Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Projektligje të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 29 Prill 2022:

 

P R O J E K T L I GJ
PËR

ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E AUTORITETIT TË AVIACIONIT CIVIL

Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë

V E N D O S I:

KREU I
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

Neni 1
Objekti i ligjit

Objekt i këtij ligji është përcaktimi i rregullave për:

a) organizimin dhe funksionimin e Autoritetit të Aviacionit Civil, në vijim, “Autoriteti”;
b) procedurat dhe legjislacionin e aplikueshëm për refuzimin, pezullimin dhe revokimin e licencave, lejeve, autorizimeve dhe certifikatave, legjislacionin e aplikueshëm në rastin e ankimimit të vendimeve të Autoritetit;
c) llojet e tarifave për shërbimet që ofron, mënyrën e llogaritjes së tyre, mënyrën e administrimit të të ardhurave të realizuara prej tyre, si dhe rastet e përjashtimeve nga zbatimi i rregullave në fuqi dhe masat për ruajtjen e nivelit të sigurisë në këto raste.

Neni 2
Fusha e veprimtarisë së Autoritetit

Autoriteti, si Autoritet Mbikëqyrës Kombëtar, ka në fushën e tij të veprimtarisë rregullimin dhe mbikëqyrjen e të gjitha veprimtarive në fushën e transportit ajror civil, në zbatim të Kodit Ajror të Republikës së Shqipërisë.

KREU II
ORGANET DREJTUESE, STATUSI DHE STRUKTURA E AUTORITETIT

Neni 3
Statusi i Autoritetit

Autoriteti është person juridik publik, jobuxhetor, me seli në Tiranë, veprimtaria e të cilit është nën mbikëqyrjen e ministrit që mbulon çështjet e transportit ajror, në vijim, “ministri”.

Neni 4
Organet drejtuese të Autoritetit

Organet drejtuese të Autoritetit janë këshilli drejtues dhe drejtori ekzekutiv.

Neni 5
Këshilli drejtues

1. Këshilli drejtues është organi vendimmarrës për çështjet administrative dhe financiare të Autoritetit.

2. Këshilli drejtues është organ kolegjial, i përbërë nga kryetari dhe katër anëtarë, nga të cilët, dy specialistë të fushës së transportit ajror, dy specialistë të fushës së financës dhe një specialist i fushës ligjore, të cilët duhet të kenë diplomë universitare të nivelit të dytë.

3. Kryetari dhe anëtarët e këshillit drejtues emërohen me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozimin e ministrit.

Neni 6
Kompetencat e këshillit drejtues

Këshilli drejtues ka këto kompetenca:

a) Miraton programet e zhvillimit të Autoritetit, në përputhje me strategjinë e aviacionit civil;
b) Propozon te ministri strukturën organizative të Autoritetit, e cila miratohet me urdhër të ministrit;
c) Miraton metodologjinë për përcaktimin e masës së trajtimeve të tjera financiare apo jo financiare të administratës së Autoritetit, duke marrë në konsideratë kushtet e tregut, përvojat e autoriteteve të tjera që kryejnë aktivitet rregullator dhe nevojat e institucionit;
ç) Miraton rregulloren për organizimin e brendshëm administrativ, ku parashikohen funksionet specifike dhe përgjegjësitë e drejtorive dhe të sektorëve, sipas kritereve të përcaktuara, si dhe masat disiplinore që merren në raste shkeljeje nga nëpunësit dhe punonjësit e tjerë të Autoritetit, struktura përgjegjëse për marrjen e tyre, rastet/arsyet specifike, për të cilat lind e drejta për vendosjen e secilës masë disiplinore përkatëse, si dhe procedura konkrete që ndiqet për vendosjen e tyre;
d) Miraton programin financiar të Autoritetit e ndryshimet dhe mbikëqyr realizimin e tij;
dh) Miraton rregullat për metodologjinë e përllogaritjes së tarifave dhe llojet e tarifave për shërbimet që kryhen nga Autoriteti;
e) Propozon te ministri masën e tarifave që do të zbatohen nga Autoriteti, sipas pikës 2, të nenit 18, të këtij ligji, të cilat miratohen me udhëzim të përbashkët të ministrit që mbulon çështjet e transportit dhe të ministrit të financave;
ë) Merr vendime për çështje të tjera, në përputhje me detyrimet e legjislacionit në fuqi;
f) Propozon te ministri kandidatët për t’u emëruar drejtorë ekzekutivë, si dhe propozon shkarkimin e tyre;
g) I siguron drejtorit ekzekutiv udhëzime për veprimtarinë;
gj) Miraton planin e veprimit, raportin vjetor dhe raporte të tjera të Autoritetit;
h) Mbikëqyr punën e drejtorit ekzekutiv në drejtimin e Autoritetit;
i) Miraton pagat, si dhe nivelet e pagave të nëpunësve/punonjësve të Autoritetit, brenda kufirit minimal e maksimal të caktuar nga Këshilli i Ministrave, në varësi të mundësive të tyre financiare dhe pas miratimit nga ministri;
j) Miraton shpërblimet dhe masën e shpërblimit të punës, por jo më shumë se një pagë mujore në vit, pas daljes së rezultatit financiar vjetor, si dhe pas miratimit nga ministri.

Neni 7
Kriteret e emërimit të kryetarit dhe anëtarëve të këshillit drejtues

Për t’u emëruar kryetar ose anëtar i këshillit drejtues, personat duhet të plotësojnë këto kritere:
a) Të kenë shtetësi shqiptare;
b) Të zotërojnë diplomë të nivelit “Master i shkencave” apo “Master profesional”, të përfituar në fund të studimeve të ciklit të dytë me 120 kredite dhe me kohëzgjatje normale 2 vite akademike ose të barasvlefshme me to, sipas legjislacionit për arsimin e lartë;
c) Të kenë përvojë, të paktën 5 vjet, në administratën publike, sektorin privat ose në institucionet shkencore arsimore;
ç) Të jenë me integritet moral dhe profesional;
d) Të mos ketë mbajtur pozicione drejtuese në një parti politike gjatë 5 viteve të fundit;
dh) Të mos jenë dënuar me vendim gjykate të formës së prerë për vepra penale;
e) Ndaj tyre të mos jetë marrë masa disiplinore e largimit nga puna, që nuk është shuar sipas legjislacionit në fuqi;
ë) Të mos kenë konflikt interesash me detyrën, në përputhje me detyrimet e legjislacionit në fuqi.

Neni 8
Mandati i kryetarit dhe anëtarëve të këshillit drejtues

1. Mandati i kryetarit dhe i anëtarëve të këshillit drejtues është 4 (katër) vjet, me të drejtë rizgjedhjeje vetëm një herë.

2. Kur mandati i kryetarit ose i anëtarit përfundon, ata qëndrojnë në detyrë deri në emërimin e kryetarit ose të anëtarit të ri.

3. Kryetari dhe anëtarët e këshillit drejtues të Autoritetit mund të jenë të punësuar, me kohë të plotë në detyra të tjera, por nuk mund të jenë anëtarë të më shumë se një këshilli drejtues apo të një organi vendimmarrës të ndonjë autoriteti tjetër mbikëqyrës.

Neni 9
Shpërblimet e këshillit drejtues

Kryetari dhe anëtarët e këshillit drejtues shpërblehen në masën e përcaktuar në aktet ligjore në fuqi për shpërblimin e anëtarëve të këshillave, bordeve ose komisioneve të përhershme të njësive të qeverisjes qendrore.

Neni 10
Lirimi nga detyra i kryetarit ose anëtarit të këshillit drejtues

1. Lirimi nga detyra i kryetarit ose anëtarit të këshillit drejtues përpara përfundimit të mandatit bëhet kur:
a) jep dorëheqjen;
b) bëhet fizikisht i paaftë për të përmbushur detyrën, për të cilën është emëruar, për më shumë se 3 muaj;
c) kur mungon pa arsye në më shumë se tri mbledhje radhazi;
ç) i shkakton, për shkak të paaftësisë profesionale ose të neglizhencës, dëm Autoritetit apo imazhit të këtij autoriteti;
d) vepron gjatë ushtrimit të funksioneve, në kundërshtim me interesat e Autoritetit;
dh) dënohet me vendim të formës së prerë për një vepër penale;
e) humbet apo lë shtetësinë shqiptare;
ë) del ne pension.

2. Propozimi për lirimin nga detyra të anëtarit të këshillit drejtues i paraqitet ministrit nga vetë këshilli apo nga institucione të tjera publike, funksioni i të cilave është i lidhur me atë të Autoritetit, shoqëruar edhe me arsyet e provat, për të cilat kërkohet ky lirim.

3. Ministri, në zbatim të pikës 2, të këtij neni, mund të vendosë pezullimin e anëtarit nga funksioni, deri në përfundimin e procesit të verifikimit dhe të marrjes së vendimit.

4. Kur ndonjëri prej anëtarëve të këshillit drejtues lirohet nga detyra, përpara përfundimit të mandatit, anëtari tjetër emërohet sipas së njëjtës procedurë të ndjekur për emërimin e anëtarëve të këtij këshilli.

Neni 11
Mbledhjet e këshillit drejtues

1. Mbledhjet e këshillit thirren me nismën e kryetarit, me kërkesën e secilit prej anëtarëve ose me kërkesë të drejtorit ekzekutiv të Autoritetit. Këshilli drejtues mblidhet të paktën një herë në dy muaj për të diskutuar e vendosur për rendin e ditës.

2. Mbledhjet e këshillit drejtohen nga kryetari, ose në mungesë të tij, nga njëri prej anëtarëve, i autorizuar prej tij.

3. Mbledhja e këshillit drejtues zhvillohet kur janë të pranishëm të paktën 3 anëtarë, dhe vendimet e tij janë të vlefshme kur votojnë pro, të paktën 3 anëtarë. Në votim nuk lejohet abstenimi.

4. Për çdo mbledhje mbahet procesverbal, i cili nënshkruhet nga të gjithë anëtarët e pranishëm, ndërsa vendimet e këshillit nënshkruhen nga kryetari.

Neni 12
Transparenca në veprimtarinë e Autoritetit

1. Këshilli drejtues miraton rregulloren për procedurat e vënies në dispozicion të publikut të dokumentacionit që disponon, si dhe afatet e kushtet për mbajtjen e kopjeve të njësuara të këtij dokumentacioni, në përputhje me legjislacionin në fuqi për informimin publik.

2. Çdo vendim i Këshillit drejtues publikohet në faqen e internetit të Autoritetit.

Neni 13
Drejtori ekzekutiv

1. Drejtori ekzekutiv është titullari i autoritetit, i cili emërohet me urdhër të Kryeministrit, me propozimin e ministrit.

2. Drejtori ekzekutiv nuk mund të jetë anëtar i këshillit drejtues.

3. Drejtori ekzekutiv merr pjesë në mbledhjet e këshillit pa të drejtë vote.

Neni 14
Detyrat dhe përgjegjësitë e drejtorit ekzekutiv

Drejtori ekzekutiv ka këto përgjegjësi e detyra:

a) Është përgjegjës për drejtimin dhe administrimin e veprimtarisë së Autoritetit;
b) Paraqet për miratim në këshillin drejtues rregulloren e brendshme të funksionimit të Autoritetit;
c) Paraqet për miratim në këshillin drejtues programin ekonomiko-financiar të Autoritetit dhe çdo ndryshim të tij;
ç) Paraqet për miratim në këshillin drejtues vlerat e tarifave që do të zbatohen për të gjitha autorizimet, certifikimet dhe licencat që lëshon ky Autoritet;
d) Përfaqëson Autoritetin në marrëdhëniet me të tretët;
dh) Ushtron të gjitha të drejtat dhe detyrat për të siguruar plotësimin e detyrimeve, që i janë ngarkuar Autoritetit, në zbatim të legjislacionit ne fuqi dhe nënshkruan të gjitha autorizimet, lejet, licencat e kategorizimet;
e) Miraton programet e trajnimit dhe të kualifikimeve të stafit të Autoritetit, për të cilat informon këshillin drejtues. Në rast nevoje, kontrakton ekspertë të jashtëm të fushës së aviacionit civil;
ë) Miraton manuale dhe/ose procedura me karakter tekniko-operacional;
f) Në fund të çdo tremujori, drejtori ekzekutiv i paraqet këshillit drejtues, një raport për veprimtarinë e tij gjatë tremujorit; pasqyrat përkatëse për realizimin e treguesve financiarë të të ardhurave dhe shpenzimeve kundrejt planifikimit; një raport të hollësishëm për autorizimet, lejet dhe licencat e lëshuara, për miratimet dhe aktet e tjera individuale administrative, të nxjerra në përputhje me këtë ligj, për rastet e refuzimit të licencave, për të dhënat e regjistrave, si dhe rastet e trajtimit të kërkesave të tjera, si nga operatorët, ashtu dhe nga konsumatorët, që i janë paraqitur Autoritetit.

Neni 15
Kriteret për emërimin e drejtorit ekzekutiv

Kriteret për emërimin e drejtorit ekzekutiv janë:

a) Të jetë shtetas shqiptar;
b) Të zotërojë diplomë të nivelit “Master i shkencave” apo “Master profesional”, të përfituar në fund të studimeve të ciklit të dytë me 120 kredite dhe me kohëzgjatje normale 2 vite akademike, ose të barasvlefshme me to, sipas legjislacionit për arsimin e lartë;
c) Të ketë përvojë, të paktën 5 vjet, në aviacionin civil;
ç) Të ketë integritet moral dhe profesional;
d) Të mos ketë mbajtur pozicione drejtuese në një parti politike gjatë 5 viteve të fundit;
dh) Të mos jetë dënuar me vendim gjykate të formës së prerë për vepra penale;
e) Të mos jetë marrë masa disiplinore e largimit nga puna, që nuk është shuar, sipas legjislacionit në fuqi;
ë) Të mos ketë konflikt interesash me detyrën, në përputhje me detyrimet e legjislacionit në fuqi.

Neni 16
Lirimi nga detyra i drejtorit ekzekutiv

Ministri i propozon Kryeministrit lirimin nga detyra të drejtorit ekzekutiv, në rastet kur:

a) jep dorëheqjen;
b) bëhet fizikisht i paaftë, për më shumë se 3 muaj për të përmbushur detyrën, për të cilën është emëruar;
c) për shkak të paaftësisë profesionale apo neglizhencës, i shkakton dëm Autoritetit ose imazhit të institucionit;
ç) vepron, gjatë ushtrimit të funksioneve, në kundërshtim me interesat e Autoritetit;
d) dënohet me vendim të formës së prerë për një vepër penale;
dh) humbet apo lë shtetësinë shqiptare;
e) kur mbush moshën për pension.

KREU III
ORGANIZIMI DHE FUNKSIONIMI I AUTORITETIT TË AVIACIONIT CIVIL

Neni 17
Organizimi dhe detyrimet

1. Struktura dhe organika e Autoritetit miratohen me urdhër të Kryeministrit, me propozim të ministrit, pas konsultimit paraprak me institucionin përgjegjës për strukturat dhe organikat e institucioneve të administratës shtetërore.

2. Marrëdhëniet e punës për punonjësit e Autoritetit rregullohen në bazë të dispozitave të Kodit të Punës.

3. Rekrutimi i nëpunësve të Autoritetit bëhet në bazë të kërkesave dhe përshkrimeve të punës për çdo pozicion, të miratuara nga këshilli drejtues dhe të përcaktuara në rregulloren e brendshme. Procedurat e rekrutimit duhet të jenë transparente dhe jodiskriminuese, në përputhje me kriteret e përcaktuara në aktet ligjore në fuqi për funksionimin e administratës.

4. Nëpunësit e Autoritetit, që mbajnë pozicione të lidhura me funksione specifike dhe që kanë akses në zonat me siguri të kufizuar, i nënshtrohen kontrollit të së kaluarës.

Neni 18
Të ardhurat e Autoritetit

1. Të ardhurat realizohen nga tarifat e vendosura për veprimtaritë që kryen Autoriteti, të cilat llogariten në bazë të kostos, kur është e aplikueshme dhe në bazë të metodologjisë së përcaktuar në nenin 6, shkronja “dh”, të këtij ligji.

2. Të ardhurat e Autoritetit përfshijnë:

a) të ardhurat nga tarifat e rrugës (en-route), të cilat mblidhen dhe faturohen nga Eurokontrolli, në zbatim të marrëveshjes së përbashkët, të lidhur për tarifat e rrugës (en-route);
b) të ardhurat nga tarifa e sigurisë së aviacionit, e cila merret nëpërmjet aeroportit;
c) të ardhurat nga autorizimet, licencimet dhe certifikimet e parashikuara në Kodin Ajror të Republikës së Shqipërisë;
ç) të ardhurat nga sanksionet, në zbatim të legjislacionit për aviacionit civil;
d) të ardhura të tjera të lejuara, si grantet, fondi rezervë dhe huatë.

3. Pasqyrat financiare të të ardhurave dhe të shpenzimeve hartohen në përputhje me dispozitat ligjore në fuqi.

4. Të ardhurat përdoren për paga, sigurime dhe shpërblime, trajtime financiare dhe jofinanciare, shpenzime operative dhe investime të nevojshme për funksionimin normal të Autoritetit, për të krijuar dhe mbajtur fondin e rezervës, si dhe për pagesat e kontributeve, që rrjedhin nga anëtarësimi i Republikës së Shqipërisë në organizmat ndërkombëtarë të aviacionit civil. Trajtimet financiare përfshijnë mbulimin e shpenzimeve të kryera në përmbushje të detyrës, pagesat për trajnimet profesionale, për sigurimin e jetës dhe shëndetit dhe të tjera të ngjashme.
Autoriteti mund të krijojë një plan të pensionit profesional për punonjësit e tij. Përcaktimet e akteve nënligjore, që bien në kundërshtim me këtë nen, nuk zbatohen për Autoritetin.

5. Autoriteti, për përdorimin e fondeve të veta, zbaton dispozitat ligjore dhe nënligjore në fuqi për prokurimet publike.

Neni 19
Buxheti

1. Viti financiar fillon më 1 janar dhe mbyllet më 31 dhjetor.

2. Drejtori ekzekutiv paraqet për miratim në këshillin drejtues propozimin e detajuar të programit financiar për vitin pasardhës, jo më vonë se data 30 nëntor e vitit përkatës.

3. Veprimtaria e Autoritetit financohet tërësisht nga të ardhurat e realizuara nga vetë ai.
Të ardhurat e vitit 2021, të papërdorura nga autoriteti, do të jenë pjesë e buxhetit të Autoritetit.
Në vitet në vazhdim, të ardhurat e realizuara e të papërdorura, deri në fund të vitit, mbarten dhe reflektohen në nivelin e shpenzimeve të vitit vijues dhe në fondin rezervë.

4. Fondi rezervë, për qëllime të këtij ligji, nënkupton fondin në të cilin alokohen të ardhura të papërdorura në vitin ushtrimor dhe të mbartura në vitin pasardhës, të cilat përdoren për rastet e financimit të shpenzimeve dhe/ose investimeve, që nuk njihen dhe janë të pamundura të parashikohen gjatë procesit të përgatitjes së programit ekonomik dhe në rastet e mosrealizimit të të ardhurave për shkaqe të paparashikuara. Fondi duhet të plotësohet gradualisht dhe brenda 5 viteve duhet të arrijë nivelin mesatar të gjashtëmujorëve të dytë, të buxhetit të Autoritetit të tre viteve të fundit.
Me arritjen e këtij niveli, teprica e të ardhurave derdhet çdo vit në buxhetin e shtetit.

Neni 20
Kontabiliteti

1. Autoriteti mban regjistrat kontabël, në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe standardet kontabël të zbatueshme.

2. Regjistrat kontabël duhet të pasqyrojnë me saktësi, në çdo kohë, gjendjen financiare të Autoritetit.

3. Autoriteti përgatit pasqyrat financiare vjetore të veprimtarisë së vet, brenda datës 31 mars, të vitit pasardhës dhe pas certifikimit nga audituesi ligjor.

Neni 21
Raportimi dhe kontrolli

1. Brenda muajit prill të vitit pasardhës, Autoriteti i paraqet ministrit:

a) një raport vjetor për veprimtarinë e tij, përfshirë të gjitha vendimet e marra nga këshilli drejtues;
b) pasqyrat financiare vjetore;
c) një raport për realizimin e planit të të ardhurave e të shpenzimeve;
ç) një raport mbi vendimet e mara për licencat e dhëna, për miratimet dhe aktet e tjera individuale administrative, të nxjerra në përputhje me këtë ligj, për rastet e refuzimit të licencave apo për kërkesat e tjera, që i janë paraqitur Autoritetit, si dhe për të dhënat e regjistrave dhe rezultatin e inspektimeve të subjekteve të mbikëqyrura.

2. Autoriteti i paraqet në çdo kohë ministrit, me kërkesë të tij, çdo informacion, raportim dhe të dhëna të tjera, që vlerësohen të nevojshme për realizimin e objektivave të politikës së zhvillimit të transportit ajror.

KREU IV
KODI ETIK, PROFESIONALIZMI DHE KONFIDENCIALITETI

Neni 22
Kodi etik dhe profesionalizmi

1. Anëtarët e këshillit drejtues, nëpunësit dhe punonjësit e tjerë të Autoritetit, gjatë ushtrimit të veprimtarisë, zbatojnë kodin e etikës dhe standardet profesionale, të miratuara nga këshilli.

2. Kur vërehen shkelje të kodit të etikës ose mungesë profesionalizmi, merren masa disiplinore, deri në lirimin ose largimin nga detyra.

Neni 23
Konfidencialiteti

1. Të dhënat për veprimtarinë e subjekteve, që operojnë në fushën e aviacionit civil, të cilat i vihen në dispozicion Autoritetit, klasifikohen “konfidenciale”, nëse përhapja e tyre cenon interesat tregtarë ose reputacionin e subjektit.

2. Nuk janë “konfidenciale” të dhënat tregtare, të siguruara nga subjektet, detyrimi për botimin e të cilave është parashikuar nga ky ligj apo nga ligje të tjera.

3. Anëtarët e këshillit drejtues, nëpunësit dhe punonjësit e tjerë të Autoritetit janë të detyruar t’i ruajnë dhe të mos i shpërndajnë të dhënat “konfidenciale”.

4. Çdo informacion tjetër, për të cilin nëpunësit e Autoritetit kanë dijeni, për shkak të funksionit dhe detyrave që kryejnë, duhet të administrohet prej tyre, në përputhje me rregullat e brendshme dhe hierarkinë e raportimit në Autoritet.

5. Për rastet kur vërtetohen shkelje të detyrimeve të parashikuara në këtë nen, merren masa administrative, deri në lirimin nga detyra të anëtarit të këshillit ose largimin nga detyra të nëpunësit të Autoritetit.

KREU V
KOMPETENCA E AUTORITETIT GJATË USHTRIMIT TË FUNKSIONEVE MBIKËQYRËSE

Neni 24
Marrja e masave administrative ndaj subjekteve të treta

1. Drejtori ekzekutiv merr vendime për:

a) parandalimin apo ndërprerjen e veprimeve, që përbëjnë shkelje të Kodit Ajror dhe të akteve ligjore të dala në zbatim të tij;
b) parandalimin apo ndërprerjen e pasojave të rënda të shkeljeve të ligjit;
c) shmangien e pengesave për ushtrimin e veprimtarisë së Autoritetit.

2. Drejtori ekzekutiv ka autoritet për të vendosur në mënyrë të menjëhershme kufizime të përkohshme ose të përhershme në operim dhe/ose masa administrative te një subjekt i certifikuar apo i licencuar nga Autoriteti, në rastin e konstatimit të mospërputhshmërisë me kërkesat e certifikimit dhe/ose licencimit, ose në rastin e një problemi të pazgjidhur të sigurisë në aviacion.
Procedura për evidentimin dhe ndjekjen e mospërputhshmërisë, në rastet e konstatuara me sipër, miratohet nga ministri

3. Në vendimet e përmendura në pikën 1, të këtij neni përcaktohen:

a) veprimet që duhet të kryejnë subjektet, për të parandaluar dëmin apo për të korrigjuar gjendjen;
b) afatet për kryerjen e ndryshimeve apo për korrigjimin e veprimeve;
c) detyrimin për ndryshimin e administratorëve ose të drejtuesve, në rastet kur veprimet bien në kundërshtim me ligjin.

4. Autoriteti, në përputhje me parashikimet e nenit 160, të Kodit Ajror të Republikës së Shqipërisë, mund të zbatojë masë administrative, vënien e gjobave.

Neni 25
Ankimi ndaj vendimeve të Autoritetit

1. Kundër vendimit të Autoritetit mund të bëhet ankim te ministri brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e njoftimit të këtij vendimi. Me kalimin e 30 (tridhjetë) ditëve nga data e dorëzimit të kërkesës te ministri, ankuesi mund t’i drejtohet gjykatës.

2. Në rast të pranimit të ankimit nga ministri dhe vendimmarrjes së tij, Autoriteti detyrohet të zbatojë dispozitivin e vendimmarrjes së ministrit.

3. Për trajtimin e ankesave, zbatohen afatet e Kodit të Procedurave Administrative.

4. Ankimimi në rrugë gjyqësore nuk e pengon ekzekutimin e vendimit të komisionit.

Neni 26
Përjashtimet

Autoriteti ka të drejtë të bëjë përjashtime nga zbatimi i rregullave në fuqi, veçanërisht, në rastet kur parashikohen në Kodin Ajror të Republikës së Shqipërisë, të cilat lejojnë përjashtimet, me kusht që, pas një vlerësimi, të arrihet në konkluzionin, që mospërputhshmëria dhe masat e marra mitiguese do të garantojnë nivel të pranueshëm sigurie.

Neni 27
Licencat, lejet dhe certifikatat

1. Në ushtrimin e kompetencave të tij në lidhje me lejet, licencat dhe certifikimet, Autoriteti zbaton krahas legjislacionit të fushës, edhe legjislacionin në fuqi për licencimin.

2. Autoriteti ngarkohet të hartojë procedurat e detajuara, që do të zbatohen për dhënie, refuzim, pezullim apo revokim të çdo lejeje, certifikatë apo licence të parashikuar në Kodin Ajror dhe aktet nënligjore të dala në zbatim të tij.

Neni 28
Inspektorët e Autoritetit të Aviacionit Civil

1. Pajisja e inspektorëve të Autoritetit me kredenciale kryhet sipas rregullave të miratuara nga ministri.

2. Në zbatim të rregullave të miratuara nga ministri, drejtori ekzekutiv mund të pajisë inspektorët me kredenciale për ushtrimin e funksioneve mbikëqyrëse, duke iu dhënë atyre:

a) të drejtën e pakufizuar të hyrjes në avion, në lehtësirat e aviacionit dhe në dokumentacionin përkatës, siç kërkohet për ushtrimin e funksioneve të tyre;
b) të drejtën për të kryer auditime të sigurisë së aviacionit, periodike ose të rastësishme, inspektime dhe testime te sipërmarrjet apo subjektet, objekt mbikëqyrjeje, certifikimi dhe licencimi të Autoritetit, sipas parashikimeve të Kodit Ajror të Republikës së Shqipërisë dhe akteve nënligjore në zbatim të tij;
c) të drejtën për të mos i lejuar çdo personi, që të ushtrojë të drejtat e një licence të aviacionit, certifikate të aviacionit ose dokumenti tjetër, kur ka dyshime të arsyeshme. Kjo e drejtë ushtrohet menjëherë ose nëpërmjet një procesi të përcaktuar, që duhet të aplikohet brenda një kohe të arsyeshme, në përputhje me rregulloren e miratuar nga drejtori ekzekutiv.

3. Në kuptim të këtij neni, termi “kredencial” nënkupton llojin e kualifikimit të veçantë, në lidhje me kompetencat e Autoritetit, i cili i jep mbajtësit të saj disa të drejta të caktuara dhe detyrime, në përputhje me Kodin Ajror të Republikës së Shqipërisë.

Neni 29
Shfuqizime

1. Ligji nr.10233, datë 11.2.2010, “Për Autoritetin e Aviacionit Civil”, të ndryshuar, shfuqizohet.

2. Aktet nënligjore në fuqi, të cilat nuk bien në kundërshtim me dispozitat e këtij ligji, vazhdojnë të mbeten në fuqi, deri në daljen e akteve nënligjore në zbatim të këtij ligji.

Neni 30
Hyrja në fuqi

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E T A R I
LINDITA NIKOLLA

###

V E N D I M
PËR

PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E AUTORITETIT TË AVIACIONIT CIVIL”

Në mbështetje të neneve 81, pika 1, e 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Propozimin e projektligjit “Për organizimin dhe funksionimin e Autoritetit të Aviacionit Civil”, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ARBEN AHMETAJ

***

P R O J E K T L I GJ
PËR

SHËRBIMIN SPITALOR NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË

Në mbështetje të neneve 78 e 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë,

V E N D O S I:

KREU I
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

Neni 1
Objekti i ligjit

Objekti i këtij ligji është përcaktimi i veprimtarisë së shërbimit spitalor në Republikën e Shqipërisë, mënyrës së organizimit, administrimit, menaxhimit dhe financimit të këtij shërbimi, si dhe përcaktimi i rregullave për hapjen, mënyrën e ushtrimit të veprimtarisë dhe mbylljen e spitaleve publike dhe jopublike.

Neni 2
Qëllimi i ligjit

Ky ligj ka për qëllim të sigurojë dhe të garantojë ofrimin e shërbimit spitalor në Republikën e Shqipërisë, bazuar në standardet e cilësisë dhe sigurisë së ofrimit të kujdesit spitalor, duke synuar respektimin e së drejtës themelore të shtetasve për shërbime shëndetësore të aksesueshme dhe cilësore.

Neni 3
Përkufizime

Në këtë ligj termat e mëposhtëm kanë këto kuptime:

1. “Spital” është institucioni i kujdesit shëndetësor me shtretër, që ofron shërbime shëndetësore të urgjencës, afatshkurtra apo afatgjata, parandaluese, diagnostikuese, terapeutike, rehabilituese dhe paliative. Spitali është publik ose jopublik.

2. “Pacient” është një person i cili është duke iu nënshtruar një trajtimi mjekësor ose trajtimi tjetër në një spital ose institucion të kujdesit shëndetësor.

3. Spitali i përgjithshëm është institucioni që ofron kujdes shëndetësor spitalor për shtetasit e të gjitha moshave, të cilat vuajnë nga sëmundje apo dëmtime fizike të ndryshme. Spitali i përgjithshëm mund t’i shërbejë popullatës së një ose më shumë qarku/qarqesh.

4. “Spitali i specializuar” është institucioni që ofron konsulta dhe trajtim spitalor specifik për një grup diagnozash, patologjish ose një grupmoshe të caktuar. Spitalet e specializuara, gjithashtu, mund të ofrojnë shërbime të konsulencës së mjekësisë së përgjithshme ose kirurgjisë së përgjithshme dhe çdo shërbim tjetër të ofruar për kategoritë përkatëse të spitaleve të përgjithshme, nëse ato janë të nevojshme për natyrën e veçantë të spitalit të specializuar.

5. “Spitali ditor” është institucioni që ofron shërbimin e konsultës, diagnostikimit, trajtimit apo ndërhyrjes kirurgjikale ose procedurës invazive të pacientëve në anestezi të përgjithshme, lokale apo sedacion, brenda 24 orëve, sipas një plani shtrimi paraprak.

6. “Qendër spitalore rajonale” është organizimi i një ose më shumë spitaleve të përgjithshme, të specializuara dhe/ose ditore, për efekt menaxhimi në mënyrë të përqëndruar të burimeve financiare, njerëzore dhe ato kapitale në një territor të caktuar.

7. “Autonomi spitalore” është një formë e decentralizimit, që adreson delegimin gradual të të drejtave të vendimmarrjes financiare dhe administrative nga strukturat e qeverisjes së përgjithshme te spitalet, si institucione të kujdesit shëndetësor publik.

8. “Turizëm shëndetësor” është ofrimi i shërbimeve shëndetësore për trajtime dhe diagnostikime për të gjithë shtetasit e huaj, sipas tarifave të procedurave dhe paketave shëndetësore.

9. “Karta e Autonomisë Spitalore” është instrumenti ligjor, i cili garanton dhënien e autonomisë spitaleve publike, e cila jepet nga ministri përgjegjës për shërbimin spitalor, sipas kritereve të përcaktuara në këtë ligj dhe aktet nënligjore të dala në zbatim të tij.

10. “Ministri” është ministri përgjegjës për shërbimin spitalor në Republikën e Shqipërisë.

Neni 4
Parimet e ofrimit të shërbimit spitalor

1. Shërbimi spitalor ofrohet i udhëhequr nga parimet e universalitetit dhe solidaritetit, për të garantuar respektimin e të drejtës për kujdes shëndetësor dhe shërbim shëndetësor e cilësor dhe akses të barabartë në shërbim, për të gjithë, nëpërmjet:

a) parandalimit, diagnostikimit, trajtimit, rehabilitimit dhe kujdesit paliativ;
b) dhënies së ndihmës mjekësore urgjente, të përgjithshme dhe të specializuar për të gjithë shtetasit (shqiptarë dhe të huaj);
c) përmirësimit të indikatorëve të shëndetit publik nëpërmjet ofrimit të shërbimeve cilësore spitalore;
ç) garantimit të sigurisë dhe mbrojtjes së shëndetit në punë të personelit mjekësor dhe jomjekësor.

