Projektligje të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 24 Nëntor 2021

Projektligje të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 24 Nëntor 2021:

 

 

P R O J E K T L I GJ
PËR

ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E GRUPEVE VENDORE TË VEPRIMIT

Në mbështetje të neneve 78 e 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë

V E N D O S I:

KREU I
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

Neni 1
Qëllimi

Ky ligj ka për qëllim përcaktimin e parakushteve për krijimin e funksionimin e grupeve vendore të veprimit, të cilat do të mundësojnë, përmes partneritetit lokal e parimit nga poshtë-lart, përfshirjen e komuniteteve lokale në identifikimin dhe zbatimin e strategjive të zhvillimit rural të udhëhequra nga vetë komuniteti në varësi të nevojave të tyre, marrjen e vendimeve për alokimin e burimeve të tyre financiare dhe menaxhimin e tyre bazuar në parimet e zhvillimit të qëndrueshëm, sigurimin e një mjedisi për investimet në zonat rurale nga vetë komuniteti, ngritjen e kapaciteteve vendore, si dhe zbatimin e strategjive lokale të zhvillimit përmes projekteve lokale.

Neni 2
Fusha e veprimit

Ky ligj përcakton parimet bazë, kriteret, përgjegjësitë dhe proceset për organizimin e funksionimin e grupeve vendore të veprimit, hartimin dhe zbatimin e strategjive të zhvillimit të udhëhequra nga komuniteti, në harmoni me politikat e zhvillimit bujqësor dhe rural, në nivel qendror e vendor.

Neni 3
Përkufizime

Në këtë ligj termat e mëposhtëm kanë këto kuptime:

1. “Aktivitete në rrjet”, shkëmbim arritjesh, përvojash dhe ekspertizash ndërmjet aktorëve ruralë, brenda partneritetit lokal dhe GVV-së;

2. “Aktorë lokalë”, institucione publike, qendrore apo të decentralizuara; përfaqësues të sektorit privat; fermerë; shoqata, organizata profesionale që përfaqësojnë fermerët; shoqëri tregtare; shoqëri civile;

3. “Autoritet publik”:

a) institucione të qeverisjes qendrore ose vendore ose institucione të tjera të administratës publike, në nivel kombëtar, rajonal ose lokal;
b) çdo person fizik ose juridik, që kryen funksione administrative publike, përfshirë detyra, aktivitete apo shërbime të veçanta lidhur me zhvillimin rural; dhe
c) çdo person fizik apo juridik, që ka përgjegjësi apo funksione publike, ose që ofron shërbime publike në lidhje me zhvillimin rural nën kontrollin e një organi apo personi që u përket grupimeve në nënndarjet “i” apo “ii”, të kësaj shkronje.

4. “Grup vendor i veprimit” (në vijim, GVV), një organizatë jofitimprurëse me bazë partneriteti e përbërë nga përfaqësues të interesave lokalë socio-ekonomikë publikë dhe privatë, në të cilën, në nivelin e vendimmarrjes, asnjë autoritet publik ose grup interesi nuk përfaqëson më shumë se 49 (dyzet e nëntë) % të të drejtave të votës;

5. “Kosto operative”, kostot e lidhura me menaxhimin e zbatimit të strategjisë së zhvillimit lokal të udhëhequr nga komuniteti, që kanë të bëjnë me kosto funksionimi, paga personeli, kosto trajnimesh, kosto për veprimtarinë për marrëdhëniet me publikun, kosto financiare, si dhe kosto të lidhura me monitorimin e vlerësimin e zbatimit të strategjisë;

6. “LEADER”, metoda për përfshirjen e partnerëve vendorë në drejtimin e zhvillimit të ardhshëm të zonave rurale, mobilizimin dhe arritjet e zhvillimit territorial në komunitetet rurale lokale, në përputhje me këto kritere: e fokusuar në zona të veçanta rajonale; e udhëhequr nga grupe vendore të veprimit të përbërë nga përfaqësues të interesave lokalë socio-ekonomikë publikë dhe privatë; e kryer përmes strategjive të zhvillimit lokal të integruara dhe shumësektoriale të bazuara në zona; e përshtatur për të marrë në konsideratë nevoja dhe potenciale lokale; dhe që përfshin karakteristika inovative në kontekst, rrjet dhe, kur është e përshtatshme, bashkëpunim lokal;

7. “Marrëveshje partneriteti lokal”, një marrëveshje e shkruar dhe e firmosur nga një grup përfaqësuesish të interesave publikë dhe jopublikë, socio-ekonomikë të së njëjtës zonë rurale, me qëllim zhvillimin e promovimin e themelimit dhe regjistrimin e një GVV-je;

8. “Ministria”, ministria përgjegjëse për politikat e zhvillimit bujqësor dhe rural;

9. “Ministri”, ministri përgjegjës për politikat e zhvillimit bujqësor dhe rural;

10. “Politika e zhvillimit bujqësor dhe rural”, perspektiva afatgjatë dhe zbatimi i drejtimeve kryesore të zhvillimit bujqësor e rural të vendit dhe të zonave të tij bujqësore individuale, në koordinim ndërmjet autoriteteve publike qendrore dhe lokale, që synon planifikimin e zbatimin e një zhvillimi të ekuilibruar socio-ekonomik bujqësor dhe rural;

11. “Program zhvillimi bujqësor dhe rural”, programi që mbështet zhvillimin bujqësor e rural, duke zbatuar politikën kombëtare të zhvillimit bujqësor dhe rural;

12. “Projekt bashkëpunimi”, një projekt i përbashkët ndërmjet dy ose më shumë:

a) GVV-ve në nivel kombëtar; ose
b) GVV-ve në nivel ndërkombëtar me GVV, ose një grup të ngjashëm me GVV-në ndërkombëtare.

Projektet e bashkëpunimit përfshijnë veprime konkrete të zbatuara bashkërisht me pritshmëri të identifikuara qartë, që sjellin përfitime për secilin nga territoret e përfshira;

13. “Publik”, një ose më shumë persona fizikë ose juridikë, shoqata, organizata ose grupimet e tyre;

14. “Rrjet”, në kuptimin e këtij ligji, një mjet për transferimin e praktikave të mira dhe shpërndarjen e inovacionit, ndërlidhje ndërmjet njerëzve, projekteve dhe zonave rurale;

15. “Strategji e zhvillimit lokal e udhëhequr nga komuniteti”, tërësia e masave koherente të hartuara dhe zbatuara nga një GVV, qëllimi i së cilës është të plotësojë objektivat e nevojat lokale dhe që kontribuon në arritjen e objektivave të politikës kombëtare të zhvillimit bujqësor dhe rural;

16. “Struktura përgjegjëse”, njësia në ministri, e cila, me urdhrin e ministrit për krijimin, mbajtjen e përditësimin e regjistrit të GVV-ve, ngarkohet për këtë qëllim, si dhe me detyra të tjera të caktuara në këtë ligj;

17. “Gjallërimi lokal”, procesi/aktiviteti që mbështet apo promovon takimet e dialogun ndërmjet banorëve, konvergjencën ndërmjet sektorëve, shkëmbimin e njohurive dhe plotësueshmërinë e aftësive, aspekte, të cilat “gjallërimi” synon t’i ndërtojë ndërmjet një shumëllojshmërie grupesh interesi të përfshira apo që mund të përfshihen në GVV;

18. “Zona “LEADER””, një zonë rurale që përcakton kufijtë brenda të cilëve hartohet e zbatohet një strategji e veçantë e zhvillimit lokal e udhëhequr nga komuniteti.

Neni 4
Parimet e funksionimit të GVV-së

Funksionimi dhe zbatimi i GVV-ve mbështetet në 4 (katër) parime kryesore:

1. Parimi i partneritetit;
2. Parimi territorial;
3. Parimi nga poshtë-lart;
4. Parimi i rrjetëzimit e bashkëpunimit.

Neni 5
Parimi i partneritetit

1. GVV-ja është shprehje e një partneriteti lokal dhe, në çdo rast, përfshin tipologjitë e mëposhtme të partnerëve, që operojnë brenda kufijve të zonës “LEADER”, siç parashikohet në ligj:

a) Njësitë e vetëqeverisjes vendore, bashkia/bashkitë ose qarku/qarqet dhe institucione të tjera publike, në territorin e së cilës shtrihet zona “LEADER”, institucionet e decentralizuara në nivel lokal e rajonal, agjenci rajonale apo degë të enteve publike kombëtare etj.;
b) Përfaqësuesit përkatës të sektorit jopublik, fermerë dhe jofermerë, sipërmarrje bujqësore dhe jobujqësore në nivel individual dhe/ose shoqata, organizata dhe unione profesionale që përfaqësojnë fermerët, profesionistët jofermerë dhe mikrosipërmarrjet, e shoqëritë tregtare;

c) Organizatat që përfaqësojnë shoqërinë civile, organizatat e banorëve, shoqatat ambientaliste, shoqatat e grave dhe të të rinjve, ofruesit e shërbimeve kulturore dhe komunitare, si: mediat, organizata të tjera jofitimprurëse dhe organet përgjegjëse për promovimin e përfshirjes sociale, të barazisë gjinore dhe mosdiskriminimit.

2. Autoritet publike ose grupet e interesit, nga sektori privat ose shoqëria civile, përfaqësojnë jo më shumë se 49 (dyzet e nëntë) % të të drejtave të votës në nivelin më të lartë të vendimmarrjes së GVV-së sipas ligjit. Njësitë e vetëqeverisjes vendore duhet të kenë minimumi 20 (njëzet) % të të drejtës së votës.

3. Përveç sa parashikohet në pikën 2, të këtij neni, GVV-të do të synojnë zgjerimin e tij me partnerë të rinj lokalë. GVV-të mund të përfshijnë si partnerë të gjitha njësitë e vetëqeverisjes vendore të përfshira në zonën e GVV-së.

Neni 6
Parimi territorial

1. Territori i mbuluar nga GVV-të duhet të ketë një formë të qëndrueshme në terma gjeografikë, socialë e ekonomikë, si dhe të ketë burime të mjaftueshme njerëzore, financiare dhe ekonomike për të mbështetur një strategji të zbatueshme të zhvillimit lokal.

2. Aktorët lokalë, në kuptim të këtij ligji, mund të themelojnë një GVV vetëm në një zonë “LEADER”, duke përcaktuar kufijtë më të përshtatshëm për të arritur objektivat e tyre.

3. Kufijtë e zonës “LEADER”, sipas këtij neni, duhet të plotësojnë këto kritere: të jenë të pandërprerë gjeografikisht; të mbulojnë një territor rural me popullsi jo më pak se 10 000 (dhjetë mijë) dhe jo më shumë se 150 000 (njëqind e pesëdhjetë mijë) banorë.

4. Kufijtë administrativë të bashkisë apo të qarkut, sipas përcaktimit të ligjit nr.115/2014, “Për ndarjen administrativo-territoriale të njësive të qeverisjes vendore në Republikën e Shqipërisë”, nuk kanë rol kufizues në përcaktimin e kufijve të zonës “LEADER”.

Neni 7
Parimi nga poshtë-lart

1. Parimi nga poshtë-lart zbatohet nga aktorët lokalë, që marrin pjesë në vendimmarrjen për strategjinë dhe prioritetet e zgjedhura që do të ndiqen në zonën e tyre.

2. Pjesëmarrja e aktorëve lokalë përfshin edhe popullsinë në një masë të madhe, grupet me interesa ekonomikë e socialë dhe përfaqësuesit e institucioneve publike dhe private.

