Projektligje të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 27 Mars 2025:
P R O J E K T L I GJ
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË LIGJIN NR.16/2018, “PËR DIASPORËN”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të neneve 78, 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I:
Në ligjin nr.16/2018, “Për diasporën”, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
Neni 1
Neni 1 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Neni 1
Objekti
Ky ligj ka për objekt rregullimin e marrëdhënieve të bashkëpunimit e ndërveprimit ndërmjet autoriteteve shtetërore dhe diasporës, me qëllim ruajtjen dhe kultivimin e identitetit kombëtar, gjuhësor, kulturor e arsimor të pjesëtarëve të diasporës.”.
Neni 2
Në nenin 2, pikat 1 dhe 3 shfuqizohen.
Neni 3
Në titullin e kreut II, fjala “… shtetërore …” hiqet.
Neni 4
Në nenin 3 bëhen ndryshimet e mëposhtme:
1. Në titull dhe në fjalinë e parë, fjala “… shtetërore …” hiqet.
2. Pika 2 shfuqizohet.
3. Në pikën 4, fjala “… Koordinativ …” zëvendësohet me “… Koordinues …”.
4. Pika 10 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“10. Autoritete të tjera shtetërore, ente publike, të cilat në fushën e tyre të veprimtarisë kanë çështjet e diasporës.”.
Neni 5
Neni 4 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Neni 4
Këshilli i Ministrave
Këshilli i Ministrave:
a) përcakton politikat e vendit të origjinës për diasporën për t’u zbatuar nga organet shtetërore, përgjegjëse për marrëdhëniet me diasporën;
b) përcakton mënyrën dhe politikat për regjistrimin e shtetasve shqiptarë që jetojnë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë;
c) lidh marrëveshje sipas legjislacionit në fuqi.”.
Neni 6
Neni 4/1 shfuqizohet.
Neni 7
Në nenin 5 bëhen shtesa dhe ndryshimet e mëposhtme:
1. Në shkronjën “b”, në fillim të fjalisë, shtohen fjalët “Harton, nëpërmjet strukturave përgjegjëse …”.
2. Në shkronjën “dh”, fjala “… Kryeministrit …” zëvendësohet me fjalët “… autoriteteve të përcaktuara në këtë ligj …”.
3. Shkronja “e” shfuqizohet.
Neni 8
Neni 6 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Neni 6”
Qendrat kulturore për diasporën (QKD)
1. QKD-të krijohen me qëllim ruajtjen, kultivimin e identitetit kombëtar, gjuhësor, kulturor e arsimor të diasporës dhe forcimin e lidhjeve të saj me institucionet e Republikës së Shqipërisë.
2. QKD-të ushtrojnë veprimtarinë në vendet me interes për diasporën shqiptare, hapen në marrëveshje me këto vende dhe janë në varësi të kreut të misionit diplomatik të akredituar në këto vende.
3. QKD-ja ka përgjegjësi:
a) të promovojë Shqipërinë;
b) të nxitë dhe të zhvillojë njohuri për gjuhën, kulturën dhe trashëgiminë kulturore të Shqipërisë;
c) të nxitë bashkëpunimin ekonomik, inovativ, kulturor, arsimor, sportiv, ndërmjet Shqipërisë dhe diasporës;
ç) të mbështetë dhe të organizojë veprimtaritë kulturore, edukative e sportive, sociale dhe ekonomike;
d) të kryejë detyra të tjera, të parashikuara nga legjislacioni në fuqi.
4. Krijimi, organizimi dhe mënyra e funksionimit të qendrave kulturore për diasporën miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozimin e ministrit përgjegjës për punët e jashtme dhe të ministrit përgjegjës për kulturën.
5. QKD-të e ngritura vullnetarisht nga pjesëtarët e diasporës në shtetet pritëse njihen dhe mbështeten nga ministri përgjegjës për diasporën. Kriteret e posaçme të njohjes dhe mbështetjes rregullohen me vendim të Këshillit të Ministrave.”.
Neni 9
Nenet 7 dhe 8 shfuqizohen.
Neni 10
Në nenin 10 bëhen ndryshimet e mëposhtme:
1. Pikat 1 dhe 2 ndryshohen, si më poshtë vijon:
“1. Këshilli i Ministrave ndihmon në krijimin e kushteve për ruajtjen dhe mësimin e gjuhës shqipe dhe të gjuhës arbëreshe.
2. Ministri përgjegjës për diasporën, së bashku me ministrin përgjegjës për arsimin, ndihmojnë dhe përkrahin zhvillimin e procesit mësimor të gjuhës shqipe në vendet ku ka një numër të madh pjesëtarësh të diasporës apo interes të veçantë shtetëror.”.
2. Në pikën 5, fjalët “… ministrinë përgjegjëse …” zëvendësohen me “… ministrin përgjegjës …”.
3. Në pikën 6, fjalët “… ministrinë përgjegjëse …” zëvendësohen me “… ministrin përgjegjës …” dhe fjalët “… internetit (programe telefoni ose tabelë) dhe rrjeteve e …” hiqen.
Neni 11
Në nenin 11 bëhen ndryshimet dhe shtesa e mëposhtme:
1. Në pikat 1, 3 dhe 4, fjalët “… ministrinë përgjegjëse …” zëvendësohen me “… ministrin përgjegjës …”
2. Pika 2 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“2. Muzeu Historik Kombëtar disponon një pavion të veçantë për diasporën.”.
3. Në pikën 3, pas fjalës “… kulturën …” shtohen fjalët “… dhe institucionet shtetërore për trashëgiminë kulturore …”.
4. Në pikën 4, fjala “… eventeve …” zëvendësohet me “… aktiviteteve …”.
Neni 12
Në nenin 12, fjalët “… ministrinë përgjegjëse …” zëvendësohen me “… ministrin përgjegjës …”.
Neni 13
Në nenin 13 bëhen ndryshimi dhe shtesa e mëposhtme:
1. Pika 1 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“1. Radiotelevizioni Shqiptar siguron kanal transmetimi me program radioteleviziv, dedikuar diasporës.”.
2. Pas pikës 3 shtohet pika 4, me këtë përmbajtje:
“4. Agjencia Kombëtare e Diasporës, në bashkëpunim me ministrinë përgjegjëse për diasporën mundëson pasqyrimin e aktiviteteve mediatike të pjesëtarëve të diasporës.”.
Neni 14
Neni 14 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Neni 14
Bashkëpunimi ekonomik dhe në fushën e inovacionit
1. Ministri përgjegjës për diasporën ushtron kompetencat, në funksion të fuqizimit të bashkëpunimit ekonomik dhe inovacionit, ndërmjet diasporës dhe ministrisë përgjegjëse për ekonominë dhe inovacionin, sipas legjislacionit në fuqi.
2. Ministri përgjegjës për diasporën, në bashkëpunim me institucionet përgjegjëse shtetërore, mbështet iniciativat e ndërmarra nga pjesëtarët e diasporës në sipërmarrje të ndryshme.”.
Neni 15
Në nenin 15, pika 1, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“1. Për pjesëtarët e suksesshëm të diasporës akordohen çmime.”.
Neni 16
Në pikën 2, të nenit 17, fjala “… shkencore …” hiqet.
Neni 17
Në nenin 18 bëhen ndryshimet dhe shtesat e mëposhtme:
1. Pika 1 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“1. Këshilli Koordinues i Diasporës (Këshilli) përfaqëson, bashkëpunon dhe koordinon marrëdhëniet me diasporën, përfshirë organizatat e diasporës.”.
2. Në pikën 2 bëhen ndryshimi dhe shtesa e mëposhtme:
a) Në shkronjën “a”, fjala “… veprime …” zëvendësohet me “… masa …”;
b) Pas shkronjës “b” shtohen shkronjat “c” dhe “ç”, me këtë përmbajtje:
“c) bashkëpunon me organet përkatëse për organizimin e Samitit të Diasporës;
ç) identifikon, trajton dhe propozon çështje e projekte me natyrë ekonomike, ligjore, kulturore, sportive, edukimin, shëndetësinë, çështjet sociale për rininë, gruan, fëmijët e diasporës.”.
3. Pika 3 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“3. Anëtarët e Këshillit mbajnë kontakte, organizojnë aktivitete me komunitetet shqiptare në shtetet që përfaqësojnë, në varësi të agjendave të planifikuara nga Këshilli.”.
4. Pas pikës 4 shtohet pika 5, me këtë përmbajtje:
“5. Agjencia Kombëtare e Diasporës është njësia përgjegjëse për menaxhimin financiar të fondeve për organizimin e mbledhjeve të Këshillit, si sekretariat teknik.”.
Neni 18
Në nenin 19 bëhen ndryshimet e mëposhtme:
1. Në pikën 1, numri “… 15 …” zëvendësohet me togfjalëshin “… jo më pak se 21 …”.
2. Në pikën 2, emërtimi “… Agjencia Kombëtare e Diasporës …” hiqet.
3. Pika 3 shfuqizohet.
Neni 19
Në nenin 20 bëhen ndryshimet e mëposhtme:
1. Pika 2 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“2. Përfaqësuesit e Këshillit përzgjidhen nga shtetet ku jeton komuniteti shqiptar.”.
2. Pika 4 shfuqizohet.
Neni 20
Në nenin 21 bëhen ndryshimet dhe shtesa e mëposhtme:
1. Pika 1 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“1. Këshilli mblidhet si rregull në Ditën Kombëtare të Diasporës, në prezencën e autoriteteve të larta shtetërore.”.
2. Në pikën 3, fjala “… shkencore …” hiqet.
3. Pas pikës 3 shtohet pika 4, me këtë përmbajtje:
“4. Presidenti i Republikës, me kërkesën e tij e në koordinim me Kryeministrin dhe me ministrin përgjegjës për diasporën, merr drejtimin e mbledhjeve të veçanta të Këshillit Koordinues të Diasporës.”.
Neni 21
Pas nenit 22 shtohet neni 22/1, me këtë përmbajtje:
“Neni 22/1
Agjencia Kombëtare e Diasporës
Agjencia Kombëtare e Diasporës krijohet si institucion varësie për të kryer funksione të përcaktuara brenda fushës së përgjegjësisë së përgjithshme shtetërore të ministrit përgjegjës për diasporën. Krijimi, misioni, funksionet dhe organizimi përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave. Struktura dhe organika e Agjencisë miratohen me urdhër të Kryeministrit.”.
Neni 22
Në pikën 1, të nenit 23, fjalët “… ministrit përgjegjës për diasporën …” zëvendësohen me “… ministrit përgjegjës për arsimin.”.
Neni 23
Neni 26 shfuqizohet.
Neni 24
Aktet nënligjore
Ngarkohet Këshilli i Ministrave për miratimin e akteve nënligjore, në zbatim të nenit 6, pikat 4 dhe 5, dhe të nenit 22/1, të këtij ligji.
Neni 25
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E T A R I
ELISA SPIROPALI
###
V E N D I M
PËR
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË LIGJIN NR.16/2018, “PËR DIASPORËN”, TË NDRYSHUAR”
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Propozimin e projektligjit “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.16/2018, “Për diasporën”, të ndryshuar”, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
P R O J E K T L I GJ
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË LIGJIN NR.79/2021 PËR TË HUAJT ”
Në mbështetje të neneve 78 e 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I:
Në ligjin nr.79/2021, “Për të huajt”, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
Neni 1
Në nenin 3 bëhen ndryshimet dhe shtesat e mëposhtme:
1. Pika 5 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“5. “Dëbimi” është masa që merret ndaj të huajit, subjekt i një urdhri dëbimi, ose urdhrit për shpallje “person i padëshiruar”, i cili është i detyruar të largohet, shoqëruar ose jo, nga territori i Republikës së Shqipërisë.”.
2. Pika 15 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“15. “Largimi” është masa që ekzekutohet në mënyrë vullnetare nga i huaji për largimin nga Republika e Shqipërisë brenda afateve kohore të përcaktuara në këtë ligj.”.
3. Pikat 30 dhe 31 ndryshohen, si më poshtë vijon:
“30. “Person pa shtetësi” është një person që nuk konsiderohet si shtetas nga asnjë shtet nën funksionimin e legjislacionit të tij.
31.“Persona vulnerabël” janë fëmijët e huaj, përfshirë fëmijët e pashoqëruar, personat me aftësi të kufizuara, të moshuarit, gratë shtatzëna, prind i vetëm me fëmijë, viktimat e trafikimit të personave, të dhunës me bazë gjinore ose dhunës në familje, viktimat të cilat kanë qenë objekt i torturës, të abuzimit seksual ose formave të tjera të rënda të dhunës, migrantët që për shkak të situatës së tyre specifike nuk janë në gjendje të gëzojnë të drejtat e tyre dhe janë në kushte delikate, punëtorët e shtëpisë, migrantët me orientim të ndryshëm seksual, migrantët në gjendje shëndetësore të rëndë dhe ata me aftësi të kufizuara.”.
4. Pika 36 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“36. “Punonjës me kualifikim të lartë” nënkupton punësimin e një të huaji që mbrohet si punonjës sipas ligjit kombëtar të punës ose në përputhje me praktikën kombëtare, pavarësisht nga marrëdhënia juridike, me qëllim ushtrimin efektiv dhe real të një pune, për ose nën drejtimin e një personi tjetër, i cili paguhet për atë punë dhe disponon kualifikimet e larta profesionale të kërkuara.”.
5. Pika 47 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“47. “Shtetas i një vendi të tretë” është çdo shtetas që nuk është shtetas i vendeve të Bashkimit Evropian dhe që nuk gëzon të drejtat e lëvizjes së lirë në Bashkimin Evropian.”.
6. Pas pikës 56 shtohen pikat 57, 58, 59, me këtë përmbajtje:
“57. “Investitor” është individi që investon në një njësi ekonomike si një biznes, me qëllim pasjen e një fitimi;
58. “I vetëpunësuar” është i huaji që kryen një veprimtari të ligjshme në përputhje me legjislacionin kombëtar kundrejt një pagese ose formë tjetër fitimi;
59. “Punëtor shtëpie” është i huaji që punësohet nga kryefamiljari për të kryer punë të shtëpisë ose shërbime të ndryshme të kësaj natyre në përputhje me legjislacionin kombëtar.”.
Neni 2
Në nenin 4 bëhen ndryshimet dhe shtesat e mëposhtme:
1. Në pikën 5, fjalët “… struktura përgjegjëse për të huajt …” zëvendësohen me “… struktura përgjegjëse për çështjet e migracionit …”.
2. Në pikën 8, pas fjalëve “… trajtimin e marrëdhënieve …” shtohen “… dhe kërkesave …”.
3. Pika 10 shfuqizohet.
4. Në pikën 11, pas fjalëve “… për vlerësimin e …” shtohen “… cenimit të …”.
5. Pika 16 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“16. Autoritetet shtetërore qendrore përgjegjëse për hartimin dhe zbatimin e programit kombëtar të integrimit social të të huajve janë: ministria përgjegjëse për çështjet e punësimit, ministria përgjegjëse për çështjet sociale, ministria përgjegjëse për arsimin, sportin dhe kërkimin shkencor, ministria përgjegjëse për turizmin, ministria përgjegjëse për rendin dhe sigurinë publike dhe ministria përgjegjëse për rininë.”.
6. Pas pikës 16 shtohen pikat 17, 18 dhe 19, me këtë përmbajtje:
“17. Autoriteti shtetëror qendror, përgjegjës për përcaktimin e statusit të pashtetësisë dhe lëshimin e dokumentit të udhëtimit një personi pa shtetësi, është struktura që mbulon çështjet e shtetësisë në ministrinë përgjegjëse për rendin dhe sigurinë publike.
18. Autoriteti shtetëror qendror, përgjegjës për politikat e migracionit, është autoriteti përgjegjës për çështjet e migracionit, në ministrinë përgjegjëse për rendin dhe sigurinë publike.
19. Autoriteti shtetëror, përgjegjës për kontrollin e respektimit të të drejtave në punë, zbatimit të kushteve të punës, sigurisë dhe shëndetit në punë të punëmarrësve të huaj, është struktura përgjegjëse për inspektimin e punës.”.
Neni 3
Në nenin 6 bëhen këto shtesa:
1. Në pikën 1, pas fjalës “… shumëpalëshe …” shtohen fjalët “… ose me qëndrim të njëanshëm të shprehur me vendim të Këshillit të Ministrave …”.
2. Pas pikës 12 shtohet pika 13, me këtë përmbajtje:
“13. Procedurat e hyrjes dhe daljes së shtetasve nga vendet e treta, që hyjnë në Republikën e Shqipërisë pa vizë, rregullohet me vendim të Këshillit të Ministrave.”.
Neni 4
Në nenin 12 bëhen këto ndryshime:
1. Pika 1 shfuqizohet.
2. Në pikën 2, fjalët “… autoriteti qendror, përgjegjës për kufirin dhe migracionin, …” zëvendësohen me “… autoriteti shtetëror qendror, përgjegjës për përcaktimin e statusit të pashtetësisë, …”.
Neni 5
Në pikën 2, të nenit 13, fjalët “… autoritetet rajonale …” zëvendësohen me “… autoriteti vendor …”.
Neni 6
Në nenin 18 bëhen këto ndryshime:
1. Pika 1 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“1. I huaji, i cili aplikon për vizë, vërteton që ka të ardhura të mjaftueshme financiare nëpërmjet një dokumenti bankar.”.
2. Në pikën 2, fjala “… depozitohet …” zëvendësohet me “… vërtetohet …”.
3. Në pikën 4, fjalët “… e depozitimit dhe kthimit të garancisë financiare …” hiqen.
Neni 7
Në titullin e seksionit I, të kreut III, pas fjalës “… vizave …” shtohen fjalët “… dhe afatet …”.
Neni 8
Në nenin 19 bëhen ndryshimi dhe shtesat e mëposhtme:
1. Titulli i nenit 19 “Vizë e tipit “A” zëvendësohet me “Llojet e vizave”.
2. Pas pikës 3 shtohen pikat 3/1 dhe 3/2, me këtë përmbajtje:
“3/1. Periudha e vlefshmërisë së vizës “A” do të përfishijë një “periudhë përjashtimi” nga penaliteti për tejkalim qëndrimi deri në 15 ditë kalendarike.
3/2. Autoriteti përgjegjës për kufirin dhe migracionin nuk merr parasysh “periudhën e përjashtimit” nga ky penalitet në rastet kur:
a) cenohet siguria publike;
b) nuk justifikohet tejkalimi i afatit të qëndrimit;
c) për shkak të marrëdhënieve ndërkombëtare.”.
Neni 9
Në nenin 20 bëhen këto shtesa:
1. Në pikën 1, pas togfjalëshit “… 180 ditëve …” shtohet fjala “… kalendarike …”;
2. Në shkronjën “b”, të pikës 3, pas togfjalëshit “… 180 ditëve …” shtohet fjala “… kalendarike …”;
3. Pas pikës 5 shtohen pikat 6, 7 dhe 8, me këtë përmbajtje:
“6. Periudha e vlefshmërisë së vizës për një hyrje përfshin një “periudhë përjashtimi” nga penaliteti për tejkalim qëndrimi prej 15 ditësh kalendarike.
7. Autoriteti përgjegjës për kufirin dhe migracionin nuk merr parasysh “periudhën e përjashtimit” nga ky penalitet në rastet kur:
a) cenohet siguria publike;
b) nuk justifikohet tejkalimi i afatit të qëndrimit;
c) për shkak të marrëdhënieve ndërkombëtare.
8. Vizat “C” me shumë hyrje me një vlefshmëri të gjatë do të lëshohen për periudhat e mëposhtme, përveç rasteve kur vlefshmëria e vizës do të tejkalojë atë të dokumentit të udhëtimit:
a) për një periudhë vlefshmërie prej një viti, me kusht që aplikanti të ketë marrë dhe përdorur në mënyrë të ligjshme tri viza brenda dy viteve të mëparshme;
b) për një periudhë vlefshmërie prej dy vjetësh, me kusht që aplikanti të ketë marrë dhe përdorur ligjërisht një vizë të mëparshme me shumë hyrje të vlefshme për një vit brenda dy viteve të mëparshme;
c) për një periudhë vlefshmërie prej pesë vjetësh, me kusht që aplikanti të ketë marrë dhe përdorur në mënyrë të ligjshme një vizë të mëparshme me shumë hyrje të vlefshme për dy vjet brenda tri viteve të mëparshme.”.
Neni 10
Në pikat 1 dhe 2, të nenit 21, pas fjalëve “… me leje qëndrimi …” shtohen “… ose leje unike …”.
Neni 11
Në nenin 23 bëhen këto ndryshime:
1. Pika 1 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“1. Kërkesa për vizë nga i huaji bëhet nëpërmjet sistemit elektronik të vizave, jo më shumë se 90 ditë përpara datës së planifikuar për të ardhur në Republikën e Shqipërisë.”.
2. Në pikën 2, fjala “… firmoset …” zëvendësohet me “… bëhet …”.
3. Pika 4 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“4. I huaji bën kërkesë on-line në sistemin elektronik të vizave kur ndodhet jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë ose paraqitet personalisht në përfaqësinë diplomatike ose konsullore në rastet përjashtimore, të përcaktuara me vendim të Këshillit të Ministrave.”.
Neni 12
Pika 5, e nenit 27, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“5. Akti administrativ për anulimin e vizës pullë dhe elektronike, si dhe arsyet e nxjerrjes së këtij akti i njoftohen të huajit nëpërmjet sistemit elektronik të vizës ose nëpërmjet komunikimit elektronik nga përfaqësia diplomatike ose konsullore e cila ka lëshuar vizën pullë ose elektronike. Kundër aktit administrativ për anulimin e vizës pullë dhe elektronike i huaji ka të drejtën të ankohet në rrugë administrative brenda 5 ditësh pune në ministrinë përgjegjëse për punët e jashtme.”.
Neni 13
Në nenin 28 bëhen këto shtesa dhe ndryshime:
1. Pas shkronjës “ë”, të pikës 1, shtohet shkronja “f”, me këtë përmbajtje:
“f) paraqet dokumente të vendit të origjinës apo rezidencës të falsifikuar.”.
2. Në pikën 2, pas emërtimit “Shërbimit Informativ Shtetëror” shtohen fjalët “… nëpërmjet sistemit elektronik të vizës …”.
3. Pika 4 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“4. Pas refuzimit të vizës pullë dhe elektronike, i huaji ka të drejtë të riaplikojë vetëm pasi të ketë mbyllur procedurat e ankimit dhe të jetë vlerësuar pozitivisht. Në rast se vlerësimi është negativ, ka të drejtë riaplikimi pasi të kenë kaluar tre muaj nga data e marrjes së vendimit për refuzim.”.
Neni 14
Në nenin 33 bëhen ndryshimet dhe shtesa e mëposhtme:
1. Pika 1 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“1. I huaji, i pajisur me vizë të tipit “D”, si dhe i huaji i cili nuk ka nevojë për vizë me motiv qëndrimi bëjnë kërkesë on-line për leje qëndrimi.”.
2. Në pikën 4, pas emertimit “Republika e Shqipërisë” shtohen fjalët “… ose me qëndrim të njëanshëm të shprehur me vendim të Këshillit të Ministrave …”.
3. Në pikën 5, fjalët “… të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian …” hiqen.
Neni 15
Pas nenit 33 shtohet neni 33/1, me këtë përmbajtje:
“Neni 33/1
Mbi të drejtën e shtetasve të vendeve të Bashkimit Evropian dhe anëtarëve të familjeve të tyre për të lëvizur dhe banuar lirisht brenda territorit të Republikës së Shqipërisë
1. Shtetasit e vendeve të Bashkimit Evropian kanë të drejtën e qëndrimit në territorin e Republikës së Shqipërisë pa leje qëndrimi apo leje unike për periudha qëndrimi më të gjata se tre muaj, nëse:
a) janë punëmarrës ose të vetëpunësuar;
b) kanë burime të mjaftueshme për veten dhe anëtarët e familjes së tyre që të mos bëhen barrë për sistemin e ndihmës sociale gjatë periudhës së qëndrimit të tyre dhe kanë policë të sigurimit shëndetësor në Republikës së Shqipërisë;
c) janë regjistruar në një institucion privat ose publik të akredituar nga Republika e Shqipërisë, me qëllimin kryesor të ndjekjes së një programi studimi, që përfshin trajnimin profesional, të cilët janë të pajisur me policë të sigurimit shëndetësor dhe garantojnë me anë të një deklarate ose me mjete të tilla ekuivalente se kanë burime të mjaftueshme për veten dhe anëtarët e familjes së tyre që të mos bëhen barrë për sistemin e ndihmës sociale të Republikës së Shqipërisë gjatë periudhës së qëndrimit të tyre;
ç) janë anëtarë të familjes, përfshirë rastet kur nuk janë shtetas të Bashkimit Evropian, që shoqërojnë ose bashkohen me një shtetas të Bashkimit Evropian, që plotëson kushtet e përmendura në shkronjat “a”, “b” ose “c”, të kësaj pike.
2. Kur anëtarët e familjes së një shtetasi të Bashkimit Evropian nuk janë shtetas të Bashkimit Evropian, pajisen me “Kartëqëndrimi të një anëtari të familjes së një shtetasi të BE-së”.
3. Karta e qëndrimit do të jetë e vlefshme për pesë vjet nga data e lëshimit ose për periudhën e parashikuar të qëndrimit të shtetasit të Bashkimit Evropian, nëse kjo periudhë është më pak se pesë vjet.
4. Shtetasit e vendeve të Bashkimit Evropian, për periudha qëndrimi më të gjata se tre muaj, kanë detyrimin të regjistrohen on-line pranë autoritetit përgjegjës për kufirin dhe migracionin, në territorin e së cilës kanë vendqëndrimin, jo më vonë se tre muaj nga data e mbërritjes. Pas regjistrimit pajisen me një certifikatë regjistrimi.
5. Shtetasi i një vendi të Bashkimit Evropian, i pajisur me një certifikatë regjistrimi, sipas pikës 4, të këtij neni, quhet banor i përkohshëm në Republikën e Shqipërisë, vetëm pasi regjistrohet në zyrat e gjendjes civile të njësisë së qeverisjes vendore, ku ka vendqëndrimin e përkohshëm.
6. Shtetasit e vendeve të Bashkimit Evropian, që kanë banuar ligjërisht për një periudhë të vazhdueshme prej pesë vjetësh në Republikën e Shqipërisë kanë të drejtën e qëndrimit të përhershëm.
7. E drejta e qëndrimit të përhershëm gëzohet përpara plotësimit të një periudhe të vazhdueshme prej pesë vitesh qëndrimi, për këto kategori:
a) punëmarrësit ose personat e vetëpunësuar, të cilët, në momentin që pushojnë së punuari, kanë mbushur moshën e përcaktuar për të drejtën e pensionit të pleqërisë ose punëtorët që pushojnë së punuari me pagesë për të marrë pension të parakohshëm, me kusht që të kenë punuar në Republikën e Shqipërisë për të paktën dymbëdhjetë muajt e mëparshëm dhe kanë banuar në mënyrë të vazhdueshme në territorin e Republikës së Shqipërisë për më shumë se tre vjet.;
b) punëmarrësit ose personat e vetëpunësuar që kanë banuar vazhdimisht në Republikën e Shqipërisë për më shumë se dy vite dhe pushojnë së punuari, për shkak të paaftësisë së përhershme për të punuar. Nëse kjo paaftësi është rezultat i një aksidenti në punë ose i një sëmundjeje profesionale që i jep të drejtën personit të interesuar për një përfitim të pagueshëm plotësisht ose pjesërisht nga një institucion në Republikën e Shqipërisë, nuk vendoset asnjë kusht për sa i përket kohëzgjatjes së qëndrimit;
c) punëmarrësit ose personat e vetëpunësuar, të cilët, pas tre vitesh punësimi dhe qëndrimi të vazhdueshëm në Republikën e Shqipërisë, janë të punësuar ose të vetëpunësuar në një shtet të Bashkimit Evropian, duke ruajtur vendbanimin e tyre në Republikën e Shqipërisë, në të cilin ata kthehen, si rregull, çdo ditë ose të paktën një herë në javë. Për qëllimet e së drejtës për të drejtat e përmendura në shkronjat “a” dhe “b”, periudhat e punësimit të kaluara në shtetin e Bashkimit Evropian, në të cilin punon personi në fjalë, do të konsiderohen se janë shpenzuar në Republikën e Shqipërisë.
8. Periudhat e papunësisë së pavullnetshme, të regjistruara nga zyra përkatëse e punësimit, periudhat e papunësisë për arsye jo të vetë personit dhe mungesat nga puna ose ndërprerja e punës për shkak të sëmundjes ose aksidentit do të konsiderohen si periudha punësimi.
9. Kushtet e përcaktuara në shkronjat “a” dhe “b” të pikës 7, të këtij neni, nuk do të zbatohen nëse bashkëshorti/bashkëshortja ose bashkëjetuesi/bashkëjetuesja i punëmarrësit ose i të vetëpunësuarit është shtetas shqiptar, ose ka humbur shtetësinë shqiptare nga martesa me atë punëmarrës ose person të vetëpunësuar.
10. Kërkesa për “Kartëqëndrimi të një anëtari të familjes së një shtetasi të Bashkimit Evropian” bëhet nga i huaji, sipas kritereve dhe dokumentacionit të miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave.
11. Formati i “Kartëqëndrimit të një anëtari të familjes së një shtetasi të Bashkimit Evropian” miratohet me vendim të Këshillit të Ministrave.
12. Kërkesa për “Certifikatë regjistrimi” bëhet nga i huaji, shtetas i Bashkimit Evropian, sipas kritereve dhe dokumentacionit të miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave.
13. Formati i certifikatës së regjistrimit miratohet me urdhër të ministrit përgjegjës për rendin dhe sigurinë publike.”.
Neni 16
Në nenin 39 bëhen ndryshimi dhe shtesat e mëposhtme:
1. Nënndarja “xi”, e shkronjës “gj”, shfuqizohet.
2. Pas nënndarjes “xiii”, të shkronjës “gj”, shtohet nënndarja “xiv”, me përmbajtje:
“xiv) leje unike për punëtor shtëpie.”.
3. Pas shkronjës “j” shtohet shkronja “k”, me përmbajtje:
“k) leje qëndrimi për investitor.”.
Neni 17
Pas pikës 2, të nenit 41, shtohet pika 2/1, me këtë përmbajtje:
“2/1. Leja e qëndrimit për anëtarët e familjes së të huajit të pajisur me “Kartë blu AL” lëshohet për herë të parë për një periudhë vlefshmërie të njëjtë me afatin e kartës blu.”.
Neni 18
Në nenin 42 bëhen ndryshimi dhe shtesa e mëposhtme:
1. Paragrafi i dytë, i pikës 2, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Përjashtimisht, kur zgjidhja e marrëdhënies familjare me bashkëshortin ose bashkëjetuesin bëhet për shkak të dhunës në familje ose formave të tjera të dhunës me bazë gjinore, viktimave të pajisura me një urdhër mbrojtjeje u jepet, me kërkesë të këtyre të fundit, një leje qëndrimi autonome pavarësisht nga kohëzgjatja e martesës ose marrëdhënies.”.
2. Pas pikës 2 shtohet pika 2/1, me këtë përmbajtje:
“Anëtarët e familjes së të huajit të pajisur me “Kartë blu AL”, pasi kanë qëndruar në mënyrë të vazhdueshme për jo më pak se 2 vite në territorin e Republikës së Shqipërisë me leje qëndrimi për bashkim familjar dhe me kusht që të mos kenë marrë leje qëndrimi për arsye të ndryshme nga ajo e bashkimit familjar, gjatë kësaj periudhe qëndrimi gëzojnë të drejtën e përfitimit të lejes së qëndrimit autonome.”.
Neni 19
Neni 46 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Neni 46
Leja e qëndrimit për studentë
1. I huaji, i cili ka hyrë dhe qëndron në Republikën e Shqipërisë për qëllime studimi pranë një institucioni arsimor publik apo privat, të njohur nga shteti shqiptar, ka të drejtë të aplikojë për leje qëndrimi, sipas kritereve të përgjithshme, të përcaktuara në nenet 36 dhe 37, të këtij ligji.
2. I huaji, i pranuar në një institucion të arsimit të lartë ose që merr pjesë në trajnime ose praktika profesionale, pajiset me leje qëndrimi, me afat njëvjeçar, kur lëshohet për herë të parë dhe mund të shtyhet çdo herë me një vit deri në përfundimin e studimeve pranë një institucioni të arsimit të lartë. Në rast se kohëzgjatja e programit të studimit është më pak se një vit, afati i lejes së qëndrimit është i barabartë me kohëzgjatjen e programit të studimit.
3. Kohëzgjatja e lejes së qëndrimit për studentët, që mbulohen nga programet e Bashkimit Evropian ose marrëveshjet shumëpalëshe, që përfshijnë masa lëvizshmërie ose nga një marrëveshje ndërmjet dy ose më shumë institucioneve të arsimit të lartë, do të lëshohet për një afat dyvjeçar ose për kohëzgjatjen e studimeve, kur kjo periudhë është më e shkurtër se dy vjet. Leja ripërtërihet me të njëjtin afat pa tejkaluar kohëzgjatjen e programit të studimit.
4. I huaji duhet të provojë se është pranuar nga institucioni i arsimit të lartë, se ka njohuri të mjaftueshme të gjuhës së programit të studimit që duhet ndjekur, si dhe disponon mjete financiare të mjaftueshme për jetesën në Republikën e Shqipërisë gjatë studimeve. Për ripërtëritjen e lejes së qëndrimit, përveç parashikimeve të nenit 37, të këtij ligji, i huaji provon mbi progresin e bërë në drejtim të studimeve, sipas legjislacionit në fuqi.
5. I huaji, i pajisur me leje qëndrimi si student, pas vitit të parë të studimeve, jashtë kohës së tij të studimit, ka të drejtë të punojë, duke respektuar limitin maksimal 15 orë në javë ose ekuivalenti me ditë ose muaj në vit, pa miratimin e Agjencisë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive. Punëdhënësi i tij njofton autoritetet shtetërore, përgjegjëse për punësimin, për fillimin dhe përfundimin e punësimit. Njoftimi bëhet nëpërmjet sistemit elektronik të tatimeve.
6. Gjatë periudhës së studimeve, leja e qëndrimit për studentin nuk mund të zëvendësohet me leje qëndrimi për motiv punësimi. Pas përfundimit të studimeve, i huaji, nëse plotëson kushtet për punësim sipas kritereve të këtij ligji, mund të aplikojë për leje unike.”.
Neni 20
Pas nenit 46 shtohet neni 46/1, me këtë përmbajtje:
“Neni 46/1
Leja e qëndrimit për nxënësit e shkollës
1. I huaji, i cili ka hyrë dhe qëndron në Republikën e Shqipërisë në kuadër të një skeme shkëmbimi nxënësish ose një projekti arsimor për të ndjekur një program të njohur shtetëror ose rajonal, të arsimit të mesëm ekuivalent me nivelin 2 ose 3 të Klasifikimit Standard Ndërkombëtar të Arsimit, apo në kontekstin e një skeme shkëmbimi nxënësish ose projekti arsimor të drejtuar nga një institucion arsimor parauniversitar, në përputhje me ligjin për sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë ka të drejtë të aplikojë për leje qëndrimi, sipas kritereve të përgjithshme të përcaktuara në nenet 36 dhe 37, të këtij ligji.
2. Periudha e vlefshmërisë së lejes së qëndrimit, lëshuar për herë të parë për nxënësit e shkollës, është sa kohëzgjatja e skemës së shkëmbimit të nxënësve ose të projektit arsimor, kur kjo është më e shkurtër se një vit ose maksimumi një vit.
3. Leja e qëndrimit ripërtërihet vetëm një herë për periudhën e nevojshme për të përfunduar skemën e shkëmbimit të nxënësve ose projektin arsimor.
4. I huaji duhet të provojë se nuk është as nën minimumin dhe as mbi moshën ose klasën maksimale të përcaktuar nga legjislacioni që rregullon sistemin arsimor parauniversitar si dhe të jetë i pranuar nga një institucion arsimor parauniversitar, të jetë pjesë e një programi arsimor të njohur, shtetëror ose rajonal në kontekstin e një skeme të shkëmbimit të nxënësve ose projekti arsimor të zhvilluar nga një institucion arsimor parauniversitar, në përputhje me ligjin kombëtar.
5. I huaji duhet të provojë që institucioni arsimor parauniversitar pranon përgjegjësinë për të huajin gjatë gjithë qëndrimit në territorin e Republikës së Shqipërisë për sa u përket kostove të studimit, si dhe akomodimit të përshtatshëm i cili përmbush kushtet higjieno-sanitare.”.
Neni 21
Pikat 3, 4 dhe 5, të nenit 48, shfuqizohen.
Neni 22
Neni 50 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Neni 50
Leja e qëndrimit për kërkim shkencor
1. Autoriteti përgjegjës për kufirin dhe migracionin pajis me “leje qëndrimi për kërkim shkencor”, me afat njëvjeçar ose për kohëzgjatjen e marrëveshjes së pritjes kur kjo është më e shkurtër se një vit, të huajin, i cili ka lidhur një marrëveshje me një institucion shqiptar për këtë qëllim dhe plotëson kushtet e përgjithshme për pajisje me leje qëndrimi, sipas nenit 36, të këtij ligji.
2. Kohëzgjatja e lejes së qëndrimit për kërkuesit shkencorë që mbulohen nga programet e Bashkimit Evropian ose ato shumëpalëshe, që përfshijnë masa lëvizshmërie, do të lëshohet me afat dy vjet ose për kohëzgjatjen e marrëveshjes së pritjes kur ajo është më e shkurtër se dy vjet.
3. Leja e qëndrimit për kërkuesit shkencorë rinovohet me të njëjtin afat të lejes së parë nëse plotësohen kushtet e përcaktuara në këtë ligj.
4. Kërkuesit shkencorë, përveç aktiviteteve kërkimore, kanë të drejtë të japin mësim në përputhje me legjislacionin kombëtar, pa kaluar numrin maksimal të lejuar të orëve ose ditëve për veprimtarinë e mësimdhënies.”.
Neni 23
Në nenin 51 bëhen këto ndryshime:
1. Në pikën 3, fjalia e dytë “Autoriteti për kufirin dhe migracionin mund të kërkojë për kërkuesit shkencorë një konfirmim nga organizata kërkimore për përfundimin e veprimtarisë kërkimore ose për studentët dëshmi se zotërojnë një diplomë të arsimit të lartë, certifikatë ose prova të tjera të kualifikimeve zyrtare” hiqet.
2. Pika 4 shfuqizohet.
3. Në pikën 5, fjala “… shans …” zëvendësohet nga “… mundësi …”.
Neni 24
Në nenin 53 bëhen këto ndryshime:
1. Pika 5 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“5. Gjatë periudhës së rehabilitimit dhe reflektimit, viktimat ose viktimat e mundshme të trafikimit gëzojnë të gjitha të drejtat dhe shërbimet, sipas legjislacionit në fuqi.”.
2. Pika 7 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“7. I huaji me statusin e viktimës apo viktimës së mundshme të trafikimit ka të drejtën e punësimit pa marrë më parë miratim nga AKPA-ja dhe duhet të njoftohet nga punëdhënësi lidhja e marrëdhënieve të punësimit nëpërmjet sistemit elektronik të tatimeve.”.
Neni 25
Në pikën 1, të nenit 54, pas fjalëve “… autoritetit përgjegjës …” shtohen “… për shtetësinë …”.
Neni 26
Në nenin 56 bëhen shtesa dhe ndryshimet e mëposhtme:
1. Pas pikës 1 shtohet pika 1/1, me këtë përmbajtje:
“1/1. Këshilli i Ministrave lidh marrëveshje për bashkëpunim dypalësh mbi migracionin e punës, të cilat nënshkruhen nga ministri përgjegjës për çështjet e migracionit për punësim.”.
2. Në pikën 3, fjalët “… me qëndrim të ligjshëm në Republikën e Shqipërisë …” zëvendësohen me “… punëdhënësi, agjencia private e punësimit e licencuar me autorizimin e shtetasit të huaj ose punëdhënësit …”.
3. Pikat 4 dhe 6 ndryshohen, si më poshtë vijon:
“4. Shqyrtimi i kërkesës dhe lëshimi i lejes unike të qëndrimit kur plotësohen kriteret e kërkuara nga legjislacioni në fuqi, bëhen brenda 4 javësh nga dita e aplikimit.
…
6. Kur punëdhënësi deklaron fillimin e marrëdhënies së punësimit për një të huaj në sistemin tatimor, autoriteti përgjegjës vendor për kufirin dhe migracionin dhe autoriteti përgjegjës për punësimin dhe aftësitë marrin njoftim automatikisht nga sistemi tatimor.”.
Neni 27
Në nenin 58 bëhen këto ndryshime:
1. Pika 4 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“4. Pas vitit të parë të punës, punëdhënësi ka të drejtë të bëjë kërkesë për të njëjtin të huaj me kusht që periudha e shkëputjes të jetë 6 muaj.”.
2. Në pikën 6, fjalët “… vendeve të Bashkimit Evropian …” hiqen.
Neni 28
Pas pikës 3, të nenit 65, shtohen pikat 3/1 dhe 3/2, me këtë përmbajtje:
“3/1. I huaji pajiset me leje unike “Kartë blu AL” nëse në kontratën e punës përcaktohet se paga mesatare vjetore bruto është minimalisht sa paga mesatare vjetore bruto kombëtare.
3/2. Lista e profesioneve, për të cilat nuk aplikohet pika 3, e këtij neni, përcaktohet me udhëzim të ministrit përgjegjës për çështjet e punësimit dhe ministrit përgjegjës për ekonominë.”.
Neni 29
Në nenin 68 bëhen ndryshimi dhe shtesa e mëposhtme:
1. Shkronja “d” ndryshohet, si më poshtë vijo:
“d) zotëron një certifikatë/dëshmi penaliteti nga vendi i tij i origjinës dhe në vendin ku është rezident.”;
2. Në fund të shkronjës “d” shtohet paragrafi, me këtë përmbajtje:
“Autoriteti përgjegjës për kufirin dhe migracionin verifikon dokumentacionin e vlefshëm për të hyrë dhe qëndruar në Republikën e Shqipërisë, duke marrë parasysh vetëdeklarimin për këtë kategori dhe dokumentacioni origjinal përkatës dorëzohet pas miratimit të lejes unike të qëndrimit.”.
Neni 30
Neni 69 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Neni 69
Punëtor shtëpie
1. Leja unike si punëtor shtëpie për të huajin jepet në rast se i huaji plotëson kriteret për qëndrimin e përkohshëm, kriteret e posaçme, të përcaktuara me vendim të Këshillit të Ministrave, në zbatim të këtij ligji, si dhe pas miratimit të Agjencisë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive.
2. Punëdhënësi duhet të jetë i regjistruar në organet tatimore.
3. Leja unike si punonjës shtëpie jepet për kohëzgjatjen e kontratës/ofertës së punës, përveç rasteve kur parashikohet ndryshe në këtë ligj.”.
Neni 31
Pas fjalisë së fundit të pikës 1, të nenit 72, shtohet fjalia, me këtë përmbajtje:
“Në rastet kur i huaji është deklaruar si punonjës përmes sistemit tatimor, njoftimi për autoritetin përgjegjës vendor për kufirin dhe migracionin dhe autoritetin përgjegjës për punësimin dhe aftësitë bëhet automatikisht nga sistemi tatimor ku punëdhënësi deklaron shkëputjen e marrëdhënies së punës.”.
Neni 32
Neni 74 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Neni 74
Miratimi i punësimit të një të huaji
1. Leja unike për të huajin lëshohet duke mbajtur parasysh zhvillimet dhe nevojat e tregut të punës në Republikën e Shqipërisë.
2. Kërkesa për leje unike bëhet on-line dhe shqyrtohet nga AKPA-ja dhe autoriteti vendor për kufirin dhe migracionin.
3. Autoritetet e kufirit dhe migracionit ku kryhet aktiviteti lëshojnë lejen unike pasi është marrë miratimi i Agjencisë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive, përveç rasteve kur parashikohet ndryshe nga ky ligj, nga marrëveshje ndërqeveritare ose me vendim të Këshillit të Ministrave.
4. Kategoritë, që përjashtohen nga detyrimi për të marrë miratimin e Agjencisë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive, sipas këtij neni, janë:
a) i huaji, anëtar familjeje i një shtetasi të huaj me qëndrim të ligjshëm në Republikën e Shqipërisë;
b) studentët;
c) i huaji që, sipas neneve të posaçme të këtij ligji, përjashtohet nga detyrimi për miratim për punësim;
ç) au pairs;
d) i huaji me statusin e viktimës së mundshme apo viktimës së trafikimit;
dh) refugjatët;
e) i huaji me mbrojtje të përkohshme; si dhe
ë) i huaji me statusin e mbrojtjes plotësuese.
5. Kategoritë, që marrin miratim nga Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive, për sa kohë që nuk parashikohet ndryshe në marrëveshje ndërshtetërore apo akte të tjera ligjore, janë:
a) punëmarrësit;
b) të vetëpunësuarit;
c) punonjësit stinorë;
ç) të transferuar brenda ndërmarrjes;
d) punonjësit me kualifikim të lartë;
dh) sportistët;
e) shërbimet kontraktuale;
ë) vullnetarët;
f) punonjësit ndërkufitarë;
g) për formim profesional;
gj) punëtorët e shtëpisë.
6. Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive jep miratimin e saj nëse nga shqyrtimi i informacionit lidhur me pagat, orët e punës dhe kushtet e tjera të punësimit:
a) rezulton se janë në përputhje me legjislacionin shqiptar të punës;
b) plotësohen kërkesat e neneve të posaçme që lidhen me punësimin;
c) asnjë punonjës nga kategoritë e përcaktuara në pikën 8, të këtij neni, nuk është i disponueshëm për atë vend pune.
7. Miratimi për punësim për të huajin e transferuar brenda ndërmarrjes, për punonjës me kualifikim të lartë, punonjës për shërbime kontraktuale dhe sportistë jepet vetëm për plotësimin e kritereve të vendosura në shkronjat “a” dhe “b”, të pikës 6, të këtij neni.
8. Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive, përpara miratimit të kërkesës për punësimin e një të huaji, konfirmon nëse për vendet e lira të punës që kërkohet miratim për punësim, punëdhënësi ka arritur të ndërmjetësojë kandidatë të përshtatshëm, sipas profilit të kërkuar, që kanë bërë kërkesë on-line, me qëndrim të ligjshëm në Shqipëri, si më poshtë vijon:
a) Punëkërkues shqiptarë;
b) Të huaj, anëtarë të familjes së shtetasve shqiptarë;
c) Shtetas të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian dhe të zonës Shengen dhe anëtarët e familjes së tyre, që nuk janë shtetas të këtyre vendeve dhe janë me qëndrim të ligjshëm në Republikën e Shqipërisë;
ç) Shtetas të vendeve të Bosnjë-Hercegovinës, Malit të Zi, Kosovës, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut;
d) Anëtarë të familjes së të huajit me qëndrim të ligjshëm në Republikën e Shqipërisë;
dh) Shtetas të vendeve me të cilat Republika e Shqipërisë ka nënshkruar marrëveshje punësimi dy apo shumëpalëshe;
e) Të huaj që gëzojnë përparësi për përfshirje në tregun shqiptar të punës, sipas dispozitave të këtij ligji.
9. Kërkesa për plotësimin e një vendi të lirë pune qëndron publike në portalin e shërbimeve të punësimit nga punëdhënësi për një periudhë kohore jo më pak se pesë ditë kalendarike, përjashtuar rastet e rinovimit.
10. Për të marrë miratimin për punësim, punëdhënësi, nëse i kërkohet, dërgon informacion shtesë për pagën, orët e punës, kriteret dhe kushtet e tjera të punësimit në Agjencinë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive ose në zyrat rajonale në varësi të saj. Informacioni i vihet në dispozicion strukturave përgjegjëse brenda një periudhe njëjavore nga data e kërkesës.
11. Për çdo kërkesë për miratim për punësim, punëdhënësi duhet të ketë shpallur në sistemin on-line vendet e lira të punës, sipas profileve të kandidatëve që i nevojiten, jo më vonë se 90 ditë nga data e paraqitjes së kërkesës për miratim punësimi për pozicionin e punës së shpallur, përjashtuar rastet e rinovimit.
12. Bashkëpunimi ndërinstitucional për zbatimin e këtij neni përcaktohet me udhëzim të përbashkët të ministrit përgjegjës për rendin e sigurinë publike dhe ministrit përgjegjës për ekonominë.”.
Neni 33
Neni 75 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Neni 75
Refuzimi i miratimit të Agjencisë Kombëtare për Punësim dhe Aftësi për punësimin e një të huaji
Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive refuzon të japë miratimin për punësimin e një të huaji kur:
a) marrëdhëniet dhe kushtet e shprehura në kontratë nuk përmbushin kërkesat e legjislacionit shqiptar dhe të konventave ndërkombëtare për kushtet e punës e të punësimit;
b) dokumentet e kërkuara nuk janë të plota apo nuk janë paraqitur elektronikisht brenda afatit njëjavor, nga momenti i kërkesës;
c) punëdhënësi nuk kryen regjistrimin e biznesit pranë AKPA-së dhe nuk bën publike vendet e lira të punës;
ç) pagat e marra nga punëtorët kanë qenë nën nivelin e përcaktuar nga marrëveshjet kolektive;
d) punëdhënësi ka refuzuar të punësojë një punëkërkues të papunë, ofruar nga zyra përkatëse e punësimit, i cili plotësonte kushtet e përcaktuara nga autoritetet shtetërore përgjegjëse, sipas dispozitave të këtij ligji;
dh) punëdhënësi ose entiteti pritës është prekur nga procedura e falimentimit;
e) punëdhënësi apo punëmarrësi i huaj nuk ka shlyer principalin për detyrimet e kontributeve të sigurimeve shoqërore;
ë) punëdhënësi ose entiteti pritës nuk zhvillon asnjë aktivitet ekonomik;
f) ka arsye të besueshme se i huaji përbën rrezik për rendin, sigurinë dhe shëndetin publik në Republikën e Shqipërisë, me përjashtim të rasteve kur gjendja shëndetësore e të huajit nuk ka ndikim në punën për të cilën ai rekrutohet.”.
Neni 34
Në shkronjën “a”, të nenit 77, fjalët “… dhe zotëron një leje qëndrimi …” hiqen.
Neni 35
Nenet 78 dhe 79 shfuqizohen.
Neni 36
Në nenin 80 bëhen këto shtesa dhe ndryshime:
1. Në shkronjën “a”, fjalia “Deklarimi për punësimin e tyre bëhet në zyrën përkatëse të punësimit nga punëdhënësi, ose vetë i huaji i vetëpunësuar, apo investitori pranë zyrës së punësimit në vendin ku kryhet aktiviteti.” zëvendësohet me “deklarimi për punësimin e tyre bëhet on-line nëpërmjet portalit “e-Albania” në seksionin “aplikim për leje unike”.”.
2. Fjalia e dytë, e shkronjës “ç”, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Deklarimi për punësimin e tyre bëhet on-line nga punëdhënësi nëpërmjet portalit “e-Albania”.”.
3. Paragrafi i parë i këtij neni numërtohet pika 1.
4. Pas pikës 1 shtohet pika 2, me këtë përmbajtje:
“2. Formati i deklarimit për punësim miratohet me urdhrin e ministrit përgjegjës për çështjet e punësimit.”.
Neni 37
Pika 3, e nenit 81, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“3. Pajisen me leje unike për kategori të veçanta, për një qëndrim më shumë se 90 ditë, por jo më shumë se 5 vjet, në përputhje me afatin e ushtrimit të aktivitetit të përcaktuar në kontratën e punës, projektin përkatës apo në marrëveshje, të huajt:”
Neni 38
Në pikën 2, të nenit 82, pas fjalëve “… miratimin e saj …” shtohen “… nga autoriteti përgjegjës për punësimin dhe aftësitë dhe nga autoriteti vendor për kufirin dhe migracionin …”.
Neni 39
Në nenin 85 bëhen këto ndryshime:
1. Në pikën 2, pas fjlalëve “… në Republikën e Shqipërisë …” lidhëza “dhe:” si edhe shkronjat “a”, “b”, “c”, “ç”, “d” dhe “dh” shfuqizohen.
2. Në pikën 3, togfjalëshi “… pikës 2, të këtij neni, …” zëvendësohet me fjlaët “… përcaktuara me vendim të Këshillit të Ministrave …”
Neni 40
Pas nenit 85 shtohet neni 85/1, me këtë përmbajtje:
“Neni 85/1
Leja qëndrimi për investitorë
1. I huaji pajiset me leje qëndrimi si investitor, për herë të parë me një afat kohor dyvjeçar kur:
a) bën një investim në Republikën e Shqipërisë;
b) raporti i të punësuarve në aktivitetin ekonomik të jetë për çdo të huaj pesë shtetas shqiptarë dhe ky raport të ruhet edhe në bordin drejtues dhe organet e tjera drejtuese ose kontrolluese;
c) paga e tyre të jetë të paktën sa mesatarja e pagës së paguar në Republikën e Shqipërisë për këto poste të vitit pararendës;
ç) subjekti të zotërojë dokumente të rregullta, me të cilat të provojë se aktiviteti i tij nuk është me humbje, si dhe dokumente të rregullta të regjistrimit dhe shlyerjes së detyrimeve në organet tatimore.
2. Leja e qëndrimit si investitor ripërtërihet me afat kohor trevjeçar, nëse nuk kanë ndryshuar kushtet për të cilat është dhënë leja e mëparshme.
3. I huaji pajiset me leje të përhershme qëndrimi pas përfundimit të afatit të vlefshmërisë së lejes së dytë me afat trevjeçar, nëse nuk kanë ndryshuar kushtet për të cilat është lëshuar leja e fundit e qëndrimit.
4. Në rastet kur investitori i huaj nuk i plotëson kriteret e përcaktuara në nenin 87, të këtij ligji, dhe nëse nuk kanë ndryshuar kushtet për të cilat është lëshuar leja e fundit, i huaji pajiset me leje qëndrimi me afat dyvjeçar, e ripërtëritshme me afat trevjeçar.
5. Vlera e investimit përcaktohet me udhëzim të përbashkët të ministrit përgjegjës për çështjet e rendit dhe sigurisë publike dhe ministrit përgjegjës për ekonominë.”.
Neni 41
Në pikën 1, të nenit 86, fjalët “… struktura përgjegjëse për të huajt …” zëvendësohet nga “… struktura përgjegjës për çështjet e migracionit …”.
Neni 42
Në nenin 99 bëhen këto ndryshime:
1. Titulli ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Urdhri i largimit dhe afati i ekzekutimit vullnetar”
2. Fjalia e parë, e pikës 7, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“7. I huaji, të cilit i është miratuar zgjatja e periudhës së ekzekutimit të urdhrit të largimit ka të drejtë:”
Neni 43
Në shkronjën “a”, të pikës 2, të nenit 101, pas fjalëve “… i cili ka qëndruar …” shtohen “…, hyrë apo dalë, …”.
Neni 44
Në nenin 102 bëhen shtesa dhe ndryshimet e mëposhtme:
1. Pas shkronjës “dh”, të pikës 1, shtohet shkronja “e”, me këtë përmbajtje:
“e) Është me qëndrim të ligjshëm, por ndaj tij është marrë një vendim për nxjerrje jashtë territorit nga gjykata, ose për të cilin autoritetet shtetërore përgjegjëse për vlerësimin e cenimit të sigurisë publike dhe të sigurisë kombëtare vlerësojnë se qëndrimi i tij në territor për shkak të natyrës së veprës penale apo veprimtarisë së kundërligjshme që ka kryer, përbën rrezik për rendin publik dhe sigurinë kombëtare, edhe në rast se nuk ka vendim nxjerrjeje jashtë territorit nga gjykata.”;
2. Në pikën 6, fjalët “… autoriteti qendror …” zëvendësohet me “… autoriteti vendor …”.
3. Pika 8 shfuqizohet.
Neni 45
Neni 103 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Neni 103
Ankimi kundër urdhrit të dëbimit
1. I huaji, subjekt i një urdhri dëbimi, ka të drejtën e ankimit administrativ dhe gjyqësor, sipas legjislacionit në fuqi.
2. Deri në përfundimin e procedurës së ankimit, i huaji është i detyruar të qëndrojë në kushtet e masave alternative të mbikëqyrjes ose i ndaluar në qendrën e mbyllur.”.
Neni 46
Në nenin 105 bëhen këto shtesa:
1. Në pikën 2, pas fjlaës “… të huajit …” shtohen fjalët “… kur ndodhet fizikisht në Republikën e Shqipërisë …”.
2. Pas pikës 3 shtohet pika 3/1, me këtë përmbajtje:
“3/1. Nuk lëshohet urdhër dëbimi kur i huaji, subjekt i shpalljes “person i padëshiruar” nuk ndodhet fizikisht në Republikën e Shqipërisë.”.
Neni 47
Titulli i nenit 106 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Ekzekutimi i urdhrit të dëbimit”.
Neni 48
Titulli i seksionit IV, të kreut V, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Masat e përkohshme dhe zëvendësimi i tyre”.
Neni 49
Pas pikës 3, të nenit 109, shtohet pika 3/1, me këtë përmbajtje:
“3/1. Deklarimi i të huajit, subjekt dëbimi, për t’u larguar vullnetarisht nga Republika e Shqipërisë, mund të merret në konsideratë nga autoriteti përgjegjës vendor për kufirin dhe migracionin me qëllim zëvendësimin e masës nga “urdhër dëbimi” në “urdhër largimi”, përjashtuar rastet kur për interesa të rendit publik dhe sigurisë kombëtare ky deklarim nuk mund të merret në konsideratë. Në të gjitha rastet e trajtimit të kërkesave për zëvendësim të këtyre masave vihet në dijeni autoriteti qendror shtetëror përgjegjës për trajtimin e të huajve dhe kthimet.”.
Neni 50
Në nenin 115 bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
1. Kudo në këtë nen, fjala “… rajonal …” zëvendësohet me “… vendor …”.
2. Në pikën 1 bëhen shtesa dhe ndryshimi i mëposhtëm:
a) Pas fjalëve “… një urdhër dëbimi …” shtohen “… apo një urdhër ndalimi …”.
b) Fjalët “… ose për të huajin e ripranuar …” zëvendësohen me “… subjekt i dëbimit ose për të huajin e ripranuar nga vende të tjera …”.
3. Pas pikës 2 shtohet pika 2/1, me këtë përmbajtje:
“2/1. Familjet në pritje të largimit nga Republika e Shqipërisë duhet të akomodohen në mjedise të posaçme, duke garantuar privatësinë e tyre.”.
4. Pika 4 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“4. Autoriteti shtetëror përgjegjës në nivel vendor për trajtimin e të huajve mund ta ndalojë në qendër të mbyllur për arsye të sigurisë publike të huajin, identiteti apo arsyet e qëndrimit të të cilit nuk janë të qarta. Ndalimi për arsyet e cituara në këtë pikë duhet të zgjasë për aq kohë sa të qartësohet situata, por jo më shumë 30 ditë. Nëse ndalimi, pas konstatimit të situatës së paligjshmërisë, konsiderohet masë e nevojshme, me propozim të autoritetit të qendrës së mbyllur, autoriteti vendor për kufirin dhe migracionin nxjerr urdhër dëbimi. Nëse arsyet e ndalimit nuk justifikojnë më mbajtjen e tij në qendër, me propozim të autoritetit të qendrës së mbyllur, autoriteti vendor për kufirin dhe migracionin revokon urdhrin e ndalimit në qendër. Në çdo rast, vihet në dijeni autoriteti qendror shtetëror përgjegjës për trajtimin e të huajve dhe kthimet.”.
Neni 51
Në nenin 117 bëhen këto ndryshime:
1. Në pikën 2, fjala “… qendror …” zëvendësohet me “… vendor …”;
2. Pikat 3 dhe 4 ndryshohen, si më poshtë vijon:
“3. Kërkesa për zgjatjen e afatit të qëndrimit nga autoriteti i qendrës së mbyllur bëhet jo më pak se 20 ditë përpara mbarimit të afatit 6-mujor të ndalimit në qendër. Autoriteti vendor për kufirin dhe migracionin shqyrton kërkesën dhe njofton autoritetin e qendrës së mbyllur për vendimin e marrë brenda një afati 10-ditor nga marrja e kërkesës.
4. Gjatë kohës së ndalimit në qendrën e mbyllur, autoriteti i qendrës së mbyllur, në bashkëpunim me autoritetin vendor përgjegjës për kufirin dhe migracionin, shqyrton kushtet ekzistuese për të mbajtur të mbyllur në qendër të huajin e ndaluar. Në bazë të vlerësimit të situatës, me propozim të autoritetit të qendrës së mbyllur, autoriteti vendor përgjegjës për kufirin dhe migracionin mund të vendosë për zëvendësimin e masës së ndalimit në qendër me masa të përshtatshme të përkohshme, të përcaktuara në këtë ligj. Në çdo rast, vihet në dijeni autoriteti qendror shtetëror përgjegjës për trajtimin e të huajve dhe kthimet.”.
Neni 52
Në nenin 118 bëhet ndryshimi dhe shtesa e mëposhtme:
1. Shkronja “ç”, e pikës 1, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“ç) me anulimin ose shfuqizimin e urdhrit të ndalimit në qendër;”.
2. Pas shkronjës “b”, të pikës 2, shtohet shkronja “c”, me këtë përmbajtje:
“c) arsyet, për të cilat është ndaluar, nuk ekzistojnë më.”.
Neni 53
Neni 119 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Neni 119
Ndalimi i të miturve të pashoqëruar
1. Përjashtimisht, i mituri i pashoqëruar i ndaluar mbahet në një qendër për të mitur, në ambiente apo qendra të cilat janë hapur apo operojnë në kuadrin e marrëveshjeve të bashkëpunimit midis institucioneve shtetërore/publike, me organizata ndërkombëtare apo organizata jofitimprurëse, që kryejnë misione për fëmijë apo për kategori të tjera në nevojë.
2. Ndalimi i të miturit të pashoqëruar dhe familjeve me fëmijë është mjeti i fundit administrativ që zbatohet për periudhën më të shkurtër të përshtatshme.
3. Familjeve të ndaluara, në pritje për t’u larguar, u sigurohet ambient akomodimi i veçantë, i cili garanton privatësinë e duhur.
4. I mituri i pashoqëruar mbahet në ambiente të veçanta nga ato për të rritur.
5. Të miturit të pashoqëruar të ndaluar i garantohet përfshirja në aktivitete të kohës së lirë, aktivitete rekreative të përshtatshme për moshën e tyre dhe aksesi për arsimim, në varësi të kohëzgjatjes së ndalimit në qendër.
6. Në interesin më të lartë të fëmijës, para ndalimit të një të mituri të pashoqëruar, në pritje për t’u larguar, merret mendimi i punonjësit social ose psikologut.
7. Kur ka dyshime rreth moshës së të miturit të huaj të pashoqëruar, autoriteti i qendrës në bashkëpunim me autoritetin vendor përgjegjës për kufirin dhe migracionin, kërkon nga institucionet shtetërore të specializuara kryerjen e ekzaminimeve mjekësore, vetëm me qëllim verifikimin e moshës. Në rast se edhe pas verifikimeve dhe ekzaminimeve mbeten dyshime për moshën, prezumohet se ai është i mitur.”.
Neni 54
Neni 127 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Neni 127
1. Autoriteti përgjegjës për kufirin dhe migracionin, në zbatim të legjislacionit në fuqi, kryen këto detyra:
a) Mbikëqyr dhe kontrollon zbatimin nga të huajt të rregullave të hyrjes dhe qëndrimit, të vendosura sipas këtij ligji;
b) Kërkon dokumentet e udhëtimit, lejen e qëndrimit ose dokumentin e identifikimit;
c) Shoqëron në rajonin e policisë të huajin, i cili nuk disponon dokument identifikimi, leje qëndrimi, dokument udhëtimi ose ndonjë dokument tjetër që provon identitetin e tij;
ç) Transporton të huajin për të cilin ka një urdhër dëbimi për në pikën e kalimit kufitar ose në vendin e origjinës;
d) Transporton të huajin e ndaluar, kur është e nevojshme, në institucionin shëndetësor, për të marrë trajtim mjekësor ose, për arsye të shëndetit publik, për të siguruar izolimin apo karantinën;
dh) Shoqëron dhe merr masa për kthimin e të huajve me qëndrim të paligjshëm në vendin e origjinës ose në vendin transit, të cilin i huaji ka përdorur për të hyrë në Republikën e Shqipërisë;
e) Merr masa që i huaji i ndaluar dhe i mbajtur në qendër të mbyllur të paraqitet përpara autoriteteve gjyqësore;
ë) Shoqëron të huajin në përfaqësinë diplomatike ose konsullore, me synim zhvillimin e intervistës së kërkuar, për të siguruar dokumente udhëtimi dhe e kthen atë në institucionin ku zbatohet ndalimi;
f) Bashkëpunon me strukturat e tjera për kontrollin e zbatimit të ligjshmërisë nga të huajt gjatë hyrjes dhe qëndrimit të tyre në territorin e Republikës së Shqipërisë;
g) Vendos gjoba ndaj të huajit dhe merr masa për ekzekutimin e tyre për të gjitha rastet e përcaktuara në nenin 141, të këtij ligji.
2. Autoriteti përgjegjës për kufirin dhe migracionin bashkëpunon dhe kryen inspektime të përbashkëta me strukturat e tjera përgjegjëse për kontrollin e zbatimit të legjislacionit për të huajt gjatë hyrjes, qëndrimit dhe punësimit të tyre në territorin e Republikës së Shqipërisë.
3. Procedurat mbi inspektimet e përbashkëta miratohen me urdhër të përbashkët të ministrit përgjegjës për rendin dhe sigurinë publike dhe ministrit përgjegjës për çështjet e punësimit.”.
Neni 55
Në nenin 134 bëhen ndryshimi dhe shtesa e mëposhtme:
1. Shkronja “c”, e pikës 1, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“c) të ruajnë kohëzgjatjen e punësimit, kopjet ose regjistrat, si dhe evidencat për respektimin e të drejtave të punëmarrësve të huaj që burojnë nga legjislacioni i punës, të gatshëm për inspektim nga autoritetet përgjegjëse shtetërore për kontrollin e të huajve në territor, si dhe të inspektoratit përgjegjës për punësimin.”.
2. Pas pikës 4 shtohet pika 5, me këtë përmbajtje:
“5. Për shkelje të detyrimeve të legjislacionit të punës nga punëdhënësit për punëmarrësit e huaj zbatohen sanksionet e përcaktuara në legjislacionin për inspektimin në punë nga autoriteti përgjegjës për inspektimin e punës.”.
Neni 56
Në pikën 1, të nenit 140, fjalët “… Punëtor i huaj …” zëvendësohen me “… Shtetasit e huaj …”.
Neni 57
Pas shkronjës “m”, të nenit 141, shtohet shkronja “n”, me këtë përmbajtje:
“n) punëdhënësi, i cili nuk vë në dispozicion të inspektorit të punës evidenca mbi punësimin e të huajve dhe shkel të drejtat e tyre gjatë marrëdhënies së punës, sanksionohet me gjobë, sipas përcaktimeve të ligjit për inspektimin e punës.”.
Neni 58
Dispozitë kalimtare
1. I huaji, të cilit i është lëshuar leje qëndrimi ose leje unike njëvjeçare, sipas ligjit nr.79/2021, “Për të huajt”, afati i së cilës përfundon pas hyrjes në fuqi të ndryshimeve të këtij ligji, nëse kushtet për të cilat është dhënë kjo leje mbeten të njëjta, vazhdon të përdorë dokumentin e dhënë, pavarësisht se ky ligj përcakton emërtim të ndryshëm të dokumentit.
2. I huaji, të cilit i është lëshuar leje qëndrimi ose leje unike 2-vjeçare, sipas ligjit nr.79/2021, “Për të huajt”, afati i së cilës përfundon deri në një vit pas hyrjes në fuqi të ndryshimeve të këtij ligji, nëse kushtet për të cilat është dhënë kjo leje mbeten të njëjta, vazhdon të përdorë dokumentin e dhënë, pavarësisht se ky ligj përcakton emërtim të ndryshëm të dokumentit.
3. I huaji, të cilit i është lëshuar leje qëndrimi ose leje unike 2-vjeçare, sipas ligjit nr.79/2021, “Për të huajt”, afati i përfundimit të së cilës është më shumë se një vit pas hyrjes në fuqi të ndryshimeve të këtij ligji, nëse kushtet për të cilat është dhënë kjo leje mbeten të njëjta, duhet të paraqitet pranë autoritetit rajonal për kufirin dhe migracionin për të zëvendësuar lejen e qëndrimit ose lejen unike të dhënë, brenda afatit 1-vjeçar pas hyrjes në fuqi të ndryshimeve të këtij ligji.
4. Të huajt, të cilëve u është lëshuar leje qëndrimi ose leje unike 5-vjeçare, sipas ligjit nr.79/2021, “Për të huajt”, nëse kushtet për të cilat është dhënë kjo leje mbeten të njëjta pas hyrjes në fuqi të ndryshimeve të këtij ligji, vazhdojnë të përdorin lejen e qëndrimit ose lejen unike të dhënë, pavarësisht se ky ligj përcakton emërtim të ndryshëm të dokumentit.
5. Lejet e qëndrimit dhe lejet unike, lëshuar të huajve, në zbatim të dispozitave të legjislacionit në fuqi, para datës së hyrjes në fuqi të ndryshimeve të këtij ligji, janë të vlefshme deri në përfundim të datës së përfundimit të tyre, sa kohë që nuk anulohen nga autoritetet shtetërore përgjegjëse ose nuk bëhen të pavlefshme, në zbatim të dispozitave të këtij ligji dhe akteve nënligjore të dala në zbatim të tij.”
Neni 59
Aktet nënligjore
1. Ngarkohet Këshilli i Ministrave, që, brenda 6 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, të nxjerrë aktet nënligjore në zbatim të nenit 6, pika 13, neni 33/1, pikat 10, 11 dhe 12.
2. Ngarkohet ministri përgjegjës për rendin dhe sigurinë publike dhe ministri përgjegjës për çështjet e punësimit, që, brenda 3 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji të nxjerrin urdhrin e përbashkët në zbatim të pikës 3, të nenit 127.
Neni 60
Hyrja në fuqi
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E T A R I
ELISA SPIROPALI
###
V E N D I M
PËR
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË LIGJIN NR.79/2021, PËR TË HUAJT””
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Propozimin e projektligjit “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.79/2021, “Për të huajt””, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU