Projektligje të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 18 Shtator 2024:
P R O J E K T L I GJ
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË LIGJIN NR.10435, DATË 23.6.2011, “PËR SHËRBIMIN E KËRKIM-SHPËTIMIT NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË”
Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I:
Në ligjin nr.10435, datë 23.6.2011, “Për shërbimin e kërkim-shpëtimit në Republikën e Shqipërisë”, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
Neni 1
Titulli i ligjit ndryshohet dhe bëhet “Për shërbimin e kërkim-shpëtimit (SAR) në Republikën e Shqipërisë në rast aksidentesh ajrore dhe detare”.
Neni 2
Në nenin 1 bëhen shtesa dhe ndryshimi i mëposhtëm:
1. Pas fjalëve “… shërbimit të kërkim-shpëtimit …” shtohet shkurtesa “… (SAR) …”.
2. Fjalët “… fatkeqësish të ndryshme …” zëvendësohen me “… aksidentesh të ndryshme ajrore, detare dhe në ujërat e brendshme …”.
Neni 3
Neni 3 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Neni 3
Përkufizime
Në këtë ligj termat e mëposhtëm kanë këto kuptime:
a) “Emergjenca SAR”, situata e krijuar në rastet e aksidenteve të ndryshme ajrore dhe detare që nënkupton, sipas rastit, një fazë emergjence SAR.
b) “Faza e emergjencës SAR”, situata që tregon, sipas rastit, fazë pasigurie, alarmi ose rreziku të vendosura e të pranuara nga autoritetet ndërkombëtare detare dhe ajrore të ICAO/IMO, nëpër të cilat kalon klasifikimi i incidentit SAR dhe përcaktimi i veprimeve që do të ndërmerren.
c) “Faza e paqartësisë/pasigurisë”, një situatë kur ekziston paqartësia për sigurinë e mjetit ajror/detar dhe të personave në bordin e tij.
ç) “Faza e alarmit”, një situatë kur mendohet se mjeti ajror/detar dhe personat në bordin e tij ose njësia tokësore janë të pasigurta.
d) “Faza e rrezikut”, situata në të cilën ekziston një bindje e arsyeshme dhe është e sigurt se personi/personat apo mjeti ajror/detar dhe personat në bordin e tij gjenden në një rrezik serioz ose kanë nevojë për një ndihmë të menjëhershme.
dh) “ICAO”, Organizata Ndërkombëtare e Aviacionit Civil.
e) “IMO”, Organizata Ndërkombëtare Detare.
ë) “SAR”, shërbimi i kërkim-shpëtimit në raste aksidentesh të ndryshme, ajrore, detare dhe në ujërat e brendshme, që nënkupton strukturat, sistemet e vrojtimit, personelin dhe mjetet e procedurat për kryerjen e operacioneve të kërkim-shpëtimit.
f) “Mjet detar SAR”, mjeti detar i destinuar për operacione SAR, me pajisje dhe personel të nevojshëm për operacionet detare SAR.
g) “Mjet ajror SAR”, mjeti ajror i konfiguruar për misione kërkim-shpëtimi.
gj) “Njësi shpëtimi SAR”, njësitë e përbëra nga personel i stërvitur e i kompletuar me mjetet dhe pajisjet e përshtatshme për kryerjen e operacioneve të kërkim-shpëtimit.
h) “Operacione ndërhyrjeje SAR”, veprimet për shpëtimin e jetës së njerëzve, në raste aksidentesh të ndryshme, ajrore, detare edhe në ujërat e brendshme.
i) “Rajoni i kërkim-shpëtimit SAR”, një zonë e përcaktuar brenda së cilës sigurohen shërbimet e kërkim-shpëtimit.
j) “RCC”, Qendra e Koordinimit të Shpëtimit, njësi përgjegjëse e organizimit të shërbimeve të kërkim-shpëtimit dhe për koordinimin e kryerjes së operacioneve të kërkimit e të shpëtimit brenda një rajoni kërkimi dhe shpëtimi.
k) “JRCC”, Qendra e Përbashkët e Koordinim-Shpëtimit, përgjegjëse për operacionet aeronautike dhe detare të kërkimit e të shpëtimit.
l) “KKAKSH”, Koordinatori Kombëtar Ajror i Kërkimit e Shpëtimit.
ll) “KKDKSH”, Koordinatori Kombëtar Detar i Kërkimit e Shpëtimit.
m) “ARCC”, Qendra Ajrore e Koordinim-Shpëtimit, përgjegjëse për operacionet aeronautike të kërkimit e të shpëtimit.
n) “MRCC”, Qendra Detare e Koordinim-Shpëtimit, përgjegjëse për operacionet detare të kërkimit e të shpëtimit.
nj) “Subjekte private”, subjektet e përcaktuara në nenin 26, të ligjit nr.7850, datë 29.7.1994, “Kodi Civil i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar.
Neni 4
Pikat 2, 3 dhe 4, të nenit 4, ndryshohen, si më poshtë vijon:
“2. Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura është Koordinatori Kombëtar i Kërkim-Shpëtimit (KKKSH) në Republikën e Shqipërisë. KKKSH-ja drejton dhe koordinon operacionet e kërkim-shpëtimit nëpërmjet Qendrës Kombëtare të Kërkim-Shpëtimit, e cila luan dhe rolin e Qendrës së Përbashkët të Koordinim-Shpëtimit (JRCC).
3. Komandanti i Forcës Ajrore të Republikës së Shqipërisë është Koordinator Kombëtar Ajror i Kërkim-Shpëtimit (KKAKSH). KKAKSH-ja drejton dhe koordinon operacionet nëpërmjet Qendrës Ajrore të Kërkim-Shpëtimit (QAJKSH), e cila kryen dhe rolin e Qendrës Ajrore të Koordinimit të Shpëtimit (ARCC).
4. Komandanti i Forcës Detare të Republikës së Shqipërisë është Koordinator Kombëtar Detar i Kërkimit-Shpëtimit (KKDKSH). KKDKSH-ja drejton dhe koordinon operacionet nëpërmjet Qendrës Detare të Kërkim-Shpëtimit (QKDKSH), e cila kryen dhe rolin e Qendrës Detare të Koordinimit të Shpëtimit (MRCC).”.
Neni 5
Pas nenit 4 shtohen nenet 4/1 dhe 4/2, me këtë përmbajtje:
“Neni 4/1
Komiteti Kombëtar i Kërkim-Shpëtimit
1. Në Ministrinë e Mbrojtjes ngrihet dhe funksionon Komiteti Kombëtar i Kërkim-Shpëtimit i cili është organ i përhershëm dhe ka përgjegjësi për hartimin e politikave e të strategjive në fushën e kërkim-shpëtimit SAR.
2. Përbërja dhe detyrat e Komitetit Kombëtar të Kërkim-Shpëtimit përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave dhe me propozimin e ministrit të Mbrojtjes.
Neni 4/2
Funksionet mbikëqyrëse të shërbimit të kërkim-shpëtimit
1. Autoriteti i Aviacionit Civil ngarkohet për mbikëqyrjen e shërbimit të kërkimit dhe shpëtimit, për sa i takon funksioneve të ofrimit të shërbimit SAR, në situata emergjence të avionëve apo personave përkatës në bord të avionit.
2. Për të siguruar ushtrimin e funksioneve mbikëqyrëse, drejtori ekzekutiv i Autoritetit të Aviacionit Civil ushtron të gjitha të drejtat dhe detyrimet e përcaktuara sipas legjislacionit në fuqi për organizimin dhe funksionimin e Autoritetit të Aviacionit Civil.
3. Për të siguruar ushtrimin e funksioneve mbikëqyrëse, inspektorët e Autoritetit të Aviacionit Civil pajisen me kredenciale nga drejtori ekzekutiv, në përputhje me parashikimet e përcaktuara sipas legjislacionit në fuqi për organizimin dhe funksionimin e Autoritetit të Aviacionit Civil.”.
Neni 6
Në nenin 5 bëhen ndryshimi dhe shtesa e mëposhtme:
1. Në pikën 1, fjalët “… qëllim planëzimin, organizimin, koordinimin dhe kryerjen e operacioneve të kërkim-shpëtimit.” zëvendësohen me “… mision menaxhimin dhe koordinimin në nivel kombëtar të operacioneve të kërkim-shpëtimit në hapësirën tokësore, detare dhe ujërat e brendshme të Republikës së Shqipërisë, në raste aksidentesh ajrore dhe detare.”.
2. Pas pikës 3 shtohet pika 4, me këtë përmbajtje:
“4. Standardet për shërbimin e kërkim-shpëtimit, në përputhje me aneksin 12 të Konventës Ndërkombëtare të Aviacionit Civil, miratohen me urdhër të përbashkët të ministrit të Mbrojtjes dhe të ministrit përgjegjës për transportin.”.
Neni 7
Në pikën 1, të nenit 7, bëhen ndryshimet dhe shtesat e mëposhtme:
1. Emërtimi “… Qendrës së Koordinimit të Shpëtimit (RCC)” zëvendësohet me “Qendrës së Përbashkët të Koordinimit të Shpëtimit (JRCC)”.
2. Në shkronjën “c”, pas fjalës “… drejton …” shtohen fjalët “… dhe koordinon …”.
3. Në shkronjën “ë”, pas emërtimit “… Ministrisë së Mbrojtjes …” shtohen fjalët “… ministrisë përgjegjëse për shëndetësinë …”.
Neni 8
Në pikën 1, të nenit 8, pas emërtimit “… Ministria e Mbrojtjes …” shtohen fjalët “… ministria përgjegjëse për shëndetësinë …”.
Neni 9
Në nenin 12 bëhen këto ndryshime:
1. Shkronjat “b” dhe “c” shfuqizohen.
2. Në shkronjën “ç”, fjalët “… dhe Agjencisë së Mjedisit dhe Pyjeve …” hiqen.
Neni 10
Pas nenit 12 shtohet neni 12/1 “Ministria përgjegjëse për shëndetësinë”, me këtë përmbajtje:
“Neni 12/1
Ministria përgjegjëse për shëndetësinë
Ministria përgjegjëse për shëndetësinë, përveç detyrimeve që rrjedhin nga akte të tjera ligjore, nënligjore, në zbatim të këtij ligji, kryen edhe këto detyra:
a) Mbështet me kapacitetet e saj operacionet e kërkim-shpëtimit;
b) Bashkërendon veprimet me strukturat përgjegjëse në Ministrinë e Mbrojtjes;
c) Kontribuon, nëpërmjet strukturave përgjegjëse të saj, për ndihmën e parë shëndetësore dhe transportin e të plagosurve.”.
Neni 11
Pikat 1 dhe 2, të nenit 13, ndryshohen, si më poshtë vijon:
“1. Për vendet e huaja, me të cilat është lidhur marrëveshje, leja për hyrjen dhe daljen e mjeteve ajrore, lundruese e të mjeteve të njësive tokësore të shërbimit të kërkim-shpëtimit, me mision kërkim-shpëtimin, pas kërkesës së autoriteteve kompetente, jepet nga Koordinatori Kombëtar i Kërkim-Shpëtimit.
2. Për vendet e huaja, me të cilat nuk është lidhur marrëveshje, leja për hyrjen dhe daljen jashtë vendit të mjeteve ajrore, lundruese e të mjeteve të njësive tokësore të shërbimit të kërkim-shpëtimit, me mision kërkim-shpëtimin, pas kërkesës për ndërhyrje të autoriteteve kompetente, jepet nga ministri i Mbrojtjes.”.
Neni 12
Në nenin 16 bëhen këto shtesa dhe ndryshime:
1. Pas pikës 1 shtohet pika 1/1, me këtë përmbajtje:
“1. Burimet e financimit të Qendrës Kombëtare të Kërkim-Shpëtimit janë:
a) buxheti i shtetit;
b) fondi për kërkim-shpëtimin, i krijuar në Albcontrol;
c) burime dhe donacione të tjera të ligjshme.”.
2. Në pikën 2, pas emërtimit “Ministria e Brendshme …” shtohen fjalët “…, ministria përgjegjëse për shëndetësinë …”.
3. Në pikën 3, fjalët “… e nenit 90, të ligjit nr.10 040, datë 22.10.2008, “Kodi Ajror i Republikës së Shqipërisë”.” zëvendësohen me “… e nenit 98, të ligjit nr.96/2020, “Kodi Ajror i Republikës së Shqipërisë.”.
Neni 13
Kudo në ligj bëhen këto ndryshime:
1. Fjalët “… ministria/ministrinë/ministrisë përgjegjëse për punët publike dhe transportin …” zëvendësohen me “… ministria/ministrinë/ministrisë përgjegjëse për transportin …”;
2. Emërtimi “Ministria/Ministrisë e/së Brendshme” zëvendësohet me fjalët “… ministria/ministrisë përgjegjëse për rendin dhe sigurinë …”;
3. Fjalët “… ministria/ministrinë përgjegjëse për mjedisin, pyjet dhe administrimin e ujërave …” zëvendësohen me “… ministria/ministrinë përgjegjëse për mjedisin dhe pyjet …”.
Neni 14
Ne nenin 17 bëhen shtesat e mëposhtme:
1. Në pikën 1, pas fjalës “… neneve …” shtohet togfjalëshi “… 4/1, pika 2, …”.
2. Pas pikës 3 shtohet pika 4 me këtë përmbajtje:
“4. Ngarkohen ministri i Mbrojtjes dhe ministri përgjegjës për transportin të nxjerrin aktin nënligjor në zbatim të pikës 4, të nenit 5, të këtij ligji.”.
Neni 15
Hyrja në fuqi
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E T A R I
ELISA SPIROPALI
###
V E N D I M
PËR
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË LIGJIN NR.10435, DATË 23.6.2011, “PËR SHËRBIMIN E KËRKIM-SHPËTIMIT NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË”
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Propozimin e projektligjit “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.10435, datë 23.6.2011, “Për shërbimin e kërkim-shpëtimit në Republikën e Shqipërisë”, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit, që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA