Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave
Projektligje të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 3 Korrik 2024: 
P R O J E K T L I GJ
PËR 
MIRATIMIN E BUXHETIT FAKTIK TË VITIT 2023
Në mbështetje të neneve 78, 83, pika 1, e 158, të Kushtetutës, dhe të nenit 63, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I:
Neni 1
Miratimi i raportit vjetor të konsoliduar të zbatimit të buxhetit
Miratohet raporti vjetor i konsoliduar i zbatimit të buxhetit për vitin 2023, sipas dokumenteve të mëposhtme, që i bashkëlidhem këtij ligji dhe janë pjesë përbërëse të tij:
a) Pasqyrat e konsoliduara vjetore për transaksionet financiare të shtetit, për vitin 2023;
b) Raporti për zbatimin e buxhetit vjetor 2023, në nivelin e fondeve të miratuara dhe objektivat e realizuar;
c)  Raporti për borxhin publik dhe përbërjen e tij, për vitin 2023;
ç)  Raporti për përdorimin e fondit rezervë dhe të kontingjencës, për vitin 2023;
d) Raporti për situatën e kontrollit të brendshëm financiar publik në njësitë e qeverisjes së përgjithshme, gjatë vitit 2023.
Neni 2
Hyrja në fuqi
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E T A R I
LINDITA NIKOLLA 
### 
V E N D I M
PËR
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR MIRATIMIN E BUXHETIT FAKTIK TË VITIT 2023”
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, e 100, të Kushtetutës, dhe të neneve 62 e 63, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Propozimin e projektligjit “Për miratimin e buxhetit faktik të vitit 2023”, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA 
*** 
P R O J E K T L I GJ
PËR
SHKENCËN DHE KËRKIMIN SHKENCOR NË REPUBLIKËN  E SHQIPËRISË
Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I:
KREU I
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
Neni 1
Objekti i ligjit
Objekti i këtij ligji është përcaktimi i rregullave dhe i procedurave për organizimin dhe funksionimin e sistemit të shkencës dhe të kërkimit shkencor në Republikën e Shqipërisë. Ky ligj është i zbatueshëm për çdo institucion apo entitet, që është pjesë e sistemit të shkencës dhe të kërkimit shkencor.
Neni 2
Qëllimi dhe objektivat
1. Ky ligj ka për qëllim të krijojë kushte për zhvillimin dhe funksionimin e një sistemi bashkëkohor të shkencës e të kërkimit shkencor dhe të rregullojë e të garantojë mundësimin e financimit të këtij sistemi nga burime të ndryshme financimi, sipas përcaktimeve në këtë ligj.
2. Ligji synon arritjen e objektivave, si më poshtë vijon:
a) Sigurimin e produkteve të kërkimit shkencor, që mbështesin zhvillimin e qëndrueshëm të vendit, mbrojtjen e mjedisit dhe të shëndetit publik, si dhe konsolidimin e identitetit e mbrojtjen e interesave kombëtarë;
b) Përvetësimin e aftësive dhe të njohurive të reja, transferimin e tyre për përfitimin e përgjithshëm publik, me synim rritjen e nivelit të mirëqenies sociale, zhvillimit teknologjik dhe inovacionit;
c) Fuqizimin e aftësive për të menaxhuar dhe zbatuar progresin teknologjik dhe të përgjithshëm shoqëror, si burimi kryesor i zhvillimit të qëndrueshëm, duke rritur vlerën e punës e konkurrueshmërinë;
ç) Fuqizimin e lidhjeve ndërkombëtare të komunitetit të studiuesve dhe të kërkuesve shkencorë shqiptarë me ata të zonës evropiane të kërkimit, si dhe me kërkuesit e diasporës, duke promovuar lëvizshmërinë dhe përfshirjen në proceset e integrimit evropian;
d) Ngritjen e kapaciteteve të personelit shkencor dhe nxitjen e zhvillimit të karrierës shkencore, duke siguruar mundësi të barabarta;
dh) Fuqizimin dhe rritjen e përdorimit të infrastrukturës kërkimore-shkencore, duke garantuar akses për të gjithë;
e) Zgjerimin e bashkëpunimit ndërinstitucional në fushën e kërkimit shkencor, me qëllim zhvillimin e shfrytëzimin e potencialeve kërkimore-shkencore;
ë) Nxitjen e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të kërkimit shkencor dhe biznesit, institucioneve publike, shoqërisë civile, si dhe palëve të tjera të interesuara në veprimtari kërkimore-shkencore dhe inovacion;
f) Promovimin, zgjerimin e rolit të shkencës dhe krijimin e një mjedisi favorizues e mbështetës për kërkimin shkencor në shoqëri.
Neni 3
Përkufizime
Në këtë ligj, termat e mëposhtëm kanë këto kuptime:
1. “Fushat e kërkimit shkencor”, veprimtaritë për nxitjen e dijes e të vërtetës shkencore, mbrojtjen e shëndetit publik, të trashëgimisë kulturore, mjedisore dhe materiale, nxitjen e teknologjisë dhe të inovacionit etj.
2. “Fushat e kërkimit shkencor të një rëndësie të veçantë”, fushat e kërkimit shkencor, që lidhen me sigurinë kombëtare, të drejtat e njeriut, shëndetin publik dhe mjedisin.
3. “Fushat prioritare”, fushat kërkimore, të cilat shpallen si të tilla nga ministria për shkak të interesit të përbashkët kombëtar në funksion të zhvillimit të vendit.
4. “Entitet”, personi juridik i krijuar dhe i regjistruar në varësi të formës së organizimit tij, i cili, referuar objektit të aktivitetit të tij, është konceptuar për të ushtruar veprimtari në fushën e kërkimit shkencor për krijimin e një/disa produkti/eve apo shërbimi inovativ dhe/ose teknologjik të veçantë, me potencial rritjeje të cilësisë dhe/ose shpejtësisë dhe të zbatueshëm në praktikë.
5. “Kërkimi bazë”, veprimtari eksperimentale ose teorike e ndërmarrë kryesisht për të përvetësuar njohuri të reja për aspektet themelore të fenomeneve dhe të fakteve të vëzhgueshme pa ndonjë zbatim apo përdorim të veçantë në vështrim.
6. “Kërkimi i aplikuar”, të gjitha veprimtaritë krijuese origjinale për të përftuar njohuri të reja, që synojnë kryesisht një objektiv ose zbatim praktik.
7. “Zhvillimi eksperimental”, punë sistematike, e cila mbështetet në njohuritë e marra nga përvoja kërkimore e praktike dhe prodhon njohuri shtesë, e cila ka për qëllim prodhimin e produkteve ose të proceseve të reja, ose përmirësimin e produkteve ose të proceseve ekzistuese.
8. “Inovacioni”, përfshirja e një produkti, shërbimi ose procesi si një metodë e re për organizimin e punës, prodhimin e produkteve, si dhe mënyrën e menaxhimit, e cila përmirëson performancën e institucionit të kërkimit shkencor.
9. “Ministri”, ministri përgjegjës për çështjet e shkencës dhe të kërkimit shkencor në Republikën e Shqipërisë.
10. “Ministria”, ministria përgjegjëse për çështjet e shkencës dhe të kërkimit shkencor në Republikën e Shqipërisë.
11. “Menaxhimi i riskut në kërkimin shkencor”, vlerësimi në çdo projekt kërkimor i mundësisë së ardhjes së një dëmi, që cenon sigurinë kombëtare, të drejtat e njeriut, shëndetin publik dhe mjedisin.
12. “Subjektet publike të kërkimit shkencor”, institucionet, institutet dhe njësitë e veçanta të krijuara si persona juridikë publikë, sipas përcaktimeve të këtij ligji.
13. “Subjektet jopublike të kërkimit shkencor”, institucionet, institutet dhe njësitë e veçanta të krijuara nga persona fizikë ose juridikë, subjekte të së drejtës private, sipas përcaktimeve të këtij ligji.
14. “Punonjësi kërkimor-shkencor”, individi i angazhuar në veprimtari të kërkimit shkencor, i cili plotëson kriteret e përcaktuara në këtë ligj dhe aktet nënligjore të nxjerra në zbatim të tij.
15. “Sistemi i shkencës”, tërësia e institucioneve politikëbërëse, që drejtojnë, vlerësojnë, financojnë dhe ushtrojnë veprimtaritë e kërkimit dhe të zhvillimit shkencor, inovacionit dhe transferimit të teknologjisë.
16. “Veprimtari kërkimore-shkencore”, tërësia e veprimeve të ndërmarra nga kërkuesi, individi, grupi i individëve apo struktura të posaçme të ngritura sipas këtij ligji, me qëllim që të gjenerojë njohuri, studime apo aplikime të reja.
17. “Pezullimi i veprimtarisë kërkimore”, heqja e së drejtës për të ushtruar veprimtarinë kërkimore-shkencore, deri në përmbushjen e kushteve të vendosura nga ministria për plotësimin e kritereve për ushtrimin e veprimtarisë së institutit dhe të njësisë së veçantë të kërkimit shkencor.
Neni 4
Parimet bazë të sistemit të shkencës dhe të kërkimit shkencor
Veprimtaritë e sistemit të shkencës dhe të kërkimit shkencor udhëhiqen nga këto parime:
1. Liria e kërkimit shkencor, që nënkupton të drejtën e çdo individi, institucioni, njësie kërkimore-shkencore dhe entiteti të ngritur, në përputhje me këtë ligj, për t’u garantuar lirinë e mendimit dhe të shprehjes, lirinë për të përcaktuar pyetjet e kërkimit, lirinë për të identifikuar metodat me të cilat zgjidhen problemet shkencore dhe parimet bazë metodike, lirinë për të zgjedhur e zhvilluar teori, lirinë për të vënë në dyshim urtësinë e pranuar dhe për të sjellë përpara ide të reja, lirinë për vlerësimin e rezultateve kërkimore dhe përhapjen e tyre, si dhe lirinë për t’u bashkuar në organe profesionale ose përfaqësuese.
2. Ofrimi i mundësive të barabarta nënkupton që institucionet, institutet dhe njësitë e veçanta u ofrojnë të gjitha subjekteve, gjatë ushtrimit të veprimtarisë, shmangien e çdo pabarazie pa arsye objektive, si dhe duke i trajtuar ato në mënyrë të drejtë e të paanshme.
3. Mosdiskriminimi i subjekteve në veprimtaritë kërkimore-shkencore nënkupton eliminimin e pabarazive, që lidhen me moshën, aftësinë e kufizuar, racën, përkatësinë etnike, fenë, besimin dhe orientimin seksual.
4. Barazia gjinore në veprimtaritë kërkimore-shkencore, që nënkupton eliminimin e paragjykimeve dhe të pabarazive gjinore, për të përmirësuar ekuilibrin mes punës e jetës dhe promovimin e barazisë gjinore dhe të mosdiskriminimit.
5. Transparenca, që nënkupton ushtrimin e veprimtarisë kërkimore-shkencore në mënyrë transparente të institucioneve që drejtojnë, vlerësojnë, financojnë dhe ushtrojnë veprimtaritë e kërkimit dhe të zhvillimit shkencor, inovacionit e transferimit të teknologjisë.
6. Shkenca e hapur, që nënkupton se veprimtaria kërkimore-shkencore krijon mundësi të pjesëmarrjes e të përdorimit të produktit shkencor nga studiuesit dhe publiku, pa kufizim.
7. Konkurrenca në shkencë, që nënkupton se veprimtaria kërkimore-shkencore është e bazuar në kushte të njëjta dhe të barabarta për të gjitha palët e përfshira në këtë veprimtari.
8. Cilësia në shkencë, që nënkupton respektimin e standardeve kombëtare dhe ndërkombëtare gjatë veprimtarisë së kërkimit shkencor.
9. Efikasiteti në shkencë, që nënkupton aftësinë e matshme të veprimtarisë në kërkimin shkencor.
10. Etika në shkencë, që nënkupton vlerësimin e sjelljes gjatë veprimtarisë së kërkimit shkencor.
11. Përgjegjshmëria në shkencë, që nënkupton monitorimin e veprimeve ose të mosveprimeve, në përputhje me detyrimet në fuqi, gjatë veprimtarisë kërkimore-shkencore.
12. Bashkëpunimi dhe koordinimi ndërinstitucional, që nënkupton realizimin e veprimtarive kërkimore-shkencore, duke u bazuar në bashkëpunimin e koordinimin ndërinstitucional, duke respektuar në mënyrë të ndërsjellë detyrat dhe përgjegjësitë funksionale të çdo institucioni, si dhe parimet e zonës evropiane të kërkimit (ERA).
13. Financimi eficient, që nënkupton financimin e veprimtarive                                                   kërkimore-shkencore dhe inovative, duke siguruar barazi, eficiencë, efektivitet dhe transparencë të përdorimit të fondeve.
Neni 5
Shkenca e hapur
1. Institucionet që zhvillojnë kërkim shkencor, të financuara apo të bashkëfinancuara me mjete financiare publike, zbatojnë parimin e shkencës së hapur.
2. Të dhënat dhe produktet e kërkimit shkencor, të financuara e të bashkëfinancuara me fonde publike, janë të hapura, të aksesueshme, ndërvepruese dhe të ripërdorshme, duke iu nënshtruar vetëm kufizimeve të vendosura nga mbrojtja e të drejtave të pronësisë intelektuale, mbrojtja e të dhënave personale, si dhe siguria e individëve ose e shtetit.
3. Kërkuesit shkencorë ose çdo përfitues i financimit publik të kërkimit shkencor i bën publikimet e tij të disponueshme dhe të aksesueshme për publikun.
4. Parimi i shkencës së hapur dhe praktikat që e stimulojnë atë janë kritere të vlerësimit të institucioneve, projekteve kërkimore dhe të karrierës së kërkuesit shkencor.
5. Infrastruktura e kërkimit shkencor të jetë e hapur, duke bërë të mundur që kërkuesit shkencorë të ndajnë dhe të përpunojnë rezultatet e të dhënave të kërkimit, të financuara ose të bashkëfinancuara me fonde publike, përtej kufijve kombëtarë dhe pavarësisht fushës së kërkimit shkencor.
6. Standardet dhe kriteret, që mundësojnë zbatimin e parimit të shkencës së hapur dhe janë në përputhje me politikat e zonës evropiane të kërkimit, miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
Neni 6
Fushat e kërkimit shkencor dhe klasifikimi i nënfushave të kërkimit shkencor
1. Fushat e kërkimit shkencor janë fushat e njëjta apo të ngjashme me ato evropiane të kërkimit shkencor dhe ndërkombëtar.
2. Klasifikimi i fushave dhe i nënfushave të kërkimit shkencor miratohet me urdhër të ministrit, sipas fushave të përcaktuara në pikën 1, të këtij neni.
KREU II
ORGANIZIMI I SISTEMIT TË SHKENCËS DHE TË KËRKIMIT SHKENCOR
Neni 7
Sistemi i shkencës dhe i kërkimit shkencor
1. Sistemi i shkencës dhe i kërkimit shkencor përfshin institucionet politikëbërëse, zhvilluese, financuese dhe vlerësuese të veprimtarisë së kërkimit shkencor.
2. Institucionet politikëbërëse janë Ministria dhe Këshilli Kombëtar për Shkencën dhe Kërkimin Shkencor.
3. Institucionet zhvilluese janë Akademia e Shkencave, institucionet e arsimit të lartë dhe çdo institucion apo entitet, publik apo jopublik, i cili krijohet dhe vepron sipas dispozitave të këtij ligji.
4. Institucionet financuese janë Agjencia Kombëtare e Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit dhe çdo institucion apo organizatë tjetër publike ose jopublike, që financon sistemin e shkencës dhe kërkimin shkencor.
5. Institucionet vlerësuese të veprimtarisë së kërkimit shkencor janë Ministria dhe Akademia e Shkencave.
Neni 8
Ministri/a përgjegjëse
1. Ministria është institucioni përgjegjës që harton, drejton, koordinon dhe realizon politikat e programit qeverisës në fushën e shkencës dhe të kërkimit shkencor. Ministria vlerëson veprimtarinë kërkimore të institucioneve të kërkimit shkencor, financuar me fonde publike, në përputhje me aktet ligjore e nënligjore në fuqi, si dhe administron Regjistrin Kombëtar të Institucioneve, Instituteve, Njësive të Veçanta të Kërkimit Shkencor dhe Kërkuesve Shkencorë, në përputhje me këtë ligj.
2. Ministri ka këto kompetenca:
a) Harton politika në fushën e shkencës dhe të kërkimit shkencor, si dhe i propozon Këshillit të Ministrave miratimin e strategjisë në këtë fushë;
b) Harton dhe propozon në Këshillin e Ministrave fushat dhe nënfushat prioritare të kërkimit shkencor;
c) Propozon në Këshillin e Ministrave modelin e financimit të buxhetit për shkencën dhe kërkimin shkencor, sipas përcaktimeve të këtij ligji dhe akteve të tjera, ligjore e nënligjore në fuqi;
 ç) Harton dhe propozon për miratim pranë Këshillit të Ministrave Kodin e Etikës në Shkencë dhe në Kërkim Shkencor të harmonizuar me Kodin Evropian të Sjelljes për Integritet në Kërkimin Shkencor.
Neni 9
Këshilli Kombëtar për Shkencën dhe Kërkimin Shkencor
Këshilli Kombëtar për Shkencën dhe Kërkimin Shkencor është një organ këshillimor i ngritur pranë Kryeministrit, që ka për detyrë të ndikojë për përmirësimin e veprimtarisë kërkimore-shkencore në vend, duke dhënë rekomandime lidhur me të.
Neni 10
Përbërja e Këshillit Kombëtar për Shkencën dhe Kërkimin Shkencor
1. Këshilli Kombëtar për Shkencën dhe Kërkimin Shkencor drejtohet nga Kryeministri dhe përbëhet nga 19 anëtarë, si më poshtë vijon:
a) Ministri përgjegjës për shkencën;
b) Ministri përgjegjës për inovacionin;
c) Ministri përgjegjës për energjinë;
ç) Ministri përgjegjës për bujqësinë;
d) Ministri përgjegjës për shëndetësinë;
dh) Ministri përgjegjës për mbrojtjen;
e) Ministri përgjegjës për mjedisin;
   ë) Katër përfaqësues të institucioneve të arsimit të lartë;
f) Kryetari dhe tre përfaqësues të Akademisë së Shkencave;
g) Dy përfaqësues të qendrave të transferimit të teknologjive bujqësore;
gj) Përfaqësues të Agjencisë Kombëtare të Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit;
h) Përfaqësuesi i Agjencisë së Inovacionit dhe Ekselencës.
2. Anëtarët e këtij këshilli, përfaqësues të institucioneve të arsimit të lartë, janë personalitete të njohura në fushën e shkencës dhe të kërkimit shkencor, të caktuar nga Konferenca e Rektorëve.
3. Anëtarët e këtij këshilli, përfaqësues të qendrave të transferimit të teknologjive bujqësore, janë personalitete të njohura në fushën e shkencës dhe të kërkimit shkencor, të caktuar nga ministri përgjegjës për bujqësinë.
4. Anëtarët e këtij këshilli qëndrojnë në detyrë për sa kohë ushtrojnë detyrën në institucionet e përfaqësuara sipas pikës 1, të këtij neni, apo nuk janë liruar nga ky këshill nga institucioni që i ka caktuar.
5. Organizimi, funksionimi dhe rastet e lirimit të anëtarëve të këtij Këshilli përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
Neni 11
Detyrat e Këshillit Kombëtar për Shkencën dhe Kërkimin Shkencor
Këshilli Kombëtar për Shkencën dhe Kërkimin Shkencor ka këto detyra:
1. Orienton politika mbështetëse për shkencën dhe kërkimin shkencor;
2. Rekomandon fushat prioritare të shkencës e të kërkimit shkencor dhe mekanizmat e mbështetjes;
3. Jep mendim në hartimin Strategjisë Kombëtare të Shkencës dhe Kërkimit Shkencor apo dokumente të ngjashme, si programet afatmesme e afatgjata të zhvillimit të shkencës e inovacionit për fusha të rëndësishme të shkencës.
4. Monitoron Sistemin Kombëtar të Shkencës e të Kërkimit Shkencor, si dhe ecurinë drejt integrimit të sistemit në zonën evropiane të kërkimit (ERA), duke rekomanduar përmirësimin e tij sipas rastit.
KREU III
ORGANIZIMI INSTITUCIONAL I KËRKIMIT SHKENCOR
Neni 12
Institucionet, institutet dhe njësitë e veçanta të kërkimit shkencor
1. Kërkimi shkencor në Republikën e Shqipërisë realizohet nga persona juridikë, publikë ose jopublikë, të organizuar në institucione të kërkimit shkencor, institute dhe njësi të veçanta të kërkimit shkencor, të ngritura për të kryer veprimtari në fushën e shkencës e të kërkimit shkencor.
2. Institucionet pranë të cilave kryhet veprimtaria e kërkimit shkencor, që organizohen dhe funksionojnë sipas akteve ligjore të posaçme, janë:
a) Akademia e Shkencave;
b) institucionet e arsimit të lartë;
c) parqet teknologjike dhe shkencore;
ç)  qendrat e transferimit të teknologjive bujqësore;
d)  institucione të tjera të krijuara me ligje të posaçme.
3. Instituti i kërkimit shkencor përbëhet nga jo më pak se dy njësi të kërkimit shkencor, të organizuara në formën e departamentit, qendrës kërkimore, laboratorit kërkimor ose qendrës eksperimentale, që zhvillojnë dhe mbështesin veprimtarinë kërkimore-shkencore, në përputhje me këtë ligj.
4. Njësitë e kërkimit shkencor të organizuara në formën e departamentit, qendrës kërkimore, laboratorit kërkimor dhe qendrës eksperimentale ushtrojnë aktivitetin si pjesë përbërëse e instituteve të kërkimit shkencor.
5. Njësitë e veçanta të kërkimit shkencor organizohen si njësi të kërkimit shkencor, që realizojnë kërkim shkencor në fusha të veçanta të organizuara sipas legjislacionit në fuqi.
6. Për interesa të përbashkët kërkimorë, studimorë dhe zhvillimorë, institutet apo njësitë e kërkimit shkencor mund të bashkëpunojnë në kuadër të marrëveshjeve të përbashkëta në përputhje me aktet rregullatore të tyre.
7. Institucionet, sipas shkronjave “c” dhe “ç”, të pikës 2, të këtij neni, dhe institucione të tjera të ngjashme në varësi të ministrive të linjës, organizohen dhe funksionojnë me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozim të ministrit përgjegjës për fushën dhe, krahas kërkimit shkencor, kryejnë funksione dhe detyra të përcaktuara në vendim.
Neni 13
Instituti i Kërkimit Shkencor
1. Instituti i Kërkimit Shkencor ka për objekt kërkimin shkencor e zbatimin e tij në një apo në disa fusha të shkencës.
2. Organet drejtuese të Institutit të Kërkimit Shkencor janë Këshilli Shkencor dhe drejtuesi i Institutit të Kërkimit Shkencor, i cili i përket të paktën kategorisë “kërkues shkencor i avancuar”.
3. Këshilli Shkencor i Institutit të Kërkimit Shkencor është organi më i lartë vendimmarrës për drejtimin dhe vlerësimin e veprimtarisë shkencore të tij. Këshilli Shkencor përbëhet nga jo më pak se 5 (pesë) anëtarë, që përfaqësojnë njësitë përbërëse të Institutit të Kërkimit Shkencor.
4. Këshilli Shkencor i Institutit të Kërkimit Shkencor ka këto kompetenca:
a) Përcakton politikat dhe planin strategjik, të lidhura me fushat e kërkimit shkencor në përputhje me misionin e Institutit të Kërkimit Shkencor;
b) Miraton rregulloren e brendshme të Institutit të Kërkimit Shkencor;
c) Miraton raportin, planin vjetor dhe afatmesëm të veprimtarisë                  kërkimore-shkencore;
ç) Shqyrton dhe miraton marrëveshjet e bashkëpunimit me institucionet kombëtare dhe ndërkombëtare në përputhje me fushën e tij të veprimtarisë;
d) Miraton rregulloren e komitetit të etikës;
dh) Nxit dhe mbështet zhvillimin e karrierës profesionale të punonjësve kërkimorë-shkencorë.
5. Përbërja, organizimi, mënyra e përzgjedhjes dhe kompetencat e tjera të Këshillit Shkencor përcaktohen në rregulloren e miratuar nga Këshilli Shkencor.
6. Drejtuesi i Institutit të Kërkimit Shkencor zgjidhet ose emërohet sipas përcaktimeve në aktin të krijimit.
7. Drejtuesi i Institutit të Kërkimit Shkencor është përfaqësuesi i tij dhe drejton Këshillin Shkencor.
8. Struktura, përbërja, funksionimi dhe drejtimi i Institutit të Kërkimit Shkencor përcaktohen në aktin e krijimit.
Neni 14
Njësitë e veçanta të kërkimit shkencor
1. Njësitë e veçanta të kërkimit shkencor organizohen si departamente, qendra kërkimore, laboratorë kërkimorë ose qendra eksperimentale dhe ushtrojnë aktivitetin edhe pa qenë pjesë e një institucioni të krijuar me ligj të posaçëm ose e një instituti kërkimor-shkencor.
2. Organi drejtues i njësisë së veçantë të kërkimit shkencor është drejtuesi i njësisë, i cili i përket të paktën kategorisë “kërkues shkencor”. Procedura e emërimit dhe e largimit të drejtuesit të njësisë përcaktohen në aktin e krijimit.
3. Njësitë e veçanta të kërkimit shkencor kanë në përbërje të tyre jo më pak se tre anëtarë, nga të cilët, dy anëtarë i përkasin të paktën kategorisë “kërkues shkencor” dhe një anëtar “asistent kërkues shkencor”.
4. Struktura, përbërja, funksionimi dhe drejtimi i njësisë së veçantë të kërkimit shkencor përcaktohen në aktin e krijimit.
Neni 15
Bashkëpunimi i institucioneve, i instituteve dhe i njësive të veçanta të kërkimit shkencor
1. Institucionet e krijuara me ligje të posaçme, institutet dhe njësitë e veçanta të kërkimit shkencor bashkëpunojnë me njëra-tjetrën, si dhe me institucione e njësi të tjera, publike ose jopublike, vendase ose të huaja, qendrat e transferimit të teknologjive, parqet teknologjike, njësitë e vetëqeverisjes vendore, sipas marrëveshjeve të bashkëpunimit, me qëllim realizimin e misionit të tyre në fushën e kërkimit shkencor.
2. Bashkëpunimi në fushën e kërkimit shkencor me IAL-të bëhet kryesisht me qëllim:
a) zhvillimin e programeve të studimit të ciklit të dytë dhe të tretë nëpërmjet vënies në dispozicion të infrastrukturës dhe burimeve njerëzore;
b) zhvillimin e projekteve të përbashkëta të kërkimit shkencor;
c) zhvillimin e teknologjisë dhe të inovacionit të produkteve në një fushë të caktuar me interes specifik në zhvillimin ekonomik e social;
ç) shkëmbimin e informacionit, të dijeve, inovacionit dhe produkteve të kërkimit.
KREU IV
KRIJIMI, REGJISTRIMI, LEJIMI, PEZULLIMI, MBYLLJA                        DHE VLERËSIMI I INSTITUTEVE DHE I NJËSIVE TË VEÇANTA               TË KËRKIMIT SHKENCOR
Neni 16
Krijimi i instituteve dhe i njësive të veçanta të kërkimit shkencor
1. Institutet dhe njësitë e veçanta të kërkimit shkencor krijohen sipas përcaktimeve të këtij ligji dhe e fillojnë ushtrimin e aktivitetit me hyrjen në fuqi të aktit të krijimit. Institutet dhe njësitë e veçanta të kërkimit shkencor, pjesë e institucioneve të krijuara me ligj të posaçëm, krijohen dhe e ushtrojnë aktivitetin sipas përcaktimeve në ligjin e krijimit.
2. Në aktin e krijimit të institutit apo të njësisë së veçantë të kërkimit shkencor përcaktohen, të paktën:
a) lloji;
b) emri dhe selia;
c) misioni, objekti dhe fusha e veprimtarisë;
ç) struktura organizative.
3. Riorganizimi i brendshëm i institutit dhe i njësive të veçanta të kërkimit shkencor bëhet me propozim të një ose të disa njësive përbërëse dhe me miratim të organit, që miraton strukturën dhe organikën.
4. Kriteret dhe procedurat për krijimin e instituteve dhe të njësive të veçanta publike të kërkimit shkencor, si dhe krijimi i tyre përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
Neni 17
Statuti dhe aktet e brendshme të instituteve dhe njësive të veçanta të kërkimit shkencor
Institutet dhe njësitë e veçanta të kërkimit shkencor rregullojnë veprimtarinë e tyre në bazë të këtyre akteve:
1. Statuti, i cili përmban normat bazë, që rregullojnë veprimtarinë e institutit dhe të njësisë së veçantë të kërkimit shkencor, miratohet nga organi drejtues i tij. Në statut, në përputhje me aktin e krijimit të institutit apo të njësisë së veçantë të kërkimit shkencor, përcaktohen: organizimi, strukturat përbërëse të tij, veprimtaritë e organeve drejtuese, zgjedhja apo emërimi i tyre, si dhe çështje të tjera, që rregullojnë veprimtarinë e tyre.
2. Rregulloret e instituteve dhe të njësive të veçanta të kërkimit shkencor rregullojnë veprimtarinë e tyre të brendshme në zbatim të ligjit, statutit e programit të tij. Ato hartohen e miratohen në përputhje me këtë ligj dhe sipas mënyrës së përcaktuar në statutin e institutit e të njësive të veçanta të kërkimit shkencor.
3. Kodi i etikës së institutit dhe i njësisë së veçantë të kërkimit shkencor miratohet në përputhje me parimet e përgjithshme të etikës dhe integritetit në kërkimin shkencor nga struktura drejtuese e entitetit.
4. Dokumenti strategjik përcakton vizionin, misionin, objektivat afatgjatë të institutit dhe të njësisë së veçantë të kërkimit shkencor, në zbatim të Strategjisë Kombëtare të Kërkimit Shkencor.
5. Plani për barazinë gjinore nxit pjesëmarrje e trajtim të barabartë gjinor në organizimin e organeve drejtuese dhe veprimtaritë kërkimore.
Neni 18
Regjistri Kombëtar i Institucioneve, Instituteve, Njësive të Veçanta të Kërkimit Shkencor dhe Kërkuesve Shkencorë
1. Regjistri Kombëtar i Institucioneve, Instituteve, Njësive të Veçanta të Kërkimit Shkencor dhe Kërkuesve Shkencorë është regjistër unik, ku regjistrohen dhe ruhen të dhëna për institucionet e kërkimit shkencor dhe kërkuesit shkencorë. Ky regjistër mbahet dhe administrohet nga struktura përgjegjëse në ministri.
2. Në këtë regjistër pasqyrohen të dhënat e aktit të krijimit të institucionit të krijuar me ligj të posaçëm, instituteve dhe njësive të veçanta të kërkimit shkencor, si dhe të dhëna të tjera të përcaktuara në vendimin përkatës të Këshillit të Ministrave.
3. Forma, përmbajtja, elementet e regjistrit dhe procedurat e krijimit, administrimit të informacionit, si dhe dokumentacioni që depozitohet për regjistrim përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
Neni 19
Leja për ushtrimin e një veprimtarie të një fushe të një rëndësie të veçantë
1. Institutet dhe njësitë e veçanta të kërkimit shkencor, që krijohen për të ushtruar veprimtarinë e tyre në fusha të një rëndësie të veçantë, pajisen me lejen përkatëse nga ministri.
2. Me këtë leje pajisen edhe institutet e njësitë e veçanta të kërkimit shkencor, të cilat shtojnë në aktivitetin e tyre veprimtarinë në fushat e një rëndësie të veçantë të kërkimit shkencor dhe plotësojnë kriteret përkatëse.
3. Fushat e rëndësisë së veçantë të kërkimit shkencor, për të cilat kërkohet leje e veprimtarisë kërkimore-shkencore, si dhe kriteret e procedurat për lëshimin e lejes përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
Neni 20
Vlerësimi i instituteve dhe i njësive të veçanta të kërkimit shkencor
1. Institutet dhe njësitë e veçanta të kërkimit shkencor, të cilat financohen nga fonde publike, sipas këtij ligji, i nënshtrohen periodikisht vlerësimit të përmbushjes së kushteve dhe kritereve të funksionimit nga strukturat përgjegjëse në ministri.
2. Kriteret, procedurat, periodiciteti dhe metodologjia e këtij vlerësimi, si dhe llojet e masave miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
Neni 21
Pezullimi, mbyllja e institutit dhe e njësisë së veçantë të kërkimit shkencor
1. Në rast se nga vlerësimi dhe monitorimi i veprimtarisë nga ministria konstatohet që instituti ose njësia e veçantë e kërkimit shkencor nuk përmbush kriteret e funksionimit, ministri vendos kushte për vijimin e veprimtarisë nën mbikëqyrje të ministrisë ose pezullimin e veprimtarisë deri në plotësimin e kushteve, për një periudhë jo më të gjatë se dy vite kalendarike. Rregullat dhe procedurat për vendosjen nën mbikëqyrje, pezullimin dhe mbylljen e institutit dhe të njësisë së veçantë të kërkimit shkencor, sipas përcaktimeve të kësaj pike dhe të pikës 2, të këtij neni, përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
2. Veprimtaria e institutit ose e njësisë së veçantë të kërkimit shkencor mbyllet me propozimin e ministrit nga organi që e ka krijuar, në rastet e mëposhtme:
a) Me iniciativën e vetë institutit apo të njësisë:
b) Në rastet e mbarimit të personalitetit juridik të institutit ose të njësisë së veçantë të kërkimit shkencor, kur gëzon personalitet juridik, sipas parashikimeve ligjore;
c) Për shkak të shkeljeve të rënda ligjore në kryerjen e veprimtarisë së tij, të konstatuara nga kontrolli i ligjshmërisë, i cili realizohet së paku një herë në tre vjet nga strukturat përgjegjëse në ministri;
ç) Për shkak të mospërmbushjes së misionit për 24 (njëzet e katër) muaj nga data e hyrjes në fuqi të aktit të krijimit;
d) Për shkak të vlerësimit negativ të përsëritur pa ndërprerje të ministrisë;
dh) Në rastin e konstatimit të shkeljeve nga auditimi financiar, i cili realizohet së paku një herë në dy vjet nga ministria.
