Projektligje të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 24 Korrik 2024:
P R O J E K T L I GJ
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË LIGJIN NR.43/2023, “PËR QEVERISJEN ELEKTRONIKE”
Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I:
Në ligjin nr.43/2023, “Për qeverisjen elektronike”, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
Neni 1
Në nenin 4 bëhen këto ndryshime:
1. Pika 37 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“37. “Shërbim publik elektronik” është produkti që ofrohet nga institucionet e administratës shtetërore, institucione të pavarura dhe të qeverisjes vendore, brenda juridiksionit të tyre, personave fizikë dhe juridikë, në bazë të kërkesave të tyre dhe që rezulton në një përgjigje të formave të ndryshme, si certifikatë, licencë, leje, vërtetim etj., nga institucioni përgjegjës i parashikuar në ligj.”.
2. Pas pikës 46 shtohet pika 47, me këtë përmbajtje:
“47. “Riinxhinerim” është procesi që synon thjeshtëzimin e procedurave administrative të nevojshme për përfitimin e një shërbimi, të dokumentacionit përkatës apo të proceseve të tjera të lidhura me lëvrimin e shërbimit, edhe nëpërmjet përdorimit të teknologjisë së informacionit.”.
Neni 2
Në shkronjën “c”, të nenit 8, shkurtimi “BCC” bëhet “BC” dhe shkurtimi “DRC” bëhet “DR”.
Neni 3
Në nenin 9 bëhen këto ndryshime:
1. Në shkronjën “ç”, fjalët “… në të cilën shërbimet dhe sistemet nuk mund të jenë funksionale;” zëvendësohen me “… të pranueshme, në të cilën shërbimet dhe sistemet mund të mos jenë funksionale;”.
2. Pika 2 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“2. Autoritetet publike/subjektet private, përgjegjëse për ofrimin e shërbimit elektronik, përpara vënies në punë të sistemeve apo të shërbimeve elektronike, janë të detyruara të përmbushin minimalisht standardet qeveritare të TIK-ut dhe standardet e shërbimeve publike elektronike (e-shërbimet), që miratohen me udhëzim të drejtorit të Përgjithshëm të AKSHI-t.”.
3. Pika 3 shfuqizohet.
Neni 4
Në pikën 5, të nenit 11, pas fjalëve “… bëjnë ruajtjen e …” shtohen “… të paktën një kopje të …”.
Neni 5
Në nenin 22 bëhen këto ndryshime:
1. Pika 3 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“3. Pranë AKSHI-t krijohet dhe funksionon Bordi Këshillimor për Teknologjinë e Informacionit, si organ konsultativ për çështjet e teknologjisë dhe informacionit.”.
2. Në pikën 4, fjalët “… Komitetit Ndërministror për Teknologjinë dhe Inovacionin …” zëvendësohen me “… Bordit Këshillimor për Teknologjinë e Informacionit …”.
Neni 6
Shkronja “c”, e nenit 25, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“c) ofron shërbimet e autentifikimit, nënshkrimit elektronik, vulës elektronike dhe certifikatës elektronike për organet dhe institucionet e administratës publike dhe subjektet private, shtetasit shqiptarë dhe/ose të huaj, sipas tarifave të përcaktuara në vendimin e Këshillit të Ministrave;”.
Neni 7
Në nenin 27 bëhen këto ndryshime:
1. Shkronja “a” ndryshohet, si më poshtë vijon:
“a) përcakton standardet qeveritare të TIK-ut dhe standardet e shërbimeve publike elektronike (e-shërbimet), në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe evropiane, të adoptuara, që do të ndiqen nga institucionet e administratës shtetërore dhe subjektet private.”.
2. Pas shkronjës “e” shtohet shkronja “ë”, me këtë përmbajtje:
“ë) harton Kornizën Kombëtare të Ndërveprimit në Republikën e Shqipërisë, e cila miratohet me vendim të Këshillit të Ministrave.”.
Neni 8
Shkronja “h”, e nenit 29, shfuqizohet.
Neni 9
Në pikën 2, të nenit 30, fjalët “… një zëvendësdrejtor …” zëvendësohen me “… dy zëvendësdrejtorë …”.
Neni 10
Në nenin 34 shtohet paragrafi, me këtë përmbajtje:
“Drejtori i Përgjithshëm dhe nëpunësit e njësive teknike të përmbajtjes së AKSHI-t, përveç pagës sipas kategorive të pagës së përcaktuar me vendim të Këshillit të Ministrave, përfitojnë një shtesë për natyrë të veçantë pune. Masa e shtesës për natyrë të veçantë për secilën kategori përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave.”.
Neni 11
Në shkronjën “dh”, të nenit 37, fjalët “… dhe qendrën e ruajtjes së informacionit (Back-up Center) …” zëvendësohen me “… dhe sistemet e ruajtjes së informacionit (Backup Systems) …”.
Neni 12
Në nenin 54 bëhen këto ndryshime:
1. Pika 1 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“1.Projektet TIK në administratën publike zhvillohen dhe projektohen duke garantuar ndërveprueshmërinë e sistemeve dhe të shërbimeve nëpërmjet Platformës Qeveritare të Ndërveprimit.”.
2. Pika 2 shfuqizohet.
Neni 13
Në nenin 57 bëhen këto ndryshime:
1. Në pikën 1 hiqen fjalët “… 9, pika 3 …”, “29, shkronja “h”,” dhe “54, pika 2, …” dhe shtohen fjalët “… 27, shkronja “ë”, dhe 34 …”.
2. Në pikën 2, pas fjalëve “… në zbatim …” shtohen “… dhe të pikës 2, të nenit 9…”.
Neni 14
Dispozita kalimtare
Trajtimi i punonjësve ekzistues të ADISA-s do të bëhet në përputhje me parashikimet e legjislacionit që rregullon marrëdhënien e tyre të punës.
Neni 15
Shfuqizime
Ligji nr.13/2016, “Për mënyrën e ofrimit të shërbimeve publike në sportel në Republikën e Shqipërisë”, shfuqizohet.
Neni 16
Hyrja në fuqi
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E T A R I
LINDITA NIKOLLA
###
V E N D I M
PËR
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË LIGJIN NR.43/2023, “PËR QEVERISJEN ELEKTRONIKE””
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Propozimin e projektligjit “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.43/2023, “Për qeverisjen elektronike””, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
P R O J E K T L I GJ
PËR
DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË LIGJIN NR.72/2012, “PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E INFRASTRUKTURËS KOMBËTARE TË INFORMACIONIT GJEOHAPËSINOR NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË”
Në mbështetje të neneve 78, 81, pika 1, dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I:
Në ligjin nr.72/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e infrastrukturës kombëtare të informacionit gjeohapësinor në Republikën e Shqipërisë”, bëhen këto shtesa dhe ndryshime:
Neni 1
Në nenin 3 bëhen shtesat dhe ndryshimet e mëposhtme:
1. Pas pikës 10 shtohen pikat 10/1 dhe 10/2, me këtë përmbajtje:
“10/1. “Harta bazë” është një hartë që përshkruan apo paraqet informacione gjeohapësinore të realitetit fizik të sipërfaqes së tokës, për të cilën vendosen, përpunohen dhe përditësohen informacione të tjera tematike, sipas temave të përcaktuara në nenin 11, të këtij ligji.
10.2 “Remote Sensing” është teknologjia shkencore e përftimit të të dhënave‚ paraqitjes dhe njohjes së informacionit mbi sipërfaqen tokësore dhe të objekteve mbi të, pa qenë në kontakt me to. Kjo mundësohet me anë të “kapjes” së ndijimeve (skanimit) dhe regjistrimit të energjisë së rrezatimit të reflektuar dhe të emetuar nga objektet në dhe mbi sipërfaqen tokësore dhe më pas të përpunimit, të analizimit dhe të përdorimit të informacionit të përftuar.”.
2. Pika 20 shfuqizohet.
Neni 2
Në nenet 6, pika 3, 9, pika 2, 10, pika 2, 11, pika 3, 13, pikat 1, 2, shkronja “a”, dhe 4, 16, pika 1 dhe 19, pika 3, fjalët “… me propozimin e ministrit …”, “… të propozuar nga ministri …” dhe “… sipas propozimit të ministrit …” hiqen.
Neni 3
Pika 1, e nenit 6, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“1. ASIG-u është institucion publik qendror, me personalitet juridik, në varësi të Kryeministrit.”.
Neni 4
Në nenin 7, pas shkronjës “h” shtohen shkronjat “i” dhe “j”, me këtë përmbajtje:
“i) mbledh, analizon, administron, përpunon me teknologji të avancuar dhe shpërndan informacionin gjeohapësinor të mbledhur me metodat pasive dhe aktive të Remote Sensing-ut;
j) krijon dhe mirëmban hartën bazë në Republikën e Shqipërisë, në përputhje me legjislacionin e zbatueshëm (aktet nënligjore në fuqi të dala në zbatim të këtij ligji).”.
Neni 5
Në nenin 8 bëhen ndryshimet dhe shtesat e mëposhtme:
1. Titulli ndryshohet dhe zëvendësohet me “Drejtori i Përgjithshëm i ASIG-ut”.
2. Në pikën 1, emërtimi “Drejtori i ASIG-ut …” zëvendësohet me “Drejtori i Përgjithshëm i ASIG-ut …”.
3. Pika 2 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“2. Drejtori i Përgjithshëm i ASIG-ut emërohet, lirohet ose shkarkohet nga Kryeministri.”.
4. Pika 3 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“3. Drejtori i Përgjithshëm duhet të plotësojë kriteret e mëposhtme:
a) Të jetë shtetas shqiptar;
b) Të ketë zotësi të plotë për të vepruar;
c) Të zotërojë të paktën diplomë të nivelit “Master i shkencave” apo “Master profesional” të përfituar në fund të studimeve të ciklit të dytë me 120 kredite dhe me kohëzgjatje normale 2 vite akademike;
ç) Të ketë përvojë pune jo më pak se 5 vjet në pozicione drejtuese;
d) Të mos jetë i dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një vepre penale;
dh) Ndaj tij të mos jetë marrë masë disiplinore e largimit nga puna, që nuk është shuar sipas legjislacionit në fuqi;
e) Të mos ketë konflikt interesi në ushtrimin e detyrës, në përputhje me legjislacionin e konfliktit të interesave.”.
5. Pas pikës 3 shtohen pikat 4 dhe 5, me këtë përmbajtje:
“4. Drejtori i Përgjithshëm lirohet nga detyra kur:
a) ka mbushur moshën për pension;
b) deklarohet i paaftë për punë nga komisioni kompetent mjekësor;
c) ristrukturohet institucioni;
ç) gjendet në një situatë konflikti të vazhdueshëm interesi;
d) jep dorëheqjen nga detyra;
dh) humbet shtetësinë shqiptare;
e) merr formë të prerë vendimi i gjykatës për kufizimin apo heqjen e zotësisë për të vepruar.
5. Drejtori i Përgjithshëm shkarkohet nga detyra kur:
a) dënohet me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një krimi apo për kryerjen e një kundërvajtje penale me dashje;
b) kryen shkelje të rënda gjatë detyrës;
c) nuk përmbush objektivat strategjikë të institucionit për shkak të performancës së ulët të tij;
ç) i shkakton, për shkak të paaftësisë profesionale a të neglizhencës, dëm institucionit ose imazhit të tij.”.
Neni 6
Pika 2, e nenit 9, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“2. Struktura dhe organika e ASIG-ut miratohen nga Kryeministri, në përputhje me legjislacionin në fuqi për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”.
Neni 7
Në shkronjën “ç”, të pikës 2, të nenit 11, fjalët “… imazhi i hartës bazë …” zëvendësohen me “… harta bazë …”.
Neni 8
Pika 3, e nenit 17, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“3. Autoritetet publike depozitojnë menjëherë pranë ASIG-ut informacionin gjeografik, të krijuar sipas pikës 2, të këtij neni.”.
Neni 9
Në pikën 3, të nenit 18, fjalët “… ia përcjell ato ministrit për propozim …” zëvendësohen me “… i përcjell …”.
Neni 10
Në nenin 20 bëhen ndryshimet e mëposhtme:
1. Titulli zëvendësohet me “Koordinimi ndërinstitucional”.
2. Në pikën 1, fjalët “… bashkërendimin ndërinstitucional …” zëvendësohen me “… koordinimin ndërinstitucional …”.
Neni 11
Pas nenit 22 shtohet neni 22/1, me këtë përmbajtje:
“Neni 22/1
Monitorimi dhe raportimi
1. ASIG-u monitoron procesin e krijimit dhe përdorimit të infrastrukturës kombëtare të informacionit gjeohapësinor (NSDI) në Republikën e Shqipërisë.
2. ASIG-u përgatit raporte periodike për ecurinë e NSDI-së në Shqipëri, sipas modelit të përcaktuar në rregullat e legjislacionit evropian dhe ua vë në dispozicion institucioneve shqiptare dhe organeve të BE-së.”.
Neni 12
Neni 26 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Neni 26
Ofrimi i të dhënave dhe shërbimeve
1. Të dhënat gjeohapësinore, të vëna në dispozicion nëpërmjet shërbimeve të rrjetit, sipas pikës 1, të nenit 23, të këtij ligji, që përfshihen në listën e grupeve të të dhënave me vlerë të madhe, sipas legjislacionit për të dhënat e hapura dhe ripërdorimin e informacionit të sektorit publik, ofrohen pa pagesë nga ASIG-u.
2. Të dhënat dhe shërbimet e ASIG-ut, që nuk përfshihen në pikën 1, të këtij neni, mund të ofrohen kundrejt një tarife.
3. Lista e të dhënave dhe shërbimeve që do të tarifohen, si dhe masa e tarifës përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.”.
Neni 13
Në pikën 2, të nenit 28, shifra “18” zëvendësohet me “16”.
Neni 14
Nxjerrja e akteve nënligjore
Ngarkohet Këshilli i Ministrave, që brenda 6 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, të nxjerrë aktet nënligjore, në zbatim të neneve 7 dhe 12, të këtij ligji.
Neni 15
Hyrja në fuqi
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E T A R I
LINDITA NIKOLLA
###
V E N D I M
PËR
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË LIGJIN NR.72/2012, “PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E INFRASTRUKTURËS KOMBËTARE TË INFORMACIONIT GJEOHAPËSINOR NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË””
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Propozimin e projektligjit “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.72/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e infrastrukturës kombëtare të informacionit gjeohapësinor në Republikën e Shqipërisë””, për shqyrtim dhe miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU