Ofrimi i asistencës teknike për artikujt dhe teknologjitë me përdorim të dyfishtë nuk është objekt licencimi nga Autoriteti i Kontrollit Shtetëror të Eksporteve, përveç rastit të përcaktuar në pikën 2, të këtij neni.

2. Licenca do të kërkohet për asistencë teknike që ka të bëjë me artikujt me përdorim të dyfishtë të specifikuar në listën e kontrollit jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, nëse Autoriteti i Kontrollit Shtetëror të Eksporteve e ka informuar ofruesin e asistencës teknike që një asistencë e tillë është ose mund të jetë e destinuar për qëllime të parashikuara në nenin 11, të këtij ligji.

3. Nëse ofruesi i asistencës teknike është në dijeni apo ka baza për të dyshuar se asistenca teknike që ai synon të japë në lidhje me artikujt me përdorim të dyfishtë të përcaktuar në listë është ose mund të jetë e destinuar për qëllimet e përcaktuara në nenin 11, i këtij ligji, ai njofton Autoritetin e Kontrollit Shtetëror të Eksporteve, i cili përcakton nëse për një asistencë të tillë teknike nevojitet licencë.

4. Asistenca teknike e përcaktuar në pikat 2 dhe 3, të këtij neni, mund të jepet vetëm në rast se Autoriteti i Kontrollit Shtetëror të Eksporteve lëshon licencë apo arrin në përfundimin se një licencë e tillë nuk është e nevojshme.

Neni 25
Organizimi i programit të përputhshmërisë së brendshme në subjektet e përfshira në transferimet ndërkombëtare të mallrave të kontrolluara

1. Autoriteti i Kontrollit Shtetëror të Eksporteve i kërkon aplikantëve për licencën globale, si dhe përdoruesve të licencës së përgjithshme krijimin e një programi të detyrueshëm të përputhshmërisë së brendshme (këtej e tutje PPB).

2. Aplikantët për licencën globale dhe përdoruesit e licencave të përgjithshme për të cilat Autoriteti i Kontrollit Shtetëror të Eksporteve ka përcaktuar një PPB si të detyrueshëm, aplikojnë tek AKSHE-ja për certifikim të PPB-së.
Për certifikimin e PPB-së, autoriteti vlerëson përmbushjen e kritereve të mëposhtme:

a) Numrin e punonjësve të aplikantit, volumin e tregtisë, natyrën e transaksioneve, profilin e marrësve të ngarkesës dhe përdorimin e fundit të deklaruar të mallrave të kontrolluara, përvojën e vërtetuar në trajtimin dhe menaxhimin e tregtisë së mallrave të kontrolluara; historikun e përputhshmërisë me kontrollin; çdo vendim përkatës gjykate; licencat për transferimin ndërkombëtar të mallrave të kontrolluara dhe stafin drejtues me përvojë;
b) Caktimin e një punonjësi nga ana e aplikantit si përgjegjës për menaxhimin e kontrollit për transferimin ndërkombëtar me mallrat e kontrolluara;
c) Një angazhim me shkrim nga ana e aplikantit, i nënshkruar nga personi përgjegjës, i përcaktuar në shkronjën “b”, të pikës 2, të këtij neni, që të marrë të gjitha masat e nevojshme për të zbatuar dhe për të vënë në praktikë të gjitha kushtet specifike që kanë të bëjnë me përdorimin e fundit dhe kontrollet e tregtisë për çdo komponent specifik apo produkt të marrë apo të eksportuar;
ç) Një angazhim me shkrim nga aplikanti, të nënshkruar nga zyrtari i lartë ligjor, të përcaktuar në shkronjën “b”, të pikës 2, të këtij neni, për t’i dhënë Autoritetit të Kontrollit Shtetëror të Eksporteve informacion të hollësishëm për veprimet e ndërmarra në lidhje me procedurat e aplikantit për kryerjen e verifikimit të figurës së përdoruesve të fundit e të verifikimit dhe ligjshmërisë të përdorimit të fundit të gjitha mallrave të kontrolluara që janë për eksport, import, transit, transship, rieksport ose me të cilat duhet të ofrohen shërbimet ndërmjetësuese dhe asistencë teknike.
d) Konformitetin e PPB-së të zbatuar nga aplikanti me udhëzimet e përcaktuara nga Autoriteti i Kontrollit Shtetëror të Eksporteve.

3. Autoriteti i Kontrollit Shtetëror të Eksporteve asiston personat juridikë dhe fizikë në zhvillimin e PPB-së dhe i siguron atyre informacionin e nevojshëm, si dhe harton e publikon udhëzime për PPB-në.

4. Përfaqësuesit e autorizuar të AKSHE-së apo të agjencive të tjera të zbatimit të ligjit mund të auditojnë PPB-në. Nëse auditi gjen se PPB-ja nuk përmbush kriteret e identifikuara në këtë nen apo udhëzimet e përcaktuara nga AKSHE-ja, autoriteti merr masat për pezullimin apo shfuqizimin e licencës globale apo përdorimin e licencave të përgjithshme.

KREU V
PROCEDURAT E LICENCIMIT

Neni 26
Lëshimi i licencave/autorizimeve apo certifikatave
1. Për lëshimin e licencave/autorizimeve apo të certifikatave në transferimin ndërkombëtar të mallrave, personi fizik/juridik aplikon me shkrim tek Autoriteti i Kontrollit Shtetëror të Eksporteve, duke dorëzuar dokumentet e nevojshme për shqyrtim dhe vlerësim. Këto dokumente, të cilat i bashkëlidhen aplikimit, përmbajnë të dhëna të sakta për mallrat dhe procedurat e transferimit ndërkombëtar të tyre, si dhe dokumentet e garancisë origjinale për këto transferta.
2. Autoriteti i Kontrollit Shtetëror të Eksporteve, së bashku me organet dhe strukturat e tjera shtetërore, kryen vlerësimin e transferimit ndërkombëtar bazuar në kriteret e vlerësimit të nenit 12, të këtij ligji.

3. Autoriteti i Kontrollit Shtetëror të Eksporteve miraton me urdhër të titullarit modelet standarde të licencave/autorizimeve dhe të certifikatave, formatet e kërkesave të aplikimit për këto dokumente, si dhe kriteret për aplikim.

Neni 27
Afati kohor për shqyrtimin e një aplikimi për licencë/certifikatë

1. Afati kohor për vlerësimin e një aplikimi përcaktohet në përputhje me kategoritë e mallrave, por nuk duhet të tejkalojë afatet e mëposhtme kohore që nga data e dorëzimit të plotë të dokumentacionit:

a) 45 (dyzet e pesë) ditë për eksportin, rieksportin dhe veprimtarinë ndërmjetësuese të mallrave ushtarake;
b) 30 (tridhjetë) ditë për importin e mallrave ushtarake dhe për certifikatën e regjistrimit për mallrat ushtarake;
c) 30 (tridhjetë) ditë për eksportin, rieksportin dhe veprimtaritë e ndërmjetësimit të artikujve e teknologjive me përdorim të dyfishtë;
ç) 20 (njëzet) ditë për importin e artikujve e teknologjive me përdorim të dyfishtë;
d) 15 (pesëmbëdhjetë) ditë për transitin/transshipin, asistencën teknike, si dhe importin/eksportin e përkohshëm të mallrave të kontrolluara për arsye ekspozimi, panaire, reklama, teste dhe qëllime të tjera të ngjashme, nëse kjo nuk kërkon transferimin e pronësisë;
dh) 15 (pesëmbëdhjetë) ditë për certifikatat e importit ndërkombëtar, certifikatat e përdoruesit të fundit, certifikatat e mbërritjes së mallit në destinacion.

2. Afatet e përcaktuara në pikën 1, të këtij neni, nuk përfshijnë kohën që nevojitet për të marrë informacion shtesë nga subjektet (persona juridikë ose fizikë) të përfshirë në transferimin ndërkombëtar të mallrave.

