Projektligje të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 28 Mars 2018:
P R O J E K T L I GJ
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË LIGJIN NR.10247, DATË 4.3.2010 “PËR KORNIZËN SHQIPTARE TË KUALIFIKIMEVE”
Në mbështetje të neneve 78, 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I:
Në ligjin nr.10247, datë 4.3.2010, “Për Kornizën Shqiptare të Kualifikimeve”, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
Neni 1
Neni 1 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Neni 1
Qëllimi i këtij ligji është krijimi i Kornizës Shqiptare të Kualifikimeve (në vijim, KSHK) dhe përcaktimi i parimeve dhe procedurave të krijimit, zhvillimit, zbatimit dhe përditësimit të saj për dhënien e njohjen e kualifikimeve në Republikën e Shqipërisë, bazuar në standardet e njohurive, të shprehive dhe kompetencave më të gjera, që duhet të arrijnë nxënësit/kursantët/studentët.”.
Neni 2
Neni 2 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Neni 2
Ky ligj ka objekt përcaktimin e niveleve të KSHK-së, të tipeve të kualifikimit, të objektivave, të funksioneve dhe të fushave, ku e shtrin juridiksionin e vet KSHK-ja, të strukturave përgjegjëse për drejtimin dhe zbatimin e KSHK-së sipas përcaktimeve në këtë ligj, në bashkëpunim me ministritë përkatëse, institucionet e ndryshme të pushtetit qendror apo vendor, partnerët socialë dhe organizatat jofitimprurëse, që veprojnë për zhvillimin, ofrimin dhe përdorimin e kualifikimeve, si dhe në lidhjen e KSHK-së me Kornizën Evropiane të Kualifikimeve dhe me Kornizën e Kualifikimeve të Zonës Evropiane të Arsimit të Lartë.”.
Neni 3
Në nenin 3 bëhen ndryshimet dhe shtesat, si më poshtë vijon:
1. Shkronjat “b”, “c”, “dh”, “e”, “ë”, “f”, “h”, “i”, “j” dhe “k” ndryshohen, si më poshtë vijon:
“b) “Akreditimi” është proces i pavarur për vlerësimin e jashtëm të cilësisë, i cili përcakton nëse institucioni i arsimit të lartë dhe/ose programet e studimit që ai ofron përmbushin standardet e caktuara të cilësisë, në përputhje me aktet ligjore e nënligjore në fuqi.
c) “Grumbullimi apo transferimi i krediteve” është respektivisht procesi i marrjes së krediteve për një kualifikim dhe njohja e këtyre krediteve nga një institucion apo sistem tjetër me qëllim transferimin e tyre drejt një kualifikimi tjetër. …
dh) “Korniza Shqiptare e Kualifikimeve” është një instrument që përmban 8 nivele, të miratuara sipas shtojcës nr.1 të këtij ligji. Ajo shërben për klasifikimin e kualifikimeve të përfituara nga individë sipas një tërësie kriteresh, për nivele specifike të të nxënit dhe ka për qëllim përmirësimin e transparencës, aksesit, përparimit dhe cilësisë së kualifikimeve që lidhen me tregun e punës dhe shoqërinë.
e) “Krediti” është njësi matëse e ngarkesës së punës së nxënësit/studentit që tregon se një pjesë e një kualifikimi është vlerësuar dhe certifikuar nga një autoritet kompetent. Numri i krediteve që përmban një kualifikim përfaqëson vëllimin e punës së kërkuar për të kryer kualifikimin ose përbërësin e tij.
ë) “Kualifikimi” është një rezultat formal i një procesi vlerësimi dhe vlefshmërie, i përfituar prej një organi kompetent/institucioni arsimor, të akredituar, që përcakton se individi ka arritur një nivel të caktuar njohurish, aftësish dhe kompetencash në përputhje me një standard të dhënë.
f) “Niveli” është elementi thelbësor i strukturës së KSHK-së, i cili vlerësohet si një pikë e përbashkët dhe neutrale për autoritetet e arsimit dhe të formimit, në nivel kombëtar e sektorial….
h) “Të nxënit formal” është një proces grumbullues i dijes, që kryhet në një mjedis të organizuar dhe të strukturuar, të tillë si: institucioni i arsimit të lartë, shkolla, qendra e formimit, në përputhje me kuadrin ligjor përkatës, ku individët, gradualisht, asimilojnë gjithnjë e më shumë entitete komplekse dhe abstrakte (koncepte, kategori, mënyra të të sjellurit) dhe/ose përvetësojnë aftësi dhe kompetenca më të gjera.
i) “Të nxënit joformal” është një proces grumbullues i dijes, i realizuar në veprimtari të planifikuara, jo domosdoshmërisht të hartuara si forma mësimore, në lidhje me objektivat, kohën mësimore ose mbështetjen mësimore, por që përmban elemente të rëndësishme mësimore. Të nxënit joformal është i qëllimshëm dhe i planifikuar nga nxënësit, kursantët apo studentët.
j) “Të nxënit informal” është një proces grumbullues i dijes, i cili përfitohet nga veprimtari të përditshme, që kanë lidhje me punën, familjen ose kohën e lirë. Ky lloj të nxëni nuk është i strukturuar dhe i organizuar për sa u përket objektivave, kohës apo mbështetjes mësimore. Në shumicën e rasteve, të nxënit informal është i paqëllimshëm, i paplanifikuar nga individi që nxë.
k) “Vlefshmëria” është procesi që siguron se standardet ose kualifikimet janë hartuar në përputhje me kuadrin ligjor në fuqi dhe për të përmbushur nevojat e përcaktuara e të miratuara, si dhe janë të një cilësie teknike të përshtatshme.”.
2. Pas shkronjës “k” shtohen shkronjat “l”, “ll”, “m”, “n”, “nj” dhe “o”, me këtë përmbajtje:
“l) “Korniza e Kualifikimeve e Zonës Evropiane të Arsimit të Lartë” (në vijim, KKZEAL) është një tabelë, që përmban 3 nivele/cikle, që përshkruajnë kualifikimet në arsimin e lartë në Zonën Evropiane të Arsimit të Lartë (ZEAL), me përshkruesit e përgjithshëm për çdo cikël, bazuar në rezultatet e të nxënit dhe kompetencat, si dhe kreditet përkatëse për ciklin e parë dhe të dytë. Kjo kornizë shërben si instrument për krahasueshmërinë, transparencën dhe njohjen e kualifikimeve, lehtëson mobilitetin e studentëve në ZEAL, si dhe ndihmon institucionet e arsimit të lartë të zhvillojnë lëndët e programeve të studimit bazuar në rezultatet e të nxënit dhe kreditet.
ll) “Rezultatet e të nxënit” janë një tërësi njohurish, aftësish dhe/ose kompetencash në bazë të të cilave vlerësohet se një individ i ka fituar dhe/ose është i aftë t’i demonstrojë, pasi ka përmbushur procesin e të nxënit.
m) “Përshkruesit e nivelit” përfaqësojnë përshkruesit e kërkuar në terma të njohurive, aftësive dhe kompetencave më të përgjithshme, për çdo nivel në KSHK.
n) “Standardet e profesionit” përfshijnë përcaktimin e tërësisë së funksioneve dhe detyrave të ushtruara në një profesion të caktuar, si dhe të njohurive, aftësive dhe qëndrimeve të nevojshme për realizimin e tyre, për të siguruar një nivel të lartë përgatitjeje.
nj) “Llojet e kualifikimit” përfaqësojnë grupe kualifikimesh në të cilat klasifikohen kualifikimet e të njëjtit nivel të KSHK-së, të cilat kanë ngjashmëri në terma të funksioneve të tyre, të rezultateve të të nxënit, të volumit të të nxënit dhe/apo tipareve të tjera.
o) “Katalogu Kombëtar i Kualifikimeve Profesionale” është një instrument dinamik, i cili klasifikon dhe integron kualifikimet për arsimin dhe formimin profesional, të bazuara në rezultate të të nxënit, duke identifikuar për çdo kualifikim nivelin përkatës të referencës në KSHK, duke filluar nga niveli më madh i agregimit, që ka të bëjë me fushat e kualifikimit (drejtimet), deri në nivelin më të ulët të agregimit (nënfushat e kualifikimit), që ka të bëjë me profilet dhe specialitetet.”
Neni 4
Neni 4 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Neni 4
Parimet e KSHK-së
Korniza Shqiptare e Kualifikimeve bazohet në këto parime:
a) kualifikime, bazuar në rezultatet e të nxënit;
b) fleksibilitet;
c) marrje në konsideratë e të nxënit gjatë gjithë jetës në mënyrë formale, joformale dhe informale, në përputhje me kuadrin ligjor në fuqi;
ç) njohje dhe vijueshmëri e kualifikimeve;
d) përcaktim i institucioneve që sigurojnë cilësinë e kualifikimeve të përfituara;
dh) përcaktim i institucioneve zbatuese.”.
Neni 5
Pas nenit 4 shtohet neni 4/1, me këtë përmbajtje:
“Neni 4/1
Objektivat kryesorë të KSHK-së
Objektivat kryesorë të KSHK-së janë:
a) të garantojë që kualifikimet që përfshihen në KSHK të jenë të siguruara për sa i përket cilësisë dhe të bazohen në kërkesat e tregut të punës dhe shoqërisë;
b) të garantojë mundësi të barabarta ndaj mbajtësve të kualifikimeve;
c) të sigurojë gjithëpërfshirjen, qartësinë dhe transparencën e kualifikimeve dhe ndërlidhjes së tyre;
ç) të nxisë zhvillimin e kualifikimeve, bazuar në rezultatet e të nxënit, të cilat janë të krahasueshme me standardet ndërkombëtare për njohuri, aftësi dhe kompetenca më të gjera;
d) të nxisë dhe të promovojë të nxënit gjatë gjithë jetës, duke përfshirë kualifikimet për zhvillimin e vazhdueshëm të aftësive, si dhe mësimnxënien e të rriturve në KSHK;
dh) të përmirësojë aksesin te kualifikimet dhe fleksibilitetin e rrugëve për arritjen e kualifikimeve;
e) të përmirësojë progresin dhe lëvizshmërinë brenda dhe midis sistemeve të të nxënit formal, informal dhe joformal në kuadër të arsimit dhe formimit profesional;
ë) të përmirësojë mundësinë për punësimin e individëve sipas kualifikimit të përfituar;
f) të inkurajojë krahasueshmërinë dhe njohjen e kualifikimeve të përfituara në Shqipëri me kualifikimet në vendet e tjera.”.
Neni 6
Në nenin 5 bëhen këto ndryshime:
1. Pika 1 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“l. KSHK-ja përmbledh të gjitha llojet dhe nivelet e kualifikimeve dhe certifikimit brenda një strukture prej tetë nivelesh. Nivelet, llojet e kualifikimeve dhe përshkruesit e niveleve pasqyrohen në shtojcat 1 dhe 2, që i bashkëlidhen këtij ligji. Tabela e përshkruesve të detajuar për çdo nivel të KSHK-së përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozim të ministrit përgjegjës për arsimin dhe ministrit përgjegjës për arsimin dhe formimin profesional.”.
2. Në fjalinë e parë të pikës 4, fjala “mësimore” zëvendësohet me “e të nxënit”.
Neni 7
Shkronja “b”, e nenit 6, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“b) kualifikimet për të nxënit gjatë gjithë jetës, duke përfshirë kurset afatshkurtra për të rriturit, kurset e veçanta për zhvillimin e vazhdueshëm profesional, kualifikimet e ofruara nga universitetet dhe/ose nga institutet e tjera private dhe kualifikime të tjera të parashikuara në kuadrin ligjor përkatës. Kriteret dhe procedurat për përfshirjen e kualifikimeve për të nxënit gjatë gjithë jetës, sipas niveleve të KSHK-së për arsimin dhe formimin profesional, përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozim të ministrit përgjegjës për arsimin dhe ministrit përgjegjës për arsimin dhe formimin profesional.”.
Neni 8
1. Në shkronjën “b”, të pikës 1, të nenit 7, togfjalëshi “…standardeve dhe kualifikimeve…” zëvendësohet me togfjalëshin “…standardeve të kualifikimeve…”.
2. Në fjalinë e dytë të pikës 2, të nenit 7, fjalët “… dhe rregulloret e miratuara …” hiqen.
Neni 9
Neni 8 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Neni 8
Ministritë përgjegjëse për menaxhimin e KSHK-së
1. Ministria përgjegjëse për menaxhimin e KSHK-së për nënsektorin e arsimit të lartë dhe nënsektorin e arsimit të përgjithshëm parauniversitar, si dhe për kualifikimet për të nxënit gjatë gjithë jetës për nënsektorët përkatës është ministria përgjegjëse për arsimin.
2. Ministria përgjegjëse për menaxhimin e KSHK-së për nënsektorin e arsimit dhe formimit profesional, si dhe për kualifikimet për të nxënit gjatë gjithë jetës për nënsektorin përkatës është ministria përgjegjëse për arsimin dhe formimin profesional.
3. Funksionet e ministrive përgjegjëse, sipas nënsektorëve që mbulojnë, përfshijnë:
a) planifikimin strategjik të zhvillimit dhe zbatimit të KSHK-së;
b) mbikëqyrjen e institucioneve me përgjegjësi të caktuar për zhvillimin dhe zbatimin e KSHK-së;
c) miratimin e dokumenteve që lidhen me KSHK-në;
ç) këshillimin për politikat, që lidhen me KSHK-në dhe institucionet përgjegjëse për zbatimin e funksioneve të saj dhe bashkërendimin e veprimtarive për zbatimin e tyre;
d) këshillimin e Këshillit të Ministrave për çështjet që lidhen me KSHK-në;
dh) miratimin e kritereve dhe procedurave për përfshirjen e kualifikimeve në KSHK për nënsektorët e arsimit dhe formimit profesional, të procedurave për aprovimin e regjistrit, si dhe miratimin e regjistrit përkatës për këto lloj kualifikimesh. Procedurat për miratimin e regjistrit të kualifikimeve profesionale të nënsektorit të arsimit dhe formimit profesional përcaktohen me udhëzim të veçantë të ministrit përgjegjës për arsimin dhe formimin profesional.
e) përcaktimi i parimeve për zhvillimin e kualifikimeve të arsimit dhe formimit profesional, si dhe vendosja e prioriteteve për zhvillimin e tyre.”.
Neni 10
Neni 9 shfuqizohet.
Neni 11
Neni 10 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Neni 10
Institucionet zbatuese dhe kompetencat e tyre
1. Institucionet zbatuese, të cilat kanë përgjegjësi të plotë për të ushtruar funksionet kryesore të KSHK-së, janë:
a) Agjencia Kombëtare e Arsimit, Formimit Profesional dhe Kualifikimeve për arsimin dhe formimin profesional, e cila ka në kompetencë:
i. të kryejë periodikisht shqyrtime vlerësuese të kualifikimeve dhe t’i krahasojë ato me kualifikimet ndërkombëtare;
ii. të kryejë periodikisht vlerësime të tregut të punës;
iii. të këshillohet me palë të interesuara për zhvillimin, zbatimin dhe rishikimin e procedurave për përfshirjen e kualifikimeve në KSHK;
iv. të propozojë ndryshime në kritere dhe proceduara për sigurimin e cilësisë së kualifikimeve që përfshihen në KSHK;
v. të hartojë, të mirëmbajë dhe të propozojë Katalogun Kombëtar të Kualifikimeve Profesionale në arsim dhe formim profesional në bashkëpunim me komitetet sektoriale;
vi. të ndjekë procedurat për validimin e cilësisë së kualifikimeve, pjesë e KSHK-së, në bashkëpunim me komitetet sektoriale;
b) institucionet e arsimit të lartë, për arsimin e lartë, që kanë detyrë të kryejnë periodikisht vlerësime të tregut të punës dhe punësimit të të diplomuarve;
c) ministria përgjegjëse për arsimin dhe agjencitë në varësi të saj, në përputhje me përcaktimet përkatëse të kuadrit ligjor në fuqi, të cilat kanë për kompetencë:
i. të këshillohen me palë të interesuara për zhvillimin, zbatimin dhe rishikimin e procedurave për përfshirjen e kualifikimeve në KSHK;
ii. të rekomandojnë ndryshime në kritere dhe proceduara për sigurimin e cilësisë së kualifikimeve që përfshihen në KSHK;
iii. të certifikojnë programet e studimit/kualifikimit në përputhje me KSHK-në;
iv. të hartojnë politika dhe akte ligjore e nënligjore në përputhje dhe në zbatim të këtij ligji;
v. të sigurojë standardet dhe cilësinë e kualifikimeve në respekt të kuadrit ligjor në fuqi;
vi. të kryejnë periodikisht shqyrtime vlerësuese të kualifikimeve dhe t’i krahasojnë ato me kualifikimet ndërkombëtare;
vii. të këshillojnë institucionet përgjegjëse për njohjen e kualifikimeve të huaja, për qëllime akademike ose punësimi, për çështje të krahasimit apo/dhe të ekuivalentimit;
viii. të hartojnë dhe të mirëmbajnë regjistrat e kualifikimeve për çdo nënsektor të arsimit.”.
Neni 12
Neni 11 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Neni 11
Komitetet sektoriale
1. Komitetet sektoriale përbëhen nga përfaqësues të ministrive përgjegjëse për sektorët përkatës të veprimtarive ekonomike, përfaqësues të shoqatave të punëdhënësve dhe punëmarrësve për sektorët ekonomikë përkatës, përfaqësues të kompanive lider në sektorët përkatës, përfaqësues të institucioneve ofruese të kualifikimeve, si dhe ekspertë të fushës. Ngritja dhe përbërja e komiteteve sektoriale bëhen me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozim të përbashkët të ministrisë përgjegjëse për arsimin dhe ministrisë përgjegjëse për arsimin dhe formimin profesional.
2. Komitetet sektoriale identifikojnë në mënyrë të vazhdueshme nevojat sektoriale për kualifikime dhe bashkëpunojnë me institucionet zbatuese përkatëse të KSHK-së për mirëmbajtjen e regjistrit të kualifikimeve për arsimin dhe formimin profesional.
3. Komitetet sektoriale mbështesin Agjencinë Kombëtare të Arsimit, Formimit Profesional dhe Kualifikimeve (AKAFPK) për hartimin e standardeve të profesioneve dhe standardeve të kualifikimeve profesionale të përfshira në Katalogun Kombëtar të Kualifikimeve Profesionale, aprovojnë standardet e sipërcituara dhe ia përcjellin për miratim ministrisë përgjegjëse për arsimin dhe formimin profesional.
4. Përbërja e këtyre komiteteve nuk duhet të kalojë numrin e 10 anëtarëve. Numri i komiteteve sektoriale nuk mund të jetë më i lartë se 10.
5. Mënyra e krijimit, funksionimit dhe financimit të komiteteve sektoriale të aftësive përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave me propozim të ministrit përgjegjës për arsimin dhe ministrit përgjegjës për arsimin dhe formimin profesional.”.
Neni 13
Neni 12 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Neni 12
Kualifikimet në KSHK
1. Kualifikimet duhet të përputhen me praktikat më të mira ndërkombëtare, përfshirë përputhjen me nivelet, mjetet, kriteret dhe proceset e KEK-ut, të Sistemit Evropian të Krediteve në AFP (SEKAFP) dhe Sistemit Evropian për Akumulimin dhe Transferimin e Krediteve (ECTS).
2. Pjesë e KSHK-së janë të gjitha kualifikimet për të cilat është siguruar cilësia, duke përfshirë sigurimin e brendshëm dhe të jashtëm të cilësisë së zhvillimit, ofrimit, vlerësimit dhe certifikimit të kualifikimeve profesionale.
3. Kualifikimet profesionale të AFP-së bazohen në standardet e profesioneve përkatëse dhe standardet e kualifikimeve profesionale bazuar në rezultatet e të nxënit.”.
Neni 14
Neni 13 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Neni 13
Akreditimi i institucioneve dhe i kualifikimeve përkatëse
Akreditimi i institucioneve që ofrojnë kualifikime në përputhje me kuadrin ligjor në fuqi, të cilat u referohen niveleve të KSHK-së, dhe akreditimi i programeve të studimit/kualifikimeve përkatëse kryhet në përputhje me procedurat dhe specifikimet e kuadrit ligjor në fuqi, sipas llojit të institucionit/programit/kualifikimit përkatës.”.
Neni 15
Në nenin 14 bëhen ndryshimet dhe shtesat e mëposhtme:
1. Në pikën 1, pas fjalëve “… për vlerësimin dhe certifikimin …” shtohen “… në arsimin dhe formimin profesional …”.
2. Përmbajtja e pikës 2 ndryshohet dhe zëvendësohet me:
“Institucionet që ofrojnë kualifikime konform kuadrit ligjor në fuqi:”.
3. Shkronjat “ç” dhe “d”, të pikës 2, ndryshohen, si më poshtë vijon:
“ç) njohin kreditet e marra nga nxënësit/kursantët/studentët, me qëllim transferimin e tyre nga programe të mëparshme studimi;
b) marrin masa për sigurimin e cilësisë dhe zbatimin e standardeve;”.
4. Shkronja “dh”, e pikës 2, shfuqizohet.
5. Në fund të shkronjës “ë”, të pikës 2, shtohen fjalët “… në përputhje me kuadrin ligjor në fuqi.”.
6. Pika 3 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“3. Institucionet, që ofrojnë kualifikime sipas kuadrit ligjor në fuqi, sigurojnë mundësinë për vlerësim dhe certifikim të të gjithë nxënësve/kursantëve/studentëve, që plotësojnë standardet e kërkuara, përfshirë edhe nxënësit/kursantët/studentët me aftësi të kufizuara.”.
7. Pas pikës 3 shtohen pikat 4, 5 dhe 6, me këtë përmbajtje:
“4. Marrja e një kualifikimi profesional të përfshirë në KSHK përfundon me lëshimin e një diplome/certifikate nga ofrues të akredituar.
5. Në rastin e përfundimit të suksesshëm të një pjese të kualifikimit profesional, përfshirë në KSHK, ofruesi i akredituar lëshon një dokument që vërteton arritjet përkatëse.
6. Certifikata apo diploma duhet të përcaktojë nivelin dhe fushën e kualifikimit, në përputhje me nivelet e KSHK-së.”.
Neni 16
Në fund të të nenit 15 shtohen fjalët “… sipas përcaktimeve në kuadrin ligjor respektiv.”.
Neni 17
Në nenin 16 bëhen ndryshimi dhe shtesat e mëposhtme:
1. Pika 1 shfuqizohet.
2. Pika 2 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“2. Ngarkohet Këshilli i Ministrave për nxjerrjen e akteve nënligjore në zbatim të nenit 5, pika 1, nenit 6, shkronja “b”, dhe nenit 11, pikat 1 e 5, të këtij ligji.”.
3. Pas pikës 2 shtohet pika 3, me këtë përmbajtje:
“3. Ngarkohen ministritë përgjegjëse për nxjerrjen e akteve nënligjore përkatëse, në zbatim të shkronjave “c” dhe “f”, të pikës 3, të nenit 8, të këtij ligji.”.
Neni 18
Shtojca 1 zëvendësohet me shtojcën 1 bashkëlidhur këtij ligji.
Neni 19
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletore zyrtare”.
K R Y E T A R I
GRAMOZ RUÇI
***
V E N D I M
PËR
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË LIGJIN NR.10247, DATË 4.3.2010, “PËR KORNIZËN SHQIPTARE TË KUALIFIKIMEVE””
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Arsimit, Sportit dhe Rinisë dhe ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Propozimin e projektligjit “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.10247, datë 4.3.2010, “Për kornizën shqiptare të kualifikimeve””, për shqyrtim dhe miratim, në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
P R O J E K T L I GJ
PËR
NJË SHTESË NË LIGJIN NR.7514, DATË 30.9.1991, “PËR PAFAJËSINË, AMNISTINË DHE REHABILITIMIN E ISH-TË DËNUARVE DHE TË PËRNDJEKURVE POLITIKË”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I:
Neni 1
Pas paragrafit të fundit të shkronjës “a”, të nenit 5, të ligjit nr.7514, datë 30.9.1991, “Për pafajësinë, amnistinë dhe rehabilitimin e ish-të dënuarve dhe të përndjekurve politikë”, të ndryshuar, shtohet paragrafi, me këtë përmbajtje:
“Koha e vuajtjes së dënimit të ish-të dënuarve politikë në burgjet ku punohej në minierë në nëntokë, për efekt pensioni, të njihet si punë e kryer në minierë në nëntokë. Periudha njihet sa dyfishi i periudhës së qëndrimit në këto burgje. Paga llogaritet sa paga e punës në minierë. Vërtetimi për kohën e vuajtjes së dënimit në burgjet ku punohej në minierë në nëntokë lëshohet nga Ministria e Brendshme në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë.”.
Neni 2
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E T A R I
GRAMOZ RUÇI
***
V E N D I M
PËR
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR NJË SHTESË NË LIGJIN NR.7514, DATË 30.9.1991, “PËR PAFAJËSINË, AMNISTINË DHE REHABILITIMIN E ISH-TË DËNUARVE DHE TË PËRNDJEKURVE POLITIKË”, TË NDRYSHUAR”
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100 të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Propozimin e projektligjit “Për një shtesë në ligjin nr.7514, datë 30.9.1991, “Për pafajësinë, amnistinë dhe rehabilitimin e ish-të dënuarve dhe të përndjekurve politikë”, të ndryshuar”, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.