Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Projektligje të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 25 Tetor 2023: 

 

V E N D I M
PËR
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR ADERIMIN E REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË NË UNIONIN NDËRKOMBËTAR  PËR KONSERVIMIN E NATYRËS (IUCN)”
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, dhe të nenit 18, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Turizmit dhe Mjedisit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Propozimin e projektligjit “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në Unionin për Konservimin e Natyrës (IUCN)”, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
 EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU 
### 
P R O J E K T L I GJ
PËR
ADERIMIN E REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË NË UNIONIN NDËRKOMBËTAR PËR KONSERVIMIN E NATYRËS (IUCN)
Në mbështetje të neneve 78, 83, pika 1, dhe 121, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I:
Neni 1
Aderimin e Republikës së Shqipërisë në Unionin Ndërkombëtar për Konservimin e Natyrës (IUCN), sipas statuteve që i bashkëlidhen këtij ligji.
Neni 2
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E T A R I
LINDITA NIKOLLA 
*** 
P R O J E K T L I GJ
PËR
LLOGARINË E PAGESAVE ME SHËRBIME BAZIKE 
Në mbështetje të neneve 78 e 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I:
KREU I
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
Neni 1
Objekti
Objekti i këtij ligji është përcaktimi i rregullave dhe kushteve për hapjen dhe përdorimin e llogarisë së pagesave me shërbime bazike për konsumatorët dhe rezidentët në Republikën e Shqipërisë, pavarësisht nivelit të të ardhurave, statusit të punësimit, historikut të aftësisë paguese brenda Republikës së Shqipërisë.
Neni 2 
Qëllimi
Qëllimi i këtij ligji është garantimi i së drejtës për aksesin në një llogari pagese me shërbime bazike për konsumatorët, si një mjet i domosdoshëm për të mundësuar pjesëmarrjen e konsumatorëve në tregun financiar, bazuar në interesin e tyre të vërtetë për të pasur një llogari të tillë, e cila do t’i lejojë ata të marrin përfitimet që sjell tregu financiar.
Neni 3
Fusha e zbatimit
Subjekte të këtij ligji janë bankat dhe degët e bankave të huaja që ushtrojnë aktivitetin në Republikën e Shqipërisë.
Neni 4
Përjashtimi nga fusha e zbatimit 
Ky ligj nuk zbatohet për llogaritë e pagesave për personat juridikë, mikrondërmarrjet dhe ndërmarrjet e vogla e personat fizikë tregtarë.
Neni  5
Përkufizime
1. Për qëllime të zbatimit të këtij ligji, termat e përdorur kanë të njëjtin kuptim me termat e përkufizuar sipas nenit 5, të ligjit nr.55/2020, “Për shërbimet e pagesave”.
2. Përveç sa parashikohet në pikën 1, të këtij neni, për qëllime të zbatimit të këtij ligji, termat e mëposhtëm kanë këto kuptime:
a)“Konsumator” ka të njëjtin kuptim si në pikën 6, të nenit 3, të                            ligjit nr.9902, datë 17.4.2008, “Për mbrojtjen e konsumatorëve”, të ndyshuar;
b) “Rezident”, për qëllime të këtij ligji, personi, shtetas shqiptar apo i huaj, me ose pa shtetësi, me banim të përkohshëm apo të përhershëm në Republikën e Shqipërisë, përfshirë edhe refugjatët apo refugjatët dhe personat në mbrojtje plotësuese që kanë fituar të drejtën për azil në Republikën e Shqipërisë;
c) “Llogari pagesash me shërbime bazike”, një llogari pagesash, e cila ka karakteristikat e parashikuara në nenin 7, të këtij ligji;
ç) Në kuptim të këtij ligji, termat “konsumator” dhe “rezident” do të  referohen kudo si “konsumator”.
KREU II
LLOGARIA E PAGESAVE ME SHËRBIME BAZIKE
Neni 6
Procedura për hapjen e llogarive të pagesave me shërbime bazike
1. Llogaria e pagesave me shërbime bazike iu ofrohet konsumatorëve në Republikën e Shqipërisë nga të gjitha bankat që ushtrojnë aktivitetin në Republikën e Shqipërisë, pavarësisht nivelit të të ardhurave, statusit të punësimit, historikut të aftësisë paguese të konsumatorëve, brenda Republikës së Shqipërisë.
2. Bankat kryejnë hapjen e llogarisë së pagesave me shërbime bazike ose refuzojnë aplikimin e një konsumatori për hapjen e një llogarie të tillë, në çdo rast, jo më vonë se 15 ditë pune pas marrjes së aplikimit të plotë.
3. Bankat nuk hapin një llogari pagesash me shërbime bazike, në rastet kur hapja e një llogarie të tillë do të rezultonte në shkelje të dispozitave të legjislacionit në fuqi për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, si dhe të akteve nënligjore në zbatim të tij. Në këto raste bankat njoftojnë autoritetin përgjegjës për parandalimin e pastrimit të parave dhe zbatojnë kërkesat e legjislacionit dhe akteve nënligjore të sipërpërmendura.
4. Bankat nuk hapin një llogari pagesash me shërbime bazike, në rastet kur konsumatori mban një llogari pagese ekzistuese në një bankë tjetër në Shqipëri, e cila e lejon atë të përdorë shërbimet e përcaktuara në pikën 1, të nenit 7, të këtij ligji, përveç rasteve kur konsumatori deklaron se është njoftuar për mbylljen e llogarisë së pagesave në bankën tjetër.
5. Konsumatori me paraqitjen e kërkesës për hapjen e llogarisë së pagesave me shërbime bazike deklaron se nuk disponon llogari pagesash në një bankë tjetër dhe jep pëlqimin për verifikimin e kësaj deklarate nga banka.
6. Banka para hapjes së llogarisë së pagesave me shërbime bazike ka të drejtë të verifikojë nëse konsumatori mban ose jo një llogari pagesash në një bankë tjetër.
7. Në rast se banka vërteton se konsumatori ka një llogari pagesash në një bankë tjetër dhe rrjedhimisht ka dhënë deklaratë të pavërtetë për hapjen e llogarisë së pagesave me shërbime bazike, banka nuk i ofron këtij konsumatori të drejtën e hapjes së një llogarie pagesash me shërbime bazike për një periudhë kohore prej 24 muajsh. Kjo klauzolë duhet të parashikohet edhe në kontratën e bankës me klientin, në rastin e hapjes së llogarisë së pagesave me shërbime bazike.
8. Në rastet e përcaktuara në pikat 3, 4 dhe 7, të këtij neni, banka pas marrjes së vendimit, informon menjëherë konsumatorin për refuzimin e kërkesës për hapjen ose për mbylljen e llogarisë, si dhe arsyen për marrjen e këtij vendimi, me shkrim, në letër ose nëpërmjet mjeteve të qëndrueshme të komunikimit dhe pa pagesë, përveç rasteve kur dhënia e një informacioni të tillë do të ishte në kundërshtim me objektivat e sigurisë kombëtare ose kuadrin ligjor dhe rregullativ të parandalimit të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit. Në rast refuzimi të kërkesës për hapjen e një llogarie pagesash me shërbime bazike ose të mbylljes së llogarisë, banka këshillon konsumatorin për procedurën e paraqitjes së ankesës kundër refuzimit dhe për të drejtën e tij për ankimim pranë Bankës së Shqipërisë brenda 30 ditëve nga data e refuzimit për hapjen e llogarisë.
9. Hapja dhe përdorimi i një llogarie pagesash me shërbime bazike nuk kushtëzohet me blerjen e produkteve/shërbimeve shtesë të ofruara nga banka.