3. Për zbatimin e parimit nga poshtë-lart, GVV-të përfshijnë aktorët lokalë në përgatitjen, zbatimin e vlerësimin e strategjive të zhvillimit lokal të udhëhequra nga komuniteti, dhe, në mënyrë të veçantë, për :

a) analizimin e identifikimin e nevojave;
b) përcaktimin e objektivave të përgjithshëm e specifikë;
c) përcaktimin e prioriteteve përkatëse të zgjedhura;
ç) alokimin e fondeve;
d) përcaktimin e zonës e të popullsisë të mbuluar nga strategjia;
dh) një përshkrim të procesit në përfshirjen e komunitetit në zhvillimin e strategjisë;
e) një përshkrim të bashkëveprimit të GVV-ve dhe rregullat e brendshme të vendimmarrjes, përfshirë procedurat për përzgjedhjen e projekteve të vogla;
ë) planin e veprimit, një përshkrim të hapave të ndërmarra që tregojnë se si do të arrihen objektivat nëpërmjet aktiviteteve të pritshme dhe tipi i projekteve të mbështetura;
f) planin financiar të strategjisë, përfshirë shpenzimet për rritje kapacitetesh dhe rivitalizim, kosto operative dhe projekte të vogla;
g) zbatimin e strategjisë;
gj) monitorimin e vlerësimin e progresit të zbatimit të strategjisë.

Neni 8
Parimi i rrjetëzimit dhe bashkëpunimit

GVV-të gëzojnë të drejtën e promovimit në aktivitetet në rrjet dhe projektet e bashkëpunimit në nivel kombëtar e ndërkombëtar, me qëllim tejkalimin e izolimit të zonave rurale dhe fuqizimin e kapaciteteve të aktorëve lokalë të zonave “LEADER”, për të ndjekur objektivat e tyre zhvillues përmes shkëmbimeve të dijeve dhe të eksperiencave, bashkëpunimit konkret me territore të tjera, si dhe transferimit të praktikave të mira e të përhapjes së risive.

KREU II
ORGANIZIMI DHE FUNKSIONIMI I GVV-ve

Neni 9
Fusha e veprimit të GVV-ve

1. Fusha e veprimit të GVV-ve është mbështetja e rritjes ekonomike, sociale dhe kulturore të komuniteteve të zonës “LEADER”, përmes rritjes së vlerave të burimeve lokale dhe aseteve, përmes hartimit e zbatimit të strategjisë së zhvillimit lokal të udhëhequr nga komuniteti.

2. Për këtë qëllim, GVV-ja zhvillon e promovon lloje të ndryshme aktivitetesh, të tilla si:

a) pjesëmarrja në nisma rajonale, kombëtare dhe ndërkombëtare për financimin e iniciativave/projekteve të qëndrueshme;
b) pjesëmarrja në rrjete kombëtare dhe ndërkombëtare, shoqata apo institucione, veprimtaria e të cilave ndjek objektiva të ngjashëm;
c) promovimi i iniciativave të komunikimit, bashkëpunimit në rrjet dhe projekteve të bashkëpunimit, që kanë si qëllim promovimin e marrëdhënieve fitimprurëse ndërmjet aktorëve lokalë, me territore të tjera dhe institucione të tjera;
ç) ofrimi i informacioneve, mbështetja teknike dhe trajnimi i promotorëve lokalë potencialë të projekteve;
d) administrimi dhe menaxhimi i aseteve.

Neni 10
Struktura e GVV-ve

1. GVV-të krijohen e funksionojnë si organizata jofitimprurëse me anëtarësi, siç përcaktohet në pikën 1, të nenit 10, të ligjit nr.8788, datë 7.5.2001, “Për organizatat jofitimprurëse”, të ndryshuar.

2. Në përputhje me parimin e barazisë gjinore dhe kërkesat e këtij ligji, një GVV regjistrohet vetëm nëse struktura e tij organizative ka në përbërje të paktën këto organe të brendshme:

a) Asamblenë e Përgjithshme;
b) Bordin ekzekutiv;
c) Personelin, që do të përfshijë të paktën:

i. drejtorin ekzekutiv, i cili zgjidhet midis anëtarëve të bordit ekzekutiv, nga vetë bordi, me propozim të presidentit;
ii. ekspertin kontabël.

3. Asambleja e Përgjithshme e GVV-ve është organi më i lartë vendimmarrës, në të cilin të gjithë anëtarët e GVV-ve thirren në mbledhje të paktën 1 (një) herë në vit dhe është përgjegjëse për zgjedhjen e bordit dhe të presidentit nga radhët e anëtarëve të GVV-ve. Këto zgjedhje duhet të ndjekin parimin e partneritetit, si edhe barazinë territoriale, gjinore dhe të moshës.

4. Funksionet e Asamblesë së Përgjithshme përcaktohen në statutin e GVV-ve, në përputhje me dispozitat e këtij ligji dhe të legjislacionit përkatës në fuqi.

5. Bordi i GVV-ve është organi më i lartë ekzekutiv, ku përfaqësohen të gjithë partnerët e zonës “LEADER”, të propozuar nga secila tipologji partnerësh, sipas parimit të partneritetit, sipas përcaktimit të nenit 5, të këtij ligji.

6. Bordi i GVV-ve është përgjegjës për vendimmarrjen e përditshme të GVV-ve dhe për funksionimin ligjor e financiar të tij, gjithashtu përgjegjës për autorizimin e kostove operative, të cilat, në çdo rast, nuk mund të kalojnë 25 (njëzet e pesë) % të shpenzimeve të fondeve publike të kryera në kuadër të strategjisë së zhvillimit lokal të udhëhequr nga komuniteti.

7. Presidenti i GVV-ve udhëheq mbledhjet e bordit. Të gjithë anëtarët e bordit duhet të firmosin një deklaratë konfidencialiteti lidhur me informacionet me të cilat njihen në pozicionet e tyre nëpërmjet procesit të vendimmarrjes.

8. Bordi mund të ngrejë nënkomitete për të përgatitur e vlerësuar materialet, që do të paraqiten për vendimmarrjen e bordit, të tilla si: nënkomitete bashkëpunimi, vlerësim dhe monitorim projektesh.

9. Personeli i GVV-ve mund të përfshijë këshilltarë/koordinatorë projektesh, këshilltarë/koordinatorë komuniteti, këshilltarë/koordinatorë biznesi, asistentë zyre etj., nëse konsiderohet e nevojshme.

10. Bordi GVV-ve duhet të sigurojë:

a) Diversifikim të moshës e të barazisë gjinore dhe duhet të përfshijë:

i. të paktën 2 (dy) gra;
ii. të paktën 2 (dy) persona nën moshën 35 (tridhjetë e pesë) vjeç.

b) Të gjithë anëtarët e bordit duhet të jenë rezidentë në territorin e GVV-ve.

Neni 11
Funksionet e GVV-së

1. GVV-ja e regjistruar sipas përcaktimit të kreut III, të këtij ligji, harton e miraton strategjinë e zhvillimit lokal të udhëhequr nga komuniteti për zonën “LEADER” që mbulon, sipas modelit të përcaktuar me udhëzim të ministrit.

2. Strategjia e zhvillimit lokal e udhëhequr nga komuniteti miratohet nga Asambleja e Përgjithshme e GVV-ve dhe konfirmohet nga ministri vetëm pasi vërtetohet se përmban të paktën këto elemente:

a) Numrin e banorëve dhe përkufizimin e zonës për të cilën ajo zbatohet;
b) Analizën e nevojave të zhvillimit dhe potencialin konkurrues të zonës, përfshirë analizën e aspekteve të forta, dobësive, mundësive dhe risqeve në zhvillimin e zonës;
c) Përshkrimin e strategjisë dhe objektivave të saj, përshkrimin e karakteristikave inovative dhe të integruara të saj, si dhe rezultate e produkte të matshme të shprehura në njësi matëse sasiore apo cilësore;
ç) Përshkrimin e procesit gjithëpërfshirës të komunitetit të zonës “LEADER”, gjatë përgatitjes së saj;
d) Planin e veprimit, që përcakton veprimet konkrete që zbatohen për realizimin e objektivave të saj;
dh) Përshkrimin e rregullave të menaxhimit e të monitorimit të strategjisë, aftësinë e strukturës së GVV-ve për të zbatuar strategjinë, si dhe përshkrimin e rregullave të detajuara për vlerësimin e zbatimit të saj;
e) Planin financiar për zbatimin e strategjisë, si dhe burimet e financimit të tij.

Ministri, me vendim të arsyetuar, mund të kthejë për rishqyrtim strategjinë e miratuar nga Asambleja.

3. Gjatë zbatimit të strategjisë së zhvillimit lokal të udhëhequr nga komuniteti, GVV-ja duhet të jetë në gjendje të kryejë këto funksione:

a) Të krijojë kapacitetet e aktorëve lokalë për të zhvilluar e zbatuar masa/aktivitete që përfshijnë fuqizimin e kapaciteteve të tyre të menaxhimit të projekteve;
b) Të hartojë një procedurë seleksionimi jodiskriminuese dhe transparente e të përcaktojë kritere objektive për përzgjedhjen e projekteve, të cilat shmangin konfliktet e interesit dhe që sigurojnë të paktën 50 (pesëdhjetë) % të votave në vendimet për seleksionim/përzgjedhje të partnerëve, që nuk janë autoritete publike, dhe lejojnë përzgjedhje në bazë të procedurave të shkruara;
c) Të sigurojë koherencë me strategjinë e zhvillimit lokal të udhëhequr nga komuniteti kur përzgjedh projektet, duke i prioritizuar projektet në bazë të kontributit që ato japin në arritjen e objektivave të asaj strategjie;
ç) Të përgatisë dhe të publikojë kërkesa për propozime ose një procedurë të vazhdueshme të paraqitjes së projekteve, përfshirë përcaktimin e kritereve të përzgjedhjes;
d) Të marrë dhe të vlerësojë kërkesën për mbështetje;
dh) Të përzgjedhë projektet e të përcaktojë masën e mbështetjes dhe, kur është e zbatueshme, të paraqesë propozime te organi përgjegjës për verifikimin final të të drejtave, para aprovimit;
e) Të monitorojë e të zbatojë strategji të zhvillimit lokal të udhëhequra nga komuniteti dhe projektet e mbështetura përkatësisht, si dhe të kryejë aktivitete specifike vlerësimi që lidhen me atë strategji;
ë) Të vitalizojë strategjinë e zhvillimit lokal të udhëhequr nga komuniteti për të mundësuar shkëmbime ndërmjet aktorëve për sigurimin e informacionit dhe promovimin e strategjisë e të mbështesë përfituesit potencialë, duke synuar zhvillimin e projekteve dhe përgatitjen e kërkesave.

4. Gjatë zbatimit të strategjisë së zhvillimit lokal të udhëhequr nga komuniteti, GVV-ja duhet të ketë burime njerëzore të mjaftueshme dhe kompetente veçanërisht për plotësimin e funksioneve të mëposhtme:

a) gjallërimin lokal;
b) menaxhimin administrativ dhe financiar;
c) sisteme të zbatimit dhe realizimit të objektivave të strategjisë.

Neni 12
Organizimi i GVV-së

1. Gjatë realizimit të misionit të tij publik, kur aktivitetet e GVV-së financohen nga fonde publike, ato kryhen në përputhje me parimet e një prokurimi publik efektiv, transparent e llogaridhënës dhe me parimet e menaxhimit të qëndrueshëm financiar, në përputhje me legjislacionin në fuqi për menaxhimin dhe kontrollin financiar.

2. Në përputhje me legjislacionin në fuqi për menaxhimin e kontrollin financiar, Asambleja e Përgjithshme e GVV-ve miraton një rregullore të brendshme, që përcakton procedurat e funksionimit të GVV-së, me qëllim garantimin e transparencës dhe llogaridhënies në procesin e vendimmarrjes dhe në menaxhimin teknik dhe administrativ të aktiviteteve. Rregullorja e brendshme duhet të rregullojë të paktën këto çështje:

a) Zbatimin e parimit të partneritetit;
b) Zbatimin e parimit nga poshtë-lart;
c) Zbatimin e parimit të rrjetëzimit e të bashkëpunimit;
ç) Organizimin e strukturës operacionale (stafit);
d) Menaxhimin e burimeve njerëzore;
dh) Prokurimin e mallrave dhe të shërbimeve;
e) Hartimin e zbatimin e strategjisë së zhvillimit lokal të udhëhequr nga komuniteti;
ë) Konfliktin e interesit.

Neni 13
Instrumentet financiare

1. Instrumentet financiare për financimin e GVV-ve miratohen nga Asambleja e Përgjithshme, siç përcaktohet në strategjinë e zhvillimit lokal të udhëhequr nga komuniteti në zonën e dhënë “LEADER”.

2. Instrumentet e financimit përfshijnë:

a) tarifën e anëtarësimit;
b) grante nga programi IPARD;
c) grante nga programe të tjera publike qendrore apo vendore;
ç) kredi;
d) skema garancie;
dh) pjesëmarrje me aksione (në para/në natyrë);
e) partneritete publike-private;

3. Njësitë e vetëqeverisjes vendore pjesëmarrëse në një GVV, të regjistruar siç përcaktohet në këtë ligj, mbështesin financiarisht kostot operacionale dhe/ose shpenzime të tjera të GVV-së, sipas vendimeve të këshillave bashkiakë dhe të miratuara nga Asambleja e Përgjithshme, pavarësisht nga përqindja në fuqinë vendimmarrëse të saj brenda GVV-së.

4. Në rastet kur në një GVV merr pjesë më shumë se një njësi e vetëqeverisjes vendore, përqindja e financimit të tyre në GVV vendoset në raport me përqindjen e territorit të secilës njësi të vetëqeverisjes vendore kundrejt territorit të zonës “LEADER”.

Neni 14
Konflikti i interesit

Përveç sa parashikohet në legjislacionin në fuqi për konfliktin e interesit, seksioni i rregullores së brendshme të GVV-së për konfliktin e interesit duhet të adresojë dhe këto kritere:

a) Anëtarët e bordit të GVV-së, që kanë interes të drejtpërdrejtë ose jo të drejtpërdrejtë, ose përfaqësues të subjekteve, që kanë interes të drejtpërdrejtë në një projekt të përcaktuar, nuk mund të jenë pjesëmarrës në vendimmarrjen mbi çështjen. Në këtë rast, anëtarëve, që janë palë të interesuara, do u kërkohet të largohen nga mbledhja, në të cilën do të merret vendimi. Procesverbali i mbledhjes së bordit duhet të raportojë daljen e anëtarëve dhe arsyet përkatëse;
b) Punonjësit e GVV-ve nuk duhet të kryejnë aktivitete të tjera ekonomike, që paraqesin konflikt interesi, veçanërisht lidhur me marrëdhëniet me përfituesit;
c) Punonjës e konsulentë të jashtëm, që koordinojnë gjallërimin e një territori dhe/ose që janë përgjegjës për menaxhimin e koordinimin administrativ të GVV-ve, nuk mund të jenë përfitues të drejtpërdrejtë të ndërhyrjeve të mbështetura nga GVV-të;
ç) Punonjës e konsulentë të jashtëm, që janë të afërm deri në shkallë të dytë të një individi kërkues për mbështetje ose një menaxheri apo përfaqësuesi të një organizate që bën kërkesë për financim nuk mund:

i. të marrin pjesë në procesin vendimmarrës të GVV-ve;
ii. të shqyrtojnë kërkesën e atij kërkuesi;
iii. të përfshihen në monitorimin ose vlerësimin e aktiviteteve që lidhen me kërkuesin.

d) Punonjës përgjegjës për menaxhimin dhe të afërm të tyre deri në shkallë të dytë nuk mund të jenë ofrues mallrash ose shërbimesh ndaj GVV-ve ose përfituesve publikë ose privatë të GVV-ve.

KREU III
REGJISTRIMI I GVV-ve

Neni 15
Procedurat e njohjes dhe të regjistrimit në ministri

1. Çdo GVV, para fillimit të ushtrimit të aktivitetit, sipas parashikimeve të këtij ligji dhe akteve nënligjore, pajiset me autorizim nga ministri.

2. Për t’u pajisur me autorizim, GVV-ja paraqet kërkesën, bashkëlidhur së cilës paraqiten:

a) vendimi i gjykatës për regjistrimin në regjistrin e organizatave joqeveritare;
b) kopje e numrit të identifikimit lëshuar nga administrata tatimore;
c) vërtetim regjistrimi lëshuar nga zyra e regjistrit në gjykatë;
ç) statuti dhe akti i themelimit të GVV-së;
d) përcaktimi i zonës “LEADER”, ku do të funksionojë GVV-ja;
dh) struktura operacionale e GVV-së;
e) rregullorja e brendshme, e cila rregullon marrëdhëniet e organizimit, funksionimit, menaxhimit të riskut, procedurat e komunikimit dhe të informimit të publikut, procedurat e auditit të brendshëm.

3. Ministri, pas verifikimit të dokumentacionit për plotësimin e kushteve formale dhe të ushtrimit të aktivitetit nga struktura përgjegjëse pranë ministrisë, miraton autorizimin dhe urdhëron kryerjen e regjistrimit të GVV-së.

4. Në rast të mospërmbushjes së kërkesave të pikës 2, të këtij neni, struktura përgjegjëse për regjistrimin e GVV-së do të njoftojë GVV-në përkatëse për këtë mospërmbushje dhe, nëse kërkesat nuk përmbushen brenda 6 (gjashtë) muajve, do ta çregjistrojë atë GVV.

5. Kundër refuzimit të autorizimit për regjistrimin e një GVV-je, kërkuesi mund t’i drejtohet gjykatës administrative, sipas procedurave të Kodit të Procedurës Administrative.

Neni 16
Regjistri i GVV-së

1. Pranë ministrisë krijohet dhe mbahet regjistri i GVV-ve, sipas modelit të miratuar me urdhër të ministrit.

2. Regjistri do të identifikojë GVV-të për çdo zonë, duke ofruar të dhëna për:

a) zonën “LEADER”, ku funksionon GVV-ja;
b) strukturën e GVV-së;
c) statutin dhe aktin e themelimit të GVV-së;
ç) rregulloren e brendshme të GVV-së;
d) aktivitetet vjetore të GVV-së;
dh) auditin dhe raportimin në GVV;
e) autorizimin;
ë) urdhrin e shfuqizimit të autorizimit.

Neni 17
Raportimi dhe vlerësimi i GVV-ve

1. GVV-të e regjistruara në regjistër raportojnë pranë strukturës përgjegjëse në ministri, të përcaktuar sipas pikës 16, të nenit 3, të këtij ligji.

2. Raportimi bëhet në baza vjetore mbi aktivitetin e GVV-ve, brenda muajit mars të vitit pasardhës.

3. Struktura përgjegjëse pranë ministrisë vlerëson aktivitetin e GVV-ve dhe përmbushjen nga ana e tyre të parimeve e të kritereve të këtij ligji dhe do t’u ofrojë atyre sugjerime/rekomandime, kur i konsideron të nevojshme.

4. Rregullat dhe procedurat për raportimin e vlerësimin e aktivitetit të GVV-ve dhe përmbushjes nga ana e tyre të parimeve e të kritereve të këtij ligji do të miratohen me urdhër të ministrit.

KREU IV
DISPOZITA TË FUNDIT

Neni 18
Akte nënligjore

Ngarkohet ministri përgjegjës për bujqësinë dhe zhvillimin rural, që, brenda 12 (dymbëdhjetë) muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, të nxjerrë aktet nënligjore për zbatimin e neneve 11, pika 1, 15, pika 3, 16, pika 1, dhe 17, pika 4, të këtij ligji.

Neni 19
Hyrja në fuqi

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E T A R I
LINDITA NIKOLLA

###

V E N D I M
PËR

PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E GRUPEVE VENDORE TË VEPRIMIT”

Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Propozimin e projektligjit “Për organizimin dhe funksionimin e grupeve vendore të veprimit”, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ARBEN AHMETAJ 

 

 

 

*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.