Projektligje të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 27 Mars 2024:
V E N D I M
PËR
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR RATIFIKIMIN E KONVENTËS PËR MARRËVESHJET PËR ZGJEDHJEN E GJYKATËS”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 17, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Propozimin e projektligjit “Për ratifikimin e Konventës për Marrëveshjet për Zgjedhjen e Gjykatës”, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
###
P R O J E K T L I GJ
PËR
RATIFIKIMIN E KONVENTËS PËR MARRËVESHJET PËR ZGJEDHJEN E GJYKATËS
Në mbështetje të neneve 78, 81, pika 1, 83, pika 1, dhe 121, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I:
Neni 1
Ratifikimin e Konventës për Marrëveshjet për Zgjedhjen e Gjykatës, bërë në Hagë, më 30 qershor 2005, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij ligji dhe është pjesë përbërëse e tij.
Neni 2
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E T A R I
LINDITA NIKOLLA
***
V E N D I M
PËR
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR RATIFIKIMIN E PROTOKOLLIT PËR LIGJIN E ZBATUESHËM PËR DETYRIMET USHQIMORE”
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, dhe të nenit 17, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Propozimin e projektligjit “Për ratifikimin e protokollit për ligjin e zbatueshëm për detyrimet ushqimore”, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
###
P R O J E K T L I GJ
PËR
RATIFIKIMIN E PROTOKOLLIT PËR LIGJIN E ZBATUESHËM PËR DETYRIMET USHQIMORE
Në mbështetje të neneve 78, 81, pika 1, 83, pika 1, dhe 121, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I:
Neni 1
Ratifikimin e protokollit për ligjin e zbatueshëm për detyrimet ushqimore, bërë në Hagë, më 23 nëntor 2007, që i bashkëlidhet këtij ligji dhe është pjesë përbërëse e tij.
Neni 2
Ligji nr.10397, datë 17.3.2011, “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në konventën “Për ligjin e zbatueshëm për detyrimet ushqimore””, shfuqizohet.
Neni 3
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E T A R I
LINDITA NIKOLLA
***
V E N D I M
PËR
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR RATIFIKIMIN E KONVENTËS LUBJANË-HAGË PËR BASHKËPUNIMIN NDËRKOMBËTAR PËR HETIMIN DHE NDJEKJEN PENALE TË KRIMIT TË GJENOCIDIT, KRIMEVE KUNDËR NJERËZIMIT, KRIMEVE TË LUFTËS DHE KRIMEVE TË TJERA NDËRKOMBËTARE”
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, dhe të nenit 17, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Propozimin e projektligjit “Për ratifikimin e Konventës Lubjanë-Hagë për Bashkëpunimin Ndërkombëtar për Hetimin dhe Ndjekjen Penale të Krimit të Gjenocidit, Krimeve kundër Njerëzimit, Krimeve të Luftës dhe Krimeve të Tjera Ndërkombëtare”, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikë së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
###
P R O J E K T L I GJ
PËR
RATIFIKIMIN E KONVENTËS LUBJANË – HAGË PËR BASHKËPUNIMIN NDËRKOMBËTAR PËR HETIMIN DHE NDJEKJEN PENALE TË KRIMIT TË GJENOCIDIT, KRIMEVE KUNDËR NJERËZIMIT, KRIMEVE TË LUFTËS DHE KRIMEVE TË TJERA NDËRKOMBËTARE
Në mbështetje të neneve 78 e 83, pika 1, dhe të nenit 121, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I:
Neni 1
Ratifikimin e Konventës Lubjanë – Hagë për Bashkëpunimin Ndërkombëtar për Hetimin dhe Ndjekjen Penale të Krimit të Gjenocidit, Krimeve kundër Njerëzimit, Krimeve të Luftës dhe Krimeve të Tjera Ndërkombëtare, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij ligji dhe është pjesë përbërëse e tij.
Neni 2
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E T A R I
LINDITA NIKOLLA
***
V E N D I M
PËR
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR RATIFIKIMIN E MARRËVESHJES, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE BASHKIMIT EVROPIAN, PËR PJESËMARRJEN E REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË NË PROGRAMIN “QYTETARËT, BARAZIA, TË DREJTAT DHE VLERAT””
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, e 100, të Kushtetutës, dhe të nenit 17, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Propozimin e projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian, për pjesëmarrjen e Republikës së Shqipërisë në programin “Qytetarët, barazia, të drejtat dhe vlerat””, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
###
P R O J E K T L I GJ
PËR
RATIFIKIMIN E MARRËVESHJES, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE BASHKIMIT EVROPIAN, PËR PJESËMARRJEN E REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË NË PROGRAMIN “QYTETARËT, BARAZIA, TË DREJTAT DHE VLERAT”
Në mbështetje të neneve 78, 83, pika 1, dhe 121, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I:
Neni 1
Ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian, për pjesëmarrjen e Republikës së Shqipërisë në programin “Qytetarët, barazia, të drejtat dhe vlerat”, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij ligji.
Neni 2
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E T A R I
LINDITA NIKOLLA
***
P R O J E K T L I GJ
PËR
DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË LIGJIN NR.10129, DATË 11.5.2009, “PËR GJENDJEN CIVILE”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I:
Në ligjin nr.10129, datë 11.5.2009, “Për gjendjen civile”, të ndryshuar, bëhen këto shtesa dhe ndryshime:
Neni 1
Neni 1 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Neni 1
Objekti
Objekti i këtij ligji është kuptimi dhe përbërësit e gjendjes civile të shtetasve shqiptarë, shtetasve të huaj me leje qëndrimi, shtetasve të huaj që kanë fituar statusin e refugjatit ose mbrojtje plotësuese si dhe të personave pa shtetësi, me vendbanim ose vendqëndrim në Republikën e Shqipërisë, përcaktimi i rregullave për hedhjen, ruajtjen dhe ndryshimin e tyre, si dhe organizimi e funksionimi i shërbimit të gjendjes civile në Republikën e Shqipërisë.”.
Neni 2
Në nenin 2 bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
1. Pikat 1, 2 dhe 4 ndryshohen, si më poshtë vijon:
“1. “Gjendja civile” është tërësia e të dhënave personale të shtetasve shqiptarë, shtetasve të huaj me leje qëndrimi, shtetasve të huaj që kanë fituar statusin e refugjatit ose mbrojtjes plotësuese si dhe të personave pa shtetësi, me vendbanim ose vendqëndrim në Republikën e Shqipërisë, të cilat regjistrohen dhe mbahen në Regjistrin Kombëtar dhe që vërtetojnë lindjen, ekzistencën, individualitetin, lidhjet ose marrëdhëniet ndërmjet tyre.”.
“2. “Regjistri Kombëtar i Gjendjes Civile” në vijim Regjistri Kombëtar, është baza e të dhënave shtetërore, ku pasqyrohen dhe përditësohen përbërësit e gjendjes civile të çdo shtetasi shqiptar, shtetasi të huaj me leje qëndrimi, shtetasve të huaj që kanë fituar statusin e refugjatit ose mbrojtjes plotësuese si dhe të personave pa shtetësi, me vendbanim ose vendqëndrim në Republikën e Shqipërisë.”.
“4. “Përbërës të gjendjes civile” janë të gjitha elementet e përcaktuara në këtë ligj, që shërbejnë për përcaktimin e identitetit të shtetasve shqiptarë, shtetasve të huaj me leje qëndrimi, shtetasve të huaj që kanë fituar statusin e refugjatit ose mbrojtjes plotësuese si dhe të personave pa shtetësi, me vendbanim ose vendqëndrim në Republikën e Shqipërisë.”.
2. Pas pikës 8 shtohet pika 9, me këtë përmbajtje:
“9. “Vendbanimi” dhe “Vendqëndrimi”, si përbërës të gjendjes civile kanë të njëjtin kuptim sipas përcaktimit në Kodin Civil.”.
Neni 3
Neni 4 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Neni 4
Vlera juridike e të dhënave
1. Të dhënat e gjendjes civile janë të vlefshme kur lëshohen nga nëpunës të shërbimit të gjendjes civile ose kur lëshohen me mjete elektronike, në mënyrën dhe formën e parashikuar në këtë ligj dhe në aktet nënligjore, të dala në zbatim të tij.
2. Për çdo dokument fizik që u jepet shtetasve, institucioneve dhe organeve të autorizuara me ligj, nëpunësi i zyrës së gjendjes civile shënon, në mënyrë të plotë, emrin, mbiemrin, nënshkrimin e vet dhe përdor vulën zyrtare të shërbimit të gjendjes civile.
3. Çdo dokument elektronik, që u jepet shtetasve, institucioneve dhe organeve të autorizuara me ligj, përmban nënshkrimin elektronik të nëpunësit që e lëshon. Dokumentet elektronike që postohen nga Regjistri Kombëtar, në sesionin “Dokumentet e mia”, në portalin unik qeveritar “e-Albania”, përmbajnë vulën elektronike të Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile.”.
Neni 4
Neni 14 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Neni 14
Deklarimi dhe ndryshimi i vendbanimit ose vendqëndrimit
1. Shtetasit kanë detyrimin që të deklarojnë adresën e vendbanimit dhe vendqëndrimit brenda vendit, si edhe ndryshimin e tyre, sipas të gjitha elementeve të parashikuara në legjislacionin në fuqi për sistemin e adresave.
2. Institucionet shëndetësore dhe institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale bëjnë deklarimin e vendqëndrimit të shtetasve, qëndrimi i të cilëve në këto institucione zgjat më shumë se 3 (tre) muaj, brenda 48 (dyzet e tetë) orëve nga data e përmbushjes së afatit.
3. Regjistrimi i vendbanimit dhe vendqëndrimit kryhet nga zyra e gjendjes civile në njësinë administrative, që ka në juridiksion territorial vendbanimin ose vendqëndrimin, pas marrjes së kërkesës nga shtetasi. Shtetasi nuk mund të deklarojë më shumë se një vendbanim ose një vendqëndrim njëherazi.
4. Ndryshimi i vendbanimit ose vendqëndrimit kryhet nga zyra e gjendjes civile të njësisë administrative që ka në juridiksion territorial vendbanimin ose vendqëndrimin e ri, pas marrjes së kërkesës nga shtetasi. Shtetasi duhet të deklarojë vendbanimin ose vendqëndrimin e ri, jo më vonë se 30 (tridhjetë) ditë nga zhvendosja në këtë vendbanim ose vendqëndrim.
5. Një ose më shumë familje kanë të drejtë të banojnë në vendbanimin e një familjeje tjetër, vetëm kur plotësohen standardet për sipërfaqen minimale të banimit që duhet të ketë një individ në banesë, sipas përcaktimeve të legjislacionit në fuqi.
6. Nëpunësi i gjendjes civile, në mbështetje të dokumentacionit zyrtar të lëshuar nga autoritetet përgjegjëse ku përcaktohet sipërfaqja e banesës, kryen verifikimin nëse përmbushet standardi i sipërfaqes minimale të banimit, sipas pikës 5, të këtij neni.
7. Mënyra e paraqitjes së kërkesës, dokumentacionit të nevojshëm, rregullat për deklarimin dhe ndryshimin e vendbanimit ose vendqëndrimit të shtetasve dhe institucioneve shtetërore, të parashikuara në pikën 2 të këtij neni, përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
8. Shtetasit, që kërkojnë të kryejnë veprime në regjistrin e gjendjes civile, duhet të kenë përmbushur detyrimin për deklarimin e ndryshimit të vendbanimit ose vendqendrimit.”.
Neni 5
Nenet 15, 17, 18, 19 dhe 20 shfuqizohen.
Neni 6
Neni 21 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Neni 21
Regjistrimi i vendqëndrimit të shtetasve të huaj me leje qëndrimi, shtetasve të huaj që kanë fituar statusin e refugjatit ose mbrojtjes plotësuese si dhe të personave pa shtetësi
1. Regjistrimi dhe ndryshimi i vendqëndrimit të shtetasve të huaj me leje qëndrimi dhe të personave pa shtetësi, me vendqëndrim në Republikën e Shqipërisë, kryhet, sipas rregullave të përcaktuara nga legjislacioni në fuqi për të huajt.
