Projektligje të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 27 Maj 2020:
AKT NORMATIV
PËR
DISA NDRYSHIME NË AKTIN NORMATIV NR.9, DATË 25.3.2020, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MARRJEN E MASAVE TË VEÇANTA NË FUSHËN E VEPRIMTARISË GJYQËSORE, GJATË KOHËZGJATJES SË GJENDJES SË EPIDEMISË SË SHKAKTUAR NGA COVID-19”, MIRATUAR ME LIGJIN NR.30/2020
Në mbështetje të nenit 101 të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Drejtësisë dhe të ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në aktin normativ nr.9, datë 25.3.2020, të Këshillit të Ministrave, miratuar me ligjin nr.30/2020, bëhen këto ndryshime:
Neni 1
Në nenin 3 bëhen këto ndryshime:
1. Pika 1 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“1. Gjatë kohëzgjatjes së gjendjes së epidemisë së shkaktuar nga COVID-19, gjykatat zhvillojnë seancat gjyqësore në çështjet administrative, civile dhe penale, duke zbatuar masat organizative specifike për zhvillimin e proceseve gjyqësore, të nevojshme për të shmangur grumbullimet në ambientet e gjykatave dhe brenda sallave gjyqësore, sipas rregullave që miratohen në përputhje me parashikimet e pikës 4, të nenit 3, të këtij akti normativ.”.
2. Pikat 2 dhe 3 shfuqizohen.
3. Në pikën 4 bëhen këto ndryshime:
a) Shkronja “a” ndryshohet, si më poshtë vijon:
“a) Kufizimin e hyrjes së publikut në ambientet e gjykatës, duke garantuar zbatimin e rregullave të vendosura për këtë qëllim;”.
b) Shkronja “ç” ndryshohet, si më poshtë vijon:
“ç) zhvillimin me dyer të mbyllura të të gjitha seancave gjyqësore publike;”.
c) Në shkronjën “d”, fjalët “… të parashikuara në pikën 3, të këtij neni,” shfuqizohen.
Neni 2
Neni 4 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Neni 4
Pjesëmarrja në distancë në seanca gjyqësore
1. Pjesëmarrja e palëve, ndërhyrësit kryesor, ndërhyrësit dytësor, personit të tretë ose përfaqësuesve të tyre, prokurorit, të pandehurit, të paraburgosurit, avokatit mbrojtës, viktimës, viktimës akuzuese, paditësit, të paditurit civil, avokatit të shtetit, dëshmitarëve, ekspertëve, përkthyesve si dhe çdo pjesëmarrësi tjetër të përfshirë ose të interesuar, në të gjitha seancat përgatitore/gjyqësore sigurohet atje ku është e mundur dhe vetëm pasi palët kanë dhënë pëlqimin brenda një afati të caktuar nga gjykata, nëpërmjet ndërlidhjes audiovizive në distancë, duke përdorur programe kompjuterike të përshtatshme për këtë qëllim.
2. Mënyra e ndërlidhjes në distancë duhet të sigurojë, në çdo rast, shikueshmërinë e ndërsjellë të personave të pranishëm në të dyja vendet e ndërlidhura dhe mundësinë e dëgjimit nga të gjitha palët. Nëse parashikohet pjesëmarrja e disa palëve ose pjesëmarrësve të tjerë në proces, secili prej tyre duhet të vendoset në kushte që të mund të shikojë dhe të dëgjojë të tjerët.
3. Në rastet kur seancat gjyqësore zhvillohen në distancë, provat, dokumentet shkresore si dhe çdo akt tjetër procedural i paraqiten gjykatës ose edhe palëve nëpërmjet mjeteve të komunikimit elektronik si dhe dërgohen, brenda të njëjtës ditë, nëpërmjet shërbimit postar, me dërgesë të porositur. Dëftesa e marrjes në dorëzim duhet të ruhet nga palët deri në marrjen e vendimit të formës së prerë. Në rast se pala nuk i dërgon aktet, sipas kësaj pike, konsiderohet që ato nuk janë paraqitur.”.
Neni 3
Aktet nënligjore
Këshillat dhe organet e administrimit gjyqësor të çdo gjykate miratojnë aktet nënligjore për masat organizative specifike për zhvillimin e proceseve gjyqësore, sipas përcaktimit të pikës 4, të nenit 3, të aktit normativ nr.9, datë 25.3.2020, të Këshillit të Ministrave, “Për marrjen e masave të veçanta në fushën e veprimtarisë gjyqësore gjatë kohëzgjatjes së gjendjes së epidemisë së shkaktuar nga COVID-19”, miratuar me ligjin nr.30/2020, jo më vonë se 5 (pesë) ditë nga hyrja në fuqi e këtij akti normativ.
Neni 4
Dispozitë tranzitore
Afatet që kishin filluar të llogariten sipas procedurave të parashikuara në legjislacionin përkatës, por u pezulluan sipas pikës 2, të nenit 3, të aktit normativ nr.9, datë 25.3.2020, të Këshillit të Ministrave, “Për marrjen e masave të veçanta në fushën e veprimtarisë gjyqësore, gjatë kohëzgjatjes së gjendjes së epidemisë së shkaktuar nga COVID-19”, vazhdojnë të llogariten nga data e hyrjes në fuqi të këtij akti normativ për pjesën e paplotësuar të afatit. Afatet që duhet të fillonin gjatë periudhës së pezullimit fillojnë të llogariten sipas procedurave të parashikuara në legjislacionin përkatës nga data e hyrjes në fuqi të këtij akti normativ.
Neni 5
Hyrja në fuqi
Ky akt normativ hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
AKT NORMATIV
PËR
SHFUQIZIMIN E AKTIT NORMATIV NR.13, DATË 2.4.2020, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PЁR MARRJEN E MASAVE TЁ VEÇANTA NЁ FUSHЁN E VEPRIMTARISЁ SЁ SHЁRBIMIT PЁRMBARIMOR GJYQЁSOR, NDЁRMJETЁSIMIT DHE ADMINISTRIMIT TЁ PROCEDURAVE TЁ FALIMENTIMIT GJATЁ KOHЁZGJATJES SЁ GJENDJES SЁ EPIDEMISЁ SЁ SHKAKTUAR NGA COVID-19”, MIRATUAR ME LIGJIN NR.34/2020
Në mbështetje të nenit 101 të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Drejtësisë dhe të ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Neni 1
Akti normativ nr.13, datë 2.4.2020, i Këshillit të Ministrave, “Pёr marrjen e masave tё veçanta nё fushёn e veprimtarisё sё shёrbimit pёrmbarimor gjyqёsor, ndёrmjetёsimit dhe administrimit tё procedurave tё falimentimit gjatё kohёzgjatjes sё gjendjes sё epidemisё sё shkaktuar nga COVID-19”, miratuar me ligjin nr.34/2020, shfuqizohet.
Neni 2
Dispozitë tranzitore
Afatet që kishin filluar të llogariten, por u pezulluan sipas pikës 1, të nenit 3, të aktit normativ nr.13, datë 2.4.2020, të Këshillit të Ministrave, “Pёr marrjen e masave tё veçanta nё fushёn e veprimtarisё sё shёrbimit pёrmbarimor gjyqёsor, ndёrmjetёsimit dhe administrimit tё procedurave tё falimentimit gjatё kohёzgjatjes sё gjendjes sё epidemisё sё shkaktuar nga COVID-19”, vazhdojnë të llogariten nga data e hyrjes në fuqi të këtij akti normativ, për pjesën e paplotësuar të afatit. Afatet që duhet të fillonin gjatë periudhës së pezullimit, fillojnë të llogariten nga data e hyrjes në fuqi të këtij akti normativ.
Neni 3
Hyrja në fuqi
Ky akt normativ hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
P R O J E K T L I GJ
PËR
EUROBONDIN QË DO TË EMETOHET NGA MINISTRI I FINANCAVE DHE EKONOMISË, MIRATIMIN E PËRJASHTIMEVE NGA TATIMET E TAKSAT DHE TË PARASHIKIMEVE PËR HEQJEN DORË NGA IMUNITETI NË MARRËVESHJET QË DO TË LIDHEN
Në mbështetje të neneve 78, 83, pika 1, dhe 84, pika 4, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I:
Neni 1
Në marrëveshjet që do të lidhen nga ministri i Financave dhe Ekonomisë për emetimin e instrumentit “Eurobond”, në përputhje me ligjin nr.9665, datë 18.12.2006, “Për huamarrjen shtetërore, borxhin shtetëror dhe garancitë shtetërore të huasë në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe thelbësisht sipas kushteve të përcaktuara në tekstin e tyre, që i bashkëlidhen këtij ligji, lejohen parashikimet për heqjen dorë nga imuniteti.
Neni 2
Mbajtësit e titujve të eurobondit dhe menaxherët bashkëdrejtues, sipas përcaktimeve në marrëveshjet bashkëlidhur, përjashtohen nga tatimi mbi të ardhurat, nga tatimi mbi vlerën e shtuar dhe çdo tatim apo taksë tjetër në Republikën e Shqipërisë, për të gjitha transaksionet dhe veprimtaritë që lidhen me emetimin, mbajtjen, ruajtjen dhe tregtimin e eurobondeve.
Neni 3
Procesi, deri në daljen e eurobondit në tregjet ndërkombëtare, ndiqet nga ministri i Financave dhe Ekonomisë dhe ministri i Shtetit për Rindërtimin.
Neni 4
Ky ligj hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E T A R I
GRAMOZ RUÇI
###
V E N D I M
PËR
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR EUROBONDIN QË DO TË EMETOHET NGA MINISTRI I FINANCAVE DHE EKONOMISË, MIRATIMIN E PERJASHTIMEVE NGA TATIMET E TAKSAT DHE TË PARASHIKIMEVE PËR HEQJEN DORË NGA IMUNITETI, NË MARRËVESHJET QË DO TË LIDHEN”
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Propozimin e projektligjit “Për eurobondin që do të emetohet nga ministri i Financave dhe Ekonomisë, miratimin e përjashtimeve nga tatimet e taksat dhe të parashikimeve për heqjen dorë nga imuniteti, në marrëveshjet që do të lidhen”, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
P R O J E K T L I GJ
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË LIGJIN NR.9357, DATË 17.3.2005, “PËR STATUSIN E PUNONJËSIT TË SHËRBIMIT INFORMATIV TË SHTETIT”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të neneve 81 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I:
Në ligjin nr.9357, datë 17.3.2005, “Për statusin e punonjësit të Shërbimit Informativ të Shtetit”, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime dhe shtesa
Neni 1
Pika 2, e nenit 3, shfuqizohet.
Neni 2
Në nenin 4 bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
1. Në fund të shkronjës “b” shtohen fjalët “… brenda dhe jashtë vendit”;
2. Në shkronjën “f”, fjalët “ … i Shërbimit Informativ Ushtarak” zëvendësohen me “… në strukturat e inteligjencës së mbrojtjes”.
3. Pas shkronjës “f” shtohet shkronja “g”, me këtë përmbajtje:
“g) koha si punonjës në struktura të veçanta në SHISH. Procedura përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave.”.
Neni 3
Në pikën 4, të nenit 5, fjalët “… botohet në dy gazeta kombëtare me tirazh të madh …” zëvendësohen me “… publikohet në faqen zyrtare të SHISH-it …”.
Neni 4
Neni 6 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Neni 6
Kursi bazë
1. Në Shërbimin Informativ të Shtetit organizohet kursi bazë për formimin profesional të punonjësve.
2. Shtetasi, i cili pranohet në Shërbimin Informativ të Shtetit për t’u trajnuar në kursin bazë, ndërpret marrëdhëniet me Shërbimin, nëse gjatë periudhës së trajnimit vlerësohet se nuk ka aftësitë e nevojshme për kryerjen e detyrave.
3. Marrëdhëniet ndërpriten me urdhër të drejtorit të Shërbimit Informativ të Shtetit, pas propozimit të drejtorit të njësisë përgjegjëse për zhvillimin e kursit bazë apo të njësisë së ngarkuar me shqyrtimin e rastit.
4. Kursanti, që nuk paraqitet në detyrë pas emërimit dhe bën kërkesë për lirim nga shërbimi pa shkaqe të justifikuara, brenda periudhës së provës, paguan të plota pagën dhe shpenzimet e bëra për trajnimin e tij. Mënyra e përllogaritjes së shpenzimeve përcaktohet me urdhër të drejtorit të Shërbimit Informativ të Shtetit.”.
Neni 5
Në nenin 7 bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
1. Titulli i nenit ndryshohet dhe bëhet “Emërimi dhe periudha e provës”.
2. Në fillim të pikës 1 shtohet fjalia, me këtë përmbajtje:
“Emërimi në detyrë është momenti i fillimit të marrëdhënies së punës për punonjësit e SHISH-it.”.
3. Në fjalinë e fundit, të pikës 1, pas fjalëve “… periudhës së provës …” shtohen fjalët “… si dhe trajtimi financiar i mentorit …”.
4. Në pikën 2, fjalët “… e eprorit direkt …” zëvendësohen me “… e njësisë strukturore përkatëse …”.
5. Në shkronjën “c”, të pikës 2, pas fjalës “… kur …” shtohen fjalët “… sipas procedurave përkatëse, …” dhe fjalia “Paaftësia duhet të konfirmohet nga njësia e ngarkuar me funksionet e inspektimit” shfuqizohet.
Neni 6
Në nenin 9 bëhen këto shtesa dhe ndryshime:
1. Në fund të pikës 1 shtohet fjalia “Vlerësimi i punës bëhet edhe me kërkesën e punonjësit.”.
2. Në pikën 2 fjalët “… të cilësisë dhe shpejtësisë …” shfuqizohen.
Neni 7
Në fund të pikës 1, të nenit 10, shtohen fjalët “… për nivelin e lartë drejtues dhe “mirë” ose “shumë mirë” për nivelet e tjera.”.
Neni 8
Në nenin 11 bëhen këto shtesa dhe ndryshime:
1. Në pikën 1, pas fjalës “… punonjësit …” shtohen fjalët “… jashtë vendbanimit …”.
2. Pika 3 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“3. Punonjësi, i cili transferohet jashtë vendbanimit, përfiton:
a) rimbursimin e plotë të shpenzimeve të transferimit të tij dhe/ose të familjes;
b) kompensimin për qira banese të akomodimit të tij dhe/ose të familjes, kur ai ose ndonjë pjesëtar i familjes nuk ka banesë në pronësi në vendin e ri të punës;
c) kompensimin për udhëtim.
Emërimi jashtë vendbanimit do të konsiderohet transferim, për efekt të kësaj pike.
Masa dhe mënyrat e kompensimit përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.”.
Neni 9
Në nenin 12 bëhen këto ndryshime:
1. Shkronja “a”, e pikës 1, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“a) për një periudhë nga 3 (tre) deri në 9 (nëntë muaj në vit, për mbarëvajtjen e punës, për përfundimin e procesit të një çështjeje të veçantë ose në raste të mbingarkesës së krijuar në një njësi strukturore;”.
2. Shkronja “b” shfuqizohet.
Neni 10
Në fund të shkronjës “e”, të pikës 1, të nenit 13, shtohen fjalitë, me këtë përmbajtje:
“Në rastet e trajnimit afatgjatë nga shërbimi për një periudhë mbi gjashtë muaj, brenda dhe jashtë vendit, punonjësi është i detyruar të qëndrojë në SHISH 2 (dy) vjet pas kryerjes, në të kundërt kthen pagën dhe shpenzimet e trajnimit. Mënyra e përllogaritjes së shpenzimeve përcaktohet me urdhër të drejtorit të SHISH-it.”.
Neni 11
Në fund të pikës 1, të nenit 22, shtohet fjalia, me këtë përmbajtje:
“Shtesën mbi pagë e përfitojnë edhe drejtori e zëvendësdrejtori i SHISH-it, sipas përcaktimeve me vendim të Këshillit të Ministrave.”.
Neni 12
Pika 5, e nenit 23, shfuqizohet.
Neni 13
Në fund të pikës 1, të nenit 29, shtohet fjalia “Shpërblimi përballohet nga fondi i pagave.”.
Neni 14
Neni 35 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Neni 35
Mbrojtja e veçantë ligjore
1. Punonjësi i Shërbimit Informativ të Shtetit ose individi që merr pjesë në operacione të fshehta të këtij shërbimi mund të përdorë identitet të dyfishtë, në mënyrë të përkohshme, me qëllim garantimin e sigurisë së operacionit.
2. Procedurat për pajisjen, mbajtjen dhe përdorimin e identitetit të dyfishtë përcaktohen me udhëzim të përbashkët të drejtorit të Shërbimit Informativ të Shtetit dhe të ministrit përgjegjës për rendin dhe sigurinë publike.
3. Kur individit ose punonjësit të Shërbimit Informativ të Shtetit, që merr pjesë në operacione të fshehta dhe përdor identitet të dyfishtë, për shkak të detyrës ose bashkëpunimit, i kërcënohet jeta, shëndeti, familja apo prona, i garantohet mbrojtje e veçantë ligjore, me urdhër të drejtorit të Shërbimit Informativ të Shtetit.”.
Neni 15
Në fund të nenit 39 shtohen fjalët “… bazuar në marrëveshjen ndërmjet titullarëve.”.
Neni 16
Në nenin 45 bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
1. Shkronja “c” ndryshohet, si më poshtë vijon:
“c) përmbush kriteret për pension të parakohshëm dhe kërkon të largohet nga ky shërbim;”.
2. Në shkronjën “dh”, fjalët “… të mbështetura edhe nga njësia e ngarkuar me funksionet e inspektimit” hiqen.
3. Pas shkronjës “e” shtohen shkronjat “f” dhe “g”, me këtë përmbajtje:
“f) cenohet kushti i sigurisë;
g) mosparaqitja ne detyrë pa shkaqe të arsyeshme për 7 (shtatë) ditë pune.”.
Neni 17
Në nenin 50, fjalët “… 10 ditë …” zëvendësohen me “… 5 ditë …”.
Neni 18
Në nenin 54 bëhen këto shtesa dhe ndryshime:
1. Në fund të pikës 1 shtohen fjalët “… dhe kur ndaj tij merret masa disiplinore e përjashtimit nga shërbimi.”.
2. Pika 2 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“2. Punonjësi i SHISH-it, në rastet kur ndaj tij merret masa disiplinore e përjashtimit nga shërbimi, ka të drejtë të ankohet, pranë Komisionit të Disiplinës, sipas përcaktimeve të bëra në këtë ligj.”.
Neni 19
Nxjerrja e akteve nënligjore
1. Ngarkohet Këshilli i Ministrave që, brenda 6 (gjashtë) muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, të nxjerrë aktet nënligjore në zbatim të dispozitave të ndryshuara, përkatësisht, të neneve 4, shkronja “g”, 11, pika 3, dhe 22, pika 3.
2. Ngarkohen drejtori i Shërbimit Informativ të Shtetit dhe ministri përgjegjës për rendin dhe sigurinë publike që, brenda 6 (gjashtë) muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, të nxjerrin udhëzimin e përbashkët, në zbatim të pikës 2, të nenit 35, të ndryshuar me këtë ligj.
3. Ngarkohet drejtori i Shërbimit Informativ të Shtetit që, brenda 3 (tre) muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, të nxjerrë aktet nënligjore në zbatim të pikës 3, të nenit 35, të ndryshuar me këtë ligj.
Neni 20
Hyrja në fuqi
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E T A R I
GRAMOZ RUÇI
###
V E N D I M
PËR
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË LIGJIN NR.9357, DATË 17.3.2005, “PËR STATUSIN E PUNONJËSIT TË SHËRBIMIT INFORMATIV TË SHTETIT”, TË NDRYSHUAR”
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Propozimin e projektligjit “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.9357, datë 17.3.2005, “Për statusin e punonjësit të Shërbimit Informativ të Shtetit”, të ndryshuar”, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
P R O J E K T L I G J
PËR
TRAJTIMIN FINANCIAR TË PUNONJËSVE TË SHËRBIMIT INFORMATIV TË SHTETIT, PAS NDËRPRERJES SË MARRËDHËNIEVE TË PUNËS
Në mbështetje të neneve 78 e 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I:
Neni 1
Qëllimi
Qëllimi i këtij ligji është t’u garantojë trajtim financiar punonjësve të Shërbimit Informativ të Shtetit, në rast të ndërprerjes së marrëdhënieve të punës, përpara daljes në pension të plotë pleqërie.
Neni 2
Subjektet përfituese
Subjekte të përfitimit të trajtimit financiar, sipas këtij ligji, janë punonjësit e Shërbimit Informativ të Shtetit, të cilët plotësojnë kriteret e përcaktuara në këtë ligj.
Neni 3
Vjetërsia në shërbim
Për efekt të përfitimit të trajtimit financiar, pas ndërprerjes së marrëdhënieve të punës, njihet si vjetërsi shërbimi koha si punonjës në Shërbimin Informativ të Shtetit; Agjencinë e Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes, Shërbimin për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, strukturat e ministrisë përgjegjëse për rendin dhe sigurinë publike, me status policor, si ushtarak i shërbimit aktiv të përhershëm dhe në struktura të tjera shtetërore, me gradë policore ose ushtarake.
Neni 4
Kriteret e përfitimit të trajtimit financiar
1. Punonjësi i Shërbimit Informativ të Shtetit përfiton trajtimin financiar, sipas këtij ligji, pas ndërprerjes së marrëdhënieve të punës deri në plotësimin e moshës për pension të plotë pleqërie, kur:
a) ka mbushur moshën 57 vjeç;
b) plotëson 25 vite vjetërsi shërbimi në strukturat e përmendura në nenin 3, të këtij ligji.
2. Trajtimi financiar i punonjësve të Shërbimit Informativ të Shtetit, sipas përcaktimeve të këtij ligji, është në masën 50% të pagës mujore neto, në momentin e ndërprerjes së marrëdhënieve të punës me Shërbimin Informativ të Shtetit.
3. Gjatë periudhës së trajtimit me pagesë kalimtare, sipas legjislacionit përkatës në fuqi, masa e trajtimit financiar, sipas këtij ligji, nuk duhet të kalojë masën e pagës mujore neto, në momentin e ndërprerjes së marrëdhënieve të punës me shërbimin përkatës.
4. Trajtimi financiar përfitohet me kërkesë të punonjësit ose kërkesë të titullarit të institucionit përkatës dhe miratohet nga Komisioni i Posaçëm. Përzgjedhja e përfituesve do të bëhet nga Komisioni i Posaçëm, sipas kritereve të moshës, të vjetërsisë në shërbim, aftësisë fizike të punonjësve dhe duhet të garantojë respektimin e parimeve të mosdiskriminimit, të objektivitetit, të transparencës dhe të paanshmërisë.
5. Përbërja, organizimi dhe funksionimi i Komisionit të Posaçëm përcaktohen me urdhër të drejtorit të Shërbimit Informativ të Shtetit.
Neni 5
Financimi
Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij ligji, mbulohen nga buxheti vjetor përkatës i miratuar për Shërbimin Informativ të Shtetit.
Neni 6
Indeksimi
Trajtimi financiar pas ndërprerjes së marrëdhënieve të punës të punonjësve të Shërbimit Informativ të Shtetit indeksohet sa herë bëhet indeksimi i pensioneve, me vendim të Këshillit të Ministrave.
Neni 7
Detyrimet e përfituesit, sipas këtij ligji
1. Punonjësit e Shërbimit Informativ të Shtetit, të cilët përfitojnë trajtimin financiar sipas këtij ligji, kanë detyrimin të aktivizohen, deri në 700 orë në vit dhe, gjatë kësaj periudhe, kanë të njëjtat të drejta e detyrime si punonjësit e tjerë të shërbimit përkatës, me përjashtim të trajtimit financiar.
2. Mosplotësimi i detyrimit të këtij neni është shkak për ndërprerjen e trajtimit financiar sipas këtij ligji. Ndërprerja e përfitimit të trajtimit financiar bëhet me propozim të titullarit të institucionit përkatës dhe miratim të Komisionit të Posaçëm.
3. Rregullat dhe procedura për aktivizimin në shërbim, sipas pikës 1, të këtij neni, përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
Neni 8
Dispozita kalimtare dhe të fundit
1. Dispozitat e këtij ligji zbatohen vetëm për punonjësit e Shërbimit Informativ të Shtetit, të cilët plotësojnë kriteret e përcaktuara në nenin 4, të këtij ligji, dhe ndërpresin marrëdhëniet e punës pas hyrjes në fuqi të tij.
2. Trajtimi financiar ndërpritet kur përfituesi rikthehet në Shërbimin Informativ të Shtetit si dhe në rastet kur punësohet në sektorin publik.
3. Trajtimi financiar, i përfituar sipas këtij ligji, nuk prek përfitimet që i lindin punonjësit të Shërbimit Informativ të Shtetit nga legjislacioni në fuqi.
Neni 9
Nxjerrja e akteve nënligjore
Ngarkohet Këshilli i Ministrave që, brenda 3 (tre) muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, të nxjerrë aktin nënligjor, në zbatim të pikës 3, të nenit 7, të tij.
Neni 10
Hyrja në fuqi
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E T A R I
GRAMOZ RUÇI
###
V E N D I M
PËR
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR TRAJTIMIN FINANCIAR TË PUNONJËSVE TË SHËRBIMIT INFORMATIV TË SHTETIT, PAS NDËRPRERJES SË MARRËDHËNIEVE TË PUNËS”
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Propozimin e projektligjit “Për trajtimin financiar të punonjësve të Shërbimit Informativ të Shtetit, pas ndërprerjes së marrëdhënieve të punës”, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA