Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Projektligje të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 22 Nëntor 2017

V E N D I M

PËR

PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR KRIJIMIN E AGJENCISË KOMBËTARE TË DIASPORËS”

Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Shtetit për Diasporën, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Propozimin e projektligjit “Për krijimin e Agjencisë Kombëtare të Diasporës”, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

###

P R O J E K T L I GJ

PËR

KRIJIMIN E AGJENCISË KOMBËTARE TË DIASPORËS           

Në mbështetje të neneve 78, 81, dhe 83, pika 1, të Kushtetutës me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë,

V E N D O S I:

KREU I

DISPOZITA TË PËRGJTHSHME

Neni 1

Objekti

Ky ligj përcakton misionin, organizimin dhe funksionimin e Agjencisë Kombëtare të Diasporës, si dhe çështje të tjera që lidhen me veprimtarinë e saj.

Neni 2

Misioni

Agjencia Kombëtare e Diasporës ka për mision zhvillimin dhe thellimin e bashkëpunimit institucional me diasporën, nëpërmjet:

a) përmirësimit të pozitës së anëtarëve të diasporës, si dhe mbrojtjen e të drejtave dhe interesave të tyre në vendet ku ata jetojnë;

b) ofrimit të ndihmës për ruajtjen e trashëgimisë kulturore kombëtare;

c) nxitjes së bashkëpunimit ekonomik ndërmjet vendit të origjinës dhe diasporës;

ç) bashkëpunimit për prosperitetin e të gjithë̈ kombit, paqen, mirëqenien, kulturën dhe solidaritetin shoqëror.

Neni 3

Përkufizime

Në kuptim të këtij ligji, termat e mëposhtëm kanë këto kuptime:

1. “Agjencia Kombëtare e Diasporës”, këtu e në vijim “Agjencia”, është organi shtetëror përgjegjës për marrëdhëniet me diasporën.

2. “Diaspora” përfshin:

a) komunitetet e hershme shqiptare në botë;

b) çdo person i cili është lindur në Shqipëri dhe që jeton jashtë kufijve të saj;

c) çdo person i cili ka lindur jashtë kufijve të Shqipërisë, por ka origjinë shqiptare.

3. “Ministër përgjegjës”, ministri që mbulon fushën e veprimtarisë shtetërore për marrëdhëniet me diasporën.

4. “Vend i origjinës”, Republika e Shqipërisë.

Neni 4

Parimet e veprimtarisë

Agjencia organizohet dhe funksionon në bazë të këtyre parimeve të përgjithshme:

a) Ligjshmërisë, kushtetutshmërisë;

b) Parimit të bashkëpunimit;

c) Parimit të gjithëpërfshirjes.

KREU II

ORGANIZIMI DHE FUNKSIONIMI I AGJENCISË

Neni 5

Organizimi i Agjencisë

1. Agjencia është̈ person juridik publik, në formën e agjencisë autonome, me seli në Tiranë.

2. Veprimtaria e Agjencisë do të jetë nën mbikëqyrjen e ministrit përgjegjës për diasporën.

3. Organet drejtuese të Agjencisë janë Këshilli Drejtues dhe drejtori Ekzekutiv.

4. Struktura dhe nivelet e pagave për punonjësit e Agjencisë miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

5. Struktura dhe organika e Agjencisë miratohen me urdhër të Kryeministrit.

6. Marrëdhëniet e punës për drejtorin Ekzekutiv dhe nëpunësit e Agjencisë rregullohen sipas dispozitave të parashikuara në legjislacionin për nëpunësin civil. Marrëdhëniet e punës së punonjësve administrativë rregullohen në përputhje me dispozitat e parashikuara në Kodin e Punës.

7. Agjencia ka logon dhe vulën e saj, të miratuar nga drejtori Ekzekutiv.

Neni 6

Detyrat e Agjencisë

Agjencia kryen këto detyra:

1. Për të garantuar procesin e regjistrimit dhe të drejtën e pjesëmarrjes së diasporës në votime, bashkëpunon me institucionet e tjera shtetërore dhe harton databazën e diasporës.

2. Merr masat për krijimin e databazës unike të diasporës dhe përcakton ndërveprimin nëpërmjet bashkëpunimit me bazat e tjera shtetërore të të dhënave;

3. Krijon kushtet infrastrukturore për të garantuar të drejtën e votës për shtetasit shqiptarë në vendet ku ata jetojnë;

4. Zbaton politikat dhe projektet që lidhen me diasporën;

5. Përgatit raporte periodike, të cilat ia paraqet ministrit përgjegjës;

6. Përgatit dhe koordinon punën për hartimin e Strategjisë Kombëtare për Diasporën dhe ndjek zbatimin e saj;

7. Përmirëson lidhjet ndërmjet diasporës, organizimeve të saj dhe vendit të origjinës;

8. Përgjigjet për funksionimin dhe menaxhimin financiar, si dhe kontrollon periodikisht realizimin e tij;

9. Bashkëpunon dhe koordinon aktivitetet me institucionet e tjera shtetërore, shoqërinë civile dhe organizatat e tjera brenda dhe jashtë vendit për përmirësimin e pozitës së anëtarëve të diasporës;

10. Ndihmon në ruajtjen dhe zhvillimin e vlerave kombëtare e kulturore të anëtarëve të diasporës;

11. Informon diasporën mbi proceset politike në vendin e origjinës, me qëllim përfshirjen e tyre në jetën politike, ekonomike dhe kulturore të Republikës së Shqipërisë;

12. Administron asetet.

Neni 7

Këshilli Drejtues

1. Këshilli Drejtues është̈ organi vendimmarrës për çështjet administrative dhe financiare të Agjencisë.

2. Këshilli Drejtues është̈ organ kolegjial, i përbërë nga shtatë anëtarë, nga të cilët:

a) një përfaqësues nga ministri përgjegjës për diasporën;

b) një përfaqësues nga ministria përgjegjëse për Evropën dhe punët e jashtme;

c) një përfaqësues nga ministria përgjegjëse për punët e brendshme;

ç) një përfaqësues nga ministria përgjegjëse për financat dhe ekonominë;

d) një përfaqësues nga ministria përgjegjëse për arsimin, sportin dhe rininë;

dh) një përfaqësues nga ministria përgjegjëse për kulturën;

e) një përfaqësues nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

3. Ministri përgjegjës emëron kryetar të Këshillit Drejtues njërin prej anëtarëve të tij.

4. Masa e shpërblimit për kryetarin dhe anëtarin e Këshillit Drejtues përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave.

Neni 8

Kompetencat e Këshillit Drejtues

Këshilli Drejtues ka këto kompetenca:

a) Miraton programet e zhvillimit të Agjencisë, në përputhje me dokumentet strategjike për marrëdhëniet me diasporën.

b) Miraton rregulloren për organizimin e brendshëm administrativ, funksionet dhe përgjegjësitë̈ e strukturave të brendshme e të stafit administrativ e mbështetës;

c) Ushtron kompetencat e parashikuara nga legjislacioni në fuqi për menaxhimin financiar dhe kontrollin;

ç) Miraton planin e veprimit, financiar, raportin vjetor dhe raporte të tjera të Agjencisë;

d) Merr vendime për çështje të tjera, në përputhje me detyrimet e legjislacionit në fuqi.

Neni 9

Drejtori Ekzekutiv

1. Drejtori Ekzekutiv është përgjegjës për administrimin dhe funksionimin e Agjencisë dhe e përfaqëson atë në marrëdhënie me të tretët.

2. Drejtori Ekzekutiv raporton dhe përgjigjet përpara ministrit të Shtetit për Diasporën.

Neni 10

Burimet dhe mënyrat e financimit të Agjencisë

1. Burimet financiare të Agjencisë janë̈:

a) të ardhura pjesërisht nga buxheti i shtetit;

b) të ardhura nga projekte, donacione dhe burime të tjera të ligjshme.

2. Për qëllime të zbatimit të këtij ligji dhe veprimtarisë përkatëse, Agjencia mund të ftojë subjekte të tjera, vendase ose të huaja, për bashkëfinancim projektesh të cilat do të kontribuojnë në mbajtjen dhe forcimin e lidhjes ndërmjet vendit të origjinës dhe diasporës, sipas legjislacionit në fuqi.

3. Kriteret, procedura për akordimin e fondeve për bashkëfinancim të projekteve dhe mënyra e raportimit për zbatimin e tyre të jenë në përputhje me legjislacionin në fuqi për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë.

KREU III

KOMPETENCAT PËR MARRËDHËNIET NDËRMJET VENDIT TË ORIGJINËS DHE DIASPORËS

Neni 11

Politikat e vendit të origjinës për diasporën

Këshilli i Ministrave përcakton politikat e vendit të origjinës për diasporën, për t’u zbatuar nga ministri përgjegjës, agjencia dhe autoritete të tjera shtetërore, në përputhje me fushën e tyre të veprimtarisë.

Neni 12

Ministri përgjegjës për diasporën

Ministri përgjegjës për diasporën mbikëqyr veprimtarinë e Agjencisë dhe ushtron këto kompetenca të veçanta në fushën e marrëdhënieve me diasporën:

a) I propozon Këshillit të Ministrave nxjerrjen e akteve rregullatore dhe marrjen e masave të tjera të nevojshme për realizimin e politikës shtetërore për marrëdhëniet me diasporën;

b) Mbikëqyr zbatimin e Strategjisë Kombëtare për Diasporën;

c) Monitoron marrëdhëniet me diasporën dhe mban të dhëna për organizimin e saj në forume;

ç) Bashkëpunon me ministritë përgjegjëse për kulturën, Evropën dhe punët e jashtme, për themelimin e qendrave kulturore dhe informative në vendet ku jeton diaspora;

d) I propozon Kryeministrit dhënien e çmimeve për kontribute të veçanta në ruajtjen dhe forcimin e lidhjeve ndërmjet vendit të origjinës dhe diasporës, si dhe për kontribute të veçanta në promovimin e Shqipërisë në botë;

dh) Ushtron kompetenca të tjera sipas legjislacionit në fuqi;

e)  Raporton në Kuvend një herë në vit.

Neni 13

Bashkëpunimi ndërinstitucional

1. Autoritetet shtetërore bashkëpunojnë në mënyrë të ndërsjellë për të përmbushur detyrat e tyre në fushën e marrëdhënieve ndërmjet vendit të origjinës dhe diasporës.

2. Ky bashkëpunim realizohet nëpërmjet raportimeve të përbashkëta dhe koordinimit të aktiviteteve, sipas mënyrës së përcaktuar me vendim të Këshillit të Ministrave.

KREU IV

DISPOZITA TË TJERA

Neni 14

Strategjia Kombëtare për Diasporën

1. Strategjia Kombëtare për Diasporën ka për qëllim ruajtjen dhe forcimin e marrëdhënieve ndërmjet vendit të origjinës dhe diasporës si dhe identifikon gjendjen aktuale të këtyre marrëdhënieve dhe veprimet që duhen ndërmarrë për zhvillimin e tyre.

2. Strategjia miratohet me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozimin e ministrit përgjegjës për diasporën.

3. Ngarkohet Agjencia Kombëtare e Diasporës për të rishikuar në mënyrë periodike dokumentin e strategjisë. Ky dokument për herë të parë hartohet nga strukturat ad hoc, të ngritura sipas legjislacionit në fuqi.

Neni 15

Dita e diasporës

Data 18 dhjetor caktohet si Dita Kombëtare e Diasporës.

Neni 16

Aktet nënligjore

1. Ngarkohet Këshilli i Ministrave për nxjerrjen e akteve nënligjore, në zbatim të neneve 5, pika 4, 7, pika 4, 11, 13, pika 2 e 14, pika 2, të këtij ligji.

2. Ngarkohet Kryeministri për nxjerrjen e aktit nënligjor në zbatim të pikës 5, të nenit 5, të këtij ligji.

3. Aktet nënligjore të parashikuara në këtë nen të nxirren brenda 3 muajve nga hyrja në fuqi e ligjit.

Neni 17

Hyrja në fuqi

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E T A R I

GRAMOZ RUÇI

###

V E N D I M

PËR

PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË LIGJIN NR.43/2015, “PËR SEKTORIN E ENERGJISË ELEKTRIKE””

Në mbështetje të neneve 81, pika 1 dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Propozimin e projektligjit “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.43/2015, “Për sektorin e energjisë elektrike””, për shqyrtim dhe miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

### 

P R O J E K T L I GJ

PËR

DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË LIGJIN NR.43/2015, “PËR SEKTORIN E ENERGJISË ELEKTRIKE”

Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë

V E N D O S I:

Në ligjin nr.43/2015, “Për sektorin e energjisë elektrike”, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:

Neni 1

Në nenin 3, bëhen këto ndryshime:

1. Pika 50 ndryshohet, si më poshtë:

“50. “Operimi i tregut”, është veprimtaria që kryen operatori i tregut për organizimin dhe operimin e tregut të energjisë elektrike të ditës në avancë dhe të tregut të energjisë elektrike brenda së njëjtës ditë.”.

2. Pika 51 ndryshohet, si më poshtë:

“51. “Operatori i tregut”, është subjekti i licencuar nga ERE për organizimin dhe operimin e tregut të ditës në avancë dhe të tregut brenda së njëjtës ditë.”.

Neni 2

Neni 57 ndryshohet, si më poshtë:

1. Fjalia e dytë e pikës 1 ndryshohet, si më poshtë:

“Operatori i tregut është struktura përgjegjëse për menaxhimin dhe administrimin e tregut të organizuar ndërmjet platformës së tregut, në bazë të ditës në avancë dhe brenda së njëjtës ditë, si dhe për të gjitha aktivitetet e lidhura me të, duke përfshirë edhe aktivitetin e kompensimit financiar (clearing) mes pjesëmarrësve të tregut, në përputhje me rregullat dhe modelin e tregut. Operatori i tregut do të jetë Bursa Shqiptare e Energjisë.”.

2. Pas pikës 1, shtohen pikat 1/1, 1/2 dhe 1/3, me këtë përmbajtje:

“1/1. Operatori i tregut krijohet në formën e shoqërisë aksionare nga  OST-ja, ose nga OST-ja dhe persona juridikë të tjerë, sipas parashikimeve të pikës 1/2. Krijimi, forma ligjore, struktura e pronësisë së kapitalit e operatorit të tregut, miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozim të ministrit përgjegjës për energjinë dhe ministrit që ushtron të drejtat e pronarit te shoqëria “OST”, sh.a.

1/2. Subjektet private që marrin pjesë në kapitalin aksionar të operatorit të tregut duhet të jenë subjekte me aktivitet ndërkombëtar, me reputacion të mirë dhe me përvojë të gjatë në operimin e tregjeve të ngjashëm të organizuara të energjisë në Evropë, të cilët operojnë në përputhje me modelin shqiptar të tregut si dhe me rregullat e tregut, dhe/ose subjekte me përvojë të gjatë në sektorin e energjisë elektrike, dhe/ose institucione financiare ndërkombëtare. Procedurat për përzgjedhjen e subjektit/ subjekteve si dhe kriteret specifike që duhet të përmbushin këto subjekte miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozim të ministrit përgjegjës për energjinë.

1/3. Operatori i tregut mund të nënkontraktojë palë të treta për t’i siguruar ofrimin e shërbimeve, në funksion të operimit të platformës elektronike të tregut në bazë të ditës në avancë dhe brenda së njëjtës ditë, si dhe për shërbimet e lidhura me të, përfshirë aktivitetin e kompensimit financiar (clearing) mes pjesëmarrësve të tregut. Këto palë të treta duhet të jenë subjekte me reputacion të mirë ndërkombëtar tregtar, me përvojë të gjatë në ofrimin e shërbimeve të ngjashme, të cilat janë në përputhje me modelin e tregut shqiptar dhe rregullat e tregut.”.

Neni 3

Në pikën 3, të nenit 99, fjalët “…operatori i tregut…”, zëvendësohen me “…OST…”.

Neni 4

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E T A R I

GRAMOZ RUÇI 

*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.