Projektligje të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 21 Nëntor 2018:
V E N D I M
PËR
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË LIGJIN NR.139/2015, “PËR VETËQEVERISJEN VENDORE””
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, e 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Shtetit për Diasporën, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Propozimin e projektligjit “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.139/2015, “Për vetëqeverisjen vendore””, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit e relacionit bashkëlidhur këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
###
P R O J E K T L I GJ
PËR
DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË LIGJIN NR.139/2015, “PËR VETËQEVERISJEN VENDORE”
Në mbështetje të neneve 78 e 83, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I:
Në ligjin nr.139/2015 bëhen këto shtesa dhe ndryshime:
Neni 1
Pas nenit 29 shtohet neni 29/1, me këtë përmbajtje:
“Neni 29/1
Funksionet e bashkive në fushën e diasporës dhe të migracionit
Bashkitë janë përgjegjëse për kryerjen e këtyre funksioneve:
a) Krijimin e strukturës së posaçme për diasporën dhe migracionin, për administrimin e shërbimeve në nivel vendor, si pjesë administrative e njësisë vendore;
b) Nxitjen e organizimeve, brenda dhe jashtë vendit, për mbajtjen e komunikimit të vazhdueshëm e forcimin e marrëdhënieve me diasporën dhe migrantët shqiptarë;
c) Dhënien e ndihmës e të informacionit për çështje që lidhen me regjistrimin e fitimin e shtetësisë;
ç) Dhënien e ndihmës e të informacionit për legjislacionin shqiptar në fuqi për të interesuarit nga diaspora dhe migracioni, në fushën e investimeve;
d) Koordinimin e bashkërendimin e punës me ministritë përgjegjëse për punët e brendshme, për punët e jashtme dhe për diasporën, për garantimin e dhënies së ndihmës e të informacionit për çështjet që lidhen me diasporën dhe migracionin.”.
Neni 2
Në pikën 2, të nenit 12, pas fjalëve “… grupet e interesit …” shtohen fjalët “… e përfaqësueseve të diasporës …”.
Neni 3
Në nenin 44, fjalët “… 31 mars …” zëvendësohen me fjalët “… 31 maj …”.
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E T A R I
GRAMOZ RUÇI
*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.