2. Regjistrimi dhe ndryshimi i vendqëndrimit të shtetasve të huaj që kanë fituar statusin e refugjatit ose mbrojtjes plotësuese kryhet, sipas rregullave të përcaktuara nga legjislacioni në fuqi për azilin.”.
Neni 7
Neni 22 shfuqizohet.
Neni 8
Në nenin 25 bëhen shtesa dhe ndryshimet e mëposhtme:
1. Në paragrafin e dytë, të pikës 1, togfjalëshi “… sipas ligjit …” zëvendësohet me fjalët “… në formë fizike ose elektronike, sipas ligjit …”.
2. Në pikën 2 bëhen shtesa dhe ndryshimet e mëposhtme:
a) Në fjalinë e parë, të pikës 2, pas fjalës “… mban …” shtohen fjalët “… harton dhe administron …”;
b) Shkronja “dh” ndryshohet, si më poshtë vijon:
“dh) vendimet e komisionit kombëtar për ndryshimin e emrit dhe mbiemrit.”;
c) Pas shkronjës “e” shtohet shkronja “ë”, me këtë përmbajtje:
“ë) vendimet për korrigjimin e gabimit material të drejtorit të Përgjithshëm të Gjendjes Civile.”.
3. Shkronja “a”, e pikës 3, shfuqizohet.
Neni 9
Në pikën 1, të nenit 32, fjalët “… përgjegjësi i gjendjes civile të Bashkisë së Tiranës …” hiqen.
Neni 10
Pikat 1 dhe 4, të nenit 33, shfuqizohen.
Neni 11
Neni 35 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Neni 35
Regjistrimi në Regjistrin Kombëtar
1. Në Regjistrin Kombëtar, në seksionin e të dhënave personale, pasqyrohen përbërësit e gjendjes civile të çdo shtetasi të përcaktuar në pikën 2, të nenit 2, të këtij ligji.
2. Rregullat e regjistrimit, të dhënat parësore, të dhënat dytësore, dhënësit e informacionit, ndërveprimi me bazat e tjera të të dhënave dhe niveli i aksesimit për bazën e të dhënave të Regjistrit Kombëtar përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.”.
Neni 12
Pika 6, e nenit 47, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“6. Rregullat dhe procedura për lidhjen e martesës dhe dokumentacioni që duhet të mbahet nga gjendja civile për lidhjen e martesës si dhe për ndryshimin e mbiemrit, kur ndodh për shkak të martesës, përcaktohen me udhëzim të ministrit përgjegjës për gjendjen civile.”.
Neni 13
Pas pikës 2, të nenit 51, shtohet pika 3, me këtë përmbajtje:
“3. Rregullat dhe procedurat për regjistrimin e fëmijëve, që lindin të vdekur, përcaktohen me udhëzim të ministrit përgjegjës për gjendjen civile.”.
Neni 14
Në nenin 61 bëhen këto ndryshime:
1. Në pikën 2, togfjalëshi “… edhe nga …” zëvendësohet me “… edhe në …”.
2. Pikat 3 dhe 4 shfuqizohen.
Neni 15
Pas shkronjës “e”, të nenit 67, shtohet shkronja “ë”, me këtë përmbajtje:
“ë) lëshojnë vërtetim ku konfirmohet fakti që është i njëjti person, kur, për shtetasit shqiptarë, nga një transkriptim në tjetrin ka gabime në një ose më shumë përbërës të gjendjes civile.”.
Neni 16
Neni 70 shfuqizohet.
Neni 17
Neni 71 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Neni 71
Detyrat e shërbimit të gjendjes civile në misione diplomatike dhe poste konsullore
1. Nëpunësit në misione diplomatike dhe poste konsullore kryejnë të njëjtat veprime si nëpunësit e shërbimit të gjendjes civile në territorin e Republikës së Shqipërisë dhe trajnohen përpara fillimit të detyrës si nëpunësit e gjendjes civile.
2. Nëpunësit në misione diplomatike dhe poste konsullore, përgjegjës për shërbimin e gjendjes civile, administrojnë dokumentacionin dhe kryejnë veprime në Regjistrin Kombëtar për shtetasit shqiptarë me vendqëndrim jashtë Shqipërisë, sipas përcaktimeve të bëra në këtë ligj dhe në dispozitat e tjera ligjore.
3. Veprimet, rregullat e administrimit dhe përcjelljes së dokumenteve në Drejtorinë e Përgjithshme të Gjendjes Civile për shtetasit shqiptarë, të cilat kryhen nga nëpunësit në misione diplomatike dhe poste konsullore miratohen me udhëzim të përbashkët të ministrit përgjegjës për gjendjen civile dhe ministrit përgjegjës për punët e jashtme.”.
Neni 18
Pikat 1 dhe 2, të nenit 74, ndryshohen, si më poshtë vijon:
“1. Në kuptim të këtij ligji, shkeljet e përmendura më poshtë, kur nuk përbëjnë vepër penale, përbëjnë kundërvajtje administrative dhe dënohen me gjobë:
a) Shkelja ose mosrespektimi i dispozitave të parashikuara në nenin 52, pikat 5 dhe 7, dënohet me gjobë në masën nga 3 000 lekë deri në 5 000 lekë.
b) Shkelja ose mosrespektimi i dispozitave të parashikuara në nenin 3, pika 1, nenin 41/1, pika 1, në nenin 52, pika 4, nenin 65, shkronja “g”, nenin 66 dhe në nenin 68, pikat 2 dhe 3, dënohet me gjobë në masën nga 10 000 lekë deri në 50 000 lekë.
2. Gjobat e parashikuara në shkronjat “a” dhe “b”, të pikës 1, të këtij neni, vendosen nga drejtori i Përgjithshëm i Gjendjes Civile. Kundër vendosjes së masës administrative me gjobë bëhet ankim brenda 30 (tridhjetë) ditëve pranë ministrit përgjegjës për gjendjen civile, i cili, brenda 10 (dhjetë) ditëve duhet të shprehet për këtë masë. Kundër urdhrit të ministrit përgjegjës për gjendjen civile bëhet ankim në gjykatë, sipas parashikimeve të ligjit nr.49/2012, “Për gjykatat administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”, të ndryshuar.”.
Neni 19
1. Kudo në ligj, fjalët “… përfaqësitë diplomatike dhe konsullore …”, “… përfaqësive diplomatike jashtë shtetit …”, “… përfaqësive diplomatike ose konsullore …”, “… përfaqësive diplomatike …” zëvendësohen, përkatësisht, me “… misionet diplomatike dhe postet konsullore …”, “… misioneve diplomatike dhe posteve konsullore …”, “… misioneve diplomatike ose posteve konsullore …”, “… misioneve diplomatike dhe posteve konsullore …”.
2. Kudo në ligj, fjalët “… që mbulon …” zëvendësohen me “… përgjegjës për …”.
Neni 20
Nxjerrja e akteve nënligjore
1. Ngarkohet Këshilli i Ministrave, që, brenda 6 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, të miratojë aktet nënligjore të parashikuara në nenet 4 dhe 11, të këtij ligji.
2. Ngarkohet ministri përgjegjës për gjendjen civile, që, brenda 60 ditëve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, të miratojë aktet nënligjore të përcaktuara në nenet 12 dhe 13, të këtij ligji.
3. Ngarkohet ministri përgjegjës për gjendjen civile dhe ministri përgjegjës për punët e jashtme të miratojnë udhëzimin e përbashkët në zbatim të nenit 17, të këtij ligji.
Neni 21
Hyrja në fuqi
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E T A R I
LINDITA NIKOLLA
###
V E N D I M
PËR
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË LIGJIN NR.10129, DATË 11.5.2009, “PËR GJENDJEN CIVILE”, TË NDRYSHUAR”
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Propozimin e projektligjit “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.10129, datë 11.5.2009, “Për gjendjen civile”, të ndryshuar”, për shqyrtim dhe miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA