Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave
Projektligje të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 20 Dhjetor 2023: 
V E N D I M
PËR
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR RATIFIKIMIN                                   E  PROTOKOLLIT NDRYSHUES TË MARRËVESHJES, NDËRMJET PALËVE TË KONVENTËS SË BASHKËPUNIMIT POLICOR                          PËR EVROPËN JUGLINDORE PËR SHKËMBIMIN                                            E AUTOMATIZUAR TË TË DHËNAVE TË ADN-SË, DAKTILOSKOPIKE DHE TË TË DHËNAVE TË REGJISTRIMIT                       TË AUTOMJETEVE, TË RATIFIKUAR ME LIGJIN NR.13/2019”
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, dhe të nenit 17, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare të Republikës së Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Propozimin e projektligjit “Për ratifikimin e protokollit ndryshues të marrëveshjes, ndërmjet palëve të Konventës së Bashkëpunimit Policor për Evropën Juglindore për Shkëmbimin e Automatizuar të të Dhënave të ADN-së, Daktiloskopike dhe të të Dhënave të Regjistrimit të Automjeteve, të ratifikuar me ligjin nr.13/2019”, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
###
P R O J E K T L I GJ
PËR
RATIFIKIMIN E PROTOKOLLIT NDRYSHUES TË MARRËVESHJES, NDËRMJET PALËVE TË KONVENTËS SË BASHKËPUNIMIT POLICOR PËR EVROPËN JUGLINDORE PËR SHKËMBIMIN                       E AUTOMATIZUAR TË TË DHËNAVE TË ADN-SË, DAKTILOSKOPIKE DHE TË TË DHËNAVE TË REGJISTRIMIT                       TË AUTOMJETEVE, TË RATIFIKUAR ME LIGJIN NR.13/2019
Në mbështetje të neneve 78, 83 e 121, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I:
Neni 1
Ratifikimin e protokollit ndryshues të marrëveshjes, ndërmjet palëve të Konventës së Bashkëpunimit Policor për Evropën Juglindore për Shkëmbimin e Automatizuar të të Dhënave të ADN-së, Daktiloskopike dhe të të Dhënave të Regjistrimit të Automjeteve, të ratifikuar me ligjin nr.13/2019, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij ligji dhe është pjesë përbërëse e tij.
Neni 2
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E T A R I
LINDITA NIKOLLA
***
P R O J E K T L I GJ
PËR
STRATEGJINË E MBROJTJES SË MJEDISIT DETAR  TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË
Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I:
KREU I
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
Neni 1
Qëllimi i ligjit
Qëllimi i këtij ligji është arritja dhe ruajtja e statusit  të mirë mjedisor të ujërave detare të detit Mesdhe, të cilat janë nën sovranitetin e Republikës së Shqipërisë.
Neni 2
Objekti i ligjit
Objekti i këtij ligji është hartimi dhe zbatimi i Strategjisë së Mbrojtjes së Mjedisit Detar të Republikës së Shqipërisë, me synim:
a) mbrojtjen dhe ruajtjen e mjedisit detar;
b) parandalimin e përkeqësimit të mjedisit detar;
c) restaurimin e ekosistemeve detare, që janë prekur negativisht; si dhe
ç) parandalimin dhe uljen e hedhjeve në mjedisin detar, me qëllim eliminimin gradual të ndotjes, siç përcaktohet në pikën 6, të nenit 4, të këtij ligji, për të siguruar që nuk ka ndikime apo rreziqe të rëndësishme ndaj biodiversitetit detar, ekosistemeve detare, shëndetit të njeriut apo përdorimet e ligjshme të detit.
Neni 3
Fusha e zbatimit të ligjit
1. Dispozitat e këtij ligji zbatohen në të gjitha ujërat detare, siç përcaktohet në              nenin 4, të këtij ligji, duke marrë parasysh ndikimet ndërkufitare në cilësinë e mjedisit detar të shteteve të tjera, me të cilat Republika e Shqipërisë ndan sovranitetin e saj mbi ujërat detare të nënrajoneve I dhe II.
2. Dispozitat e këtij ligji zbatohen nga organet përgjegjëse për menaxhimin e burimeve ujore, për hartimin e zbatimin e politikave për turizmin detar, për zonat e mbrojtura detare, për biodiversitetin dhe monitorimin e ujërave detare.
3. Dispozitat e këtij ligji nuk zbatohen për aktivitetet, qëllimi i vetëm i të cilave është mbrojtja ose siguria kombëtare. Megjithatë, autoritetet kompetente do të përpiqen të sigurojnë që këto aktivitete të kryhen në një mënyrë që është në përputhje, për aq sa është e arsyeshme dhe praktike, me objektivat e këtij ligji.
Neni 4
Përkufizime
Për qëllimet e këtij ligji, zbatohen përkufizimet e mëposhtme:
1. “Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore”, organi përgjegjës për menaxhimin e integruar të burimeve ujore, sipas legjislacionit për burimet ujore.
2. “Bashkëpunimi rajonal”, bashkëpunimi dhe koordinimi i veprimtarive ndërmjet shteteve që ndajnë sovranitetin mbi detin Adriatik dhe detin Jon, kur është e mundur, me vendet e rajonit detar mesdhetar dhe nënrajoneve detare I e II, me qëllim zhvillimin dhe zbatimin e strategjive për mbrojtjen e mjedisit detar.
3. “Elementet e kritereve”, elementet përbërëse të një ekosistemi, veçanërisht elementet e tij biologjike (speciet, habitatet dhe bashkësitë e tyre) apo aspektet e presioneve në mjedisin detar (biologjik, fizik, substancat, mbeturinat biologjike e fizike, si dhe energjia), të cilat vlerësohen nën secilin kriter.
