Projektligje të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 22 Qershor 2021

Projektligje të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 22 Qershor 2021:

 

P R O J E K T L I GJ
PËR

DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË LIGJIN NR.105/2016, “PËR MBROJTJEN E BIMËVE”

Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë

V E N D O S I:

Në ligjin nr.105/2016, “Për mbrojtjen e bimëve”, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
Neni 1

Kudo në ligj, emërtimet “Drejtoria Rajonale e Bujqësisë”, “Shërbimi i Mbrojtjes së Bimëve pranë DRB-së”, “Zonë e Pastër” dhe “Parazit”, zëvendësohen, përkatësisht, me emërtimet “Shërbimi Rajonal i Mbrojtjes së Bimëve”, “Shërbimi Rajonal i Mbrojtjes së Bimëve”, “Zonë e Mbrojtur nga Dëmtuesit” dhe “Dëmtues”.
Neni 2

Në nenin 2 bëhen këto ndryshime:

1. Pika 3 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“3. “Bimë”, janë bimët e gjalla ose pjesët e gjalla të bimëve të mëposhtme:

a) Farat, në kuptimin botanik, përveç atyre që nuk janë të destinuara për mbjellje;
b) Frutat, në kuptimin botanik;
c) Perimet;
ç) Tuberet, zhardhokët, bulbat, rizomat, rrënjët, nënshartesat, stolonet;
d) Trungjet, kërcejtë;
dh) Lulet e prera;
e) Degët me/ose pa gjethe;
ë) Pemët e prera që mbajnë gjethe;
f) Gjethet;
g) Kulturat e indeve bimore, përfshirë kulturat e qelizave, germplazmët, meristemat, klonet nga organizmat kimere, materiale të vogla shumëzues;
gj) Polenet e gjalla dhe sporet;
h) Sythat, sythet drunore, kalemet, sharmendët, shartimet.”.

2. Pikat 4, 6 dhe 8 shfuqizohen.

3. Pika 5 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“5. “Certifikatë fitosanitare”, është një dokument zyrtar i lëshur nga Shërbimi Rajonal i Mbrojtjes së Bimëve, që vërteton se një dërgesë plotëson kërkesat fitosanitare.

4. Pika 23 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“23. “Dëmtues”, është kërpudha, bakteri, virusi, insekti, nematoda, fitoplazma, bima e dëmshme si dhe çdo organizëm tjetër i dëmshëm ose potencialisht i dëmshëm për bimët, produktet bimore dhe objektet e tjera.”.

5. Në pikën 25 hiqen fjalët “… të cilat kalojnë në zonat e pastra …”.

6. Në pikën 26, në fund të fjalisë shtohet fjalët “… bimët dhe produktet bimore.”.

7. Pikat 36, 40 dhe 41 ndryshohen, si më poshtë vijon:

“36. “Specialist i Shërbimit Rajonal të Mbrojtjes së Bimëve”, është agronomi i Shërbimit Rajonal të Mbrojtjes së Bimëve”.

40. “Zonë”, është një territor ose një pjesë e një territori.

41. “Zonë e Mbrojtur nga Dëmtuesit (ZMD)”, është një zonë e pastër nga dëmtues të caktuar.”.

8. Pas pikës 41 shtohen pikat 42, 43, 44, 45, 46, 47, 48, 49, 50, 51, 52 dhe 53, me këtë përmbajtje:

“42. “Operator profesionist”, është çdo person i përfshirë profesionalisht dhe me përgjegjësi ligjore për një ose më shumë aktivitete në lidhje me bimët, produktet bimore dhe objektet e tjera, si më poshtë:

a) Mbjelljen;
b) Shumimin;
c) Prodhimin, përfshirë rritjen, shumimin dhe mirëmbajtjen;
ç) Importin, lëvizjen brenda territorit të vendit dhe eksportin;
d) Vendosjen në treg.

43. “Operator i regjistruar”, është operatori profesionist i regjistruar sipas pikës 2, të nenit 6/1.
44. “Operator i miratuar”, është operatori i regjistruar, i miratuar për përdorimin e vulës në ambalazhet dhe paletat prej druri dhe/ose për lëshimin e “Pasaportës bimore”.
45. “Çrrënjosje”, është aplikimi i masave fitosanitare për të eliminuar një dëmtues nga një zonë e infektuar.
46. “Kontrollimi i dëmtuesve”, është aplikimi i masave fitosanitare përreth zonës së infektuar për të parandaluar përhapjen e një dëmtuesi.
47. “Autoritet kompetent”, është struktura përgjegjëse për mbrojtjen e bimëve në ministri.
48. “Zonë e infektuar”, është një zonë e cila përfshin të gjitha bimët që njihet se janë të infektuara nga dëmtuesit, të gjitha bimët që tregojnë simptoma infeksioni nga dëmtuesi dhe të gjitha bimët e tjera që mund të infektohen nga dëmtuesi për shkak të afërsisë së tyre me bimët e infektuara ose një burim i njohur prodhimi me bimë të infektuara ose bimë të rritura nga ky burim.
49. “Zonë sigurie ose zonë tampon”, është një zonë përreth ose ngjitur me një zonë të kufizuar zyrtarisht për qëllime fitosanitare, në mënyrë që të minimizohet mundësia e përhapjes së dëmtuesit të synuar në/ose jashtë zonës së kufizuar dhe ku i nënshtrohet masave fitosanitare ose kontrolleve të tjera, nëse është e nevojshme.
50. “Zonë e shënuar”, është zona e infektuar së bashku me zonën e sigurisë.
51. “Regjistri zyrtar”, është regjistri ku regjistrohen operatorët profesionistë, dhe operatorët e miratuar.
52. “Agjent i kontrollit biologjik”, është një armik natyror, antagonist ose konkurrent ose një organizëm tjetër, i cili përdoret për kontrollin e dëmtuesve.
53. “Diagnoza e dëmtuesve”, është procesi i zbulimit dhe identifikimit të një dëmtuesi.”.

Neni 3

Në nenin 4 bëhen ndryshimet, si më poshtë vijon:

1. Në pikën 2, në fund të fjalisë shtohen fjalët “AKU-ja është përgjegjëse për inspektimin fitosanitar të bimëve, produkteve bimore dhe objekteve të tjera, të importuara në pikat e inspektimit kufitar.”.

2. Pika 3 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“3. Shërbimi Rajonal i Mbrojtjes së Bimëve është përgjegjës për monitorimin dhe kontrollin e gjendjes fitosanitare të bimëve, produkteve bimore dhe objekteve të tjera që janë objekt i këtij ligji brenda territorit në administrim të tyre. Organizimi dhe funksionimi i Shërbimit Rajonal të Mbrojtjes së Bimëve përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozimin e ministrit.”.

Neni 4

Në nenin 5, në pikën 1.1, pas shkronjës “c” shtohet shkronja “ç”, me këtë përmbajtje:

“ç) Të hartojë protokollet diagnostike të dëmtuesve në gjuhën shqipe, sipas protokolleve të Konventës Ndërkombëtare të Mbrojtjes së Bimëve (IPPC) dhe Organizatës Evropiane dhe Mesdhetare për Mbrojtjen e Bimëve (EPPO), të cilat miratohen me urdhër të ministrit.”.

Neni 5

Pas nenit 6 shtohet neni 6/1, me këtë përmbajtje:

“Neni 6/1
Regjistri zyrtar i operatorëve profesionistë:

Procedura e regjistrimit, formati i regjistrit, kriteret e regjistrimit si dhe rastet përjashtimore kur nuk kërkohet regjistrimi, përcaktohen me udhëzim ministri.”.

Neni 6

Në nenin 7 bëhen ndryshimet e mëposhtme:

1. Titulli i nenit ndryshohet dhe bëhet “Detyrimi për kontrollin e dëmtuesve”.

2. Pika 2 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“2. Lëvizja e bimëve për mbjellje brenda territorit të Republikës së Shqipërisë bëhet vetëm nëse janë pajisur me “Pasaportë bimore”.

3. Në pikën 5, fjalët “Certifikatë fitosanitare ose” hiqen.

4. Pika 6 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“6. Kur prania e një dëmtuesi karantinor konfirmohet zyrtarisht në territorin e Republikës së Shqipërisë, ministri, me urdhër miraton planin e veprimit, ku përcaktohen masat për çrrënjosjen e këtij dëmtuesi.”.

Neni 7

Në pikën 1, të nenit 9, fjalët “Certifikatë fitosanitare” zëvendësohen me “Pasaportë bimore”.

Neni 8

Në nenin 10 bëhen këto ndryshime:

1. Pas pikës 3 shtohen pikat 4 dhe 5, me këtë përmbajtje:

“4. Miratimi i Planit të Veprimit (PV) dhe Ushtrime Simulimi bëhet me urdhër të ministrit.
5. Lista e zonave të mbrojtura si dhe bimëve, produkteve bimore dhe objekteve të tjera dhe kërkesat përkatëse për të hyrë dhe lëvizur në zonat e mbrojtura përcaktohen sipas pikës 3, të nenit 14.”.

Neni 9

Në nenin 11 bëhen ndryshimet e mëposhtme:

1. Në pikën 1, në fund të fjalisë, fjala “… dezinfektim …” zëvendësohet me fjalët “… për qëllime trajtimi dhe vulosjeje sipas përcaktimit të pikës 4, të këtij neni …”.

2. Pika 2 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“2. Materiali i ambalazhit dhe i paletave prej druri lejohet të hyjë dhe të lëvizë brenda territorit të Republikës së Shqipërisë vetëm nëse ato plotësojnë rregullat dhe masat e miratuara sipas pikës 4, të këtij neni”.

3. Në pikën 3, pas fjalëve “… çdo ngarkesë …” shtohen “… në import …”.

Neni 10

Neni 12 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“Neni 12
Pasaporta bimore

1. Bimët, produktet bimore dhe objektet e tjera lejohen të lëvizin brenda territorit të Republikës së Shqipërisë, të shoqëruar me “Pasaportë bimore”.

2. “Pasaporta bimore” lëshohet nga operatori i miratuar, pasi plotësohen kushtet dhe kriteret e përcaktuara në pikën 5, të këtij neni.

3. Operatori i miratuar lëshon “Pasaportë bimore” vetëm për bimët për të cilat ai është përgjegjës. Ky proces mbikëqyret nga Shërbimi Rajonal i Mbrojtjes së Bimëve.

4. Përjashtimisht nga pika 3 e këtij neni, “Pasaportë bimore” lëshohet nga Shërbimi Rajonal i Mbrojtjes së Bimëve. Shërbimi Rajonal i Mbrojtjes së Bimëve lëshon “Pasaportë bimore” në të gjitha rastet kur nuk ka operatorë të miratuar.

5. Ministri, me urdhër, përcakton procedurën, kushtet dhe kriteret që duhet të plotësojë një operator për t’u miratuar për lëshimin e “Pasaportës bimore” si dhe rastet e heqjes së miratimit.

6. Lista e bimëve, produkteve bimore dhe objekteve të tjera, për të cilat kërkohet një “Pasaportë bimore”, përcaktohen në rregulloren në pikën 3, të nenit 14.”.

Neni 11

Titulli i kreut IV ndryshohet dhe bëhet “Shërbimi dhe inspektimi fitosanitar”.

Neni 12

Neni14 ndryshohet, si më poshtë:

“Neni 14
Detyrimi për inspektimin dhe kontrollin fitosanitar

1. Importi dhe kalimi tranzit i bimëve, produkteve bimore dhe objekteve të tjera në territorin e Republikës së Shqipërisë bëhen në pikat kufitare të hyrjes ku funksionon kontrolli fitosanitar dhe i nënshtrohen inspektimit.

2. Inspektori i kontrollit fitosanitar është pjesë e grupit të punonjësve doganorë që marrin kontaktin e parë me mjetet që transportojnë bimë, produkte bimore, PMB dhe objekte të tjera.

3. Ministri miraton me rregullore masat mbrojtëse kundër dëmtuesve të bimëve.

4. Ndalohet importi, eksporti dhe kalimi tranzit i bimëve, produkteve bimore dhe objekteve të tjera, të infektuara me dëmtues karantinorë të përcaktuar në pikën 3, të këtij neni.

5. Ndalohet importi dhe lëvizja e bimëve për mbjellje brenda territorit të Republikës së Shqipërisë, nëse prania e dëmtuesve jokarantinorë të rregulluar ose simptomat e shkaktuara nga dëmtues jokarantinorë të rregulluar janë mbi kufijtë kritikë, të përcaktuar në pikën 3, të këtij neni.

6. Lejohet importi, eksporti dhe përdorimi i agjentëve të kontrollit biologjik, që janë të listuar sipas pikës 7, të këtij neni.

7. Lista e agjentëve të kontrollit biologjik në territorin e Republikës së Shqipërisë përcaktohet me urdhër ministri.

8. Tarifat e shërbimit për kontrollin fitosanitar në pikat e kalimit kufitar ku funksionon kontrolli fitosanitar dhe për kontrollin e shëndetit të bimëve në territorin e Republikës së Shqipërisë pёrcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozim të ministrit.”.

Neni 13

Në nenin 15 bëhen këto ndryshime dhe shtesa:

1. Pikat 1, 2 dhe 3 ndryshohen, si më poshtë vijon:

“1. Operatorët profesionistë, kur vërejnë ose dyshojnë për një dëmtues karantinor të pahasur më parë në një zonë ose për shtimin masiv të një dëmtuesi, janë të detyruar të njoftojnë, menjëherë, Shërbimin Rajonal të Mbrojtjes së Bimëve.

2. Shërbimi Rajonal i Mbrojtjes së Bimëve mund të vendosë që njoftimi i përmendur në pikën 1, të këtij neni, të mos kërkohet kur një dëmtues specifik është hasur në atë zonë. Në këtë rast informohen operatorët profesionistë për këtë vendim.

3. Shërbimi Rajonal i Mbrojtjes së Bimëve, pas përcaktimit të parregullsisë apo dëmtuesve ose shfaqjes së një dëmtuesi karantinor, njofton menjëherë autoritetin kompetent. Në rastet e përcaktimit të parregullsisë apo dëmtuesve ose shfaqjes së një dëmtuesi karantinor në zona të shpallura të mbrojtura sipas legjislacionit në fuqi të zonave të mbrojtura, njofton edhe strukturën përgjegjëse që mbulon fushën e zonave të mbrojtura.”.

2. Pas pikës 3 shtohen pikat 4 dhe 5, me këtë përmbajtje:

“4. Inspektori i kontrollit fitosanitar në pikën e inspektimit kufitar, pas përcaktimit të parregullsisë apo dëmtuesit në ngarkesat që janë objekt inspesktimi fitosanitar në import, njofton autoritetin kompetent të vendit të origjinës dhe autoritetin kompetent.

5. Rregullat dhe formati për mënyrën e njoftimit përcaktohen me udhëzim të ministrit.”.

Neni 14

Neni 16 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“Neni 16
Shpallja e zonës së shënuar

1. SPMB-ja përgatit masat për kufizimin e përhapjes së dëmtuesit karantinor deri në çrrënjosjen e tij në zonën përkatëse dhe i propozon ministrit miratimin e këtyre masave, si dhe shpalljen e kësaj zone si zonë të shënuar.

2. Shpallja e zonës së shënuar dhe masat për kufizimin e përhapjes së dëmtuesit karantinor përcaktohen me urdhër të ministrit dhe u njoftohen organeve të vetëqeverisjes vendore dhe operatorëve profesionistë.”.

Neni 15

Në nenin 18 bëhen ndryshimet e mëposhtme:

1. Në pikën 1, shkronjat “a” dhe “b”, fjalët “… të përcaktuara nga legjislacioni në fuqi në Republikën e Shqipërisë” hiqen.

2. Pika 3 ndryshohet, si më poshtë:

“3. Formati dhe përmbajtja e certifikatave fitosanitare, për eksport dhe rieksport, janë të përcaktuara në rregulloren në pikën 3, të nenit 14, të këtij ligji.”.

Neni 16

Në pikën 1, të nenit 28, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:

a) Në shkronjën “b” pas fjalëve “… në kundërshtim me …” shtohen fjalët “… me pikën 1, të nenit 6/1”. Fjalët “… nenet 11 e 12 …” ndryshohen me “nenin 11; pikat 1, 2, 3, 4 dhe 5, të nenit 12”. Fjalët “… pikën 1, të nenit 14 …” ndryshohen me “… pikën 1, 3, 5, 7 dhe 9, të nenit 14 …”.

b) Në shkronjën “c”, fjalët “pikën 2, të nenit 14; nenit 15 ”, shfuqizohen.

Neni 17

1. Ngarkohet ministri përgjegjës për mbrojtjen e bimëve që, brenda 6 (gjashtë) muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, të nxjerrë aktet nënligjore në zbatim të neneve 4, 5, 6, 8, 12, 13 dhe 14, të tij.

2. Ngarkohet Këshilli i Ministrave që të nxjerrë, brenda një viti pas hyrjes në fuqi, aktin nënligjor në zbatim të nenit 12.

Neni 18

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E T A R I
GRAMOZ RUÇI

###

V E N D I M
PËR

PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË LIGJIN NR.105/2016, “PËR MBROJTJEN E BIMËVE””

Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Propozimin e projektligjit “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.105/2016, “Për mbrojtjen e bimëve””, për shqyrtim dhe miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE 

 

 

*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.