2. Shërbimi spitalor ofrohet duke ruajtur konfidencialitetin dhe të drejtën e pacientit për t’u informuar dhe miratuar shërbimin e ofruar ndaj tij.

3. Shërbimi spitalor ofrohet bazuar në parimin e mosdiskriminimit dhe në përputhje me etikën profesionale dhe standardet deontologjike.

Neni 5
Ministria përgjegjëse për shërbimin spitalor

1. Ministria përgjegjëse për shërbimin spitalor, (në vijim, Ministria), është institucioni që propozon politika dhe zbaton programin qeverisës në fushën e shëndetësisë.

2. Ministria ka këto kompetenca:

a) Harton politika dhe planin strategjik në fushën e shërbimit spitalor;
b) Harton dhe propozon bazën ligjore për organizimin dhe funksionimin e shërbimit spitalor;
c) Propozon në Këshillin e Ministrave modelin e financimit të spitaleve publike, sipas përcaktimeve të këtij ligji dhe kuadrit ligjor në fuqi;
ç) Përcakton kriteret për hapjen dhe mbylljen e spitaleve apo/dhe shërbimeve
spitalore, sipas planit spitalor të miratuar;
d) Organizon, monitoron dhe auditon veprimtarinë e spitaleve publike, sipas legjislacionit në fuqi;
dh) Inspekton veprimtrinë e spitaleve publike dhe jopublike, në përputhje me
përcaktimet e legjislacionit në fushën e inspektimit;
e) Përcakton llojet e shërbimeve që ofrojnë spitalet publike, bazuar në vendndodhjen, nevojat e popullatës, demografinë, barrën e sëmundjeve, burimet njerëzore dhe pajisjet;
ë) Siguron në vazhdimësi investimet për veprimtarinë e institucioneve spitalore publike;
f) Garanton vendosjen e standardeve të cilësisë për akredimin e spitaleve ose shërbimeve spitalore.

KREU II
PLANIFIKIMI SPITALOR

Neni 6
Komiteti për Planifikimin Kombëtar Spitalor

1. Komiteti për Planifikimin Kombëtar Spitalor krijohet si një organ kolegjial ad hoc këshillimor i ministrit për politikat e zhvillimit të sistemit spitalor.

2. Komiteti për Planifikimin Kombëtar Spitalor mblidhet me kërkesë të ministrit përgjegjës për shëndetësinë dhe jep mendime për:

a) hartimin e strategjive dhe programeve kombëtare në fushën e zhvillimit spitalor;
b) përcaktimin e politikave prioritare spitalore;
c) përmirësimet legjislative, që ndikojnë në zhvillimin e politikave spitalore dhe përafrimin e tyre me ato evropiane;
ç) paraqet për shqyrtim pranë ministrit Planin Kombëtar Spitalor;
d) çështje të tjera të politikave spitalore.

3. Komiteti ka në përbërje të tij specialistë të fushës së shëndetësisë, si edhe ekspertë të fushave të tjera, që janë të domosdoshme në vendimarrjen e Komitetit për hartimin e Planit Kombëtar Spitalor.

4. Anëtarët e Komitetit për Planifikimin Kombëtar Spitalor zgjidhen në funksion për një mandat 3-vjeçar, me të drejtë rizgjedhjeje vetëm një herë.

5. Përbërja, detyrat dhe mënyra e funksionimit të Komitetit për Planifikimin Kombëtar Spitalor përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozimin e ministrit.

Neni 7
Plani kombëtar spitalor

1. Plani kombëtar spitalor është dokumenti që përcakton kapacitetet spitalore kombëtare, duke u bazuar në kriteret territoriale, demografike, socio-ekonomike, barrën e sëmundshmërisë, si edhe për të plotësuar kërkesat didaktike dhe shkencore të edukimit mjekësor.

2. Plani kombëtar spitalor miratohet me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozimin e ministrit.

3. Plani kombëtar spitalor përcakton:

a) koeficientët që do të aplikohen në nivel kombëtar dhe rajonal, në bazë të të gjithë situatës së përbërësve shëndetësorë, gjeomorfologjik dhe social-ekonomik-kulturor, për të nxjerrë raportin ndërmjet numrit dhe shpërndarjes së shtretërve, shpërndarjes së burimeve njerëzore dhe popullsisë;
b) planifikimin për shpërndarjen e shtretërve, ndërmjet sektorëve të ndryshëm të veprimtarisë spitalore dhe në nivele të ndryshme organizative-funksionale të rrjetit spitalor kombëtar;
c) nevojën për shtretër të rinj dhe shpërndarjen në territor të spitaleve, si dhe nevojat për kërkime shkencore;
ç) kriteret organizative dhe funksionale, nëpërmjet të cilave arrihet një bashkërendim aktiv, ndërmjet strukturave të ndryshme, që kontribuojnë në krijimin e sistemit spitalor kombëtar.

4. Në Planin kombëtar spitalor do të përcaktohen edhe mjetet dhe mënyrat e financimit nga ana e shtetit për ndërtimin e spitaleve të reja publike, për zgjerimin, transformimin dhe modernizimin e strukturave spitalore.

Neni 8
Plani spitalor në nivel rajoni

1. Planet spitalore në nivel rajoni hartohen nga Operatori i Shërbimit të Kujdesit Shëndetësor, bazuar në Planin Kombëtar Spitalor.

2. Planet spitatore në nivel rajoni parashikojnë plotësimin e nevojave të popullatës së rajonit, mbi bazat e zhvillimeve demografike, epidemiologjike, sëmundshmërisë dhe zhvillimit socio-ekonomik të rajonit, duke orientuar zhvillimin e rrjetit të shërbimeve spitalore në territor, sipas nivelit të spitaleve.

KREU III
SPITALET PUBLIKE DHE JOPUBLIKE

Neni 9
Spitalet publike dhe jopublike

1. Spitalet ndahen në publike dhe jopublike. Ndarja në publike dhe jopublike bëhet në bazë të kritereve të përkatësisë së pronësisë, mënyrës së financimit dhe qëllimit të ushtrimit të veprimtarisë.

2. Një spital publik është institucion varësie i ministrit, i cili hapet, administrohet dhe financohet nga strukturat publike, të përcaktuara në këtë ligj, në varësi të mënyrës së tij të krijimit. Spitalet autonome, në varësi të llojit të autonomisë, hapen sipas përcaktimeve të këtij ligji dhe akteve të tjera nënligjore që përligjin hapjen e tyre.

3. Spitali publik ofron shërbim shëndetësor për të sëmurët e shtruar, si dhe shërbime shëndetësore për të sëmurët ambulatorë, sipas përcaktimeve të bëra në këtë ligj dhe akteve nënligjore të dala në zbatim të tij.

4. Spital jopublik është spitali i licencuar, sipas legjislacionit në fuqi për ushtrimin e veprimtarisë në fushën e kujdesit spitalor. Kriteret dhe mënyra e licencimit përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

5. Spitalet jopublike ofrojnë shërbime shëndetësore, sipas kritereve të pasqyruara në objektin e veprimtarisë së tyre dhe në licencën e përfituar për ushtrimin e veprimtarisë spitalore sipas legjislacionit në fuqi.

6. Bashkëpunimi ndërmjet spitaleve publike dhe spitaleve jopublike mbështetet në marrëveshje apo memorandume të përbashkëta, bazuar në legjislacionin në fuqi.

Neni 10
Modeli i spitaleve

1. Spitalet publike dhe jopublike janë spitale të përgjithshme dhe të specializuara, në bazë të natyrës së shërbimeve që ofrojnë.

2. Spitalet e përgjithshme ofrojnë konsulta të specializuara dhe shërbime të shtrimit në spital për pacientët, si urgjencë, shërbime në mjekësi interne, obstetri-gjinekologji, pediatri, laboratorët, radiologji, kirurgji të përgjithshme, si dhe shërbime të tjera të nevojshme.

3. Spitalet e specializuara ofrojnë shërbime të përqendruara, kryesisht në një fushë specifike, siç janë onkologjia, neurologjia, kardiologjia, sëmundje interne dermatologjia, ortopedia, okulistika, pediatria, obstetri-gjinekologji dhe fusha të tjera të specializuara.

Neni 11
Ofrimi i shërbimit spitalor për shtetasit e huaj

1. Spitalet publike dhe jopublike janë të detyruara t’u ofrojnë ndihmë mjekësore shtetasve të huaj, të siguruar ose jo, që kanë nevojë për shërbim të urgjencës spitalore.

2. Të gjithë shtetasit e huaj, jorezidentë, që kryejnë një trajtim shëndetësor në spitalet publike në Republikën e Shqipërisë, përfitojnë trajtim shëndetësor në këto spitale, sipas tarifave të përcaktuara nga organet drejtuese të vetë spitalit.

3. Në rastet e shtetasve të huaj jorezidentë të vendeve me të cilët shteti shqiptar ka marrëveshje reciprociteti, pagesa e shpenzimeve shëndetësore të kryera bëhet sipas përcaktimeve të marrëveshjes.

4. Në rastet e shtetasve të huaj, jorezidentë, të cilët janë të siguruar nga një kompani sigurimi vendase për mbulimin e shpenzimeve shëndetësore, pagesa e tarifave të kurimit do të kryhet nga kompania e sigurimit.

5. Mënyra e regjistrimit dhe plotësimi i dokumentacionit për shtetasit e huaj, që marrin shërbim shëndetësor në spitalet publike, do të kryhet sipas përcaktimeve të urdhrit të ministrit.

6. Spitalet publike mund të ofrojnë shërbime të turizmit shëndetësor, në përputhje me udhëzimet e miratuara nga ministri.

Neni 12
Akreditimi spitalor

1. Akreditimi i spitaleve është një mekanizëm për përmirësimin, në vazhdimësi, të shërbimit të kujdesit shëndetësor. Akreditimi i spitaleve bëhet sipas legjislacionit në fuqi për akreditimin e institucioneve të kujdesit shëndetësor.

2. Qëllimi i akreditimit është të përcaktojë nivelin e pajtueshmërisë me standardet dhe protokollet, performancën e përgjithshme dhe përparimin e vazhdueshëm të shërbimit spitalor, për të përmirësuar cilësinë dhe sigurinë e pacientëve.

3. Struktura përgjegjëse për akreditimin e institucioneve të kujdesit shëndetësor është struktura që ndjek procesin e akreditimit të spitaleve dhe/ose shërbimeve spitalore. Çdo spital ka njësinë e vet përgjegjëse për akreditimin.

4. Struktura përgjegjëse për akreditimin e institucioneve të kujdesit shëndetësor publikon programin për akreditim dhe riakreditim të spitaleve dhe afatin kohor për përfundimin e akreditimit të të gjitha spitaleve.

KREU IV
ORGANIZIMI I SISTEMIT SPITALOR PUBLIK

Neni 13
Kategoritë e spitaleve publike

1. Spitalet publike, sipas kategorisë ndahen në:

a) spitale ditore;
b) spitale në nivel bashkie;
c) spitale në nivel qarku;
ç) qendër spitalore rajonale;
d) spitale terciare;
dh) spitale/qendra spitalore universitare.

2. Spitali ditor ofron ndihmën e parë mjekësore për trajtim dhe kurim brenda 24 orëve dhe realizon diagnostikim, trajtim dhe ndërhyrje kirurgjikale apo procedurë invazive, diagnostike apo terapeutike të pacientëve nën anestezi të përgjithshme, lokale apo sedacion.

3. Spitalet në nivel bashkie ofrojnë shërbime shëndetësore spitalore për popullatën e një ose më shumë bashkive, bazuar në shpërndarjen demografike. Spitalet në nivel bashkie janë të pajisura me shërbime të mjekësisë interne dhe pediatrisë, si dhe në varësi të barrës së sëmundshmërisë, shërbime të tjera të specializuara. Spitalet në nivel bashkie mund të jenë edhe spitale ditore me shërbim 24 orësh. Organizimi i spitaleve në nivel bashkie përcaktohet në planin spitalor rajonal, bazuar në zhvillimet demografike dhe sëmundshmërinë, duke përfshirë edhe shërbime të tjera mjekësore të vlerësuara të nevojshme.
4. Spitalet rajonale i shërbejnë një qarku të caktuar dhe mund të jenë të përgjithshme ose të specializuara, siç përcaktohet në aktin e krijimit të tyre. Spitalet e përgjithshme në nivel qarku janë ato me shërbime të mjekësisë së përgjithshme, të sëmundjeve të brendshme, kirurgjisë së përgjithshme, obstetrikës dhe gjinekologjisë, pediatrisë, radiologjisë, laboratorit, si dhe të specialiteteve të tjera të përcaktuara nga ministria. Organizimi, sipas kësaj pike, përcaktohet në planin spitalor rajonal, bazuar në zhvillimet demografike dhe sëmundshmërinë, duke përfshirë edhe shërbime të tjera mjekësore të vlerësuara të nevojshme.

5. Qendra spitalore rajonale ofron shërbim spitalor të integruar, duke menaxhuar në një administrim unik, burimet njerëzore, financiare dhe të infrastrukturës së një ose më shumë spitaleve të përgjithshme, spitale të specializuara dhe/ose ditore në nivel bashkie ose qarku, me qëllim organizimin territorial të kujdesit spitalor sekondar dhe terciar në funksion të rritjes së aksesit në shërbimin spitalor në një zonë/rajon të caktuar. Organizimi, sipas kësaj pike, përcaktohet në Planin Kombëtar Spitalor, bazuar në zhvillimet demografike dhe sëmundshmërinë, duke përfshirë edhe shërbime të tjera mjekësore të vlerësuara të nevojshme.

6. Spitale terciare ofrojnë kujdes dhe trajtim me personel më të specializuar shëndetësor, me pajisje dhe struktura për kërkim shkencor dhe trajtim të veçantë. Spitalet terciare ofrojnë shërbime të bazuara në njohuritë më të fundit shkencore, teknikat dhe përdorimin e pajisjeve të sofistikuara mjekësore, si dhe realizojnë punë kërkimore-shkencore.

7. Spitalet/qendrat spitalore universitare realizojnë funksione diagnostikuese e trajtuese, në përmbushje të ofrimit të kujdesit shëndetësor terciar, si dhe funksione mësimore e kërkimore, shkencore, për të realizuar formimin universitar të specialistëve të shëndetësisë, si edhe për studentët/praktikantët, të cilët zhvillojnë studimet pranë institucioneve të arsimit të lartë për të kryer praktikat mësimore dhe kërkimore-shkencore.

Neni 14
Organet drejtuese të spitaleve publike sipas kategorive dhe mënyra e organizimit dhe funksionimit

1. Organi drejtues i spitalit ditor dhe spitalit bashkiak është drejtoria e spitalit. Mënyra e krijimit, organizimit dhe funksionimit të spitalit ditor dhe spitalit bashkiak përcaktohet me urdhër të ministrit.

2. Organet drejtuese të spitalit rajonal, qendrës spitalore rajonale, spitalit universitar dhe spitalit terciar janë drejtori i përgjithshëm, bordi drejtues dhe komisioni mjekësor.

3. Mënyra e krijimit, organizimit dhe funksionimit të spitalit rajonal, qendrës spitalore rajonale, spitaleve terciare dhe spitaleve universitare përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave.

Neni 15
Mekanizmi i referimit në shërbimin spitalor

1. Mekanizmi i referimit në spitale është sistemi që garanton rrugëtimin e pacientit në kujdesin shëndetësor dhe specifikisht atë spitalor, si vazhdimësi e diagnostikimit, trajtimit, kujdesit dhe rehabilitimit të ofruar në institucionet e kujdesit parësor kur kompleksiteti dhe shkalla e rëndesës së sëmundjeve kërkojnë njohuri të specializuara, barna, pajisje mjekësore dhe hapësira të veçanta trajtimi.

2. Spitali është i detyruar të bashkëpunojë me institucionet e kujdesit shëndetësor parësor dhe të ofrojë mbështetje profesionale gjatë ofrimit të shërbimit shëndetësor nga ana e tyre.

3. Shtrimi në spital dhe konsultat e specializuara ofrohen brenda ambienteve të spitalit, por spitali mund të ketë njësi të tjera, pjesë e organizimit të tij, që ofrohen jashtë ambienteve të spitalit.

4. Spitali organizon punën e tij në mënyrë të tillë, që pacienti të marrë shërbimin në spital brenda ditës pa u shtruar, me përjashtim të rasteve kur shtrimi në spital është i justifikuar dhe nevojë e domosdoshme mjekësore.

5. Rastet në spitale drejtohen si urgjenca mjekesore ose nëpërmjet sistemit të referimit nga niveli me i ulët drejt nivelit më të lartë.

6. Ministri përcakton me urdhër, mënyrën e funksionimit të mekanizmit të referimit së pacientëve brenda sistemit spitalor, duke përdorur sistemet digjitale të shëndetësisë.

Neni 16
Financimi i spitalit publik

1. Spitali financohet nga:

a) buxheti i shtetit;
b) institucionet e sigurimeve shëndetësore;
c) pushteti vendor;
ç) donatorët vendas dhe të huaj;
d) të ardhurat e krijuara nga shërbimet me palë të treta;
dh) të ardhura të tjera të ligjshme.

2. Të ardhurat nga kontratat, tarifat apo pagesat nga pacientët për shërbime klinike dhe joklinike, që nuk mbulohen nga institucionet financuese të spitaleve kalojnë në llogari të spitalit si të ardhura dytësore. Të ardhurat dytësore, që nuk janë shpenzuar në një vit fiskal, mund të transferohen në vitin e ardhshëm fiskal spitalor.

KREU V
AUTONOMIA SPITALORE

Neni 17
Autonomia spitalore

1. Autonomia, si pjesë integrale e menaxhimit të sistemit spitalor publik, garanton barazi, aksesueshmëri, cilësi, siguri dhe ofrimin e shërbimit shëndetësor në kohë për pacientin. Spitalet autonome organizohen në formën e personit juridik publik, me të drejta, detyrime dhe përgjegjësi të përcaktuara në këtë ligj dhe aktet nënligjore të dala në zbatim të tij.

2. Autonomia spitalore ka për synim të sigurojë:

a) efektivitet dhe transparencë në menaxhimin administrativ, të burimeve financiare dhe burimeve njerëzore;
b) rritje të transparencës dhe llogaridhënies ndaj qytetarëve;
c) përmirësim të mobilizimit të burimeve njerëzore dhe financiare;
ç) rritje të rolit të komunitetit në vendimmarrje.

3. Modelet e autonomisë së spitaleve janë, si më poshtë vijon:

a) Modeli i autonomisë menaxheriale garanton dhënien e autonomisë administrative, organizative dhe rregullatore të spitaleve publike, bazuar në përcaktimet e kartës së autonomisë spitalore;
b) Modeli i autonomisë financiare garanton transformimin e spitaleve publike në institucione që vetëfinancohen, financohen nga buxheti i shtetit për shërbime të caktuara nga Këshilli i Ministrave dhe nga burime të tjera të ligjshme, bazuar në përcaktimet e kartës së autonomisë spitalore.

4. Karta e autonomisë do të aplikohet në mënyrë të përshkallëzuar dhe të diferencuar për çdo spital, bazuar në plotësimin e kritereve për përfitimin e autonomisë spitalore, sipas një sistemi pikëzimi, që do të përcaktohet me urdhër të ministrit.

5. Spitalet autonome aplikojnë modelin e pagesës, në bazë performance për personelin shëndetësor, bazuar në rregullat e përcaktuara me urdhër të ministrit.

Neni 18
Kriteret për përfitimin e autonomisë spitalore

1. Spitalet publike përfitojnë autonominë spitalore, pas përmbushjes së kritereve, të përcaktuara në rregulloren e autonomisë spitalore, që miratohet me vendim të Këshillit të Ministrave.

2. Rregullorja e autonomisë spitalore përcakton:

a) kriteret specifike, që duhet të plotësojë një spital publik, që të përfitojë autonominë për secilin nga modelet e parashikuara në këtë ligj;
b) procedurën e vlerësimit të plotësimit të kritereve për të përfituar autonominë;
c) fushëveprimin dhe fushat e autonomisë që jepen;
ç) periudhën e dhënies së autonomisë, sipas modelit.

3. Spitalet publike autonome riorganizojnë shërbimet spitalore, me qëllim përmirësimin e shfrytëzimit të infrastukturës dhe burimeve njerëzore, për të ofruar një shërbim të përmirësuar në kohë dhe cilësi.

Neni 19
Aplikimi për autonominë spitalore

1. Aplikimi pёr autonominë spitalore bёhet nga ana e spitaleve publike nё Ministrinё e Shёndetёsisё, nëpërmjet një formulari të veçantë, të miratuar me urdhër ministri, në të cilin pasqyrohen elementet formale të kërkesës.

2. Kërkesa duhet të përmbajë edhe të dhëna për shërbimet spitalore të ofruara, shërbimet jospitalore: diagnostike, terapeutike, rehabilituese, etj., kapacitetet e burimeve njerëzore dhe menaxhimit spitalor, të evidentojë fushat, në të cilat mund të ushtrohet autonomia spitalore dhe të argumentojë arsyet, përse kërkohet apo propozohet marrja e autonomisë spitalore.

3. Dhënia e autonomisë spitalore bëhet në mënyrë të përshkallëzuar dhe mbështetur në kërkesën e vetë spitalit.

4. Rregullat për vlerësimin e kërkesës, procedurat dhe afatet për shqyrtimin e saj përcaktohen në rregulloren e autonomisë spitalore.

5. Ministri është organi përgjegjës për pranimin e kërkesës për autonomi spitalore.

Neni 20
Karta e autonomisë

1. Karta e autonomisë së spitalit publik është instrumenti ligjor, që tregon fushat, në të cilat autonomia mund të ushtrohet nga spitali publik, duke përfshirë menaxhimin, financimin, burimet njerëzore, prokurimin e fondeve dhe fushat e tjera, sipas rastit, në varësi të llojit të spitalit publik.

2. Çdo spital publik ka të drejtë të aplikojë për autonomi spitalore menaxheriale dhe financiare në ministri, e cila pas vlerësimit që i bën spitalit dhe pas përmbushjes së kritereve, e pajis atë me kartën e autonomisë.

Neni 21
Organet drejtuese të spitalit autonom

1. Organet drejtuese të spitalit autonom janë:

a) bordi drejtues;
b) ekipi menaxhues;
c) administratori i përgjithshëm.

2. Bordi drejtues është organi kolegjial më i lartë drejtues i spitalit publik autonom dhe është i pavarur në veprimtarinë e tij. Përbërja dhe funksionet e bordit përcaktohen në rregulloren e autonomisë spitalore. Për spitalet universitare, përbërja dhe mënyra e funksionimit të bordit drejtues përcaktohet në legjislacionin përkatës.

3. Ekipi menaxhues i spitalit autonom përbëhet nga administratori i përgjithshëm, drejtuesit teknikë dhe ekonomikë. Detyrat e ekipit menaxhues përcaktohen në rregulloren e brendshme të funksionimit të spitalit.

4. Administratori i përgjithshëm i spitalit është autoriteti më i lartë ekzekutiv i spitalit autonom dhe emërohet nga bordi drejtues, sipas procedurave të përcaktuara në rregulloren e autonomisë spitalore. Detyrat e administratorit të përgjithshëm përcaktohen në rregulloren e brendshme të funksionimit të spitalit.

Neni 22
Kompetencat kontraktuese të spitaleve autonome

1. Spitalet publike autonome kanë të drejtë të lidhin kontrata me palët e treta, me kompani private të sigurimeve, si dhe me spitalet jopublike për shërbime specifike mjekësore.

2. Spitalet publike autonome kanë të drejtë të lidhin marrëveshje me shërbimet diplomatike të huaja, organizatat ndërkombëtare dhe korporatat e huaja që veprojnë në Shqipëri, për të ofruar shërbime për personelin e tyre vendor dhe të huaj.

3. Spitalet publike autonome mund të lidhin kontrata për kërkime shkencore me institucione kombëtare dhe të huaja dhe për teste klinike me kompanitë farmaceutike vendase dhe të huaja, bazuar në legjislacionin në fuqi.

4. Spitalet publike autonome mund të kontraktojnë shërbime joshëndetësore me sektorin privat, sipas legjislacionit në fuqi.

5. Spitali autonom i përdor të ardhurat nga aktiviteti mjekësor dhe jomjekësor, ose dhe të ardhurat e tjera për mallra dhe shërbime, sipas nevojës, si dhe për zhvillimin e infrastrukturës, teknologjisë dhe burimeve njerëzore.