Neni 7
Karakteristikat e llogarisë së pagesave me shërbime bazike
1. Llogaria e pagesave me shërbime bazike përfshin shërbimet e mëposhtme:
a) Shërbime që mundësojnë të gjitha operacionet e kërkuara për hapjen, funksionimin dhe mbylljen e një llogarie pagesash;
b) Shërbime që mundësojnë depozitimin e fondeve në një llogari pagesash;
c) Shërbime që mundësojnë tërheqjen e fondeve nga një llogari pagesash brenda Shqipërisë, në sportele ose në ATM (automated teller machines), gjatë ose jashtë orarit zyrtar të punës së bankave;
ç)  Ekzekutimin e transaksioneve të mëposhtme të pagesave brenda territorit të Republikës së Shqipërisë:
i. debitimet direkte;
ii. transaksionet e pagesave përmes një karte (përjashtuar transaksionet e pagesave me karta krediti), përfshirë pagesat                     on-line;
iii. transfertat e kreditit, përfshirë pagesat periodike, aty ku është e zbatueshme, në terminale dhe në sportelet e bankës dhe nëpërmjet platformave on-line.
2. Banka  ofron shërbimet e përcaktuara në pikën 1, të këtij neni, për konsumatorët për llogarinë e pagesave me shërbime bazike, në të njëjtën mënyrë si ofrohen për klientët llogaritë e tjera të pagesave, përveç kur në këtë ligj parashikohet ndryshe.
3. Bankat ofrojnë llogaritë e pagesave me shërbime bazike vetëm në monedhën vendase (lekë).
4. Konsumatorët kryejnë një numër të pakufizuar transaksionesh të pagesave në lidhje me shërbimet e përcaktuara në pikën 1, të këtij neni, nëpërmjet llogarive të pagesave me shërbime bazike.
5. Bankat i mundësojnë konsumatorëve administrimin dhe kryerjen e transaksioneve të pagesave nga llogaria e pagesave me shërbime bazike në degët e bankës dhe nëpërmjet platformave on-line, kur është e aplikueshme.
6. Llogaria e pagesës me shërbime bazike nuk ka në asnjë moment një tepricë negative. Bankat nuk lejohen të ofrojnë kredi të lidhura me llogarinë e pagesave me shërbime bazike, si dhe nuk lejohen në asnjë rast të tejkalojnë tepricën kreditore të llogarisë.
7. Bankat nuk lejojnë ekzekutimin e transaksioneve të pagesave nëse në llogarinë e pagesës me shërbime bazike nuk ka tepricë kreditore të mjaftueshme për të ekzekutuar një transaksion pagese dhe/ose aplikim tarife.
Neni 8
Tarifat e llogarisë së pagesës me shërbime bazike
1. Bankat ofrojnë shërbimet e parashikuara në pikën 1, të nenit 7, të këtij ligji, pa aplikuar tarifa ose kundrejt një tarife të arsyeshme.
2. Transaksionet e pagesave përmes një karte debiti, të parashikuara në nënndarjen “ii”, të shkronjës “ç”, të pikës 1, të nenit 7, të këtij ligji, brenda territorit të Republikës së Shqipërisë do të kryhen pa pagesë ose kundrejt një tarife të arsyeshme, siç parashikohet në këtë nen. Për transaksionet e pagesave përmes një karte, të kryera jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, bankat do të aplikojnë tarifa, të cilat nuk janë më të larta se ato që banka aplikon, sipas politikës së brendshme për përcaktimin e tarifave.
3. Për qëllime të pikës 1, të këtij neni, metodologjia e përllogaritjes së tarifës së arsyeshme nga bankat përcaktohet me akt nënligjor të Bankës së Shqipërisë, duke konsideruar të paktën nivelin e të ardhurave kombëtare dhe tarifat mesatare të aplikuara nga bankat për shërbimet e pagesave, të ofruara në llogaritë e pagesave.
4. Tarifat e parashikuara në pikën 3, të këtij neni, do të zbatohen për të gjitha shërbimet e llogarisë së pagesave me shërbime bazike të parashikuara në  nenin 7, shkronjat “a”, “b”, “c” dhe “ç”, nënndarja “ii”, të këtij ligji, pavarësisht nga numri i veprimeve të kryera në llogarinë e pagesave me shërbime bazike.
5.Përveç sa parashikohet në pikën 4, të këtij neni, tarifat e parashikuara në              pikën 3, të këtij neni, do të zbatohen edhe për shërbimet e përcaktuara në nënndarjet “i” dhe “iii”, të shkronjës “ç”, të nenit 7, të këtij ligji, për një numër total maksimal prej 5 transaksione pagesash në muaj për shërbimet e përcaktuara në këtë pikë. Tarifat për çdo transaksion pagesash mbi numrin prej 5 transaksione pagesash në muaj për shërbimet e përcaktuara në këtë pikë nuk janë më të larta se ato që banka aplikon, sipas politikës së brendshme për përcaktimin e tarifave.
6. Për depozitimet e fondeve, tërheqjet e fondeve dhe ekzekutimin e transaksioneve të pagesave që nuk kryhen në ATM-në e vetë bankës ose përmes kanaleve on-line të saj do të aplikohen tarifat që normalisht aplikohen edhe për klientët e tjerë.
7. Bankat ofrojnë të gjitha shërbimet e parashikuara në pikën 1, të nenit 7, të këtij ligji, me tarifë zero, pavarësisht nga numri i veprimeve të kryera në llogarinë e pagesave me shërbime bazike, për kategoritë e konsumatorëve që i përkasin grupit të konsumatorëve që përfitojnë nga programet dhe politikat për skemat e ndihmës ekonomike dhe sociale, sipas legjislacionit përkatës në Republikën e Shqipërisë, si më poshtë vijon:
a) Përfituesit e pagesës së papunësisë, sipas ligjit që rregullon nxitjen e punësimit në Republikën e Shqipërisë;
b) Familjet dhe individët, të cilët trajtohen me ndihmë ekonomike, sipas ligjit që rregullon asistencën sociale në Republikën e Shqipërisë;
c) Përfituesit e pagesës së aftësisë së kufizuar dhe ndihmësit personalë të tyre, sipas ligjit që rregullon asistencën sociale në Republikën e Shqipërisë;
ç)  Individët përfitues të statusit të invalidit dhe ndihmësit personal të tyre, sipas ligjit që rregullon statusin e invalidit paraplegjik dhe tetraplegjik në Republikën e Shqipërisë;
d) Individët përfitues të statusit të të verbrit dhe ndihmësit personal të tyre, sipas ligjit që rregullon statusin e të verbrit në Republikën e Shqipërisë;
dh) Invalidët e punës, sipas ligjit që rregullon statusin e invalidëve të punës në Republikën e Shqipërisë, për pagesën shtesë mbi pensionin e invaliditetit;
e) Jetimët që kanë përfituar statusin, sipas ligjit që rregullon statusin e jetimit në Republikën e Shqipërisë;
ë) Përfituesit e masës së financimit për fëmijën e vendosur në familje kujdestare me vendim gjykate;
f) Përfituesit e pensionit social, bazuar në ligjin që rregullon sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë, të cilët nuk plotësojnë kushtet për asnjë lloj pensioni nga skema e detyrueshme e sigurimeve shoqërore dhe nuk kanë të ardhura ose të ardhurat që përfiton nga çdo burim tjetër janë më të ulëta se të ardhurat që jep pensioni social;
g) Përfituesit e pensionit të pleqërisë, sipas përcaktimeve në ligjin që rregullon sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë;
gj) Përfituesit e invaliditetit, si dhe përfituesit e pensionit të invaliditetit të përhershëm për shkak të aksidentit në punë dhe sëmundjeve profesionale, sipas përcaktimeve në ligjin që rregullon sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë;
h) Përfituesit e pensionit familjar, sipas përcaktimit në ligjin që rregullon sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë;
i) Përfituesit e ndihmës ekonomike për arsimin e lartë bazuar në listën e ministrisë përgjegjëse për arsimin.
Neni 9
Kontrata për hapjen e llogarisë së pagesave me shërbime bazike 
Llogaria e pagesave me shërbime bazike rregullohet nga kontrata tip, e cila është subjekt i kërkesave të parashikuara në ligjin nr.55/2020, “Për shërbimet e pagesave”, përveç rasteve kur parashikohet ndryshe në pikat 1 dhe 2, të nenit 10, të këtij ligji.
Neni 10
Zgjidhja e kontratës
1. Banka zgjidh në mënyrë të njëanshme kontratën e llogarisë së pagesave me shërbime bazike vetëm nëse plotësohet të paktën një nga kushtet e mëposhtme:
a) Konsumatori ka përdorur llogarinë e pagesave për qëllime të paligjshme;
b) Nuk ka pasur asnjë transaksion në llogarinë e pagesave, për më shumë se 24 muaj rresht;
c) Konsumatori ka paraqitur informacion të pasaktë për të hapur llogarinë e pagesave me shërbime bazike, në kundërshtim me nenin 6, të këtij ligji;
ç) Konsumatori nuk gëzon më cilësinë e rezidentit në Republikën e Shqipërisë, sipas përkufizimit të rezidentit në këtë ligj;
d) Konsumatori ka hapur më pas një llogari të dytë pagesash në Republikën e Shqipërisë, e cila i lejon atij të përdorë shërbimet e përcaktuara në nenin 7, të këtij ligji.
2. Në rastet kur banka zgjidh kontratën për një llogari pagesash me shërbime bazike për një ose më shumë prej arsyeve të parashikuara në shkronjat “b”, “ç” dhe “d”, të pikës 1, të këtij neni, ajo informon konsumatorin për arsyet e zgjidhjes së saj,  në formën e rënë dakord në kontratë dhe pa pagesë, të paktën dy muaj para se zgjidhja e kontratës të hyjë në fuqi, me përjashtim të rasteve kur bërja publike e këtij informacioni do të ishte në kundërshtim me objektivat e sigurisë kombëtare ose interesit publik.
3. Kur banka zgjidh kontratën në rastet e parashikuara në shkronjat “a” ose “c” të pikës 1, të këtij neni, zgjidhja e kontratës hyn në fuqi menjëherë.
4. Banka këshillon konsumatorin nëpërmjet njoftimit për zgjidhjen e kontratës, për procedurën e paraqitjes së ankesës për zgjidhjen e kontratës, nëse ka, dhe për të drejtën e konsumatorit për ankimim në Bankën e Shqipërisë, si dhe i siguron edhe detajet përkatëse të kontaktit.
Neni 11
Detyrimi për informim të konsumatorëve në lidhje me ofrimin e llogarisë së pagesës me shërbime bazike
1. Bankat vendosin në dispozicion të konsumatorëve, pa pagesë, informacionin e qartë dhe të kuptueshëm për të drejtën për të hapur dhe për të përdorur një llogari pagesash me shërbime bazike.
2. Bankat vendosin në dispozicion të konsumatorëve, pa pagesë, informacionin në lidhje me tiparet specifike të llogarisë së pagesave me shërbime bazike dhe kushtet e përdorimit, si dhe hapat që konsumatorët duhet të ndërmarrin për të ushtruar të drejtën e tyre për të hapur një llogari pagesash me shërbime bazike.
3. Informacioni duhet të bëjë të qartë se përfitimi i shërbimeve shtesë nuk është i detyrueshëm për të hapur një llogari pagesash me shërbime bazike.
4. Informacionin e parashikuar në pikat 1, 2 dhe  3, të këtij neni, banka e publikon në hapësira të dukshme dhe lehtësisht të aksesueshme nga konsumatorët, nëpërmjet broshurave në degët e bankës, si dhe në faqen zyrtare të internetit të bankës.
Neni 12
Ankesat e konsumatorëve 
1. Kur banka refuzon hapjen e llogarisë së pagesave me shërbime bazike ose konsumatori vlerëson se bankat kanë vepruar në kundërshtim me kërkesat e këtij ligji,  konsumatori ka të drejtën e ankimimit në Bankën e Shqipërisë.
2. Banka e Shqipërisë shqyrton ankesën sipas pikës 1, të këtij neni, brenda 15 ditëve pune nga paraqitja e saj.
3. Banka e Shqipërisë, në rast se pas shqyrtimit të ankesës së konsumatorit konstaton se nuk ekzistojnë shkaqet e përcaktuara në këtë ligj për refuzimin e hapjes së llogarisë së pagesave me shërbime bazike, kërkon nga banka hapjen e kësaj llogarie brenda 15 ditëve pune nga njoftimi i vendimit të Bankës së Shqipërisë.
Neni 13
Konvertimi i llogarisë aktuale në llogari pagese me shërbime bazike
Konsumatorëve, të cilët posedojnë llogari të tjera, përveç llogarisë së pagesave me shërbime bazike, u lind e drejta, me kërkesë të tyre, të pajisen me një llogari pagese me shërbime bazike. Kjo realizohet duke konvertuar një llogari ekzistuese në një llogari pagesash me shërbime bazike ose duke hapur një llogari të re e duke mbyllur atë ekzistuese, nëse plotësojnë kushtet e parashikuara në nenin 6, të këtij ligji.
Neni 14
Krahasueshmëria dhe transparenca e tarifave të lidhura me llogaritë e pagesave dhe transferimi i llogarive të pagesave 
Banka e Shqipërisë përcakton me akt nënligjor kërkesat për krahasueshmërinë dhe  transparencën për tarifat e lidhura me llogarinë e pagesave me shërbime bazike, si dhe për shërbimin e transferimit të llogarisë së pagesave me shërbime bazike.
KREU III
AUTORITETET PËRGJEGJËSE, BASHKËPUNIMI DHE SEKRETI PROFESIONAL
Neni 15 
Autoritetet përgjegjëse dhe bashkëpunimi 
1. Banka e Shqipërisë ushtron funksionin mbikëqyrës për bankat në lidhje me zbatimin e dispozitave të këtij ligji dhe akteve nënligjore në zbatim të tij.
2. Banka e Shqipërisë bashkëpunon me autoritete të tjera vendase ose të huaja për zbatueshmërinë e kërkesave të këtij ligji.
Neni 16
Sekreti profesional
1. Administratorët,  të  punësuarit  dhe  agjentët  aktualë  e  të  mëparshëm  të  bankës  ose  degës  së  bankës së huaj, autoritetet gjyqësore, si dhe inspektorët apo nëpunësit e tjerë të Bankës së Shqipërisë ose të autoriteteve përkatëse të huaja të mbikëqyrjes bankare kanë detyrimin e ruajtjes së sekretit profesional për informacionet e marra gjatë ushtrimit të detyrës, në përputhje me                    nenin 91, të ligjit nr.9662, datë 18.12.2006, “Për bankat në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.
2. Në rast të bashkëpunimit ndërinstitucional, në shkëmbimin e informacionit, është e detyrueshme ruajtja e sekretit profesional për të siguruar mbrojtjen e të dhënave personale dhe tregtare.
3. Banka e Shqipërisë shkëmben informacion me autoritetet mbikëqyrëse të huaja dhe bankat qendrore të huaja, duke respektuar parimin e reciprocitetit, të miratimit paraprak, mjaftueshmërisë së të dhënave, integritetit dhe konfidencialitetit, me kusht që të garantohet niveli i mbrojtjes së të dhënave personale, sipas legjislacionit në fuqi.
Neni 17
Mbrojtja dhe përpunimi i të dhënave personale
Përpunimi i të dhënave personale, për qëllime të këtij ligji, kryhet në përputhje me legjislacionin në fuqi për mbrojtjen e të dhënave personale. Subjektet, sipas fushës së zbatimit të këtij ligji, aksesojnë, përpunojnë dhe mbajnë të dhëna personale të nevojshme për hapjen dhe përdorimin e llogarisë së pagesave me shërbime bazike, me pëlqimin e shprehur qartazi të subjektit të të dhënave.
KREU IV
KUNDËRVAJTJET ADMINISTRATIVE, SANKSIONET DHE ANKIMET
Neni 18
Kundërvajtjet administrative dhe sanksionet
1. Shkeljet e dispozitave të këtij ligji konsiderohen si kundërvajtje administrative.
2. Banka e Shqipërisë vendos gjobë nga 50 000 lekë deri në 250 000 lekë për bankat, kur pas ankesës së konsumatorëve ose kryesisht, konstatohen shkeljet e mëposhtme:
a) Banka nuk kryen hapjen e llogarisë së pagesave me shërbime bazike ose refuzon  aplikimin për hapjen e saj brenda afatit kohor, të parashikuar në pikën 3, të nenit 12, të këtij ligji;
b) Banka vepron në kundërshtim me kërkesat e pikës 8, të nenit 6, të këtij ligji, lidhur me njoftimin e konsumatorëve për refuzimin e aplikimit për hapjen e llogarisë së pagesave me shërbime bazike;
c) Banka në njoftimin e konsumatorit për refuzimin e hapjes së llogarisë së pagesës me shërbime bazike nuk e këshillon konsumatorin për të drejtën për ankimim, sipas parashikimeve në pikën 8, të nenit 6, të këtij ligji;
ç) Banka kushtëzon konsumatorin për hapjen e llogarisë së pagesave me shërbime bazike për blerjen e shërbimeve shtesë të ofruara nga banka, në kundërshtim me parashikimet e pikës 9, të nenit 6, të këtij ligji;
d) Ofrimi i shërbimeve në një llogari pagesash me shërbime bazike nuk kryhet në të njëjtën mënyrë siç ofrohet për konsumatorët që mbajnë llogari pagesash, sipas parashikimeve në pikën 2, të nenit 7, të këtij ligji;
dh) Banka ofron llogari pagesash me shërbime bazike në një monedhë të ndryshme nga monedha lekë, në kundërshtim me kërkesat e pikës 3, të nenit 7, të këtij ligji;
e) Banka nuk lejon konsumatorët të ekzekutojnë një numër të pakufizuar transaksionesh në lidhje me shërbimet e parashikuara në pikën 1, të nenit 7, të këtij ligji, në kundërshtim me kërkesat e pikës 4, të nenit 7, të këtij ligji;
ë) Banka nuk i mundëson konsumatorit administrimin dhe kryerjen e transaksioneve të pagesave nga llogaria e pagesave me shërbime bazike, sipas parashikimeve në pikën 5, të nenit 7, të këtij ligji;
f) Banka ofron kredi lidhur me llogarinë e pagesave me shërbime bazike, në kundërshtim me kërkesat e pikës 6, të nenit 7, të këtij ligji;
g) Banka në kundërshtim me kërkesat e pikës 1, të nenit 8, të këtij ligji, zbaton tarifa ndaj konsumatorit, të cilat nuk janë të parashikuara në politikën e brendshme për përcaktimin e tarifave;
gj) Banka vendos ndaj konsumatorit, që mban një llogari pagesash me shërbime bazike, një tarifë që tejkalon nivelin e tarifës së arsyeshme të llogaritur, sipas përcaktimit të pikës 3, të nenit 8, të këtij ligji;
h) Banka vendos ndaj konsumatorit, që mban një llogari pagese me shërbime bazike, tarifa më të larta se ato që banka aplikon, sipas politikës së brendshme për përcaktimin e tarifave, për çdo transaksion pagesash mbi numrin prej 5 transaksione pagesash në muaj, të përcaktuar në pikën 5, të nenit 8, të këtij ligji;
i) Banka aplikon tarifë ndaj grupit të konsumatorëve, në kundërshtim me parashikimet e pikës 7, të nenit 8, të këtij ligji;
j) Banka zgjidh në mënyrë të njëanshme një kontratë tip të llogarisë së pagesave me shërbime bazike, në kundërshtim me kushtet e  parashikuara në pikën 1, të nenit 10, të këtij ligji, dhe me kushtet e tjera të kontratës së lidhur midis palëve, të cilat janë të bazuara në legjislacionin e zbatueshëm në Republikën e Shqipërisë;
k) Banka nuk informon konsumatorin për përfundimin e kontratës së llogarisë së pagesës me shërbime bazike, sipas mënyrës së parashikuar në pikën 2, të nenit 10, të këtij ligji;
l) Banka në njoftimin ndaj konsumatorit, sipas kërkesave të pikave 2 dhe 3, të nenit 10, të këtij ligji, nuk e këshillon konsumatorin për të drejtën për ankimim, sipas parashikimeve në pikën 4, të nenit 10, të këtij ligji;
ll) Banka nuk informon konsumatorin në lidhje me ofrimin e llogarisë së pagesave me shërbime bazike, sipas parashikimeve në nenin 11, të këtij ligji.
3. Në përcaktimin e masës së gjobës, sipas pikës 2, të këtij neni, Banka e Shqipërisë mban në konsideratë:
a) rrethanat në të cilat është kryer shkelja;
b) pasojat e shkeljes;
c) përsëritjen e shkeljes;
ç)  rëndësinë dhe kohëzgjatjen e shkeljes.
4. E drejta për shqyrtimin e kundërvajtjeve administrative të parashikuara në këtë nen nuk ushtrohet kur kanë kaluar 6 muaj nga çasti i kryerjes së kundërvajtjes administrative.
5. Gjobat e vendosura sipas këtij neni janë tituj ekzekutivë dhe arkëtohen për llogari të Bankës së Shqipërisë.
6. Banka e Shqipërisë përcakton nëpërmjet vendimmarrjes së Këshillit Mbikëqyrës autoritetin përkatës që do të nxjerrë aktet administrative në lidhje me masat e përcaktuara në këtë ligj.
Neni 19
Publikimi i sanksioneve administrative
1. Banka e Shqipërisë publikon në faqen zyrtare të internetit sanksionet administrative të vendosura për shkelje të dispozitave të këtij ligji. Publikimi bëhet menjëherë pasi banka të jetë informuar për atë sanksion administrativ, duke përfshirë informacione për llojin e natyrën e shkeljes.
2. Në rastin e publikimit të sanksioneve administrative, kundër të cilave është bërë ankesë, Banka e Shqipërisë publikon informacionin për statusin e ankesës dhe rezultatin e saj.
3. Publikimi në përputhje me këtë nen qëndron në faqen zyrtare të internetit të Bankës së Shqipërisë, maksimumi një vit.
4. Banka e Shqipërisë nuk publikon sanksionet administrative, vetëm në rast se në gjykimin e saj publikimi rrezikon seriozisht stabilitetin e tregjeve financiare ose u shkakton dëm joproporcional palëve të përfshira.
Neni 20
Ankimi administrativ
1. Çdo bankë, e cila pretendon se të drejtat dhe interesat e ligjshme të saj janë cenuar nga akte administrative të nxjerra nga Banka e Shqipërisë, bazuar në dispozitat e këtij ligji, ka të drejtë të kryejë ankim administrativ te Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, brenda 15 ditëve nga marrja dijeni e aktit.
2. Realizimi i ankimit administrativ sipas këtij neni është kusht paraprak për kundërshtimin e aktit në gjykatë.
3. Ankimi administrativ paraqitet dhe shqyrtohet sipas procedurave të parashikuara në Kodin e Procedurave Administrative.
4. Guvernatori në përfundim të shqyrtimit të ankimit administrativ, sipas këtij neni, vendos:
a)  lënien në fuqi të aktit administrativ dhe rrëzimin e ankimit;
b)  shfuqizimin e aktit administrativ dhe pranimin e ankimit;
c)  ndryshimin e aktit administrativ, duke pranuar pjesërisht ankimin.
Neni 21
Ankimi gjyqësor
Çdo bankë ka të drejtë të paraqesë ankim gjyqësor kundër vendimit të Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, nxjerrë sipas nenit 20, të këtij ligji, bazuar në legjislacionin që rregullon gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative.
KREU V
DISPOZITA TË FUNDIT 
Neni 22
Aktet nënligjore
Ngarkohet Banka e Shqipërisë për nxjerrjen e akteve nënligjore në zbatim të neneve 8, pika 3 dhe 14, të këtij ligji, brenda 90 ditëve nga hyrja në fuqi e tij.
Neni 23
Hyrja në fuqi
Ky ligj hyn në fuqi 3 muaj pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E T A R I
LINDITA NIKOLLLA 
### 
V E N D I M
PËR 
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT  “PËR LLOGARINË E PAGESAVE ME SHËRBIME BAZIKE”
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Propozimin e projektligjit “Për llogarinë e pagesave me shërbime bazike”, për shqyrtim e miratim në  Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU 
*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.