Projektligje të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 26 Shkurt 2020:
P R O J E K T L I GJ
PËR
PËRMIRËSIMIN E ZONAVE TË BIZNESIT (BID)
Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozim të Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I:
KREU I
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
Neni 1
Objekti dhe qëllimi i ligjit
1. Ky ligj rregullon statusin ligjor, qëllimin, afatin, financimin, marrëdhëniet ligjore, parimet dhe rregullat bazë për funksionimin e BID-it në Shqipëri.
2. Përkatësisht, ky ligj synon:
a) të krijojë një mekanizëm ku poseduesit e njësive tregtare, të cilat përdoren për qëllime biznesi, nxiten të marrin pjesë në procesin e zhvillimit të qëndrueshëm të zonës BID, nëpërmjet kontributeve private të cilat përdoren për shërbime shtesë për bizneset në zonën BID përkatëse dhe për përmirësime të pasurisë publike;
b) të konsolidojë dhe të zhvillojë përtëritjen urbane të qyteteve, duke njohur nevojat unike dhe sfidat e përbashkëta me të cilat përballen biznese me karakteristika lokale të ndryshme;
c) të lehtësojë identifikimin e zonave gjeografike të caktuara, për të përmirësuar dhe shtuar ofrimin e shërbimeve bashkiake brenda tyre;
ç) të përcaktojë në mënyrë të qartë kushtet sipas të cilave krijohet një BID dhe të sigurojë që poseduesit e njësive tregtare brenda zonave të propozuara BID të jenë të përfshirë plotësisht në proceset përkatëse, duke lehtësuar kështu pjesëmarrjen e tyre në ҫështjet e zonës dhe të qytetit.
Neni 2
Përkufizime
Në kuptim të këtij ligji, me termat e mëposhtëm nënkuptojmë:
1. “Anëtar i BID”, paguesit e kuotës BID, të cilët bëhen anëtarë të organizatës BID.
2. “Banor i BID”, pronari ose poseduesi i një prone të paluajtshme që ndodhet në zonën BID, e cila nuk është një njësi tregtare por është e destinuar për qëllime banimi.
3. “BID”, akronimi për Business Improvement District (Zonë për Përmirësimin e Biznesit) dhe do të thotë bashkësia kontraktore e poseduesve të njësive tregtare në zonën BID, e cila nuk është person juridik, që krijohet sipas kreut II, të këtij ligji.
4. “Fondi BID”, përfshin:
a) shumën totale të kuotës BID të paguar nga të gjithë paguesit e kuotës BID;
b) shumën e financimeve që kalohen nga bashkia përkatëse tek organizata BID, në përputhje me këtë ligj;
c) të gjitha burimet e financimit të organizatës BID, në bazë të legjislacionit për organizatat jofitimprurëse.
5. “Formulari për votimin e prospektit BID”, formulari për t’u nënshkruar nga ҫdo person me të drejtë vote në një zonë të propozuar BID, me anë të të cilit ai ka të drejtë të votojë prospektin BID përkatës.
6. “Kontribues vullnetar”, ҫdo person tjetër, i cili mund të mos ketë lidhje me zonën BID, dhe i cili me vullnetin e tij të lirë i bashkohet organizatës BID dhe paguan të paktën shumën e kuotës BID, në fondin e organizatës BID.
7. “Marrëveshje operacionale”, marrëveshja e lidhur ndërmjet organizatës BID dhe bashkisë përkatëse, për rregullimin e çështjeve sipas pikës 3, të nenit 13, të këtij ligji.
8. “Bashkia”, ka të njëjtin kuptim që i jepet bashkisë në legjislacionin për vetëqeverisjen vendore.
9. “Njësi tregtare”, çdo pasuri e paluajtshme që ndodhet në zonën BID, e përcaktuar në propozimin dhe prospektin BID përkatës dhe që përdoret për qëllime tregtare ose jofitimprurëse dhe jo për qëllime banimi. Nuk konsiderohen njësi tregtare, për qëllime të këtij ligji, mjediset apo zyrat në të cilat njësia e vetëqeverisjes vendore apo qendrore apo institucionet fetare ushtron veprimtarinë dhe funksionet e saj.
10. “Njoftimi për BID”, një njoftim i publikuar në përputhje me nenin 10, të këtij ligji, që i drejtohet të gjithë personave me të drejtë vote në zonën BID përkatëse.
11. “Organizata BID”, një organizatë jofitimprurëse, me ose pa anëtarësi, ku bashkia përkatëse mund të marrë pjesë, përkatësisht, si anëtar ose si anëtar i organit vendimmarrës, e krijuar sipas legjislacionit për organizatat jofitimprurëse, e cila është personi juridik BID që administron fondin BID përkatës, i cili mblidhet pas miratimit të BID-it përkatës, në përputhje me këtë ligj.
12. “Pagues i kuotës BID”, ҫdo person me të drejtë vote që detyrohet të paguajë kuotën BID pasi BID-i përkatës është propozuar, njoftuar dhe nuk është refuzuar nga personat me të drejtë vote, në përputhje me këtë ligj.
13. “Person me të drejtë vote”, poseduesi i njësisë tregtare, që ndodhet në zonën BID dhe bashkia përkatëse, nëse ka mjedise apo zyra në zonën BID.
14. “Posedues”, ҫdo pronar, qiramarrës apo posedues tjetër i një njësie tregtare në zonën BID, regjistruar në Shqipëri, qoftë si person juridik apo fizik tregtar, duke përfshirë por pa u kufizuar në shoqërinë e ndërtimit të njësisë tregtare sipas nenit 20, të këtij ligji, të cilët kryejnë veprimtari në njësinë tregtare dhe kanë detyrimin për të paguar taksat/tarifat vendore për veprimtarinë e tyre në këtë njësi tregtare.
15. “Propozuesi i BID-it”, secili prej personave të parashikuar në nenin 5, të këtij ligji, që paraqet një propozim për BID.
16. “Propozimi për BID”, një propozim për krijimin e një BID-i në një zonë të caktuar, i cili i drejtohet bashkisë përkatëse.
17. “Prospekti BID”, dokumenti i cili rregullon krijimin dhe funksionimin e një BID-i të caktuar, duke përfshirë të gjitha çështjet e parashikuara në nenin 9, të këtij ligji, dhe i cili njoftohet në përputhje me nenin 10, të këtij ligji.
18. “Kuota BID”, shuma që llogaritet sipas përcaktimeve të nenit 15, të këtij ligji, dhe që paguhet në mënyrë vjetore nga secili pagues i kuotës BID në zonën BID, në përputhje me këtë ligj dhe që fillon të zbatohet në datën e përcaktuar në prospektin BID, pasi ai të jetë miratuar në përputhje me këtë ligj.
19. “Zona BID”, një zonë e caktuar gjeografike e një bashkie në Republikën e Shqipërisë, e zgjedhur sipas kriterit objektiv të afërsisë së vendndodhjes së njësive tregtare, dhe e propozuar për t’u zhvilluar nëpërmjet krijimit të një BID-i, siç përshkruhet në propozimin dhe prospektin BID përkatës.
Neni 3
Qëllimi i BID-it
1. Qëllimi i BID-it është:
a) të ndihmojë në rritjen ekonomike dhe zhvillimin e qëndrueshëm në zonat BID përkatëse;
b) të ndihmojë zhvillimin e njësive tregtare në zonat me funksione të ndryshme;
c) të mundësojë një qasje bashkëpunuese ndërmjet bashkisë përkatëse dhe sektorit privat, në ofrimin, përmirësimin e shtimin e shërbimeve bashkiake;
ç) të lehtësojë investimet me interes të përbashkët në zonat BID.
2. Veprimtaria e BID-it ka si qëllim rigjallërimin e zonave të biznesit në qytete dhe qyteza urbane, duke lehtësuar zhvillimin e tyre, rritjen ekonomike dhe zhvillimin e qëndrueshëm në zonat BID përkatëse, ku ka përqendrim të lartë të biznesit të vogël.
3. Organizata BID, e cila administron fondin BID në një zonë BID të caktuar, ofron shërbime vetëm në përputhje me interesin e përbashkët të paguesve të kuotës BID dhe të parashikuara në marrëveshjen operacionale me bashkinë, vetëm në zonën BID përkatëse, sipas prospektit BID dhe statutit të organizatës BID përkatëse. Këto shërbime përfshijnë, pa u kufizuar në:
a) ofrimin e shërbimeve shtesë të pastrimit në zonën BID, përfshirë por pa u kufizuar vetëm në pastrimin e rrugëve në zonën BID;
b) ofrimin e shërbimeve shtesë të ndriçimit në zonën BID, përfshirë por pa u kufizuar në ndriçimin funksional dhe/ose zbukurues;
c) ofrimin e shërbimeve për gjelbërimin e zonës BID;
ç) ofrimin e shërbimeve të sigurisë në zonën BID, duke kontraktuar shoqëri ose individë të licencuar për ofrimin e shërbimeve të sigurisë;
d) zbukurimin e zonës BID gjatë festave/pushimeve zyrtare;
dh) organizimin e veprimtarive në zonën BID gjatë festave/pushimeve zyrtare;
e) sigurimin e përbashkët të zonës BID dhe/ose të njësive tregtare të paguesve të kuotës BID, për të mbuluar rreziqet në raste të forcës madhore;
ë) riparimin ose restaurimin e fasadave të njësive tregtare në zonën BID;
f) shërbimet e mirëmbajtjes të sendeve të luajtshme ose të paluajtshme në interes të përbashkët të paguesve të kuotës BID në zonën BID.
Neni 4
Afati i BID-it dhe ripërtëritja
1. BID-i krijohet për një afat të caktuar siç përcaktohet në prospektin BID përkatës, por në çdo rast me një afat jo më pak se 3 (tre) vjet dhe jo më shumë se 7 (shtatë) vjet, me të drejtë ripërtëritjeje.
2. Pas përfundimit të afatit të BID të përcaktuar në prospektin BID, BID-i ka të drejtën të kërkojë nga paguesit e kuotës BID zgjatjen e afatit të BID-it dhe më pas konfirmimin përkatës të bashkisë, sipas të njëjtave procedura të ndjekura për miratimin fillestar të një BID-i, sipas këtij ligji.
3. Në rastin kur BID-i nuk merr pëlqimin për zgjatje të afatit sipas pikës 2, të këtij neni, BID-i konsiderohet i shpërndarë. Në këtë rast, paguesit e kuotës BID nuk janë më të detyruar të paguajnë kuotën BID, duke nisur nga data kur ka përfunduar afati i BID-it.
KREU II
KRIJIMI I BID-IT
Neni 5
Propozuesi i BID-it
Personat e mëposhtëm veprojnë si propozues të BID-it dhe më pas zhvillojnë një prospekt BID:
a) të paktën 5 (pesë) posedues të njësive tregtare që ndodhen në zonën BID të propozuar për t’u mbuluar nga propozimi për BID-in përkatës, që kryejnë një veprimtari tregtare të caktuar në zonën BID përkatëse, të propozuar ose të cilët kanë një interes të justifikuar në zonën BID të propozuar;
b) ҫdo organizatë jofitimprurëse ekzistuese me një interes publik përkatës dhe të justifikuar në zonën BID;
c) ҫdo dhomë tregtie me një interes publik përkatës dhe të justifikuar në zonën BID;
ç) bashkia përkatëse, në raste të veçanta, kur nuk ka ndonjë propozim për BID në një zonë të caktuar nga ndonjë propozues për BID, sipas shkronjave “a” deri në “c”, të këtij neni.
Neni 6
Marrja e informacionit nga bashkia përkatëse, me qëllim zhvillimin e propozimit për BID
1. Çdo person i parashikuar në nenin 5, të këtij ligji, që është i gatshëm të veprojë si propozues i BID-it, ka të drejtë t’i paraqesë një kërkesë bashkisë përkatëse për të kërkuar një listë të përditësuar të emrave dhe të adresave të të gjithë poseduesve që ndodhen në zonën gjeografike të zonës BID të propozuar.
2. Kërkesa e propozuesit të BID-it drejtuar bashkisë, sipas pikës 1, të këtij neni:
a) bëhet me shkrim;
b) konfirmon që personat që veprojnë si propozues për BID-in kanë për qëllim të përdorin informacionin e kërkuar vetëm për qëllim të nisjes dhe të zhvillimit të një propozimi e më pas të një prospekti BID, i cili përshkruhet në kërkesë;
c) siguron një përmbledhje të natyrës së synuar të prospektit BID që do të zhvillohet;
ç) siguron përshkrimin e detajuar të zonës së synuar gjeografike që do të mbulohet nga prospekti BID.
3. Asnjë person nuk duhet të përhapë te një person tjetër asnjë informacion të përfituar sipas këtij neni, ose ta përdorë këtë informacion për qëllim tjetër përveç qëllimit të zhvillimit të propozimit për BID, siç përshkruhet në kërkesën përkatëse të hartuar sipas pikës 2, të këtij neni, dhe në përputhje me legjislacionin për mbrojtjen e të dhënave personale, kur është i zbatueshëm.
4. Pas marrjes së një kërkese nga çdo propozues për BID, bashkia përkatëse:
a) përgatit një dokument që tregon emrin dhe adresën e çdo poseduesi të ndodhur në zonën BID të propozuar, si dhe madhësinë e çdo njësie tregtare e cila posedohet ose është në pronësi;
b) përgatit një kopje të informacionit të kërkuar në një dokument tjetër ku personi, i cili është i gatshëm të veprojë si propozues i BID-it, pranon me shkrim që informacioni i marrë do të përdoret në përputhje me këtë ligj dhe legjislacionin për mbrojtjen e të dhënave personale, kur është i zbatueshëm.
5. Kur propozues i BID-it është bashkia, kërkesat dhe procedurat e parashikuara më sipër në këtë nen nuk zbatohen.
Neni 7
Propozimi për BID
1. Për qëllime të marrjes së autorizimit nga bashkia, propozuesi i BID-it zhvillon një propozim për BID, që përfshin çështjet kryesore të cilat do të jenë pjesë e prospektit BID, duke përfshirë por pa u kufizuar në informacionet e mëposhtme:
a) Deklaratë të punëve ose të shërbimeve që do të mundësohen nga BID-i;
b) Deklaratë të shërbimeve ekzistuese bazë (nëse ka), të ofruar nga bashkia ose autoritete të tjera publike;
c) Organizimi ligjor, struktura dhe organet e organizatës BID, qoftë ekzistuese apo që do të krijohen rishtazi, që do të përdoret për administrimin e fondit BID dhe procedurat e administrimit të fondit BID;
ç) Përshkrim të zonës gjeografike (përfshirë një hartë që tregon këtë zonë dhe listën e njësive tregtare në zonë) në të cilën do të zbatohet prospekti BID i propozuar;
d) Parashikim të shumës së propozuar të kuotës BID dhe të zbatimit të saj mbi paguesit e kuotës BID;
dh) Shpjegim të mënyrës se si do të mblidhet kuota BID;
e) Shpjegim nëse ndonjë nga shpenzimet e kryera për zhvillimin e propozimit për BID, kryerjen e njoftimit ose zbatimin e BID-it, do të mbulohen nga kuota BID;
ë) Deklaratë për kohëzgjatjen e BID-it;
f) Çdo informacion tjetër që mund të kërkohet nga bashkia në lidhje me çështjet e mësipërme.
2. Kur propozues i BID-it është bashkia, kjo e fundit zhvillon një propozim për BID në përputhje me kërkesat e pikës 1, të këtij neni.
Neni 8
Autorizimi i propozimit për BID
1. Kur një propozues i BID-it vendos të kërkojë autorizim zyrtar për një propozim për BID, ky propozues i BID-it depoziton në bashki dokumentet e mëposhtme, që provojnë plotësimin e kërkesave përkatëse të parashikuara në nenin 7, të këtij ligji:
a) Kopje të propozimit për BID;
b) Plan investimi dhe biznesi, për një periudhë kohore të barabartë me afatin e BID-it të propozuar (përfshirë por pa u kufizuar në: fluksin e vlerësuar të parasë, një vlerësim të të ardhurave që do të gjenerohen dhe do të administrohen nga organizata BID dhe shpenzimet e parashikuara, fondi BID i parashikuar gjatë kohëzgjatjes së BID-it);
c) Plan veprimi të hollësishëm për 2 (dy) vitet e para, për vënien në zbatim të planit të investimit dhe biznesit;
ç) Përmbledhje të këshillimeve të kryera me personat të cilët do të jenë përgjegjës për pagesën e kuotës BID të propozuar;
d) Hartë të zonës BID të propozuar, duke renditur të gjitha njësitë tregtare në këtë zonë dhe poseduesit të cilët do të jenë përgjegjës për pagesën e kuotës BID të propozuar në zonën BID të propozuar;
dh) Deklaratë që konfirmon se është konsultuar vizioni dhe plani strategjik vendor i bashkisë përkatëse, gjatë përgatitjes së propozimit për BID;
e) Njoftimin për BID-in, i cili do të përdoret nga propozuesi i BID-it dhe bashkia për të kryer procedurën e njoftimit të BID-it, sipas nenit 10, të këtij ligji;
ë) Çdo informacion tjetër që bashkia përkatëse mund të kërkojë në mënyrë të arsyeshme për të vlerësuar nëse propozuesi i BID-it ka fonde të mjaftueshme për të përmbushur shpenzimet e procedurës së njoftimit për BID dhe përgatitjen, botimin dhe qarkullimin e prospektit BID.
2. Bashkia vlerëson një propozim për BID-in mbi bazën e dokumentacionit të kërkuar sipas pikës 1, të këtij neni.
3. Bashkia përkatëse njofton me shkrim propozuesin e BID-it nëse kjo bashki është e mendimit të arsyetuar që propozimi për BID:
a) bie ndesh me një program të miratuar sipas ligjit dhe që përfshihet në strategjitë qendrore ose vendore përkatëse; ose
b) vendos një kuotë BID që përbën një ngarkesë të konsiderueshme financiare të pabazuar në një kriter objektiv të barabartë mbi çdo posedues në zonën BID të propozuar krahasuar me posedues të tjerë në zonën gjeografike të BID-it të propozuar; ose
c) bie ndesh me interesin publik vendor dhe dispozitat ligjore në fuqi.
Në këtë rast, bashkia përkatëse, brenda 30 (tridhjetë) ditëve pas marrjes së propozimit për BID-in njofton me shkrim propozuesin e BID-it duke shpjeguar arsyen e plotësimit të një ose disa prej kushteve të mësipërme. Propozuesit të BID-it i jepet një afat jo më shumë se 60 (gjashtëdhjetë) ditë për të korrigjuar arsyen që pengon dhënien e autorizimit për një propozim për BID. Bashkia ka të drejtë të refuzojë propozimin për BID vetëm nëse konstatohet plotësimi i një prej arsyeve të parashikuara në shkronjat “a”, “b” ose “c”, të kësaj pike, dhe propozuesi i BID-it nuk bën përmirësimin e propozimit për BID-in përkatës brenda periudhës kohore të dhënë, siҫ përshkruhet më sipër në këtë pikë.
4. Bashkia përkatëse autorizon ose refuzon propozimin për BID brenda 30 (tridhjetë) ditëve kalendarike nga data e marrjes së propozimit për BID apo nga ndryshimi i propozimit për BID, nëse është kërkuar përmirësimi i propozimit për BID-in, sipas pikës 3, të këtij neni.
5. Nëse në bashki depozitohen më shumë se një propozim për BID për të njëjtën zonë BID, duke respektuar kriteret për autorizim, sipas përcaktimeve të këtij ligji, bashkia autorizon për të kaluar në procedurën e njoftimit për BID propozimin për BID-in që mban datën më të hershme të depozitimit zyrtar.
6. Kur propozues i BID-it është bashkia, kjo e fundit përgatit të gjitha dokumentet e parashikuara në pikën 1, të këtij neni, në përputhje me kërkesat e pikës 3, të këtij neni. Në këtë rast, parashikimet në pikat 2 deri në 5, të këtij neni, nuk zbatohen, por pas plotësimit të dokumentacionit sipas pikës 1, të këtij neni, bashkia nxjerr vendim për autorizimin e propozimit për BID.
Neni 9
Prospekti BID
1. Pas autorizimit të propozimit për BID nga bashkia, propozuesi i BID-it, përfshirë por u kufizuar edhe bashkinë kur vepron si propozues i BID-it përgatit prospektin BID, sipas modelit të prospektit BID të miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave.
2. Një prospekt BID duhet të përfshijë të gjitha të dhënat dhe informacionet e parashikuara, si më poshtë vijon:
a) Deklaratë të punëve ose të shërbimeve;
b) Deklaratë të shërbimeve ekzistuese bazë, nëse ka, të ofruara nga bashkia përkatëse ose ndonjë autoritet tjetër publik;
c) Procedurat e administrimit të fondit BID dhe një plan veprimi të hollësishëm për vitin e parë mbi zbatimin e planit të investimit dhe të biznesit të zonës BID;
ç) Përshkrim të zonës BID, përfshirë një hartë e cila përshkruan zonën BID, në të cilën do të zbatohet prospekti BID përkatës;
d) Listë të njësive tregtare në zonën BID përkatëse, që do të jenë pagues të kuotës BID;
dh) Shumën e kuotës BID, zbatimin e saj dhe mënyrën e mbledhjes së saj sipas përcaktimeve përkatëse të këtij ligji;
e) Të drejtat dhe detyrimet e paguesve të kuotës BID dhe të drejtat e detyrimet e anëtarit të BID-it;
ë) Deklaratë për kohëzgjatjen e BID-it, një deklaratë të datës së fillimit dhe të datës së përfundimit të BID-it;
f) Deklaratë për strukturat e organeve përkatëse vendimmarrëse dhe ekzekutive, që do të shtjellohen në statutin e organizatës BID;
g) Deklaratë për vizionin e BID-it dhe të organizatës BID, në përputhje me vizionin e bashkisë për zhvillimin e zonës BID që konfirmon se bashkia e konsideron prospektin BID në përputhje me dokumentet për vizionin dhe planin strategjik vendor dhe legjislacionin e zbatueshëm për planifikimin e territorit;
gj) Deklaratë për vizionin e BID-it dhe të organizatës BID, në përputhje me vizionin e bashkisë për respektimin e standardeve mjedisore dhe legjislacionit në fuqi për mbrojtjen e mjedisit;
h) Përjashtimet nga pagimi i kuotës BID.
3. Njoftimi i BID-it dhe vënia në dispozicion e prospektit BID kryhen në përputhje me legjislacionin në fuqi, përfshirë por pa u kufizuar në legjislacionin për mbrojtjen e të dhënave personale.
4. Të dhënat që përfshihen në propozimin për BID për zgjatje të afatit të një BID-i ekzistues janë, si më poshtë vijon:
a) Një deklaratë të periudhës së propozuar (që nuk e tejkalon afatin e BID-it ekzistues) për zgjatjen e afatit të BID ekzistues; dhe
b) Të gjitha të dhënat dhe informacionet e parashikuara në pikën 2, të këtij neni.
Neni 10
Procedura e njoftimit për BID
1. Pas autorizimit të propozimit për BID nga bashkia dhe menjëherë pasi është finalizuar prospekti BID, në përputhje me legjislacionin për mbrojtjen e të dhënave personale, propozuesi i BID-it, përfshirë por u kufizuar edhe bashkinë kur vepron si propozues i BID-it, nis procedurën e njoftimit për BID. Procedura e njoftimit për BID mbikëqyret nga personi i autorizuar nga bashkia në marrëveshje me propozuesin e BID-it.
2. Propozuesi për BID-in njofton dhe publikon njoftimin për BID në media, afishon njoftimin për BID në mënyrë të dukshme në hapësirat publike të zonës BID të propozuar dhe në vendin e njoftimeve të bashkisë përkatëse, dhe njofton me postë njoftimin për BID në selinë e regjistruar të çdo poseduesi që nuk është i përjashtuar nga pagesa e kuotës BID.
3. Njoftimi për BID përmban një përmbledhje të shkurtër të prospektit BID si dhe informacion mbi vendin ku mund të dorëzohen formularët për votimin e prospektit BID, duke përfshirë edhe procedurat e votimit.
4. Propozuesi i BID-it është i detyruar të sigurojë dorëzimin e prospektit BID si dhe të formularëve për votimin e prospektit BID në adresën e regjistruar të çdo poseduesi që nuk do të jetë i përjashtuar nga pagesa e kuotës BID ose të sigurojë që këto dokumente të shkarkohen nga një faqe interneti të përmendur në njoftimin për BID.
5. Poseduesit, të cilët janë pagues të kuotës BID, kanë të drejtë ta votojnë prospektin BID duke nënshkruar një formular për votimin e prospektit BID dhe ta dorëzojnë atë në vendin përkatës, siç përcaktohet në njoftimin për BID.
6. Çdo ndryshim i nevojshëm i prospektit BID, përfshirë edhe kuotën BID, gjatë kohëzgjatjes përkatëse, është objekt i të njëjtës procedurë njoftimi dhe votimi që zbatohet për propozimin dhe miratimin e një prospekti të ri BID. Çdo ndryshim i nevojshëm i prospektit nuk bëhet më shpesh se një herë në një vit kalendarik.
Neni 11
Miratimi i BID-it
1. Nëse brenda 30 (tridhjetë) ditëve kalendarike nga publikimi i njoftimit për BID, prospekti BID pranohet nga më shumë se 50% e të gjithë personave me të drejtë vote në zonën BID përkatëse, duke nënshkruar formularin për votimin e prospektit BID, ky prospekt BID konsiderohet i pranuar.
2. Nëse brenda 30 (tridhjetë) ditëve kalendarike nga publikimi i njoftimit për BID, prospekti BID refuzohet nga të paktën 50% e të gjithë personave me të drejtë vote në zonën BID përkatëse, duke nënshkruar formularin për votimin e prospektit BID, ky prospekt BID konsiderohet i papranuar dhe nuk mund të zbatohet.
3. Nëse prospekti BID pranohet sipas pikës 1, të këtij neni, ose nuk refuzohet sipas pikës 2, të këtij neni, BID-i konsiderohet i miratuar dhe propozuesi i BID-it njofton më pas të gjithë paguesit e kuotës BID për miratimin e BID-it dhe fillimin e themelimit të organizatës BID ose të pajtimit të një organizate jofitimprurëse ekzistuese, sipas pikës 2, të nenit 12, të këtij ligji.
4. Në të njëjtën kohë me veprimet e parashikuara në pikën 1, të këtij neni, propozuesi i BID-it njofton me shkrim bashkinë mbi BID-in e miratuar.
KREU III
ORGANIZATA BID
Neni 12
Regjistrimi i organizatës BID
1. Me miratimin e BID-it nga personat me të drejtë vote që ndodhen në zonën BID, krijohet organizata BID, ku bashkia përkatëse mund të marrë pjesë si anëtar i organizatës dhe/ose si anëtar i organit vendimmarrës në varësi të llojit të organizatës jofitimprurëse që do të krijohet. Organizata BID themelohet dhe regjistrohet në gjykatën kompetente, si një organizatë jofitimprurëse me ose pa anëtarësi, në përputhje me legjislacionin për organizatat jofitimprurëse dhe legjislacionin për regjistrimin e organizatave jofitimprurëse.
2. Propozuesi i BID-it është i detyruar të nisë procesin e themelimit dhe të regjistrimit të organizatës BID në gjykatën kompetente, brenda 90 (nëntëdhjetë) ditëve kalendarike nga data e miratimit të prospektit BID, në përputhje me nenin 11, të këtij ligji. Në rastin kur është rënë dakord që BID-i të administrohet nga një organizatë jofitimprurëse ekzistuese me një mision dhe qëllim në përputhje me këtë ligj, themelimi dhe regjistrimi i organizatës BID nuk është i nevojshëm.
3. Propozuesi i BID-it është themelues i organizatës BID dhe ka të gjitha të drejtat dhe detyrimet e themeluesit të një organizate jofitimprurëse, në përputhje me legjislacionin për organizatat jofitimprurëse.
4. Në rastin e themelimit të një organizate jofitimprurëse me anëtarësi, çdo pagues i kuotës BID ka të drejtën të bëhet anëtar i organizatës BID.
5. Në rast se bashkia vendos që BID-it dhe organizatës BID përkatëse do t’i jepen financime nga bashkia, kjo e fundit mund të jetë anëtar i organit vendimmarrës të organizatës BID, sipas përcaktimeve të marrëveshjes operacionale përkatëse.
Neni 13
Aktet dhe dokumentet e tjera operacionale të organizatës BID
1. Themeluesit e organizatës BID miratojnë dhe nënshkruajnë statutin e organizatës BID, në përputhje të plotë me prospektin BID të miratuar sipas këtij ligji dhe legjislacionit për organizatat jofitimprurëse.
2. Pas regjistrimit të organizatës BID në gjykatën kompetente dhe autoritetet publike përkatëse, organizata BID lidh një marrëveshje operacionale me bashkinë përkatëse, në përputhje me dispozitat e prospektit BID përkatës dhe duke përdorur marrëveshjen tip përkatëse të miratuar në aktin nënligjor të përbashkët të nxjerrë nga ministri përgjegjës për ekonominë dhe ministri përgjegjës për vetëqeverisjen vendore.
3. Marrëveshja operacionale, që lidhet sipas pikës 2, të këtij neni, rregullon të paktën, sa më poshtë:
a) Kushtet, afatet dhe mënyrën për llogaritjen, mbledhjen dhe kalimin e kuotës BID në organizatën BID dhe administrimin e kësaj kuote;
b) Kushtet dhe afatet për dhënien e financimeve nga bashkia për organizatën BID.
4. Dokumenti i vizionit strategjik të përbashkët nënshkruhet ndërmjet organizatës BID dhe bashkisë, për zhvillimin e zonës BID.
Neni 14
Burimet e financimit të organizatës BID
Fondi BID përbëhet pa u kufizuar në burimet e mëposhtme:
a) Kuota BID;
b) Financimet të cilat bashkia përkatëse do të japë për organizatën BID në përputhje me këtë ligj, me legjislacionin e zbatueshëm për vetëqeverisjen vendore dhe marrëveshjen operacionale përkatëse;
c) Fonde/të ardhura të tjera të siguruara nga donatorë privatë, vendas ose të huaj;
ç) Fonde të tjera të siguruara nga qeveria qendrore në formën e granteve apo të donacioneve të disponueshme për t’iu transferuar organizatave BID;
d) Kontribute të tjera në të holla, brenda kufijve ligjorë përkatës, në natyrë ose në shërbime, të anëtarëve të BID-it dhe/ose të pushtetit vendor dhe/ose pushtetit qendror, dhe/ose të donatorëve të tjerë, vendas dhe/ose të huaj, publike dhe/apo private.
Neni 15
Kuota BID
1. Shuma e caktuar e kuotës BID, që paguhet nga secili pagues i kuotës BID, dhe mënyra e llogaritjes së saj deklarohen në prospektin BID përkatës, marrëveshjen operacionale dhe janë në përputhje me këtë ligj.
2. Kuota BID llogaritet mbi kritere objektive përkatëse, siç do të përcaktohet në prospekt, të cilat zbatohen në mënyrë të barabartë për çdo pagues të kuotës BID, kritere të cilat përfshijnë por nuk kufizohen në sipërfaqjen e njësisë tregtare, objektin e veprimtarisë tregtare, qarkullimin vjetor të paguesve të kuotës BID, vlerën e njësisë tregtare dhe përcaktohet sipas metodologjisë së llogaritjes së kuotës BID dhe brenda kufijve të kuotës BID të përcaktuar me vendim të Këshillit të Ministrave.
3. Kuota BID zbatohet për të gjithë paguesit e kuotës BID që ndodhen në zonën BID. Ҫdo posedues i ri, i cili zëvendëson një posedues ekzistues të një njësie tregtare në zonën BID, do të jetë përgjegjës për pagesën e kuotës BID në vend të poseduesit të zëvendësuar.
4. Kuota BID paguhet nga paguesit e kuotës BID brenda tremujorit të parë të vitit kalendarik përkatës dhe pavarësisht se mbledhja e kuotës BID bëhet nga organizata BID, bashkia apo agjentët tatimorë të kësaj të fundit sipas përcaktimeve edhe të marrevëshjes operacionale përkatëse.
5. Kuota BID, edhe kur mblidhet nga bashkia ose agjentët e saj, është fond privat, për qëllime të zbatimit të legjislacionit shqiptar.
6. Kuota BID, kur mblidhet nga bashkia përkatëse, kalohet e plotë tek organizata BID, sipas përcaktimit në marrëveshjen operacionale përkatëse, që lidhet ndërmjet bashkisë dhe organizatës BID, në çdo rast, kuota BID është e detyrueshme, e zbatueshme dhe duhet paguar nga secili pagues i kuotës BID.
7. Kuota BID konsiderohet si një shpenzim i zbritshëm për qëllime të tatimit mbi fitimin ose tatimit mbi fitimin për biznesin e vogël të paguesve të kuotës BID, që janë përkatësisht subjekt i tatimit mbi fitimin ose tatimit të thjeshtuar mbi fitimin për biznesin e vogël.
8. Pavarësisht përcaktimeve të marrëveshjes operacionale, lidhur me mbledhjen e kuotës BID, në rastin e mospagesës së kuotës BID nga paguesit e kuotës BID brenda afatit ligjor të përcaktuar në pikën 4, të këtij neni, bashkia përkatëse ose agjentët tatimorë të saj, siç do të përcaktohet në marrëveshjen operacionale përkatëse, kanë detyrimin për të kërkuar ekzekutimin e pagesës së kuotës BID si për çdo taksë e tarifë tjetër vendore, në përputhje me legjislacionin përkatës, pa ngarkuar interes ose gjobë.
Neni 16
Përjashtime të veçanta të zbatueshme për organizatën BID
1. Organizata BID përfiton përjashtime dhe lehtësime nga taksat e tatimet, në përputhje me përcaktimet e legjislacionit tatimor për organizatat jofitimprurëse.
2. Organizatat BID me seli në zonën BID, shkollat dhe spitalet me pronësi shtetërore, komunitetet fetare, njësitë e qeverisjes qendrore dhe të vetëqeverisjes vendore që ndodhen në zonën BID, mund të lirohen nga pagimi i kuotës BID. Ҫdo përjashtim tjetër nga kuota BID, përfshirë por pa u kufizuar në përjashtimet e subjekteve sipas kësaj pike, parashikohet në prospektin BID.
Neni 17
Të drejtat dhe detyrimet e organizatës BID dhe të paguesve të kuotës BID
1. Organizata BID ka të drejtat dhe detyrimet e mëposhtme:
a) Detyrimin për të zbatuar të gjitha planet financiare, të menaxhimit dhe të investimit dhe sipërmarrjeve të parashikuara në prospektin BID të miratuar sipas këtij ligji;
b) Të drejtën për të marrë pjesë në planet, strategjitë dhe investimet e bashkisë përkatëse në zonën BID, nëpërmjet propozimeve të përbashkëta për të marrë pjesë në investimet e autoriteteve përkatëse, sipas udhëzimeve të ministrisë/ve përkatëse;
c) Detyrimin për të ruajtur pajtueshmërinë me standardet publike të zbatueshme për fasadat ose strukturën e jashtme të njësive tregtare, në përputhje me rregullat e vendosura nga bashkia përkatëse, ministria ose ndonjë autoritet tjetër publik përkatës;
ç) Detyrimin për të operuar të paktën një llogari bankare në Shqipëri.
2. Paguesit e kuotës BID kanë të drejtat dhe detyrimet e mëposhtme:
a) Detyrimin për të paguar kuotën BID dhe ҫdo detyrim tjetër të parashikuar në prospektin BID përkatës;
b) Të drejtën për të qenë anëtar i BID-it dhe për të patur të drejtat dhe detyrimet e anëtarëve të BID-it, siç parashikohet në aktet e brendshme të organizatës BID përkatëse dhe në legjislacionin për organizatat jofitimprurëse;
c) Të drejtën për të kërkuar dhe monitoruar kryerjen e auditimit dhe të publikimit nga organizata BID të pasqyrave financiare mbi të ardhurat dhe shpenzimet përkatëse, gjatë një periudhe të caktuar dhe sipas legjislacionit në fuqi;
ç) Të drejtën të kërkojnë zëvendësimin e anëtarëve të organit vendimmarrës të organizatës BID, në rastin kur kjo e fundit nuk ushtron veprimtarinë në përputhje me prospektin BID përkatës të miratuar, në këtë rast, miratimi i zëvendësimit të anëtarëve të organit vendimmarrës të organizatës BID miratohet sipas pikës 7, të nenit 10, të këtij ligji.
Neni 18
Të drejtat dhe detyrimet e bashkisë
1. Bashkia përkatëse ka të drejtat dhe detyrimet e mëposhtme në lidhje me paguesit e kuotës BID dhe organizatën BID:
a) Të kalojë në organizatën BID deri në muajin e dytë të vitit kalendarik përkatës financimet e parashikuara shprehimisht sipas marrëveshjes operacionale përkatëse, financimi i parë, që i përket periudhës nga nënshkrimi i marrëveshjes operacionale deri në fund të vitit kalendarik përkatës, do të kalojë brenda dy muajve pas nënshkrimit të marrëveshjes operacionale;
b) Pavarësisht kalimit të financimeve në organizatën BID, sipas shkronjës “a”, të kësaj pike, nëse nuk është parashikuar ndryshe në marrëveshjen operacionale, detyrimi për të kryer shërbimet publike të zbatueshme për të gjithë, duke përfshirë pa u kufizuar në pastrimin bazë dhe shërbimet e ndriçimit publik në zonën BID, mbetet detyrim i bashkisë përkatëse;
c) Të zbatojë marrëveshjen operacionale kundrejt asnjë shpërblimi;
ç) Të mos pengojë në mënyrë të paarsyeshme zbatimin e planit të biznesit e të investimit dhe planin e veprimit të përcaktuar në propozimin dhe prospektin BID përkatës;
d) Të ofrojë njohuritë (know-how) e saj praktike dhe ekspertizën në kohën e duhur gjatë zbatimit të projektit në tërësinë e tij;
dh) Të angazhohet për të rregulluar një zonë këmbësorësh brenda zonës BID, nëse kërkohet nga propozuesi për BID-in në propozimin për BID dhe në prospektin BID përkatës, në përputhje me legjislacionin e zbatueshëm;
e) Të asistojë në marrjen e lejeve të nevojshme për zbatimin e çdo investimi siç parashikohet në propozimin për BID dhe prospektin BID të miratuar nga autoritetet publike përkatëse;
ë) Të ndihmojë BID-in dhe/ose organizatën BID të njohin planin strategjik të zhvillimit të bashkisë përkatëse.
2. Në rast se bashkia përkatëse ka në pronësi apo në përdorim një ose më shumë njësi tregtare në zonën BID, kjo bashki ka të njëjtat të drejta dhe detyrime si çdo pagues i kuotës BID.
KREU IV
PALËT E INTERESIT
Neni 19
Pronat që nuk përdoren në zonën BID
Për njësitë tregtare të zonës BID të cilat, për ҫfarëdolloj arsye, nuk përdoren, zbatohen të njëjtat të drejta dhe detyrime në përputhje me këtë ligj, duke përfshirë pagesën e kuotës BID, si për çdo pagues tjetër të kuotës BID, përveç kur prospekti BID përkatës parashikon ndryshe.
Neni 20
Pronat BID që nuk janë të regjistruara
1. Për njësitë tregtare të cilat nuk janë të regjistruara në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës, por të cilat janë në pronësi të subjekteve dhe/ose shoqërive të ndërtimit, zbatohen detyrimet si për çdo pagues tjetër të kuotës BID.
2. Në rast se ndonjë posedues i një njësie tregtare bëhet subjekt i procedurave të falimentimit, detyrimet e këtij paguesi të kuotës BID pezullohen derisa vendimi i gjykatës për falimentimin të marrë formë të prerë.
Neni 21
Të drejtat dhe detyrimet e banorëve të BID-it dhe palëve të tjera të interesit
1. Për banorët e zonës BID nuk zbatohen të drejtat dhe detyrimet e paguesve të kuotës BID, sipas parashikimeve të këtij ligji.
2. Banorët e zonës BID mund të jenë kontribues vullnetarë dhe mund të ftohen në mbledhjet e BID-it, por nuk kanë të drejtë vote.
KREU V
PËRFUNDIMI DHE SHPËRNDARJA
Neni 22
Përfundimi i BID-it dhe i organizatës BID
1. BID-i dhe detyrimi për pagesën e kuotës BID përfundon në datën e përfundimit të afatit, siç përcaktohet në prospektin BID përkatës.
2. Kohëzgjatja e organizatës BID përkatëse përfundon në përfundim të afatit, siç parashikohet në aktet e brendshme të organizatës BID. Afati i BID-it mund të jetë i ndryshëm nga afati i organizatës BID përkatëse.
3. Anëtarët e organizatës BID shpërndajnë organizatën BID në përputhje me statutin e organizatës BID dhe sipas parashikimeve të prospektit BID përkatës dhe bazuar në legjislacionin përkatës në fuqi.
4. Përpara shpërndarjes së organizatës BID, çdo send në pronësi të organizatës BID do t’i transferohet një organizate jofitimprurëse tjetër të ngjashme në atë zonë. Në rastin kur nuk ekziston një organizatë tjetër e ngjashme, sendet e organizatës BID do t’i transferohen bashkisë përkatëse përpara shpërndarjes së organizatës BID, e cila, në çdo rast, i përdor këto sende vetëm për qëllime të BID-it.
KREU VI
DISPOZITA KALIMTARE DHE PËRFUNDIMTARE
Neni 23
Vazhdimësia e shoqatave ekzistuese BID
1. Pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, shoqatat BID ekzistuese në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, të krijuara sipas legjislacionit për organizatat jofitimprurëse, do të vazhdojnë të funksionojnë në mënyrën dhe sipas kushteve të cilat kanë qenë të vlefshme në kohën e regjistrimit të tyre dhe në përputhje me statutin e tyre ekzistues derisa të krijojnë BID-in përkatës, sipas përcaktimeve të mëposhtme të këtij neni.
2. Brenda 1 (një) viti pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, shoqatat BID ekzistuese, në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, do të veprojnë si propozues i BID-it për t’u autorizuar sipas nenit 8, të këtij ligji, dhe për vazhdimin e procedurës së krijimit të BID-it sipas përcaktimeve të këtij ligji. Shoqatat BID ekzistuese, të cilat nuk zbatojnë detyrimin e përcaktuar në këtë pikë, mund të vazhdojnë të operojnë për një qëllim tjetër me interes publik, por jo si një organizatë BID në përputhje me këtë ligj.
3. Brenda 6 (gjashtë) muajve pas miratimit të BID-it të propozuar sipas përcaktimeve të pikës 2, të këtij neni, shoqatat BID ekzistuese, në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, transformohen ose përshtasin strukturën dhe qëllimin e veprimtarisë së tyre për të kryer veprimtari si organizatë BID, në përputhje me këtë ligj dhe prospektin BID të miratuar dhe, pas transformimit ose përshtatjes, lidhin marrëveshje operacionale me bashkinë përkatëse.
Neni 24
Aktet nënligjore
Ngarkohen Këshilli i Ministrave dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë, si ministria përgjegjëse, për nxjerrjen, brenda 6 (gjashtë) muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, përkatësisht të akteve nënligjore në zbatim të neneve 9, pika 1, 13, pika 2, dhe 15, pika 2, të këtij ligji.
Neni 25
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E T A R I
GRAMOZ RUÇI
###
V E N D I M
PËR
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR PËRMIRËSIMIN E ZONAVE TË BIZNESIT (BID)”
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Propozimin e projektligjit “Për përmirësimin e zonave të biznesit (BID)”, për shqyrtim dhe miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE
***
P R O J E K T L I GJ
PËR
RATIFIKIMIN E MARRËVESHJES SË HUAS, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE BANKËS NDËRKOMBËTARE PËR RINDËRTIM DHE ZHVILLIM, PËR POLITIKËN PËR ZHVILLIM PËR AKSESIN E BARABARTË GJINOR NË MUNDËSITË EKONOMIKE
Në mbështetje të neneve 78, 83, pika 1, dhe 121, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I:
Neni 1
Ratifikimin e marrëveshjes së huas, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, për politikën për zhvillim për aksesin e barabartë gjinor në mundësitë ekonomike, në shumën 9 100 000 (nëntë milionë e njëqind mijë) euro, sipas tekstit që bashkëlidhet këtij ligji dhe është pjesë përbërëse e tij.
Neni 2
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E T A R I
GRAMOZ RUÇI
###
V E N D I M
PËR
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR RATIFIKIMIN E MARRËVESHJES SË HUAS, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE BANKËS NDËRKOMBËTARE PËR RINDËRTIM DHE ZHVILLIM, PËR POLITIKËN PËR ZHVILLIM PËR AKSESIN E BARABARTË GJINOR NË MUNDËSITË EKONOMIKE”
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, e 100, të Kushtetutës, dhe të nenit 17, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Propozimin e projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes së huas, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, për politikën për zhvillim për aksesin e barabartë gjinor në mundësitë ekonomike”, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE