Projektligje të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 22 Janar 2020

Projektligje të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 22 Janar 2020:

P R O J E K T L I GJ

PËR

DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË LIGJIN NR.10465, DATË 29.9.2011, “PËR SHËRBIMIN VETERINAR NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë

 

V E N D O S I:

 

Në ligjin nr.10465, datë 29.9.2011, “Për shërbimin veterinar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, bëhen ndryshimet dhe shtesat, si më poshtë vijon:

Neni 1

1. Kudo në ligj, emërtimet “Ministri i Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit” “Autoriteti Kombëtar i Ushqimit” dhe “Instituti i Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë” zëvendësohen, përkatësisht, me “Ministri”, “Institucioni përgjegjës për kontrollin zyrtar të ushqimit dhe ushqimit për kafshë” dhe “Instituti përgjegjës për kryerjen e analizave të sigurisë ushqimore dhe veterinarisë”.

2. Në nenet 4, pika 71; 8, shkronja “c”; 14, pika 2; 22, pikat 4 e 5; 24, pika 2; 27, pika 1; 33, pika 6; 38, pikat 6 e 7; 56, pika 2; 81, pikat 1 e 2; 87, pika 2; 120, pika 6, dhe 123, pika 2, fjalët “… autoriteti kompetent …” apo “… autoriteti kompetent veterinar …” zëvendësohen me “… struktura përgjegjëse për veterinarinë …”.
3. Në nenet 17, pika 1; 22, pika 6, dhe 25, pika 2, pas fjalëve “… autoriteti kompetent …” shtohen “… informon strukturën përgjegjëse për veterinarinë, e cila …”.

Neni 2

Në nenin 1 bëhen shtesat, si më poshtë vijon:

1. Në pikën 4, pas fjalës “… shtazore …” shtohen “… jo për konsum njerëzor …”.

2. Pas pikës 11 shtohet pika 12, me këtë përmbajtje:

“12. Të përcaktojë rregullat për parandalimin dhe kontrollin e sëmundjeve të transmetueshme te kafshët ose njerëzit, duke bërë të mundur:

a) klasifikimin, sipas prioritetit, kategorizimin e sëmundjeve dhe përcaktimin e përgjegjësive për mbrojtjen e shëndetit të kafshëve;
b) miratimin dhe regjistrimin e objekteve e të mjeteve transportuese, garantimin e lëvizjes e të gjurmueshmërisë së ngarkesave të kafshëve, produkteve embrionale dhe produkteve me origjinë shtazore, jo për konsum njerëzor;
c) hyrje-daljen e kafshëve, të produkteve embrionale dhe produkteve me origjinë shtazore, jo për konsum njerëzor në Shqipëri;
ç) vendosjen e masave urgjente, që duhen marrë në rast të shpërthimit të një sëmundjeje.”.

Neni 3

Pas pikës 3, të nenit 2, shtohet pika 4, si më poshtë vijon:

“4. Mbrojtjen, nga përhapja e sëmundjeve të trasmetueshme, të kafshëve me pronar ose jo dhe kafshëve të egra, produkteve embrionale, produkteve me origjinë shtazore jo për konsum njerëzor, subjekteve, mjeteve të transportit, pajisjeve dhe çdo materiali që ndikon ose është i prirur të ndikojë në përhapjen e sëmundjeve të transmetueshme të kafshëve.”.

Neni 4

Shkronja “ç”, e nenit 3, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“ç) të fermerëve, pronarëve dhe të operatorëve të biznesit të mbarështimit të kafshëve.”.

Neni 5

Në nenin 4 bëhen këto ndryshime dhe shtesa:

1. Pika 5 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“5. Autoriteti kompetent është struktura e shërbimit veterinar shtetëror, përgjegjës për drejtimin e veprimtarisë së shërbimit veterinar në kryerjen e kontrollit zyrtar dhe aktiviteteve të tjera veterinare, në varësi të Ministrit.”

2. Pas pikës 5 shtohet pika 5/1, me këtë përmbajtje:

“5/1 Struktura përgjegjëse për veterinarinë ose SPV-në është struktura përgjegjëse që mbulon shërbimin veterinar në ministri.”.

3. Pas pikës 8 shtohet pika 8/1, si më poshtë vijon:

“8/1. “Biosiguri” është tërësia e masave menaxhuese dhe fizike, të cilat kanë qëllim të reduktojnë rrezikun e hyrjes, të zhvillimit ose përhapjes të sëmundjeve te kafshët në fermë dhe/ose objekt, zonat ose çdo ambient tjetër dhe mjetet e transportit.”.

4. Pas pikës 20 shtohet pika 20/1, si më poshtë vijon:

“20/1. “Hetim epidemiologjik” është zbulimi i origjinës së mundshme të një sëmundjeje të shfaqur në kafshë, me qëllim përcaktimin e shkaqeve dhe të zhvillimit të mëtejshëm të sëmundjes në popullatën e kafshës së kontaminuar, duke realizuar kontrollin e pranisë dhe mënyrën e shpërndarjes së vektorëve të sëmundjes infektive, për vendosjen e strategjive të parandalimit dhe kontrollit të sëmundjes.”.

5. Pika 95 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“95. “Regjistrim” është veprimi, me anë të të cilit informacioni për kafshët (si identifikimi, shëndeti i kafshëve, lëvizja, certifikimi, epidemiologjia, stabilimentet) mblidhet, shënohet dhe ruhet në mënyrë të sigurt për përdorim nga autoriteti kompetent dhe SPV-ja.”.

6. Pika 101 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“101. “Sëmundje e lajmërueshme” është një sëmundje e listuar nga SPV-ja dhe e miratuar nga Ministri, për të cilën, sapo të zbulohet ose të dyshohet, autoriteti kompetent njofton SPV-në.”.

7. Pas pikës 105 shtohet pika 105/1, me këtë përmbajtje:

“105/1. “Sistemi i informacionit të epidemiologjisë veterinare” është sistemi elektronik i njoftimit të menjëhershëm të strukturave përgjegjëse në vend dhe organizmave përkatës e ndërkombëtarë për ngjarjet epidemiologjike dhe survejancën, monitorimin e kontrollin e tyre.”.

8. Pas pikës 106 shtohen pikat 106/1 dhe 106/2, si më poshtë vijon:

“106/1. “Stabiliment” është një objekt, ndërtesë ose strukturë, në të cilën kryhet, të paktën, një nga aktivitetet e përmendura në këtë ligj.

106/2. Survejancë është mbledhja e vazhdueshme, sistematike, shqyrtimi dhe analizimi i informacionit në lidhje me shëndetin e kafshëve dhe shpërndarja në kohë e informacionit, më qëllim që të merren masat përkatëse.”.

9. Pika 112 ndryshohet, me këtë përmbajtje:

“112. “Teknik veterinar” është veterineri me arsim të mesëm, profesional, veterinar, i cili autorizohet nga shërbimi veterinar shtetëror që të kryejë disa detyra të përcaktuara në një territor, nën përgjegjësinë dhe drejtimin e një mjeku veterinar.”.

10. Pas pikës 112 shtohen pikat 112/1 dhe 112/2, si më poshtë vijon:

“112/1. “Veterineri zyrtar i kontrollit” është veterineri zyrtar, i cili kryen veprimtarinë e përcaktuar në pikën 1, të nenit 131, të këtij ligji.

112/2. “Veterineri zyrtar i shërbimit” është veterineri zyrtar, i cili kryen veprimtarinë e përcaktuar në pikën 2, të nenit 131, të këtij ligji.”.

Neni 6

Në nenin 6 bëhen këto ndryshime:

1. Pika 1 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“1. Gjedhi, delet, dhitë, njëthundrakët dhe derrat i nënshtrohen identifikimit të detyrueshëm individual, në përputhje me rregulloren e miratuar nga Ministri.”.

2. Pika 3 ndryshohet, me këtë përmbajtje:

“3. Për të parandaluar, zbuluar e kontrolluar sëmundje infektive dhe për të kontrolluar tregtinë e kafshëve, Ministri urdhëron identifikimin e detyrueshëm të llojeve të tjera të kafshëve.”.

Neni 7

Pikat 2 dhe 3, të nenit 7, ndryshohen, si më poshtë vijon:

“2. Këshilli i Ministrave, me propozimin e Ministrit, miraton kostot dhe mënyrën e mbulimit të shpenzimeve të sistemit IR.

3. Tarifat për funksionimin e sistemit IR përcaktohen me udhëzim të Ministrit përgjegjës për fushën e veterinarisë.”.

Neni 8

Në nenin 9 bëhen këto ndryshime dhe shtesa:

1. Shkronja “b”, e pikës 1, ndryshohet, si më poshtë vijon:

“b) futjen e kafshëve të paidentifikuara në kushte karantinore në karantinën shtetërore ose në vendin e destinacionit, jo më pak se 21 (njëzet e një) ditë, për matrikulimin dhe kryerjen e ekzaminimeve të nevojshme veterinare. Kafshët e rezultuara pozitive pas ekzaminimeve eliminohen menjëherë. Të gjitha shpenzimet për ekzaminimet, ditët e qëndrimit në karantinë dhe eliminimin përballohen nga pronari i kafshëve.”.

2. Pas pikës 1 shtohet pika 1/1, me këtë përmbajtje:

“1/1. Kafshët pa origjinë, pa pronar dhe kujdestar apo të braktisura nga pronari dhe kujdestari eliminohen dhe karkasat e tyre asgjësohen menjëherë, në mënyrë të sigurt, sipas legjislacionit në fuqi. Shpenzimet për eliminimin dhe asgjësimin përballohen nga buxheti i shtetit.”.

Neni 9

Në të gjithë përmbajtjen e nenit 12, fjala “… qentë …” zëvendësohet me “… kafshët e shoqërimit …”.

Neni 10

Neni 11 bëhen ndryshimet, si më poshtë vijon:

1. Pika 1 ndryshohet me këtë përmbajtje:

“1. Kafshët dhe fermat blegtorale identifikohen dhe regjistrohen sipas sistemit kombëtar IR.”.

2. Pika 4 shfuqizohet.

Neni 11

Pas pikës 2, të nenit 14, shtohet pika 3, si më poshtë vijon:

“3. Shërbimi veterinar shtetëror kryen monitorimin e sëmundjeve që janë të listuara në pikën 1, të këtij neni, në mënyrë që të zbulojë në kohë praninë e tyre. Lista e sëmundjeve përditësohet me sëmundje të reja që shfaqen, duke mbledhur, ruajtur dhe analizuar informacionin e vlefshëm në lidhje me situatën epidemiologjike.”.

Neni 12

Në nenin 15 bëhen këto ndryshime dhe shtesa:

1. Pas shkronjës “p” shtohet shkronja “q”, me këtë përmbajtje:

“q) masa shtesë të kontrollit të sëmundjeve, nga ato të parashikuara në paragrafin e parë të këtij neni, mund të merren nga shërbimi veterinar nëse shihen të nevojshme e të përshtatshme për të kontrolluar përhapjen e sëmundjes së listuar në pikën 1, të nenit 14, të këtij ligji, duke marrë parasysh:

i. rrethanat e veçanta epidemiologjike;
ii. llojin e fermave e të stabilimenteve, vendndodhjet e tjera dhe prodhimin në fjalë;
iii. llojet dhe kategoritë e kafshëve të përfshira;
iv. kushtet ekonomike ose sociale.”.

2. Pas pikës 1 shtohet pika 2, si më poshtë vijon:

“2. Masat shtesë të kontrollit të sëmundjeve miratohen me urdhër të Ministrit.”.

Neni 13

Neni 16 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“Neni 16
Programet vjetore të monitorimit

1. Masat e kontrollit të sëmundjeve të kafshëve dhe kushtet e shëndetit të tyre, embrioneve, materialit biologjik, produkteve me origjinë shtazore jo për konsum njerëzor, që rregullojnë lëvizjen, tregtinë në vend dhe importin e tyre, miratohen me urdhra të Ministrit.

2. SPV-ja përgatit programet vjetore të profilaksisë veterinare shtetërore, kontrollit, monitorimit dhe mbikëqyrjes së sëmundjeve me pasoja për shëndetin e kafshëve dhe shëndetin publik veterinar, mbështetur në situatën epidemiologjike në vend. Programet miratohen me urdhër të Ministrit.”.

Neni 14

Pika 3, në nenin 20, ndryshohet, si më poshtë vijon:

“3. Veterineri zyrtar merr kampionet, i dërgon në laboratorin veterinar të përcaktuar për sëmundjen që dyshohet dhe njofton në sistemin e informacionit të epidemiologjisë veterinare.”.

Neni 15

Pas nenit 20 shtohet neni 20/1, me këtë përmbajtje:

“Neni 20/1
Masat paraprake profilaktike

1. Shërbimi veterinar, në rast se dyshon për praninë e një sëmundjeje të listuar në pikën 1, të nenit 14, të këtij ligji, në pritje të rezultateve merr masat për kontrollin e sëmundjes,:

a) duke vendosur nën mbikëqyrjen zyrtare fermat/stabilimentet ose çdo vendndodhje tjetër, ku sëmundja dyshohet se është shfaqur apo ka origjinën;
b) duke mbajtur një regjistër të të gjitha kafshëve që ndodhen në fermë/stabiliment ose në çdo vendndodhje tjetër, që ka rëndësi për përhapjen e mundshme të sëmundjes;
c) duke siguruar që janë marrë masat e nevojshme të biosigurisë, me qëllim ndalimin e përhapjes së sëmundjes te kafshët e tjera ose te njerëzit;
ç) duke vendosur në izolim kafshët e dyshuara si të prekura, me qëllim ndalimin e përhapjes së sëmundjes;
d) duke kufizuar lëvizjet e kafshëve, të produkteve, personave, mjeteve të transportit si dhe çdo materiali ose pajisjeje tjetër, me anë të së cilës sëmundja mund të përhapet, me qëllim ndalimin e përhapjes së saj;
dh) duke ndërmarrë çdo masë tjetër të nevojshme për kontrollin e sëmundjes;
e) duke njoftuar në sistemin e informacionit të epidemiologjisë veterinare dhe filluar hetimin epidemiologjik.

2. Shërbimi veterinar shtetëror, në vijim të rezultateve të hetimit epidemiologjik, rishqyrton masat paraprake profilaktike sipas pikës 1, të këtij neni.”.

Neni 16

Në nenin 21 bëhen këto ndryshime:

1. Pika 1 ndryshohet, me këtë përmbajtje:

“1. Kur konfirmohet dyshimi i pranisë së sëmundjes infektive nga laboratori veterinar, autoriteti kompetent njofton SPV-në.”.

2. Pika 7 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“7. Ministri, me urdhër, miraton rregulloret përkatëse për masat që duhet të zbatohen në fermën e vendosur nën mbikëqyrje zyrtare, sipas pikës 2, të këtij neni, për kontrollin dhe çrrënjosjen e sëmundjeve, sipas situatës.”.

Neni 17

Neni 39 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“Neni 39
Procedurat në rast dyshimi

1. Inspektori veterinar në PIK, në rast se gjatë importit, eksportit apo transitit të ngarkesave të përcaktuara në nenin 33, të këtij ligji, dyshon për sëmundje infektive, ndotje, ndryshime organoleptike të mallit apo konstaton mangësi në dokumentacionin e parashikuar në pikat 1 e 2, të nenit 38, të këtij ligji, urdhëron:

a) bllokimin e ngarkesës në PIK;
b) rikontrollin veterinar, me analiza laboratorike të specifikuara;
c) shoqërimin e ngarkesës për në pikën më të afërt të karantinës ose në vendin e destinacionit, ku do t’i nënshtrohet masave karantinore të përcaktuara në këtë ligj dhe në aktet nënligjore;
ç) kthimin mbrapsht të ngarkesës, sipas nenit 40, të këtij ligji;
d) konfiskimin, eliminimin dhe asgjësimin në mënyrë të sigurt, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

2. Për masat e marra sipas pikës 1 të këtij neni, ai mban procesverbalin e inspektimit dhe njofton menjëherë autoritetin kompetent për PIK-un, i cili njofton strukturën përgjegjëse për veterinarinë në ministri dhe autoritetin kompetent. Shërbimi veterinar rajonal i destinacionit të ngarkesës shoqëron ngarkesën, sipas shkronjës “c”, të pikës 1.

3. Të gjitha shpenzimet për masat e marra, sipas pikës 1, të këtij neni, mbulohen nga pronari ose personi përgjegjës për ngarkesën.”.

Neni 18

Në nenin 41 fjalët “… propozimin e autoritetit kompetent …” zëvendësohen me “… udhëzim …”.

Neni 19

Në nenin 42, fjalët “… autoriteti kompetent …” zëvendësohen me “… nga struktura përgjegjëse për veterinarinë në ministri dhe autoriteti kompetent në vendin e origjinës …”.

Neni 20

Në nenin 43 bëhen ndryshimet, si më poshtë vijon:

1. Në pikat 1 dhe 2, fjalët “… urdhrin e përkohshëm, të lëshuar nga autoriteti kompetent, ….” zëvendësohen me “… urdhrin e Ministrit …”.

2. Pika 3 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“3. Në përputhje me “Kodin Shëndetësor të Kafshëve të Tokës dhe të Ujit”, të OIE-së, Ministri miraton urdhrin për shfuqizimin e masave veterinare për sëmundjet infektive, sipas pikave 1 e 2, të këtij neni.”.

Neni 21

Në nenin 45 bëhen ndryshimet, si më poshtë vijon:

1. Në pikën 2, fjalët “… autoriteti kompetent …” zëvendësohen me “… shërbimin veterinar …”.

2. Në pikën 3, fjalët “… me propozimin e autoritetit kompetent …” hiqen.

Neni 22

Neni 48 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“Neni 48
Masat e shërbimit veterinar shtetëror

Autoriteti kompetent, mbështetur në listën e sëmundjeve infektive, merr njërën prej masave të mëposhtme:

a) Eliminimin e kafshëve të sëmura, të dyshuara si të sëmura ose të ekspozuara kundrejt infeksionit;
b) Asgjësimin në mënyrë të sigurt të kadavrave, produkteve të kafshëve, produkteve embrionale, lëndëve të papërpunuara dhe të pajisjeve e mjeteve në një vatër të sëmundjes, që paraqet rrezik për shëndetin e kafshëve.”.

Neni 23

Në nenin 51 bëhen këto ndryshime dhe shtesa:

1. Në pikën 1 bëhen ndryshimet dhe shtesat, si më poshtë vijon:

a) Shkronja “f” ndryshohet, me këtë përmbajtje:

“f) të zbatojnë kërkesat për mbrojtjen e shëndetit e të mirëqenies së kafshëve dhe të zbatojnë masat e biosigurisë;”.

b) Pas shkronjës “g” shtohet shkronja “gj”, si më poshtë vijon:

“gj) Të marrë masat e përshtatshme të biosigurisë, sipas:

i. llojeve dhe kategorive të kafshëve;
ii. llojit të mbarështimit;
iii. rreziqeve të mundshme, duke përfshirë vendndodhjen gjeografike, kushtet klimaterike dhe rrethanat e praktikat e zonës në fjalë.”.

2. Pas pikës 1 shtohet pika 1/1, si më poshtë vijon:

“1/1. Ministri, me urdhër, miraton rregullat për masat e biosigurisë, që zbatohen në fermë.”.

3. Në pikën 2, fjalët “… me propozimin e autoritetit kompetent …” hiqen.

Neni 24

Neni 54 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“Neni 54
Njësitë e vetëqeverisjes vendore

1. Njësitë e vetëqeverisjes vendore duhet:

a) të bashkëpunojnë me autoritetin kompetent dhe strukturat e shërbimit veterinar për zbatimin e masave profilaktike, për kufizimin dhe çrrënjosjen e sëmundjeve infektive në kafshë;
b) të bashkëpunojnë me autoritetin kompetent dhe strukturat e shërbimit veterinar shtetëror për zbatimin e legjislacionit veterinar në funksionimin e tregjeve të kafshëve të gjalla, thertoreve dhe kullotave;
c) të mbajnë nën kontroll dhe të zbatojnë kërkesat e këtij ligji për kontrollin e qenve e të maceve të rrugës, duke bashkëpunuar me shërbimin veterinar shtetëror;
ç) të përcaktojnë vendet e asgjësimit ose të grumbullimit të kadavrave të kafshëve dhe të bashkëpunojnë për eliminimin e tyre;
d) të marrin masa për rrethimin dhe ruajtjen e pikave të grumbullimit të mbetjeve e të vendgroposjes të kadavrave dhe të ndalojnë hyrjen e kafshëve atje.

2. Detyrat dhe bashkëpunimi, sipas pikës 1, të këtij neni, përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.”.

Neni 25

1. Pikat 1 dhe 2, të nenin 61, ndryshohen, si më poshtë vijon:

“1. Subjektet, që merren me organizmin e ekspozitave, të kopshteve zoologjike shëtitëse, transportin e kafshëve që udhëtojnë me trupat e cirkut, me organizimin e panaireve e të shitjeve të organizuara të kafshëve jashtë mjediseve të stallave e stabilimenteve, njoftojnë, paraprakisht, me shkrim, shërbimin veterinar shtetëror për vendin, datën dhe orën e zhvillimit të veprimtarisë.

2. Autoriteti kompetent miraton ose refuzon kërkesën për kryerjen e veprimtarive të parashikuara në këtë nen.”.

2. Në pikën 3, pas fjalës “… miraton …” shtohet “… me urdhër …”.

Neni 26

Pika 3, e nenit 62, ndryshohet, si më poshtë vijon:

“3. Veterineri zyrtar urdhëron eliminimin e detyrueshëm në vend për kafshët me dëmtime të rënda e të pashërueshme dhe njofton shërbimin rajonal veterinar, i cili njofton autoritetin kompetent, SPV-në dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore.”.

Neni 27

Neni 63 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“Neni 63
Grumbullimi dhe tregtia e lëkurëve

Personi fizik apo juridik, që grumbullon, përpunon apo tregton lëkurë kafshësh, vërteton dhe dokumenton origjinën e lëkurëve të blera nëpërmjet certifikatës veterinare të origjinës. Të dhënat mbahen në regjistrin sipas modelit të miratuar me urdhër nga Ministri.”.

Neni 28

Pas nenit 64 shtohet neni 64/1, me këtë përmbajtje:

“Neni 64/1
Transporti i kafshëve të egra tokësore

1. Transporti i kafshëve të egra tokësore, brenda territorit të Republikës së Shqipërisë ose në një shtet tjetër, bëhet vetëm kur:

a) ato nuk vijnë nga një vendbanim i një zone që është subjekt i kufizimeve të lëvizjes, për shkak të një sëmundjeje të shfaqur, që prek këtë specie të kafshëve;
b) kafshët e egra shoqërohen me certifikatë shëndetësore, në rast se certifikimi i shëndetit të kafshëve është i nevojshëm për të siguruar përputhshmërinë me kërkesat e shëndetit të kafshëve për lëvizjet e parashikuara, ose dokumente të tjera veterinare, të miratuara me urdhër nga ministri;
c) autoriteti kompetent, së bashku me autoritetin kompetent të destinacionit, në rastin e një shteti tjetër, kanë rënë dakord për një lëvizje të tillë.

2. Çdo lëvizje e kafshëve të egra drejt Shqipërisë nga një shtet tjetër duhet të përmbushë të gjitha kushtet e parashikuara në pikën 1, të këtij neni.

3. Rregullat e hollësishme për lëvizjen e kafshëve të egra brenda dhe jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë miratohen me urdhër të Ministrit.”.

Neni 29

Në pikën 4, të nenit 81, fjalët “… shërbimi veterinar rajonal …” zëvendësohen me “… autoriteti kompetent …”.

Neni 30

Në nenin 85 bëhen këto ndryshime:

1. Pika 3 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“3. Komisioni Shtetëror i PMV-ve pranon për regjistrim PMV-të që kanë certifikatë tregtimi dhe tregtohen në një nga vendet e BE-së dhe PMV-të e pajisura me certifikatë tregtimi, të lëshuar nga Agjencia Europiane e Vlerësimit të Barnave (EMA).”.

2. Pika 4 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“4. Kryetari i Komisionit Shtetëror të PMV-ve nënshkruan certifikatën e tregtimit për secilin produkt të miratuar, sipas pikave 1 e 2 të këtij neni, brenda 10 ditëve pune pas pagesës nga kërkuesi të tarifës së përcaktuar për regjistrim.”.

Neni 31

Neni 86 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“Neni 86
Përdorimi në kafshë i PMV-ve

Asnjë produkt mjekësor veterinar nuk lejohet të tregtohet pa certifikatë tregtimi, me përjashtim të rasteve kur përdoret për qëllime të provave klinike të PMV-ve.”.

Neni 32

Pika 1, e neni 87, ndryshohet, si më poshtë vijon:

“1. Shqyrtimi i dosjes së PMV-ve, miratimi nga Komisioni Shtetëror i PMV-ve, të përcaktuara në pikën 3, të nenit 85, dhe lëshimi i certifikatës së tregtimit kryhen brenda një afati prej 100 ditësh, nga data e dorëzimit të kërkesës dhe të dosjes së plotë nga kërkuesi.”.

Neni 33

Neni 88 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“ Neni 88
Komisioni Shtetëror i PMV-ve

1. Ministri, me propozimin e SPV-së, urdhëron ngritjen e Komisionit Shtetëror të PMV-ve.

2. Komisioni Shtetëror i PMV-ve ka në përbërje:

a) dy përfaqësues nga SPV-ja;
b) dy përfaqësues nga instituti përgjegjës për kryerjen e analizave të sigurisë ushqimore dhe veterinarisë;
c) një përfaqësues nga Fakulteti i Mjekësisë Veterinare, në Universitetin Bujqësor të Tiranës.”.

Neni 34

Neni 102 ndryshohet si më poshtë vijon:

“Neni 102
Sistemi i farmako-vigjilencës

1. SPV-ja merr masa për ngritjen dhe administrimin e një sistemi të farmako-vigjilencës.

2. SPV-ja merr masa për të siguruar njoftimin e reaksioneve të kundërta në kafshë, të dyshuara se ndodhin nga përdorimi i PMV-ve.

3. Autoriteti kompetent siguron shkëmbimin e informacionit nga sistemi i farmako-vigjilencës, që lidhet me PMV-të, të cilat janë lejuar për tregtim në Republikën e Shqipërisë.

4. Gjatë vlerësimit të të dhënave nga farmako-vigjilenca, kur struktura përgjegjëse për veterinarinë në ministri konsideron se një certifikatë tregtimi e PMV-ve duhet tërhequr, përfunduar ose ndryshuar, njofton menjëherë mbajtësin e certifikatës së tregtimit të PMV-ve dhe KSHRV-në, i cili mund të vendosë me vendim të ndërmjetëm pezullimin e certifikatës, deri në marrjen e vendimit përfundimtar. Agjencia Evropiane e Medikamenteve njoftohet për vendimin e ndërmjetëm, për pezullimin e certifikatës ose vendimin përfundimtar për heqjen e licencës.

5. Në rast të një nevoje të menjëhershme për ruajtjen e shëndetit të njeriut ose të kafshëve, KSHRV-ja, me propozimin e strukturës përgjegjëse për veterinarinë në ministri ose të autoritetit kompetent, mund të shfuqizojë certifikatën e tregtimit të PMV-ve. Në këtë rast, struktura përgjegjëse për veterinarinë njofton autoritetet e shëndetit publik, Agjencinë Evropiane të Medikamenteve dhe organizmat e tjerë ndërkombëtarë, me të cilët Republika e Shqipërisë ka marrëveshje dypalëshe, si dhe palët e interesuara, jo më vonë se 1 ditë pune pas vendimit të shfuqizimit.

6. Kushtet dhe procedurat për mbledhjen, përmbajtjen dhe dërgimin e informacionit të farmako-vigjilencës miratohen nga Ministri.

7. Autoriteti kompetent për përdorimin e PMV-ve për parandalimin dhe kontrollin e sëmundjeve bazohet në:

a) karakteristikat dhe profilin e sëmundjes;
b) përhapjen e sëmundjes në Shqipëri dhe në vendet fqinje, nga ka ardhur sëmundja;
c) disponueshmërinë, efikasitetin dhe rreziqet që paraqesin këto PMV në mirëqenien e kafshëve;
ç) disponueshmërinë e testeve diagnostikuese për të zbuluar infeksionet te kafshët;
d) pasojat ekonomike, sociale dhe ndikimin mjedisor që sjell përdorimi i këtyre PMV-ve në krahasim me strategjitë e tjera për parandalimin dhe kontrollin e sëmundjeve.

8. Rregullat për përdorimin e PMV-ve, sipas këtij neni, miratohen me urdhër të Ministrit.

9. Autoriteti kompetent merr masat e duhura për të mbrojtur shëndetin e kafshëve dhe shëndetin publik, në lidhje me përdorimin e PMV-ve për studime shkencore ose për qëllime të zhvillimit e testimit të tyre në kushte të kontrolluara.”.

Neni 35

Në titullin e nenit 105, fjala “Zbatimi …” zëvendësohet me “Ushtrimi …”.

Neni 36

Pika 1, e nenit 106, ndryshohet, si më poshtë vijon:

“1. Veprimtaritë veterinare kryhen nga:

a) veterinerët zyrtarë të kontrollit, veterinerët zyrtarë të shërbimit dhe teknikët veterinarë, sipas përcaktimeve të këtij ligji;
b) mjekët veterinarë, teknikët veterinarë, teknikët e ndërzimit, personat fizikë ose juridikë në njësitë e shërbimit veterinar privat në:

i. klinikat dhe spitalet veterinare;
ii. qendrat për riprodhimin dhe ndërzimin artificial;
iii. njësitë e tregtimit me shumicë të PMV-ve dhe farmacitë veterinare;
iv. laboratorët veterinarë;
v. fermat blegtorale, parqet dhe kopshtet zoologjike e të tjera.”.

Neni 37

Në nenin 108, fjalët “… praktikës mjekësore veterinare …” bëhen “… profesionit të mjekut veteriner …”.

Neni 38

Në nenin 109 bëhen këto ndryshime:

1. Pika 1 riformulohet, si më poshtë vijon:

“1. Mjekët veterinarë mund të ushtrojnë profesionin në shërbimin veterinar shtetëror ose sektorin veterinar privat në përputhje me dispozitat ligjore që rregullojnë profesionet e rregulluara në Republikën e Shqipërisë.”.

2. Në pikën 2, fjalët “… autoriteti kompetent …” zëvendësohen me “… Ministri, me urdhër …”.

Neni 39

Në pikën 2, të nenit 112, në fund të fjalisë shtohen fjalët “… të miratuar me urdhër të Ministrit.”.

Neni 40

Pas pikës 3, të nenit 114, shtohet pika 4, si më poshtë vijon:

“4. Ministri miraton rregulloren për funksionimin e klinikës dhe të spitalit veterinar.”.

Neni 41

Neni 116 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“Neni 116
Shërbimi veterinar në raste emergjente dhe nevojash

Në raste emergjente dhe nevojash, kur situata nuk përballohet nga shërbimi veterinar shtetëror, Ministri urdhëron kontraktimin nga autoriteti kompetent të veterinerëve privatë, teknikëve veterinarë, klinikave veterinare dhe njësive të tjera të shërbimit veterinar privat, të përcaktuara në këtë ligj.”.

Neni 42

Neni 117 shfuqizohet.

Neni 43

Në nenin 122 bëhen shtesat dhe ndryshimet, si më poshtë vijon:

1. Në pikën 3, fjalët “… autoritetit kompetent …” zëvendësohen me “… Ministrit …”.

2. Pas pikës 3 shtohet pika 4, me këtë përmbajtje:

“4. Laboratorët, objektet dhe personat e tjerë fizikë ose juridikë, të cilët përdorin agjentë patogjenë me qëllim kërkimin shkencor, edukimin, diagnostikimin ose prodhimin e vaksinave apo të produkteve të tjera biologjike, përveçse të bazohen në standardet ndërkombëtare përkatëse, duhet:

a) të marrin masat në lidhje me biosigurinë dhe izolimin biologjik, me qëllim ndalimin e përhapjes së agjentëve patogjenë dhe kontaktin e tyre me kafshët jashtë laboratorëve ose objekteve të tjera, ku këta agjentë përdoren;
b) të kujdesen që lëvizja e këtyre agjentëve patogjenë, vaksinave dhe produkteve të tjera biologjike nga laboratorët dhe objektet e tjera të mos shkaktojë rreziqe përhapjeje të sëmundjeve.”.

Neni 44

Pika 1, e nenit 123, ndryshohet, si më poshtë vijon:

“1. Instituti përgjegjës për kryerjen e analizave të sigurisë ushqimore dhe veterinarisë, që është Qendra Kombëtare e Referencës Laboratorike Veterinare, kryen vlerësime shkencore në fushën e veterinarisë dhe është pjesë e rrjetit të shërbimit veterinar shtetëror. Organizimi dhe funksionimi i institutit përgjegjës për kryerjen e analizave të sigurisë ushqimore dhe veterinarisë përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozimin e Ministrit.”.

Neni 45

Pika 1, e nenit 127, ndryshohet, me këtë përmbajtje:

“1. Shërbimi veterinar shtetëror organizohet dhe funksionon si sistem me varësi vertikale dhe ushtron veprimtarinë në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë, sipas përcaktimeve të këtij ligji.’.

Neni 46

Neni 128 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“Neni 128
Përbërja e shërbimit veterinar

1. Shërbimi veterinar përbëhet nga:

a) struktura përgjegjëse për veterinarinë;
b) autoriteti kompetent, shërbimi veterinar rajonal;
c) shërbimi veterinar privat.

2. Organizimi dhe funksionimi i autoritetit kompetent përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave.”.

Neni 47

Neni 129 ndryshohet me këtë përmbajtje:

“Neni 129
Kompetencat e strukturës përgjegjëse për veterinarinë në ministri

SPV-ja ushtron kompetencat e mëposhtme:

a) Harton politikat e shëndetit dhe të mirëqenies së kafshëve të gjalla;
b) Harton strategjitë afatshkurtra, afatmesme e afatgjata të veprimtarive veterinare, sipas përcaktimeve të këtij ligji;
c) Harton legjislacionin veterinar, sipas përcaktimeve të këtij ligji, duke e përafruar e harmonizuar atë me legjislacionin e Bashkimit Evropian;
ç) Harton programet e parandalimit, të kontrollit dhe eliminimit deri në çrrënjosjen e sëmundjeve infektive në kafshë, sipas përcaktimeve të këtij ligji;
d) Harton modulet dhe përmbajtjen teknike të sistemit të identifikim-regjistrimit të fermave dhe kafshëve.
dh) Monitoron dhe harton raporte për vlerësimin e riskut dhe të situatës epidemiologjike të sëmundjeve infektive në kafshë në territorin e Republikës së Shqipërisë, në bashkëpunim me strukturat që kryejnë veprimtari veterinare;
e) Informon institucionet shtetërore, strukturat e shëndetit publik, palët e interesuara në vend, OIE-në, BE-në dhe organizmat e tjerë ndërkombëtarë për situatën epidemiologjike të sëmundjeve infektive në kafshë në territorin e Republikës së Shqipërisë;
ë) Programon dhe planifikon buxhetin në fushën e mbrojtjes së shëndetit dhe mirëqenies së kafshëve, mbështetur në programet e kontrollit, në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe në bashkëpunim me institucionet përgjegjëse për planifikimin e buxheteve;
f) Harton politika dhe strategji për identifikimin dhe regjistrimin e kafshëve e fermave blegtorale, në përputhje me legjislacionin kombëtar në fuqi;
g) Monitoron veprimtarinë e autoritetit kompetent në lidhje me zbatimin e legjislacionit për kryerjen e kontrolleve zyrtare dhe veprimtarive të tjera veterinare.”.

Neni 48

Pas nenit 129 shtohet neni 129/1, me këtë përmbajtje:

“Neni 129/1
Kompetencat e autoritetit kompetent

Autoriteti kompetent ushtron kompetencat e mëposhtme:

a) Drejton veprimtarinë e shërbimit veterinar në lidhje me kryerjen e kontrolleve zyrtare dhe veprimtari të tjera veterinare;
b) Administron mjetet financiare për mbrojtjen e shëndetit dhe të mirëqenies së kafshëve;
c) Mbron shëndetin dhe mirëqenien e kafshëve:

i. në mbarështimin e tyre;
ii. në prodhimin dhe ruajtjen e produkteve embrionale;
iii. në tregtimin, shkëmbimin dhe transportimin e kafshëve dhe të produkteve embrionale;
iv. të shoqërimit;
v. të laboratorit.

ç) Kontrollon biosigurinë, dezinfektimin, dezinsektimin, deratizimin dhe shkatërrimin e materialeve të infektuara;
d) Mban dhe përditëson regjistrat zyrtarë për:

i. fermat dhe stabilimentet blegtorale;
ii. subjektet që tregtojnë kafshë;
iii. subjektet që prodhojnë, ruajnë dhe tregtojnë produkte embrionale;
iv. individët që transportojnë kafshë, produkte embrionale, nënprodukte me origjinë shtazore, jo për konsum njerëzor;
v. qendrat e grumbullimit të kafshëve ose pikat karantinore;
vi. subjektet që prodhojnë ose tregtojnë PMV;
vii. vendet ku zbatohet praktika mjekësore veterinare dhe mjekët veterinarë që punojnë atje;
viii. institucionet dhe personat që lejohen të kryejnë eksperimente me kafshë.

dh) Zbaton procesin e identifikimit e të regjistrimit të kafshëve e fermave blegtorale, në përputhje me legjislacionin kombëtar në fuqi;
e) Raporton në mënyrë periodike dhe sa herë i kërkohet SPV-në në lidhje me kryerjen e kontrollit zyrtar dhe të aktivitetit veterinar të kryer nga shërbimi veterinar shtetëror në zbatim të këtij ligji.”.

Neni 49

Neni 130 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“Neni 130
Fusha e veprimtarisë së shërbimit veterinar shtetëror

1. Shërbimi veterinar shtetëror përbëhet nga veterinerët zyrtarë dhe e ushtron veprimtarinë në:

a) fermat e rritjes dhe të mbarështimit të kafshëve;
b) pikat e grumbullimit dhe të pushimit të kafshëve;
c) qendrat e karantinës shtetërore;
ç) qendrat e riprodhimit dhe të ndërzimit artificial;
d) qendrat e grumbullim-përpunimit të produkteve me origjinë shtazore, jo për konsum njerëzor apo shtazor;
dh) njësitë e shërbimit veterinar privat, sipas përcaktimit të këtij ligji;
e) thertore;
ë) njësitë e shitjes së kafshëve të shoqërimit e zbukurimit;
f) njësitë e tregtisë së kafshëve, të produkteve embrionale, produkteve mjekësore veterinare, nënprodukteve dhe produkteve me origjinë shtazore, jo për konsum njerëzor.

2. Shërbimi veterinar shtetëror mbështet institucionin përgjegjës për kontrollin zyrtar të ushqimeve dhe ushqimeve për kafshë gjatë kryerjes së procesit të gjurmimit, përgjatë të gjithë zinxhirit ushqimor të produkteve ushqimore me origjinë shtazore, të rasteve jokonforme ose të dyshimta, të evidentuara gjatë kryerjes së aktivitetit të tij të përcaktuar me ligj.”.

Neni 50

Neni 131 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“Neni 131
Veterineri zyrtar

Veterineri zyrtar kryen veprimtari kontrolli dhe shërbimi në territorin ku ushtron veprimtarinë.

1. Veprimtaritë e kontrollit përfshijnë:

a) lëshimin e certifikatës shëndetësore veterinare, sipas përcaktimeve të pikës 1, të nenit 55, të këtij ligji;
b) marrjen e kampioneve dhe të materialeve patologjike për analiza, me qëllim kontrollin e shëndetit të kafshëve, në kuadër të planit kombëtar të monitorimit të mbetjeve dhe në bazë të sëmundjeve infektive të përcaktuara në listën përkatëse, të cilat i dërgon në laboratorët veterinarë;
c) ndalimin e lëvizjes së kafshëve, të produkteve me origjine shtazore, jo për konsum njerëzor, produkteve mjekësore veterinare, produkteve embrionale dhe të mbeturinave shtazore në rastet e sëmundjeve infektive, të përcaktuara në listën përkatëse;
ç) kontrollin dhe pezullimin e veprimtarisë së fermave për mbarështimin, prodhimin dhe tregtimin e kafshëve, të produkteve embrionale, materialeve të papërpunuara me origjinë shtazore, jo për konsum njerëzor, në rastet e mospërputhjes me standardet sanitaro-veterinare dhe në rastet e përcaktuara në pikën 3, të këtij neni;
d) konfiskimin dhe urdhërimin për asgjësimin e produkteve me origjinë shtazore, jo për konsum njerëzor, të papërshtatshme nga ana sanitaro-veterinare, si dhe të produkteve mjekësore veterinare;
dh) mbikëqyrjen e veprimtarisë së shërbimeve veterinare private, të cilave u pezullon veprimtarinë kur vëren mosrespektimin e kushteve të përcaktuara për licencimin e tyre;
e) zbatimin e masave për parandalimin, zbulimin, kontrollin e çrrënjosjen e sëmundjeve infektive të kafshëve dhe për mbrojtjen e shëndetit publik nga zoonozat;
ë) zbatimin e masave veterinare për mbrojtjen e shëndetit dhe të mirëqenies së kafshëve;
f) përputhjen me standardet sanitaro-veterinare në fermat blegtorale, në rritjen e kafshëve të destinuara për eksperimente, në inkubatorët, rezervatet, qendrat e grumbullimit, tregjet e kafshëve të gjalla, qendrat e blerjeve dhe pikat e pushimit të kafshëve;
g) përputhjen me standardet sanitaro-veterinare të stabilimenteve të prodhimit e të ruajtjes së spermës së kafshëve e të vezëve të fekonduara;
gj) përputhjen me standardet sanitaro-veterinare të mjeteve të transportit, të përdorura për transportin e kafshëve dhe të mënyrës së transportit të kafshëve;
h) mbetjet e substancave të dëmshme në kafshë;
i) zbatimin e masave veterinare në mbajtjen, prodhimin dhe tregtimin e kafshëve;
j) identifikimin e kafshëve, regjistrimin e fermave blegtorale dhe veprimtarinë e personave fizikë ose juridikë, të autorizuar për identifikimin;
k) prodhimin, ruajtjen, tregtimin dhe përdorimin e produkteve mjekësore veterinare;
l) prodhimin, ruajtjen, tregtimin dhe përdorimin e dezinfektantëve, dezinsektantëve, deratizuesve dhe përdorimin e mjeteve me anë të të cilave kryhen dezinfektimi, dezinsektimi dhe deratizimi;
ll) dokumentacionin dhe regjistrat e fermave e të stabilimenteve blegtorale, klinikave dhe farmacive veterinare, stabilimenteve të prodhimit dhe ruajtjes së spermës së kafshëve e të vezëve të fekonduara në lidhje me zbatimin e legjislacionit veterinar;
m) dezinfektimin e mjeteve të transportit, të përdorura për dërgimin e ngarkesave të kafshëve dhe mbeturinave me origjinë shtazore;
n) zbatimin e masave karantinore për kafshët dhe produktet me origjinë shtazore, jo për konsum njerëzor, në rastet e shpërthimeve të sëmundjeve infektive;
nj) zbatimin e masave të tjera të përcaktuara, kur kërcënohen shëndeti dhe mirëqenia e kafshëve;
o) kryerjen e kontrollit veterinar të kafshës para dhe pas therjes, vulosjen e karkasave të mishit dhe lëshimin e certifikatës veterinare, që shoqëron mishin dhe nënproduktet e kafshëve, në mjediset e thertoreve. Kriteret dhe kushtet e kontrollit veterinar në mjediset e thertoreve miratohen me urdhër të Ministrit;
p) kryerjen e kontrollin veterinar në tregjet e kafshëve të gjalla e kullota dhe, në varësi të situatës epidemiologjike, ndalimin e përdorimit të tyre;
q) kontrollin e njësive të shitjes së kafshëve të shoqërimit e zbukurimit;
r) mbikëqyrjen, mbledhjen, grumbullimin dhe groposjen e kadavrave të kafshëve;
rr) marrjen e masave, kur vërehen kundërvajtje administrative, në zbatim të nenit 134, të këtij ligji.

2. Veprimtaritë e shërbimit përfshijnë:

a) identifikimin dhe regjistrimin e fermës e të kafshëve blegtorale dhe lëshimin e certifikatës veterinare të lëvizjes së kafshëve, sipas rregullores përkatëse;
b) zbatimin praktik të programeve të profilaksisë shtetërore për sëmundjet në kafshë në një bashki ose njësi administrative të përcaktuar;
c) zbatimin e masave për kontrollin dhe çrrënjosjen e sëmundjeve infektive në kafshë, në vatrat e shpërthimeve.

3. Në rastet e sëmundjeve zoonotike, veterineri zyrtar informon strukturat përkatëse të shëndetit publik dhe institucionin përgjegjës për kontrollin zyrtar të ushqimit dhe ushqimit për kafshë.

4. Veterineri zyrtar kryen veprimtari të tjera në kuadër të planeve të monitorimit të ngarkuara nga ministri.

5. Ministri, me urdhër, miraton formën e protokollit të kontrollit sipas fushave të veprimtarisë së veterinerit zyrtar.”.

Neni 51

Në shkronjën “a”, të pikës 1.3, të nenit 134, shtohet nënndarja “vii”, me këtë përmbajtje:

“vii) vepron në kundërshtim me nenet 15 e 92, të këtij ligji.”.

Neni 52

Neni 134/1 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“Neni 134/1
Procedura e kundërvajtjes administrative

1. Të drejtën e dhënies së masës administrative, siç është përcaktuar në nenin 134, të këtij ligji, e ka veterineri zyrtar i kontrollit.

2. Kur veterineri zyrtar kërkon bashkëpunim, për shkak të zbatimit të detyrës së ngarkuar me ligj, ai mbështetet nga Policia e Shtetit dhe strukturat doganore e tatimore.

3. Ekzekutimi i masave administrative bëhet në përputhje me legjislacionin për kundërvajtjet administrative.

4. Procedura e konstatimit, vendosjes dhe ankimit të masave administrative bëhet në përputhje me legjislacionin në fuqi për kundërvajtjet administrative.

5. Të ardhurat nga vjelja e gjobave derdhen në masën 100 për qind në buxhetin e shtetit.”.

Neni 53

Neni 135 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“Neni 135
Shqyrtimi i ankimit të masave administrative

1. Për shqyrtimin e ankimit për masat administrative të marra nga veterineri zyrtar i kontrollit, në ministri ngrihet komisioni për shqyrtimin e masave administrative, në përbërje të të cilit janë 5 anëtarë, tre përfaqësues të ministrisë dhe 2 përfaqësues nga shërbimi veterinar shtetëror rajonal.

2. Procedurat e funksionimit të komisionit të shqyrtimit të masave administrative, përfshirë përbërjen, kryesimin, sekretariatin, ndryshimin e anëtarëve dhe masën e shpërblimit të tyre, përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.”.

Neni 54

Nenin 137 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“Neni 137
Licencimi, anulimi dhe revokimi i veprimtarive

1. Veprimtaritë e kryera për qëllime të natyrës ekonomike, tregtare, profesionale dhe të çdo natyre tjetër të ngjashme, përveç atyre të natyrës vetjake, që parashikohen në këtë ligj, licencohen, anulohen e revokohen sipas kategorive e nënkategorive respektive të fushës II, të shtojcës së ligjit nr.10081, datë 23.2.2009, “Për licencat, autorizimet dhe lejet në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.
2. Veterineri zyrtar, në rast se gjatë kontrollit vëren se nuk plotësohen kërkesat e këtij ligji ose konstaton se pas ndëshkimit për shkeljet e përcaktuara në nenet 15, 29, 30, 51, 83, 92, 94 e 96 nuk janë marrë masat korrigjuese brenda afatit të përcaktuar në procesverbalin e inspektimit, i dërgon menjëherë organit që ka dhënë lejen propozimin për marrjen e masave me vendime të ndërmjetme për pezullimin e licencës dhe/ose vendime përfundimtare për revokimin ose anulimin e licencës.”.

Neni 55
Hyrja në fuqi

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E T A R I

GRAMOZ RUÇI

 

###

 

V E N D I M

PËR

PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT, “PËR DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË LIGJIN NR.10465, DATË 29.9.2011, “PËR SHËRBIMIN VETERINAR NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË”, TË NDRYSHUAR”

Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

Propozimin e projektligjit “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.10465, datë 29.9.2011, “Për shërbimin veterinar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.