Projektligje të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 19 Shkurt 2020:
P R O J E K T L I G J
PËR
DISA SHTESA NË LIGJIN NR.71/2016, “PËR KONTROLLIN KUFITAR”
Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I:
Në ligjin nr.71/2016 “Për kontrollin kufitar”, bëhen këto shtesa:
Neni 1
Në nenin 1, pas fjalëve “… rregullat për …” shtohen fjalët “… transmetimin e të dhënave të pasagjerit dhe …”.
Neni 2
Pas pikës 8, të nenit 2, shtohen pikat 9, 10, 11, 12, 13, 14, 15, 16, 17, 18, 19, 20, 21, 22, 23 dhe 24, me këtë përmbajtje:
“9. “Regjistri i rezervimit të pasagjerit”, është tërësia e të dhënave të nevojshme për të mundësuar rezervimin dhe për të kryer kontrollet për çdo udhëtim të rezervuar nga/ose në emër të një personi, të cilat ruhen në sistemin e rezervimit të linjave ajrore, sistemet e kontrollit të nisjes që përdoren për të kontrolluar/administruar/menaxhuar pasagjerët ose sisteme ekuivalente që mundësojnë të njëjtat funksione.
10. “Të dhënat e pasagjerit”, janë të gjitha të dhënat që mbahen në regjistrin e rezervimit të pasagjerit dhe transmetohen nga transportuesit ajrorë, sipas këtij ligji.
11. “Informacioni paraprak për pasagjerin (API)”, është pjesë e të dhënave të regjistrit të rezervimit të pasagjerit dhe përfshin llojin, numrin, vendin e lëshimit dhe datën e skadimit të çdo dokumenti udhëtimi, shtetësinë, mbiemrin, emrin/emrat e tjerë, gjininë, datën e lindjes, linjën e fluturimit, numrin e fluturimit, datën e nisjes, datën e mbërritjes, aeroportin e nisjes, aeroportin e mbërritjes, kohën e nisjes dhe kohën e mbërritjes, si dhe numrin e përgjithshëm të pasagjerëve që transportohen.
12. “Autoritete kompetente”, janë institucionet dhe agjencitë ligjzbatuese, të cilat, sipas legjislacionit të posaçëm, kanë objekt të veprimtarisë së tyre parandalimin, zbulimin, hetimin dhe ndjekjen penale të veprave me qëllime terroriste apo krimeve të përcaktuara në nenin 19/3, të këtij ligji.
13. “Transportues”, nënkupton çdo subjekt të licencuar për kryerjen e transportit ajror të pasagjerëve.
14. “Sistem rezervimi”, nënkupton sistemin e brendshëm të transportuesve ajrorë, të cilët, gjatë veprimtarisë së tyre, grumbullojnë të dhënat për rezervimin e fluturimeve.
15. “Pasagjer”, çdo person, përfshirë edhe personat që udhëtojnë transit në Republikën e Shqipërisë, me përjashtim të anëtarëve të ekuipazhit dhe që rezultojnë në listën e pasagjerëve.
16. “Anonimizim i të dhënave”, nënkupton bërjen të padukshme për një përdorues të atyre të dhënave të cilat mund të shërbejnë për të identifikuar drejtpërdrejt subjektin e të dhënave.
17. “Njësia e informacionit të pasagjerit”, është struktura pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, e cila përpunon të dhënat e pasagjerit.
18. “Baza e të dhënave të pasagjerit”, është baza e të dhënave që përmban të gjitha të dhënat e regjistrit të rezervimit të pasagjerit dhe administrohet nga Njësia e Informacionit të Pasagjerit.
19. “Regjistrim”, nënkupton evidentimin apo dokumentimin e çdo veprimi që kryhet në bazën e të dhënave të pasagjerit.
20. “Përpunimi i të dhënave”, është çdo veprim ose grup veprimesh, të cilat janë kryer mbi të dhënat e pasagjerit, të tilla si grumbullimi, regjistrimi, organizimi, ruajtja, rikthimi, konsultimi, shfrytëzimi, transmetimi, shpërndarja ose vënia në dispozicion, anonimizimi, fshirja ose shkatërrimi.
21. “Subjekt i të dhënave”, është personi fizik, të cilit i përpunohen të dhënat që transmetohen nga transportuesi ajror, sipas këtij ligji.
22. “Kod i përbashkët”, është transportimi i pasagjerëve nga një apo më shumë transportues ajrorë, për llogari të transportuesve të tjerë ajrorë.
23. “Metoda e transmetimit të sigurt”, është procesi i transmetimit të të dhënave të pasagjerit, i cili mundëson përcaktimin e saktë të periudhës së regjistrimit fillestar të të dhënave, si dhe mbrojtjen e përshtatshme të të dhënave gjatë transmetimit.
24. “Personi i ngarkuar për mbrojtjen e dhënave”, (DPO) është personi përgjegjës për monitorimin e përpunimit të të dhënave të pasagjerit dhe zbatimin e legjislacionit për mbrojtjen e të dhënave personale.”.
Neni 3
Pas kreut II shtohet kreu II/1, me këtë përmbajtje:
“KREU II/1
TË DHËNAT E PASAGJERIT
Neni 19/1
Njësia e Informacionit të Pasagjerit dhe baza e të dhënave të pasagjerit
1. Njësia e Informacionit të Pasagjerit, në vijim NIP, kryen grumbullimin, përpunimin, shkëmbimin dhe shpërndarjen e të dhënave të pasagjerit.
2. NIP-ja administron bazën e të dhënave të pasagjerit dhe regjistron, të paktën, veprimet e përpunimit të të dhënave, që kanë të bëjnë me:
a) grumbullimin;
b) ndryshimin;
c) konsultimin;
ç) shpërndarjen/shkëmbimin kombëtar dhe ndërkombëtar;
d) fshirjen/shkatërrimin;
dh) anonimizimin dhe zbulimin e të dhënave.
3. Regjistrimet e konsultimit dhe të transmetimit të të dhënave duhet të dokumentojnë arsyen e kryerjes së këtyre veprimeve, datën dhe identitetin e personit që është njohur ose ka shpërndarë të dhënat e pasagjerit, si dhe identitetin e marrësve të të dhënave.
4. Regjistrimet e të dhënave të pikës 2, të këtij neni, vendosen në dispozicion të personit të ngarkuar për mbrojtjen e të dhënave dhe Autoritetit Kombëtar Mbikëqyrës, për të mundësuar monitorimin e të gjithë veprimtarisë së përpunimit, sipas legjislacionit për mbrojtjen e të dhënave personale.
5. Rregullat për organizimin, funksionimin e NIP-së, si dhe për përdorimin e aksesin në bazën e të dhënave të pasagjerit përcaktohen në rregulloren për përpunimin e të dhënave të regjistrit të rezervimit të pasagjerit.
Neni 19/2
Transmetimi i të dhënave të pasagjerit
1. Çdo transportues ajror duhet të transmetojë pranë NIP-së, nëpërmjet metodës së transmetimit të sigurt, të dhënat e regjistrit të rezervimit të pasagjerit, të mbledhura gjatë veprimtarisë së tyre, përfshirë pasagjerët me destinacion përfundimtar Republikën e Shqipërisë, si dhe ata që udhëtojnë nga apo nëpërmjet aeroporteve të Republikës së Shqipërisë.
2. Regjistri i rezervimit të pasagjerit përfshin të dhënat, si më poshtë vijon:
a) Kodin e konfirmimit të rezervimit të pasagjerit;
b) Datën e rezervimit dhe të lëshimit të biletës;
c) Emrin/emrat dhe mbiemrin e pasagjerit;
ç) Datën/datat e planifikuar/a të udhëtimit;
d) Adresën dhe të dhënat e kontaktit, përfshirë numrin e telefonit dhe adresën e postës elektronike;
dh) Informacion për biletën, përfshirë numrin, datën e lëshimit, mënyrën e pagesës, si dhe adresën e përdorur për faturimin e saj;
e) Të gjithë informacionin në lidhje me bagazhin;
ë) Informacionin paraprak të pasagjerit (API) të mbledhur, përfshirë llojin, numrin, vendin e lëshimit dhe datën e skadimit të çdo dokumenti udhëtimi, shtetësinë, emrin dhe mbiemrin, emrin/emrat e tjerë, gjininë, datën e lindjes, linjën ajrore, numrin e fluturimit, datën e nisjes, datën e mbërritjes, aeroportin e nisjes, aeroportin e mbërritjes, kohën e nisjes dhe kohën e mbërritjes, si dhe numrin në total të pasagjerëve që transportohen;
f) Itinerarin e plotë të udhëtimit;
g) Informacion për pasagjerë të shpeshtë;
gj) Agjencinë dhe agjentin e udhëtimit;
h) Statusin e udhëtimit të pasagjerit, përfshirë konfirmimin, statusin e check in-it, mosparaqitjen për check in, biletë pa rezervim;
i) Informacion mbi kode të ndryshme apo të veçuara të konfirmimit të rezervimit;
j) Informacione për të mitur të pashoqëruar nën 18 vjeç, si: emri dhe gjinia e të miturit, mosha, gjuha/gjuhët që flet, emri dhe detajet e kontaktit të kujdestarit në nisje dhe lidhja/marrëdhënia e tij me të miturin, emrin dhe detajet e kontaktit të kujdestarit në mbërritje dhe lidhja/marrëdhënia e tij me të miturin;
k) Numrin e ndenjëses dhe informacione të tjera të lidhura me ndenjësen;
l) Informacion për kodin e përbashkët të fluturimit;
ll) Numrin total të pasagjerëve, si dhe të dhënat identifikuese të udhëtarëve të tjerë që rezultojnë në regjistrin e rezervimit të pasagjerit;
m) Të gjitha ndryshimet historike në të dhënat e pasagjerëve të listuara nga shkronjat “a” deri në “ll”.
3. Të dhënat e përcaktuara në pikën 2, të këtij neni, transmetohen për të gjitha fluturimet e planifikuara, përfshirë udhëtimet me çarter dhe taksi, për qëllime joushtarake, që:
a) nisen nga Republika e Shqipërisë me destinacion vende të tjera;
b) nisen nga vende të tjera me destinacion Republikën e Shqipërisë ose transit nëpërmjet Republikës së Shqipërisë.
4. Kur fluturimi kryhet me kod të përbashkët, ndërmjet një ose më shumë transportuesve ajrorë, transportuesi ajror që kryen fluturimin është i detyruar të transmetojë pranë NIP-së të dhënat, sipas pikës 2, të këtij neni, për të gjithë pasagjerët në fluturim.
5. Trasportuesit ajrorë duhet të informojnë pasagjerët për qëllimin e grumbullimit dhe të përpunimit të të dhënave të rezervimit të pasagjerit, në përputhje me legjislacionin për mbrojtjen e të dhënave personale.
6. Transmetimi i të dhënave të pasagjerit nga transportuesit ajrorë kryhet me mjete elektronike, sipas procedurave e formateve të përcaktuara në rregulloren për përpunimin e të dhënave të regjistrit të rezervimit të pasagjerit. Në rast të një problemi teknik, të dhënat do të transmetohen sipas mënyrës së përcaktuar me udhëzim të përbashkët të ministrit përgjegjës për rendin dhe sigurinë publike dhe Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, që siguron nivelin e përshtatshëm të mbrojtjes të të dhënave.
7. Në çdo rast, transportuesit ajrorë nuk duhet të mbledhin, të përpunojnë dhe të transmetojnë të dhëna sensitive, sipas legjislacionit për mbrojtjen e të dhënave personale. Në rast se transportuesit ajrorë transmetojnë të dhëna të ndryshme nga ato të përcaktuara në pikën 2, të këtij neni, të dhëna sensitive apo të dhëna që zbulojnë karakteristikat e personit dhe që përbëjnë shkak diskriminimi, NIP-ja kryen menjëherë fshirjen e tyre në mënyrë të pakthyeshme.
8. Rregullorja për përpunimin e të dhënave të regjistrit të rezeverimit të pasagjerit miratohet me vendim të Këshillit të Ministrave.
Neni 19/3
Përpunimi i të dhënave të pasagjerit
1. Të dhënat e regjistrit të rezervimit të pasagjerit, sipas pikës 2, të nenit 19/2, të këtij ligji, grumbullohen dhe përpunohen nga NIP-ja, si dhe shpërndahen apo shkëmbehen me autoritetet kompetente, me qëllimin e vetëm parandalimin, zbulimin, hetimin dhe ndjekjen penale të veprave të parashikuara nga nenet 333, 333/a, 110/a, 110/b, 110/c, 128/b/2 dhe 3, 114, 117/2 dhe 3, 283, 283/a, 284, 284/a, 284/c, 284/ç, 278/a, 282/c, 319, 319/a, 319/c, 319/ç, 319/d, 319/e, 164/a, 164/b, 244, 244/a, 245, 245/1, 259, 259/a, 260, 164, 143, 143/a, 143/a/1, 143/a/2, 143/a/3, 143/a/4, 143/b, 144, 145, 146, 287, 293/a, 293/b, 293/c, 192/b, 201, 202, 206/a, 206/b, 298, 76, 77, 78, 78/a, 79, 79/a, 79/b, 79/c, 81, 82, 83, 86, 87, 88, 88/a, 89/a, 109, 109/a, 109/b, 109/c, 110/2, 139, 140, 141, 138/a, 149/a, 288/a/2, 186, 186/a, 187, 188, 189, 190, 282/a, 101, 102, 102/a, 103, 104, 111, 141/a, 295/a/2, të veprave penale me qëllime terroriste, që parashikohen nga kreu VII, i Kodit Penal, si dhe krimet që përfshihen në juridiksionin e Gjykatës Penale Ndërkombëtare.
2. Informacioni paraprak për pasagjerin sipas shkronjës “ë”, të pikës 2, të nenit 19/2, shpërndahet nga NIP-ja pranë autoriteteve përgjegjëse për kontrollin kufitar, me qëllim parandalimin e migracionit të paligjshëm dhe përmirësimin e kontrollit kufitar.
3. Autoritetet kompetente, bazuar në parimin e mbrojtjes nga diskriminimi dhe mbrojtjes të të dhënave personale, nuk duhet të marrin asnjë vendim që ka efekte të pafavorshme mbi subjektin e të dhënave, vetëm mbi bazën e përpunimit të automatizuar të të dhënave të pasagjerit.
Neni 19/4
Afati për transmetimin e të dhënave
1. Transportuesit ajrorë transmetojnë pranë NIP-së të dhënat e pasagjerit:
a) 48 deri në 24 orë përpara kohës së planifikuar të nisjes së fluturimit; dhe
b) menjëherë pasi kanë përfunduar procedurat e imbarkimit dhe është e pamundur që pasagjerët të hyjnë ose të dalin, si dhe avioni është në përgatitje për nisje, duke përditësuar kështu të dhënat e transmetuara sipas shkronjës “a”, të kësaj pike.
2. Në raste të veçanta, kur vlerësohet se rreziku për kryerjen e veprave penale sipas pikës 1, të nenit 19/3, të këtij ligji, është real dhe i çastit, me kërkesën e NIP-së, të dhënat e pasagjerit transmetohen menjëherë.
Neni 19/5
Autoritetet kompetente
1. Autoritetet kompetente, të cilat kanë të drejtë të kërkojnë, të konsultojnë, të marrin të dhënat e pasagjerit ose rezultatet e përpunimit të tyre, me qëllim parandalimin, zbulimin, hetimin e ndjekjen penale të veprave penale sipas nenit 19/3, të këtij ligji, janë:
a) strukturat operacionale të Policisë së Shtetit;
b) Shërbimi Informativ i Shtetit;
c) Agjencia e Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes;
ç) Drejtoria e Përgjithshme e Doganave;
d) Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave.
2. Autoritet kompetente, sipas pikës 1, të këtij neni, caktojnë përfaqësues të tyre pranë NIP-së.
3. Autoritetet kompetente përpunojnë të dhënat e pasagjerit, me qëllim përmirësimin e kontrollit kufitar, parandalimin e migracionit të paligjshëm, si dhe parandalimin, zbulimin, hetimin dhe ndjekjen penale, të krimeve të parashikuara në pikën 1, të nenit 19/3, të këtij ligji, dhe sipas rregullave të përcaktura në rregulloren e përpunimit të të dhënave të regjistrit të rezervimit të pasagjerit.
4. Autoritetet kompetente, përveç rasteve të përcaktuara në pikën 3, të këtij neni, mund të përdorin rezultatet e përpunimit të të dhënave të pasagjerit vetëm nëse vlerësojnë që përdorimi i tyre shërben për parandalimin, hetimin, zbulimin apo ndjekjen penale të veprave të tjera penale.
Neni 19/6
Transferimi ndërkombëtar i të dhënave
1. NIP-ja shpërndan apo shkëmben, në përputhje me legjislacionin për mbrojtjen e të dhënave personale, të dhënat e pasagjerit ose rezultatet e përpunimit të tyre me agjenci ndërkombëtare ligjzbatuese me të cilat Republika e Shqipërisë ka marrëveshje bashkëpunimi, në rastet kur:
a) nga verifikimi apo nga përpunimi i të dhënave të pasagjerit, rezulton se të dhënat janë të nevojshme për autoritetet e përcaktuara në pikën 1, të këtij neni, për parandalimin, zbulimin, hetimin apo ndjekjen penale të veprave penale të përcaktuara në pikën 1, të nenit 19/3, të këtij ligji;
b) autoritetet e përcaktuara në pikën 1, të këtij neni, kanë paraqitur kërkesë të arsyetuar, që provon se shpërndarja/shkëmbimi i të dhënave është i nevojshëm për të parandaluar kryerjen e veprave penale të përcaktuara në pikën 1, të nenit 19/3, të këtij ligji.
2. Për çdo rast të transferimit ndërkombëtar të të dhënave të pasagjerit ose rezultatet e përpunimit të tyre, NIP-ja njofton personin e ngarkuar për mbrojtjen e të dhënave.
3. Rregulla më të hollësishme për transferimin ndërkombëtar të të dhënave përcaktohen në rregulloren për përpunimin e të dhënave të regjistrit të rezervimit të pasagjerit.
Neni 19/7
Autoriteti Kombëtar Mbikëqyrës
1. Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale mbikëqyr dhe monitoron, në përputhje me ligjin për mbrojtjen e të dhënave personale, veprimtarinë e grumbullimit, të përpunimit, të shpërndarjes dhe të shkëmbimit të të dhënave të pasagjerit nga NIP-ja, si dhe:
a) trajton, në përputhje me legjislacionin në fuqi, ankesat e paraqitura nga çdo subjekt i të dhënave;
b) verifikon ligjshmërinë e përpunimit të të dhënave, kryen hetime administrative dhe inspektime sipas legjislacionit për mbrojtjen e të dhënave personale, me iniciativën e tij ose në bazë të ankesave;
c) me kërkesë të çdo subjekti të të dhënave, jep rekomandime me qëllim garantimin e së drejtës për mbrojtjen e të dhënave personale;
ç) çdo dy vjet, në bashkëpunim me autoritetet kompetente, vlerëson prodhimin dhe përdorimin e profileve të riskut dhe të modeleve të kontrollit, të krijuara nga NIP-ja.
Neni 19/8
Personi i ngarkuar për mbrojtjen e të dhënave
1. Pranë NIP-së caktohet personi i ngarkuar për mbrojtjen e të dhënave, përgjegjës për monitorimin e përpunimit të të dhënave të regjistrit të rezervimit të pasagjerit dhe zbatimin e legjislacionit për mbrojtjen e të dhënave personale.
2. Personi i ngarkuar për mbrojtjen e të dhënave i komunikon Autoritetit Kombëtar Mbikëqyrës çdo rast të konstatimit të shkeljes të së drejtës të të mbrojtjes së dhënave personale.
3. Personi i ngarkuar për mbrojtjen e të dhënave gëzon pavarësi të plotë në ushtrimin e funksioneve të tij, sipas këtij ligji.
4. Mënyra e funksionimit dhe e bashkëpunimit të personit të ngarkuar për mbrojtjen e pasagjerit me Autoritetin Kombëtar Mbikëqyrës përcaktohet në rregulloren për përpunimin e të dhënave të regjistrit të rezervimit të pasagjerit.
Neni 19/9
Periudha e ruajtjes së të dhënave
1. Të dhënat e pasagjerit të transmetuara nga transportuesit ajrorë pranë NIP-së ruhen në bazën e të dhënave të pasagjerit, për një periudhë pesëvjeçare nga transmetimi i tyre.
2. NIP-ja, pas kalimit të afatit të përcaktuar në pikën 1, të këtij neni, fshin/shkatërron të dhënat e pasagjerit.
3. NIP-ja fshin/shkatërron rezultatet e përpunimit të të dhënave të pasagjerit sapo ato nuk i shërbejnë qëllimit të këtij ligji.
4. Autoritetet përgjegjëse për kontrollin kufitar fshijnë të dhënat e përcaktuara në shkronjën “ë”, të nenit 19/2, të këtij ligji, brenda një afati prej 24 orësh nga transmetimi i tyre, me përjashtim të rasteve kur ruajtja e tyre është e nevojshme për përmbushjen e detyrave ligjore.
5. Autoritetet kompetente ruajnë dhe fshijnë të dhënat e pasagjerit, si dhe rezultatet e përpunimit të tyre, sipas legjislacionit të posaçëm që rregullon veprimtarinë e tyre, si dhe në përputhje me parimet për mbrojtjen e të dhënave personale.
6. Transportuesit ajrorë fshijnë të dhënat sipas shkronjës “ë”, të nenit 19/2, të këtij ligji, brenda një afati prej 24 orësh nga momenti i transmetimit të tyre.
7. Mënyra dhe procedura që ndiqet për fshirjen/shkatërrimin e të dhënave të pasagjerit apo rezultatet e përpunimit të tyre përcaktohen në rregulloren e përpunimit të të dhënave të regjistrit të rezervimit të pasagjerit.
Neni 19/10
Anonimizimi i të dhënave
1. Të dhënat e pasagjerit, pas kalimit të një periudhe prej gjashtë muajsh nga transmetimi, anonimizohen përmes bërjes së padukshme për një përdorues, të elementeve të mëposhtme të të dhënave, që mund të shërbejnë për të identifikuar drejtpërdrejtë subjektin e të dhënave, si më poshtë vijon:
a) Emrin/emrat e tjerë, mbiemri, përfshirë edhe të dhënat e pasagjerëve të tjerë që udhëtojnë bashkërisht dhe rezultojnë në regjistrin e rezervimit të pasagjerit;
b) Adresën dhe të dhënat e kontaktit;
c) Të gjitha informacionet për mënyrën e pagesës, përfshirë adresën e faturimit, në masën që mund të shërbejë për të identifikuar në mënyrë të drejtpërdrejtë pasagjerin, të cilit i referohet e dhëna ose ndonjë person tjetër;
ç) Informacionin për pasagjerët e shpeshtë;
d) Informacionet e përgjithshme, në masën që mund të shërbejnë për të identifikuar pasagjerin, të cilit i referohen të dhënat e regjistrit të rezervimit të pasagjerit;
dh) Informacionin paraprak për pasagjerin, sipas shkronjës “ë”, të nenit 19/2, të këtij ligji.
2. Pas kalimit të periudhës prej gjashtë muajsh, të përcaktuar në pikën 1, të këtij neni, dhe anonimizimit të të dhënave, zbulimi i të dhënave të plota të regjistrit të rezervimit të pasagjerit lejohet vetëm kur vlerësohet se zbulimi i tyre i shërben qëllimit të përcaktuar në nenin 19/3, të këtij ligji. Zbulimi i të dhënave bëhet vetëm pas miratimit të kërkesës së titullarit të strukturës nga e cila varet NPDP-ja, nga organi procedues.
3. Në rast të një rreziku real dhe të çastit, për kryerjen e veprave penale me qëllime terroriste apo krime të rënda, titullari më i lartë i strukturës nga e cila varet NIP-ja urdhëron zbulimin e të dhënave. Urdhri për zbulimin e të dhënave dërgohet pa vonesë pranë organit procedues, me qëllim vlerësimin e kushteve dhe, sipas rastit, vleftësimin ose jo të tij.
4. Për zbulimin e të dhënave të plota të regjistrit të rezervimit të pasagjerit, pas anonimizimit të tyre, informohet personi i ngarkuar për mbrojtjen e të dhënave dhe Autoriteti Kombëtar Mbikëqyrës, të cilët, sipas rastit, mund të bëjnë verifikimin e kushteve për zbulimin e plotë të të dhënave. Mendimi i personit të ngarkuar për mbrojtjen e të dhënave dhe i Autoritetit Kombëtar Mbikëqyrës përfshihen në kërkesën për zbulimin e të dhënave që i drejtohet organit procedues.
Neni 19/11
Të drejtat e subjektit të të dhënave
1. Çdo subjekt i të dhënave ka të drejtë të kontaktojë personin e ngarkuar për mbrojtjen e të dhënave, për çdo çështje që lidhet me grumbullimin, shpërndarjen apo përpunimin e të dhënave të regjistrit të rezervimit të pasagjerit.
2. Subjekti i të dhënave ka të drejtën e aksesit, të informimit, të korrigjimit, të fshirjes të të dhënave, sipas legjislacionit për mbrojtjen e të dhënave personale, si dhe të drejtën e ankimit dhe të kompensimit të dëmit, sipas legjislacionit për gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative.”.
Neni 4
Pas shkronjës “d”, të nenit 20, shtohet shkronja “dh”, me këtë përmbajtje:
“dh) të përpunojë të dhënat e pasagjerit, sipas përcaktimeve të kreut II/1, të këtij ligji.”.
Neni 5
Në nenin 21 bëhen këto shtesa:
1. Pas pikës 1 shtohet pika 1/1, me këtë përmbajtje:
“1/1 Konsiderohen kundërvajtje administrative, nëse nuk përbëjnë vepër penale, veprimet apo mosveprimet e çdo transportuesi ajror që nuk transmeton apo transmeton të dhëna të paplota apo të rreme të regjistrit të rezervimit të pasagjerit.”.
2. Pas pikës 5 shtohen pikat 6 dhe 7, këtë përmbajtje:
“6. Për kundërvajtjet e parashikuara në pikën 1/1, të pikës 1, të këtij neni, transportuesit ajrorë dënohen me gjobë, nga NIP-ja, për çdo udhëtim, nga 500 000 lekë deri në 1 000 000 lekë për çdo pasagjer, të dhënat e të cilit nuk janë transmetuar ose janë të paplota apo të rreme.
7. Në rastet e shkeljeve të rënda apo të përsëritura të detyrimeve që rrjedhin nga kreu II/1, i këtij ligji, me kërkesën e NIP-së, ndaj transportuesit mund të vendoset pezullimi i përkohshëm ose heqja e licencës së veprimtarisë nga autoritetet përkatëse.
Neni 6
Nxjerrja e akteve nënligjore
1. Ngarkohet Këshilli i Ministrave që, brenda 3 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, të nxjerrë vendim në zbatim të pikës 8, të nenit 19/2, të këtij ligji.
2. Ngarkohen ministri përgjegjës për rendin dhe sigurinë publike dhe Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale që, brenda 3 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, të nxjerrin udhëzim të përbashkët në zbatim të pikës 6, të nenit 19/2.
Neni 7
Hyrja në fuqi
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i fillon efektet 6 muaj pas botimit.
K R Y E T A R I
GRAMOZ RUÇI