Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Projektligje të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 23 Nëntor 2022:

 

P R O J E K T L I GJ
PËR

DISA NDRYSHIME NË LIGJIN NR.10 296, DATË 8.7.2010, “PËR MENAXHIMIN FINANCIAR DHE KONTROLLIN”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë

V E N D O S I:

Në ligjin nr.10296, datë 8.7.2010, “Për menaxhimin financiar dhe kontrollin”, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime:

Neni 1

Kudo në përmbajtjen e ligjit bëhen ndryshimet e mëposhtme:

1. Fjalët “… sistemeve të menaxhimit financiar dhe kontrollit …” zëvendësohen me “… sistemit të menaxhimit financiar dhe kontrollit …”;

2. Emërtimet “Ministri i Financave” dhe “Ministria e Financave” zëvendësohen përkatësisht me fjalët “… ministri përgjegjës për financat …” dhe “… ministria përgjegjëse për financat …”;

3. Fjalët “… struktura përgjegjëse për menaxhimin financiar dhe kontrollin …” zëvendësohen me “… struktura përgjegjëse për menaxhimin financiar, kontrollin dhe kontabilitetin …”;

4. Fjalët “… veprimtari kontrolli …” zëvendësohen me “… Aktivitete kontrolli …”.

Neni 2

Në nenin 4 bëhen këto ndryshime:

a) Pikat 1, 3, 9, 17 dhe 18, ndryshohen, si më poshtë vijon:

“1. “Kontrolli i brendshëm financiar publik (KBFP)” është sistemi i kontrollit të brendshëm financiar publik, si tërësia e kontrolleve të vendosura nga njësitë publike me qëllim administrimin e suksesshëm për të garantuar se menaxhimi financiar e kontrolli dhe arritja e objektivave të njësive publike janë në përputhje me legjislacionin që rregullon fushën e kontrollit të brendshëm, kërkesat buxhetore si dhe me parimet e menaxhimit të shëndoshë financiar me transparencë, efektivitet, efiçencë dhe ekonomi. Kontrolli i brendshëm financiar publik përfshin menaxhimin financiar dhe kontrollin, auditimin e brendshëm dhe strukturat përgjegjëse për menaxhimin financiar e kontrollin dhe auditimin e brendshëm.

3. “Kontrolli i brendshëm” është procesi integral i vendosur nga titullari i njësisë publike, brenda objektivave të tij qeverisës, për të ndihmuar në kryerjen e veprimtarive të njësisë publike, me ekonomi, efektivitet dhe efiçencë.

9. “Përgjegjshmëria menaxheriale” është detyrimi i menaxherëve që në kryerjen e veprimtarive dhe marrjen e vendimeve të tyre të respektojnë parimet e menaxhimit të shëndoshë financiar, të ligjshmërisë e të transparencës në administrim, si dhe të përgjigjen për veprimet e vendimet e tyre dhe të atyre personave që iu kanë caktuar ose deleguar kompetencat dhe përgjegjësitë e tyre në përputhje me ligjet në fuqi.

17.“Kontrolle para faktit” janë kontrollet e bëra me qëllim që të garantohet ligjshmëria dhe rregullshmëria e vendimeve. Ato kryhen në mënyrë të vazhdueshme në të gjitha fazat e procesit, para marrjes së vendimeve.

18. “Kontrolle pas faktit” janë kontrolle të herëpashershme, që ushtrohen pas përfundimit të transaksionit apo veprimtarisë, sipas një plani apo në vijim të një kërkese.”.

b) Në fjalinë e parë, të pikës 26, fjala “… informacion, …” zëvendësohet me “… dokument, …”.

Neni 3

Pika 16, e nenit 4, shfuqizohet.

Neni 4

Në nenin 8 bëhen këto ndryshime:

1. Pikat 2 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“2. Titullarët e njësive të qeverisjes së përgjithshme caktojnë nëpunësit autorizues, sipas legjislacionit në fuqi për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë.”

2. Shkronjat “a” dhe “b”, të pikës 8, ndryshohen, si më poshtë vijon:

“a) miratimin e politikave dhe monitorimin e objektivave të njësive publike që ata drejtojnë, të planeve strategjike e vjetore, përfshirë planet e menaxhimit të trajtimit të risqeve dhe të planveprimeve për arritjen e objektivave;
b) ngritjen e grupit të menaxhimit strategjik të njësisë publike, në përputhje me kërkesat e nenit 27, të këtij ligji, dhe ngritjen e grupit të menaxhimit të riskut;”.

Neni 5

Pika 2/1, e nenit 9, ndryshohet, si më poshtë vijon:

“2/1. Nëpunësi autorizues i njësisë publike, për efekt të menaxhimit financiar dhe kontrollit, cakton nëpunës autorizues të nivelit të dytë drejtuesit e programeve e nënprogrameve të çdo strukture dhe njësie të varësisë direkte, për të cilat identifikohet buxhet i veçantë. Në njësitë publike të përshkallëzuara me disa nivele njësish shpenzuese, nëpunësit autorizues caktohen nga organi epror direkt dhe emërtohen sipas nivelit të varësisë.”.

Neni 6

Neni 10 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“Neni 10
Përgjegjshmëria menaxheriale e koordinatorit të menaxhimit financiar
dhe kontrollit

1. Koordinator i menaxhimit financiar dhe kontrollit është nëpunësi autorizues i njësisë publike. Në përmbushje të përgjegjësive të tij, nëpunësi autorizues ka të drejtën e delegimit të disa prej detyrave të veta për koordinimin e menaxhimit financiar dhe kontrollin sipas përcaktimeve të këtij ligji.

2. Përgjegjësitë dhe detyrat e koordinatorit të menaxhimit financiar dhe kontrollit përcaktohen me udhëzim të ministrit përgjegjës për financat.”.

Neni 7

Pika 3/1, e nenit 12, ndryshohet, si më poshtë vijon:

“3/1. Në njësitë publike të ndërtuara me më shumë se dy nivele varësie, punonjësit e financës në strukturat përgjegjëse për financat, të vendosur në nivelet e poshtme të varësisë, konsiderohen punonjës të deleguar të nëpunësit zbatues të njësisë nga varen. Punonjësit e financës së nivelit të dytë janë punonjësit që kanë përfunduar studimet e ciklit të dytë në shkencat ekonomike ose kanë diplomë universitare të ekuivalentuar me të dhe kanë përvojë 3-vjeçare në profesion. Punonjësit e financës, të vendosur në nivelin e tretë apo të mëposhtëm të varësisë, janë punonjësit që kanë përfunduar të paktën studimet e ciklit të parë në shkencat ekonomike dhe kanë përvojë 1-vjeçare në profesion dhe raportojnë në mënyrë të dyfishtë te nëpunësi zbatues i njësisë nga varen dhe nëpunësi autorizues përkatës.”.

Neni 8

Pika 4, e nenit 15, ndryshohet, si më poshtë vijon:

“4. Delegimi i të drejtave dhe i detyrave, sipas përcaktimeve të këtij ligji, nuk cenon të drejtat e menaxherit dhe nuk e shkarkon atë nga përgjegjësia administrative për realizimin e objektivave, kontrollin e risqeve përkatëse apo për përzgjedhjen e vartësit, tek i cili delegohen të drejtat dhe detyrat.”.

Neni 9

Neni 17 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“Neni 17
Sinjalizimi

Çdo punonjës, i cili gjatë kryerjes së punës apo në lidhje me zhvillimin e detyrave të tij, vëren fakte të ekzistencës së parregullsive, informon menjëherë në bazë të legjislacionit në fuqi për sinjalizimin dhe sinjalizuesit.”.

Neni 10

Pikat 1 dhe 3, të nenit 18, ndryshohen, si më poshtë vijon:

“1. Nëpunësi autorizues i njësisë së qeverisjes së përgjithshme dhe i shoqërisë tregtare, sipas përcaktimeve të nenit 3, të këtij ligji, në bazë të vetëvlerësimeve, depoziton te titullari i njësisë publike dhe nëpunësi i parë autorizues një deklaratë dhe raportin përkatës për cilësinë dhe gjendjen e sistemit të kontrollit të brendshëm të njësisë së qeverisjes së përgjithshme që mbulon, për vitin e mëparshëm, jo më vonë se fundi i muajit shkurt të vitit aktual. Për të realizuar detyrimin e tij, nëpunësi autorizues i njësisë së qeverisjes së përgjithshme zbaton një sistem të brendshëm raportimi për të marrë informacion nga njësitë e varësisë, për të mbështetur deklaratën, sipas këtij ligji.

3. Ministri përgjegjëse për financat miraton dhe i paraqet Këshillit të Ministrave dhe Kontrollit të Lartë të Shtetit, brenda muajit qershor të çdo viti, raportin vjetor për cilësinë dhe funksionimin e kontrollit të brendshëm financiar publik për vitin paraardhës, përfshirë edhe gjetjet e rekomandimet për përmirësimin e sistemit.”.

Neni 11

Në nenet 19, 20, 22, 23 dhe 24, fjalët “… titullarët e njësive publike …” zëvendësohen me “… njësitë publike …”.

Neni 12

Pika 2, e nenit 21, ndryshohet, si më poshtë vijon:

“2. Për t’i zbatuar aktivitetet e parashtruara në pikën 1, të këtij neni, njësitë publike miratojnë planet e menaxhimit për trajtimin e risqeve, të cilat përditësohen çdo tre vjet ose sa herë që ka ndryshime thelbësore të mjedisit të riskut. Nëpunësi autorizues analizon dhe përditëson kontrollet që synojnë minimizimin e riskut, të paktën një herë në vit.”.

Neni 13

Në nenin 25 bëhen këto ndryshime:

1. Në pikën 1, fjalët “… sipas nenit 3, të këtij ligji,…” zëvendësohen me “… sipas nenit 6, të këtij ligji,…”.

2. Pika 3 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“3. Titullarët e njësive publike u sigurojnë punonjësve të strukturës përgjegjëse për harmonizimin e menaxhimit financiar, kontrollin dhe kontabilitetin akses të plotë në dokumentacion, regjistra apo informacione të tjera të nevojshme vetëm për qëllimin e monitorimit dhe vlerësimit të cilësisë së sistemit të menaxhimit financiar dhe kontrollit. Struktura përgjegjëse për harmonizimin e menaxhimit financiar, kontrollit dhe kontabilitetit nuk ka si përgjegjësi kryerjen e auditimeve apo të inspektimeve financiare.”.

Neni 14

Neni 26 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Neni 26
Roli i strukturës përgjegjëse të harmonizimit për menaxhimin financiar, kontrollin dhe kontabilitetin

1. Struktura përgjegjëse e harmonizimit për menaxhimin financiar, kontrollin dhe kontabilitetin në ministrinë përgjegjëse për financat është përgjegjëse për:

a) përgatitjen e ligjeve, të udhëzimeve, të urdhrave dhe të manualeve për fushën e menaxhimit financiar, kontrollit dhe raportimit financiar, për aq sa i takon brenda fushës së saj të përgjegjësisë;
b) përgatitjen, shpërndarjen, përditësimin dhe mbikëqyrjen e zbatimit të strategjive dhe të udhëzimeve metodologjike për menaxhimin financiar e kontrollin dhe kontabilitetin në sektorin publik, në përputhje me standardet ndërkombëtare të pranuara për kontrollin e brendshëm dhe kontabilitetin në sektorin publik, rregulloret e zbatueshme dhe praktikat e mira të Bashkimit Evropian;
c) përcaktimin e nevojave dhe udhëheqjen e asistencës, trajnimeve dhe trajnimeve të vijueshme në fushën e menaxhimit financiar dhe kontrollit, përgjegjshmërisë menaxheriale dhe kontabilitetit në njësitë publike;
ç) bashkërendimin e punës për ngritjen dhe zhvillimin e sistemit të kontrollit të brendshëm financiar publik;
d) ndërgjegjësimin për kontrollin e brendshëm financiar publik me anë të seminareve dhe publikimeve në faqen e internetit të ministrisë përgjegjëse për financat;
dh) shqyrtimin dhe dhënien e mendimeve për të gjitha projektligjet dhe projektaktet nënligjore, rregulluese, të cilat përmbajnë dispozita për menaxhimin financiar dhe kontrollin, si dhe raportimin financiar, në përputhje me dispozitat ligjore përkatëse;
e) bashkëpunimin dhe koordinimin e veprimtarisë me institucionet e tjera për hartimin dhe miratimin e akteve ligjore dhe nënligjore në fushën e raportimit financiar të sektorit privat.

