Projektligje të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 21 Shtator 2016

Projektligje të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 21 Shtator 2016
V E N D I M
PËR
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË ligjin nr.9920, DATË 19.5.2008, ‘PËR PROCEDURAT TATIMORE NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË’, TË NDRYSHUAR”
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Propozimin e projektligjit “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.9920,  datë 19.5.2008, ‘Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë’, të ndryshuar”, për shqyrtim dhe miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI  RAMA
# # #
P R O J E K T L I GJ
PËR
DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË LIGJIN NR.9920, DATË 19.5.2008, ‘PËR PROCEDURAT TATIMORE NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË’, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të neneve 78, 83, pika 1, dhe 155, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I:
Në ligjin nr.9920, datë 19.5.2008, “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, bëhen këto shtesa dhe ndryshime:
Neni 1
Pas shkronjës “h”, të nenit 5, shtohet shkronja “j”, me këtë përmbajtje:
“j) “Ambulant” është personi fizik, i cili ofron mallra ose shërbime për publikun pa pasur një vend (adresë) fikse për të tregtuar, që ushtron aktivitetin në njësi të vetme tregtimi të lëvizshme dhe lejohet të tregtojë në ambiente publike pasi ka marrë lejen nga bashkia përkatëse.”.
Neni 2
Në pikën 4, të nenit 6, bëhen shtesat e mëposhtme:
1. Në shkronjën “a”, pas fjalëve “… trashëgimtarët ligjorë …” shtohen “… në përputhje me dispozitat e Kodit Civil …”.
2. Në shkronjën “b”, pas fjalëve “… i caktuar ligjërisht …” shtohen “… në përputhje me ligjin për tregtarët dhe shoqëritë tregtare…”.
Neni 3
Në nenin 10 bëhen ndryshimi dhe shtesa e mëposhtme:
1. Fjalia e dytë dhe e tretë e pikës 2 ndryshohen, si më poshtë vijon:
“Vendimi  publikohet brenda 5 ditëve kalendarike në faqen zyrtare të DPT-së, në rubrikën përkatëse të vendimeve teknike, duke ruajtur  konfidencialitetin e të dhënave të biznesit të tatimpaguesit. Vendimi bëhet detyrues për tatimpaguesin në datën kur ai merr njoftim për të në njërën nga format e parashikuara në Kodin e Procedurave Administrative dhe zbatohet njëlloj nga strukturat e administratës tatimore qendrore, për raste të tjera, të ngjashme.”.
2. Pas pikës 2 shtohet pika 3, me këtë përmbajtje:
“3. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, dy herë në vit, në fund të çdo gjashtëmujori, përgatit komentarë përmbledhës të vendimeve teknike në lidhje me mënyrën e trajtimit tatimor të rasteve specifike, duke i grupuar ato sipas natyrës së tyre. Këta komentarë përmbledhës publikohen në faqen zyrtare të DPT-së brenda muajit pasardhës të mbylljes së 6-mujorit.”.
Neni 4
Në nenin 16 bëhen ndryshimet e mëposhtme:
1. Pika 3 ndryshohet, si më poshtë vijon:
 “3. Administrata tatimore qendrore është e organizuar në drejtori dhe njësi të tjera sipas funksioneve të mëposhtme:
a) Funksionet bazë dhe operacionale, ku bëjnë pjesë:
i. shërbimi, regjistrimi dhe edukimi i tatimpaguesit;
ii. menaxhimi i riskut, rimbursimi i tatimeve, kontrolli tatimor;
iii. mbledhja e detyrimeve tatimore/zbatimi i masave shtrënguese;
iv. hetimi tatimor;
v. investigimi i brendshëm antikorrupsion, auditi i brendshëm.
b) Funksionet mbështetëse ku bëjnë pjesë: financa, statistikat dhe analiza, teknologjia e informacionit, shërbimi ligjor e teknik, shërbimet administrative, burimet njerëzore dhe marrëdhëniet institucionale.”.
2. Pika 4 shfuqizohet
3. Në pikën 6, fjalët “… shkronja “dh” e këtij neni …” zëvendësohen me   “… shkronja “b” e këtij neni …”.
Neni 5
Neni 17 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Neni 17
Marrëdhënia e punës për drejtorin dhe zëvendësdrejtorët e Përgjithshëm të Tatimeve
1. Organ drejtues i administratës tatimore qendrore është drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve.
2. Marrëdhëniet e punës së drejtorit të Përgjithshëm dhe të zëvendësdrejtorëve të Përgjithshëm të tatimeve rregullohen sipas dispozitave të legjislacionit për nëpunësin civil.”.
Neni 6
Neni 18 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Neni 18
“Struktura e apelimit tatimor
1. Drejtoria e Apelimit Tatimor është funksion i pavarur në vendimmarrje, pjesë përbërëse e strukturës organike të Ministrisë së Financave. Drejtori i Apelimit Tatimor emërohet sipas dispozitave të legjislacionit për nëpunësin civil.
2. Drejtoria e Apelimit Tatimor shqyrton dhe merr vendim për ankimin administrativ tatimor.
3. Për vendimmarrjen e apelimeve tatimore, për vlera të detyrimit tatimor mbi një shumë të përcaktuar me vendim të Këshillit të Ministrave, në Ministrinë e Financave ngrihet Bordi për Shqyrtimin e Apelimeve Tatimore, në përbërje të të cilit janë 9 anëtarë.
Për qëllime të kësaj pike, Këshilli i Ministrave miraton përbërjen dhe procedurat e funksionimit të Bordit për Shqyrtimin e Apelimeve Tatimore, procedurat e shqyrtimit e të vendimmarrjes, si dhe vlerën e detyrimeve të apeluara, vendimmarrja e të cilave bëhet nga ky bord.
4. Drejtoria e Apelimit Tatimor dhe Bordi për Shqyrtimin e Apelimeve Tatimore për procesin e ankimit administrativ tatimor i nënshtrohen dispozitave të kreut XIII, të këtij ligji.”.
Neni 7
Neni 19 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Neni 19
Marrëdhënia e punës për personelin e administratës tatimore
1. Marrëdhëniet e punës së nëpunësve të administratës tatimore rregullohen sipas dispozitave të legjislacionit për nëpunësin civil, përveç rasteve kur në këtë ligj parashikohet ndryshe.
2. Marrëdhëniet e punës së punonjësve të tjerë të administratës tatimore që nuk i nënshtrohen legjislacionit për nëpunësin civil, rregullohen në bazë të dispozitave të Kodit të Punës.”.
Neni 8
Neni 20 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Neni 20
Punësimi dhe kategoritë e punësimit
1. Përveçse kur në këtë ligj përcaktohet ndryshe, Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve merr masat për respektimin e dispozitave ligjore për procedurat e punësimit e të rekrutimit të personelit të administratës tatimore qendrore, sipas pikës 2, të nenit 19, të këtij ligji, marrëdhënia e punës e të cilëve rregullohet në përputhje me Kodin e Punës.
2. Për kategorinë e punonjësve, sipas pikës 1, të nenit 19, të ligjit, procedurat e punësimit, të lëvizjes paralele e të ngritjes në detyrë të tyre kryhen në përputhje me dispozitat e ligjit për nëpunësin civil.
3. Nivelet e pagave për çdo kategori miratohen sipas legjislacionit të fushës në fuqi.”.
Neni 9
Neni 22 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Neni 22
Procedura disiplinore
1. Procedurat për shkeljet dhe masat disiplinore të nëpunësve të administratës tatimore qendrore, që janë nëpunës civilë, bëhen në përputhje me ligjin për nëpunësin civil.
2.  Për punonjësit e tjerë të administratës tatimore qendrore zbatohen  dispozitat e Kodit të Punës.
3. Për zbatimin e pikës 2, të këtij neni, Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve miraton një rregullore të brendshme të institucionit, në të cilën detajohen rastet e shkeljeve disiplinore, në përputhje me legjislacionin në fuqi.”.
Neni 10
Në nenin 23 bëhen ndryshimet dhe shtesa e mëposhtme:
1. Në pikën 2, lidhëza “ose”, që lidh shkronjën “a” me shkronjën “b”, zëvendësohet me lidhëzën “dhe”.
2. Në fjalinë e parë, të pikës 3, lidhëza “apo” zëvendësohet me lidhëzën “dhe”.
3. Pas pikës 3 shtohet pika 3/1, me këtë përmbajtje:
“3/1. Për qëllime të përcaktimit të fillimit të afatit për marrjen e akteve tatimore sipas këtij ligji, në llogaritjen e afateve në përputhje me Kodin e Procedurave Administrative nuk përfshihet dita në të cilën del akti. Llogaritja e afatit fillon nga e nesërmja e ditës kur akti është marrë ose konsiderohet të jetë marrë nga tatimpaguesi.”.
Neni 11
Në nenin 28 bëhen këto shtesa dhe ndryshime:
1. Në fund të pikës 1 shtohet paragrafi, me këtë përmbajtje:
“Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, duke ruajtur të dhënat konfidenciale të tatimpaguesit, për qëllime të informimit, publikon në faqen e saj zyrtare të internetit opinionet e nxjerra prej saj, që japin qëndrime për zbatimin e legjislacionit tatimor.”.
2. Në fund të pikës 2 shtohet paragrafi, me këtë përmbajtje:
“Administrata tatimore publikon dhe mban të përditësuara aktet ligjore dhe nënligjore tatimore, sipas përcaktimit të bërë në udhëzimin e ministrit të Financave.”.
3. Pika 3 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“3. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve publikon në faqen e saj të internetit çdo gjashtë muaj një buletin informues mbi vendimet e formës së prerë të Gjykatës Administrative të Apelit, të Gjykatës së Lartë dhe të Gjykatës Kushtetuese për çështjet tatimore, me qëllim informimin e tatimpaguesve dhe në bazë të të cilave, për raste të unifikuara, reflekton rast pas rasti vendimet teknike të cilat zbatohen për raste të tjera të ngjashme.”.
Neni 12
Neni 38 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Neni 38
E drejta e ankimit
1. Tatimpaguesi gëzon të drejtën të ankohet dhe të sigurohet për një shqyrtim të pavarur administrativ të çështjeve të lidhura me të, në përputhje me kreun XIII, të këtij ligji.
2. Tatimpaguesi gëzon të drejtën gjithashtu të ankohet në rrugë administrative në përputhje me Kodin e Procedurave Administrative, në Drejtorinë Rajonale Tatimore ose në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, për çdo veprim apo mosveprim të punonjësve të administratës tatimore qendrore që shkelin të drejtat e tatimpaguesit.”.
Neni 13
Në nenin 40 bëhen këto ndryshime:
1. Pika 2.2 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“2.2. Ministri i Financave nxjerr aktet nënligjore në zbatim të pikës 2.1, të këtij neni.”.
2. Shkronja “ç”, e pikës 4.1, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“ç) të vetëpunësuarit në veprimtari, si shitës ambulant, sipas përkufizimit të dhënë në shkronjën “j”, të nenit 5, të ligjit.”.
  Neni 14 
Neni 41 ndryshohet, si më poshtë vijon:
 “Neni 41
Identifikimi i personave, që ushtrojnë veprimtari tregtare pa u regjistruar
1. Kur administrata tatimore identifikon persona, të cilët ushtrojnë veprimtari ekonomiko-tregtare pa u regjistruar në Qendrën Kombëtare të Biznesit, vendos masën e bllokimit të mallrave dhe detyron personin të regjistrohet menjëherë në Qendrën Kombëtare të Biznesit, si tatimpagues i tatimit mbi vlerën e shtuar. Masa e bllokimit hiqet pas kryerjes së regjistrimit për veprimtarinë ekonomike, duke aplikuar masat dhe dënimin, sipas paragrafit të dytë, të pikës 1, të nenit 121, të këtij ligji.
2. Në rast se një person ushtron veprimtari në fushën e shërbimeve, i pajisur me leje/licencë/autorizim profesional, por nuk e ka regjistruar veprimtarinë në QKB, përveç sa është parashikuar në pikën 1, të këtij neni, për mallrat që disponon, administrata tatimore u propozon strukturave kompetente pezullimin e lejes/licencës/autorizimit për ushtrim veprimtarie për një periudhë gjashtëmujore.”.
Neni 15
Pas pikës 1, të nenit 43, shtohet pika 1/1, me këtë përmbajtje”:
“1/1. Gjithashtu, në përputhje me ligjin për regjistrimin e biznesit, aplikimi për ndryshimin e selisë dhe hapja e vendeve të tjera të ushtrimit të veprimtarisë, të ndryshme nga selia, në çdo rast bëhen përpara nisjes efektive të veprimtarisë në atë vend. Për hapjen e vendeve të tjera të ushtrimit të veprimtarisë, të ndryshme nga selia, tatimpaguesi pajiset me një certifikatë, me numër unik identifikimi të njëjtë me atë të regjistrimit, por me numër serial të ndryshëm. Kjo certifikatë lëshohet për të identifikuar vendndodhjen e ushtrimit të veprimtarisë, kur është e ndryshme nga selia.”.
Neni  16
Në nenin 44 bëhen ndryshimet e mëposhtme:
1. Pika 2 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“2. Për periudhën e qëndrimit në regjistrin pasiv, tatimpaguesi nuk paraqet deklarata periodike tatimore dhe ndaj tij nuk llogariten gjoba për mosdeklarim tatimor.”.
2. Pika  5 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“5. Kur tatimpaguesi rifillon veprimtarinë, administrata tatimore automatikisht transferon regjistrimin nga regjistri pasiv në regjistrin aktiv.”.
Neni 17
Në nenin 45 bëhen shtesat dhe ndryshimet e mëposhtme:
1. Pas shkronjës “c”, të pikës 1, shtohen shkronjat “d” dhe “dh”, me këtë përmbajtje:
“d) Personat të cilët, sipas ligjit për falimentimin, janë shpallur të falimentuar me vendim gjykate të formës së prerë.
dh) Personat juridike publikë, në përputhje me legjislacionin e fushës që përcakton veprimtarinë e tyre.”.
2.  Pikat 3, 4, 5, 6, 7, 8, 9 e 10 ndryshohen, si më poshtë vijon:
“3. Qendra Kombëtare e Biznesit ose gjykata, menjëherë me marrjen e kërkesës për çregjistrim prej tatimpaguesit, njofton organin tatimor kompetent për regjistrimin e hapjes së procedurave të likuidimit ose për kërkesën për çregjistrim të personit fizik apo për aplikimin për çregjistrim të personit juridik edhe kur kemi të bëjmë me aplikimin për çregjistrim pa kryerjen e likuidimit.
4. Organi tatimor kompetent, brenda 10 ditëve pune nga data e paraqitjes së kërkesës për çregjistrim sipas pikës 3, të këtij neni, është i detyruar të verifikojë situatën tatimore të subjekteve dhe njofton njëkohësisht QKB-në ose gjykatën dhe subjektin. Kur organi tatimor, sipas analizës së riskut, gjykon se është e nevojshme të ushtrojë kontroll në mjedisin ku ushtron veprimtarinë subjekti, atëherë ky afat nuk mund të jetë më shumë se 30 ditë pune, përfshirë kryerjen e kontrollit.
5. Qendra Kombëtare e Biznesit ose gjykata nuk mund të kryejë çregjistrimin, në qoftë se brenda afatit 30-ditor, të përmendur në pikën 4, të këtij neni, administrata tatimore e kundërshton me shkrim çregjistrimin. Kundërshtimi i çregjistrimit të tatimpaguesit nga administrata tatimore tregon shumën e detyrimeve tatimore të papaguara të tatimpaguesit dhe, në rastin e personit juridik, faktin se ai nuk ka paraqitur pasqyrat financiare të mbylljes së aktivitetit deri në momentin e likuidimit, ose nuk ka dorëzuar deklaratat tatimore.
6. Nëse organi tatimor nuk i përgjigjet QKB-së ose gjykatës brenda afatit, QKB-ja ose gjykata çregjistron automatikisht subjektin dhe njofton në të njëjtën ditë organin tatimor dhe tatimpaguesin.
     Në rastin kur subjektet e regjistruara pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit ose gjykatës rezultojnë me detyrime tatimore, ato çregjistrohen automatikisht pasi të kenë paguar të gjitha detyrimet tatimore, përfshirë detyrimet që lindin në rastin kur çregjistrimi kryhet me likuidim. Në momentin kur subjekti paguan detyrimet tatimore, organi tatimor menjëherë njofton QKB-në ose gjykatën dhe subjektin, që subjekti nuk ka detyrime tatimore të papaguara.
7. Në rastin kur kundërshtimi për çregjistrim nga organet tatimore është bërë si pasojë e mosdorëzimit të pasqyrave financiare ose deklaratave tatimore, atëherë, me paraqitjen e tyre, organi tatimor kompetent detyrohet të tërheqë menjëherë kundërshtimin për çregjistrim dhe Qendra Kombëtare e Biznesit kryen menjëherë çregjistrimin e tatimpaguesit.
8. Nëse, pavarësisht nga shlyerja e detyrimit, për të cilin është kundërshtuar çregjistrimi, organi tatimor kompetent nuk ka tërhequr kundërshtimin, atëherë subjekti paraqet pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit dokumentin që vërteton shlyerjen e këtyre detyrimeve tatimore. Në këtë rast, Qendra Kombëtare e Biznesit kryen menjëherë çregjistrimin e subjektit dhe njofton menjëherë organin tatimor kompetent dhe tatimpaguesin.
9. Çregjistrimi tatimor nuk eliminon detyrimet ekzistuese tatimore dhe nuk parandalon administratën tatimore të vlerësojë ose të mbledhë detyrimet tatimore.
10. Për çdo procedurë që organi tatimor dhe QKB-ja kryejnë sipas këtij neni, që kur fillon procedura e çregjistrimit dhe deri në çregjistrimin përfundimtar, njoftohen në të njëjtën kohë edhe tatimpaguesit.”.
Neni 18
Në pikën 1, të nenit 50, fjalët “… në përputhje me ligjin nr.7928, datë 27.4.1995, “Për TVSH-në”, zëvendësohen me “… në përputhje me    ligjin nr.92/2014, datë 24.7.2014, “Për tatimin mbi vlerën e shtuar”, të ndryshuar …”.
Neni 19
Pas pikës 3, të nenit 52, shtohet pika 4, me këtë përmbajtje:
“4. Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, me kërkesë të tatimpaguesit, pavarësisht nga numri i transaksioneve të kryera, lejon mospërdorimin e faturave tatimore sipas pikës 1, të këtij neni, kur tatimpaguesi është i aftë të lëshojë fatura tatimore kompjuterike, me numër serial unik dhe të papërsëritshëm, të printuara nga sistemi i tij i regjistrimeve.
Ministri i Financave përcakton me udhëzim procedurën për zbatimin e kësaj pike.”.
Neni 20
Në pikën 1, të nenit 55, “Detyrimi për përdorimin e pajisjeve fiskale dhe për vendosjen e sistemeve të monitorimit të qarkullimit”, pas fjalëve “… për të cilat pagesat nuk kryhen nëpërmjet bankës …” shtohen “… ose institucioneve financiare të parasë elektronike, të licencuara nga Banka e Shqipërisë, …”.
Neni 21
Pas pikës 1, të nenit 59, shtohet pika 1/1, me këtë përmbajtje:
“1/1. Për qëllime të kësaj dispozite, nuk konsiderohet si transaksion i kryer me para në dorë pagesa për transaksionet, e cila kryhet nëpërmjet institucioneve financiare të parasë elektronike, të licencuara nga Banka e Shqipërisë, ose pagesat e kryera me kartë krediti.”.
Neni 22
Pika 7, e nenit 65, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“7. Për tatimpaguesit, persona fizikë, që kërkojnë të çregjistrohen, detyrimi për të deklaruar ndërpritet në momentin e aplikimit të tyre për çregjistrim në Qendrën Kombëtare të Biznesit, ndërsa për tatimpaguesit, persona juridikë, detyrimi për të deklaruar ndërpritet në momentin e dorëzimit të raportit përfundimtar të likuidimit/bashkimit/ndarjes në Qendrën Kombëtare të Biznesit ose Gjykatë.”.
Neni 23
Pika 2, e nenit 67, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“2. Deklarata e ndryshuar prej tatimpaguesit mund të dorëzohet brenda 36 muajve nga afati i dorëzimit të deklaratës fillestare me kushtin që kjo deklaratë të mos jetë kontrolluar më parë nga administrata tatimore.
Një deklaratë e kontrolluar mund të ndryshohet në çdo rast kur tatimpaguesi konstaton se detyrimi tatimor sipas kësaj deklarate është më i vogël se detyrimi që ka rezultuar nga kontrolli.”.
Neni 24
Në pikën 4, të nenit 68, fjala “vëren” zëvendësohet me “konstaton”.
Neni 25
Në nenin 69 bëhen ndryshimet dhe shtesat e mëposhtme:
1. Në pikën 1, lidhëza “ose”, që lidh shkronjën “a” me shkronjën “b”, zëvendësohet me lidhëzën “dhe”.
2. Shkronja “d”, e pikës 2, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“d) shumën e tatimit të vlerësuar apo, sipas rastit, edhe uljen e humbjes tatimore, uljen e kredisë tatimore, kamatëvonesën, gjobat.”.
Neni 26
Në pikat 1 dhe 4, të nenit 73, pas fjalëve “… deklaratës tatimore …” shtohen
“… fillestare ose të ndryshuar …”.
Neni 27
Pika 3, e nenit 74, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“3. Tatimpaguesi mund t’i paguajë detyrimet tatimore në mënyrë elektronike, nëpërmjet bankave, institucioneve të tjera financiare ose të autorizuara, që kanë lidhur marrëveshje me administratën tatimore, për të pranuar këto pagesa.”.
Neni 28
Pas pikës 1, të nenit 75/1, shtohet pika 1.1, me këtë përmbajtje:
“1.1. Në rastin kur tatimpaguesi, i cili ka kërkuar rimbursim, i nënshtrohet kontrollit sipas analizës së riskut, me qëllim respektimin e afatit të rimbursimit sipas këtij neni, afatet e përcaktuara nga nenet 83 dhe 84 nuk do të zbatohen dhe çdo afat do të jetë 5 ditë kalendarike.”.
Neni 29
Në nenin 76 bëhen këto shtesa:
1. Në pikën 2, pas shprehjes “nenit 75” shtohet “dhe nenit 75/1”.
2. Në fund të pikës 3 shtohet fjalia, me këtë përmbajtje:
   “Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve publikon dhe përditëson në faqen zyrtare të internetit normën e interesit që aplikon për llogaritjen e kamatëvonesës.”.
Neni 30
Në nenin 77 bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
1. Pika 1 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“1. Kur një rrethanë financiare pengon tatimpaguesin për të paguar në afat detyrimet tatimore, ai mund të lejohet të lidhë në çdo kohë marrëveshje pagese me këste. Në të njëjtën kohë tatimpaguesi duhet të vërtetojë që është në kushtet e pamundësisë financiare për të paguar të plotë detyrimin tatimor si dhe të tregojë që pavarësisht nga rrethana financiare, ai është në gjendje të përmbushë marrëveshjen.”.
2. Pika 3 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“3. Marrëveshja e pagesës me këste bëhet me shkrim, brenda 10 ditëve kalendarike nga data e paraqitjes së kërkesës dhe nënshkruhet nga tatimpaguesi dhe drejtori i drejtorisë rajonale apo drejtuesi i njësisë së ngjashme me të. Për të nënshkruar një marrëveshje të pagesës me këste, tatimpaguesi detyrohet të paguajë menjëherë të paktën njëzet për qind të vlerës së detyrimit për të cilin lidhet marrëveshja.”.
3. Në fund të pikës 6 shtohet fjalia, me këtë përmbajtje:
“Në rastin kur tatimpaguesi hyn në një marrëveshje të pagesës me këste me administratën tatimore, duke filluar nga muaji që pason muajin në të cilin marrëveshja është vendosur deri në përfundimin e afatit të marrëveshjes, me kushtin që marrëveshja të jetë përmbushur tërësisht, tatimpaguesi paguan kamatëvonesë për detyrimin tatimor, pagesa e të cilit shtyhet, por nuk llogaritet gjobë për pagesë të vonuar sipas nenit 114, të këtij ligji.”.
4. Pas pikës 6 shtohen pikat 7 dhe 8, me këtë përmbajtje:
“7. Marrëveshja për pagesë me këste mund të lidhet për detyrime tatimore të vendosura nga administrata tatimore për një vlerësim tatimor të kryer sipas nenit 68, të ligjit si dhe për detyrime tatimore të vetëdeklaruara nga tatimpaguesi.
      Përjashtimisht, administrata tatimore nuk hyn në një marrëveshje të pagesës me këste për detyrim tatimor të vetëdeklaruar nga tatimpaguesi, i cili është llogaritur, ose mbledhur, ose mbajtur prej tij, përfshirë kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore.
8. Në rastin kur për tatimpaguesin ka filluar mbledhja me forcë e detyrimeve tatimore, hiqet urdhërbllokimi i llogarive bankare të tatimpaguesit, i vendosur në përputhje me nenin 90, të këtij ligji.
      Në rastin kur për tatimpaguesin ka filluar mbledhja me forcë e detyrimeve tatimore, në përputhje me nenin 91, të këtij ligji, pavarësisht nga lidhja e marrëveshjes së pagesës me këste, administrata tatimore, për të siguruar pagesën e detyrimit tatimor nuk heq dorë nga kjo masë.
      Administrata tatimore nuk mund të lidhë një marrëveshje të pagesës me këste nëse ka filluar procedurat e shitjes në ankand të pasurive të konfiskuara për efekt të atij detyrimi tatimor të pashlyer në përputhje me nenin 96, të këtij ligji.”.
Neni 31
Në paragrafin e dytë të pikës 4, të nenit 80, bëhen ndryshimet e mëposhtme:
1. Në fjalinë e parë, shprehja “pasqyrat financiare dhe” hiqet.
2. Në fjalinë e parë dhe të dytë, pas fjalës “audituese” shtohen fjalët “… ose kompani të klasifikuara si të tilla me ligj të veçantë …”.
Neni 32
Në nenin 81 bëhen këto shtesa dhe ndryshime:
1. Pas pikës 1 shtohet pika 1/1, me këtë përmbajtje:
“1/1. Njoftimi i kontrollit tatimor i dërgohet tatimpaguesit të paktën 30 ditë kalendarike përpara datës së fillimit të kontrollit tatimor të shkruar në njoftim, përveç kur kontrolli kryhet si rezultat i kërkesës së tatimpaguesit për rimbursim tatimor.
Në rastin e kryerjes së vizitave fiskale, të cilat janë kontrolle të shkurtra të kryera gjatë një periudhe të shkurtër kohore për të verifikuar saktësinë e deklaratave e të pagesave, si rregull vetëm për një periudhë të caktuar tatimore dhe vetëm për një lloj tatimi, njoftimi i vizitës fiskale i dërgohet tatimpaguesit të paktën 10 ditë kalendarike përpara datës së fillimit të vizitës fiskale.”.
2. Shkronja “f”, e pikës 2, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“f)  datën dhe orën kur fillon dhe kur përfundon kontrolli tatimor. Kohëzgjatja  e nevojshme e kontrollit përcaktohet nga të dhënat e analizës së riskut.”.
3. Në fund të pikës 2 shtohet paragrafi, me këtë përmbajtje:
“Afati për kryerjen e kontrollit, i përcaktuar në përputhje me shkronjën “f”, mund të zgjatet pas miratimit nga drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, por jo më shumë se 15 ditë pune.”.
4. Pas pikës 2 shtohen pikat 3, 4, 5 dhe 6, me këtë përmbajtje:
“3. Me njoftimin e kontrollit tatimor, tatimpaguesit i jepet mundësia të deklarojë çdo të dhënë për transaksione të padeklaruara, për të cilat nuk është paguar tatim. Ky deklarim kryhet në Drejtorinë Rajonale Tatimore, nëpërmjet një formulari-pyetësor që i vihet në dispozicion së bashku me njoftimin për kontroll, brenda 30 ditëve kalendarike, por përpara fillimit të kontrollit tatimor.
4. Tatimpaguesi deklaron dhe paguan menjëherë tatimin ose kontributin përkatës së bashku me kamatëvonesën, të llogaritur në përputhje me nenin 76, të këtij ligji.
5. Për detyrimin tatimor të deklaruar përpara fillimit të kontrollit tatimor sipas pikës 3, të këtij neni, aplikohet dënim administrativ në masën 50% të tatimit ose kontributit.
      Nëse dënimi i aplikuar sipas kësaj dispozite është më i madh se dënimi që aplikohet për shkeljen sipas dispozitës përkatëse të kreut XIV, të ligjit, atëherë aplikohet dënimi më i ulët.
6.   Në të kundërt, nëse tatimpaguesi nuk deklaron sipas pikës 3, të këtij neni, përpara fillimit të kontrollit prezumohet që nuk ka për të deklaruar dhe për çdo detyrim tatimor apo shkelje të konstatuar gjatë kontrollit aplikohen dënimet administrative sipas këtij ligji.”.
Neni 33
Pika 3, e nenit 83, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“3. Raporti i kontrollit miratohet nga struktura përkatëse e Drejtorisë Rajonale Tatimore, përfshirë përgjegjësin e sektorit, drejtorin e kontrollit si dhe drejtorin e drejtorisë rajonale. Një kopje e raportit të kontrollit i dërgohet me postë tatimpaguesit.”.
Neni 34
Pas pikës 2, të nenit 85, shtohet pika 3, me këtë përmbajtje:
“3. Vendimi i miratimit të rikontrollit nga drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, në të cilin janë shprehur qartë arsyet e rikontrollit, i vihet në dispozicion tatimpaguesit së bashku me njoftimin e kontrollit tatimor.”.
Neni 35
Neni 104 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Neni 104
Fillimi i procedurës së falimentimit në gjykatë nga administrata tatimore bëhet në përputhje me ligjin për falimentimin.”.
Neni 36
Pas pikës 5, të nenit 105, shtohet pika 6, me këtë përmbajtje:
“6. Drejtori i Drejtorisë së Hetimit Tatimor, në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve dhe drejtorët e hetimit tatimor në drejtoritë rajonale tatimore emërohen nga ministri i Financave.”.
Neni 37
Pikat 5, 6 dhe 8, të nenit 105/2, “Struktura dhe funksionet e Avokatit të Tatimpaguesit”, ndryshohen, si më poshtë vijon:
“5. Avokati i Tatimpaguesit emërohet sipas dispozitave të legjislacionit për nëpunësin civil dhe është strukturë e pavarur në vendimmarrje, në përbërje të Ministrisë së Financave.