4. “Konventa rajonale e detit”, Konventa për Mbrojtjen e Mjedisit Detar dhe Zonës Bregdetare të Detit Mesdhe, përfshirë protokollet e ratifikuara, Konventa e Barcelonës e vitit 1976.
5. “Kriteret”, karakteristikat dalluese teknike që janë të lidhura ngushtë me karakteristikat cilësore.
6. “Ndotje”, futja e drejtpërdrejtë ose tërthorazi në mjedisin detar, si pasojë e veprimtarisë njerëzore, e substancave dhe e energjisë, përfshirë zhurmat në ujërat detare të shkaktuara nga dora e njeriut, gjë që sjell apo ka gjasa të sjellë si pasojë ndikime të dëmshme, të tilla si: dëmtimi i gjallesave dhe i ekosistemeve detare, përfshirë humbjen e biodiversitetit, rreziqet ndaj shëndetit të njeriut, pengesat ndaj veprimtarive detare, përfshirë peshkimin, turizmin dhe përdorime të tjera të ligjshme të detit, dëmtimi i cilësisë për përdorimin e ujit të detit dhe zvogëlimi i pajisjeve ose, në përgjithësi, dëmtimi i përdorimit të qëndrueshëm të mallrave dhe të shërbimeve detare.
7. “Nënrajonet detare”, nënrajonet deti Adriatik (nënrajoni I) dhe deti Jon e deti i Mesdheut Qendror (nënnrajoni II), pjesë përbërëse të rajonit detar të Mesdheut nën sovranitetin shqiptar.
8. “Nënndarjet e nënrajoneve detare”, nënndarjet e bëra me qëllim zbatimin e këtij ligji.
9. “Objektiv mjedisor”, gjendja cilësore ose sasiore e synuar e përbërësve të ndryshëm të ujërave detare në nënrajonet detare I dhe II, si dhe e presioneve e ndikimeve mbi to. Objektivat mjedisore përcaktohen në përputhje me                  nenin 10, të këtij ligji.
10. “Rajon detar”, deti Mesdhe (Mesdheu).
11. “Lloj i huaj”, një kafshë, bimë apo mikroorganizëm, që ndodhet jashtë shtrirjes natyrore dhe potencialit të përhapjes dhe përfshin çdo pjesë ose gamet, që mund të mbijetojë dhe të riprodhohet.
12. “Lloj i huaj invaziv”, një lloj i huaj, që zë vend në ekosisteme, habitate ose peizazhe a që vepron si një faktor ndryshimi dhe kërcënon mjedisin, shëndetin e njeriut ose zhvillimin e qëndrueshëm.
13. “Status mjedisor”, gjendja e përgjithshme e mjedisit në ujërat detare, duke marrë parasysh strukturën, funksionin dhe proceset e ekosistemeve detare përbërëse, së bashku me faktorët natyrorë fiziografikë, gjeografikë, biologjikë, gjeologjikë dhe klimatikë, si dhe kushtet fizike, akustike dhe kimike, përfshirë ato që rezultojnë nga veprimtaria njerëzore brenda ose jashtë zonës në fjalë.
14. “Status i mirë mjedisor”, statusi mjedisor i ujërave detare, ekologjikisht të larmishme dhe dinamike, i cili është i pastër, i shëndetshëm dhe produktiv brenda kushteve të tij të brendshme, ndërsa përdorimi i mjedisit të tij detar është në një nivel të qëndrueshëm, duke mbrojtur kështu potencialin për t’u përdorur nga brezat aktualë dhe të ardhshëm, ku përfshihen:
a) struktura, funksionet dhe proceset e ekosistemeve detare përbërëse, së bashku me faktorët e lidhur fizikë, gjeografikë, biologjikë, kimikë, gjeologjikë dhe klimatikë, që lejojnë që këto ekosisteme të funksionojnë plotësisht dhe të ruajnë qëndrueshmërinë e tyre ndaj ndryshimeve mjedisore të shkaktuara nga dora e njeriut. Speciet detare dhe habitatet janë të mbrojtura, rënia e biodiversitetit e shkaktuar nga dora e njeriut është parandaluar dhe përbërësit e ndryshëm biologjikë funksionojnë në ekuilibër;
b) vetitë hidromorfologjike, fizike dhe kimike të ekosistemeve, përfshirë ato veti që rezultojnë nga veprimtaria njerëzore në zonën në fjalë, që mbështesin ekosistemet. Prurjet antropogjene të substancave dhe energjisë, përfshirë zhurmën në mjedisin detar nuk shkaktojnë efekte të ndotjes;
c) statusi i mirë mjedisor, në nivelin e nënrajoneve detare I dhe II, përcaktohet në bazë të karakteristikave cilësore, të përcaktuara në këtë ligj. Do të zbatohet menaxhimi përshtatës sipas qasjes së orientuar nga ekosistemi, me qëllim arritjen e statusit të mirë mjedisor.
15. “Strategjia për mbrojtjen e mjedisit detar”, strategjia që do të hartohet dhe zbatohet në lidhje me nënrajonet I dhe II në Republikën e Shqipërisë, në përputhje me nenin 5, të këtij ligji.
16. “Ujëra detare” janë:
a) ujërat, shtrati i detit dhe nëntoka në anën e detit të vijës bazë, nga e cila matet shtrirja e ujërave territoriale, duke u shtrirë deri në kufijtë e zonës, ku Republika e Shqipërisë ushtron të drejtat e sovranitetit, në përputhje me konventën e OKB-së për të Drejtën e Detit (UNCLOS, 1982);
b) ujërat bregdetare, shtrati i detit dhe nëntoka e tyre, në përputhje me përkufizimin e përcaktuar në legjislacionin për burimet ujore, për aq sa aspektet e veçanta të statusit mjedisor të mjedisit detar nuk trajtohen prej tij apo një legjislacion tjetër.