3. Nëse informacioni shtesë që i kërkohet aplikantit nuk merret brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditësh nga data e kërkesës së Autoritetit për informacionin shtesë, aplikimi për licencë/certifikatë apo autorizim konsiderohet i refuzuar dhe nuk është objekt shqyrtimi.

4. Afatet kohore mund të zgjaten deri në 30 (tridhjetë) ditë, në rastet kur iu kërkohen informacione shtesë organeve të tjera shtetërore të përfshira në sistemin e kontrollit të eksporteve.

Neni 28
Ekspertiza teknike gjatë vlerësimit

1. Para fillimit të veprimtarive të transferimeve ndërkombëtare, eksportuesi, importuesi, ndërmjetësuesi, personi përgjegjës për transitin dhe ofruesi i asistencës teknike duhet të përcaktojnë nëse mallrat në fjalë janë mallra të kontrolluara, sipas dispozitave të këtij ligji dhe akteve nënligjore në zbatim të tij.

2. Autoriteti i Kontrollit Shtetëror të Eksporteve kryen vlerësimin në fushën e kontrollit shtetëror të eksporteve për të zgjidhur çështje lidhur me lëshimin e licencave apo të certifikatave.

3. Autoriteti i Kontrollit Shtetëror të Eksporteve mund të caktojë ekspertë të jashtëm për të zgjidhur çështjet që nuk mund të mbulohen nga institucionet shtetërore.

4. Personat që kanë konflikt interesi nuk mund të emërohen ekspertë. Aplikanti për licencë ose certifikatë do të mbulojë kostot që mund të rezultojnë nga ekspertiza.

5. Ekspertiza nuk do të zgjasë më shumë se 15 (pesëmbëdhjetë) ditë nga data e marrjes të të gjitha dokumenteve të nevojshme dhe ky afat do t’i shtohet afateve të përmendura në nenin 27, të këtij ligji.

Neni 29
Refuzimi i një aplikimi

1. Aplikimi për marrjen e licencave, të autorizimeve apo të certifikatave refuzohet nga Autoriteti i Kontrollit Shtetëror të Eksporteve nëse:

a) institucionet apo organet e tjera qeveritare, që kanë autoritet mbi kontrollet e transferimeve ndërkombëtare, nuk japin pëlqimin e tyre gjatë vlerësimit;
b) ekzistojnë kushtet e parashikuara në nenin 12, të këtij ligji;
c) informacioni i dhënë në kërkesë qëllimisht është jo i plotë apo i pasaktë, apo ato janë formuluar në kundërshtim me kërkesat e parashikuara në këtë ligj;
ç) ekzistojnë arsye të tjera që bien në kundërshtim me legjislacionin shqiptar në fuqi ose me marrëveshjet ndërkombëtare të ratifikuara.

2. Në rast se aplikimi për marrjen e licencave apo të certifikatës refuzohet, Autoriteti i Kontrollit Shtetëror të Eksporteve njofton aplikantin, si dhe organin shtetëror përgjegjës sipas pikës “a”, të pikës 1, të këtij neni, brenda 3 (tri) ditëve nga marrja e vendimit përkatës, duke dhënë shpjegimet dhe arsyet ku bazohet vendimi i refuzimit.

Neni 30
Pezullimi i licencave, autorizimeve, certifikatave

1. Autoriteti i Kontrollit Shtetëror të Eksporteve pezullon licencën, autorizimin, certifikatën e lëshuar nëse:

a) Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara apo një organizatë tjetër ndërkombëtare ku Republika e Shqipërisë është anëtare vendos masa kufizuese kundër vendit për të cilin ishte lëshuar licenca apo nëse ka ndryshime të rrethanave të tjera që mund të ndikojnë në pozicionin e politikës së jashtme apo të interesave të mbrojtjes së vendit;
b) përcakton se një apo më shumë kushte në bazë të cilave është lëshuar licenca nuk ekzistojnë më;
c) në rastet e emergjencës, lidhur me nevojat dhe interesin e sigurisë kombëtare ose për të garantuar përmbushjen e detyrimeve ndërkombëtare të Republikës së Shqipërisë.

2. Autoriteti i Kontrollit Shtetëror të Eksporteve mund të miratojë një vendim për pezullimin e përkohshëm të licencës nëse, bazuar tek informacioni që ka vetë apo informacioni i marrë nga autoritete të tjera shtetërore, zbulon që është e nevojshme të bëhen verifikime shtesë të të dhënave.

3. Republika e Shqipërisë nuk mban përgjegjësi ligjore për dëme të mundshme të shkaktuara nga pezullimi i licencës në rastet e përcaktuara në pikat e këtij neni.

Neni 31
Shfuqizimi i licencave, i autorizimeve, i certifikatave

1. Autoriteti i Kontrollit Shtetëror të Eksporteve miraton një vendim për shfuqizimin e licencës, autorizimit, certifikatës së lëshuar nëse:

a) përcaktohet se pas lëshimit, kriteret ose njëri prej tyre, të vendosura në nenin 12, përputhen;
b) një eksportues, importues, transitues, ndërmjetësues apo ofrues i asistencës teknike nuk vepron në përputhje me licencën;
c) përcakton që licenca është dhënë në bazë të informacionit të pasaktë apo të paplotë;
ç) subjekti në fjalë fshihet nga regjistri i subjekteve që merren me transferimin ndërkombëtar të mallrave ushtarake;
d) nëse subjekti i përfshirë në transferimin ndërkombëtar të mallrave falimenton dhe ndaj tij nisin procedurat ligjore përkatëse të falimentimit;
dh) përcaktohet se pas lëshimit, kriteret e shkronjave “b” dhe “c”, të nenit 13, përputhen.

2. Republika e Shqipërisë nuk mban përgjegjësi ligjore për dëme të mundshme të shkaktuara nga shfuqizimi i licencës, i autorizimit, i certifikatës në rastet e përcaktuara në pikat e këtij neni.

Neni 32
Mbajtja e të dhënave

Autoriteti i Kontrollit Shtetëror të Eksporteve ruan në arkivin e tij, për një afat kohor 10 (dhjetë) vjet, të gjithë dokumentacionin në lidhje me lëshimin, pezullimin apo shfuqizimin e licencës/autorizimit/certifikatës apo refuzimit të aplikimit, si edhe aplikimet dhe dokumentet e tjera të paraqitura nga subjektet përkatëse dhe institucionet shtetërore.

KREU VI
KONTROLLI SHTETËROR PËR VEPRIMTARITË LIDHUR ME TRANSFERIMET NDËRKOMBËTARE TË MALLRAVE TË KONTROLLUARA

Neni 33
Parimet e nënshkrimit të kontratave me vendet e huaja për transferimet ndërkombëtare të mallrave të kontrolluara

1. Marrëveshjet apo kontratat ekonomike me vendet e huaja për transferimin ndërkombëtar të mallrave të kontrolluara nënshkruhen nga subjekte të përfshira në veprimtari ekonomike me vendet e huaja, në përputhje me legjislacionin e Republikës së Shqipërisë dhe të politikave shtetërore që Këshilli i Ministrave ka vendosur në këtë fushë.

2. Subjektet tregtare vendase, të përfshira në veprimtari ekonomike me jashtë, gjatë procesit të hartimit të këtyre marrëveshjeve apo të kontratave dhe mënyrave të tjera të transferimit ndërkombëtar të mallrave, të parashikuara nga ky ligj, prezumohet se janë në dijeni që mallrat dhe artikujt, objekt i këtyre transferimeve (marrëveshje e kontrata), mund të përdoren nga shtete të tjera ose nga subjekte ekonomike të huaja për krijimin e armëve të dëmtimit në masë dhe mënyrave të përhapjes së tyre.

3. Një subjekt i përfshirë në veprimtari ekonomike me vendet e huaja është i detyruar të refuzojë zbatimin e një marrëveshjeje/kontrate ekonomike me vendet e huaja për transferimin ndërkombëtar të mallrave, nëse ai njoftohet se mallrat do të përdoren për qëllime të tjera nga ato që thuhet në marrëveshje/kontratë ose në dokumente të tjera në lidhje me këtë transferim, ose do të përdoren nga një përdorues i fundit, i ndryshëm nga ai për të cilin është lëshuar licenca.

Neni 34
Kontrolli shtetëror ndaj kryerjes së negociatave për nënshkrimin e një marrëveshjeje ekonomike apo kontrate me vendet e huaja

1. Subjektet vendase të përfshira në transferimin ndërkombëtar të mallrave të kontrolluara me vendet/subjektet ose individët e huaj duhet të marrin një autorizim nga Autoriteti i Kontrollit Shtetëror të Eksporteve për të kryer negociata për nënshkrimin e një marrëveshjeje/kontrate ekonomike për eksportin e mallrave të kontrolluara te një vend/subjekt ose tek individë të huaj të cilët janë nën embargo të pjesshme apo masa shtrënguese.

2. Për të vendosur dhe për të shqyrtuar kërkesat për dhënien e autorizimit për negociata, të cilave i referohet pika 1, e këtij neni, Autoriteti i Kontrollit Shtetëror të Eksporteve mund të përfshijë organe të tjera shtetërore dhe të marrë mendimet e tyre.

Procedurat dhe kërkesat për marrjen e autorizimit do të përcaktohen me urdhër të organit drejtues të AKSHE-së.

3. Pajisja me autorizim për kryerjen e negociatave nuk e detyron Autoritetin e Kontrollit Shtetëror të Eksporteve që të lëshojë një licencë për eksport.

Neni 35
Kontrolli shtetëror mbi përdorimin e fundit të mallrave

1. Një subjekt i përfshirë në transferimet ndërkombëtare të mallrave të kontrolluara i jep Autoritetit të Kontrollit Shtetëror të Eksporteve informacion gjithëpërfshirës dhe të saktë për përdoruesin e fundit të mallrave të kontrolluara të cilat janë objekt i transferimit ndërkombëtar, si edhe paraqet certifikatën origjinale për përdorimin e mallrave vetëm sipas qëllimit të përdorimit të deklaruar nga përdoruesi i fundit.

2. Subjektet e përfshira në transferime ndërkombëtare të mallrave marrin masa për të verifikuar mbërritjen e mallrave në destinacion dhe përdoruesin e fundit dhe në vijim të këtij verifikimi, i japin Autoritetit të Kontrollit Shtetëror të Eksporteve informacionin për kryerjen e verifikimit të nevojshëm.

3. Në përputhje me procedurat e dhëna në këtë nen, Autoriteti i Kontrollit Shtetëror të Eksporteve dhe organet e tjera shtetërore të autorizuara kanë të drejtën të kontrollojnë dhe të inspektojnë ambientet, dokumentet e mbërritjes së mallrave në destinacion dhe përdorimin e mallrave në të gjitha fazat e transferimit ndërkombëtar edhe pas mbërritjes te përdoruesi i fundit vendas.

4. Kontrolli shtetëror për mbajtjen e zotimeve të përdoruesve të fundit vendas për përdorimin e mallrave të importuara në përputhje me qëllimin e deklaruar në licencë kryhet në bazë të analizës së raporteve të paraqitura nga subjekti, që është përdorues i fundit për përdorimin aktual të mallrave, si edhe në bazë të kontrolleve të mallrave në mënyrë selektive të kryera nga përdoruesi i fundit.

5. Kontrolle të tilla kryhen nga zyrtarë të autorizuar nga Autoriteti i Kontrollit Shtetëror të Eksporteve.

6. Përfaqësuesit e eksportuesve të huaj apo të organeve shtetërore të vendit eksportues, pasi kanë njoftuar AKSHE-në, mund të marrin pjesë në verifikimin e përdorimit nga përdoruesi i fundit shqiptar të mallrave të importuara më parë nën garancinë shtetërore për përdorimin e tyre, në përputhje me qëllimet e deklaruara, vetëm nëse është përcaktuar në marrëveshjet apo kontratat ekonomike ose në qoftë se kjo e drejtë rrjedh nga detyrimet e përfshira në marrëveshjet ndërkombëtare, në të cilat janë palë vendi eksportues dhe Republika e Shqipërisë.

7. Autoriteti i Kontrollit Shtetëror të Eksporteve mund të kontrollojë me anë të dokumenteve ose nëpërmjet shërbimit diplomatik, kur është e mundur, mbi përdorimin nga ana përdoruesit të fundit të huaj, të mallrave të eksportuara nga Shqipëria në territorin e vendeve të këtyre përdoruesve, nën garancinë shtetërore të përdorimit të tyre në përputhje me qëllimet e deklaruara.

8. Procedurat lidhur me lëshimin e garancive dhe kryerjen e kontrollit shtetëror, në përputhje me detyrimet për përdorimin e fundit të mallit, duke përfshirë lëshimin e certifikatave të importit ndërkombëtar dhe certifikatën e përdoruesit të fundit dhe certifikatat e mbërritjes së mallit në destinacion, përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

Neni 36
Kontrolli doganor

1. Kontrolli doganor i mallrave dhe procedurat e tjera doganore kryhen në bazë të Kodit Doganor të Republikës së Shqipërisë dhe të akteve nënligjore të dala në zbatim të tij, si dhe të këtij ligji.

2. Autoriteti i Kontrollit Shtetëror të Eksporteve duhet t’u japë autoriteteve doganore një kopje të licencës së lëshuar për transferimin ndërkombëtar të mallrave të kontrolluara, si dhe duhet ta informojë mbi vendimet për pezullime apo shfuqizime të licencave të lëshuara.

3. Në kryerjen e detyrave të përcaktuara në pikën 1, të këtij neni, autoriteti doganor mund të kërkojë asistencën e AKSHE-së për identifikimin dhe klasifikimin e mallrave të kontrolluara gjatë transferimit ndërkombëtar të tyre dhe për të përcaktuar nëse ato janë në përputhje me licencën e lëshuar ose kanë nevojë për licencë.

4. Nëse autoriteti doganor vërteton se janë shkelur dispozitat e këtij ligji apo të Kodit Doganor apo ka dyshime të arsyetuara se:

a) informacioni përkatës nuk u mor parasysh kur u lëshua licenca; ose
b) rrethanat kanë ndryshuar materialisht që nga koha e lëshimit të licencës, pezullon procesin e transferimit ndërkombëtar të mallrave të kontrolluara në territorin e Republikës së Shqipërisë, si dhe kërkon asistencën e AKSHE-së, sipas përcaktimeve të pikës 3, të këtij neni, në mënyrë që të merret vendimi përfundimtar.

Neni 37
Detyrimet e mbajtjes të të dhënave për subjektet e përfshira në transferimet ndërkombëtare të mallrave të kontrolluara

1. Subjektet e përfshira në transferimet ndërkombëtare të mallrave të kontrolluara, të cilat janë pajisur me licencë, i paraqesin Autoritetit të Kontrollit Shtetëror të Eksporteve raport me shkrim mbi transferimet aktuale të mallrave të përmendura në këto dokumente dhe për përdorimin e këtyre mallrave sipas qëllimit të deklaruar.

2. Autoriteti i Kontrollit Shtetëror të Eksporteve përcakton me urdhër të organit drejtues formatin dhe afatet, kohën për paraqitjen e raporteve.

3. Subjektet që merren me transferimin ndërkombëtar të mallrave ushtarake janë të detyruara të arkivojnë për një kohë prej të paktën 20 (njëzet) vjetësh, pas finalizimit të transferimit ndërkombëtar dhe 10 (dhjetë) vjet në rastet e mallrave me përdorim të dyfishtë dokumentacionin e mëposhtëm:

a) Përshkrimin teknik të mallrave që mundëson klasifikimin e mallrave në listën kombëtare të mallrave të kontrolluara, bazuar në dispozitat e këtij ligji, nomenklaturën e tarifave doganore, si dhe klasifikimin për mallrat e rrezikshme sipas Organizatës së Kombeve të Bashkuara, kur është e rastit;
b) Sasinë e mallrave në njësi matëse dhe peshë neto të mallrave;
c) Emrin dhe adresën e plotë të eksportuesit, importuesit, personit përgjegjës të transitit, transshipit, rieksportuesit apo ofruesit të shërbimeve të ndërmjetësimit ose të shërbimeve të asistencës teknike:

i. emrin dhe adresën e plotë të shitësit apo të marrësit të mallrave;
ii. emrin dhe adresën e plotë të përdoruesit të fundit të mallrave.

ç) Përshkrimin e shërbimeve të ndërmjetësimit, emrin dhe adresën e plotë të marrësit/marrësve dhe të palëve të tjera, (sipas rastit);
d) Çdo korrespondencë biznesi, postë elektronike dhe incizimet audio-video lidhur me eksportet, importet, transitet, transshipet, rieksportet dhe ofrimin e shërbimeve të ndërmjetësimit ose asistencës teknike që përfshijnë mallrat e kontrolluara;
dh) Porositë, faturat, kontratat, fletëporositë, fletët e shoqërimit, listat e ngarkimit dhe dokumente të tjera lidhur me eksportin, importin, transitin, transshipin, rieksportin dhe ofrimin e shërbimeve të ndërmjetësimit ose të asistencës teknike që përfshijnë mallrat e kontrolluara;
e) Çdo dokument tjetër të përcaktuar nga Autoriteti i Kontrollit Shtetëror të Eksporteve.

Neni 38
Detyrimet për raportim për subjektet e përfshira në transferimet ndërkombëtare të mallrave të kontrolluara

1. Subjektet e përfshira në transferimet e mallrave, që kanë marrë licencë, janë të detyruara që:

a) me kërkesë të një zyrtari të Autoritetit të Kontrollit Shtetëror të Eksporteve apo një organi tjetër mbikëqyrës, të ofrojnë të gjithë dokumentacionin e përcaktuar në nenin 37, të këtij ligji.
b) të respektojnë kushtet mbi të cilat është lëshuar licenca dhe të njoftojnë Autoritetin e Kontrollit Shtetëror të Eksporteve brenda 5 (pesë) ditëve për çdo ndryshim që ka ndodhur në transferimin ndërkombëtar të mallrave të kontrolluara;
c) të njoftojnë me shkrim Autoritetin e Kontrollit Shtetëror të Eksporteve për çdo ndryshim lidhur me përdoruesin e fundit apo një palë tjetër në një transferim ndërkombëtar të mallrave të kontrolluara, brenda 10 (dhjetë) ditëve nga data e ndryshimit;
ç) me kërkesë të Autoritetit të Kontrollit Shtetëror të Eksporteve të sigurojnë konfirmimin e dorëzimit dhe marrjes së mallrave;
d) të kthejnë çdo licencë të përdorur tek Autoriteti i Kontrollit Shtetëror të Eksporteve brenda 7 (shtatë) ditëve nga finalizimi i transaksionit përkatës;
dh) të kthejnë çdo licencë apo certifikatë të papërdorur tek Autoriteti i Kontrollit Shtetëror të Eksporteve brenda 7 (shtatë) ditëve nga skadimi i licencës apo i certifikatës;
e) të respektojnë detyrimet, termat dhe kushtet e tjera që janë pjesë e licencave apo certifikatave të lëshuara nga Autoriteti i Kontrollit Shtetëror të Eksporteve bazuar në këtë ligj.

2. Formatet e raportimit si dhe afatet e koha e paraqitjes së raporteve do të përcaktohen me urdhër të organit drejtues të AKSHE-së.

KREU VII
PARANDALIMI I SHKELJEVE DHE PËRGJEGJËSITË PËR KONTROLLIN E EKSPORTEVE

Neni 39
Parandalimi i shkeljeve të legjislacionit dhe përgjegjësia për kontrollin shtetëror të eksporteve

1. Në mënyrë që të parandalojnë shkeljet e legjislacionit në fushën e kontrollit shtetëror të eksporteve, Autoriteti i Kontrollit Shtetëror të Eksporteve dhe organet e tjera shtetërore, brenda përgjegjësive që iu njihen me ligj, kanë të drejtë të kontrollojnë dokumentacionin apo të inspektojnë ambientet e subjekteve të përfshira në transferimin ndërkombëtar, për të parandaluar shkelje të legjislacionit në fushën e kontrollit shtetëror të eksporteve, përfshirë edhe kontrollin e mbërritjes në destinacion të mallrave, korrespondencën, dokumentet lidhur me objektivat e deklaruar dhe dokumente të tjera, mbi të cilat bazohet transferimi ndërkombëtar i mallrave.

2. Inspektimi kryhet në përputhje me këtë ligj dhe me ligjin nr.10433, datë 16.6.2011, “Për inspektimin në Republikën e Shqipërisë”.

3. Kur organet e tjera shtetërore vërejnë shkeljet e parashikuara në nenin 41, të këtij ligji, ato njoftojnë menjëherë Autoritetin e Kontrollit Shtetëror të Eksporteve.

4. Kur ka të dhëna të mjaftueshme që tregojnë se po bëhen tentativa për të kryer një vepër penale ose kur ajo është kryer në fakt nga ndonjë subjekt dhe nëse në të janë të përfshira edhe mallra, që janë objekt i kontrollit shtetëror të eksporteve, Autoriteti i Kontrollit Shtetëror të Eksporteve njofton autoritetet penale.

Neni 40
Përgjegjësia e personave dhe e subjekteve të përfshira në transferimet ndërkombëtare të mallrave për shkeljet e legjislacionit në fushën e kontrollit shtetëror të eksporteve

Subjektet e përfshira në veprimtari ekonomike me vendet e huaja, personat fizikë, që shkelin legjislacionin në fushën e kontrollit shtetëror të eksporteve, mbajnë përgjegjësi penale, administrative dhe civile, sipas shkeljes së kryer, në përputhje me dispozitat e parashikuara në këtë ligj apo në Kodin Penal të Republikës së Shqipërisë.

Neni 41
Shkeljet e legjislacionit në fushën e kontrollit shtetëror të eksporteve

Shkeljet e mëposhtme, të kryera nga personat fizikë/juridikë, kur nuk përbëjnë vepër penale sipas Kodit Penal, përbëjnë kundërvajtje administrative:

a) Kryerja e transferimit ndërkombëtar të mallrave të kontrolluara në mungesë të licencës apo të certifikatës, sipas procedurave ligjore;
b) Kryerja e transferimit ndërkombëtar të mallrave të kontrolluara, në bazë të licencave, të autorizimeve dhe të certifikatave, të lëshuara në bazë të dokumenteve false ose të dokumenteve që përmbajnë informacion të rremë;
c) Kryerja e transferimeve ndërkombëtare të mallrave të kontrolluara në kundërshtim me kushtet e parashikuara në licencë ose certifikatë, duke përfshirë ndërhyrjen dhe bërjen e ndryshimeve në marrëveshjen/kontratën ekonomike me vendet e huaja pa dijeninë e Autoritetit të Kontrollit Shtetëror të Eksporteve, si dhe tek emrat dhe kushtet e vendosura nga eksportuesi, importuesi, ndërmjetësi dhe përdoruesi i fundit dhe te përshkrimi i mallrave, zotimet për përdorimin e fundit dhe dhënien e garancive;
ç) Ndryshimi i destinacionit të mallrave të kontrolluara gjatë transferimeve ndërkombëtare dhe përdorimi për qëllime të ndryshme apo nga përdorues të fundit të tjerë, të ndryshëm nga ajo që është deklaruar në marrëveshjen/kontratën ekonomike me vendet e huaja dhe në dokumentet e tjera që lidhen me të, në bazë të të cilave është lëshuar licenca, autorizimi dhe certifikata ndërkombëtare e importit;
d) Nënshkrimi i marrëveshjeve/kontratave ekonomike për transferimin ndërkombëtar të çfarëdolloj malli ose pjesëmarrja në zbatimin e tyre, në një mënyrë që nuk është përcaktuar nga ky ligj, nëse subjekti i përfshirë në këtë transferim ka marrë informacion se mallrat do të përdoren nga vendi ose subjekti i huaj për krijimin e armëve të shkatërrimit në masë, si dhe për mjetet e përhapjes të tyre;
dh) Fshehja e qëllimshme e informacionit, që mund të ndikojë në marrjen e vendimeve për dhënien e licencës, autorizimit dhe certifikatës;
e) Shkatërrimi i qëllimshëm i dokumenteve që lidhen me transferimin ndërkombëtar të mallrave të kontrolluara, në bazë të të cilave janë lëshuar licencat, autorizimet apo certifikatat, përpara afatit të parashikuar në nenin 37, të këtij ligji;
ë) Mosparaqitja e certifikatës së verifikimit të dorëzimit të lëshuar nga vendi i destinacionit të fundit apo i përdoruesit të fundit që konfirmon marrjen e mallrave të kontrolluara të eksportuara, pas kërkesës së Autoritetit të Kontrollit Shtetëror të Eksporteve;
f) Kryerja e negociatave pa autorizimin e Autoritetit të Kontrollit Shtetëror të Eksporteve për nënshkrimin e marrëveshjeve/kontratave ekonomike për eksportin e mallrave të kontrolluara në një shtet/individ apo subjekt nën embargo të pjesshme;
g) Krijimi i pengesave në ushtrimin e detyrës zyrtare nga punonjësit e Autoritetit të Kontrollit Shtetëror të Eksporteve dhe organet e tjera shtetërore, që kryejnë kontrollin shtetëror të eksporteve, sipas kompetencave ligjore që u jep ky ligj;
gj) Refuzimi i pabazuar për dhënien e informacionit dhe të dokumenteve të kërkuara nga Autoriteti i Kontrollit Shtetëror të Eksporteve ose nga ndonjë organ tjetër, që kryen kontrollin shtetëror të eksporteve brenda kompetencave të tij ligjore, dhe shtrembërimin me dashje apo fshehje të tyre.
h) Mosparaqitja ose paraqitja me vonesë e raporteve dhe dokumenteve përkatëse, si dhe mosnjoftimi ose mosinformimi tek Autoriteti i Kontrollit Shtetëror të Eksporteve, sipas dispozitave të këtij ligj dhe aktet nënligjore të tij;
i) Mospërputhja me kushtet për mbajtjen e regjistrave, siç parashikon ky ligj dhe aktet nënligjore të tij;
j) Mosinformimi me shkrim i Autoritetit të Kontrollit Shtetëror të Eksporteve brenda një afati prej 15 (pesëmbëdhjetë) ditësh, për çdo ndryshim lidhur me licencën apo certifikatën e lëshuar;
k) Moskthimi i licencës që nuk është zbatuar, në Autoritetin e Kontrollit Shtetëror të Eksporteve, brenda një afati prej 15 (pesëmbëdhjetë) ditësh nga data e skadimit të saj.

Neni 42
Gjobat dhe ndëshkimet administrative për shkelje të legjislacionit në fushën e kontrollit të eksporteve

1. Autoriteti i Kontrollit Shtetëror të Eksporteve vendos dënim kryesor me gjobë ndaj subjekteve tregtare, të përfshira në transferimet ndërkombëtare të mallrave, si më poshtë:

a) Për shkelje të parashikuara nga shkronjat “a”, “b”, “c”, “ç” dhe “d”, të nenit 41, të këtij ligji, nga 500 000 (pesëqind mijë) – 5 000 000 (pesë milionë) lekë;
b) Për shkelje të parashikuara nga shkronjat “dh”, “e”, “ë” dhe “f”, të nenit 41, të këtij ligji, nga 200 000 (dyqind mijë) – 2 000 000 (dy milionë) lekë;
c) Për shkelje të parashikuara nga shkronjat “g” dhe “gj”, të nenit 41, të këtij ligji, nga 100 000 (njëqind mijë) – 1 000 000 (një milion) lekë;
ç) Për shkelje të parashikuara nga shkronjat “h” dhe “i”, të nenit 41, të këtij ligji, nga 50 000 (pesëdhjetë mijë) – 500 000 (pesëqind mijë) lekë;
d) Për shkelje të parashikuara nga shkronjat “j” dhe “k”, të nenit 41, të këtij ligji, nga 10 000 (dhjetë mijë) – 20 000 (njëzet mijë) lekë.

2. Subjekteve të pikës 1, përsëritëse të shkeljeve të parashikuara, në shkronjat “a” dhe “b”, të këtij neni, përveç gjobës, mund t’u caktohet një masë shtesë që ndalon kryerjen e transferimit ndërkombëtar të mallrave të kontrolluara. Masa shtesë e përcaktuar vendoset për një periudhë deri në 3 (tre) vjet nga data e vendimit përfundimtar.

3. Autoriteti i Kontrollit Shtetëror të Eksporteve, përveç sanksioneve administrative të parashikuara në nenin 41, të këtij ligji, mund të shfuqizojë licencën apo certifikatën dhënë këtyre subjekteve apo t’i çregjistrojë (në rastin e mallrave ushtarake) kur ata përsërisin shkeljet apo nuk marrin masa për t’i korrigjuar ato.

4. Në rastet e hetimit penal në lidhje me vepra penale të lidhura me aktivitetin e transferimeve ndërkombëtare apo me sigurinë kombëtare, licenca e lëshuar nga Autoriteti i Kontrollit Shtetëror të Eksporteve mund të pezullohet deri në përfundim të hetimit të çështjes penale.

Neni 43
Ankimi kundër vendimeve të Autoritetit të Kontrollit Shtetëror të Eksporteve

Vendimi i marrë nga Autoriteti i Kontrollit Shtetëror të Eksporteve për të vendosur gjoba, pezulluar, revokuar licencën, certifikatën apo autorizimin apo çregjistrim të një subjekti të përfshirë në transferimet ndërkombëtare të mallrave ushtarake mund të ankimohet në përputhje me Kodin e Procedurave Administrative. Shteti shqiptar nuk mban asnjë përgjegjësi ndaj një subjekti për humbjet e shkaktuara për shkak të pezullimit apo të shfuqizimit të licencës, autorizimit, certifikatës dhe garancisë shtetërore, nëse këto veprime janë ndërmarrë për qëllime të mbrojtjes së interesave kombëtare dhe garantimit të përmbushjes së detyrimeve ndërkombëtare të shtetit.

Neni 44
Autoriteti për vendosjen e gjobave për shkeljet e legjislacionit në fushën e të transferimeve të mallrave të kontrolluara

1. Gjobat e parashikuara nga neni 42, i këtij ligji, në emër të Autoritetit të Kontrollit Shtetëror të Eksporteve, vendosen nga një komision prej 3 (tre) anëtarësh, i cili krijohet dhe drejtohet nga drejtuesi i tij, në përputhje me dispozitat e këtij ligji dhe ligjin për inspektimin.

2. Kur personi i autorizuar i Autoritetit të Kontrollit Shtetëror të Eksporteve vëren njërën nga shkeljet e parashikuara në nenin 41, të këtij ligji, harton një procesverbal, të cilit i bashkëlidhen shpjegimet e drejtuesit të subjektit që ka bërë shkeljen dhe të zyrtarëve të tjerë përgjegjës, si dhe dokumentet e tjera të nevojshme që vërtetojnë shkeljen, të cilat ia paraqet komisionit të autoritetit të përmendur në pikën 1, të këtij neni.

3. Në rast se shkeljet e parashikuara në nenin 41, të këtij ligji, konstatohen nga zyrtari i autorizuar gjatë kryerjes së inspektimit, gjobat e parashikuara në nenin 42, të këtij ligji, vendosen nga vetë zyrtari i autorizuar, në përputhje me këtë ligj dhe me ligjin për inspektimin.

4. Kundër vendimit të komisionit, të marrë sipas pikës 1 këtij neni, mund të bëhet ankim administrativ te ministri përgjegjës për mbrojtjen dhe ndaj vendimit të ministrit mund të bëhet ankim në gjykatën kompetente, në përputhje me këtë ligj dhe ligjin për inspektimin.

5. Kundër vendimit të zyrtarit të autorizuar, të marrë sipas pikës 3, të këtij neni, mund të bëhet ankim administrativ te komisioni i përcaktuar në pikën 1, të këtij neni, në përputhje me këtë ligj dhe me ligjin për inspektimin dhe ndaj vendimit të komisionit, sipas kësaj pike, mund të bëhet ankim i drejtpërdrejtë në gjykatën kompetente, në përputhje me këtë ligj dhe me ligjin për inspektimin.

6. Gjoba paguhet nga subjekti brenda 30 (tridhjetë) ditëve. Në rast të mospagesës brenda këtij afati zbatohet legjislacioni në fuqi për kundërvajtjet administrative.

7. Gjobat e vendosura nga Autoriteti i Kontrollit Shtetëror të Eksporteve derdhen 100% në buxhetin e shtetit.

KREU VIII
MBËSHTETJA FINANCIARE PËR KONTROLLIN SHTETËROR TË EKSPORTEVE

Neni 45
Financimi i veprimtarisë së kontrollit shtetëror të eksporteve

Veprimtaria e institucionit përgjegjës për kontrollin shtetëror të eksporteve financohet nga buxheti i shtetit.

Neni 46
Mbledhja e tarifave për regjistrimin dhe nxjerrjen e dokumenteve

1. Për lëshimin e dokumenteve të regjistrimit të subjekteve të përfshira në transferimin ndërkombëtar të mallrave ushtarake, të licencave, të autorizimit dhe të certifikatave në territorin e Republikës së Shqipërisë, paguhet një tarifë e cila përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave.

2. Të ardhurat e krijuara nga AKSHE-ja, nga vlera e tarifave referuar pikës 1, të këtij neni, përdoren në përputhje me vendimin nr.432, datë 28.6.2006, të Këshillit të Ministrave, “Për krijimin dhe administrimin e të ardhurave që krijojnë institucionet buxhetore”.

KREU IX
DISPOZITA KALIMTARE DHE TË FUNDIT

Neni 47
Dispozita kalimtare

Për procedurat e licencimit, kontrollit, raportimeve të nisura para hyrjes në fuqi të këtij ligji, zbatohen dispozitat e ligjit nr.9707, datë 5.4.2007, “Për kontrollin shtetëror të veprimtarisë së import-eksportit të mallrave ushtarake dhe mallrave e teknologjive me përdorim të dyfishtë”.

Neni 48
Aktet nënligjore dhe rregullat e brendshme

1. Këshilli i Ministrave brenda 3 (tre) muajve miraton aktet e përcaktuara në pikën 4, të nenit 9, në pikën 1, të nenit 10, në pikën 2, të nenit 20, në pikën 8, të nenit 35, dhe në pikën 1, të nenit 46, të këtij ligji.

2. AKSHE-ja miraton aktet nënligjore në zbatim të këtij ligji, të parashikuara në pikën 2, të nenit 14, në pikën 3, të nenit 25, në pikën 3, të nenit 26, në paragrafin 2, të pikës 2, të nenit 34, në pikën 2, të nenit 37, dhe në pikën 2, të nenit 38, të këtij ligji.

Neni 49
Shfuqizime

1. Ligji nr.9707, datë 5.4.2007, “Për kontrollin shtetëror të veprimtarisë së import-eksportit të mallrave ushtarake dhe mallrave e teknologjive me përdorim të dyfishtë”, shfuqizohet.

2. Aktet nënligjore, të miratuara para hyrjes në fuqi të këtij ligji dhe që nuk bien në kundërshtim me të, do të zbatohen deri në nxjerrjen e akteve nënligjore në zbatim të këtij ligji.

Neni 50
Hyrja në fuqi

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E T A R I

GRAMOZ RUÇI

***

V E N D I M

PËR

PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR KONTROLLIN SHTETËROR TË TRANSFERIMEVE NDËRKOMBËTARE TË MALLRAVE USHTARAKE DHE TË ARTIKUJVE E TEKNOLOGJIVE ME PËRDORIM TË DYFISHTË”

Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Propozimin e projektligjit “Për kontrollin shtetëror të transferimeve ndërkombëtare të mallrave ushtarake dhe të artikujve e teknologjive me përdorim të dyfishtë”, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi

ZËVENDËSKRYEMINISTRI

SENIDA MESI

***

P R O J E K T L I GJ

PËR

DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË LIGJIN NR.69/2012, “PËR SISTEMIN ARSIMOR PARAUNIVERSITAR NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë

V E N D O S I:

Në ligjin nr.69/2012, “Për sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, bëhen shtesat dhe ndryshimet, si më poshtë vijon:

Neni 1

Pas pikës 23, të nenit 2, shtohen pikat 24 e 25, me këtë përmbajtje:

“24. “Certifikimi i drejtuesve të institucioneve arsimore parauniversitare” është procesi i pajisjes së tyre me certifikatë për drejtimin dhe administrimin e institucionit arsimor parauniversitar, pas trajnimit të kryer në institucionin përkatës, të ngarkuar për këtë qëllim.
25. “Portali ‘Mësues për Shqipërinë’” është platformë on-line, ku kandidatët për mësues në sistemin e arsimit parauniversitar regjistrohen për të marrë pjesë në konkurrim për një pozicion të lirë pune. Kjo platformë realizon renditjen e kandidatëve, bën shpalljen e vendeve të lira dhe procesin e pranimit të kandidatëve për mësues në pozicionin e lirë të punës në institucionet e arsimit parauniversitar.”.

Neni 2

Neni 25 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“Neni 25
Funksionet kryesore të ministrisë dhe institucioneve të saj të varësisë

1. Funksionet kryesore të ministrisë janë:

a) Zhvillimi i sistemit arsimor parauniversitar, nëpërmjet hartimit të politikave, programeve dhe projekteve të zhvillimit;
b) Hartimi, zbatimi dhe vlerësimi i ndikimit të kuadrit rregullator të sistemit arsimor parauniversitar;
c) Bashkëpunimi i ndërsjellë me institucionet, nëpërmjet marrëveshjeve dhe kontratave;
ç) Përcaktimi i standardeve për politikat licencuese dhe kontrolluese të arsimit;
d) Financimi i sistemit arsimor parauniversitar, duke hartuar e zbatuar politikat e financimit, duke përcaktuar prioritete dhe kërkuar burime e forma të ndryshme financimi, që do të bënin të mundur realizimin e zhvillimit të arsimit në përputhje me rregullat e përcaktuara.

2. Funksionet kryesore të institucioneve të varësisë janë:

a) Sigurimi i zbatimit të politikave dhe programeve të hartuara nga ministria në arsimin parauniversitar;
b) Sigurimi dhe mbikëqyrja e cilësisë së sistemit të arsimit parauniversitar;
c) Menaxhimi i projekteve dhe lëvrimi i produkteve e shërbimeve në arsimin parauniversitar.

3. Institucionet e varësisë së ministrisë përgjegjëse për arsimin, të cilat do të kryejnë funksionet e përcaktuara në pikën 2, të këtij neni, krijohen me vendim të Këshillit të Ministrave, në bazë të këtij ligji dhe legjislacionit në fuqi në fushën e organizimit e të funksionimit të institucioneve të administratës shtetërore.”.

Neni 3

Neni 27 shfuqizohet.

Neni 4

Pas nenit 27 shtohet neni 27/1, me këtë përmbajtje:
“Neni 27/1
Shkolla e Drejtorëve

1. “Shkolla e Drejtorëve” është person juridik, që ka për qëllim zhvillimin profesional të drejtuesve dhe kandidatit për drejtues të institucionit arsimor parauniversitar, publik ose privat, administrimin e procesit të trajnimit të detyrueshëm përgatitor për pajisjen me certifikatë për drejtimin e institucioneve arsimore parauniversitare dhe të trajnimit të vazhdueshëm të drejtuesve. “Shkolla e Drejtorëve” gëzon pavarësi drejtuese, administrative, financiare dhe teknike.

2. Organizimi dhe funksionimi i “Shkollës së Drejtorëve” si dhe mënyra e trajnimit dhe certifikimit të drejtuesve të institucioneve arsimore parauniversitare përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozimin e ministrit përgjegjës për arsimin.”.

Neni 5

Në pikën 4, të nenit 28, shtohet shkronja “d”, me këtë përmbajtje:

“d) nxënësit me aftësi të kufizuara.”.

Neni 6

Pika 4, e nenit 29, ndryshohet, si më poshtë vijon:

“4. Këshilli Kombëtar i Arsimit Parauniversitar kryesohet nga ministri dhe përbëhet nga katërmbëdhjetë anëtarë, me këtë përbërje:

a) përfaqësuesi i ministrisë përgjegjëse për financat;
b) përfaqësuesi i ministrisë përgjegjëse për rendin dhe sigurinë publike;
c) përfaqësuesi i ministrisë përgjegjëse për çështjet e mbrojtjes sociale;
ç) përfaqësuesi i ministrisë përgjegjëse për diasporën;
d) një përfaqësues i shoqatës së bashkive;
dh) dy përfaqësues nga partnerët socialë;
e) përfaqësuesi i Këshillit Kombëtar të Prindërve;
ë) gjashtë personalitete të njohura për kontribute në fushën e arsimit e të shkencës dhe në jetën publike, të cilët zgjidhen me konkurrim publik.”.

Neni 7

Pas nenit 29 shtohet neni 29/1, me këtë përmbajtje:

“Neni 29/1
Këshilli Kombëtar i Prindërve

1. Këshilli Kombëtar i Prindërve është organ këshillimor dhe i pavarur, i cili përfaqëson interesat e prindërve në nivel kombëtar.

2. Këshilli Kombëtar i Prindërve përbëhet nga përfaqësues të këshillave rajonale të prindërve. Organizimi dhe funksionimi i Këshillit Kombëtar të Prindërve përcaktohet me udhëzim të ministrit përgjegjës për arsimin.”.

Neni 8

Neni 30 shfuqizohet.

Neni 9

Pika 3, e nenit 38, ndryshohet, si më poshtë vijon:

“3. Ministria dhe ministria përgjegjëse për financat miratojnë hapjen dhe mbylljen e llogarisë buxhetore apo llogarive në bankat e nivelit të dytë të një institucioni arsimor publik. Institucionet arsimore publike, të miratuara, mbajnë llogari buxhetore në degën e thesarit të institucionit arsimor vendor përgjegjës për arsimin parauniversitar apo llogari në bankat e nivelit të dytë, për të ardhurat e krijuara nga vetë institucioni arsimor publik. Rregullat e administrimit financiar, për llogaritë buxhetore apo llogaritë në bankat e nivelit të dytë, përcaktohen me udhëzim të përbashkët të ministrit përgjegjës për arsimin dhe ministrit përgjegjës për financat.”.

Neni 10

Pikat 3 dhe 7, të nenit 42, ndryshohen, si më poshtë vijon:

“3. Pezullimi dhe revokimi i licencave të institucioneve arsimore private, që përmenden në pikën 2, të këtij neni, kryhen nga institucioni përgjegjës për licencimin, me vendim të ministrit. Në rast se institucioni arsimor privat ndërpret veprimtarinë me iniciativën e vet, atëherë paraqet kërkesë në institucionin përgjegjës për licencimin për revokimin vullnetar të licencës.

7. Institucioni arsimor privat e ndërpret veprimtarinë me iniciativën e vet vetëm në fund të vitit shkollor. Në rast se konstatohen shkelje të kritereve të licencimit, të përcaktuara në këtë ligj, ministria revokon licencën e institucionit arsimor privat në çdo kohë dhe publikon vendimin për revokimin e licencës në Regjistrin Kombëtar të Licencave, Autorizimeve dhe Lejeve.”.

Neni 11

Pikat 2 dhe 4, të nenit 48, ndryshohen si më poshtë vijon:

“2. Nxënësit e klasave të para, të dyta e të treta vlerësohen me fjalë dhe shprehje. Nxënësit e klasave të tjera vlerësohen me nota, numra të plotë nga katër deri në dhjetë, ku nota më e ulët kaluese është nota pesë, dhe vlerësimi përfundimtar shoqërohet me përshkrim.

4. Llojet e vlerësimit, rregullat e kalimit ose të përsëritjes së klasës, të njehsimit të notës vjetore lëndore dhe të notës mesatare të nxënësit, për një vit shkollor, përcaktohen me udhëzim të ministrit.”.

Neni 12

Në nenin 49 bëhen këto ndryshime:

1. Pika 1, e nenit 49, ndryshohet, si më poshtë vijon:

“1. Vlerësimi i jashtëm i nxënësve realizohet nëpërmjet vlerësimit të arritjeve të nxënësve në arsimin fillor, provimeve kombëtare të arsimit bazë dhe provimeve të maturës shtetërore. Formë tjetër e vlerësimit të jashtëm është ajo me një numër të caktuar nxënësish.”.

2. Pas pikës 4, të nenit 49, shtohet pika 5, me këtë përmbajtje:

“5. Ministria përgjegjëse për arsimin krijon regjistrin shtetëror të mësuesve të gjuhës shqipe e të kulturës shqiptare në diasporë si dhe pajis me certifikatë nxënësit pas përfundimit të programit të mësimit të gjuhës shqipe e të kulturës shqiptare në diasporë. Kriteret për krijimin e regjistrit shtetëror dhe dhënien e certifikatës miratohen nga Këshilli i Ministrave, me propozimin e ministrit përgjegjës për arsimin.”.

Neni 13

Pika 3, e nenit 50, ndryshohet si më poshtë vijon:

“3. Organizimi e zhvillimi i vlerësimit të arritjeve të nxënësve në arsimin fillor dhe i provimeve kombëtare të arsimit bazë rregullohen me udhëzim të ministrit.”.

Neni 14

Pika 2, e nenit 55, ndryshohet, si më poshtë vijon:

“2. Kandidati për drejtor dhe nëndrejtor i institucionit arsimor duhet të ketë, të paktën, kategorinë “Mësues i kualifikuar” dhe të jetë i pajisur me certifikatën e drejtuesit të institucionit arsimor parauniversitar. Certifikimi i kandidatit për drejtor dhe nëndrejtor i institucionit arsimor kryhet pas zhvillimit të trajnimit të detyrueshëm përgatitor në Shkollën e Drejtorëve, për drejtimin e institucionit arsimor. Drejtuesi i institucionit arsimor nuk mund të jetë anëtar i forumeve drejtuese të partive politike.”.

Neni 15

Pas nenit 55 shtohet neni 55/1, me këtë përmbajtje:

“Neni 55/1
Emërimi dhe shkarkimi i drejtorit të institucionit arsimor parashkollor

1. Drejtori i institucionit arsimor parashkollor emërohet nga kryetari i njësisë së vetëqeverisjes vendore përkatëse, pas propozimit të dy kandidatëve që vlerësohen me konkurrim të hapur nga komisioni i vlerësimit. Komisioni i vlerësimit përbëhet nga një përfaqësues i njësisë së vetëqeverisjes vendore, kryetari i bordit të institucionit, kryetari i këshillit të prindërve të institucionit, një përfaqësues nga njësia arsimore vendore dhe një mësues i zgjedhur nga këshilli i mësuesve.

2. Kandidati për drejtor të institucionit arsimor parashkollor duhet të ketë, të paktën, pesë vjet përvojë pune si mësues, të jetë trajnuar e pajisur me certifikatën e drejtuesit të institucionit arsimor parauniversitar dhe të mos bëjë pjesë, pas emërimit, në forumet drejtuese të partive politike.

3. Kryetari i njësisë së vetëqeverisjes vendore shkarkon drejtorin e institucionit arsimor parashkollor publik për shkelje të dispozitave të këtij ligji dhe akteve nënligjore të tij, si dhe për shkelje të etikës e të sjelljes në institucion.

4. Emërimi dhe/ose shkarkimi i drejtorit të institucionit arsimor parashkollor, privat kryhet sipas procedurave të përcaktuara nga vetë institucioni në rregulloren e tij. Kriteret e kualifikimit, të përcaktuara për drejtorin e institucionit arsimor parashkollor, publik, janë të njëjta edhe për drejtorin e institucionit arsimor parashkollor, privat.”.

Neni 16

Neni 57 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“Neni 57
Profesioni i mësuesit

1. Mësuesi për arsimin parashkollor duhet të ketë fituar diplomën e ciklit të parë “Bachelor”, që formon mësues të arsimit parashkollor.

2. Mësuesi për arsimin fillor duhet të ketë fituar diplomën e ciklit të parë “Bachelor” dhe diplomë të ciklit të dytë “Master Profesional”, që formon mësues të arsimit fillor, ose diplomë për arsimin fillor të ish-instituteve të larta pedagogjike.

3. Mësuesi për arsimin e mesëm të ulët dhe për arsimin e mesëm të lartë duhet të ketë fituar diplomën e ciklit të parë “Bachelor” në fushën/lëndët e arsimit të mesëm të ulët dhe të arsimit të mesëm të lartë dhe diplomën e ciklit të dytë “Master” me 120 ECTS në fushën e mësuesisë, që lidhet me programin e studimit të ciklit të parë.

4. Profesioni i mësuesit mund të ushtrohet edhe nga individë që zotërojnë diplomë universitare të ciklit të parë dhe të dytë ose diplomë universitare të integruar, të ngjashme ose të përafërt me fushën/lëndët e mësimdhënies në arsimin parauniversitar, dhe njohuri të certifikuara në formimin psiko-pedagogjik nga institucione të arsimit të lartë, që ofrojnë programe të studimeve të formimit të vazhduar.
Diplomat e njëvlershme, diplomat e ngjashme ose të përafërta me diplomat e sipërpërmendura të këtij neni në fushat/lëndët e mësimdhënies në arsimin parauniversitar dhe kriteret për hapjen e programeve të studimeve të formimit të vazhduar në fushën psiko-pedagogjike përcaktohen me udhëzim të ministrit.

5. Mësuesi i arsimit fillor, i arsimit të mesëm të ulët dhe i arsimit të mesëm të lartë, mësuesi i shkollave të arsimit të orientuar, mësuesi i kulturës së përgjithshme në shkollat profesionale, mësuesi që punon me nxënësit me aftësi të kufizuara dhe mësuesi me diplomë të ngjashme ose të përafërt me diplomat në fushat/lëndët e mësimdhënies në arsimin parauniversitar ushtron profesionin pasi:
a) të ketë kryer me sukses praktikën profesionale;
b) të ketë kaluar me sukses provimin e shtetit në fushën e formimit të tij, siç parashikohet në ligjin nr.10171, datë 22.10.2009, “Për profesionet e rregulluara në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe në aktet nënligjore të nxjerra në zbatim të tij.”.

Neni 17

Pika 1, e nenit 60, ndryshohet, si më poshtë vijon:

“1. Në institucionin arsimor publik, përfshirë dhe atë parashkollor, pranimi dhe emërimi i mësuesit në një vend të lirë pune mbështetet në parimin e meritës dhe të drejtën për zgjedhjen e institucionit arsimor. Emërimi i mësuesit bëhet nga drejtori i institucionit arsimor, sipas renditjes në portalin “Mësues për Shqipërinë”. Procedurat e pranimit e të emërimit të mësuesit në një vend të lirë pune si dhe administrimi i portalit “Mësues për Shqipërinë”, përcaktohen me udhëzim të ministrit.”.

Neni 18

Në nenin 63 bëhen këto ndryshime:

1. Në pikën 1, fjalët “… integrim të plotë …” zëvendësohen me “… gjithëpërfshirje …”.

2. Në pikën 2, fjalët “… institucionet arsimore të specializuara …” zëvendësohen me “… institucionet e arsimit special …”.

3. Pika 3 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“3. Nxënësve me aftësi të kufizuara në dëgjim, shikim dhe komunikim u garantohet e drejta e edukimit në gjuhën e shenjave, e drejta e përdorimit të shkrimit Brail si dhe e mjeteve didaktike në formë elektronike, të specializuara në funksion të edukimit të tyre.”.

Neni 19

Pika 6, e nenit 70, shfuqizohet.

Neni 20

Pas pikës 5, të nenit 72, shtohet pika 6, me këtë përmbajtje:

“6. Personelit mësimdhënës, që ka përfunduar studimet universitare në ish-institutet e larta pedagogjike, diploma e përfituar i njihet si arsim i lartë, tetë semestra, për efekt page.”.

Neni 21

Kudo në ligj, emërtimi “njësi të qeverisjes vendore” zëvendësohet me “njësi të vetëqeverisjes vendore”; emërtimi “Qendra Kombëtare e Licencimit” zëvendësohet me “institucioni përkatës i licencimit”; emërtimi “Agjencia Kombëtare e Provimeve” zëvendësohet me “institucioni përgjegjës për shërbimet arsimore”; emërtimi “Inspektorati Shtetëror i Arsimit” zëvendësohet me “institucioni përgjegjës për sigurimin e cilësisë në arsimin parauniversitar”; dhe emërtimi “njësitë arsimore vendore” zëvendësohet me “institucioni arsimor vendor, përgjegjës për arsimin parauniversitar”.

Neni 22
Dispozita kalimtare

1. Kriteri i trajnimit dhe pajisjes me certifikatën e drejtuesit të institucionit arsimor parauniversitar, sipas nenit 14, të këtij ligji, hyn në fuqi 2 vjet nga hyrja në fuqi e këtij ligji.

2. Kriteri i trajnimit dhe pajisjes me certifikatën e drejtuesit të institucionit arsimor parashkollor, sipas nenit 15, të këtij ligji, hyn në fuqi 4 vjet nga hyrja në fuqi e këtij ligji.

3. Drejtorët dhe nëndrejtorët e institucioneve arsimore parauniversitare, që janë në detyrë në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, vazhdojnë të kryejnë funksionin e tyre. Kriteret dhe procedurat për kualifikimin, trajnimin dhe certifikimin e drejtorëve e nëndrejtorëve në detyrë, për periudhën deri në plotësimin e kritereve, sipas pikave 1 dhe 2, të këtij neni, përcaktohen me udhëzim të ministrit.

Neni 23
Aktet nënligjore

1. Ngarkohet Këshilli i Ministrave për nxjerrjen e akteve nënligjore në zbatim të neneve 2, 4 dhe 12, brenda 6 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji.

2. Ngarkohet ministri përgjegjës për arsimin për nxjerrjen e akteve nënligjore në zbatim të neneve 7, 9, 11, 13, 16, 17 e 22, brenda 9 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji.

Neni 24
Hyrja në fuqi

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E T A R I

GRAMOZ RUÇI

 

***

 

V E N D I M

PËR

PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË LIGJIN NR.69/2012, “PËR SISTEMIN ARSIMOR PARAUNIVERSITAR NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË”, TË NDRYSHUAR”

Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Propozimin e projektligjit “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.69/2012, “Për sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi

ZËVENDËSKRYEMINISTRI

SENIDA MESI

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.