Projektligje të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 20 Qershor 2018:
P R O J E K T L I GJ
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË LIGJIN NR.8438, DATË 28.12.1998, “PËR TATIMIN MBI TË ARDHURAT”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të neneve 78, 83, pika 1, dhe 155, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I:
Në ligjin nr.8438, datë 28.12.1998, “Për tatimin mbi të ardhurat”, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
Neni 1
Pika 1, e nenit 11, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“1. Fitimi kapital i realizuar si rezultat i kalimit të së drejtës së pronësisë mbi pasuritë e paluajtshme, ndërtesë, truall dhe tokë bujqësore, tatohet me normën 15 për qind.
Shkëmbimi i truallit me sipërfaqe ndërtimi, në bazë të një kontrate shkëmbimi, nuk përbën moment për llogaritje të ndonjë fitimi kapital nga transferimi i pasurisë së paluajtshme.”.
Neni 2
Paragrafët 3 dhe 4, të nenit 20, shfuqizohen.
Neni 3
Në nenin 28, “Shkalla tatimore”, bëhen ndryshimet e mëposhtme:
1. Pika 1 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“1. Shkalla e tatimit mbi fitimin është:
5% për tatimpaguesit me të ardhura deri në 14 000 000 lekë në vit.
15% për tatimpaguesit me të ardhura mbi 14 000 000 lekë në vit.”.
2. Pas pikës 2 shtohen pikat 3 dhe 4, me këtë përmbajtje:
“3. Për personat juridikë, të cilët zhvillojnë veprimtari ekonomike sipas ligjit nr.38/2012, “Për shoqëritë e bashkëpunimit bujqësor”, shkalla e tatimit mbi fitimin është 5%.
4. Për personat juridikë, të cilët zhvillojnë veprimtari agroturistike të certifikuar si “agroturizëm”, bazuar në ligjin nr.93/2015, “Për turizmin”, dhe vendimin e Këshillit të Ministrave që miraton kriteret për certifikimin e veprimtarisë së agroturizmit, shkalla e tatimit mbi fitimin është 5%. Norma e reduktuar e tatimit mbi fitimin 5%, e parashikuar sipas këtij paragrafi, aplikohet për një periudhë 10-vjeçare për ato struktura, të cilat përfitojnë statusin “subjekt i certifikuar agroturizmi” deri në dhjetor 2021. Efektet e normës së reduktuar fillojnë në vitin pasardhës pas përfitimit të statusit “subjekt i certifikuar agroturizmi.”.
Neni 4
Në nenin 33/1, “Depozitimi i vendimit për miratimin e rezultatit vjetor dhe destinimi i fitimit”, bëhen ndryshimet, si më poshtë vijon:
1. Në pikën 2 hiqen fjalët “… dhe personat fizikë …”,“… /vendimin e personit fizik …”, si dhe “… për çdo muaj vonesë …”.
2. Në pikën 4 hiqen fjalët“… /vendimi i personit fizik …”.
Neni 5
Paragrafi i dytë, i pikës 7, të nenit 38, “Dispozita kalimtare”, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Tatimi mbi lojërat e fatit sipas nenit 52/2, të ligjit nr.155/2015, “Për lojërat e fatit në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, aplikohet me shkallën 15% mbi të ardhurat bruto nga loja për të gjitha kategoritë e lojërave të fatit, përfshirë Lotarinë Kombëtare të licencuar sipas ligjit nr.95/2013. E ardhura bruto nga loja është shuma e mbetur organizatorit nga diferenca midis shumës totale të luajtur nga lojtarët në lojërat e fatit dhe shumës së fituar prej tyre.
Tatimi mbi fitimin llogaritet në përputhje me dispozitat e këtij ligji.”.
Neni 6
Dispozitë kalimtare
Neni 2, që ndryshon nenin 20, “Shpenzime të njohura”, të ligjit nuk do të zbatohet për kontratat e shkëmbimit që janë regjistruar në ZRPP para datës së hyrjes në fuqi të këtij ligji.
Neni 7
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”, me përjashtim të nenit 3, i cili hyn në fuqi në datën 1 janar 2019.
K R Y E T A R I
GRAMOZ RUÇI
***
V E N D I M
“PËR
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË LIGJIN NR.8438, DATË 28.12.1998, “PËR TATIMIN MBI TË ARDHURAT”, TË NDRYSHUAR”
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Propozimin e projektligjit “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.8438, datë 28.12.1998, “Për tatimin mbi të ardhurat”, të ndryshuar”, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
SENIDA MESI
***
P R O J E K T L I GJ
PËR
NJË SHTESË NË LIGJIN NR.9632, DATË 30.10.2006, “PËR SISTEMIN E TAKSAVE VENDORE”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të neneve 78, 83, pika 1, 113, pika 1, shkronja “ç”, 155 dhe 157, pika 3, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I:
Neni 1
Pas pikës 7, të nenit 27, të ligjit nr.9632, datë 30.10.2006, “Për sistemin e taksave vendore”, të ndryshuar, shtohet pika 8, me këtë përmbajtje:
“8. Përjashtohen nga pagesa e kësaj takse edhe investimet e subjekteve që zhvillojnë veprimtari pritëse, të certifikuar si agroturizëm, në përputhje me ligjin nr.93/2015, “Për turizmin”, dhe vendimin e Këshillit të Ministrave që miraton kriteret për certifikimin e veprimtarisë së agroturizmit”.
Neni 2
Ky ligj botohet në “Fletoren zyrtare” dhe hyn në fuqi më 1 janar 2019.
K R Y E T A R I
GRAMOZ RUÇI
***
V E N D I M
PËR
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR NJË SHTESË NË LIGJIN NR.9632, DATË 30.10.2006, “PËR SISTEMIN E TAKSAVE VENDORE”, TË NDRYSHUAR”
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Propozimin e projektligjit “Për një shtesë në ligjin nr.9632, datë 30.10.2006, “Për sistemin e taksave vendore”, të ndryshuar”, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
SENIDA MESI
***
P R O J E K T L I GJ
PËR
NJË SHTESË NË LIGJIN NR. 92/2014 “PËR TATIMIN MBI VLERËN E SHTUAR NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të neneve 78, 83, pika 1, dhe 155, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I:
Në ligjin nr.92/2014, “Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, bëhet kjo shtesë:
Neni 1
Pas pikës 4, të nenit 49, shtohet pika 5, me këtë përmbajtje:
“5. Shkalla e reduktuar e tatimit mbi vlerën e shtuar 6 për qind aplikohet për furnizimin e shërbimit të akomodimit, restorantit, të ofruar brenda strukturave në të cilat zhvillohet veprimtari pritëse e certifikuar si “agroturizëm”, sipas legjislacionit në fuqi në fushën e turizmit, me përjashtim të furnizimit të pijeve, të ofruar në këto struktura. Personi i tatueshëm, që aplikon shkallën e reduktuar të tatimit mbi vlerën e shtuar 6 për qind, është personi i regjistruar me NIPT/NUIS, vetëm për zhvillimin e veprimtarisë pritëse të certifikuar si “agroturizëm”.”.
Neni 2
Ky ligj botohet në “Fletoren zyrtare” dhe hyn në fuqi në datën 1 janar 2019.
K R Y E T A R I
GRAMOZ RUÇI
***
V E N D I M
PËR
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR NJË SHTESË NË LIGJIN NR.92/2014, “PËR TATIMIN MBI VLERËN E SHTUAR NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË”, TË NDRYSHUAR”
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Propozimin e projektligjit “Për një shtesë në ligjin nr.92/2014, “Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
SENIDA MESI