Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Projektligje të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 20 nëntor 2019:

P R O J E K T L I GJ
PËR

DISA NDRYSHIME NË LIGJIN NR.10448, DATË 14.7.2011, “PËR ­LEJET E MJEDISIT”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë

V E N D O S I:

Në ligjin nr.10448, datë 14.7.2011, “Për lejet e mjedisit”, të ndryshuar, bëhen ndryshimet, si më poshtë vijon:

Neni 1

Pika 14, e nenit 3, kreu IV, neni 21, pika 2, e nenit 24, dhe neni 31 shfuqizohen.

Neni 2

Në nenin 4 bëhen këto ndryshime:

1. Paragrafi i parë, i pikës 1, ndryshohet, si më poshtë si vijon:

“1. Në përputhje me ligjin nr.10431, datë 9.6.2011, “Për mbrojtjen e mjedisit”, krijohet një sistem prej dy nivelesh të lejeve të mjedisit, të tipave A e B, si më poshtë:”.

2. Shkronja “c”, e pikës 1, shfuqizohet.

3. Shkronja “ç”, e pikës 2, shfuqizohet.

4. Paragrafi i parë i pikës 3 ndryshohet, si më poshtë si vijon:
“3. Kushtet e lejes së mjedisit të tipave A dhe B rishikohen në çdo kohë nga ministria nëse ka ndryshime në legjislacionin përkatës mjedisor, të cilit ato i përmbahen, dhe në raste kur konstatohet nga autoritetet kompetente, të përcaktuara në pikën 2, të këtij neni, nëse:”.

Neni 3

Kudo në nenin 19, fjalët “… dhe Inspektoratin Shtetëror Kompetent …” hiqen.

Neni 4

Në nenin 23 bëhen këto ndryshime:

1. Pika 2 shfuqizohet.

2. Në pikat 3 dhe 4, fjalët “… në pikat 1 dhe 2, të këtij neni …” dhe “… sipas përcaktimit në pikat 1 dhe 2, të këtij neni …” zëvendësohen me “… në pikën 1, të këtij neni …”.

Neni 5

Në nenin 25 bëhen ndryshimet, si më poshtë vijon:

1. Pika 3 ndryshohet, me këtë përmbajtje:

“3. Operatori i instalimit i paguan çdo vit një tarifë vjetore ministrisë për instalimet e tipave A dhe B, përkatësisht”.

2. Pika 6 shfuqizohet.

Neni 6

Në nenin 26, fjalët “… agjencia përkatëse rajonale e mjedisit …” dhe “… ARM-ja …” hiqen.

Neni 7

Në nenin 27 bëhen këto ndryshime:

1. Titulli ndryshohet në “Shfuqizimi i lejeve të mjedisit të tipave A dhe B”.

2. Fjalia hyrëse ndryshohet, si më poshtë vijon:

“Ministri, për lejet e mjedisit të tipave A dhe B, mund të pezullojë ose t’i shfuqizojë lejen e mjedisit kur:…”.

Neni 8

Në nenin 29 bëhen ndryshimet, si më poshtë vijon:

1. Paragrafët “iii”, të shkronjave “a” dhe “b”, të pikës 1, shfuqizohen.

2. Në pikën 2, fjalët “… agjencia përkatëse rajonale e mjedisit …” hiqen.

3. Pika 8 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“8. Ministri, me propozimin e strukturës përgjegjëse inspektuese në fushën e mjedisit, në rastet kur gjoba nuk është paguar brenda afatit të përcaktuar, vendos pezullimin e lejes përkatëse të mjedisit për të gjithë veprimtarinë ose pjesë të saj deri në pagesën e gjobës. Vendimi i pezullimit publikohet menjëherë në Regjistrin Kombëtar të Licencave, Autorizimeve dhe Lejeve nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit dhe i dërgohet zyrtarisht QKB-së.”.

Neni 9

1. Shtojca 1, e ligjit nr.10 448, datë 14.7.2011, “Për lejet e mjedisit”, të ndryshuar, zëvendësohet me shtojcën që i bashkëlidhet këtij ligji dhe është pjesë përbërëse e tij.

2. Kudo në tekstin e ligjit,:

a) fjalët “… A, B dhe C …” zëvendësohen me “A dhe B”;
b) fjalët “Qendra Kombëtare e Licencimeve” dhe “QKL” zëvendësohen me “Qendra Kombëtare e Biznesit” dhe “QKB”;
c) fjalët “… dhe inspektoratin shtetëror kompetent …” zëvendësohen me “… dhe strukturën përgjegjëse inspektuese në fushën e mjedisit …”;
ç) termi “revokim” zëvendësohet me “shfuqizim”.

Neni 10
Dispozita kalimtare

1. Të gjitha instalimet ekzistuese të tipit C, të cilat, në varësi të kapacitetit referuar shtojcës 1, të këtij ligji, klasifikohen si leje mjedisit të tipit B, aplikojnë pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit për t’u pajisur me leje mjedisi të tipit B brenda 12 muajve, nga hyrja në fuqi e ligjit.

2. Të gjitha instalimet e cituara në pikën 1, të këtij neni, vazhdojnë të dorëzojnë raportin për zbatimin e kushteve të lejes së mjedisit të tipit C pranë agjencisë rajonale të mjedisit përkatëse, deri në momentin që do të aplikojnë pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit për t’u pajisur me leje mjedisi të tipit B.
3. Të gjitha instalimet ekzistuese të tipit C, të cilat nuk klasifikohen si leje mjedisit të tipit B, sipas pikës 1, të këtij neni, me hyrjen në fuqi të këtij ligji shfuqizohen.

4. Kërkesat e posaçme për shqyrtimin e aplikimeve për leje mjedisi të tipit B, për instalimet e cituara në pikën 1, të këtij neni, si dhe rregullat e hollësishme për shqyrtimin e tyre nga autoritetet kompetente, të përcaktuara në këtë ligj, deri në lëshimin e këtyre lejeve nga QKB-ja do të miratohen me urdhër të ministrit, brenda 1 muaji, nga hyrja në fuqi e këtij ligji.

Neni 11
Shfuqizime

Me hyrjen në fuqi të këtij ligji:

a) çdo parashikim për lejet e mjedisit të tipit C në ligjin nr.162/2014, “Për mbrojtjen e cilësisë së ajrit në mjedis”, dhe e vendimet e Këshillit të Ministrave nr.419, datë 25.6.2014, “Për miratimin e kërkesave të posaçme për shqyrtimin e kërkesave për leje mjedisi të tipave A, B dhe C, për transferimin e lejeve nga një subjekt te tjetri, të kushteve për lejet respektive të mjedisit, si dhe rregullave të hollësishme për shqyrtimin e tyre nga autoritetet kompetente deri në lëshimin e këtyre lejeve nga QKL-ja”, të ndryshuar, nr.417, datë 25.6.2014, “Për miratimin e tarifave të lejeve të mjedisit”, nr.127, datë 11.2.2015, “Për kërkesat për përdorimin në bujqësi të llumrave të ujërave të ndotura”, dhe nr.908, datë 21.12.2016, “Për përcaktimin e masave për kufizimin e shkarkimit të përbërësve organikë të avullueshëm nga përdorimi i tretësve organikë në disa veprimtari dhe instalime”, shfuqizohen;
b) çdo dispozitë ligjore dhe nënligjore, që vjen në kundërshtim me dispozitat e këtij ligji, shfuqizohet.

Neni 12

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E T A R I
GRAMOZ RUÇI
***
V E N D I M
PËR

PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR DISA NDRYSHIME NË LIGJIN NR.10448, DATË 14.7.2011, “PËR ­LEJET E MJEDISIT”, TË NDRYSHUAR”

Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Turizmit dhe Mjedisit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Propozimin e projektligjit “Për disa ndryshime në ligjin nr.10448, datë 14.7.2011, “Për ­lejet e mjedisit”, të ndryshuar”, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE
###
P R O J E K T L I GJ
PËR

DISA NDRYSHIME NË LIGJIN NR.10431, DATË 9.6.2011, “PËR MBROJTJEN E MJEDISIT”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të neneve 78 e 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë

V E N D O S I:

Në ligjin nr.10431, datë 9.6.2011. “Për mbrojtjen e mjedisit”, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime:

Neni 1

Pika 2, e nenit 29, ndryshohet, si më poshtë vijon:

“2. Dhënia e lejeve të mjedisit përcaktohet sipas një sistemi të përbërë prej dy nivelesh, mbështetur në madhësinë dhe llojin e veprimtarisë që ka nevojë të pajiset me leje, si dhe në mundësinë që ka ajo veprimtari të shkaktojë ndotje në atë masë që mund të sjellë dëm në mjedis e të rrezikojë shëndetin e njeriut:

a) kategoria e veprimtarive A, për të cilat zbatohet leja e mjedisit e tipit A;
b) kategoria e veprimtarive B, për të cilat zbatohet leja e mjedisit e tipit B.

Kategoritë e veprimtarive dhe kufijtë ndërmjet dy niveleve përcaktohen në ligjin për lejet e mjedisit.”.

Neni 2

Në pikën 1, të nenit 62, fjalët “… kryhet nga inspektorati shtetëror kompetent (më poshtë “Inspektorati”) …” zëvendësohen me fjalët “… kryhet nga struktura përgjegjëse inspektuese në fushën e mjedisit …”.

Neni 3

Kudo në tekstin e ligjit referencat “A, B dhe C” zëvendësohen me “A dhe B”.

Neni 4

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E T A R I
GRAMOZ RUÇI
***
V E N D I M
PËR

PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR DISA NDRYSHIME NË LIGJIN NR.10431, DATË 9.6.2011, “PËR MBROJTJEN E MJEDISIT”, TË NDRYSHUAR”

Në mbështetje të neneve 81, pika 1, e 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Turizmit dhe Mjedisit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Propozimin e projektligjit “Për disa ndryshime në ligjin nr.10431, datë 9.6.2011, “Për mbrojtjen e mjedisit”, të ndryshuar”, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE
###
P R O J E K T L I GJ
PËR

DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË LIGJIN NR.7643, DATË 2.12.1992, “PËR INSPEKTIMIN SANITAR”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë

V E N D O S I:

Në ligjin nr.7643, datë 2.12.1992, të ndryshuar, bëhen ndryshimet dhe shtesat, si më poshtë vijon:

Neni 1

Kudo në përmbajtjen e ligjit, fjalët “… inspektorati që mbulon fushën e shëndetit …” zëvendësohen me “… struktura përgjegjëse për inspektimin në fushën e shëndetit …” dhe emërtesa “Drejtoria e Shëndetit Publik” zëvendësohet me fjalët “… Struktura përgjegjëse për shëndetin publik …”.

Neni 2

Në nenin 1/1, pikat 5 dhe 6 shfuqizohen.

Neni 3

Në nenin 2, pas paragrafit të parë shtohet pragrafi, me këtë përmbajtje:

“Bën përjashtim nga ky ligj inspektimi sanitar në fushën e ushqimit dhe ushqimit për kafshë, inspektimi i cili do të bëhet nga institucioni përgjegjës për kontrollin zyrtar të ushqimit dhe ushqimit për kafshë …”.

Neni 4

Në nenin 10 bëhen këto ndryshime:

a) Paragrafi i parë ndryshohet, si më poshtë vijon:

“Struktura përgjegjëse për inspektimin në fushën e shëndetit është pergjegjëse për kontrollon dhe zbatimin e ligjeve e të akteve nënligjore sanitare dhe pajis me akt miratimi higjieno-sanitar subjektet në sektorët publikë dhe jopublikë, sipas përcaktimeve të këtij neni.”.

b) Nënndarja e parë, pas paragrafit të parë, ndryshohet, si më poshtë vijon:

“- në objektet e prodhimit, të ruajtjes, të magazinimit, të transportimit e tregtimit të produkteve të të gjitha llojeve, përjashtuar objektet e prodhimit, të ruajtjes, të magazinimit, të transportimit e tregtimit të produkteve ushqimore.”.

Neni 5

Neni 12 shfuqizohet.

Neni 6

Në nenin 13 bëhen këto ndryshime:

a) Në shkronjën “c”, fjalët “… si dhe analizën e hazardëve dhe kontrollin në pikat kritike në të gjithë zinxhirin për prodhimin e produkteve ushqimore.” hiqen.

b) Shkronja “ç” shfuqizohet.

Neni 7

Neni 16 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“Neni 16

Struktura përgjegjëse për inspektimin në fushën e shëndetit, me miratimin e prokurorit, hyn në çdo kohë në ambiente private, përfshirë edhe banesat, kur ka të dhëna e njoftime për ushtrimin e veprimtarive që rrezikojnë shëndetin e njerëzve, si dhe pa akt miratimi higjieno-sanitar, dhe merr masat e nevojshme, sipas legjislacionit në fuqi.”.

Neni 8

Nënndarja e parë, e nenit 19, ndryshohet, si më poshtë vijon:

“- prodhimin, ruajtjen, transportimin, tregtimin e produkteve kozmetike në kundërshtim me kriteret e përcaktuara në legjislacionin përkatës dhe normat sanitare.”.

Neni 9

Neni 20 shfuqizohet.

Neni 10

Në nenin 26 bëhen ndryshimet, si më poshtë vijon:

a) Pikat 2, 3, 5 dhe 12 shfuqizohen.

b) Pikat 4 e 14 ndryshohen, si më poshtë vijon:

“4. Papastërtitë personale e të mjeteve të punës në objektet e përcaktuara në nenin 10, të këtij ligji.

14. Mosmarrja e aktmiratimit prej strukturave përgjegjëse për inspektimin në fushën e shëndetit nga subjektet e përcaktura në nenin 10, të këtij ligji.”.

Neni 11

Në pikën 4, të nenit 27, bëhen ndryshimet, si më poshtë vijon:

a) Në nënndarjen e parë hiqen numrat “2” dhe “3”.
b) Në nënndarjen e dytë hiqet numri “12”.
c) Në nënndarjen e tretë hiqet numri “5”.

Neni 12
Hyrja në fuqi

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E T A R I

GRAMOZ RUÇI

***

V E N D I M
PËR

PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË LIGJIN NR.7643, DATË 2.12.1992, “PËR INSPEKTIMIN SANITAR”, TË NDRYSHUAR”

Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Propozimin e projektligjit “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.7643, datë 2.12.1992, “Për inspektimin sanitar”, të ndryshuar”, për shqyrtim dhe miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

 

*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.