17. “Vlera prag”, një vlerë ose varg vlerash që bëjnë të mundur vlerësimin e nivelit të cilësisë së arritur për një kriter të veçantë, duke kontribuuar kështu në vlerësimin e nivelit të arritur të statusit të mirë mjedisor.
KREU II
HARTIMI DHE ZBATIMI I STRATEGJISË SË MBROJTJES                          SË MJEDISIT DETAR
Neni 5
Strategjia e Mbrojtjes së Mjedisit Detar të Republikës së Shqipërisë
1. Strategjia e Mbrojtjes së Mjedisit Detar të Republikës së Shqipërisë hartohet sipas fazave të mëposhtme:
a) Faza përgatitore, e cila përbëhet nga:
i. vlerësimi fillestar i statusit aktual mjedisor të ujërave detare të nënrajoneve detare I e II dhe ndikimit mjedisor të veprimtarisë njerëzore mbi to, në përputhje me nenin 8, të këtij ligji;
ii. përcaktimi i statusit të mirë mjedisor të ujërave detare, në përputhje me nenin 9, të këtij ligji;
iii. përcaktimi i objektivave mjedisorë dhe i treguesve të lidhur me to për ujërat detare, në përputhje me nenin 10, të këtij ligji;
iv. hartimi dhe zbatimi i programit të monitorimit për vlerësimin e vazhdueshëm e përditësimin e rregullt të objektivave, në përputhje me nenin 11, të këtij ligji;
v. publikimi i raporteve dhe raportimi i tyre, në përputhje me nenet 15 e 16, të këtij ligji.
b) Faza e përcaktimit të programit të masave, që do të merren për të arritur ose për të ruajtur statusin e mirë mjedisor të ujërave detare të Republikës së Shqipërisë, sipas nenit 12, të këtij ligji, i cili duhet të përfshijë:
i. identifikimin e masave që do të merren dhe afatet për realizimin e tyre, me qëllim  arritjen ose ruajtjen e një statusi të mirë mjedisor të ujërave detare të Republikës së Shqipërisë;
ii. identifikimin e përjashtimeve nga detyrimi për të arritur një status të mirë mjedisor të ujërave detare të Republikës së Shqipërisë; si dhe
iii. informacionin për pamundësinë e arritjes së një statusi të mirë mjedisor përmes zbatimit të masave të miratuara.
2. Strategjia e Mbrojtjes së Mjedisit Detar zbaton një qasje të bazuar në ekosistem për menaxhimin e veprimtarive njerëzore, duke siguruar që presioni i përbashkët i këtyre veprimtarive të jetë brenda niveleve të pajtueshme me arritjen e një statusi të mirë mjedisor dhe të mos ndikojë në aftësinë e ekosistemeve detare për t’iu përgjigjur ndryshimeve të shkaktuara nga veprimtaria njerëzore, duke mundësuar përdorimin e qëndrueshëm të produkteve dhe shërbimeve detare nga brezat aktualë dhe të ardhshëm.
3. Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore, në bashkëpunim me ministrinë përgjegjëse për mjedisin dhe organet përgjegjëse për monitorimin e ujërave detare janë përgjegjëse për hartimin e Strategjisë së Mbrojtjes së Mjedisit Detar të Republikës së Shqipërisë.
4. Për nënrajonet detare nën sovranitetin e Republikës së Shqipërisë mund të hartohet një strategji e vetme apo strategji të veçanta për mbrojtjen e mjedisit detar për çdo nënrajon.
5. Strategjia e Mbrojtjes së Mjedisit Detar të Republikës së Shqipërisë miratohet me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozim të Kryeministrit, brenda 8 vjetësh nga hyrja në fuqi e këtij ligji.
6. Strategjia e Mbrojtjes së Mjedisit Detar përditësohet pas rishikimit që do të kryhet çdo 6 vjet, duke zbatuar një qasje të koordinuar, në përputhje me                   nenet 7 e 8, të këtij ligji, në lidhje me elementet e mëposhtme:
a) Vlerësimin fillestar dhe përcaktimin e statusit të mirë mjedisor;
b) Objektivat mjedisorë;
c)  Programin e monitorimit;
ç)  Programin e masave.
Neni 6
Fazat që ndiqen për hartimin e Strategjisë së Mbrojtjes së Mjedisit Detar të Republikës së Shqipërisë
1. Fazat që ndiqen për hartimin e Strategjisë së Mbrojtjes së Mjedisit Detar të Republikës së Shqipërisë zbatohen nga Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore, në bashkëpunim me ministrinë përgjegjëse për mjedisin, organet përgjegjëse për zonat e mbrojtura detare dhe monitorimin e ujërave detare, të cilat bashkëpunojnë me autoritetet kompetente të shteteve, me të cilat Republika e Shqipërisë ndan sovranitetin mbi nënrajonet detare, me qëllim sigurimin e një veprimi koherent dhe qasjeje të koordinuar në zbatimin e masave për arritjen e objektivave të përcaktuar në nenin 2, të këtij ligji.
