Projektligje të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 26 Tetor 2022:
V E N D I M
PËR
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR NJË NDRYSHIM NË LIGJIN NR.61/2012, “PËR AKCIZAT NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË”, TË NDRYSHUAR”
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Propozimin e projektligjit “Për një ndryshim në ligjin nr.61/2012, “Për akcizat në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”, për shqyrtim dhe miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
###
P R O J E K T L I GJ
PËR
NJË NDRYSHIM NË LIGJIN NR.61/2012, “PËR AKCIZAT NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të neneve 78, 83, pika 1, dhe 155, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I:
Neni 1
Shtojca nr.1 “Mallrat e tatueshme me akcizë në Republikën e Shqipërisë”, që i bashkëlidhet ligjit nr.61/2012, “Për akcizat në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, zëvendësohet me shtojcën nr.1 “Mallrat e tatueshme me akcizë në Republikën e Shqipërisë”, që i bashkëlidhet këtij ligji.
Neni 2
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i shtrin efektet nga data 1 janar 2023.
K R Y E T A R I
LINDITA NIKOLLA
***
V E N D I M
PËR
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË LIGJIN NR.92/2014, “PËR TATIMIN MBI VLERËN E SHTUAR NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË”, TË NDRYSHUAR”
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Propozimin e projektligjit “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.92/2014, “Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
###
P R O J E K T L I GJ
PËR
DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË LIGJIN NR.92/2014, “PËR TATIMIN MBI VLERËN E SHTUAR NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të neneve 78, 83, pika 1, dhe 155, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I:
Në ligjin nr.92/2014, “Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, bëhen këto shtesa dhe ndryshime:
Neni 1
Pas shkronjës “p”, të nenit 51, “Përjashtimi i disa veprimtarive me interes të përgjithshëm”, shtohet shkronja “q”, me këtë përmbajtje:
“q) Furnizimi i artikujve të përfshirë në kreun 4401 të Nomenklaturës së Kombinuar të Mallrave, me efekt deri më 31 dhjetor 2023.”.
Neni 2
Pas pikës 44, të nenit 56, “Përjashtime të veçanta në import”, shtohen pikat 45 dhe 46, me këtë përmbajtje:
“45. Mallrat e destinuara për realizimin e projekteve të financuara me fonde të marra në bazë të një marrëveshjeje donacioni/granti, të lidhur ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë / Republikës së Shqipërisë dhe donatorëve të huaj, nëse në marrëveshje është parashikuar se fondet e marra nuk do të përdoren për të paguar tatime.
Kriteret dhe procedurat për zbatimin e kësaj pike përcaktohen me udhëzim të ministrit të Financave.
46. Importimi i artikujve të përfshirë në kreun 4401 të Nomenklaturës së Kombinuar të Mallrave, me efekt deri më 31 dhjetor 2023.”.
Neni 3
Pas shkronjës “b”, të pikës 1, të nenit 60, “Furnizime të përngjashme me eksportet”, shtohet shkronja “c”, me këtë përmbajtje:
“c) Furnizimi i mallrave / shërbimeve, të destinuara për realizimin e projekteve të financuara me fonde të marra në bazë të një marrëveshjeje donacioni/granti, të lidhur ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë / Republikës së Shqipërisë dhe donatorëve të huaj, nëse në marrëveshje është parashikuar se fondet e marra nuk do të përdoren për të paguar tatime.”.
Neni 4
Në fund të pikës 2, të nenit 77, “Rimbursimi i TVSH-së”, shtohen fjalët “… me përjashtim të rasteve të parashikuara në nenet 56, pika 1, dhe 60, pika 1, shkronja “c”, të këtij ligji.”.
Nen 5
Pas nenit 155, “Mbajtja e llogarive”, shtohet seksioni 6, “Regjimi i veçantë për Bursën Shqiptare të Energjisë Elektrike”, përfshirë nenet 155/1, 155/2 dhe 155/3, me këtë përmbajtje:
“SEKSIONI 6
REGJIMI I VEÇANTË PËR BURSËN SHQIPTARE TË ENERGJISË ELEKTRIKE
Neni 155/1
Përkufizime
Për qëllime të këtij seksioni, me termat e mëposhtëm kuptohet:
a) “Bursa Shqiptare e Energjisë Elektrike” është struktura përgjegjëse për menaxhimin dhe administrimin e tregut të organizuar ndërmjet platformës së tregut për shitjen dhe blerjen e energjisë elektrike, në bazë të ditës në avancë dhe/ose brenda së njëjtës ditë, si dhe për të gjitha aktivitetet e lidhura me të, duke përfshirë edhe aktivitetin e kompensimit financiar (clearing) mes pjesëmarrësve të tregut, në përputhje me rregullat dhe modelin e tregut.
b) “Treg energjie elektrike” një sistem ku kryhen shitje dhe blerje efektive, përfshirë edhe derivativët e energjisë elektrike, nëpërmjet kërkesave dhe ofertave, të paraqitura në periudha afatgjata dhe afatshkurtra.
c) “Derivativ elektrik” është një instrument financiar që mund të përdoret nga pjesëmarrësit e tregut të energjisë elektrike si mjet sigurie ndaj luhatjeve të mundshme të çmimit të energjisë elektrike në treg.
d) “Pjesëmarrës i tregut të energjisë elektrike” është një person juridik, i regjistruar si pjesëtar i tregut të energjisë elektrike, që përfshin prodhuesit, tregtarët, furnizuesit, klientët, Operatorin e Sistemit të Transmetimit, Operatorin e Sistemit të Shpërndarjes, sistemet e mbyllura të shpërndarjes dhe operatorin e tregut. Operatori i Sistemit të Transmetimit dhe Operatori i Sistemit të Shpërndarjes janë pjesëmarrës të tregut të energjisë elektrike vetëm për qëllim të sigurimit të energjisë elektrike të nevojshme për mbulimin e humbjeve në rrjet, balancimin dhe shërbimet ndihmëse.”.
Neni 155/2
Përjashtimi nga tatimi
Përjashtohen nga tatimi mbi vlerën e shtuar importimi dhe furnizimi brenda vendit i energjisë elektrike të destinuar për t’u shitur nëpërmjet Bursës Shqiptare të Energjisë Elektrike.
Neni 155/3
Pagesa e TVSH-së
1. Në rastin e furnizimit të energjisë elektrike të tregtuar nëpërmjet Bursës Shqiptare të Energjisë Elektrike, TVSH-ja bëhet e kërkueshme në momentin kur shpallen rezultatet në tregjet e ankandeve të ditës në avancë ose brenda së njëjtës ditë ose në momentin kur urdhërporositë përputhen në rastin e tregut të vazhdueshëm brenda së njëjtës ditë.
2. TVSH-ja është e pagueshme nga personi i tatueshëm për të cilin kryhet furnizimi me energji elektrike nga Bursa Shqiptare e Energjisë Elektrike në përputhje me parashikimet e këtij seksioni dhe përcaktimet e nenit 21. Për efekt të përllogaritjes së TVSH-së blerësi i energjisë elektrike nga Bursa Shqiptare e Energjisë Elektrike, kryen autongarkesën (reverse-charge) e TVSH-së në cilësinë e personit përgjegjës për pagesën e TVSH-së.
Procedurat për zbatimin e kësaj pike dhe fillimi i aplikimit të kësaj skeme të veçantë përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.”.
Neni 6
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i shtrin efektet nga 1 janari 2023.
K R Y E T A R I
LINDITA NIKOLLA
***
V E N D I M
PËR
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR NJË SHTESË NË LIGJIN NR.10383, DATË 24.2.2011, “PËR SIGURIMIN E DETYRUESHËM TË KUJDESIT SHËNDETËSOR NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË”, TË NDRYSHUAR”
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, e 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Propozimin e projektligjit “Për një shtesë në ligjin nr.10383, datë 24.2.2011, “Për sigurimin e detyrueshëm të kujdesit shëndetësor në Republikën e Shqipërisë, të ndryshuar”, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
###
P R O J E K T L I GJ
PËR
NJË SHTESË NË LIGJIN NR.10383, DATË 24.2.2011, “PËR SIGURIMIN E DETYRUESHËM TË KUJDESIT SHËNDETËSOR NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I:
Neni 1
Në ligjin nr.10383, datë 24.2.2011, “Për sigurimin e detyrueshëm të kujdesit shëndetësor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, pas shkronjës “ë”, të pikës 2, të nenit 5, shtohet shkronja “f”, me këtë përmbajtje:
“f) gratë e papuna, me tre apo më shumë fëmijë të moshës deri në 18 vjeç, ku njëri prej fëmijëve është nën moshën 5 vjeç dhe familja ka të ardhura nën 100 mijë lekë në muaj, për periudhën e kujdesit ndaj fëmijës deri në moshën 5-vjeçare.”.
Neni 2
Ky ligj hyn në fuqi 15 pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i shtrin efektet nga data 1 janar 2023.
K R Y E T A R I
LINDITA NIKOLLA