Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave
Projektligje të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 21 Shkurt 2024:  
P R O J E K T L I GJ
PËR
DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË LIGJIN NR.59/2014,  “PËR KARRIERËN USHTARAKE NË FORCAT E ARMATOSURA               TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të neneve 78, 81, pika 1, e 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I:
Në ligjin nr.59/2014, “Për karrierën ushtarake në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
Neni 1
Në nenin 14 bëhen ndryshimet dhe shtesat e mëposhtme:
1. Shkronjat “a” deri në “ë” dhe “g” deri në “j”, të pikës 1, ndryshohen, si më poshtë vijon:
     “a) Ushtar I      Detar I  31 vjeç;
       b) Ushtar II      Detar II  32 vjeç;
       c) Ushtar III      Detar III  33 vjeç;
ç)  Ushtar IV    Detar IV  36 vjeç;
d)  Nëntetar        Nëntetar  40 vjeç;
 dh) Tetar            Tetar  48 vjeç;
e) Rreshter        Rreshter  55 vjeç;
ë)  Kapter              Kapter  56 vjeç;
g) Nëntoger          Nënlejtënant     36 vjeç;
gj) Toger              Lejtënant     41 vjeç;
h) Kapiten            Kapitenlejtënant     48 vjeç;
i) Major                Kapiten i rangut të tretë   57 vjeç;
j) Nënkolonel        Kapiten i rangut të dytë   58 vjeç.”.
2. Pika 5 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“5. Shtetasit, në momentin e titullimit oficer aktiv dhe ushtar/detar aktiv, nuk duhet të kenë mbushur moshën 30 vjeç. Përjashtim bëjnë vetëm shtetasit që do të titullohen oficerë dhe ushtarë/detarë aktivë, të cilët do të jenë personel mjekësor i Orkestrës Frymore dhe Orkestrës Simfonike të Forcave të Armatosura, të cilët, në momentin e titullimit, nuk duhet të kenë mbushur moshën 32 vjeç.”.
Neni 2
Pas pikës 6, të nenit 17, shtohet pika 7, me këtë përmbajtje:
“7. Ushtaraku me gradë madhore, i cili emërohet në detyrën e shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, merr gradën e njësuar sipas funksionit, të përcaktuar në tabelën e organizimit e të pajisjeve në Forcat e Armatosura.”.
Neni 3
Pas nenit 18 shtohet neni 18/1, me këtë përmbajtje:
“Neni 18/1
1. Gradimi i parakohshëm i ushtarakëve për gradën e radhës mund të bëhet vetëm një herë gjatë karrierës ushtarake, jo më parë se një vit nga plotësimi i afatit kohor të qëndrimit në gradë.
2. Përjashtohen nga përcaktimi i këtij neni ushtarakët aktivë nënoficerë me gradën “kapter”, oficerët aktivë me gradën “kolonel” dhe ushtarakët me gradë madhore.
3. Kriteret dhe mënyra e vlerësimit të ushtarakëve, sipas këtij neni, përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, në përputhje me nevojat organike të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë.”.
Neni 4
Në nenin 22 bëhen ndryshimet dhe shtesat e mëposhtme:
1. Në pikën 2 bëhen këto ndryshime:
a)   Shkronja “b” ndryshohet, si më poshtë vijon:
“b) Komisioni i lartë, i cili vlerëson oficerët për marrjen e gradave “major/kapiten i rangut të tretë”, “nënkolonel/kapiten i rangut të dytë” dhe “kolonel/kapiten i rangut të parë” dhe nënoficerët për marrjen e gradave “kapter dhe kryekapter”, si dhe personelin oficer për kualifikim nga grada “kapiten” deri në gradën “nënkolonel” dhe personelin nënoficer me gradën “rreshter” dhe “kapter”, të cilët përmbushin kriteret e përcaktuara në këtë ligj.”.
     b)   Shkronja “c” ndryshohet, si më poshtë vijon:
“c) Komisioni i zakonshëm vlerëson oficerët për marrjen e gradave “toger/lejtënant” dhe “kapiten/kapitenlejtënant”, si dhe personelin nënoficer “tetar” dhe “rreshter”, si dhe personelin nënoficer për kualifikim nga grada “nëntoger/nënlejtënant” deri në gradën “toger/lejtënant” dhe personelin nënoficer me gradën “nëntetar” deri në gradën “tetar”, të cilët përmbushin kriteret e përcaktuara në këtë ligj. Komisioni i zakonshëm ngrihet përkatësisht në komandat e forcave, Akademinë e Forcave të Armatosura, në Komandën Mbështetëse dhe në Shtabin e Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, për repartet e varësisë së drejtpërdrejtë dhe ato të Ministrisë së Mbrojtjes.”.
 c)   Shkronja “ç” shfuqizohet.
2. Në pikën 3 bëhen këto shtesa dhe ndryshime:
a) Në fjalinë hyrëse të shkronjës “c”, pas fjalëve “… për oficerët …” shtohen “… dhe nënoficerët …”;
b) Pas nënndarjes “ii” shtohen paragrafët, me këtë përmbajtje:
“Në rast mungese organike të oficerëve me gradën madhore “gjeneral brigade/kundëradmiral”, ata zëvendësohen me oficerë me gradën “kolonel/kapiten i rangut të parë” dhe në rast mungese organike të oficerëve me gradën “kolonel/kapiten i rangut të parë”, ata zëvendësohen me oficerë me gradën “nënkolonel/kapiten i rangut të dytë.
Komisioni i zakonshëm ngrihet me urdhër të ministrit të Mbrojtjes për të vlerësuar dhe për të propozuar për gradim e kualifikim oficerët me gradën “nëntoger/nënlejtënant, “toger/lejtënant” dhe nënoficerët me gradën “nëntetar”, “tetar” dhe “rreshter”, të cilët përmbushin kriteret e përcaktuara në këtë ligj.”.
c) Shkronja “ç” shfuqizohet.
3. Fjalët “… dhe “ç”, …, të shkronjës “b”, të pikës 4, shfuqizohen.
4. Pika 5 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“5. Komisionet e karrierës, me përjashtim të komisionit të veçantë, i përfundojnë procedurat e punës së tyre brenda:
a) muajit qershor të çdo viti nga komisionet përgjegjëse për vlerësimin e ushtarakëve për kualifikimet që shërbejnë për marrjen e gradës së radhës;
b) muajit tetor të çdo viti nga komisionet përgjegjëse për vlerësimin e përparimit në gradë të ushtarakëve.”.
Neni 5
Në nenin 31 bëhen shtesat e mëposhtme:
1. Pas shkronjës “b”, të pikës 1, shtohet shkronja “c”, me këtë përmbajtje:
 “c) Për nevoja të specialiteteve dhe plotësimin e funksioneve që ndikojnë në ruajtjen e operacionalitetit të Forcave të Armatosura, por jo më shumë se 3 (tre) vjet, me të drejtë rinovimi.”.
2. Pas pikës 2 shtohet pika 3, me këtë përmbajtje:
“3.  Procedurat, mënyra dhe rregullat për zbatimin e parashikimeve në shkronjat “a”, “b” dhe “c”, të pikës 1, të këtij neni, përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes.”.
Neni 6
Në pikën 1, të nenit 37, togfjalëshi “… dhe të nenit 23 …” zëvendësohet me                       “… të pikës 3, të nenit 18/1, të pikës 1/1, të nenit 21, të nenit 23 dhe të pikës 3, të nenit 31.”.
Neni 7
 Dispozitë kalimtare
Për shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, aktualisht në detyrë, me marrjen e gradës, sipas përcaktimeve të këtij ligji, koha e qëndrimit në detyrë do të llogaritet nga momenti i emërimit fillestar në këtë pozicion.
Neni 8
Hyrja në fuqi
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E T A R I
LINDITA NIKOLLA
###
V E N D I M
PËR
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR DISA SHTESA  DHE NDRYSHIME NË LIGJIN NR.59/2014, “PËR KARRIERËN USHTARAKE NË FORCAT E ARMATOSURA TË REPUBLIKËS    SË SHQIPËRISË”, TË NDRYSHUAR”
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Propozimin e projektligjit “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.59/2014, “Për karrierën ushtarake në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar”, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
P R O J E K T L I GJ
PËR
DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË LIGJIN NR.107/2016,   “PËR PREFEKTIN E QARKUT”
Në mbështetje të neneve 78 e 83, pika 1, dhe 114, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I:
Në ligjin nr.107/2016, “Për prefektin e qarkut”, bëhen këto shtesa dhe ndryshime:
Neni 1
Pika 1, e nenit 4, ndryshohet, si më poshtë vjon:
“1. “Akte me karakter normativ” janë vendimet, urdhrat dhe urdhëresat e organeve të vetëqeverisjes vendore, përmes së cilave shprehet vullneti i këtyre organeve në ushtrimin e funksionit të tyre publik, që i drejtohen subjekteve të papërcaktuara të së drejtës, me qëllim përcaktimin e normave të përgjithshme të sjelljes dhe që i shtrijnë efektet në mënyrë të vazhdueshme dhe jo të njëhershme, brenda territorit të juridiksionit të organit të vetëqeverisjes vendore.”.
Neni 2
Në nenin 6, pas shkronjës “ç” shtohet shkronja “d”, me këtë përmbajtje:
“d) nuk është larguar nga detyra ose nuk i është hequr licenca, autorizimi ose leja për ushtrimin e një profesioni për shkaqe disiplinore, si dhe nuk ka masë tjetër disiplinore në fuqi.”.
Neni 3
Në nenin 8 bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
1. Në shkronjën “a”, fjalët “… vendimeve, urdhrave dhe urdhëresave …” zëvendësohen me fjalën “… akteve …”.
2. Pas shkronjës “j” shtohen shkronjat “l” dhe “ll”, me këtë përmbajtje:
“l) përcjelljen e kërkesës së arsyetuar për fillimin e inspektimit pranë institucioneve, të ngarkuara me mbikëqyrjen e zbatimit të ligjit;
ll) ndërmarrjen e nismave dhe propozimeve për dhënien e titujve të nderit për persona me kontribut të veçantë në qark, sipas legjislacionit në fuqi.”.
Neni 4
Në nenin 10, pas pikës 2 shtohet pika 3, me këtë përmbajtje:
“3. Në rast të ndryshimeve strukturore të degëve territoriale apo drejtorive të ministrive në qark, ndryshimet i bëhen me dije prefektit të qarkut.”.
Neni 5
Pas nenit 12 shtohet neni 12/1, me këtë përmbajtje:
“Neni 12/1
Këshillat vendorë të sigurisë publike
1. Me propozimin e prefektit të qarkut pranë njësive të vetëqeverisjes vendore ngrihen këshillat vendorë të sigurisë publike (KVSP) për kryerjen e funksioneve të veçanta për rendin dhe sigurinë publike në komunitet.
2. Për shqyrtimin e problematikave për sigurinë publike në komunitet, të identifikuara nga KVSP-ja, krijohet dhe funksionon Këshilli Kombëtar për Sigurinë në Komunitet (KKSK).
3. Përbërja, rregullat më të hollësishme të organizimit dhe funksionimit të këshillave vendorë të sigurisë publike (KVSP) dhe të Këshillit Kombëtar për Sigurinë në Komunitet (KKSK) përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.”.
Neni 6
Neni 13 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Neni 13
Detyrat për mbrojtjen civile
1. Në raste të veçanta, në përputhje me legjislacionin përkatës, prefekti i drejtohet ministrit të Mbrojtjes për angazhimin e njësive të Forcave të Armatosura dhe kërkon mbështetje për përballimin e detyrave me karakter civil dhe në veçanti në përballimin e situatave të emergjencave civile e të krizave.
2. Prefekti i qarkut i kërkon mbështjetje Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, sipas kërkesës së bërë nga bashkitë.
3. Prefekti i qarkut koordinon në nivel qarku veprimet në terren të njësive të Forcave të Armatosura, të cilat angazhohen, bazuar në deklarimet në Planin Kombëtar të Emergjencave Civile, me qëllim realizimin e detyrave me karakter civil, që u ngarkohen sipas legjislacionit në fuqi.”.
Neni 7
Në pikën 2, të nenit 16, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
1. Fjalia hyrëse e pikës 2 ndryshohet, si më poshtë vijon:
  “2. Prefekti i qarkut bën verifikimin e ligjshmërisë së akteve me karakter normativ të organeve të vetëqeverisjes vendore, pa penguar zbatimin e tyre, duke respektuar procedurën e mëposhtme:”.
2. Në shkronjën “a”, të pikës 2, pas fjalisë së parë shtohet fjalia, me këtë përmbajtje:
  “Aktet me karakter normativ shoqërohen me një relacion përmbledhës të arsyeve për nxjerrjen e tyre, duke argumentuar për problematikat, qëllimet, objektivat që synohen të arrihen, përparësitë, si dhe efektet e pritshme nga miratimi.”.
Neni 8
Në pikën 1, të nenit 18, fjalët “… sipas rregullave të përcaktuara me vendim të Këshillit të Ministrave …”, hiqen.
Neni 9
Pas pikës 1, të nenit 22, shtohen pikat 1/1 dhe 1/2, me këtë përmbajtje:
“1/1. Nënprefekti zëvendëson prefektin, sipas përcaktimeve të Kodit të Procedurave Administrative të Republikës së Shqipërisë.
1/2. Parashikimet e nenit 7, të këtij ligji, për papajtueshmëritë e funksionit të prefektit zbatohen edhe për nënprefektin.”.
Neni 10
Në nenin 24, pas togfjalëshit “… të nenit 18 …” shtohet “… të pikës 3, të                       nenit 12/1 …”.
Neni 11
Hyrja në fuqi
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E T A R I
LINDITA NIKOLLA
###
V E N D I M
PËR
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR DISA SHTESA    DHE NDRYSHIME NË LIGJIN NR.107/2016, “PËR PREFEKTIN  E QARKUT””
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Propozimin e projektligjit “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.107/2016, “Për prefektin e qarkut””, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA 
*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.