3. Akti për mbylljen e institutit ose të njësisë së veçantë të kërkimit shkencor depozitohet pranë Regjistrit Kombëtar të Institucioneve, Instituteve, Njësive të Veçanta të Kërkimit Shkencor dhe Kërkuesve Shkencorë.
Neni 22
Statusi “qendër ekselence” dhe “njësi e posaçme”
1. Instituti dhe njësitë e veçanta të kërkimit shkencor, për rezultate të spikatura në nivel kombëtar ose ndërkombëtar në fushën e kërkimit apo për zhvillimin e kërkimit shkencor në fusha prioritare, mund të fitojnë statusin “qendër ekselence”.
Institutet apo njësitë e veçanta me statusin “qendër ekselence” mund të përfitojnë fonde grant të dedikuara për kërkimin shkencor.
Dhënia e statusit “qendër ekselence” propozohet nga ministri për një afat kohor të përkohshëm apo të përhershëm dhe miratohet me vendim të Këshillit të Ministrave. Kriteret dhe procedurat për dhënien e statusit përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
2. Struktura të ndryshme publike të kërkim-zhvillimit mund të fitojnë statusin “njësi e posaçme”, si njësi, që, krahas veprimtarisë kërkimore kryesisht në zbatim, eksperimentimin e përhapjes së arritjeve, të produkteve e teknologjive të reja, mund të kryejnë edhe funksion mësimdhënës në përgatitjen e specialistëve e të kërkuesve të rinj në fusha specifike, në bashkëpunim me institucionet publike të arsimit të lartë të fushës së kërkimit, në nivelet e ciklit të dytë e të tretë të studimeve, si dhe në kuadër të veprimtarisë shkencore të aplikuar në fushën, ku zhvillojnë aktivitetin e kërkimit.
3. “Njësia e posaçme” mund të financohet drejtpërdrejt nga ministria e linjës, institucioni publik i arsimit të lartë, institucione publike dhe jopublike apo subjekte private biznesi nëpërmjet marrëveshjeve të bashkëpunimit, në kuadër të veprimtarive të kërkim-zhvillimit.
4. “Njësia e posaçme” mund të sigurojë të ardhura të veta nëpërmjet shërbimeve të kualifikuara për të tretë, sipas tarifave të miratuara nga organet e saj drejtuese.
5. Statusi “njësi e posaçme” jepet me vendim të Këshillit të Ministrave me propozim të ministrit përgjegjës për shkencën dhe fushën përkatëse të kërkimit, pas marrjes së mendimit nga institucioni publik i arsimit të lartë. Masa dhe mënyra e pagesës për stafin akademik dhe atë kërkimor-shkencor të angazhuar nga IAL-i përcaktohen në status. Modalitetet dhe procedurat e bashkëpunimit midis njësisë, institucionit publik të arsimit të lartë dhe subjektit privat, në rast se ka të tillë, rregullohen me marrëveshje të përbashkët ndërmjet palëve.
KREU V
                    PERSONELI KËRKIMOR-SHKENCOR
Neni 23
Personeli i instituteve dhe i njësive të veçanta të kërkimit shkencor
1. Personeli i instituteve dhe i njësive të veçanta të kërkimit shkencor përbëhet nga punonjës kërkimorë shkencorë, punonjës ndihmësteknikë dhe administrativë. Rregullimi i marrëdhënieve të punësimit ndërmjet palëve përcaktohen në kontratën e punës, e cila nënshkruhet nga drejtuesi i tyre, në përputhje me Kodin e Punës, me kohëzgjatje të caktuar ose të pacaktuar, si edhe me angazhim me kohë të plotë ose me kohë të pjesshme.
2. Procedurat e rekrutimit përcaktohen në rregulloret e brendshme të tyre. Për institutet dhe njësitë e veçanta të kërkimit shkencor jopublik, personeli kërkimor-shkencor rekrutohet sipas përcaktimeve në statutet dhe në rregulloret e brendshme të tyre.
3. Institutet dhe njësitë e veçanta të kërkimit shkencor kanë të drejtë të punësojnë për periudha të shkurtra kohe kërkues, studiues, personalitete në fushën e shkencës dhe të kërkimit shkencor, vendas ose të huaj. Personeli i ftuar punësohet dhe shpërblehet sipas përcaktimeve në statut, në rregulloren e institutit/njësisë së veçantë dhe në përputhje me legjislacionin e punës në Republikën e Shqipërisë.
4. Niveli i pagës, kategorizimet në pagë dhe shpërblimi për punën në bazë të cilësisë dhe të rëndësisë së rezultateve të kërkimit shkencor të personelit të instituteve dhe të njësive të veçanta të kërkimit shkencor publik përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave, sipas legjislacionit në fuqi të fushës përkatëse. Për institutet, njësitë e veçanta të kërkimit shkencor jopublike, niveli i pagës dhe kategorizimet në pagë përcaktohen në kontratën e punës ndërmjet palëve.
Neni 24
Të drejtat dhe detyrat e punonjësit kërkimor-shkencor
1. Punonjësi kërkimor-shkencor ka të drejtë:
a) të zgjedhë lirshëm drejtimin dhe metodën e kërkimit shkencor, sipas synimeve të tij shkencore, si dhe në funksion e në përputhje me veprimtarinë dhe misionin e institutit ose të njësisë së veçantë pranë të cilit është i punësuar;
b) të marrë pjesë në formimin e kërkuesve dhe të specialistëve të lartë për fushën përkatëse nëpërmjet aktivitetit të mësimdhënies në të gjitha ciklet e studimit, si dhe udhëheqjeve në ciklin e dytë ose të tretë, në përputhje me kriteret e akteve nënligjore përkatëse;
c) të ketë mbështetjen e nevojshme financiare për realizimin e planit të punës kërkimore-shkencore dhe promovimin e tij në karrierë;
ç) të ketë kushtet e duhura logjistike dhe të punës në kryerjen e veprimtarisë së tij kërkimore-shkencore;
d) të marrë pjesë në kurse kualifikimi, shkëmbim përvoje ose veprimtari kërkimore-shkencore pranë institucioneve homologe dhe të tjera të ngjashme, brenda ose jashtë vendit;
dh) të vlerësohet dhe të shpërblehet për punën e tij në bazë të cilësisë dhe të rëndësisë së rezultateve, në kuadër të pjesëmarrjes në veprimtari dhe në projekte të kërkimit shkencor;
e) të publikojë rezultatet e punës së tij kërkimore;
ë) të gëzojë të drejtat e tij intelektuale të rezultateve dhe të botimeve të tij, sipas legjislacionit përkatës e parashikimeve kontraktore me institucionin, ku është punësuar.
2. Punonjësi kërkimor-shkencor ka detyrimin:
a) të zbatojë statutin dhe rregulloren e institucionit kërkimor-shkencor;
b) të respektojë kodin e etikës;
c) të zbatojë programin e veprimtarisë kërkimore-shkencore;
ç)  të respektojë parimet e shkencës së hapur;
d) të ndjekë programet e detyrueshme të kualifikimit të përcaktuara me aktet e brendshme të institucionit të kërkimit shkencor.
3. Të drejtat dhe detyrimet të tjera të punonjësve përcaktohen në statutin dhe aktet përkatëse të institucionit në përputhje me këtë ligj.
Neni 25
Kategoritë e punonjësve kërkimorë-shkencorë dhe kriteret për fitimin e kategorive
1. Punonjësit kërkimorë-shkencorë klasifikohen në kategoritë e mëposhtme:
2.
a) Asistent kërkues shkencor;
b) Kërkues shkencor;
c) Kërkues shkencor i avancuar;
ç)  Drejtues kërkimor-shkencor.
2. Kriteret dhe procedurat për përfitimin e kategorisë nga punonjësit kërkimorë shkencorë përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
Neni 26
Titulli “shkencëtar emeritus”
1. Institutet e kërkimit shkencor të krijuara sipas këtij ligji akordojnë titullin “shkencëtar emeritus” për punonjësit e kategorisë “drejtues kërkimor-shkencor”, pas daljes në pension, në bazë të vlerësimit të veprimtarisë tyre të spikatur kërkimore-shkencore nga instituti që propozon dhënien e titullit, pas marrjes së pëlqimit nga ministri.
2. “Shkencëtari emeritus”, sipas nevojave të institutit apo të njësisë së veçantë kërkimore-shkencore, mund të marrë pjesë në veprimtari të kërkimit shkencor.
3. Institucionet e kërkimit shkencor, që organizohen dhe funksionojnë sipas ligjeve të posaçme akordojnë tituj sipas përcaktimeve në ligjin e krijimit.
Neni 27
Lëvizshmëria e punonjësit kërkimor-shkencor
1. Punonjësi kërkimor-shkencor, në kuadër të një projekti apo marrëveshjeje bashkëpunimi, mund të ushtrojë veprimtarinë e tij kërkimore-shkencore jashtë vendit për një periudhë kohore të caktuar. Kriteret, rregullat e kohëzgjatjes së periudhës së qëndrimit, marrëdhëniet administrative dhe raportet e punonjësit me institucionin, ku do të angazhohet, përcaktohen me marrëveshje ndërmjet palëve, bazuar në aktet e brendshme të institutit apo të njësisë së veçantë, ku është punësuar.
2. Punonjësi kërkimor-shkencor i huaj mund të ushtrojë veprimtarinë e tij kërkimore-shkencore pranë një institucioni të krijuar me ligj të posaçëm, instituti apo njësie të veçantë kërkimore-shkencore, në kuadër të një projekti apo marrëveshjeje bashkëpunimi, për një periudhë të caktuar kohe, në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe aktet e brendshme të tyre.
Neni 28
Periudha sabatike
1. Punonjësi kërkimor-shkencor ka të drejtë të shkëputet nga angazhimet e institutit apo të njësisë së veçantë kërkimore-shkencore, për përparimin e tij profesional, një herë në 7 (shtatë) vjet, për periudha kohe deri në 1 (një) vit kalendarik.
2. Miratimi i periudhës sabatike bëhet nga titullari i institutit apo i njësisë së veçantë. Të drejtat dhe detyrimet e përfituesit të periudhës sabatike përcaktohen në statut dhe në rregulloret e brendshme.
Neni 29
Vlerësimi i veprimtarisë së punonjësit kërkimor-shkencor
1. Rezultatet e veprimtarisë së punonjësit kërkimor-shkencor vlerësohen në vazhdimësi në mënyrë periodike në institutin apo në njësinë e veçantë kërkimore-shkencore, ku ushtron aktivitetin, prej strukturave të ngritura për këtë qëllim.
2. Kriteret për vlerësimin e veprimtarisë kërkimore-shkencore të punonjësit kërkimor-shkencor përcaktohen me udhëzim të ministrit.
KREU VI
INTEGRITETI NË SHKENCË DHE NË KËRKIMIN SHKENCOR
Neni 30
 Kodi i Etikës në Shkencë dhe në Kërkim Shkencor
1. Kodi i Etikës në Shkencë dhe në Kërkim Shkencor është dokumenti kryesor për garantimin e vlerave të kërkimit shkencor për të gjitha institutet apo njësitë e veçanta kërkimore-shkencore, ku kryhet veprimtari kërkimore-shkencore. Ky kod miratohet me vendim të Këshillit të Ministrave.
2. Kodi i Etikës në Shkencë dhe në Kërkim Shkencor përmban:
a) parimet themelore të etikës në shkencë dhe kërkim;
b) praktikat e mira të shkencës dhe të kërkimit;
c) llojet e shkeljeve dhe të masave disiplinore, si dhe procedurat për dhënien e tyre, në rastin e shkeljeve të etikës në shkencë dhe në kërkim;
ç) risqet dhe sistemin e menaxhimit të tyre në shkencë dhe në kërkim shkencor.
3. Çdo institut apo njësi e veçantë kërkimore-shkencore respekton Kodin e Etikës në Shkencë dhe në Kërkim Shkencor, duke përcaktuar procedurat specifike në zbatim të tij.
Neni 31
Komiteti i Etikës në Kërkimin Shkencor
1. Komiteti i Etikës në Kërkimin Shkencor ngrihet pranë instituteve apo njësive të veçanta kërkimore-shkencore të parashikuara në këtë ligj dhe vepron në bazë të Kodit të Etikës në Shkencë dhe në Kërkim Shkencor dhe rregulloreve përkatëse të miratuara nga vetë ato. Në përbërje të tij mund të përfshihen edhe ekspertë të jashtëm, sipas përcaktimeve të bëra në rregulloret e tyre.
2. Komiteti i Etikës në Kërkimin Shkencor vlerëson plotësimin e kritereve për shmangien e riskut në kërkimin shkencor, në përputhje me Kodin e Etikës në Shkencë dhe në Kërkim Shkencor. Risku i kërkimit vlerësohet në çdo projekt kërkimor dhe ndryshim të tij për veprimtaritë dhe produktin e kërkimit shkencor.
3. Komiteti i Etikës në Kërkimin Shkencor propozon masat disiplinore, sipas parashikimeve të dispozitave të këtij ligji.
4. Përbërja dhe funksionimi i Komitetit të Etikës në Kërkimin Shkencor rregullohet me aktet e brendshme të institutit apo të njësisë së veçantë të kërkimit shkencor.
Neni 32
Shkeljet dhe masat disiplinore në kërkimin shkencor
1. Plagjiatura, falsifikimi dhe fabrikimi i rezultateve të kërkimit shkencor përbëjnë shkelje të rënda të etikës në kërkimin shkencor.
2. Masat këshilluese dhe ato disiplinore ndaj punonjësve, që shkelin etikën në kërkim shkencor, propozohen nga Komiteti i Etikës në Kërkimin Shkencor dhe jepen nga titullari i institutit apo i njësisë së veçantë të kërkimit shkencor, bazuar në Kodin e Etikës në Shkencë dhe në Kërkim Shkencor.
3. Masa disiplinore më e rëndë është shfuqizimi i kategorisë së punonjësit të kërkimit shkencor, e cila jepet vetëm për shkelje të rënda të etikës së kërkimit shkencor.
4. Punonjësi kërkimor-shkencor, të cilit i është shfuqizuar kategoria, mund të aplikojë për të njëjtën kategori, pas kalimit të 3 (tre) vjetëve nga akti i shfuqizimit.
KREU VII
FINANCIMI I KËRKIMIT SHKENCOR DHE INOVACIONIT
Neni 33
Burimet e financimit
1. Institutet/njësitë e veçanta, qendrat e ekselencës dhe njësitë e posaçme të kërkimit shkencor financohen me fonde nga:
a) buxheti i shtetit;
b) projektet ndërkombëtare të kërkimit shkencor dhe inovacionit;
c) të ardhura nga veprimtari të kërkimit shkencor dhe inovacionit;
ç) të ardhura nga shërbime tekniko-shkencore për të tretët;
d) të drejtat e pronësisë intelektuale, si: patentat, shpikjet, veprat e ndryshme etj.;
dh) të ardhura nga aplikimi në praktikë i rezultateve të veprimtarisë kërkimore dhe inovacionit nga institutet e njësitë e veçanta të kërkimit shkencor;
e) dhurime nga donatorë të ndryshëm;
ë) burime ose veprimtari të tjera të ligjshme.
2. Institutet dhe njësitë e veçanta të kërkimit shkencor janë të detyruara të sigurojnë një përdorim sa më efektiv dhe ekonomik të burimeve financiare publike, duke respektuar parimet e transparencës dhe të ligjshmërisë.
3. Burimet financiare të vëna në dispozicion të instituteve dhe të njësive të veçanta të kërkimit shkencor, nga organizma jopublikë ose ndërkombëtarë, përdoren vetëm për përmbushjen e misionit dhe të objektivave të tyre.
4. Për institucionet e arsimit të lartë dhe institucionet e tjera publike, të cilat aktualisht ushtrojnë veprimtari në fushën e kërkimit shkencor dhe organizohen me ligj të veçantë, burimet e financimit rregullohen sipas ligjit përkatës dhe përcaktimeve të këtij ligji.
Neni 34
Mënyrat e financimit për institucionet publike të kërkimit shkencor
1. Mënyra e financimit nga buxheti i shtetit dhe kategorizimi i fondeve buxhetore për institucionet e arsimit të lartë dhe institucionet e tjera publike, të cilat aktualisht ushtrojnë veprimtari në fushën e kërkimit shkencor, përcaktohet sipas legjislacioneve specifike të fushave, ku ushtrojnë veprimtarinë, dhe përcaktimeve të këtij ligji. Institucionet e krijuara me ligj të veçantë financohen sipas përcaktimeve në ligjin e krijimit.
2. Burimet financiare për veprimtarinë e kërkimit shkencor për institucionet, institutet dhe njësitë e veçanta publike të kërkimit shkencor planifikohen, miratohen, administrohen, pasqyrohen dhe raportohen, sipas legjislacionit në fuqi për menaxhimin financiar dhe kontrollin.
Neni 35
Financimi për programet apo projektet kërkimore
Institucionet e krijuara me ligj të posaçëm, institutet dhe njësitë e veçanta të kërkimit shkencor, publike dhe jopublike, financohen mbi baza konkurruese të programeve apo të projekteve kërkimore, që paraqesin për financim pranë ministrisë apo institucionit përgjegjës të varësisë, sipas kritereve dhe procedurave të përcaktuara me udhëzim të ministrit. Për përdorimin e fondeve publike, ato i nënshtrohen auditimit financiar.
Neni 36
Bashkëfinancimi i projekteve kërkimore
1. Institutet dhe njësitë e veçanta të kërkimit shkencor për projekte kërkimore të veçanta mund të financohen nga fonde të krijuara nga bashkimi i dy ose më shumë burimeve të mëposhtme:
a) Buxheti i shtetit;
b) Financime të ligjshme nga subjekte jopublike;
c) Financime të ligjshme nga institucione ndërkombëtare.
2. Masa dhe mënyra e financimit rregullohen në marrëveshjen dy- a shumëpalëshe, që lidhin institucionet dhe njësitë e kërkimit shkencor.
Neni 37
Administrimi i aseteve
1. Institutet dhe njësitë e veçanta të kërkimit shkencor kanë në administrim ose në pronësi godinat, ku zhvillojnë aktivitetin, pajisjet, revistën, bibliotekën, muzeun, si dhe produkte të krijimtarisë intelektuale. Këto institucione, gjatë aktivitetit të tyre, krijojnë apo zhvillojnë asete financiare apo fizike nëpërmjet burimeve të ligjshme të financimit.
2. Pronat e paluajtshme, në të cilat ushtrojnë veprimtarinë e tyre institutet dhe njësitë e veçanta publike të kërkimit shkencor, që shërbejnë për të garantuar përmbushjen e misionit të institucionit, kalojnë në administrim të tij, me vendim të Këshillit të Ministrave.
3. Institutet dhe njësitë e veçanta publike të kërkimit shkencor kanë detyrimin të ruajnë e të mirëmbajnë pronat në administrim dhe nuk mund të ndryshojnë destinacionin e tyre.
KREU VIII
DISPOZITA KALIMTARE DHE TË FUNDIT
Neni 38
Dispozita kalimtare
1. Të gjitha institucionet, institutet dhe njësitë e veçanta të kërkimit shkencor të krijuara para hyrjes në fuqi të këtij ligji kanë detyrimin të depozitojnë informacionin dhe dokumentacionin, në përputhje me elementet e Regjistrit Kombëtar të Institucioneve dhe Kërkuesve Shkencorë, brenda 24 (njëzet e katër) muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji.
2. Vlerësimi i parë i instituteve apo i njësive të veçanta të kërkimit shkencor ekzistues bëhet brenda 3 (tre) vjetëve nga hyrja në fuqi e këtij ligji.
3. Aktet nënligjore të miratuara para hyrjes në fuqi të këtij ligji dhe që nuk bien ndesh me të do të zbatohen derisa nuk janë miratuar aktet nënligjore të parashikuara në këtë ligj.
Neni 39
Aktet nënligjore
1. Ngarkohet Këshilli i Ministrave që, brenda 1 (një) viti nga hyrja në fuqi e këtij ligji, të miratojë aktet nënligjore në zbatim të neneve 5, pika 6, 8, pika 2, 10,               pika 5, 16, pika 5, 18, pika 3, 19, pika 3, 20, pika 2, 21, pika 1, 22, pika 1, 23, pika 4, 25, pika 2, dhe 30, pika 1, të këtij ligji.
2. Ngarkohet ministri përgjegjës për çështjet e shkencës dhe të kërkimit shkencor, që, brenda 1 (një) viti nga hyrja në fuqi e këtij ligji, të miratojë aktet nënligjore, në zbatim të neneve 6, pika 2, 29, pika 2, dhe 35, të këtij ligji.
Neni 40
Shfuqizime
Ligji nr.7893, datë 22.12.1994, “Për shkencën dhe zhvillimin teknologjik”, i ndryshuar, shfuqizohet.
Neni 41
Hyrja në fuqi
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E T A R I
LINDITA NIKOLLA
###
V E N D I M
PËR
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR SHKENCËN  DHE KËRKIMIN SHKENCOR NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË”
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Sportit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Propozimin e projektligjit “Për shkencën dhe kërkimin shkencor në Republikën e Shqipërisë”, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
P R O J E K T L I GJ
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË LIGJIN NR.10448,  DATË 14.7.2011, “PËR LEJET E MJEDISIT”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I:
Në ligjin nr.10448, datë 14.7.2011, “Për lejet e mjedisit”, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
Neni 1
Kudo në tekstin e ligjit, fjalët “inspektorati/inspektoratit shtetëror kompetent” zëvendësohen përkatësisht me “struktura/strukturës përgjegjëse inspektuese në fushën e mjedisit”.
Neni 2
Në nenin 25 bëhen këto ndryshime:
1. Pikat 2 dhe 3 ndryshohen, si më poshtë vijon:
“2. Tarifat për lejet e mjedisit të tipeve A dhe B paguhen në llogarinë e Agjencisë Kombëtare të Mjedisit.
  3.  Operatorët e instalimeve të tipave A dhe B paguajnë çdo vit një tarifë vjetore në llogarinë e Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, duke u identifikuar nëpërmjet numrit të lejes (PN-së) përkatëse, duke përcjellë gjithmonë një kopje të mandatit të pagesës pranë AKM-së dhe ARM-së ku ndodhet instalimi.”.
2. Pika 5 shfuqizohet.
Neni 3
Neni 26 shfuqizohet.
Neni 4
Neni 27 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Neni 27
Shfuqizimi  dhe pezullimi i lejeve të mjedisit
1. Ministri, me propozim të AKM-së, për lejet e mjedisit të tipave A dhe B, pezullon ose shfuqizon lejen e mjedisit kur:
1.1. Në rast pezullimi:
a) paraqitet kërkesë nga vetë mbajtësi i lejes;
b)  mbajtësi i lejes nuk përmbush kushtet e parashikuara në lejen e mjedisit;
c) mbajtësi i lejes nuk ka paguar tarifën e lejes së mjedisit dhe/apo gjobat administrative, të vëna në bazë të këtij ligji apo të çdo akti tjetër normativ mjedisor.
         1.2. Në rast shfuqizimi:
a)paraqitet kërkesë nga vetë mbajtësi i lejes;
   b) mbajtësi i lejes nuk përmbush kushtet e parashikuara në lejen e mjedisit brenda afatit të pezullimit;
  c) mbajtësi i lejes është dënuar, sipas legjislacionit në fuqi për një vepër penale në fushën e mjedisit apo ka kryer kundërvajtje administrative po në fushën e mjedisit;
  ç) mbajtësi i lejes së mjedisit ka shkelur, në mënyrë të përsëritur, dispozitat e këtij ligji, fakt i cili ka sjellë në vendosjen e gjobave administrative, në përputhje me nenin 29, të këtij ligji;
d) mbajtësi i lejes nuk ka paguar tarifën e lejes së mjedisit dhe/apo gjobat administrative, brenda afatit të pezullimit, të vendosura në bazë të këtij ligji apo të çdo akti tjetër normativ mjedisor.
2. Ministri miraton kërkesën për shfuqizimin e lejes së mjedisit sipas shkronjës “a”, të pikës 1, të këtij neni, në rast se operatori ka marrë masat e nevojshme:
a) për të shmangur një rrezik ndotjeje nga veprimtaria e instalimit;
b) për të kthyer territorin e veprimtarisë në gjendjen e pranueshme të mjedisit, duke pasur parasysh gjendjen e këtij territori para se instalimi të fillonte veprimtarinë, verifikuar nga instancat inspektuese pranë AKM-së;
c) për të shlyer të gjitha detyrimet financiare.
3. Mospërmbushja dhe mosrespektimi i kërkesave, parimeve dhe kushteve të lejes përkatëse të mjedisit të tipave A apo B nga operatori i një instalimi, që:
a) ka çuar në rrezik ndotjeje të pakthyeshme të mjedisit nga veprimtaria e instalimit;
b) ka sjellë pamundësinë për të kthyer territorin e veprimtarisë në gjendje të pranueshme të mjedisit, duke pasur parasysh gjendjen e këtij territori para se instalimi të fillonte veprimtarinë,
përbën shkak për heqjen e së drejtës së zotëruesit të lejes për t’u pajisur me leje të tjera mjedisore për një periudhë 50-vjeçare, si dhe për shfuqizimin e çdo lejeje tjetër mjedisore të vlefshme të të njëjtit zotërues.
4. Për rastet e parashikuara në pikën 3, në zonën e dëmtuar ndalohet lejimi i aktiviteteve të tjera që kanë impakt negativ në mjedis për sa kohë ajo sipërfaqe nuk është rikthyer në gjendjen e pranusheme të mjedisit.
5. Ministria i përcjell AKM-së aktin e pezullimit/shfuqizmit të lejes së mjedisit, me qëllim publikimin e tij në Regjistrin Kombëtar të Lejeve dhe Licencave dhe njoftimin e operatorit.”.
Neni 5
Në nenin 29 bëhen ndryshimet e mëposhtme:
1. Pika 1 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“1. Shkeljet e mëposhtme të këtij ligji, që nuk përbëjnë vepër penale, përbëjnë kundërvajtje administrative dhe dënohen, si më poshtë vijon:
a) Zhvillimi i veprimtarisë, që është subjekt i një lejeje mjedisi të tipave A ose B, sipas përcaktimeve të këtij ligji,:
i. pa lejen  përkatëse të mjedisit  të  tipit A dënohet me gjobë, në vlerën nga 1 300 000 (një milion e treqind mijë) deri  në                                2 600 000 (dy milionë e gjashtëqind mijë) lekë;
ii. pa  lejen  përkatëse të mjedisit  të  tipit  B dënohet  me gjobë, në vlerën nga 650 000 (gjashtëqind e pesëdhjetë mijë) deri në                1 300 000 (një milion e treqind mijë) lekë,
duke u shtuar me vlerën 10 për qind të masës së gjobës çdo ditë, deri në plotësimin e detyrimit.
b) Mospërmbushja dhe mosrespektimi i kërkesave, parimeve dhe kushteve të lejes përkatëse të mjedisit të tipave A apo B nga operatori i një instalimi:
i. për lejet e mjedisit të tipit A dënohet me gjobë, në vlerën nga                    1 300 000 (një milion e treqind mijë) deri në 2 600 000 (dy milionë e gjashtëqind mijë) lekë;
ii. për lejet e mjedisit të tipit B dënohet me gjobë, në vlerën nga 390 000 (treqind e nëntëdhjetë mijë) deri në 650 000 (gjashtëqind e pesëdhjetë mijë) lekë,
duke u shtuar me vlerën 10 për qind të masës së gjobës çdo ditë, deri në plotësimin e detyrimit.
c) Mosinformimi i Agjencisë Kombëtare të Mjedisit nga operatori, në përputhje me përcaktimin e pikës 3, të nenit 16, të këtij ligji, dënohet me gjobë, në vlerën nga 1 300 000 (një milion e treqind mijë) lekë deri në 2 600 000 (dy milionë e gjashtëqind mijë) lekë, duke u shtuar me vlerën 10 për qind të masës të gjobës çdo ditë, deri në korrigjimin e mospërputhjes.
ç) Mosrespektimi i detyrimeve të parashikuara në pikën 1, të nenit 30/1, dënohet me gjobë, në vlerën nga 1 300 000 (një milion e treqind mijë) lekë deri në 2 600 000 (dy milionë e gjashtëqind mijë) lekë, duke u shtuar me vlerën 10 për qind të masës së gjobës çdo ditë, deri në aplikimin për pajisjen me lejen e rishikuar.”.
2. Pika 7 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“7. Gjoba e dhënë në zbatim të këtij neni përbën titull ekzekutiv pas shterrimit të ankimit administrativ, sipas përcaktimeve të Kodit të Procedurave Administrative. Gjoba paguhet brenda 10 ditëve kalendarike nga data kur është  njoftuar kundërvajtësi për vendimin e dënimit me gjobë që përbën titull ekzekutiv. Në rast mosekzekutimi vullnetar, për ekzekutimin e saj ngarkohet zyra e përmbarimit sipas rregullave të parashikuara në Kodin e Procedurës Civile dhe në ligjin për kundërvajtjet administrative.”.
Neni 6
Pas nenit 30 shtohet neni 30/1, me këtë përmbajtje:
“Neni 30/1
Dispozitë kalimtare
1. Operatori i pajisur me leje mjedisi të tipit A ose të tipit B, që nuk ka rishikuar apo ndryshuar kushtet e lejes ekzistuese të mjedisit, sipas parashikimeve të nenit 30, të ligjit, brenda 1 viti nga hyrja në fuqi e këtij ligji, ka detyrimin të aplikojë për rishikimin apo ndryshimin e kushteve të lejes mjedisore ekzistuese dhe pajisjen me leje mjedisi të rishikuar apo ndryshuar sipas kërkesave të këtij ligji, duke dorëzuar:
a) planin e përputhshmërisë me afatet përkatëse;
b) formularin e kërkesës për leje mjedisi të tipit A ose B;
c) pagesën e tarifës për ndryshim të kushteve të lejes së mjedisit;
ç) mandatpagesën mbi kryerjen e tarifave vjetore;
d) raportin për periudhën e fundit të vetëmonitorimit.
2. Pas kalimit të afatit të parashikuar në pikën 1, të këtij neni, në rast se operatori  nuk ka aplikuar për rishikimin apo ndryshimin e kushteve të lejes ekzistuese të mjedisit, përveç dënimit me gjobë, Agjencia Kombëtare e Mjedisit kryesisht i propozon ministrit shfuqizmin e lejes.
3. Të gjitha subjektet e pajisura me një numër leje (PN), të gjeneruara nga sistemi për periudhën korrik-gusht 2022, i nënshtrohen kontrollit nga struktura përgjegjëse inspektuese në fushën e mjedisit, e cila shqyrton plotësimin e kushteve të përcaktuara në këtë ligj dhe në                                      vendimin nr.419, datë 25.6.2014, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e kërkesave të posaçme për shqyrtimin  e kërkesave për leje mjedisi të tipave A dhe B,  për transferimin e lejeve nga një subjekt te tjetri, të kushteve për lejet përkatëse të mjedisit, si dhe rregullave të hollësishme për shqyrtimin e tyre nga autoritetet kompetente deri në lëshimin e këtyre lejeve nga  QKB-ja”, të ndryshuar, brenda 3 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji. Në rast se konstatohet mosplotësimi i kushteve të sipërpërmendura, struktura përgjegjëse inspektuese në fushën e mjedisit ndjek procedurat për shfuqizimin e numrit të lejes (PN), sipas parashikimeve të këtij ligji.
4. Akti “Leje mjedisi”, i lëshuar jo në përputhje me përcaktimet e këtij ligji dhe për veprimtari, të cilat nuk përfshihen në shtojcën 1, shfuqizohet.
5.  Agjencia Kombëtare e Mjedisit, në bashkëpunim me Qendrën Kombëtare të Biznesit, identifikojnë aktet e parashikuara në pikën 4, të këtij neni, dhe Agjencia Kombëtare e Mjedisit kryesisht i propozon ministrit shfuqizmin e tyre.”.
Neni 7
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E T A R I
LINDITA NIKOLLA
###
V E N D I M
PËR
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË LIGJIN NR.10448, DATË 14.7.2011, “PËR LEJET                        E MJEDISIT”, TË NDRYSHUAR”
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Turizmit dhe Mjedisit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Propozimin e projektligjit “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.10448,                    datë 14.7.2011, “Për lejet e mjedisit”, të ndryshuar”, për shqyrtim dhe miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR RATIFIKIMIN                               E MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE                  TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE UNIVERSITETIT KOMBËTAR TË ARSIMIT NË DISTANCË (UNED), PËR HAPJEN                  E UNIVERSITETIT KOMBËTAR TË ARSIMIT NË DISTANCË, KAMPUSI NË GJIROKASTËR”
 Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, nenit 17, të                              ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Sportit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Propozimin e projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Universitetit Kombëtar të Arsimit në Distancë (UNED), për hapjen e Universitetit Kombëtar të Arsimit në Distancë, kampusi në Gjirokastër”, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
###
P R O J E K T L I GJ
PËR
RATIFIKIMIN E MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT                          TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË                                 DHE UNIVERSITETIT KOMBËTAR TË ARSIMIT NË DISTANCË (UNED), PËR HAPJEN E UNIVERSITETIT KOMBËTAR                              TË ARSIMIT NË DISTANCË, KAMPUSI NË GJIROKASTËR
Në mbështetje të neneve 78, 81, pika 1, 83, pika 1, dhe 121, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I:
Neni 1
Ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Universitetit Kombëtar të Arsimit në Distancë (UNED), për hapjen e Universitetit Kombëtar të Arsimit në Distancë, kampusi në Gjirokastër, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij ligji dhe është pjesë përbërëse e tij.
Neni 2
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E T A R I
LINDITA NIKOLLA  
*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.