Projektligje të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 22 Shtator 2022:
V E N D I M
PËR
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR POLICINË BASHKIAKE”
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Propozimin e projektligjit “Për Policinë Bashkiake”, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
###
P R O J E K T L I GJ
PËR
POLICINË BASHKIAKE
Në mbështetje të neneve 78, 81, pika 1, dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I:
KREU I
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
Neni 1
Objekti
Ky ligj rregullon misionin, organizimin, funksionimin dhe kompetencat e Policisë Bashkiake në Republikën e Shqipërisë, marrëdhëniet e punës së punonjësit të Policisë Bashkiake, si dhe masat për ruajtjen e rendit e të sigurisë publike në komunitet.
Neni 2
Misioni
Policia Bashkiake ka si mision ushtrimin e funksioneve në shërbim të sigurisë, qetësisë dhe rendit në komunitet, mbarëvajtjes së punëve publike, miradministrimit të hapësirave publike dhe mbrojtjes së mjedisit në territorin e juridiksionit të saj.
Neni 3
Përkufizime
Në kuptim të këtij ligji, termat e mëposhtëm kanë këto kuptime:
1. “Drejtuesi i Policisë Bashkiake”, autoriteti më i lartë ekzekutiv dhe organizativ i Policisë Bashkiake, që përgjigjet drejtpërdrejt para kryetarit të bashkisë për realizimin e detyrave dhe objektivave të përcaktuar.
2. “Emërim i punonjësit të Policisë Bashkiake”, momenti i fillimit të marrëdhënieve juridike të punës për punonjësin e Policisë Bashkiake.
3. “Hapësirat publike”, hapësirat e jashtme, si trotuari, rruga, sheshi, lulishtja, parku e të tjera të ngjashme, në shërbim të komunitetit, ku menaxhimi është publik ose privat, si edhe rrugëkalimet publike dhe mjediset që janë të hapura për publikun ose në shërbim të përdorimit publik, sipas legjislacionit për planifikimin dhe zhvillimin e territorit.
4. “Ministri përgjegjës”, ministri që mbulon fushën e përgjegjësisë për çështjet vendore.
5. “Normat etike detyruese të bashkëjetesës”, tërësia e rregullave që përcaktojnë sjelljen dhe marrëdhënien që janë të detyrueshme për t’u zbatuar nga bashkëpronarët, me qëllim ruajtjen e ekuilibrave të bashkëjetesës, sigurisë së qetësisë dhe veprimtarive të përditshme ekonomike e shoqërore, sipas përcaktimit në legjislacionin mbi administrimin e bashkëpronësisë në ndërtesat e banimit.
6. “Organi disiplinor”, eprori direkt, kryetari i Bashkisë dhe Komisioni Disiplinor, që shqyrtojnë kërkesat për procedim disiplinor ndaj punonjësit të Policisë Bashkiake dhe vendosin për masën disiplinore, sipas përcaktimeve të këtij ligji.
7. “Sjellja profesionale” ka kuptimin e realizimit të punëve me cilësi dhe brenda afateve të përcaktuara, duke respektuar etikën në punë, duke përmbushur objektivat e Policisë Bashkiake dhe duke krijuar marrëdhënie të mira pune me kolegët.
8. “Vërtetim besueshmërie”, akti administrativ, lëshuar nga struktura vendore e Policisë së Shtetit për verifikimin e të dhënave të vetëdeklaruara nga kandidati për punonjës të Policisë Bashkiake, në raport me ato të regjistrave fizikë dhe elektronikë të policisë dhe institucioneve të tjera shtetërore.
9. “Vlerësimi i performancës”, procesi i vlerësimit të rezultateve në punë.
Neni 4
Parimet e veprimtarisë
Parimet bazë, që udhëheqin Policinë Bashkiake në veprimtarinë e saj, janë:
a) respektimi i të drejtave dhe lirive themelore të njeriut;
b) ligjshmëria;
c) mosdiskriminimi;
ç) proporcionaliteti;
d) paanshmëria;
dh) integriteti;
e) merita dhe profesionalizmi;
ë) transparenca;
f) kontrolli dhe llogaridhënia.
KREU II
JURIDIKSIONI, ORGANIZIMI, FUNKSIONIMI DHE KOMPETENCAT
Neni 5
Juridiksioni
1. Policia Bashkiake është strukturë administrative e bashkisë.
2. Policia Bashkiake ushtron veprimtarinë në territorin e bashkisë përkatëse.
Neni 6
Simbolet
Simbolet që përdor Policia Bashkiake janë flamuri e stema e bashkisë.
Neni 7
Organizimi dhe funksionimi i Policisë Bashkiake
1. Policia Bashkiake organizohet në strukturë organizative hierarkike në nivel drejtorie ose sektori.
2. Kryetari i Bashkisë miraton strukturën dhe organikën e Policisë Bashkiake.
3. Këshilli Bashkiak miraton buxhetin dhe numrin maksimal të punonjësve të Policisë Bashkiake.
4. Këshilli i Ministrave miraton me vendim rregulloren kuadër të Policisë Bashkiake.
Neni 8
Përgjegjësitë dhe detyrat e kryetarit të Bashkisë
Kryetari i Bashkisë ka këto përgjegjësi dhe detyra:
a) Kontrollon dhe analizon veprimtarinë e Policisë Bashkiake;
b) Raporton para këshillit bashkiak çdo vit dhe sa herë kërkohet prej tij për veprimtarinë e Policisë Bashkiake;
c) Siguron pajisjet, mjetet lëvizëse dhe infrastrukturën e nevojshme për Policinë Bashkiake;
ç) Organizon konsultime periodike me komunitetin, organizatat jofitimprurëse dhe me strukturat vendore të Policisë së Shtetit për prioritetet dhe veprimtarinë e Policisë Bashkiake;
d) Miraton kalendarin e trajnimeve të punonjësve të Policisë Bashkiake.
Neni 9
Kompetencat dhe detyrat e Policisë Bashkiake
1. Policia Bashkiake ka këto kompetenca dhe detyra, në përputhje edhe me aktet e tjera rregullatore:
a) Siguron zbatimin e akteve të nxjerra nga kryetari i bashkisë dhe këshilli bashkiak;
b) Parandalon, konstaton dhe shqyrton kundërvajtjet administrative, përmes forcimit, inspektimit dhe monitorimit në zbatim të akteve të njësive të vetëqeverisjes vendore brenda territorit të juridiksionit të saj.
2. Në fushën e rendit dhe sigurisë në komunitet, Policia Bashkiake:
a) merr masa të sigurisë për zbatimin e planit të emergjencës së bashkisë për parandalimin e fatkeqësive të ndryshme natyrore, si dhe bashkëpunon me strukturat e mbrojtjes civile pranë bashkisë dhe prefektit të qarkut për kapërcimin e tyre;
b) kontrollon zbatimin e rregullave të qarkullimit rrugor në territorin e juridiksionit të saj, sipas parashikimeve në Kodin Rrugor të Republikës së Shqipërisë dhe marrëveshjeve të bashkëpunimit që lidhen me Policinë e Shtetit;
c) vendos kufizimin e qarkullimit në rrugë jashtë qendrave të banuara, për ditët e festave lokale në bashkëpunim me organet e Policisë Rrugore;
ç) bashkëpunon me Policinë e Shtetit për mbikëqyrjen e sigurisë, brenda territorit të juridiksionit të saj;
d) bashkërendon masat me Policinë e Shtetit për ruajtjen e rendit e të qetësisë publike në raste të aktiviteteve, në territorin e juridiksionit të bashkisë;
dh) verifikon zbatimin e ligjshmërisë dhe patrullimin periodik në bashkëpunim me Policinë e Shtetit përgjatë vijës bregdetare publike dhe në zonat çlodhëse të ujërave të brendshme në thellësi të territorit, për sigurinë në det, plazhe dhe në ujërat e brendshme në thellësi të territorit të juridiksionit të bashkisë;
e) monitoron respektimin e ndarjes së hapësirës së plazhit gjatë ushtrimit të veprimtarisë të çdo personi juridik apo fizik pranë stacioneve të plazhit në territorin e juridiksionit të bashkisë;
ë) merr masa sigurie në veprimtaritë sportive dhe ndeshjet e futbollit gjatë organizimit dhe zhvillimit të tyre, si personel sigurie;
f) mbështet strukturat përgjegjëse të bashkisë për strehimin social, për procedurat e zhvendosjes së individëve ose familjeve nga vendbanimi a strehimi i tyre;
g) merr masa për ruajtjen e objekteve në pronësi të bashkisë, si dhe të atyre që administrohen nga ana e saj.
3. Në fushën e bashkëjetesës shoqërore, Policia Bashkiake:
a) mbikëqyr respektimin e normave etike detyruese të bashkëjetesës, të përcaktuara në rregulloren e administrimit të bashkëpronësisë në ndërtesat e banimit;
b) mbështet organet e inspektimit për zbatimin e legjislacionit për administrimin e bashkëpronësisë në ndërtesat e banimit;
c) siguron ekzekutimin e sanksioneve për lidhjen dhe zgjidhjen e kontratës së qirasë së banesave sociale me qira dhe kufizimet mbi banesat me kosto të ulët, të vendosura nga entet menaxhuese.
4. Në fushën e mbrojtjes së mjedisit, Policia Bashkiake:
a) bashkërendon punën me strukturat përkatëse kur konstaton veprimtari të paligjshme për mjedisin, natyrën, pyjet, biodiversitetin dhe florën e faunën e egër;
b) bashkëpunon me strukturat përgjegjëse të kontrollit mbi gjuetinë kur pengohen në kryerjen e detyrës;
c) bashkëpunon me strukturat përgjegjëse të inspektimit që mbulojnë veprimtarinë e peshkimit;
ç) bashkëpunon me strukturat përgjegjëse për ushtrimin e kontrollit për mbrojtjen e liqeneve ndërkufitare, brigjeve të tyre, zonave ujëmbledhëse, si dhe veprimtaritë që ushtrohen në to;
d) bashkëpunon me strukturat përgjegjëse në rast kundërshtimi të masave gjatë kontrollit për vlerësimin dhe administrimin e zhurmës në mjedis.
5. Në fushën e veprimtarisë ekonomike dhe tregtare, Policia Bashkiake:
a) siguron zbatimin e akteve që përcaktojnë kryerjen e veprimtarive që trajtohen si veprimtari tregtare apo shërbimi, ambulante, në vende publike të përcaktuara paraprakisht nga organet e vetëqeverisjes vendore;
b) verifikon respektimin e normave ligjore në lidhje me vendosjen e materialeve reklamuese të pijeve alkoolike, pijeve energjike dhe pijeve të gazuara që përmbajnë sheqer të shtuar drejtuar të miturve;
c) mbështet strukturat përgjegjëse të taksave dhe tarifave vendore në veprimtarinë e tyre.
6. Në fushën e mbrojtjes së shëndetit, Policia Bashkiake siguron respektimin e normave ligjore në lidhje me ndalimin e pirjes së duhanit në mjetet e transportit publik, përfshirë taksitë dhe mjediset e përbashkëta, në banesat me bashkëpronësi të detyrueshme.
7. Në fushën e ruajtjes së hapësirës publike, Policia Bashkiake:
a) siguron zbatimin e rregullave për përdorimin e hapësirës publike, për ndalimin e zënies së hapësirave publike, hedhjen e mbeturinave dhe mbrojtjen e monumenteve, ndërtesave, parqeve dhe lulishteve publike;
b) vëren dhe konstaton ndërtimet e kundërligjshme, njofton dhe mbështet menjëherë strukturën përgjegjëse ndërtimore e urbanistike të bashkisë për vazhdimin e mëtejshëm të procedurave ligjore;
c) siguron zbatimin e rregullave dhe procedurave për organizimin dhe funksionimin e shërbimit publik të varrimit dhe për administrimin e varrezave në territorin e juridiksionit të bashkisë;
ç) garanton zbatimin e përcaktimeve ligjore mbi afishimin e materialeve propagandistike në vendet jashtë përcaktimeve të bëra, duke hequr menjëherë çdo material propagandues të subjekteve zgjedhore.
Neni 10
Kundërvajtjet administrative
1. Shkeljet, që përbëjnë kundërvajtje administrative, janë të parashikuara në ligjet e veçanta dhe aktet e këshillit bashkiak.
2. Punonjësi i Policisë Bashkiake për shkeljet e konstatuara merr masa administrative bazuar në aktet ligjore dhe nënligjore që parashikojnë kundërvajtje administrative.
3. Kur punonjësi i Policisë Bashkiake krijon dyshimin e arsyeshëm se një veprim ose mosveprim i një personi fizik ose juridik përbën një kundërvajtje administrative, konstatimi i së cilës nuk është në kompetencën e saj dhe se nga ai veprim mund të shkaktohet një dëm i pariparueshëm dhe me pasoja të rënda ndaj interesit publik apo palëve të treta, për jetën apo shëndetin e njerëzve, kafshëve apo për mjedisin, punonjësi i strukturës konstatuese ka të drejtë të marrë masa për ndërprerjen e menjëhershme të veprimeve të kundërvajtësit dhe të njoftojë organin përkatës për shkeljen e konstatuar.
4. Procedura për konstatimin dhe shqyrtimin e kundërvajtjeve administrative nga Policia Bashkiake kryhet në përputhje me legjislacionin në fuqi për kundërvajtjet administrative.
KREU III
PRANIMI, FORMIMI DHE PËRFUNDIMI I MARRËDHËNIEVE TË PUNËS
Neni 11
Marrëdhëniet e punësimit të punonjësit të Policisë Bashkiake
Marrëdhëniet e punës së drejtuesit dhe të punonjësve të tjerë të Policisë Bashkiake rregullohen sipas këtij ligji dhe Kodit të Punës.
Neni 12
Kriteret për pranim në Policinë Bashkiake
Kriteret për pranimin në Policinë Bashkiake të çdo personi janë, si më poshtë vijon:
a) Të jetë shtetas shqiptar;
b) Të ketë zotësi të plotë për të vepruar;
c) Të jetë në kushte shëndetësore që e lejojnë të kryejë detyrën përkatëse;
ç) Të ketë përfunduar arsimin e mesëm të lartë;
d) Ndaj tij të mos jetë nisur një procedim penal dhe të mos jetë dënuar me vendim të formës së prerë për kryerjen e një krimi apo një kundërvajtjeje penale;
dh) Ndaj tij të mos jetë marrë masa disiplinore e largimit nga puna që nuk është shuar ose të mos ketë masë disiplinore në fuqi;
e) Të mos jetë larguar nga Policia e Shtetit për shkak të vlerësimeve kalimtare ose periodike, të parashikuara nga legjislacioni në fuqi për punonjësit e Policisë së Shtetit;
ë) Të paraqesë vërtetimin e besueshmërisë.
Neni 13
Pranimi në Policinë Bashkiake
1. Pranimi në Policinë Bashkiake bazohet në parimet e shanseve të barabarta, meritës, aftësive profesionale dhe mosdiskriminimit.
2. Pranimi kryhet nëpërmjet një konkurrimi të hapur përmes një procesi përzgjedhës dhe testimi transparent e të drejtë.
3. Procesi përzgjedhës bazohet në vlerësimin e kritereve dhe aftësive profesionale të kandidatëve.
4. Rregullat dhe procedurat e detajuara të pranimit në Policinë Bashkiake përcaktohen në rregulloren kuadër të Policisë Bashkiake.
Neni 14
Shpallja
1. Kryetari i Bashkisë shpall pozicionet e lira, të cilat përcaktohen nga drejtuesi i Policisë Bashkiake.
2. Bashkia bën shpalljen e procedurës së pranimit, e cila botohet në portalin e Shërbimit Kombëtar të Punësimit, në faqen zyrtare të bashkisë dhe në ambientet e brendshme të saj.
3. Shpallja përmban periudhën e aplikimit, dokumentacionin e nevojshëm për aplikim, programin e konkurrimit, fazat e konkurrimit, numrin e vendeve vakante dhe mënyrën e vlerësimit të procesit përzgjedhës.
Neni 15
Konkurrimi dhe Komisioni Përzgjedhës
1. Konkurrimi përfshin verifikimin paraprak të kandidatit, testimin me shkrim, testimin fizik dhe intervistën nga Komisioni Përzgjedhës.
2. Komisioni Përzgjedhës krijohet me urdhër të kryetarit të Bashkisë dhe ka pesë anëtarë:
a) 1 (një) anëtar nga njësia përgjegjëse e burimeve njerëzore të bashkisë;
b) 2 (dy) anëtarë të zgjedhur nga kryetari i Bashkisë, nëpunës civilë, pjesë e kategorisë së mesme drejtuese, njëri prej të cilëve kryeson komisionin;
c) 2 (dy) anëtarë nga Policia Bashkiake.
3. Komisioni Përzgjedhës kryen procedurat e përzgjedhjes së kandidatëve për të gjitha fazat me përjashtim të fazës së testimit fizik, e cila kryhet nga institucioni arsimor i Policisë së Shtetit, pranë ministrisë përgjegjëse për çështjet e rendit dhe sigurisë publike.
4. Testimi fizik kryhet sipas procedurave të përcaktuara nga institucioni arsimor i Policisë së Shtetit, pranë ministrisë përgjegjëse për çështjet e rendit dhe sigurisë publike.
5. Anëtari i komisionit informon menjëherë kryetarin e Bashkisë, në rast dyshimi të pengesave ligjore sipas përcaktimeve të Kodit të Procedurave Administrative, për veten ose për anëtarët e tjerë të komisionit, që të mos marrë pjesë në procesin e përzgjedhjes.
6. Në rast se anëtarët e përcaktuar të Komisionit janë në kushtet e pamundësisë ligjore për të qenë anëtarë të tij, ata zëvendësohen me anëtarë të tjerë nga kryetari i Bashkisë.
7. Rregullat e detajuara për funksionimin e Komisionit Përzgjedhës përcaktohen në rregulloren kuadër të Policisë Bashkiake.
Neni 16
Verifikimi paraprak i kandidatit
1. Komisioni Përzgjedhës, në bazë të dokumentacionit të paraqitur bën verifikimin paraprak të kandidatëve që përmbushin kriteret e përcaktuara në nenin 12 të këtij ligji, të përcaktuara edhe në shpalljen për konkurrim.
2. Në përfundim të verifikimit, kandidatët, të cilët plotësojnë kriteret e përcaktuara në nenin 12 të këtij ligji, renditen në një listë sipas rendit alfabetik. Lista shpallet në faqen zyrtare të bashkisë dhe në ambientet e brendshme të saj.
3. Kandidatët, që nuk plotësojnë kërkesat e përcaktuara në shpalljen për konkurrim, renditen në një listë të veçantë, në të cilën tregohen edhe arsyet e mosplotësimit të këtyre kërkesave. Lista administrohet nga njësia e burimeve njerëzore dhe nuk bëhet publike. Kandidatët. që nuk janë kualifikuar, njoftohen individualisht nga njësia e burimeve njerëzore.
Neni 17
Testimi me shkrim
1. Testimi me shkrim shërben për të vlerësuar nëse kandidati zotëron njohuritë e nevojshme për kryerjen e detyrave të punonjësit të Policisë Bashkiake.
2. Testimi me shkrim hartohet, administrohet dhe vlerësohet me pikë nga Komisioni Përzgjedhës.
3. Në përfundim të testimit me shkrim, komisioni publikon zyrtarisht listën me rezultatet e testimit në rend zbritës, në faqen zyrtare të bashkisë dhe në ambientet e brendshme të saj.
4. Kandidati, që ka marrë mbi 60 (gjashtëdhjetë) % të pikëve të përcaktuara për testimin me shkrim, njoftohet për të vazhduar konkurrimin.
Neni 18
Testimi i aftësive fizike
1. Kandidatët, që kalojnë testimin me shkrim, i nënshtrohen testimit të aftësive fizike, që teston aftësitë psikomotore të kandidatit, ku përfshihen shpejtësia, shkathtësia fizike, rezistenca dhe koordinimi fizik.
2. Përmbajtja e testimit të aftësive fizike dhe mënyra e vlerësimit të kandidatëve përgatiten nga institucioni arsimor i Policisë së Shtetit, pranë ministrisë përgjegjëse për çështjet e rendit dhe sigurisë publike.
3. Kandidati quhet fitues kur ka marrë mbi 60 (gjashtëdhjetë) % të pikëve të përcaktuara për testimin e aftësive fizike.
4. Kandidatët fitues renditen sipas pikëve të marra në listën e kandidatëve të suksesshëm dhe njoftohen për intervistën.
Neni 19
Intervista
1. Kandidati vlerësohet përmes intervistës lidhur me përshtatshmërinë dhe pranueshmërinë e kandidatit për ushtrimin e detyrës.
2. Komisioni i bën kandidatit pyetje të strukturuara, të cilat testojnë formimin dhe aftësitë e tij.
Neni 20
Përfundimi i procesit të konkurrimit
1. Procedura e konkurrimit përfundon me intervistën. Në përfundim të fazës së vlerësimit të kandidatëve, Komisioni liston kandidatët fitues.
2. Rezultati i përgjithshëm i kandidatit përcaktohet mbi shumatoren e rezultateve të arritura nga testimi me shkrim, testimi fizik dhe intervista. Totali i pikëve të vlerësimit të kandidatëve është 100 (njëqind), të cilat ndahen përkatësisht:
a) testimi me shkrim, 60 (gjashtëdhjetë) pikë;
b) testimi i aftësive fizike, 20 (njëzet) pikë;
c) intervista, 20 (njëzet) pikë.
3. Kandidatët renditen në listën përfundimtare sipas rezultateve të arritura në rend zbritës, sipas pikëve totale të marra.
4. Administrimi i listës së fituesve të nxjerrë nga Komisioni Përzgjedhës bëhet nga njësia e burimeve njerëzore të bashkisë.
5. Lista e kandidatëve, që kanë rezultuar të suksesshëm, është e vlefshme për 1 (një) vit, duke filluar nga data e përfundimit të procesit të pranimit.
Neni 21
Ankimi
1. Kandidati ka të drejtë të bëjë ankim me shkrim në Komisionin Përzgjedhës për rezultatin e pikëve dhe renditjen në listën fituese. Afati i ankimit fillon brenda 5 (pesë) ditëve kalendarike nga:
a) data e njoftimit individual të rezultatit të verifikimit paraprak të kandidatit;
b) data e njoftimit individual të rezultatit të vlerësimit me shkrim;
c) data e njoftimit individual të rezultatit të testimit të aftësive fizike;
ç) data e njoftimit individual të rezultatit të vlerësimeve për kandidatët, të cilët kanë marrë pjesë në të gjitha fazat e vlerësimit të përcaktuara.
2. Komisioni Përzgjedhës njofton vendimin brenda 5 (pesë) ditëve kalendarike nga data e përfundimit të afatit ankimor.
3. Në përfundim të këtij afati, njësia e burimeve njerëzore publikon listën përfundimtare fituese.
Neni 22
Emërimi i punonjësit të Policisë Bashkiake
1. Punonjësi i Policisë Bashkiake emërohet nga kryetari i Bashkisë, pas shpalljes fitues nga procedura e konkurrimit.
2. Pas emërimit, punonjësi i Policisë Bashkiake i nënshtrohet periudhës tremujore të provës.
3. Punonjësi i Policisë Bashkiake, gjatë periudhës së provës, përfundon trajnimin e detyrueshëm 4-javor në institucionin arsimor të Policisë së Shtetit, pranë ministrisë përgjegjëse për çështjet e rendit dhe sigurisë publike, sipas programit të miratuar për këtë qëllim nga institucioni arsimor.
4. Në përfundim të trajnimit të detyrueshëm, zhvillohet testimi me shkrim për përvetësimin e njohurive nga kandidati, bazuar në programin e trajnimit. Kandidati përfundon me sukses trajnimin e detyrueshëm nëse merr mbi 50 (pesëdhjetë) % të pikëve të testimit.
5. Mospërfundimi me sukses i trajnimit të detyrueshëm përbën shkak për përfundimin e marrëdhënies së punës.
6. Në fund të periudhës së provës, duke u bazuar në vlerësimin e rezultateve në punë dhe përfundimin me sukses të trajnimit të detyrueshëm, punonjësi i Policisë Bashkiake konfirmohet në detyrë.
Neni 23
Kriteret për emërimin e drejtuesit të Policisë Bashkiake
1. Kandidati për drejtues të Policisë Bashkiake, përveç kritereve të përcaktuara në nenin 12, të këtij ligji, plotëson edhe kriteret e mëposhtme:
a) Të ketë përfunduar ciklin e dytë të studimeve të arsimit të lartë ose të ketë diplomë të barasvlefshme me të ose të ketë përfunduar studimet e arsimit të lartë jashtë vendit dhe të ketë njohur dhe njësuar diplomën sipas përcaktimeve për njësimin e diplomave, të parashikuara në legjislacionin në fuqi për arsimin e lartë, në shkenca shoqërore, juridike, ekonomike ose institucionet arsimore të sigurisë;
b) Të ketë të paktën 5 (pesë) vjet eksperiencë pune në administratën publike, në Policinë e Shtetit, në Forcat e Armatosura, në profesionet e lira ose në çdo pozicion tjetër të barasvlershëm me to në sektorin privat;
c) Të mos jetë subjekt i ndalimeve, sipas legjislacionit në fuqi për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike.
2. Procedura e përzgjedhjes për drejtuesin e Policisë Bashkiake është e njëjtë sikurse për punonjësin, por përfshin vetëm fazën e verifikimit paraprak të kandidatëve dhe intervistën nga Komisioni Përzgjedhës.
3. Emërimi i drejtuesit të Policisë Bashkiake bëhet nga kryetari i bashkisë, sipas kritereve të përcaktuara në këtë ligj.
Neni 24
Përgjegjësitë dhe detyrat e drejtuesit të Policisë Bashkiake
Drejtuesi i Policisë Bashkiake ushtron këto përgjegjësi dhe detyra:
a) Organizon, drejton, kontrollon dhe përgjigjet për sigurimin e zbatimit të detyrimeve dhe kompetencave që ka Policia Bashkiake;
b) Koordinon veprimtarinë e punës me Policinë e Shtetit për zbatimin e detyrimeve të akteve ligjore dhe nënligjore, në fushën e rendit e të sigurisë publike në parandalimin e veprimtarive të kundërligjshme për aktivitetet që zhvillohen në territorin e bashkisë;
c) Planifikon aktivitetin në mbështetje të detyrave të caktuara për të siguruar realizimin në kohë të objektivave të përcaktuar;
ç) Kryen analiza, raporte, përshkrime që lidhen me veprimtarinë e Policisë Bashkiake;
d) I propozon kryetarit të Bashkisë kalendarin e trajnimeve, për të siguruar kualifikimin periodik profesional të punonjësve të Policisë Bashkiake;
dh) Këshillon kryetarin e Bashkisë dhe jep mendime për zgjidhjen e çështjeve në fushën e përgjegjësisë së tij.
Neni 25
Lirimi dhe shkarkimi i drejtuesit dhe punonjësve të Policisë Bashkiake
1. Drejtuesi dhe punonjësi i Policisë Bashkiake lirohet nga detyra në rastet kur:
a) jep dorëheqjen;
b) mbush moshën e pensionit të pleqërisë;
c) bëhet i paaftë përgjithmonë për të kryer detyrën për shkak të gjendjes shëndetësore.
2. Lirimi dhe shkarkimi i drejtuesit të Policisë Bashkiake bëhet nga Kryetari i Bashkisë.
3. Drejtuesi dhe punonjësi i Policisë Bashkiake shkarkohet nga detyra në rastet kur:
a) dënohet me vendim gjyqësor të formës të prerë për kryerjen e një vepre penale;
b) merret masa disiplinore e largimit nga Policia Bashkiake, pasi kryen shkelje të rënda gjatë kryerjes së detyrës;
c) humbet shtetësinë shqiptare;
ç) merr formë të prerë vendimi i gjykatës për kufizimin apo e heqjen e zotësisë për të vepruar.
4. Lirimi dhe shkarkimi i punonjësit të Policisë Bashkiake bëhen nga kryetari i Bashkisë, me propozimin e drejtuesit të Policisë Bashkiake, sipas përcaktimeve të këtij ligji.
5. Për rastin e përcaktuar në shkronjën “b”, të pikës 3, të këtij neni, shkarkimi i punonjësit të Policisë Bashkiake bëhet nga kryetari i Bashkisë, me propozim të Komisionit të Disiplinës.
Neni 26
Vlerësimi i performancës
1. Vlerësimi i rezultateve në punë përfshin verifikimin e realizimit të objektivave dhe vlerësimin e sjelljes profesionale të punonjësit të Policisë Bashkiake.
2. Vlerësimi i rezultateve në punë të punonjësit të Policisë Bashkiake bëhet çdo vit nga eprori i drejtpërdrejtë dhe miratohet nga drejtuesi i Policisë Bashkiake.
3. Punonjësi i Policisë Bashkiake vlerësohet në një nga këto nivele:
a) Jo kënaqshëm, në rastet kur punonjësi nuk i ka realizuar objektivat dhe nuk ka përmbushur pritshmëritë lidhur me qëndrimin dhe sjelljen profesionale;
b) Kënaqshëm, në rastet kur punonjësi ka realizuar kënaqshëm objektivat dhe ka treguar një sjellje dhe qëndrim profesional relativisht të mirë;
c) Mirë, në rastet kur punonjësi ka realizuar mirë objektivat dhe ka treguar një sjellje dhe qëndrim profesional të mirë;
ç) Shumë mirë, në rastet kur punonjësi ka realizuar shumë mirë të gjitha objektivat dhe ka treguar një sjellje dhe qëndrim profesional të dalluar nga të tjerët.
4. Rregulla të detajuara për procedurën e vlerësimit dhe formati i formularit të vlerësimit të rezultateve të punës përcaktohen në rregulloren kuadër të Policisë Bashkiake.
5. Punonjësi i Policisë Bashkiake, kur nuk është dakord me vlerësimin përfundimtar të rezultateve në punë, ka të drejtë të kërkojë shqyrtim të vlerësimit nga drejtuesi i Policisë Bashkiake.
6. Drejtuesi i Policisë Bashkiake shqyrton ankimin brenda 5 (pesë) ditëve dhe bën vlerësimin përkatës, i cili shënohet dhe nënshkruhet nga ky i fundit në formularin e vlerësimit të rezultateve në punë.
7. Pas përfundimit të ankimit administrativ, punonjësi ka të drejtën e ankimit në gjykatën kompetente, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Neni 27
Trajnimet
1. Trajnimet e punonjësit të Policisë Bashkiake bëhen në mënyrë periodike në institucionin arsimor të Policisë së Shtetit, pranë ministrisë përgjegjëse për çështjet e rendit dhe sigurisë publike, në Shkollën Shqiptare të Administratës Publike ose në institucione të tjera publike.
2. Bashkitë bashkëpunojnë me institucionet e përcaktuara në pikën 1, të këtij neni, për miratimin dhe zbatimin e programit të formimit të vazhdueshëm, me qëllim përmirësimin e aftësive profesionale.
3. Kostot e trajnimit përballohen nga buxheti i bashkisë.
Neni 28
Trajtimi financiar gjatë dhe pas përfundimit të marrëdhënieve të punës
1. Paga e punonjësit të Policisë Bashkiake miratohet nga këshilli bashkiak, në përputhje me legjislacionin në fuqi për pagat dhe shpërblimet.
2. Shpenzimet për pagat dhe shpenzimet e tjera përballohen nga buxheti i bashkisë.
KREU IV
DETYRIMET DHE TË DREJTAT E PUNONJËSIT TË POLICISË BASHKIAKE
Neni 29
Detyrimi për respektimin e ligjit
1. Punonjësi i Policisë Bashkiake respekton Kushtetutën, legjislacionin në fuqi, si dhe mbron të drejtat e liritë e njeriut.
2. Punonjësi i Policisë Bashkiake mban përgjegjësi individuale për ligjshmërinë e çdo veprimi apo mosveprimi të tij gjatë ushtrimit të detyrës.
3. Punonjësi i Policisë Bashkiake kryen detyrat e tij me profesionalizëm, paanësi dhe pa diskriminim.
Neni 30
Detyrimi për të zbatuar urdhrin
1. Punonjësi i Policisë Bashkiake vepron në përputhje me urdhrat e marrë nga eprorët hierarkikë, sipas ligjit dhe rregullave të brendshme të bashkisë.
2. Punonjësi i Policisë Bashkiake, nëse dyshon për paligjshmërinë e urdhrit të eprorit, ai nuk e zbaton atë, por informon pa vonesë eprorin e personit që ka dhënë urdhrin dhe kërkon konfirmimin e tij me shkrim.
3. Punonjësi i Policisë Bashkiake zbaton urdhrin me shkrim, me përjashtim të rastit kur zbatimi i tij përbën vepër penale.
Neni 31
Detyrimi për të zbatuar rregullat e etikës dhe sjelljes profesionale
1. Punonjësi i Policisë Bashkiake respekton rregullat e sjelljes dhe etikës gjatë përmbushjes së detyrave, të cilat përcaktohen në rregulloren kuadër të Policisë Bashkiake.
2. Gjatë ushtrimit të detyrave të tij, punonjësi i Policisë Bashkiake i nënshtrohet përgjegjësisë disiplinore në rastet e parashikuara në këtë ligj.
Neni 32
Detyrimi për ruajtjen e konfidencialitetit
1. Punonjësi i Policisë Bashkiake nuk përdor informacionin e mbledhur gjatë ushtrimit të detyrës për qëllime të tjera, jashtë atyre të përcaktuara me ligj.
2. Punonjësi i Policisë Bashkiake siguron mbrojtjen, ruajtjen, mospërhapjen si dhe konfidencialitetin e të dhënave personale, në përputhje me legjislacionin për mbrojtjen e të dhënave personale dhe atyre që lidhen me veprimtarinë tregtare apo profesionale të personave, të mbrojtura sipas ligjit, me të cilat njihet gjatë ushtrimit të detyrës, edhe pas mbarimit të ushtrimit të detyrës.
Neni 33
Detyrimi për administrimin e pronës dhe kohën e punës
1. Punonjësi i Policisë Bashkiake miradministron pronën dhe pajisjet e mjetet që i vihen në përdorim në ushtrimin e detyrës dhe i përdor ato vetëm për qëllimin e përcaktuar.
2. Punonjësi i Policisë Bashkiake shfrytëzon kohën e punës dhe shërbimit me efektshmëri dhe vetëm për kryerjen e detyrave.
Neni 34
Kufizimi për veprimtari të dyta
1. Punonjësi i Policisë Bashkiake nuk punësohet ose kryen veprimtari private që bie ndesh me detyrën e punonjësit të Policisë Bashkiake, me përjashtim të mësimdhënies.
2. Në rastet e mësimdhënies, punonjësi i Policisë Bashkiake merr miratimin me shkrim të drejtuesit.
Neni 35
Konflikti i interesit
1. Punonjësi i Policisë Bashkiake shmang çdo konflikt ndërmjet interesit të tij privat dhe interesit publik në kryerjen e detyrës sipas legjislacionit përkatës.
2. Punonjësi i Policisë Bashkiake informon menjëherë eprorin në rast dyshimi për një konflikt interesi dhe zbaton urdhrat e tij.
3. Eprori merr masa të shmangë konfliktin e interesit të deklaruar nga punonjësi.
Neni 36
Të drejtat politike
1. Policia Bashkiake është strukturë e depolitizuar.
2. Punonjësi i Policisë Bashkiake nuk mund të jetë anëtar i partive politike.
3. Punonjësi i Policisë Bashkiake nuk duhet të shprehë publikisht bindjet ose preferencat e tij politike gjatë kohës së ushtrimit të detyrës.
Neni 37
E drejta e anëtarësimit në organizata sindikale
1. Punonjësi i Policisë Bashkiake ka të drejtën e pjesëmarrjes në organizata sindikale dhe veprimtari sindikale, që kanë për qëllim mbrojtjen e interesave të tij në marrëdhënien e punës.
2. Marrëdhëniet ndërmjet organizatave sindikale dhe punonjësve të Policisë Bashkiake rregullohen nëpërmjet statutit të sindikatës dhe kartës së të drejtave dhe detyrimeve që pranon çdo punonjës i Policisë Bashkiake kur anëtarësohet.
KREU V
PROCEDIMI DISIPLINOR NË POLICINË BASHKIAKE
Neni 38
Shkeljet disiplinore
1. Shkelje disiplinore është çdo veprim ose mosveprim i punonjësit të Policisë Bashkiake gjatë ushtrimit të detyrës apo për shkak të saj, që bie në kundërshtim me legjislacionin në fuqi, nëse ajo nuk përbën vepër penale.
2. Shkeljet disiplinore janë:
a) shkelje të lehta;
b) shkelje të rënda.
3. Shkeljet disiplinore parashkruhen brenda 3 (tre) vjetëve nga koha kur ka ndodhur shkelja.
Neni 39
Llojet e shkeljeve disiplinore
1. Janë shkelje të rënda:
a) mospërmbushja e detyrave;
b) braktisja e punës ose mungesa e pajustifikuar dhe e vijueshme për 3 (tri) ditë pune ose më shumë;
c) shkelja e përsëritur e rregullave të etikës;
ç) sjellja e parregullt, në mënyrë të përsëritur, gjatë kohës së punës me eprorët, kolegët, vartësit dhe me publikun;
d) dëmtimi me dashje i pronës shtetërore, përdorimi i saj jashtë përcaktimit zyrtar apo keqpërdorimi i pronës shtetërore, veçanërisht nëpërmjet përdorimit të mjeteve lëvizëse apo pajisjeve të Policisë Bashkiake për interesa privatë ose lejimi i përdorimit të tyre prej personave të tjerë;
dh) përfitimi i padrejtë, në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, i dhuratave, favoreve, premtimeve ose trajtimeve preferenciale të çfarëdo lloji, të cilat jepen për shkak të detyrës që ushtron ose si rrjedhojë e shfrytëzimit të statusit si punonjës i Policisë Bashkiake;
e) shkelja e rregullave për ruajtjen e informacionit të klasifikuar apo të mirëbesimit për të dhënat e klasifikuara si të tilla;
ë) moszbatimi i urdhrave të ligjshëm të eprorëve, kur kanë sjellë pasoja;
f) ushtrimi i detyrës në kushtet e konfliktit të interesit;
g) shkelja e kërkesave dhe e rregullave për garantimin e rendit dhe të sigurisë në komunitet;
gj) paraqitja në detyrë ose shërbim nën efektet e alkoolit ose të lëndëve narkotike apo konsumimi i tyre gjatë kryerjes së detyrës;
h) mosmarrja nga eprorët e masave për rastet e konstatuara të ngacmimeve seksuale ose për të cilat është vënë në dijeni;
i) lejimi i përdorimit të dokumentit të identifikimit nga persona të tjerë;
j) mospërdorimi i uniformës dhe shenjave dalluese gjatë kryerjes së detyrës ose për shkak të saj;
k) mosinformimi i eprorëve mbi fillimin e procedimit penal ndaj tij;
l) përsëritja e një shkeljeje të lehtë disiplinore, për të cilën është në fuqi një masë disiplinore.
2. Janë shkelje të lehta:
a) mungesa e pajustifikuar në punë deri në 3 (tri) ditë pune;
b) shkelja e rregullave të etikës për Policinë Bashkiake;
c) sjellja e parregullt gjatë kohës së punës me eprorët, kolegët, vartësit dhe me publikun;
ç) moszbatimi i urdhrave të ligjshëm të eprorëve;
d) ndërhyrja ose ndikimi i padrejtë në ushtrimin e detyrës së një punonjësi tjetër të Policisë Bashkiake;
dh) komunikimi me median apo me persona të tjerë pa miratimin e drejtuesit të Policisë Bashkiake;
e) mbajtja apo përdorimi i dokumentit identifikues të pamiratuar nga autoriteti përkatës, si punonjës i Policisë Bashkiake;
ë) kryerja e akteve dhe sjelljeve të papërshtatshme gjatë ushtrimit të detyrës ose jashtë saj, që diskretitojnë pozitën dhe figurën e punonjësit të Policisë Bashkiake ose që dëmtojnë rëndë besimin e publikut në Policinë Bashkiake.
Neni 40
Procedura disiplinore
1. Masat disiplinore merren nga organi disiplinor sipas një procedure transparente, e cila i garanton punonjësit të Policisë Bashkiake të drejtën për t’u informuar, për t’u dëgjuar dhe për t’u mbrojtur, në përputhje me parimet e Kodit të Procedurave Administrative.
2. Për shkelje të lehta disiplinore masa merret nga eprori direkt për punonjësin e Policisë Bashkiake, ndërsa për drejtuesin e Policisë Bashkiake nga kryetari i Bashkisë.
3. Për shkelje të rënda disiplinore masa merret nga Komisioni i Disiplinës për drejtuesin dhe punonjësin e Policisë Bashkiake.
4. Komisioni i Disiplinës përbëhet nga 5 (pesë) anëtarë dhe ka në përbërje:
a) nëpunësin më të lartë civil në bashki;
b) eprorin direkt të punonjësit, për të cilin ka nisur ecuria disiplinore;
c) drejtuesin e njësisë përgjegjëse të burimeve njerëzore të bashkisë;
ç) nëpunësin më të vjetër të administratës së bashkisë;
d) punonjësin më të vjetër në strukturën e Policisë Bashkiake.
5. Komisioni i Disiplinës ngrihet me urdhër të kryetarit të Bashkisë dhe mblidhet, organizohet dhe funksionon në bazë të legjislacionit që rregullon organizimin dhe funksionimin e organeve kolegjiale.
6. Rregullat e hollësishme për procedimin disiplinor në Policinë Bashkiake përcaktohen në rregulloren kuadër të Policisë Bashkiake.
Neni 41
Fillimi i hetimit disiplinor
1. Hetimi disiplinor ndaj punonjësit të Policisë Bashkiake fillon kryesisht ose me ankesë, bazuar në informacione prej të cilave lindin dyshime të arsyeshme mbi kryerjen e një shkeljeje disiplinore gjatë ushtrimit të detyrës.
2. Eprori direkt vlerëson paraprakisht informacionin e marrë për shkeljen e pretenduar. Nëse nuk rezulton të ketë elemente që mund të përcaktohen si shkelje disiplinore vendos të mos e fillojë procedurën disiplinore.
3. Në rast se informacioni i marrë rezulton të ketë elemente që përcaktohen si shkelje disiplinore, eprori direkt bën klasifikimin e shkeljeve sipas pikës 2, të nenit 38, të ligjit.
4. Në rast se shkelja klasifikohet në shkeljet e lehta, eprori direkt fillon procedurën disiplinore dhe në rast se shkelja klasifikohet e rëndë, procedura disiplinore fillon nga Komisioni Disiplinor.
5. Organi disiplinor fillon procedimin disiplinor dhe njofton me shkrim punonjësin përkatës.
Neni 42
Zhvillimi i procedimit disiplinor
1. Punonjësi i Policisë Bashkiake është palë në proces që nga momenti i fillimit të hetimit dhe atij i garantohet aksesi në dosjen e hetimit.
2. Punonjësi i Policisë Bashkiake ka të drejtën për t’u dëgjuar ai vetë apo me përfaqësues ligjor, për të paraqitur dëshmitarë e prova ose për të kërkuar marrjen e tyre.
3. Punonjësi i Policisë Bashkiake ka të drejtë për të paraqitur, me shkrim, sqarimet e tij rreth shkeljes së pretenduar.
4. Organi disiplinor për dhënien e masës disiplinore i kërkon punonjësit të Policisë Bashkiake të paraqesë çdolloj prove, si dhe të marrë pjesë në seancë dëgjimore.
5. Organi disiplinor, pasi shqyrton çështjen, vendos marrjen e masës disiplinore, mosmarrjen e masës disiplinore ose ndërprerjen e ecurisë disiplinore.
Neni 43
Ndërprerja e ecurisë disiplinore
1. Organi disiplinor mbyll hetimin dhe ndërpret ecurinë disiplinore nëse provohet se pretendimet janë të pabazuara ose provat e mbledhura dhe rezultatet e hetimit të çojnë drejt përfundimit se:
a) provat janë të pamjaftueshme për të provuar kryerjen e shkeljes disiplinore;
b) çështja ka qenë objekt i një hetimi të mëparshëm, që është mbyllur ose për të cilën është dhënë vendim i formës së prerë, në kuadër të një procedimi disiplinor;
c) çështja është parashkruar në kohën kur është filluar hetimi, për shkak të kalimit të afateve;
ç) punonjësi i Policisë Bashkiake ka vdekur ose është shpallur i vdekur me vendim gjykate.
2. Organi disiplinor i njofton vendimin për ndërprerjen e ecurisë disiplinore punonjësit të Policisë Bashkiake ose përfaqësuesit të tij, i cili përmban arsyet për mbylljen e hetimit sipas pikës 1, të këtij neni.
Neni 44
Masat disiplinore
1. Ndaj punonjësit të Policisë Bashkiake, që kryen shkelje disiplinore, merren këto masa:
a) Për shkelje të lehta disiplinore:
i. vërejtje;
ii. vërejtje me paralajmërim.
b) Për shkelje të rënda disiplinore:
i. mbajtjen deri në 1/4 e pagës së plotë për një periudhë deri në tre muaj;
ii. largimin nga Policia Bashkiake.
2. Për çdo shkelje jepet vetëm një masë disiplinore. Në rastin kur kemi më shumë se një shkelje disiplinore dhe kur shkeljet e konstatuara sanksionohen me masa të ndryshme disiplinore, jepet masa më e rëndë.
3. Marrja e masës disiplinore bazohet në kriteret e mëposhtme:
a) Shkalla e pakujdesisë;
b) Shpeshtësia e kryerjes së shkeljes;
c) Rrethanat e kryerjes së shkeljes, mundësia e ardhjes së pasojave, si dhe dëmi i shkaktuar nga shkelja.
4. Masa disiplinore shuhet pas kalimit të këtyre afateve:
a) 6 (gjashtë) muaj për masën “vërejtje” dhe “vërejtje me paralajmërim”;
b) 3 (tre) vjet nga njoftimi i masës së parashikuar sipas nënndarjes “i”, të shkronjës “b”, të pikës 1, të këtij neni.
5. Masa disiplinore “Largim nga Policia Bashkiake” qëndron përgjithmonë në dosjen personale të ish-punonjësit të Policisë Bashkiake.
6. Deklarimi i shuarjes bëhet kryesisht apo me kërkesë, me vendim të njësisë së burimeve njerëzore të bashkisë dhe masa fshihet nga dosja e personelit.
Neni 45
Ankimi
1. Vendimi jepet me shkrim, i arsyetuar, në përputhje me Kodin e Procedurave Administrative.
2. Punonjësi i Policisë Bashkiake ka të drejtë të ankimojë vendimin për masën disiplinore në gjykatën kompetente, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
KREU VI
UNIFORMA, SHENJAT DALLUESE, PAJISJET DHE MJETET
Neni 46
Uniforma dhe shenjat dalluese
1. Punonjësi kryen detyrat e shërbimit me uniformë dhe shenja dalluese të veçanta.
2. Stema dhe shenjat dalluese përdoren në uniformën e Policisë Bashkiake.
3. Punonjësi i Policisë Bashkiake përdor uniformën dhe shenjat dalluese vetëm gjatë kryerjes së detyrës ose për shkak të saj.
4. Punonjësi i Policisë Bashkiake, gjatë kryerjes së detyrës, identifikohet me dokumentin individual të identifikimit.
5. Policia Bashkiake në çdo bashki ka uniformë të njëjtë, të ndryshme nga çdo strukturë tjetër policore.
6. Uniforma, shenjat dalluese dhe modeli i dokumentit individual të identifikimit miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
Neni 47
Mjetet e Policisë Bashkiake
1. Policia Bashkiake gjatë ushtrimit të detyrës përdor mjete lëvizëse.
2. Këshilli i Ministrave miraton me vendim ngjyrën, shenjën dhe përdorimin e tyre.
KREU VII
MASAT PËR RUAJTJEN E RENDIT DHE SIGURISË PUBLIKE NË KOMUNITET
Neni 48
Kontrolli i identitetit
1. Punonjësi i Policisë Bashkiake kontrollon identitetin e personit kur:
a) në gjendjen e flagrancës konstatohet se po kryen një kundërvajtje administrative;
b) ndaj personit, i cili ka paraqitur një kërkesë me dyshimin se është kryer një shkelje administrative;
c) është i dyshuar për cenim të rendit dhe sigurisë në komunitet, për ato kompetenca dhe detyra, të parashikuara në nenin 9, të këtij ligji.
2. Për një identifikim të besueshëm të personit, punonjësi i Policisë Bashkiake bazohet në dokumentet ligjore të identifikimit.
3. Gjatë procedurës së verifikimit, Policia Bashkiake ka të drejtë të kërkojë ndihmën e Policisë së Shtetit për kontrollin e identitetit, sipas rasteve të parashikuara në pikën 1, të këtij neni.
Neni 49
Bllokimi i rrugëve
Për nevoja të rendit dhe të sigurisë publike ose në rastet e fatkeqësive natyrore apo të aksidenteve, Policia Bashkiake vë në dispozicion të Policisë së Shtetit punonjësit e saj dhe mjetet, për bllokimin e një pjese të rrugëve ose të mjediseve publike brenda juridiksionit të bashkisë deri në kryerjen e veprimeve të nevojshme ligjore.
Neni 50
Masat mbrojtëse
1. Masat mbrojtëse merren ndaj personit me çrregullime të shëndetit mendor, në gjendje të dehur ose nën efektet e lëndëve narkotike.
2. Në këto raste, punonjësi i Policisë Bashkiake njofton Policinë e Shtetit dhe, në rastet kur gjendja e tij përbën rrezik për jetën e tij, shëndetin ose sigurinë e vetes ose të të tjerëve, e shoqëron personin në shërbimin e urgjencës mjekësore më të afërt.
3. Veprimet e sipërpërmendura për marrjen e masave mbrojtëse ndaj personave të parashikuar në pikën 1, të këtij neni, dokumentohen në procesverbal.
Neni 51
Bashkërendimi me organet publike
1. Policia Bashkiake bashkëpunon dhe bashkërendon punën me organet publike, personat juridikë dhe fizikë, në përmbushje të detyrave funksionale, të përcaktuara edhe në akte të tjera ligjore dhe nënligjore.
2. Policia Bashkiake bashkërendon punën me Policinë e Shtetit në drejtim të shkëmbimit të informacionit, në funksion të parandalimit të krimit në bashkinë përkatëse.
KREU VIII
DISPOZITA TË FUNDIT
Neni 52
Miratimi i akteve nënligjore
Ngarkohet Këshilli i Ministrave të nxjerrë aktet nënligjore në zbatim të nenit 7, pika 4, nenit 46, pika 6, dhe nenit 47, pika 2, të këtij ligji, brenda 6 (gjashtë) muajve nga hyrja në fuqi e tij.
Neni 53
Shfuqizime
Ligji nr.8224, datë 15.5.1997, “Për organizimin dhe funksionimin e policisë të bashkisë dhe të komunës”, i ndryshuar, dhe aktet nënligjore të nxjerra në zbatim të tij, shfuqizohen.
Neni 54
Hyrja në fuqi
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E T A R I
LINDITA NIKOLLA