Projektligje të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 30 Dhjetor 2020

Projektligje të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 30 Dhjetor 2020:

V E N D I M
PËR

PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR RATIFIKIMIN E MARRËVESHJES SË FINANCIMIT, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE KOMISIONIT TË BASHKIMIT EVROPIAN, NË LIDHJE ME PROGRAMIN VJETOR KOMBËTAR PËR SHQIPËRINË PËR VITIN 2019, NË KUADËR TË INSTRUMENTIT TË ASISTENCËS SË PARAANËTARËSIMIT (IPA II)”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, si dhe të nenit 17, të ligjit nr.17/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e Kryeministrit dhe ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Propozimin e projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes së financimit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Komisionit të Bashkimit Evropian, në lidhje me Programin Vjetor Kombëtar për Shqipërinë për vitin 2019, në kuadër të instrumentit të asistencës së paraanëtarësimit (IPA II)”, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

###

P R O J E K T L I GJ
PËR

RATIFIKIMIN E MARRËVESHJES SË FINANCIMIT, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE KOMISIONIT TË BASHKIMIT EVROPIAN, NË LIDHJE ME PROGRAMIN VJETOR KOMBËTAR PËR SHQIPËRINË PËR VITIN 2019, NË KUADËR TË INSTRUMENTIT TË ASISTENCËS SË PARAANËTARËSIMIT (IPA II)

Në mbështetje të neneve 78, 83, pika 1, e 121, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë

V E N D O S I:

Neni 1

Ratifikimin e marrëveshjes së financimit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Komisionit të Bashkimit Evropian, në lidhje me Programin Vjetor Kombëtar për Shqipërinë për vitin 2019, në kuadër të instrumentit të asistencës së paraanëtarësimit (IPA II), sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij ligji.

Neni 2

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E T A R I
GRAMOZ RUÇI

###

P R O J E K T L I GJ
PËR

DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË LIGJIN NR.10193, DATË 3.12.2009, “PËR MARRËDHËNIET JURIDIKSIONALE ME AUTORITETET E HUAJA NË ÇËSHTJET PENALE”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë

V E N D O S I:

Në ligjin nr.10193, datë 3.12.2009, “Për marrëdhëniet juridiksionale me autoritetet e huaja në çështjet penale”, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:

Neni 1

Kudo në përmbajtje të ligjit termat “Letërkërkesa” dhe “letërkërkesë”, zëvendësohen përkatësisht me termat “Kërkesa” dhe “Kërkesë”.

Neni 2

Në nenin 4 bëhen këto ndryshime:

1. Titulli i nenit ndryshohet dhe bëhet: “Llojet e kërkesave”

2. Në fjalinë e parë, fjala “Kërkesat …” zëvendësohet me fjalët “.. llojet e kërkesave …”.

3. Shkronja “a” ndryshohet, si më poshtë vijon:

“a) “Letërporositë”, ku përfshihen njoftimet e akteve, kërkesat për marrjen e provave si dhe çdolloj akti tjetër ose informacioni në formë të shkruar apo të ruajtur në çdo formë tjetër gjatë procedimit penal, të njohur nga legjislacioni shqiptar.”.

Neni 3

Pika 3, e nenit 5, ndryshohet, si më poshtë vijon:

“3. Letërkërkesa paraqitet nga autoritetet gjyqësore vendase, e nënshkruar dhe e vulosur, si dhe e shoqëruar me përkthim në gjuhën e vendit, të cilit i drejtohet letërkërkesa, i cili përkthehet nga Ministria e Drejtësisë. Në rast urgjence, përkthimi kryhet nga prokuroria ose gjykata kompetente nëpërmjet përkthyesve zyrtarë. Kur shteti i huaj ka përcaktuar se pranon kërkesat në një gjuhë tjetër, Ministria e Drejtësisë ose, në raste urgjente, autoriteti gjyqësor vendas, mund të paraqesin kërkesën në gjuhën e pranuar. Shpenzimet e përkthimit përfshihen në shpenzimet procedurale të parapaguara, sipas nenit 485 të Kodit të Procedurës Penale. Rregullat e detajuara për formën e letërkërkesës, procedurën dhe përkthimin e akteve përcaktohen me udhëzim të përbashkët të ministrit të Drejtësisë, Prokurorit të Përgjithshëm dhe drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme.”.

Neni 4

Në pikën 1, të nenit 6, fjala “Letërkërkesa …” zëvendësohen me fjalët “ … kërkesa për ndihmë të ndërsjellë juridike …” dhe fjalët “… ky ligj …” zëvendësohen me “… legjislacioni i brendshëm …”.

Neni 5

Pika 1, e nenit 7, ndryshohet, si më poshtë vijon:

“1. Ministria e Drejtësisë e përcjell kërkesën e huaj pasi vlerëson kushtet e përcaktuara në këtë ligj dhe Kodin e Procedurës Penale. Kërkesa e huaj i përcillet drejtpërdrejt ose nëpërmjet prokurorit të Përgjithshëm, prokurorisë kompetente me juridiksion të përgjithshëm ose, kur është rasti, prokurorit të Prokurorisë së Posaçme.”.

Neni 6

Në nenin 12 bëhen këto ndryshime:
1. Titulli ndryshohet dhe bëhet “Mbrojtja e të dhënave”.

2. Në pikën 1, pas fjalëve “… sekretit shtetëror …” shtohen fjalët “… e hetimor …”.

Neni 7

Në nenin 14 bëhen ndryshimi dhe shtesa e mëposhtme:

1. Pika 1 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“1. Ministria e Drejtësisë, brenda 10 ditëve, ia percjell aktet prokurorisë me juridiksion të përgjithshëm nëpërmjet prokurorit të Përgjithshëm ose, kur është rasti, Prokurorisë së Posaçme. Ministria e Drejtësisë mund t’ia përcjellë drejtpërdrejt aktet prokurorisë me juridiksion të përgjithshëm, duke njoftuar njëkohësisht Prokurorin e Përgjithshëm.”.

2. Pas pikës 1 shtohet pika 1/1, me këtë përmbajtje:

“1/1. Prokurori kompetent i rrethit ose, kur është rasti, prokurori i Prokurorisë së Posaçme, kur nuk kërkohet disponimi i gjykatës sipas parashikimeve të Kodit të Procedurës Penale ose marrëveshjeve ndërkombëtare të ratifikuara, kryen menjëherë ekzekutimin e kërkesave për ndihmë juridike.”.

3. Në fjalinë e parë, të pikës 2, pas fjalëve “… Prokurori i rrethit …” shtohen fjalët “… ose prokurori i Prokurorisë së Posaçme …”.

Neni 8

Pika 1, nenit 20, ndryshohet, si më poshtë vijon:

“1. Autoritetet gjyqësore vendase mund t’i drejtojnë kërkesë autoriteteve gjyqësore të huaja për pyetjen në distancë nëpërmjet lidhjeve telefonike ose audiovizive të gjitha subjekteve të procedimit penal, të ndodhura jashtë shtetit, duke përfshirë edhe personin të marrë si të pandehur në një procedim të lidhur, të proceduar ose që vuan dënimin jashtë shtetit për një vepër tjetër penale si dhe çdo subjekt tjetër që merret në pyetje në përputhje me Kodin e Procedurës Penale.”.

Neni 9

Pas nenit 20 shtohet neni 20/1, me këtë përmbajtje:
“Neni 20/1
Skuadrat e përbashkëta hetimore

1. Skuadrat e përbashkëta hetimore krijohen në përputhje me marrëveshjet ndërkombëtare dypalëshe ose me konventat ndërkombëtare që i parashikojnë ato.

2. Marrëveshjet për krijimin e skuadrave të përbashkëta hetimore lidhen nga Prokurori i Përgjithshëm, pas propozimit të drejtuesit të prokurorisë përkatëse ose nga drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme për vepra penale që janë në kompetencë lëndore të prokurorisë së posaçme. Skuadrat e përbashkëta hetimore krijohen në rastet kur merret një kërkesë nga autoriteti gjyqësor i huaj ose kur kërkohet ngritja e një skuadre të përbashkët hetimore me autoritetet e huaja në kuadrin e një procedimi penal kur:

a) hetimet e kryera nga një prej palëve të marrëveshjes mbi vepra penale, janë të një natyre komplekse dhe kanë lidhje me palën tjetër;
b) palët në marrëveshje kryejnë hetime mbi vepra penale që, për shkak të rrethanave të rastit, kërkojnë ndërmarrjen e një veprimi të bashkërenduar.

3. Prokurori i Përgjithshëm ose drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme e lidhin marrëveshjen për të kryer hetime penale në territorin e Republikës së Shqipërisë për një afat të kufizuar, i cili mund të zgjatet me miratimin e palëve.”.

Neni 10

Pas nenit 23 shtohet neni 23/1, me këtë përmbajtje:

“Neni 23/1
Marrëveshja për dorëzim ose ndarje të pasurisë së konfiskuar

1. Dorëzimi ose ndarja e pasurisë së konfiskuar kryhet nëpërmjet marrëveshjeve dypalëshe për dorëzimin e pasurisë së konfiskuar mes shtetit kërkues dhe shtetit të kërkuar, në zbatim të vendimit të gjykatës së huaj, të njohur dhe të ekzekutueshëm sipas legjislacionit në fuqi për njohjen e vendimeve penale të huaja.

2. Marrëveshja për dorëzimin ose ndarjen e pasurisë së konfiskuar lidhet ndërmjet autoritetit kompetent të shtetit të huaj dhe autoritetit kompetent shtetëror në Republikën e Shqipërisë për administrimin e pasurive të konfiskuara, në përputhje me legjislacionin në fuqi për administrimin e pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara dhe legjislacionit në fuqi për lidhjen e marrëveshjeve ndërkombëtare. Marrëveshja për dorëzimin ose ndarjen e pasurisë së sekuestruar mund të lidhet vetëm me autoritetet e atyre shteteve, të cilat, në të njëtat rrethana, do të vendosnin dorëzimin ose ndarjen e pasurisë me shtetin shqiptar.

3. Marrëveshja për dorëzimin ose ndarjen e pasurisë së konfiskuar ndërmjet autoritetit kompetent të shtetit të huaj dhe autoritetit kompetent shtetëror në Republikën e Shqipërisë, si rregull, duhet të reflektojë një ndarje proporcionale të pasurisë së konfiskuar në përputhje me vendin ku është kryer vepra penale, që ka prodhuar të ardhura, si edhe rolin e punën hetimore të secilit vend, përveç rasteve kur marrëveshjet ndërkombëtare të ratifikuara parashikojnë ndryshe.”.

Neni 11

Neni 29 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“Neni 29
Regjistri elektronik i gjendjes gjyqësore të shtetasve të dënuar jashtë vendit

1. Regjistri elektronik i gjendjes gjyqësore të shtetasve të dënuar jashtë vendit administrohet nga Ministria e Drejtësisë.

2. Regjistri elektronik i gjendjes gjyqësore të shtetasve të dënuar jashtë vendit përmban të dhënat për çdo vendim penal të dhënë jashtë shtetit ndaj shtetasve shqiptarë, shtetasve të huaj ose pa shtetësi, por me banim të përhershëm në shtetin shqiptar.

3. Dhënës të informacionit për bazën e të dhënave në regjistrin elektronik të gjendjes gjyqësore të shtetasve të dënuar jashtë vendit është çdo mision diplomatik në shtetin e huaj, si dhe çdo autoritet tjetër publik që merr dijeni për dënimin e një shtetasi shqiptar, shtetasi të huaj apo pa shtetësi, por me banim të përhershëm në shtetin shqiptar nga një gjykatë e huaj me vendim të formës së prerë.

4. Baza e të dhënave sipas këtij neni ndërvepron me bazat e të dhënave të sistemit gjyqësor dhe të prokurorisë vendase e të autoriteteve juridiksionale të huaja në bazë të marrëveshjeve të bashkëpunimit të ndërsjellë.

5. Këshilli i Ministrave miraton rregulla të hollësishme për të dhënat parësore dhe dytësore që regjistrohen në regjistër, rregullat për ndërveprimin me bazat e tjera të të dhënave shtetërore, si dhe nivelin e aksesimit për subjektet e interesuara në këtë bazë të dhënash.

Neni 12

Titulli i seksionit I, të kreut III, ndryshohet dhe bëhet “Ekstradimi për jashtë shtetit”.

Neni 13

Në nenin 32 bëhen ndryshimi dhe shtesa e mëposhtme:

1. Shkronja “d” ndryshohet, si më poshtë vijon:

“d) shteti kërkues jep garanci që nuk do të japë një dënim më të rëndë sesa dënimi me të cilin ai është dënuar apo dënim me vdekje ose, nëse e ka dhënë një dënim të tillë, nuk do ta ekzekutojë atë.”.

2. Pas shkronjës “dh” shtohet shkronja “e”, me këtë përmbajtje:

“e) Kur personi, për të cilin kërkohet ekstradimi, ka kryer një vepër penale në Shqipëri dhe mund të vendoset pezullimi i ekzekutimit të ekstradimit ose dorëzimi i përkohshëm i tij;”.

Neni 14

Pika 2, e nenit 36, ndryshohet, si më poshtë vijon:

“2. Me kërkesë të Prokurorisë së Përgjithshme ose Prokurorisë së Posaçme, Ministria e Drejtësisë kryen përkthimin e akteve të kërkuara brenda 24 orëve. Komunikimet ndërmjet këtyre institucioneve mund të kryhen edhe në rrugë elektronike.”.

Neni 15

Në nenin 38 bëhen ndryshimet e mëposhtme:

1. Pika 1 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“1. Zyra Qendrore Kombëtare e Interpolit, me marrjen e një urdhri ndërkombëtar arresti nga një shtet i huaj për një shtetas shqiptar, në të cilin deklarohet qëllimi i shtetit kërkues për ekstradim, ia përcjell sa më parë, por jo më vonë se 5 (pesë) ditë pune, Ministrisë së Drejtësisë dhe Prokurorisë së Përgjithshme ose Prokurorisë së Posaçme, në rastet kur vepra, për të cilën kërkohet ekstradimi është në kompetencën lëndore të saj. Njëkohësisht, Zyra Qendrore Kombëtare e Interpolit, përmes strukturave të Policisë së Shtetit fillon verifikimet për identifikimin e saktë të gjenealiteteve dhe vendndodhjes së tij. Verifikimet e kryera i dërgohen, sipas rastit, Prokurorisë së Përgjithshme ose Prokurorisë së Posaçme dhe Ministrisë së Drejtësisë.”.

2. Fjalia e parë, e pikës 4, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“4. Prokurori i Përgjithshëm ose drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme, sipas kompetencës lëndore, pas marrjes së urdhrit ndërkombëtar të arrestit.”.

3. Shkronja “a”, e pikës 4, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“a) administron dhe vlerëson verifikimet e kryera nga Policia e Shtetit ose Zyra Qendrore Kombëtare e Interpolit mbi identitetin, vendndodhjen dhe shtetësinë e personit që kërkohet.”.

4. Në pikën 5, pas fjalëve “… Prokurori i Përgjithshëm …” shtohen fjalët “… ose, sipas rastit, drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme …”.

5. Pika 2, 3, 7, 8 dhe 9 si dhe shkronja “b” e pikës 4 shfuqizohen.

Neni 16

Pika 3, e nenit 39, ndryshohet, si më poshtë vijon:

“3. Vendimi gjyqësor i dhënë sipas këtij neni depozitohet në sekretarinë gjyqësore brenda 3 ditëve nga shpallja e tij. Me marrjen formë të prerë të vendimit gjyqësor, sekretaria gjyqësore njofton menjëherë prokurorinë kompetente me juridiksion të përgjithshëm dhe Prokurorinë e Përgjithshme ose, kur është rasti, Prokurorinë e Posaçme.”.

Neni 17

Shkronjat “c” dhe “ç”, të pikës 1, të nenit 42, shfuqizohen.

Neni 18

Në nenin 48 bëhen ndryshimet e mëposhtme:

1. Fjalia e parë, e pikës 3, ndryshohet, si më poshtë vijon:

“Urdhri i kërkimit ndërkombëtar hartohet në gjuhën shqipe dhe angleze ose në një nga gjuhët e tjera zyrtare të Interpolit dhe përmban:”.

2. Shkronja “ç”, e pikës 3, ndryshohet, si më poshtë vijon:

“ç) informacion mbi masën e sigurimit dhe maksimumin e dënimit me burgim që parashikohet për veprën penale përkatëse ose pjesën e mbetur të masës së dënimit të dhënë me vendim gjyqësor të formës së prerë;”.

3. Pikat 4 dhe 5 ndryshohen, si më poshtë vijon:

“4. Prokurori pranë Prokurorisë me juridiksion të përgjithshëm, nëpërmjet Prokurorit të Përgjithshëm ose prokurori pranë Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, nëpërmjet drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme, ia dërgon menjëherë urdhrin e kërkimit ndërkombëtar Zyrës Qendrore Kombëtare të Interpolit.

5. Prokurori i Përgjithshëm, drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme dhe ministri i Brendshëm, me udhëzim të përbashkët, përcaktojnë procedurat e nxjerrjes së urdhrit të kërkimit ndërkombëtar, si dhe rregulla të detajuara për afatet e mënyrat e shkëmbimit të informacionit për nxjerrjen dhe komunikimin e tij.”.
Neni 19

Në fund të pikës 1, të nenit 49, shtohen fjalët “… ose Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme.”.

Neni 20

Pikat 5 dhe 6, të nenit 57, ndryshohen, si më poshtë vijon:

“5. Me marrjen formë të prerë të vendimit për njohjen e vendimit penal të huaj, sekretaria gjyqësore e gjykatës njofton menjëherë prokurorinë kompetente me juridiksion të përgjithshëm dhe Prokurorinë e Përgjithshme ose, kur është rasti, Prokurorinë e Posaçme.

6.Prokurori i Përgjithshëm, brenda 15 ditëve nga administrimi i vendimit të formës së prerë, ia përcjell vendimin Ministrisë së Drejtësisë.”.

Neni 21

Pikat 1 dhe 2, të nenit 69, ndryshohen, si më poshtë vijon:

“1. Organi, që ka disponuar mbi transferimin e procedimit penal sipas pikës 1, të nenit 68, të këtij ligji, i përcjell Ministrisë së Drejtësisë vendimin e transferimit së bashku me fashikullin.

2. Ministria e Drejtësisë, brenda 30 ditëve nga marrja e akteve prej organit që ka disponuar mbi transferimin e procedimit penal, ia përcjell ato shtetit të kërkuar dhe i kërkon të njoftohet për pranimin ose jo të transferimit të procedimit penal.”.

Neni 22
Dispozita të fundit

Parashikimet e bëra në nenin 9, të këtij ligji, nuk zbatohen për marrëveshjet në fuqi për krijimin apo veprimtarinë e skuadrave të përbashkëta hetimore të lidhura nga Prokuroria e Përgjithshme, nga Prokuroria e e Krimeve të Rënda ose nga Prokuroria e Posaçme, përpara hyrjes në fuqi të këtij ligji.

Neni 23
Hyrja në fuqi

Ky ligj në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E T A R I
GRAMOZ RUÇI

###

V E N D I M
PËR

PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË LIGJIN NR.10193, DATË 3.12.2009, “PËR MARRËDHËNIET JURIDIKSIONALE ME AUTORITETET E HUAJA NË ÇËSHTJET PENALE”, TË NDRYSHUAR”

Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Propozimin e projektligjit “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.10193, datë 3.12.2009, “Për marrëdhëniet juridiksionale me autoritetet e huaja në çështjet penale”, të ndryshuar”, për shqyrtim dhe miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit, që i bashkëlidhen këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA 

 

*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.