Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Projektligje të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 26 Korrik 2023: 

 

V E N D I M
PËR

PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR RATIFIKIMIN E MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS SË SLLOVAKISË, PËR ELIMINIMIN E TATIMIT TË DYFISHTË NË LIDHJE ME TATIMET MBI TË ARDHURAT DHE PARANDALIMIN DHE SHMANGIEN E EVAZIONIT TATIMOR”

Në mbështetje të neneve 81, pika 1, e 100, të Kushtetutës, si dhe të nenit 17, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Propozimin e projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Sllovakisë, për eliminimin e tatimit të dyfishtë në lidhje me tatimet mbi të ardhurat dhe parandalimin dhe shmangien e evazionit tatimor”, për shqyrtim dhe miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU

###

P R O J E K T L I GJ
PËR

RATIFIKIMIN E MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS SË SLLOVAKISË, PËR ELIMINIMIN E TATIMIT TË DYFISHTË NË LIDHJE ME TATIMET MBI TË ARDHURAT DHE PARANDALIMIN DHE SHMANGIEN E EVAZIONIT TATIMOR

Në mbështetje të neneve 78, 83, pika 1, dhe 121, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë

V E N D O S I:

Neni 1

Ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Sllovakisë, për eliminimin e tatimit të dyfishtë në lidhje me tatimet mbi të ardhurat dhe parandalimin dhe shmangien e evazionit tatimor, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij ligji.

Neni 2

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E T A R I
LINDITA NIKOLLA

***
P R O J E K T L I GJ
PËR

DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË LIGJIN NR.116/2014, “PËR AKREDITIMIN E ORGANEVE TË VLERËSIMIT TË KONFORMITETIT NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË”

Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë

V E N D O S I:

Në ligjin nr.116/2014, “Për akreditimin e organeve të vlerësimit të konformitetit”, bëhen këto shtesa dhe ndryshime:

Neni 1

Pas pikës 16, të nenit 3, shtohet pika 17, me këtë përmbajtje:

“17. “Biobankë” është një organ që ruan mostra biologjike njerëzore dhe informacione shoqëruese të organizuara në mënyrë sistematike për qëllime kërkimore.”.

Neni 2

Në pikën 1, të nenit 5, bëhen ndryshimi dhe shtesat e mëposhtme:

a) Shkronja “c” ndryshohet, si më poshtë vijon:

“c) organe certifikuese të personave;”.

b) Pas shkronjës “e” shtohen shkronjat “ë”, “f” dhe “g”, me këtë përmbajtje:

“ë) organe që kryejnë verifikimin dhe vlefshmërinë si aktivitet të vlerësimit të konformitetit;
f) biobanka;
g) organe të tjera që kryejnë veprimtari të vlerësimit të konformitetit.”.

Neni 3

Pas shkronjës “g”, të nenit 6, shtohet shkronja “gj”, me këtë përmbajtje:

“gj) promovon rolin dhe rëndësinë e akreditimit.”.

Neni 4

Në nenin 9 bëhen ndryshimet e mëposhtme:

1. Pika 1 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“1. Drejtoria e Përgjithshme e Akreditimit organizohet në mënyrë të pavarur nga organet e vlerësimit të konformitetit që ajo vlerëson dhe nga ndikimet tregtare të tyre si dhe siguron mënjanimin e konfliktit të interesave.”.

2. Pika 7 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“7. Drejtoria e Përgjithshme e Akreditimit krijon procedurat e nevojshme për të siguruar menaxhimin efikas dhe kontrollet e duhura të brendshme. Kontrollet e brendshme kryhen nga auditues vendas ose të huaj, me kompetencë në fushën e akreditimit.”.

Neni 5

Pika 2, e nenit 15, ndryshohet, si më poshtë vijon:

“2. Të ardhurat e krijuara nga aktiviteti i Drejtorisë së Përgjithshme të Akreditimit, sipas pikave 7 dhe 8, të nenit 5, përdoren në masën 90 për qind nga Drejtoria e Përgjithshme e Akreditimit për:

a) pagesën e vlerësuesve teknikë vendas që nuk janë punonjës të Drejtorisë së Përgjithshme të Akreditimit, të vlerësuesve teknikë të huaj dhe të audituesve vendas ose të huaj;
b) shpenzimet e akomodimit e të transportit të vlerësuesve teknikë dhe audituesve vendas ose të huaj;
c) shpenzimet e trajnimeve dhe zhvillimin e vlerësuesve teknikë e të punonjësve të Drejtorisë së Përgjithshme të Akreditimit;
ç) promovimin e akreditimit.”.

Neni 6

Pika 1, e nenit 17, ndryshohet, si më poshtë vijon:

“1. Ankimi kundër vendimit të dënimit administrativ mund të bëhet, brenda 30 ditëve nga data kur ankimuesi ka marrë njoftim, te drejtori i Përgjithshëm i Akreditimit, i cili përgjigjet brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e ankimit.”.

Neni 7

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E T A R I
LINDITA NIKOLLA

###

V E N D I M
PËR

PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË LIGJIN NR.116/2014, “PËR AKREDITIMIN E ORGANEVE TË VLERËSIMIT TË KONFORMTIETIT NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË””

Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Propozimin e projektligjit “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.116/2014, “Për akreditimin e organeve të vlerësimit të konformitetit në Republikën e Shqipërisë””, për shqyrtim dhe miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU

 

 

*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.