Neni 23
Kostot e shërbimeve spitalore publike

1. Kostot e shërbimit spitalor përfshijnë koston e trajtimit, diagnostikimit ambulator apo të shtrimit në spital.

2. Kostot e shërbimeve spitalore publike përllogariten, duke u bazuar në shpenzimet e bëra nga institucioni për diagnostikimin, kujdesin dhe trajtimin e pacientëve, si dhe çdo kosto tjetër të nevojshme për ofrimin e shërbimit spitalor. Kostot e përgjithshme, të tilla si; amortizimi, rinovimi dhe modernizimi i pajisjeve spitalore nuk kalon 4% të kostove totale.

3. Kostoja e shërbimeve spitalore miratohet me vendim të bordit drejtues për spitalet terciare, universitare dhe qendrat rajonale dhe nga operatori i shërbimeve të kujdesit shëndetësor për spitalet ditore/në bazë bashkie dhe në bazë rajoni, sipas metodologjisë të miratuar nga ministri.

4. Për pacientin e shtruar apo ambulator, spitalet publike kanë të drejtë të ofrojnë, jashtë sistemit të referimit, korsi preferenciale shërbimi kundrejt tarifave të përcaktuara me vendim të bordit drejtues.

Neni 24
Mbikëqyrja e spitalit autonom

1. Veprimtaria e spitalit publik autonom mbikëqyret nga ministria, sipas legjislacionit në fuqi. Spitalet publike autonome raportojnë çdo vit pranë ministrisë përgjegjëse për shërbimin spitalor, për veprimtarinë e spitalit autonom. Ministria auditon spitalin autonom për të vlerësuar dhe përmirësuar veprimtarinë e spitalit, sipas një programi të miratuar paraprakisht nga ministri.

2. Të gjitha burimet financiare, që sigurojnë dhe përdorin spitalet publike autonome, konsiderohen fonde publike dhe si të tilla u nënshtrohen rregullave të menaxhimit financiar të fondeve publike, rregullave të kontabilitetit publik dhe raportimit financiar dhe janë të kontrollueshme nga ministri përgjegjës për shërbimin spitalor.

3. Burimet financiare të spitalit publik autonom arkëtohen dhe regjistrohen në llogaritë bankare të bankave të nivelit të dytë.

Neni 25
Shfuqizimi i kartës së autonomisë

Ministri shfuqizon kartën e autonomisë, kur konstatohen parregullsi dhe shkelje, që cenojnë kriteret e përcaktuara në rregulloren e autonomisë spitalore ose kur janë shkelur akte ligjore e nënligjore në fuqi. Procedura për shfuqizimin e kartës së autonomisë përcaktohet në rregulloren e autonomisë spitalore.

KREU VI
PRAKTIKA E DYFISHTË

Neni 26
Punësimi i personelit në strukturat spitalore

1. Drejtoritë e spitaleve publike kanë të drejtën e lidhjes së kontratave, me kohë të plotë ose të pjesshme, me personelin mjekësor dhe jomjekësor, sipas nevojave.

2. Për të gjithë personelin mjekësor dhe jomjekësor, të punësuar sipas strukturës së miratuar, drejtoria e spitalit lidh kontratat e punës me kohë të plotë, në zbatim të legjislacionit në fuqi për rregullimin e marrëdhënieve kontraktuale, ndërmjet punëdhënësit dhe punëmarrësit.

3. Për të gjithë personelin mjekësor, për nevoja të spitalit për mbulimin e shërbimit shëndetësor, drejtoria e spitalit lidh kontrata me kohë të pjesshme, në zbatim të legjislacionit në fuqi për rregullimin e marrëdhënieve kontraktuale, ndërmjet punëdhënësit dhe punëmarrësit.

Neni 27

Praktika e dyfishtë e punës për mjekët në spitalet publike

1. Mjekët në spitale publike kanë mundësi të ofrojnë jashtë regjimit të punës së përcaktuar nga punëdhënësi, bazuar në dispozitat ligjore në fuqi, shërbime të konsultave ambulatore për pacientë jashtë sistemit të referimit.

2. Spitali që mundëson praktikën e dyfishtë, miraton me vendim të bordit drejtues, kategorinë e shërbimeve të konsultave ambulatore, tarifat përkatëse, si dhe modelin e kontratës së shërbimit me mjekun që ushtron praktikën e dyfishtë në mjediset e spitalit publik, pa cenuar ofrimin e shërbimit spitalor publik.

KREU VII
SPITALET JOPUBLIKE

Neni 28
Hapja e spitaleve jopublike

1. Spitalet jopublike licencohen, sipas legjislacionit në fuqi për licencat. Veprimtaritë e shërbimit spitalor, të përcaktuara në këtë ligj, përfshihen në kategorinë II.6, të shtojcës së ligjit për licencat. Këto veprimtari licencohen sipas ligjit të licencave.

2. Spitalet jopublike e ofrojnë shërbimin spitalor, sipas rregullave dhe standardeve të përcaktuara në këtë ligj dhe në aktet nënligjore në zbatim të tij.

3. Spitalet jopublike kategorizohen në spitale të përgjithshme, të specializuara dhe spitale ditore.

4. Mbikëqyrja dhe inspektimi i spitalit jopublik bëhet nga ministria dhe struktura përgjegjëse për inspektimin në fushën e shëndetësisë.

5. Kriteret e hapjes dhe mbylljes së spitaleve jopublike përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

Neni 29
Pajtueshmëria me standardet, protokollet dhe të dhënat shëndetësore

1. Spitalet jopublike ndjekin standardet klinike dhe protokollet e miratuara nga ministria përgjegjëse për shërbimin spitalor.

2. Spitalet jopublike grumbullojnë, përpunojnë dhe raportojnë të dhënat shëndetësore, të përcaktuara nga ministria dhe në zbatim të ligjit për mbrojtjen e të dhënave personale.

3. Spitalet publike bashkëpunojnë, sipas legjislacionit në fuqi me spitalet jopublike, për ofrimin e ndërsjellë të shërbimeve spitalore.

Neni 30
Mbyllja e spitalit jopublik

1. Ministri përgjegjës për shërbimin spitalor shfuqizon licencën e veprimtarisë së spitalit, kur konstatohen një nga shkeljet si vijon:

a) Shkelja e ligjeve dhe e akteve nënligjore në fuqi;
b) Mosplotësimi i kushteve të nevojshme për ushtrimin e veprimtarisë spitalore, sipas kritereve të përcaktuara në licencë;
c) Moszbatimi, brenda kushteve dhe afateve i detyrave të lëna nga ministria;
ç) Mosushtrimi i veprimtarisë për një vit nga data e miratimit të licencës;
d) Mospërmbushja e standardeve bazë për akreditim, sipas legjislacionit përkatës.

2. Ankimimi kundër urdhrit të ministrit për shfuqizimin e licencës mund të bëhet në gjykatën administrative kompetente, sipas legjislacionit në fuqi për gjykatat administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative.

KREU VIII
DISPOZITA TË FUNDIT

Neni 31
Dispozitë tranzitore

Spitali “Memorial” në Fier, me hyrjen në fuqi të këtij ligji, për një periudhë 2-vjeçare, aplikon autonominë menaxheriale, si një spital pilot, i krijuar, bazuar në marrëveshjen e bashkëpunimit midis Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë turke.

Neni 32
Nxjerrja e akteve nënligjore

1. Ngarkohet Këshilli i Ministrave, i cili, brenda 9 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, të nxjerrë aktet nënligjore, në zbatim të nenit 6, pika 5, neni 7, pika 2, nenit 14, pika 3, neni 18, pika 1, të këtij ligji.

2. Ngarkohet ministri, i cili, brenda 9 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, të nxjerrë urdhrat dhe udhëzimet, në zbatim të nenit 11, pika 5 dhe 6, neni 14, pika 1, neni 17, pika 3/c, 17 pika 4, neni 19, pika 1, neni 23, pika 3.

Neni 33
Shfuqizime

Ligji nr.9106, datë 17.3.2003, “Për shërbimin spitalor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, shfuqizohet.

Neni 34
Hyrja në fuqi

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E T A R I
LINDITA NIKOLLA

###

V E N D I M
PËR

PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR SHËRBIMIN SPITALOR NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË”

Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Propozimin e projektligjit “Për shërbimin spitalor në Republikën e Shqipërisë”, për shqyrtim dhe miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ARBEN AHMETAJ 

 

 

*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.