2. Përmes qasjes së koordinuar të përcaktuar në pikën 1, të këtij neni, Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore, në bashkëpunim me ministrinë përgjegjëse për mjedisin, organet përgjegjëse për zonat e mbrojtura detare dhe monitorimin e ujërave detare:
a) kryejnë vlerësimin fillestar të statusit aktual mjedisor të ujërave detare dhe të ndikimit të veprimtarisë njerëzore në statusin e tyre, në përputhje me nenin 8, të këtij ligji, brenda 4 vjetësh nga hyrja në fuqi e këtij ligji;
b) përcaktojnë statusin e mirë mjedisor, në përputhje me nenin 9, të këtij ligji, brenda 4 vjetësh nga hyrja në fuqi e këtij ligji;
c) identifikojnë/përcaktojnë objektivat mjedisorë dhe treguesit e duhur për ujërat detare të Republikës së Shqipërisë, në përputhje me nenin 10, të këtij ligji, brenda 4 vjetësh nga hyrja në fuqi e këtij ligji;
ç) hartojnë programin e monitorimit për vlerësimin e rregullt dhe përditësimin e  objektivave mjedisorë, në përputhje me nenin 11, të këtij ligji, i cili duhet të vihet në zbatim brenda 6 vjetësh nga hyrja në fuqi e këtij ligji.
3. Përmes qasjes së përbashkët të përcaktuar në pikën 2, të këtij neni, Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore, në bashkëpunim më ministrinë përgjegjëse për mjedisin, organet përgjegjëse për zonat e mbrojtura detare dhe monitorimin e ujërave detare, ndërmarrin aktivitetet e nevojshme për:
a) hartimin e programit të masave që synojnë arritjen ose ruajtjen e një statusi të mirë mjedisor në ujërat e të dyja nënrajoneve detare, që janë nën sovranitetin e Republikës së Shqipërisë, në përputhje me nenin 12, të këtij ligji, brenda 7 vjetësh nga hyrja në fuqi e këtij ligji;
b) vënien në zbatim të programit të përmendur në shkronjën “a”, të kësaj pike, brenda 1 viti nga miratimi i Strategjisë së Mbrojtjes së Mjedisit Detar të Republikës së Shqipërisë, në përputhje me pikën 5, të nenit 5, të këtij ligji.
4. Fazat që ndiqen për hartimin e Strategjisë së Mbrojtjes së Mjedisit Detar të Republikës së Shqipërisë kryhen brenda 8 vjetësh nga hyrja në fuqi e këtij ligji.
5. Kur statusi i ujërave është aq kritik sa kërkohet ndërmarrja e një veprimi urgjent, Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore, në bashkëpunim më ministrinë përgjegjëse për mjedisin, organet përgjegjëse për zonat e mbrojtura detare dhe monitorimin e ujërave detare, si dhe në bashkëpunim me autoritetet kompetente të shteteve të tjera të interesuara, me të cilat ndan sovranitetin mbi nënrajonet detare, kryejnë në një kohë më të hershme se afati i përcaktuar në pikën 4, të këtij neni, fazat e përcaktuara në këtë nen. Kjo përfshin vënien në zbatim më herët të programeve të masave, si dhe mundësisht masa më të rrepta, me kusht që kjo të mos parandalojë arritjen ose mirëmbajtjen e një statusi të mirë mjedisor në një tjetër nënrajon detar.
Neni 7
Bashkëpunimi rajonal
Për qëllimet e koordinimit me autoritetet kompetente të shteteve, me të cilat Republika e Shqipërisë ndan sovranitetin mbi nënrajonet detare I e II, Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore, në bashkëpunim më ministrinë përgjegjëse për mjedisin, organet përgjegjëse për zonat e mbrojtura detare dhe monitorimin e ujërave detare, kur është e mundur, mund të përdorin strukturat ekzistuese të bashkëpunimit institucional rajonal, përfshirë Konventën për Mbrojtjen e Mjedisit Detar dhe Zonës Bregdetare të Detit Mesdhe (konventa e Barcelonës e vitit 1976) dhe 7 protokollet e saj.
Neni 8
Vlerësimi fillestar i ujërave detare
1. Vlerësimi fillestar i ujërave detare të nënrajoneve detare I e II kryhet nga Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore, në bashkëpunim më ministrinë përgjegjëse për mjedisin, organet përgjegjëse për zonat e mbrojtura dhe monitorimin e ujërave detare, bazuar në të dhënat ekzistuese, kur janë të disponueshme, si dhe duke përfshirë listat treguese të elementeve të ekosistemit, presioneve antropogjene dhe veprimtarisë njerëzore që ka ndikim në ujërat detare, të tilla si:
a) analizë të tipareve dhe karakteristikave thelbësore e statusit aktual mjedisor të këtyre ujërave, mbështetur në listën treguese të elementeve të përcaktuara, në përputhje me nenin 18, të këtij ligji, dhe që mbulon tiparet fizike e kimike, llojet e habitateve, tiparet biologjike dhe hidromorfologjike;
b) analizë të presioneve dhe ndikimeve mbizotëruese, përfshirë veprimtarinë  njerëzore, në statusin mjedisor të këtyre ujërave, e cila duhet:
i. të bazohet në listat treguese të elementeve të përcaktuara, në zbatim të nenit 16, të këtij ligji, dhe përfshin një përzierje cilësore e sasiore të presioneve të ndryshme dhe tendencave të dukshme;
ii. të mbulojë ndikimet kryesore kumulative dhe sinergjike; dhe
iii. të marrë parasysh vlerësimet e ndryshme përkatëse, të cilat janë bërë në përputhje me legjislacionin në fuqi.
c) analizë ekonomike dhe sociale të përdorimit të ujërave detare, si dhe të kostos së degradimit të mjedisit detar.
2. Analizat e përmendura në pikën 1, të këtij neni, marrin parasysh elementet që lidhen me ujërat bregdetare, kalimtare dhe ato territoriale, në përputhje me legjislacionin për burimet ujore. Këto analiza marrin në konsideratë ose bazohen në vlerësime të tjera përkatëse, të tilla si ato të kryera në kuadër të zbatimit të konventës rajonale të detit, me qëllim kryerjen e një vlerësimi gjithëpërfshirës të statusit të mjedisit detar.
3. Gjatë përgatitjes së vlerësimeve të statusit të ujërave detare, në zbatim të                pikës 1, të këtij neni, Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore, në bashkëpunim më ministrinë përgjegjëse për mjedisin, organet përgjegjëse për zonat e mbrojtura dhe monitorimin e ujërave detare, në përputhje me detyrimet e përcaktuara në nenet 6 e 7, të këtij ligji, ndërmarrin hapa për të siguruar që metodologjitë e zbatuara të jenë në përputhje me metodologjitë e shteteve të tjera, me të cilat Republika e Shqipërisë ndan sovranitetin mbi nënrajonet detare I dhe II, si dhe që të merren parasysh ndikimet e tiparet ndërkufitare.
4. Vlerësimi fillestar i statusit të ujërave detare do të kryhet brenda 4 vjetësh nga hyrja në fuqi e këtij ligji.
Neni 9
Përcaktimi i statusit të mirë mjedisor
1. Bazuar në vlerësimin fillestar të statusit të ujërave detare, të hartuar në zbatim të nenit 8, të këtij ligji, Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore, në bashkëpunim më ministrinë përgjegjëse për mjedisin, organet përgjegjëse për zonat e mbrojtura detare dhe monitorimin e ujërave detare,  në lidhje me ujërat detare të të dyja nënrajoneve detare I e II në Republikën e Shqipërisë, identifikojnë një sërë karakteristikash të statusit të tyre të mirë mjedisor, në bazë të karakteristikave cilësore të përcaktuara në zbatim të nenit 18, të këtij ligji.
2. Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore, në bashkëpunim me ministrinë përgjegjëse për mjedisin, organet përgjegjëse për zonat e mbrojtura detare dhe monitorimin e ujërave detare, gjatë përcaktimit të statusit të mirë mjedisor të ujërave detare të nënrajoneve detare I dhe II, marrin parasysh listat treguese të elementeve të përcaktuara në zbatim të nenit 18, të këtij ligji, dhe në veçanti, tiparet fizike dhe kimike, llojet e habitateve, tiparet biologjike dhe hidromorfologjike.
Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore, në bashkëpunim më ministrinë përgjegjëse për mjedisin, organet përgjegjëse për zonat e mbrojtura detare dhe monitorimin e ujërave detare, marrin parasysh edhe presionet apo ndikimet e veprimtarisë njerëzore mbi të dyja nënrajonet detare I e II, duke pasur parasysh listën treguese të përcaktuar në zbatim të nenit 18, të këtij ligji.
3. Karakteristikat e statusit të mirë mjedisor të ujërave të nënrajoneve detare përcaktohen brenda 4 vjetësh nga hyrja në fuqi e këtij ligji.
Neni 10
Përcaktimi i objektivave mjedisorë
1. Bazuar në vlerësimin fillestar të statusit të ujërave detare, të kryer në zbatim të nenit 8, të këtij ligji, Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore, në bashkëpunim me ministrinë përgjegjëse për mjedisin, turizmin dhe ministrinë përgjegjëse për akuakulturën, në lidhje me ujërat detare të nënrajoneve               detare I dhe II, përcaktojnë objektiva mjedisorë gjithëpërfshirës dhe treguesit e lidhur me to për monitorimin e arritjes së statusit të mirë mjedisor në mjedisin detar. Për përcaktimin e këtyre objektivave merret parasysh lista treguese e presioneve dhe e ndikimeve, si dhe lista treguese e karakteristikave,  në zbatim të nenit 18, të këtij ligji.
2. Gjatë përcaktimit të objektivave mjedisorë dhe treguesve të përcaktuar në pikën 1, të këtij neni, sigurohet zbatimi i të gjithë objektivave mjedisorë ekzistues të përcaktuar, në përputhje me legjislacionin shqiptar, të Bashkimit Evropian dhe atë ndërkombëtar në lidhje me ujërat e nënrajoneve detare I e II, duke siguruar që këta objektiva të jenë të koordinuar, si dhe që ndikimet përkatëse ndërkufitare dhe tiparet ndërkufitare të jenë marrë gjithashtu në konsideratë, për aq sa është e mundur.
3. Objektivat mjedisorë dhe treguesit për monitorimin e arritjeve të tyre përcaktohen brenda 4 vjetëh nga hyrja në fuqi e këtij ligji.
Neni 11
Programi i monitorimit
1. Bazuar në vlerësimin fillestar të statusit të ujërave detare në nënrajonet detare I dhe II, të kryer sipas nenit 8, të këtij ligji, Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore, në bashkëpunim me autoritetet përgjegjëse për monitorimin e ujërave detare hartojnë një program ose disa programe monitorimi për vlerësimin e vazhdueshëm të statusit mjedisor të këtyre ujërave, duke u mbështetur në listat treguese të elementeve dhe në listën përkatëse të kërkesave të përcaktuara në zbatim të nenit 18 të këtij ligji, si dhe bazuar në objektivat mjedisorë të përcaktuar, në zbatim të nenit 10, të këtij ligji.
2. Gjatë hartimit të programit të monitorimit, të përcaktuar në pikën 1, të këtij neni, sigurohet bashkëpunimi në rajon, në përputhje me nenin 7, të këtij ligji, me qëllim harmonizimin e vlerësimit dhe të programeve përkatëse të monitorimit me ato të shteteve, me të cilat Republika e Shqipërisë ndan sovranitetin mbi nënrajonet detare I e II, si dhe me legjislacionin që rregullon çështjet që lidhen me habitatet e shpendët e egra, sipas marrëveshjeve ndërkombëtare, ku është palë Republika e Shqipërisë.
3. Në përmbushje të këtij detyrimi dhe duke marrë parasysh nevojën për një qasje koherente dhe të koordinuar, Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore, në bashkëpunim me autoritetet përgjegjëse për monitorimin e ujërave detare, marrin masat e nevojshme për të siguruar që metodat për monitorimin e ujërave të të dyja nënrajoneve detare I e II të jenë koherente dhe rezultatet e monitorimit të jenë të krahasueshme me metodat përkatëse të zbatuara dhe rezultatet e arritura nga shtetet e tjera me të cilat Republika e Shqipërisë ndan sovranitetin mbi këto nënrajone detare, duke marrë gjithashtu parasysh ndikimet dhe tiparet ndërkufitare.
4. Programi apo programet e monitorimit të përcaktuara në pikën 1, të këtij neni, janë pjesë e Programit Kombëtar të Monitorimit të Mjedisit dhe vihen në zbatim brenda 6 vjetësh nga hyrja në fuqi e këtij ligji.
5. Zbatimi i programit apo i programeve të monitorimit, të përcaktuara në pikën 1, të këtij neni sigurohet nëpërmjet programeve vjetore kombëtare të monitorimit të mjedisit.
Neni 12
Programi i masave
1. Strategjia e Mbrojtjes së Mjedisit Detar të Republikës së Shqipërisë përmban programin e masave që duhet të merren për të arritur dhe ruajtur statusin e mirë mjedisor të ujërave detare.
2. Masat e përmendura në pikën 1, të këtij neni:
a) hartohen në bazë të vlerësimit fillestar të miratuar të statusit të ujërave detare, në zbatim të nenit 8, të këtij ligji;
b) planifikohen në mënyrë të tillë, që realizimi i tyre të shërbejë për arritjen e objektivave mjedisorë të përcaktuar, në zbatim të nenit 10, të këtij ligji;
c) planifikohen brenda afateve të përcaktuara në vendimin e Këshillit të Ministrave, në zbatim të nenit 18, të këtij ligji.
3. Gjatë përcaktimit të masave të përmendura në pikën 1, të këtij neni, Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore, në bashkëpunim me organin përgjegjës për zonat e mbrojtura detare:
a) marrin në konsideratë masat përkatëse të ndërmarra në bazë të legjislacionit për burimet ujore, si dhe çdo akt tjetër ligjor apo nënligjor, që rregullon trajtimin e ujërave të ndotura urbane, cilësinë e ujërave të larjes dhe marrëveshjet ndërkombëtare përkatëse, në të cilat është palë Republika e Shqipërisë;
b) marrin parasysh zhvillimin e qëndrueshëm dhe, në veçanti, ndikimet ekonomike dhe sociale të masave të parashikuara;
c) sigurojnë që masat të jenë me kosto efektive dhe teknikisht të realizueshme;
ç) kryejnë vlerësimin e ndikimit, duke përfshirë analizën e kostos dhe të përfitimit, përpara përcaktimit të çdo mase të re;
d) marrin në konsideratë ndikimet e zbatimit të programit të masave në ujëra përtej ujërave të tyre detare, me qëllim uljen e rrezikut të dëmtimit dhe, nëse është e mundur, të ketë një ndikim pozitiv në këto ujëra.
4. Programi i masave i përcaktuar në pikën 1, të këtij neni, përfshin gjithashtu masat e mbrojtjes hapësinore, me qëllim:
a) dhënien e kontributit në rrjetet koherente dhe përfaqësuese të zonave të mbrojtura detare; dhe
b) mbulimin në mënyrën e duhur të larmisë së ekosistemeve përbërëse, të tilla si zonat e veçanta të ruajtjes, të përcaktuara në përputhje me legjislacionin për habitatet, zonat e veçanta të mbrojtura të përcaktuara në përputhje me legjislacionin për shpendët e egra, zonat e mbrojtura detare, të përcaktuara së bashku me shtetet e tjera në kuadër të marrëveshjeve ndërkombëtare dhe rajonale, në të cilat ato janë palë.
Informacioni përkatës për zonat e veçanta të ruajtjes dhe zonat e veçanta të mbrojtjes në të dyja nënrajonet detare I e II do të vihet në dispozicion të publikut nga Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore, brenda 8 vjetësh nga hyrja në fuqi e këtij ligji.
5. Programi i masave përmban, ndër të tjera, udhëzime për mënyrën e zbatimit të masave dhe si do të kontribuojnë ato në arritjen e objektivave mjedisorë në zbatim të nenit 10, të këtij ligji.
Neni 13
Përjashtimet nga detyrimi për të arritur objektivat mjedisorë dhe statusin e mirë mjedisor
1. Programi i masave, i përcaktuar në përputhje me nenin 12, të këtij ligji, mund të identifikojë rastet kur objektivat mjedisorë dhe statusi i mirë mjedisor në ujërat e detit Adriatik dhe të  detit Jon të Republikës së Shqipërisë nuk mund të arrihen në çdo aspekt përmes masave të marra dhe brenda afateve kohore në fjalë për shkaqet e mëposhtme:
a) Kur veprimi ose mosveprimi nuk është përgjegjësi e autoriteteve kompetente shqiptare;
b) Shkaqe natyrore;
c) Forca madhore;
ç) Shtesat ose ndryshimet e karakteristikave fizike të ujërave detare vijnë si pasojë e veprimeve të ndërmarra për shkak të një interesi publik madhor, i cili tejkalon ndikimin negativ në mjedis, përfshirë çdo ndikim ndërkufitar;
d) Kushtet natyrore janë të tilla që nuk lejojnë përmirësimin në kohë të statusit të ujërave detare në fjalë.
2. Njëkohësisht, me identifikimin e rasteve të përcaktuara në pikën 1, të këtij neni, shqyrtohen edhe pasojat që mund të vijnë nga mosarritja e objektivave mjedisorë dhe statusi i mirë mjedisor në shtetet e tjera në të dyja nënrajonet detare I e II.
3. Në rastin e pikës 2, të këtij neni, Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore, në bashkëpunim me ministrinë përgjegjëse për mjedisin, organet përgjegjëse për zonat e mbrojtura detare dhe monitorimin e ujërave detare, marrin masa të posaçme me qëllim parandalimin e përkeqësimit të mëtejshëm të statusit të ujërave detare të prekura nga shkaqet e përcaktuara në shkronjat “b”, “c” dhe “ç”, të pikës 1, të këtij neni, dhe zbutjen e ndikimit negativ brenda nënrajoneve detare I e II ose ujërave të shteteve të tjera.
4. Në rastin e shkronjës “ç”, të pikës 1, të këtij neni, Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore, në bashkëpunim me ministrinë përgjegjëse për mjedisin, organet përgjegjëse për zonat e mbrojtura detare dhe monitorimin e ujërave detare marrin masa në mënyrë që ndryshimet dhe shtesat të mos përjashtojnë ose cenojnë në mënyrë të pakthyeshme arritjen e statusit të mirë mjedisor në nënrajonet detare I e II ose në ujërat detare të shteteve të tjera.
5. Masat e posaçme të përcaktuara në pikën 3, të këtij neni, kur është e mundur, përfshihen në programin e masave.
Neni 14
Rastet  e mosveprimit
1. Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore, ministria përgjegjëse për mjedisin, organet përgjegjëse për zonat e mbrojtura detare dhe monitorimin e ujërave detare janë përgjegjëse për hartimin dhe zbatimin e të gjitha elementeve të Strategjisë së Mbrojtjes së Mjedisit Detar të Republikës së Shqipërisë, në zbatim të neneve 5 e 6, të këtij ligji. Në rast se pas hartimit të strategjisë vlerësohet se nuk ka rrezik të konsiderueshëm ose kur kostot do të ishin joproporcionale, duke marrë parasysh rreziqet në mjedisin detar dhe me kusht që të mos ketë përkeqësim të mëtejshëm, përjashtohet detyrimi për të ndërmarrë masa apo hapa të veçantë. Vlerësimi fillestar i përcaktuar në                nenin 6, të këtij ligji, kryhet në çdo rast.
2. Nëse për ndonjë prej shkaqeve të përcaktuara në pikën 1, të këtij neni, Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore, ministria përgjegjëse për mjedisin, organet përgjegjëse për zonat e mbrojtura detare dhe monitorimin e ujërave detare nuk ndërmarrin asnjë hap, do ta bëjnë publik këtë fakt, si dhe do të njoftojnë Këshillin e Ministrave, i cili merr masat t’i paraqesë Komisionit Evropian arsyetimin e nevojshëm, ku është mbështetur ky vendim, duke shmangur që arritja e statusit të mirë mjedisor të cenohet në mënyrë të pakthyeshme.
Neni 15
Pjesëmarrja e publikut
1. Gjatë zbatimit të dispozitave të këtij ligji, Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore garanton që të gjitha palët e interesit dhe publiku të kenë akses në informacionin mjedisor, sipas legjislacionit përkatës.
2. Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore garanton që të gjitha palët e interesit dhe publiku të kenë mundësi për të marrë pjesë në zbatimin e kërkesave të këtij ligji, duke përfshirë, kur është e mundur, organet ekzistuese të menaxhimit ose strukturat e konventës së Barcelonës, si dhe organe të tjera shkencore këshillimore të njohura ndërkombëtarisht.
3. Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore organizon konsultime publike në lidhje me Strategjinë e Mbrojtjes së Mjedisit Detar, në përputhje me legjislacionin për konsultimin publik.
4. Përveç detyrimit të përmendur në pikën 3, të këtij neni, Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore, gjatë fazës së përgatitjes së dokumenteve të mëposhtme publikon përmbledhje të shkurtra, me qëllim që t’i japë publikut mundësinë e komenteve për elementet vijuese të Strategjisë së Mbrojtjes së Mjedisit Detar, si dhe të gjitha ndryshimeve për:
a) vlerësimin fillestar të statusit të ujërave detare, në përputhje me nenin 8, të këtij ligji, dhe përcaktimin e statusit të mirë mjedisor, në përputhje me nenin 9, të këtij ligji;
b) objektivat mjedisorë, në përputhje me nenin 10, të këtij ligji;
c) programin e monitorimit, në përputhje me nenin 11, të këtij ligji;
ç)  programin e masave, në përputhje me nenin 12, të këtij ligji.
Neni 16
Detyrimi për të raportuar
1. Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore publikon, të paktën në faqen e saj të internetit, si më poshtë vijon:
a) Listën e autoriteteve kompetente të ngarkuara për zbatimin e këtij ligji, duke përfshirë informacionin e nevojshëm për to, të përcaktuar në zbatim të nenit 18, të këtij ligji, brenda 2 vjetësh nga hyrja në fuqi e këtij ligji;
b) Listën e autoriteteve kompetente të ngarkuara për të bashkëpunuar me organizatat ndërkombëtare, me të cilat bashkëpunon Republika e Shqipërisë, brenda 2 vjetësh nga hyrja në fuqi të këtij ligji;
c) Informacionin për vlerësimin fillestar të kryer të statusit të ujërave detare të nënrajoneve detare I e II, në përputhje me nenin 8, të këtij ligji;
ç)  Informacionin për objektivat mjedisorë të ujërave të nënrajoneve detare I e II;
d) Informacion për programin e monitorimit të hartuar, në përputhje me                nenin 11, të këtij ligji;
dh) Informacion për programin e masave të hartuara, në përputhje me                 nenin 12, të këtij ligji;
e) Arsyet për shkaqet e mosveprimit, në zbatim të nenit 14, të këtij ligji;
ë)  Informacionin për detajet e çdo përditësimi të Strategjisë së Mbrojtjes së Mjedisit Detar të Republikës së Shqipërisë, i cili sigurohet t’i dërgohet sekretariatit të konventës së Barcelonës dhe shteteve të tjera që ndajnë me Republikën e Shqipërisë sovranitetin mbi ujërat e nënrajoneve detare I dhe II.
2. Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore publikon, të paktën në faqen e saj të internetit, për çdo ndryshim të informacionit që përmbahet në listat e përmendura në pikën 1, të këtij neni, brenda 6 muajve nga data e ndryshimit.
3. Në rast se Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore, në bashkëpunim me ministrinë përgjegjëse për mjedisin, organet përgjegjëse për zonat e mbrojtura detare dhe monitorimin e ujërave detare, vlerësojnë që një çështje që ka ndikim në statusin mjedisor të ujërave të nënrajoneve detare I e II të Republikës së Shqipërisë nuk mund të trajtohet nga masat e marra nga autoritetet kompetente të Republikës së Shqipërisë, ose nëse ekziston një rast që lidhet me zbatimin e ndonjë politike tjetër të Bashkimit Evropian apo që lind nga zbatimi i një marrëveshjeje ndërkombëtare, njofton Këshillin e Ministrave, i cili merr masat për informimin e Komisionit Evropian, sipas rrethanave, duke paraqitur arsyetimin përkatës.
4. Brenda 3 vjetëve nga botimi i çdo programi masash apo përditësimi të tij, në zbatim të shkronjave “a”, “b”, “c” dhe “ç”, të pikës 4, të nenit 15,  të këtij ligji, Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore përgatit një raport të ndërmjetëm të shkurtuar, i cili përshkruan progresin e arritur në zbatimin e këtij programi.
Neni 17
E drejta për akses dhe përdorim të të dhënave
1. Në bashkëpunim me autoritetet e tjera kompetente, Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore garanton përmbushjen e detyrimeve në kuadër të zbatimit të legjislacionit evropian për të drejtën e informacionit gjeohapësinor, të drejtën për akses dhe përdorim të të dhënave, si dhe të informacionit që rezulton nga vlerësimi fillestar i kryer në zbatim të nenit 8, të këtij ligji, dhe nga programet e monitorimit të përcaktuara në zbatim të nenit 11, të këtij ligji.
2. Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore siguron që informacioni nga vlerësimi fillestar i kryer në zbatim të nenit 8, të këtij ligji, dhe nga programet e monitorimit të përcaktuara në zbatim të nenit 11, të këtij ligji, t’i vihet në dispozicion Agjencisë Evropiane të Mjedisit, jo më vonë se 6 muaj, pasi këto të dhëna të jenë bërë të disponueshme.
Neni 18
Metodologjia për hartimin e Strategjisë së Mbrojtjes së Mjedisit Detar
1. Për qëllimet e zbatimit të këtij ligji, Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore harton metodologjinë për hartimin e Strategjisë së Mbrojtjes së Mjedisit Detar të Republikës së Shqipërisë, në të cilën përfshihen:
a) elementet që duhet të përmbajnë dy fazat që ndiqen për hartimin e Strategjisë së Mbrojtjes së Mjedisit Detar të Republikës së Shqipërisë;
b) lista treguese e elementeve të ekosistemit, të presioneve antropogjene dhe të veprimtarisë njerëzore në ujërat detare;
c) elementet përshkruese cilësore për përcaktimin e statusit të mirë mjedisor të ujërave detare;
ç)  elementet që duhet të përmbajë informacioni për autoritetet kompetente;
d) lista treguese e karakteristikave që do të merren parasysh gjatë përcaktimit të objektivave mjedisorë për nënrajonet detare në Republikën e Shqipërisë;
dh) elementet që duhet të përmbajnë programet e monitorimit;
e) elementet që duhet të përmbajnë programet e masave.
2. Metodologjia për hartimin e Strategjisë së Mbrojtjes së Mjedisit Detar të Republikës së Shqipërisë miratohet me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozim të Kryeministrit, brenda 3 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji.
KREU III
DISPOZITA TË FUNDIT
Neni 19
Nxjerrja e akteve nënligjore
Ngarkohet Këshilli i Ministrave që të nxjerrë aktet nënligjore në zbatim të              neneve 5, pika 5, dhe 18, pika 2, të këtij ligji, brenda afatit të përcaktuar në këto nene.
Neni 20
Hyrja në fuqi
Ky ligj hyn në fuqi 6 muaj pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E T A R I
LINDITA NIKOLLA
###
V E N D I M
PËR
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR STRATEGJINË                                  E MBROJTJES SË MJEDISIT DETAR TË REPUBLIKËS                                   SË SHQIPËRISË”
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Propozimin e projektligjit “Për Strategjinë e Mbrojtjes së Mjedisit Detar të Republikës së Shqipërisë”, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA 
*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.