2. Struktura përgjegjëse e harmonizimit për menaxhimin financiar, kontrollin dhe kontabilitetin siguron vlerësimin e cilësisë në mënyrë sistematike për sistemin e menaxhimit financiar dhe kontrollit në njësitë e qeverisjes së përgjithshme dhe shoqëritë tregtare sipas përcaktimeve të nenit 3, të këtij ligji, me qëllim mbledhjen e informacionit për të përmirësuar metodologjinë dhe standardet e punës.

3. Vlerësimi i cilësisë së sistemit të kontrollit të brendshëm dhe ndjekja e rekomandimeve të lëna nga struktura përgjegjëse për harmonizimin e menaxhimit financiar, kontrollit dhe kontabilitetit janë të detyrueshme për të gjitha njësitë publike. Mosrespektimi i kërkesave të procesit të vlerësimit të cilësisë ngarkon me përgjegjësi nëpunësin autorizues ose të deleguarin e tij, të cilët bëhen subjekt i masave disiplinore sipas legjislacionit përkatës në fuqi.

4. Struktura përgjegjëse e harmonizimit për menaxhimin financiar, kontrollin dhe kontabilitetin ndihmon nëpunësin e parë autorizues dhe ministrin përgjegjës për financat për monitorimin dhe vlerësimin e cilësisë së sistemit të menaxhimit financiar e kontrollit dhe për përgatitjen e raportit vjetor për cilësinë dhe funksionimin e sistemit të kontrollit të brendshëm financiar publik, ku përmblidhet informacioni i marrë, në përputhje me dispozitat e nenit 18, të këtij ligji.”.

Neni 15

Pikat 1, 2 dhe 3, të nenit 28, ndryshohen, si më poshtë vijon:

1. Në ministrinë përgjegjëse për financat ngrihet Bordi i Kontrollit të Brendshëm Financiar Publik, si një organ këshillimor për çështjet që lidhen me menaxhimin financiar dhe kontrollin, kontabilitetin dhe auditimin e brendshëm, në sektorin publik.

2. Bordi i Kontrollit të Brendshëm Financiar Publik përbëhet nga ministri përgjegjës për financat, në cilësinë e kryetarit të këtij bordi, nëpunësi i parë autorizues, drejtuesi i strukturës përgjegjëse për kontrollin e brendshëm financiar publik, drejtuesi i strukturës përgjegjëse të buxhetit, drejtuesi i strukturës përgjegjëse për thesarin. Bordi mblidhet të paktën një herë në vit.

3. Bordi i Kontrollit të Brendshëm Financiar Publik mund të thërrasë ekspertë të jashtëm me përvojë në fushën e kontrollit të brendshëm financiar publik sipas çështjeve që vendosen të trajtohen, të cilat fokusohen në nevojën për ndryshim të bazës rregullative të fushës së kontrollit të brendshëm, shqyrtim dhe dhënie rekomandimesh për zhvillimin e mëtejshëm të sistemit të kontrollit të brendshëm në bazë të gjetjeve në rapotin vjetor për cilësinë e funksionimit të sistemit të kontrollit të brendshëm financiar publik.”.

Neni 16

Nenet 29 dhe 30 shfuqizohen.

Neni 17

Neni 31 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“Neni 31
Masa disiplinore dhe masa të tjera

1. Mosrespektimi nga titullari i njësisë publike të kërkesave të neneve 8, pika 8, shkronjat “a”, “b”, “ç” dhe “e”, dhe 18, pika 1, të këtij ligji, përbën rast të rëndë të mosfunksionimit të sistemit të menaxhimit financiar dhe kontrollit në njësinë publike.

2. Mosrespektimi nga nëpunësi autorizues ose të deleguarit e tij i kompetencave të përmendura në nenet 9, pika 5, 18, pika 1, dhe 26, pika 3, të këtij ligji, si dhe bazuar në rezultatet e vlerësimit të cilësisë për sistemin e kontrollit të brendshëm, përbën rast të keqmenaxhimit të sistemit të kontrollit të brendshëm dhe ndaj tij ose të deleguarit të tij fillojnë procedurat disiplinore sipas përcaktimeve ligjore në fuqi, me propozim të nëpunësit të parë autorizues.

3. Ministri përgjegjës për financat, për rastet e përmendura në pikat 1 dhe 2, të këtij neni, njofton organet eprore sipas hierarkisë.

4. Ndaj nëpunësit zbatues dhe menaxherëve të tjerë, të cilët nuk respektojnë përgjegjësitë e parashikuara nga nenet 11 dhe 12, pika 1, të këtij ligji, si dhe bazuar në rezultatet e vlerësimit të cilësisë për sistemin e kontrollit të brendshëm, fillojnë procedurat disiplinore, me propozimin e nëpunësit autorizues të njësisë publike ose të nëpunësit të parë autorizues.”.

Neni 18
Dispozitë kalimtare

Kriteret e përcaktuara në nenin 7, të këtij ligji, për punonjësit në detyrë, do të përmbushen brenda një periudhe kalimtare trevjeçare.

Neni 19

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E T A R I
LINDITA NIKOLLA

###

P R O J E K T L I GJ
PËR

TITUJT E NDERIT DHE TITUJT VENDORË TË NDERIT NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË

Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë

V E N D O S I:

KREU I
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

Neni 1
Objekti

Objekt i këtij ligji është përcaktimi i llojeve të titujve të nderit dhe titujve vendorë të nderit, që jepen në Republikën e Shqipërisë, si dhe rregullave, procedurave dhe kritereve për propozimin, shqyrtimin dhe dhënien e titujve nga institucionet përgjegjëse.

Neni 2
Qëllimi

Ky ligj ka për qëllim krijimin dhe organizimin e titujve të nderit dhe titujve vendorë të nderit në Republikën e Shqipërisë, që jepen si shenjë nderimi ndaj shtetasve shqiptarë apo të huaj, për veprimtari dhe kontribut të dalluar në fusha të ndryshme, për mbrojtjen dhe promovimin e interesave të shtetit, kombit shqiptar apo komuniteteve të njësive të vetëqeverisjes vendore.

Neni 3
Parime të përgjithshme

1. Dhënia e titullit të nderit ose titullit vendor të nderit në Republikën e Shqipërisë udhëhiqet nga parimi i nderimit publik dhe i vlerësimit të kontributit.

2. Përfitimi i një titulli nderi ose titulli vendor nderi nuk është një e drejtë dhe nuk mund të kërkohet si e tillë, në rrugë individuale ose institucionale.

3. Dhënia e titullit të nderit ose titullit vendor të nderit nuk shoqërohet me shpërblim financiar.

Neni 4
Subjektet përfituese

Titujt e nderit dhe titujt vendorë të nderit që parashikohen në këtë ligj mund t’i jepen shtetasve shqiptarë ose të huaj, të cilët janë dalluar në kryerjen e veprimtarive të fushave të ndryshme, brenda ose jashtë vendit, për mbrojtjen dhe promovimin e interesave të shtetit, kombit shqiptar apo komunitetit të njësive të vetëqeverisjes vendore. Nuk u jepen tituj nderi apo tituj vendorë nderi personave që kanë qenë bashkëpunëtorë të ish-Sigurimit të Shtetit.

KREU II
TITUJT E NDERIT

Neni 5
Llojet e titujve të nderit

Titujt e nderit në Republikën e Shqipërisë jepen nga Presidenti i Republikës dhe janë:
a) Titulli “Ambasador i kombit”;
b) Titulli “Qytetar nderi i Republikës së Shqipërisë”.

Neni 6
Titulli “Ambasador i kombit”

Titulli “Ambasador i kombit” i jepet shtetasve shqiptarë ose pjesëtarëve të diasporës, në shenjë mirënjohjeje për veprimtari, kontribute dhe merita të spikatura e të qëndrueshme, që lartësojnë vlerën dhe figurën e kombit shqiptar.

Neni 7
Titulli “Qytetar nderi i Republikës së Shqipërisë”

Titulli “Qytetar nderi i Republikës së Shqipërisë” i jepet shtetasve të huaj në shenjë mirënjohjeje për veprimtari, kontribute dhe merita të spikatura në shërbim të kombit e shtetit shqiptar dhe të forcimit të shoqërisë demokratike, brenda dhe jashtë vendit.

KREU III
TITUJT VENDORË TË NDERIT

Neni 8
Llojet e titujve vendorë të nderit

Titujt vendorë të nderit në Republikën e Shqipërisë janë titulli “Qytetar nderi” dhe tituj të veçantë vendorë nderi që jepen sipas përcaktimeve të këtij ligji.

Neni 9
Titulli “Qytetar nderi”

1. Titulli “Qytetar nderi” jepet nga këshilli bashkiak për veprimtari të shquar, kontribute dhe merita të veçanta në shërbim dhe në dobi të bashkisë ose për veprimtari për mbrojtjen dhe promovimin e interesave të komunitetit brenda territorit të bashkisë.

2. Titulli “Qytetar nderi” i jepet edhe personaliteteve të huaja të nivelit të lartë që vizitojnë një bashki, në kuadër të një vizite zyrtare ose shtetërore.

Neni 10
Titujt e veçantë vendorë të nderit

1. Njësia e vetëqeverisjes vendore ka të drejtë të krijojë dhe të japë jo më shumë se 2 (dy) tituj të veçantë vendorë nderi në një vit kalendarik, për të shprehur mirënjohjen e posaçme për veprimtarinë e shquar në dobi të komunitetit të saj.

2. Titujt e veçantë vendorë të nderit krijohen me vendim të njësisë së vetëqeverisjes vendore, i cili përmban:

a) nevojën për nderimin e veçantë;
b) arsyen përse nderimi me titullin “Qytetar nderi”, sipas nenit 9, të këtij ligji, nuk është i përshtatshëm dhe i mjaftueshëm dhe shtetasi i propozuar për nderim duhet dalluar nga shtetasit e tjerë;
c) emërtesën e titullit të veçantë vendor të nderit, i cili përkon me një datë ose ngjarje të shënuar në territorin e njësisë së vetëqeverisjes vendore.

KREU IV
PROCEDURA E NDERIMIT

Neni 11
E drejta e nismës dhe e propozimit

1. Nisma për dhënien e titullit të nderit ndërmerret nga Presidenti, kryesisht ose me propozimin e:

a) Kryetarit të Kuvendit;
b) Kryeministrit.

2. Propozimi për dhënien e titullit vendor të nderit paraqitet nga:

a) kryetari i bashkisë;
b) çdo anëtar i këshillit bashkiak;
c) prefekti i qarkut.

Neni 12
Kërkesa për ushtrimin e nismës ose propozimit

1. Organet e përcaktuara në nenin 11, të këtij ligji, mund t’i ushtrojnë të drejtat e tyre të nismës dhe propozimit, edhe duke u mbështetur në kërkesat e paraqitura nga personat fizikë e juridikë, privatë ose publikë, për këtë qëllim, sipas parimeve dhe kritereve të këtij ligji.

2. Çdo person fizik e juridik, privat ose publik, ka të drejtë të paraqesë kërkesën për ushtrimin e së drejtës së nismës ose propozimit, për një shtetas të caktuar, në një nga institucionet që e ka këtë të drejtë, sipas nenit 11, të këtij ligji. Në këtë rast, kërkesa duhet të arsyetojë edhe shkaqet për të cilat kërkohet ushtrimi i së drejtës së nismës ose propozimit. Kërkesa nuk mund të paraqitet për nderimin e vetvetes.

3. Institucioni, pranë të cilit është paraqitur kërkesa për ushtrimin e së drejtës së nismës ose propozimit, pas shqyrtimit të saj vendos për pranimin ose refuzimin e kërkesës.

Neni 13
Propozimi për nderim

1. Institucionet, që kanë të drejtën e propozimit, paraqesin propozimin për nderim pranë institucionit përgjegjës për dhënien e titullit përkatës jo më vonë se 90 (nëntëdhjetë) ditë kalendarike përpara datës së propozuar për dhënien e titullit, me përjashtim të rasteve kur, sipas rrethanave të çështjes, nuk është i mundur zbatimi i këtij afati.

2. Propozimi për nderim përmban:

a) institucionin propozues;
b) bazën ligjore për propozimin;
c) të dhëna identifikuese të shtetasit të propozuar për nderim;
ç) lidhjen ndërmjet institucionit dhe shtetasit të propozuar për nderim;
d) veprimtarinë e kryer nga shtetasi i propozuar për nderim, si dhe arsyet e hollësishme për nderimin e tij;
dh) llojin e titullit të propozuar;
e) informacione, shoqëruar me dokumentacionin provues, që vërtetojnë përmbushjen e kritereve përkatëse për nderim, sipas përcaktimeve të këtij ligji;
ë) informacionin se shtetasi i propozuar për nderim nuk është dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një vepre penale, si dhe që nuk është nën hetim ose gjykim për një vepër penale nga organet përgjegjëse;
f) të dhënat për dekorime ose nderime të mëparshme të shtetasit të propozuar;
g) çdo element tjetër të nevojshëm për verifikimin dhe plotësimin e kritereve përkatëse për nderim.

3. Kur nisma ndërmerret kryesisht nga Presidenti, përmban informacionin dhe dokumentacionin provues të përcaktuar në shkronjat “b” deri “g”, të pikës 2, të këtij neni.

Neni 14
Komisioni këshillimor

1. Presidenti dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore, me qëllim shqyrtimin e nismave dhe propozimeve për nderim, jo më vonë se 60 (gjashtëdhjetë) ditë përpara datës së caktuar për nderim, ngrenë, përkatësisht, komisionin këshillimor.

2. Komisioni këshillimor përbëhet nga 5 (pesë) anëtarë, ku 3 (tre) anëtarë janë punonjës nën varësinë e institucionit përgjegjës për dhënien e titullit dhe 2 (dy) anëtarë janë personalitete të jashtme.

3. Institucioni përgjegjës për dhënien e titullit i dërgon komisionit këshillimor për shqyrtim të gjitha nismat për nderim, të bëra kryesisht ose nga institucionet që kanë të drejtë të ushtrojnë të drejtën e propozimit.

4. Rregullat e hollësishme për kriteret, procedurat për përzgjedhjen e anëtarëve, funksionimin, si dhe mënyrën e ushtrimit të përgjegjësive të komisioneve, përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

Neni 15
Shqyrtimi paraprak i propozimit

1. Komisioni këshillimor, brenda 5 (pesë) ditëve nga ngritja e tij, verifikon paraprakisht nëse nisma ose propozimi për nderim është paraqitur:

a) nga institucionet e caktuara në nenin 11, të këtij ligji;
b) brenda afatit dhe përmban të gjitha elementet e përcaktuara në nenin 13, të këtij ligji.

2. Në përfundim të verifikimit paraprak, komisioni këshillimor:

a) vendos për vijimin e shqyrtimit të nismës ose të propozimit;
b) i kërkon institucionit që ka ndërmarrë nismën kryesisht ose institucionit propozues plotësimin e të metave të propozimit për nderim brenda 10 (dhjetë) ditëve;
c) dërgon pranë institucionit përgjegjës për dhënien e titullit mendimin për mospranimin e propozimit kur ai është paraqitur jashtë afatit të përcaktuar në nenin 13, të këtij ligji.

Neni 16
Shqyrtimi i propozimit

1. Komisioni këshillimor, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga marrja e vendimit për vijimin e shqyrtimit të propozimit ose nga plotësimi i të metave të tij, shqyrton dhe dërgon mendimin për përmbushjen ose jo të kritereve për nderim.

2. Krahas informacionit dhe dokumentacionit të paraqitur në nismën ose propozimin për nderim, komisioni kërkon informacione ose dokumentacion shtesë nga shtetasi i propozuar për nderim, si dhe nga çdo person fizik ose juridik apo organ publik, vendas ose i huaj, që disponon të dhëna të vlefshme për shqyrtimin e plotë të nismës ose të propozimit.

3. Çdo subjekt i përmendur në pikën 2, të këtij neni, përmbush kërkesat e komisionit për informacione dhe dokumentacion, me përjashtim të rasteve të kufizuara me ligj, brenda një afati ligjor të arsyeshëm të përcaktuar nga komisioni në kërkesën e tij.

4. Në çdo rast, komisioni çmon, sipas bindjes së tij, se cilat fakte konsiderohen të provuara bazuar në parimet e përcaktuara në nenin 3, të këtij ligji, në vlerësimin e hollësishëm të informacioneve dhe dokumentacioneve në dispozicion, si dhe në rezultatin tërësor të shqyrtimit, duke hartuar për këtë qëllim raportin përkatës.

5. Procesi i shqyrtimit të nismës ose propozimit mund të shtyhet për shkak të rrethanave të paparashikuara që dëmtojnë reputacionin dhe vlerën e aktit të nderimit në opinionin publik, deri në sqarimin e këtyre rrethanave.

Neni 17
Mendimi i komisionit

Në përfundim të shqyrtimit, komisioni i dërgon institucionit përgjegjës për dhënien e titullit mendimin e arsyetuar, për:

a) miratimin e nismën ose propozimit;
b) refuzimin e nismës ose propozimit për shkak të mosplotësimit të të metave brenda afatit 10 (dhjetë)-ditor ose për shkak të mospërmbushjes së kritereve sipas këtij ligji.

Neni 18
Vendimmarrja për propozimin

1. Miratimi ose refuzimi i propozimit bëhet me:

a) dekret, në rastin titujve të nderit;
b) vendim, në rastin e titujve vendorë të nderit.

2. Në çdo rast, vendimmarrja për propozimin u njoftohet institucionit propozues dhe komisionit këshillimor.
3. I njëjti propozim nuk mund të bëhet pa kaluar 2 (dy) vite nga njoftimi për refuzimin e tij.

Neni 19
Heqja e titujve

Heqja e titujve dhe titujve vendorë të nderit bëhet:

a) me vendim të formës së prerë të dhënë nga gjykatat shqiptare, kur është dhënë si dënim plotësues sipas përcaktimeve në Kodin Penal;
b) me vendim të institucionit përgjegjës për dhënien e titullit ose titullit vendor të nderit, kur mbajtësi i tij:

i. është dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një vepre penale; ose
ii. është shpallur “person i padëshiruar”, sipas përcaktimeve të legjislacionit që rregullon regjimin e hyrjes e të qëndrimit të të huajve në Republikën e Shqipërisë.

KREU V
DISPOZITA KALIMTARE DHE TË FUNDIT

Neni 20
Aktet nënligjore

Ngarkohet Këshilli i Ministrave që, brenda 6 (gjashtë) muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, të miratojë aktin nënligjor në zbatim të pikës 4, të nenit 14, të këtij ligji.

Neni 21
Dispozitë kalimtare

1. Të gjithë titujt e dhënë përpara hyrjes në fuqi të këtij ligji njihen dhe mbahen sipas motivacionit dhe kushteve me të cilat janë dhënë.

2. Heqja e tyre bëhet sipas përcaktimeve të këtij ligji.

Neni 22
Hyrja në fuqi

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E T A R I
LINDITA NIKOLLA 

 

 

*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.

 

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.