Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Projektligje të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 27 tetor 2017

P R O J E K T L I GJ
PËR

DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË LIGJIN NR.92/2014, “PËR TATIMIN MBI VLERËN E SHTUAR NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të neneve 78, 83, pika 1 dhe 155, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë

V E N D O S I:

Në ligjin nr.92/2014, “Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, bëhen këto shtesa dhe ndryshime:

Neni 1

Në nenin 49, shtohet pika 4, me këtë përmbajtje:

“4. Përjashtimisht sa përcaktohet në pikën 3, të këtij neni, shkalla e reduktuar e tatimit mbi vlerën e shtuar 6 % aplikohet për çdo furnizim shërbimi të ofruar brenda strukturave akomoduese “Hotel me pesë yje, status special”, sipas përcaktimit në legjislacionin e fushës së turizmit.
Kushtet, kriteret dhe procedurat për zbatimin e kësaj pike përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.”.

Neni 2

Pika 5, e nenit 107, ndryshohet me këtë përmbajtje:

“5. Këshilli i Ministrave ka të drejtë të caktojë, me vendim, që për ndonjë kategori personash të tatueshëm, periudha tatimore të jetë më e gjatë se një muaj, por jo më e gjatë se një vit kalendarik.”.

Neni 3

Në nenin 109, në fund të pikës 2, shtohet fjalia me këtë përmbajtje:

“Këshilli i Ministrave ka të drejtë të caktojë, me vendim, që për ndonjë kategori personash të tatueshëm, regjistrat përmbledhës që shoqërojnë deklaratën e TVSH-së, të jenë për një periudhë më të gjatë se muaji, por jo më e gjatë se një vit kalendarik.”.

Neni 4

Pika 2, e nenit 117, ndryshohet, si më poshtë:

“2. Kufiri minimal i regjistrimit për TVSH-në, rastet e përjashtimit apo kufiri minimal i regjistrimit për kategori të veçanta, përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.”.

Neni 5

Ky ligj botohet në “Fletoren zyrtare” dhe hyn në fuqi më 1 janar 2018.

K R Y E T A R I
GRAMOZ RUÇI
# # #
V E N D I M
PËR

PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË LIGJIN NR.92/2014, “PËR TATIMIN MBI VLERËN E SHTUAR NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË”, TË NDRYSHUAR”

Në mbështetje të neneve 81, pika 1 dhe 100, të Kushtetutës, me propozim të Ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Propozimin e projektligjit “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.92/2014, “Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”, për shqyrtim dhe miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit shoqërues që i bashkëlidhen këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
* * *
P R O J E K T L I GJ
PËR

DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË LIGJIN NR.9632, DATË 30.10.2006, “PËR SISTEMIN E TAKSAVE VENDORE”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të neneve 78, 83, pika 1, 113, pika 1, shkronja “ç”, 155 dhe 157, pika 3, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë

V E N D O S I:

Në ligjin nr.9632, datë 30.10.2006, “Për sistemin e taksave vendore”, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:

Neni 1

Në nenin 3 bëhen ndryshimet dhe shtesat, si më poshtë vijon:

1. Pika 2 ndryshohet, me këtë përmbajtje:

“2. Pasuri e paluajtshme, në kuptim të këtij ligji, janë objektet e ndërtuara mbi/nën sipërfaqen e tokës ose të lidhura me tokën, trualli dhe toka bujqësore, e cila përcaktohet si e tillë në regjistrin e zyrave të regjistrimit të pasurive të paluajtshme.”.

2. Pas pikës 2 shtohet pika 2.1, me këtë përmbajtje:

“2.1 Për qëllime të administrimit të taksës mbi pasuritë e paluajtshme krijohet regjistri qendror i bazës së të dhënave të pasurive të paluajtshme (kadastra fiskale).”.

3. Pika 7 shfuqizohet.

Neni 2

Në nenin 4, pas pikës 8 shtohet pika 9, me këtë përmbajtje:

“9. Drejtoria e Përgjithshme e Taksës së Pasurisë është person juridik publik, buxhetor, në varësi të ministrit përgjegjës për financat. Struktura dhe organika miratohet me urdhër të Kryeministrit.
Këshilli i Ministrave miraton rregullat për organizimin dhe funksionimin e saj.”.

Neni 3

Neni 7 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“Neni 7
Ankimi

“Ankimi i taksapaguesit në nivel vendor, kundër vendimit apo veprimit të zyrës së taksave, bëhet te struktura vendore e apelimit tatimor, sipas kritereve dhe rregullave të vendosura nga këshilli bashkiak, në përputhje me nenin 4, të këtij ligji. Taksapaguesi ka të drejtë të ankohet në gjykatë kundër vendimit të strukturës së apelimit tatimor në bashki.”.

Neni 4

Në nenin 21 bëhen këto ndryshime dhe shtesa:

1. Pika 2 ndryshon, si më poshtë vijon:

“2. Këshilli i Ministrave miraton metodologjinë për përcaktimin e vlerës së tatueshme të pasurisë së paluajtshme – ndërtesa.”.

2. Pas pikës 2 shtohet pika 2.1, me këtë përmbajtje:

“2.1 Kategoritë minimale të bazës së taksës dhe nivelet treguese të taksës, për çdo kategori minimale të bazës për taksën mbi tokën bujqësore dhe për taksën mbi truallin (jo hapësirë publike), jepen, përkatësisht, në anekset 2 dhe 2.1, që i bashkëlidhen dhe janë pjesë përbërëse e këtij ligji.”.

3. Në pikën 3, fjalët “… në anekset 1 e 2 …”, zëvendësohen me fjalët “… në aneksin 2…”.

Neni 5

Neni 22 ndryshon, me këtë përmbajtje:

“Neni 22
Taksa mbi ndërtesat

1. Taksës mbi ndërtesat i nënshtrohen individët, personat fizikë ose juridikë, vendas apo të huaj, pronarë ose përdorues të pasurive të paluajtshme në territorin e Republikës së Shqipërisë, pavarësisht nga niveli i shfrytëzimit të këtyre ndërtesave, përveç rasteve kur në këtë ligj përcaktohen ndryshe.

2. Taksës mbi ndërtesat i nënshtrohen personat që kanë aplikuar për legalizim të ndërtesës, sipas ligjit “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”.

3. Taksës mbi ndërtesat i nënshtrohen zhvilluesit, të cilët nuk arrijnë të mbyllin ndërtimin sipas lejes përkatëse, të lëshuar nga autoriteti i planifikimit. Afati i përllogaritjes së taksës fillon nga momenti i mbarimit të afatit kohor të përcaktuar në aktin e miratimit të kërkesës për leje ndërtimi.

4. Detyrimi për taksën mbi ndërtesat llogaritet si shumëzim i bazës së taksës me shkallën e taksës mbi ndërtesën.

5. Taksa vendore mbi pasurinë e paluajtshme-ndërtesë llogaritet si detyrim vjetor i taksapaguesit. Pagesa e taksës bëhet çdo muaj apo, për periudha më të gjata, në varësi të kategorisë së taksapaguesit, sipas përcaktimeve në vendimin e Këshillit të Ministrave.

6. Përjashtohen nga taksa mbi ndërtesat:
a) pronat e shtetit dhe të njësive të qeverisjes vendore, që përdoren për qëllime jofitimprurëse;
b) pasuritë në pronësi të shtetit, të kaluara me vendim të Këshillit të Ministrave, nën administrimin e shoqërive publike shtetërore;
c) ndërtesat e banimit, që shfrytëzohen nga qiramarrësi me qira të paliberalizuara;
ç) banesat sociale në pronësi të bashkive;
d) pasuritë e paluajtshme-ndërtesa, pronë e subjekteve juridike ose fizike, që në bazë të marrëveshjeve me bashkitë përdoren nga këto të fundit si banesa sociale;
dh) ndërtesat që përdoren nga komunitetet fetare, në funksion të veprimtarisë së tyre;
e) strukturat akomoduese “Hotel me katër dhe pesë yje, status special”, sipas përcaktimit në legjislacionin e fushës së turizmit.”.

Neni 6

Pas nenit 22 shtohen nenet 22/1, 22/2, 22/3 22/4 dhe 22/5, me këtë përmbajtje:

“ Neni 22/1
Baza e taksës

Baza e taksës mbi ndërtesat është vlera e ndërtesës, që llogaritet në përputhje me metodologjinë dhe procedurat e përcaktuara me vendim të Këshillit të Ministrave.
Këshilli i Ministrave, në bazë të vjetërsisë së ndërtesës, mund të specifikojë nënkategori përkatëse.

Neni 22/2
Shkalla e taksës

Shkalla e taksës mbi ndërtesat, e cila aplikohet si përqindje e bazës së taksës, është si më poshtë:

– 0.05% për ndërtesën që përdoret, shfrytëzohet për banim;
– 0.15% për ndërtesën që përdoret, shfrytëzohet për veprimtari ekonomike;
– 30 % e shkallës së taksës përkatëse për të gjithë sipërfaqen ndërtimore, për të cilën zhvilluesi është pajisur me leje ndërtimi dhe nuk ka arritur ta përfundojë atë sipas afatit të përcaktuar në aktin e miratimit të kërkesës për leje ndërtimi.

Neni 22/3
Informacioni lidhur me taksën mbi ndërtesën

Këshilli i Ministrave përcakton rregulla në lidhje me:

– natyrën dhe prioritetin e informacionit që do të përdoret në lidhje me përcaktimin e bazës së taksës mbi ndërtesat, në raste mospërputhjesh të informacionit të marrë nga burime të ndryshme;
– prioritetin e të dhënave që do të përdoren në lidhje me vlerën e tatueshme.

Neni 22/4
Përgjegjësitë e Drejtorisë së Përgjithshme të Taksës së Pasurisë

Drejtoria e Përgjithshme e Taksës së Pasurisë:
– menaxhon regjistrin qëndror të bazës së të dhënave të pasurive të paluajtshme (kadastra fiskale);
– udhëheq, nga pikëpamja metodologjike, në lidhje me administrimin e taksës mbi pasuritë e paluajtshme;
– përcakton nivelin e vlerësuar të taksës së pasurisë së paluajtshme për ndërtesat si dhe detyrimin e taksës së pronës, me metoda alternative të vlerësimit.

Këshilli i Ministrave vendos kritere dhe rregulla në lidhje me procedurat dhe elementet që përdoren për vlerësimin alternativ të detyrimit të taksës.

Neni 22/5
Përgjegjësitë e njësisë së vetëqeverisjes vendore

1. Njësia e vetëqeverisjes vendore është autoriteti përgjegjës për funksionet në administrimin e taksës mbi ndërtesën, sa i përket pasurisë (ndërtesë) që është në juridiksionin e saj, si më poshtë vijon:

– Mbledhjen dhe menaxhimin e informacioneve mbi ndërtesën për qëllime fiskale;
– Përditësimin e të dhënave të regjistrit qendror të bazës së të dhënave të pasurive të paluajtshme (kadastra fiskale);
– Mbledhjen me forcë të detyrimeve të taksës mbi ndërtesën;
– Korrigjimin e të dhënave në lidhje me llogaritjen e taksës, në rastet e saktësimit të informacionit për sipërfaqen, vendndodhjen zonale, çmimet e tregut etj.;
– Shqyrtimin e ankimit administrativ të taksapaguesve.

2. Taksa mbi ndërtesën, sipas dispozitave të këtij ligji, mund të mblidhet nëpërmjet agjentëve të taksave, të cilët kanë shtrirje territoriale, sistem elektronik të bazës së të dhënave e të gjenerimit të detyrimeve dhe që autorizohen me vendim të Këshillit të Ministrave. Këshilli i Ministrave përcakton edhe masën e përfitimit të agjentit të autorizuar, mbi të ardhurat e arkëtuara nga taksa e ndërtesave.

3. Të ardhurat e mbledhura nga taksa mbi pasurinë e paluajtshme derdhen për llogari të buxhetit përkatës të njësisë së vetëqeverisjes vendore, në territorin e së cilës ndodhet pasuria, dhe përdoren në përputhje me ligjin “Për financat e vetëqeverisjes vendore në Republikën e Shqipërisë.”.

Neni 7

Në nenin 27, pas pikës 6 shtohet pika 7, me këtë përmbajtje:
“7. Përjashtohen nga pagesa e kësaj takse investimet e kryera për ndërtimin e strukturave akomoduese “Hotel me pesë yje, status special”, sipas përcaktimit në legjislacionin e fushës së turizmit.”.

Neni 8

1. Aneksi nr.7, “Taksa e tabelës”, zëvendësohet me aneksin nr.7 bashkëngjitur këtij ligji dhe bëhet pjesë përbërëse e tij.

2. Aneksi nr.1, bashkëlidhur ligjit, me titull “Nivelet treguese të taksës së ndërtesës”, shfuqizohet.

Neni 9

Kudo në përmbajtje të ligjit bëhen ndryshimet, si më poshtë vijon:

1. Fjalët “… ligjin nr.8560, datë 22.12.1999, “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar…”, zëvendësohen me fjalët “…ligjin “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”…”.

2. Fjalët “… ligjin nr.8652, datë 31.7.2000, “Për organizimin dhe funksionimin e qeverisjes vendore…”, zëvendësohen me fjalët “… ligjin “Për vetëqeverisjen vendore”…”.

Neni 10
Nxjerrja e akteve nënligjore

Ngarkohet Këshilli i Ministrave për nxjerrjen e akteve nënligjore në zbatim të këtij ligji, jo më vonë se një muaj nga hyrja në fuqi e tij.

Neni 11
Hyrja në fuqi

Ky ligj botohet në “Fletoren zyrtare” dhe hyn në fuqi më 1 prill 2018, me përjashtim të nenit 7, i cili hyn në fuqi më 1 janar 2018.

K R Y E T A R I
GRAMOZ RUÇI
# # #
V E N D I M
PËR

PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË LIGJIN NR.9632, DATË 30.10.2006, “PËR SISTEMIN E TAKSAVE VENDORE”, TË NDRYSHUAR”

Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Propozimin e projektligjit “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.9632, datë 30.10.2006, “Për sistemin e taksave vendore”, të ndryshuar”, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
* * *
P R O J E K T L I GJ
PËR

DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË LIGJIN NR.8438, DATË 28.12.1998, “PËR TATIMIN MBI TË ARDHURAT”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të neneve 78, 83, pika 1 dhe 155, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë

V E N D O S I:

Në ligjin nr.8438, datë 28.12.1998, “Për tatimin mbi të ardhurat”, të ndryshuar, bëhen këto shtesa dhe ndryshime:

Neni 1

Në nenin 11, “Kalimi i së drejtës së pronësisë mbi pasuritë e paluajtshme”, pas pikës 3, shtohet pika 4, me këtë përmbajtje:

“4. Ministri përgjegjës për financat dhe ministri apo institucioni që ka në fushën e përgjegjësisë regjistrimin e pasurive të paluajtshme, përcaktojnë me udhëzim të përbashkët kushtet, procedurat dhe metodologjinë për zbatimin e këtij neni.”.

Neni 2

Në nenin 18, “Përjashtimet”, bëhen këto ndryshime:

1. Pas shkronjës “f”, shtohet shkronja “g”, me këtë përmbajtje:

“g) Strukturat akomoduese “Hotelet me katër dhe pesë yje, status special”, sipas përcaktimeve në legjislacionin e fushës së turizmit. Përjashtimi nga tatimi mbi fitimin, i parashikuar sipas këtij paragrafi, aplikohet për një periudhë 10-vjeçare për ato struktura të cilat përfitojnë statusin special deri në dhjetor 2024. Efektet e përjashtimit fillojnë në momentin e fillimit të veprimtarisë ekonomike të strukturës akomoduese, por jo më vonë se 3 vjet nga marrja e statusit special.”.

2. Në paragrafin e fundit, fjalët “…deri në shkronjën “f”,…” zëvendësohen me “… deri në shkronjën “g”,…”.

Neni 3

Neni 28, “Shkalla tatimore”, ndryshon me përmbajtjen e mëposhtme:

“Neni 28
Shkalla tatimore

1. Tatimi mbi fitimin është 15 %.

2. Për personat juridikë të cilët ushtrojnë aktivitet për prodhimin/zhvillimin e software-ve, tatimi mbi fitimin është 5 %. Këshilli i Ministrave përcakton, me vendim, aktivitetet që përfshihen në fushën e prodhimit/zhvillimit të software-ve si dhe procedurat për zbatimin e këtij paragrafi.”.

Neni 4

Ky ligj botohet në “Fletoren zyrtare” dhe hyn në fuqi më 1 janar 2018.

K R Y E T A R I
GRAMOZ RUÇI
# # #
V E N D I M
PËR

PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË LIGJIN NR.8438, DATË 28.12.1998, “PËR TATIMIN MBI TË ARDHURAT”, TË NDRYSHUAR”

Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Propozimin e projektligjit “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.8438, datë 28.12.1998, “Për tatimin mbi të ardhurat”, të ndryshuar”, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
* * *
P R O J E K T L I GJ
PËR

NJË NDRYSHIM NË LIGJIN NR.61/2012, “PËR AKCIZAT NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të neneve 78, 83, pika 1, dhe 155, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë,

V E N D O S I:
Neni 1

Në shtojcën nr.1, “Mallrat e tatueshme me akcizë në Republikën e Shqipërisë”, bashkëlidhur ligjit nr.61/2012, “Për akcizat në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, nënndarja III, “Duhan dhe nënproduktet e tij”, kategoria T200, “Cigare që përmbajnë duhan”, me kod nomenklature 24 02 20 dhe përshkrim “Cigare që përmbajnë duhan”, shkalla e taksimit më 1 janar 2018 nga “… 5 750 lekë/1000 copë” ndryshohet dhe bëhet “… 5 850 lekë/1000 copë”.

Neni 2

Ky ligj botohet në “Fletoren zyrtare” dhe hyn në fuqi në datën 1 janar 2018.

K R Y E T A R I
GRAMOZ RUÇI
# # #
V E N D I M
PËR

PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR NJË NDRYSHIM NË LIGJIN NR. 61/2012 “PËR AKCIZAT NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË”, TË NDRYSHUAR”

Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100 të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Propozimin e projektligjit “Për një ndryshim në ligjin nr.61/2012, “Për akcizat në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit shoqërues që i bashkëlidhen këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
* * *
P R O J E K T L I GJ
PËR

DISA NDRYSHIME NË LIGJIN NR.9975, DATË 28.7.2008, “PËR TAKSAT KOMBËTARE”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të neneve 78, 83, pika 1, dhe 155, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë

V E N D O S I:

Në ligjin nr.9975, datë 28.7.2008, “Për taksat kombëtare”, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime:

Neni 1

Në pikën 5, të nenit 2, fjalët “… autovetura deri në 4+1 …” zëvendësohen me “… autovetura deri në 6+1 …”.

Neni 2

Shkronja “ç”, e pikës 1, të nenit 11, ndryshohet, si më poshtë vijon:

“ç) tarifa për veprime e shërbime të administratës së Ministrisë së Drejtësisë, prokurorisë dhe noterisë;”.

Neni 3

Ky ligj botohet në “Fletoren zyrtare” dhe hyn në fuqi më 1 janar 2018.

K R Y E T A R I
GRAMOZ RUÇI
# # #
V E N D I M
PËR

PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR DISA NDRYSHIME NË LIGJIN NR.9975, DATË 28.7.2008, “PËR TAKSAT KOMBËTARE”, TË NDRYSHUAR”

Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Propozimin e projektligjit “Për disa ndryshime në ligjin nr.9975, datë 28.7.2008, “Për taksat kombëtare”, të ndryshuar”, për shqyrtim dhe miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
* * *
P R O J E K T L I GJ
PËR

DISA NDRYSHIME NË LIGJIN NR.9981, DATË 8.9.2008, “PËR MIRATIMIN E NIVELEVE TË TARIFËS DOGANORE”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të neneve 78, 83, pika 1, dhe 155, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë

V E N D O S I:
Neni 1

Nivelet tarifore të disa artikujve, të përcaktuar në lidhjen nr.1, të ligjit nr.9981, datë 8.9.2008, “Për miratimin e niveleve të tarifës doganore”, të ndryshuar, ndryshojnë sipas aneksit 1, që i bashkëlidhet këtij ligji.

Neni 2

Ky ligj botohet në “Fletoren zyrtare” dhe hyn në fuqi më 1 janar 2018.

K R Y E T A R I
GRAMOZ RUÇI
# # #
V E N D I M
PËR

PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR DISA NDRYSHIME NË LIGJIN NR.9981, DATË 8.9.2008, “PËR MIRATIMIN E NIVELEVE TË TARIFËS DOGANORE”, TË NDRYSHUAR”

Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Propozimin e projektligjit “Për disa ndryshime në ligjin nr.9981, datë 8.9.2008, “Për miratimin e niveleve të tarifës doganore”, të ndryshuar”, për shqyrtim dhe miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.