Projektligje të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 24 Dhjetor 2019

Projektligje të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 24 Dhjetor 2019:

 

P R O J E K T L I G J 

PËR

TRAJTIMIN FINANCIAR TË PUNONJËSVE TË POLICISË SË SHTETIT, GARDËS SË REPUBLIKËS DHE SHËRBIMIT PËR ÇËSHTJET E BRENDSHME DHE ANKESAT, NË MINISTRINË E BRENDSHME, PAS NDËRPRERJES SË MARRËDHËNIEVE TË PUNËS

Në mbështetje të neneve 78 e 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë

 

V E N D O S I:

Neni 1
Qëllimi

Qëllimi i këtij ligji është t’u garantojë trajtim financiar punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, në Ministrinë e Brendshme, në rast të ndërprerjes së marrëdhënieve të punës, përpara daljes në pension të plotë pleqërie.

Neni 2
Subjektet përfitues

Subjekte të përfitimit të trajtimit financiar, sipas këtij ligji, janë punonjësit e Policisë së Shtetit, punonjësit e Gardës së Republikës dhe punonjësit e Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, në Ministrinë e Brendshme, me gradë dhe që plotësojnë kriteret e përcaktuara në këtë ligj.

Neni 3
Vjetërsia në shërbim

Për efekt të përfitimit të trajtimit financiar, pas ndërprerjes së marrëdhënieve të punës, njihet si vjetërsi shërbimi, vjetërsia e shërbimit e përcaktuar në legjislacionin e posaçëm që rregullon veprimtarinë e Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, në Ministrinë e Brendshme.

Neni 4
Kriteret e përfitimit të trajtimit financiar

1. Punonjësi i Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat përfiton trajtimin financiar sipas këtij ligji, pas ndërprerjes së marrëdhënieve të punës deri në plotësimin e moshës për pension të plotë pleqërie, kur:

a) ka mbushur moshën 55 vjeç;
b) plotëson 30 vite vjetërsi shërbimi në strukturat e Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës, Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat apo në struktura të tjera shtetërore me gradë.

2. Trajtimi financiar i punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, në Ministrinë e Brendshme, sipas përcaktimeve në pikën 1, të këtij neni, është në masën 50% të pagës mujore neto, në momentin e ndërprerjes së marrëdhënieve të punës me shërbimin përkatës.

3. Gjatë periudhës së trajtimit me pagesë kalimtare, sipas legjislacionit përkatës në fuqi, masa e trajtimit financiar, sipas këtij ligji, nuk duhet të kalojë masën e pagës mujore neto, në momentin e ndërprerjes së marrëdhënieve të punës me shërbimin përkatës.

4. Trajtimi financiar përfitohet me kërkesë të punonjësit ose të titullarit të institucionit përkatës dhe miratohet nga Komisioni i Posaçëm. Përzgjedhja e përfituesve do të bëhet nga Komisioni i Posaçëm, sipas kritereve të moshës, të vjetërsisë në shërbim, aftësisë fizike të punonjësve dhe duhet të garantojë respektimin e parimeve të mosdiskriminimit, të objektivitetit, të transparencës dhe të paanshmërisë.

5. Përbërja, organizimi dhe funksionimi i Komisionit të Posaçëm përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

Neni 5
Financimi

Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij ligji, mbulohen nga buxheti vjetor përkatës i miratuar për Ministrinë e Brendshme.

Neni 6
Indeksimi

Trajtimi financiar pas ndërprerjes së marrëdhënieve të punës të punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat indeksohet sa herë bëhet indeksimi i pensioneve, me vendim të Këshillit të Ministrave.

Neni 7
Detyrimet e përfituesit, sipas këtij ligji

1. Punonjësit e Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës dhe të Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, në Ministrinë e Brendshme, që përfitojnë trajtimin financiar sipas këtij ligji, kanë detyrimin të aktivizohen në shërbim deri në 700 orë në vit dhe, gjatë kësaj periudhe, kanë të njëjtat të drejta e detyrime si punonjësit e tjerë të shërbimit përkatës, me përjashtim të trajtimit financiar.

2. Mosplotësimi i detyrimit të këtij neni është shkak për ndërprerjen e trajtimit financiar sipas këtij ligji. Ndërprerja e përfitimit të trajtimit financiar bëhet me propozim të titullarit të institucionit përkatës dhe miratim të Komisionit të Posaçëm.

3. Rregullat dhe procedura për aktivizimin në shërbim, sipas pikës 1, të këtij neni, përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

Neni 8
Dispozita kalimtare dhe të fundit

1. Dispozitat e këtij ligji zbatohen vetëm për punonjësit e Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës dhe të Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, në Ministrinë e Brendshme, që plotësojnë kriteret e përcaktuara në nenin 4, të këtij ligji, dhe ndërpresin marrëdhëniet e punës pas hyrjes në fuqi të tij.

2. Trajtimi financiar ndërpritet kur përfituesi rikthehet në Policinë e Shtetit, Gardën e Republikës dhe Shërbimin për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, si dhe në rastet kur punësohet në sektorin publik.

3. Trajtimi financiar, i përfituar nga ky ligj, nuk prek përfitimet që i lindin punonjësit të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës dhe të Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, në Ministrinë e Brendshme, nga legjislacioni në fuqi.

Neni 9
Nxjerrja e akteve nënligjore

Ngarkohet Këshilli i Ministrave që të nxjerrë vendim në zbatim të neneve 4, pika 5 dhe 7, pika 3, të këtij ligji, brenda 3 muajve nga hyrja në fuqi e tij.

Neni 10
Hyrja në fuqi

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E T A R I

GRAMOZ RUÇI

 

###

 

V E N D I M

PËR

PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR TRAJTIMIN FINANCIAR TË PUNONJËSVE TË POLICISË SË SHTETIT, GARDËS SË REPUBLIKËS DHE SHËRBIMIT PËR ÇËSHTJET E BRENDSHME DHE ANKESAT NË MINISTRINË E BRENDSHME, PAS NDËRPRERJES SË MARRËDHËNIEVE TË PUNËS”

Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

Propozimin e projektligjit “Për trajtimin financiar të punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Ministrinë e Brendshme, pas ndërprerjes së marrëdhënieve të punës”, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

P R O J E K T L I GJ

PËR

ADERIMIN E REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË NË ANEKSIN VI TË KONVENTËS NDËRKOMBËTARE DETARE “PËR PARANDALIMIN E NDOTJEVE NGA ANIJET, 1973”, TË NDRYSHUAR ME PROTOKOLLIN E VITIT 1978 (MARPOL 73/78)

Në mbështetje të neneve 78 e 83, pika 1, dhe 121, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë

 

V E N D O S I:

Neni 1

Aderimin e Republikës së Shqipërisë aderon në aneksin VI të konventës ndërkombëtare detare “Për parandalimin e ndotjeve nga anijet, 1973”, të ndryshuar me protokollin e vitit 1978 (MARPOL 73/78), duke përfshirë dhe rezolutat MEPC.271(69) dhe MEPC.278(70), sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij ligji dhe është pjesë përbërëse e tij.

Neni 2

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E T A R I

GRAMOZ RUÇI

 

###

 

V E N D I M

PËR

PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR ADERIMIN E REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË NË ANEKSIN VI TË KONVENTËS NDËRKOMBËTARE DETARE “PËR PARANDALIMIN E NDOTJEVE NGA ANIJET, 1973”, TË NDRYSHUAR ME PROTOKOLLIN E VITIT 1978 (MARPOL 73/78)”

Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës dhe të nenit 18, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

Propozimin e projektligjit “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në aneksin VI të konventës ndërkombëtare detare “Për parandalimin e ndotjeve nga anijet, 1973”, të ndryshuar me protokollin e vitit 1978 (MARPOL 73/78)”, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit bashkëlidhur këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

P R O J E K T L I GJ

PËR

DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË LIGJIN NR.43/2015, “PËR SEKTORIN E ENERGJISË ELEKTRIKE”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë

 

V E N D O S I:

 

Në ligjin nr.43/2015, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:

Neni 1

Fjalia e dytë, e pikës 4, të nenit 17, shfuqizohet.

Neni 2

Fjalia e parë dhe e dytë e pikës 5 si dhe pika 7, e nenit 28, shfuqizohen.

Neni 3

Pika 1, e nenit 31, ndryshohet, si më poshtë vijon:

“1. Linjat e reja të interkoneksionit, që ndërtohen nga investitorët privatë, miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozimin e ministrit përgjegjës për energjinë.”.

Neni 4

Në pikën 2, të nenit 49, pas shkronjës “h” shtohet shkronja “i”, me këtë përmbajtje:
“i) zhvillimin e procesit konkurrues për miratimin e ndërtimit të kapaciteteve prodhuese të energjisë nga hidrocentralet.”.

Neni 5

Pika 8, e nenit 60, shfuqizohet.

Neni 6

Shkronjat “a” dhe “b”, të pikës 3, të nenit 7, ndryshohen, si më poshtë vijon:

“a) Të ketë të drejta të plota vendimmarrëse, të pavarura nga shoqëria e integruar e energjisë elektrike, lidhur me asetet e nevojshme për funksionimin, mirëmbajtjen ose zhvillimin e rrjetit të shpërndarjes.

Për të përmbushur këto detyra, operatori i sistemit të shpërndarjes duhet të ketë në dispozicion burimet e nevojshme, përfshirë burimet njerëzore, teknike, fizike dhe financiare.

Shoqëria mëmë (kontrolluese), ka të drejtën e mbikëqyrjes ekonomike dhe menaxheriale, në lidhje me kthimin e aktiveve, miratimin e planit ekonomik financiar, ose çdo instrument tjetër të barasvlershëm, të operatorit të sistemit të shpërndarjes, dhe të vendosë kufijtë e përgjithshëm në nivelet e borxhit të shoqërisë bijë (të kontrolluar).

Shoqëria mëmë (kontrolluese), nuk mund të japë udhëzime për veprimtarinë e përditshme operacionale të operatorit të sistemit të shpërndarjes së energjisë dhe nuk ka të drejtë të marrë vendime lidhur me ndërtimin apo rikonstruksionin e linjave të shpërndarjes, vlera e investimit e të cilave nuk tejkalon nivelet e planeve financiare të miratuara apo vlerat e përcaktuara në statutin e shoqërisë, apo legjislacionin në fuqi;

b) Të hartojë një program pajtueshmërie që përcakton masat që do të merren për të siguruar ndalimin e veprimeve diskriminuese, si dhe të sigurojë që respektimi i programit të monitorohet në mënyrën e duhur. Programi i pajtueshmërisë përcakton detyrimet specifike të punonjësve për përmbushjen e këtij objektivi.

Personi ose organi përgjegjës për monitorimin e programit të pajtueshmërisë (zyrtari i pajtueshmërisë së operatorit të sistemit të shpërndarjes), paraqet çdo vit në ERE, një raport vjetor, i cili përcakton masat e marra në kuadër të programit të pajtueshmërisë. Ky raport publikohet në faqen zyrtare të ERE-s.

Zyrtari i pajtueshmërisë së operatorit të sistemit të shpërndarjes është plotësisht i pavarur dhe ka akses në të gjitha informacionet e nevojshme të operatorit të sistemit të shpërndarjes dhe çdo shoqërie të lidhur, për të përmbushur detyrën e tij.”.

Neni 7
Dispozitë kalimtare

Parashikimi i nenit 4, të këtij ligji, nuk zbatohet për subjektet që janë pajisur me “Miratim paraprak”, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Neni 8

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E T A R I

GRAMOZ RUÇI

 

###

 

V E N D I M

PËR

PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË LIGJIN NR.43/2015, “PËR SEKTORIN E ENERGJISË ELEKTRIKE”, TË NDRYSHUAR”

Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

Propozimin e projektligjit “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.43/2015, “Për sektorin e energjisë elektrike”, të ndryshuar”, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

AKT NORMATIV

PËR

DISA NDRYSHIME NË LIGJIN NR.99/2018, “PËR BUXHETIN E VITIT 2019”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 101 të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

Në ligjin nr.99/2018, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime:

Neni 1

Neni 4 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“Neni 4

Buxheti i sigurimeve shoqërore për vitin 2019 është, si më poshtë vijon:

l. Sigurimi i detyrueshëm, programet kompensuese dhe trajtimet e veçanta.

Të ardhurat, gjithsej                                             127 534 milionë lekë;

Nga të cilat:

– kontributet                                                 82 896 milionë lekë;
– transferimet nga buxheti i shtetit              38 232 milionë lekë;
– teprica e rezultatit financiar të vitit 2018 2 106 milionë lekë;
– transferta nga buxheti për indeksimin e pensioneve  2 310 milionë lekë;
– transferta për bonusin e pensionistëve   1 990 milionë lekë;

Shpenzimet                                                                 127 534 milionë lekë.

Paga minimale, për efekt të pagesës së kontributit të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, është e barabartë me pagën minimale në shkallë vendi dhe ndryshon sa herë që ndryshon kjo pagë. Këshilli i Ministrave përcakton masën e kontributit për personat e vetëpunësuar në bujqësi, si dhe të kategorive të veçanta të personave të vetëpunësuar. Për vitin 2019, teprica ndërmjet të ardhurave dhe shpenzimeve, sipas degëve dhe programeve të sigurimit shoqëror të detyrueshëm e suplementar, përdoret për mbulimin e deficitit të degës së pensioneve.

2. Sigurimi suplementar

Të ardhurat, gjithsej                                                            5 844 milionë lekë;

Nga të cilat:

–  kontributet                                                                     1 446 milionë lekë;
–  transferimet nga buxheti i shtetit                                   4 258 milionë lekë;
–  fondi për indeksimin e pensioneve                                140 milionë lekë;

Shpenzimet                                                                          5 844 milionë lekë.

Fondi për indeksimin e pensioneve është parashikuar 2 450 milionë lekë. Përdorimi i këtij fondi bëhet sipas përcaktimeve në nenin 61, të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, tё ndryshuar. Shpenzimet administrative, si pjesë e shpenzimeve totale për skemën e sigurimeve shoqërore, janë jo më shumë se 2 618 milionë lekë dhe ndahen sipas skemave në proporcion me shpenzimet e drejtpërdrejta.”.

Bonusi i pensionistëve, në masën 3 000 lekë për pensionist, zbatohet nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore dhe Posta Shqiptare, sh.a. Pagesat respektive kryhen në muajin dhjetor të vitit 2019 dhe gjatë fillimit të vitit 2020.

Neni 2

Në nenin 10 bëhen këto ndryshime:

a) Në paragrafin e parë, zëri “Fondi rezervë” bëhet 2 235 milionë lekë;
b) Tabelat 1 dhe 4, të përmendura në nenin 10, zëvendësohen, përkatësisht, me tabelat me të njëjtin numërtim, që i bashkëlidhen këtij akti dhe janë pjesë përbërëse e tij.”.

Neni 3

Paragrafi i parë, i nenit 13, ndryshohet, si më poshtë vijon:

“Fondi rezervë i buxhetit prej 2 235 milionë lekësh përdoret nga Këshilli i Ministrave për raste të paparashikuara të njësive të qeverisjes së përgjithshme.”.

Neni 4

Ky akt normativ hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.