Projektligje të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 29 Maj 2024:
V E N D I M
PËR
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR RATIFIKIMIN E MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS SË MOLDAVISË, PËR BASHKËPUNIMIN POLICOR”
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, dhe të nenit 17, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Propozimin e projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Moldavisë, për bashkëpunimin policor”, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
###
P R O J E K T L I GJ
PËR
RATIFIKIMIN E MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS SË MOLDAVISË, PËR BASHKËPUNIMIN POLICOR
Në mbështetje të neneve 78, 83 dhe 121, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I:
Neni 1
Ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Moldavisë, për bashkëpunimin policor, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij ligji dhe është pjesë përbërëse e tij.
Neni 2
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E T A R I
LINDITA NIKOLLA
***
P R O J E K T L I GJ
PËR
MIRATIMIN E REZOLUTËS NR.265, “RRITJA E FONDIT TË KAPITALIT TË AUTORIZUAR DHE REGJISTRIMI/NËNSHKRIMI NË TË”, TË VITIT 2023, TË BORDIT TË GUVERNATORËVE TË BANKËS EVROPIANE PËR RINDËRTIM DHE ZHVILLIM (BERZH)
Në mbështetje të neneve 78, 83, pika 1, dhe 121, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I :
Neni 1
Miratimin e rezolutës nr.265, “Rritja e fondit të kapitalit të autorizuar dhe regjistrimi/nënshkrimi në të”, të vitit 2023, të Bordit të Guvernatorëve të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH).
Neni 2
Autoriteti kompetent për realizimin e rritjes së përgjithshme të kapitalit të Republikës së Shqipërisë në Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) (në vijim Banka) është Ministria e Financave.
Neni 3
Ministria përgjegjëse për financat autorizohet të komunikojë me Bankën për përcaktimin e dokumentacionit dhe mënyrën e kryerjes së pagesës.
Neni 4
Ministria përgjegjëse për financat plotëson dokumentacionin e kërkuar nga Banka dhe kryen pagesën, në përputhje me përcaktimet e ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe akteve nënligjore në zbatim të tij.
Neni 5
Ministri i Drejtësisë, si pjesë e dokumentacionit të kërkuar nga Banka, lëshon një dokument të titulluar “Memorandum i ligjit” për të konfirmuar se janë ndërmarrë të gjithë hapat ligjorë për të përmbushur detyrimet që burojnë nga rritja e kapitalit.
Neni 6
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E T A R I
LINDITA NIKOLLA
###
V E N D I M
PËR
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR MIRATIMIN E REZOLUTËS NR.265, “RRITJA E FONDIT TË KAPITALIT TË AUTORIZUAR DHE REGJISTRIMI/NËNSHKRIMI NË TË”, TË VITIT 2023, TË BORDIT TË GUVERNATORËVE TË BANKËS EVROPIANE PËR RINDËRTIM DHE ZHVILLIM (BERZH)”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 18, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Propozimin e projektligjit “Për miratimin e rezolutës nr.265, “Rritja e fondit të kapitalit të autorizuar dhe regjistrimi/nënshkrimi në të”, të vitit 2023, të Bordit të Guvernatorëve të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH)””, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
P R O J E K T L I GJ
PËR
DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË LIGJIN NR.46/2018, “PËR KONTROLLIN SHTETËROR TË TRANSFERIMEVE NDËRKOMBËTARE TË MALLRAVE USHTARAKE DHE TË ARTIKUJVE E TEKNOLOGJIVE ME PËRDORIM TË DYFISHTË”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të neneve 78, dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I:
Në ligjin nr.46/2018, “Për kontrollin shtetëror të transferimeve ndërkombëtare të mallrave ushtarake dhe të artikujve e teknologjive me përdorim të dyfishtë”, të ndryshuar, bëhen këto shtesa dhe ndryshime:
Neni 1
Pas shkronjës “ç”, të nenit 3, shtohet shkronja “d”, me këtë përmbajtje:
“d) transferimet ndërkombëtare të mallrave të kontrolluara, të cilat kryhen sipas udhëzimeve të vendeve/agjencive të NATO-s, për rastet e veçanta të nevojave operacionale të këtyre vendeve.”.
Neni 2
Paragrafi i parë, i pikës 1, të nenit 9, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Në Ministrinë e Mbrojtjes funksionon Autoriteti i Kontrollit Shtetëror të Eksporteve (AKSHE), e cila është struktura shtetërore, përgjegjëse për zbatimin e politikës së kontrollit për transferimet ndërkombëtare të mallrave ushtarake, të artikujve dhe të teknologjive me përdorim të dyfishtë.”.
Neni 3
Pika 1, e nenit 10, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“1. Autoriteti i Kontrollit Shtetëror të Eksporteve, me kontributet e ministrive dhe të organeve të tjera të interesuara, harton dhe propozon pranë ministrit të Mbrojtjes listën e mallrave, objekt i kontrollit shtetëror të transferimeve ndërkombëtare.
Këshilli i Ministrave, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, miraton listën e mallrave ushtarake, të artikujve e të teknologjive me përdorim të dyfishtë, në përputhje me listat përkatëse të Bashkimit Evropian.”.
Neni 4
Në nenin 13 bëhen ndryshimi dhe shtesa e mëposhtme:
1. Shkronja “b” ndryshohet, si më poshtë vijon:
“b) ndaj subjektit aplikues ka filluar procedimi penal ose është dënuar me vendim penal të formës së prerë nga gjykatat e Republikës së Shqipërisë për:
i. veprën penale të prodhimit, mbajtjes, blerjes, transportit apo tregtimit të lëndëve plasëse, të armëve të zjarrit, biologjike, kimike apo bërthamore, si dhe kërkimit shkencor për prodhimin e armëve të shkatërrimit në masë;
ii. shkeljen e dispozitave të këtij ligji;
iii. shkeljen e dispozitave të tjera të legjislacionit në fuqi, që lidhen me rendin kushtetues dhe sigurinë kombëtare;”.
2. Pas shkronjës “b” shtohet shkronja “b/1”, me këtë përmbajtje:
“b/1) ndaj subjektit aplikues ka filluar procedimi penal ose është dënuar me vendim penal të formës së prerë nga gjykatat e një shteti të huaj për:
i. veprën penale të prodhimit, mbajtjes, blerjes, transportit apo tregtimit të lëndëve plasëse, të armëve të zjarrit, biologjike, kimike apo bërthamore, si dhe kërkimit shkencor për prodhimin e armëve të shkatërrimit në masë, sipas parashikimeve të legjislacionit penal në fuqi të shtetit të huaj;
ii. shkeljen e dispozitave të legjislacionit të shtetit të huaj për kontrollin shtetëror mbi transferimin ndërkombëtar të mallrave ushtarake dhe të artikujve e teknologjive me përdorim të dyfishtë;
iii. shkeljen e dispozitave të tjera të legjislacionit në fuqi të shtetit të huaj, që lidhen me rendin kushtetues dhe sigurinë kombëtare;”.
Neni 5
Në nenin 14 bëhen ndryshimet e mëposhtme:
1. Paragrafi i dytë, i pikës 2, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Përcaktimi i formatit të regjistrit, si dhe të dhënat e subjekteve, të cilat duhet të regjistrohen, bëhen me vendim të Këshillit të Ministrave.”.
2. Në pikën 3, togfjalëshi “… miraton vendimet …” zëvendësohet me fjalën “… vendos …”.
3. Në shkronjën “dh”, të pikës 5, fjalët “… arsye të tjera për cenimin e sigurisë kombëtare.” zëvendësohen me “… dyshime të arsyeshme që cenojnë sigurinë kombëtare.”.
Neni 6
Paragrafi i dytë, i pikës 4, të nenit 17, shfuqizohet.
Neni 7
Në nenin 21 bëhen këto ndryshime:
1. Paragrafi i tretë, i pikës 1, shfuqizohet.
2. Fjalia e dytë, e pikës 2, shfuqizohet.
Neni 8
Në nenin 26 bëhen ndryshimet e mëposhtme:
1. Fjalia e parë, e pikës 1, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Për lëshimin e licencave/autorizimeve apo të certifikatave në transferimin ndërkombëtar të mallrave, personi fizik ose juridik paraqet kërkesën on-line me dokumentacionin e nevojshëm për shqyrtim dhe vlerësim.”.
2. Pika 3 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“3. Llojet e licencave, certifikatave dhe autorizimeve, dokumentacioni i aplikimit, formatet e kërkesave të aplikimeve, si dhe formatet e licencave, autorizimeve dhe certifikatave përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.”.
Neni 9
Shkronja “ç”, e pikës 1, të nenit 29, shfuqizohet.
Neni 10
Në pikën 2, të nenit 30, fjalët “… mund të miratojë një vendim …” zëvendësohen me fjalën “… vendos …”.
Neni 11
Paragrafi i dytë, i pikës 2, të nenit 34, ndryshohet, si më poshtë:
“Procedurat dhe kërkesat për marrjen e autorizimit përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.”.
Neni 12
Në nenin 37 bëhen këto ndryshime:
1. Pika 2 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“2. Formatet e raportimit, si dhe afatet e koha e paraqitjes së raporteve përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.”.
2. Në pikën 3 bëhen ndryshimet e mëposhtme:
a) Në shkronjën “d”, fjalët “… dhe incizimet audio-video …” hiqen.
b) Shkronja “e”, e pikës 3, shfuqizohet.
Neni 13
Pika 2, e nenit 38, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“2. Për ofrimin e informacionit dhe dokumentacionit, sipas pikës 1, të këtij neni, subjektet e përfshira në transferimet e mallrave, që kanë marrë licencë, raportojnë sipas formateve të miratuara.
Formatet e raportimit, si dhe afatet e koha e paraqitjes së raporteve përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.”.`
Neni 14
Fjalia e parë, e pikës 2, të nenit 42, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Subjekteve të pikës 1, përsëritëse të mbi dy herë të shkeljeve të parashikuara në shkronjat “a” dhe “b”, të këtij neni, përveç gjobës, u caktohet si masë shtesë ndalimi i kryerjes së transferimit ndërkombëtar të mallrave të kontrolluara.”.
Neni 15
Pikat 4 dhe 5, të nenit 44, ndryshohen, si më poshtë vijon:
“4. Kundër vendimit të komisionit, të marrë sipas pikës 1, këtij neni, bëhet ankim administrativ sipas përcaktimeve të Kodit të Procedurave Administrative.
5. Kundër vendimit të zyrtarit të autorizuar, të marrë sipas pikës 3, të këtij neni, bëhet ankim administrativ sipas përcaktimeve të Kodit të Procedurave Administrative.”.
Neni 16
Dispozita kalimtare dhe të fundit
1. Deri në ngritjen e infrastrukturës së dedikuar për paraqitjen e kërkesës on-line, sipas përcaktimeve të pikës 1, të nenit 26, kërkesa për lëshimin e licencave, certifikatave dhe autorizimeve, si dhe dokumentacioni përkatës paraqiten sipas mënyrave e mjeteve ekzistuese.
2. Detyrimet e subjekteve, sipas shkronjave “d” e “dh”, të pikës 1, të nenit 38, dhe shkronjës “k”, të nenit 41, zbatohen vetëm për rastet e licencave që lëshohen të printuara fizikisht.
3. Të gjitha procedurat e kryera sipas udhëzimeve të vendeve ose agjencive të NATO-s për transferimet ndërkombëtare të mallrave të kontrolluara, me qëllim dhënien e asistencës shtetërore ushtarake konsiderohen në përputhje me regjimin e vendosur për transferimin ndërkombëtar të mallrave të kontrolluara dhe të përcaktuara në nenin 3, të ligjit nr.46/2018, “Për kontrollin shtetëror të transferimeve ndërkombëtare të mallrave ushtarake dhe të artikujve e teknologjive me përdorim të dyfishtë”, të ndryshuar, sipas dispozitave të këtij ligji.
Neni 17
Hyrja në fuqi
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E T A R I
LINDITA NIKOLLA
###
V E N D I M
PËR
DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË LIGJIN NR.46/2018, “PËR KONTROLLIN SHTETËROR TË TRANSFERIMEVE NDËRKOMBËTARE TË MALLRAVE USHTARAKE DHE TË ARTIKUJVE E TEKNOLOGJIVE ME PËRDORIM TË DYFISHTË”
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Propozimin e projektligjit “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.46/2018, “Për kontrollin shtetëror të transferimeve ndërkombëtare të mallrave ushtarake dhe të artikujve e teknologjive me përdorim të dyfishtë”, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA