Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Projektligje të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 3 Nëntor 2021:

 

V E N D I M
PËR

PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PЁR RATIFIKIMIN E MEMORANDUMIT TË MIRËKUPTIMIT, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE SHTETEVE TË BASHKUARA TË AMERIKËS, LIDHUR ME VENDOSJEN E KUFIZIMEVE TË IMPORTIT TË KATEGORIVE TË MATERIALEVE ARKEOLOGJIKE DHE ETNOLOGJIKE TË SHQIPËRISË”

Në mbështetje të neneve 81, pika 1, e 100, të Kushtetutës, dhe të nenit 17, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Kulturës, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Propozimin e projektligjit “Për ratifikimin e memorandumit të mirëkuptimit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, lidhur me vendosjen e kufizimeve të importit të kategorive të materialeve arkeologjike dhe etnologjike të Shqipërisë”, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

###

P R O J E K T L I GJ
PËR

RATIFIKIMIN E MEMORANDUMIT TË MIRËKUPTIMIT, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE SHTETEVE TË BASHKUARA TË AMERIKËS, LIDHUR ME VENDOSJEN E KUFIZIMEVE TË IMPORTIT TË KATEGORIVE TË MATERIALEVE ARKEOLOGJIKE DHE ETNOLOGJIKE TË SHQIPËRISË

Në mbështetje të neneve 78, 83, pika 1, dhe 121, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë

V E N D O S I:

Neni 1

Ratifikimin e memorandumit të mirëkuptimit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, lidhur me vendosjen e kufizimeve të importit të kategorive të materialeve arkeologjike dhe etnologjike të Shqipërisë, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij ligji.

Neni 2

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E T A R I
LINDITA NIKOLLA

***

P R O J E K T L I GJ
PËR

DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË LIGJIN NR.110/2018, “PËR NOTERINË”

Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë

V E N D O S I:

Në ligjin nr.110/2018, “Për noterinë”, bëhen këto shtesa dhe ndryshime:

Neni 1

Në nenin 3 bëhen shtesat e mëposhtme:

1. Pas shkronjës “a” shtohet shkronja “a/1”, me këtë përmbajtje:

“a/1) “Integriteti dhe besueshmëria profesionale”, tërësia e veprimeve, mosveprimeve ose sjelljeve që sigurojnë mungesën e dyshimit të arsyeshëm, të bazuar në indicie, të dhëna ose fakte të besueshme për mbajtjen e kontakteve të papërshtatshme të të interesuarit ose kandidatit për noter me persona të përfshirë në krimin e organizuar ose në kryerjen e veprave të rënda penale, si dhe mungesën e sjelljeve të rënda të papërshtatshme etike e morale që cenojnë besimin e publikut në sistemin noterial.”.

2. Pas shkronjës “b” shtohet shkronja “b/1”, me këtë përmbajtje:

“b/1) “Kontakt i papërshtatshëm” është shoqërimi ose mbajtja e lidhjeve nëpërmjet takimeve, komunikimit elektronik ose çfarëdolloj mënyre tjetër takimi të qëllimshëm me një person të përfshirë në krimin e organizuar ose në kryerjen e veprave të rënda penale, kur shoqërimi ose mbajtja e lidhjeve nuk kryhet për shkak të ushtrimit të detyrës.”.

Neni 2

Në nenin 5 bëhen këto shtesa:

1. Pas shkronjës “b” shtohet shkronja “b/1”, me këtë përmbajtje:

“b/1) të ketë integritet dhe besueshmëri profesionale;”.

2. Pas shkronjës “ç” shtohet shkronja “ç/1”, me këtë përmbajtje:

“ç/1) të mos jetë përfshirë në listën e personave të shpallur sipas legjislacionit në fuqi për masat kundër financimit të terrorizmit.”.

Neni 3

Në nenin 6 bëhen ndryshimi dhe shtesa e mëposhtme:

1. Pika 4 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“4. I interesuari, që përmbush kriteret e parashikuara në shkronjat “a”, “b”, “c”, “ç”, “ç/1” dhe “d”, të nenit 5, të këtij ligji, ka të drejtë të marrë pjesë në provimin e pranimit në formimin fillestar.”.

2. Pas pikës 11 shtohet pika 12, me këtë përmbajtje:

“12. Qendra e Trajnimit i njofton Ministrisë së Drejtësisë listën përfundimtare të të interesuarve që kanë kaluar me sukses provimin e pranimit, jo më vonë se 5 (pesë) ditë nga data e lëshimit të certifikatës së kalimit me sukses të provimit të pranimit në formimin fillestar.”.

Neni 4

Pas nenit 6 shtohet neni 6/1, me këtë përmbajtje:

“Neni 6/1
Verifikimi i integritetit dhe besueshmërisë profesionale
1. I interesuari, që ka kaluar me sukses provimin e pranimit në formimin fillestar, sipas përcaktimeve të nenit 6, të këtij ligji, i nënshtrohet verifikimit të integritetit dhe besueshmërisë profesionale.

2. Brenda një jave nga njoftimi i listës përfundimtare të të interesuarve që kanë kaluar me sukses provimin e pranimit në formimin fillestar, ministri i Drejtësisë kërkon të dhëna, dokumente, fakte apo mjete të tjera të provës nga Policia e Shtetit, prokuroria, gjykata, organet e administratës tatimore dhe doganore, Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave, Byroja Kombëtare e Hetimit, shërbimet shtetërore informative, Dhoma Kombëtare e Noterisë, çdo organ disiplinor që ka mbikëqyrur disiplinën në marrëdhëniet e punës së subjektit të verifikimit, si dhe çdo organ publik, person fizik ose juridik që disponon të dhëna të vlefshme për qëllimet e verifikimit. Nëse është e nevojshme, ministri i Drejtësisë kërkon të dhëna shtesë nga institucionet e përmendura në këtë pikë.

3. Çdo institucion publik, subjekt, fizik ose juridik, është i detyruar të paraqesë të dhënat, dokumentet, faktet apo mjete të tjera të provës, që i ka në administrim, sipas kërkesës së ministrit të Drejtësisë, jo më vonë se 30 (tridhjetë) ditë nga data e marrjes së kërkesës, me përjashtim të rasteve kur ndalohet shprehimisht nga ligji i posaçëm.

4. Në çdo rast, ministri i Drejtësisë çmon, sipas bindjes së tij, se cilat fakte konsiderohen të provuara bazuar në vlerësimin e hollësishëm të raporteve të paraqitura nga institucionet kompetente, sipas pikës 3, të këtij neni, si dhe në rezultatin tërësor të hetimit administrativ. Procedura administrative për verifikimin e integritetit dhe besueshmërisë profesionale përfundohet nga ministri i Drejtësisë, sipas afateve të përcaktuara në Kodin e Procedurës Administrative.

5. Ministri i Drejtësisë vendos që i interesuari nuk kalon procesin e verifikimit të integritetit dhe besueshmërisë profesionale kur:

a) subjekti i verifikimit ka kontakte të papërshtatshme me persona të përfshirë në krimin e organizuar ose në kryerjen e veprave të rënda penale;
b) ka shfaqur sjellje të rënda të papërshtatshme etike dhe morale që cenojnë besimin e publikut në sistemin noterial; ose
c) ka ndonjë shkak tjetër përjashtues, sipas përcaktimit të legjislacionit në fuqi.

6. Kundër urdhrit të ministrit të Drejtësisë për moskalimin e procesit të verifikimit të integritetit dhe besueshmërisë profesionale mund të bëhet ankim në gjykatën kompetente administrative brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve nga data e njoftimit të urdhrit.

7. Verifikimit të integritetit dhe besueshmërisë profesionale, sipas këtij neni, i nënshtrohet edhe kandidati për noter, përpara se të hyjë në provimin e kualifikimit për noter, sipas nenit 9, të këtij ligji.”.

Neni 5

Pika 1, e nenit 8, ndryshohet, si më poshtë vijon:

“1. Çdo person. që plotëson kushtet e parashikuara në shkronjat “a”, “b”, “b/1”, “c”, “ç”, “ç/1” dhe “d”, të nenit 5, të këtij ligji, mund të bëhet kandidat për noter.”.

Neni 6

Pika 1, e nenit 9, ndryshohet, si më poshtë vijon:

“1. Kandidati për noter, pas përfundimit me sukses të formimit fillestar të detyrueshëm 1-vjeçar dhe pas trajnimit praktik 2-vjeçar, si kandidat për noter pranë një noteri, ka të drejtë të hyjë në provimin e kualifikimit për noter, nëse përmbush kushtet e parashikuara në shkronjat “a”, “b”, “b/1”, “c”, “ç”, “ç/1” dhe “d”, të nenit 5, të këtij ligji.”.

Neni 7

Pas pikës 4, të nenit 17, shtohet pika 5, me këtë përmbajtje:

“5. Strukturat përgjegjëse të Ministrisë së Drejtësisë përditësojnë dhe kontrollojnë regjistrin me “listën e personave të shpallur”, sipas legjislacionit në fuqi për masat kundër financimit të terrorizmit.”.

Neni 8

Pas shkronjës “g”, të pikës 1, të nenit 21, shtohen shkronjat “gj” dhe “h”, me këtë përmbajtje:

“gj) përfshihet në listën e personave të shpallur sipas legjislacionit në fuqi për masat kundër financimit të terrorizmit;
h) kur pranohet kërkesa e autoritetit përgjegjës për revokimin e licencës së noterit, në përputhje me legjislacionin në fuqi për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit”.

Neni 9

Pas pikës 8, të nenit 25, shtohet pika 9, me këtë përmbajtje:

“9. Në rast se noteri ka kontakte të papërshtatshme me një person të përfshirë në krimin e organizuar ose në kryerjen e veprave të rënda penale, ministri i Drejtësisë urdhëron inspektime të rregullta në vend për të gjitha aktet, regjistrin e veprimtarisë noteriale si dhe çdo dokumentacion tjetër të aktivitetit noterial jo më pak se 1 (një) herë në vit. Noteri i nënshtrohet inspektimit me intervale të rregullta, sipas përcaktimit të pikës 1, të këtij neni, jo më vonë se 2 (dy) vjet nga data e kontaktit të fundit të papërshtatshëm.”.

Neni 10

Në nenin 26 bëhen shtesat e mëposhtme:

1. Në fjalinë e parë të pikës 1, pas fjalës “… disiplinore …” shtohen fjalët “… gjatë ushtrimit të funksionit …”.

2. Pas pikës 1 shtohet pika 1/1, me këtë përmbajtje:

“1/1. Noteri kryen shkelje disiplinore jashtë ushtrimit të funksionit, kur, në veçanti, por pa u kufizuar në to, kryen veprimet, mosveprimet ose sjelljet e mëposhtme:

a) Përdorimi i paligjshëm i statusit të noterit, me qëllim krijimin e përfitimeve për vete ose për të tjerët;
b) Përfitimi i padrejtë, në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë i dhuratave, favoreve, premtimeve ose trajtimeve preferenciale të çfarëdo lloji, të cilat jepen për shkak të funksionit që ushtron ose si rrjedhojë e shfrytëzimit të pozicionit të noterit, edhe në rastin kur formalizohen me një veprim juridik;
c) Raste të tjera të sjelljes së rëndë të papërshtatshme etike dhe morale që cenon besimin e publikut në sistemin noterial, të kryera jashtë ushtrimit të detyrës.”.

Neni 11

Në nenin 27 bëhen shtesat e mëposhtme:

1. Në fjalinë e parë të pikës 1, pas fjalës “… disiplinore …” shtohen fjalët “… gjatë ushtrimit të funksionit …”.

2. Pas pikës 1 shtohet pika 1/1, me këtë përmbajtje:

“1/1. Zëvendësnoteri kryen një shkelje disiplinore jashtë ushtrimit të funksionit, kur në veçanti, por pa u kufizuar në to, kryen veprimet, mosveprimet ose sjelljen e mëposhtme:

a) Përdorimi i paligjshëm i statusit të zëvendësnoterit, me qëllim krijimin e përfitimeve për vete ose për të tjerët;
b) Përfitimi i padrejtë, në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë i dhuratave, favoreve, premtimeve ose trajtimeve preferenciale të çfarëdo lloji, të cilat jepen për shkak të funksionit që ushtron ose si rrjedhojë e shfrytëzimit të pozicionit të zëvendësnoterit, edhe në rastin kur formalizohen me një veprim juridik;
c) Raste të tjera të sjelljes së rëndë të papërshtatshme etike dhe morale që cenon besimin e publikut në sistemin noterial, të kryera jashtë ushtrimit të detyrës.”.

Neni 12

Në nenin 47 shtohen pikat 3 dhe 4, me këtë përmbajtje:

“3. Në seancë dëgjimore para Bordit Disiplinor:

a) ministri i Drejtësisë, ose përfaqësuesi i tij, paraqet argumentet që shkelja disiplinore është kryer dhe propozon masën disiplinore që duhet të merret;
b) noteri ose zëvendësnoteri, ose edhe përfaqësuesi i tij, paraqet argumentet mbrojtëse.

4. Përmbajtja e parashtrimeve me shkrim nuk përsëritet gjatë seancës dëgjimore.”.

Neni 13

Në fjalinë e parë të pikës 1, të nenit 56, shtohen shkronjat “ç” dhe “d”, me këtë përmbajtje:
“ç) vazhdimi i ushtrimit të detyrës nga noteri ose zëvendësnoteri dëmton rezultatin e hetimit ose procedimit disiplinor, pengon konkluzionin e tij të drejtë ose të rregullt ose cenon figurën dhe integritetin e profesionit të noterit;
d) merr cilësinë e të pandehurit për një krim të rëndë të kryer me dashje ose për një vepër penale që cenon figurën dhe integritetin e profesionit të noterit.”.

Neni 14

Në pikën 1, të nenit 59, pas fjalës “… shkronja “a”…” shtohen fjalët “… shkronjat “d” dhe “ç” …”.

Neni 15

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E T A R I
LINDITA NIKOLLA

###

V E N D I M
PËR

PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË LIGJIN NR.110/2018, “PËR NOTERINË””

Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Propozimin e projektligjit “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.110/2018, “Për noterinë”, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA 

 

 

*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.