Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Projektligje të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 24 Janar 2018:

V E N D I M

PËR

PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR PËRCAKTIMIN E PROCEDURËS SË VEÇANTË PËR NEGOCIIMIN DHE LIDHJEN E KONTRATËS, NDËRMJET SHTETIT SHQIPTAR DHE SHOQËRIVE “CENGIZ CONSTRUCTION & KALYON & KOLIN CONSTRUCTION”, ME OBJEKT PROJEKTIMIN, NDËRTIMIN, OPERIMIN, MIRËMBAJTJEN DHE MENAXHIMIN E AEROPORTIT TË QYTETIT TË VLORËS”

Në mbështetje të neneve 81, pika 1, 83, pika 2, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë dhe të ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Propozimin e projektligjit “Për përcaktimin e procedurës së veçantë për negociimin dhe lidhjen e kontratës, ndërmjet shtetit shqiptar dhe shoqërive “Cengiz Construction & Kalyon & Kolin Construction”, me objekt projektimin, ndërtimin, operimin, mirëmbajtjen dhe menaxhimin e aeroportit të qytetit të Vlorës”, për shqyrtim dhe miratim, me procedurë të përshpejtuar, në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi

ZËVENDËSKRYEMINISTRI

SENIDA MESI

###

P R O J E K T L I GJ

PËR

PËRCAKTIMIN E PROCEDURËS SË VEÇANTË PËR NEGOCIIMIN DHE LIDHJEN E KONTRATËS, NDËRMJET SHTETIT SHQIPTAR DHE SHOQËRIVE “CENGIZ CONSTRUCTION & KALYON & KOLIN CONSTRUCTION”, ME OBJEKT PROJEKTIMIN, NDËRTIMIN, OPERIMIN, MIRËMBAJTJEN DHE MENAXHIMIN E AEROPORTIT TË QYTETIT TË VLORËS

Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë

V E N D O S I:

Neni 1
Qëllimi

Ky ligj përcakton procedurën e veçantë për negociimin dhe lidhjen e kontratës, ndërmjet shtetit shqiptar dhe shoqërive “Cengiz Construction & Kalyon & Kolin Construction”, me objekt projektimin, ndërtimin, operimin, mirëmbajtjen dhe menaxhimin e aeroportit të qytetit të Vlorës.

Neni 2
Procedura e negociimit

Procedura e negociimit për lidhjen e kontratës do të ndiqet nga komisioni i negociimit të kontratës, i ngritur me urdhër të Kryeministrit, i cili kryesohet nga ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë dhe në përbërje të tij ka anëtarë, përfaqësues nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Avokatura e Shtetit, Autoriteti i Aviacionit Civil dhe përfaqësues nga institucione të tjera që gjykohen të nevojshme, i cili fillon negociatat brenda 45 ditëve nga momenti i hyrjes në fuqi të këtij ligji.
Komisioni i negociimit të kontratës negociion me shoqëritë “Cengiz Construction & Kalyon & Kolin Construction” propozimin e paraqitur prej tyre dhe përpilon projektkontratën finale, shoqëruar me relacionin përmbyllës të negociatave.

Projektkontrata, e shoqëruar me relacionin përmbyllës të negociatave, brenda një afati prej 90 ditësh nga data e nisjes së negociatave, i dërgohet për nënshkrim ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë dhe ministrit të Financave dhe Ekonomisë.

Neni 3
Nënshkrimi i kontratës

Nënshkrimi i kontratës nga ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë dhe ministri i Financave dhe Ekonomisë bëhet brenda afatit kohor prej 10 ditësh nga data e marrjes së projektkontratës dhe relacionit përmbyllës të negociatave.

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë dhe ministri i Financave dhe Ekonomisë mund t’i kërkojnë komisionit të negociimit të kontratës rishikimin e projektkontratës. Ky komision duhet të rinegociojë dhe t’ua paraqesë për nënshkrim ministrave projektkontratën, të shoqëruar me relacionin përmbyllës të negociatave, brenda afatit kohor prej 30 ditësh, duke filluar nga afati i rikthimit.

Neni 4
Miratimi i kontratës

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë dhe ministri i Financave dhe Ekonomisë dërgojnë për miratim në Këshillin e Ministrave projektligjin e hartuar nga komisioni i negociimit të kontratës, brenda 10 ditëve nga data e nënshkrimit të saj.

Kontrata miratohet nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë.

Data e hyrjes në fuqi e kontratës do të jetë data e hyrjes në fuqi të ligjit, pas miratimit nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë.

Neni 5
Hyrja në fuqi

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”

K R Y E T A R I

GRAMOZ RUÇI

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.