6.  Autoriteti, funksionet e bashkëpunimi i Avokatit të Tatimpaguesve me Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve dhe me palët e treta përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
      …
8. Manuali i Avokatit të Tatimpaguesve, i cili duhet të përmbajë procedura të hollësishme dhe proceset e punës për mbledhjen e informacionit, evidentimin dhe përpunimin e ankesave të tatimpaguesve, zgjedhjen dhe trajtimin e ankesave e të shqetësimeve të tatimpaguesve, përgjithësimin e rasteve, mbylljen e rasteve, si dhe treguesit e matjes së performancës së punës dhe procedurat e raportimit, miratohet nga ministri i Financave.”.
Neni 38
Në fund të pikës 1, të nenit 106, shtohen fjalët “… në përputhje me Kodin e Procedurave Administrative, përveçse kur në këtë ligj përcaktohet        ndryshe …”.
   Neni 39
Në nenin 108 bëhen ndryshimet dhe shtesa e mëposhtme:
1. Kudo në këtë nen, pas emërtimit “Drejtoria e Apelimit Tatimor” shtohet  “ose Bordi për Shqyrtimin e Apelimeve Tatimore”.
2. Pika 5 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“5. Barra e provës për të vërtetuar se një vlerësim tatimor ose vendim është i pasaktë ushtrohet në përputhje me Kodin e Procedurave Administrative.”.
3. Në pikën 6, fjalët “… në përputhje me nenin 108, të Kodit të Procedurave Administrative” zëvendësohen me “… në përputhje me nenin 100 të Kodit të Procedurave Administrative …”.
4. Pas pikës 6 shtohet pika 7, me këtë përmbajtje:
“7. Bordi për Shqyrtimin e Apelimeve Tatimore ka për kompetencë të shqyrtojë dhe të marrë vendim për ankimin tatimor që ka për objekt detyrimin tatimor sipas vlerës së përcaktuar me vendim të Këshillit të Ministrave.”.
  Neni 40
Në nenin 109 bëhen këto ndryshime:
1. Titulli i nenit ndryshohet nga “Vendimi i drejtorisë” në “Vendimi për ankimin administrativ tatimor dhe e drejta e ankimit”.
2. Kudo në nen, pas emërtimit “Drejtoria e Apelimit Tatimor” shtohet “ose Bordi për Shqyrtimin e Apelimeve Tatimore”.
3. Pika 3 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“3. Vendimi i Drejtorisë së Apelimit Tatimor ose i Bordit për Shqyrtimin e Apelimeve Tatimore është i detyrueshëm për zbatim nga organi i administratës tatimore që ka bërë vlerësimin tatimor dhe nuk apelohet prej tij.”.
4. Fjalia e dytë e pikës 4 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Drejtoria e Apelimit Tatimor merr masa për publikimin në website të qëndrimeve të mbajtura në vendimet e marra prej saj.”.
Neni 41
Në nenin 110 bëhen këto ndryshime:
1. Kudo në nen, pas emërtimit “Drejtoria/së e/së Apelimit Tatimor”  shtohet “ose Bordi/t për Shqyrtimin e Apelimeve Tatimore”.
2. Në pikën 1, fjalët “… dhe administrata tatimore e pranon vendimin …” shfuqizohet.
3. Pika 2 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“2. Nëse Drejtoria e Apelimit Tatimor ose Bordi për Shqyrtimin e Apelimeve Tatimore lë në fuqi vendimin e administratës tatimore dhe tatimpaguesi e pranon vendimin, çdo detyrim tatimor, që përfshin tatimin, në rastin kur nuk është paguar, por është vendosur garanci, kamatëvonesë dhe çdo gjobë e llogaritur, paguhen nga tatimpaguesi, brenda 30 ditëve kalendarike nga data kur vendimi për ankimin është marrë ose vlerësohet të jetë marrë.”.
4. Pika 3 shfuqizohet.
Neni 42
Neni 113 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Neni 113
Mosdeklarimi në afat
Tatimpaguesi, i cili nuk dorëzon në afatin e përcaktuar sipas ligjit përkatës deklaratën tatimore, për të cilën detyrohet sipas ligjit të deklarojë, dënohet me gjobë për çdo deklaratë tatimore të padorëzuar në afat, si më poshtë vijon:
a) 10 000 lekë për tatimpaguesit e tatimit mbi fitimin;
b) 5 000 lekë për tatimpaguesit e tjerë.”.
Neni 43
Fjalia e dytë, e pikës 2, të nenit 114, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Gjithashtu, shumë e papaguar e detyrimit tatimor është diferenca ndërmjet shumës së saktë të rimbursueshme dhe shumës së rimbursimit të marrë në datën e caktuar.”.
Neni 44
Neni 114/1 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Neni 114/1
Mospagimi në afat i kësteve paraprake të tatimit mbi fitimin ose kësteve paraprake të tatimit të thjeshtuar mbi fitimin, përkatësisht sipas nenit 30, të ligjit nr.8438, datë 28.12.1998, “Për tatimin mbi të ardhurat”, të ndryshuar, dhe nenit 15, të ligjit nr.9632,                              datë 30.10.2006, “Për sistemin e taksave vendore”, të ndryshuar, dënohet me gjobë, në masën 10 për qind të shumës së këstit për t’u paguar.”.
Neni 45
Fjalia e dytë, e pikës 2, të nenit 115, shfuqizohet.
Neni 46
Neni 117 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Neni 117
Dënimet për agjentët e mbajtjes së tatimit në burim, agjentët e taksave dhe agjentët e tarifave
Agjenti i mbajtjes së tatimit, agjenti i taksave apo ai i tarifave detyrohen të paguajnë gjobë, në masën e mëposhtme:
a) Gjobë në masën 0.06 % të shumës së plotë të tatimit, taksës apo tarifës, në rast se e ka mbajtur, llogaritur dhe deklaruar tatimin në burim apo tatimin, taksën ose tarifën, por nuk e ka transferuar atë në buxhetin e shtetit. Ky dënim aplikohet për çdo ditë gjatë së cilës pagesa nuk është kryer, por jo për një periudhë më të gjatë se 365 ditë kalendarike.
b) Gjobë në masën 50% të shumës së plotë të tatimit, taksës apo tarifës në rast se nuk mban tatimin në burim apo tatimin apo nuk mbledh taksën ose tarifën;
c) Gjobë në masën 100 % të shumës së plotë të tatimit, taksës apo tarifës nëse mban dhe nuk deklaron e paguan tatimin në burim apo tatimin, taksën ose tarifën e mbledhur.”.
Neni 47
Neni 119 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Neni 119
Mosdeklarimi i punonjësve dhe fshehja e pagës
1. Nëse nga verifikimi dhe kontrolli në vendndodhjen e biznesit rezulton se tatimpaguesi nuk ka deklaruar në organin tatimor çdo të punësuar rishtazi, të paktën një ditë kalendarike përpara fillimit të punës, përveç detyrimit për pagimin e shumës së detyrimeve tatimore dhe kontributeve të sigurimeve shoqërore e shëndetësore, të llogaritura nga data e konstatimit, dënohet me gjobë për çdo punonjës të padeklaruar:
a) Tatimpaguesit e regjistruar si subjekte të tatimit mbi vlerën e shtuar dhe tatimit mbi fitimin, me gjobë prej 200 000 (dyqind mijë) lekësh;
b) Tatimpaguesit e tjerë, me gjobë prej 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekësh.
Kjo gjobë nuk aplikohet në rastin kur nga verifikimi dhe kontrolli në vendndodhjen e aktivitetit të personit fizik të vetëpunësuar, evidentohen persona mbi 16 vjeç të cilët kategorizohen si persona të papaguar të familjes. Në këtë rast, pas konstatimit, tatimpaguesit përkatës i lihet kohë deri në 5 ditë kalendarike që të vërtetojë pranë organit tatimor se personi i evidentuar në vendin e aktivitetit është person i papaguar i familjes ose që bashkëjeton ligjërisht me të vetëpunësuarin, sipas kuptimit në Kodin Civil.
2. Nëse nga verifikimi dhe kontrolli rezulton se tatimpaguesi ka fshehur dhe nuk ka deklaruar pagën e saktë të përfituar nga punëmarresi si rezultat i marrëdhënies së punësimit, tatimpaguesi-punëdhënës, përveç detyrimit për pagimin e shumës së detyrimit tatimor dhe kontributit të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, të llogaritur për gjithë periudhën që provohet se është kryer shkelja, dënohet me gjobë në masën 100% të detyrimit dhe kontributit të llogaritur.”.
Neni 48
Neni 120 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Neni 120
Pagesat ose arkëtimet me para në dorë mbi 150 000 lekë
Tatimpaguesit, persona fizikë apo juridikë, tregtarë, që kryejnë ndërmjet tyre transaksione shitjeje apo blerjeje me para në dorë, jo në përputhje me përcaktimin e pikës 1, të nenit 59, të këtij ligji, dënohen me gjobë në masën 10 për qind të vlerës së secilit transaksion.”.
Neni 49
Në nenin 121 bëhen ndryshimet e mëposhtme:
1. Pika 1 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“1. Për tatimpaguesin që mban në ruajtje, përdor ose transporton mallra të pashoqëruara me dokumente tatimore, në përputhje me dispozitat e këtij ligji, aplikohen masat dhe dënimet, si më poshtë vijon:
a) Tatimpaguesit të tatimit të thjeshtuar të fitimit, që nuk është i regjistruar për TVSH-në, menjëherë në momentin e konstatimit i ndryshohet përgjegjësia tatimore duke kaluar si tatimpagues i TVSH-së. Për qëllim të konstatimit të mosdokumentimit të mallit detyrohet të lëshojë faturë sipas nenit 53, të këtij ligji, me qëllim dokumentimin e mallit dhe aplikohet dënim sipas pikës 1, të nenit 124, të këtij ligji.
b) Tatimpaguesi i regjistruar për TVSH-në detyrohet të dokumentojë mallin duke lëshuar faturë tatimore sipas nenit 53, të këtij ligji. Për qëllim të konstatimit të mosdokumentimit të mallit i kryhet rivlerësim i shitjeve në të njëjtën vlerë me vlerën e tregut të mallit të padokumentuar dhe aplikohet dënim sipas pikës 1, të nenit 124, të këtij ligji.”.
2. Pika 2 shfuqizohet
3. Fjalia e parë, e pikës 3, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Personi i identifikuar i paregjistruar në kuptim të nenit 41, të këtij ligji, për sasinë e mallit që mban në ruajtje, përdor ose transporton, dënohet sipas paragrafit të dytë, të pikës 1, të këtij neni.”.
Neni 50
Në nenin 122 bëhen ndryshimet e mëposhtme:
1. Fjalia e parë, e pikës 1, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“1. Tatimpaguesi, person juridik ose fizik, tregtar, i cili detyrohet të përdorë pajisjen fiskale ose sistemet e monitorimit të qarkullimit në përputhje me përcaktimet e këtij ligji, dënohet në rast se:”.
2. Nënndarja “ii”, e shkronjës “a”, të pikës 1, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“ii. nëse pas verifikimit të parë, sipas nënndarjes “i”, të këtij neni, konstatohet se tatimpaguesi vazhdon të mos e instalojë pajisjen fiskale për regjistrimin e pagesave me para në dorë ose sistemin e monitorimit të qarkullimit, merret masa e bllokimit të veprimtarisë në vendin ku është konstatuar shkelja për 15 ditë kalendarike. Nëse tatimpaguesi, brenda këtij afati, nuk instalon pajisjen fiskale në vendin ku është konstatuar shkelja, masa e bllokimit shtyhet deri në instalimin e pajisjes fiskale. Në rastin kur situata nuk është rregulluar brenda       15 ditëve, tatimpaguesit i publikohen emri, NIPT-i dhe emri i përfaqësuesit të biznesit,  në faqen zyrtare të internetit të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve.”.
3. Shkronjat “b”, “c”, “ç” dhe “d”, të pikës 1, ndryshohen, si më poshtë vijon:
“b) nuk lëshon kupon tatimor për të dokumentuar qarkullimin e realizuar të mallrave apo të shërbimeve për:
i. konstatimin (verifikimin) e kryer, me gjobë në masën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë dhe përveç masës së gjobës për tatimpaguesit e regjistruar për TVSH-në bëhet vlerësim tatimor për tre muajt e fundit, duke përdorur metodat  alternative, të parashikuara në nenet 71 dhe 72, të këtij ligji;
  ii.   konstatimin (verifikimin) tjetër pas konstatimit të parë, sipas nënndarjes “i”, të kësaj shkronje, nëse tatimpaguesi vazhdon të mos e lëshojë kuponin tatimor për të dokumentuar qarkullimin e realizuar të mallrave apo të shërbimeve, përveç aplikimit të dënimit si në nënndarjen “i”, dhe në këtë rast merret masa e bllokimit të veprimtarisë në vendin ku është konstatuar shkelja për 30 ditë kalendarike;
           iii. çdo konstatim të përsëritur të moslëshimit të kuponit tatimor, pas dy konstatimeve të sipërpërmendura, përveç aplikimit të dënimit si në nënndarjen “i”, konsiderohet evazion tatimor sipas pikës 2, të nenit 116, të këtij ligji. Gjithashtu, publikohen emri i tatimpaguesit, NIPT-i dhe emri i përfaqësuesit të biznesit në faqen zyrtare të internetit të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve.
c) lëshon një kupon tatimor/dëftesë tatimore/biletë, me vlerë të parashtypur, që nuk përmban elementet e përcaktuara në këtë ligj dhe në aktet nënligjore, për kuponin tatimor/dëftesën tatimore/biletën me vlerë të parashtypur, me gjobë, në masën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë;
ç) lëshon kupon tatimor/dëftesë tatimore, ku ka shënuar një vlerë të ndryshme nga vlera e furnizimit ose e çmimit të afishuar, me gjobë në masën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë;
d) nuk afishon në një vend të dukshëm një poster që tregon detyrimin e blerësit të mallrave apo të përfituesit të shërbimit për të kërkuar kupon tatimor, si dhe të drejtën e blerësit për të mos paguar për mallrat dhe shërbimet e blera në zbatim të pikës 3, të nenit 46, të këtij ligji, me gjobë në masën 50000 (pesëdhjetë mijë) lekë, për secilën nga kërkesat në këtë paragraf.”.
4. Shkronja “e”, e pikës 1, shfuqizohet
Neni 51
Në nenin 124 bëhen ndryshimet e mëposhtme:
1. Pika 1 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“1. Moslëshimi i faturës tatimore, dëftesës tatimore apo і faturës tatimore me TVSH dënohet me gjobë të barabartë me 100 për qind të tatimit të padeklaruar, si rezultat i moslëshimit të faturës, përveç tatimit dhe kamatëvonesave që llogariten dhe paguhen në përputhje me dispozitat e këtij ligji apo të ligjeve specifike tatimore.”.
2. Pika 2 ndyshohet, si më poshtë vijon:
“2. Për tatimpaguesit që kryejnë shkelje të përsëritur të moslëshimit të faturës, përveçse aplikohet dënimi me gjobë të barabartë me 100 për qind të tatimit të padeklaruar, sipas pikës 1, të këtij neni, gjithashtu ndërmerren masat e mëposhtme:
a) Tatimpaguesi, që nuk është i regjistruar për TVSH-në, në momentin kur konstatohet shkelja e përsëritur sipas këtij neni, regjistrohet për TVSH-në.
b) Tatimpaguesi i regjistruar për TVSH-në dhe tatimin e thjeshtuar të fitimit, në momentin kur konstatohet shkelja e përsëritur sipas këtij neni, regjistrohet për tatimin mbi fitimin.
c) Tatimpaguesi i tatimit mbi fitimin përfshihet menjëherë në listën e subjekteve me risk për efekt të analizës së riskut. Në rastet kur moslëshimi i faturës tatimore, dëftesës tatimore apo і faturës tatimore me TVSH është shkelje e përsëritur i më shumë se 2 herë, atëherë përveç sa përcaktohet në pikat 1 dhe 2, të këtij neni, zbatohen edhe dispozitat e neneve 116 dhe 131, të këtij ligji.”.
Neni 52
Neni 128/3 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Neni 128/3
Dënimet për certifikimin e deklaratave tatimore  nga audituesit
Në rast se nga kontrolli i bërë nga administrata tatimore tek tatimpaguesit, deklaratat tatimore të të cilëve janë certifikuar nga kompanitë certifikuese sipas pikës 4, të nenit 80, të këtij ligji, se janë në përputhje me legjislacionin fiskal, rezulton detyrim tatimor, kompania certifikuese dënohet me një gjobë, në masën 50% të detyrimit tatimor të ngarkuar  tatimpaguesit.”.
Neni 53
Neni 130 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Neni 130
Mosafishimi i çmimeve të shitjes
Mosafishimi i çmimeve të shitjes së mallrave apo shërbimeve dënohet me gjobë me 100 000 lekë për tatimpaguesit e tatimit mbi fitimin dhe 50 000 lekë për tatimpaguesit e tjerë.
Ministri i Financave përcakton me udhëzim rastet kur për natyrën e aktivitetit përmbushja e detyrimit për afishimin e çmimeve të shërbimeve nuk mund të ushtrohet.”.
     Neni 54
Pika 4, e nenit 131, shfuqizohet.
     Neni 55 
Pas pikës 3, të nenit 133, shtohet pika 4, me këtë përmbajtje:
“4.Numërtimi i konstatimeve për zbatimin e penaliteteve të përcaktuara në nenin 48, të këtij ligji, fillon të zbatohet me hyrjen në fuqi të tij.”.
Neni 56
Kudo në ligj, emërtimi “Qendra Kombëtare e Regjistrimit” zëvendësohet me “Qendra Kombëtare e Biznesit” dhe shkurtimi “QKR” zëvendësohet me “QKB”.
Neni 57
Dispozitë kalimtare
1. Drejtoria e Apelimit Tatimor kryen funksionet si strukturë e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve deri në datën 1 janar 2017. Procedurat për ankimet administrative tatimore në proces përcaktohen me udhëzim të ministrit të Financave.
2. Drejtoria e Apelimit Tatimor shqyrton dhe merr vendim për të gjitha ankimet administrative tatimore pavarësisht nga vlera e detyrimeve të apeluara deri me hyrjen në fuqi të vendimit të Këshillit të Ministrave për përbërjen dhe procedurat e funksionimit të Bordit për Shqyrtimin e Apelimeve Tatimore.
Neni 58
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”, përveç neneve 4, 6 dhe 37, të këtij ligji, të cilat hyjnë në fuqi nga data 1 janar 2017 .
K R Y E T A R I
ILIR META
*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.